T’ka ra buzëve langu i gojës tem bash si tamli i nanës q’i pikon gjinit pos t’vluem untjes(urisë) tande edhe dashnisë t’urueme për me t’ra kaherë e njejta urë me i kalu madhnitë e jetës nga gjini i butë n’gojë e zemër t’njomë dashnie përqafuem veç teje.
T’ka ra tamli nxehtë
buzëve
si me t’pas nêm-urue orët e malit
si ato t’bardhat llastueme fatit që i sjellin fustanet e holla
mbështjellna kambësh
…e njâ si ti
qapitet për me i pa e ngopë natyrën
e synin
me l’shu n’djersë që t’lagin edhe hukamën.
Druej se ke ra edhe ti dashnie
në mue
kulluem tamlit t’nanës
n’buzët e mia t’valës
për pa e dit sa t’mujnë.
Mesa duket kanë dalë në dritë disa detaje të reja rreth vdekjes së John Belushi dhe orëve të tij të fundit, falë një libri që zbuloi detaje që deri më tani ishin mbajtur të fshehura për publikun. Në “In The Castle on Sunset”, nga Shawn Levy, janë rindërtuar ditët e fundit të aktorit të famshëm. “Më 28 shkurt 1982, John arriti në Chateau Marmont në kushte shumë komplekse, i djersitur dhe i zbehtë.
Ai vend ishte tani si një shtëpi e dytë, pasi aktori kishte qëndruar atje për më shumë se një muaj, duke u endur në disa suita. Në atë kohë ai po planifikonte filmin e tij të ri, me titull “Noble Rot”.
Megjithatë, puna nuk po shkonte mirë, as menaxherja e as “Paramount Pictures” nuk ishin të kënaqur me rezultatin dhe situata po degjeneronte ngadalë, me Belushi që mungonte në takime, ndërsa dhoma e tij ishte bërë si një stallë derrash dhe kishte humbur vazhdimësinë e higjienës personale.
Shumë mendonin se ishte nën efektin e vazhdueshëm të drogës dhe, sipas Shawn Levy, ata kishin të drejtë, pasi i kalonte ditët duke pirë alkool, tymosur marijuanë dhe duke gllabëruar kokainë, deri edhe heroinë.
Shumë personazhe shkuan për ta parë atë ditë, përfshirë Robin Williams dhe Robert De Niro, të cilët me sa duket kishin marrë kokainë me John Belushi pak para vdekjes së tij.
Në “The Castle On Sunset”, De Niro e ka gjetur dhomën e John
një katastrofë të vërtetë, sikur dikush të kishte një sulm të zemërimit.
Më vonë, Robin Williams hyri gjithashtu në apartament, ku u
ndal për disa “teke kokainë” dhe disa biseda, dhe më pas u largua nga dhoma,
duke u ndier i shqetësuar”, thuhet në librin “In The Castle on Sunset”.
KultPlus ju sjellë këngën “Kah po vjen moj dushe” të kënduar nga Rizah Bllaca. Këtë këngë kryeministri e këndoi mbrëmë në darkën e organizuar për arbëreshët e Italisë të cilët janë duke qëndruar në Kosovë.
Ka po vjen o moj dushe Me rruza ne gushe Me rruza xherdon-ee Gishtat e kuq o me kan-ee
Eeee kta gishta me kan Ooo me kunra ne kome Oo dishka du me t’thon-ee Ooo pa don met me m’lon-eee
Eeeee pa don o met o me m’lone Ooooo naj kun a je dhon Kerkun nuk jom dhon As men nuk e kom-ee
Eeee djal menen s’e kom Oooo prit naj dite o moj zane Oooo der t’me pritsh o naj dit-e Shtati tu t’u rrit-ee
Eeee shtati o mu ka rrite Oooo shtati mu ka rrite Oooo o djale nuk muj me prit-eee Ooo mo nuk muj me prit-eeee
Oooo pritem o naj vjet Ooo shtati vjen tuj tu pjeke Ooo shtati mu ka pjek-ee Ouuuu zemra mu ka djeg-eeee
Oooo mor e shitumja e dades Ooo oj shitumja e dades oo Oo ti m’dave prej babes Ooo o djale m’dave prej babes
Ojj shitumja e zanes Oooo oj shitumja e zanes O djale m’dave prej nanes Ouu djale m’dave prej nanes
Moj e shitumja e shites Ouuu oj shitumja e shites Ooou o djale m’dave prej rrites Ooou m’dave prej rrites
Ooo kuku a moj nane Ooo shka m’ka gjeten pram Ouuu nona e din vete Oo si ty mu m’ka gjet-ee
Ooo valla gushja nones Ooo qaj bardhokja nones Oo nona t’ka bajrak eee Ishe per marak eeee./ KultPlus.com
Çfarë ndodh kur dy kalërues të zakonshëm vendosin të përshkojnë 600 kilometra mbi kalë nëpër një prej vendeve më pak të njohura të Europës? Njihuni me Ashley dhe Quentin, të cilët na tregojnë aventurën e tyre në Shqipëri, shkruan www.horsenation.com.
”Ku?
Kjo është pyetja që shumica e njerëzve na bëjnë kur ne u
themi se duam të kalërojmë për 600 kilometra nëpër Shqipëri këtë pranverë.
“Shqipëria! Diamanti i harruar i Ballkanit? Midis Malit të
zi dhe Greqisë? Dalë nga komunizmi në vitin 1992?”
Zakonisht kur themi këtë njerëzit na shikojnë të habitur dhe
thonë “Po pse doni të kalëroni atje?”
E pse dikush do të nisej në një udhëtim me kalë nëpër
fshatra dhe territore të egra? Për dashurinë për aventurat, natyrën dhe
sigurisht pasionin për kuajt!
Fillimet
Ne jemi Ashley dhe Quentin, krijuesit e “En Selle”, që
përkthehet nga frëngjishtja ”Në shalë”. Ne lamë punën në zyrë në Paris për të
udhëtuar botën me biçikletë ose me kalë. Ashley ka gjithë jetën që kalëron dhe
ka marrë pjesë në kompeticione në SHBA dhe Francë. Quentin është një kalërues
mesatar, por me shumë eksperiencë në sportet në natyrë dhe ia ka marrë mjaft
dorën kalërimit në 18 muajt e fundit. Pas udhëtimit me biçikletë të 2 500
kilometrave nga Franca në Shqipëri këtë dimër, ne po bëhemi gati t’i fshehim biçikletat
tona në garazhin e një shoku dhe ta ndryshojmë metodën e udhëtimit tonë nga me
dy rrota në me katër thundra.
Territori shqiptar është shumë më i përshtatshëm për
udhëtimin me kalë se sa me biçikletë. Rrugët më të bukura janë akoma rrugët që
janë përdorur nga tregtarët dhe barinjtë ndër shekuj. Kjo do të thotë që
shtigjet mund të jenë me baltë, gropa, gurë, të rrëshqitshme, buzë shkëmbinjve,
të pjerrëta dhe të ngushta.
Në Shqipëri , vetëm disa zona janë pika turistike – brigjet
e mahnitshme të detit Adriatik, dhe qarqet kombëtare në male, si ato në Përmet
(në jug) dhe Valbonë (në veri). Pjesa tjetër e vendit është relativisht e
pavizituar nga turistët, dhe shumë fshatra janë të vështirë ose të pamundur të
vizitohen me makinë. Shumica e aktivitetit ekonomik është i përqendruar në
bujqësi dhe vendi është i mbushur me kuaj. Këtu gjendet edhe raca e fortë
vendase, kali shqiptar. Të fortë, të shkathët dhe të përshtatur me terrenin,
këta kuaj janë të shkëlqyeshëm për përshkimin e terrenit të vështirë, dhe
premtojnë të jenë partnerët që na duhen për të pasur një udhëtim të suksesshëm.
Ne gjithashtu e zgjodhëm Shqipërinë sepse jemi të mahnitur
nga njerëzit. Shqiptarët njihen për forcën e tyre, mikpritjen dhe humorin.
Mikpritja për të huajt ka rëndësi të madhe pasi shqiptarët nuk bezdisen kur
shohin të panjohur duke kalëruar pranë tokave të tyre.
Udhëtimi ynë do të fillojë në mes të muajt maj, dhe do të
zgjasë 6 javë, përafërsisht 100 kilometra në javë, me dy ditë pushim për të
marrë veten çdo javë. Tre kuaj do të jenë shoqëruesit tanë në këtë udhëtim, dy
për ti kalëruar dhe një për të mbajtur ushqim dhe mjetet e kampingut. Në fund
të udhëtimit kuajt do t’i dhurohen organizatës TOKA, një shoqate jo
fitimprurëse vendase që po ndihmon banorët e Tropojës të nisin bizneset e tyre.
Kuajt tanë do t’i bashkohen projektit të tyre për turizmin me kuaj, ku ne e
dime që do të ushqehen dhe të jenë të lumtur për pjesën tjetër të jetës së
tyre. Ne do t’i ndajmë aventurat (dhe vështirësitë) tona në ”Horse Nation” në
javët në vazhdim.
Destinacioni i rradhës
Ne do jemi në kërkim të kuajve në qarkun jugor të
Gjirokastrës. Në këtë zonë kemi arritur të gjejmë dy rritës të kalit shqiptar,
njëri prej të cilëve premton me krenari se së paku pesë prej kuajve të tij janë
kalëruar më parë. Ne do të ndajmë me ju se si do e zgjedhim rrugën, se si
marrim mjetet dhe veshjet këtu, dhe se si po i përgatisim kuajt për nisjen.
Jemi të emocionuar të sjellim kalëruesit e ”Horse Nation”
bashkë me ne në këtë kalërim unik dhe ndoshta të frymëzojmë disa prej jush të
nisni aventurat tuaja me kalë jashtë arenës së kalërimit. Nëse keni ndonjë
pyetje, lini ato në komente dhe ne do mundohemi t’u përgjigjemi apo t’i
përfshijmë në postimet e radhës.
Çështja e autorësisë së veprave të Shekspirit, përfshin rreth 70-80 teori alternative, ndaj pikëpamjes tradicionale se Uilliam Shekspir i shkroi vetë veprat e tij.
Ai lindi në një familje të shtresës së ulët, nuk ishte i arsimuar dhe nuk kishte një rreth të madh shoqëror. Ndaj teoricienët besojnë se gati e pamundur, që ai të shkruante kryevepra të tilla.
Ja cilat janë 10 nga teoritë më interesante, se kush mund të
ketë qenë autori i vërtetë i veprave të tij.
Fransis Bejkën
Bejkën ishte një filozof, shkrimtar, shkencëtar dhe historian i njohur i kohës
së tij. Thuhet se ai ishte pjesë e një grupi më të gjerë, që synonte të minonte
monarkinë britanike. Zbulimi i dokumenteve të vitit 1867 që përmbajnë esetë e
Bejkën, dhe kopje të grisura të tragjedive “Rikardi II” dhe “Rikardi III”, si
dhe referencat mbi Shekspirin, e përforcojnë më tej këtë teori.
Kristofer Marlou
Thuhet se Kristopfer Marloi, u vra në një përleshje me thika në rrugë me disa
të dehur, në majin e vitit 1593. Pra, ai vdiq para se Shekspiri të niste të botonte
librat e tij. Teoricienë të ndryshëm pretendojnë se Marlou e falsifikoi atë
natë vdekjen e tij,dhe filloi të botonte nën pseudonimin Uilliam Shekspir. Në
fakt, edhe stilet e shkrimit të Marlou dhe Shekspirit, janë shumë të ngjashme.
Ana Hethwuej Bashkëshortja e Uilliam Shekspirit për 34 vjet, përmendet shpesh si shkrimtarja e vërtetë e trashëgimisë së Shekspirit. Ajo jetoi në një kohë, kur gratë nuk do të botoheshin. Edhe motrat Brontë, i botuan veprat e tyre me pseudonime burrash (Kurer, Elis, dhe Ekton Bell). Ndaj nuk është krejtësisht e pabesueshme, që Ana të ketë bërë të njëjtën gjë.
Eduard De Ver
Eduard de Ver ishte Baroni i 17-të i Oksfordit. Rrethi i tij i gjerë shoqëror,
dhe kontaktet e shumta, kishin më shumë gjasa të kenë ndikuar në temat e dramave
të famshme. De Ver ishte i njohur në rrethet teatrore, dhe ishte një mbrojtës i
një numri aktorësh. Mbështetësit e kësaj teorie, pohojnë se shumë prej
përvojave të jetës së de Ver, janë shndërruar në shfaqje të tilla si Makbeti,
Hamleti dhe Rikardi II.
Henri Nevil Diplomati Henri Nevil, jetoi dhe punoi në Londër gjatë kulmit të karrierës letrare të Shekspirit. Studiuesi Xhon Kason, thotë se faktin se biblioteka e Nevil është e mbushur me libra që kanë shënime rreth shfaqjeve të Shekspirit. Gjithashtu, pretendohet që Nevil duke shërbyer në administratën publike, kishte përvojën e duhur për të përfshirë detajet ligjore që Shekspiri i përdori në dramat e tij.
Xhejmsi I
Ideja që monarku mbretëror i kohës së Shekspirit, të jetë autori i vërtetë i
veprave, është paksa absurd. Por besimtarët e kësaj teorie, citojnë ndikimin e
madh të mbretit, si dhe marrëdhëniet mes dy burrave. Tragjedia Makbeth, thuhet
se është ndikuar nga libri i mbretit “Daemonologie & Reginald Scot’s”.
Gjithashtu, personazhi i Bankos mendohet se bazohet tek një pasardhës i vërtetë
i oborrit të Xhejmsit I.
Ben Jonson
Në librin e tij “Kush shkroi në emër të Shekspirit?”, studiuesi Xhon Miçëll
pohon se Xhonson, një shkrimtar i njohur në kohën e Shekspirit, ishte i
përfshirë në shkrimin e veprës së parë të Shekspirit. Duket sikur Xhonsoni,
kishte qasje brenda çdo sekreti të veprave të Uilliam.
Sër Uollter Ralei
Ralei, ishte një nga figurat më të famshme të epokës elizabetiane, për shkak të
ekspeditave të tij në Amerikë. Teoria që e lidh me Shekpirin, bazohet në faktin
se shumë nga përvojat e tij jetësore, ishin të lidhura me veprat e mëdha të
Shekspirit. Thuhet se Ralei, mund të ketë shkruar të gjitha veprat e
Shekspirit, duke përdorur preudonimin Bard.
Uilliam Shekspir
Natyrisht, ekziston edhe teoria se veprat e Uilliam Shekspirit, nuk u shkruan
nga askush tjetër përveçse vetë Shekspirit. Pikëpamja universale, është se
moria e provave të dokumentuara të emrit të tij, qoftë në veprat e tij, veprat
e shkrimtarëve bashkëkohorë, apo në regjistrat zyrtarë të shtetit, dëshmojnë
përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Shekspiri ishte autori i vërtetë i veprave
të tij.
Një grup autorësh Kjo teori u propozua fillimisht në vitin 1857 nga Delia Bejkën. Sipas tij, grupi drejtohej nga Frensis Bejkën (nuk kishte lidhje gjaku me Delian), dhe përfshinte autorë të tjerë të dyshuar si Eduard de Ver dhe Uollter Ralei, të cilët mendohej se ishin të zhgënjyer me karrierat e tyre zyrtare, ndaj nisën të shkruanin nën një preudonim të përbashkët.
Kjo teori u avancua në vitin 1931, kur Xhilbert Slejtër,
pretendoi në librin e tij “Shtatë Shekspirët”, se Frensis Bejkën, De Ver,
Ralei, Uilliam Stenli, Kristofer Marlout, Meri Sidnej dhe Roxher Maners, ishin
pjesë të së ashtuquajturës “Sindikata e Oksfordit”.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj një pjesë të historisë së Kadaresë apartamenti ku punoi dhe jetoi njeriu i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare shumë shpejt do të hapet si muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni ka restauruar të gjithë apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës. Me vendimin e sotëm në Këshillin Bashkiak i hapet rruga kthimit në muze.
“I shërben përveç tërheqjes së sa më shumë turistëve dhe zgjatjes së qëndrimit të tyre. Ismalili është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë jo vetëm Sheshi, liqeni, pazairi i ri, kalaja, galeria, tani shtohet edhe Shtëpia Kadare dhe më vjen shumë mirë që disa ditë më pas do kemi mundësi që dhe ta hapim”, tha Veliaj.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendës e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit dhe përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).
Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin, rrit numrin e turistëve si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit me famë ndërkombëtare. Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart në ndërtesën e famshme të para viteve ’90, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete. /oranews
Sot në Deçan nis edicioni i 9-të më radhë të festivalit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Drejtori i këtij festivali, Mustafë Ramamaj ka ber të ditur
se gjithçka është gati për të nisur ketë edicion dhe grupet të cilat kanë
konfirmuar pjesëmarrjen janë nga të gjitha trevat shqiptarë.
Mbi 40 grupe shoqëri dhe Rapsodë do të jenë pjesë ë këtyre tri netëve të festivalit Shqipëria e Jugut dhe e Veriut, Tirana, Saranda, Vlora, Gjirokastra, Shkupi, Rapsodët e Hasit, Ansambli i Burrelit, Grupi i Rapsodëve nga Deçani, Obiliqi, Skenderaj, Vitia, Rahoveci, Grupi nga Shqipëria – Lab, Ansambli nga Tropoja, Ansambli Rugova, Grupi nga Istogu, Malisheva, Klina, Bajram Curri nga Krusha, Drenasi, Gjakova dhe shumë grupe dhe rapsodë të cilët për tre net radhazi do të jen pjesë e këtij festivali në Deçan.
Nata finale e festivalit mbahet më 6 maji, që shënon edhe përvjetorin e 22-të, të rënies së heroit të Kombit Gjeneral Luan Haradinaj ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri i Republikë së Kosovës, Ramush Haradinaj./KultPlus.com
Kur kisha shumë vetëbesim, skena nuk ishte miku im. Kur isha e sigurt për dështim, fitoja. Kur kisha shumë nevojë për njerëzit të më donin e të ishin pranë meje, ata nuk ishin, u larguan dhe më lanë…
Kur mësova të thaj lotët e mi, gjeta një krah për të qarë.
Kur zotërova aftësinë e të urryerit, dikush filloi të më dashurojë nga bërthama
e zemrës së tij, dhe përderisa prisja dritën për orë të tëra gjersa tentoja të
flija gjumë, dielli shpesh ngritej në qiell duke e lënë shtratin e tij.
KJO ËSHTË JETA!
Nuk ka rëndësi se cfarë planifikoni në jetë kurrë nuk mund
ta dini se çfarë jeta ka në plan për ju. Suksesi ju takon me botën, por
dështimi takon botën për ju. Gjithmonë jeni të lumtur!!
Shpesh kur humbin Shpresën dhe mendojmë se ky është fundi,
Zoti buzëqesh nga lartë dhe thotë: “Qetësohu, është thjeshtë një kthesë, jo një
përfundim.”
Libri “Monologu i Prijësit” i autorit Rexhep Hoti, u promovua në Prizren.
Shkrimtarja Diana Çuli, e vlerësoi lartë veprën e Hotit. Ajo e quajti poezinë e Hotit, si postmoderne në mënyrën e të shkruarit.
“Monologu i Prijësit” që në vargun e parë, fillon me ndërthurje të pazakontë poetike, e cila si copa të një mozaiku të ngatërruar nga stuhitë e kohës e përmbyll kuptimin e vet në njësi të veçanta apo brenda tërësisë së saj”, tha Çuli, shkruan “PrizrenPress”.
“Megjithë njohjen për jetën politike të Kosovës, të luftës dhe të gjitha zhvillimeve të tjera që kanë ndodhur në të në këto dekada, nuk mund të pretendoja se mund ta kapja aq lehtë çdo hollësi, çdo metaforë apo simbolikë të përdorur nga autori, aq më tepër që atdheu u Monologut të Prijësit, herë -herë merr trajta cinike me kufij shqiptarë të ndarë nëpër epoka ku malet i mbesin atdheut luftëtaret më besnik për ta ruajtur zhbërjen autoktonë të një fare të fillimit të civilizimit, siç shprehet autori”.
Në këtë libër historia e Kosovës dhe Shqipërisë rrëfehet e trajtohet si një monolog nga prijësi nën përgjegjësinë e penës sa intelektuale aq edhe letrare të autorit.
Prorektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Kadri Kryeziu tha se libri “Monologu i Prijësit” ka karakter filozofik dhe psikologjik.
“Në këtë libër lexuesi e gjen edhe shpirtin e Ukshin Hotit”, tha Kryeziu.
Edhe profesori, Shaip Kabashi, e ka vlerësuar lartë librin “Monologu i Prijësit”. Sipas tij, ky libër do të shërbejë për gjeneratat e ardshme, si frymëzim për të ardhmën dhe prespetivën e vendit.
Gazetari Qazim Thaçi tha se “Monologu i Prijësit” i Rexhep Hotit paraqet ndërthurje të pazakontë poetike.
“Poezia e Rexhep Hotit në vete ka mesazhin ka dhembjen e Dukagjinit dhe ka dhembjen univerzale. Prandaj tashmë letërsiashqipe mund te themi se është pasuruar edhe më shumë”, tha Thaçi.
Ndërkaq, vetë autori tregoi për lexuesit se shkrimi i këtij libri ka nisur që në 2010, kur pushteti kishte nisur të merrte poshtë dhe e ka shkruar në disa kontinente./PrizrenPress.com/KultPlus.com
Këngëtarja kosovare, Rita Ora po vazhdon turin e saj.
Pas një koncerti mjaft të mirë në Zvicër, Rita Ora mbrëmjen e kaluar ka mbajtur concert në Paris ku ka thënë se “falenderon Parisin për emocionin që i kanë dhënë”.
Më poshtë u sjellim disa fotografi të Oras në Paris./albinfo.ch/KultPlus.com
Për ndërtimin e skulpturës më të madhe në botë të një shpendi janë dashur 10 vjet punë.
Vepra 350 me 60 metra gjatësi, 46 gjerësi dhe 21 lartësi, ndodhet mbi një kodër 350 metra mbi nivelin e detit, në qytetin Çadajamangalam të Indisë.
Raxhiv Ançal, skulptori që e realizoi, e kishte paraqitur idenë te Ministria e Turizmit që kur ishte student, në vitet ’80, duke u lënë përshtypje shumë të mira.
Ndërtimi nuk ka qenë aspak i lehtë. Pendët janë vendosur mbi strukturë, dhe secila është dekoruar individualisht./tch/KultPlus.com
Aplikimi për Garat ndërkombëtare të muzicientëve të rinj ArsKosova 2019 tashmë është hapur dhe të gjithë të interesuarit mund të fillojnë aplikimin e tyre, shkruan KultPlus.
Kjo garë e cila është një ndër garat më të rëndësishme në Kosovë për të apasionuarit pas muzikës organizohet nga Fondacioni “ArsKosova”.
Të interesuarit mund të aplikojnë për të hyrë në garë në linkun më poshtë por edhe të zbulojnë më shumë mbi festivalin duke përcjellë vegzën e dhënë në fund të artikullit.
Sot në qendër të qytetit të Gjilanit është zbuluar mozaiku me gëzhoja plumbi që portretizon figurën e Agim Ramadanit, shkruan KutlPlus.
276138 gëzhoja plumbi kanë formuar portretin e heroit kosovar Agim Ramdani, të cilat janë vendosur në mozaikun e punuar nga Besart Gashi.
Për këtë mozaik ka njoftuar për KultPlus vet Besart Gashi i cili ka treguar se për këtë mozaik ka punuar me kërkesën e nipit të Agim Ramadanit, Muhamet Ajrullahu.
“Do të jetë një dhuratë për familjen Ramadani, që do të shpaloset me rastin e datëlindjes së heroit të madh Agim Ramadani”, ka thënë Gashi.
Ai ka njoftuar se mozaiku është me dimensione 5X7 m, dhe sipas tij, ky mozaik është me dimensionet më të mëdha që ekzistojnë në vendin tonë./KultPlus.com
Më 13 maj
bëhet hapja e ekspozitës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” kuruar
nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e
luftës në Kosovë 1998-2000 , shkruan KultPlus.
1024 fëmijë të
vrarë dhe 109 fëmijë të zhdukur.
Na ishte njëherë
është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i
rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk
duhet t’i përkasë reales, ashtu si përralla.
Një dhomë xhami
brenda hapësirës përmban të gjithë peshën e objekteve.
Për të na kujtuar
që kjo ekspozitë të shihet nga këndvështrimi i fëmijëve, këto objekte qëndrojnë
pezull si në përrallë, si të përgjumura brenda kutisë së xhamtë. Një përgjumje
në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjies që e zgjon
kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht. Këto
objekte dhe veshje këtu brenda rreshtin së qeni objekte dhe veshje. Ato
shndërrohen në rrëfime personale që përcjellin praninë e vetë fëmijëve. Një
prani kjo e një dimensioni tjetër, përzier me plumba dhe përralla e që kriset
befshëm ashtu si xhami që i përmban duke bartur mbi vete të gjithë simbolikën e
tij.
Kjo ekspozitë vjen
si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur
ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do
të shtohen në të ardhmen.
Objektet, që iu
përkisnin fëmijëve, na kujtojnë përditshmërinë, jetën monotone, gjërat e vogla
të çmuara që nuk i vëmë re gjithmonë. Disa prej tyre na rrëfejnë për një lojë
që e heshtur vazhdon akoma.
Ndoshta një lojë që
e shoqëroi bashkëjetesën me luftën dhe vazhdon të reflektohet te të gjitha
sendet e mbetura që përcjell shikimin e butë të fëmijëve i cili shëron dhe
çliron rreze shprese duke e bërë kujtimin e tyre të përjetshëm.
Më shumë se sa një
ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në
luftë. Pse bëhen memorialët dhe pse ruhen rrënojat e pasojave të shkeljeve të
rënda të të drejtave të njeriut?
Nuk janë vetëm për
t’i kujtuar dhe nderuar viktimat dhe të mbijetuarit, por edhe për të kërkuar të
vërtetën. Në kërkimin e kësaj të vërtete është plotësisht i angazhuar
edhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe për krijimin e këtij memoriali
është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh
dëshirën e tyre për t’i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një
fëmijërie të ndërprerë.
Fondi për të
Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e
viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të
njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale
dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e
narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të
drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale.
Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.
Ekspozita
realizohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe mbështetët nga
National Endowment for Democracy (NED), Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës,
Rinisë dhe Sportit.
Hapja e ekspozitës: E hënë, 13 maj 2019, në ora 18:00 në Documentation Center Kosovo./ KultPlus.com
Me rastin e “Ditëve të Arbëreshëve në Kosovë”, një grup nga ky komunitet është duke vizituar Kuvendin e Kosovës.
Ky aktivitet kulturor që është organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nën patronazhin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 6 maj, njofton Klan Kosova.
Për t’i mirëpritur djemtë dhe vajzat nga ky komunitet, deputetë nga parti të ndryshme kanë mbajtur fjalime para tyre./klankosova/ KultPlus.com
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka nisur aktivitetet e saja për nderë të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit me një audio-incizim, në të cilin dëgjohen shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë këtyre viteve.
Ky instilacion artistik i vendosur në qendër të Prishtinës dhe i konceptuar nga artisti Driton Selmani, paraqet një realitet të gjuhës dhe mendimit që përdorin njerëzit e politikës.
Gentiana Begolli Pustina, kryetare e AGK-së, tha se përmes këtij instalacioni të gjithë qytetarët pa dallim, kanë mundësi të shprehen në lidhje me atë se si e shohin realitetin në Kosovë.
“Instalacioni është një
mundësi për të gjithë qytetarët që të shprehin mendim e tyre rreth realitetit
në Kosovë, me të cilin realitet ballafaqohemi ne në rend të parë si qytetarë
pastaj edhe si gazetarë. Padyshim qëndrimi i AGK-së, është se realiteti në
Kosovë është i korruptuar, andaj ne do të shkruajmë së pari atë mesazh këtu në
kamion, dhe pastaj qytetarët do të kenë mundësi të kalojnë këndej pari dhe të
shprehin qëndrimet e tyre”, tha Begolli-Pustina.
Në anën tjetër Ardiana Thaçi-Mehmeti, anëtare e bordit të AGK-së, theksoi se gazetarët nuk janë armiqtë e askujt, por se janë miq të së vërtetës.
“Ne gazetarët nuk jemi armiqtë e askujt, por jemi miq të së vërtetës që ndodh që kjo e vërtetë, në shtetin tonë të mos i pëlqej kryetarit të shtetit, kryeparlamentarit apo kryeministrit apo ligjvënësve. Ne nuk po bëjmë ‘fakenews’. Të vetmet lajme të rreme apo të pavërteta që ndoshta kemi mundur t’i transmetojmë ndonjëherë mund të kenë qenë deklarata të politikanëve që shpesh herë i kanë thënë dhe të cilat kanë dal që nuk janë të vërteta. Ne i kemi cituar sepse është dashur t’i citojmë, sepse kanë qenë qëndrime të tyre”, tha ajo.
Ndërsa Dardan Hoti, po ashtu
anëtar i bordit të AGK-së tha se në ditën ndërkombëtare të shtypit, kanë
vendosur të ngrisin zërin për padrejtësitë që u bëhen në vendet e tyre të
punës.
“Kemi ende shumë punëtorë pa kontrata të punës, kemi ende shumë punëtorë e punëtore që në fakt punojnë jashtë orarit të punës dhe nuk paguhet ajo punë. Kemi shumë diskriminim gjinor brenda mediave. Kemi po ashtu pushimet e lehonisë të cilat nuk respektohen prej pronarëve të mediave. Përderisa ne çdo ditë shkruajmë për shkeljet e ndryshme të punëtorëve në krejt Kosovën, besoj tani është koha të flasim edhe për drejtat tona, të shikojmë nga vetja dhe të fillojmë të shkruajmë pak për diskriminimet që bëhen brenda mediave”, tha Hoti./ KultPlus.com
E shtunë me datën 04 Maj 2019 duke filluar nga ora 10:00-17:00, në vendin e quajtur “TE KOSHAT” në Gërmi do të mbahet “Love PLus Streetball 2019” për herë të 10-të.
Misioni i kësaj dite ka për qellim ngritjen e vetëdijes së të rinjve jashtë ambienteve shkollore për rëndësinë e kontraceptive me fokus prezervativin.
“Është e dëshmuar edhe nga hulumtimet e ndryshme nëpër botë se shpërndarja e informatave përmes lojës dhe muzikës mbi mirëqenien shëndetësore ka ndikim në ndryshimin e sjelljeve tek te rinjtë”, thuhet në komunikatë.
Për të përmbushur misionin e
sipërtheksuar, duke filluar nga ora 10:00, në njërin nga skajet e fushës do te
ngrihet një tendë informuese ku të rinjtë kanë mundësi të informohen nga Peer
Edukatoret e trajnuar të KOPF-it dhe të marrin fletëpalosje, broshura dhe
materiale tjera promovuese për rreziqet e përhapjes së HIV/AIDS-it,
Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme dhe shtatzënive e padëshirueshme. Gjatë
gjithë kohës sa zhvillohen lojërat, rreth 100 Peer Edukator të KOPF-it do të diskutojnë
në grupe të vogla më të rinjtë që janë si shikues lidhur me HIV/AIDS-in, IST
dhe shtatzënitë e padëshirueshme.
Love Plus Streetball 2019, ka karakter garues dhe 30 ekipe nga qytete te ndryshme te Kosovës do te garojnë për vendin e pare. Fondi Kosovar për Popullsi –KOPF i përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara -UNFPA, përmes Qeverisë së Luxemburgut për herë të dhjetë organizojnë aktivitetin tradicional “LOVE PLUS STREETBALL 2019”./KultPlus.com
Është vetëm 5 vjeç, por CV-ja e Paola Qibinit është mjaft e pasur, aq sa kushdo nga ne do ta kishte zili. Piter Pani ishte porta e parë që iu hap vogëlushes e cila numëron në llogarinë e sociale më shumë se 70 mijë ndjekës, sepse pas spektaklit, nisën një nga një kompanitë e ndryshme ta kërkonin Borëbardhën si modele: “Kam marrë pjesë si modele”, – thotë ajo pa modesti para Rudina Magjistarit pasi kjo e fundit e pyeti për eksperiencat e saj pas Piter Panit.
Nga Piter Pani, Paola fluturoi në Rumani, ku mori pjesë në një konkurs bukurie, si përfaqësuese e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, në Miss Globe 2018. Por nuk e la me kaq “modelingun”. Megjithatë, për momentin, ka provuar veten në një “profesion” të ri – në këngë.
“Ajo mungon” është kënga e re që ka protagoniste kukullën e ëmbël të Piter Panit. Profesori i saj i muzikës, Denis Taraj, sapo ka publikuar një klip të ri, fabula e të cilit, fatkeqësisht lidhet me një histori të trishtë të Paolës.
“Kjo kënga i dedikohet tezes sime që është lart në qiell dhe më mbron gjithmonë. Kjo është kënga ime e parë dhe më ka pëlqyer shumë…”,- tha Paola.
Tezja e vogëlushes është ndarë nga jeta para kohe dhe e gjithë kjo humbje është shkruar në vargjet e këngës. Paola është shumë e vogël për ta kuptuar të gjithën, por ajo është treguar një zonjushë e vërtetë, madje edhe një aktore, e cila para publikut luan rolin e vajzës që ka humbur nënën.
Me sytë që i shkëlqejnë, pak nga lotët e dhimbjes e shumë nga ëmbëlsia engjëllore, Paola tregon se është shumë e lumtur që kjo këngë i është kushtuar tezes së saj. Por nuk do ta lërë me kaq karrierën, përkundrazi. Është e bindur se do të bëjë gjëra shumë më të bukura në të ardhmen, aktore, kërcimtare, këngëtare, prezantuese: “Do t’i bëj të gjitha…” – thotë ajo me naivitetin e pastër të fëmijës.
Kush nuk e beson dhe nuk ia uron Paolës t’i arrijë të gjitha këto një ditë? Sidoqoftë, derisa të kalojnë edhe pak vite, Paola do të mbetet kukulla e ëmbël e Piter Panit… Tani, edhe me një engjëll më shumë që e sheh nga lart. /classlifestyle/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim ambasadorin jo-rezident të shtetit të Katarit në Kosovë, Ali Bin Hamad Al Marri me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm mes dy vendeve në fushat që janë nën domenin e ministrisë.
Ministri Gashi ka falënderuar përmes ambasadorit Al Marri popullin dhe qeverinë e Katarit për ndihmën që ka ofruar për shtetin e Kosovës në të gjitha fushat. Ministri ka thënë se shpreson që bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë dhe të intensifikohet.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se “MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes dhe në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, ministri tha se është i përkushtuar për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.
Ndërkaq ambasadori jo-rezident i shtetit të Katarit e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe punën përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë. / KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës fton artistët e rinj të aplikojnë për çmimin “Artistët e rinj 2019”, si vazhdimësi e përkrahjes dhe stimulimit të ideve inovative në art që nga viti 2002, shkruan KultPlus.
Sivjet çmimi dhe ekspozita Ar organizohet në
bashkëpunim me Komunën e Prishtinës si pjesë e 20 eventeve që do të organizohen
në muajin qershor për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë artistët kosovarë nën 40 vjeç, pa kufizime në mediumet artistike./ KultPlus.com
Dhimbjen e ka kthyer në forcë. Mungesën e plotëson me fjalë dhe kujtime. Muret e zbrazëta, thotë se ia shtojnë vetminë, andaj e ka mbushur çdo pjesë të tyre me fotografi që përmbajnë portretet e burrit dhe katër djemve të saj. Ferdonije Qerkezi rrallë largohet nga shtëpia e saj ku për më shumë se një dekadë jeton e vetme. E mbanë gjallë dëshira për të takuar të gjithë ata që duan të njohin përditshmërinë e saj e jetën e mëparshme me familjen që iu shkatërrua nga lufta e fundit në Kosovë. Thotë se aty dëshiron t’i pres të gjithë vizitorët që vijnë për të shpalosur kujtimet e saj, në shtëpinë e saj, tashmë të shndërruar në muze. Në fletoren ku vizitorët lenë mesazhet e tyre, gjenden fjalë të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës. Të huaj dhe shqiptarë, Ferdonija i pret me shikim të butë, me fytyrën që buzëqeshë vetëm tek dera ku i pret dhe i përcjellë mysafirët. Derisa fton mysafirët brenda, vështirë ia del që të ngjitet shkallëve të shtëpisë dhe për këtë arsye shpesh insiston që vizitorët e shtëpisë së saj, të nisen para saj pasi që ngjitja e saj për në katin e dytë është e ngadaltë. Pamja e saj përfaqëson një qëndrim stoik e të drejtë ndërsa forca që ka ngritur përbrenda rrallë e tradhton. Teksa rrëfen, lotët i mposhtë shpejtë dhe u kthehet fjalëve.
Foto: Gili Hoxhaj
Deri në vitin 2005, thotë se çdo ditë në sofrën e saj, në kohën e drekës kanë qenë të vendosura edhe pjatat e pesë familjarëve të saj që mungonin, pasi që bashkëshorti i saj dhe djemtë që punonin në një lokal në Gjakovë, drekën gjithmonë vinin ta hanin në shtëpi. Përkundër që nga fundi i marsit të 99-ës, ata më nuk zunë vend në ulëset e tavolinës së bukës, Ferdonija e vazhdoi ritualin e saj të shtrimit të sofrës, ndërsa tregon për KultPlus se pasi që filloi të jetojë e vetme e mosha ia ka shtuar lodhjen, këtë traditë e vazhdon vetëm për festa.
Foto: Artan Korenica
Sa herë që e nis rrëfimin sigurohet që pranë vetes ta ketë edhe një shihe me ujë, të cilën e vendosë poshtë tavolinës ku qëndrojnë disa nga kujtimet e më të afërmeve të saj. Përkulet lehtë për ta ofruar pranë vetes ndërsa vazhdon t’i shpalosë në fjalë gjithçka që i është ngrirë në kujtesë. Një shishe të tillë me ujë e kishte pasur edhe gjatë ditës së 10 marsit të vitit 2005 kur kishte qëndruar gjatë gjithë ditës në Beograd, si pjesë e delegacionit nga Prishtina në bisedimet për të zhdukurit e luftës. Përveç ujit që e kishte marrë me vete, atje nuk kishte ngrenë as s’kishte pirë diçka tjetër, thotë se nuk do të mundte të përtypte e përbinte diçka që vjen nga shteti që i ka vrarë familjen. Atë ditë, thotë se në të njëjtën kohë ishte ndjerë e turpëruar se krejt çka kishte pasur si dëshmi është vetëm fotografia e saj me burrin dhe djemtë e zhdukur, ndërsa pohon se kjo është si pasojë e asaj që në Kosovë bëhet pak për dokumentimin e krimeve të luftës së viteve 90-a në Kosovë.
Foto: Gili Hoxhaj
“Unë shkova me fotografinë ku mbaja portretet e fëmijëve dhe
u turpërova, sepse ne si popull nuk përgatitemi shumë dhe as unë s’kisha shumë
kohë që të përgatitem, pasi shumë shpejtë mora vesh që do të shkojë. Një serb që
kishte ardhur aty e prezantoi një libër me shumë faqe e pse mos ta bëjmë edhe
ne një libër me të gjitha rrëfimet e të zhdukurve nga lufta. Atë ditë, Arsim Gerxhaliu me ka ndejtur shumë afër, gjatë
gjithë ditës sa kam qëndruar aty as s’kam ngrenë as s’kam pirë diçka nga
tavolina e shtruar gjatë. Si mund ta ha
bukën e atyre që më kanë mbytur mua?”, thotë Ferdonije Qerkezi.
Një frymëmarrje e thellë që pasohet me një psherëtime shpesh
ia ndërpret fjalët. Ajo ka zgjedhur që çdo
ditë ta jetojë për të rrëfyer kujtimet e jetës së saj me familjen. Ndarja e
kujtimeve me të tjerët, thotë se është më e pakta që mund të bëjë për familjen
e saj.
“Kjo është ma e pakta që mund të bëjë për ta, pasi që s’po mund të bëjë diçka tjetër”, thekson mes fjalëve Qerkezi.
Foto: Valerie Plesch
Në mesin e shumë gjërave që gjenden në katin e sipërm të shtëpisë
së saj, janë të vendosur edhe pesë dollapë prej xhamit, ku qëndrojnë rrobat e
bashkëshortit Halim Qerkezi dhe katër djemve te saj: Artanit, Armendit, Ardianit
dhe Edmondit. Përkundër rrobave të palosura, në sy bien rrobat e Artanit dhe
Edmondit të cilat janë të vendosura për se gjati e duken goxha të dëmtuara. Me
ato rroba Ferdonija i pa për herë të fundit. Rrobat i kthyen pasi që trupat e
tyre u gjetën në lokacione të ndryshme, ndërsa Ferdonija i kishte marrë këto
rroba dhe i kishte larë me duart e saj.
“Nuk kam pritur që të vijnë ti marrin dhe ti sterilizojnë, i kam larë me ujë të ftohtë në mënyrë që të mos i dëmtoj më shumë. I kam larë dhe si të thuash e kam hequr lëkuren e trupit prej aty. Ish shumë e vështirë po çka s’po bejke nana për fëmijë”, rrëfen mes lotëve Ferdonije Qerkezi ndërsa qëndron në dhomën e djalit të saj të madh Artanit.
Ajo i kujton në detaje ëndrrat e përgjysmuara të djemve të saj, fjalët e fundit të të birit e momentet kur po e braktiste shpresa që një ditë do t’i takojë. Shpesh shikohet në pasqyrën e rrethuar me lodrat e fëmijërisë së tyre, e lexon hartimet e poezitë që shpërfaqin dashurinë e tyre për atdheun.
Foto: Gili Hoxhaj
Tri ditë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, më 27 prill të vitit 1999 forcat serbe ishin futur në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, aty kishin qëndruar me familjen e saj për t’ia marrë pesë anëtarë të familjes, për fatin e të cilëve Ferdonija mësoi shumë vonë. Akoma nuk di për trupin e bashkëshortit Halimit dhe dy djemve të tjerë Armendit e Ardianit. Përkundër që kishte jetuar me shumë pak shpresë, ajo kishte mbyllur veshët për çdo fjalë në adresën e shtëpisë së saj. Thotë se për një kohë kishte dashur të jetojë pa ditur asgjë.
“Një kohë pata thënë, nuk dua të marrë vesh asgjë se a janë
vdekur apo janë gjallë. Dua të rri kështu, t’i pres sikur se do të kthehen të
gjallë”, rrëfen ajo.
Një ditë pas fillimit të bombardimeve në shtëpinë e saj
kishin ardhur për tu strehuar edhe fqinjë e të afërm pasi që shtëpia e tyre
posedonte bodrum e që cilësohej si vend i përshtatshëm për strehim. Bashkëshorti
i Ferdonijes, Halim Qerkezi atë mëngjes u kishte dhënë një porosi familjarëve të
tij.
“Bashkëshorti Halimi na tha sot as mos hani, as mos pini, vetëm sherbet bëni sepse është ditë lufte, nuk dihet çka na pret. U zgjuam atë mëngjes, nuk pritem se çfarë do të na ndodhë pasi që shpresonim që serbët e Gjakovës nuk na ngucin pasi që kemi kaluar mirë me ta, por për fat të keq, pikërisht ata me të cilët ka punuar bashkëshorti im Halimi, po të njëjtit i morën ata për të mos i kthyer kurrë”, shpjegon fillimisht Ferdonija.
“Duhet të bëhesh e fortë sepse nuk dihet çfarë do të na ndodhë, a na marrin një apo dy apo s’na marrin hiç apo na mbysin krejt këtu vetëm, Zoti çfarë ka thënë bëhet”, kishte qenë porosia që bashkëshorti i kishte dhënë Ferdonijes.
Mëngjesin e 27 prillit, Ferdonije Qerkezi e përshkruan si shumë të trishtueshëm ndërsa në një intervistë me KultPlus, tregon në detaje krejt çka ndodhi nga mëngjesi në mesditë.
“Kur u bë ora 11 me 27 prill, policë serb të Gjakovës trokitën në derë. Na vendosen tek dyert dhe pyeten për secilin. Na thanë “Hyni brenda dhe mos mbani refugjatë”, ne hymë brenda, u lehtësuam ndërkohë bashkëshorti prapë ma përsëriti “Duhet të jesh e fortë, mund të ndodhë çdo gjë, ti duhet të jesh e fortë në çdo aspekt”, më tha dhe ashtu edhe ma dha Zoti forcën gjatë tërë këtyre viteve. Kur u bë ora 4 e mesditës, u kthyen përsëri të njëjtit policë, na vendosen kah hyrja e bodrumit, na i morën letërnjoftimet dhe na dërguan për një orë në sekretariat, pastaj na kthyen përsëri në shtëpi. Kur na kthyen na thanë “Ja lejen e letërnjoftimit dhe ruani se na duhen këta njerëz, pra ne do të qëndrojmë sonte me ju që t’ju ruajmë””, tregon Ferdonija e cila kujton se u kishte shërbyer kafe e kishte vazhduar të qëndrojë e heshtur gjatë gjithë asaj që po ndodhte. Më pas kishte dëgjuar që njëri nga policët i ishte drejtuar me fjalë ofenduese bashkëshortit të saj i cili i kishte thënë “në dorë na ke bëjë ç’të duash”. Ferdonija kujton akoma zërin e policit serb që nga ora 17:00 kishte filluar t’i thërrasë nga jashtë emrat e 11 burrave që po qëndronin në shtëpinë e saj.
Foto: Valerie Plesch
Derisa shikon drejt fotografinë e djalit të saj Edmondit, në atë kohë 14 vjeçar, Ferdonija tregon se e kishte zgjuar vetë nga gjumi, nga frika se policët serbë mund të hyjnë dhe ta trembin atë. Pasi i kishin marrë burrat e strehuar aty dhe u kishin kërkuar para grave të shtëpisë, policët serb i kishin urdhëruar që ato të niseshin për Shqipëri.
Ferdonija kujton se kur kishte dalur në oborrin e zbrazët, ishin gëzuar që të paktën nuk kishin parë dikë të vrarë aty. Megjithatë pasi ishin nisur, përsëri ishin urdhëruar që të ktheheshin në shtëpi me urdhrin se asgjë nuk do tu ndodhte.
“Nuset e djemve ishin me mua, i pyeta se nga doni të shkoni
dhe mu përgjigjen “Kah të shkojsh ti, ne vijmë me ty”. Jemi kthyer se bashku në
shtëpi dhe nuk kemi parë ndonjë të vrarë, më pas kemi shkuar në shtëpinë e
familjes time ku kemi qëndruar disa ditë”, rrëfen Ferdonije Qerkezi.
Takimi i Ferdonijes
me policin serb që i kishte marrë anëtarët e familjes nga shtëpia
Ajo thotë se në gjykatë ku qëndronin policët serb, disa ditë më pas, së bashku me familjarë të tjerë kishte shkuar për të pyetur për të afërmit e saj ndërsa pasi e kishin pyetur se kur i kanë marrë familjarët e saj, kishte marrë këtë përgjigje: “U thash më 27 mars, dhe mu përgjigjen “auu, ku ta dijmë se çfarë ka ndodhur me ta””. Pak minuta më pas, Ferdonija ishte përballur me njërin nga policët që i kishte larguar nga shtëpia e saj djemtë dhe burrin, atij i kishin kërkuar t’u tregonte nëse dinte diçka për fatin e familjarëve të tyre.
“Aty karshi gjykatës,
Dragani e ka pasur banesën. Dragani më pyeti ‘A po më njeh mua që kam qenë tek
ti?’, i thash ‘po’. Na tha “Nëse ju
tregoj sonte do ta kuptoni, nëse jo nuk do ta merrni vesh kurrë. Unë tha i kam
marrë, i kam dërguar deri në polici dhe aty i ka marrë udhëheqësi i policisë.
Prej asaj dite, deri në vitin 2005, asgjë nuk kam marrë vesh”, tregon
Ferdonija, e cila kishte jetuar edhe pesë vite më pas me nuset e djemve të saj.
“Nuset kanë qenë të lidhura me mua dhe mes vete dhe gjithmonë
më kanë dhënë forcë edhe mua. Kur ato morën rrugën e tyre, atëherë e pata edhe
më të vështirë, megjithatë Zoti ma dha qëndrimin dhe mendjen e fortë që ta përballoj
çdo sfidë”, shpjegon tutje Ferdonije Qerkezi.
Duket që koha për të ka ecur vetëm në ritmin kah të dërgojnë
hapat e kujtimeve. Ora që qëndron në dhomën e djalit të saj, Armendit është
ndalur qysh nga 27 prilli i vitit 1999. Ferodonija thotë se kur është kthyer në
shtëpi pa burrin dhe djemtë e saj, ka parë që akrepat e orës më nuk kanë lëvizur.
“Kur po i shoh moshatarët e tyre, të gjithë ishin bërë më të moshuar por unë i kujtoj fëmijët e mij kur kanë qenë vetëm të rinj”, tregon mes fjalëve të saj Ferdonija.
Foto: Gili Hoxhaj
Ferdonije Qerkezi gjithnjë kishte ngulmuar që të ruaj gjërat
e vjetra, nuk kishte pranuar që asgjë të dalë jashtë shtëpisë së saj pasi që i
ishte ngulitur bindja që kur dalin jashtë shtëpisë, ato humbasin.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë t’i ruaj gjërat e vjetra që nuk
janë të dëmtuara andaj gjithnjë kam dashur që shtëpinë ta shndërrojë në muze
pasi që ne kemi edhe krime më të rënda që u janë humbur gjurmët, ne vetë i
humbim gjurmët dhe themi që askush s’po merret me ne”.
Ferdonije Qerkezi
thotë se një nga dështimet më të mëdha të Qeverisë së Kosovës ndër vite është
se nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për drejtësinë e të vrarëve në luftën e
fundit në Kosovë.
“Ata po i dënojnë djemtë tanë që kanë mbrojtur vendin e tyre kurse kriminelët serb po hynë dhe po dalin lirshëm në Kosovë. Thirrja ime për institucionet më të larta si vendore dhe ndërkombëtare është që të dënohen kriminelët serb, jo vetëm ata që kanë kryer krim në familjen time por të gjithë familjeve në Kosovë”, thotë Qerkezi.
Qerkezi thekson se është e dhimbshme sa herë vjen koha që paralajmërohet ardhja e pelegrinëve serb në Gjakovë.
“Atyre u paska ardhur dëshira për t’i parë objektet e tyre fetare, e mua nuk më paska marr malli ta shoh familjen time. Objekti a qenka më i rëndësishëm se njeriu?, objektin njeriu e ndërton, kurse për ata objektet janë më të rëndësishme se njerëzit”.
Foto: Gili Hoxhaj
Ndërsa thotë se ajo çfarë mbanë në jetë është respekti nga të gjithë
qytetarët e ata që vijnë ta vizitojnë, thotë se kjo ia dëshmon që mundi i
djemve të saj nuk ka shkuar kot.
“Respekti mua po më bën edhe më të fortë dhe më krenare,
njerëzit nuk po ma humbin mundin e djemve që kanë dhënë jetën për këtë vend”,
thotë Ferdonija ndërsa sytë i mbushen lot e kokën e ngritë më lart.
“Tash jetoj vetëm me Zotin dhe i falënderoj të gjithë ata që vijnë të më vizitojnë”, thotë krejt në fund Qerkezi.
Ferdonije Qerkezi është 66 vjeçare dhe jeton në Gjakovë. Ajo akoma pret që ti kthehen edhe eshtrat e dy djemve të tjerë dhe bashkëshortit, të cilët janë pjesë e 1653 personave të zhdukur në Kosovë përgjatë vitet 1998-1999-2000./ KultPlus.com
Libri i shumëpritur i Michelle Obamës tashmë është shqipëruar. “Becoming”, apo “Të bëhesh” është një libër me shifra rekord shitjesh. Vetëm në Amerikë i ka kaluar të 10 milionët. Ajo është mbase gruaja e vetme afro-amerikane që ka hyrë në të gjitha mjediset.
Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka
shumë për të rrëfyer. Ajo e nis këtë rrëfim që në dëshirat e thjeshta të
fëmijërisë e deri në të sotmen.
“Ti mund të bëhesh çfarëdo të duash të bëhesh, mjafton ta
duash fort. Është pjesa e të gjithë historisë së Amerikës, e të gjithë
historisë së botës dhe për më tepër mesazhet e mëdha që ajo jep kryesisht për
femrat. Por sigurisht nuk është vetëm një libër që duhet të lexohet nga femrat,
por nga kushdo”, tha Arlinda Dudaj.
Mbase është një lloj mode që Zonjat e Para të shkruajnë
libra. Kanë shumë për të thënë apo duhet ta bëjnë atë, për aq kohë sa dritat e
projektorëve kanë shkëlqyer mbi to. E kjo, jo vetëm për shkak të burrave.
Michele, të paktën nuk është ky rasti. Prandaj ajo rreket të na shpjegojë
shpirtin e një gruaje revolucionare, plotësisht e zonja për të vënë forcën dhe
zërin në shërbim të ideve të larta.
“E themi padyshim, ishte mbështetje për burrin e saj dhe ajo
e thotë gjatë të gjithë librit, por Michele Obama ka pasur sfidat e saj, sfida
të caktuara qartë. E thotë në një nga pasazhet shumë të bukura të librit. Në fakt,
mendoj që ky libër, përtej faktit që ne mund të flasim çdo çast për të, duhet
lexuar”, tha më tej Arlinda Dudaj.
Në bazë të rrëfimit të saj të ndershëm, Michelle Obama na ve përpara sfidës se cilët jemi me të vërtetë dhe çfarë dëshirojmë të bëhemi?/KultPlus.com
Tutna me shkru veç për gratë se s`du asnjiherë me ju hi n`hak Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi Veç kemi dërdëllitë e kemi ba nanën plagë të përvujtun e kemi shtri për toke e kemi naltësu në vargje ia kemi rritë dashninë, madhështinë prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju Se kjo shoqni ka zanë n`thu Nanën kauzë politike tue ba Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja Është veç ajo, liria e saj/KultPlus.com