“Motra Tone” dhe “Mona Lisa”, dy kryevepra, dy kohë, dy mjeshta, përballë një kërshërie

“MOTRA TONE” DHE “MONA LISA”,
DY KRYEVEPRA PERBALLE NJERA-TJETRES

Çfarë të përbashktash kanë, pikturat, ose autorët e tyre?
Ndjesitë që përcjellin këto emblema të mjeshtrave të penelit, këto dedikime që sa herë i përcjellim na shtangin. Enigmat gojëkyçin këto mjeshtri të kumtimit, pas këtyre tablove?
Spariherë këto kryevepra kanë të përbashkët trandjen e moshës së saktë. Ngërthyer janë atëditë e tash në pikëpyetje, se kur erdhi në jetë sejcila prej tyre.
Nëse për “Motra Tone” ka një datë të shënuar në të dhe është 2 fruer (shkurt) 1883, e dyshuar si e pasaktë,
orvatet mes viteve 1503- 1504-1516.
Hulumtues të shumtë në të dy rastet nuk kanë reshtur të grumbullojnë dëshmime dhe të dhëna, por pa mundur të përcaktojnë përfundimisht datëlindjen e saktë të këtyre punëve emblematike të korifejve të penelit, dhe jo vetëm, Kol Idromeno dhe Leonardo da Vinçi.
Të pakundërshtueshme si pika referimi të pranuara nga të gjithë dëshmitarët, janë edhe viti i lindjes së Tones (1859), dhe i vdekjes së saj (1890). Këto të dhëna përforcohen edhe nga fakti tjetër i njohur se ajo ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare. Po ashtu, një pikë tjetër referimi e besueshme është akti i martesës së Antonieta Idromenos (Tones) me Andrea Skanjetin (Scagnetti) që gjendet në Regjistrin e Martesave të qytetit të Shkodrës në gjuhën italiane të viteve 1848-1884, ku rezulton se Andrea Skanjeti (Scagnetti) është martuar me Antonieta Arsen Idromeno në datën 20 maj 1877. Dëshmitarë martese kanë qenë Pietro Tonietti dhe Sciani Catrina.

Parë në rrafshin estetik, ngulmit të trajtimit të gjestikulacionit, plastikës dhe trajtës komunikuese që duart, orvaten të kumtojnë, si te “Mona Lisa” ashtu edhe te “Motra Tone”, ky detaj është i një rëndësie primare në harmonizimin e të gjithë ansamblit të elementeve përbërës të pikturës.
Afria jonë e këtyre veprave, jo domosdoshmërisht e pranuar nga qarqe akademike dhe ato kritike, përnga trajtimi i këtyre, qaset përnga e vetvetishmja, vullnesë që personalizon kuptimsinë që kanë detajet, pozicioni i duarve, në të dy këto kryevepra.

Pozimi dhe pozicioni i duarve janë shumë domethënëse si te “Mona Lisa” ashtu edhe tek “Motra Tone”. Vepra e Da Vinçit është trajtuar dhe debatuar, shtjelluar dhe aluduar në këtë prizëm dhe gjithnjë ka ende për të parë, ende për të thënë.

Pozicioni i duarve është një prej treguesve dhe dëshmive më të patjetërsueshme se “Motra Tone” në momentin e pozimit ishtë në një gjendje tepër të vështirë, kapluar prej një përjetimi që kërkon të derdhet prej vetes vrerin nëpërmjet qëndrimit, nëpërmjet shikimit. Buzët e tkurrura, portreti i tendosur, janë një peshë të cilën ajo e mban, ndoshta për të fundit herë në një kumtim, pasi sipas dëshmitarëve ajo asokohe ka qenë e sëmurë, e “dënuar me vdekje”.
Ruba e bardhë që derdhej përposhtë duke lënë zbuluar një fragment nga ballina e flokëve të thinjur, “kafshohej” prej dy gishtave të saj, si në rastin e motrës Tone. Mbamendem se kjo prehje nëne, që do ta quaja emblematike, ngucej prej hidhërimeve, barrëse së rëndë të jetës, ballafaqimit me të trishtën, më zemërthyerjen, e cila shprehej edhe nëpërmjet vështrimit, syve që notojnë në lot që nuk bien.
Kol Idromeno duke e pasuruar galerinë e tij me pikturën “Motra Tone” gjeti mundësinë që krijimet e tij të fitojnë pasuri koloristike, dritë kontrast, sugjestion dhe emocion të veçantë, elemente këto që u bënë gama përcaktuese e vlerave të këtij peneli. Tiparet shprehëse të Motrës Tone, karakteristika dalluese e thellësisë shpirtërore që mëkon ky moment i jetësuar në këtë punë, parakalojnë gjeneratave me të njëjtën aftësi depërtuese, me të njëjtën qasje komunikimi brendandjesor, me të njëjtën ëndje leximi dhe zbërthimi botëkuptimor.
Veshja te “Motra Tone” është një nga vlerat e padiskutueshme, duke i dhënë një prezencë dhe sugjestion këtij portreti. Kjo padyshim është vepra më e rëndësishme, e cila ka fituar një status të veçantë në sistemin e vlerave te artit tonë. Sepse është vepra më e njohur, më e ekspozuar,më e riprodhuar dhe më popullore. Është “Motra Tone” ajo që identifikon Kol Idromenon, siç është “Mona Lisa” ajo që na lidh pazgjidhshmërisht me mjeshtrin e Rilindjes së Artë, Leonardo da Vinçi.

Mona Lisa është ndër pikturat më të famshme të kryzotit të mendimit, sprovës dhe penelit, Leonardo da Vinçit. Leonardo një nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e kishte realizuar pikturën në vitin 1504. Mona Lisa është portret i gruas së fiorentinasit të pasur Francesco del Gioconda. E njohur edhe si La Gioconda, piktura tregon një grua, portret, me një shprehje enigmatike të fytyrës që është njëherash edhe e ftohtë edhe tërheqëse.

Kjo afri është thjeshtë një dëshirim për ti parë këto dy vepra përballë njëra-tjetrës. Ata mund të mos kenë fare ngjashmëri dhe nuk ka asnjë qasje që të kenë, por trajtimi i pranëepranshëm i tyre, na përafron nga dëshirimi për të gjetur një Mona Lisë edhe në pikturën shqiptare. Dhe Motra Tone e Idromenos është një rast me të cilin dakordësohemi se vlen për ballafaqim. Parë në rrafshin kritik ata kanë jo vetëm vite në mes, kanë jo vetëm mjeshtra dhe teknika të realizimit, por edhe mëtimësi shprehëse. Ata janë të ndara dhe ashtu do të mbeten. Janë kryevepra dhe të tillë e kanë edhe statusin e tyre. Neve, ashtu siç na lind e drejta për t’i parë pranë e pranë njëra-tjetrës, kemi legjitimitetin për të hequr edhe paralelet e krahasimit. Secila më vete dhe të dyja së bashku, gjithsesi, ata janë shumë, shumë të bukura, shumë shprehëse dhe fshehin nën nënlëkurën e tyre botë të ndara dhe përjetime që i bashkojnë, mjeshtra të mëdhenj në magjinë e artit. / Albert Vataj / KultPlus.com

Promovohen disa vepra të krijuesve të mërgatës

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka organizuar aktivitetin “Takime letrare me krijues dhe shkrimtarë nga diaspora dhe Kosova”, shkruan KultPlus.

Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve të Mërgatës, tha se është kënaqësi e veçantë që sot ndodhen në Bibliotekën Kombëtare për të promovuar disa nga veprat e krijuesve të mërgatës.

Muhamet Selmani, këshilltar i ministrit në largim të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha se ky aktivitet tashmë është bërë tradicional “Ju falënderoj për krijimet e juaja. Penda asnjëherë mos ju harxhoftë. Libri është vlera dhe drita e një shoqërie. Ju uroj të çmalleni me atdheun dhe t’iu frymëzojë të shkruani edhe më shumë vepra”, u shpreh ai.

 Librat të cilët u promovuan, ishin të shumtë dhe kryesisht vëllime poetike, në përgjithësi tema që trajtonin këto vepra kishte të bënte me mërgatën, me mallin për atdheun dhe vitet e jetës të kaluara atje, kishte edhe prej atyre që flitnin vetëm për dhimbjen personale, por që në një formë prapë se prapë ndërlidhej me jetën jashtë vendlindjes.

Librat që u promovuan, janë si vijon: Fran Tanushi- Shkalla e diellit Gonxhe Letmi Begisholli- Shprushje kujtimesh Gani Bytyqi- Fletëza dhembjeje Demir Rushiti- Endje Milazim Kajtazi- Endrra e thyer Besim Xhelili- Fragmente të një zemre të dalldisur Hasan Qyqalla & Mustafë Krasniqi- Legjenda e dhembjes së heshtur Drilon Gashi- Rrugëtim publicistik.

 Përveç promovimeve, pjesëmarrësit u befasuan edhe me një pikë muzikore, nën performancën e shkrimtarit Driton Gashi, që përveç se shkrimtar, ai pohoi se muzikën e kishte pasion të kamotshëm.

Me këngën ‘’Këtu s’do jem’’, të shkruar nga Dritëro Agolli, ai argëtoj publikun e pranishëm.

Krejt për fund Hasan Qyqalla u shpreh i entuziazmuar me mikpritjen që institucionet shtetërore po i bëjnë mërgatës.

Me këtë event, përfundoi edhe edicioni i “Ditëve të Diasporës”, që edhe këtë herë ka argëtuar mërgimtarët tanë me evente të ndryshme, si koncerte, takime letrare etj. / KultPlus.com

Haveit pjesë e “Playwriting for Peace” në Kosovë

Në kuadër të projektit “Playwriting for Peace” që do të mbahet në qytetin e Prishtinës për 5 javë, do të ketë performanca të shumta nëpër pjesë të ndryshme të qytetit ku do të performojnë artistët shqiptar dhe amerikan.

Matt Harmon dhe Emily Russell së bashku me Dafini Krasniqi dhe Anita Uka kanë marrë iniciativën për zhvillimin e aktivitetit “Playwriting for Peace”, një punëtori dhe teatër për të rinjtë kosovarë.

Qëllimi i ”Playwriting for Peace” është të ndihmojë pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësitë e tyre dramaturgjike, të eksplorojnë vendin që kanë, artet pamore dhe mediumet e tjera të artit në teatër dhe të ekzaminojnë sesi teatri mund të jetë një mjet për të zhvilluar eupatinë dhe ndërtimin e paqes.

Programi zgjat nga datat 24 korrik deri më 23 gusht nga ora 9:00 deri në 12:00 në lokacione të ndryshme rreth qytetit, qytetaret gjatë këtyre ditëve kanë mundësi të ndjekin shfaqje të llojeve të ndryshme.

Në kuadër të këtij programi do të performonë edhe grupi i njohur artistik Haveit.

Haveit pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale duke bërë të ditur që do të jene prezentë të mërkurën me 14 gusht për të diskutuar rreth fuqisë së përformancave publike si një formë e aktivizmit në shoqëri. / Insajderi / KultPlus.com

Kosova me propozim për “Oscar”

Kosova për të gjashtin vit do të propozojë kandidatin e vet për nominim për edicionin e 92-të të çmimeve “Oscar”.

Të martën, Qendra Kinematografike e Kosovës ka ftuar të gjithë filmbërësit e interesuar që t’i dërgojnë propozimet e tyre për konsiderim për çmimin e madh për kategorinë për film në gjuhë të huaj, që mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit në edicionin e 92-të “Academy Awards”.

Ndryshe nga viti i kaluar kur komisioni i QKK-së kishte pasur vetëm filmin “Martesa” si propozim, sivjet gara duket të jetë më interesante. Së paku tri projekte filmike të mbështetura nga buxheti i shtetit mund t’i plotësojnë kriteret për t’u bërë kandidat.

Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, pritjet janë që “gara të jetë më interesantja deri më tani me tre filma të shkëlqyer”.

Duke pasur si kusht për konkurrim të gjitha projektet e metrazhit të gjatë që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë me radhë në kinematë e vendit nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 30 shtator të këtij viti, “Nëntor i ftohtë”, nën regjinë e Ismet Sijarinës, tashmë është filmi i parë që i plotëson kushtet e kërkuara. /Koha.net / KultPlus.com

“Home Alone” do të vijë sërish për shikuesit në një version të ri

“Home Alone ” do të realizohet në një version të ri për gjeneratën e re.

Kjo gjë u bë e ditur nga shtëpia e madhe e filmave, Disney, në një njoftim të martën, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.

Klasiku i Krishtëlindjes së vitit 1990 do të ‘rimendohet për një gjeneratë të re’, pasi shefi i Disneyt, Bob Iger zbuloi se do të ripërpunohet për shërbimin e ri të rrjedhës së kompanisë Disney +.

Sipas ComicBook.com, nuk është vetëm filmi “I vetëm në shtëpi” që do të ripërpunohet, pasi e njëjta do të ndodhë edhe me filmat tjerë të famshëm si: “Night at the Museum” dhe “Diary of a Wimpy Kid”.

“Home Alone (I vetëm në shtëpi_” sjell aktorin Macaulay Culkin në rolin e tetë vjeçarit Kevin McCallister, i cili u detyrua të mbrojë shtëpinë e familjes së tij nga dy hajdutë, pasi ai u la aksidentalisht atje gjatë periudhës festive.

Culkin e vazhdoi rolin e tij në “Home Alone (I vetëm në shtëpi) 2”, dy vjet më vonë, i cili tregonte se si Kevin mbeti prapë vetëm pasi u fut në një fluturim të gabuar.

Ndërkohë tri versionet tjera të filmit erdhën në vitet 1997, 2002 dhe 2012, në asnjërën prej të cilave nuk luajti Culkin, megjithatë ato nuk ishin pothuajse aq të njohura dhe u shikuan gjerësisht nga fansat dhe kritikët.

Dhe fansat e dy filmave origjinal u lanë të indinjuar nga lajmet, pasi kërkuan që Disney të linte ekskluzivitetin vetëm.

Ndërkohë, filmi i vitit 2006, “Night At The Museum” sjell historinë e një roje të natës në muze, të luajtur nga Ben Stiller, i cili zbulon se ekspozitat vijnë në jetë pasi ndërtesa mbyllet.

I ndjeri Robin Williams u shfaq në film dhe vazhdimet e tij pasuese, roli u luajt nga Theodore Roosevelt, ndërsa Rami Malek luajti rolin si Faraoni Ahkmenrah.

Dick Van Dyke, Mickey Rooney, Ricky Gerais, Paul Rudd, Owen Wilson dhe Steve Coogan gjithashtu u paraqitën në filmin argëtues të familjes. /Telegrafi/ KultPlus.com

Zhurma e motoçikletave u është dukur si e të shtënave me armë, qytetarët ikin nga Times Square

Zhurma e madhe e ndezjes së motoçikletave ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ishin në sheshin Times Square në New York, ku shumë vizitorë menduan se bëhej fjalë për të shtëna armësh dhe nga frika se mund ta pësojnë, filluan të vrapojnë në të gjitha anët.

Zhurmat janë dëgjuar në udhëkryqin e rrugës më të frekuentuar që lidh Avenunë e Tetë me rrugën West 42, thuhet në raportin e policisë së New Yorkut, transmeton Telegrafi.

Në videon e publikuar më poshtë mund të shihet situata kaotike e krijuar, ku qytetarët e shumtë filluan të vrapojnë në të gjitha anët nga frika se mund ta pësojnë me jetë.

Madje një kalimtar rasti ka pësuar lëndime trupore, pasi është shtypur nga masa që menduan se bëhej fjalë për të shtëna armësh. Me të dëgjuar zhurmën e motoçikletave ata menjëherë filluan të bërtasin.

E për ta qetësuar situatën policia e New Yorkut ka njoftuar opinionin se bëhet fjalë për zhurmë të motoçikletave, që masës u është dukur si të shtëna armësh.

“Kemi pranuar telefonata të shumta. Ju lutem mos bëni panik. Time Square është shumë i sigurtë”, thuhej në një komunikatë të policisë. /Telegrafi/

“Nëse në një qytet shihni të varfër, atëherë dijeni që pushtetarët e këtij qyteti vjedhin pronat e njerëzve”

Motive thuajse letrare

Në Kanada, një burrë i moshuar u arrestua për vjedhje të bukës dhe u dërgua në gjyq.
Plaku e pranoi fajin dhe rrëfeu.
“Unë isha shumë i uritur, gati sa vdiqa nga uria.”
Gjykatësi vendosi:
“Ju e dini që keni bërë vjedhje, dhe unë po ju porosis që të paguani dhjetë dollarë kompensim. Unë e di që ju nuk mund ti paguani këto para, kështu që unë do të paguaj për ju. “

Të gjithë në sallën e gjyqit heshtën, gjykatësi mori dhjetë dollarë nga xhepi dhe kërkoi që të merren në thesar si kompensim për dënimin e plakut.

Pastaj u ngrit në këmbë dhe iu drejtua sallës: “Ju të gjithë jeni fajtorë, dhe secili prej jush duhet të paguajë nga dhjetë dollarë për ju, sepse jetoni në një qytet ku një i moshuar detyrohet të vjedhë që të mos vdes nga uria.

Në sallën e gjyqit u mblodhën 480 dollarë dhe paratë e mbledhura gjykatësi ia dorëzoi plakut.

Dhe gjykatësi shtoi

“Nëse në një qytet ku jetojnë njerëz të civilizuar shihni të varfër, atëherë dijeni që pushtetarët e këtij qyteti vjedhin pronat e njerëzve.” / KultPlus.com

Fotografia e parë e mbretit Zog dhe Geraldinës në pallatin mbretëror sipas gazetës franceze

Nga Aurenc Bebja

“Paris-soir” ka botuar, të dielën e 12 shkurtit 1938, në faqen n°16, fotografinë e parë të mbretit Zog dhe konteshës Geraldinë, e shkrepur asokohe në pallatin mbretëror në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Madhëria e Tij Zogu, mbret i Shqipërisë, së shpejti do të martohet me konteshën e re Geraldina Apponyi.

Kjo është fotografia e parë e të tyre, e shkrepur në pallatin mbretëror në Tiranë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/fotografia-e-pare-e-zogut-dhe-geraldines-ne-pallatin-mbreteror-sipas-gazetes-franceze-1938/.

Përfshihet nga flakët aeroplani i ekipit të këngëtares Pink (VIDEO)


Ekipi dhe menaxheri i këngëtares së njohur amerikane, Pink, janë përfshirë në një emergjencë ajrore pasi aeroplani i vogël në të cilin ata ishin në momentin e aterrimit është përfshirë nga flakët, raporton Sky News.

Ky aeroplan privat ateroi në aeroportin Aarhus në Danimarkë këtë të hëne natën. Ata ishin duke fluturuar nga Oslo, Norvegji.

Ekipi ishin duke shkuar në ndalesën e radhës të turneut të Pinkit, “Beautiful Trauma”, në qytetin danez Horsens pasi këngëtarja ka performuar në të njëjtën mbrëmje në kryeqytetin norvegjez, transmeton Koha.net. Por fatmirësisht, këngëtarja amerikane nuk ishte në këtë aeroplan, gjerman me numër të regjistrit “Cessna 560XL”, dhe askush nuk është lënduar në këtë incident.

Policia ka thënë se aeroplani privat “Cessna” me 10 njerëz në bord është përfshirë nga flakët pasi ka ateruar në Aarhus.

Në bord ishin 7 udhëtarë – katër amerikan, dy australian dhe një britanik.

“Pink nuk ishte personalisht në bord, por menaxheri i saj dhe disa anëtarë të tjerë të turneut ishin dhe gjithçka doli në rregull”, ka thënë Kristin Svendsen, promovuesi i këngëtares në Norvegji.

Gjithashtu, Policia tha se nuk mund të komentojnë rrethanat apo shkaqet e mundshme të këtij incidenti. / KultPlus.com

111 vjet nga lindja e Eqrem Çabejt, themeluesi dhe krenaria e Akademisë së Shkencave

Sot është ditëlindja e akademik Eqrem Çabej, autoritetit shkencor më me zë në albanologji, shkruan KultPlus.

Eqrem Çabej (1908–1980), gjuhëtar, profesor dhe akademik, punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste të nxënësve dhe u dërgua në Romë ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar. Me themelimin e UT rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetika historike e shqipes. Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës. Vdiq në Romë.

Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj.

Nga veprat e para të tij, mund të përmenden: “Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, me pjesa të zgjedhura për shkollat e mesme” (1936), “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), “Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe perëndimit” (1994), “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” (1947, 1958), “Fonetika historike e shqipes” (1958). Ndër veprat kryesore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (në shtatë vëllime, 1976–2006); “Meshari” i Gjon Buzukut (1555)”, botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim të gjatë hyrës (1958), “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe” (1967)”, “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” (1988). Eqrem Çabej është anëtar i komisionit hartues të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954), anëtar i komisioneve për përpunimin e terminologjisë të shumë degëve të shkencës e të teknikës dhe i komisioneve që punuan për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë nga viti 1948 deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973); bashkautor (me A. Xhuvanin) në dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1956, 1962).

Me botimet e shumta edhe në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjet në forume shkencore ndërkombëtare Eqrem Çabej u njoh si autoriteti shkencor më në zë në albanologji.

Eqrem Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Qeveria turke ka shkatërruar më shumë se 300 mijë libra

Më shumë se 300 mijë libra janë larguar nga shkollat turke dhe bibliotekat dhe janë shkatërruar që nga viti 2016 sipas ministrisë së edukimit në Turqi.

Ministri Ziya Selcuk ka deklaruar të hënë se 301.878 libra janë shkatërruar si shkak i zhdukjes së gjithçkaje që ka lidhje me Fethullah Gylenin, një klerik mysliman që akuzohet për instigimin e grushtshtetit të dështuar të vitit 2016. Gylen gjithmonë ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Gjithashtu, organizatat e mbrojtjes së fjalës së lirë kanë alarmuar për mbylljen e 29 shtëpive botuese në Turqi. Arsyeja e mbylljes së tyre është shpërndarja e propagandës terroriste.

Edhe 200 mediume janë mbyllur, 80 shkrimtarë kanë qenë subjekt i hetimeve dhe persekutimeve ndërsa 5822 akademikë janë përjashtuar nga puna në 118 universitete publike./Gazeta Express / KultPlus.com

Nuk pati para për ta blerë bluzën, Gashi ia dhuroi 20 euro fanses në “Sunny Hill”

Reperi shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gashi, ka qenë një prej emrave më të përfolur sivjet në festivalin “Sunny Hill”.

Kur erdhi në Kosovë, ai bëri të ditur se kishte nxjerrë në shitje një numër të limituar bluzash, të dizajnuara me simbolin e shqiponjës.

Mirëpo duket se një nga fanset nuk ka pasur mundësinë që të blejë një të tillë, dhe kështu Gashi ka shprehur dëshirën që t’ia japë nga xhepi i tij fanses paratë e nevojshme për ta blerë atë.

Këtë Gashi e bëri të ditur përmes një mesazhi që i erdhi në InstaDirect, ku fansja nga Kosova e falënderonte nga zemra për këtë gjë.

“Përshëndetje Gashi, unë isha në SunnyHill dhe ju po shisnit bluza për fansat dhe nuk kisha para dhe më dhatë 20 euro për të blerë një dhe nuk mendoj se çdo këngëtar do ta bënte këtë, kështu që unë mendoj se jeni i shkëlqyer duhet të ndjehesh krenar për veten tënde”, ka qenë mesazhi i fanses.

Me të marrë këtë falënderim, reperi është gëzuar tej mase dhe e ka ndarë atë me fansat në InstaStory.

I njëjti po ashtu ka sqaruar incidentin që ndodhigjatë festivalit, duke kërkuar falje për mënyrën e shpejtë se si reagoi ndaj një fansi kur ai u hodh në turmën e fansave dhe pa se po i mungonte zinxhiri. /Telegrafi/ KultPlus.com

Angelina Jolie mendon se botës i duhen më shumë femra të çuditshme

Derisa po e presim vazhdimin e “Maleficent”, në të cilin e luan sunduesen e së keqes, Angelina Jolie tha për “Elle” se botës i duhen më shumë femra të çuditshme dhe të liga.

Në vend që t’u përgjigjej pyetjeve gazetareske në një intervistë klasike, aktorja legjendare vendosi t’i ndante vetëm mendimet e saj për revistën e popullarizuar.

“Çfarë me fuqinë e mendjes dhe trupit të lirë e cila konsiderohej shumë e rrezikshme përgjatë historisë?”, është pyetja me të cilën Jolie e fillon tekstin e saj dhe vazhdon: “Femrat mund të akuzohen për magji për shkak të një jete të pavarur seksuale, sepse flasin për politikë dhe religjion, ose vishen ndryshe. Po të kisha jetuar në kohërat e mëparshme, mund të isha djegur shumë herë thjesht për faktin që jam ajo që jam”.

Aktorja pastaj iu referua kushteve rigoroze në të cilat jetojnë shumë femra edhe sot.

“Në shumë vende, ta shohësh një femër duke vallëzuar ose duke kënduar në publik është e paligjshme. Vajzat iraniane që postojnë video duke vallëzuar e sfidojnë atë që ligji dhe dogmat fetare të atij vendi ende e konsiderojnë të papranueshme për femrat. Mendoni për 200 milionë gra dhe vajza të cilat sot kanë përjetuar gjymtim gjenital ose rreth 650 milionë gra dhe vajza në mbarë botën që martohen para moshës 18-vjeçare. Mijëra gra dhe vajza vriten çdo vit nga anëtarët e familjes në të ashtuquajturat vrasje nderi. Ndërsa kur mijëra gra sudaneze këtë verë dolën në rrugët e Khartoum duke bërë thirrje për zgjedhje të lira në vendin e tyre, erdhi urdhri që të ‘shkatërrohen vajzat’, gjë që çoi në një seri përdhunimesh, të cilat i kanë kryer forcat e sigurisë. Asgjë nga kjo nuk i hedh poshtë ose i minimizon abuzimet e tmerrshme të burrave dhe djemve. Megjithatë, kur shikojmë në gjithë botën, duhet të pyesim – Pse po shpenzohet kaq shumë energji për t’i mbajtur femrat në një pozitë sekondare?”, shkruan Jolie.

Ajo thekson se botës i duhen më shumë femra të rrezikshme, të cilat thjesht janë të lodhura nga padrejtësia dhe abuzimi, shkruan KOHA Ditore. Siç thotë ajo, nëse “e ligë” konsiderohet një femër që nuk heq dorë dhe nuk pranon t’i ndjekë rregullat dhe kodet dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga zëri dhe të drejtat e saj, atëherë kemi nevojë për më shumë femra të liga.

“Nuk zgjohen femrat çdo mëngjes me dëshirën për të luftuar. Ne duam të jemi në gjendje të jemi të këndshme dhe të kujdesen për ne, gracioze dhe të dashura. Jo të gjithë kanë lindur për të luftuar. Dhe ne nuk kemi fuqi magjike. Ajo që e kemi është aftësia për ta mbështetur njëra-tjetrën dhe të punojmë me shumë meshkuj të pabesueshëm që i vlerësojnë dhe respektojnë femrat si të barabarta me ta”, theksoi Jolie.

T’ju rikujtojmë, aktorja 44-vjeçare konsiderohet një nga aktivistet e mëdha të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e femrave. Ajo vitin e kaluar i bëri thirrje NATO-s që t’i bashkohet luftës kundër përdhunimit, si pjesë e fushatës së saj ndërkombëtare për t’i mbrojtur të drejtat e grave.

“Me dashuri të gjitha femrave dhe meshkujve të ligë që i kuptojnë ato”, janë këto fjalët me të cilat Jolie e përmbylli artikullin e saj për “Elle”. / KultPlus.com

Askush nuk e kontaktonte këngëtaren Adele kur s’ishte e famshme

Sot ajo është një prej divave të muzikës botërore, mirëpo vite më parë jeta e Adele ishte krejt ndryshe.

Në vitin 2011, ajo ishte regjistruar për të gjetur dikë në internet përmes një faqe për takime ‘online’.

Këngëtarja e hitit “Rolling in the Deep” e kishte bërë këtë gjë pas një ndarje të dhimbshme me të dashurin.

Aso kohe, askush nuk e kishte kontaktuar këngëtaren e famshme për ndonjë takim, dhe kështu motivi i saj kishte rënë në pikën zero.

Por gjithçka kishte ndryshuar në momentin kur ajo zbuloi veten e saj në muzikë. Adele u bë njëra ndër këngëtaret më të mëdha botërore, duke arritur të fitojë disa çmime ‘Grammy’.

Ajo ishte e martuar për vite me radhë me Simon Konecki, me të cilin u nda këtë vit. /KultPlus.com

Perla e Ohrit, shkëlqimit të së cilës nuk i ka rezistuar as mbretëresha Elizabeth

Perla e Ohrit e famshme në gjithë botën është bërë nga luspat e peshkut Plashica, specie endemike e peshqve në Liqenin e Ohrit.

Aftësitë për të bërë Perlën e Ohrit mbeten një traditë e fshehtë familjare që trashëgohet brez pas brezi. Familja Talevi konsiderohet si një nga të paktat që ruajnë me zell traditën dhe recetën e vetme për prodhimin e kësaj bizhuterie të bukur dhe unike.

Sekreti mbahet me kujdes për gati një shekull. Ohridi njihet gjërësisht dhe dallohet pikërisht për cilësitë unike të perlës që vjen nga punimet artizanale të këtij qyteti. Në pazarin e vjetër e Ohrit, mund të dëgjoni shumë histori lidhur me perlën.

Shumë njerëz të famshëm nuk kanë mund t’i rezistojnë shkëlqimit të kësaj perle. Mbretëresha Elizabeth, ish Ministrja e Jashtme Anna Lindh e Suedisë dhe shumë emra të tjerë të famshëm kanë mbajtur perlën e Ohrit. /KultPlus.com

Bebe Rexha: “Femrat meritojnë të ndihen mirë në lëkurën e tyre”

Bebe Rexha po e promovon pozitivitetin e trupit në fushatën e saj të re për brendin me po të njëjtin titull, Bebe.

Këngëtarja e hitit “Last Hurray” është bashkuar me brendin e rrobave, të themeluar nga kryesuesi i Manny Mashouf, për fushatën e saj Bebe Loves Bebe vjeshtë 2019, shkruan KOHA Ditore. Dhe duke folur për “People”, 29-vjeçarja theksoi se shpreson që fushata #LoveYourself do t’i inkurajojë femrat e të gjitha formave dhe madhësive që t’i pranojnë trupat e tyre.

“Dua që femrat të ndihen mirë, sepse ato meritojnë të ndihen mirë në trupin e tyre dhe në lëkurën e tyre”, këmbënguli ylli. “E dini kur i vishni një palë xhinse ose një fustan të mirë, dhe ju rri aq mirë dhe duket aq mirë, prandaj është një veshje që nuk mund ta largoni kurrë? Shpresoj se njerëzit do të gjejnë diçka të tillë në këtë koleksion”.

Puna me brendin është një rikthim për yllin e hitit “Say My Name”, e cila e pranon se bluza ikonike Bebe që ajo e vesh në promo ishte “gjëja më “in” që mund të vishej” kur ajo ishte në shkollë të mesme.

Duke reflektuar për ato vite, e nominuara e dyfishtë për “Grammy” e pranoi se do të donte të kishte më shumë besim për trupin e saj, duke shtuar: “Ne nuk mësojmë se si ta duam veten kur jemi më të rinj.

“Mendoj se është më të vërtetë e rëndësishme që njerëzve t’u rikujtohet se çdo formë e trupit, çdo ngjyrë, pavarësisht se çfarë jeni, është e bukur, dhe ky mesazh t’u rikujtohet njerëzve.” /KultPlus.com

Ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi” edhe në Strugë, ministrja Margariti: Këto gra na bëjnë të ndihemi krenare

Ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi” është prezantuar edhe në Strugë, përkatësisht në Festivalin “K’tu Fest”, ekspozitë kjo e organizuar nga Albanian Exellence” të udhëhequr nga Flora Nikolla, shkruan KultPlus.

Pas prezantimit të suksesit të 121 grave shqiptare nga të katër anët e botës, në presidencën e Shqipërisë, kjo ekspozitë tashmë po prezantohet edhe në vende tjera, dhe ndalesa e parë është Struga, ku kjo ekspozitë është prezantuar para një numri të madh të artdashësve.

Mirëpo, jo vetëm të pranishmit e kanë parë nga afër këtë ekspozitë. “121 foto në 121 jetë suksesi” që ka përfshirë gra të suksesshme nga profile të ndryshme, sonte është përshëndetë edhe nga ministrja e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti.

KultPlus ju sjellë këtë telegram të ministres Margariti, ku mund ta lexoni të plotë.

Të nderuar miq,
Me dëshirën për të qenë pranë jush, pranoni përshëndetjen time!

Jo shumë kohë më parë, një gazetar më pyeti nëse ministret femra ishin thjesht një numër në qeveri.
Në një vend me një të shkuar patriarkale, pyetje të tilla janë të shpeshta, por realiteti është tjetër gjë.
Ky aktivitet është më shumë se një përgjigje. 120 gra e vajza, ardhur nga kontekste të ndryshme sociale, ia kanë dalë, jo vetëm të tejkalojnë çdo lloj paragjykimi, por edhe të jenë zonja në profesionet e tyre: sipërmarrëse, mjeke, shkencëtare, ushtarake, gazetare, artiste, që na bëjnë të ndihemi krenare. Janë 120 zonja, që janë bërë bashkë nga një tjetër zonjë, Flora Nikolla, e cila i qëmtoi këto histori suksesi, duke na bërë shpresëplota se në Shqipëri ka kapacitete, që do ta çojnë vendin përpara.
Por edhe konteksti ku zhvillohet ky aktivitet është një përgjigje. “K’tu fest”, një festival, i organizuar nga një vajzë, tani zonjë nga Tirana, Olsa Maze Poshka, me bashkëshortin e saj, ruan traditën më të mirë të kulturës shqiptare, promovon gjuhën shqipe dhe me edukimin përmes kulturës, afron brezin e ri te arti dhe e bukura.
Nga ana tjetër prania e zonjave të nderuara (asgjëmangut zotërinjve të nderuar) të skenës shqiptare: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Yllka Mujo, etj., na bën të ndihemi jo vetëm me fat, që jetuam në epokën e tyre, por edhe që jemi gra dhe nuk jemi thjesht një numër./KultPlus.com

‘Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë, përveç dhimbjes’

Grupi Marigona është dashuria e plot gjeneratave në Kosovë.

Këngët e këtij grupi edhe sot dëgjohen me ëndje, anipse grupi ndër vite është më pasiv në krijimin e muzikës dhe melodive të reja.

Secili prej nesh e kemi dëgjuar në një kohë ose tjetrën Grupin Marigona. “Sonte”, mbetet një prej hiteve të këtij grupi që i ka mbijetuar kohës.

Ka më shumë se 15 vjet që kur është realizuar kënga “Sonte”, shoqëruar edhe me videoklip, dhe gjithmonë mbetet si këngë e re dhe plot emocion edhe në realitetin e sotëm. / KultPlus.com

Komuna dhe tri organizata bashkohen për kthimin e një objekti të braktisur në Qendër Arti

Komuna e Prishtinës dhe tri organizata joqeveritare kanë bashkuar forcat për kthimin e një objekti të braktisur në Qendër të Artit.

Marrëveshja është nënshkruar sot, mes nënkryetarit Muhedin Nushi dhe përfaqësuesve të konsorciumit të organizatave Shtatëmbëdhjetë, Fondacioni Trashëgimia pa Kufij (CHwB) dhe Qendra Multimedia.

E kjo marrëveshje nënkupton revitalizimin e objektit të braktisur në lagjen e Kacallarëve në Prishtinë.

“Marrëveshja përveç revitalizimit të vetë objektit, parasheh edhe shndërrimin e këtij objekti në hapësirë shumëfunksionale dhe Qendër të Artit për komunitetin, ku edhe do të ofrohen programe vjetore në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore e aktivizmit qytetar”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.

Një përshkrim i shkurtër është dhënë për këtë objekt, i cili gjendet në njërën prej lagjeve më të vjetra të Kryeqytetit dhe thuhet se është ndërtuar shekullin e kaluar nga atdhetari Shyqri Begu.

“Përgjatë viteve është shfrytëzuar për destinime të ndryshme, ku pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë burg i Policisë serbe e më vonë klub i boksit, në vitet e 60’ta i shërbeu Entit të Botimeve kurse më vonë u shfrytëzua si objekt banimi. Tash po i kthehet komunitetit”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

I çmenduri

Tregim nga Gi De Mopasan

Jam i çmendur? apo vetëm xheloz? Nuk e di, nuk e di, por kam vuajtur shumë… E pranoj, kam bërë një veprim prej të çmenduri, të një çmenduri të tërbuar; por xhelozia përvëluese, dashuria e ndezur, e tradhtuar, e dënuar, dhimbja e tmerrshme që vuaj, a nuk mjafton e gjitha kjo, të kryejmë krime apo çmedurira, pa qenë kriminelë të vërtetë me zemër dhe me mendje? Oh! kam vuajtur, kam vuajtur, kam vuajtur vazhdimisht, thekshëm, lemerishëm. E desha atë grua si i tërbuar… Po a është e vërtetë? A e kam dashur pra ? jo, jo, jo.

Ajo u bë padronia e trupit dhe e  shpirtit tim, më pushtoi dhe më prangosi. Kam qenë dhe jam një send i saj, një lodër e saj. I përkas buzëqeshjes së saj, buzës së saj, shikimit të saj, linjave të trupit të saj, tipareve të fytyrës së saj; ndiej të më merret fryma nën zotërimin e trupit të saj; por Atë, gruan, esencën e atij trupi, unë e kam urryer gjithmonë, përbuzur, nëmur; sepse është e pabesë, shtazarake, e ndyrë, e fëlliqur, është gruaja e rrënimit, kafsha epshore  dhe e rreme, pa shpirt, në të cilën shpirti nuk qarkullon kurrë si ajër i lirë dhe gjallërues; është kafsha njerëzore,  edhe më keq akoma, s’është veçse një gji, një mrekulli prej mishi të butë  dhe  të plotë,pushtuarprej Turpit. Periudha e parë e marrëdhënieve tona qe e çuditshme dhe e këndshme.

Në krahët e saj gjithmonë të hapur shkrihesha në një kënaqësi të tërbuar e të pangopur. Sytë e saj bënin që të më hapej goja dhe të më merrte etje. Në mesditë  ata ishin gri, me një tis hijeje si në të blertë në perëndim dhe, të kaltër në agim. Nukisha i çmendur: ju betohem që sytë e saj kishin pikërisht këto tri ngjyra. Në orët e dashurisë ata ishin të bruztë, si llumra, me  bebëzat e mëdha e nervoze. Midis buzëve,  që i përshkonte një dridhmë, dilte, nganjëherë, maja rozë dhe e lagësht e gjuhës,përpëlitëse si ajo e një zvarraniku dhe qepallat e rënda ngriheshin ngadalë dhezbulonin shikimin e zjarrtë e të përhumbur të saj që më bënte të çmendesha.Duke e shtrënguar midis krahëve, shikoja sytë e saj dhe dridhesha i tronditur nga nevoja  për ta hequr qafesh atë kafshë dhe nga nevoja që ta sundoja pa reshtur.

Kur ecte nëpër dhomë zhurma e çdo hapi të saj më jepte një goditje në zemër; kur fillonte të zhvishej, ajo e linte fustanin t’i binte dhe dilte pise dhe rrëzëllore midis rrobave të saj të rëna përreth; përmes gjymtyrëve, gjatë krahëve dhe këmbëve, në gjoksin gulçues, unë ndieja një përhumbje të pafund dhe të urryer.

Një ditë u kujtova se ajo ndihej e lodhur nga unë. E pashë në sytë e saj ndërsa po zgjohej. Çdo mëngjes, i përkulur mbi të, prisja shikimin e parë të saj. E prisja me tërbim, urrejtje, përçmim nga kafsha e fjetur, skllav i së cilës unë isha. Por kur e kaltra e zbehtë e bebëzës, një e kaltër e kulluar si uji dukej ende e fikur, e lodhur, e sfilitur nga përkëdhelitë e mëparshme, e ndieja veten të mbështjellë nga një afsh i menjëhershëm dhe që më digjte, duke e bërë më të ashpër afshin tim. Atë ditë kur ajo hapi qepallat, pashë që shikimi i saj ishte mospërfillës dhe bosh,  pa pikën e dëshirës.

Ah! e pashë, e mësova, e ndjeva, e kuptova menjëherë. Kishte marrë fund, fund për gjithmonë. Dhe këtë e provova çdo orë, çdo minutë.
Kur me krahë e me buzë doja ta tërhiqja nga vetja, ajo kthehej nga ana tjetër duke mërmëritur: – Lërmëni të qetë! – ose: – Jeni i urrejtshëm – apo edhe : – Nuk më lini fare të qetë!

U bëra xheloz, xheloz si një qen dhe dinak dyshues, shtirak. Isha i sigurt se nuk do të vononte dhe një tjetër do të fillonte t’ia rizgjonte ndjenjat.
U bëra xheloz i tërbuar; por s’jam i çmendur; jo, sigurisht që s’jam i tillë.
Prisja; oh! Përgjoja; s’do të mund të më tradhtonte; por mbetej e ftohtë, e papranishme. Ndonjëherë më thoshte;  – Burrat më ngjallin neveri. – Dhe kjo ishte e vërtetë.
U bëra xheloz për të, për gjithçka: xheloz për mospërfilljen e saj; xheloz për vetminë e netëve të saj; xheloz për sytë e saj; për mendimet që i ndieja të urryera si gjithmonë; xheloz për gjithçka që arrija të vija re. Dhe nëse ndonjëherë në zgjim e sipër shikimin e kishte të mekur, i cili më parë ishte pasojë e netëve tona të zjarrta, sikur epshi të kishte rizgjuar dëshirat e saja, e ndieja veten të mbytur nga hidhërimi, dridhesha nga zemërimi dhe më kapte një tërbim sa më vinte ta mbysja, ta kërrusja nën gjunjët e mi që duke e shtrënguar për fyti, ta detyroja të rrëfente të fshehtat e turpshme të zemrës së saj.
Jam i çmendur ? Jo.

Gjersa një mbrëmje e ndjeva se ishte e lumtur. Ndjeva që dridhej nga një pasion i ri. S’isha i sigurt, shumë i sigurt. Dridhej njëlloj si pas përkëdhelive të mia; vështrimi i saj flakërinte, duart e saj përvëlonin, i gjithë trupi i saj drithërues përhapte atë erë dashurie që më kishte bërë si të çmendur. U hoqa sikur s’kuptova gjë, por në mendjen time e kisha futur në rrjetë. Megjithatë s’arrija të zbuloja gjë.

Prita një javë, një muaj, një stinë të tërë. Ajo lulëzonte  e mbështjellë në flakërimat e një dashurie të panjohur, kënaqej e lumtur nga ato përkëdheli të pakuptueshme.
E kuptova menjëherë ! nuk jam i çmendur, ju betohem, nuk jam i çmendur.

Si mund të shpjegohem më qartë ?   Si t’ia bëj që ju të më  kuptoni më mirë? Si ta shpreh një gjë kaq të urrejtshme dhe të pakuptueshme?
Ja si e kuptova. Një mbrëmje, jua  thashë, një mbrëmje ajo u kthye nga një shëtitje me kalë, me mollëza të përflakura, me gjirin drithërues, me këmbët që s’e mbanin, me sytë e mavijosur. U lëshua mbi një karrige të vogël përballë meje. E kisha parë dikur kështu! Ishte e dashuruar ! S’gabohesha !

Ndjeva të më merreshin mend dhe, për të mos e parë, u ktheva nga dritarja. Pashë një shërbëtor i cili duke mbajtur për freri kalin e saj të bukur që tërhuzej, po e çonte në stallë.
Edhe ajo e ndiqte me vështrimin e saj kafshën e vrullshme dhe çukërmuese. Dhe kur kafsha u zhduk, atë e zuri gjumi menjëherë.
E kalova gjithë natën duke menduar; më dukej se po arrija të kuptoja disa të fshehta për të cilat deri atëherë as që  kisha dyshuar. Kush mund ta hetojë vallë mbrapshtinë e ndjenjave të grave?  Kush mund t’i kuptojë tekat e tyre të padëgjuara dhe kënaqjen e fantazive ende më të  e çuditshme ?
Gjatë  gjithë mëngjeseve, duke zbardhur dita, ajo galoponte në fushë e në pyll dhe kthehej përherë e këputur si pas një dashurie të  tërbuara.

E mora vesh! Tani isha xheloz për atin nervoz  galopues; xheloz për erën që përkëdhelte fytyrën e saj, kur lëshohej në ato vrapimet e çmendura; xheloz për gjethet që i puthnin veshët, kur kalonte; për reflekset e diellit që i binin mbi ballë përmes degëve; xheloz për shalën që e mbarte  dhe që ajo e shtrëngonte mes kofshëve.
Ishin të gjitha këto gjëra që e bënin të lumtur, që e entuziazmonin, e ngopnin, e rraskapitnin dhe ma bënin të pandjeshme dhe gati të zalisur.

Vendosa të hakmerresha. U bëra i sjellshëm me të dhe gjithë përkujdesje. I zgjasja dorën që ta mbaja kur ajo hidhej në tokë pas kthimit nga vrapimet e saja të shfrenuara. Kafsha e harbuar më sillte me shqelma, ajo e zbuste duke i përkëdhelur qafën e përkulur, e puthte në flegrat fërgëlluese dhe nuk fshinte as edhe buzët; dhe era e trupit të saj të njomur si e ngrohtësisë së shtratit, përzihej në fejzat e mia me duhmën e vrazhdët të kafshës.

Prita ditën dhe orën e përshtatshme. Çdo mëngjes ajo kalonte nëpër të njëjtin shteg, përmes një pylli me mështekna që futej si pykë në të. Dola para se të zbardhte dita me një litar në dorë dhe me pistoletën e fshehur në gji sikur po shkoja të ndeshesha në duel. Arrita me vrap në rrugën që pëlqente ajo; shtriva litarin midis dy pemëve dhe u fsheha mes barërave.

Vura veshin në tokë; ndjeva trokun që larg;  pastaj e pashë atë të vinte me të katra atje poshtë nën kurorën e degëve. Oh! S’u gabova! Ishte siç mendoja ! Ajo ishte e hareshme, faqet i kishte të purpuruara  dhe marrëzinë në sy; lëvizja e rrëmbyer e vrapimit e bënte t’i fërgëllonin nervat me një kënaqësi të vetme dhe të furishme.
Kafsha u pengua në litar me të dyja këmbët e prapme dhe u rrokullis me brinjët e thyera. Ajo ra në krahët e mi. Jam aq i fortë sa mund të mbaja edhe një ka. E hodha përtokë dhe iu afrova Atij që po na vështronte. Ai kërkoi të më kafshonte akoma, por unë i vura pistoletën në vesh … dhe e vrava…sikur të ishte njeri.
Rashë përtokë dhe unë me fytyrë të shënjuar me dy kamxhikë dhe meqenëse ajo m’u vërsul mbi kurriz ia zbraza  në bark plumbin që më kishte mbetur.
Më thoni, a jam i çmendur? /KultPlus.com

Përktheu: Faslli Haliti

Gi De Mopasan

Pelegrinazhi drejt Kompostelës në koncertin e Bienales së violinistit Vlashi

Violinisti Florian Vlashi ishte protagonisti i vetëm në mbrëmjen e kaluar të Bienales 2019, që po vijon në qytetin e Durrësit. Koncerti i titulluar “Kryqëzime udhësh” ishte porositur nga Festivali RESIS në Spanjë, lidhur me pelegrinazhin nga Shqipëria drejt qytetit Santiago de Compostela. Auditorit muzikor iu bashkua dje edhe Ambasadori i Spanjës në vendin tonë, Vicente Canelles Montero.

Themeluesi i Bienales dhe njëkohësisht drejtor artistik i saj, Florian Vlashi e hapi koncertin me kompozimin e Vaso S. Toles “Alla shqiptarçe”, ndërsa më pas edhe një tjetër autore shqiptare nga Kosova.

Donika Rudi solli përmes Florian Vlashit pjesën “Kabatronik” për violinë dhe bandë magnetike.

“Nata e muzikës moderne” vijoi me premierën botërore të veprës së Ramon Otero të titulluar “Përpara se të përshkoja udhën time, unë isha udha ime”, vepër dedikuar violinistit shqiptar.

Florian Vlashi, interpretimi i të cilit u dëgjua në heshtje të plotë luajti në fund të koncertit veprën “Signs, games and messages” nga Gyorgu Kurtag, vepër që entuziazmoi dëgjuesit. Bashkë me pianisten 18-vjeçare Laura Sula, violinisti durrsak interpretoi për kënaqësinë e dëgjuesve “Vallen spanjolle” nr 5 nga Enrique Granados.

Dr. Kristaq Jorgo u foli dëgjuesve në sallë mbi idenë e pelegrinit, dhe duke e krahasuar me veprimtarinë muzikore shtoi “njëlloj si sonte, kur si shtegtarë na prin mendimi dhe muzika e Florian Vlashit”.

Duke iu referuar temës së Bienales “Muzika dhe vena, një harmoni e përkryer” dr. Jorgo tha se “njëlloj si vera që shkon ndër vena drejt në zemër, edhe pelegrini kryen një udhëtim të brendshëm në shpirtin e tij”.

Bienalja 2019 do të vijojë sot me Natën e Muzikës Hispane, gjatë së cilës do të interpretojë “Sax – Ensemble” nga Madridi, dhe do të përfundojë nesër në Amfiteatër me “Natën e yjezuar”, që ka si protagonist Orkestrën Rinore të Durrësit dhe violinistin drejtues Daniel Vlashi. /KultPlus.com

Kevin Spacey për herë të parë pas lirimit reciton poezi

Kevin Spacey ka pasur paraqitjen e tij të parë në publik pas një pauze pothuajse dyvjeçare nga karriera për shkak të betejës gjyqësore lidhur me akuzat për sulme seksuale ndaj një 18-vjeçari.

Pasi që muajin e kaluar u lirua nga akuzat duke shmangur një dënim të mundshëm prej pesë vjet burg, fituesi i dyfishtë i Oscarit iu kthye humorit të tij origjinal.

Duke u shfaqur para muzeut arkeologjik Palazzo Massimo alle Terme në Romë, ai para gazetarëve dhe publikut e recitoi poemën “Boxer”, të Gabriele Tinti, e cila flet për një boksier i cili vuan për humbjen e karrierës së tij dikur të famshme.

Një varg në poemë thotë: “Sa më të prekshëm që jeni, aq më të mëdhenj jeni. Më shfrytëzuan për këtë argëtim, u ushqyen me gjëra të dyshimta. Jeta përfundoi në çast”.

Ndër të pranishmit ishte Tinti, i cili e falënderoi Spaceyn për leximin e poezisë së tij nëntë-minutëshe.

Është e qartë se aktori dëshironte t’ia jepte një mesazh të fortë kujtdo që nuk besonte në mohimet e tij për të gjitha akuzat e abuzimit seksual.

T’ju rikujtojmë, Spacey u lirua pasi që djaloshi për të cilin po pretendohej se e kishte dhunuar nuk pranoi të dëshmonte. Ai duhej të siguronte prova thelbësore në gjykatë, përkatësisht telefonin e tij mobil përmes të cilit i kishte dërguar mesazhe dhe klipe të shkurtra të dashurës së tij gjatë sulmit, por tha në gjykatë se nuk e dinte se ku ishte telefoni. Kështu situata u zhvillua në favor të aktorit. /KultPlus.com

Novelat e pabotuara të Prustit, së shpejti në duart e lexuesve

Novela të pabotuara të shkrimtarit francez, Marsel Prust (1871-1922) do të publikohen më 9 tetor me titullin ”Korrespondenti misterioz dhe novela të tjera të pabotuara”, bëhet e ditur nga Shtëpia Botuese ”Fallois”.

Këto nëntë tekste, të shkruara në kohën kur Prust ishte rreth njëzet vjeç, duhet të ishin pasqyruar në librin e tij të parë ”Kënaqësitë dhe ditët” (1896), por ishin hequr nga autori.

Novelat u zbuluan nga themeluesi i botimeve “Fallois” Bernard de Fallois, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, një studiues i mirëfilltë i veprës së Marcel Prust, ndërkohë dhe iniciatori i zbulimit të një romani i shkruar mes viteve 1895 dhe 1899, dhe i mbetur pa botuar “Jean Santeuil” (publikuar tek shtëpia e botimeve Gallimard në 1952), si dhe e tekstit “Kundër Shën-Beuve” i publikuar më në fund në 1954.

“Me këtë përmbledhje të novelave dhe teksteve të ndryshme, të cilat nuk kanë parë ende dritën e botimit, na sjellim në zanafillën e librit ‘Kërkimi i kohës së humbur’, i veprës së famshme të Marcel Prustit”, thuhet në një komunikatë të botimeve “Fallois”. /KultPlus.com

‘Kur Toni Morrison mori Nobelin, Televizioni Shqiptar tha ‘Fitoi një grua zezake’

Flutura Açka / Facebook

Bota letrare më e zbehtë nga sot pa Toni Morrison, bota e grave letrare edhe më shumë, bota e së drejtës njerëzore akoma edhe më shumë.

“Unë dua të ndiej atë që ndiej. Edhe sikur të mos jetë lumturi!”

Ate ditë tetori të vitit 1993, kur Toni Morrison mori Çmimin Nobel, Televizioni Shqiptar ka njoftuar drejtpërdrejt, duke e shpallur: “Fitoi një grua zezake”. Grua, dhe zezake, një shprehje e shëmtuar raciste, Por, sigurisht, vinim nga një regjim i errët dhe i ngritur mbi urrejtjen për komunitete, shtresa e klasa “të papëlqyeshme”. Toni Morrison, kjo qenie brilante që e hodhi në sitë racizmin në letërsinë e madhe amerikane të parasajshme, do t’i mungojë shumë botës.

Sikur t’i jepte sërish televizioni shqiptar ato pamje sot, të ndjeheshim sërish me turp! Uroj të mos i fshijë nga arkiva, do t’i duhen historisë!