Kolonja do të festojë të dielën Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore nga ora 08:00 deri në 22:00 të mbrëmjes.
Kryeministri Edi Rama ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj feste, ku do të ketë plot aktivitete argëtuese dhe mund të shijohen bukuritë dhe traditat më të mira të kësaj zone.
“Mirëmëngjes dhe me këtë ftesë të Bashkisë së Kolonjës që të dielën, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, mirëpret me plot aktivitete argëtuese këdo që ka dëshirë të shijojë bukuritë dhe traditat më të mira të kësaj zone, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Kolonja në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore feston 14 orë aktivitete, ku do të ketë promovime libri, panair të produkteve bio, panair të artizanatit, panair i zahireve.
Gjithashtu do të ketë një ekspozitë fotografike nga fotografi kolonjar Dhimitër Vangjeli, si edhe animatorë të ndryshëm.
Në fund do të ketë një spektakël të madh në mbyllje në Sheshin “Rilindja”./atsh / KultPlus.com
Kalaja e Beratit vijon të mbetet atraksioni turistik i vizitorë të huaj edhe në këtë fund shtatori.
Turistët e huaj kanë mbushur gjatë këtyre ditëve shtatori hapësirat kulturore në zbulim të historisë, arkitekturës dhe magjisë që ofron ky qytet.
Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.
Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.
Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj. /atsh / KultPlus.com
Nëse nuk i rezistoni një përqafimi apo përkëdheljes ndaj fëmijës suaj, nuk ju fajësojmë. Era e ëmbël e tyre, lëkura e butë dhe pamja aq engjëllore mund të bëjnë çdo prind të dorëzohet. Shkenca ka treguar se ka shumë arsye psikologjike pse duhet ta përkëdhelni fëmijën tuaj.
Bright Side
ka bërë disa hulumtime që tregojnë se përveç arsyeve psikologjike, foshnjat e
vogla ndihmojnë në përmirësimin e zemrës suaj.
Sipas një
studimi të botuar në revistën “Development and Psychopathology”, përkëdheljet
dhe përqafimet kanë një ndikim të qëndrueshëm pozitiv në nivelin molekular. Në
thelb, përkëdhelja me fëmijën tuaj mund të ndikojë në gjenet e tyre në një
drejtim pozitiv.
Studiuesit
studiuan 94 bebe të shëndetshme, 5-javëshe. Ata u kërkuan prindërve të tyre të
mbajnë ditarë për të regjistruar oraret e fëmijëve: kur hanin, flinin,
ushqeheshin dhe qanin. Prindërit gjithashtu u pyetën që të mbanin shënime sesa
kontakte trupore kishin gjatë qëndrimit me bebet e tyre. Studiuesit zbuluan se
fëmijët që kanë më shumë kontakte fizike me prindërit, kjo gjë mund të çojë në
plakjen më të ngadaltë të gjeneve të tyre.
Sipas
studiuesve, rezultatet tregojnë përfundimisht se fëmijët që marrin më pak
përqafime, ishin më të mërzitur në fëmijëri. Pra, me pak fjalë përkëdhelni
fëmijët tuaj sepse e ndihmoni në fazën që ndodhen, por edhe kur të rriten:
-Përkëdhelja
ndihmon fëmijën të rregullojë temperaturën e trupit.
-Zvogëlon
stresin që bebet përjetojnë gjatë ushqyerjes me gji.
-Studimet
tregojnë se përqafimi mund të jetë një qetësues i fuqishëm për fëmijët.
-Krijon lidhje më të fortë nënë-fëmijë./portalb/KultPlus.com
KO:SH Film Fest On Tour nis sonte udhëtimin me ndalesën e parë në Mitrovicë, përcjellë KultPlus.
Eventi do të nisë sonte në orën
20:00 në ambientet e 7Arte në Mitrovicë. Më pas KO:SH Film Fest On Tour do të
vazhdojë rrugëtimin në Prishtinë, më 4 tetor në Kino Armata dhe në Prizren më
datë 5 tetor në Kino Lumbardhi.
Korça Short Film Festival,
përgjatë muajit shtator dhe tetor, do të udhëtojë në disa qytete të ndryshme,
si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.
Një përmbledhje e filmave më të mirë të KO:SH Film Fest do të
shfaqet në Mitrovicë, Prishtinë, Prizren, Tetovë, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë.
KO:SH organizohet nga dART Production dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë. / KultPlus.com
Kur dy divat të muzikës botërore bëhen bashkë, spektakli është i sigurt.
Shakira dhe J.Lo do të performojnë në shfaqjen Super Bowl të
këtij viti.
Lopez ka njoftuar fansat e saj në Twitter se nuk do të jetë
e vetme dhe bashkë me të do të jetë edhe ylli latin Shakira.
Shfaqja do të mbahet më 20.02.2020 dhe po pritet me entuziazëm
nga fansat.
J.LO dhe Shakira dallojnë për shfaqjet e mrekullueshme në koncertet dhe tani do të keni një arsye më shumë për të ndjekur futbollin amerikan. / KultPlus.com
“Në Shqipërinë e veriut funksionon edhe sot ligji i gjakmarrjes: Kush merr gjak, duhet të japë gjak (ta paguajë gjakun me gjak)”. Një grua zvicerane, motër nderi e rendit të kapucinëve, Christina Färber, i ka dhënë vetes misionin që të luftojë gjakmarrjen”.
Një artikull i gjatë i gazetës Luzerner Zeitung i bën portretin murgeshës në fjalë dhe dukurisë arkaike të gjakmarrjes në Shqipërinë e veriut.
Artikulli fillon me lidhjen paksa problematike që autori i bën fenomenit të gjakmarrjes gjegjësisht vrasjes për “punë të nderit” me dy vrasje të cilat kanë ndodhur muajve të fundit brenda komunitetit shqiptar të Zvicrës.
“Vrasjet që ndodhën kisuin të bënin me kanunin. Nderi qëndron mbi të gjitha, gratë nuk kanë pothuaj fare të drejta. Dhe shumë familje jetojnë ende nën kërcënimin e gjakmarrjes.
Christina Färber është gruaja e guximshme e cila i ka shpallur rezistencë paqësore të drejtës zakonore shqiptare, kanunit. Ajo lufton kundër dhunës mbi gratë, kundër martesës me detyrim. Dhe kundër gjakmarrjes, me të cilën këtu edhe sot jetojnë familje të shumta, transmeton albinfo.ch. Ajo e çon gazetarin te një familje në periferi të Shkodrës e cila jeton me frikën se gjakësi do ta vrasë djalin e saj 17 vjeçar, Kristianin.
“Në veriun shqiptar, në këtë malësi të egër, me pyjet, ujëvarat dhe liqenet e saj, kanuni është edhe sot i ngulitur fort në kokat e shumë njerëzve. Bëhet fjalë për “Ligjin e nderit”: nderi i familjes, i fisit dhe i burrit. Kanuni është një tërësi rregullash të pashkruara nga mesjeta, i cili gruas nuk i jep pothuaj fare të drejta, vazhdon gazeta.
“Gruaja sipas kanunit është një tub që lind fëmijë”, thotë Motër Christina. “burri në kanun ka të drejtë ta rrahë gruan e tij kur ajo nuk i dëgjon urdhrat e tij. Ai ka të drejtë madje edhe ta vrasë. Në rastet kur ajo e braktis ose e tradhëton”.
Motër Christina është vendosur para 20 vitesh në periferi të Shkodrës, ku, në kuadrin e përfaqësisë së rendit katolik të kapucinëve ndihmon më të varfrit dhe gratë. Shtëpia ku ajo dhe dy motra tjera nderi janë vendosur, është menduar si një lloj manastiri por tani funksionon më tepër si shoqatë humaniatre se sa si shtëpi lutjesh, përcjell tutje albinfo.ch. Ajo u shërben më të varfërve si një stacion shëndetësor, si pikë për shpërndarje të ushqimit, veshmbathjes etj.
Por në radhë të parë ky manastir është një pikëtakimi për gratë që përjetojnë dhunë në familjet e tyre. “Të tilla në këtë zonë janë mjerisht shumë, nëse jo edhe shumica e grave”, thotë murgesha. Ajo shton se trajtimi i tillë i gruas është nje plagë e rëndë shoqërore në Shqipëri, sidomos në veri të saj dhe në pjesë të Kosovës, të Maqedonisë, e të Malit të Zi. Për të ndryshuar sadopak gjendjen, ajo mbledh rreth njëzet vajza e djem me të cilët zhvillon rregullisht një herë në javë debat në kuadrin e kësaj shtëpie.
Në vazhdim të tekstit përshkruhet rasti i Kristianit 17 vjeçar, i cili detyrohet të jetojë i mbyllur dhe me frikë nga gjakmarrja. E gjithë kjo për faj të një xhaxhai të tij i cili para 21 vitesh kishte vrarë një bashkëfshatar dhe Kristiani, në pajtim me kanunin, “e ka hak” ta paguajë me gjak këtë vrasje, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë xhaxhai i tij, pasi ka mbaruar burgun, ka ikur diku në perëndim. E Kristiani, nga dita kur ka mbushur 16 vjet, sipas rregullave të kanunit, üështë “cak legjitim” i gjakmarrjes. Motër Christina thotë se duhet të jenë rreth 200 familje në Shqipërinë e veriut që jetojnë nën kërcënimin e gjakmarrjes.
Familja e Kristianit, për të qenë larg gjakësit është shpërngulur nga rrethina e Thethit, në periferinë e Shkodrës. Kristiani ashtu si dhe babai i tij, pjesën më të madhe të kohës e kalon mbyllur në shtëpi, para televizorit. Të dalë të lozë futboll me shokët, është diçka shumë e rrezikshme për të. Por mëngjeseve bën megjithatë një përjashtim. Me biçikletën e tij shkon në shkollë. Çdo ditë zgjedh një rrugë tjetër. Por edhe kështu ai rrezikon çdo ditë që të vritet. Edhe pse gjakësi jeton larg, Kristiani çdo ditë jeton me frikë, përcjell albinfo.ch. “Më duhet të jetoj me këtë”, thotë ai, i deprimuar, bosh.
“Në ndarje, babai i Kristianit i jep motrës Christina një pusullë me adresën e gjakësit. Ajo e merr pusullën dhe i premton atij se do ta vizitojë familjen e atyre që “duhet” të marrin gjak dhe do ta lusë për falje. Ndërmjetësuesit e deritashën nuk kanë pasur sukses.
Ndërmjetësimet për falje të gjakut në Shqipërinë e Veriut bëhen vetëm nga personat që njihen dhe respektohen njësoj nga të dyja familjet. Ndonjë kryebashkiak vendor, për shenmbull. Por më i sigurt pajtimi ështe kur bëhet nga prifti. Dhe akoma më mirë është kur ndërmjetëson personalisht ipeshkvi i Dioçezës Katolike të Shkodrës, monsinjor Angelo Massafra.
Ai bën brenda vitit disa pajtime personalisht. Por vetëm në ditë festash, si në Pashkë ose në Rrshaja. Vetëm pasi që një ndërmjetësues civil ka biseduar paraprakisht me të dyja familjet dhe i ka thënë atij se pajtimi është i mundshëm, Massafra iu bën bashkë dy familjet. Këtë e bën madje në shtëpinë e familjes që duhet të falë gjakun, transmeton albinfo.ch.
Së pari Massafra lut familjen e dorasit para të gjithëve, për falje. Nëse kjo pranohet, ipeshkvi Masafra fillon ceremoninë. Ai vendos një kryq prej metali mbi tavolinë, të cilin duhet ta puthë secili pjesëtar i familjes, personalisht. Në përmbyllje shërbehet një drekë e bollshme. Dhe cakërrohen gotat me raki për nderin e rivendosur.
Por, shkruan gazeta, ka raste kur pajtimi funksionon edhe pa kryq dhe kuran: Motra Christina, gjashtë javë pas vizitës që i bëmë familjes së Kristianit ka vizituar edhe familjen e gjakësit në zonën e Tropojës, afër kufirit me Kosovën. Pesë orë t`i merr rruga deri atje me makinë terreni. Pas një bashkëbuisedimi të gjatë, familja e gjakësit i ka premtuar asaj se po heq dorë nga hakmarrja. Dhe e ka porositur të njoftojë familjen atje poshtë në Shkodër se ia kanë falur. “Kanë vuajtur mjaft tashmë dhe përfundimisht duan ta harrojnë”. / albinfo.ch / KultPlus.com
“La Dépêche du Berry” ka botuar, të
mërkurën e 23 gushtit 1939, në faqen n°4, një shkrim në
lidhje me vizitën e mbretëreshës Geraldinë në qytetin francez të Orleanit, të
cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos),
Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar
:
Loiret
Orléans. —
Vizita e mbretëreshës Geraldinë.
“— Të dielën në
mbrëmje, orleanasit që ishin në sheshin Martroi kanë vënë re ndoshta, rreth
orës 19:15,dy makina të forta të markave të huaja, të
regjistruara 936 dhe 939 — T. T. 9 X — që transportonin një duzinë personash.Por pa dyshim, shumë pak e dinin që dy gratë e reja që zbritën për të
admiruar bazat e relievit të statujës së Foyatier (Bëhet fjalë për statujën e Zhan D’Arkës) ishin ish-mbretëresha e
Shqipërisë dhe një nga motrat e mbretit Zog.Mbretëresha
Geraldinë, e cila erdhi nga qyteti i Bourges-it, kishte mbërritur në
Orléans rreth orës 18:40.
Me njerëzit e
suitës së saj, ajo vizitoi katedralen, më pas bëri një ndalesë në sheshin
Martroi.Ndërsa doli nga makina, ajo vuri një palë
syze të errëta.Por kjo masë paraprake ishte e
panevojshme;askush nuk dyshoi për praninë e saj në
Orléans.Askush përveç policisë, sepse gjatë gjithë
qëndrimit të saj në qytetin tonë, ish-sovranja u shoqërua heshturazi nga z.
Eigle, komisar i policisë dhe dy inspektorë.Rreth orës 19:20, të dy makinat morën rrugën për
në Paris.”
Një seri fotosh të quajtur “Removed” nga fotografi amerikan Eric Pickersgill tregon njerëzit që shikojnë aty ku zakonisht është telefoni i tyre por që është i hequr.
Gjithçka duket e pakuptimtë dhe një realitet disi i frikshëm.
Fotografi e ka marrë këtë nismë në kuadër të një fushate ndërgjegjësimi që shumë gjëra po i humbasim nga fokusi i shumtë në ekranët e telefonave tanë të zgjuar.
Fotografitë kanë qenë një këmbanë alarmi dhe ka marrë një shpërndarje shumë të madhe.
Robert De Niro dhe Al Pacino rikthehen bashkë me regjisorin Martin Scorsese në filmin e ri, “The Irishman” – “Irlandezi”.
Filmi, në të cilin luan edhe aktori tjetër i famshëm Joe Pesci, është bazuar mboi jetën e Frank Sheeran, një vrasës me pagesë që ka punuar me disa prej figurave më famëkeqe të botës së krimit në Amerikën e shekullit XX.
Filmi flet për një prej mistereve më të mëdha të pazgjidhura në historinë amerikane, zhdukjen e sindikalistit Jimmy Hoffa (të luajtur nga Pacino) dhe zbulon tunelet e fshehta të krimit të organizuar, rivalitetet dhe lidhjet me politikën. Në një libër botuar nga Charles Brandt në vitin 2004, pretendohet se Sheeran, në shtratin e vdekjes, pranon se e ka vrarë ai Hoffa-n.
Traileri i filmit u publikua këtë të enjte nga Netflix, pak ditë para se të shfaqet për herë të parë në Festivalin e Filmit në Nju Jork, më 27 shtator. Ai do të shfaqet për pak kohë në kinema duke nisur nga 1 nëntori, ndërsa do të mund të shihet në Netflix duke nisur nga 27 nëntori.
Ky është bashkëpunimi i nëntë mes De Niro-s dhe Scorsese-s dhe i pari që prej filmit ikonë “Casino” në vitin 1995. Është filmi i katërt ku luajnë bashkë De Niro dhe Pacino (pas “The Godfather Part II”, “Heat” dhe “Righteous Kill”), i pesti ku luajnë bashkë De Niro dhe Pesci (pas “Raging Bull”, “Once Upon a Time in America”, “Goodfellas” dhe “Casino”), dhe i pari ku Pacino luan në një film të drejtuar nga Scorsese. /KultPlus.com
17-vjeçarja shqiptare ka lënë pa fjalë publikun me performancën e saj në “X Factor Greece 2019”.
Jody Lulati ka konkurruar në konkursin muzikor me këngën “You know I’m no good” të Amy Winehouse duke marrë duartrokitje dhe vlerësime të merituara nga juria greke.
17-vjeçarja mori një “PO” të madhe nga të katër trajnerët, ndërsa në prapaskenë e prisnin prindërit, ndërsa tha me zë të lartë se vjen nga Shqipëria. /KultPlus.com
SHTETNDËRTIMI I KOSOVËS DHE FSHIRJA E KUJTESËS HISTORIKE!
(Një reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike
që lidhen me shtetndërtimin e Kosovës, siç ndodhi me injorimin e Referendumit
për Pavarësi)
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…” Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Sigurisht se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit. Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri. Të tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nxori në skenë nacionalizmin politik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1880), të parin organizim shtetëror pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen. Kështu, në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave, me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale, përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik. Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të suksesshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domosdoshme për një shtet të pavarur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e jashtme për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë” me limitet e së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK–së, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart, jo vetëm që kanë filluar të anashkalohen, por edhe “të harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Kjo u pa më së miri me rastin e 26 shtatorit, ditës së Referendumit për Pavarësi, të aktit historik dhe legjitim të vetëvendosje, kur jo vetëm nuk u shënua kund, por thuajse u injorua fare nga mediet e mbikëqyrur nga politika mafioze dhe veçmas nga “historianët” si dhe institutet ku ata mrizojnë (ai i Historisë dhe Albanologjisë), që jo vetëm nuk i shënojnë këto data, në mënyrë që historia e shtetndëritmit të Kosovës të shpjegohet në përputhje me zhvillimet politike e shoqërore si dhe proceset historike shumëshekullore nëpër të cilat ka kaluar, por angazhohen që shtetndërtimi i Kosovës të shkëputet nga këto procese historike për t’u parë në përputhje me përrallat dhe thashethemet e “çlirimtarëve” të shpifur, të cilët shtetin e kanë kthyer në plaçkë të tyre. Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, me logjikën e “Fermës së kafshëve” të Orvellit dhe dokrrat e “qytetarisë amorfe” të diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud kaçakësh pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qëndronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbyllur ende, gjë që si po sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986! Dhe, kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht pa ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës; po ndodhë vetë-shkatërrimi i identitetit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës). Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë! Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!… /KultPlus.com
Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit.
27 shtatori është datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror që ndodhi më 27 shtator 1970.
Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) është agjencia e Kombeve të Bashkuara që është përgjegjëse për promovimin e turizmit me qasje të besueshme, të qëndrueshme dhe universale.
Nuk ka paralajmërim për ndonjë aktivitet në Kosovë kushtuar kësaj dite. / KultPlus.com
Don Kishoti është një lexues i çmendur. Ose më mirë: leximi i tij është çmenduria e tij[1]. Në lajthitjen e vet, Don Kishoti do të donte ta kthente në realitet atë që ka lexuar: librat e kalorësisë. Dhe bota reale – ajo e transportuesve me mushka dhe cubave, hanxhive, horrave dhe mashtruesve – e refuzon këtë iluzion; ajo e rëndon hidalgon, e mashtron dhe mbyt me goditje.
Dhe pavarësisht të gjitha shpullave që ha nga realiteti, Don Kishoti vazhdon të shohë viganë aty ku ka vetëm mullinj. Sheh viganë, sepse kështu i thonë librat.
Por vjen një çast i jashtëzakonshëm kur Don Kishoti, lexues i pangopur, zbulon se edhe ai është duke u lexuar.
Ky është çasti që, për herë të parë në historinë e letërsisë, një personazh (i quajtur Don Kishot) hyn në një shtypshkronjë. Ku kështu? Oh tani, where else?, në Barcelonë, patjetër. Ka ardhur aty, sepse dëshiron të padisë versionin e kopjuar të aventurave të veta, botuar nga njëfarë Avellaneda. Dhe ai, Don Kishoti i vërtetë, i vetmi, mendon t’i shpallë gjithë botës se ai nuk është ky mashtrues.
Duke shëtitur në Barcelonë, Don Kishoti sheh një tabelë: «Këtu shtypen libra.» Hyn brenda dhe sheh punën e shtypshkronjës, «duke shtypur këtu e korrigjuar aty, shkruar në një cep e latuar në një tjetër». Dhe befas, ja që ai e kupton se punëtorët shtypin historinë e tij, Kalorësi i zgjuar Don Kishoti i Mançes, një libër në të cilin, për habinë e madhe të Sanços, tregohen gjëra që zoti i tij dhe ai vetë ishin të vetmit që i dinin, dhe që janë tani në sheshin publik, të nënshtruar ndaj shqyrtimit kritik, demokratik… Skolastika ka vdekur; rroftë shqyrtimi i lirë.
Asnjë çast tjetër nuk e ka treguar më mirë karakterin çlirues të shtypjes, botimit dhe leximit të një libri. Që atëherë, leximi dhe për rrjedhojë libri janë bërë garantues të një të vërtete të shpallur, jo nga Zoti e as nga pushteti, por nga imagjinata, domethënë nga aftësia njerëzore për t’u vendosur ndërmjet ndijimit dhe perceptimit dhe për të themeluar, mbi këtë ndërmjetësim, një realitet të ri që nuk do të ekzistonte pa përvojën foljore, pa leximin e veprave si Don Kishoti i Cervantes, Kënga e përgjithshme e Nerudës apo E Kuqja dhe e Zeza e Stendhalit.
A është pra ky ndërmjetësim intim (por që mund ta ndajmë me të tjerët), i fshehtë (por publik), mes lexuesit dhe librit, mes shikuesit dhe veprës së artit, a është kjo ajo që është duke u humbur në atë që e quajmë «postmodernitet»? A jemi vërtet të pranishëm në fundin e erës së Gutenbergut dhe Cervantesit, pas pesë shekujsh përparësi kulturore të librit, për të vajtur tek Ted Turner dhe Bill Gates, në një erë të re ku vetëm ajo që shihet drejtpërdrejt në ekran të televizorit apo kompjuterit është e denjë për besueshmëri?
Jam rritur me fillimet e radios, në një epokë kur, për të vërtetuar arritjen teknike të toreadorit Manolete, arritje kjo e lajmëruar nga spikeri i stacionit XEW, duhej vrapuar tek shitësi i gazetave dhe parë e zezë mbi të bardhë: Po, ishte e vërtetë, Përbindëshi i Cordobës kishte prerë veshin dhe bishtin e toro bravo-s. Ishte e vërtetë, sepse ishte e shkruar. Sot, një bombardim i Bagdadit zhvillohet në vetë çastin kur ne e shohim në ekran. S’ka më nevojë për vërtetim me shkrim. Ende më mirë: s’ka më nevojë as për të kuptuar. Falë kudondodhshmërisë, çastësisë së imazhit, ne kemi parë një shfaqje të gjallë. Të vdekurit? As parë, as njohur.
Mëdyshja e fatit të librave dhe leximit në epokën tonë mund të ilustrohet me dy shembuj të skajshëm.
Mjafton të depërtojmë në botën indigjene të Meksikës për të parë, me habi, aftësinë e madhe të popujve aborigjenë për të treguar histori dhe rikujtuar mite. Të varfër e analfabetë, Indianët e Meksikës nuk janë kulturalisht aq të varfër. Tarahumaresët dhe Huicholsët, Mazatekët dhe Tzotzilsët kanë një talent të paparë për të kujtuar apo përfytyruar ëndrra dhe makthe, katastrofa kozmike apo rilindje të mahnitshme.
Fernando Benitez, shkrimtari meksikan që i ka studiuar gjatë këto popullsi, deklaronte me të drejtë se, sa herë që vdes një indian, është një bibliotekë e tërë që zhduket me të.
Në skajin tjetër, kemi një vepër imagjinate tmerrësisht aktuale, Fahrenheit 451, e Ray Bradbury, ku shohim një diktaturë, të përkryer kësaj here, që i ndalon bibliotekat dhe djeg librat. E megjithatë, ajo s’mund ta pengojë një fis të panënshtruar burrash dhe grash që të regjistrojë në kujtesë tërë letërsinë e botës, duke u bërë njëri Odisea, tjetri Ishulli i Thesarit apo Njëmijë e Një Netët.
Pika e përbashkët këtyre dy bibliotekave – kujtesa e një kultura indigjene pastërtisht gojore dhe ajo e një të kënduari të kthyer në libër shëtitës të erës postmoderne, postkomuniste dhe post-gjithçka –, është mundësia për të zgjedhur ndërmjet heshtjes dhe zërit, kujtesës dhe harresës, lëvizjes dhe palëvizshmërisë, jetës dhe vdekjes. Ura lidhëse ndërmjet këtyre dy poleve është fjala, e thënë apo e pathënë, e lumtur apo fatkeqe, e shkruar apo e lënë përgjithmonë në të bardhë, e dukshme apo e padukshme, dhe që vendos në çdo rrokje nëse ia vlen mundimi i jetës, apo ajo duhet ndërprerë njëherë e mirë.
Por, a s’do të mund të thoshim po kaq për imazhin pamor? Funksione vitale të ngjashme, a nuk janë të marra përsipër dhe nga një tablo e Goyas, një skulpturë e hyjneshës meksikane Coyolxauqui, një film i Bunuelit apo një ndërtesë e ndërtuar nga Niemeyer? Piktura, thotë Leonardo, është «diçka mendore». A është e vërtetë kjo edhe për super-autostradën e mijëra kanaleve televizive? Mos vallë mjetet moderne të të ashtuquajturit «komunikim», që janë duke i shkëputur lexuesit nga librat e tyre, duke e varrosur erën e Gutenbergut dhe Cervantesit, janë duke e mbushur komunikimin vizual me një sasi të atillë informacionesh që, në sigurinë tonë për të qenë mrekullisht të informuar, ne s’kërkojmë më as të dimë nëse ky informacion është i rëndësishëm apo nëse, përkundrazi, ajo që ka rëndësi është pjesa tjetër: ajo mbi të cilën s’kemi asnjë informacion?
Unë nuk e mbroj kauzën e librit dhe bibliotekës me qëllim që t’i zbus mangësitë e dukshme të komunikimit audiovizual në këtë fillim mijëvjeçari të ri. Është krejt e kundërta: unë do të doja ta hulumtoja këtë territor ku mjetet moderne të komunikimit mund të mbështesin – në vend që ta dëmtojnë – kulturën e librit dhe leximin. Sepse gjërat janë të qarta: mjafton të vizitosh cilëndo vatër ku antena e televizorit është bërë këmbana e famullisë, dhe do të vëresh dukurinë universale të couch potato: shikuesi përpara ekranit, tërësisht i plogësht, si një patate që dergjet, e përgjumur, thuajse e përdhunuar nga kjo vazhdë imazhesh, marrëzisht, pa asnjë përgjigje kritike apo krijuese. E kundërta e asaj ç’kërkon prej nesh një libër, një tablo, një film i mirë.
Por mjafton të vizitosh një qendër kërkimore si Instituti Teknologjik i Monterrey, në veri të Meksikës, që të shohësh se në ç’pikë mund t’i ndihmojë studentët informacioni audiovizual, për t’i zgjeruar njohuritë e tyre, për ta pasuruar ndërveprimin mes profesorëve dhe nxënësve, dhe kundërpeshuar pikat më negative të televizionit si thjesht konsumim.
Ne duhet t’i thellojmë dhe shumëfishojmë mundësitë e ndërveprimit mes kulturës audiovizuale dhe librit.
Në radhë të parë, edhe pse rritja e numrit të «shikuesve» ka qenë kolosale në mbarë botën, ulja e numrit të lexuesve nuk është e lidhur detyrimisht me këtë. Këtu nuk ka asgjë fatale, sepse është përdorimi i mjeteve të reja ai që përkufizon cilësinë. Kështu, botuesit e bibliotekës së klasikëve amerikano-veriorë, The Library of America, vënë në dukje se teknologjitë e reja ndihmojnë jo vetëm për ta ruajtur trashëgiminë letrare, por edhe ta shpërndajnë dhe nxisin atë. Në të njëjtën mënyrë, në botën muzikore, Don Zhuani i Mozartit numëron sot më shumë dëgjues në një ditë të vetme, sesa gjatë gjithë jetës së kompozitorit.
Kështu, falë mbështetjes së teknikave audiovizuale, biblioteka e klasikëve amerikano-veriorë ka shpërndarë më shumë se tre milionë kopje të titujve të saj të parë, që nga Jefferson e deri tek Faulkner, vetëm në këto dhjetë vitet e fundit.
José Vasconselos, Ministri i Parë i Arsimit pas Revolucionit Meksikan, ka hedhur më 1923 themelet e një biblioteke të klasikëve universalë: botime të rralla. Dhe përse, e pyesnin deri për t’ia bërë si qortim, përse boton Cervantesin në një vend asokohe të populluar me 90% analfabetë? Sot, përgjigja është e qartë: që analfabetët, duke u ndarë nga kjo gjendje, të mund të lexojnë Don Kishotin në vend të Supermanit.
Vetë botimi do të duhej të mbështetej në këto mjete të reja, me qëllim që t’i tërheqin lexuesit e rinj, dhe jo t’i largojnë. Ja përse, sapo e mundur, në shkollë apo shtëpi, do të duhej që imazhi audiovizual t’i nënshtrohej kritikës së zbatuar ndaj veprave letrare apo artistike. Të mësohet shikuesi që ta zbërthejë imazhin që merr.
Vëzhguesit optimistë na thonë se, në një shoqëri të pajisur bollshëm me mjete audiovizuale, do të ketë gjithnjë e më tepër specializim dhe gjithnjë e më pak masifikim. Ne do të shkonim drejt një bashkësie të re që grupon botuesit e librave dhe publikun e teknologjive të reja, lexuesit dhe shikuesit, në një ofertë gjithnjë e më të larmishme.
Me fjalë të tjera, mjetet masive të komunikimit do të mund të ndihmonin në rritjen e numrit të lexuesve, falë mundësive të zgjedhjes, nxitjes dhe shitjes së librave, mundësi këto shumë më cilësore se në të kaluarën. Nëse këtë dinamikë ia shtojmë përmasës kritike të përmendur më lart, një nxitje në masë nuk do të ishte detyrimisht e papajtueshme me një cilësi të lartë letrare…
Sidoqoftë, të mos i fshehim rreziqet. Masivizimi si sinonim i modës dhe shijes së keqe – një gjë që ka ekzistuar gjithmonë – është një e keqe më e vogël në krahasim me atë çfarë mund të shpikin teknologjitë e reja për t’iu shitur siguri atyre që nuk kanë. Në këtë botë të rastësisë dhe domosdoshmërisë që është e jona që nga fillimi, ka nevojë për një tekst që ta bëjë të kuptueshme atë që, pa të, s’do të kishte kuptim. Nga kjo nevojshmëri mund të lindë Bibla – por edhe Mein Kampf. Në disa shoqëri që shkojnë kuturu, ku kënaqësia materiale i lë mendjet thellësisht të pakënaqura, dhe ku të pakënaqurit lodhen së prituri, imagjinatat e njerëzve mund të pushtohen shumë shpejt nga tekstet më dogmatike. E ç’nuk do të kishte bërë Hitleri me një ekran televizori?
Ja rreziku. Ne jetojmë në fshatin global të komunikimeve në masë, në arritjet teknike dhe ndërvarësinë ekonomike, por ne mund t’i ushqejmë shumë lehtë frikat, apo acarimet e atyre që nuk e shohin shëmbëllimin e tyre të pasqyruar nga këto mjete dhe që, ashtu si Tantali, më kot duan t’i kapin këto fryte që tundimi publicitar i shpalos në të gjithë ekranet e botës.
Një nga shtrembërimet e ndryshme që përgjojnë andej-këndej në shoqëritë tona, është një kapitalizëm autoritar, i çliruar nga çdo kundërshtar ideologjik. Ai nuk do të kërcënonte vetëm librin dhe leximin, por edhe përdorimin e lirë krijues të teknikave audiovizuale. Vetëm një rend i vërtetë demokratik mund ta kundërshtojë këtë; për këtë, duhet një syçeltësi politike pluraliste që të ushtrohet mbi mediat, por edhe një shkallë shumë e lartë arsimimi publik, një rrjet bibliotekash, një mësim falas dhe një regjim lirie të plotë për krijimin.
Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, në çdo vend latinoamerikan, kemi parë duke u formuar një rreth të madh letrar, që shkon nga shkrimtari tek botuesi, nga shpërndarësi tek librashitësi dhe lexuesi, dhe që rikthehet drejt autorit. Ja përse, në kundërshtim me çfarë ndodh në kombe më të zhvilluara ekonomike, por ku vëmendja intelektuale është më pak e gjallë, disa autorë nuk zhduken kurrë nga libraritë e Meksikës dhe Amerikës Latine. Neruda dhe Borges, Cortazar dhe Garcia Marquez, Paz dhe Vallejo, janë gjithnjë të pranishëm në raftet tona.
Ata janë të tillë sepse lexuesit e tyre ripërtërihen pa pushim, pa u shterruar kurrë. Shumë janë të rinj, ndërmjet pesëmbëdhjetë dhe njëzet vjeç. Anëtarë të klasës punëtore, të klasës së mesme apo nga kategori shoqërore të ndërmjetme. Janë këta që i mbartin premtimet për ndryshime, shpresat e kontinentit tonë.
Sot, krizat e njëpasnjëshme nga të cilat ka vuajtur Amerika Latine që prej viteve tetëdhjetë, e kërcënojnë këtë vazhdimësi leximi, pasqyrim të vazhdimësisë sociale. Mjaft breza të rinjsh latinoamerikanë e kanë zbuluar identitetin e tyre duke lexuar kilianen Gabriela Mistral, brazilianin Jorge Amado apo uruguajanin Juan Carlos Onetti. Prishja e rrethit të leximit do të nënkuptonte një humbje identitare për mjaft të rinj e të reja. Le të mos i shtyjmë t’i braktisin libraritë dhe bibliotekat për t’u humbur në nëndhesat e paditurisë, skamjes dhe dëshpërimit.
Në këtë panoramë që po mundohem të skicoj, biblioteka është një institucion i rrallë, sepse ajo na lejon t’i qasemi tërë pasurisë foljore të njerëzimit në një hapësirë të qytetëruar, nën një çati mbrojtëse.
Por aty, të rrethuar nga bukuria, mikpritja, paqja dhe deri ajo era e mrekullueshme e librave, ne s’duhet t’i heqim sytë nga të gjitha rreziqet që censura, persekutimi dhe intoleranca mund t’i shkaktojë fjalës së shkruar. Një fatwa si ajo që është shpallur kundër Salman Rushdie, sapo na e ka kujtuar këtë.
Po shkruaja më lart se, në vitet njëzet, më shumë se 80% e meksikanëve ishin analfabetë. Kur ministri-filozof Vasconselos organizoi fushatën e tij të alfabetizimit, ai hasi në qëndresën e egër të oligarkëve latifondistë. Pronarët e mëdhenj të tokave nuk donin bujq (punëtorë më mëditje apo stinorë) që të dinin shkrim e këndim; i donin të paditur e të nënshtruar. Ja përse mjaft mësues të dërguar në fshatra qenë varur apo gjymtuar.
Kjo fushatë heroike në bazë ishte e shoqëruar me një nxitje ndaj kulturës së lartë. Rektori i Universitetit Kombëtar të Meksikos, Vasconselos shtypi gjithashtu atë koleksionin e klasikëve që e përmenda më lart, dhe që përfshinte Homerin dhe Virgjilin, Platonin dhe Plotinin, Danten dhe Goethen, perla të vërteta bibliografike dhe artistike. Dhe e tërë kjo për kë? e pyesnin disa; për të varfërit, të paditurit, margjinalët? Pikërisht: botimi i klasikëve të Universitetit ishte një akt shprese. Një mënyrë për t’i thënë shumicës së meksikanëve: një ditë, ju s’do të jeni më anash, por në qendër. Një ditë, ju do t’i keni mjetet jo vetëm për të blerë libra, por edhe për t’i lexuar dhe kuptuar këtë:
– se një libër, edhe pse bën pjesë në tregti, e tejkalon tregtinë;
– se një libër, në botën e sotme me teknologji të shumta informacioni dhe «ndërveprimtarie», është diçka më shumë se një burim informacioni;
– se një libër na mundëson zgjerimin e njëkohshëm të kuptimit të vetes sonë, të botës objektive jashtë nesh dhe të botës shoqërore ku bashkohen qyteti – polis – dhe qenia njerëzore.
Libri na ofron atë që asnjë formë tjetër komunikimi s’mund, nuk do apo nuk pretendon të na e japë: përfshirjen e plotë të të gjitha aftësive tona për ta njohur veten me qëllim që të realizohemi dhe përmbushemi në botë, në jetët tona të brendshme dhe me të tjerët.
Libri na thotë se jeta jonë është një repertor mundësish të cilat e shndërrojnë dëshirën në përvojë dhe përvojën në fat.
Libri na mëson se ekziston dhe tjetri, dhe të tjerët; se personaliteti ynë nuk shterrohet tek vetja, por ai takon detyrimin moral për të qenë i vëmendshëm ndaj tjetrit.
Libri është edukimi i shqisave përmes gjuhës.
Libri është miqësia e prekshme, pamore, nuhatëse, që na hap dyert për t’u vëllazëruar me botën, sepse ne ndajmë së bashku foljen e botës.
Libri është intimiteti i një vendi, ideja e patjetërsueshme që ne kemi mbi veten tonë, kohën tonë, të shkuarën dhe të ardhmen tonë: të gjitha kohët të jetuara si dëshirë dhe kujtesë e foljes, këtu dhe tani.
Në ditët tona, më shumë se kurrë, një libër dhe një bibliotekë emërtojnë botën dhe i japin një zë qenies njerëzore.
Më tepër se kurrë, një libër dhe një bibliotekë na mërmërisin: Nëse nuk e themi më botën, askush s’do të na japë emër. Nëse nuk flasim, heshtja do ta vendosë mbretërinë e saj të errët./KultPlus.com
Ishulli Athos 335 km katrorë, është një vend interesante ku gratë dhe kafshët e gjinisë femërore e kanë të ndaluar të shkelin.
Nëse ju doni të vizitoni Athos hapi i parë është që t’i paraqisni një kopje të pasaportës tuaj Byrosë së Shenjtë të Pelegrinëve, transmeton KultPlus.
Çdo ditë, 100 ortodoksë dhe 10 pelegrinë joortodokse meshkuj pranohen të qëndrojnë për tri netë në një nga 20 manastiret e gadishullit.
Grave nuk iu jepet leje për ta vizituar gadishullin. Athos i ka ndaluar gratë ta vizitojnë për më shumë se 1.000 vjet. Ato nuk lejohen të shkojnë më shumë se 500 m afër bregdetit.
Sipas Dr. Graham Speake, kjo ishte mënyra më e thjeshtë, për të siguruar beqarinë e murgjve. Kjo është veçoria që e bën Athos të ndryshëm nga manastiret e tjera, thotë ai. Por ka edhe një arsye tjetër që gratë ndalohen dhe që lidhet me traditën ortodokse.
“Një nga traditat është se Virgjëresha Maria e theu këtë rregull kur u përpoq që të lundronte në Qipro dhe u ul në Malin Athos. Ajo e pëlqente atë aq shumë saqë iu lut djalit të saj që t’ia jepte gadishullin dhe ai ra dakord”, thotë Speake.
Gadishulli quhet ende “kopshti i nënës së Perëndisë “, i dedikohet lavdisë së saj dhe vetëm ajo e përfaqëson seksin femëror në Malin e Shenjtë.
Kjo vlen për njerëzit dhe kafshët shtëpiake, me përjashtim të maceve, të cilat gjenden me shumicë atje për shkak të minjve, “Ata bëjnë një sy qorr, si të thuash, për faktin se ka mace femra”, thotë Speake./gazetametro/KultPlus.com
Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.
Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).
Sonte po ju sjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor, bashkangjitur gjeni edhe tekstin e këngës.
https://www.youtube.com/watch?v=hVRoIHU2iFQ
U ndamë në errësirë Atë natë kur binte shi Më puthe një herë Më the lamtumirë
Dy lotë më pikojnë O shpirti im Pse më len të vetëm Sa je e pamëshirë
Ato fjalë i kujtoj Zemra më vajton Te dua vashë, të dua Pa ty s´mund të jetoj.
Dy lotë më pikojnë O shpirti im Pse më len të vetëm Sa je e pamëshirë. /KultPlus.com
“E dashtuna Angje e fëmijë! Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin. Mos u mërzit për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.
E dashtuna Angje! Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë. Angje!
Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.
E dashtuna Angje! Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue. Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm. Marku.”
”Kjo letër në mënyrë obligatore duhet të bëhet pjesë e librave të këndimit të shkollës shqiptare. Mundësisht e detyrueshme për t’u mësuar përmendësh. Kjo letër është e mira të përkthehet në gjuhë të huaja e të përhapet nga kush të mundet dhe ngado, sepse kjo letër na bën krenar dhe me turp në të njëjtën kohë”, shkruan Stefan Çapaliku, në statusin e tij në llogarinë personale në Facebook, kushtuar kësaj letre./KultPlus.com
T’shoh me syt e qiellit, e lumja Shkodër, me loçkën e zemrës t’ndij n’hir, e amël je, e dlirë, e dashtun e fort e mir’. U bana zog e fllad, erdha te ti t’gjeta t’lame me ves nadjeve t’tuja t’mylmye n’tamël legjende, buzën ma njome me lot, t’putha edhe pse dreshta me t’nguc zjarmin.
Gzuemja e tana gazmimeve qi përkunden n’prehnion tand, Shkodë, m’nep syt e shpirtit me shue mallin, zemrën jepma, ta ndij prushin e dashnis tande, e shenjta e n’tana t’shtrenjtave, ninulla jeme, andrra e krejt andjeve, mbetun ke, lëngimi i plagve tuja, dhembin n’shtatin tem.
Beha me ret e n’ball t’pikova, Shkodër loce, vezullim mu bane n’syt e qiellit, yll shkrepe, hyjnesha e tana legjendave. Krahë m’dha lumnimi jot, e sy më mëkoi shpirti, t’mallshemet jaret tuja, zanin ma flakën, u ndeza, n’diellin tand me u fik.
N’zjarm t’shpirtit t’djegi shpirti jem n’zemra dashnish t’përpush tue t’puth. T’rroki bash fort, njashtu siç din veç malli e ngihem me ty zoja Shkoder njaq sa me ledhat e nanave qi vjeshta i nder gjetheve shikimet tinzare t’vajzave e prekjet e ndrojtuna t’dëshirimit.
Shkodër, e lumja ti, Prap erdha e shkova, tue t’lan bekue, n’za, n’zemër e n’shpirt, si prej syve t’zogut qi t’kqyri s’nalti njashtu edhe prej urdhnimit t’përuljes. Sot e sa dritë dielli e flak malli t’kallet n’ty. Amen! /KultPlus.com
Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94-vjeçare.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi.
Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. /konica.al/KultPlus.com
Të jesh grua në një shoqëri patriarkale, do të thotë shumë. Do të thotë poashtu se sakrifica është gjëja më e vogël që duhet të bësh, për të shkuar drejt ambicieve tua. Mirëpo, për tu dëgjuar, për të rënë në sy, për të treguar se kush je, duhet të fillosh prej diku. Gjërat e mëdha nisin nga gjërat e vogla.
E sot, këtë gjë më së miri e shfaqi artistja konceptuale Alketa Xhafa Mripa, përmes një debati të hapur me vajza të reja, që për bazë kishte kauzën feministe dhe ngritjen e zërit për të drejtat që secilit njeri i takojnë, shkruan KultPlus.
Kauza është e fokusuar kryesisht në zhvillimin intelektual të vajzave të reja, në motivimin e tyre drejt të ardhmes, duke i shtyrë ato të ngrisin zërin e tyre përmes iniciativave të ndryshme, në fusha të ndryshme. Qofshin ato fusha të shkencës apo të artit.
‘Kurrë s’je shumë e re, për me pri e me pru drejtësi”, ishte kjo thënia bazë e këtij eventi, thënie kjo që e kishte inspiruar edhe artisten ideatore të këtij debati.
”Jam inspiruar nga një thënie, ka qenë një inspirim momenti. Ashtu si Greta e cila filloi revoltën e saj krejtësisht e vetme, edhe ne vajzat nga Kosova, mundemi me e ngritë zërin për të drejtat tona. Ne kemi shumë e shumë Greta” shprehej Alketa Xhafa Mripa.
Ajo përmes një fjalimi mjaft motivues për gratë në përgjithësi, e sidomos vajzat e reja, u bëri thirrje atyre qe t’i dërgojnë asaj thënië nga më të ndryshmet, që kanë për qëllimin motivimin ndaj vajzave të reja.
Këto thënie, do të mblidhen dhe me to do të bëhet një mural në Prishtinë, vendi i të cilit nuk është caktuar akoma nga organizatorët. Muralet do të bëhen me 11 dhe 12 tetor derisa të mblidhen thëniet rreth kësaj kauzë vetëdijësimi. Thëniet do të vendosen në formë të vulës, dhe do të kenë ngjyrën pink.
Ky kombinim, sipas organizatorëve, nuk është i rastësishëm. Ne jemi mësuar që ngjyra pink të simbolizojë delikatesën femërore, mirëpo, kjo delikatesë do të kombinohet me një vulë, duke e bërë kështu atë një delikatesë të vulosur e të pandryshueshme.
Artistja, tregoi edhe rreth jetës së saj dhe barrierave që ka hasur gjatë rrugëtimit të saj drejt suksesit, duke i hapur rrugën edhe publikut të bashkangjitet në debat për të folur rreth eksperiencave të tyre, që sigurisht kishin bazën në mendësinë patriarkate.
Debati zuri vend në hapësiren e ”Menzës” në lagjen Ramiz Sadiku, edhe ishte i përkrahur nga UN WOMEN KOSOVO. /KultPlus.com
Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor, mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt, dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue… Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra… e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg. Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule; dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet. Dhe mësohet… përditë mësohet.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.
Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.
Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.
Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.
Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue. Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.
Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore, herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime o përbuzje, po tashma n’katror e ka. Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.
Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.
Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.
Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.
Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim. Sepse, për fat të keq, veç me kohë për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…
Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje? Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja? A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?
Një video e cila po qarkullon në rrjete sociale është dukshëm një video ‘fake’.
Bëhet fjalë për një montazhë të këngës së Grupit Elita 5 e
cila i është veshur spektaklit ‘Britain’s Got Talent’.
Vetë anëtarët e grupit të njohur shqiptar e kanë shpërndarë videon e cila është vetëm një montazhë e këngës së tyre. Duket se fansat e kanë pranuar videon si të mirëqenë edhepse nuk bëhet fjalë për transmetimin e këngës së njohur ‘Më fal’ në spektaklin e gjetjes së talenteve në Angli.
Videoja origjinale është e vitit 2018-të ndërsa bëhet fjalë për një performancë emocionuese nga Attraction Shadoë Theatre Group.
Ardian Pjetri e ka montuar kështu këngën e grupit shqiptar mbi performancën e njohur, duke mos pasur qëllim të tregojë se kënga e Elita 5 është transmetuar në këtë spektakël, sado që kjo do të ishte gjë e mrekullueshme të ndodhte në të ardhmen. / KultPlus.com
Jacques Chirac, presidenti francez i cili ndërroi jetë sot në moshën 86-vjeçare, ishte kryeministër ose president i Francës në ditët e vështira për Kosovën nga regjimi serb i Millosheviqit dhe ai mbajti anën e drejtë.
Ai i shkruante në letrën kthyer shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, në shtatorin e vitit 1998 se Franca nuk e përjashtonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nëse Slobodan Milosheviqi nuk do t’i bindej Perëndimit që do ta bombardonte më 1999 regjimin e kasapit të Ballkanit, rikujton “Koha Ditore”.
Këtë e ka zbuluar Kadare në librin, “Mbi krimin në Ballkan: Letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri” më 2011.
Kadareja i shkruante më 2001 letër presidentit francez si “postier” i angazhuar nga poeti i burgosur atëherë, Besim Zymberi, i cili i kishte dërguar letër dorëshkrim shkrimtarit shqiptar që jeton në Paris. Zymberi, nga burgu i Mitrovicës së Sremit, i kërkonte Kadaresë t’i jepte zë thirrjes së të burgosurve politikë që po mbaheshin në burgjet serbe edhe dy vjet pas përfundimit të luftës.
“Unë, një i burgosur shqiptar në një kamp përqendrimi serb, ju kërkoj të hidhni dritë mbi një vuajtje për të cilën institucionet ndërkombëtare nuk kanë dijeni”, i shkruante poeti Zymberi “të dashurit shkrimtar” në vjeshtën e vonshme të vitit 2001. Ai dhe qindra shqiptarë ende po vuanin nëpër burgjet serbe për shkak të veprimtarisë së tyre politike.
Këtë fjali do t’i integronte Kadareja në letrën që do t’ia dërgonte më 12 dhjetor 2001 presidentit Chirac për rritjen e presionit ndaj autoriteteve serbe për lirimin e të burgosurve politikë.
“Ne, të burgosurit shqiptarë të Kosovës, jemi hebrenjtë e fundit të mbajtur në kampet hitleriane të Milosheviqit, madje edhe pas rënies së tij… Dhe bota vazhdon të jetë e verbër”, shkruhej në fund të letrës së poetit Zymberi.
Kadareja i citonte fjalë për fjalë dy paragrafët e Zymberit në letrën drejtuar Chiracut, me të cilin kishte këmbyer edhe më parë letra për çështjen e Kosovës dhe për të burgosurit politikë. Chiracu i kishte premtuar në letrën e shtatorit 1998 se Franca nuk e përjashtonte bombardimin ajror të Serbisë.
“Ma ka drejtuar publikisht këtë dëshmi, si shkrimtar, duke më kërkuar me ngulm t’ia bëj të ditur opinionit evropian, si dhe atij botëror”, shkruhet në letrën e Kadaresë.
Arbër Selmani (Teksti i huazuar nga Balkan Insight)
Milica Djurdjeviç e organizatës politike të ekstremit të djathtë Zavetnici ishte e zemëruar.
Djurdjeviç po mbante fjalën në një tubim proteste në maj në Beograd kundër hapjes së festivalit të përvitshëm “Mirëdita, Dobar Dan” në kryeqytetin serb – një event që synon të afrojë serbët dhe shqiptarët e Kosovës përmes kulturës.
“Ky festival sigurohet të theksojë se Kosova është një vend i pavarur, duke falsifikuar kështu historinë dhe duke fajësuar Serbinë për gjithçka që ndodhi atëherë në Kosovë (gjatë luftës 1998-1999)”, tha Djurdjeviç.
“Shumica prej nesh në Serbi janë kundër këtij festivali dhe kjo na fyen drejtpërdrejt,” pohoi ajo.
“Mirëdita, Dobar Dan” – që do të thotë “mirëdita” në shqip dhe serbisht – ka për qëllim të shfaqë kulturën e Kosovës para një publiku në Beograd.
Por ai është shënjestruar vazhdimisht nga demonstratat – siç ishte rasti kur Rona Nishliu, një këngëtare e famshme nga Kosova, mbajti një koncert gjatë festivalit të parë në vitin 2014, dhe kur ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se kishte ndërmend të mbante një fjalim në këtë event.
Para festivalit të vitit 2018, policia serbe konfiskoi tre fotografi të artistes shqiptare të Kosovës, Eliza Hoxha, të cilat duhej të ekspozoheshin në festival, ndërsa ajo kalonte kufirin për në Serbi.
Fotografitë përmbanin imazhe të simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga qeveria serbe. Ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsa Stefanoviç deklaroi se duke konfiskuar fotografitë, ai kishte parandaluar “promovimin e një organizate terroriste në emër të kulturës”.
Ndërhyrjet artistike mund të sigurojnë “homologë joformale për mekanizmat më të rëndësishëm të drejtësisë tranzicionale: të vërtetën dhe procesin e pajtimit, lustracionin publik, faljen publike, dëmshpërblimin psikologjik, kërkesën për qasje publike në regjistrat qeveritarë dhe të tjera”, sugjeroi Sanja Bahun në kapitullin e saj mbi këtë temë në një libër të vitit 2015 me titull “Teorizimi i Drejtësisë Tranzicionale”.
Orli Fridman, një profesoreshë e asociuar në Universitetin Singidunum në Beograd, ku drejton Qendrën për Studime Krahasuese të Konflikteve, sugjeron se festivali “Mirëdita, Dobar Dan” është një shembull i nismave “të njerëzve për njerëzit” që ofrojnë qasje alternativë ndaj konfliktit Kosovë-Serbia nga ato të ofruara nga politikanët nga të dy palët.
“Për më tepër, unë argumentoj se një festival i tillë po ofron gjithashtu një alternativë për nacionalizmin e përditshëm,” shkruan Friedman në një artikull të ardhshëm për një gazetë akademike të titulluar “Kombet dhe Nacionalizmi”.
Megjithatë, kundërshtimi i përpjekjeve për të promovuar pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës mbetet i rëndësishëm. Në mars të këtij viti, kur filmi dokumentar “Ferdonija”, mbi jetën e një gruaje kosovare që humbi familjen e saj në luftë, u shfaq në Beograd, disa qindra huliganë futbolli u përpoqën të hynin gjatë shfaqjes së tij dhe ta shkatërronin atë.
“Arritja tek të rinjtë”
Qendra e Dokumentacionit Kosovë, ku ekspozohen çështje të drejtësisë tranzicionale në Prishtinë, e cila u krijua nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare, ka mbajtur ekspozita dhe instalacione arti që nga hapja në vitin 2017.
Wade Goddard, i cili mbuloi konfliktet në ish-Jugosllavi si fotograf i pavarur për Reuters, New York Times dhe Newsweek, ka një ekspozitë të përhershme aty me imazhet e tij që tregojnë vuajtjet e luftës në Kosovë.
Një ekspozitë tjetër e përhershme përbëhet nga nëntë dokumentarë të shkurtër që tregojnë se si janë hetuar krimet e kryera në Kosovë dhe se si ndjekur penalisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Një tjetër ekspozitë e organizuar këtë vit nga Fondi për të Drejtën Humanitare, me titull “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, evokoi kujtime të fëmijëve të vrarë në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000 me një ekspozim të sendeve personale si fletore, rroba, këpucë, çanta shkolle, lodra, fotografi dhe tregime të shkurtra.
“Njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, përkujtimi përmes formave të ndryshme të artit është një mënyrë e duhur për të arritur tek të rinjtë që nuk kanë burime informacioni në lidhje me luftën,” tha Dea Dedi nga Qendra e Dokumentacionit në Kosovë, e cila ishte pjesë e të ekipit të ekspozitës.
“Qëllimi i ekspozitës është të kujtojë fëmijërinë e ndërprerë si rezultat i luftës në Kosovë. Nëpërmjet historive që fshihen pas tyre dhe gjërave që u përkasin atyre, kjo ekspozitë shërben si një thirrje për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri, si dhe për të ndërtuar një kujtesë kolektive,” shtoi Dedi.
Një nga përdorimet më mbresëlënëse të artit për të trajtuar disa nga aspektet më të ndjeshme të konfliktit të viteve 1990 ishte një projekt i artistes kosovare Alketa Xhafa Mripa.
Me ekspozitën e saj “Mendoj për ty” në vitin 2015, Alketa përdori stadiumin kryesor të futbollit në Prishtinë si kanavacë, të cilën e dekoroi me mijëra fustane dhe funde të dhuruara nga njerëz në të gjithë Kosovën, duke e kthyer atë në një nderim të fuqishëm për të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke synuar të thyejë heshtjen për përdhunimet e kohës së luftës.
Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte personi i parë që dhuroi një fustan, duke lavdëruar solidaritetin dhe mbështetjen që arti ofronte për viktimat. Jahjaga tha se ishin autorët e këtyre krimeve që duhet të turpëroheshin, jo gratë që ata sulmuan.
“Ne kemi një detyrim moral”
Pas përfundimit të luftës, Andrej Nosov, i cili ishte pothuajse 20 vjeç në atë kohë, kaloi pikën kufitare të Merdares në Kosovë. Nuk kishte autobus, kështu që iu desh të ecte në këmbë.
Ishte një kohë e çuditshme që një serb të endej në Kosovë, duke folur serbisht, kujtoi ai.
Nosov, i cili u rrit në Kosovë para luftës dhe tani është një aktivist politik dhe artist, tha se situata ka ndryshuar që nga vizita e tij e parë pas luftës në Kosovë, por jo retorika për mënyrën se si serbët dhe shqiptarët e Kosovës e shohin njëri-tjetrin. Por arti dhe kultura mund dhe duhet të luajnë një rol në ndryshimin e gjërave, këmbënguli ai.
“Komuniteti i artistëve duhet të bëjë shumë më tepër në të ardhme, sepse kurrë nuk është mjaftueshëm. Për këto marrëdhënie dhe për të kuptuar ato marrëdhënie komplekse dhe shumë tragjike midis dy kombeve, duhet të bëjmë më shumë,” tha Nosov, i cili gjithashtu themeloi OJQ-në e njohur Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.
Progres është bërë, megjithatë, shtoi ai: “Sigurisht që ka artistë të talentuar që përpiqen të kuptojnë anën tjetër, ne kemi shembuj specifikë ekspozitash të rëndësishme, shfaqjesh teatrore dhe librash që kanë hapur një hapësirë për prishjen e hendekut midis komuniteteve .”
Nosov realizon shfaqjet e tij dhe drejton vepra dramatike, duke trajtuar çështje si politika e kujtesës, drejtësia dhe pajtimi pas konfliktit dhe të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara.
“Artistët janë qytetarë dhe ne si qytetarë kemi detyrimin moral të shohim rreth vetes dhe të shohim kush është racist dhe kush jo dhe t’i rregullojmë gjërat,” tha ai.
“Një pyetje e rëndësishme është ajo në lidhje me llogaridhënien dhe përgjegjësinë, e cila u drejtohet të gjithëve,” shtoi ai.
Nosov aktualisht është duke punuar për një pjese teatrore për Kosovën në të cilën ai po përpiqet të përdorë tregimet ortodokse serbe nga historia.
“A ka pasur ndonjë pjesë pozitive të historisë midis Kosovës dhe Serbisë? Ka pasur ndonjë periudhë kur këta njerëz mund të jetonin së bashku? A është e mundur që e gjithë historia jonë të përshkruhet në një mënyrë të caktuar?”, pyeti ai.
“Kosova është shumë e rëndësishme për mua sepse në një farë mënyre jam rritur atje dhe Kosova është një temë e rëndësishme në atë që unë bëj. Në aspektin emocional, dua të trajtoj faktin se pati një luftë, faktin që humbëm diçka, marrëdhëniet e shkatërruara dhe njerëzit e humbur,” shtoi ai.
Nosov është drejtori menaxhues i “Heartefact”, një OJQ e përfshirë në organizimin e shfaqjeve teatrore politike, e cila organizoi vënien në skenë në Beograd të “Gishti” nga Doruntina Basha, dramaturge dhe skenariste nga Prishtina.
“Gishti” trajton në mënyrë origjinale temën e personave të zhdukur nga lufta e Kosovës – nga perspektiva e grave që mbetën pas pasi burrat u tyre u zhdukën.
“Në shumë shtëpi tradicionale kosovare, ndodh akoma që gratë e burrave që u zhdukën gjatë luftës vazhdojnë të jetojnë me familjen e burrit të tyre, edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga lufta. E drejta mbi jetën e tyre, e cila dikur i përkiste burrave të tyre, tani i përket familjes së tij. Ato nuk kanë një jetë ‘private’,” tha Basha në një përmbledhje të veprës.
“Doja t’i jepja një zë një komuniteti që e kalon jetën në heshtje: familjeve të njerëzve të zhdukur në luftën në Kosovë. Ata janë një numër kaq i madh dhe hisoritë e tyre janë thuajse të panjohura për ne. Fakti që zëri i tyre mungon tregon se sa shumë kemi dështuar ne në shqyrtimin, mirëkuptimin dhe gjithashtu lënien pas të së kaluarës tonë traumatike,” tha ajo.
Basha e ka vënë në skenë veprën në Beograd, Shkup, Sarajevë, Vjenë, Prishtinë dhe Tiranë, dhe tha se ajo besonte se arti dhe kultura mund të luajnë një rol unik në trajtimin e ngjarjeve të dhimbshme nga e kaluara.
“Do të ishte mirë që secili artist që jeton në një kontekst të pas luftës të përdorë ‘armët’ personale për të ndihmuar shoqërinë të kuptojë, përpunojë dhe kapërcejë përvojën traumatike të luftës. Arti e ka këtë avantazh unik. Ai është i hapur dhe i arritshëm për të gjithë, nuk përjashton askënd dhe nuk paragjykohet,” shpjegoi ajo.
“Prandaj ai është një nga platformat më të sigurta në të cilat mund të ndodhë trajtimi i së kaluarës, një dialog që asnjë platformë tjetër nuk e lejon,” shtoi ajo.
Megjithatë, artistët duhet të jenë të kujdesshëm kur trajtojnë çështje të tilla, paralajmëroi ajo: “Të punosh me të kaluarën nëpërmjet artit është shumë e ndjeshme. Gjithmonë ekziston rreziku që një vepër arti të ritraumatizojë publikun.”
“Bashkëpunimet nuk ofrojnë amnisti”
Shkrimtari kosovar Shkëlzen Maliqi është përfshirë në nisma bashkëpunimi artistik Kosovë-Serbi për dekada të tëra. Në vitin 1997, ai mori pjesë në një ekspozitë të titulluar “PERTEJ”, e cila bëri të mundur që artistët kosovarë të tregonin punën e tyre në Beograd në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, një vend arti dhe idesh alternative që ishte pjesë e opozitës së regjimit të Sllobodan Millosheviçit.
Në kohën e ekspozitës, edhe pse lufta e Kosovës nuk kishte shpërthyer ende, shtypja e shqiptarëve etnikë nën sundimin e Beogradit ishte e përhapur.
“Në atë pikë, shumë njerëz në Kosovë po na thoshin, çfarë kërkoni në Beograd? Kjo thjesht legjitimon shtetin aktual në Kosovë! Pse duhet të pranoni epërsinë e Beogradit, pavarësisht faktit se Qendra për Dekontaminim Kulturor është kundër regjimit të Millosheviçit?”, kujtoi Maliqi.
“Vazhdova të mbroja faktin se “PERTEJ” ishte një iniciativë për të shembur kufijtë dhe për të krijuar komunikim midis artistëve,” shtoi ai.
Në qershor 2018, Maliqit iu ndaluar pjesëmarrja në “PERTEJ/BEYOND/PREKO 20 YEARS”, një event në Beograd për të promovuar një libër që tregon për atë ekspozitë, pasi u mbajt në kufi nga oficerët e policisë serbe. Eventi më pas u anulua nga organizatorët në shenjë proteste kundër kufizimeve të paarsyeshme të lirisë së lëvizjes për artistët kosovarë.
Pavarësisht kësaj, Maliqi tha se ai vazhdon të besojë se bashkëpunimet artistike midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve janë të rëndësishme, pasi ata janë të destinuar të mbesin fqinjë.
“Regjimi aktual serb është një vazhdim i atij gjatë viteve nëntëdhjetë, por lidhja që ne kemi sot me kulturën serbe nuk është për hir të tyre, por për hir të paqes dhe njerëzve racional në Serbi. Sot ka pak prej tyre, por nuk mund t’i shpërfillim ata – të mos harrojmë se këta janë njerëz që po i kërkojnë shtetit të kërkojë ndjesë zyrtare për të gjitha krimet,” shpjegoi ai.
“Bashkëpunimet nuk ofrojnë amnisti për krimet, por krijojnë një hapësirë për një të ardhme në të cilën fqinjët e respektojnë njëri-tjetrin dhe zhvillojnë shkëmbime normale kulturore,” përfundoi ai.
Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.
Sot po i kujtojmë veteranët e gazetarisë kosovare, me anë të
një fotografie të tyre të përbashkët.
Shemsi Mehmeti, Sedat Dida, Zhika Ajdaniqi, Mustafa Shala, Haki Hoxha dhe Gjeto Leka janë ndër të parët që shënuan gazetarinë në Kosovë.
Shemsi Mehmeti, shembull, vdiq në vitin 2015-të. Ai për shumë vite punoi në të përditshmen “Rilindja”. Sedat Dida, i cili konsiderohet edhe si babai i gazetarisë kosovare, punoi si mësues e inspektor shkollash dhe pastaj edhe nënkryetar i rrethit të Suharekës, prej nga më 1948 emërohet drejtor i gazetës “Rilindja”, në Prishtinë, e cila kishte filluar të dilte vetëm tri vjet më parë, në qytetin e tij të lindjes, shkruan KultPlus.
Brezat e gazetarëve të “Rilindjes”, që s’ekziston më, e kujtojnë si njeriun i cili me shembullin e vet ua mësoi jo vetëm profesionin, por edhe moralin.
Gjeto Leka ishte redaktor dhe gazetar në RTP. Në vitin 1966 ai intervistoi Fadil Hoxhën, në emisionin e parë televiziv në gjuhën shqipe në Televizionin e Beogradit.
Shemsi Krasniqi
Marrë parasysh se gazetaria në Kosovë vuajti poashtu ndër vite nga regjimi serb, duhet njohur e çmuar sakrifica e këtyre individëve për mos ta ndalur misionin e shenjtë të informimit. / KultPlus.com