Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të performojë në Zarën e arbëreshëve në Kroaci.
Siç njofton portali voal.ch,
duke iu referuar organizatorëve, koncerti pritet të mbahet më 30 gusht, në
Qendrën Sportive “Visnjik” në Zarë.
Rita Ora do të performojë në Zarë si pjesë e turneut të saj
“Phoenix”, për të promovuar albumin e saj të fundit me të njëjtin titull,
përcjell albinfo.ch.
Sipas organizatorëve, shumica e biletave tashmë janë shitur,
që lë të kuptohet se koncerti i yllit shqiptar të muzikës ka zgjuar interesim
të madh.
Unë kam një motër… më të vogël. Jemi sharë, jemi krefur, shkulur flokët, përqafuar, qarë, treguar sekrete qe mami ende nuk i di, me pushime me vete, të dalat me vete, ulerima pa fund dhe dëshperim pa fund tani që jemi larg… Nuk e di si do ishte jeta ime nëse do të kisha një vëlla por falë sime motre dhe lidhjes së fortë me të, kam dashur gjithmonë të kem dy vajza. Sigurisht që njësoj do ti doja edhe nëse do te ishin djem por nuk e di pse e ndiej qe jam shumë “mam gocash”. Me pak fjalë unë jam shumë e lumtur me dy vajza por mesa duket nuk janë edhe aq njerëzit që takoj çdo dite, ata që njoh e nuk njoh. “Hajde bëje çunin tani”, “Këtë të voglën e ke si çun, po e përgatit vëllain”, “Bëje edhe një çun se të duhet”…
Më duhet? Përse më duhet? Ku e di ti që më duhet? Për çfarë
mu dashka kaq shumë një djalë? Të na trashegoje mbiemrin “mbretëror” me gjak
blu që kemi nga Berati dhe Pogradeci po “lind e rrit m’Tiron”?
Domethenë unë nuk do ta kuptoj kurrë këtë aftësinë e shqiptarëve
për t’u futur te “brekët” e për të bërë llogaritë e tjetrit. Po një nëne që ka
dy djem pse nuk i thoni: “bëje një vajzë se të duhet”?
Të “duhet”…pffff nuk besoj se ka perceptim më të shëmtuar.
Po si mund të thuash për një fëmijë, qoftë vajzë apo djalë,
bëje se të duhet? Fëmijët nuk bëhen se na “duhen”, të jenë një herë aty
vërdalle. Janë bekim që ja uroj me zemër gjithkujt ta provojë.
Une jam bekuar dy herë dhe kjo është ajo që na duhet vërtetë në jetë sepse jo
të gjithë e kanë këtë privilegj.
Ahhh se harrova fjalinë bindëse për t’i hyrë “punës” për
djalin. “Bëje një çun ta kesh për vete se gocat janë për babin”! Seriozisht?!
Si fillim këtë babin për të cilin po flasim e kam zgjedhur me gjithë dashurinë
e mundshme dhe momentet më të bukura të ditës për mua, janë kur i shoh që
luajnë të tre dhe vajzat e mia çmenden pas tij. Pastaj unë si “gocë” kam qënë
dhe jam e të dy prindërve… Pikë të dobët e kam babin dhe zemra më dridhet për
mamin.
Nëse unë do bëj një fëmijë tjetër do ta vendos unë dhe im
shoq dhe nuk ka pikë rëndësie nëse do të jetë vajzë apo djalë, do ta duam
njësoj. Deri në momentin që nuk e mbani ju në bark, nuk kaloni dhimbjet e
lindjes, netët pa gjumë, erdhi gjiri-iku gjiri, shqetësimet kur sëmuret,
vaksinat, shpenzimet për gjithçka që i duhet një fëmije të rritet mirë,
mbylleni atë gojë dhe boll dhatë mend… Prindërit e mi janë shumë të lumtur që
kanë dy vajza e po aq të lumtur jemi unë dhe im shoq. Në të ardhmen do të kem
edhe unë dy djem, të cilëve do t’u besoj thesarët e mi por deri atëherë më lini
të shijoj vajzat!/KultPlus.com
Analisti Ilir Demalia ka reaguar në rrjetet sociale duke e quajtur turp dhe marre rivovimin prej 35 milionë lekësh të shtëpisë së Enver Hoxhës në Gjirokastër ndërkohë që për shtëpinë e Poetit Kombëtar At Gjergj Fishta nuk gjendet asnjë lek nga qeveria.
Ndërgjegja kombëtare është e fikun!Kombi është në rrezik! -shprehet ndër të tjera Demalia.
Postimi i tij i plotë:
Rilindja e Ramë-Veli-Spiropalit, ka dhënë 35 milion për
rinovimin e shtëpisë së shokut Enver Hoxha në Gjirokastër.
Për shtëpinë e Poetit Kombëtar At Gjergj Fishta, nuk gjindet një lek, as nga
qeveriu, as nga biznesmenët xhahila dhe hajdutë në bashkëpunim me qeveriun, as
nga diaspora që të gjithë heshtin, ose bëjnë sikur nuk shikojnë, por këndojnë
në dasma e stadium si bagëti, O sa mirë me qenë shqiptar!
Turpi e marrja ka kaluar çdo kufi !
Ndërgjegja kombëtare është e fikun!
Kombi është në rrezik!
At Fishta kishte parshikuar gjithçka si për gjithçka kur
pati shkruajtur:
Ju rrugaça, shakllabana, Rriqna të ndyet e mikroba të këqinj, Që të mjerës moj Shqypni, Kthellë i keni hy n’mushkni, Edhe gjakun tu’j ja pi Jo me hinka por me sahana.
Në fund të tetorit të vitit 2016, një muaj pas vdekjes, Shoqata “Malësia e Madhe” në New York kishte organizuar një orë përkujtimore për piktorin nammadh, Gjelosh Gjokajn. Në atë ceremoni disa bashkatdhetarë, midis tyre edhe unë i thashë disa fjalë, rikujton ish-gazetari i “Zërit të Amerikës” e tash botues në New York, Gjekë Gjonlekaj.
Më 20 korrik, pra këtë të shtunë, në Tuz do të zhvillohet një aktivitet kulturor kushtuar këtij piktori përmasash botërore, Gjelosh Gjokajt. Në pritje të kësaj date, Koha.net sjell rikujtimin për të të Gjekë Gjonlekajt.
Malësia e Madhe është njëra prej krahinave më të njohura
shqiptare, pavarësisht se kjo tokë arbërore është e ndarë përgjysmë nga fuqitë
e mëdha. Shtëpia ku ka lindur piktori i njohur shqiptar Gjelosh Gjokaj është
njëra prej familjeve më fisnike të Malësisë. Ky pinjoll i Shtëpisë së Baca Kurtit,
lindi në Grudë, por në rini të hershme Gjeloshi dhe e gjithë familja e Dakë
Lekës u vendosën në një qytet të vogël afër Novi Sadit në Vojvodinë.
Malësia e Madhe brenda dhe jashtë kufirit ka dhënë personalitete të mëdha të shkencave të ndryshme, por ka dhënë edhe tre yje ndërkombëtare të artit: Lukë Kaçën, Gjelosh Gjokën dhe Angjelin Prelocaj. Emëri Gjelosh është shumë i njohur qysh në Malësi. Kush nuk ka dëgjuar për Gjelosh Frangun dhe Gjelosh Lulin e Hotit dhe për Gjelosh Gjokën e Kastratit. Që të tre ishin trima të përmendur dhe të pashëm. Ata ishin dijetarë e gojëtarë dhe logjet e Shpellës së Frashnit, të Kronit të Traboinit, të Vitojës dhe Urës së Tërgajës nuk kishin hijeshinë dhe bukurinë pa pjesëmarrjen e tyre dhe të shumë trimave të njohur të kësaj treve. Për logjet e Malësisë ka shkruar edhe Ismail Kadare në veprën e tij “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nemuna”. Arti dhe bukuria janë pjesa mbase më e rëndësishme e kësaj treve. Familja Gjokaj kishte dhënë edhe patriotë të dalluar që kishin dhënë jetën për çështjen kombëtare. Për atdhe dashuri dhe për gjuhë e traditë shqiptare ishte helmuar studenti i përmendur Dodë Pjetër Leka, djali i axhës së Gjelosh Gjokaj dhe mësuesi i njohur i Malësisë Prenkë Puli Gjokaj. Prenkë Pulin e kishin pushkatuar forcat jugosllave në kufi se gjoja kishte bërë përpjeke për t’u arratisur në Shqipëri. Gjelosh Gjokaj mësimet fillestare i vazhdoi në Vojvodinë. Por qysh në fëmijëri kishte dëshirë të bëhej piktor. Gjeloshi tregonte se qytetarët dhe fshatarët e atij vendi kishin filluar t’i blinin vizatimet e tij, jo me të holla por me grurë ose misër. Atëhërë tregonte Gjeloshi fillova ta kuptoj se një ditë mbase mund të jetoj me këtë profesion. Pas disa vjetësh kishte kaluar në Pejë, ngase atje ishte vëllau e tij Gjeto Leka, gazetar dhe spiker shumë i njohur në Radio Prishtinë dhe më vonë i Televizionit të Kosovës. Pasi mbaroi shkollën e artit në Pejë me ndihmën e piktorit të madh të Kosovës, Muslim Mulliqit, ishte regjistruar në Akademinë e Arteve në Beograd. Pas studimeve të arteve në Beograd u kthye në Prishtinë dhe atje në bashkëpunim me piktorët e Kosovës themeluan Shkollën e Lartë Pedagogjike të Artit dhe më vonë ata hapën edhe Akademnë e Arteve në kryeqytetin e Kosovës. Për 6 vjet, sa punoi në Kosovë, krijoi vepra të mëdha të artit, sidomos të grafikës, sepse ky ishte specializuar në këtë degë gjatë studimeve në Akademinë e Beogradit. Gjelosh Gjokaj kishte bërë edhe koreografinë e filmit të njohur “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”.
Gjatë periudhës që punoi në Kosovë hapi disa ekspozita.
Populli shqiptar i Kosovës e ndihmoi dhe e nderoi dhe shumica e suksesve të
mëpastajshme kishin lidhje me veprimtarinë e tij në Kosovë. Në kohën kur
jetonte në Kosovë, kishte hapur ekspozita nëpër qytete të ndryshme të
Jugosllavisë, në Itali dhe kishte marrë pjesë në Bienalen e Aleksandrisë.
Ekspozitën e parë të Gjeloshit në Itali e kishte organizuar piktori i njohur
shqiptar Ibrahim Kodra. Gjelosh Gjokaj ishte larguar nga Prishtina për në Itali
në dhjetor të vitit 1969. Ai kishte zënë vend në Romë dhe ishte pritur mirë aty
nga komuniteti shqiptar i atij qyteti, por mbështetjen më të madhe ia kishte
dhënë Ernest Koliqi. Për 8 muaj sa jetova në periferi të Romës, shkruan
Gjonlekaj, e kisha takuar çdo javë, bile kisha punuar për të dy muaj në Porto
San Giorgio një qytet i vogël afër Ankonës. Në këtë qytet kishte bërë shumë
kontrata për shitjen e grafikave të tij. Në Romë u shoqërua me shumë piktorë të
njohur italianë. Pas disa vitesh kaloi në Augsburg të Gjermanisë, afër
Mynhenit, qytet shumë i njohur për arte. Në Augsburg dhe në qytete të tjera
hapi ekspozita të suksesshme, bile edhe në Francë. Frymëzimet e krijimtarisë
artistike i kishte fituar në vendlindjen e tij në Milesh. Në trojet labeate të
Ilirisë, atje ku ishin përplasur qytetërimet e Perëndimit dhe të Lindjes,
pavarësisht se kishin qenë qytetërime pushtuese ato kishin lënë gjurmë të
thella në vendin tonë. Artistët shqiptarë kishin fuqi të mëdha për t’i lexuar
ato simbole dhe gjurmë antike. Cemi dhe shkëmbinjtë përreth këtij lumi legjendar
kishin qenë frymëzim për Gjeloshin. Edhe kafshët e buta shtëpiake shihen kudo
në vizatimet dhe grafikat e tij. Gratë me enët e ujit në kokë dhe qengjat e
grigjës së vogël kishin qenë figurat e frymëzimit. Me Gjelosh Gjokaj kam punuar
e shoqëruar për katër vjet. Ai punonte natë e ditë. Ai thoshte: ”Jetoj sepse
krijoj”. Mund të qëndronte pranë një pikture javë të tëra. Për dashamirët e
artit krijimtaria e tij prej më shumë se 3000 veprash artistike është pasuri e
jashtëzakonshme kulturore. Në vitin 1979 kishte hapur në New York një
ekspozitë. Ai ishte mysafir në shtëpinë time për më shumë se një javë.
Ekspozitën e tij e vizitoi një gazetare e njohur e artit e të përditshmes “The
New York Times”. Gjatë kësaj vizite Gjeloshi ishte takuar edhe me tregtarin e njohur
italo-amerikan të artit Leo Castello. Shumica e veprave të Gjeloshit u shitën
ato ditë në New York. U largua shumë i lumtur nga Amerika. Në vitin 1990 kam
bërë me Gjelosh Gjokaj një intervistë të gjatë për ‘Zërin e Amerikës’. Ai e
kishte edhe humorin e zhvilluar. Në Kohën kur jetonin në Vojvodinë ata si
zakonisht kishin festuar Pashkët. Për atë festë kishin shkuar në shtëpinë e
tyre për darkë tre katër serbo-malazezë. Nëna e Gjeloshit kishte vënë tepsinë
me mish e oriz dhe i kishte dhënë njërit prej mysafirëve një lugë të madhe për
të qitur mish e oriz në pjatën e tij, por sllavi i uritur kishte qitur aq shumë
mish e oriz në pjatën e tij, saqë babai i tij Daku i kishte thënë:” Gjelosh
hiqja shkjaut goruzhdën prej dore se na la pa darkë”.
Muzeu i Dedë Gjo Lulit në Hot, Muzeu Artistik i Gjelosh Gjokaj në Malësi dhe Muzeu I Shtjefën Ivezaj në Lekaj e pasurojnë historinë, artin dhe etnografinë në trojet tona. Veprat e tij artistike shkëlqejnë sot nëpër muzeume e galeri artistike në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë.
“Të shkruash për “Writer’s block” është
më mirë se të mos shkruash fare”
Charles Bukowski
5 mënyra se si të kalohet “Blloku I Shkrimtarit”
Largohuni nga ajo që jeni duke shkruar
Provo të
pikturosh, të bësh fotografi, të ndërtosh dicka. Nuk ka rëndësi se në cka
fokusohesh, mjafton që mendja juaj të fokusohet në pjesë të tjera që nuk lidhen
drejtpërdrejt me shkrimin
Bëni shkrim të lirë
Për 10 apo 15 minuta gjatë ditës shkruaj ckado
që ju vjen ndërmend. Vetëm shkruani lirshëm, pa frikën e shenjave të pikësimit.
Le të jetë krejt e zakonshme. Nuk ka nevojë që domosdo të jetë kreative apo
“origjinale”, mjafton që të largoni stresin e të shkruarit bukur.
Aktivizohuni fizikisht
Vraponi, vallëzoni apo dilni dhe ecni. Nuk ka rëndësi
se me cfarë aktiviteti fizik vendosni të mirreni, mjafton për pak kohë të jeni
në lëvizje. Një mendje e relaksuar është gjithmonë më e hapur,
Shkruani në mëngjes
Zakonisht
mendja në mëngjes është krejtësisht “e pastër”, dhe idetë mund të vijnë saktësisht
në momentin që e hapni fletën e bardhë. Psikologët thonë se është më e
preferueshme të shkruhet në mëngjes. Njeriu ndihet sikur ka filluar nje jetë të
re apo në rastin e shkrimtarit ndihet sikur është krejt dikush tjetër, ndoshta
si personazhi I tij I radhës.
Krijoni një ambient të parshtatshëm punë
Thuhet se Hemingway shkruante në këmbë. Gjeni edhe ju pozicionin në të cilin ndiheni rehat të shkruani. Mund të shkruani edhe ju në këmbë si Hemingway, nëse kjo ju ndihmon. Mund të shkruani shtrirë në tokë apo në shtrat, apo të ulur mbi tavolinë etj. Mjafton që pozicioni në të cilin shkruani të jetë I përshtatshëm për ju./ KultPlus.com
Erza Muqolli po vazhdon me sukseset e saj në fushën e muzikës.
Vajza shqiptare e cila në Francë tanimë është ndër fëmijët që
merr vëmendjen më të madhe të mediave dhe publikut me projektet e saj muzikore,
ka qenë e pranishme në Radio Scoop Music Tour 2019.
Koncerti më i madh veror në Francë këtë vit ka mirëpritur Erzën dhe artistët e tjerë të njohur si Francë, si Bilal Hassani, Mika, Danke, Clara Luciani e artistë tjerë.
Erza, 13 vjeçare, ka kënduar para 40 mijë të pranishmëve në koncert, këngën e saj “Je chanterai” dhe versionin e saj të “Back to black” nga Amy Winehouse. / KultPlus.com
Po shkojnë në amshim krijuesit letrarë për fëmijë në Kosovë. Po na varfërohet udha krijuese e këtij krahu të leterësisë, që ndër vite për lexuesit e vegjël dhuruan libra me poezi, tregime, drama me mesazhin për rritën dhe edukimin e mbarë të tyre.
Këto ditë na dha lamtumirën e fundit, klasiku i letërsisë dhe mësuesi si shkollë për krijuesit për fëmijë në Kosovë, shkrimtari Rexhep Hoxha.
Ne që u rritëm me krijimtarinë e tij, vepra e tij na mësoi sesi bëhet Atdheu…!
Në këtë nismë letrare, propozoj që Drejtoritë për Arsim dhe Kulturë të komunave në Kosovë të shqyrtojnë mundësitë që ndonjëra nga bibliotekat e qyteteve tona të marrë emrin e shkrimtarit të dashur për fëmijë Rexhep Hoxha.
Kjo nismë letrare mos të mbetët vetëm në letër./Skender Karaçica/KultPlus.com
Një këngëtare e njohur e viteve 90-të e cila e pauzoi muzikën, por duke lënë shumë gjurmë.
Pjesë e shumë festivaleve shqiptare në Maqedoni dhe në vende
të tjera, Erzana Berisha me jo shumë këngë në repertorin e saj edhe sot dëgjohet
me ëndje e vëmendje.
Vajza e artistit Agron Berisha, Erzana dikur ishte emblemë e një stili të ri muzikor.
Plot këngë të Erzanës kanë mbetur si hite në muzikën shqipe, por sot po e kujtojmë “Ti nuk je ai”.
Erzana sot jeton jashtë trojeve shqipfolëse por na ka lënë këngët e saj dhe kujtimin e një vajze e cila po të vazhdonte angazhimin në muzikë, do të arrinte shumë. / KultPlus.com
Osho, ishte mësues i famshëm, filozof dhe themeltar i lëivzjes Rajneesh. Gjatë jetës së tij ai qe udhëheqës i kësaj lëvizjeje fetare dhe mistike. Në vitet 60’, udhëtoi nëpër Indi si ligjërues publik dhe ishte kritik i socializmit, duke dhënë argumente se India nuk qe e gatshme për socializmin.
Gjatë viteve 70, Osho, i zgjeroi mësimet e tij fetare
dhe spirituale, bëri komente të gjata mbi shkrimet tradicionale fetare, mbi
mistikët dhe filozofët botërorë. Ai njihet për shumë thënie mbi jetën, dashurinë,
e të tjera, të cilat lexohen me kënaqësi edhe sot nga lexuesit e Oshos, që s’janë
pak.
KultPlus jua sjellë disa nga perlat e këtij mendimtari të madh indian.
“Jeta
është rrjedhë; ajo është lumë, zhvillim i pandërprerë. Njerëzit për vetveten
mendojnë se janë statikë. Por vetëm gjësendet janë statike, vetëm vdekja është
e pandryshueshme – jeta është ndryshim i pandërprerë. Më shumë jetë – më shumë
ndryshim. Begatia e jetës nënkupton ndryshimin e madh në çdo moment.”
“Askush
nuk është më i mirë, askush nuk është më i keq, askush nuk është identik me
dikë tjetër. Secili është unikat.”
“Pse
nuk krijojmë jetë në të cilën paraja nuk do të krijojë hierarki, por,
përkundrazi, do të japë më tepër shanse për gjithsecilin.”
“Personin fatkeq është lehtë ta robërosh. Por personin me gjallëri dhe të lumtur është e pamundur ta robërosh.” /KultPlus.com
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) pas takimeve të mbajtura me 18 Qershor dhe 15 Korrik gjatë së cilave u shqyrtuan raportet finale për vlerësimin institucional dhe atë të programeve të studimit, të hartuara nga panelet e ekspertëve ndërkombëtar. Këshilli shtetëror i cilësisë i Agjencionit të Akreditimit të Kosovës ka marrë vendim mbi akreditimin e Programit Master në Diplomaci të Kolegjit Universum.
Pra nga ky vit studentët mund ti fillojnë studimet master në Diplomaci në Kolegjin Universum. Aplikimet bëhen përmes këtij linku https://bit.ly/2HuMame
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madhë të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame
Është ndarë nga jeta bashkëshorti i këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela.
Njoftimin e ka dhënë vetë vajza e çiftit, Irma.
“Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit.
“Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi.
Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zevëndësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.
Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai.
Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithshka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka pasur fatin ta njohë”, ka shkruar Irma në këtë njoftim. / KultPlus.com
Asnjë nga gazetat ditore të Serbisë nuk e kanë shënuar deklaratën e presidentit të Francës gjatë vizitës në Beograd, Emmanuel Macron, i cili u shpreh se “Serbia dhe Kosova janë shtete fqinje europiane” dhe se Serbia duhet të ndihmojë që kjo të bëhet realitet, ndërsa për këtë nuk ka reaguar as kreu shtetëror, citon sot “Danas” i Beogradit deputetin e pavarur Gjorgje Vukadinoviqin.
Sipas tij, gazetat nuk e kanë transmetuar këtë deklaratë me siguri nga dëshira që të mos cenohen marrëdhëniet e mira dhe atmosfera pozitive në lidhje me vizitën, transmeton Koha.net.
Pasi këtë shmangie citimi të deklaratës së Macronit e ka cilësuar “censurë të dëmshme”, ai ka kritikuar Ministrinë e Jashtme që nuk ka reaguar “me mirësjellje e kulturë”, duke ia tërhequr vërejtjen e ambasadorit francez se “Kosova nuk është fqinje e Serbisë”…
Deputeti Vukadinoviq kishte pritur që Macron t’i kërkonte falje Vuçiqit, për trajtimin përbuzës të tij në Paris muaj më parë, ndërsa e kritikoi që rastin e raportove Kosovë-Serbi i kontekstualizoi me raportet Francë –Gjermani. / KultPlus.com
Ashtu siç është arti i të folurit në publik, një aftësi e cila mund të mësohet dhe zotërohet nëpërmjet praktikës, e njëjta vlen edhe për të kundërtin e tij, artin e heshtjes pra – dëgjuesit e mirë nuk posedojnë ndonjë dhunti speciale, apo aftësie të pamundur për të tjerët – dëgjimi i kujdesshëm është një aftësi që mund ta mësosh.
Shkolla e Suksesit dëshiron të ndajë me ndjekësit e saj këtë informacion të rëndësishëm për skalitjen e aftësive dëgjues që do t’ju ndihmojnë në shumë situata të rëndësishme të jetës tuaj. Si të veproni kur të tjerët nuk po të dëgjojnë ty, si ta hiqni vesin e ndërprerjes së tjetrit ndërsa ata flasin, dhe si ta dëgjoni atë që nuk thuhet…
Dëgjimi i kujdesshëm është një aftësi e padukshme. Nuk preket. Nuk shihet. Nuk e shpall vetveten, por mund të jetë arma sekrete më e fuqishme në dispozicionin tënd.
Pse? Gjëja e parë për t’u bërë një dëgjues më i mirë është të kuptosh pse është kaq e vështirë?
Ja disa gjëra për t’i mbajtur në mend. Një fajtor i zakonshëm në botën tonë moderne është thjesht se ne jemi të hutuar. Studimet kanë treguar në mënyrë të përsëritur se nuk janë aq të shumta gjërat që truri i njeriut mund të përqëndrohet në në të njëjtën kohë. Nëse po luan me celularin tënd dhe merr një njoftim që duhet ta kontrollosh, ose po përpiqesh të bësh 10 gjëra në të njëjtën kohë, diçka do të të shpëtojë..
Një arsye madhore tjetër pse njerëzit dështojnë të dëgjojnë është, në një nivel shumë themelor, se ata janë shumë të zënë duke i ndërprerë të tjerët ndërsa flasin.
Tani, pse e bëjmë këtë sjellje? Ndonjëherë me të vërtetë që i ndërpresim të tjerët për arsye të mira. Dikush thotë diçka që ju ngacmon kujtesën dhe ju ngarkon emocionalisht e që ju bën menjëherë të doni të thoni dhe të kontribuoni.
Je nga Parisi? E dua Parisin! Unë shkova në Paris në muajin e mjaltit tim! Aty është dyqani më i lezetshëm i djathit. Por ky emocionim zakonisht keqkuptohet dhe merret si fyerje, sepse në veshët e tjetrit shkon ky mesazh: nuk po vijoj të dëgjoj atë që po thoje dhe tani dua vetëm të dëgjoj veten të flas.
Një arsye tjetër pse njerëzit nuk dëgjojnë plotësisht ësht se ndihen nervozë! Dhe kështu kur personi tjetër po flet, ata nuk po dëgjojnë por thjesht po mendojnë përgjigjen që do japin.
Së fundi, një tjetër skenar i zakonshëm është se dikush po përpiqet t’ju japë përgjigje. Përgjigjet që ju nuk dëshironi domosdoshmërisht ose bini dakord. Pra, i ndërprisni ata, nuk i lini ata të përfundojnë, dhe ju debatoni për çdo pikë. Natyrisht, ata nuk do të ndjehen të dëgjuar.
Si ta kuptoni kur nuk po e dëgjoni tjetrin?
Është në fakt pak e ndërlikuar, sepse meqenëse mendja juaj është diku tjetër, nuk po e çoni vëmendjen aty ku duhet të jetë, dmth. duke dëgjuar personin që flet me ju. Pra, duhet të mësojmë të vëzhgojmë veten tonë dhe të bëhemi të vetëdijshëm për këtë, kështu që ne mund të ndalemi para se të ofendojmë dikë.
Kur e kapni veten duke ndërprerë personin tjetër, ndaloni. Ti nuk po u jep atyre hapësirë të mjaftueshme biseduese. Duhet t’i lini të përfundojnë.
Së dyti, drejtimi i bisedës në një temë tjetër. Tani, kjo ndodh gjatë gjithë kohës në mënyrë organike dhe nuk është problem. Nëse po bisedoni me një mik, diçka që ai mund të thotë, ju kujton diçka tjetër dhe ju largoheni në tema pa lidhje me të parën. Por sidomos nëse personi tjetër po përpiqet të flasë me ju për diçka që ata mendojnë se është e rëndësishme, ata do të shqetësohen dhe nuk do të ndjehen të dëgjueshëm, nëse po komandoni diskutimin dhe injoroni atë që po përpiqen të thonë.
Së treti, kundërshtimi i një ideje të papërfunduar.
Së katërti, duke luajtur me pajisje elektronike. Nëse e gjen veten duke bërë këtë, është një shenjë e keqe, sepse personi tjetër po vë në dukje shumë. Krijo një sjellje për ta mbajtur telefonin tuaj celular në çantën tënde, ose të paktën të përmbysur në tryezë kur përpiqesh të kesh një bisedë me dikë. Ju nuk keni nevojë për ndezje të dritave dhe zhurma t’ju tërheqin vëmendjen.
Së katërti, po u kërkoni që të përsërisin gjërat shpesh? Është një gjë nëse jeni në një mjedis të zhurmshëm dhe thjesht nuk mund të dëgjoni. Por nëse është vend i qetë dhe duhet t’i kërkoni që ta thonë diçka përsëri, është ndoshta sepse mendja juaj po endet. Kur dikush ju thotë, “A po dëgjon”, apo edhe më keq, “Nuk po më dëgjon,” është tepër vonë. Ata ka të ngjarë të lëndohen ose ofendohen, sepse ata po përpiqeshin të përcjellnin diçka dhe nuk treguat interes. Mos lejoni që të bini aq poshtë. Duke vrojtuar veten dhe duke monitoruar këto shenja, ju mund të frenoni veten dhe të ingranoni mendjen përsëri në temë.
Struktura e të dëgjuarit me vëmendje
Gabimi themelor që bëjmë dhe për të cilin nuk jemi për t’u fajësuar ka lidhje pikërisht me termin “dëgjim” dhe kështu prej tij ne marrin si sinjal subkonsh për të aktivizuar vetëm shqisën e dëgjimit kur duhet të dëgjojmë dikë, kujto këtu shprehjen “hapi veshët mirë!”. Le të flasim pak për strukturën e dëgjuarit me vëmendje. Cilët janë përbërësit kyç që na garantojnë se me të vërtetë po e bëjmë siç duhet?
Këto janë 4 principet themelore për t’i ndjekur për të dëgjuar në mënyrë efektive.
E para, ka të bëjë me përdorimin e hapësirës dhe heshtjes. Sigurisht, kjo ka kuptim. Të dëgjosh do të thotë të lejosh tjetrin të flasë. Ata nuk flasin dot nëse nuk ka një heshtje ose një ndalesë në bisedë në të cilën mund të shprehen. Po ua jepni të tjerëve hapësirën e nevojshme për t’u shprehur?
Së dyti, në një këndvështrim sipërfaqësor mund të mendosh se kjo nuk ka lidhje me të dëgjuarit, por është e vërtetë njerëzit dëgjojnë edhe me sy jo vetëm me veshë. Mbajtja e kontaktit me sy tregon se jeni online me bisedën dhe të angazhuar në të. Është një mënyrë për të përcjellë empati dhe ta bësh tjetrit të ndjehet i kuptuar. Pa këtë, njerëzit nuk do të ndjehen aspak komod të shprehen lirshëm.
E treta, vëreni me kujdes gjuhën e trupit. Fillimisht tuajën, sigurisht. Ju nuk duhet të keni gjuhën e mbyllur të trupit, çka do të thotë njëra këmbë mbi tjetrën, krahët e kryqëzuar apo në rastin më ekstrem të kthyer gjysëm-shpinë nga tjetri, sepse nëse i bën njërën nga këto, gjuha jote e trupit po i ulëret tjetrit, “s’ta kam ngenë”,“po më mërzit!”
E katërta: Sigurohuni se po bëni pyetje që kërkojnë përgjigje të gjërë. Nuk i jep edhe aq shumë hapësirë dikujt që dëshiron të relacionohet me ju nëse u drejtoni atyre vetëm pyetje që marrin një Po ose një Jo si përgjigje shteruese.
E pesta: Të dëgjosh atë që nuk thuhet. Të dëgjuarit mirë sigurisht që ka lidhje me kapjen e kuptimit të fjalëve të tjetrit, por kjo është vetëm gjysma e punës, gjuha trupore e tyre flet shumë e thotë gjëra super të sakta. Ndaj, si një dëgjues i mirë është detyra jote gjithashtu që të dëgjosh atë nuk po thuhet me zë, por me trup.
Ja si bëhet kjo: Në fillim përpiqu të bësh të një vlerësim të gjendjes emocionale të tjetrit pastaj kontrollo nëse kjo gjendje emocionale përputhet me gjuhën e tyre trupore. Pra këtu është fjala të bëhesh gjuetar papërputhshmërish!
Një trup i kërrusur me shpatulla të mbledhura përpara qafën poshtë është e kotë që të ndërtojë biseda të gëzueshme, ky është një kontrast i madh dhe ata ose po shtiren ose po bëjnë sforco të mëdha të duken të qetë, të relaksuar ose të gëzuar thjesht për të mos prishur komfortin tuaj.
Një tjetër element i rëndësishëm janë ato që quhen mikroshprehitë. Një fushë e sjelljes mbi të cilën studiesi Paul Ekman ka dhënë kontributin e tij fillestar, dhe ja çfarë janë ato:
Zakonisht njerëzit përpara se ta thonë diçka me zë, ata e përsërin në fillim me vete duke e dëgjuar brenda kokës së tyre, dhe kur e bëjnë këtë mund të ndodhë ndonjë shtrëmbërim buzësh, thartim fytyre, ngritje vetulle. Këto janë shenjat e para të asaj që po përpunohet të thuhet pastaj në mënyrë së zëshme.
Pra si të t’ja bëjmë që të mos i ndërpresim të tjerët kur flasin?
T’i dëgjosh. Kur ndërpresim tjetrin po i themi se nuk na intereson ta dëgjojmë, dhe një dëgjues i mirë është ai që përdor jo vetëm veshët por edhe sytë, dhe një person që dëgjon në këtë mënyrë, e ka të pamundur ta ndëpresë tjetrin ndërsa shprehet. / KultPlus.com
Shkrimtari George R.R. Martin tha se pavarësisht nga reagimet negative rreth përfundimit të serialit televiziv, “Game of Thrones”, nuk do të ndryshojë asgjë në librat e ardhshme të “A Song of Ice and Fire”.
Katër sezonet e para të “Game of Thrones” në masë të madhe janë bazuar në pesë prej romaneve të Martinit.
Për zhgënjimin e fansave, Martini në një intervistë për revistën Entertaiment Weekly tha se fati i personazheve kryesore do të mbetet i njëjtë, për shkak se dëshiron të shkruajë një libër siç e kishte menduar më parë.
“Unë jam i tunduar për të ndryshuar atë -” Oh, Zot, jo. Unë duhet të mendoj për diçka të ndryshme, por kjo është e gabuar, sepse kisha planifikuar një vend të caktuar. Dhe nëse e ndryshoni atë vetëm për shkak se dikush e kuptoi ndryshe, atëherë ajo do ta shkatërron tërë strukturën”, tha Martin.
Shkrimtari tha se ishte nën presion të madh për të përfunduar librin para fundit të serialit, por tani është nuk do të nxitohet pas përfundimit të serialit.
“Ajo do të jetë gati kur është gati”, ka thënë Martin duke folur për botimin e librit të ardhshëm. /Telegrafi/ KultPlus.com
Alexis e ka një sëmundje që ia kërcënon jetën. Ajo e kalon kohën në hapësira të pyllëzuara të Skocisë veriore, ku kujdeset për dhjetëra kafshë të sëmura, të plagosura apo që janë në prag të ngordhjes.
Disa nga kafshët për të cilat ajo kujdeset kanë kancer terminal, disa janë nga ato që do të vriteshin për shkak të paaftësive të tyre, e disa janë shpëtuar nga thertoret. Alexis u ofron kujdes thelbësor paliativ.
Filmi dokumentar që reflekton mirësinë përball fundit të jetës, hulumton ndjeshmërinë dhe forcën që vjen nga përcaktimi për t’ia kushtuar jetën të tjerëve.
Realizimin e ditores Guardian, mund ta shihni të plotë më poshtë. /Telegrafi/ KultPlus.com
Viti 2019 po karakterizohet me premierat e filmave vizatimorë, të cilët kompania e famshme “Walt Disney” ka vendosur t’i përpunojë dhe t’i prezantojë në një format tjetër. BBC-ja konsideron se për shumë gjenerata filmat e “Disney”-t janë kthim në kohët e mira të fëmijërisë e në komoditet. Sipas tyre, “Disney” po e shfrytëzon në aspektin pozitiv këtë mundësi, duke sjellë sërish në ekranet e mëdha kryeveprat e veta.
“Njerëzit kanë prirjen të kënaqen duke qenë nostalgjikë”, thotë dr. Wijnand van Tilburg, një psikolog dhe ekspert i nostalgjisë në “King’s College London”. Ai e përkufizon nostalgjinë si “një dashuri të zjarrtë ose dëshirë të madhe për të kaluarën”. “Kjo ndjenjë e lidhjes nga vetë e kaluara te vetja e tashme – kjo është diçka që njerëzit e shohin si shumë kuptimplotë në jetë”, thotë ai. Wijnand e konsideron si emocion të fuqishëm ndjesinë që i bën njerëzit të kthehen në kohë. “Këto kujtime nostalgjike japin një lloj pikture të ngjyrosur të së kaluarës, që i bën njerëzit të ndihen më mirë”, ka theksuar psikologu Wijnand. “Mbreti luan” është filmi i tretë i “Disney”-t që do të jepet premierë këtë vit, pas filmit për elefantin “Dumbo” dhe “Aladdin”.
Këta filma erdhën pas ripërpunimit të filmit “Hirushja” (2015), pastaj “Libri i xhunglës” (2016) dhe “Bukuria dhe bisha” (2017). “Disney” ka njoftuar gjithashtu se edhe filmat “Mulan” dhe “Sirena e vogël” do të publikohen në të ardhmen dhe se planifikohet që edhe shumë filma të tjerë të ripërpunohen.
Filmat e “Disney”-t keni mundësi t’i shihni edhe në Kosovë.
Kinemaja austriake “Cineplexx” do të sjellë më 18 korrik premierën e filmit “Mbreti luan” në disa terminë. Biletat për këtë film kanë dalë në shitje tash e disa ditë.
Tash e shumë vite “Disney” në përgjithësi, por edhe “Disney Land” në veçanti, perceptohet jo vetëm si kënaqësi ose atraksion për fëmijët, por edhe për të rriturit. Punonjësit e “Disney Land”-it i kanë thënë BBC-së se ka shumë raste kur të rriturit e vizitojnë këtë vend pa fëmijët e tyre, ose edhe çiftet e reja që nuk kanë ende fëmijë. Një nga qëllimet kryesore të kompanisë është që t’i bëjë njerëzit të ndihen sikur po kthehen në fëmijëri dhe këtë po e arrijnë shumë mirë edhe përmes filmave./ Zëri/ KultPlus.com
Dje u dha lajmi se Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” humbi akreditimin institucional nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Sipas kësaj, ky universitet nuk do të mund të regjistrojë studentë të ri këtë vit akademik.
Pas këtij vendimi, universiteti reagoi përmes një shkrimi publik ku kërkohej ndaj Kuvendit të Kosovës që të ndërhyjë në këtë vendim, por ky reagim i tyre, ndonëse i shkurt, në vete përmban gabime të shumta drejtshkrimore.
Institucion i arsimit të lartë, por me nivel të ulët drejtshkrimor. / KultPlus.com
Rexhep Hoxha në letërsine tonë bashkëkohore për fëmijë është i njohur jo vetëm si poet, tregimtar, por edhe si romansier. Romani i tij “Lugjet e verdha” është një ndër veprat më të lexuara të kësaj letërsie. Sikurse “Lugjet e verdha” ashtu edhe romani, “Verorja” është bazuar në letërsinë tonë gojore. Kjo vepër është frymëzuar nga përralla jonë popullore “Mbreti dhe tri motrat”.
Mirëpo, nëse e krahasojmë përrallën popullore dhe veprën e Rexhep Hoxhës, vërejmë dallime rrënjësore. Autori i romanit ngjarjen e ka zhvilluar duke mos iu përmbajtur besnikërisht përrallës dhe parimeve të saj. Vetë personazhi kryesor i kësaj vepre, Verorja nuk është bartës i veprimit kryesor. Në shumë situata Verorja as që është e pranishme.
Mirëpo, kjo nuk mund të merret si e metë e kësaj vepre. Parimet e një zhanri gjatë procesit kreativ, mund të mos respektohen, por në këto raste lypset që i procedimi i ri i shkrimit, të sjellë diçka të re dhe të vlefshme në pikëpamje letrare. Jemi të mendimit se në këtë aspekt Rexhep Hoxha një sukses të tillë e ka arritur. Ngjarja zhvilohet nëpërmjet rrëfimit, që rrënjësisht shquhet nga i njejti procedim që e vërejmë në paraqitjen e ngjarjes në përrallë. Nëse krahasohet struktura narrative e kësaj vepre me atë të romanit të parë “Lugjet e Verdha”, po ashtu bie në sy një dallim i qartë.
Tani në mënyrë më të zhdërvjelltë dhe dinamike rrëfehet ngjarja. Lirizmi që ka qenë element i veprës së parë, në romanin e ri pasurohet me elemente të reja shprehëse. Personazhet e romanit si bartës kryesor të ngjarjes, janë paraqitur me mjeshtëri. E tillë është për shembull, Shkelja, gruaja e parë e Dasho Rrapit i cili grabiti për grua Veroren. Ndaj Verores, Shkelja sillet në mënyrë dhelpërake.
Ajo bashkë me Galushen, shërbëtoren e saj, arrin qëllimin e vet për ta përzënë dhe për ta vënë Veroren në pozitë të mjerueshme: faktikisht pasi lind Verorja fëmijë: Hënën dhe Yllin, ia merr foshnjet Verores dhe në vend të tyre ia ven kësaj në gji dy këlysh. Në këtë rast Dasho Rrapi i mashtruar shumë keq nga gruaja e parë, urdhëron që të çohet Verorja në stele bashkë me këlyshët. Siç vërehet edhe emrat Shkelja dhe Galusha kanë domethënie figurative. Ato personifikojnë shpirtëkeqësinë e tyre. Sa i përket karakterit të Veronës mund të themi se ajo pajtohet me fatin e vet. Mu atëherë kur del e vërteta në shesh, që është paraljmëruar, Verorja thotë: “Pse i ngujuat ato, (këtu ëshë fjala për Shkelen dhe Galushën) më mirë të më kishit lënë mua aty”.
Një personazh tjetër, Sqeparti është zog i cili përcjell ngjarjen shqetësuese dhe i ndihmon Verores. Në romanin “Verorja” pikëpamjet sociale dhe etike janë strukturuar me mjeshtëri. Kjo vërehet në mënyrë mjaft të bindshme në dialogun dinamik që zhvillojnë Qeli dhe Quli. Qeli kërkon që në jetë të bëhen kompromise. Ai i thotë Qulit: “Kah shkon bota shko edhe ti”. Ai i përgjigjet: Po të gënjej bota duhet edhe unë të gënjej. Mjaft tërheqëse në këtë vepër është edhe legjenda që flet për Tarapushin, qenien përbindëshe që dikur ka qenë njeri dhë është shndërruar në zog përbindësh, që në vendin e tij, në Rrasën e Gurit, kush shkonte e shndërronte në gur.
Tarapushin, faktikisht e ka mësuar jeta e vrazhdë dhe e padrejtë të sillet në mënyrë të tillë. Në këtë rast imponohet qëndrimi sakrifikues dhe trimëror i Yllit, i cili pasi ka dhënë besën vendos të shkojë atje. Edhe pse e di se ç’e pret në vendin e Tarapushit, ai niset të shkojë. SI thekson Ylli trimërisht: “Më e shtrejtë është besa se jeta ime”. Romani duket se është i papërfunduar. Por kjo nuk duhet të vërehet sipas parimeve të ngurrta tradicionale. Autori mund të vazhdojë ngjarjen në ndonjë vepër tjetër, por nuk është i detyrueshëm. Shumë çka në jetë mbetet torzo, e pambaruar. Kjo është filozofia dhe kuptimi i jetës në përgjithësi. Vështrimi është emetuar në emisionin Tribuna e Kritikës ne Radio Prishtinë, me 1983/ BotaSot/ KultPlus.com
Babai tentoi të dhunojë vajzën e parritur muaj më parë. Xhaxhai denoncohet nga mbesa për dhunim seksual. I kërkoi të abuzonte seksualisht dhe u padit në gjykatë.
Një gjysh tenton të dhunojë mbesën… Nuk shkoi shumë dhe së fundi pjesë jete si këto më lart ndodhin në albanian real-life të së përditshmes sonë. 18 vjecarja trimërohet pas tri vitesh abuzimi dhe vendos të denoncojë, as më pak dhe as më shumë, por të atin e saj sepse ‘sevdaliut’ malinj i ish ndezur malli i një vegimi të largët shtazarak. Thuajse javë për javë për të mos thënë gati më shpesh në revistën e përditshëm informative ka një njoftim të tillë. Ndodhin krime të tilla në veri e në jug, në fshat e në qytet, në brezin e parë e të dytë të familjes.
Të duket sikur përditë përsëriten krimet më të përbindshme të njerëzimit, krimi i origjinës, mëkati fillestar, delikti i kohërave kur kjo shoqëri që ka mbërritur deri në ditët e sotme ende ishte shumë larg jo “familjes së shenjtë”, por shumë larg dallimit gjenetik të vetes prej tjetrit, të lidhjes së gjakut e të gjinisë prej lidhjeve të tjera, duke përfshirë madje edhe lidhjen e trashëgimisë ?!
Ndërsa përcjellim tek teleshikuesi me rreptësinë dhe seriozitetin e displinës së studios, të tilla lajme të gjëmshme, në mendje na kalojnë rregullisht si një tërmet tronditës pikërisht pyetjet me të cilat i nis dhe këto shënime. Në mënyrë torturuese më mundojnë këto pyejtje kur, pas edicioneve të lajmeve, ja ku vijnë psikologët, sociologët, antropologët, mbrojtësit e të drejtave të të miturve, mbrojtësit e të drejtave të grave, organizatat joqeveritare për një familje të shëndoshë, për barazi shansesh, për asistencë në traumë, dhe të gjithë pëshpërisin të njëjtën idiomë: Krimi në Familje po rritet – Ja ç’po ndodh !
Atëherë e ndjen veten si ajo skulptura e Laokoontit, që ankohet prej mijëra vjetësh se nuk e kuptoi askush. Të gjithë shkojnë para saj dhe fotografojnë pamjen dhe mashtrimin, por askush nuk mundohet të gërvishtë pak më thellë.
Incesti po shkatërron edhe lidhjet më të përjashtueshme prej shkatërrimit moral! Marrëdhënie brenda gjakut ditën dhe natën, mes të rinjve dhe të vjetërve, çdo javë, çdo muaj, pambarim! Dhe lajmësit e kumtuesit, pa e vrarë aspak mendjen, këtë konfirmojnë. Familja shqiptare është nën peshën e krimit: dhuna seksuale është përhapur edhe brenda gjinisë; pa folur për atëvrasës e mëmëvrasës të panumërt, që tmerrojnë dita me ditë njerëzinë. Por analizës i duhet shkuar deri në thelbin e saj! Cfarë është ajo që ndodh në të vërtetë?
Nëse është e vërtetë që ndër shqiptarët, incesti dhe krimi vrastar brenda gjakut është aq i përhapur sa njoftohet e komentohet rregullisht në shtyp, atëherë dikush duhet të kujtohet më së fundi të pyesë: Këto krime me të cilat e ka ndarë veten njerëzimi qysh prej kohërave biblike, që prej mbarimit të matriarkatit, që prej krijimit të tabusë universale të përjashtimit të fëlligështisë në gjak, që prej daljes së botës prej kompleksit të Edipit dhe shpëtimit të njeriut nga fataliteti i marrëdhënies brenda familjes, që prej konsakrimit dhe shenjtërimit të familjes monogame; me kaq përhapje sa kanë, a nuk janë shenjë e një zgjimi barbar çmendurak, shenjë e një lajthitjeje të përgjithshme, që duhej të kish tronditur me kohë gjithë këtë bashkësinë tonë të kaq të shumë quajtur në tranzicion ?!
Duhej të kalonin edhe pesë shekuj për të ardhur tek krishtërimi dhe shenjtërimi i familjes kur grekët e vjetër tronditeshin, frikësoheshin, purifikoheshin, duke e parë në skenë teatri, jo si krim jetësor, tmerrin e pafund të Edipit mbret, i cili gjithë jetën e ndërtoi në të atillë mënyrë që t’i shmangej incestit të paralajmëruar, si dënim nga hyjtë. Atë që grekët e vjetër e shihnin si gjëmë vrastare në skenë, ne, ata që njoftojnë ngjarjet dhe ata që i komentojnë ato, e shohin përditë para syve, në kasolle, në apartamente, në autovetura, në dyer komisariatesh policie, si realitet parësor.
Ky refren eufemik që përsëritet, nuk mund të pranohet më ! Është një stad që bota e ka kaluar një herë e mirë sepse ai që quhet “incest” apo “atëvrasje” mund të ndodhë vetëm si një krim tejet i rrallë, mbase më i rralli ndër të gjitha krimet, në raste të sëmundjeve patologjikisht fatale, nga të cilat, për fat, arsyeja dhe shëndeti njerëzor janë përgjithësisht të vetëmbrojtura prej vetë rrugës që ka ndjekur njerëzimi.
Mirëpo, nëse “krimi në familje“, “incesti“ dhe “atëvrasja”, nuk kanë këtë shpjegim të rëndomtë dhe gjenetikisht e racërisht penalizues, çfarë mund të jetë vallë? Diçka më e lehtë? Diçka më e fshehtë?! Me sa duket po. Afro 30 vjet më pare, kur Ismail Kadare shkroi novelën “Kush e solli Doruntinën” dhe guxoi të evokonte në brendi të saj një kujtim të frikshëm të fëmijërisë së njerëzimit, incestin motër-vëlla, shoqëria namusqare shqiptare e refuzoi menjëherë, duke e quajtur një dhunim të pafalshëm të traditave të shkëlqyera shqiptare. Dhe kjo nuk po ndodhte në realitetin e kohës, por në një vepër letrare me subjekt shumë të largët. E njëjta shoqëri namusqare sot dëgjon me indiferencë për incestin njësoj si të dëgjonte për aksidente në rrugë. Apo ndoshta nuk është incesti krimi i vërtetë ?!
Në veprën e tij “Totem e tabu” psikanalisti i mirënjohur Zigmund Freud ka përcaktuar rrugën historike të krijimit të tabuve njerëzore, njëra prej të cilave, në mos themelorja është përjashtimi apo ndalimi i incestit, por jo më pak dhe përjashtimi e ndalimi i atëvrasjes e ndërsjelltas. Arsyetimi i frojdistëve dhe i neofrojdistëve, që me sa duket është më bindësi edhe për historitë shqiptare me krim në familje, është se përgjithësisht ato krime që paraqiten si incest, në të vërtetë në shumicën e rasteve nuk janë aspak incest. Sepse rruga historike e ngulitjes së tabusë (ndalimit) ka krijuar tek njeriu fiziologjikisht mekanizmat vetëmbrojtës, mekanizmin e pamundësimit të marrëdhënies seksuale midis prindit dhe fëmijës, midis njerëzve të lidhur në gjak. Edhe sikur vetëdija t’ia nxisë njeriut prapësinë, historia njerëzore ka bërë përkryerjen psikologjike dhe fiziologjike, që ta bëjë të pamundur këtë krim, përmes sistemesh frenimi që nuk mund t’u gjesh shpjegim racional të pastër. Sepse këto mekanizma janë krijuar në kohën kur njeriu po dilte nga koha barbare. E njëjta vijë arsyetimi vlen edhe për atëvrasjen ose anasjelltas. Dora e babait nuk ngrihet fizikisht për të qëlluar mbi djalin apo vajzën dhe anasjelltas. Gjaku ka bërë punën e vet, ka mbrojtur institucionin gjenetik të trashëgimisë.
Ka një krim tjetër që fshihet pas “incestit” dhe “atëvrasjes”, sipas analizës frojdiste dhe postfrojdiste. Duket se babai dhunoi vajzën, xhaxhai apo gjyshi mbesën, por në fakt, përveç rasteve të sëmundjes patologjike, kur kjo marrëdhënie arrin të kalojë tabunë e të realizohet, incest apo atëvrasje nuk është. Thjesht fotografohet e lexohet kështu. Në thelbin e vet këto fakte njoftojnë për një shtrembërim shumë më të hershëm në familje. “Babai“ që dhunon vajzën e vet në të vërtetë nuk është babai. “Djali“ që vret babain e vet në të vërtetë nuk është djali. Një raport i tillë ekziston vetëm sepse kështu rezultojnë gjërat në gjendjen civile. Në thelbin e tyre gjërat janë pak më ndryshe. Lidhja e gjakut nuk ekziston. Por ekziston një familje me shtrembërime dhe fiktivitete të rënda. Dhe ky shtrembërim e kjo shthurje e hershme paraqitet si incest apo atëvrasje. Dhe njerëzit me indiferencë kriminale mendojnë se sa poshtë ka rënë njeriu shqiptar, duke u kthyer në kohërat paramorale dhe paranormale, në kohërat e barbarisë. Në lidhjet gjenetike ka disa të tilla që janë gjenetikisht të papërjashtueshme. Një lidhje e tillë është ajo midis dajës dhe mbesës. Mirëpo a nuk është për t’u çuditur që nuk kemi lajme të incesteve të tilla, në linja të sigurta të lidhjes së gjakut, inceste midis vëllait e motrës, nënës dhe djalit, dajës dhe mbesës? A nuk është dhe ky një argument i tërthortë se prapa incestit fshihet diçka tjetër ?!
Të gjitha këto raste “incesti” dhe atëvrasje, apo anasjelltas, janë njëherësh edhe çështje të kriminalistikës. Njerëzit dënohen, vuajnë; familjet shkatërrohen. Por a ka ndodhur qoftë dhe në një rast të vetëm që një institucion hetimi të ketë kërkuar, p.sh., të bëhen analizat e kodit gjenetik, për të provuar përfundimisht nëse vërtet është rasti i një të sëmuri a snobi që ka shkuar në kufijtë e incestit, apo i ashtuquajtur incest është thjesht sipas certifikatave të gjendjes civile? Një gjë e tillë nuk ndodh ndër ne. Më mirë një turpërim tërësor, që trondit themelet e racës dhe të bashkësisë, se një hetim për të zbuluar të vërtetën.
Por besoj se shqiptarët nuk mund të kenë rënë kaq poshtë. As si të sëmurë, as si snobë. Kërkoni krimin tjetër përtej krimit në familje dhe çlirojeni këtë shoqëri nga makthi i barbarize kushdo qofshi, psikologë apo dhe sociologë, policë dhe gjyqtarë ! Kërkojeni këtë krim edhe nëse e ka emrin “fëmijë jashtë lidhjes martesore”, sepse është shumë më i denjë, nëse kjo fjalë mund të përdoret pranë fjalës “krim”; është shumë më e denjë se incesti apo atëvrasja ! është shumë më i denjë sepse do të jetë një shërim psikologjik dhe një rivendosje e autoritetit të lidhjes gjenetike në vendin që i takon. Dhe pastaj le të kërkojmë së bashku shkaqet e shthurjes së familjes: mungesa e rreth 600 mijë djemve të rinj që kthehen në Shqipëri vetëm për dy javë pushime, efekti i lirisë dhe i hapjes, ngatërrimi i realitetit të parë me atë të dytë dhe çdo lloj faktor tjetër? / KultPlus.com
Dje në rrjetet sociale u bë virale një video ku dy të rinj vandalizonin bustin e Françesk Radit.
Kjo video ka prekur dhe mërzitur shumë mbesën e këngëtaritm Rozana Radin.
“Është bërë virale sot një video, ku dy adoleshentë dhunojnë bustin e kantautorit Francesk Radi. Përveç lidhjes familjare, sot dua të flas si qytetare e këtij vendi në të cilin dua të rris nesër fëmijët e mi. Dua të flas si një dashamirëse e muzikës. E kam parë që në orët e para të paradites këtë video dhe ende jam në pritje që “Policia do t’i identifikojë autorët”, të cilët do të vihen përpara përgjegjësisë.
‘ Keqardhje e madhe për këtë brez që po rritet në Shqipëri. Do isha shumë kurioze t’i njihja nga afër këta dy adoleshentë e t’i pyesja se çfarë ju bëri busti i një artisti i cili i dha aq shumë muzikë Shqipërisë. Në moshën tuaj Franko pas shkolle merrte këtë kitare që ju po përpiqeni t’ia hiqni nga duart dhe këndonte. E internuan e larguan nga nëna nga babai nga motrat nga vëllezërit por kitarën nuk ia hoqën dot’.
‘Nuk di në cilën fytyrë t’ju pështyj e t’ju tregoj gjithë zemërimin tim të vajzës të djalit, të bashkëshortes por më shumë të spektatorit që Franko i dha gjithë rininë . A i keni bërë pyetjen vetes nëse i keni lumturuar me këtë gjest familjaret tuaj? A janë krenarë për atë që ata përfaqësojnë…..Në Shqipërinë tonë vërtet mungojnë shumë gjëra, por një gjë e kemi të sigurt (më mirë një seks i sigurt, se një fëmijë i tillë)’.
‘Ju lutem autoriteteve të ndjekin rastin dhe t’i vënë para përgjegjësisë të dy këta palaço të cilët na e bëjnë pis artin kulturën dhe rininë shqiptare!Sot është dhunuar një vlere publike. Nesër një tjetër e një tjetër……” ka reaguar në një postim online./Gazeta Liberale / KultPlus.com
Është vjedhur busti i Atë Shtjefën Gjeçovit në fshatin Zllakuqan të Pejës, i cili ishte i vendosur në shkollën që mban të njëjtin emër. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e shkollës “Atë Shtjefën Gjeçovi” nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. “Të vranë për herë të dytë, hajnat për përfitim … ose kushdo qofshin ata! Nuk vidhet shkolla”, kanë shkruar ata.
Atë Shtjefën Gjeçovi ishte prift françeskan shqiptar, i cili u lind më 12 korrik 1874 në Janjevë të Kosovës, ndërsa u vra në vitin 1929 në fshatin Zym të Hasit. Kryevepra e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej së pari tek “Albania” e Konicës më 1897-98 [13] dhe më pas në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e Hyllit më 1913-n gjer më 1924-n.
Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit ai mblodhi normativën e rendit dokësor ndër shtresëzimet më të mbrame të këtij të fundit. Shenjat e këtij punimi dukeshin qysh më 1911-n, kur ndikoi fort në botimin “Visaret e Kombit” të sivëllait V. Prennushi. Pa llogaritur artikujt e shumtë “Përralla popullore” (1903), “Doke e zakone vdekjeje” (1907), “Mënyra e jetesës në Malci” (1908), “Doke e zakone dasmash” (1910-1911), “Vaje” në raste vdekjesh (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij./ Zëri/ KultPlus.com
“Fusha e mëllenjave”
me skenar dhe regji të Arzana Krajës, do të hapë zyrtarisht edicionin e 11-të
të PriFest, sot, më 16 korrik, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, përcjell
KultPlus.
Filmi “Fusha e
mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë
– Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production
(Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e
Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.
Në rolet kryesore
janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire
Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet
Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.
Syla, një ish-i burgosur politik, kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij. / KultPlus.com