Tashmë dihet se leximi mund ta përmirësojë shëndetin tuaj mental dhe intelektual. Kjo është evidente kur e kemi parasysh faktin se disa nga njerëzit më të pasur në botë, pjesën më të madhe të kohës e shpenzojnë duke lexuar. Për të qenë i suksesshëm, ju duhet të keni njohje rreth synimeve tuaja dhe të keni vullnet për të ecur përpara drejt përmbushjes së këtyre objektivave.
Një studim i bërë tek 1.200 njerëz të suksesshëm ka zbuluar se ata e kanë një hobi të përbashkët: Leximin. Natyrisht, duhet edhe disa gjëra të tjera për ta arritu suksesin, duke përfshirë këtu edhe fatin, por leximi e mban peshën më të rëndë në mundësin tuaj për sukses.
Warren Buffet
Disa nga njerëzit më të pasur të botës asnjëherë nuk e kanë përfunduar edukimin e tyre formal sepse ata vendosën të mësojnë sipas mënyrës së tyre. Tom Corley e ka studiuar jetën e disa prej këtyre njerëzve, për librin e tij “Rich Habits: The Daily Success Habits of Wealthy Individuals” (Shprehit e pasura: Shprehit e suksesshme ditore të individëve të pasur).
Nga ky studim ai e kuptoi se përveç presionit të jashtëm, shprehit e juaja ditore do të ndikojnë në suksesin tuaj personal në jetë. Përderisa Corely asnjëherë nuk e ka përfunduar edukimin formal, ai ishte në gjendje të mësonte dhe ti zhvillonte shprehit e suksesshme përmes leximit. Siç mund ta dijn shumë prej nesh, shkollat nëpër gjithë botën shpeshherë vuajnë nga mungesa e resurseve.
Ky studim e vërteton rëndësin e bërjes së librit të qasshëm për secilin.
Disa nga njerëzit më të mëdhenjë, më me ndikim dhe më të pasur në botë, suksesin e tyre i’a kanë atribuar leximit. Bill Gates, e braktisi kolegjin, e krijoi Microsoftin e cila i solli pasuri marramendëse dhe ai ende edhe sot i lexon rreth 50 libra në vit.
Miliarderi i famshëm Warren Buffet ka theksuar se i lexon rreth 100 faqe çdo ditë, duke e shpenzuar pjesën më të madhe të kohës së tij i fshehur në dhomën e tij të leximit. Natyrisht, ata e kanë kohën dhe paranë për ti shpenzuar në lexim, dhe jo çdo kush mund ta bëjë një jetë të tillë, por e rëndësishme është ta kuptojmë se leximi është shumë i rëndësishëm për motivimin e këtyre njërzve të suksesshëm.
Zakonisht shkallët e suksesit janë të ndërtuara me libra; ato janë qelësi i edukimit për të gjithë ne. Ato duhet ti bëjmë të qasshme për të gjithë njerëzit në botë, dhe natyrisht, mos harroni të vazhdoni të lexoni në secilin moment që jeni i lirë.
Mishërimi i pesimizmit dhe e romantizmit gjerman, Artur Shopenhauer njihet kryesisht për veprat “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, “Metafizika e dashurisë”, “Baza e moralit”, “Si të sillemi me gratë” etj.
Arthur Schopenhauer lindi në Gdansk, më 22 shkurt 1788, si djali i një biznesmeni kozmopolit dhe një nëne që pëlqente letërsinë. Jetoi gjithnjë i pavarur, duke mos mbajtur asnjëherë një post akademik me pagesë.
“Pavarësia e mjeteve”, shprehej Shopenhauer, “është parakusht i pavarësisë së mendimit”.
Jetoi tridhjetë vjet i vetmuar, në murin e studios varur një portret të Kantit, kurse në tryezën e punës një statujë të Budës. Për kënaqësi lexonte The Times, i binte flautit dhe asistonte në operën e Frankfurtit.
Nocioni i vullnetit, pikëpamjet mbi motivimin apo dëshirat njerëzore, zënë vendin themelor në mendimin e tij: thelbi i ekzistencës, që përbën çdo gjë, një ide që do të ketë ndikim të thellë tek Friedrich Nietzsche. Nisur nga kjo pikëpamje, soditja estetike merr një kuptim të ri.
Zbulimi i filozofisë indiane do të lë gjurmë të pashlyera në mendimin filozofik të autorit, si pasojë e leximit të “Upanishadëve” – tekste të shenjta që formojnë bazën e saj teorike.
“Siç dihet, filozofia ime mohon çdo përqasje që mund të bëhet midis jetës njerëzore dhe konceptit të ekzistencës së lumtur”, shprehej Schopenhauer.Thelbi i filozofisë së tij më vonë do të përshfaqej si një devizë e pesimizmit ngushëllues.
Schopenhauer njihet për mizantropinë e tij, pak më pak i njohur për dashurinë ndaj moralit. Ishte nga ata filozofë që inkurajoi njerëzit të tregojnë paralelisht egoizëm dhe mëshirë. Egoizmi kundër moralit, sensi i përbashkët ndaj moralit praktik.
Progreset mahnitëse në shkencë dhe teknologji bënë që shekulli XIX të ishte një shekull optimist. Prezantimi i Hegelit për historinë e Perëndimit si një Bildungsroman, historia e realizimit të “arsyes” në çështjet njerëzore kishte mbërthyer mendimin e epokës.
Megjithatë, Schopenhauerio ishte i vetmi filozof që deklaroi pesimizmin e tij, duke e konsideruar historinë e Hegelit si një trillim të pashpirt. Progresi, që ai trumbeton, është një mashtrim: jeta ishte, është dhe gjithmonë do të jetë vuajtje: “orvatjet e rrekshme për të shmangur vuajtjet nuk bëjnë tjetër veçse ndryshim forme”.
Sipas tij, larg nga krijimi i një Zoti të dëshiruar, apo i surrogatos së tij, të “arsyetimit” hegelian, bota është diçka që “nuk duhet të ekzistojë”.
I panjohur deri në dekadën e fundit, filozofi më i famshëm në Evropë vdiq në vitin 1860. Shkrimet e tij mbi estetikën, moralin dhe psikologjinë ushtruan ndikim të rëndësishëm mbi mendimtarët dhe artistët e shekullti XIX dhe XX.Disa nga aforizmat e tij më të njohura:
“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e madhe e ka të sigurt”.
“Për njeriun e pajisur me inteligjencë, vetmia ofron dy avantazhe: para së gjithash të jetë vetëmeveten dhe, së dyti, të mos jetë me të tjerët”.
“Edhe për më jetëgjatët, jeta është shumë e shkurtër në lidhje me projektet e bëra”.
“Çfarë i bën filozofët? Guximi për të mos mbajtur asnjë pyetje në zemër”.
“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlen edhe për lavdinë”.
“Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt”. /Konica/
Visar Zhiti, rrëfim: Është shumë e çuditshme dhe pabesueshme. Madje është bërë e pabesueshme dhe për ne. Ishte një diktaturë e egër. Më e egra në të gjithë pernadorinë komuniste.
Diktatura donte të zotëronte me gjithçka. Materialisht. Njeriun e kishte zhveshur nga prona, nga pasuria, nga identiteti njerëzor dhe poezinë e donte për vete. Madje edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të XX Umberto Eco thotë që diktaturat poezinë e duan për veten e tyre, nuk duan që poeti t’ua kushtojë gjërave lirike. Si psh trëndafilave. Dhe me citon edhe mua për librin tim “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.
Në këtë kohë diktatura i sulmonte intelektualët e poezinë, nëpërmjet intelektualëve dhe atyre që e lexonin, që e dinin, që e bënin poezinë. Në këtë drejtim do të thoja që ka qenë shumë e rëndë. Është e nevojshme për Katharsis. Të na bashkojë poezia, jo të na ndajë.
Ne jetojmë në një pseudokohë, ku ka edhe pseudonjerëz, ku është falsifikuar shumëcka. Në këtë drejtim do shumë kujdes, do dhe dhimbje për ta parë specialisti.
Së pari dosja ime më jepet në hetuesi për ta parë, dosja hetimore. Pastaj në vitet e mëpasshme kam mundur ta shoh, tani dhe e kam. Mund tju a le kur të doni ta shikoni.
Poezia siç e thashë pak më parë ka aftësinë të bashkojë, dhe kur je në burg, duke menduar për të, ndihesh jashtë saj.
Nuk mund të ketë jetë pa poezi. Poezia e jetës. Nuk është vetëm ajo që shkruhet, është dhe ajo që jetohet.
Unë do shkoj të promovoj një libër mes shqiptarëve në Rumani. Më ka dalë një libër me poezi të reja atje, falë studiuesit, kritikut dhe përkthyesit Luan Topciu.
Të dënohesh për një poezi, sot tingëllon jo vetëm e çuditshme, por edhe ç’njerëzore. Por, fenomeni i dënimit të poetëve nga poetët ka qenë e zakonshme në Shqipërinë e asaj kohe. Por, ashtu sikurse Visar Zhiti e tha. Ky nuk ishte një dënim dhe vendosje prangash ndaj tij, por ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Mediat zvicerane kanë vlerësuar punën komunitetit shqiptar, si model integrimi, sinqeriteti dhe dinamizmi.
Ata vazhdojnë të mbajnë kulturën shqiptare, me aktivitete kulturore, artistike dhe sportive.
Sic shkruan arcinfo.ch themeluesi i klubit të futbollit FC Kosova, shkollës shqipe, dhe të shoqërinë kulturo-artistike, kanë marrë pjesë në një event shumë të rëndësishëm, përcjell albinfo.ch.
Më 24 shkurt kanë prezantuar për qytetarët zviceranë në kantonin e Neuchatelit, kuzhinën tradicionale, kulturën, bujarinë, traditën, dhe mirësinë tonë shqiptare, ku kanë marrë pjesë të gjitha institucionet kantonale dhe komunale, përcjell tutje albinfo.ch.
Ata kanë prezantuar ushqimin tradicional shqiptar, por edhe kulturën shqiptare, duke i impresionuar edhe zviceranët.
Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.
Ishte prilli i vitit 1971
Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.
Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.
“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,
krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.
Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.
-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.
-Ka zë të artë e të kristaltë…
-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.
Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”
Kënga e saj
Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.
…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.
Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.
Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.
Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.
Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.
– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…
Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.
Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.
Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:
– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.
Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…
Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…
Fjalë zemre
Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.
– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.
Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.
E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.
– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…
Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.
– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…
Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.
-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.
Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër.
“Free Solo”, dokumentar i realizuar nga regjisorët Elizabeth Chai Vasarhelyi dhe Jimmy Chin, ka arritur të triumfojë në ceremoninë e mbrëmshme të ndarjes së çmimeve Oscar duke u zgjedhur si “Dokumentari më i mirë”.
Regjisorja që u shpërblye me Çmimi Oscar, Elizabeth Chai, vite më parë kishte krijuar një dokumentar për periudhën e pasluftës në Kosovë, të titulluar: “A Normal Life” (Një jetë normale), njofton Klan Kosova.
Ky dokumentar nga Elizabeth Chai ka të bëjë me shtatë miq që janë të rinj në moshë dhe për jetën e tyre gjatë tre vjetëve në kohën e pasluftës në Kosovë.
Përmes historive të tyre të traumës dhe rimëkëmbjes, dëshpërimit dhe shpresës së përtërirë, shfaqet transformimi i tyre i mrekullueshëm nga fëmijë të konfliktit në udhëheqës të rinj të një shteti të ri.
“A Normal Life” është një dokumentar intim dhe një shpjegim personal i rritjes dhe lëvizjes përtej traumës.
“Free Solo” që u shpërblye si “Dokumentari më i mirë” në ceremoninë e të dielës flet për rrugëtimin e alpinistit Alex Honnold për t’u ngjitur pa litar në formacionin e famshëm të shkëmbinjëve El Capitan në Parkun Kombëtar Yosemite, në qershor të vitit 2017.
Regjisorët që janë edhe çift, Jimmy Chin dhe Elizabeth Chai Vasarhelyi, u sfiduan gjatë xhirimeve të këtij dokumentari – xhirimin e Honnold pa ndikuar në ngjitjen e tij në 3000 metra lartësi dhe incizimin e zërit, sepse ai ishte shpesh shumë larg nga kamera.
“Më duhet të besoja se Alex po ia dilte shumë mirë. Ne gjithashtu duhej të mbanim peshën që gjithë produksioni të shkonte në mënyrë të përsosur. Nëse do të bënim ndonjë gabim, do të ishte katastrofike”, ka thënë Chin në prapaskenë.
Në skenën e Oscars, Chai Vasarhelyi ka falënderuar National Geographic [për realizimin e këtij filmi], “që kanë besuar në ne dhe që kanë punësuar gra dhe njerëz me ngjyrë, sepse ne vetëm ndihmojmë që të prodhohen filma më të mirë”.
“Ky film është për të gjithë që besojnë në misionet e pamundura. Është puna e një ushtrie të tërë”.
Gjuha shqipe e arbëreshëve të Italisë është në rrezik zhdukje. Ajo është një nga gjuhët e përfshira në projektin e sapo lancuar nga OKB për shpëtimin e mbi 3000 gjuhëve ndër rreth 7000 që janë sot në botë.
Projekti “Endagered Languages Project” i realizuar nga një grup ekspertësh në fushën e edukimit, gjuhës e shkencës të OKB, në bashkëpunim me mjaft universitete të botës dhe motorin e kërkimit Google, ka si synim të mbajë gjallë memorien e së shkuarës përmes gjuhës e të sensibiliziojë opinionin publik botëror mbi problemin e gjuhëve në rrezik zhdukje.
“Me çdo gjuhë që vdes, humbet një trashëgimi e madhe kulturore”, nënvizojnë ekspertët botëror të gjuhës. “Humbet vizioni unik i botës, humbet dëshmia e shekujve të jetës.”
Njohja e ekzistencës së një gjuhe mund të jetë hapi i parë për t’i zgjatur asaj jetën.
Ekspertët e këtij projekti vënë në dispozicion të portalit të tyre materialin e duhur informativ mbi çdo gjuhë në rrezik, si dhe ftojnë partnerë e individë të jenë aktiv në kontributin e tyre në dhënien e informacionit të shkruar e audio viziv për çdo gjuhë në rrezik të lartë zhdukje. Ndërsa motori i madh i kërkimit Google, do të realizoj lancimin e këtij projekti dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të tij në kohë afatgjate.
Sipas projektit “Endagered Languages Project” të OKB, në Itali gjuha e folur nga minoranca etnike arbëreshe është në rrezik zhdukje.
Informacioni i shpërndarë deri më tani nga ekspertët linguistik të këtij projekti, thotë se gjuha arbëreshe është një dialekt i Shqipërisë së Jugut e përdorur nga pakica etnike e arbëreshëve që llogariten të jenë sot nga 100 mijë deri në 200 mijë persona që jetojnë në të gjithë territorin italian përfshirë dhe ishujt. Shumica e arbëreshëve të Italisë është përqendruar në jug të vendit, në Kalabri e Sicili.
Gjuha e arbëreshëve të Italisë është e njohur nga shteti italian dhe e mbrojtur nga ligji 482 i viti 1999. Shpesh herë komunat e arbëreshëve të Italisë kanë kërkuar më shumë fonde nga qeveria italiane për ruajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike.
Në nivel universitar në disa universitete italiane ekziston katedra e gjuhës shqipe si në Universitetin e Napolit, të Palermos, Cozencas, në Bari e La Sapienza në Romë/Shekulli.
Pikat e shiut qi rrjedhshin si lot t’hanës kallxojshin qi edhe yjet janë mërzit e i ka marr malli me na pa e me u numru prej neve
Pikat e shiut luftojshin’ me xhamin e dritares t’dhomës mbi t’cilin ish mshtet kryt tem t’u menu per ty e t’u i prit durt’ e tua me u shtri n’ftyrën tem
Jehona e fjalëve tua
e shoqnojke zhurmën e pikave t’shiut
e lotëve t’mi
shoqni iu kanë ba
lotët e qiellit
Faqja Emerging Europe ka renditur Tiranën në 19 destinacionet e reja europiane për t’u vizituar në 2019.
Tirana, qyteti me më shumë ngjyra i Europës? Ndoshta. Arti i rrugës mbulon pothuajse çdo hapësirë të disponueshme dhe është shndërruar në një kartëvizitë të kryeqytetit më të keqkuptuar në të gjithë Europën, shkruan Emerging Europe në artikullin e saj.
“Kafene dhe bare të shumta shtrihen në rrugë gjatë verës dhe në fundjavë mund të ndjehet sikur gjysma e të gjithë të rinjve shqiptarë po festojnë. Vendasit miqësorë, çmimet e lira dhe mundësia për të eksploruar edhe më gjerë Shqipërinë (bregdeti është vetëm një orë me makinë në njërën anë, dhe kodrat e pyllëzuara të Dajtit në anën tjetër) e bëjnë Tiranën një vend perfekt për një pushim veror”, vijon artikulli.
Tirana renditet në një listë së bashku me qytete si, Ohri në Maqedoni, Budva në Mal të Zi, Prishtina në Kosovë, Lublin në Poloni, Lyiv në Ukrainë, Oradea në Rumani, Batumi në Gjeorgji, Parnu në Estoni, Naftalani në Azerbajxhan, etj. / KultPlus.com
Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka
botuar, të hënën e 6 qershorit 1927,në ballinë,
letrën e Firmin Gemier (themelues i Théâtre mondial, Paris), i cili ka reaguar
asokohe ndaj akuzave të Aleksandër Moisiut, botuar një ditë më parë po në
këtë gazetë. Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë dokumentin në vijim për publikun
shqiptar :
Çështja e Kammerspiele-s
Z. Gémier i përgjigjet Z. Aleksandër
Moisiut
Në numrin tonë të së dielës së kaluar, ne
botuam një shkresë në të cilën z. Aleksandër Moisiu shpjegoi arsyet e mungesës
së Kammerspiele-s në Atelier, ku do të zhvilloheshin shfaqjet.
Kësaj shkrese, z. Firmin Gémier i përgjigjet me anë të
letrës në vijim :
Z. Kryeredaktor,
Vërej në letrën e Moisiut
drejtuar të dielën në mëngjes Comoedia-s, pasazhin e mëposhtëm :
“Por arsyeja vendimtare e
heqjes dorë nga ana ime ka qenë qëndrimi i z. Gémier, themelues i “Teatrit
Botëror – Théâtre mondial”, i cili, në një letër drejtuar një zyrtari të
Legatës Austriake në Paris, u shpreh kundër ardhjes së Kammerspiele-s, që,
sipas tij, do të dëmtonte festivalin e këtij “Teatri Botëror”.”
Kundërshtoj zyrtarisht këto
absurditete. Asnjëherë, as në një letër apo në qëndrimet e mia, nuk kam qenë
kundër ardhjes së trupave të huaja, cilado qoftë ajo. Nga ana ime, kjo do të
ishte paradoksale, nëse gjykojmë artistët e shumtë të të gjitha kombeve që u
pritën në Opera, Champs-Elysées, tek Pleyel, Gaveau etj.
Dhe pastaj, kujt do t’i
tregojë Moisiu që një aktor që ka firmosur një angazhim jashtë vendit, i cili e
di se teatri ku ai duhet të luajë tashmë ka një qira të siguruar për disa
mbrëmje, jo që nuk mund të përjashtojë mbajtjen e këtij angazhimi, por edhe nuk
mund të pengojë shokët e tij që ta përmbushin atë, për arsyen e vetme se ka në
sallë, ku ai duhet të luajë, një zotëri, qëndrimi i të cilit i është dukur
armiqësor !
Këto janë argumenta fëmijësh.
Le të vijnë Moisiu dhe
Kammerspiele në Paris, dhe të gjithë do të jenë me ta, pasi ata kanë talent.
E kam parë Moisiun verën e
kaluar në Salzburg, tek Max Reinhardt, ai luajti shkëlqyeshëm “Zotërinë
Gjithkushi (Monsieur Chacun)”; e di se ai është i përsosur në “Kufomën e
gjallë” të Tolstoit, që do ta luante këtu.
Le të vijë, dhe unë do të jem
me ata që do ta duartrokasin dhe do ta pranojnë atë dhe shokët e tij nga Vjena,
me miqësi, në emër të ndjenjave që na animojnë neve, themeluesve të Shoqërisë
Universale të Teatrit. Është detyra jonë dhe gëzimi ynë të njohim vetveten dhe
të vlerësojmë veten tonë. Shoqëria Universale nuk është një “vepër e
Penelopës”. Kush mund të mendojë se ne shkatërrojmë natën atë që kemi aq shumë
vështirësi të krijojmë ditën ?
Ka kaq kundërshti në gjërat që thuhen, kaq mosnjohje dhe më shumë përfolje, saqë çdo gjë që lidhet me Kosovën merret e shndërruar në kuptime që janë tepër kontradiktore. Por së fundi një sondazh i kryer nga Instituti Kërkimor për Zhvillimin dhe Çështjet Evropiane, bërë me një mostër prej 1110 qytetarë të Kosovës ka nxjerrë një rezultat që ndjehet dhe dihet por është e vështirë të artikulohet. Sipas këtij sondazhi: tashmë vetëm 43% e popullsisë në Kosovë e mendojnë dhe e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
Në Kosovë rezultatet e këtij sondazhi kanë kaluar pa shumë bujë, kurse në Shqipëri akoma edhe më keq, shpërfillshëm. Ndërsa për Kosovën rezultati e ka një arsye pasi gjendet në një qerthull të frikshëm, për ndoshta vizatimin e ri të kufijve të saj dhe një konfuzioni të madh të liderëve të saj para marrëvshjes së detyrueshme, që në një farë mënyre reflektojnë dhe paqartësinë e konjukturës ndërballkanike.
Shqipëria, prej kohësh, ka impakt shumë të vogël në Kosovë. Mbledhjet e përbashkëta nuk e kanë arritur atë shkallë afrimi me Kosovën, që besohej se do të ndodhte, kurse “Rruga e Kombit”, e cila shpresohej se do të ishte një udhë plot trafik është shndërruar thjesht në një rrugë të gjatë me kalimin e makinave sporadike, që nuk e justifikon investimin e madh dhe barrën e madhe të taksës mbi shqiptarët.
Një justifikues nga qeveritë shqiptare mund të përplasë para fytyrës faktin se marrëdhëniet tregtare janë rritur, por fatkeqësisht sërish Shqipëria nuk e mbush dot hapësirën e madhe që la kufizimi i mallrave serbe prej vendosjes së taksës 100% të qeverisë Haradinaj, ashtu si Shqipëria mbetet shumë cinike për shumë aspekte të Kosovës dhe anasjelltas. Mes nesh ka paragjykime, kurse fatkeqësisht Kosova dhe Shqipëria nuk mund të funksionojnë si duhet institucionalisht, qoftë edhe pas disa mbledhjeve mbushur me slogane patriotike dhe plot detyra të përbashkëta.
Përplasjet politike të dy anëve të kufirit tonë janë të ngritura deri në nivelet e larta, që është reflektuar me qëndrimin e ftohtë së fundmi ndaj kryeministrit shqiptar në Kosovë dhe indiferencën ndaj drejtuesve kosovarë në Tiranë. Kohë më parë, shuplakë do të merrte ish-Ministrja e Mbrojtjes Kodheli prej thjesht një deklarate emocionale, ashtu si zyrtarët kosovarë shpesh në Tiranë do të shpërfillen.
Për fat, brezat e rinj janë më afër me njëri-tjetrin pasi e njohin dhe e respektojnë këtë realitet, por që edhe ata mbesin me një dashuri gati të largët sikur flitet për njerëz të një diaspore të shkuar, apo sikur të ishin Arbëreshët larguar prej shekujsh.
Kosova e sotme zë shumë pak vend në faqet e medias shqiptare dhe anasjelltas, kurse portalet më shumë merren me lajmet politike dhe skandalet sesa gjërat që mund të na afrojnë dhe të përbashkëtat. Bashkimi kombëtar është bërë një slogan që më shumë përdoret prej disa politikanëve për të treguar një staturë false para shqiptarisë sesa realisht një qëndrim.
Kosova dhe Shqipëria, për të ardhur keq, është sepse po largohen prej njëra-tjetrës dhe kjo edhe më shumë sesa ftohtësia e Tiranës dhe Prishtinës përbën dhe rezultatin e konjukturave të reja dhe mënyra sesi Administrata Trump e shikon këtë vatër në Evropë dhe ngutin për ta mbyllur problematikën e tyre.
Kosova po gjen rehatinë te simbolika e flamurit të vet, që paradoksalisht është i vizatuar me kufirin e sotëm, bash atë që do të lëvizë presidenti, por edhe me të gjithë atributet që i fal pavarësia dhe që ia ka vërtetuar edhe GJND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë). Shqipëria duhet të bindet për këtë realitet, por edhe për një identitet që Kosova po e krijon nga dita në ditë. Nuk mund të harrohet ngazëllimi i Kosovës kur mundi Shqipërinë në futboll dhe sesi kosovarët i gëzohen sot përfaqësueses së tyre në çdo fitore.
Kosova i ka thënë lamtumirë Serbisë, por me sa duket, po ndahet paqësisht edhe me Shqipërinë, sepse këto dy dekada na mësuan që të kuptonim diferencat por edhe predispozitat e elitave të dy vendeve, që e diktojnë këtë ndarje.
Ne, nuk mund t’i dalim dot krah Kosovës në përditmërinë e tyre të vështirë sepse energjia na shkon me budallalliqet tona politike dhe mballosjes së një ekonomie anemike, përveçse se shpirtërisht themi dhe do të jemi gati kurdo që mund të kenë nevojë. Por, Kosova duket se e ka shënjuar veten. Ajo është e pavarur dhe po krijon një identitet të ri, që e kënaq me një flamur dhe himn krejt të ri, që nuk i shkon më frymës së simbolikës sonë, mbushur me trima dhe tradhtarë.
Kosova e sotme është perëndimore dhe nëse do të kishte pak më shumë politikanë të përgjegjshëm do të ishte krahas Shqipërisë dhe Maqedonisë në proceset e integrimit. Ani pse, ka të ngjarë që konjukturat ta ndiejnë sërish, sepse është investim mirëfilli amerikan. Kosova e ndjen dhe i është lezetuar ky sens. Ndaj, ata sot duan veten dhe të ardhmen e tyre para fjalëve të fryra të shqiptarisë dhe sloganeve tona patriotike/Homo Albanicus.
Një koncert ndryshe po vjen në Prishtinë. Krejt kjo pas një pune të madhe të një grupi artistësh që kanë punuar fort për të sjellë një event të veçantë, shkruan KultPlus.
I titulluar “Event 55”, ky koncert i zhanrit Etno-Jazz do të sjell para publikut instrumentistë të dy zhanreve të ndryshme, të cilët kanë punuar në ri-aranzhimin e disa këngëve shqipe në një stil modern.
Orkestra e “Event 55” përbëhet nga Afrim Sadiku, Ilir Bajri,
Armend Xhaferi, Gëzim Sadiku, Fatlum Ferati, Aleksandar Jovevski, Sefjedin Kryeziu,
Mustafë Ramaj, Teoman Ukça. Nën shoqërinë e orkestrit me disa pika do të jenë
edhe këngëtarët Petrit Çarkaxhiu, Agona Shporta, Ganimete Asllani, Mustafë
Ramaj, Rijad dhe Mirhad Lecaj.
Për këtë koncert është bërë përzgjedhja e disa pikave muzikore ku Afrim Sadiku bashkë me Ilir Bajrin dhe Armend Xhaferin i kanë ri-aranzhuar dhe do t’i sjellin në zhanrin Etno-Jazz.
Ideja e tyre është të sjellin muzikë jazz por që tingëllon
shqip, e kështu përmes muzikës të identifikohet edhe prejardhja e performuesve,
pasi që ky koncert ka për qëllim të udhëtojë në disa shtete dhe festivale të
muzikës jazz.
Kjo ngjarje njëherit shënon edhe rikthimin e Afrim Sadikut një prej instrumentistëve i cili ekzekuton me instrumentet me tela si sharki dhe çifteli që nga mosha 9 vjeçare. Gjatë karrierës së tij muzikore ka qenë drejtor artistik i ansamblit Azem Bejta, është marrë me komponimin dhe aranzhimin e këngëve të pothuajse gjithë estradës deri më sot. Atë e karakterizon stili i veçantë me të cilin i sjell këngët shqipe. Projekti i fundit ku ka marr pjesë është “Kënga e Ashikëve” e grupit Jericho. Në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e projekteve tjera të rock’ut të grupit Troja.
Ndërsa koncerti “Event 55” do të mbahet në teatrin Oda më 2 mars me fillim nga ora 20:00. Ky është një event me ftesa, mirëpo të gjithë të interesuarit mund të shikojnë në faqen e eventit në Facebook për të kuptuar nëse ka vende të lira në sallë. / KultPlus.com
Galley at the Club paraqet “Artin e Kosovës”, koleksionin e Genc dhe Marta Rodiqit dhe pikturat e Enver Hoxhaj dhe Genc Rodiqit.
Kjo është ekspozita
e parë që GAC-i shpalosw koleksionin e tij privat, si dhe ekspozita e parë e
artistit profesionist Enver Hoxhaj në Zvicër, dhe në këtë ekspozitë për herë të
parë Genc Rodiqi, do tw ekspozojw pikturat e tij, mw 1 mars tw kwtij viti.
Ky koleksion i përmbledhur gjatë 14 viteve të fundit, përmban vetëm piktura nga artistë kosovarë. Pikturat e ekspozuara janë një segment i kufizuar i të gjithë koleksionit, por kanë për qëllim të demonstrojnë llojllojshmërinë e stileve dhe thellësinë e krijimtarisë së artistëve kosovarë.
Enver Hoxhaj,
një artist kosovar, shpreh emocionet dhe përshtypjet e tij nëpërmjet
përmbledhjeve të tij të frymëzuara nga minimalistët. Ai kërkon për të
panjohurin dhe ndan kërkimet e tij me shikuesin nëpërmjet përdorimit të ngjyrës
dhe ritmit të përbërjes së tij. Kështu, edhe pse ndonjëherë përdor ngjyra të
buta, ai ende arrin intensitet emocional në pikturat e tij.
Genc Rodiqi, bashkëthemelues i koleksionit te Galeria e Arteve Dada, Prishtinë, paraqet punën e tij këtu në Galerinë AWCZ at the Club për herë të parë. Ju mund të shkoni të zbuloni, eksploroni dhe shijoni artin modern kosovar, ndoshta për herë të parë, në ‘American Women’s Club’ të Cyrihut. / KultPlus.com
Bisedë me profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, arbëreshin Elio Miracco, i nderuar nga presidenti i Shqipërisë me çmimin “Naim Frashëri” dhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Bisedën e realizoi Mimoza Hasani Pllana
Sot, lexuesi
shqiptar, Italinë e njeh si një nga qendrat që dha shumë për zhvillimin dhe
promovimin e letërsisë shqipe, bazuar në kritere dhe vlera evropiane, që nga
koha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Ky kontribut i çmuar u
mundësua falë punës së madhe të profesorëve dhe hulumtuesve të katedrave të
gjuhës dhe letërsisë shqipe në qytetet më të rëndësishme të kulturës, letërsisë
dhe artit. Aktualisht janë funksionale katedrat si në vijim: Katedra në
kryeqytetin italian, Romën, pastaj në Venecia, në Palermo, në Napoli, në Leçe,
në Kalabri dhe në Kosencë. Pra, Italia është shteti evropian me numrin më të
madh të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Përmes një bisede,
do të kujtojmë dhe sjellim momente të veçanta nga jeta dhe puna e njërit prej
profesorëve më të njohur që kontribuuan në zhvillimin e studimeve gjuhësore dhe
letrare, në vendin ku arbëreshët ruajtën gjuhën, kulturën dhe traditën
shqiptare për shekuj me radhë. Është fjala për profesorin e nderuar arbëresh
z.Elio Miracco.
Mimoza Hasani Pllana: Profesor Miracco, tani ka kaluar
gjysmë shekulli që kur keni nisur punën tuaj shkencore në Institutin e
Studimeve Shqiptare në Universitetin e Romës “La Sapienza”. Në atë kohë udhëheqës ishte mësimdhënësi, autori i
tregimeve moderne shqipe, poeti, dramaturgu dhe atdhetari i shquar Ernest
Koliqi, i cili ishte edhe mentori juaj i temës së diplomës me titull “Historia e traditës gojore në Shën Sofi”,
a mund të na kujtoni momente të veçanta të punës tuaj me Koliqin?
Elio Miracco: Që
kur ndoqa leksionet e Koliqit rritej në mua interesi për letërsinë shqipe në
një përmasë të re shkencore e kulturore, meritë e Mjeshtrit, që dinte t’i
udhëhiqte studentët në zbulimin e Shqipërisë së panjohur nëpërmjet figurave të
ndritura të poetëve e prozatorëve, pa folur kurrë për veten. Rreth tavolinës,
që ruhet edhe sot, në krah të pasardhësit të tij, Giuseppe Gradilone,
studentët, ndërsa ai pinte një cigare pas tjetrës (atëherë lejohej duhani),
dëgjonin shpjegimet e tij mahnitëse. Kështu ne studionim autorët arbëreshë të
letërsisë shqipe, nga e cila, sipas tij, nuk mund të shkëputej kjo diasporë e
vjetër, ashtu si sot mendoj se nuk mund të shkëputet letërsia e Kosovës. Rreth
asaj tavoline, me shpatulla nga dërrasa e zezë, thithnim ajrin e freskët të
maleve shqiptare, mësonim qëndresën krenare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të
veriut ndërmjet Lahutës së Malësisë, ose poezinë e brishtë klasike të Mjedës,
pa harruar Migjenin dhe poezinë rebele e realiste. Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e
Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk
përziente politikën në gjykime, kështu, kurrë politika nuk ka ndërhyrë në
problematikën letrare.
Ishte koha kur
regjimi komunist fillonte të ftonte Arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë
miq i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.
Pas diplomës
universitare më ngarkoi me detyrën e vëzhgimit dhe të regjistrimit gjuhësor të
pranisë së arbëreshëve në katundet e Kalabrisë dhe të Pulias. Bashkë me mua
punonte edhe Vinçenc Malaj. Gjithë kjo punë bëhej për të kryer përmbledhjen e
tregimeve popullore. Kërkimet e mia përfunduan me përmbledhjen e tregimeve
popullore të provincës së Katanxaros, libri u botua dhjetë vjet pas vdekjes së
tij me përkujdesjen e drejtorit të ri të Institutit Giuseppe Gradilone. Koliqi
me kohë kishte vënë në dukje nevojën e mbledhjes së traditës gojore para se të
zhdukej. Nuk duhet të ishte vetëm një dëshmi e pranisë së arbëreshëve, por edhe
e ruajtjes së pasurisë shpirtërore e kulturore pas pesë shekujve jetese në
Itali. Në këtë këndvështrim, mund të quhet ‘themeluesi
i Rilindjes së Re arbëreshe’ nëpërmjet nismave që ai vetë, dhe revista „Shêjzat” ndërmorën në shumë katunde:
lindën kudo qarqe kulturore, gazeta, përmbledhje me poezi e fjalë të urta të
traditës gojore; nëpërmjet faqeve të revistës e njohu publikun me shkrimtarët e
rinj, organizoi konferenca dhe sidomos përkujtimin e njëqindvjetorit të vdekjes
së Skënderbeut, duke bërë të mundur praninë e shumë katundeve arbëreshe
nëpërmjet pjesëmarrjes së Eparkisë së Lungros, dhe të priftërinjve që kryen
mjaft aktivitete në famullitë e tyre. Kishte nxitur kudo nëpër Itali këto
kremtime që u mbyllën në Romë, në Vatikan, ku u pritën nga Papa, bashkë me të
deleguar të tjerë nga Kalabria, pas kremtimeve pranë statujës së Skënderbeut.
Një njeri në mërgim, që ndiente tek arbëreshët atë liri që mungonte në Shqipëri
dhe që e shprehu letrarisht në poemthin Kangjelet
e Rilindjes.
Mimoza H.P: Gjatë
këtyre viteve, kontributi juaj në njohjen e letërsisë dhe kulturës shqipe në
Itali përfshinë studimet për veprën e rilindasit të çmuar Jeronim De Rada e
deri te shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare, pastaj trashëgiminë gojore
arbëreshe si dhe studime tjera albanologjike. Kjo punë e madhe na bën të kujtojmë
se një jetë studimore ia kushtuat gjuhës dhe letërsisë arbëreshe, shqipe. Ky
pasion i juaj për ta ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Itali,
a mund të themi se i ka rrënjët në fëmijërinë tuaj apo u zhvillua gjatë
studimeve?
Elio Miracco: Familja
ime ishte arbëreshe. Kjo ishte gjuha që flitej në shtëpi. Në katund të gjithë
flisnin arbërisht dhe, duke ndjekur shkollën në Liceun Klasik të kolegjit të
famshëm të Shën Adrianit, mund të kuptohet se afrimi me letërsitë klasike si edhe italiane ishte bukë
e përditshme. Por, të gjithë ne
ndienim këto rrënjë të lashta e mundoheshim t’i fisnikëronim nëpërmjet
rizbulimit të historisë dhe të letërsisë shqipe. Ishim krenarë
për De Radën, Seremben, megjithëse nuk kishim mundësi t’u lexonim veprat ashtu
siç na tërhiqte historia e Rilindjes italiane, ku kishin marrë
pjesë Arbëreshët.
Ishim analfabetë në të folmen që
përdorej në shtëpi, gjuhën vetëm e
flisnim. Sot do të thoja se ishte një identitet që i kundërvihej identitetit të
miqve, studentë italianë që nuk njihnin asgjë nga kultura jonë. Tani më
kujtohet ndonjë shok italian që mësonte arbërishten për të luajtur me grupin
tonë, kjo dëshmon gjallërinë që kishte ajo gjuhë e huaj, në vendin ku ruhej
prej pesë shekujsh. Ndërsa sot, gjithçka ngadalë po zhduket ose duket se është
destinuar të zhduket, po të lexohen shënimet e një mësuesi të shkollës fillore,
i cili thotë se në klasën e tij vetëm pesë nxënës flasin arbërisht, megjithëse
prindërit e nxënësve të tjerë janë edhe ata arbëreshë. Ky nuk është malli i
kohës së shkuar, por vetëm një thirrje për të parë pasurinë e mirëfilltë të njohjes së një gjuhe të dytë,
që përmban historinë e Arbëreshëve e që shpesh përjashtohet prej prindërve nga
njohuritë e fëmijëve të vet me justifikimin e gabuar se i pengon në mësimin e
italishtes.
Pastaj kam
studiuar letërsi klasike në Universitetin e Romës, ku kam takuar Koliqin dhe
Gradilonin. Kështu qenë këta dy kolosë, një poet e një filolog, që më kanë
udhëhequr në studimet e letërsisë shqiptare, duke kaluar nëpërmjet traditave
popullore arbëreshe, moment i rëndësishëm për formimin shkencor e të vetëdijes
së kulturës popullore, deri aty i nënvlerësuar si kulturë fshatare. Këta kanë
qenë hapat e parë në letërsinë shqiptare, duke përfshirë edhe atë arbëreshe.
Mimoza H.P: Gjatë përvojës si profesor universitar, a
mund të na thoni cilat ishin motivet e studentëve për të mësuar dhe studiuar
shqipen, vetëm për të njohur një gjuhë apo ata tërhiqeshin nga letërsia shqipe?
Elio Miracco: Gjatë
punës sime si profesor në universitetin Sapienca, kam pasur rastin të takoj
studentë italianë që kishin vetëm informacione të përgjithshme mbi Shqipërinë,
por duke ndjekur leksionet, apasionoheshin me kulturën e atij populli, kaq afër
Italisë. Midis tyre kishte studentë arbëreshë që zbulonin origjinën e tyre, dhe
ndër ta duhet pasur parasysh që kishin vetëm gjyshin ose gjyshen arbëreshe.
Midis shqiptarëve duhen dalluar ata që vinin nga Shqipëria dhe përforconin
shkencërisht njohuritë që kishin marrë në Atdhe. Fëmijët e të mërguarve që
kishin frekuentuar vetëm shkollën fillore në Shqipëri, dhe pastaj ishin
transferuar në Itali; takova fëmijët e të mërguarve që kishin studiuar vetëm në
Itali, pra analfabetë të gjuhës së vendit nga erdhën. Kohët e fundit janë
afruar në Institut, studentë shqiptarë të lindur në familje të përziera,
italo-shqiptare. Pra, problematikat janë të ndryshme, dalëngadalë po dilej nga
izolimi social, në kuptimin që nuk kishin frikë të tregonin se ishin shqiptarë,
meqenëse në fillim, sipas tregimeve të tyre, nuk arrinin të gjenin shtëpi me
qira, sepse pronarët e shtëpive, kur dëgjonin se ishin shqiptarë, nuk ua jepnin
dhomën. Interesante ka qenë ndjekja e kursit të shqipes si afirmim i
identitetit vetiak nga studentët e fakulteteve të tjera, edhe të shkencave të
sakta. Gjatë asaj periudhe studentët shqiptarë kishin krijuar një shoqatë, që
njihej nga Universiteti, e cila organizonte edhe konferenca. Por në Itali,
kishte kaluar periudha e frikës ndaj të huajit, veçanërisht ndaj shqiptarëve.
Një faktor tjetër kyç i rëndësishëm ishte vizita e presidentëve të Republikës
shqiptare, Moisiu e Topi, në Fakultetin e Letërsisë. Numri i madh i studentëve
të pranishëm, të ardhur nga të gjitha fakultetet e Sapiencës, i habiti të
gjithë pjesëmarrësit e delegacionit.
Mimoza H.P – Tanimë,
në mbarë botën letërsia shqipe njihet më së shumti përmes emrit të autorit Ismail
Kadare, për veprën e të cilit keni bërë punë studimore. Po në Itali, ku
arbëreshët njihen si një nga komunitetet më të mëdha dhe më të organizuara
brenda hapësirës italiane, sa është e njohur dhe vlerësuar letërsia shqipe dhe
cilët janë autorët tjerë shqiptarë që gëzojnë famën në Itali?
Elio Miracco: Do të
ishte vërtetë shkurajuese nëse letërsia shqipe të përfaqësohej vetëm nga
Kadareja. Ju më pyesni për përhapjen e letërsisë shqipe midis Arbëreshëve.
Meqenëse jam interesuar për letërsinë shqipe, pavarësisht faktit që lexohet
pak, do të thoja se autorët që njihen janë të paktë, e sidomos janë ata që
citohen nga mediat kombëtare, por që jo gjithmonë lexohen. Lexuesi italian i
kushton vëmendje: Zhitit, Agollit, Lubonjës, Shehut, Ahmetit, Kongolit, Markos,
Kokalarit. Përfundimet e mia nuk i kam me provë, por i nxjerr nga njohja e
ambientit kulturor, jo nga të dhëna statistikore për të cilat më saktë do të
shprehej shtëpia botuese Rubettino, e cila prej vitesh i përkushtohet
përhapjes, me përkthime italisht, të letërsisë së Shqipërisë, Kosovës dhe
Maqedonisë ose shtëpi të tjera botuese që botojnë letërsi shqipe. Ndërsa mbeten
pak të njohur ata shkrimtarë shqiptarë që nuk shkruajnë në gjuhën italiane.
Mimoza H.P: Çfarë mendoni për letërsinë dhe kritikën
letrare në Kosovë dhe Shqipëri, sa është e zhvilluar në raport me letërsinë evropiane?
Elio Miracco: Që në
vitet shtatëdhjetë, kur gjatë verës ndiqja kurset universitare të gjuhës pranë
Universitetit të Prishtinës, konstatoja se letërsia kosovare ishte më e
përparuar se letërsia shqipe, e fosilizuar në realizmin socialist me hapësira
risie fare të pakta. Në Kosovë mund të lexoje një roman modern si „Oh” të Anton Pashkut ose poezitë
simbolike të Ali Podrimes, sa për të cituar dy autorë që ndiqen më shumë nga
publiku dhe lexuesit, ndërsa kritika ishte e hapur ndaj shkollave evropiane
lindore e perëndimore.
Mimoza H.P: Përveç punës në Universitet dhe punës
studimore, vlerësoheni lartë edhe për mbështetjen që u keni dhënë studentëve
shqiptarë që vijnë për të studiuar në Itali, a mund të veçoni ndonjë ngjarje që
ju sjell nostagji?
Elio Miracco: Shpesh
të merr malli për studentët dhe pyes: ç’bëjnë sot? Punojnë? Janë në Itali apo
janë kthyer në Shqipëri? Kanë familje? Me shumë prej tyre krijohej një
marrëdhënie e përzemërt miqësore. Më kujtohet diploma e një studenti, që filloi
të qante nga gëzimi që ia doli të përfundojë studimet pas shumë sakrificash
pune për të përballuar shpenzimet e studimit. Të duket se edhe ti merr pjesë në
suksesin e atij djaloshi që u rrit e u burrërua në Itali. Ose ndonjë student
tjetër, i turpshëm e fjalëpak në fillim, që e kaloi atë drojë dhe sot punon si
historian në Shqipëri. Të gjithë studentët punonin për të mbajtur veten. Janë
dy shembuj domethënës të vështirësive dhe të sakrificave për të studiuar në
Romë, ku sot është sistemuar ndokush prej tyre. Mall për t’i parë të gjithë,
sepse secili prej tyre ka lënë tek unë një shenjë. Qoftë edhe vajza që nuk
ndiqte leksionet e shqipes për t’u mimetizuar me italianët, qoftë djaloshi
shqiptar për të cilin nuk kam më lajme ose djali që shkoi të punonte në veri të
Evropës, pasi punoi si barist në një ndër kafenetë më të njohura të Romës.
Djali që më thoshte se i flisja si i ati, apo grupi i studentëve që kishte
nevojë të kalonte provimin se i duhej për të rinovuar lejën e qëndrimit. Çdo
student ka qenë për mua zbulim i botës shpirtërore me humanitetin e secilit.
Mimoza H.P: Duke qenë se arbëreshët për shekuj me radhë
tejkaluan sfidat dhe ruajtën gjuhën shqipe, çfarë u sugjeroni familjeve të reja
shqiptare që jetojnë jashtë kufijve etnik lidhur me ruajtjen e gjuhës, traditës
dhe kulturës shqiptare?
Kush jeton jashtë
shtetit integrohet pashmangshëm dalëngadalë, prandaj humbasin disa elemente të
gjuhës. Fillon të mos kujtosh disa fjalë, pastaj pjesë të gramatikës dhe shpesh
kjo humbje quhet emancipim drejt modernes, drejt ambientit ku jeton. Ndonjëherë,
në kushte të veçanta, mund të flasim për mimetizim në shoqërinë e re, sepse ke
turp të rrëfesh origjinën tënde. E them këtë nga përvoja: një çift i ri
shqiptarësh, dy vjet pas rrëzimit të diktaturës, kthehej me traget në Durrës,
dhe fëmijëve dy a trevjeçarë u fliste italisht. Ç’këshillë mund të japim? E
vetmja mënyrë për të shpëtuar gjuhën është të folurit e saj dhe leximi shqip.
Arbëreshët, analfabetë në gjuhës shqipe, e kanë ruajtur gjuhën në shekuj. Por
edhe midis tyre kushtet kanë ndryshuar, dhe gjuha dalëngadalë po bjerret.
Mimoza H.P : I
nderuar profesor Miracco, a mund të na thoni çfarë jeni duke lexuar apo punuar
aktualisht?
Elio Miracco: Po,
lexoj pak letërsi shqipe, por veçanërisht italiane.
Elio Miracco, lindi më 1944, më 1967 mbaroi studimet për Letërsi
klasike në Universitetin e Romës, La
Sapienza, me temën Historina e traditës gojore në Shën Sofi
, nën mentorimin e Ernest Koliqit dhe më pas filloi
bashkëpunimin në Institutin e Studimeve Shqiptare, në atë kohë të udhëhequr nga
Ernest Koloqi dhe më vonë nga Giuseppe Gradilone.
Nga viti 2001 deri 2014 ishte profesor i
rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në
Universitetin e Romës, “La
Sapienza“. Nga viti 2014-2015 vazhdoi mësimdhënien në Departamentin e Shkencave
Gjuhësore, Filologjike dhe Gjeografike. Ka qenë anëtar i Kolegjit të
Doktoraturës “Hisori e gjuhësisë dhe
histori e gjuhës italiane” me seli në Romë. Për një periudhë
trevjeçare, ka kryer detyrën e udhëheqësit të kursit të Studimeve Gjuhësore dhe
Filologjike (deri në vitin 2014) dhe më pas detyrën e presidentit të Studimeve
të nivelit Master në Gjuhësi.
Hulumtimet shkencore të profesor Miraccos
përfshijnë letërsinë dhe gjuhësinë, duke filluar nga studimet për metrikën te
vepra e Jeronim De Radës, Këngët e Milasaos dhe për Këngët e Serafina Topias
deri te studimet për veprën e Ismail Kadaresë, duke përfshirë edhe hulumtimet mbi
traditën gojore të arbëresheve. Ndërsa, sa i përket përkthimeve të veprës
letrare, profesor Miracco përktheu në gjuhën italiane nga gjuha shqipe pjesë të
veprës së Fatos Lubonjës, poetit Visar Zhiti, etj.
Porfesor
Elio Miracco në vazhdimësi, ka publikuar punime studimore në revista të
specializuara, ka marrë pjesë në konferenca shkencore në Itali dhe Shqipëri, ku
përveç prezantimeve të punimeve
personale ka qenë edhe pjesë e komisioneve vlerësuese në nivel akademik.
Për veprën dhe për kontributin e dallueshëm në studimet shqiptare, Profesor Elio Miracco në vitin 1997 u nderua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, me çmimin “Naim Frashëri”, ndërsa në vitin 2016 me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Sot, profesor Miracco, është i njohur si njëri nga studiuesit e shquar të albanologjisë që një jetë studimore ia kushtoi zhvillimit dhe promovimit të gjuhës, letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare në Itali. /KultPlus.com
Marrëdhëniet shqiptaro-kineze kanë qenë në fokus të studimeve të ndryshme me karakter politik, diplomatik, ekonomik, apo kulturor. Doktori i shkencave historike, Gjon Boriçi i trajton ato gjerësisht në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e ftohtë 1956-1978” .
CMG: Libri juaj ka ngjallur interesimin e veçantë jo vetëm të studjuesve, por edhe të medias në Shqipëri. Çfarë gjen lexuesi në këtë libër?
Gjon Boriçi: Libri e ka zanafillën 8 vjet më parë, kur më lindi ideja për të patur një studim për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, ndërsa lexova një libër të Henry Kisinger për Kinën. Shqipëria ka patur me Kinën një marrëdhënie mjaft interesante dhe të gjerë dhe gjithashtu mjaft të ngushtë në periudhën e Luftës së ftohtë. Ndaj mendova të bëja një studim akademik. Kështu ideja u formësua në Institutin e Historisë ku unë punoj dhe u bë dhe titulli im shkencor.
CMG: Kina sot në arenën ndërkombëtare prezantohet me nismën “Një brez, një rrugë”, e shpallur nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013. Ju si e vlerësoni këtë nismë, parë dhe në aspektin e globalizimit perëndimor?
Gjon Boriçi: Nisma “Një brez. Një rrugë”, iniciuar nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013 në Kazakistan ngjalli shumë kërshëri. Unë personalisht nuk kisha më parë njohuri mbi këtë nismë, por gjatë programit studimor “China Studies”, ku isha zgjedhur të merrja pjesë me 27 studjues të tjerë nga e gjithë bota mesova jashtëzakonisht shumë në Ministrinë e Kulturës së Kinës si dhe në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Pekinit, ku qëndrova 1 muaj në vitin 2017. Në departamentet përkatëse diskutuam gjerë e gjatë ku edhe mora një informacion të madh përsa i përket kësaj nisme. Prandaj më lindi ideja për një studim krahasues, një artikull shkencor , që është botuar në rajon dhe në Evropë, lidhur me një përpjekje për të krahasuar të përbashkëtat dhe të kundërtat e globalizimit perëndimor dhe iniciativës “Një brez, një rrugë”. Në këtë krahasim kuptojmë se globalizimi perëdimor është më i hershëm, sepse Evropa pati një evolucion të jashtëzakonshëm me revolucionin industrial në fillimet e shekullit të 19-të, si dhe një hov të pandalshëm ekonomik, kulturor. Kurse iniciativa e Kinës “Një brez, një rrugë” do të përfshijë 4.6 miliard njerëz me një investim prej disa trilion dollarësh.
Gjatë studimit të nismës në Pekin kuptova se kemi të bëjmë me një rivitalizim të Rrugës së Mëndafshit që lidhte në mënyrë të pashmangshme rrugët tregtare mes Evropës dhe Azisë. Ndërkohë globalizimi dhe “Një brez, një rrugë” janë risi që i përkasin dy kulturave të ndryshme, por në thelb kanë përparimin e njerëzimit. Nuk dua ta shikoj si një garë, por si një bashkëpunim midis dy kulturave dhe dy traditave, për të shmangur idenë e dikurshme të studjuesit Samuel Hungington “përplasje qytetërimesh”. Qytetërimet duhet të bashkëpunojnë .
CMG: Ju keni vizituar Kinën kohët e fundit. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj? Ndonëse me titull doktor shkencash, por i ri në moshë, a keni në plan ndonjë studim tjetër për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës?
Gjon Boriçi: Kam dëshirë të thellohem në marrëdhëniet shqiptaro-kineze . Unë kam lindur në Tiranë në gjysmën e dytë të viteve 70-të , pikërisht atëhere kur fatkeqësisht filloi rënia e marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Ndaj brezi im, që i ka kaluar të 40-at sigurisht që do të dijë më shumë rreth tyre. Vizita ime në Kinë u krye në kuadër të programit studimor “China Studies”, i shërbeu dëshirës sime për ta njohur Kinën më nga afër.
U befasova jashtëzakonisht shumë më arritjet e shkëlqyera që i kishim parë vetëm në televizor , por është krejt tjetër t’i shohësh ato drejtpërdrejt. Kam bërë disa artikuj studimorë, por nuk jam një shkrues i rregullt i shtypit të përditshëm. Kam shkruar dhe për teorinë e “3 botëve” sipas këndvështrimit kinez dhe atij shqiptar në gjysmën e parë të viteve 70-të. Gjithashtu kam shkruar për ndihmën dhe kreditë që Kina ka sjellë në Shqipëri . Ndërsa tani kam në dorë një studim, si e kanë transmetuar Kinën diplomatët shqiptarë që kanë shërbyer në këtë vend, për udhëheqjen politike shqiptare të atyre viteve.
Në Akademinë e Studimeve Shoqërore të Pekinit prezantova një studim që i kushtohet nismës “Një brez, një rrugë”. Duke qenë se jam anëtar i Bibliotekës Kombëtare të Kinës, informacionet që gjeta, hulumtimet e qindra faqeve të literaturës më të fundit mund t’ju them se kjo nismë është një vijim i traditës më të mirë kineze e gërshetuar me modernizimin . Kina nuk është thjesht një shtet, por është një kontinent brenda një kontinenti, që i ka dhënë shumë botës dhe do t’i japë përsëri asaj.
Doktori i Shkencave Historike Gjon Boriçi është autor i 7 studimeve ndër to : “Marrëdhëniet ndërkombëtare në vorbullën e diplomacisë”, “Pushteti dhe lidershipi”, “Politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në shekujt e historisë”. Ai punon në Departamentin e Historisë Bashkëkohore pranë Institutit të Historisë në Tiranë/Eda Merepeza / KultPlus.com
Bija ime e dashur! Të drejtohem ty që nesër do të jesh grua. Nuk dua të të flas për dhunën ndaj grave. Kur nuk gjej fjalë t’ia shpjegoj vetes, si mund të ta shpjegoj ty? Dua të të them vetëm diçka dhe do të ta them mijëra e mijëra herë të tjera që të mos e harrosh: Ti je SPECIALE ! Do të takosh në jetë shumë meshkuj të cilët do marrosen pas teje por dhe meshkuj pas të cilëve do të humbasësh mendjen, do të lotosh për ta. Do të lotosh për fjalën ”përgjithmonë” që do të zgjasë sa një ëndërr. Do mbledhësh copëzat e zemrës shumë herë e çdo herë do pyesësh veten si është e mundur ta mbushësh përsëri edhe pse është plot shenja krisjeje.
Disa meshkuj do të bëjnë të qeshësh, disa të mendohesh. Qaj nëse të duhet të qash, por mos lejo kurrë askënd të të lëndojë! Mos lejo askënd të të thojë se je pa vlerë! Mos lejo që dikush të të lëndojë me fjalë apo vepra! Mos e beso atë që të thotë se e je dobët! Dobësia e vërtetë është e atyre njerëzve që njohin veç dhunën, sepse tregon që nuk njohin gjuhë tjetër për të mbrojtur idetë e tyre. Ti je kaq e mirë! Je kaq e dlirë!
Dhe nëse kjo gjë shpesh më mbush me krenari, nuk e mohoj që edhe më tremb, sepse të mirët shumë shpesh nuk i vlerësojnë. Të mirët shpesh bëhen shënjestër. Asnjëherë mos rresht së menduari se ”nuk ka rëndësi nëse nuk është i bukur, për mua ka rëndësi mirësjellja”, sepse këto mendime janë ato që të bëjnë ty një qenie kaq speciale. Një ditë do të jesh grua dhe do zbulosh se jo të gjithë janë të mirë. Do të zbulosh që ekziston dhuna dhe se do të ketë gjithmonë njerëz që dinë të buzëqeshin pavarësisht gjithçkaje. Ndonjëherë dua të të mbyll në një sferë të qelqtë të të mbroj nga e keqja, por dhe kjo një lloj formë dhune është.
Ec rrugës tënde me kokën lart! Buzëqesh e para dhe do të ta kthejnë buzëqeshjen. Ji mikesha e besuar e kujtdo që ka njohur dhunën dhe kërko ndihmë. Mos harro kurrë kush je dhe sa vlen! Mos lejo askënd të të privojë buzëqeshjen! Me dashuri Mami!
Kisha e Shën Sotirës ndodhet në jug-lindje të fshatit Vuno, në krahë të rrugës automobilistike që të çon drejt gjirit të Jalit.
Kisha mbart vlera të rëndësishme historike, pasii në datë 19-29 maj 1907, Mihal Grameno me anëtarë të tjerë të çetës së Çerçiz Topullit, përhapnin gjuhën shqipe nëpërmjet teksteve mësimore, duke përdorur si vendëstrehim kishën e Shën Sotirës. Për këtë arsye kisha ruhet si një monument me vlera të rëndësishme historike.
Ajo është një kishë e thjeshtë me përmasa 4.4×9.5 m, me naosin që ndahet nga altari me një ikonostas të thjeshtë muri, i pajisur me dy hyrje. Brenda në absidë dhe në kamaren pranë saj ruhen gjurmët e vetme të afreskut që dikur zbukuronte muret e brendshme të kishës. / KultPlus.com
Mbrëmë u zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimeve të Akademisë Amerikane të Shkencës dhe Filmit.
Pos shumë personaliteteve të huaja si dhe protagonistët fitues të çmimeve të ndryshme, në këtë ngjarje madhore filmike kishte edhe yje shqiptare.
Bleona Qereti ishte prezente në Dolby Theatre të Los Angelesit, ku u zhvilluar edicioni i 91-të i ndarjes së Oscarëve për aktor, filmbërërs dhe filmat.
Bukuroshja shqiptare ka publikuar disa fotografi në llogarinë personale në Instagram teksa shihet tejet tërheqëse.
Ajo kishte të veshur një fustan paska të tejdukshëm dhe ekspozonte këmbët në ndejën e fondacionit të Elton Johnit.
“Oscars 2019. Elton John Aids Foundation”, ka shkruar krahas imazhit të sjell në rrjetet sociale Bleona.Të gjithë fituesit në ceremoninë ‘Oscars 2019’
Ndryshe, aktori më i mirë në rolin kryesor u shpall Rami Malek në saje të paraqitjes në filmin “Bohemian Rhapsody” ndërsa Oscari për filmin më të mirë shkoi tek “Green Book”. / KultPlus.com
Mbrëmë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për herë të 91-të, ku protagonistët morën çmimet e tyre Oscar.
Natyrisht vëmendje të madhe morën personalitetet e ndryshme gjatë parakalimit në qilimin e kuq në Dolby Theatre në Los Angelos.
Pas përfundimit të ndarjes së çmimeve, Vanity Fair organizoi në Qendrën Wallis Annenberg për Artet Performuese në Beverly Hills u zhvillua një ndejë me nikoqire Radhika Jones.
Rita Ora (Photo by Dia Dipasupil/Getty Images)
Edhe bukuroshja shqiptare ishe prezente në këtë mbrëmje, ku shkëlqeu e veshur me një fustan tejet të bukur të zi.
Në fakt, Rita Ora kishte veshur një fustan në formë rrjete që i ekspozonte të brendshmet ndërsa në xupe kishte një këmishë në formë të falltove.Lexo po ashtu:Bleona Qereti elegante në ceremoninë e ndarjes së Oscarëve
Edhe Bleona Qereti ishte prezente në ndejën e pas Oscarit në kuadër të fondacionit Elton Johnit.
Ndryshe, Rami Malek i filmit “Bohemian Rhapsody” është shpallur aktori më i mirë gjersa Oscari për filmin më të mirë shkoi për “Green Book”. /KultPlus.com
Mbrëmë është mbajtur ceremonia e 91-të e Akademisë së çmimeve Oscar.
Gjatë tërë ceremonisë kishte emocione të shumta dhe gara
ishte shumë e ngushtë, por çmimin prestigjioz e vodhi “Green Book” si “Filmi Më
i Mirë” ndërsa si “Regjisori Më i Mirë” është zgjedhur Alfonso Cuarón me filmin
“Roma”.
Po ashtu, çmimin “Aktori Më i Mirë” e mori Rami Malek me filmin “Bohemian Rhapsody”, ndërsa “Aktorja Më e Mirë” e mori Olivia Colman me filmin “The Favourite”.
Gjatë ceremonisë, po ashtu, Bradley Cooper dhe Lady Gaga dhanë një performancë të mahnitshme me këngën e tyre “Shallow” nga filmi ‘A Stari Is Born”, këngë e cila fitoi çmimin “Kënga Më e Mirë Origjinale”.
Kjo performancë është pritur shumë nga të gjithë adhuruesit e artistëve, dhe ashtu siç u prit edhe nuk zhgënjeu. Të gjithë u mahnitën nga kjo performancë e cila u duartrokit shumë nga të pranishmit. / KultPlus.com
Artistja Agata Çetta ka hulumtuar një thesar të vërtetë shqiptar.
Artefaktet e gjetura në lokalitetet arkeologjike, që datojnë qysh prej periudhës parahistorike e që shtrihen përgjatë tërë territorit të Republikës së Kosovës, janë dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore shumë të pasur.
Ato janë udhërrëfyes të mënyrës së jetesës, zakoneve, besimeve e riteve fetare, zhvillimit të banorëve të periudhave të ndryshme kohore, pra të Ilirëve/Dardanëve dhe pasardhësve të tyre, e që janë shqiptarët e sotëm.
Hulumtimet e para arkeologjike në trevën e Kosovës kanë filluar në formë më të zbehtë rreth viteve të ’30-ta të shek. 20, ndërsa janë intensifikuar rreth viteve ’50, ’60, ’70 e ’80 kur edhe janë zbuluar lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike Novo Bërda, Ulpiana, Tjerrtorja, Glladnica, Hisari, Fafosi, e shumë e shumë të tjera.
Koleksionet arkeologjike të Kosovës në atë kohë u pasuruan sidomos nga kampanjat për ngritje të vetëdijes të popullatës, gërmimet arkeologjike, si dhe nga themelimi i Muzeut të Kosovës më 1949.
Fibula është një karficë zbukurimi që shërbente për t’i fiksuar rrobat. Kjo fibulë nga bronzi është zbuluar në tumat e Shirokës, të ngritura gjatë shek. VIII-VI p.e.s. I takon Epokës së Hekurit, dhe Kulturës së Bardhit të Madh (800-700 Para Krishtit). Varreza me grup të tumave e Shirokës, pozicionohet në fshatin me të njëjtin emër, rreth 1,5 km në jug të Suharekës (Therandës).
Intensiteti i hulumtimeve arkeologjike gjatë periudhës 1980-2000 kishte rënë pothuajse tërësisht, për shkak të politikës së pushtetit të asokohshëm.
Gjatë luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë, 1246 eksponate nga koleksionet e arkeologjisë dhe etnografisë të Muzeut të Kosovës, janë marrë në Serbi dhe ende nuk janë kthyer në vendin e tyre të origjinës.
Pas luftës së Kosovës, si dhe me funksionalizimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës më 2002, fillon një periudhë e re e hulumtimit arkeologjik, sidomos në fushën e gërmimeve me karakter shpëtimi, të financuara çdo vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Okarina është instrument muzikor frymor i punuar nga argjila. Gërmimet arkeologjike në lokalitetin e Runikut, nxorën në dritë shumë eksponate, në mes tjerash edhe një eksponat të vogël muzikor shumë të rrallë, të punuar prej argjile në formën e një ene të dyfishtë.
Arkeologjia është urë e cila lidhë të kaluarën me të sotmen, ajo së bashku me gjuhën shqipe janë elementet më të fuqishme për krijimin e identitetit tonë kombëtar si dhe dëshmimin e rrënjëve tona.
Helmeta Ilire, së bashku me përkrenare tjera ushtarake tipike ilire, janë zbuluar rastësisht gjatë ndërtimit të një hoteli për kurim shëndetësor (Onix) në vitin 1974, në Lokalitetin antik arkeologjik të Banjës së Pejës.
‘Duke u nisur nga rëndësia që ka arkeologjia si dhe artefaktet e gjetura për kulturën dhe identitetin e një populli, më lindi dëshira për të bërë një koleksion të veçantë të pjatave të argjilës inspiruar nga disa artefakte më unike të vendit tim, duke u munduar ta rijetësoj shpirtin ilir në çdo shtëpi shqiptare kudo që do të hyjnë këto vepra arti’ shkruan Agata në postimin e saj ku i tregon këto pjata.
MOZAIKU NË DËRSNIK / DAS MOSAIK IN DERSNIK
Përmbledhje e të dhënave të publikuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Merita Augustini Nrecaj.
Përkthyer në gjuhen gjermane, Berta Hamza.
Hyjnesha në Fron është një nga artefaktet më të çmueshme arkeologjike të Kosovës, dhe njihet si ekzemplar i veçantë i stilit të Prishtinës.
Janë ndarë të gjitha çmimet e edicionit të 91-të të Academy Awards. Në përmbledhjen e mëposhtme, Telegrafi jua sjell të gjithë fituesit në ceremoninë ‘Oscars 2018’.