Ja sa libra mund t’i lexoni në një vit nëse nuk e humbisni kohën në rrjetet sociale

Me shfaqjen e trendeve të rinj, sidomos të atyre që vijnë nga mania e rrjete sociale, librave ju ngelet gjithnjë e më pak vend.

Dikur i cilësuar si rruga e garantuar drejt suksesit, sot librat e rinj tërheqin më pak lexues. Librat më të shitur dikur quheshin “bestseller”, një term ky gjithnjë e më pak i dëgjuar, dhe me gjasë i zëvendësuar me shprehjen “influencer”, duke aluduar në personalitetet që guxojnë të paraqesin veten si “role model”.

Kur njëherë e kishin pyetur sipërmarrësin e njohur amerikan Warren Buffett-in për sekretin e tij drejt suksesit, ai e kishte drejtuar gishtin kah një grumbull librash dhe kishte thënë: “Lexoni 500 faqe çdo ditë …”

Ndoshta ju nuk mund arrini 500 faqe në ditë, por, sipas ekspertëve, duke u përkushtuar ju mund të arrini t’i lexoni deri në 200 libra brenda një viti.

Vendimi për të filluar të lexoni mund të jetë një nga vendimet më të rëndësishme në jetën tuaj.

Librat jua japin guximin për të udhëtuar, guximin për ta lënë punën nëse nuk jeni të kënaqur.

Sidoqoftë, çfarë nevojitet për t’i lexuar 200 libra në vit? Epo, gjithçka është matematikë e thjeshtë dhe leximi i 200 librave në vit nuk është aspak gjë e vështirë.

Një matematikë e kapshme…

Fillimisht, le t’i shikojmë dy statistika të shpejta:

– Mesatarisht një amerikan i lexon 200-400 fjalë për minutë (nëse jeni lexues i rregullt, ju mund t’i lexoni 400 fjalë për minutë)

– Librat jo-triller i kanë mesatarisht 50,00 fjalë

Tani, le t’i bëjmë disa kalkulime të shpejta:

– 200 libra + 50,000 fjalë/libër = 10 milionë fjalë

– 10 milionë fjalë/400 fjalë për minutë – 25,000 minuta

– 25,000 minuta/60 = 417 orë

Pra, kjo është logjika – për t’i lexuar 200 libra, ndani 417 orë në vit për të lexuar. E para se të ankoheni se nuk keni kohë, ne do t’ju tregojmë se faktikisht keni mjaft kohë. Tani prapë duhet t’i shikojmë dy statistika të thjeshta.

Ja sa shumë kohë shpenzon një amerikan në rrjete sociale dhe pranë televizorit në vit:

– 608 orë në rrjete sociale

– 1642 orë pranë televizorit

Pra, nëse keni veç pak shprehi të ngjashme me ato të një amerikani mesatar, ju i hidhni 2250 orë në vit në kosh mbeturinash. Nëse atë kohë do ta shpenzonit duke lexuar, ju do të mund t’i lexonit mbi 1,000 libra në vit.  /tesheshi/

Amerika ndriçon qiellin e Prishtinës me fishekzjarrë (VIDEO)

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndriçuar qiellin e Prishtinës duke hedhur me qindra fishekzjarrë me rastin e hapjes së ambasadës së re të saj dhe 243 vjetorin e Ditës së Pavarësisë.

Ambasada e SHBA-së ka hedhur fishekzjarrë lidhur me shënimin e ditës së Pavarësisë së saj dhe hapjes së ambasadës së re në Dragodan.

Pjesë e kësaj ngjarje janë shumë liderë të Kosovës dhe zyrtarë nga Departamenti i Shtetit të Amerikës.

Më poshtë keni një video nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Portretet e Ali Pashës, në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Francës

Portretet në vijim janë realizuar gjatë shekullit të XIX-të. Ato i dedikohen Ali Pashë Tepelenës (1744-1822).

Disa prej veprave të sundimtarit shqiptar, që në shoqëritë perëndimore njihej më shumë si Ali Pashë Janina, mbajnë emrat e personaliteteve të njohura të artit francez, si: Horace Vernet (1789-1863), Louis Dupré (1789-1837) dhe Jules Boilly (1796-1874).

Aktori Alban Ukaj në përkrahje të paradës së krenarisë në Shkup (VIDEO)

Me 8 shtator do të mbahet parada e krenarisë në Shkup e cila do të jetë e dyta me radhë, meqë në fund të qershorit të këtij viti u mbajt parada e parë, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë figurave dhe përkrahsve të kësaj parade është edhe aktori shqiptar, Alban Ukaj i cili përmes një video të postuar në rrjetin social Instagram u bën thirrje të gjithëve për të marr pjesë në paradë dhe se kjo nuk i shkakton dëm askujt.

Ky është mesazhi i tij:

Parada e Krenarisë është për të gjithë ne, nuk është vetëm për komunitetin LGBT. Para e krenarisë është për ata të cilën janë ndryshe, për ata që mendojnë ndryshe. Nuk është kjo kurrfarë defilje, është e drejtë themelore e njeriut. Shpresoj se me 8 shtator të këtij viti që të gjithë së bashku, një numër sa më i madh të tregoj që parade e krenarisë nuk shkakon asnjë rrezik, që këta jemi ne, që kështu janë miqtë tanë dhe që këto janë familjet tona. Iu bëjë thirrjë që se bashku të shetisim me 8 shtator./KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BzfI6ijh-Ou/

BE dhe Betoveni: Historia e një muzike, si simbol errësire dhe drite

“Ode gëzimit” është simbol i fuqishëm i dashurisë, i humanizmit dhe i unitetit evropian. Refuzimi i himnit të BE-së nga Partia e BREX-it, injoron historinë tonë të përbashkët, shkruan profesoresha e Universitetit të Notingamit, Joanne Cormac, transmeton Telegrafi.

Eurodeputetët e Partisë së Brexit-it, të kryesuar nga Nigel Farage, kthyen shpinën teksa në ceremoninë e shënimit të hapjes së Parlamentit Evropian, po intonohej himni i Bashkimit Evropian. Sjellja e tyre është parë me përçmim nga shumë njerëz, sidomos përmes trendit #notinmyname (jo në emrin tim) në Twitter. Ky ishte një akt emocionalisht provokues, në kohë të ndjeshme politike. Por, ka diçka më shumë rreth shmangies së himnit “Ode gëzimit” – aranzhimit instrumental të pjesës së fundit të Simfonisë së Nëntë ikonike të Betovenit (Ludwig van Beethoven), që e bënë veprimin e tyre edhe më irritues.

Simfonia ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar: ishte simbol i errësirës dhe dritës. Një vepër e preferuar e Hitlerit (i pëlqente ta dëgjonte në ditëlindje), e Nënta ishte përdorur edhe në filmat propagandistik nazistë, ndërsa seksioni përmbyllës koral është interpretuar në Olimpiadën e Berlinit të vitit 1936. U zgjodh gjithashtu si himni kombëtar i Republikës së Rodezisë, nën administrimin racist të Ian Smithit. Kjo errësirë është adaptuar edhe në kolonat zanore: simfonia ndërlidhet me dhunën ekstreme te filmi “A Clockwork Orange” i Stanley Kubrickut, dhe është motiv i përsëritur i keqbërësit të kulturuar Hanson Gruber që luhej nga Alan Rickman në filmin “Die Hard”.

Megjithatë, e Nënta ka gjithashtu konotacione shpenguese. Në të njëjtën kohë kur Hitleri e përvetësoi të Nëntën, u përdor gjithashtu për ta kundërshtuar atë – madje u luajt në kampet e përqendrimit nga një orkestër e të burgosurve. Muzika ishte përdorur nga grupet SS për të kontrolluar dhe për të poshtëruar, por të burgosurit gjithashtu e përdorën muzikën si mjet mbijetese. Në vitin 2000, Filarmonia e Vjenës dha një shfaqje në Mauthausen, kampin nazist të përqendrimit, përpara një auditori të të mbijetuarve. Duke pasë parasysh historinë e saj (dhe gjithashtu të Filarmonisë së Vjenës), zgjedhja e së Nëntës ishte e diskutueshme. Sidoqoftë, Beethoveni, si simbol i Evropës së re në fillim të mijëvjeçarit, shihej si zgjedhja e përshtatshme nga shumë njerëz dhe e Nënta është rikthyer si simbol i fuqishëm dhe sublim i dashurisë dhe humanizmit.

Por, si ka ndodhur ky transformim?

Simfonia e fundit e Beethovenit u shndërrua në mitologji që nga premiera e saj më 7 maj 1824. Kompozitori tërësisht i shurdhër ishte i pranishëm në skenë dhe duhej të kthehej balla për ballë me audiencën për të parë brohoritjet dhe duartrokitje e tyre. Ideja e së Nëntës ndërlidhej me mënyrën sesi vetë kompozitori kujtohet si artisti heroik, artist vuajtës, gjeni i shurdhër që shmangu botën për të krijuar muzikën më sublime e më të jashtëzakonshme.

E njohur edhe si Simfonia “Korale”, për shkak të përfshirjes në fund të vargjeve dhe zërave, fjalët e saj për lumturinë përfshijnë pjesë të poezisë së vitit 1785 të Fridrih Schillerit, “An die Freude”, që flet për të gjithë njerëzit që bëhen vëllezër: “Alle Menschen werden Brüder”!

Simfonia ndjek një trajektore lufte dhe triumfi. E merr dëgjuesin në një udhëtim, që nga rritja dramatike e intensitetit në pjesën e parë, deri te skersoja energjike te e dyta, lirika idilike te e treta dhe në fund – shpengimi i lavdishëm e vizionar në përmbylljen korale që është fuqishme, sepse ishte një fitore e vështirë. Zgjedhjet muzikore të Beethovenit krijojnë dramë. Ekzistojnë kontraste ekstreme të tingullit. Ka shpërthime të aktivitetit dhe ritmeve të përsëritura që e shtyjnë muzikën para. Ka gjithashtu heshtje dhe ndërprerje dramatike. Kjo është muzika e krijuar në shkallë të gjerë, duke përdorur gjithë gamën ekspresive të orkestrës.

Megjithatë, muzika, kompozitori dhe ndërlidhja e simfonisë me vëllazërimin universal dhe shpengimin, janë vetëm pjesë të historisë që e bëjnë aq provokues veprimin e Partisë së Brexit-it. E Nënta është e lidhur ngushtë me Evropën si entitet i vetëm.

Menjëherë pas vdekjes, Beethoveni i lindur në Gjermani e që shumicën e jetës e kaloi në Vjenë, u përvetësua nga tërë Evropa. Tradita të ndryshme u rritën në qendrat evropiane, ku simfonitë e tij u përshtatën me shijet dhe zakonet lokale. Në Angli, për shembull, u organizuan si meloditë e himneve dhe u dëgjuan në katedrale e luajtën nga grupet frymore. Beethoveni u bë pjesë e muzikës sonë të përditshme, siç u bë pjesë e traditave tjera evropiane muzikore. Ai gjithashtu u trajtua me nderim më shumë se çdo kompozitor tjetër.

Një dirigjent pompoz francez i shekullit XIX, Louis Jullien, veshte doreza të bardha dhe përdorte një shkop të stolisur që ia linin nën jastëk çdo herë që drejtonte simfonitë e Beethovenit. Statuja e kompozitorit u ngrit në Bon, në vendlindjen e tij, që më 1845. Mbreti i Prusisë ka marrë pjesë në inaugurim, si dhe Mbretëresha Victoria dhe Princi Albert. Shtypi britanik ishte atje, së bashku me shtypin francez dhe gjerman. Kishte edhe fërkime. Kontingjenti francez u mërzi për shkak të mungesës së dollisë për mbretin Louis Philippe.

Një grup muzikantësh evropianë dhe krerët e shteteve u mblodhën në Vjenë në vitin 1927 për të shënuar 100-vjetorin e vdekjes së kompozitorit dhe, vitin e ardhshëm, 250-vjetori i lindjes së kompozitorit do të festohet jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Pra, tërheqja për Beethovenin është universale.

Imazhi i së Nëntës si simbol i fuqishëm i unitetit evropian ndoshta u pa në mënyrën më ikonike në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1989, kur Leonard Bernstein dirigjoi pjesën e fundit për të festuar rënien e murit të Berlinit, me një orkestrën të përbërë nga anëtarë nga Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore, si dhe nga katër fuqitë aleate: Franca, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA.

Kur në vitin 1972, Këshilli i Evropës vendosi për himnin, Beethoveni u konsiderua si zgjedhja e qartë. Udhëheqësit e BE-së pastaj miratuan të Nëntën më 1985, si himnin zyrtar të Bashkimit Evropian. Duke pasë parasysh kuptimin e saj të unitetit dhe lidhjen e saj të gjatë me historinë evropiane, përfaqësonte jo vetëm BE-në, por edhe Evropën në një kuptim më të gjerë.

Përkundër gjithë kësaj historie (ndonjëherë të dhimbshme) të përbashkët, dhe gëzimit e optimizmit të saj për të ardhmen, deputetët e Partisë së Brexit-it ta e refuzojnë dhe shmangin të Nëntën! /Telegrafi/

“Cari i fundit”, shfaqja kushtuar revolucionit rus dhe princeshës së humbur Anastasia

Sot ka qenë premiera botërore e serisë “Cari i funditn” në rrjetin Netflix, shkruan KultPlus.

Shfaqja është po konsiderohet si një përfaqësim reali i historisë së revolucionit rus nga ku komunistët ekzekutuan familjen mbretërore dhe i dëbuan në ekzil kushërirët e tyre.

Historia sillet rreth princeshës së humbur të preandorisë ruse, Dukeshës Anastasia Nikolaevna Romanov.

Brenda shfaqjes ka edhe balet, muzikë nga filmi i të 90-ave “Anastasia” dhe aktorë të famshëm holivudian.

Shfaqja ka 6 episode dhe pritet të konfirmohet shumë shpejt për sezonin e dytë pasi menjëherë ka kapërcyer pritshmëritë e shikueshmërisë./KultPlus.com

Ranch Fest për herë të parë në Kosovë

Ranch Fest, festival i muzikës Country vjen për herë të parë në Kosovë më 26.07.2019.

Këngëtar dhe bende të njohura do të performojnë në lartësinë mbidetare 800 metra nën qiellin e hapur me pamje të bukur të qytetit të Pejës.

Bashkë me biletën prej 5 eurosh ju do të keni mundësinë të testoni edhe adrenalinën dhe ndienjën e paharruar duke provuar Big Swing. Mundësinë për ta shfrytëzuar bileten për Big Swing do ta keni edhe dy ditë pas festivalit. Performime muzikore, Jam Session, Zjarr, Birra, Grill, ambient i ngrohtë, lojëra, dhe shumë surpriza të tjera në Ranch Fest.

Mbi artin

Nga Elizabeth Bishop

Përkthyer nga Rrona Jaka

Arti i humbjes s‘është vështirë për t’u zotëruar
Kaq shumë gjëra janë të mbushura me qëllimin për t’u humbur
Sa që humbja e tyre s’është fatkeqësi.

Humbni diçka çdo ditë. Pranoni acarimin
e çelësave të humbur, ose të orës së shkuar kot
arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar

pastaj praktikoni humbjen e largët, humbjen e shpejt
shtigjet dhe emrat, edhe vendet që donit t’i vizitonit
asnjë nga këto s’do të sjellë fatkeqësi.

Kam humbur orën e mamasë, dhe shih,
E fundit apo thuajse e fundit tri shtëpi më shkuan
Arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar.

Kam humbur dy qytete, të bukura, të mëdha
Ca toka që zotëroja, dy lumenj, një kontinent
Më mungojnë, por nuk ishte ndonjë fatkeqësi.

–Edhe humbja jote (zëri, gjestet që i dashuroja)
Nuk do gënjej. Është e qartë!
Arti i humbjes s’është aq i vështirë për t’u zotëruar
Ndonëse duket i tillë (shkruaje) sikur të ishte ashtu.

Disa fakte interesante për flamurin amerikan

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës luan një rol shumë të rënëdishëm në kulturën amerikane.

Më poshtë kemi disa fakte interesante për flamurin më të famshëm në botë

Ishte adoptuar në vitin 1777 Kongresi adoptoi flamurin me yje e vija me 14 qershor të vitit 1777.

Flamuri origjinal kishte 13 yje dhe 13 vija, kushtuar 13 kolonive origjinale.

Më shumë yje se vija

Për një kohë, Shtetet e Bashkuara shtonin sa yje aq edhe vija për të mirëpritur shtetet e reja në Union. Kur u bashkuan Kentucky dhe Vermont u shtuan 2 yje dhe 2 vija, duke u bërë 15 me 15.

Duke pritur shumë shtete të reja që shtoheshin udhëheqësit vendosën që të rikthejnë vijat në numrin fillestar, e të vazhdojnë vendosjen e yjeve për shtetet që bashkohen, qysh nga viti 1818.

Ishte dizajnuar nga një student i shkollës së mesme

Flamuri aktual me 50 yje e 13 vija ishte dizajnuar në vitin 1958 nga një 17 vjeçar, student i shkollës së mesme, i quajtur Robert G. Heft nga Ohio. Presidenti Dwight D. Eisenhower zgjodhi modelin e tij nga 1500 aplikime.

Kuq, Bardhë e Kaltër të trija ngjyrat kanë një domethënie të veçantë. E kuqja nënkupton fuqinë e guximin, e bardha simbolizon pastërtinë e pafajësinë, dhe e katërta përfaqëson vigjilencën, këmbënguljen dhe drejtësinë.

Mirëmbajtja e flamurit

Nëse një flamur nuk mund të riparohet, duhet të shkatërrohet në mënyrë të respektueshme, siç është djegia. Mund të pastrohet nëse ndytët ose nëse bie në tokë.

Shfaqja

Sipas rregullave të flamurit, ai duhet të shfaqet nga lindja e diellit deri në perëndim. Mund të shfaqet edhe 24 orë në vende ku është i ndriçuar mirë nga dritat gjatë natës.

Flamuri në hënë

Në korrik të vitit 1969 flamuri i parë u vendos në hënë, nga Neil Armstrong. Edhe 5 misione tjera kanë parë 5 flamurë të rinjë të vendosur. Dita e flamurit Me 30 maj të vitit 1916 presidenti Woodrow Wilson ka zyrtarizuar festën e flamurit si Dita e Flamurit me datën 14 qershor, kur edhe është adaptuar flamuri i parë amerikan.

“Qyteti mbron veten”, filmi i Gina Lollobrigida shfaqet në Tiranë

Qyteti mbron veten është një filmi vitit 1951 i regjisorit Pietro Germi. Me Gina Lollobrigida, Renato Baldini, Amedeo Trilli, Emma Baron, etj, kjo dramë është një ndër më të njohurat e kohës. Ai u shfaq mbrëmjen e së hënës tek instalacioni ‘Reja’ me qëllim sjelljen edhe njëherë në vëmendje të perëndeshave italiane.

Një bandë, e përbërë nga katër të mbijetuar, vjedh kasën e stadiumit gjatë një ndeshje futbolli. Të ndjekur nga policia, të katër arrijnë të arratisen. Guido, kreu i grupit, vritet nga disa marinarë, që i kishin premtuar ta transportonin atë në Korsikë. Luigi i kapur nga karabinierët, përfundon duke vrarë veten. Paolo, tashmë një futbollist i famshëm, nuk mund të luajë më pas një aksidenti. Pasi ka përfunduar në një jetë mediokre, ai tërhiqet nga krimi. I katërti, Alberto, është pak më shumë se një fëmijë. Bir i prindërve të varfër dhe të ndershëm, ka patur një adoleshencë të stuhishme, duke kërkuar rehati në leximin e librave me vizatime.

Dikur kritika shkruante për këtë film që ka një teknikë të shkëlqyer, por patosi populist shpesh del jashtë kontrollit.

Për kohën “la cita si difende” u premiua si filmi italian më i mirë në Festivalin e Venecias.

Çdo mbrëmje të hëne tek Reja përfshi edhe shtatorin do të jenë në vëmendje ikonat e kinamasë italiane si Claudia Cardianale, Sophia Loren, Silvana Mangano etj.

‘Amerika ndërhyn: Millosheviçi ka një politikë shkatërruese’

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kuptuan se Serbia nuk do ta ndalonte luftën e saj në Kosovë.

Në këtë 4 Korrik – në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, kujtojmë një prej momenteve më delikate, kur Bill Clinton – asokohe President, vendosi që të jepte mesazhin se publiku amerikan dhe publiku i mbarë botës do të duhej të tmerrohej nga pamjet nga Kosova.

“Kjo është luftë. Njerëzit po vriten, familjet po shkatërrohen. Megjithatë ne do të ndërmarrim masa, dhe ka rrezik në këtë aksion ushtarak. Edhe forcat serbe janë të forta dhe mund të kundërvihen” thotë Clinton në videon e cila u shpërnda gjithandej, kur Bill Clinton foli në prime-time duke treguar se SHBA po ndërhynin në Kosovë.

“Shpresoj që z.Milloshevic do ta kuptojë që ajo çka ai po bën tash është shkatërruese dhe e paqëndrueshme” thotë Clinton në këtë video.

Videoja është incizuar me 25 mars 1999, në Washington. / KultPlus.com

Sonte në Kalanë e Vushtrrisë hapet festivali që i kushtohet SHBA-ve

Komuna e Vushtrrisë, për nder të 4 korrikut ditës së Pavarësisë së SHBA-së, ka organizuar një festival nga nga të rinjët e Organizatës “Viciana”.

Njëra ndër organizatoret e këtij festivali, Lejla Nika u shpreh se qëllimi i këtij organizimi është promovimi i momunentit të Kalasë sa Qytetit, derisa më tutje ajo njoftoi se i gjithë ky organizim është mbështetur nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri si dhe nga Drejtoria e Kulturës Rinis dhe Sportit.

“Qëllimi i organizimit të këtij festivali është promovimi i një monumenti siç është Kalaja e Qytetit duke i shërbyer kështu indirekt edhe promovimit të turizmit në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë festival do të jenë të ftuar një numër i madh i të rinjëve, ndërsa ky organizim është mbështetur fuqishëm nga kryetari Xhafer Tahiri dhe nga Drejtoria e Kulturës Rinis dhe Sportit”, u shpreh Nika.

Në kuadër të këtij festivali dy ditor, do të ketë performancë muzikore, ekspozita ndërsa më vonë mysafiri special Dj Dagzi pritet të përformoj para të rinjëve vushtrriasë.

Ndërsa në natën e dytë, afër Kalasë së Qytetit të Vushtrrisë do të vendoset skenografia ku do të përformojnë këngëtari nga qyteti i Vushtrrisë, e mysafirë special nga Franca do të jetë këngëtarja Azra Bunjaku.

Ndryshe, në Komunën e Vushtrrisë, vera do të jetë e stërmbushur me organizime të ndryshme tejet atraktive./Kosovapost/KultPlus.com

Fillon restaurimi i kishave që mbijetuan nga pushtimi osman në Shqipëri

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin “Ndërhyrje restauruese në Kishën e Shën e Premtes” në fshatin Povelçë, Fier, monument kulture e kategorisë I.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese dhe konservuese në elementët konstruktivë të kishës.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha e Shën e Premtes, që sipas prof. Aleksandër Meksit daton rreth shekujve XIII – XIV, paraqet degradime të thella në strukturën e tij, vërehen ndërhyrje të papërshtatshme në muraturë, si dhe ka probleme me terrenin në të cilin ndodhet.

Gjatë muajit maj specialistët realizuan një inspektim duke kryer rilevimin e elementëve konstruktivë dhe arkitektonikë, si dhe verifikuan gjendjen e konservimit, duke evidentuar saktësisht problematikat, për të vijuar më tej me hartimin e projektit të restaurimit.

Kjo kishë është e famshme në të gjithë trevën e Myzeqesë për mrekullitë që i atribuohen. Kisha ishte pjesë e ndalesave të Ismail Qemalit gjatë rrugëtimit të pavarësisë dhe gjithashtu pjesë e vendngjarjeve në romanin e të madhit Jakov Xoxa ”Lumi i vdekur”.
Qëndresa e strukturës së saj në shekuj ka bërë që banorët përreth të besojnë se aty ka fuqi hyjnore duke e frekuentuar si vend pelegrinazhi./ata.gov.al

Fotografi shqiptar përmes artit vetëdijësoi Amerikën për tragjedinë e Kosovës

Fadil Berisha është fotografi shqiptar i cili me punën  e tij solli një stil të veçantë në artin e gjithë botës.

Berisha ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe Kosovën, dy shtete të cilat i ka gjithmonë në zemër. është një nga personalitetet më të dashura te shqiptarët sidomos për kontributin e tij në luftën e Kosovës ku me artin e tij arriti të bëjë botën të vetëdijshme për tragjedinë e Kosovës në atë peiudhë të tmerrshme nëpër të cilin kalonte ajo duke zgjuar reagime të shumta në politikën botërore, transmeton KultPlus.

I pyetur nga gazetarja e gazetës online Globalman, Fatima Gorezi për vendlindjen e tij, Berisha flet me një entuziazëm të thellë.

“Kam pasur një fëmijëri të bukur me kujtime shumë të mira, i rrethuar me shumë dashuri. Ato ndjenja të bukura i kam marr me vete brenda artit të fotografisë duke theksuar bukurinë. Shkoj shpesh atje sepse kam pasion dhe dashuri për njerëzit e mi. E vërteta është se Kosova dhe Shqipëria janë avancuar dhe çdo kund mund takosh artin”.

Ambiciet e fotografit Fadil Berisha janë për t’i hapur dyertë për artistët shqiptarë dhe për t’i inspiruar ata me artin e tij.

Fadili sot ka ekskluzivitetin për të forografuar për Rolex dhe është zyrtarisht fotograf i Miss Universe dhe Miss USA. Kontribuon në revistat prestigjoze si Elle, Vogue, Glamor, Seventeen, People Magazine, Harpers Bazaar, Esquire, Vanity Fair, GQ dhe të tjera./KultPlus.com

“Deklarimi i Pavarësisë”, piktura e famshme kushtuar 4 Korrikut

Piktura e famshme e John Trumble, “Deklarimi i Pavarësisë” është piktura e parë e bërë në shtetin që sapo ishte formuar nga George Washington dhe gjeneralët e tij, shkruan KultPlus.

Në pikturë shihen të gjithë baballarët që e themeluar kombin amerikan si George Washington, Alexander Hamilton, John Adams, Arron Burr, James Madison dhe Thomas Jefferson.

Kjo pikturë ka nisur me 4 korrik, pra gjatë shpalljes së pavarësisë, por ka zgjatur gati 5 vite që të përfundohet.

Menjëherë pas kësaj konference, është mbajtur mbledhja e parë e kabinetit të parë qeveritar me president George Washington. /KultPlus.com

‘Zoti nalt, Amerika poshtë’

Çdo 4 korrik shqiptarët festojnë.

Kosova feston formimin e shtetit amerikan, falë të cilit Kosova edhe u çlirua në represioni dhe dhuna serbe e cila eskaloi në vitet 1998-99 duke vrarë e masakruar mijëra njerëz në territorin e Kosovës.

Pos që kujtojmë tërë Amerikën, si komb i cili tregoi fuqinë e tij në momentin e duhur kundër Serbisë, kujtojmë njerëzit që specifikisht ndihmuan në ndalimin e luftës në Kosovë.

Madje, në diskursin kosovar shpesh e dëgjojmë “Zoti Nalt – Amerika Poshtë”, për ushtrinë amerikane e cila ndikon që lufta të mbaronte, ose përndryshe shumë njerëz do të vraheshin në Kosovën e rrethuar prej forcave serbe.

Bill Clinton – president i Amerikës në kohën kur Kosova ishte në luftë, dha urdhërin që të bombardohej një pjesë e Serbisë dhe institucioneve të cilat nxisnin luftë e propagandë.

Në 18 mars 1999, delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk pranuan.

Wesley Clark – gjeneral i ushtrisë amerikane nisi operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë. Në 24 mars në ora 20:00 NATO nisi fushatën bombarduese kundër Jugosllavisë, kësisoj për t’i dhënë fund krimit dhe dhunës.

Më 1 tetor 1999, përafërsisht 150 parashutistë të SHBA u parashutuan në Ferizaj si pjesë e Operation Rapid Guardian (Operacioni Gardiani i Shpejtë). Qëllimi i misionit ishte kryesisht për të paralajmëruar Presidentin e Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç për aftësinë e shpejtë të veprimit dhe kapacitetet e NATOs në Kosovë.

Një ushtar amerikan humbi jetën gjatë uljes pasi parashuta e tij nuk u hap.

Më 15 dhjetor 1999, një ushtar amerikan humbi jetën, pasi mjeti HMMWV ku ai ishte pasagjer ra në një minë.

Jo më kot edhe sot duhet të festojmë e të rikujtojmë ‘Zoti Nalt – Amerika Poshtë”, në këtë 4 korrik kur Amerika feston ditën e formimit të saj, 4 korrik 1776.

Urime 4 Korriku, Happy Fourth of July! KultPlus.com

‘Për Shqypni na të jetojm, gjallë Shqypnin na mos t’a lshojm’

At Gjergj Fishta — fragmente të përzgjedhura nga poema “Shqypnia e lirë”

Jo, po: a s’desht djalli Shqypni?
Jo, po: a s’desht hasmi Shqyptar?
Qe, pra sod po ka Shqypni;
Qe, pra sod po ka Shqyptar.
Jo, po: ka Shqypni, per Zotin!
Ka shqyptarë, qi n’çark agzotin
Ata e bajn p’r’i kurrgjasend.

•••

Kqyrë Europa n’mend habitun,
Edhe besë nuk don me e xanun,
Se kta djelm n’Shqypni janë rritun,
Se kta besen e kan dhanun –
Gjallë ke shpija mos me kthye,
Nji herë hasmin per pa e thye,
Per pa e shty perdhuni m’cak.

•••

M’kambë, pra, nipa t’Gjergj Kastriotit,
Me lidhë besë e armët me njeshë!
Kem’ nji Atdhe edhe na n’ditë t’sotit:
Kem’ Shqypnin na Rregjineshë,
Per Shqypni na të jetojm;
Gjallë Shqypnin na mos t’a lshojm:
N’mend t’a kem per jetë e mot.

Po, por ndolli se vjen dita,
Qi me faj Shqypnin e darni,
Qi e Liris u erret drita
Edhe me t’huej Atdhen e mvarni
A per pare a marrí tjera,
Si nder kohë, qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!

•••

“Po, nëse ndodh me ardh ajo ditë,
Që me faj Shqipërinë e përçani,
Që Lirisë i vjen fundi,
Edhe me ndihmën e të huajve atdheun e shkatërroni,
Ose për lek, ose për sende të tjera,
Siç ka ndodhur ca herë në histori të kombeve, 
Atëherë mbaroftë vullneti Zotit për me pas një Shqipëri të lirë!”

Procesi i kujdesshëm i restaurimit të pikturave të periudhës së Barokut

Restaurimi i pikturave kërkon një delikatesë dhe një mjeshtri të jashtëzakonshme.

Piktura që shihni është një vet-portret nga piktorja italiane Emma Gaggiotti Richards, e cila ishte piktore e oborrit mbretëror të Mretëreshës Viktoria dhe Princit Albert.

Restaurimi i pikturave të kësaj kohe fillimisht kërkon largimin e pikturës nga korniza dhe largimin e pluhurit dhe instekteve që mund të kenë mbetur Brenda kornizës.

Pastrami kryesor i pikturës bëhet me dyll, në mënyrë që të largohet rrëshira dhe të qartësohen ngjyrat. Restauruesit e pikturave zakonisht bëjnë disa teste mbi një pjesë të vogël të pikturës pasi që disa ngjyra reagojnë me dyllin dhe mund ta shkatërrojnë të gjithë pikturën po të hidhen menjëherë sipër saj.

Pjesa e dytë e pastrimit bëhet me sulfur të zbutur, e në disa raste edhe me varnish, një lëng që e zbut sipërfaqen e pikturës..

Me anë të makinerive të presionit të lart pikturat drejtohen dhe riparohen në vene ku mund të jenë shqyer.

Qepja e pikturës bëhet me fije të vogëla të copës së piktirës dhe lihet në ambijent të mbyllur derisa dy materialet të kapen mes vete.

Pjesa e fundit e restaurimit të pikturave është zgjerimi i rretheve të pikturës që piktura të mund të ngjitet pa problem me kornizën e saj.

Gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj pune është që asnjëherë të mos fshihet emri i autorit, i cili zakonisht është i shkruar në pjesën e pasme të pikturës./RronaJaka/KultPlus.com

Franca ia kthen Pakistanit artefaktet e vjetra

Franca ia ka rikthyer Qeverisë së Pakistanit më shumë se 400 artefakte të vjedhura, përfshirë buste të vjetra, vazo, urna dhe kupa, disa prej të cilave datojnë nga mijëvjeçari i dytë dhe i tretë para Krishtit.

Shumë nga pjesët kanë hyrë në Francë në shtator të vitit 2006, të dërguara për një galeri në Paris.

Ngarkesat ishin zbuluar nga zyrtarë të doganave në aeroportin “Charles de Gaulle” dhe ishin identifikuar nga Qendra Kombëtare për Kërkim Shkencor si sende të vjedhura nga varrezat në luginën e Indit në Pakistan, transmeton koha.net.

Një tjetër ngarkesë me copëza të qeramikës dhe terakotës e destinuar për të njëjtën galeri ishte ndaluar dy javë më vonë. Dhe gjatë kërkimit për galerinë e paemër, zyrtarët doganorë kishin kapur edhe disa qindra copëza qeramike.

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Ambasadën e Pakistanit në Paris, 445 artefakte i janë dorëzuar Pakistanit të martën, me një vlerë prej 139 mijë eurosh (157 mijë dollarë).

“Është me të vërtetë një moment i veçantë për Pakistanin”, ka thënë Muhammad Majad Aziz Qazi, kreu i misionit. “Është po aq edhe moment emocional për ne. Ne besojmë, sot, që një pjesë e trashëgimisë së Pakistanit po kthehet në vendlindjen e vet”.

Qazi ka thënë se përgatitjet janë bërë që thesaret të dërgohen sa më parë që është e mundur në Islamabad.

“Shpresojmë që së shpejti…ju do t’i keni ato në njërin prej muzeve më të mira që kemi në Pakistan”.

Derisa galeria që ishte pranuesja e pretenduar e plaçkës nuk është emëruar, zyrtarët francezë kanë thënë se ka të ngjarë që ajo të jetë goditur me një gjobë mes 100 mijë dhe 200 mijë eurosh për pranimin e mallrave të vjedhura.

Aurore Didier, një specialiste për arkeologjinë jugore të Azisë, ka thënë se Baluçistani në jug të Pakistanit ka vuajtur nga vjedhjet e shumta të artefakteve të moçme, duke e bërë edhe më të vështirë grumbullimin e të dhënave antropologjike të njerëzve që dikur kanë jetuar aty.

“Nuk kanë qenë vetëm kontrabanduesit e babëzitur që e kanë inkurajuar atë, por edhe tregu ndërkombëtar i artit”, ka thënë ajo. “Këto grabitje kanë mbizotëruar në këtë rajon të Baluçistanit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përmendur çështjen e rikthimit të veprave të vjetra të artit në rajonet prej nga vijnë.

Nëntorin e shkuar, ai ka njoftuar për planin për t’i dhënë Beninit, një koloni e dikurshme, qindra objekte të mbajtura nëpër muzetë franceze.

Një numër artefaktesh janë rikthyer këtë vit në Peru dhe gjatë viteve 2014-2017 më shumë se 250 copëza të antikuarëve egjiptiane janë rikthyer në Kajro pasi ato ishin zbuluar në bagazhin e një rezidenti britanik, që po udhëtonte në Londër/Reuters.

Vdes veprimtari Gani Sylaj

Komuna e Drenasit njofton se sot në orën nëntë të mëngjesit ka ndërruar jetë shkrimtari, veprimtari i hershëm për çështjen kombëtare, ish-kryetar dhe nënkryetar i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj.

Ceremonia e varrimit do të mbahet nën patronatin e Presidentit Hashim Thaçi.

Në ora 19:00, do të bëhet varrimi në Kizharekë, Drenas.

Më poshtë gjeni një biografi të Gani Sylajt

Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë, Komuna e Drenasit, ish Gllogoc. Shkollën fillore e ka nisur në Kishnarekë, ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme Normale në vitin shkollor 1971/72. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës. Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas, ish Gllogoc. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990.

Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Një ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.

Pas shpërthimit të parë të Jasharëve, së bashku me shokët e burgut etj., merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit (1991).

1994 -2000 pasi i shpëton një ekspedite të policisë serbe, emigron në Zvicër. Fillimisht kryetar i nëndegës së Cyrihut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicrës. Bashkëpunëtor i Ministrisë së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.

Prill-qershor të vitit 1999, Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendëskomandant për Zonën e Veriut; anëtar i Fondit Vendlindja Thërret; 1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).

Gjatë viteve 2002-2005, ishte Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit; i certifikuar për pushtetin lokal në Universitetin Georgetoën në Uashington, SHBA (2004);

2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, etj.

Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.

Hapja e Zyrës së parë amerikane në Prishtinë më 1996

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot po shënojnë 243 vjetorin e pavarësisë. Kjo ditë po shënohet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme.

Po ashtu do të bëhet edhe përurimi i objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, e cila njëherësh do të jetë edhe ambasada më e madhe në Ballkan.

Amerika kishte hapur për herë të parë Zyrën Amerikane në Prishtinë në qershor të vitit 1996.

Asokohe në ceremoninë hapëse të kësaj zyre kishte marrë pjesë presidenti tashmë i ndjerë Ibrahim Rugova dhe udhëheqës të partive politike në Kosovë.

Qytetarët para Zyrës Amerikane më 1996/ Foto: Adnan Merovci-Facebook

Për të marrë pjesë në këtë ceremoni nga Amerika kishin ardhur edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit John Kornblum dhe diplomatë të tjerë amerikan të akredituar në Beograd.

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe sekretari amerikan John Kornblum/ Foto: Adnan Merovci- Facebook

Para zyrës qe po hapej ishin grumbulluar edhe disa qindra qytetarë, të cilët dëshironin të ishin dëshmitarë të këtij momenti historik për Kosovën, ku e përshëndetën zbulimin e pllakës së Zyrës amerikane me duartrokitje dhe brohoritjet “USA, USA, USA” dhe “Rugova, Rugova, Rugova”, “Kosova, Kosova, Kosova” etj. /Telegrafi/KultPlus.com

Ngritja e flamurit amerikan me rastin e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë më 1996/Foto: Ridvan Slivova

Filmi “Motiv i kotë” me regji të Piro Milkanit, shfaqet pas 59 vitesh

Filmi “Motiv i kotë”, punë e regjisorit Piro Milkanit në vitin 1960, teksa kryente studimet në Pragë u shfaq në Ministrinë e Kulturës, në ditën kur u vlerësua me titullin “Ambasador i filmit shqiptar”. I njohur për punën e tij me kinematografinë shqiptare prej vitesh, kineasti Piro Milkani ka sjellë për publikun filma, që kanë marrë vlerësimin e tyre. Në Ministrinë e Kulturës u shfaq dhe një kolazh me filma nga krijimtaria e kineastit, dhe medalja “Ambasadori i filmit shqiptar” është një vlerësim që vjen pas çmimit të rëndësishëm në Çeki “Njeriu përkushtuar”. Krahas ministres së Kulturës Elva Margariti, ambasadorit Çek në Tiranë gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm edhe kineastë, bashkëpunëtorë, ish-studentë të Pragës. Kineasti i njohur Piro Milkani shprehet se këto vlerësime po vijnë në një kohë kur mendonte se krijimtaria e tij kishte përfunduar. “Nuk di ç’të them po më kujtohet shprehja popullore, që po të erdhi e mira hapi derën. Nuk kanë të mbaruar mirësitë nga Kina dhe Çekia. Por ky vlerësim ka rëndësinë e vet, sepse ma jep ministria ime dhe kjo më obligon që të mos ndërpres projektet e mia si krijues”, shprehet kineasti Piro Milkani. Gjatë fjalës së tij ndër të tjera kineasti vlerësoi bashkëpunimet për filmat e tij në kohën e Kinostudios. Sipas tij në Kinë filmat shqiptarë janë mirëpritur nga publiku. Piktori i njohur Ksenofon Dilo në vitet gjatë punës në Kinostudio ka punuar disa filma me regjisorin Piro Milkani. Ai shprehet se bashkë u njohën studentë në Pragë për të qenë më pas me filmat në Kinostudio. “Milkanin e kam njohur si student në Pragë. Unë isha në vitin e katërt dhe ai erdhi disa vite më vonë, por aty e njoha mirë gjatë kohës që i kisha parë disa nga punime të tij që bënte në shkollë. Unë u emërova në Kinostudio, por dhe Piro pasi mbaroi shkollën erdhi në Kinostudio. Këtu u njohëm mirë, sepse unë kam punuar disa filma artistikë me të”, pohon piktori Ksenofon Dilo. Për ministren e Kulturës Elva Margariti, regjisori Piro Milkani është një nga ata artistë, që ndërrimi i sistemeve politike nuk do ta lëkundte në sistemin e vlerave. “Një intelektual i vërtetë dhe nga ata njerëz, që im gjysh do t’i thoshte “burrë zotëri”. Pas nderimit në Pragë me një çmim prestigjioz, me të cilin u vlerësuan edhe 14 personalitete të tjerë nga e gjithë bota, e ndjemë si detyrim, që këtij çmimi t’i jepnim jehonë edhe në vendin tonë. Sigurisht, që vlerësimet janë individuale, por nuk ka sesi të mos bëhemi pjesë e këtij kremtimi dhe të ndihemi, pse jo krenarë, që nga ky vend i vogël, kanë dalë njerëz të mëdhenj. “Falënderim njeriut të zotë”, lexohet në vlerësimin që Praga i bën regjisorit shqiptar, dhe mendoj se fjala “i zotë” e përmbledh më së miri korpusin krijues të kineastit model”, tha ministrja Margariti gjatë kësaj ceremonie kushtuar kineastit Piro Milkani.

Filmat ndër vite

Film shqiptar “Trishtimi i zonjës Shnajder” xhiruar në vitin 2005 në Çeki dhe me premierë në 14 Mars 2008, me regjisor Piro Milkani dhe Eno Milkani, është më i fundit që mban emrin e kineastit të njohur. Historia zhvillohet në vitin 1961, kur një grup studentësh nga Akademia të Arteve të Bukura vijnë të xhirojnë filmin e diplomimit me temë një Fabrike Motorrash. Filmi zhvillohet rreth dramës personale të studentit shqiptar Lekë, që vjen nga një vend i izoluar totalisht prej pjesës tjetër të Evropës. Ai lufton me ndjenjën e solidaritetit ndaj Atdheut dhe familjes, veçanërisht nënës së tij, magjepsjen ndaj një mënyrë jetese, shfrenimi erotik dhe shkujdesjeje të “rinisë së artë” çeke dhe pasionit të dashurisë me një grua në moshë. Piro Milkani lindi më 9 Dhjetor 1939 në Korçë. Nga krijimtaria e regjisorit përmendim filmat si më 1990 Ngjyrat e moshës; 1988- Pranvera s’erdhi vetëm; 1987- Eja!; 1985- Në prag të jetës; 1984- Militanti; 1983- Fraktura; 1982- Besa e kuqe; 1981- Në kufi të dy legjendave; 1980- Një shoqe nga fshati; 1979- Ballë për ballë; 1977- Shembja e idhujve; 1976- Zonja nga qyteti; 1975- Çifti i lumtur; 1974- Shtigje lufte; 1974 -Një firmë e hekurt (dokumentar); 1973- Festë e madhe (dokumentar); 1971 -Kur zbardhi një ditë; 1969 -Përse bie kjo daulle; 1969 Festivali 7-të i fëmijëve (dokumentar); 1968- Fitues; 1967-Ngadhënjim mbi vdekjen. /Julia Vrapi/KultPlus.com

Demiri-Frangu: Mafia letrare në Shqipëri e Kosovë po ia kalon mafisë politike

Për çmimin letrar “Kadare, i cili jepet nga Universiteti Europian i Tiranës, i mbështetur nga Institucioni Europian PASHKO , dhe vlerën e të hollave që nuk i janë ndarë shkrimtarit të brezit të viteve ‘70, Musa Ramadanit, në vitin 2017 me romanin e tij në dorëshkrim “Profeti nga Praga” ishte fitues i këtij çmimi. Ka dy vjet që autorit në fjalë nuk i janë paguar paratë e këtij çmimi, por vetëm 50% e tyre. Merret vesh se, edhe kjo pagesë e përgjysmuar i është bërë me rata, pas shumë përpjekjeve dhe ankesave nga të afërm të autorit.

Shqetësimin e saj lidhur me këtë e ka shprehur edhe profesoresha e letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Qibrije Demiri –Frangu: “Mafia letrare, në Shqipëri e Kosovë, po ia kalon mafies politike. Po të shpërbleje si vlerë-publikisht, dhe shpërblimin po e mbaj për vete, kjo është ironia e dyftyrësia e (pseudo)-intelektualit aktual. Musa Ramadani, mbetet autor i madh si dhe turpi i këtij asociacioni. S’ka mbetur as të merret frymë në këtë llum grupesh -profitere! Shëndet i nderuari Musa, veprat tuaja do jenë larg cdo kundërmimi!”, përfundon ajo. /KultPlus.com

Anastas Kostandini, me pikturat e tij prezanton Shqipërinë në Gjermani

Piktori Anastas Kostandini është prezantuar me piktura për Shqipërinë në Gjermani. Me një aktivitetet të vlerësuar me krijimtarinë e tij ndër vite, këtë herë veprat në pikturë janë prezantuar në rajonin e Nurembergut në Gjermani. Në ekspozitë paraqiten rreth 20 pastele dhe një cikël gravurash në dru, por këtu është dhe cikli “Historia e Skënderbeut”, që autori e realizoi për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Frankonia, kjo zonë me tradita të mëdha ku ka jetuar Albert Dureri ka qenë djepi i gravurave të para mbi historinë e Skënderbeut. Tabloja ku është prodhuar mozaiku “Shqipëria” zbukuron dhe karakterizon dhomën “Shqipëria” e dekoruar nga Taso në Lindnhof, por ajo përmban edhe të tjera punime. Gjatë muajit tetor kjo ekspozitë do të shëtisë në Berlin dhe në qytete të tjera në Gjermani. Deri atëherë Anastas Kostandini do ti shtojë koleksionit dhe një cikël tablosh me ngjyra vaji me kompozicione nga realiteti i sotëm shqiptar. Ekspozita që u çel në hotelin Lindnhof në rajonin e Nuremberugt është mundësuar prej fondacionit Nehemia. Për ekspozitën e artistit të njohur Anastas Kostandini (Taso) kanë shkruar dhe gazetat gjermane. Në materialet e botuara tregohet për punën e autorit shqiptar, i cili prej vitesh me krijimtarinë e tij me pikturën ka marrë shumë vlerësime. Piktori Anatas Kostandini shprehet se punët për Shqipërinë janë mirëpritur mjaft në Gjermani kur janë prezantuar. “Është një zonë mjaft interesante, ku kam ekspozuar rreth njëzet pastele, grafika me qytete shqiptare, dhe një cikël nga historia Skënderbeut. Pjesa tjetër interesante për mua ishte dhe realizimi i dhomës “Shqipëria”. Unë u thirra për të dizejnuar këto dhoma dhe punova gjatë për dhomën e personalizuar “Shqipëria”. Përmban një pikturë të madhe, që është riprodhim i mozaikut “Shqipëria” dhe e ka bërë në dimensionin 3 me 1 metër, por aty ka edhe tablo të Lasgush Poradecit. Ambazhur me kostume kombëtare, e gjitha një Shqipëri e vërtetë”, shprehet piktori Anastas Kostandini mes të tjerave për prezantimin me veprat e tij në Gjermani. Anastas Kostandini (Taso) ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1978. Tema e preferuar e veprave të tij janë peisazhet sociale e poetike nga jeta e përditshme, natyra psikologjike e qytetit të lindjes Pogradecit të cilin ai e njeh në thellësi, si dhe kompozimi nga traditat e vendlindjes. /KultPlus.com