“Nuk kam lexuar kurrë në jetën time”, thotë blogerja italiane që hodhi në treg një libër

Giulia De Lellis, është një ndër femrat me influencë në Itali. Ajo ka deklaruar se nuk ka lexuar asnjë libër, por sapo ka shkruar një.

Libri i parë i blogeres me titull, “Le corna stanno bene su tutto. Ma io stavo meglio senza,” (“Brirët rrinë mirë tek gjithçka. Por unë dukem më mirë pa to) u bë i famshëm pak orë pasi u lajmërua publikimi i tij në rrjetet sociale.

Shumë lexues i janë drejtuar Amazon për të prenotuar librin nga Giulia De Lellis, i cili do të dalë në treg vetëm 17 Shtatorin e ardhshëm, por falë rezervimeve të shumta tashmë është ngjitur në renditjen e librave më të shitur në Itali.

Duhet të jesh shumë i talentuar të bësh diçka mirë pa e provuar më parë. Si të shkruash një libër kur s’ke prekur kurrë një me dorë. Giulia e ndërmori këtë rrezik pasi nga njëra anë disa mezi presin të lexojnë historitë dhe sekretet që do të rrëfejë influencerja italiane. Ndjekësit e saj, që i tejkalojnë 4 milionë, janë blerës potencial, ndër të cilët, shumica s’është shumë e dhënë pas librave.

Por Giulia-s s’i interesojnë kritikat. “Jam injorante, por jo budallaqe,” thotë ajo në një ballafaqim me një nga haters-at e saj. Për fat të keq, nuk jam e dhënë pas letërsisë. Më mërzit. Kam thënë që s’kam lexuar asnjë libër, por në fakt kam lexuar dy. Bëhet fjalë për ‘The Little Prince’ nga Antoine de Saint-Exupery, që e lexova bashkë me mësuesen në fillore dhe “The Little Pink Book” nga Sonia Grispo, që më pëlqeu sepse ishte rozë dhe i vogël“, shprehet De Lellis.

Me ndihmën e ekspertëve, De Lellis tregon historinë e jetës së saj në “Le corna stanno bene su tutto,” ku vlen të përmenden detajet e ndarjes me Andrea Damante, i njohur nga “Uomini e Donne.”

“Do të tregoj një histori prekëse për mua. Shpresoj të ndihmojë ata që po kalojnë të njëjtën gjë si unë. Vendosa ta bëj pasi fola me një njeri të dashur që më këshilloi se është momenti të qaj një të vdekur që nuk e qava kurrë,” thotë ajo. /KultPlus.com

Sokrati dhe leksioni i dëgjimit për të tjerët

Në Greqinë e lashtë, Sokrati ishte shumë i njohur për urtësinë e tij. Një ditë, filozofi i madh takoi një të njohur, i cili rendi drejt tij i ngazëllyer dhe i tha: “Sokrat, a e di se çfarë dëgjova pak më parë për një prej studentëve të tu?” 
“Prit pak”, u përgjigj Sokrati. “Përpara se të ma thuash, dua të të bëj një test të vogël. Quhet Testi Tresh”. 
“Testi Tresh?” 
“E saktë”, vazhdoi Sokrati. “Përpara se të më flasësh për studentin tim, le të testojmë për një moment, se çfarë do të më thuash. Testi i parë është E Vërteta. A je absolutisht i sigurtë se ajo që do të më thuash është e vërtetë?” 
“Jo”, u përgjigj i njohuri, “në fakt sapo e dëgjova”. 
“Dakord”, tha Sokrati. “Pra ti nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Tani provojmë pyetjen e dytë, testin e Mirësisë. A është diçka e mirë ajo që do të më thuash për studentin tim?” 
“Jo, përkundrazi…” 
“Atëherë”, vazhdoi Sokrati, “ti do të më thuash diçka të keqe për të, edhe pse nuk je i sigurtë që është e vërtetë?” 
I njohuri ngriti supet, pakëz i zënë në siklet. 
Sokrati vazhdoi: “Ke ende një shans për të kaluar sepse ka një test të tretë – filtri i Dobisë. A do të jetë e Dobishme ajo që do të më thuash për studentin tim?” 
“Jo, në fakt jo…” 
“Atëherë”, e mbylli Sokrati, “nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë, as e dobishme, atëherë përse duhet të ma thuash?” 
I njohuri i turpëruar nuk foli më! /KultPlus.com

Migjen Kelmendi i bashkohet PDK-së

Publicisti dhe artisti kosovar Migjen Kelmendi, i është bashkuar PDK-së. Këtë e bëri të ditur përmes një postimi kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli.

Lideri i rok bendit “Gjurmët” gjatë ceremonisë së bashkimit të tij me PDK-në është pritur nga disa të rinj të PDK-së në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, të cilët i dëshiruan mirëseardhje

Ky është postimi i Veselit bërë në Facebook:

“Të gjitha rrugët çojnë në PDK. 

Migjen Kelmendi ka lënë shenjat e tij në historinë e Kosovës, me art, me publicistikë, me angazhim intelektual në luftë dhe në paqe. Gjurmët e tij tani do t’i shohim edhe në ndërtimin e së ardhmes së shtetit tonë.

PDK është e nderuar që ekipit të saj të ri prej sot i është bashkuar një prej ikonave të Prishtinës, një prej djemëve më të mirë të saj. Mirë se erdhe, Migjen!” /KultPlus.com

Fatos Kongoli, përfaqësues i letërsisë shqipe në Festivaletteratura 2019 në Itali

Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator. Fatos Kongoli autori i shumë romaneve do përfaqësojë letërsinë shqipe në këtë festival.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se “autori i romaneve “I humburi”, “Kufoma”, “Ëndrra e Damokleut”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Lëkura e qenit”, “Iluzione në sirtar” etj.; fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”, çmimit “Penda e Artë” (2004), “Shkrimtari i vitit” për vitin 2006 etj. Fatos Kongoli përfaqëson letërsinë shqipe në Festivaletteratura 2019, në Mantova”.

Ndërkaq, një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini.

Një hapësirë e gjerë do t’i jepet edhe arkitekturës në Tiranë në konferencën e Elisabetta Terragni, autore e ndërhyrjeve të rëndësishme për ruajte dhe krijim të hapësirave muzeale mes të cilave “Shtëpia e Gjetheve” si dhe “Shtëpia Muze e Kadares”, pa harruar muzikën dhe meloditë prekëse të diasporës, që do të rigjallërohen në koncertin e këngëtares xhaz, Elina Duni. /KultPlus.com

Botohet libri i parë në gjuhën shqipe për muzikën xhaz

“Shënime për muzikantin” është libri i parë xhaz që vjen në gjuhën shqipe. Në këtë botim autori Markelian Kapedani përqëndron vëmëndjen te ritmi si element thelbesor i vetë ekzistencës së këtij zhanri të muzikës.

“Është një libër që shpjegon mekanizmat e fshehta të muzikës Jazz dhe muzikës së improvizimit në përgjithësi.”

Libri ndër të tjera u shërben dhe vetë studiuesve të artit.

“Libri u drejtohet kryesish muzikantëve të rinj, atyre që në studimet klasike nuk gjejnë disa përgjigje për disa pyetje specifike rreth muzikës së improvizuar.”

Kapedani nuk ka nguruar të tregojë në praktikë bukurinë që të sjell muzika Jazz edhe pse shprehet se vështirësitë për ta sjellë këtë botim të publiku ishin tejet të vështira. /KultPlus.com

Finalistja e Miss Italia, pre e sulmeve raciste: Nuk është bukuri italiane

Finalistja e Miss Italia, Sevmi Tharuka është përballur me një valë sulmesh me sfond racist. Përdorues të rrjeteve sociale e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e saj në konkursin e bukurisë për shkak të ngjyrës së lëkurës.

“Nuk je bukuri tipike italiane, e ke lëkurën shumë të errët”, shkruajnë disa prej tyre.

Vajza në fakt ka lindur në Padova, dhe banon po atje. I ati ishte zhvendosur në Itali nga Sri Lanka gati 30 vjet më parë dhe pas disa kohësh, i është bashkuar dhe e shoqja.

Për të inkurajuar Sevmin, në Instagram ndërhyri ish Miss 1996, Denny Mendez, edhe ajo subjekt polemikash të mëdha në atë kohë, e cila i ka uruar modeles së re fat të mbarë në konkurrim. /KultPlus.com

Dr. Maçorri

DR. MAÇORRI
(Rexhep Hoxha, 1978)

Maçorri im musteqoshi
nuk është tjetër si baloshi.
Në prani të Komisionit:
Dr. Lopës, Viçit, Morrit
mori titull të doktorit.

Maçorri im të lumtë, bre!
Di sa bëjnë tre dhe tre.
Tash gjenia e jote flet
si të dojë në fakultet.

Mos paçim bukë mund të thuash,
kem` doktora sa të duash,
kem` magjistra me vagona,
ç`duhet tjetër n`sofrat tona?

Dikur rob po kemi plasur
pse doktora s`kemi pasur.
Tani lum na, koha nxorri
t`bëhet doktor dhe maçorri
Nga Dr. Lopa, Viçi, Morri.

Alice Cooper e lavdëron Johnny Deppin si kitarist

Alice Cooper e ka mbrojtur interpretimin në kitarë të anëtarit të bendit të tij në Hollywood Vampires, Johnny Depp, duke insistuar se ai është po aq kitarist i mirë sa kushdo që ka interpretuar ndonjëherë me të.

Veterani i rokut, i cili e formoi super bendin me Depp dhe Joe Perry në vitin 2015, pretendon se ylli i Pirates of the Caribbean është një kitarist i shkëlqyeshëm – dhe nuk është për t’u habitur që ai ka interpretuar me bendet si Black Keys, Aerosmith dhe Marilyn Manson.

Në një intervistë me radiostacionin e New Yorkut, Q105.7, Cooper tha se “Johnny është po aq kitarist i mirë sa edhe të tjerët (me të cilët kam interpretuar). Njerëzit gjithmonë e vënë në pyetje interpretimin e Johnnyt në kitarë. Unë u them atyre: “A e dini se me kë po interpreton tani ai në bend?” Ata pyesin: “Me kë?” Unë u them, “Jeff Beck”.

Image

“Nëse jeni duke interpretuar me Jeff Beckun, kitaristin më të mirë të të gjitha kohërave, kjo do të thotë diçka në lidhje me interpretimin tuaj në kitarë”.

Cooper gjithashtu zbuloi se, Depp dhe Perry po planifikojnë të hyjnë në studio në fillim të vitit të ardhshëm për një vazhdim të albumit të kësaj vere ”Rise”, duke shtuar, “Johnny po bën filma tani, Joe është me Aerosmith…, dhe unë jam në turne deri në dhjetor, kështu që ndoshta nuk do të takohemi përsëri deri në fillim të vitit. Pastaj do të fillojmë të planifikojmë kur do të bëhet turneu, dhe cili do të jetë albumi i ardhshëm”. /KultPlus.com

Vdes Peter Lindbergh, fotot e tij bardhë e zi ndriçuan botën e modës

Është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare fotografi gjerman i modës Peter Lindbergh. Lajmi është bërë publik nga familja e tij. I lindur në Leszno, në Poloni, Linfbergh ishte me kombësi gjermane.

I njohur për fotot e tij bardhë e zi të yjeve dhe modeleve, ai ka bashkëpunuar me revista të shumta të modës dhe ka marrë pjesë në një numër të madh reklamash, duke i bërë fotot e tij ikonike në të gjithë botën e modës.

Ai ka qenë fotografi i parë që ka bërë për tre herë kalendarin Pirelli, por fotot e tij janë shfaqur edhe në revistat më të rëndësishme të modës.
Gjithmonë si një yll polar, ai ka fiksuar me aparatin e tij natyrshmërinë, sepse Peter Lindbergh ishte gjithmonë një kundërshtar krenar i modifikimit të fotove. Janë shumë të pakta divet që nuk kanë pozuar përpara objektivit të tij për foto që në shumë raste janë bërë ikona të një epoke. Lajmi për vdekjen e tij është dhënë nëpërmjet adresës së tij zyrtare Instagram./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Rrugëtim në universin e krijmtarisë 60-vjeçare, rikthehet Perikli Çuli me ekspozitë në Muzeun Historik

Përgjatë dy javësh do të mund të shijoni universin e krijimtarisë së një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Perikli Çuli, Laureat i Çmimit të Republikës në Muzeun Historik Kombëtar përmes ekspozitës “Universi”.

Në këtë ekspozitë e cila u çel dje, vjen rrugëtimi 60 vjeçar i krijimtarisë plot emocion dhe pasion të këtij artisti unik, një univers i tërë për të zbuluar dhe rrugëtuar. Profesor Çuli, paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike.

Punimet në mermer tregojnë në mënyrë bindëse se me çfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të veçantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.

Gjatë fjalës së hapjes në këtë ekspozitë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili tha se “Profesor Perikliu është një nga figurat më të shquara të skulpturës shqiptare dhe si një dashamirës i artit nuk mund të lë pa e përmendur këtë mjeshtër të artit shqiptar dhe skulpturat e tij, të cilat kanë mbushur sheshe të tëra përgjatë territorit tonë”.

Ky event artistik vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Perikli Çuli është një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë. Ka realizuar vepra madhore, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, mes tyre: “Ylli i lirisë”, kushtuar Brigadës së Parë Sulmuese, beton, 950-950 cm etj. /atsh. KultPlus.com

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik

Turizmi spelologjik në mbarë botën është kthyer në një dukuri tepër atraktive për vizitorët kuriozë të natyrës dhe historisë.

Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash, ku një grup turistësh gjatë këtyre ditëve të para shtatori kanë zgjedhur të eksplorojnë “Shpellën e Pëllumbasit ” apo siç quhet edhe ndryshe “Shpella e Zezë”.

Kjo shpellë tashmë e kthyer në një atraksion turistik mjaft të veçantë gjendet në juglindje të Tiranës mbi grykën panoramike të Skorranës e krijuar nga lumi Erzen. Pamja në këtë vend është mjaft interesante pasi ndërthuren bukuritë e peizazhit përreth dhe pamja mistike e shpellës. Turistët aventurier kanë bërë një itinerar në këtë vend duke eksploruar bukuritë dhe misteret e kësaj shpelle.

Gjithashtu turistët kanë shijuar dhe rrugëtimin drejt shpellës përmes shtegut i cili është i mbrojtur nga parmakë druri të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash.  Ata gjithashtu shijuan në stolat prej druri një soditje të madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe Dajtit përbri.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere.

Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë.  /atsh / KultPlus.com

Magjia e fustaneve nga koleksioni i ri i disenjatores kosovare, merr vëmendje deri në Hollywood

Jeta Zymberi

Magjia e fustaneve të disenjatores Lena Berisha po merr vëmendje të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Hollywood, shkruan KultPlus.

Arti i saj ka arritur deri te modelet e njohura nga Libani, e madje edhe te Bebe Rexha e cila me kreacione të disenajtores kosovare u prezantua në mbrëmjen e “City Of Hope” që u mbajt në Santa Monica të Los Angelesit ku e gjithë vëmendja e mediave botërore ra mbi Beben.

Arritjet e këtij niveli dhe interesimi i vazhdueshëm për artin e saj po e nxisin disenjatoren që të sjell koleksione të reja shumë më shpesh.

Por, koleksioni i fundit është një tjetër vulë e suksesit për Berishën.

Të shkrira në trupin e modeles nga Shqipëria, Oriola Marashi, dizajnet e koleksionit më të ri të Lenës kanë marrë vëmendje të madhe.

Deri më tani ajo ka prezantuar disa veshje, por që gjithsej ky koleksion përmban 15 të tilla.

E veçanta e këtij koleksioni janë materialet më të cilat ajo ka punuar.

“Shumica e fustaneve janë punuar me materiale nga metali dhe punë dore. Për këtë koleksion janë inspiruar nga vitet 2000 por që i kam ndërlidhë me trendët e sotme, duke sjell një bashkëdyzim interesant”, ka theksuar disenjatorja për KultPlus.

Ajo ka potencuar që ky është koleksion “ready to wear 2020”.

Pritet që krijimet e saj t’i shohim teksa parakalojnë në tapet të kuq nga artistë të njohur botëror, apo prezantime të tjera shumë të rëndësishme pasi që sipas disenjatores interesimi është i madh nga artistë e modele botërore.

“Ka interesim të madh nga Hollywoodi për këtë koleksion, emra të njohur të artistëve por edhe stilistë të yjeve më kanë kontaktuar. Jam duke punuar për emra të njohur që do t’i zbuloj shumë shpejt”, ka përfunduar Berisha.  / KulPlus.com

Për Dervish Shaqën ndahet Medalje Presidenciale e Meritave

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka dorëzuar sot familjes së rapsodit të njohur Dervish Shaqa, Medaljen Presidenciale të Meritave, përcjellë KultPlus.

Ai ka njoftuar duke e vlerësuar lartë kontributin e Dervish Shaqës në kultivimin e këngëve popullore.

“Familjes së rapsodit të njohur Dervish Shaqa, ia dorëzova Medaljen Presidenciale të Meritave. Dervish Shaqa ka dhënë kontribut të shquar në kultivimin e këngëve popullore me vlerat të larta patriotike për dekada të tëra”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com

Alfabeti arbëror, alfabet i lashtësisë së kombit tonë arbëror europian

Nga Gjon Keka

Gjuha jonë arbërore dhe alfabeti i saj kanë ekzistuar gjithmonë, kjo është vërtetuar dhe po vërtetohet edhe sot se gjuha arbërore si gjuhë e lashtë europiane ka pasur vazhdimësi si në të folme ashtu edhe në të shkruar. 

E vetmja periudhë kur gjuha jonë u sulmua dhe u ndalua për pesë shekuj ishte periudha e errët e pushtimit otoman, pikërisht në këtë periudhë të errët kombi ynë, identiteti ynë europian dhe fati i gjuhës së kombit tonë u tentua të varroset dhe të zhduket përgjithmonë. 

Por, jo, ishin arbërorët e urtë të cilët edhe pse të dëbuar nga vatrat e tyre, aty ku u vendosën e ruajtën gjuhën dhe traditat e lashta arbërore, poashtu ishin etërt dhe kleri krishterë katolik që ruajti dhe avancoi kulturën dhe gjuhën e kombit tonë arbëror europian. Kështu që edhe sot kur po shkruaj unë shkruaj nga shkronjat të cilat i përdorën paraardhësit tanë, pra gjuha jonë është gjuhë e gjallë ashtu si gjuha e gjallë e kombit gjerman. Me këtë kuptojmë se alfabeti i gjuhës arbërore nuk u shpik dje, as në Kongresin e Manastirit, por alfabeti arbëror ka ekzistuar gjithnjë, vetëm se mund të thuhet që në Kongresin e Manastirit u rilind alfabeti i cili u plotësua dhe standardizua sipas kohës dhe rrethanave. Me pakë fjalë rrënjët e gjuhës sonë arbërore dhe alfabetit janë rrënjët që na tregojnë gjenezën tonë si komb me kulturë dhe identitet brenda kontinentit europian. / KultPlus.com

Skenaristja dhe producentja amerikane Jill Goldsmith, me punëtori për shkrim skenari në Prishtinë

Ambasada Amerikane në Kosovë, American Film Showcase, dhe Qendra Kinematografike e Kosovës organizojnë punëtorinë 5 ditore – Shkrimi i Skenarit për Serial Televiziv, për filmbërësit, skenaristët dhe producentët kosovar, përcjellë KultPlus.

Jill Goldsmith është skenariste dhe producente që ka shkruar dhe prodhuar për seriale fituese të çmimeve Emmy si NYPD Blue, The Practice, Ally McBeal, Law & Order, and Boston Legal; në vitin 2008 ishte finaliste për Humanitas Prize, dhe ka qenë folëse e ftuar në shumë univerzitete, konferenca, dhe programe të shkrimit të skenarëve.

Për të aplikuar për punëtorinë dërgoni CV-në dhe letër-deklaratën motivuese në adresën [email protected] dhe [email protected] deri më 8 shtator, 2019, ora 18:00 me subjektin: Aplikim për Punëtorinë për Shkrim Skenari për Serial Televiziv. / KultPlus.com

2018-ta vit me plot balada nga Elvana Gjata

Këngëtarja shqiptare, Elvana Gjata, pavarësisht sukseseve ndër vite,  në vitin 2018 e kemi parë shumë aktive në veçanti me albumin e saj të publikuar atë vit.

Elvana Gjata,  e ka dominuar skenën mediale për një kohë të gjatë atë vit meqë disa nga këngët e saj të publikuara arritën të marrin një dëgjueshmëri shumë të madhe.

“Gjerat kanë ndryshuar” është njëra nga këngët më të preferuara të lansuara nga këngëtarja në fjalë.

Me një shfaqje të jashtëzakonshme, kënga “Xheloz” është një këngë tjetër mjaftë e pëlqyer e cila ka marrë me mijëra klikime.

“Më fal” është një nga baladat më të dëgjuara që është realizuar ndër vite. Elvana Gjata e kishte lansuar edhe këtë hit në vitin 2018, duke lënë shenjë ta pashlyeshme në botën artistike në hapësirën shqiptare.

Pas një pauze Elvana Gjata është rikthyer sërish në skenën muzikore duke vazhduar me punën e saj artistike. Përndryshe, Elvana Gjata ka një aktivitet të ngjeshur edhe në Kosovë duke marrë pjesë në koncerte dhe aktivitete të ndryshme. /KultPlus.com

Kosovarja synon edhe një rekord në Guinness

Arbnora Fejza nga Skenderaj është vajza e cila synon edhe një rekord të ri Guinness.

Ajo së fundi ka filluar të punoj një projket të ri, një vazo gjigante me 69 mij copa letër, 110 lule dhe me flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Përmes kësaj vazo ajo pretendon rekord të ri Guinness.

Këtij punimi Arbnora i ka dhënë një kuptim sipas të cilës, të gjitha copat e letrave paraqesin popullin shqiptar të përvuajtur dhe të bashkuar, ndërsa lulet në këtë punim paraqesin dëshmorët e kombit, përcjell albinfo.ch. / KultPlus.com

Nxënësit e këtyre dy klasave, pa libra të rinj në këtë vit shkollor


Tekstet shkollore për klasat e teta dhe nënta sivjet nuk do të shpërndahen falas nga Ministria e Arsimit. Sipas zyrtarëve të MASHT-it, në bazë të udhëzimit administrativ, këto klasë e kanë për obligim të ruajnë librat dhe t’i kthejnë ato në shkollë, ku më pas shkolla i shpërndanë për gjeneratën që vjen.

Por, drejtues të disa shkollave thonë që nuk kanë qenë të njoftuar se duhet t’i sigurojnë librat e vjetër për t’i shpërndarë këtë vit. Ndërkohë, nxënësit tani duhet t’i sigurojnë vetë këto libra. Nxënësit e klasave të teta dhe nënta, nuk mund të kenë libra të rinj në këtë vit shkollor, pasi Ministria e Arsimit nuk i ka shpërndarë ato.

Ata duhet t’i sigurojnë nga shokët e gjeneratës paraprake ose t’i blejnë në librari. Kështu thonë nxënëset Stina dhe Ola nga Shkolla “Ismail Qemali”, në Prishtinë, të cilave u është thënë se shkolla nuk i ka siguruar librat nga viti i kaluar.

Shumë mësimdhënës dhe drejtues shkollash, thanë jashtë mikrofonit të Radios, se nuk janë njoftuar me kohë që duhet t’i sigurojnë librat e përdorur nga viti i kaluar. Tashmë disa shkolla nuk kanë libra të klasës së tetë dhe nëntë, kështu që nxënësit duhet të interesohen për t’i siguruar vetë ato. Drejtorja e Shkollës “Faik Konica”, Gjylie Balaj, ka thënë për RTK-në se po bashkëpunojnë me shkollat e tjera për të plotësuar me libra njëra-tjetrën.

Ndërkohë, drejtori i departamentit për arsimin para universitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se në bazë të udhëzimit administrativ, klasat tetë dhe të nëntë e kanë për obligim t’i ruajnë librat dhe t’i kthejnë ato në shkollë, ku më pas shkolla i shpërndanë për gjeneratën që vjen . Istogu, tha se qëllimi i ruajtjes së teksteve të klasave tetë dhe nëntë, ishte edhe për shkak të kursimit të buxhetit. Ndërkohë, sivjet janë shpërndarë tekstet e reja të cilat janë hartuar për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11./KultPlus.com


Ramë Lahaj: Mos i harroni njerëzit tuaj të dashur, jeta është e shkurtër e suksesi gënjeshtër e madhe

Ritmi i shpejtë i jetës dhe vrapimi drejt suksesit, shpesh na bënë t’i harrojmë njerëzit më të dashur e të kthehemi për ta kaluar kohë bashkë me ta.

Këtë mesazh, përmes një statusi në Facebook e ka përcjellur tenori shqiptar, sot me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, i cili përmes një fotografie në natyrë me një prej personave më të dashur për të ka dërguar tek ndjekësit e tij një mesazh shumë domethënës. Ai ka theksuar që nuk duhet të harrojmë të kthehemi aty ku nisi gjithçka si pasojë e dashurisë së madhe e ku dashuria nuk kishte asnjë interes përpos mirësisë.

“Kur ritmi jetësor më merr para dhe njëfarë forme ma zë frymën, me shumë obligime dhe më bënë të ndihem sikur gjithçka dhe çdo sekondë duhet kalkuluar për hir të suksesit dhe një jete luksoze që vjen si rrjedhojë e egos sonë, atëherë vendosi të kthehem krejt në fillim, aty ku nisi gjithçka si pasojë e dashurisë së madhe, ku ditët ishin të ndritura e të shenjta e ku dashuria s’kishte asnjë interes përpos mirësisë. 

Mos i harroni njerëzit tuaj të dashur, duani fort ata sepse jeta është e shkurtër e suksesi gënjeshtër e madhe!” / KultPlus.com

Vjena shpallet qyteti më i mirë në botë për të jetuar

Vjena mbetet qyteti më i mirë për të jetuar prej 140 qyteteve të renditura nga revista “The Economist”, transmeton Rel.

Pasi zhvendosi Melburnin, nga vendi i parë më 2018, duke i dhënë fund një rekordi prej shtatë vitesh radhazi, Vjena ruajti pozicionin e saj në krye të sondazhit edhe në vitin 2019.

Dy qytete të tjera australiane shfaqen në dhjetëshen e parë: Sidnej (në të tretin) dhe Adelaide (e dhjeta), ndërsa vetëm një qytet tjetër evropian, Kopenhaga në Danimarkë renditet i nënti.

Qytetet e tjera më të mira për të jetuar janë Osaka dhe Tokio në Japoni, si dhe Vankuver dhe Toronto në Kanada.

Damasku në Sirinë e shkatërruar nga lufta mbeti qyteti i fundit për cilësinë e jetesës, duke u pasuar nga qyteti, Lagos në Nigeri dhe kryeqytetit i Bangladeshit, Daka.

Në mesin e 56 qyteteve që kanë regjistruar përmirësime në renditjen e përgjithshme, gjatë pesë viteve të fundit, është edhe Beogradi, kryeqyteti i Serbisë.

Në 12 muajt e fundit, Beogradi ka kaluar nga vendi i 82 në të 77-in, si rezultat i përmirësimeve në infrastrukturë dhe kujdes shëndetësor.

Renditja e qyteteve për cilësinë më të mirë të jetesës, bëhet në bazë të parametrave si stabiliteti, kultura dhe mjedisi, si kategoritë më të rëndësishme. Më pas merren parasysh edhe kujdesi shëndetësor, infrastruktura dhe arsimi. / Koha.net/KultPlus.com

Më 1986, Marka Gjok Cara ia dorëzoi Papës dosjen e krimeve të Enver Hoxhës

Historia e rrallë dhe e dhimbshme Marka Gjok Carës nga Spaçi i Mirditës i cili në vitin 1952 u detyrua që të arratisej nga Shqipëria pasi ndiqej nga Sigurimi i Shtetit si strehues i grupeve të rezistencës antikomuniste të Pukës e Mirditës me në krye familjen Mirakaj, Mëlyshi, Gjonmarkaj etj., dhe si e ndihmoi atë Cub Marka Gjoni nga fshati Kçirë i Pukës që i mbajti dy vajzat e vogla, njëra e sapolindur…?! E gjithë ngjarja, sipas dëshmive të bashkëshortes, Lezes, 100 vjeçare, me banim në Itali, të së bijës, Gjystes, dhe nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Belgjikë…

Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç është e njohur tashmë, pas ardhjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës në pushtet, në nëntorin e vitit 1944, shumë nga kundërshtarët e tij politikë, pjestarë të formacioneve ushtarake të Ballit dhe të Legalitetit, por edhe antikomunistë e nacionalistë të paangazhuar në këto organizata nacionaliste, nuk pranuan të largoheshin nga Shqipëria, por qëndruan në male, pjesa më e madhe kryesisht në Veriun e Shqipërisë, ku, në periudhën 1944-1954, organizuan rezistencën antikomuniste, gjatë së cilës u vranë qindra shqiptarë dhe po kaq u internuan apo burgosën në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku familje të tëra provuan drama të tmershme që akoma nuk janë shlyer nga kujtesa dhe kanë lënë gjurmë e vrragë të thella tek ata që i provuan dhe te pasardhësit e tyre.

Por, edhe pas gati 30 vjetësh nga shëmbja e atij regjimi, (me gjithë punën tejet voluminoze të Institutit për Evidentimin Studimin dhe Pasqyrimin e Krimeve të Komunizmit), historia e vërtetë se çfarë ndodhi me ata njerëz që qëndruan nëpër male duke u ndeshur dhe luftuar edhe me armë me një nga regjimet më të egra komuniste të gjithë Evropës Lindore, duket se është ende e paplotë dhe ajo do të vazhdojë të plotësohet nga dëshmi gojore të atyre njerzve që i vuajtën ato dhe i provuan mbi kurriz ato tmerre.

Një prej tyre është dhe historia e dhimbëshme e Marka Gjok Carës me origjinë nga Spaçi i Mirditës, për të cilën bën fjalë dhe ky shkrim që publikohet ekskluzivisht për gazeten TemA, sipas dëshmive të familjarëve të tij, bashkëshortes, Lezes 100 vjeçare me banim në Itali dhe e së bijës, Gjystes, e nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Belgjikë.

Marku emigrant politik në Itali, Belgjikë e Kanada

Pas largimit nga Shqipëria Mark Cara me bashkëshorten Lezen dhe njerzit që e shoqëronin qëndruan për disa kohë në një kamp azilantësh në Jugosllavi ku kishte dhe shumë shqiptarë të tjerë të arratisur në pritje për të fituar azilin politik për në vënde të ndryshme të Perëndimit, gjë të cilën ata e fituan vetëm pas disa muajsh kur ia dha e drejta për të shkuar në Itali. Menjëherë pas vajtjes në Itali, Marka Cara kontaktoi organet kompetente italiane si dhe Organizatën Ndërkombëtare për Refugjatët Politik (IRO) e Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, ku ju kërkoj zyrtarisht që të ndërmjetësonin pranë qeverisë shqiptare që ata t’u mundësonin që dy vajzat e vogla që kishin lënë në Shqipëri, t’u dërgoheshin atyre në Itali.

Por edhe pse IRO dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bënë të gjitha demarshet pranë autoriteteve zyrtare shqiptare dhe në disa prej përfaqësive diplomatike të saj si në Romë e Paris, ajo gjë jo vetëm që nuk iu plotësua, por ndaj familjes së tyre në Shqipëri, kryesisht Gjelës së Pal Gjonit, që mbantë dhe rriste dy vajzat e tyre (Gjysten dhe Anxhen), u shtua më tepër represioni dhe dhuna verbale, pasi nga ana e njerzve të Sigurimit i kërkohej asaj që t’i shkruante së bijës që të kthehej në Shqipëri, pasi jeta e dy vajzave ishte në rrezik…?!

Por nënë Gjela nuk pranoi kurrë që t’ju shkruante së bijës dhe Markut dhe me shumë mundime dhe sakrifica i rriti vajzat pa ja shtrirë dorën “pushtetit popullor” dhe Gjysten ajo arriti ta martonte sapo mbushi 16 vjeç, duke e dhënë te dera e Mëlyshve, për Zefin, të birin e Frrok Mëlyshit, të cilin në 27 korrik të viti 1949, komunistët e ekzekutuan dhe kufomën e tij pasi e lidhën pas makinës së Mehmet Shehut, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Rrëshenit e në fund e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine. Ndërsa Gjystja u martua me Zef Mëlyshin dhe krijuan familjen e tyre e jetuan në Laç të Kurbinit ku ata ishin të internuar, e bija tjetër e Markut dhe Lezes, Anxhja, nuk pati fatin të martohej, pasi ajo vdiq shumë e re nga një sëmundje që i kishte ardhur për shkak të peripecive të shumta që kishte kaluar që kur kishte lindur.

Mark Cara në audiencë te Papa Gjon Pali

Pas disa vitesh qëndrimi në Itali, Marku me bashkëshorten dhe disa nga njerzit e tij besnik që e shoqëruan kudo, emigroi si azilant politik në disa shtete të tjera të Perëndimit, si Belgjikë, Spanjë, Kanada, etj. Gjatë atyre viteve që ishte emigrant politik në ato shtete, Marku u angazhua në veprimtarinë politike të diasporës shqiptare duke aderuar me Lëvizjen e Legalitetit të Mbretit Zog, ku morri pjesë në të gjitha mbledhjet dhe kongreset që zhvilluan legalistët në vëndet perendimore. Për kontributin që Marku dha në atë formacion politik, ai u ftua dhe morri pjesë në dasmën e Princ Leka të zhvilluar në Madrid më 10 tetor të viti 1970, ku ishin të pranishëm me dhjetra shqiptarë të tjerë nga mërgata politike dhe kryesisht besnikë të Monarkisë.

Që nga viti 1952 kur Marku u stabilizua si emigrant politik në Itali dhe deri në vitin 1991 kur dhe u shëmb regjimi komunist në Shqipëri, ai kreu një aktivitet të jashtëzakonshëm në mërgatën politike shqiptare në shtete të ndryshme të Perëndimit, duke kontaktuar dhe ndihmuar shumë shqiptarë që arratiseshin nga Shqipëria për t’i stabilizuar ata për në shtetet ku fitonin azilin politik. Po kështu përveç kësaj, në kontaktet me të arratisurit shqiptarë, Marku mbante shënim dhe evidentonte të gjitha peripecitë e tyre, si p.sh. njerzit që ata kishin nëpër burgjet e regjimit komunist në Shqipëri, torturat që iu bëheshin atyre në qelitë e Hetuesisë dhe burgjeve ku vuanin dënimet, të vrarët në kufi teksa tentonin të kalonin klonin për t’u arratisur, të dënuarit me vdekje dhe ata që vdisnin në burgje e internime etj etj, duke arritur që të krijonte evidence të sakta për qindra e qindra familje individë dhe familje shqiptare që vuanin nën regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës.

Të gjitha ato Marku i mblodhi në një dosje voluminoze që e mbante të fshehur më shumë kujdes, pasi ai gjatë gjithë kohës ishte nën survejimin e agjentëve të Sigurimit të Shtetit shqiptar që vepronin në të gjitha vëndet e Perëndimit nën petkun e diplomatit dhe rënia e asaj dosje në duart e Sigurimit të Shtetit, ishte me shumë pasoja jo vetëm për ata që kishin dëshmuar për Markun me shkrim, por edhe për familjet e tyre që kishin lënë në Shqipëri. Nisur nga ky fakt, pra për rëndësinë që kishte ajo dosje voluminoze me dokumente dhe dëshmi rrënqethëse nga ferri komunist në Shqipëri, por edhe për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar mbi ato që po ndodhnin nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Marka Cara vendosi që t’ja dorzoi ato Papa Gjon Palit të Dytë në selinë e tij në Vatikan.

Për këtë gjë, Marku u konsultua edhe me disa nga miqtë e tij të ngushtë dhe kryesisht me vëllezërit Gjon dhe Ndue Pjetër Gjonmarkaj, të cilët jo vetëm që ia aprovuan atë gjë, por Gjoni si gazetar dhe shef i Seksjonit Shqip të Radio Vatikanit, ndërhyri dhe shpejtoi procedurat zyrtare që duheshin për takimin e Markut me kreun e Selisë së Shënjtë në Vatikan. Dhe ajo gjë u realizua shpejt, e Papa Gjon Pali i Dytë më 30 korrik të vitit 1976 e priti në audiencë Marka Gjon Carën së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, gjë e cila veç të tjerash duket dhe nga fotoja që po publikojmë në këtë shkrim, ku Marku me dorën e tij poshtë saj në dialektin mirditor ka shkruar:

“U denca me Papën Shenjet Zyrtare, (me 30.VII. 1986). Në emën të Emigracionit dhe të Popullit Shqiptar. Ku janë dorzu krejet Dekumentat e Vujtjeve Trishtuese të mar popullit ton nan Diktaturën Komuniste, Burgje, Kampe, Pushkatime, E Tqera këto Gjinden në Vatikan për gjithmonë.

Papa Gjon Pali e përgëzoi Marka Carën për atë punë kolosale që kishte bërë prej vitesh dhe mes të tjerash në fund të fjalës së tij të shkurtër u tha të pranishmëve: “Do të lutem edhe për vëllezërit tanë katolikë dhe gjithë popullin shqiptarë në anën tjetër të Adriatikut, që Zoti t’i ndihmojë dhe t’u ndriçojë rrugën e tyre…”. Kështu u mbyll audience që dha Papa Vojtila për emigrantin politik Marka Gjok Cara, i cili me atë veprim u bë një nga shqiptarët e vetëm që denoncoi zyrtarisht pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, (personalisht te Papa Gjon Pali i Dytë) një pjesë nga krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, dosje e cila edhe sot ndodhet në arkivat e Vatikanit, në pritje për t’u publikuar një ditë si një dëshmi e gjallë se çfarë tmerresh ka kaluar një pjesë e popullit shqiptar në një nga periudhat më të errta të tij në vitet 1945-1991.

Kthimi i Markut në Shqipëri në 1993

Gjatë periudhës së emigacionit politik në shtete të ndryshme të Perëndimit, Marka Gjok Cara me bashkëshorten Lezen lindën edhe pesë fëmijë të tjerë (katër djem) por ata i mbante shpresa që një ditë të shikonin dhe të takoheshin me vajzën që kishin lënë në Shqipëri, Gjysten, e cila gjithashtu jetonte me shpresë për t’i parë prindërit e saj që e kishin lënë vetëm tre vjeçe. Po kështu përveç mallit që e kishte zhuritur prej vitesh për të bijën që se kishte parë kurrë që nga ajo natë korriku e vitit 1952 kur ai me bashkëshorten u larguan nga Shqipëria, Marka Cara kishte dhe një hall tjetër më të madh që e dëshironte prej vitesh dhe “mezi kishte pritur të vinte ajo ditë e lume” që ai të kthehej në Shqipëri.

Ai dëshironte të shkonte dhe njëherë te kulla e Cub Marka Gjonit (nëfshatin Kçirë të Pukës), mikut të tij besnik që pranoi dhe ia mbajti e ia rriti dy vajzat, Gjysten dhe Anxhen, duke marrë përsipër të gjitha peripecitë e dhunën e regjimit komunist ndaj tij personalisht dhe familjes së tyre, e cila ishte nën survejim ditë e natë për shkak se Pal Gjoni ishte në burg politik si “armik i popullit”. Marka Cara donte të kthehej te shtëpia e tyre për ta falenderuar në bazë të gjithë zakoneve që përmbante kanuni.

Kjo gjë e mundonte shumë dhe gjatë gjithë kohës që ishte në azil politik në shtete të ndryshme të Perëndimit, Marka Cara u thoshte familjarve të tij: “Do i madhi Zot me ardh ajo ditë e lume dhe me thkaj (kthehem) dhe njiheri ku kulla e Cub Gjonit, s’dojsha gja tjetër. Nëse s’do ia arrij asaj dite, amanet e keni prej meje me shku atje s’parit, se qaj burr m’i mbajti e m’i rriti ato dy cuca…”

Dhe ajo gjë u bë realitet, pasi Marku erdhi në Shqipëri në vitin 1993 dhe në aeroportin e Rinasit atë e priti e bija, Gjystja me bashkëshortin, Zef Mëlyshi, tre djemtë, (Frroku, Marjani dhe Nduja), etj. Siç tregon nipi i tij i madh, Frrok Mëlyshi (që prej vitesh jeton në Bruksel), ai takim i nënës së tij, Gjystes, me të jatin, Markun, mes lotësh dhe përqafimesh, nuk ka penë që ta përshkruaj…?! Pas takimit me të bijën dhe familjen e saj në Laç të Kurbinit, para gjë që kërkoi dhe bëri Marka Cara, ishte “me shku ku kulla e Cub Marka Gjonit”, gjë e cila ia realizua menjëherë.

Gjëja tjetër që kërkoi dhe bëri Marka Cara ishte finacimi për ringritjen e një kishe në afërsi të Fush-Arrëzit, (Kisha e Shmasjnit) ku ai ishte lutur shënjtit të saj, para se të shkonte për të marrë bashkëshorten Lezen, mesnatën e 10 korrikut 1952, kur dhe u largua nga Shqipëria me kokën prapa, pasi kishte lënë aty dy vajzat e vogla. Dhe dëshira e Markut për financimin e rindërtimit e asaj kishte që ndodhet edhe sot pak pa shkuar në Fushë-Arrëz u bë realitet falë dhe ndihmës të autoriteteve vendore të asaj kohe në rrethin e Pukës si, deputetët Simon Puta e Marash Ibraj, Kryetari i Partisë Demokratike të rrethit të Pukës, Gjergj Sokoli etj.

Pas rindërtimit të asaj kishe në vitin 1993, Marku pati rastin të vinte dhe disa herë të tjera në Shqipëri për të vizituar Mirditën dhe Pukën ku kishte lënë plot miq e dashamirë, siç ishte kulla e Cub Marka Gjonit në Kçirë, dhe në ato vizita e kudo që ai shkonte, e shoqëronte nipi i tij, Frrok Mëlyshi, i cili ishte dhe njeriu që Marku donte dhe çmonte më shumë. Marka Gjok Cara jetoi gjatë dhe ai ndërroi jetë në moshën 97 vjeçare më 27 nëntor të vitit 2013, duke u përcjellë me shumë nderime nga dhjetra bashkatdhetarë dhe familja e tij për në banesën e fundit në Vila Latina (provincë afër Romës) ku ai jeto vitet e fundit të jetës me familjen e tij.

Ndërsa bashkëshortja e tij besnike, Lezja (99 vjeç) dhe e bija Gjystja, (71 vjeçe) jetojnë ende “për me tregue”, copza nga nga kalvari i gjatë i vuajtjeve që pësoi familja e tyre dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar nën regjimnin e egër diktatorial të Enver Hoxhës, siç janë dhe këto që përshkruam më sipër në këto shkrim. / Panorama / KultPlus.com

mark-5

Starton aplikacioni i parë informues “Diaspora Shqiptare”


Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se ka filluar në përdorim aplikacioni i parë informues “Diaspora Shqiptare”.

“Prej ditës së sotme të gjithë shqiptarët kudo gjenden kanë mundësi të njihen në kohë reale me gjithçka ndodh në Diasporën Shqiptare. Kjo, falë aplikacionit më të ri “Diaspora Shqiptare”, i cili prej ditës së sotme gjendet falas në dyqanet virtuale”, ka shkruar Majko në Facebook. / KultPlus.com

“Vogue”: Dua Lipa, artistja që vjen nga trashëgimia e protestës

Prejse është bërë super e suksesshme, ajo ka përdorur platformën e saj për ndryshime pozitive, qoftë duke themeluar “Sunny Hill Academy” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, apo duke folur mbi pabarazinë gjinore në industrinë muzikore.

Ky është një nga vlerësimet e bëra nga versioni australian i revistës së njohur “Vogue” për artisten me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, me të cilën edhe ka realizuar një intervistë teksa ajo është në pritje të realizimit të albumit të saj në Los Angeles. Pasi përmend rrugëtimin e këngëtares 24-vjeçare nga koha kur ajo u bë artistja më e shfaqur në “Spotify” e deri te rrëmbimi i dy çmimeve “Grammy”, revista thekson se Dua është një yll me synime, një femër e re e vendosur për të sfiduar çështjet globale.

“Nuk është aspak keq për një vajzë nga Londra veriore (me prindër nga Kosova, që kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar më 1992)”, shkruan “Vogue”.

“Duas gjithmonë i është dashur të lëvizte. Pasi ishte kthyer nga Londra në vendlindjen e prindërve në Kosovë, në moshën 12-vjeçare, ajo e bindi babanë e saj, këngëtar i dikurshëm rocku, dhe nënën, një punëtore në industrinë e turizmit, që ta lejonin të kthehej vetë në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar kur ishte vetëm 15 vjeçe. Ajo qëndroi te një i afërm i familjes dhe studioi në Sylvyia Young Theatre School, duke jetuar përmes modelimit dhe duke postuar coversa të Jamie XX dhe Mila J në YouTube”, shkruan “The Vogue”.

Në artikullin, që ka si autore gazetaren Hattie Collins, thuhet se ngritja e shpejtë e Duas drejt suksesit botëror ka qenë e papritur.

“Sigurisht se askush, e mbase as vetë Dua, nuk mund të ketë parashikuar një trajektore të tillë të jashtëzakonshme, meqë ajo hyri qetësisht, por vendosmërisht, në ndërgjegjen e muzikës pop në vitin 2015 me debutimin e saj ‘New Love’”.

Në intervistën e saj për revistën australiane, Lipa ka folur edhe për albumin e saj të dytë që pritet të lansohet brenda pak javësh. / Koha.net / KultPlus.com

Koncerti për Nënë Terezën pasqyrohet në mediat italiane

Eleganca e pianos dhe ajo çka sugjeron violina takohen dhe përzihen me fuqinë e një zëri sopranoje. Kjo është ”Nëna Arbëri”, koncerti që do të zhvillohet të enjten në nderim të figurës së Nënë Terezës”, kështu e përshkruajnë mediat italiane koncertin “Nëna Arbëri” i cili do të zhvillohet nesër.

Mediat italiane kanë theksuar gjithashtu praninë e artistëve shqiptarë me karrierë ndërkombëtare, sopranon Inva Mula, violonçelistin Olen Cezari dhe pianistin Genc Tukici. 

Koncerti “Nëna Arbëri“ është organizuar nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën në bashkëpunim me komunën Piana degli Albanesi dhe do të mbahet nesër ora 21:00 në sheshin “Vittorio Emanuele”, Piana Degli Albanesi, Palermo Itali. / KultPlus.com

https://www.sicilmedtv.it/soprano-violino-e-pianoforte-in-…/

https://www.iltempo.it/…/musica-a-piana-degli-albanesi…/amp/

https://www.filodirettomonreale.it/…/piana-degli-albanesi…/…