Kur’ani 800-vjeçar tërheq vizitorët në veri të Turqisë

Një dorëshkrim i lashtë i Kur’anit i paraqitur në veri të Turqisë po tërheq më shumë vëmendje dhe vizitorë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA), përcjellë Klan Kosova.

Kur’ani, i shkruar në vitin 1191 për shkollat teologjike në rajonin e Anadollit të Turqisë, është i paraqitur në Muzeun Tokat në provincën veriore me të njëjtin emër. Mendohet të jetë i vetmi dorëshkrimi i Kur’anit i mbijetuar nga ajo kohë.

“Si një objekt i shkruar me dorë, është një model historik shumë i rëndësishëm i Anadollit. Asnjë muze tjetër në Turqi nuk ka një artefakt të këtillë”, tha për AA,  Hayati Gönültaş, zv/drejtor i muzeut.

Duke e quajtur Kur’anin 800-vjeçar “thesar të çmuar të kurorës së muzeut”, Gönültaş i ftoi të gjithë në këtë muze për ta parë këtë artefakt./KlanKosova/ KultPlus.com

Këngëtari shqiptar arrin në gjysmëfinalen e ‘The Voice’ dhe ngre në këmbë jurinë

Këngëtari shqiptar, Gjon Muharremaj ose i njohur ndryshe me emrin e artit Gjon’s Tears, ka mahnitur jurinë e “The Voice” në Francë me performancën e tij të shtunën.

Ai performoi në skenë para jurisë këngën ‘Rocket Man’ të Elton John.

Gjon’s Tears ‘tronditi’ skenën me vokalin e tij të mahnitshëm ndërsa arriti të kualifikohej në gjysmëfinalen e ‘The Voice’.

Ja tetë gjysmëfinalistët:

-Në ekipin e Mikës: Gjon’s Tears dhe Whitney

-Në ekipin e Jenifer: Sidoine dhe Leona Winter

-Në ekipin e Soprano: Clément dhe Vay

-Në ekipin e Julien Clerc: Léonard dhe Pierre Danae./javanews/ KultPlus.com

Filmi “Parasite” triumfon në festivalin e Kanës

Festivali i Kanës, u mbyll pas 11 ditëve duke shpallur produksionet me te mira kinematografike dhe aktoret me te mire.

Filmi “Parasite’; me regjisorin koreano jugor Bong Joon- Ho, që trajton ndasitë e klasave sociale rrëmbeu çmimin e madh “Plama e Arte”.

Surprizat nuk munguan ku Mati Diop u bë e para regjisore femër me ngjyrë që fiton një çmim në historinë 72-vjeçare të Kanës.

Ndër 11 filmat me të mirë me metrazh të shkurtër ishte dhe Shqipëria me filmin “The Van”, ndonëse çmimin e rrëmbeu” Monstruo Dios me regji te Agustina San Martin.

Me duar bosh u kthye Quentin Tarantino me filmin “Once Upon a Time in Hollywood” ndonëse mori shume kritika pozitive.

Festivali prestigjioz i filmit ne Kane trajtoi tema nga me te ndryshmet duke mos i shpëtuar dot as politikes. Produksionet preken nje sërë çështjesh duke përfshirë ndryshimet klimatike, fundamentalizmin, emigrimin dhe pabarazinë në rritje./vizionplus/ KultPlus.com

Restaurohet Katedralja e Artanës, Haradinaj e quan vlerë të përbashkët

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në inaugurimin e restaurimit të Katedrales së Artanës (ish-Novobërda), raporton EkonomiaOnline.

Me këtë rast Haradinaj tha se katedralja që është rinovuar me ndihmën e Qeverisë Gjermane është vlerë e përbashkët, ndërsa deklaroi se Gjermania prej sa ai është në detyrën e kryeministrit ka ndihmuar Kosovën me 100 milionë euro donacione.

“Katedralja për të cilën Qeveria Gjermane ka dhënë pare dhe i ka dhënë institutit tonë me ardhë në këtë gjendje të renovimit çfarë është sot, është edhe një vlerë e përbashkët fatmirësisht në Kosovë ekzistojnë plotë vlera të përbashkëta, nuk ndajnë por janë vlera që bashkojnë, bashkojnë të gjithë ata që kanë jetuar këtu por edhe partnerë tanë e aleatë tanë në të kaluarën në rastin konkretë”.

“Si kryetar Qeverie mundë t’ua jap informatën popullit të Kosovës që gjatë kohës sa jam në detyrë Gjermania ka dhënë mbi 100 milion donacione për projekte jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën e qytetarëve tonë. Ky gjest është shumë domethënës”.

Ambasdori i Gjemanisë, Christian Heldt tha se Instituti arkeologjik po bën një punë të mirë dhe për këtë e dëshmon edhe ky objekt që sot u rinovua.

” Unë jam i lumtur që ju jeni këtu kjo tregon që ju jeni të interesuar për historinë por edhe për institutin arkeologjik që po bëjnë një punë të mirë për kulturën dhe historinë më këtë vend. Jam i lumtur qe kemi mbështetur këtë projekt të institutit arkeologjikë të Kosovës.

Drejtori i Institutit arkeologjik, Enver Rexha tha se me vite të tëra janë marrë iniciativa për ruajtjen e këtij monumentit.

“Që sot ta bëjmë një promovim të punës tonë në trashëgimin kulturore të vendit tonë. Në menaxhimin e punës ju njoftojë se kemi filluar në vitin 2017 dhe vazhduar në vitin 2018 është realizua konservim. Me vite te tëra kemi marrë iniciativa për ruajtje të monumentit i cili në mbetje gërmadha dhe më pas kemi fillua me hy në mirëmbajtje krijimin e infrastrukturës dhe rrugën që të sjellim vizitorë sikurse kemi rastin që kemi filluar me Ulpianën”

Kujtojmë se restaurimi i katedrales është financuar nga Ambasada Gjermane me 80 mijë euro dhe ka filluar në vitin 2017 si projekt./KultPlus.com

Psikologia e Harvardit: Njerëzit ju gjykojnë në bazë të këtyre dy kritereve

Njerëzve u duhen vetëm pak sekonda për të bërë një vlerësim mbi juve. Po çfarë vlerësojnë ata saktësisht kur dëshirojnë të mbërrijnë në konkluzione në lidhje me ju?

Amy Cuddy është një profesore në Universitetin e Harvardit, dhe një prej folëseve më të suksesshme në TED Talks. Ajo ka studiuar përshtypjet e para që krijohen tek njerëzit, së bashku me kolegët e saj psikologë, Susan Fiske dhe Peter Glick, për më shumë se 15 vite. Zbulimi i tyre është shumë interesant…

Në librin e saj që është botuar së fundmi “Presence” (Prania), Cuddy thotë se njerëzit i bëjnë vetes dhe më pas i përgjigjen menjëherë këtyre dy pyetjeve kur ju takojnë për herë të parë:

-A mund t’i besoj këtij personi?

-A mund ta respektoj këtë person?

Një prej gjërave më kureshtare që ka zbuluar Cuddy gjatë studimeve të saj shumëvjeçare – sidomos në ato që kanë të bëjnë me kontekstin profesional – është se shumica e njerëzve besojnë se që vetëbesimi dhe të qënit kompetentë, është një faktor shumë i rëndësishëm. Pikësëpari, njerëzit duan që të vërtetojnë se janë të mençur dhe të talentuar.

Nga ana tjetër, kredibiliteti është faktori më i rëndësishëm në mënyrën se si ju vlerësojnë të tjerët. Përgjithësisht, njerëzit vetvetiu mendojnë se është shumë më e rëndësishme, për “mbijetesën”, që të dijnë me siguri nëse dikush e meriton apo jo besimin e tyre. / bota.al

Azem Shkreli – ikonë e poezisë shqipe

Në “Takimet letrare Azem Shkreli”, që u mbajtën dje në Ennpental të Gjermanisë, me ç’rast, nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve nga Gjermania, krijues të shumtë nga diaspora, përkujtuan poetin tonë të madh, tashmë ikonë të poazisë shqipe, u promovuan edhe veprat e historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi “KOSOVA” I-V si dhe romani “Dosja B”.

Me këtë rast, autori Buxhovi, pasi që evokoi disa kujtime nga jeta dhe vepra e Azem Shkrelit, u ndal te disa aspekte që lidhen me konceptin historiografik të “KOSOVËS” si dhe hapjen e çështjeve që zgjuan reagime të shumta në disa qarqe shkencore dhe politike në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë nga ato obkektive e deri te refuzueset dhe anatemueset deri e përmasave linçuese, siç ishin nga Akademia e Sebe e Shkencave dhe Arteve, të cilave, në njëfatë dore, iu bashkuan edhe disa “akademikë” dhe “historianë” nga Kosova!

Sipas autorit, reagimet nga Beogradi ishin të pritshme,ngaqë për herë të parë, nga një autor shqiptar kundërshtoheshin gënjeshtrat historike për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe tezat e tyre shoveniste për “autoktoninë e mjegulluar të shqiptarëve në mesjetë” e shpifje të ngjashme me të cilat është ushqye politika antishqiptate në dy shekujt e fundit me pasoja tragjike për shqiptarët. Ndërsa reagimet e ngjashme nga Prishtina, autori i lidh me mendësinë e historiografisë serbe të thadruar te shumë prej tyre si dhe frikën se rrënimi i tyre rrënon edhe “kredibilitetin shkencor” të veprave të tyre! Sidoqoftë, sipas Buxhovit, “Kosova” theu këtë diskurs dhe i hapi udhën një qasjes tjetër në historiografinë shqiptare drejt lirimit nga kthetrat e ideilogjisë si dhe nga diktati i Beogradit dhe kornizave antishqiptare.

“KOSOVA” po ashtu u hapi rrugën edhe rishqyrtimeve të domosdoshme brenda historiografisë shqiptare në raport me antikitetin, ku teza pellazge fiton legjitimitet ndaj rrudhjes te ilirishtja si dhe ridefinimi i raporteve iliro-romake dhe atyre me Bizantin dhe kundrimit “pushtuesi”, me ç’rast dardanët dhe ilirët shihen ndërtues të tij, gjëqë arbërit i vendos në qendër të perandorisë dhe assesi në margjina apo në perferi të saj. Buxhovi këtë e arsyetoi me perandorët dardanë-ilir Konstandinin e Madh dhe Justiniani si dhe reformat e tyre me cilat Iliriku dhe Dardania morën rolin e rikthimit të saj në histori për dhjetë shekuj.


Me këtë rast, autori u ndal edhe te aktualiteti politik për të cilin tha se është në shpërputhje të thellë me aspiratat histotike të shqiptarëve për liri,demokraci dhe përkatësi përendimore nga shkaku se kjo klasë politike idelin e shtetit e ka kthyer në plaçkë për pasurim dhe despotizëm politik. Shkas për këtë revoltë ishte romani “Dosja B”, që pa ashtu u promovua gjatë këtyre takimeve. Autori, tha se historia nuk mund të kthehet në fakt jetësor pa letërsinë dhe artin, dhe se romani “Dosja B” i ka shërbyer që luftës së fundit që ishte heroike dhe e drejtë t’ia nxjerr në pah edhe anët e errta, veçmas kur në to kyçen strukturat kriminale, heronjtë e rremë dhe gjithëfarë ujemu, zhvillime këto që janë të pashmangshme dhe pjesë e dramave dhe teagjikës së tyre, por që ato bëhen apokolptike kur “çlirimtarët” uzurpoj ë pushtetin dhe kthehen në pushtues të brendshëm!

“Masi m’kanë ra me thika mu m’ka ra t’fiktë, ata tani ia kanë nisë me m’zhveshë”, rrëfehet e dhunuara

 

Nuk desha me hy te ai lokali

Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Njërin nga dy qëllimet në jetë i kishte arritur. Nuk kishte mundur të shkollohej, ëndërr nga e cila ende nuk ka arritur të heqë dorë, por ishte martuar në qytet, gjë që kishte qenë qëllim në vete.

Po jetonte e lumtur deri kur ndodhi lufta.

 Në përpjekje për të siguruar ushqim, ajo kishte dalë në rrugët e njërit prej qyteteve të Kosovës. Është rrëmbyer dhe mbajtur me orë të tëra në një kafene nga paramilitarët serbë.

Rrëfimi në vetën e parë: Shyqyr që shpëtova gjallë

TH.M.

Jom ni person pak i hareshëm, po kanihere jom edhe pak nervoz, e di veten. Po kur jam nervoz, nuk muj me e tejkalu ato pa u qetësu ose pa përdorë naj medikament për me pushu pak, me flejtë pak, me dalë jashtë. E tjera herë, jom e qetë kështu, po e nij veten, gjithë here e nij veten që s’kom mujtë me ba ato që duhet me e ba. Ish dashtë a din me kanë dikushi, po tash, koha ka shku s’ka metë kurgjo, s’paku njeri kish mujtë me e ba nji zgjidhje, ni rrugë t’veten. Mos me kanë e varun prej kurrkujt. As prej burrit, as prej kurrkujt.

S’kom dashtë me kon e varne prej kurrkujt hiç. Kom dashtë me kon vetja gjithë. Edhe si fëmi jom kanë qashtu. Si fëmi jom kanë fëmi i zgjutë. Ma e veçantë, diqysh i kom ba senet diqysh ma t’veçanta.

Edhe e kom dashtë shumë librin, ma shumë e kom dashtë librin se sa naj teshë me ma ble dikush. Me ma ble mu ni libër, une jom gëzu ma shumë se për ni teshë që ma ka ble… ajo tesha osht çky. Vjerrsha kom mësu shumë.

Edhe e kom pa andërr shkollën gjithë. Edhe kur flejsha n’gjumë edhe te burri, andërr e pajsha që po du me vazhdu shkollën. Shkoj n’shkollë edhe o kanë shumë interesant. Po qysh u kanë at’herë veç deri tetë vjet i kom kry.

Kur me thanë që s`kam me vazhdu ma shkollën e kom ni veten shumë keq, a din, veten. Po ata, nihere menojsha apet, e kisha ni shpresë, unë apet e lejsha veten me shpresë, “Hajt noshta shkojmë n’shehër e noshta m’çojnë n’shkollë”.

Noshta ka njerëz që e hupin shpresën menihere. Unë nuk e hupi shpresën, apet e la ni derë t’hapun që muj me ba diçka edhe mas ni kohe.

Me babën jom shku gjithë. Ku kom shku, veç me babën. Krejt punët e meshkujve i kom ditë ma mirë se t’femnave. Kom punu, me bajtë metra, shlepera, krejt qato i kom bajtë si mashkull. Kom vozitë. Edhe krejt thojshin, “A osht djalë a çikë?!” Se s’mujshin me ditë a jom djalë a çikë. Edhe unë tani a din, diqysh i nimojsha me vullnet, kisha vullnet. Ato punët tjera t’mashkullit që nuk t’lodhin. Punët e femrave, tonë ditën i ban, edhe kur t’kqyrsh knej, apet njëjtë bahen, apet vazhdimisht i ki qaty me pluhna, me fshi me krejt. Ato kurrë nuk përfundojnë. E t’mashkullit e bon, po dihet se çka po ban.

Si vajzë e rritun kur jom kanë kemi ardhë n’qytet. N’qytet nejsha veç n’shpi. Shkojshim me çikat e dajës, t’hallës, u bojshim tubë natën. E bojshim ni muzikë, ni lojë, at’here mo s’ki menue ma shumë, kishe qe veç me u aktivizu me naj shoqe, me u knaqë, me lujtë. Edhe atë kohë, ajo kurrë s’ëm shlyhet si jetë e përgjithshme e mirë, a din me shoqe.

Mu m`doket që a’ëherë u kanë ma mirë se e re. Edhe tashti t’rijtë i përjetojnë si na. Na menojmë që o kanë at’here ma mirë, edhe tash osht edhe ma mirë se at’here.

Po, secili e din gjeneratën e vet, e i pëlqen, po tash o metë me thanë, “At’here ma mirë”.

 So kanë at’here ma mirë, kur t’i kqyrë do fakte, hiç, çfarë ma miri (qeshet?!). As s’ke pas rrymë nëpër katune, katastrofë o kanë, katastrofë o kanë. Gjynah o kanë me i pa njerëzit, si parahistorikë jonë kanë, po çfarë miri.

At’here s’i kanë trajtu njerëzit, ma shumë i kanë trajtu… i kanë dashtë kafshët sesa njerëzit, s’i kanë interesu për fëmi. Fëmi kanë pas plot, s’i kanë interesu as qysh as tek a… Noshta o smu, dej ka ba me dekë e ai s’e ka çu as te mjeki.

“Hajt se çohet”, bile as s’kanë menu për ta, veç kur e ka pa që s’po çohet hiç, s’po ha tri ditë, qat’here ka thanë ta çoj te mjeki. Nime senet noshta jonë kanë origjinale. Po edhe nuk kanë pasë me hangër.

 Ata kanë pas qata tamël, e kanë ba lang, s’kanë ba kësi të trashë si djath, po e kanë ba si ujë e krypë i kanë qitë edhe e kanë ngjy. Se me pas djath jon knaqë, po as si djath s’kanë pasë. Mishin që e kanë pre t’gjallin, këto i kanë rujtë për mysafirë. Veç ku kanë nejtë me javë qytetarët aty, ata kanë punu për ta. Ata apet s’kanë pasë, çka jonë metë prej tyne i kanë hangër.

 Edhe babgjyshi jonë, na ishum t’vogël, na e vetshum babgjyshin tonë, “Qysh o kanë at’here koha?” E babgjyshi tha, “At’here e ka pasë Shypnia krejt Kosovën”. Po gradualisht, qysh i kanë marrë drithnat e tokën qysh ia ka marrë masi o ardhë Shypnia. Qysh drithnat e këto përgjysë, kush ka punu o shku ia ka marrë shteti. Sikur tash që marrin tatimin e shpisë që vijnë me pagu. At’here shteti ia ka marrë krejt. Edhe tha, “U dufke me mjelë, me ia dhanë gradualisht. O kanë Shipnia, krejt Kosovën e ka pasë”. Edhe tash po m’doket po don me ardhë edhe koha e tashtit si e at’hershit. Jonë hi kadal-kadal shpijave. Gradualisht t’u hi si kryetarë, si zavendës, kadal-kadal. Edhe unë po m’kujtohen senet, kur po nij nëpër televizor tash çka po bajnë, po m`kujtohen  fjalët e babgjyshit tem.

Kur u fejova u kanë koha e demonstratave. At’here kanë qitë qesi sene, t’fala e… na s’jemi pa at’here nërmjet veti. Na jena kanë, po at’here s’u kanë koha m’u pa mes veti.

Veç përmes fotos po, se kështu jo. Edhe qashtu… vazhdimisht nji vjet, mas ni vjete, qashtu para luftës jemi martu. Jem martu me kerre, edhe at’herë, edhe o kanë koha, qysh o kanë ktyneherë me do defa, me do… palidhje. Qysh i kanë bo a din, muzika se muzikën s’kanë mujtë me bo kështu, a din…

Po, o kanë mirë, o kanë për dasma, o kanë mirë se shpijat s’jonë tutë që po iu damtohen, se s’kanë pasë shpija me thanë. Tash ti p’e bon me mobilje, me tana t’mirat, e pe merr ni sobë t’mirë. Për dy orë mysafirt në dasëm ta bojnë mozomakeq.

Po unë kurrë nuk kom lakmu. Kom pas qejf me ba mirë edhe fëmitë i kom mësu me ba mirë. Se Zotin nuk munemi me pa n’fakt kërkush. Hiç kërkush s’munemi me pa. Qe po kthehemi na, po vishem, e po pshtillem me shamija me sy e me krejt, edhe p’e respektojmë Zotin. Zotin e respektojmë me kanë njeri i mirë, e i ndershëm, se pse e vnon ni shami e pse e ki zemrën kërkun hiç, se Zoti s’un t’bon kurgjo. Zoti i don ata shpirtnisht që jonë t’mirë, e jo që pshtillet e e tutë dikon aty. Na s’po shkojmë përpara, po po kthehemi mrapa.

Kur jom martu, a din, jom konë e knaqun që po martohna n’qytet e nuk po martohna dikun me ni katun. E n’katun s’kom dashtë me shku hiç. Tek e fundit, me t’kallxu, kur ka thanë dikush, “P’e lypë qitu”, jo që si, kom thonë, “Mu s’ëm intereson, a osht katun?” “Po” “Hiç! Pa martu rri, e n’katun nuk shkoj”. I kom thonë atyne, “Mshoni vijë!”

Qat’here kur u martova jonë konë demonstratat, e hajt, e hajt. Burri o kanë, pak o kanë si xheloz, edhe o kanë pak… diqysh qysh jonë kanë ktynehere… Po une me to mirë kom kalu, me vjehrri, e me këto e… a din. Pak para se me u shpallë lufta, qat’here iu kanë nda, a din, kunetë. Tani une me vjehrri, kunetë. Tani këta vjehrria kanë jetu deri mas luftës. Edhe, a din, kemi nejtë ni kohë t’gatë me kunetë, derisa i kemi pasë edhe fëmitë. Tani e ki pa kur rriten fëmia, rroken fëmia nërmjet veti, jo ky, jo ai. Se mos m’u kanë fëmia, s’dahet kurrë shpija. Ka punu burri se vjehrria jo. Kanë punu edhe kunetët.

Mandej nisi lufta. Neve na kujtohet veç kur na kanë qitë prej shpisë. Jemi dalë prej shpije. M’doket jemi dalë n’rrugë. Tani u bashkangjitën kojshitë e kushëri e plot, u bamë… bashkë me kojshi aty. U bomë afër qaty dikun, afër jemi shku. Edhe u bamë bashkë krejt me ni ven, a din. Se erdhën do të UÇK-së, do a din, edhe u enshin asajde. Veç i kqyrshin, tani thojshin mas atyne, knej na mysin. Po këta të UÇK-së ishin n’grupin e popullatës e ardhshin, se ata s’dojshin me u kthy hiç, s’kishin me çka. Kur na po shkojmë te ata kojshitë, po dalum, kur po dalum qe t’veshun. Na kishe UÇK-ja, ata shkije me maska me krejt. Na te kojshia, thamë hajt t’shkojmë te shpija t’marrim diçka ata thanë, “Jo, mos t’ju gjejmë anej se ju vrasum. Poshtë shkoni” “Kah me shku?” thamë. “Shko nëpër Makedoni, a Shipni, veç dilni dikah, ecni. Këtu s’keni çka vini mo”. Dulëm n’mal. Menojshim që po kthehemi, hajt n’mal, ai kur na pajtën n’shpi, t’sheh edhe n’mal se ata dalshin nëpër brigje me snajpera.

Dy ditë, ni natë bujtëm n’mal, t’dytën qysh me bujtë me fmi, fëmia e vogël. Thash, “Valla në m’vrafshin, n’shpi po flej”. Bile flej, këtu çka me bo, ku me flejtë me fëmi, u mërdhijshin, djalin e vogël e kisha. Edhe, tash ata po na gjujnë me snajperka, prej atyshit na shohin prej bregit edhe na gjujnë. Bjen plumi ngat llastiki, po kon me ta rrokë. Dalin krejt… ata krejt na kanë pa qysh po ikim. Edhe u nisëm me ikë tani prej atjehshit e me do traktora e me do gjysa kamë, e hajt, e hajt, e hajt, e hajt. U nalëm me ni ven, ishin kanë t’stacionumë, ata prej s’largti na kanë gjujtë, s’jonë kanë kërkush. Ishin stacionu pak para se me hi n’qytet. Edhe, na bujtëm ni natë, e rrugës u ulëm rrugës me fëmi, napër traktora, do tu ecë edhe bukën çka e kemi pasë me veti, qata tjetër s’kishum mo. T’nesrit, hajde tash tu vra, tu i zhdrypë prej traktorit, tu na maltretu, do i vrajshin, do i prejshin, femnat do… Tmerr! Edhe njerëzit jonë t’rijë, shumë m’u kanë dhimtë kur i kanë qitë me i vra. Se i vrajshin plot. Po ata kështu gjujshin po s’i vrajnë, po ata t’rijë…. T’ia lshunë brrrrr (imiton zhurmën e armëve v.j.) automat, e i vranë. N’prrue rajshin, se kon e vrajshin n’prrue rajshin. Krejt aty prrojve, tu i vra, tu shku… aty 150 vetë jonë vra plus n’ni shpi i kanë shti i kanë rrehë, i kanë maltretu, i kanë rrehë. Aty e kanë shti edhe burrin tem, po ai për fat t’mirë tha, “Pshtova! Se aty veç i bijshin krejt, e i rrehshin, more hiç s’i interesojke, me shipkë  i rrehshin. Na veç u dridhshim prej tute. Po patën ardhë, erdhën me automata n’kerr, tha, “Pare”.

Na zhdrypën apet prej traktorit. “Hajde se babën Klinton p’e doni edhe nanën Ollbrajt, hajde!” ata thojshin, se qito rene na i dijshum edhe pse folshin serbisht. Ja bomë, “Jo, jo, s’pi dojmë ata as kurgjo” tha, “Po, po p’i doni ju ata, hajde, hajde”, i murrën e i shtinë edhe ata në ni shpi. I kanë rrehë edhe atje, i kanë mytë, do t’plagumë qysh ia u kanë ngulë thikat, edhe rrugës, se s’ka. Masanej e vrajnë dikon me thikë, e kanë rrehë edhe ma zi. Me dalë prej kolone, sikur me t’hangër uki t’vrajshin. U duftë me u marrë me i zatetë tani kolonën që me hi n’grup t’popullit ku jonë mbetë, se gjysën i kanë nxonë qashtu i kanë mytë, 150 vetë, s’jonë kon pak. Unë kur e pashë nji njeri t’vramë, thash, “Ha e paskan vra”. Veç m’u ka dridhë vërrrr  a s’guxojsha me thonë kurgjo, as hiç, hiç veç m’u ka dridhë trupi, as s’guxojsha me thanë kurgjo, as hiç. Qajo jakne që e kish pas kish metë e palutë. Edhe, ma prej rrugës gjujshin, na ishum ma poshtë, ngutu me hi midis kolonës, se na ishum përmas, po me na nxerrë problem. Po u ngutëm me traktor, e hijmë para tre-katër traktorave, si n’midis. Femnave na thojshin, “Hajt, hajt se keni pare”. A din, dojshin me t`desh me kqyrë ku i ki paret. Kqyrshin me t’i deshë pantollat, “I kanë paret qitu”. Me thika, hiç s’iu interesojke atyne.

Edhe u kthymë n’shpi. Po masi u kthymë n’shpi, nuk kishim çka me hangër, s’kishe kurgjo, u dufke me dalë m’i ble fëmive do sene. Po me ble s’kishe ku e shkojsha te familja jeme. Shkojsha me iu marrë harç. Kishin pa pre pasterrëm, t’mitë. Kishin harç ata për me hangër, për me pi, ka pasë sa t’dushë. Edhe dulën ata, u çkepën, shpija met vetë, tash unë shkojsha te nana jeme me marrë sene.

Edhe tani tu shku këtu, a din, tu shku te nana jeme, kur ishin kanë policët atje, nji lokal u kanë, si kafe a s’di qysh u kanë me xhama i ndërtumë n’rrugë. Edhe tu shku, s’kishe kah ia man aty, s’kishe kah shkon se ata t’pajshin. Tani qaty, mu m’ka ndodh kjo… a din… kjo dhuna prej tyne. Aty jonë kanë mos gabofsha, jonë kanë gati dhjetë veta, mu ka dokë mu noshta, po plot mu dokshin që jonë, kështu prej tutës. Edhe aty, shkova, ata folshin serbisht, unë s’i kuptojsha, po ata a din, folshin serbisht. E unë s’kom dashtë me hy brenda te lokali. Ata me zor m’kanë marrë. Edhe a din tu m’rrehë. E tani e kanë nxjerrë thikën, m’kanë rreh kështu e kanë nxjerrë thikën ma kanë pre pak ni gisht, m’kanë pre n’kamë, e kom ni shejë. Edhe, masi m’kanë ra me thika mu m’ka ra t’fiktë. Ata tani ia kanë nisë tani n’lokal me m’zhveshë. T’pijavtë me automata e jonë kanë… A din, shyqyr që o shku ni kohë kogja e gatë pak, a din, se s’un i kisha përballu me tregu.

Prej at’hershit kom problem me zorrë t’trashë. Prej at’hershit se ata ishin kanë qashtu t’dhunshëm edhe kur m’ka ra mu t’fiktë nuk e di sa kom nejtë aty. Po mas ni kohe nuk e di sa kom nejtë aty, nuk e di as vetë. Po jom shku pak para akshamit n’shpi, a nuk e di aty sa kom nejtë se unë kur jom shku n’mëngjes me marrë ushqimin. Edhe, kur pak para akshamit, i morra qaty do tesha… ata veç e kanë kry tu m’dhunu edhe jonë shku.

Unë e maj mend veç fillimin. M’ka ra t’fiktë edhe ata, nuk e di tani hiç çka kanë ba, a kanë nejtë, a qysh a çka kanë ba me mu, po kur jom çu e kom pa që kom pas shumë gjakderdhje prej zorrës t’trashë. Edhe i kom marrë une, jom ndreq pak, i kom marrë do tesha, do i morra. E kur u kfjella pak, shkova te familja, te t’shpisë tem, masi e dijsha që osht shpija jem, a din, te t’familjes. U konë e zbrazët. E jam shku atje, edhe jam pastru, jam ndreq. Se ma rahat e kisha shpinë tem, t’familjes tem. Edhe shkova aty m’u pastru, m’u nreqë e mos m’u dallu a din, me i ra n’sy dikuj, masi isha pshtue gjallë. Edhe e luta Zotin, thashë shyqyr që kokna pshtue gjallë, për qata fëmi bile. Edhe, kur u ndreqa te shpija jeme. Thanë, “Pse u vonove?” thash, “Po s’guxofta me dalë”. Kur u ktheva vjehrrit i kallxova. Tha, “hiç mos e bo t’madhe, shyqyr që koke pshtu gjallë”.

I thash, “Te qikjo përpjetëza”, qështu-qështu. Tha, “Hiç kurgjo s’koka bo, veç që je pshtu gjallë se kanë përjetu njerëzt shumë e ma shumë sene. Kjo ndodh… masi ke pshtu gjallë mirë u bo, masi s’të kanë marrë me t’çu dikah e mos me ditë na kah je, me t’zhdukë krejt”. Tha, “Edhe shuj, mos e bo t’madhe se koke ngjallë për s’dyti herë”. Pak m’dha vullnet vjehrri, u kanë shumë i mirë edhe i dashtun kështu shumë.

Më ka mbështet shumë. Jom konë me tutë tani. Edhe dej… u shnosha, ai i dijke do sene, do barna i marojke, do ilaçe a din, m’ka pa nihmu shumë. S’ka pasë nevojë me shku te mjeki se ai u kanë shumë si doktor u kanë. Diqysh u niva mirë e rahat, kur ma tërheki vërejtjen, kur m’tha “Shyqyr që ki pshtu gjallë” se a din kur menojsha veç për keq, veç kështu…

Këtyne tjerëve u thash  qështu-qështu “Jom trishtue t’u ikë prej tyne, prej shkijve t’u ikë, prej policëve, jom vra edhe qështu”.  Masi shyqyr Zotit, as s’u bo ma keq, jem pshtue mirë. Tani mas lufte i pajsha do andrra, i pajsha… Gjithë u tutsha natën, u frikësojsha natën u çojsha. Ai burri, “Çka ka bre? Çka ka që gjithë natës s’po m’len t’u britë?” “Po prej luftës t’u pa, t’u ikë prej shkijve”, s’mujsha m’i kallxu se nuk o’ kanë tip që m’i kallxu. Vjehrri o kanë shumë i mirë, si mos me kanë i tyne. Vjehrri o kanë, si mos me pasë ato djalë. O kanë i qetë, o kanë i mirë. I kuptushëm. I ka kallxu senet mirë, u kanë, a din me t’i kallxu, me t’i shpjegu senet po me t’met’ marak me i ngu. E ky djali i vet, si mos me kon i tijna hiç, a din hiç… ashtu me i marrë senet ma nervoz. Vjehrri u kanë shumë njeri i mirë, shumë i urtë për tana senet, a din. Ka ditë me na këshillue, me na nihmue. Ma shumë se babën e kom dashtë.

Tash kam probleme me fjet. Sidomos menihere mas lufte. U çojsha kështu, edhe hala kanihere. Kanihere kur bahna nervoz, a me ni diçka keq mu m’ndodhin ato frikësimet e luftës. Tu ikë, tu njekë, tu… dhunu, a din, m’shfaqen ato. Kur ni ngjarje diçka t’kqija që m’vranë.

E mytën… ose me pre diçka, ose me pa naj film t’keq, me ba me m’ra n’sy, unë s’i du filmat. Nuk i kqyri asnjo. Që thotë dikush, “E kqyri qit film” hiç nuk i kqyri filmat. Që s’ka njeri që s’i kqyrë…

Kqyri  diçka humor me keshë. ..Me burrin?! S’e di. Mas luftës osht pak ma tip nervoz, pak ma… kanihere m’shkon shumë nerva, osht shumë nervoz, shumë t’bon mu ni keq. Po nuk muj a din me ia shpreh, e kështu i kam a din diqysh, i kam ni fjalë shumë nashti kshtu i ranë.

Djalin e kam, shumë t’nihmon kur t’sheh që je nervoz, e kështu… e ai ka nejtë shumë edhe me babgjyshin e vet, thojsha mos i ka tregu ai najsen a… ky s’ka tregu. Veç munohet me t’qetësu, munohet kështu, a din, me t’folë me atë anën me bo hajgare e sene, me i qitë n’anë pozitive, a din, mos me shku te senet e kqija, me menu keq. Veç me t’qitë n’anën pozitive, a din. Nuk don me t’lanë ato sene me menu keq. Ka qef me t’qitë me shëtitë, ka qef qështu a din… me t’ba argëtuse diçka. Mos me t’lanë me nejtë me kujtue me mendime… Me t’ba nervoz nuk ka qef, a din.

Djali m’thotë “T’ishe kanë ti shkrimtare, a kishe shkru?” , i tham, “Për kangë a? Për kangë që p’i qesin dy-tri fjalë, pesë qind kangë i kisha bo. Për qësi kangë sa t’dush i kisha ba”. A din me i përshkru nihere, nihere e shkrun nji fjalë, dy fjalë, cilat t’pëlqen i nxjerrë prej tyne, i bashkon a din. Edhe kur osht t’u knu, ty t’kujtohet tjetër… ndryshe. A din, e kundërta, ose kur je tu udhëtu t’kujtohet diçka kundër. Krejt senet t’kundërta t’kujtohen, e qato i përshkrunë, se qato nuk… mun me përshkru qato që e sheh, po qato që e menon. Qajo që e don me nxerrë veç prej vetit. Se nuk munesh me shkrue.

Kur ka vdekë vjehrri vallah keq, shumë keq. Edhe hala a din, me menu, me folë për to shumë, nuk muj me ni.

Deri qitash sa jonë kanë vjehrria, mirë jem kanë. E tash knena u kanë ma shtirë. Qetash e kena ma shtirë se që e kemi pasë. Se kur u kanë vjehrria, i kanë nihmu djemtë e vet, a din. Po, masi jonë dekë ata, ma kërkush. Djemtë jonë rritë, punë s’kanë.

Djemtë jonë t’rritun, s’jonë n’punë as kurgjo. Qështu kanë kry shkollat e fakulltetet, nuk jonë t’u punu hala kërkun.

Porosi e kisha lanë, me u marrë pak me rini. Çikat e reja shumë i shoh që as me guxu prej prindërve t’vet e jet’ pa shkollë. E nuk guxojnë me bo atë iniciativën me t’tregu ty pse s’po shkojnë n’shkollë. Nuk guxojnë me thonë.

Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD

Në bashkëpunim me: KRCT

Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women . /KultPlus.com

OBSH njeh zyrtarisht si sëmundje varësinë ndaj lojërave kompjuterike

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njohur zyrtarisht si sëmundje varësinë nga lojërat kompjuterike. Vendimi u miratua nga 194 ekspertë të fushave të ndryshme. Vendimi do të hyjë në fuqi në 1 janar 2022.

Me rastin e edicionit të 72 të Asamblesë së Shëndetit Botëror, organizata Botërore e shëndestësisë katalogoi zyrtarisht, varësinë ndaj lojërave kompjuterike si një sëmundje, duke renditur dhe karakteristikat e saj.

Vendimi u mor pas një votimi prej 194 ekspertësh, secili i specializuar në një fushë të ndryshme, të cilët vlerësuan rastin pas rishikimit të shumë provave që mbështesnin këtë tezë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varësia nga lojërat kompjuterike mund të shfaqet gjatë eksperiencave on line por dhe në lojërat e vecuara.

Simptomat e saj janë:

-Vështirësi për të kontrolluar aktivitetin e lojës: frekuencën, intensitetin, kohëzgjatjen dhe përmbajtjen

– Lojërave u jepet më shumë prioritet se sa interesave të tjera ditore apo aktiviteteve të përditshme.

– Ndryshimet e vazhdueshme në sjellje dhe pasojat që japin në ambiente familjare, sociale, profesionale dhe personale

Varësia nga lojërat kompjuterike, do të cilësohet një sëmundje zyrtare duke filluar nga 1 janari i 2022-shit. /ABC News

Arben Kastrati: Filmi “Unë dhe Millosheviqi” do të sjellë aktorë të famshëm botërorë në Kosovë

Është në vlugun e punëve për realizimin e filmit të metrazhit të gjatë “Unë dhe Millosheviqi”, me skenar dhe regji të Arben Kastratit. Në një intervistë të dhënë për KultPlus, Kastrati ka njoftuar se ngjarja e këtij filmi është vendosur në Kosovë, në vitin 2003. Ai poashtu ka njoftuar se tashmë ka marë konfirmimin e aktorëve të famshëm botërorë si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer që do të jenë pjesë e këtij filmi. Megjithatë, edhe përkundër gjithë kësaj kaste të famshme, Kastrati ka thënë se ende nuk ka marë nga institucionet një letër konfirmimi që do ti ndihmonte producentit për xhirimet e këtij filmi në lokacione të ndryshme të Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Sapo keni bërë të ditur se jeni në prag të fillimit të xhirimeve të filmit “Unë dhe Millosheviqi”, ku jeni më saktë me përgatitjet? Arben Kastrati: Jam në parapërgatitje të filmit “Unë dhe Millosheviqi” që do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Sapo jam kthyer nga Franca, ku isha për ta marrë konfirmimin nga Komuna e Parisit, që lejon, mbështet me logjistikë dhe infrastrukturë, xhirimet e filmit në Paris. Tani e pesë muaj, jam në pritje të një mbështetjeje të tillë nga institucionet tona…

KultPlus: Çfarë rrëfimi do të na shpalosë ky film?
Arben Kastrati: Shpërbërja e Jugosllavisë rezultoi me luftëra, shpërbërja përfundoi me luftën në Kosovë. Pas përfundimit të luftërave, ne vazhdonim të urreheshim aq shumë, sa që i gëzoheshim fatkeqësisë së tjetrit.

Pas përfundimit të luftërave, të gjithë popujt, adhuronin heronjtë e tyre. Heronjtë e tyre, për ne ishin kriminel. Heronjtë që ne adhuronim, të tjerët i trajtonin si kriminel. Prandaj, “natyrshëm” lindi motoja: “Heroi i vendit tim, është Kriminel për vendit tjetër”. Dhe e kundërta. Këtë temë trajton filmi. Por, cilët ishin heronjtë e vërtet?!!!! Nëse kryepersonazhi i filmit nuk do të ishte Hero, nuk do të ishte as Kriminel?!!!!

KultPlus: Pse bash ky titull?
Arben Kastrati:
Kryepersonazhi, një shqiptar nga Kosova, në rrethana të cilat nuk po i zbuloj tani, e takon Millosheviqin (ngjarja është e vërtet). Takimet mes tyre, shpjegohen në versione të ndryshme. Kryepersonazhi e dëfton takimin mes tyre si triumfator. Dhe është superioriteti i tij ndaj Millosheviqit, që e bënë atë që ta vendos veten para Millosheviqit: “Unë dhe Millosheviqi”. Të tjerët dëshmitarë, takimin mes tyre e dëftojnë, ndryshe! Cila është e vërteta e takimit mes tyre?!!!!

KultPlus: Ky film do të jetë ko-produksion me Francën dhe ka një kastë super të famshme, si arritët të mblidhni këtë kastë?  
Arben Kastrati:
Filmi është bashkëprodhim me Francën. Tani për tani, është bashkëprodhim jo i Kosovës por, bashkëprodhim i imi me Francën. Filmi përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj…

Për këtë kastë aktorësh, më kanë zili dhe vet francezët. Por, fatkeqësisht, Kosova sikur nuk është e interesuar për ta ndihmuar realizimin e këtij filmi. Pse?!!! Unë kam përgjigje, dhe është politike. Përfshi dhe mëri personale…Kastën e mblodhi skenari. Dhe personazhet e shkruara bukur, thonë aktorët. Aktorë të përmasave të tilla, nuk joshen me skenarë mediokër. Ata pranojnë të luajnë vetëm aty ku shikojnë potencial. Fundja, unë as financiarisht nuk arrijë t’i joshë.

KultPlus: Depardieu është një ndër aktorët që do të luaj në këtë film. Si e binde? 
Arben Kastrati:
Depardieu, adhurohet nga francezët. Është idhulli i tyre. Është krenaria e tyre. Ai personifikon madhështinë franceze. Me ftesë të tij, Depardieu-në e takova në shtëpinë e tij në Paris, që ishte një galeri arti, në të cilën vepra të artistëve më të mëdhenj botërorë, ishin të ekspozuara. Ishte si të hyje në një “botë tjetër”. Në një botë ku as në ëndërr, njeriu nuk mund ti mbledh gjithë ato vepra arti. Ishte mrekullia vet të qëndroje pranë atyre punimeve. Ndjesia që të dhuronte ambienti, ishte një perfeksion…

Depardieu është një person shumë i këndshëm, nikoqir parekselancë, super intelegjentë, dëftues i përkryer. E kam shijuar çdo moment në takimet me Depardieu. Në takimin e parë, diskutuam për skenarin, për rolin e tij. Dhe u deshtë fare pak kohë të përfundonim marrëveshjen, sepse u mirëkuptuam.

KultPlus: Kishte pas njohuri me herët për Kosovën, por edhe për Millosheviqin?
Arben Kastrati:
Përvoja profesionale dhe jetësore, Depardieu-në, padyshim e bënë jashtëzakonisht të veçantë. Ai është shumë i informuar me politikën globale. Natyrisht, ai kishte njohuri edhe për Kosovën. Dhe për Millosheviqin. Pas, trajtimit që i bëmë, vazhdimin e bisedës e fokusuam duke trajtuar politikanët, dhe arsyet që i shtyjnë shumë nga ata të bëhet të tillë siç bëhen…Ai kishte takuar shumë kryetarë shtetesh. Dhe shumë diktatorë…

KultPlus: Ndërkohë ju keni pjesë të kastës edhe aktorë të tjerë të njohur. Për kënd bëhet fjalë?
Arben Kastrati:
Pjesë e kastës së aktorëve, është edhe aktorja italo-franceze Alessandra Martines. Për zonjën Martines, skenaristë dhe regjisorë kanë shkruar skenare enkas. Ajo personifikon bukurinë, elegancën dhe dijen. Jam shumë krenar që ajo është pjesë e kastit të filmit. Aktorja amerikane Pamela Bowen, është përzierje e bukurisë dhe talentit, gjithashtu. Aktorja franceze Nathalie Boyer është fantastike dhe më ka ndihmuar shumë në përgatitje të filmit… 

KultPlus: Ju jeni edhe skenarist i këtij filmi. Çfarë periudhe të Kosovës keni vendosur në këtë film?
Arben Kastrati:
Ngjarja e filmit ndodhë në vitin 2003. Është paslufta, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria. Në atë periudhë kohore, qarkullonin dëftime nga më të ndryshmet. Dhe Heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik…  

KultPlus: Për këtë film ju nuk keni pas mbështetje shtetërore. A mendon se do të pendohen që nuk e mbështeten këtë projekt?
Arben Kastrati:
Gjithë ç’kam kërkuar në mënyrë zyrtare nga institucionet e Kosovës, është jo t’më ndihmojnë, por t‘mos më pengojnë. U kam kërkuar një letër të shkruar, në të cilën do ta mbështesin filmin me logjistikë. Që do të thotë, nëse duhet të bllokohet një rrugicë për disa orë xhirime për nevoja të filmit, të më mundësohet një gjë e tillë. Që producenti francez të ndjej siguri në investimin e tij. Por, fatkeqësisht, asnjë përgjigje nuk kam marrë ende…Liderët tanë institucional nuk janë penduar për gjëra shumë më të mëdha. Prandaj, ata nuk kanë për t’u penduar edhe nëse nuk do ta ndihmojnë apo mbështesin filmin. Filmi për ata është diç e parëndësishme.

Ambasadori francez, në një rast më tha se unë po i bëja një nder të madh vendit tim, duke sjellë aktorë të nivelit botëror. Punët e tyre në Kosovë do të përcillen nga mediumet më të mëdha botërore, tha, dhe qasja ndaj Kosovës do të ndryshoj në të mirë…

KultPlus: Sa besoni që ky projekt do të jetë një ndër projektet më të suksesshme të kinematografisë kosovare?
Arben Kastrati:
Besoj që kasti i aktorëve flet për suksesin që do të ketë filmi.  

KultPlus: Filmi do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Kur me saktë do të nisni me xhirime? 
Arben Kastrati:
Xhirimet e filmit ishin paracaktuar për në muajin prill dhe maj. Por, për shkak të angazhimeve paraprake të aktorëve të sipërpërmendur, xhirimet e filmit janë shtyrë për në muajin shtator.

KultPlus: Është herët të flitet, megjithatë kur e parashihni premierën e filmit? 
Arben Kastrati:
Shpresoj që filmi të jetë gati në dhjetor. Janë producentët ata që do të vendosin se kur dhe ku do ta shfaqim filmin.

KultPlus: Cilin treg jeni duke e synuar, festivalet apo kinematë?
Arben Kastrati:
Absolutisht që festivalet janë synimi ynë. Pastaj, ne kemi marrëveshje shitjeje dhe distribuimi me disa kompani. Ato do të merren me plasimin e filmit në treg. 

KultPlus: Dhe për fund, a ka ndonjë befasi tjetër rreth këtij filmi që ende nuk e keni treguar?
Arben Kastrati:
Ka dhe shumë befasi të tjera. Por, do ti mbaj për vete edhe për pak kohë. /KultPlus.com

Panairi i Librit në Prishtinë gati për edicionin e 21-të


Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë janë në përgatitjet e fundit për të sjell Panairin e 21-të të Librit i cili do të mbahet nga 5 deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, përcjellë KultPlus.

Gjatë këtij edicioni pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 1500-1700. Ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5500. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 12:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor, në orën 19:00.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00. Hyrja për vizitorë: Falas. / KultPlus.com




“Festa e Amantias”, qyteti i lashtë tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj

Si çdo vit, në stadiumin antik të parkut arkeologjik të Amantias, Vlorë, u zhvillua këtë fundjavë festa e këtij qyteti të lashtë, që tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve vendas,por edhe turistëve të huaj.

Në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë dhe kryesia e fshatit Ploçë grupe folklorike dhe artistë të zonave të ndryshme të Labërisë sollën larmi vlerash të trashëgimisë kulturore të pasur të kësaj zone.

Aktiviteteve festive ju bashkëlidh dhe aktiviteti sportiv “Kupa e Amantias”, ku morën pjesë ekipet amatore të futbollit të zonave të bashkive Vlorë, Selenicë dhe Tepelenë.

E pranishme në këtë atmosfere festive ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndoqi nga afër këtë aktivitet dhe u njoh me vlerat e parkut arkeologjik të Amantias, si dhe deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Vullnet Sinaj.

Në fjalën e tij Sinaj u shpreh se “kjo është një festë që na jep krenari kombëtare. Bëhet fjalë për një qytet të lashtë, ku ne barazohemi afërsisht me qytetërimin Roman. Unë kam dhënë kontributin tim në mënyrën më të thjeshtë me dëshirën time që ta organizojmë sa më mirë këtë festë”.

“Të vish në Amantia, të nisesh nga qyteti i Vlorës rruga është e shtruar komplet me asfalt dhe kjo është një shtysë që turistët të vijnë këtu. Kam biseduar me Ministrinë e Kulturës për të ndërtuar një varr të vjetër që është zbuluar këtu, për ta ndërtuar në formën që ka pasur. Kështu Amantias përveç stadiumit, akropolit, tempullit të Afërditës do t’i shtohet edhe ky varr i vjetër ilir që do të të jetë një objekt tjetër për tu vizituar nga turistët”, theksoi Sinaj.

Amantia ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./k.s/ KultPlus.com

Rrëfim ekskluziv i Lazim Destanit: Takimi im i fundit me Azem Shkrelin

Nga Bajrush Morina

Aeroplani i fluturimit nga Dortmundi i Gjermansë për në Prishtinë, më 27 maj të vitit 1997 po e sillte për herë të fundit në Kosovë një udhëtar të veçantë. Ky udhëtar zbriti lehtë shkallëve të aeroplanit në Aeroportin e Prishtinës, u skajua pak nga rreshti i udhëtarëve, u ulë në tokë, puthi tokën dhe iu lut asaj (tokës) që tash e tutje t’ia bënte një vend edhe atij…Prej atij momenti shpirti i Azem Shkrelit u ngjit te Engjujt në qiell e trupi i tij (Guri i rëndë peshon në vend të vet) pushoi i qetë në tokën e vendit të vet, në Kosovë! Azem Shkreli shkoi në amshim dhe u bë i pavdekshëm!

Më 7 korrik të vitit të kaluar – 2018, rastësisht (rasti mbret i botës) po merrja pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Flamurit amerikan për biznesmenin dhe filantropin e njohur shqiptar Lazim Destani, nga kongresmeni Eliot Engel. Ceremonia e dorëzimit të flamurit amerikan u mbajt në selinë e Kongresmenit Engel në Nju Jork pasi muaj më parë ishte votuar propozimi për këtë dekoratë për z Destani nga Kongresi amerikan në Uashington.
Pasdite në një nga restoranet më luskoze të Nju Jorkut, gjatë një dreke të përbashkët, bashkë me gazetarin e botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” z Vehbi Bajramin dhe bashkëpunëtorët e z.Destani po dëgjoja një rrëfim sa interesant aq edhe mbresëlënës. Fjala ishte për Azem Shkrelin!

Kështu përveç Vehbiut, miku ynë i përbashkët doli të jetë edhe Azem Shkreli.
“Një ditë më parë Azemi erdhi në zyrën time në Dortmund dhe më tha: Lazim ma prej një biletë njëdrejtimëshe për Prishtinë!, I thashë pse një drejtimëshe, merre kthyese, shko rri sa të duash, tako familjarët e miqtë e tu e kthehu! Jo, më tha, Lazim kësaj here dua biletë një drejtimëshe! Në raste të tilla Azemi ishte pak kokëfortë”, nisi rrëfimin e tij Lazim Destani, biznesmen, filantrop i njohur shqiptar e mik i ngushte i Azem Shkrelit.
“Ishte e kotë të ktheja mendjen Azemit. Ai këmbënguli që bileta të jetë njëdrejtimëshe! Të nesërmen më 27 maj të vitit 1997 e përcolla në Aeroport, e ula në ulëset e përparme të Aeroplanit dhe i thashë: Kthehu mos u vono! Rri sa të duash dhe kur të mërzitesh atje, ma bën një telefon dhe ta bëj gati biletën për kthim! Ai vetëm luante kokën në shenjë pohimi dhe më falënderonte me buzëqeshjen e tij karakteristike për pritjen dhe përcjelljen që po i bëja atij…E ndjeja se Azemi nuk dukej si më parë…më dukej pak më i qetë se herave tjera, fliste shumë pak dhe herë pas here shiqimin e trette jashtë dritareve të aeroplanit. U përshëndetëm para se të nisej aeroplani. Unë zbrita e ai u ngrit në qiell…Ky ishte takimi im i fundit me Azemin. Unë pata fatin e dhimbshëm që të jem personi i fundit që u përshëndeta me Azem Shkrelin para se ai të shkonte në amshim!”.
Ky rrëfim i Lazim Destanit më ka mbushur sytë me lot. Lazimi po fliste qetë dhe herë pas herë me plot mallëngjim për Azemin dhe unë po e dëgjoja këtë rrëfim për herë të parë, për një takim të fundit dhe për një ndarje të fundit të Azemit nga ne, nga kjo botë!

Rreth 4 vjet më parë, më 1993, kisha patur fatin që të takoja dhe të miqësohesha me Azemin në Munih të Gjermanisë. Bashkë me mikun tim Sokol Topallin, madje në një moment u kujdesëm edhe për shëndetin e Azemit. Kur Lazim Destani përmendi fjalën “…kokëfortë” mu kujtua një moment i rëndësishëm i jetës së Azemit në marsin e vitit 1993. Ai po kollitej rëndë, kishte temperaturë dhe rrinte gjithë kohë i shtrirë në dhomën e tij në vilën Valberta të Tucingut në periferi të Munihut. Kishte fituar bursë për një qëndrim 6 mujor nga Ministria për Kulturë e Bavarisë së Gjermanisë. Unë pata fatin që ato ditë të qndroja me Azemin. E shihja se nuk ishte mirë. Disa herë i thoja; “Azem hajde shkojmë te mjeku!

Hajde burrë gjysmë ore punë, ta jep ndonjë hap a barnishte dhe të kalon! Shkojme të një doktoreshë, jo te ndonjë doktor gjerman me qehre të rëndë!!!” Ai nuk lëvizte nga shtrati. Ashtu i shtrirë, vinte dorën mbi ballë dhe më thonte: “Jo he burrë se kalon! A shkon tan ky burrë të mjeku!”
Kur një ditë e pa se ishte lodhur së tepërmi, më tha: “A të shkojmë djalo të ajo doktoresha e bardhë…vec thuj asaj se nuk merrë “gjilpana”, një burrë si unë nuk “shpohet me gjilpana” nga një grua doktoreshë” dhe në fytyrën pak të zbehur u shfaq një fije buzëqeshje. Atëbotë Azemi e mori veten.
Lazim Destani fliste sa me krenari aq edhe me mall për Azemin. E kishte mik për krye kreje. Njiheshin prej shumë vitesh. Azemi në Gjermani e kishte derën e hapur gjithë kohën te Lazimi. Ishin miq të vjetër.
Kjo fotografi që po e botojmë për herë të parë flet për miqësinë e përhershme të Lazim Destanit me Azem Shkrelin.
Në 22 vjetorin e amshimit të Azemit, të gjithë ndjejmë dhembje, mallëngjim por edhe krenari për jetën edhe veprën e Azemit. Familjarët ia lënë ende një vend në sofër, miqtë e tij poetë edhe sot thurin vargje për Azemin e Lazim Destani edhe sot e kësaj dite e ka “pikë në zemër” pse nuk ia preu biletën kthyese Azemit, së paku ta kthente edhe njëherë të gjallë në Dormtund të Gjermanisë!

Rrëfimet për Azemin nuk kanë të ndalur ashtu siç vargjet e tij nuk ndalin rrjedhën e tyre në rrjedhat e letërsisë shqipe./botasot / KultPlus.com

Flutura Açka për fitoren e Arba Kokalarit në PE: Të ishte këtu do e kishim “shqyer”, do ishte një zyrtare e rëndomtë

Sikur Arba Kokalari ta shihte korin e duartrokitësve politikë

Shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalarin. Por entuziazmi i tepruar, nuk na shkon aq shumë, veçmas po të shqyrtosh hollë sikur kjo vajzë fantastike të ishte mes nesh. T’i themi gjërat siç janë, miqtë e mi, ne do ta kishim “shqyer” Arbën, do ta kishim, cunguar, do ta kishim asfiksuar. Po të ishte ekonomiste, edhe sikur këshilltare e ekonomisë të qe, ne do ta kishim hedhur në një cep, do ta kishim bërë një zyrtare të rëndomtë, sepse për këshillat e saj cili ministër do të qe duke pritur?

Po të ishte mësuese, një drejtor idiot shkolle do ta thërriste një ditë në zyrën e tij me suva të rënë dhe do ta pyeste se cilën parti simpatizonte? Kur ajo t’i thoshte se nuk simpatizonte asnjërën dhe nuk mbante anë, ai do të këmbëngulte se ajo duhet me patjetër të mbante anë, ç’ishte kjo mësuese pa anë kështu, do të habitej drejtori partiak. Po të ishte mjeke, Arba jonë e dashur do të skuqej nga turpi kur t’i afrohej pacientit të saj dhe t’i thoste se në farmacinë e spitalit mundonte aksh medikament, dhe se, edhe pse veshjet e tij i rrëfenin se sa i varfër qe, ajo prapë do të këmbëngulte se ai duhet ta blente diku jashtë, mu te farmacia përballë, që një Zot e dinte se si e kishte atë medikament që i mungonte spitaleve shqiptare.

Sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, siç janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie, gjëja e parë që do të ndeshte ishte “të lypurit” e paturp, ose të rafinuar, e më pas të shihte fotot e saj nëpër tabloide se si ishte veshur atë ditë enjte kur të hynte në parlament (ditë feste kombëtare tani), a thua se Arba ishte në ndonjë pasarelë. Askush nuk do të merrej me mendjen brilante të Arbës, me idetë e saj politike, që mund të ndikonin në fatin e këtij populli, të cilit mendja vetëm i ikën dhe i ikën përditë nga sytë këmbët. Tani ka filluar t’i ikë edhe trupi. E vetmja gjë që po i mbet janë “të paturpshmit” dhe ngrehinat e fshatrat me mure të lartë e derë të mbyllur, ku fshehin luksin më së shumti hajdutët me pushtet (që u bënë të mbipasur për tridhjetë vjet), fshatra që nuk i gjen kund në Europë (edhe pse atje ka të pasur në mbi treqind vjet).

Sikur Arba të qe këtu, do të kërkonte së pari një gjë fare të thjeshtë: një ndjesë të thellë për kalvarin e Musine Kokalarit, por nuk do ta merrte kurrë. Sikur Arba të qe këtu, do ta shihte se si hapen çdo ditë faqet e para të gazetave me intervista të eksponentëve të diktaturës, se si krekoset dhe trash zërin ish-ministri i diktaturës si folës parlamenti, se si përfaqësuesi më i lartë i popullit i sheh ditën për diell hajdutët që i rriti vetë me frymën e tij puniste se si e rrjepin popullin, dhe i duartroket dhe i mbron dhe i voton dhe i promovon me qejfin e madh se i kanë derdhur edhe atij ca nga rinia e tyre. Sikur Arba të shihte se si është katandisur shteti, se si u hidhet gaz qytetarëve nëpër shtëpira dhe fëmijët helmohen në pikë të mëngjesit dhe një zonjëzë e quajtur Avokate e Popullit as e di që i është hemuar populli, dhe as ka hapur ndonjë çështje për këtë çështje.

E të shihte pastaj se si nuk ka as gjykatë, as institucione, një ministri rendi që i bijnë ministrat si rrënjë kanabisi në fund zezoni, se çfarë shteti gargarel është, ku një pjesë e Opozitës është edhe Presidencë, edhe “pak” qeveri, edhe Opozitë. Se si Opozita shan përditë me të drejtë Kryeministrin, por nuk thotë asnjë fjalë për kryeministrat në tentative, që e kanë bërë kryeqytetin shqiptare dhe gjithë Shqipërinë të pajetueshme. Sikur Arba ta shihte se në teatër nuk shkon dot, se e kanë kyçur, se në kinema nuk shkon dot se ka vetëm filma aksion, që të shiten kartat dhe dekoderat e miqve, sikur të shihte katandinë e Televizionit Publik Shqiptar se si ha si lubi paratë e shqiparëve dhe jep vetëm programe mediokre, që të mund të shiten programet e privatëve, apo të kërkonte ta nxirrte fëmijën poshtë pallatit, nuk do të mundte dot, sepse çdo shesh të vogël e të madh e ka zënë një pallat i ri që ua zë zytë përditë shqiptarëve, dhe sikur të gjendej në trafikun e Tiranës do t’i dilte shpirti duke u vërtitur pafund nëpër të, nëpër trafik që askush, por askush deri tani, nuk e ka llogaritur se sa kohë, energji, para, humbim çdo ditë shqiptarët, vetëm prej kapriçiove të krerëve të krekosur rajonalë. Le pastaj të dilte te sheshi që na bën aq krenar me çmimet ndërkombëtare, që nuk ka asnjë dritë të vetme natën dhe asnjë hije ditën nën diellin mesdhetar.

Kur Arba të vijë në Shqipëri, do të bëjë mirë t’i shmangë sa më shumë politkanët shqiptarë, të cilët prej saj do të duan vetëm një foto, të mbjellë një pemë, a të pranojë një dekoratë, për arsye se ajo na e kanë ndritur emrin e Shqipërisë (pavarësisht se jo prej ndihmës sonë bujare), kur Arba të ulet në Parlamentit Europian, të mendojë për shqiptarin e thjeshtë, i cili është shumë, por shumë më shumë europian se politika e tij. Shembulli është Arba vetë.

Syzet e disenjatores shqiptare promovohen nga aktorja e famshme amerikane

Laura Imami ka krijuar tashmë stilin e veçantë të syzeve, aksesorë të cilët promovohen dhe blihen nga figura shumë me ndikim, shkruan KultPlus.

Syzet e Laura Imamit së fundi janë promovuar edhe nga aktorja e njohur amerikane Carmen Dell’Orefice..

Aktorja dhe modelja e njohur ka realizuar një set të fotografive, fotografi që janë realizuar nga fotografi i njohur Fadil Berisha. /KultPlus.com

Krijoji portretin e Donald Trump, The Guardian shkruan për Alkent Pozhegun

Rekordi për Mozaikun më të madh me fara i takoi për dy herë radhazi artistit nga Gjakova Alkent Pozhegut. Në vitin 2014, Pozhegu ka punuar një mozaik nga drithërat. Ky mozaik sportiv ka pasur dimensionet 20×25 m, me një hapësirë 500 metra katrorë dhe për këtë punim ai ka përdorur 2500 kilogramë drithëra për të krijuar emrat e dy futbollistëve – Messi dhe Ronaldo dhe pikërisht me këtë punim Pozhegu u fut për herë të parë në Librin Guiness. Hera e dytë për të që përjetoi një sukses të tillë ishte me portretin e Rita Orës, shkruan KultPlus.

Ndërsa tashmë Pozhegu ka përfunduar portretin e presidentit amerikan, Donald Trump dhe pikërisht me këtë portret ai ka arritur të marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat dedikuan artikuj për gjakovarin.

Prestigjiozja The Guardian ka publikuar mozaikun me portretin e Donald Trump dhe kanë shkruar për punën e Pozhegut.

Me këtë portret, ai po synon të vendosë një rekord të ri, duke krijuar mozaikun më të madh me gurë me imazhin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Ky mozaik është 560 metra katrorë dhe është punuar me kokrra misëri, farë luledielli, oriz dhe grurë. Po ashtu, artisti kosovar deri më tani ka realizuar edhe shumë vepra të tilla, duke zgjedhur gjithmonë fytyrat më pikante. Rita Ora, Leonardo Di Caprio, Marilyn Monroe, Angelina Jolie, Dua Lipa e Shkëlzen Doli, janë vetëm disa nga emrat që patën fatin të bëhen pjesë e krijimtarisë së veçantë të Pozhegut. / KultPlus.com

Nëna e Dua Lipës kthehet në kohë, publikon një fotografi me veshje tradicionale

Anesa Lipa, nëna e yllit botëror, Dua Lipa, tashmë për të gjithë ne është bërë e njohur në saje të sukseseve që ka arritur vajza e saj.

Ajo njëherësh është mjaft aktive dhe e ndjekur në rrjetet sociale, ku ndan imazhe dhe video të llojllojshme me fansat e saj.

Së fundmi, nëna e këngëtares është rikthyer prapë në kohë dhe ka sjellë një imazh të saj me veshje tradicionale, kur ka qenë nuse. “Ari i punuar me qëndisje dore, veshje tradicionale shqiptare 1997”, ka shkruar Anesa krahas imazhit.

https://www.instagram.com/p/Bx8GqqRA82h/

Edhe pse ka kohë që jetojnë në Londër, duket se familja Lipa nuk harrojnë që të prezantojnë Kosovën në mënyra të ndryshme, kjo pasi edhe Dua gjithnjë e ka thënë se krenohet me vendin e saj.

Vlen të ceket se në vitin 2008, familja e Duas është zhvendosur në Kosovë, por në moshën 15 vjeçare, ajo vendosi të kthehet në Londër dhe të jetojë me miqtë e saj, ku njëherë filloi punën si modele për t’u kthyer më pas në një nga emrat më të kërkuar të muzikës anembanë botës.

Momentalisht është njëra nga artistet më të suksesshme e më të komentuara në botë, me një sërë çmimesh të rëndësishme. /Telegrafi/ KultPlus.com

Mësimdhënësit e viteve të 90-ta i presin pensionet e para pas qershorit

Nga pjesa e dytë të këtij viti pritet të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.

Ky kompensim u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktikë.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Punëtorët, të cilët e kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë asaj periudhe, pritet t’i marrin benificionet pas daljes në pension. Ata do të marrin nga 19 deri në 95 euro, varësisht sa vjet kanë punuar në arsim.

Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kanë thënë se nxjerrja e disa akteve nënligjore ka bërë që të shtyhet ndarja e mjeteve financiare për përfituesit, që sipas tyre, është e panevojshme.

Në bazë të këtij ligji, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e tij.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se konform procedurave dhe afateve kohore, janë duke u hartuar dy udhëzime administrative që parashihen me ligj. Valmir Gashi zëdhënës në këtë ministri, tha për Radion Evropa e Lirë, se njëri udhëzim ka të bëjë më mësimdhënësit dhe tjetri me pronarët e shtëpive që janë shfrytëzuar për shkolla. Këto dy udhëzime, thotë ai, e përcaktojnë qartë gjithë procesin.

Por, Ymer Ymeri menaxher financiar në Sindikatën e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, thotë se periudha prej 6 muajsh ka qenë e panevojshme, pasi përgatitjet për këtë ligj kanë filluar ndër vite.

“Ne si SBASHK kemi dhënë vërejtjet që MASHT-i është dashur të jetë pak më e shpejtë në nxjerrjen e udhëzimit. Edhe përkundër që ligji jep mundësi gjashtë muaj, ky është një ligj që kemi pritur disa vite, është ligj që vetë e ka sponsorizuar Ministria e Arsimit. Prandaj, është dashur të finalizohet ligji. Për këtë SBASHK-u nuk është i kënaqur sepse koha për dy- tre muaj pritje për një udhëzim administrativ prej 5- 6 faqesh, është e panevojshme”, tha Ymeri për Radion Evropa e Lirë.

Agim Hajdari ka punuar profesor në shkollë të mesme gjatë viteve të 90-ta. Ka pesë vjet që kur ai është në pension dhe e quan të pakuptimtë zvarritjen e shpërndarjes së mjeteve.

“Më të vërtet e kanë vonuar shumë. Vonesat në ndarjen e mjeteve shfaqen vetëm që të vdesin më shumë pensionistët dhe Qeverisë që t’i vjen më lehtë të bëjnë pagesën ndaj pensionistëve, të cilët 10 vjet nuk kanë kursyer asgjë për të punuar edhe në kushte të rrezikshme”, thotë Hajdari.

Megjithatë, pas përfundimit të këtyre procedurave, Ymer Ymerishpreson se pas muajit qershor do të fillojë ndarja e mjeteve për përfituesit, kurse në mënyrë retroaktive do të marrin kompensimin shtesë që nga hyrja në fuqi e ligjit.

“Edhe pse ministria ka afat deri në fund të muajit gusht për nxjerrjen e udhëzimeve administrative, mendojmë se nga fundi i muajit qershor do të nënshkruhet udhëzimi administrativ. Kështu që mësimdhënës që janë përfitues do të marrin shtesat në pension prej hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kështu që përfituesit, mjetet shtesë do marrin në mënyrë retroaktive”, tha Ymeri.

Sipas SBASHK-ut, rreth 7000 është numri i mësimdhënëseve të cilët kanë punuar në atë periudhë dhe që janë përfitues.

Kostoja e zbatimit të ligjit, sipas një përgjigjeje të mëhershme të Ministrisë së Arsimit, për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.

Bazuar në një llogaritje të bërë, një mësimdhënës që ka punuar 9 vjet do “shpërblehet” më 95 euro në muaj dhe pension kontribut-pagues prej 260 euro. Kjo nënkupton se ata do të paguhen 355 euro në muaj. Kurse shuma do të jetë më e vogël për mësimdhënësit që kanë punuar më pak vjet.

Ndërkaq, në rast se personi ka ndërruar jetë, të drejtë kompensimi ka bashkëshortja ose bashkëshorti.

Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre që të shfrytëzohen si shkolla, do të gëzojnë benificione si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyesit. /Rel/Telegrafi/ KultPlus.com

Mbesa e Musine Kokalarit, eurodeputetja e parë shqiptare në PE

Eurodeputetja e parë shqiptare e sapozgjedhur në Parlamentin Europian është Arba Kokalari. Deputetja që përfaqëson Suedinë në Parlamentin Europian është mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares së njohur Musine Kokalari.

“Para disa minutave u publikuan rezultatet pleliminare të zgjedhjeve në Suedi për Parlamentin Europian. Arba Kokallari pas një fushate fantastike pushtoi Suedinë. Ajo tani ka siguruar një vend në Parlamentin Europian duke u bërë deputetja e parë me rrënjë shqiptare sipas rezultateve preliminare.

Partia e Arbës ka fituar 17.6 % me të cilin rezultat ju garanton 4 deputetë. Arba Kokalari u lind në Tiranë me 27 nëntor 1986. Ajo ishte mjafte aktive në Partine Moderate ku udhëhoqi me rininë dhe departamentin e kulturës në qytetin e Stokholmit. Urime Arba , gëzuar shqiptarë kudo ku ndodheni”, shkruan gazetari Astrit Gashi.

Kush është Arba Kokalari?

Arba Kokalari, lindi më 27 nëntor 1986, është politikane suedeze në Partinë Moderate.

Arba Kokalari është deputete në kryesine federative për Partinë Moderate në qytetin e Stokholmit dhe u zgjodh zëvendëse e kryetarit të shoqatës së EPP-së YEPP në maj 2015.

Ajo më parë ishte sekretare ndërkombëtare e Shoqatës Rinore Moderate.

Arba Kokalari, mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares se njohur Musine Kokalari, ishte në listë nga partia Partia Moderate që qeveris Suedinë, si një kandidaturë shumë serioze për deputete në Parlamentin Europian.

Ishte vetëm 16vjeç kur nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndryshe nga shumë bashkëmoshtarë të saj. Ajo e shikon politikën si të lidhur ngushtësisht me jetën e saj, pasi edhe studimet i ka mbaruar pikërisht për Politikë dhe Politikë Europiane.

Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj shqiptarët që jetojnë në Suedi kishin një arsye më shumë për ta votuar atë të jetë një deputete në PE./GSH.al/ KultPlus.com

Mbrojtja e hulumtimi i varrezave ilire është bërë domosdoshmëri

Territori i Malit të Zi është i pasur me varreza të mbretërve ilirë si dhe me katakombe parahistorike, qoftë prej guri apo dheu.

E këto paraqesin një pasuri të veçantë të trashëgimisë kulturore.

Studiuesit e kësaj fushe vlerësojnë si domosdoshmëri hulumtimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e këtyre objekteve të rëndësishme historike dhe kulturore./Zëri i Amerikës

https://www.zeriamerikes.com/a/4933133.html?utm_medium=affiliate&utm_campaign=VOA-player4933133&utm_source=www.koha.net/kulture/165186/mbrojtja-e-hulumtimi-i-varrezave-ilire-eshte-bere-domosdoshmeri/&utm_content=player#player-start-time=0.002266


22 vjet nga vdekja e Azem Shkrelit

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Vdiq në pranverën e vitit 1997. /KultPlus.com

E shkreta vajzë

Maya Angelou. Shqipëroi: Gjekë Marinaj.

Ju keni gjetur një tjetër të dashur
dhe unë e di këtë
Dikë që ju adhuron
tamam si unë
Varur në fjalët e tua
si të ishin prej ari

Duke menduar së ta kupton
shpirtin
e shkreta vajzë
tamam si unë.

Ju po thyeni një tjetër zemër
dhe unë e di këtë
Dhe nuk mund
të bëj asgjë
Nëse provoj t’i tregoj asaj
ato që di
Ajo do më keqkuptojë
dhe do më bëjë të ikë

E shkreta vajzë
tamam si unë.

Ju do e leni edhe atë
dhe unë e di këtë
Ajo nuk do e dijë
ç’të bëri të ikësh
Ajo do qajë dhe pyesë veten
Çfarë shkoi mbrapsht
Pastaj do të fillojë
të këndojë këtë këngë
E shkreta vajzë
tamam si unë./ KultPlus.com

Lleshaj e Randall, dyshja e muzikës indie pop që po korr suksese

Shpresa Lleshaj, suedezja me origjinë nga Kosova dhe amerikani Cole Randall, njihen nga publiku si Flora Cash, dyshja e muzikës indie pop.

Lleshaj dhe Randall janë partnerë në jetë e në art. Ata jetojnë në Stokholm ku kompozojnë e bashkëpunojnë në muzikë dhe interpretojnë në të gjithë botën nën emrin Flora Cash.

Është turneu i tretë i Flora Cashit në Shtetet e Bashkuara dhe siç e thotë shprehja: e treta, e vërteta. Gjërat duken shumë ndryshe në këtë turne për Lleshajn dhe Randallin.

“Dinë më shumë prej këngëve tona”, është shprehur Lleshaj.

“Këndojnë bashkë me ne… Më përpara shihnin me habi ‘Kush janë këta të dy?’ Tani na njohin. Na bën të ndjehemi pjesë e një komuniteti, si një familje”, ka thënë Randall.

“Sidomos kur njerëzit nga salla bashkojnë zërat për të kënduar këngën e tyre të suksesshme ‘You’re Somebody Else’”, shtoi ai.

Kjo është kënga më e njohur e Flora Cashit që tani e dëgjon në valët e radios amerikane pas disa javësh në renditjen e klasifikimeve Billboard për muzikën Adult Rock. Kënga përcjell furtunën e brendshme të individit që ka humbur veten nga ankthi, mungesa e besimit te vetja, presioni i jashtëm. Një mesazh që ka gjetur jehonë te audienca.

“Mendoj se njerëzit janë të etur për sinqeritet. Ata gjejnë veten tek kjo këngë. Ata e interpretojnë në forma nga më të ndryshme. Prandaj kishte sukses, se ka një mesazh personal për shumë njerëz”, tregoi Randall.

Duket se Lleshaj dhe Randall kanë gjetur kordën e duhur si në skenë dhe në jetën personale. Ata e gjetën njëri-tjetrin në internet përmes muzikës, një histori dashurie nga dy skajet e oqeanit Atlantik që vazhdon të ruajë freskinë edhe në orët e gjata të rrugës në turne dhe nën dritat e skenës në interpretim.

“Ne jemi shokë të mirë. Kënaqemi me njëri-tjetrin. Gjithmonë e them: nuk e imagjinoj dot si do ta bëja këtë jetë pa ty. Me ty ndjehem se jam në shtëpi”, thotë Lleshaj.

Origjina e Lleshajt nga Kosova nuk është ende një fakt i përmendur për audiencën amerikane.

Një grup shqiptaro-amerikanësh kanë ardhur nga zona e Washingtonit për ta përcjellë interpretimin me krenari të hapur për origjinën e Lleshajt. Ka qenë një vit suksesi për interpretueset me origjinë shqiptare në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Shpresa Lleshaj është një emër i ri që i shtohet kësaj liste.

“Është koha jonë. Më në fund po del në pah kjo energji krijuese që ka qenë gjithmonë e pranishme. Është rezultat i mënyrës si jemi rritur”, thotë Lleshaj.

Randall beson se një pjesë e mirë e suksesit ka të bëjë edhe me mbështetjen entuziaste që marrin nga admiruesit shqiptarë në mbarë globin.

“Është diçka vërtetë e bukur kur sheh këtë frymë të shqiptarëve që janë shumë të lidhur, që mbështesin njëri-tjetrin. Më duket shumë e bukur”, tha Randall.

Jeta e artistit nuk është e lehtë, pohojnë Randall dhe Lleshaj. Me suksesin që kanë pasur, turneu i tyre shton vazhdimisht ndalesa të tjera me koncerte të reja gjatë itinerarit. Këto janë vështirësitë e suksesit që tani çifti arrin t’i përballojë pak më lehtë pasi ka mbështetjen e firmës diskografike Sony/RCA Records. Shumë ndryshe nga ditët kur trokisnin në dyert e mbyllura të studiove, ende një emër i panjohur me këngë të padëgjuara.

Me gjithë këmbënguljen, “Zëri i Amerikës” nuk arriti të mësojë sekretin pas emrit Flora Cash me të cilin çifti prezantohet para publikut. Por me çdo interpretim para spektatorëve e me çdo regjistrim të ri nga Flora Cash nuk ka diskutim që ky emër enigmatik është tani gjithnjë e më i dëgjuar për skenën muzikore amerikane.

Për të mësuar më shumë për turneun e grupit dhe për të dëgjuar këngët e tyre të reja vizitoni faqen e tyre elektronike Floracash.com./zëriiamerikës/KultPlus.com

Arba Kokalari shqiptarja e cila jeton në Suedi, fiton ulëse në Parlamentin Evropian

Kanë filluar të dalin rezultatet perliminare të zgjedhje në Parlamentin Evropian, në të cilat zgjedhje, Arba Kokalari, shqiptare e cila jeton në Stockholm të Suedisë ka fituar një ulëse në Parlamentin Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur, Astrit Gashi i cili vepron në Suedi, duke thënë se Alba Kokalari ka siguruar një vend në parlamentin evropian duke u bërë deputetja e parë me rrenjë shqiptare.

Sipas tij, partia e Arbës ka fituar 17.6 % me të cilin rezultat kjo parti fiton 4 ulës.

Shkrimi i tij i plotë:

Ekskluzive – Arba Kokallari fiton nje vend ne Parlamentin e Europes

Para disa minutave u publikuan rezultatet pleliminare te zgjedhjeve ne Suedi per parlamentin europian. Arba Kokallari pas nje fushate fantastike pushtoi Suedine. Ajo tani ka siguruar nje vend ne parlamentin europian duke u bere deputetja e pare me rrenje shqiptare sipas rezultateve preliminare.Partia e Arbes ka fituar 17.6 % me te cilin rezultat ju garanton 4 deputet. Arba Kokallari u lind ne Tirane me 27 nentor 1986. Ajo ishte mjafte aktive ne partine moderate ku udheheqi me rinine dhe departamentin e kultures ne qytetin e Stokholmit.Urime Arba , gezuar shqiptare kudo ku nodheni./KultPlus.com

Rita Ora thotë se në Kosovë është e vështirë të realizohen ëndrrat

Këngëtarja me origjinë shqiptare e famë botërore, Rita Ora, është në mes të turneut të saj “Phoenix”.

Ajo në Instagram ka postuar disa fotografi dhe video nga koncerti të cilin e ka mbajtur të premten në “02 Arena” në Londër, ku përmes tyre ka falënderuar edhe adhuruesit e saj.

Ora thotë se me shkuarjen e saj në Londër ëndrrat iu bënë realitet, pasi që sipas saj, në Kosovë një gjë e tillë është e vështirë të arrihet.

“Durimi është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të kesh. Miqtë e mi më thonë që unë kam shumë për të thënë dhe unë e mbyllë gojën dhe këndoj, por për herë të parë në jetën time, jam e pafjalë. Të jesh prej nga atje nga jam unë, nga Kosova, është e vështirë që ëndrrat të bëhen realitet, por kur kam ardhur këtu i kam realizuar ëndrrat e mija dhe nuk e harroj këtë as për një sekondë, unë punoj shumë, por kjo është arsyeja pse, ajo çfarë thash mbrëmë, e kisha seriozisht. Adhuruesit e mi dua t’i falënderojë që më kanë qëndruar afër gjatë këtyre viteve, në rëniet dhe ngritjet e mija, në vështirësitë dhe fitoret e mija”, ka shkruar ajo./koha.net/ KultPlus.com