Filmi i metrazhit të gjatë artisitik “Në kërkim të Venerës” i cili vjen me skenar dhe regji nga Norik Sefa si dhe producent Besnik Krapin, tashmë ka përfunduar xhirimet. Këtë e kanë bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Në kërkim të Venerës” është një film që përcjellë përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re Dorinën. Ky përjetim e bën atë të marr guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.
Në këtë film
luajnë aktorët si: Kosovare Krasniqi, Erjona Kakeli , që vijnë në rolet
kryesore, ndërsa në rolet tjera: Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Tristan Halilaj,
Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, dhe
Bleon Monolli.
Xhirimet e filmit janë realizuar kryesisht në Komunën e Kaçanikut dhe kanë zgjatur 30 ditë.
“Në kërkim të Venerës” është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë. Filmi poashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com
Janë
dekoruar me çmimin “Mjeshtër i Merituar” kompozitorët e mirënjohur të këngës
shqipe: Naim Gjoshi dhe Xhevdet Gashi. Kjo dekoratë është dhënë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi, shkruan
KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Thaҫi përmes një postimi në facebook, ku ka shkruar se ky dekorim ka ardhur si rezultat i kontributit të tyre në kultivimin e këngës shqipe./KultPlus.com
Eshtrat e Dafinës gjashtë-muajshe të masakruar nga forcat serbe në Izbicë i ka fshehur për 18-vjet diku në Serbi lidershipi politik i këtij shteti.
Vogëlushen Dafinë, simbolikisht (dhe potencialisht) e ka ekzekutuar paramilitarja Liljana, ish Miss Serbia (1978) e cila qenka vrarë në Lybeniq 20-vjet më parë nga UÇK-ja, vendi i cili sot kujton rreth 100 viktima civile, vrarë nga shteti serb, gjatë fushatës së spastrimit etnik. Serbia “pro-europiane”, hesht për Dafinën dhe 1370 fëmijë të vrarë në Kosovë gjatë luftës e në anën tjetër heroizon ekzekutorët …
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić në vend se të angazhohet seriozisht për defashistizimin e shoqërisë serbe dhe të shtetit – ku ende në postet publike ka fashistë të vetëdeklaruar promilośević- ian dhe për kërkimfalje për spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë, ai vazhdon ta akuzojë NATO-n dhe shqiptarët.
Madje porositë e tij cinike, të stilit “po të guxoja e nuk guxoj, do t’i thoja Ramush Haradinajt shko shërohu”, pos që nuk i shërbejnë asgjëje dhe askuj, janë thjeshtë deklarata primitive, kur po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit 21 dhe janë vetëm retorika nxitëse që u thuhen atyre serbëve të paemancipuar, të mbetur në terrin mesjetar, në intencën patologjike të shkatërrimit dhe spastrrimit etnik ndaj të gjithë joserbëve. Duke shikuar përpara, Kryeministri Haradinaj nuk ia ktheu Presidentit serb, për ta lënë të vetmuar me të vetët në gropën humnerore të ndërgjegjes.
Sot, kur Kosova kujton 79 civilë, kryesisht fëmijë, gra e pleq, të ekzekutuar dhe masakruar nga njësiti gjakatar “Ćakali” në Lybeniq të Pejës, Presidenti Vučić dhe klasa politike e mediatike në Serbi, lërë që nuk e pranojnë krimin e regjimit, (shef për pçropagandë i të cilit ishte vetë), por thurrin mite të reja, për një “Betejë të re të Kosovës” duke trilluar për një grua të estradës serbe, kinse të vrarë në luftime në Lybeniq, pjesëtare e forcave që kryen masakër në fshatrat e Pejës dhe anë e kënd nëpër Kosovë, duke i dhënë asaj epitete heroike.
Cili na qenka heroizmi i saj pos masakrimit të popullsisë civile!? Për t’ia vulosur profilin gjendjes shpirtërore kolektive vetes, klasa politike serbe, askush nga kreu i shtetit serb, pushtet e opozitë dhe as media nuk e zuri në gojë vrasjen e vogëlushes gjashtë-muajshe Dafinës në Izbicë, eshtrat e të cilës i mbajtën fshehur në token serbe plot 18 vjet, por mbushën faqet e shtypit me Ljilanën, që potencialisht ka mund të jetë ekzekutorja e vogëlushes në Kosovë, si paramilitare që ishte!?
Foli, ndonëse e vetmuar Nataša Kandić qe ia rikujtoi kreut serb vrasjen e 14 anëtarëve të familjes Bogujevci në Podujevë, gjysma prej tyre fëmijë nën 14 vjeç.
Derisa elitat intelektuale dhe politike serbe janë në këtë gjendje të transit nacionalist që përkon me fashizmin, secili nga ta veç e veç ka nevojë për një psikiatër të mirë dhe do të duhet që po ashtu, në kushte normale dhe në një shtet pro-europianë, që diskuton kapitujt për BE, një nga një, secili nga ta, që është involvuar në një mënyrë ose tjetër në tragjedinë e shkaktuar shqiptarëve, do të duhej të zinin një avokat, madje një nga ata që u thonë avokatë djalli!? / KultPlus.com
Migrimi, harmonia në familje, edukimi
i fëmijëve, dhe elemente të tjera të një familje shqiptare janë prezantuar në
mbrëmjen e së dielës në “Queens World
Film Festival” në New York, nëpërmjet filmit “The Remigrant”, ku ishte edhe në selektim zyrtar shkruan
KultPlus.
“The Remigrant” me regji të Astrit
Alihajdarajt është shfaqur në Historic
Zukor Theatre, film i cili e sjellë për herë të parë Alihajdarajn në
rolin e regjisorit, pasi që i njëjti para këtij filmi është njohur vetëm për
punën e tij si aktor.
“The Remigrant” është filmi i cili e
sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir
Alihajdari. Ky film zgjatë 18 minuta dhe flet për shumë tema në të njëjtën
kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që
jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze
Qena.
Kujtojm se “The Remigrant” ishte pjesë e edicionit të 15-të të festivalit “Tirana International Film Festival” dhe se ky film ishte prezantuar më 8 dhjetor edhe në “This Human World Film Festival” në Vjenë, sikurse që është prezantuar edhe në disa ngjarje tjera./KultPlus.com
Sot janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Qamili në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.
Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara. Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.
KultPlus ju sjell një video ku shfaqet Dren Caka pas shpëtimit të tij nga forcat serbe. Pasi ai ka rënë në duar të sigurta dhe ka marrë trajtimin e duhur, pasi ishte i lënduar në krah, ai mundohet të tregojë për tmerrin e përjetuar. I pyetur rreth traumës që ka përjetuar, ai shihet teksa mbledh gjithë forcat e tij për të ju përgjigjur e mundohet të sjell të sakt atë që ka parë. / KultPlus.com
Ndër shqiptarë, kur një vajzë është martuar, ka ndërtuar edhe çejzin e saj. Një formë e ekspozitës të cilën duhej ta shihnin të gjithë, çejzi (paja e nuses) ka përmbajtur shumëçka prej rrobave e objekteve të ndryshme.
Emërtimi “Çejz”
në kulturën shqiptare ka hyrë dhe mbetur nga sundimi osman (turqisht: çeyiz)
ndërkohë që paja apo prika e nuses është traditë që ka ekzistuar gjithmonë.
Sepse gruaja tek shqiptarët është dashur të shkonte tek burri duke krijuar
çejzin, me vath, me shamija të kokës, me gërshërë, me sapun e gjerdan, me kësulë
e këmishë e xhamadane prej kadifeje. Këto dhe shumë më shumë, kanë paraqitur
dhe paraqesin edhe sot një formë transferimi të pasurisë prindërore, dhuratave
apo parave, me qëllim martesën e një vajze.
Sipas traditës,
çejzi është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e
bart një grua kur lidhë kurorë me një burrë. Në anën tjetër, kjo praktikë është
karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdores si dhe është shfaqur
përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të
trashëgimisë kulturore.
“Unë jom shyhretlike, e du çejzin tem, fëmijës tem
nesër ma e knaqt jom me ja bo krejt çejzin”
“Unë, kur jom martu para 9 vitesh, kom pasë 2 dhoma me çejz, njëra e imja dhe tjetra me gjanat që i kanë pru familja e burrit. Ka qenë një dhomë me tesha, me ari, me fustana, me dallame. U kon tamon çejz për me dalë prej shpisë, se qashtu osht dasht me dalë prej shpisë vajza, me qeiz, qysh e ka lon Zoti, njëfarë emocioni që diqysh vajza është shku me tona gjanat”.
Fotografia: Arbër Selmani
Bekrija është e re në moshë, fanatike e çejzit. Rrëfimin e saj e tregon derisa unë e vizitoj edhe dyqanin e saj, aty ku ajo është ‘nuse për së dyti’, duke shitur rroba për nusëri. Ajo thotë se çejzi sot nuk e gëzon ndoshta fatin dhe emocionin e dikurshëm, por është traditë dhe lehtësisht nuk shkëputet prej këtij populli.
“Nëse për një ditë
a dy nuk përdoret, kthehet prapë. Kur je shyhretli, i respekton traditat tona
dhe çejzin. Osht njëfarë kënaqësie për mu edhe sot me punu në çejz, edhe me e
mirëmbajtë. Unë vet 40 tentene i kom punu për dasmaxhinjtë që kanë ardhë, e
motra i ka shpërnda me tabak, që me u ditë që i ka sjellë nusja edhe janë punim
dore. Shpirti m`knaqet edhe kur e mendoj çejzin tem, edhe kur e përdori. Unë
tre jeleka i kom që i ndërroj për raste të ndryshme, e fëmijës tem nesër ma e
knaqt jom me ja bo krejt çejzin, edhe nëse veç nuk i pëlqen” tregon Bekrija.
Në dyqanin e saj,
ka interesim edhe sot për produkte që e kompletojnë çejzin e një nuseje.
Dallamat, shembull, kushtojnë prej 400 euro e tutje. Ajo vetë i ka pasur të
tillat në çejzin e saj.
A është sot i njëjti interesim për çejzin sikur më
parë?
Periudha derisa përgatitet çejzi, e cila njihet në kulturën popullore edhe si periudha ‘nër unaz’, përshkohet prej normave të larta morale. Gruaja i ekspozohet ndalesave të lëvizjes: ajo nuk shoqërohet shumë me shoqet e saj, nuk shëtitë nëpër lagje, nuk duhet të shihet në oborrin e saj (sidomos prej atij që do të jetë së shpejti bashkëshorti i saj dhe bashkëudhëtari i jetës) dhe as duke e punuar fushën. Si shenjë e jashtme e betimit, ajo e mban një shami a shallë në kokë.
Në regjionin e
Hasit, vajza mbante një shallë të bardhë derisa në Malësi të Madhe, një
xhubletë me oja. Koha më e madhe e vajzës do të kalonte duke i qepur e thurur
gjësendet e çejzit të saj. Në gjum, vajza do të ëndërronte për jetën që po e
priste, plot mëlmesa bashkëshortësie.
E sapo të përfundojë çejzi, dy familjet – ajo e vajzës dhe djalit diskutojnë dhe familja e djalit shkon tek familja e vajzës për ta ‘këput hesapin’ dhe për ta ‘marrë penin’. [i]
Fotografia: Arbër Selmani
I bukur dhe plot
traditë si veprim. Megjithatë, me kalimin e kohës, paja e nuses do të mund ta
ketë humbur vëmendjen. Kohët moderne sikur kanë sjellë gjenerata të cilat e kanë
problem të adaptohen me këtë pjesë të institucionit të martesës, e të cilat
shpesh nuk e llogarisin aspektin e traditës dhe ruajtjes së një rituali i cili,
i shpejtë, humb nga sytë gjatë martesës por rikthehet në përdorim gjatë jetës së
gruas pas martesës.
“Ka edhe sot
interesim, ka shumë gra të reja të flakta për me bo çejzin e mirë, me jeleka e
dallame e me tentene, edhe me këmisha ma serioze. Unë kam kujdes se nji katror
me bo me e gabu, krejt tentenja prishet. Hala edhe sot kur dikush fejohet a
martohet njerëzia çojnë tentene, ja maron një tentene dikujt- thojmë na” tregon
Bekrija.
Rrobaqepësja dhe
shitësja në LETA d.p.z në Prishtinë, që nuk dëshiron të tregojë emrin e saj,
thotë se interesimi është shumë më i vogël se më përpara, megjithatë kjo lidhet
me faktin se perceptimi gjeneral për paketën complete të çejzit ka ndryshuar.
“Nuk po përdoret
sot çejzi edhe paja si ma përpara, nuk po praktikohet shumë. Të jashtit që vijnë
kanë qef ma shumë se këta tanët. Unë normal kur ka kërkesa e boj çejzin
komplet, e punoj vet edhe bile me shumë kënaqësi. Tentetet i kanë qef ma shumë,
për tavolina, por ka dikush që blen postava e elemente tjera” tregon shitësja,
e cila thotë se kërkesat çdoherë e më shumë po shkojnë drejt rënies.
Tentenet për çejz
në këtë dyqan, të gatshme, kushtojnë prej 20 euro e deri në 60 euro, varet prej
krejt madhësisë.
“Ma përpara, tentenet shembull janë vendosë në tavolina që kanë qenë të kqija, e tentenja e ka zbukuru. Sot krejt po blejnë tavolina të bukura edhe tentenja as që vjen në konsideratë” tregon kjo shitëse, dukshëm edhe vet një fanatike e çejzit dhe ruajtjes së kësaj tradite.
Fotografia: Arbër Selmani
Sociologe dhe profesoreshë, Nita Luci ka treguar në një diskutim në kryeqytet mbi çejzin se çejzi është trajtuar si një lloj i së bukurës por, jo si një lloj aseti që ka mundur të transformojë pozicionin shoqëror ose ekonomik të grave.
“Ajo se çka është komunikuar nëpërmjet çejzit varet edhe nga gjenerata dhe përkatësia socio-ekonomike. Është çështje e kapitalit ekonomik, simbolik dhe kulturor, njëkohësisht qasje për kërkim të pushtetit”.
Ta mbash gjallë çejzin, me anë të filigranit të
letrës e me anë të projekteve artistike
Dhe si i tillë,
çejzi ndër shqiptarë vazhdon të frymojë. Nuk duket se është as në frymët e
fundit sepse me iniciativa të ndryshme, paja e nuses do të jetë e pranishme edhe
te nuset e ardhshme shqiptare, por edhe tek sytë e atyre që çejzin e shohin ose
si shtypje që ka ardhur prej patriarkatit ose si një art në vete, një bukuri
artistike që nuk meriton zhdukjen.
Sali Shoshi nga
Cultural Heritage Without Borders (Trashëgimia Kulturore Pa Kufinj) –CHWB, na
tregon se kjo organizatë ka ndihmuar disa herë në hulumtimin dhe dokumentimin e
traditave të çejzit si një pjesë e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve dhe
popujve tjerë të Ballkanit.
Në vitin 2005, CHWB është marrë me organizimin e dasmës tradicionale, me të gjitha aspektet e organizimit, përfshirë edhe çejzin. Dasma është organzuar në bashkëpunim me komunetetet lokale të Isniqit dhe Drenocit.
Burimi: CHWB – https://bit.ly/2U7tBfQ
“Gjithashtu, një
tjetër kontribut i CHWB-së është mbështetja e zejtarisë – punime dore. CHWB ka
ndihmuar në themelimin dhe konsolidimin e rrjetit të grave artizanale të OJQ
JETA në Deçan. Bëhen 15 vjet që ky rrjet është funksional dhe një prej
aktiviteteve të tyre është puna artizanale, përfshirë përgaditja e çejzit.
Kuptohet që sot çejzi është transformuar, dhe ka të bëjë me tepër në ruajten e
traditës se saj në nevojën utilitare” tregon Sali Shoshi.
Doruntina Ukimeri, vajzë e re nga Kosova, pikërisht me ndihmën e programit Heritage Space në CHWB, ka marrë përsipër një mision të rëndësishëm: përkthimin e çejzit nga një traditë shqiptare në një projekt që mund të gjenerojë të holla dhe të jetë ekonomi. Prej vitit 2012-të, ajo punon si artiste me teknikën e filigranit të letrës, ku krijon mes tjerash edhe punime me motive nga komponentetet e çejzit. Ajo vetë nuk është martuar me çejz, por thotë se si e vogël ka parë shumë çejze dhe është fascinuar se sa shumë punëdore dhe sa shumë mund është shpenzuar që në fund, gjithçka të duket bukur.
Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’
“Fillimisht, kom
dasht me e ripru qilimin e gjyshes time, të cilin ajo e ka pru në çejzin e saj.
Filigrani i letrës kërkon shumë kohë, dhe unë e punoj me letër të hollë në
shirita 5-milimetërsh. Në projektin tonë, me qëllim që këto punime të shiten,
unë po i bëj në formate të vogla: pra në vend të një gobleni unë po e punoj një
lule të goblenit, në vend të tentenes vetëm një pjesë të saj” tregon Doruntina.
Para pak javësh
ajo e hapi në Prishtinë ekspozitën e saj me këto punime. Së shpejti, ajo do të
nisë që ti shesë këto punime online, dhe më pas edhe në dyqane.
“Te Kanuni i Skënderbeut është e përcaktume çka duhet me pasë një çejz, sepse gjithmonë ka qenë ndër shqiptarë një traditë e lidhur shumë me mënyrën e jetesës së njerëzve. Femrat është dashur të përfshijë në çejz pizhama, qarshafa, jeleja, opinga, madje ka pasur edhe gjësende më intime dhe janë përgatitë edhe gjëra për vdekjen, për ceremonitë mortore, e madje edhe pjesë të veshjeve të brendshme për gratë” tregon Doruntina, e cila edhe e ka hulumtuar çejzin ndër shqiptarë, një pjesë pak e dokumentuar.
Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’
Në vitin 2016, në
Malësi u hap një ekspozitë që kryefjalë e pati çejzin.
Në Muzeun
Etnografik të Malësisë në Lekaj, në gusht të vitit 2016 u hap ekspozita ‘Paja e
Nuses’. Ekspozita asokohe u vizitua shumë pak, derisa pronari i Muzeut,
Shtjefën Ivezaj, u ndie i zhgënjyer me numrin e vogël të vizitorëve.
Aty ishin të
ekspozuara veshje nusërie dhe mjete të tjera të cilat sipas zakonit, i
siguronte familja e nuses, si pasuri të cilën nusja do ta merrte me vete tek
burri. Në këtë ekspozitë kishte edhe punime që datonin në viti 1966 dhe
ekspozoheshin për herë të parë.
Dhe një herë e një kohë, në pajën e një vajze ishte një piano. Kjo vajzë ishte vajza e poetit Naim Frashëri, e cila diku rreth vitit 1890, solli si pjesë të çejzit një piano, një histori kjo që ka mbetur e shkruar në historinë e Frashërlinjëve plot kulturë e intelekt.
“Paja e Nuses” në Malësi të Madhe / Burimi: Malësia.org
Çejzi e paja, pjesë e Kanuneve shqiptare ndër vite
Në të kaluarën,
çejzi ishte pjesë e pamunguar e mozaikut të dasmës, kur vajzat e reja
përgatiteshin për martesë. Çilima, çarçafë, mbulesa dekoruese e elemente tjera
duhej të përmbante arka e çejzit. Edhe sot, figurativisht çejzi i nuses përmban
kryesisht elemente të njëjta: goblen, jelek, qilim, vath filigrani, tentene,
mindil, gjergjefi, çorape me maja të kuqe, opinga, qafore filigrani dhe
jastëkët.
Në kulturën
shqiptare, paja e nuses është e përcaktuar edhe me Kanun, libër ky i cili dikur
përfaqësonte përmbledhjen e normave dhe dokeve shqiptare me karakter
juridiko-social. Kanuni i Skënderbeut, në kreun e katërt e shtjellon fejesën
dhe martesën ku ndër të tjera përcaktohet edhe veshja apo paja.
Në artikullin e
IX-të të kreut të katërt shpjegohet Sheji.
“Sheji është
unaza, shamija e të hollat që shtëpia e dhëndrit i çon shtëpisë së vajzës për
të xanë bijën e tyre për djalin e vet. Të hollat e shejit nuk shtihen në pajën
e vajzës, por i shkojnë shtëpisë së saj”.[ii]
Në artikullin e XI-të përcaktohet në detaje paja mesatare e nuses së krishtere si dhe paja mesatare e nuses muhamedane.
Fotografia: Arbër Selmani
Sipas Kanunit të
Skënderbeut, paja mesatare e nuses së krishtere përmban, mes tjerash, edhe
15-20 palë këmishë e mbathje, 8 xhamadana kadife, 4 të kuq e 4 të zi, 8
përparëse (bohçe), 15 palë çorapë të gjatë leshi posë darive, 2 vargj (zinxhir)
priçi prej 5 fillesh, 4 palë openga gjedhi, 6 unaza, 1 groshar: Varg sermi me
pare t’imta (grosh e gjysëm korone), 1 palë vath sermi, 1 krahen, duvakun: her
me shqipe të zeza dykrenare në mes të fushës së kuqë, her me kryq ari në mes të
fushës së kuqe. Krushqit kur shkojnë me e marrë nusen i dërgojnë prej anës së
dhandrrit 1 palë opinga.
Paja mesatare e
nuses muhamedane përmban, mes tjerash, 15-20 këmisha e mbathje, 15 jelek e
mejtana (anteria kumbashi me ngjyra), 6 shamija të mëndafshta, 10-15 përparëse
(bohçe) të kuqe me vija, 2-3 prej tyne janë të zeza, 15-20 palë çorape të gjatë
leshi, 1 gjerdan, 1 ibrik, 1 legen, 1 gjym. Krushqit kur shkojnë me e marrë
nusen i dërgojnë prej anës së dhandrrit opinga, krahën, gërshanë, sapun, duvak
dhe gjybel.
Kanuni i Lekë
Dukagjinit gjithashtu e përcakton shejin por jo edhe pajën në detaje. Në nyjin
e nëntëmbëdhjetë të këtij kanuni përcaktohet çmimi që jepet për gra dhe vajza.
‘Çmimi, qi nepej
për varza e gra, tash e 50 vjetë e andej, perbahej prej 50, 100, 200 mijë 400 groshësh;
Çmimi i kanus së vonë përbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues’. [iii]
Çejzi është
traditë që sot praktikohet në mbarë botën. Në adetet boshnjake, çejzi poashtu zë
vendin e tij në hierarkinë e ditës. Në dhomën e nuses ekspozohet çejzi, derisa
ajo pret të largohet me kalin e shalës që është i dekoruar me dy çevre në kokë.
[iv]
Çejzin shqiptar, për ta sjellë në formën e tij perfekte, shpesh kanë ndihmuar edhe nënat e nuseve. Janë punuar qylyma, dyshekët, sexhadet, jastëkët, e më pas janë punuar edhe këmisha me pëlhura, polluvera, xhempera. Janë punuar dikur edhe hyramat, që më vonë nisën të quheshin çarshafa.
Çeizi turk / Burimi: SabahÇeizi turk / Burimi: Sabah
Në zonat më të
thella të Shqipërisë, që në momentin që lindte vajza, nëna kujdesej që çdo gjë
t`ia ruante vajzës për pajë, për çejz. Për nënat shqiptare ka qenë gjithmonë
krenari që gjërat më të bukura t’i ruanin për çejzin e vajzës, sepse një çejz i
madh, i bujshëm dhe i qëndisur sa më mirë tregonte edhe pozicionim në shoqëri.
Me grep punohej çdo detaj, prej peshqirëve deri te mbulesat.
Edhe në të dhënat më të vjetra dhe dokumentet më të lashta, siç është Kodi i Hamurabit në Babiloninë e lashtë, paja është përshkruar si një zakon tashmë ekzistues. Në Babiloni vajzat normalisht nuk trashëgonin asgjë nga pasuria e babait të tyre. Në vend të kësaj, me martesë, ato merrnin një prikë nga prindërit e tyre, e cila kishte për qëllim të ofronte sa më shumë siguri jetësore për nusen.
Burimi: https://bit.ly/2TKA5fv
Në Greqinë
antike, praktikë e zakonshme ishte të jepej një çmim për nusen.
Në dasmën
tradicionale serbe, çejzi është pjesë e rëndësishme, megjithëse dikur ishte më
e fortë se sot. Krushqit serbë në shumicën e rasteve janë të dekoruar me
peshqirë, me lule dhe rozmarinë. Zbukurohen edhe veturat, njëjtë sikur dikur
qerret e kuajve apo çejzat. [v]
Në Azerbajxhan, çejzit i thonë pikërisht çejz. Në shoqëritë si ajo e Taxhikistanit, e Marokos (ku çejzi quhet shura, shaëar, ssdaq ose amerëas – varësisht prej regjionit) e Bosnjës (çejzi titullohet oprema), apo edhe në Pakistan, çejzi ka rëndësinë e vet të pamohueshme dhe është pjesë që ruhet me xhelozi dhe praktikohet në dasmat e vendit. Në Nepal, për shkak të dhunës që lidhet me çejzin, çejzi është ndaluar me ligj.
Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’
“Më vjen mirë që
po flitet për çejzin në këtë shoqëri sepse kom mendu që është një temë më e
mbyllur. Sot, vajza moderne megjithatë nuk ka nevojë për ndihmën as të familjes
së saj as të familjes së burrit për të blerë diçka, ajo blen vetë çkado që dëshiron.
Megjithatë, gjithmonë ka qenë si një ekspozitë e vajzës dhe ka gjeneruar edhe të
holla, një aspekt që mua më pëlqen tej mase” tregon Doruntina Ukimeri.
“Vjehrra dhe kunatat janë të knaqna kur unë hala i përdori senet e çejzit. I përdori për Bajrama, për kanagjeqe, për fejesa, dimijat e jelekun. Përndryshe është mirë se e sheh vjehrra e kunatat që unë u shpenzova por edhe po i përdori këto gjana. Çejzi e ka hijeshinë e vet dhe kush është qejfli e respekton dhe e praktikon çejzin” tregon Bekrija.
( Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )
Sot janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Qamili në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.
Dren Caka është i
vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2
prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe
fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e
tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara.
Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur
mbrapa trupit të vdekur të një prej grave, shkruan Gazeta Insajderi.
Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.
Ata besonin se serbët, të cilët kishin nisur në një
pjesë të Gjakovës, “po kërkonin vetëm burra dhe nuk do të sulmonin gratë dhe
fëmijët”.
Rreth orës 2 të mëngjesit, nëna e Drenit kishte
dëgjuar se disa policë ishin duke ardhur në shtëpinë e tyre ku dhe kishin thyer
derën e bodrumit dhe kishin kërkuar gra dhe fëmijë në gjuhën serbe dhe
shqiptare. Ata kishin nxjerrë nga bodrumi gratë dhe fëmijët që kishin qenë aty,
disa kishin arritur të shpëtonin mirëpo Dreni me motrat dhe nënë e tij nuk
kishin arritur të iknin nga bodrumi dhe kishin mbetur nën ruajtjen e tre
policëve serbë.
Pesëmbëdhjetë vjeçarja, Flaka ishte viktima e parë e
kësaj masakre, ajo ishte vrarë nga agresori serb me një plumb të një pushke
automatike. Ajo ishte vajza e Hani Hoxhës. Babai i saj kishte dëshmuar lidhur
me këtë masakër.
Flaka ishte vrarë derisa ishte duke përgatitur çaj.
Pas ishte ekzekutuar edhe nëna e saj dhe të gjithë njerëzit që kishin qenë në
dhomë me Flakën dhe nënën e saj.
Ndërkohë, policët kishin djegur shtëpinë ku kishin qenë gratë dhe fëmijët. Shtëpia filloi të mbushej me tym. Dren Caka kishte dëgjuar britmën e motrës së tij dyvjeçare, të bllokuar nën trupin e nënës së saj të vdekur, por nuk kishte mund që ta ndihmonte. Po ashtu edhe Dreni ishte qëlluar, ai kishte krahun e thyer. Dreni kishte lëvizur nga dhoma në dhomë, duke pretenduar se ai ishte i vdekur në çdo hapë që e bënte. Në fund ai ishte hedhur nga dritarja e shtëpisë së fqinjit ku kishin qenë duke qëndruar dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij. Derisa po ikte nga shtëpia në zjarr, Dren Cakën e kishin parë tre policë. Ata ishin duke qëndruar para shtëpisë, duke pirë duhan me një shprehje të ftohtë në fytyrë.
Kur arriti në shtëpinë e tij, Dren Caka kishte parë
tezen e tij dhe i kishte kërkuar ndihmë, duke bërtitur se “të gjithë ishin të
vdekur”. Ai i kishte thënë se e ka parë një ëndërr të keqe, mirëpo tezja i
kishte besuar Drenit vetëm kur e kishte pa të plagosur.
Pas kësaj masakre, Dreni kishte shkuar në Shqipëri si
refugjat së bashku me të afërmit tjerë të cilët i kishin mbijetuar masakrës së
1 dhe 2 prillit. Mirëpo babai i Drenit nuk kishte shkuar së bashku me të, ai
kishte mbetur në Gjakovë, ndërsa ai kishte qëndruar për pesë muaj në Shqipëri.
Meqenëse dëshmitari kishte dëshmuar në një anglishte
të rrjedhshëm, ndonëse u rrit shumë larg nga Kosova, Dreni kishte dëshmuar dy
herë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, Dreni kishte dëshmuar si
dëshmitar i mbrojtur.
Dreni tash është duke jetuar në Vankuver të Kanadasë së bashku me babain e tij Ali Cakën, ku dhe është i punësuar. Babai i tij është martuar sërish dhe ka një djalë, të quajtur Dennis, dhe Dreni ka bërë tatuazh në krahun e tij emrin e Denisit. / KultPlus.com
Me origjinë nga fisi i njohur i Krasniqes (Malësia e Gjakovës), i lindur në Gjakovë, Bajram Curri u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit, shkruan Veli Haklaj.
Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908 – 1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.
Në një portretizim të Bajram Currit, At Zef Valentini do evidentonte: “Bajramit ia kish ânda, tue kujtuem emnin e gjinisë së vet, Curraj, me i thânë vedit: Un jam Curr! Në ndërtesën shpirtnore të Shqipnis, themelet do të vihen prej currash, prej virtytesh karakteristike të fisit; kur këta të qëndrojnë, edhe Shqipni ka; kur këta të hiqen, Shqipnis i luhet “carâni i votrës.”
2) Kontribute për konsolidimin e Shtetit Shqiptar
Në kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës.
Në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm, Ahmet Zogun, për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit shqiptar në tërë territorin e Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Londrës 1913. Me dekret nr. 846, datë 30 maj 1920, të Këshillit të Ministrave, Bajram Curri u emërue komandant i Operacionit kundër Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme; më 30 qershor 1921, Bajram Curri emërohet komandant i Operacionit kundër lëvizjes së Marka Gjonit në Mirditë.
3) Veprimi i armatosur kundër institucioneve të Shtetit Shqiptar
Zhvillimet politike konfliktuale, ku nuk munguan dhe lëvizjet e armatosura i pozicionuan në kampe të kundërta Ahmet Zogun dhe Bajram Currin. Tradita gojore evidenton si shkak të ftohjes së tyre edhe martesën e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut; familjet Curri dhe Kryeziu kishin trashëguar një histori konfliktesh ndërmjet tyre.
Nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e veprimit të armatosur kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në lëvizjen e vitit 1923 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit (24 dhjetor 1924), u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit të Krasniqes, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit legjitim në Tiranë.
Më 2 janar 1925, Bajram Curri mblodhi parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas u deklarua besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.
Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës Ahmet Zogu, me cilësinë e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun Ceno Beg Kryeziun. Ndërkohë, vëllai i Cenos, Hasan Kryeziu, ushtronte detyrën e prefektit të Kosovës (Kukës, Has, Tropojë).
Në kushtet që situata po rëndohej nga ora në orë, duke vlerësuar potencialin e Bajram Currit për lëvizje të armatosura, me telegramin rezervat, nr. 19, datë 8 janar 1925, urdhërohet Komanda e Operacionit të Veriut që “kundër Bajram Currit të përdoren masat më të rrepta e definitive që kështu të mos ket nevojë mâ me bâ operacione në ato vise …”. Një ditë më pas, më 9 janar, Ceno Begut iu dërgua telegrami tjetër urgjent nga kryeministri Ahmet Zogu me urdhërin: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ.”
I rrethuar nga forcat e xhandarmërisë dhe pa shpresë shpëtimi, Bajram Curri vrau veten më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë (Tropojë). Më 30 mars 1925, nga bjeshkët e Dragobisë, komandanti i kompanisë së xhandarmërisë që realizoi operacionin, nëntoger Kadri Malësia (Mustafa), njoftoi telegrafisht Tiranën: “U lajmërojmë se në një luftë të përgjakshme i arratisuni i quejtuni anmik i shtetit shqiptar Bajram Beg Curri u vra dekun dhe i arratisuni Shefqet Draga u zu rob. Edhe shtatëdhjetë armë të fshehuna i mora. Në këtë luftë mbetën dekun 5 gjindarmë e katër të plagosun. Nalt i dekuni ish kenë me të gjithë të arratisunit. Kryetar i luftës kundra ushtrisë [ishte] bajraktar Sali Mani. Rrnoftë Republika Shqiptare!”
Më 31 mars, Ministria e Brendshme u telegrafoi prefekturave, nënprefekturave dhe gazetave qendrore dhe lokale duke i informuar për ngjarjen. Në fund të telegramit theksonte: “… Mbasi Bajram Curri ka lojtur kurdoherë me fatin e Malësisë së Kosovës, zhdukja e tij në këtë mënyrë do të sigurojë lumturinë dhe prehjen e popullit t’atij qarku”.
Më 1 prill 1925, zëvendësisht ministri i Punëve të Brendshme Kostaq Kotta i dërgoi këtë telegram falënderimi Prefekturës së Kosovës, i cili iu përcoll dhe Zyrës së Shtypit për publikim: “Kjo ministri e konsideron detyrë morale t’ju falënderojë për kujdesin dhe aktivitetin që treguat në vrasjen e Bajram Currit dhe lus kurdoherë sukses në detyrë të titullarit t’asaj Prefekture, z. Hasan Kryeziut.”
Po më 1 prill 1925, në vlerësim të kontributit për vendosjen e rendit në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës Ahmet Zogu emëroi Ceno Beg Kryeziun ministër të Punëve të Brendshme. Për këtë i erdhën telegrame urimi nga të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat, si dhe nga populli ku i shfaqeshin urimet dhe gëzimet e tyre të nxehta. Nisur nga përmbajtja e këtyre telegrameve, gazeta e kohës “Shqipëri e Re” (Konstancë, Rumani) evidenton se “populli i Shqipërisë duket shumë i kënaqur prej emërimit të z. Ceno Kryeziu si Ministër i P. Brendshme”.
3) Vrasja e Bajram Currit në faqet e gazetës “Politika”
Vrasja e Bajram Currit pati jehonë dhe në gazetat joshqiptare, sidomos të vendeve fqinjë. Në numrin 6096, datë 13 prill 1925, fletorja e Beogradit “Politika” publikon këtë përshkrim për vrasjen e Bajram Currit:
Vorrimi i Bajram Currit
Mbaroj si turbullues e si mâ i madhi kriminel
Bajram Curri âsht mbajtun si mâ i ndershmi
Brekofc, më 12 prill 1925
I afërm dhe i marrun vesht prej të cilit e kam ndigjue vdekjen e Bajram Currit, nga i vetmi i Bajram Currit, Mahmut bej Zajmi me “besë” më informon:
Mbas fjalëve të tija, thotë se “Bajram Currin nuk e kan vrarë, por e ka vrar vedin”.
– Unë e kam larë (në tabut), më tha Mahmut begu, dhe ka pasur rroba të zotrive. Të gjitha m’i rrëfej shka e pyeta.
Thotë: – Unë deri në dekikat e mbrame të tij ishem ndër lufta me Bajram Currin, tridhjetë vjet të plota.
Më thotë Mahmut bej Zajmi:
– Me të ardhur Ahmet begu në Tiranë, Bajram Curri as s’deshi të ikte, as s’deshi të dorëzohet. Ai e njihte Shqipnin e shqiptarët dhe besonte se Ahmet beu s’do të qëndronte shumë në fuqi. Ka patur me vete njerëz, shumë katunde e shumë vende. Ke fshehur në Çerem, Guci; njëherë vajti edhe në Mal të Zi me qëllim që t’u dorëzonte, por prapë u pendue. Mandej kthej në Mal të Shalës te i pari i katolikëve, ku mâ së shumti ndejti. Mandej doli në Dragobi, por para një muaji vajti në Krasniq. Atëherë u hetue e ai më 28 të tjerë vajtën në një shpellë jo larg katundit Kersteniç (Krasniq). N’atë shpellë i mbushi 27 ditë. Gjindja (njerëzit) e tij nga frika e lanë vetëm. Me të më i mbrami mbet i vëllaj i Ferhat bej Dragës, Shefqet bej Draga. Kanë qenë në një gjendje të vështirë nga dimri i madh sa që të gjith nga ata e kanë humbur nga një këmbë (ngrirë) prej të ftohtit të madh e djegësimi i këmbëve aq i madh sa s’kan mujt që të presin këmbët. Kur xhandarmëria e kishin rrethue shpellën ku ishin, Bajram Curri menjëherë u vuri pushkën dhe i ndezi 37 fishekë me mauzerin e vet, e mandej e nxori revolverin e ja mbajti vedit kresë e u vra. Mbas dy orëve hyni xhandarmëria në shpellë dhe e gjetën të vdekur. Shefqet begu ishte kenë gjallë dhe e prunë në Krumë [qendër e Prefekturës së Kosovës]. Dy ditë salla ka zgjatë. Ke neve shqiptarët salla âsht shenjë mjerimi. Aty i kam pyetur mâ të afërmit për të gjitha mbasi ishem “në gjakë”. Ata më thanë se ai të gjithë kaçakët i nisi para se ta vriste vedin dhe ju kish thanë: “Shkoni se po ju liroj nga besa, se âsht gjynah të rinj si ju të vriteni. Kur të shkoni, thoni se Bajram Curri mâ mirë deshti të vdesin me nder se të dorëzohet. Të kisha dashur që ndokujt t’i dorëzohem, ju kisha dorëzue vetëm Serbisë, por kërkujt s’ju kisha shitun me të holla”. E varrosëm në Krumë tek Xhamia më e madhe, me nderimet më të mëdhaja, ku u prezantuan miqtë, autoritetet dhe ushtria.
Kështu e mbaroi fjalën e vet Mahmut bej Zajmi. Mbas këtyne të pyetunave që i bâna e përgjigjeve që mora nga miku i jem, unë dhe mâ parë i kam dëgjuar për Bajram Currin këto.
Si të shoqnuem në varrimin e tij ishin njâ dy mijë vetë, mjerisht se ndër këto vende njehen për shumë. Kënë qenë delegatët e të gjitha krahinave: Malet e Gashit, të Krasniqes, Nikaj e Mërtur. Dhe çudia më e madhe se kanë qenë që të gjithë përfaqësuesit e autoriteteve, si ushtarë ashtu edhe civilë. Një çetë ushtarësh në shenjë nderimi i kanë zbrazun pushkët kur Bajram Currin e lëshuan në dhé.
Hasan bej Kryeziu, Prefekt i Krumës, në fjalimin e tij, në mes të tjerash tha edhe këto: “Sot âsht vra Baba i Shqipnis. Anmikut po i vjen liksht pse neve kështu po e nderojmë. Megjithse trupi i tij ka mbarue, Shpirti i tij do të mbesin përgjithmonë në mes t’onin. … Ai e ka ndjekun Shqypnin si nâna fëminë e vogël dhe ka luftue për zmadhimin e saj …” Përfaqësuesi i Qeverisë mbaroj fjalën e tij kështu: “Qani o popull për Babën e Shqinisë”.
Ra në sy se në varrimin e tij qenë shumë katolikë nga Shqipnia e Veriut. Mbas Prefektit e mori fjalën Kadia i Krumës dhe në mbarim mori fjalën një kapiten aktiv i Xhandarmërisë Shqiptare. Këto fjalë i karakterizoj të vdekunit Bajram Curri: “… Ndigjoni kosovarë e dukagjinas! Na sot po varrosim lirinë e Kosovës sonë.”
Me këtë mënyrë u varros ai barbar, Bajram Curri, i cili gabimet e veta gjithmonë âsht mundue me i mbledhë tue i gradue fukaran n’atë mënyrë si ka marrë vet prej të tjerëve. Për çka me këtë mënyrë e qysh Qeveria Shqyptare i ka dhânë rândësi e nderim për varrimin e tij, për pak kohë do ta marrim vesh.
‘Biber’ hap konkursin e tretë rajonal për tregimin e shkurtër. Për dallim nga dy konkurset e më hershme që për temë kishin pajtimin, kësaj radhe temat janë zgjeruar, njofton KultPlus.
Përveç
tregimeve që për temë kanë luftën dhe dhunën në vendet e ish-Jugosllavisë, kësaj
radhe do të merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë
mirëkuptimit më të madh ndërmjet njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit
të paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen
me të kaluarën, me kapërcimin e pasqyrimeve të armikut, tregimet për
dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin
me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëvizin kufijtë dhe na i hapin
rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurtë e më të lirë
për të gjithë.
Ftohen të gjithë autorët të cilët shkruajnë në
boshnjakisht, kroatisht, malazezisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip t’i dërgojnë
tregimet e tyre. Thirrja u bëhet si autorëve të afirmuar, ashtu edhe atyre që
nuk kanë botuar deri më tani.
Së paku njëzet tregime të përzgjedhura do të botohen
në një përmbledhje shumëgjuhëshe.
Juria përbëhet nga Lejla Kalamujiq, Rumena
Buzharovska dhe Shkelzen Maliqi.
Juria do të përzgjedhë tri tregime të cilat do të
marrin shpërblim. Vendimi i jurisë do të bëhet publik deri në fund të tetorit
2019. Konkursi mbetet i hapur deri më 10 qershor.
Me këtë konkurs “Biber” ka për qëllim të japë
kontribut kulturës së përkthimit dhe të botimit të autorëve fqinjë, si dhe t’i
mbështesin autorët e angazhuar, që të vazhdojnë të ndikojnë në ndryshimet
shoqërore.
Këtë konkurs e organizon ekipi i ‘Biberit’ në bashkëpunim
me Qendrën për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.
Më shumë informata lidhur me kushtet dhe shpërblimet e konkursit mund të gjeni në faqen e Biberit http://biber.nenasilje.org . /KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa mesazhe pozitive dhe frymëzuese nga Steve Chandler.
“Sa
herë që një mendim, fjali, apo paragraf ju frymëzon apo ju hap të menduarin, ju
duhet ta kapni, si flutura në rrjetë, dhe më vonë ta lëshoni në fushën tuaj të
vetëdijes”.
“Puna
e planifikuar me kujdes do t’ju motivojë të bëni më shumë dhe të shqetësoheni
më pak”.
“Kur
kam plot energji dhe shpresë, shoh mundësi kudo rreth meje” .
“Vetëmotivimi
është thjesht një çështje se sa në kontroll doni të jeni”.
“Mos
e mendoni për momentin, arritjen e ëndrrës suaj, përqendrohuni vetëm tek aftësia
juaj për të ëndërruar. Thjesht, duke ndjekur ëndrrat tuaja, ju do të bëheni vërtet
ai që dëshironi të jeni”.
“Aty
ku diçka e zgjuar mund të bëhej, ajo përdor trurin e saj”.
“Është
e gjithë jeta juaj në miniaturë. Ju lindët kur u zgjuat dhe do të vdisni kur të
shkoni të flini”.
“Është
e vështirë të qëndroni të motivuar kur jeni të pështjelluar. Kur e thjeshtoni
jetën, fitoni më shumë përqendrim. Sa më shumë të përqendroni, aq më të
motivuar bëheni ”.
“Nëse vërtet doni ta zgjeroni jetën tuaj dhe ta motivoni veten për sukses, bëhuni një mendimtar optimist”. / KultPlus.com
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora ka rrëfyer arsyen se përse ka vendosur që të bëjë bamirësi në Kosovë, falë iniciativës së ndërmarrë bashkë me markën “Escada” për t’i ofruar konkretisht 15 euro organizatës “Femrat për femrat ndërkombëtare” nga çdo shitje e çante të prodhuar.
Në një
intervistë për “The Telegraph”, Rita ka treguar kalvarin e vuajtjeve të
përjetuara familjarisht përgjatë luftës së Kosovës. Ajo ka bërë me dije se
ishte vetëm 1 vjeç kur është larguar nga vendi i lindjes. E megjithatë, e
cilëson faktin e të qenurit kosovare gjithçka që ajo përfaqëson si femër. Dhe
mundësinë për të bërë diçka për vendin e saj, Rita e konsideron si katalizator
lumturie.
Rrëfimi
i plotë i Rita Ora-s për “The Telegraph”:
Unë
ngre zërin tim, jo që të ulëras, por në mënyrë që ata që nuk kanë një zë, të
dëgjohen. Këto fjalë nga e guximshmja Malala Yousafzai do të thonë shumë për
mua. Besoj se të gjithë ne kemi përgjegjësinë për të përdorur mundësitë dhe
pikat e forta që kemi. Duhet të ngremë të tjerët lart, në mënyrë që askush të
mos lihet pas.
Unë jam
një kosovare krenare dhe një ambasadore nderi për vendin tim. Unë linda atje në
vitin 1990, por kur isha vetëm 1 vjeç prindërit ndërmorën vendimin e vështirë
për të braktisur atdheun tonë si pasojë e luftës që filloi kur ish-Jugosllavia
u pushtua. Më vonë, gjatë asaj dekade, një luftë brutale filloi ku mbetën të
vrarë 13,500 njerëz dhe 1.2 milion persona u detyruan të largoheshin. Jam shumë
mirënjohëse që jam në pozitën që jam tani dhe që kam pasur mundësinë që të
rritem në një ambient të sigurt, e rrethuar nga familja ime. Është një luks që
shumë persona në botë nuk e kanë dhe gjithnjë prindërit e mi më kanë mësuar që
kurrë të mos harroj rrënjët e mia, ato më kanë bërë atë që jam sot. Kosova
gjithnjë do të jetë një pjesë e imja!
Pas
asaj periudhe të tmerrshme në histori, ishte koha që të rindërtoheshin jetë dhe
komunitete. Femrat ishin gjithashtu pjesë e asaj që ndodhi, duke i bërë ballë
gjithçkaje, por kush ishte atje për to? Së fundmi kam dëgjuar për kontributin e
mahnitshëm të dhënë nga organizata e bamirësisë “Femrat për Femrat
Ndërkombëtare” që u formua në Kosovë në vitin 1999, menjëherë sapo mbaroi
lufta. Ato kanë mbështetur më shumë se 33,000 femra anembanë vendit për të
marrë pjesë në programin e tyre të trajnimit njëvjeçar, duke u mësuar zanate të
ndryshme në mënyrë që të mbajnë familjet e tyre.
Diçka
që më ka tërhequr vëmendjen që në fillim tek këto femra është se pavarësisht
situatave të tmerrshme që kanë kaluar, fuqia e tyre është për t’u admiruar.
Mamaja ime është shembulli më i pabesueshëm se çfarë mund të arrijë një grua
kosovare përballë fatkeqësive. Ajo është dhe gjithmonë do të mbetet frymëzimi
më i madh për mua. Erdhi në këtë vend me babin tim; ata e gjetën veten në një
territor të panjohur dhe nuk kishin asgjë. Mamaja ime ka punuar kaq shumë për
familjen e saj; ajo mësoi një gjuhë të re dhe studioi duke më rritur mua
ndërkohë edhe motrën time më të madhe dhe vëllain e vogël. Ajo na mësoi të
luftojmë për atë që duam, të punojmë shumë dhe të vazhdojmë, pavarësisht nga
rrethanat. Rikthimi në Kosovë është si të shkoj në shtëpinë time. Të qenurit
kosovare është ajo që unë jam si femër, është ajo që unë përfaqësoj; është gjithçka
që kam mësuar nga prindërit e mi, deri tek moralet që kam.
Të jem në gjendje që të bëj diçka për vendin tim, dhe më e rëndësishmja për femrat kosovare, më bën ekstremisht të lumtur. Unë jam e frymëzuar, unë jam e motivuar dhe unë po ngre zërin tim!” ESCADA dhe Rita Ora kanë vendosur të dhurojnë 15€ nga shitja e çdo çante për organizatën e bamirësisë “Femrat për Femrat Ndërkombëtare. / KultPlus.com
“Nuk kemi asnjë të dyshuar tash për tash dhe do t’u japim detaje të tjera kur t’i kemi ato”, është thënë në njoftimin e Departamentit të Policisë në Los Angeles.
Rihanna ka qenë ndër yjet që janë shokuar me lajmin dhe e kryeson listën e atyre që kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e reperit. / KultPlus.com
Bebe Rexha është emri pas së cilit gjithmonë po qëndron një sukses, shkruan KultPlus.
Ajo sapo ka njoftuar që është bërë pjesë e numrit më të ri të revistës amerikane “Nylon”. Në revistën e muajit prill ballina është “rrëmbyer” nga këngëtarja shqiptare.
Përmes një postimi në Instagram ajo ka bërë të ditur këtë
lajm dhe është shprehur e lumtur që është bërë imazh i kësaj reviste.
“Shikojeni vajzën tuaj në coverin e këtij muaji të Revistës Nylon. AHHH më pëlqen shumë💎”.
Agroturizmi ”Gjepalaj” në Shijak është një tjetër gur që i shtohet kurorës së re të agroturizmit në Shqipëri.
Agroturizmi “Gjepalaj” i Fundimit, i një ndër
mastershefave më krijues e më të kërkuar në Shqipëri, mori certifikatën e
agroturizmit. Kjo certifikatë është e 14-ta që iu dorëzua atij nga vet
kryeministri Edi Rama.
”Fundmi është një grande shef i cili ka sjell këtu
eksperiencën e jashtëzakonshme të gatimit, por që ka dhe fantazinë e njeriut që
krijon kur gatuan. Je numri i 14-të i certifikatës së agroturizmit dhe këtu do
krijohet një agroturizëm që do sjelli shumë njerëz në këtë zonë dhe do jetë një
pikë për shumëkënd që do vij”, tha Rama.
”Një bravo ty dhe bravo djalit që ka bërë ndërtimin pasi është një ndërtim si në Toskanë, më të njëjtën cilësi dhe shije. Përgëzime dhe paçi vetëm fat”, uroi kryeministri Rama, shef Fundim Gjepalaj gjatë dhënies së certifikatës. /a.a/ KultPlus.com
Kthimi në kohë gjithmonë na bën mirë, sidomos nëse kjo bëhet për momente të mira dhe me anë të muzikës.
Derisa Armend Rexhepagiqin së fundmi e kemi parë të
rikthehet në skenë, Aida Baraku është rikthyer në prapaskenë – me tekste për
koleget e saja.
Një këngë e dashur e saj është edhe kënga “Shoqet”, incizim visual të së cilës nuk gjetëm por e gjetëm këngën e cila të kthen pas në retrospektivë dhe të sjellë nostalgji.
Verë më të zymtë unë smbaj në mend, Shoqe më sjemi zemra ma ndjen, Përherë do të mbesin dy të vërteta, Njëra e imja tjetra e jotja E imja qe vuaj si kurrë më par, Zotin e kam dëshmitar.
Gjethet u zverdhën unë ende hesht, Dasëm ti ke e unë po vdes, Se bashkë u ritëm bukën e ndam, Jeta e deshi ta duam një djalë, Unë sinqert me besnikëri , Ti fshehtas me dinakëri.
Shoqe shoqe a po flen, Gjumi natën a të zen, Zemra jote a e ndjen, Jeta borxhet shpejt i kthen.
Shoqe shoqe a po flen, Gjumi natën a të zen, Ty trathtare sdo ta fali, Tw premtova hej, Spatëm kundra djalin.
Verë më të zymtë unë smbaj në mend, Shoqe më sjemi zemra ma ndjen, Se bashkë u ritëm bukën e ndam, Jeta e deshi ta duam një djalë, Unë sinqert me besnikëri, Ti fshehtas me dinakëri.
Shoqe shoqe a po flen, Gjumi natën a të zen, Zemra jote a e ndjen, Jeta borxhet shpejt i kthen.
Shoqe shoqe a po flen, Gjumi natën a të zen, Ty trathtare sdo ta fali, Tw premtova hej, Spatëm kundra djalin.