Nën moton “Sfido veten për një javë, realizo një film TANI!” PriFest fton dhe u jep mundësinë filmbërësve, aktorëve, regjisorëve, producentëve si dhe entuziastëve të fushës së filmit të jenë pjesë e programit Prishtina KinoKabaret.
Edhe këtë vit, tanimë nën udhëheqjen e regjisorit të talentuar Valter Lucaj, Prishtina KinoKabaret, do të ketë një dinamikë të veçantë, ku nëpërmes shoqërimit, diskutimeve dhe realizimit në terren, për një javë të plotë, gjatë festivalit PriFest do të mund të prodhohen filma të metrazhit të shkurtër me ekipe të krijuara spontanisht dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Kino Kabaret është një mënyrë e re dhe inovative e filmbërjes, ku artistëve, regjisorëve, producentëve dhe filmbërësve, nga gjithë bota, profesionist apo amator, u ipet mundësi për prodhim të filmit në një mënyrë më të veçantë.
PriFest dhe Prishtina Kino Kabaret ofrojnë mundësinë e realizimit të filmave të shkurtër duke u bazuar në një spontanitet dhe bashkëpunim mes aplikantëve. Kurse, këta filma që rrjedhin natyrshëm, duke kirjuar përmbajtje të madhe, mundësohet pa buxhet.
Programi Prishtina Kino Kabaret nuk ka karakter garues, ku rrjedhimisht nuk do të shpallet ndonjë fitues, por filmat, të cilët do të realizohen gjatë ditëve të festivalit 16-21 korrik, do të shfaqen në mbrëmjen e datës 20 korrik për mysafirët e shumtë të festivalit dhe audiencën e PriFest.
PriFest inkurajon filmbërësit, aktorët dhe studentët nga Kosova dhe mbarë bota të aplikojnë dhe në këtë mënyrë të kenë shansën unike të jenë edhe pjesëmarrës në festivalin PriFest, që këtë vit shënon edicionin e 11-të.
Kino Kabaret është format i njohur në botë dhe një mënyrë e re e realizimit të filmave në spontanitet ku për herë të parë ka nisur në vitin 1999 në Montreal nga Christian Laurence. Ndërsa sot “Kino Kabaret” organizohet në mbi 60 festivale të filmave në botë. Prishtina Kino Kabaret është program i PriFest dhe për herë të parë u organizua në vitin 2016, ndërkohë që është pjesë e rrjetit të madh të Kino Kabareve të quajtur Kino Network.
Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha sjell detajet të panjohura të aktorit të madh shqiptar, Abdurrahman Shala.Shala, në fund të Luftës së Dytë Botërore, si partizan dhe si epror në një burg të Prishtinës, kishte ndal rutinën e vrasjes së shqiptarëve.
Këtë detaj, e sjell studiuesi Bajram Mjeku.
“Abdurrahman Shala, si ishte ndryshe?
Janë pak njerëz në Kosovë, të cilët aktorin e madh kosovar Abdurrahman Shala e njohin ndryshe. Siç ishte brilant në disa role filmi e dramash, ishte dinjitoz edhe në dramën e Luftës së Dytë Botërore.
Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha shkruan për guximin e madh të Abdurrahman Shalës, i cili ua shpëtoi jetën qindra shqiptarëve nga partizano-çetnikët në fund të Luftës së Dytë Botërore. Fragmentin emocionues nga ky libër, po e sjell të plotë.
‘Nëpër burgjet e improvizuara sikur ai ku tash ndodhet Rilindja në Prishtinë afër Kuvendit të Kosovës, shqiptarët nuk regjistroheshin. Ata në një dhomë shënoheshin vetëm si numër. 20 veta, 22 veta e kështu me radhë. Aq sa pushkatoheshin natën, aq silleshin në mëngjes. Numri ishte gjithnjë i njëjtë.
Kjo kishte ndodhur disa muaj edhe në Prishtinë, derisa në këtë burg këtë masakër e kishte ndërprerë Abdurrahman Shala, i cili ishte sjellë epror. Ky që do të jetë artist më vonë, kishte shpëtuar qindra jetë, pasi që ditën e parë kur erdhi bëri regjistrat me të burgosurit.
Rexhep Bollogoshi që kishte jetuar deri në vitet tetëdhjetë më kishte rrëfyer: ‘Erdhën me uniforma, si përherë natën vonë. Në dhomë ra vdekja. Emrat që aty thirreshin, do të thoshte se atë natë ata bëheshin emra të vdekurish. Thirri emrin tim. M’u zu fryma. Nuk munda të flas as po as jo. Që atë çast unë isha i vdekur. Ishte një me emrin… I trishtuar, kishte menduar se gardiani thirri emrin e tij. Luftova kot me veten. Të ngritem dhe të them unë jam Rexhep Bollogoshi. Nuk mundja. Atë e morën në vend timin se ish i hutuar dhe kishte menduar se thirrën emrin e tij. Nuk u kthye kurrë më, unë mbeta gjallë, jetoj…’.
Rezak Shala, vëllai i Abdurrahmanit ishte po aq dinjitoz. Pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, ishte i pari që në forumet më të larta politike, publikisht kërkoi statusin e Kosovës Republikë.
Me lexuesit e mi dhe studentët e gjeneratës së viteve tetëdhjetë, dua të ndajë një kujtim që nuk harrohet kurrë. Shërbimi Sekret serb, përmes mënyrës së lashtë, shpifjeve ‘vesh më vesh’, mbillte dezinformata se ishte Rezak Shala gardiani, i cili në vitin 1968 mbrapa perdeve pengoi statusin e Kosovës Republikë!
Abdurrahman Shala u lind më 25 tetor të vitit 1922 në Vushtrri dhe i përket gjeneratës së parë të kinematografisë kosovare. Ishte aktor, producent e skenarist filmi. Ishte drejtor i parë i studios së parë filmike ‘Kosovafilm’ dhe themeloi e udhëhoqi disa vjet Unionin e Artistëve të Filmit të Kosovës (UAFK).
Abdurrahman Shala ndërroi jetë më 9 mars të vitit 1994. Presidenca e Republikës së Kosovës në vitin 2014 e dekoroi me urdhrin: Medalja Presidenciale e Meritave”, ka shkruar Mjeku. /Telegrafi/KultPlus.com
Flora Brovina, në seancën ku po flitet për gjenocidin serb në Kosovë, tha se argumenti më i mirë për këtë ditë është rezoluta.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur për herë të parë ndaj popullit tonë. Ka ndodhur në Nish të Vranjës ku kanë jetuar shqiptarët, ku janë masakruar e dhunuar. Ky është vazhdim i terrorit. Rezolutës duhet shtuar disa fakte tjera, s’duhet harruar helmimi masiv”, tha ajo, transmeton Koha.net.
Ajo tha se gjatë 6 vjetëve ka përcjellë fatin e fëmijëve të helmuar, e aty ka paraqitur edhe disa dëshmi që thotë se i posedon.
“Gjenocid ose krim ndaj njerëzimit është edhe mbyllja e shkollave shqipe. Në sallë kam edhe më shumë argumente”, tha tutje.
Sipas saj, rezoluta duhet të jetë e plotë me të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë.
“Kemi mjaft dëshmi. Argumenti dhe e vërteta janë kur flasim ne vet. Ka 20 vjet që s’flasim për të vërtetën, sot duhet. Kam këtu edhe dokumentin për helmimet.
“Mos u tut nga këto foto”, iu drejtua deputetes Bogujevci e cila më herët kundërshtoi publikimin e fotografive.
Por, Brovina paraqiti edhe në seancë një fotografi të një 7 vjeçareje që ka vdekur gjatë dhunimit.
“Kjo 7 vjeçare ka vdekur gjatë dhunimit. E vërteta të mbërrijë aty ku duhet. Ky është gjenocid”, tha ajo, duke theksuar se për këtë foto ka leje nga familja. / KultPlus.com
Janë mbi 780 fotografi të digjitalizuara të arkivit personal të fotografëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni të Shqipërisë në vitet 1928-1931, që do të prezantohen për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), që zë vend në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Ekspozita e titulluar “Arkivi Fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni ‘Shqipëria 1928 -1931’” do të hapet të premten e kësaj jave nga Ambasada Italiane në Shqipëri dhe Instituti Italian i Kulturës.
Fotografitë janë realizuar nga vëllezërit Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën Italiane në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
“Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe”, thuhet në paralajmërimin e kësaj ekspozite. I çmueshëm është i gjithë materiali arkivor që tashmë është bërë pronë edhe e shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, publiku do të shohë një Shqipëri “të panjohur”.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familjar, Quaroni ia ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivin e familjes së saj, me 780 fotografi”, shkruhet në paralajmërim.
Sipas organizatorëve të ekspozitës të gjitha fotot e digjitalizuara mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë.
“Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj”, shkruhet në paralajmërim.
Vizitorët do të zbulojnë ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni.
Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30.
Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaronit, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj vjen në Shqipëri si bashkëshortja e ambasadorit të Spanjës. Vizitorët do të kenë mundësi të rrugëtojnë nëpër këto imazhe deri në fund të muajit që vjen.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda
Bogujevci, ka kërkuar nga mediat që fotografia e publikuar nga deputetja e
PDK-së, Flora Brovina, ku shihet një grua shqiptare duke u dhunuar nga 3
ushtarë serbë, të hiqet.
Deputetja ka thënë se kjo është kërkesë e familjarëve të gruas së dhunuar, të cilët sipas saj janë të shqetësuar.
“Së pari kisha kërkuar nga mediat që të hiqet
fotografia e publikuar më herët. Eshtë kërkesë e familjarëve, janë të shqetësum.
Kanë kontaktu qendrën të cilën e udhëheq zonja Feride. Sapo më njoftoi që janë
të gjithë tepër të shqetësuar, kështu që kisha kërkuar të respektohen dhe të
largohet ajo fotografi”, ka thënë Bogujevci.
Ajo më pas i është drejtuar deputetes së PDK-së, teksa
i ka thënë se publikimi i asaj fotografie është i padrejtë.
“Tjetra, zonja Brovina, më vjen shumë keq, por është komplet e padrejtë. Shihet viktima, po thu që është gjallë. Imagjino nëpër çfarë traume kalon ajo kur e sheh nëpër krejt mediat veten e saj dhe familjarët e saj. Kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ai person”, ka thënë ajo. /Insajderi / KultPlus.com
Raif Qela, ish i burgosur, i cili ka ndarë edhe dhomën me Ukshin Hotin ka ndarë me ndjekësit e ti, kohën kur edhe e kanë marë gardianët Ukshin Hotin, para 20 viteve më parë, shkruan KultPlus.
“E parandiente se do
t’i ndodhte më e keqja”, ka shkruar mes të tjerash Qela. Më poshtë e
keni reagimin e plotë të tij.
Sot 20 vjet më parë, më 16 maj 1999, në burgun e Dubravës, gardienët e nxorën nga dhoma e burgut prof. Ukshin Hotin, kinse për ta liruar. Kjo ndodhi tri ditë para bombardimit të burgut nga NATO-ja dhe para masakrës së Dubravës. Arritëm të përshëndetemi me Bacën Ukë (me sa më kujtohet) vetëm tetë veta: shokët e dhomës dhe unë e Bajrush Xhemaili nga dhomat aty afër. E parandiente se do t’i ndodhte më e keqja. Disa herë e kemi pas biseduar me të, por si t’ia bënte! Nuk mund të rezistonte askush që të mbetej në burg kur të kalonte dënimi… Më 17 maj 1994 ishte burgosur. Më 16 maj 1999 ishte ditë e diel. Të nesërmen i përfundonte dënimi, jo më 16 maj. Kurrë nuk kam dëgjuar (gjatë qëndrimit tim në burg më shumë se 14 vjet) se dikë e kanë liruar të dielave… E morën për të mos e lënë të kishte hise në rrjedhat e së ardhmes… Kam pasur fatin të jem me të në dhomë vetë i treti për 9 muaj më 1994/95 në burgun e Dubravës dhe më 1999 rreth dy muaj në Mitrovicë të Sremit, pastaj na transferuan në Nish (tri ditë), para se të na bënin mish për top në Dubravë. Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit!/KultPlus.com
Deputetja e PDK-së, Flora Brovina tronditi sot opinionin me një foto që vendosi ta publikojë, e që ishte një grua që përdhunohej nga tre ushtarë kriminelë serb, para syve të familjarëve të viktimës.
Pas kësaj ka reaguar Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila është femra e parë që publikisht e pranoi se ka qenë viktimë e përdhunimit nga kriminelët serb.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ka shumë për të thënë, mirëpo nuk mund të thotë asgjë.
“Unë kam aq shumë për të thënë, por unë nuk mund të them asgjë #20years”, ka shkruar Vasfija.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, ka
paralajmëruar se do të bëjë publikimin edhe të dy dëshmive tjera për krimet që
serbët i kanë kryer në Kosovë.
Në një prononcim për Telegrafin, Brovina tha se
fotografia e publikuar sot gjatë seancës plenare në Kuvend, ku shihen disa
ushtarë serbë duke dhunuar një grua kosovare, është fshehur që shumë kohë,
prandaj ka vendosur ta publikojë sot.
“I kam edhe dy dëshmi tjera, do t’i publikojë në
Kuvend sot. Kjo dëshmi që e kam prezantuar sot nuk është diçka e re, por është
anashkaluar. Ndërkombëtarët, por edhe tanët e kanë fshehur, prandaj e kam
publikuar sot”, ka deklaruar deputetja Brovina për Telegrafin.
Në dëshminë e publikuar sot nga deputetja Brovina,
ushtarët serbë shihen duke dhunuar një femër në Kosovë, dhe familjarët e saj
janë prapa saj disa të vrarë e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe gjatë
kohës së luftës në Kosovë.
Ndryshe, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar në ora 10:00, dhe ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin serb në Kosovë. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, po vazhdon të jetë një emër shumë i përfolur në mediat ndërkombëtare. Së fundmi, ajo ka pozuar për revistën kineze “Vogue me”.
Me këtë rast, artistja shqiptare ka realizuar një set të ri fotografik, në të cilin shfaqet mjaft e veçantë. Ajo ka falënderuar gjithashtu të gjithë bashkëpunëtorët e saj për realizimin e kësaj kopertine.
“Faleminderit Vogue Me, që më kishit në kopertinë, faleminderit për përkrahjen”, ka shkruar ajo.
Fotografitë e saj kanë marrë mijëra pëlqime dhe komente nga 29 milionë ndjekësit e saj në Instagram.
Lipa gjatë kësaj kohe i ka anuluar të gjitha koncertet muzikore duke u përqendruar në këngët e reja që do të jenë pjesë e albumit të ri. Ky album siç është paralajmëruar do vijë së shpejti para fansave të artistes 23 vjeçare. / KultPlus.com
Jazz – këngëtarja Rona Nishliu, muajin e kaluar promovoi albumin e saj më të ri të titulluar “Mindil”, me disa këngë të përpunuara që pasqyrojnë trashëgiminë tonë kulturore.
Albumi “Mindil”, për të cilin kuarteti ka punuar dy vjet, përmban
gjithsej dhjetë këngë, ndër të cilat janë “Baresha”, “Moj e mira te pojata” dhe “Me lule
t’bukra.” Përveç këngëve të folklorit, përfshihen edhe dy këngë të etnive të
tjera. “Kasmangjesa”, e cila është këngë e kulturës rome dhe kënga me motive
turko-greke, “Opa nina”, që këngëtarja rome, Esma Rexhepova, e kishte bërë të
famshme në Ballkan.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Kosovë, Nishliu do të përformoj me koncert live edhe në Maqedoninë e Veriut, koncert ky që do të mbahet me 20 Maj./KultPlus.com
Një skulpturë e amerikanit, Jeff Koons
është shitur për 91.1 milionë dollarë, duke shënuar çmimin më të lartë të një
vepre arti që i është shitur ndonjë artisti të gjallë, ka njoftuar shtëpia e
ankandit, Christie në Nju Jork.
Çmimi i shitjes më 15 maj është rreth 20 milionë
dollarë më i lartë sesa ishte planifikuar.
Skulptura, që është përfunduar më 1986, me titullin,
Lepuri, konsiderohet një nga veprat e artit më të famshme të shekullit 20.
Ajo është krijuar me çelik dhe është 104 centimetra e
lartë. Në të shihet një lepur duke ngrënë një karrotë.
E përditshmja The New York Times ka raportuar se
Robert E. Mnuchin, babai i Sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, ka
blerë këtë skulpturë.
Rekordi paraprak ishte shënuar në muajin nëntor të vitit 2018, pasi vepra e piktorit të gjallë britanik, David Hockney, ishte shitur për 90.3 milionë dollarë./rel / KultPlus.com
Çdo vit nga 1977, ICOM ka organizuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve e cila reprezenton një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Në këtë ditë, muzetë pjesëmarrës planifikojnë ngjarje kreative që lidhen me temën e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, angazhon publikun dhe nxjerr në pah rëndësinë e rolit të muzeve si institucione që i shërbejnë shoqërisë dhe zhvillimit të saj.
Tema e këtij viti për është
“Museums as Cultural Hubs: The Future
of Tradition”- Muzetë si Qendra kulturore: E ardhmja e Traditës.
Muzeu
Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me profesorë dhe studentë të Degës së
Antropologjisë dhe Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës për të shënuar
Ditën Ndërkombëtare të Muzeuve do të zhvillojnë punëtori të cilat kanë për
qëllim angazhimin dhe edukimin e fëmijëve (grupmosha të ndryshme) dhe të rinjve
për Artin Tradicional të shprehur në zeje të ndryshme tradicionale përmes
metodave interaktive. Këto punëtori do të sjellin artizanë të ndryshëm në Muze
të cilët do t’i mësojnë fëmijët rreth zejes së tyre e në të njëjtën kohë
fëmijëve do t’u jepet mundësia të provojnë këto zeje me materiale të
ripërdorshme.
Aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve do të mbahen më 17 maj, nga ora 10:00- 20:00. Lokacioni: Ndërtesa kryesore e Muzeut. / KultPlus.com
Në Kinemanë Armata u dha premiera e operës bashkëkohore “Gof” bazuar në dramën e Anton Pashkut po me të njëjtin emër, e trajtuar me një stil të veçantë të absurdit duke demonstruar me lojën, fjalën dhe muzikën nga kompozitori Liburn Jupolli, shkruan KultPlus.
Ngjarja e trajtuar në
vepër dramatike është e vendosur diku në vise malore duke paraqitur një
realitet të hidhur shqiptarë përmes personazheve të cilët në mënyrë metaforike
rrëfejnë pesimizmin e tyre në lidhje me vendin.
Pashku trajton ngjarjet
e viteve të 30–ta, me personazhe emrat e të cilëve i ka paraqitur sipas fiseve
të para shqiptare Lulua, Lulashi, Lulani, ku këtyre linjave u është përmbajtur
edhe kompozitori Jupolli, i cili atë realitet e zhvendos në realitetin e sotëm
shqiptarë.
Kompozitori në fjalë
thotë së gjithnjë e ka tërhequr opusi letrar i Pashkut dhe meqë teksti “Gof” nuk e ka pasur fatin që të dalë në
pah për publikun, Jupolli vendosi ta trajtoj vetvetiu duke e gërshetuar me një
fushë më të veçantë – operën.
“Vepra e Pashkut është e shkruar për disa personazhe që bëjnë alpinizëm diku rreth viteve të 30-ta, njëri rrëzohet dhe dy shokë të ngushtë të tij dalin ta shpëtojnë dhe e strehojnë në një kasolle ku edhe mbesin të ngujuar. Njëri prej personazheve aty e ka një tekst shumë të rënd për publikun, pikërisht atë e kam vendosë në ditët e sotme. Në vend se fizikisht me bë alpinizëm këta dy personazhe takohen në njërën prej shtëpive të tyre dhe hyjnë në realitet virtual përmes syzeve dhe luajnë një lojë të alpinizmit siç luajmë video-lojëra të ndryshme që janë pjesë të kompjuterit. Në këtë rast prishet kompjuteri dhe këta mbesin të ngujuar në atë realitet virtual. Kështu pra kam dashur që të paraqesë realitetin kosovar edhe në ditët e sotme”, u shpreh për KultPlus kompozitori Liburn Jupolli.
Realiteti skenik u paraqit përmes dy teknikave, përmes
personazheve në skenë me lëvizjet skenike dhe me këndim. Ndërsa në anën tjetër
kemi projektorin që paraqet vizualisht veprimet në bazë të fjalëve që thuhen në versionin origjinal të
veprës dhe që janë vështirë të kapshme për shikuesin.
Flautistja Erëmira Çitaku e konsideron një sukses të lartë realizimin e këtij
projekti, ku përveç tjerash kanë përdorur edhe ide të reja të flautistit
amerikan që kishte qenë më herët në Kosovë.
“Po më vjen mirë që e përfunduam sot një projekt
shumë të rëndësishëm. Është një formë shumë interesante e punës dhe u realizua
me sukses. Disa prej ekipit me Liburnin kemi pas këso eksperiencash edhe më përpara
ku kemi eksperimentuar nëpër projekte muzikën, fjalën, vallëzimin dhe në fund
Liburni e kurorëzoi me formën e operës. Kemi përdorë tekniken e re në flaut
duke inkorporuar ide të një flautisti të madh amerikan Robert Dick, ku këto ide
janë përdorë në Kosovë për herë të parë prej nesh.”
Ndër të tjerash tenori Luan Durmishi ndjehet i plotësuar
dhe e konsideron si përvojë të veçantë
pjesëmarrjen në projektin “Gof” ku sipas tij edhe përshtypjet e publikut janë të
jashtëzakonshme dhe kjo operë me emocionin e saj i rrëmbeu tërësisht.
“Unë kam përvojë të bujshme në operën e sotme, mirëpo opera Gof është opera e parë që këndoj. Ka qenë një sfidë, natyrisht se muzika bashkëkohore është jashtëzakonisht sfidë e madhe. Por duke u mbështet në muzikën klasike, në të cilën unë kam realizuar shumë koncerte ma ka lehtësuar sa i përket anës teknike dhe natyrisht për mua Gofi është projekti më i rëndësishëm në jetën time. Aq shumë brenda operës ka emocion sa nuk kam dyshuar se do ta rrëmbejë publikun dhe kështu edhe rezultoi, impresionet e publikut ishin tepër të mira, sepse për herë të parë në Kosovë kanë parë një projekt të tillë”, tha Durmishi.
Ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës
Shpend Ahmeti, i cili prej perspektives së shikuesit shprehet i entuziazmuar për
realizimin e një projekti të tillë.
Sipas Ahmetit, kjo shfaqje është një risi për skenën
e Prishtinës, ashtu edhe sikurse Kinemaja Armata. “Kinema Armata po sjellë një skenë alternative në kulturën e
qytetit. Më shumë më ngjan si me qenë skenë e Berlinit. Kështu që unë jam tepër
i gëzuar si kryetar që ne mundemi me përkrah projekte të tilla, me pas raste që
të dëgjojmë talente siç është
Liburni dhe Luani. Unë tërë jetën jam rritë në teatër klasik dhe kjo për mua është
kombinim i teatrit, baletit, operës, filmit dhe kur të krahason mendoj se kjo
mund të konkurroj me çfarëdo lloj
konkurrence evropiane në teatrin bashkëkohor”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Në shfaqjen operistike “Gof” me rolet e tyre janë paraqitë: Lulani / Luan Durmishi – tenor, Lulua / Armando Likaj– bariton, Lulashi – këngëtar virtual në botën e filmit, kurse ansambli i kësaj shfaqje ishte në përbërje të: Liburn Jupolli – synthesizer, efekte, elektronikë, okto, Erëmira Çitaku – flaut, okarinë. Lum Çitaku – Botë Filmi, Flutura Dedinja – kostumet, Ylber Cërvadiku – dizajni, Nik Rudari – fotografia e posterit./KultPlus.com
Shqipëria sonte do të paraqitet për herë të 16-të në Festivalin e Këngës Evropiane i njohur si Eurovizion pasi iu bashkua këtij eventi në vitin 2004.
Këtë vit, Shqipëria përfaqësohet nga këngëtarja Jonida Maliqi, e cila e nisi karrierën e saj muzikore që në moshën 13-vjeçare. Ajo do të prezantohet në gjysmëfinale me këngën “Ktheju tokës”, shkruan rtv21.tv
Rona Nishliu në vitin 2012 me këngën “Suus”, zuri vendin e pestë në këtë festival duke u bërë e para që e çon Shqipërinë në këtë nivel në kuadër të Eurovizionit. Kurse, sot kur Jonida është nën ethet e perfromancës, Rona e ka perkrahur atë duke mos dyshuar në paraqitjen e saj. “Shijoje skenën sonte, jam e sigurt do shëndrrisësh”, ka shkruar Rona në Instagram ku dhe ka publikuar fotografi të Jonides. Maliqi do të performojë e 14-ta me radhë në skenën në Tel Aviv. Finalja e Eurovisionit do të mbahet më 18 maj./ KultPlus.com
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para se të filloj seanca e paraparë në ora 10, e cila ka një pikë në rendin e ditës, atë për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar ka vizituar vendin ku ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.
“Serbia duhet të distancohet nga krimet që kanë
ndodhur dhe të dënohen kriminelët”, është shprehur Veseli gjatë kësaj vizite.
“E kemi për obligim që këto rroba të fëmijëve të vrarë
të mos i varrosim. Ato do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit. Ne duam paqe, nuk
duam konflikt, duam të ardhme, por nuk do ta lëmë askënd të na nguc. S’ka qare
pa ardh drejtësia”.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim
Gërxhaliu, ka thënë se deri në vitin 2004 kufomat e personave të vrarë në luftë
janë varrosur bashkë me rroba, por pas këtij viti është marrë iniciativa që në
rastet tjera ato të duhen në mënyrë që të dëshmohen krimet që kanë ndodhur në
Kosovë.
Ai ka thënë se aktualisht ruhen 948 pako të personave të vrarë më gjësende dhe rroba. / KultPlus.com
Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.
Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.
Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!
I trashi doli jashtë.
Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!
Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.
I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.
Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.
Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?
Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.
I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.
Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?
– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.
E si ndodhi?
I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.
Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.
Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.
Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.
Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.
Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.
E pyeta pse?
Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.
Mirë, mirë…
Nuk ka as vaj ulliri.
E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.
Shi i rrëmbyeshëm.
Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.
Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!
Mendova se do të më pyeste për orën.
Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?
Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.
Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?
Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!
Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?
Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..
Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.
Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!
I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!
Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”
Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!
Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.
Përfaqësuesja e Shqipërisë për në Eurovison, Jonida Maliqi e cila ka ditë që gjendet në Tel Aviv, sonte do të performojë në edicionin e 64 të Eurovisionit, shkruan KultPlus.
“Ktheju Tokës” do të ngjitet në skenë e 14-ta me radhë, sonte në natën e dytë
gjysmëfinale të Eurovisionit.
Nga nata e parë e gjysmëfinales, në finale kanë kaluar këto shtete: Greqia,
Bjellorusia, Serbia, Qipro, Estonia, Republika Çeke, Australia, Islanda, San
Marino dhe Sllovenia.
Ndërsa sonte të gjithë shqiptarët mbesin me shpresë që Jonida të kalojë këtë prag dhe të futet në finalen e madhe të festivalit Eurovision. / KultPlus.com
Projekti për vitin 2019 i shoqatës URACult i quajtur „URA 5” filloi të shtunën në lokalet e “Filmclub 813” në Köln me organizimin „URACult Movie“.
Artdashësve nga kjo pjesë e Gjermanisë iu prezantua filmi „Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Shfaqja e filmit i cili momentalisht është duke u prezantuar në festivale të ndryshme, mblodhi një numër të konsiderueshëm të shikuesve. Kritika e tyre për këtë filmi ishte duartrokitja e gjatë për regjisorin Alimani i cili u lidh drejtpërdrejtë nga Nju Jorku me kinemanë në Köln.
Çmimet që mori filmi si „Çmimi i Madh“ në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival” vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. Me një grup aktorësh të shkëlqyeshëm, regjisori Alimani ka arritur që në 80 minuta të sjell shikuesve shumë afër gjithë historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri e cila numëronte ditët e saj të fundit. Për shumë nga shikuesit në sallë filmi ishte një kthim në një periudhë të jetës së tyre apo jetës së prindërve e gjyshërve siç tregon edhe Aurora Barçi nga Kölni, një nga mysafirët e mbrëmjes.
“Unë jam rritur me historitë e komunizmit që më tregonin gjyshërit dhe prindërit e mi. Ky film ishte një kthim pas në kohë dhe që të bën të reflektosh mbi vlerën e një sistemi demokratik“.
Në shfaqje ishte i pranishëm
edhe aktori Ilir Rexhepi i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Ai e vlerësoi
lartë filmin dhe tha se „ky film vërteton se kinematografia shqiptar po ecën
përpara dhe filmit i dëshiroj suksese edhe në festivalet tjera të
filmit në botë“.
Në bisedë regjisori Alimani
falënderoi organizatorin për prezantimin e filmit në Köln duke thënë se e çmon
shumë punën e celulave kulturore si URACulti të cilat u sjellin afër
artdashësve vlera artistike në vendet e tyre, larg tepihëve të kuq dhe dritave
të fotografëve në festivale.
Shoqata URACult vërtetoi edhe një herë punën e saj të vlefshme të filluar para gati pesë vitesh në promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani. „Në thelb, URACult për mua është një pikëz atdhe që na ofrohet në mënyrën më të sofistikuar dhe plot laramani në jetën tonë në Gjermani“ flet specialistja për menaxhimin e të dhënave Aurora Barçi e cila rregullisht është e pranishme në organizimet e URACult-it.
Ndonëse për herë të parë në një organizim të kësaj shoqate, aktori Ilir Rexhepi poashtu mbeti shumë i kënaqur si me programin e poashtu me rrethin e njerëzve që ishin mbledhur në këtë mbrëmje në metropolën pranë lumit Rhein.
“Është i rëndësishëm dhe i nevojshëm funksionimi i shoqatave të tilla si URACult në Gjermani. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi në sfera të ndryshme, edhe në sferat kulturore-artistike me Gjermaninë është mbase i nevojshëm sepse Gjermania është mike dhe përkrahëse e madhe e shqiptarëve“, foli aktori Rexhepi i cili momentalisht është duke punuar në disa projekte të ndryshme në Gjermani.
Për këtë mbrëmje ishte planifikuar edhe një bisedë me aktorin
Kasem Hoxha i cili luan në filmin „Delegacion“ por fluturimi i tij nga Kroacia
ku kishte xhiruar për një projekt televiziv gjerman ishte anuluar. Por ai i
përshëndeti të pranishmit në Kino me një video disaminutëshe nga aeroporti i
Splitit.
Me 29. Qershor URACult organizon për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACUlt Literae” ku do të lexojnë disa autorë të rijnë shqiptarë. / KultPlus.com
Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por dhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.
Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë
antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO.
Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në
oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët
fshihen nëpër qeli të burgut.
Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të
burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë,
snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.
Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj
të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre.
Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat
personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.
Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në
Kosovë.
Për nder të veprës së veprimtarit Ukshin Hoti, sot në ora 16:00 në Institutin Albanologjik mbahet tryezë përkujtimore. /KultPlus.com
Lexuesi që e përjeton librin thjesht si përmbajtje
Një fëmijë që lexon përralla me indianë, adoleshente që lexon novela romantike apo studentë filozofie, thjesht merr informacion.
Ky lloj lexuesi është i lidhur me librin si kafsha me të zotin: libri drejton, lexuesi ndjek. Thelbi i librit pranohet objektivisht, me realizëm. Megjithatë, edhe në këtë grup ka lexues të rafinuar, sidomos sa i përket letërsisë artistike.
Imagjinuesi
Ai që zgjedh të ndjekë instinktin në vend të edukimit bëhet edhe një herë fëmijë dhe rrjedhimisht gjithçka që e rrethon merr formë tjetër: buka bëhet mal, i përshkuar tejpërtej nga tunele të thellë; shtrati bëhet… shpellë, kopsht, fushëbetejë… gjithçka që e lejon imagjinata.
Ky është thelbi i tipit 2 të lexuesit. Ai është në gjendje të ndërtojnë historinë e tij ose të shtjellojë më tej atë që lexon. Për këtë lexues, as forma dhe as përmbajtja nuk janë aq të rëndësishme. Ai e di, ashtu si çdo fëmijë, se çdo objekt mund të ketë 10, 100… kuptime për mendjen. Në ndryshim nga lexuesi i parë, ky i dyti e ndjek librin jo si kafsha të zotin, por si gjuetari prenë.
Ëndërrimtari
Tipi i tretë dhe i fundit i lexuesit është, me gjasë, e kundërta e atij që rëndom e quajmë lexues i mirë. Ai është tërësisht i pavarur dhe i lirë në mënyrën se si e përjeton procesin e leximit.
Sipas këtij lloj lexuesi, qëllimi i leximit nuk është as edukimi, as argëtimi. Ai e përdor librin si çdo objekt tjetër, për të thelbi në fakt është stimuli që mund t’i japë (ose jo) çdo histori. Ai nuk ka nevojë për një filozof nga i cili të mësojë apo që ta kritikojë; ai nuk ka nevojë për një poet që t’i interpretojë jetën; kaq gjë e bën vetë.
Nëse këtë lexues e tërheq një fjali e bukur në një libër, një sentencë, këshillë, gjëja e parë që bën është ta zbërthejë atë totalisht.
Ky lexues e di fare mirë se për çdo të vërtetë qëndron plotësisht edhe e kundërta e saj.
Ky lloj lexuesi është i aftë të lexojë ç’të dojë por më e rëndësishmja, si të dojë. Në kulmin e kreativitetit ai mund ta lexojë “Kësulëkuqen” si një përrallë, por edhe si filozofi apo poemë erotike. / KultPlus.com
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare ku pritet të votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.
Seanca i ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera
është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për
krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin.
Këto janë pikat e rendit të ditës:
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
Koha për pyetje parlamentare,
Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër
njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë,
Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për
gjenocidin serb në Kosovë,
Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish –
Fabrika e tjegullave,
Vendimi për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni
hekurudhor i Prishtinës,
E pozicionuar në afërsi të lumit Shkumbin vetëm 4 km larg nga deti Adriatik, Kalaja e Bashtovës është një perlë e fshehur në Shqipërinë qendrore, që pak njerëz, për momentin, kanë fatin për ta parë.
Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në blogun e saj “Letters from Balcan” duke i kushtuar një tjetër shkrim potencialeve turistike e kulturore të Shqipërisë si ftesë për turistët e huaj.
Fortesa, në fakt, nuk gjendet afër qytetit-muze të vendit, as përgjatë bregdetit të famshëm dhe për pasojë, ende është pothuajse e panjohur për turistët të cilët, të tërhequr nga destinacionet më të famshme, nuk dinë për ekzistencën e saj.
Shtojeni kësaj faktin se informacioni për Kështjellën është shumë i vogël: Bashtova është një nga thesaret më të mira të fshehura të Shqipërisë.
A keni qenë ndonjëherë vizitorët e vetëm në një vend arkeologjik dhe kulturor në Europë? Mua, për momentin, më ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe gjithashtu në Bashtovë kam pasur këtë fat të madh. Por le të shkojmë në historinë e kësaj kalaje.
Sipas shkrimtarit dhe udhëtarit turk Evliya Çelebi, Kalaja u ndërtua nga Venediku në shekullin e 15-të dhe më pas, në vitin 1478, u pushtua nga osmanët. Roli i saj strategjik për kontrollin mbi Detin Adriatik dhe vendndodhja ideale pranë rrugës historike Via Egnatia, ka bërë të mundur që prej dy vjetësh Kalaja është përfshirë në listën paraprake të Unesco, lista e pritjes për t’u regjistruar në trashëgiminë botërore të njerëzimit.
Sot vetëm këto mure (nëntë metra të larta) dhe dy kulla (dymbëdhjetë metra të larta) mbeten nga kjo kala e shkëlqyer drejtkëndore, por sipas disa studimeve arkeologjike, në të kaluarën fortesa duhej të ishte në dy kate.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.
Vendndodhja, në të vërtetë, në mes të fushave të kultivuara është thjesht spektakolare. Këshilla ime? Nxitoni ta vizitoni tani, para se të gjithë ta dinë./k.s/KultPlus.com
Edhe unë i kam dashtë burrat e bukur, me flokë valë, shpatullgjanë, buzëperdredhun e nazeli. Por mbas tyne ishte gjithmonë vjeshta, mbas tyne kishte rrebesh, stuhi, mbas tyne vinte dreqi e i biri. Mbas tyne porta nuk mbyllej ma, brava heshte, çelesi nuk tringëllinte nëpër natë. E ti vdes ka pak, si qiri shkrihesh territ pafund ku dënohesh, e s’pyt pse trishtimi ka nji mbretni aq të popullueme. Ata s’janë, s’dine, s’bajnë. Ata veç të pushtojnë, prej atyne pushtimeve shekullore sa të ndryshojne e ti ma nuk ngjan as me Marinë e as me vedin. Ikin mbas çdo fundi të shkurtë e të vjedhin kohën. I kam admirue burrat e bukur, por ti erdhe vonë , bash at’herë kur msova me u dashtë… /KultPlus.com