Balerini shqiptar, drejtor në Teatrin Kombëtar të Split-it

Si duket, arti është fusha ku shqiptarët shkëlqejnë më së shumti.

Së fundi, Ilir Kerni, njëri ndër balerinët më të suksseshëm shqiptarë, është zgjedhur drejtor në teatrin e Split-it, shkruan KultPlus.

Balerini dhe koreografi shqiptar, Ilir Kerni, përmes një stausi në llogarinë e tij personale në Facebook, bëri të ditur së është zgjedhur drejtor i Teatrit Kombëtar në Split të Kroacisë.

Statusi i plotë:

Ndjehem shumë i lumtur që jam pjesë e ekipës fantastike të “Théâtre National Cross de split”. Me baletin e një traditë të jashtëzakonshme.

Drejtor i baletit për periudhën 2019-2023.

Ilir Kerni, në rininë e tij ka qenë balerin. Së fundi, ai ka qenë edhe koreograf në disa shfaqje baleti. Një pjesë të karrierës së tij e ka zhvilluar edhe në Shqipëri, por, veprimtari e tij kryesisht zë vend në Kroaci.

/ KultPlus.com

Kur Marubi dokumentoi për Shqipërinë

Fotografia nuk është vetëm art, nuk përcjell vetëm kulturë. Fotografia është histori. Pikërisht për këtë arsye, arti bashkohor kërkon herë pas here ndihmën e fotografisë së arkivuar, për të përçuar përmes saj, lidhjen mes kohëve dhe brezave, problematikave përkatëse po ashtu.

Në Shqipëri, historia e fotografisë zë fill me italianin Pietro Marubbi, i cili u vendos në qytetin e Shkodrës, gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në vitin 1856, këtu ai çeli studion e parë të fotografisë.

Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin fëmijët e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës. Dy djemtë, Mati dhe Kel Kodheli u dërguan në studion “Sebastianutti & Benque” në Trieste, për të mësuar mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit, studioja u vazhdua nga Kel Kodheli, i cili trashëgoi edhe mbiemrin e Pietro Marubbit.

Më tej puna u vazhdua nga i biri i tij, Gegë Marubi, i cili studioi për fotografi dhe kinematografi në studion e vëllezërve Lumière, në Francë. Ajo çka vihet re në tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkohorë me epokën, kontekstin dhe problematikat social-estetike dhe teknologjike të kohës.

Në Shkodër, ndërkohë u hapën edhe studio të tjera fotografësh, si “Dritëshkroja e Kolës” (1886), “Fotografija Pici” (1924), “Foto Jakova” (1932), “Foto Rraboshta” (1943).

Me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, kur çdo aktivitet privat u ndalua me ligj, në pamundësinë për ta përdorur e promovuar punën e tij dhe të paraardhësve, Gegë Marubi detyrohet t’ia dhurojë shtetit arkivin e famijes. Gjesti i tij u ndoq edhe nga fotografët e tjerë të qytetit.

Nga fondi i tyre u themelua fototeka “Marubi”, si sektori i Muzeut Historik të qytetit deri në vitin 2003, kohë kur kaloi si institucion më vete.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet, pjesë e të cilit janë Marubët e pasardhësit e tyre që kanë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive e deri politike duke fiksuar kështu rrjedhën e pakthyeshme të kohës.

Ky muze është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare./konica.al/ KultPlus.com

“Mrika”, opera e parë shqiptare dhe historia e shkopit të artë

Opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit të shquar shqiptar Prenk Jakova (1917–1969) me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi, u shfaq më 1 dhjetor të viti 1958 në Teatrin Migjeni të Shkodrës.

Ishte opera më katër akte dhe e vënë në skene nga regjisori Andrea Skanjeti. Këtë vepër që ishte një proces krejtësisht i ri, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një operë kombëtare.

Puna për operën filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova fillon të hedhë në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet. Të gjitha punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara.

Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë. Në maj të vitit 1958, filloi puna për vënien në skenë të operës “Mrika”.

Provat bëheshin herë në shtëpinë e kulturës (më vonë, filarmonia e qytetit) herë në teatrin “Migjeni”, teksa më 27 nëntor bëhet prova gjenerale. Ndërsa, më 1 dhjetor 1958, u dha shfaqja e operës që pati një sukses të madh.

Drama muzikore u vu me sukses të plotë nga trupa e Shkodrës. Suksesi ishte jo vetëm për kompozitorin, por edhe për libretistin Llazar Siliqi, regjisorin Andrea Skanjeti, këngëtarët, korin, valltarët dhe orkestrën.

Kur Prenk Jakova zuri vend në podin e vet të dirigjimit, para orkestrës, i veshur me një kostum jeshil i errtë, me një paraqitje elegante. Pesë minuta para se të fillonte flautisti i parë Tish Hila, që ishte njëkohësisht edhe argjendar, i dhuron Prenkës një shkop të artë si dhuratë nga orkestra, me të cilin do të dirigjonte Prenk Jakova operën atë natë.

Ngjarjet e operës “Mrika” zhvillohen në vitet 50-të dhe në to, përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Aria e Mrikës, “dielli ka perendue”, ka një ton lirik dhe shume tërheqës, po ashtu edhe aria e aktit të dytë “Oh! Ç’janë këto trazime” është po aq e bukur, tërheqëse dhe me shumë elemente lirike dhe dramatike, ashtu si e gjithë muzika që kompozitori ia ka përshtatur vendit të ngjarjes, dialektit të të folurit, veshjes dhe botëkuptimit.

Për herë të parë, opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova, u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, më 26 nëntor 1959. Kjo foto e rrallë, e nxjerrë nga arkiva e TKOBAP, na risjell të gjallë interpretimin e Marie Krajës, në rolin e Mrikës dhe Ibrahim Tukiçin, në rolin e Dodës./KultPlus.com

Dashuria?

Poezi nga Sergej Esenin

Dashuria? Ç’më vjen për të qeshur!
Ti më puth: akull unë, akull ti.
Ndjenja ime, për dreq është rreshkur.
Ndjenja jote të çel nuk di.

Ah, në ate zhurëmim sikur t’isha
Si një herë e një kohë, edhe sot
Si çunak në padi të humbisja,
T’ëndërroja me tym ashtu kot.

Të ëndërroja, po veç dicka tjetër
Që as toka, as bari s’e njeh,
Që nuk di si ta quash me emër
se me fjalë dot zemra s’e shpreh./KultPlus.com

Brenda spitalit të tmerrshëm, aty ku u mjekua Hitleri

Spitali ushtarak “Beelitz-Heilstatten” në Berlin të Gjermanisë, është një nga vendet më të frikshme në botë, kjo duke qenë se aty është mjekur Hitleri, njeriu që njihet si krimineli më i madh që ka njohur historia që tentoi të eliminojë një komb të tërë, hebrenjtë.

Ish-dikatori gjerman është pranuar në atë spital, pas plagëve që ka marrë nga sulmet britanike me gaz. Ky spital përveç Hitlerit trajtoi mijëra ushtarë gjermanë gjatë luftës, dhe vazhdoi ta bënte atë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u kujdes për ushtarët sovjetikë pas luftës deri në rënien e Murit të Berlinit në 1990.

Spitali është ndërtuar në vitin 1898 si një sanatorium për pacientët neurologjik dhe rehabilitim, dhe pacientët me tuberkuloz.

Pasi u mbyll përfundimisht në vitin 1995, spitali u braktis, por gjithçka tjetër mbeti në të, nga dhomat e operacionit në dhomat e izolimit që deri më tani janë shkatërruar plotësisht dhe duken të frikshme.

Conde Nast Traveler sapo e ka shpallur këtë spital vendin më të tmerrshëm në botë dhe fotografitë e provojnë atë./gazetametro/KultPlus.com

Lule Elezi me mjeshtërinë e saj në piano, i dha jetë koncertit të Filharmonisë së Kosovës

Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.

Mbrëmë Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.

Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.

Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.

Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës me Lule Elezin.

Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.

Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë karrierës së saj.

Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Ajo shpjegoi se në këtë mbrëmje është prezantuar me koncertin e kompozitorit Edvard Grieg, që njihet për veprat më romantike të literaturës pianistike në nivel botëror.

“Jam e nderuar që luajta koncertin për piano dhe orkestër nga Grieg, por në të njëjtën kohë që bashkëpunova me dirigjentin Viedenoff , pasi që, për këtë koncert ka ardhur enkas nga Gjermania”, ka thënë Elezi, e cila është mirënjohëse edhe për bashkëpunimin e ngushtë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili bëri të mundur këtë paraqitje solistike, të përcjellë nga orkestra, sikurse që ka falënderuar edhe organizatorin e Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për koncertin e mrekullueshëm.

Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.

Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com

Të shtrirë për art!

Nga: Lydia Figes dhe Andrew Shore
Përktheu: Monika Stafa

Qëndrimi shtrirë i modelit është një nga pozat më të njohura në historinë e artit botëror. Ky është një moment i ngulitur fort në traditat historike të artit perëndimor dhe atij lindor.

Buda i shtrirë

Buda i shtrirë, është një vepër që përsëritet në pjesën më të madhe të ikonografisë në artin budist. Motivi merr shkas nga gjendja e pas vdekjes kur njeriu ka arritur të përjetojë një gjendje të lartme siç është ajo e një çlirimi shpirtëror (nirvana). Ky qëndrim i shtrirë në të shumtën e herës përçon domethënien e së drejtës që të jep statusi elitar që personazhi mbart.

Vepër nga Burma, me autor të panjohur

Në botën e lashtë greke dhe romake, perëndeshat, nimfat dhe figura të tjera mitologjike vizatoheshin shpesh herë të shtrira. Tipikisht sidomos, perëndesha romake e dashurisë, Venera (Afërdita), u shfaq në një skulpturë krejt e zhveshur dhe zbathur, megjithëse portretizimet e saj më të famshme nuk e kishin përshkruar atë në një plan të tillë horizontal.

Venusi i Mediçëve, shekulli XVIII

Në këmbë apo shtrirë, ajo më së shumti të herës është përpjekur t’i mbulojë pjesët e saj private. Piktori i Rilindjes, Giorgione (1477-1510) ishte një nga të parët që e popullarizojnë një nudo femërore, me veprën e tij “Venusi duke fjetur” (1508-1510).

Venera e Urbinos (nga Titiani)

Kjo u pasua me Venerën e Titianit, në vitin 1538. Përgjatë historisë së artit, artistët evropianë vazhduan të imitojnë vizionin e Giorgione me një Venus të shtrirë. Kësaj tabloje nuk i shpëtoi as piktori francez i epokës rokoko, Francois Boucher. Edhe ai pikturoi një princeshë nudo të shtrirë në një mënyrë të tillë.

Danaë nga Boucher

Tradita e portretizimit të figurave me një qëndrim të shtrirë vazhdoi me shekuj. Pauline Borghese, motra e Napoleon Bonapartit, një fisnike italiane e sërës së lartë, e kishte skalitur veten si në imazhin klasik të një Venusi të përsosur.

Pauline Borghese nga Antonio Canova

Sir Brooke Boothby, u portretizua gjithashtu në një pozicion të shtrirë kur u pikturua nga Joseph Wright, më1781. Një fisnik i lartë anglez dhe trashëgimtar i madh tokash, Boothby ishte një poet dhe filozof amator.

Sir Brooke Boothby nga Joseph Wright

Më 1870, James Tissot pikturoi këtë portret të Frederick Burnaby, i cili ishte një student i ri, që më pas iu bashkua ushtrisë. Burnaby ishte një figurë e shoqërisë së lartë victoriane. Ai vdiq 15 vjet më vonë prej pozimit për Tissot, në Betejën e Abu Klea-s.

Frederick Burnaby nga James Tissot

Në shekujt e XIX-të dhe XX-të, artistët vazhduan të eksplorojnë mbi pozicionin shtrirë të figurës qendrore që pozonte. William Etty pikturoi me qindra nudo të shtrira sensuale dhe provokuese, për të cilat ai u kritikua për shkak të pamjes së tyre shumë reale.

Figurë e shtrirë nga William Etty

Etty ishte duke ndjekur gjurmët e shumë artistëve të famshëm të kohës, përfshirë edhe Goya-n, i cili pikturoi dy ‘Maja’, një e veshur dhe tjetra nudo, por të dyja të shtrira. Goya mund të jetë frymëzuar nga bashkatdhetari i tij, Velázquez, nudoja e vetme e të cilit paraqitej gjithashtu e shtrirë, e njohur ndryshe si ‘The Rokeby Venus’.

Majat e Goya-s

Një tjetër pikturë tepër e famshme e një nudoje të shtrirë dhe që u frymëzua drejtpërdrejt nga Venera e Titianit, është Olimpia e E. Manet. Konsiderohet sot si një nga portretet më tronditëse të Manet, i cili u bë dhe artisti i parë i famshëm që vendosi një grua të bardhë moderne në këtë pozicion, ndërsa audienca u trondit. Olimpia nuk paraqitet thjesht e shtrirë, pasive me sytë e saj gjysmë të mbyllur, por përkundrazi, ajo shikon ngultazi çdo vizitor që zor se ia del pa u provokuar prej shikimit të saj.

Olimpia e Manetit

Dhe, megjithëse piktura ishte revolucionare në prurjen e re që ajo pati, Olimpia vetëm se shtoi listën e gjatë të veprave artistike të kryera nga artistë meshkuj që vetëm ata mund të shfaqnin gra lakuriq shtrirë. Në vitin 1989, një grup artistesh feministe me nofkën “Vajzat guerrile” tërhoqën vëmendjen me një trend të ri. Ato krijuan një poster ku në qendër ishte një vajzë haremi, në të cilën shkruhej: “A duhet që gratë të jenë lakuriq për të hyrë në Muze?”/KultPlus.com

“Piktori i balerinave” që shkroi sonete

Degas, piktor i balerinave, Degas, piktor i këngëtareve, Degas piktor i larëseve të lavanderisë etj. Të shumta janë shprehjet që na sillen ndërmend kur flasim për këtë artist të jashtëzakonshëm.

Në të vërtetë, piktori përqendrohet tek lëvizja, me një kujdes të veçantë që i kushtohet dritës. Edgar Degas është një artist i kompletuar: piktura vaji, pastele, vizatime, gravura, skulptura dhe fotografi. Piktori, madje ka provuar edhe poezinë: “Ai madje ka shkruar në periudha të caktuara të jetës së tij, sonete të shkruara për të cilat thuhet se janë shumë të bukura, transmeton KultPlus.

I konsideruar për një kohë të gjatë si “piktori i balerinave”, gjithsesi Edgar Degas pati një karrierë shumë më të larmishme. Një nga mjeshtrat e Impresionizmit, Edgar Degas ishte i apasionuar pas fotografisë, vallëzimit dhe kuajve.

I famshëm për valltarët e tij, Edgar Degas (1834-1917) shpesh konsiderohet një nga mjeshtrat e Impresionizmit, një klasifikim që ai e refuzonte, duke e mbajtur veten si realist dhe të pavarur. I pasionuar pas studimit të lëvizjes, ai u bashkohej të gjitha motiveve që përfaqësonin jetën: vallëzimi, natyrisht, por edhe garat me kuaj.

Ashtu si miku i tij Manet, Degas ishte një nga piktorët e mëdhenj të jetës moderne, skena kafenesh, të shtëpive publike, kapelashitësve, lavanderive.

Puna e artistit borgjez parizian, shumë i kulturuar dhe koleksionist, u shënua nga njohja e mjeshtrave të mëdhenj, veçanërisht e Ingresit, duke u konsideruar edhe si një prej trashëgimtarëve për nga cilësia e linjës së tij.

“Asnjë art nuk është aq spontan sa i imi. Ajo që bëj unë, është rezultat i reflektimit dhe studimit të mjeshtrave të mëdhenj”.

Degas përdorte bukur pastelin, të cilën e njihte mirë si teknikë, ndërkohë që gjithë piktorët e tjerë parapëlqenin bojën e vajit. Degas e konsideronte pastelin si “një pluhur mbi krahë fluturash”…

Kështu u krijuan tablotë “Mësimi i baletit”, “Provimi i dansit”, etj. Megjithatë ai vazhdoi dhe me portretet e grave nëpër kafenetë, klubet e argëtimit, që atë kohë ishin të shumta në Paris, këngëtaret e kabareve, madje dhe larëset e rrobave, gratë që hekurosin, etj.

Lindur në Paris në 1834, në një familje borgjeze, Degas ishte mbartës i një kulture të trefishtë: italisht nga i ati, amerikane nga nëna dhe pariziane nga lindja. Studioi në Liceun “Louis-le-Grand”, ku u diplomua në vitin 1853. I talentuar për artet, projektues pjellor, ai iu bashkua ateliesë së Louis Lamothe.

Pjesa e parë e krijimtarisë së tij shënohet nga tradita klasike. Fillimisht Degas ekspozoi piktura të historisë në Sallon, përpara se të bashkohej me qarqe të pavarura dhe të merrte pjesë në të gjitha ekspozitat impresioniste midis 1874 dhe 1886 (përveç në 1882), me tema frymëzuar nga jeta bashkëkohore.

Në vitet 1870, Degas u interesua për botën e Operës dhe vallëzimit, e cila më pas do shndërrohej në temën kryesore në veprën e tij piktoreske, por edhe të skulpturës. Duke evoluar në një shoqëri ku muzika luante një rol kryesor (në mesin e Lerolle, Rouart), mik i Ludovic Halevy (libretisti i “Karmen” të Bizet), ai u fut në prapaskenat e Operës së Parisit. Degas pikturoi skena orkestrale, portrete të muzikantëve, por veçanërisht klasa vallëzimi ku merrnin pjesë balerina të vogla.

Artisti zbulon egërsinë e një bote kapur në të gjithë kompleksitetin e saj sociologjik: zotërinjtë që presin balerinat, rivalitetet, hierarkinë; asgjë nuk është harruar. Pjesa e fundit e jetës së Degas zymtohet nga verbëria, që e privon gjithnjë e më shumë nga arti i tij: artisti ndaloi të pikturojë në vitin 1912.

Ai i kushtohet pastelit dhe prodhon vepra moderne, të lënë pas dore për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së tij në 1917, në të njëjtin vit me Rodinin, shitjet e studios së tij dhe koleksionit të tij sublim të mjeshtrave (Ingres, Delacroix …) shënojnë vitin 1918.

Kryeveprat e Degas:

Familja Bellelli (1858-1867) – Duke kaluar nëpër Itali, Degas viziton familjen e tij napolitane, ku vizaton një portret të denjë për mjeshtrat flamandë. Vepra karakterizohet nga struktura dhe ashpërsia e saj e përsosur, një shkapërderdhje e detajeve dhe një paletë e zymtë, ku Degas arrin të kuptojë psikologjinë e modeleve të tij.

Klasa e Vallëzimit (1873 dhe 1876).

Përfshirë në prapaskenat e Operës të rrugës “Le Peletier”, Degas interesohet për botën e vogël të balerinave. Kemi të bëjmë me një klasë vallëzimi, ku balerinat ushtrohen nën syrin vigjilent të mësuesit të baletit, prania e vetme mashkullore.

Tensioni dhe predispozita janë të dukshme. Disa kryejnë lëvizjet, ndërsa të tjerat duken të lodhura, madje edhe të rraskapitura. Piktori, duke iu afruar përbërjes diagonalisht, kursen ndërhyrjen e jashtme në këtë univers të mbyllur përmes pasqyrës.

Valltarja e vogël 14 vjeçare (1865 dhe 1881).

Në ekspozitën Impresioniste të vitit 1881, Degas prezantoi në një kafaz qelqi një skulpturë dylli të një balerine të re. Vepra shkaktoi skandal. Përballë fytyrës së saj me tipare simiane (majmuni), për disa ajo mishëronte një imazh shthurjeje (Opera shpesh perceptohej si një nga pasdhomat e prostitucionit borgjez).

Manifest i natyralizmit në skulpturë, kjo vepër është një përzierje e vërtetë, pasi Degas e veshi balerinën e tij me një tutu dhe pantofla, të cilat tregojnë obsesionin e tij për të kapur realitetin e kohës ku jetoi.

Karakteri i Degas ishte shumë i plotë, njëherazi ai dallohej për një besnikëri dhe një delikatesë që shkonte deri në ekstremin e mundshëm. Ishte besnik i pak miqve, por ishte absolutisht, ndër të tjerë, për vëllezërit Rouart, për skulptorin Bartholome, për Forain. /konica.al/KultPlus.com

Voto për mu, veç për mu, se shumë të du (VIDEO)

Jemi në kohë të zgjedhjeve dhe tubimet e shumta elektorale janë në të gjitha anët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Duke përkuar me kohën e zgjedhjeve, KultPlus sjell për lexuesit këngën e Faraonit G “Kokrra”.

Voto për mu
Vec për mu
Sa shumë të du
x2

Hajde te kutia jem
Qite kokrrën n”emrin tem

Se unë jom ma i forti n”ven
goja jem kurrë nuk flen

Hajde ti nafaka jem
Lumi unë për venin tem

Se une jom ma i miri n”ven
Vota jote mu ma then

O Sa mir mu m”pom vjen
Kur po voton ti emrin tem

O sa mir mu m”pom vjen
kur po votoni emrin tem

Nafakë,nafakë,nafakë
Nafaka jem
Nafakë,nafakë,nafakë
me venin tem
x2

Voto për mu
Sa shum të du
x2

voto për mu
Sa shumë të du
Sa shumë ju du
Voto për mu

Hajde te kutia jem
qite kokrren n”emrin tem

Une jom ma i miri nven
Vota jote mu ma then
Then,then, then, then
then,then,tttthhhheen

Une jom ma i miri n’ven

O sa mirë mu pom vjen
Kur po votoni emrin tem
x2

Nafak,nafak,nafak
Nafaka jem
Nafakë,nafakë,nafakë
Me venin tem
x2./KultPlus.com

Gratë me sens humori janë ato që kanë përjetuar dhimbjet më të mëdha

Çdo fytyrë e qeshur fsheh dhimbje dhe do të befasoheni kur do të zbuloni se njerëzit më të lumtur shpesh luftojnë nën peshën më të rëndë të dhimbjes.

Ju mund të shikoni femrat që duket se e gëzojnë më shumë jetën dhe të pyesni veten se si arrijnë të jenë të lumtura. Ju mund ta keni gjetur veten herë pas here duke i patur zili, duke dëshiruar që të jeni më shumë si ato dhe ta lejoni të qeshurën tuaj të jetë aq e plotë sa e tyrja.

Megjithatë, sekreti që shumë prej tyre fshehin është se fytyrat e tyre të lumtura maskojnë zemrat e mbushura me dhimbje dhe pikëllim. Ato kanë mësuar të buzëqeshnin përmes lotëve dhe lumturia që u sjellin të tjerëve shpesh është një lumturi që ato nuk janë në gjendje t’ia sjellin vetes, transmeton KultPlus.

1. Ato preferojnë të shpërndajnë më shumë gëzim sesa trishtim

Gratë që gjejnë arsye për të qeshur edhe kur ato do të qanin shpesh ndjehen sikur do të rëndonin njerëzit rreth tyre nëse do të shprehnin pikëllimin që ndiejnë thellë brenda tyre.

Ato gjejnë rehati dhe gëzim kur i bëjnë njerëzit të lumtur, dhe për një moment dhimbja shkon tutje larg dhe gjithçka është në rregull me botën. Ato i shohin fytyrat e buzëqeshura rreth tyre, dhe për to, kjo është pafundësisht diçka më e mirë se sa shqetësimi i tyre.

2. Ata e dinë dhimbjen e të ndjerit e pavlerë

Robin Williams dikur ka thënë: “Unë mendoj se njerëzit më të trishtuar përpiqen gjithnjë e më fort për t’i bërë njerëzit të lumtur, sepse e dinë se çfarë është të ndihesh absolutisht i pavlerë dhe nuk duan që dikush tjetër të ndihet ashtu“.

Gratë që kanë kaluar nëpër dhimbje të pabesueshme kurrë nuk do të dëshironin të njëjtën gjë për njerëzit e tyre të zemrës dhe ato kërkojnë për momente me diell në ditët me shi për të lartësuar shpirtrat e njerëzve që duan.

3. Ato qeshin për të harruar vetminë e tyre

Gratë që gjejnë kënaqësi në gjëra të vogla, shpesh po ia mbathin nga një ndjenjë më e thellë vetmie që kërcënon t’i kaplojë ato nëse i kushtojnë vëmendje.

Ato dëshirojnë që të kishin patur dikë që t’i donte ato në momentet e tyre më të errëta, dikë që të qëndronte pranë tyre gjatë netëve plot vetmi dhe t’i ngushëllonte kur t’i kaplonte trishtimi.

Të menduarit për këtë mund të jetë e dhimbshme, kështu që qeshin për të harruar se janë të vetmuara.

4. Zbrazëtia zë vend brenda saj, sapo buzëqeshja “vdes”

Buzëqeshja e tyre kumbuese shërben vetëm për të nxjerrë në pah boshllëkun që ndiejnë nga brenda. Ato mund të duken të ekzaltuara për një sekondë dhe krejtësisht të matura dhe serioze në një moment tjetër për shkak të kuptimit të dhimbshëm që momentet argëtuese të çastit nuk mund ta mbushin boshllëkun brenda tyre.

Dashuria që kërkojnë, pranimi dhe mirëkuptimi që ato dëshirojnë, ende mungojnë, dhe asnjë sasi humori nuk mund ta mbushë kurrë atë boshllëk.

5. Ato i përjetojnë emocionet intensivisht, sepse ato i njohin thellësitë e dhimbjes

Një grua që ka parë anën më të ashpër të realitetit, arrin të përqafojë edhe anën e saj më të bukur. Ajo mund të vlerësojë momentet më të lehta në jetë më mirë, sepse ajo ka përjetuar thellësitë e dhimbjes dhe ajo është mirënjohëse ndaj të mirave që vijnë në rrugën e saj.

Ajo ende mund të përjetojë pjesën e saj të ndjeshme të dhimbjes, por kjo nuk e ndalon atë ta shndërrojë në gëzim kur ajo merr copëza të rralla lumturie.

6. Nganjëherë ato qeshin me dhimbjen e tyre për ta përballuar atë më mirë

Kur gratë bëjnë shaka për dhimbjen që ato ndiejnë dhe bëjnë dritë me vetminë e tyre për të zbavitur njerëzit e tjerë, kjo i ndihmon ato të shprehin atë që ato ndjejnë, në mënyrë që ato të mos e mbajnë më brenda.

Ato mund të jenë duke kaluar me të vërtetë shumë gjëra, por duke folur për këtë nëpërmjet shakasë largon pjesë të dhimbjes që ato ndjejnë. Duke qeshur me këtë, ato e bëjnë më të lehtë diskutimin dhe gjithashtu lejojnë që gratë e tjera që po kalojnë nëpër të njëjtën gjë të dinë se nuk janë vetëm.

7. Ato janë përgjithësisht të ndjeshme ndaj emocioneve

Disa femra që duket se e gëzojnë jetën në plotësinë e saj me çdo gjë që jeta ka për t’u ofruar, sepse ato janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj emocioneve dhe gjendjeve shpirtërore.

Ata kanë përfitimin e të diturit të vlerës së çdo lloj emocioni, pozitiv ose negativ, thellësisht dhe intensivisht, për shkak të ndjeshmërisë së tyre të madhe. Ato mund të lidhen me të tjerët që po kalojnë në të njëjtën situatë lehtësisht, dhe ofrojnë ndjeshmëri e ngushëllim, sepse kanë qenë në ato ditë të vështira./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Njerëz të mëdhenj por prindër të këqij!

A mundet që një gjeni të jetë edhe një prind i mirë? Shumë të zënë për të menduar, shpikur, reflektuar dhe krijuar, prindërit-gjeni, që me meritë janë bërë ikona dhe mite të historisë, shpesh dalin që janë prindër jo edhe aq model për fëmijët e tyre.

Disa prej tyre, madje, kanë dalë jashtë kornizave të doktrinave të tyre, që i kishin përkrahur me pasion dhe prej të cilave janë bërë të njohur.

Jean Jacques Rousseau, babai i Pedagogjisë Moderne, që vë në qendër pikërisht fëmijët, pesë bijtë e tij i çoi në një shtëpi kujdesi. Të tjerë nuk kujdeseshin fare, siç veproi Alessandro Manzoni me të bijën, Matilde ose i madhi Çarlie Çaplin me fëmijët e tij të shumtë apo edhe Lev Tolstoi, që në ditarët e tij nuk shkroi as edhe një rresht për lindjen e fëmijës së parë.

Shkrimtari italian Maurizio Quilici ka përmbledhur disa autobiografi në librin e tij “Njerëz të mëdhenj, prindër të këqij”, ku flet për lidhjet e ngurta dhe të ftohta të gjenive me fëmijët e tyre.

Në libër nuk mungon as babai i fizikës moderne, Albert Ajnshtajn dhe afrimiteti “shurdh” i Galileo Galileit. Nuk mungojnë as femrat. Maria Montessori, krijuesja e sistemit edukativ, që mban edhe emrin e saj, nga frika se mos linte pas dore punën, e mbajti larg të birin deri në adoleshencë, duke u shtirur si tetoja e tij.

Edhe shkencëtarja e Nobelit, Mari Kyri, është kritikuar se nuk investonte shumë në rolin e saj si nënë.

Personalitete të mëdhenj dhe mendje të mëdha jo me domosdoshmëri janë sinonime për humanitet të madh. Sipas raporteve dhe shkrimeve, me sa duket këta gjeni kanë qenë të tillë vetëm në fushën përkatëse dhe aspak të hapur për të thelluar lidhjet me familjarët.

Autori i “Njerëz të mëdhenj, prindër të këqij” shkruan në fund të librit të tij: “A është e drejtë që këto mendje të mëdha të sakrifikojnë të qenit prindër për t’i lënë njerëzimit trashëgimi gjenialitetin e tyre”?

Në këtë libër tregohet se Manzoni, që në veprat e tij përshkruan personazhe të mbushur me humanitet dhe mëshirë, injoronte kërkesat e shumta të së bijës për ta takuar. Ose Çaplin që kishte rrëfyer: “Nuk i dua fëmijët e mi”.

Por qëndrimet e këtyre gjenive i përkasin një tjetër kohe. Tani figura e babait ka ndryshuar dhe tashmë burrat janë në gjendje të marrin përsipër edhe përgjegjësi që ndër vite janë cilësuar si mëmësore.

Prindër të mirë janë ata që e dinë që nuk janë perfekt, por sforcohen t’i kuptojnë fëmijët e tyre, t’u qëndrojnë pranë, t’i mësojnë me shembuj, të tregohen koherent, të respektojnë rregullat me qetësi, dialog dhe bindje, sesa me dënime.

Prindërit e mirë janë ata që respektojnë personalitetin e fëmijëve, temperamentin e tyre dhe mundohen që të tregohen një shembull i mirë për t’u ndjekur./botimeshqip / KultPlus.com

Thirra Kosovë

Poezi nga Osman Gashi

Thirra: Kosovë!
Fluturuan duke prerë ajrin e mëngjesit
Trumba dallëndyshesh

Thirra: Kosovë!
Njëmijë ofshama
Njëmijë buzëqeshje
Më ngritën në ajër posi një letër të bardhë

Thirra: Kosovë!
Tërë një det lotësh
Fytyra të ngazëllyera fëmijësh
Duke rrahur tokën
Në mes të valles

Thirra: Kosovë!
Një lumë fjalësh
Që gurgullojnë
Erëra që s’prajnë
Lisa rrënjëthellë
Që s’tunden

Thirra: Kosovë!
Thirra: Kosovë!
Thirra: Kosovë!

17 vite ndërtim: Ky është tuneli më i gjatë në botë

Tuneli më i gjatë në botë është  35.4 milje, ose përafërsisht 60 km dhe përbëhet nga dy tunele që lidh rajonet Erstfeld dhe Bodio në alpet e Zvicrës.

Ky tunel është projektuar që në vitin 1947, por ndërtimi i tij nisi 17 vjet më parë. Për ndërtimin e këtij tuneli janë asgjësuar 28.2 milion ton shkëmb malor, ndërsa kostoja e ndërtimit të tij arrin në 10.6 miliard € (£ 8.1 / 12 miliardë $).

Ky tunel shkurton kohën e udhëtimit në zemër të Europës deri në një orë.

“Gotthard Base Tunnel”, i cili mban emrin e grupit të famshëm zviceran të rock-ut, është tuneli më i gjatë në botë, gati 60 km, i cili sposton kështu në vendin e dytë tunelin Seikan në Japoni (33.46 milje, ose 53.85 km).

Ndërsa në vendin e tretë është tuneli nënujor që lidh Britaninë e Madhe me Francën, 51 km i gjatë./gazetametro/ KultPlus.com

Amerikanët zbulojnë detaje nga konflikti Shqipëri-Jugosllavi më 1956-1957, Hoxha dhe Tito sulme e akuza ndaj njëri-tjetrit

Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1956 dhe 1957. Përmes disa shkrimeve, tregohen sulmet mes qeverisë shqiptare dhe asaj jugosllave.

29 nëntor 1956

Jugosllavia sulmon regjimin e “terrorit” në Shqipëri

Jugosllavia raportonte sot për një valë të re terrori nga Shqipëria me vrasje dhe arrestime masive. Diplomatët e kthyer prej andej së fundmi raportojnë se dy javë më parë rreth njëzet njerëz të rreckosur, nisën një demonstratë duke kërkuar dru për zjarr për familjet e tyre, por ata u ndaluan nga autoritetet dhe pesë prej tyre u pushkatuan.

Fakti që shqiptarët guxuan të demonstronin konsiderohet i jashtëzakonshëm, por ata mund të jenë inkurajuar nga lajmet për revoltën në Hungari e Poloni ku manifestime të tilla nuk ishin dënuar. Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Edhe kur udhëheqësit e BRSS bënë paqe me presidentin jugosllav Tito vitin e kaluar, Shqipëria i ndoqi në politikë por me pendesë. Përmirësimi i ngadaltë i lidhjeve mes Beogradit e Tiranës nuk ka arritur avancime të mëdha.

Edhe sot armëpushimi mes tyre i ka dhënë rrugë një debati ideologjik. Hoxha ka qenë udhëheqësi i parë komunist që sulmoi jugosllavët për konceptin e rrugëve të ndara drejt socializmit, në një artikull të gazetës sovjetike Pravda. Kjo u ndoq nga dënesa e Mautice Thores, kreu i Partisë Komuniste të Francës, nga Rude Pravo i partisë çekosllovake dhe nga vetë Pravda. Jugosllavët nuk hezituan të dënojnë Hoxhën me fjalët më të ashpra.

Këtë mëngjes Borba raportonte se Tirana ka nisur arrestime masive të personave që dyshohen se shprehin simpati pro-jugosllave. Borba shton se në të gjithë vendin po mbahen konferenca partie ku sulmohet dhe demonizohet Jugosllavia. Duke iu përgjigjur kritikave ndaj fjalimit të Titos në 11 nëntor mbi ndërhyrjen sovjetike në Hungari, gazeta e Beogradit tha se Tirana ishte rikthyer në gjuhën e sharjeve dhe të urrejtjes së të kaluarës.

“I gjithë artikulli vijon të tregojë se udhëheqja shqiptare nuk devijon nga rruga që ka ndjekur prej vitesh. Ajo e ka shtruar mirë këtë rrugë me skuadra pushkatimi dhe shpifje e intriga ndaj të gjithë atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Është një çështje tjetër të mendosh se sa socialiste është kjo rrugë në të vërtetë”, shkruan Borba.

19 shkurt 1957

Hoxha akuzon Titon për komplot

Të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit Tito u bënë dje nga kryeministri shqiptar Enver Hoxha gjatë një fjalimi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Hoxha akuzoi Jugosllavinë se kishte inkurajuar zv. kryeministrin shqiptar Tuk Jakova dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të komplotonin kundër tij. Fjalimi i Hoxhës u transmetuar nga Radio Tirana dhe u monitorua nga afër.

Kreu i partisë shqiptare akuzoi më tej Titon se po dobësonte dhe ngatërronte kauzën e komunizmit duke sharë Bashkimin Sovjetik dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Hungarisë dhe të Shqipërisë, me qëllim përmbysjen e qeverive atje. “Pretendimet e liderëve jugosllavë dhe interpretimi i tyre për ngjarjet në Hungari si një revolucion popullor, është një gabim i rëndë. Akuzat e tyre janë jo vetëm të pabaza, por tentojnë të ngatërrojnë më shumë situatën me qëllim të mbulojnë luftën e klasave dhe të mbjellin konfuzion mes radhëve të partive komuniste.

Goditet politika jugosllave

Hoxha tha se politikat jugosllave kërkojnë ta përfaqësojnë veten si të parët që kanë vendosur një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e tyre, nëse nuk duan të pësojnë atë që i ndodhi Hungarisë. “I gjithë populli shqiptar e refuzon këtë këshillë pasi ajo që na kërkojnë në të vërtetë është të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, siç ka bërë Jugosllavia”, tha Hoxha.

“Komiteti Qendror i Partisë Shqiptare ka qenë korrekt në sulmet e tij kundër revizionistëve fashistë dhe elementëve tradhtarë që janë përpjekur haptazi ose fshehurazi të përgatisin kushtet për rivendosjen e kapitalizmit dhe zgjedhës imperialiste në Shqipëri. Armiq të partisë sonë si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu (ministri i Arsimit) e të tjerë, kanë marrë pjesë në konferenca në Tiranë të organizuara nga Jugosllavia”, tha Hoxha më tej, pa zbuluar fatin se çka ndodhur me dy zyrtarët e rrëzuar.

Pasi mbrojti Stalinin si një marksist i madh që gabimisht mendoi se po mbronte revolucionin me gabimet e tij, Hoxha shtoi se udhëheqësit jugosllavë sulmonin Stalinin për kultin e individit por e bënin këtë në vendin e tyre.

24 shkurt 1957

Beogradi i kundërpërgjigjet akuzave të Hoxhës

Jugosllavia ka refuzuar sot goditjet verbale të kreut komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. Denoncimi i kryeministrit shqiptar është në “kundërshtim flagrant” me kontributet për paqen në Ballkan, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të qeverisë së Titos.

Jugosllavia nuk mund të pranojë sulme të tilla sidomos pas deklaratave të fundit nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria mbi rëndësinë e solidaritetit socialist, shtoi ai. Ankesa kryesore e Hoxhës në Radio Tirana ishte se Beogradi është fajtor për ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Hungarisë e Shqipërisë dhe se kishte refuzuar ofertat paqësore të Bashkimit Sovjetik.

27 shkurt 1957

Jugosllavia pranon konfliktin me BRSS

Qeveria jugosllave ka akuzuar sot Bashkimin Sovjetik se po kryen një fushatë të organizuar për izolimin dhe diskreditimin e vendit. Beogradi pranoi hapur se ka një konflikt të ri me Moskën e cila sipas tyre kishte anuluar kreditë e ndihmës prej rreth 250 milionë dollarë. Zëdhënësi tha se Jugosllavia nuk mbante përgjegjësi për prishjen e marrëdhënieve qeveritare dhe ekonomike.

Zëdhënësja e qeverisë tha se fushata sovjetike me vendet lindore kundër Jugosllavisë nuk vinte nga ndryshime ideologjike por ngaqë Beogradi nuk i bashkohet ‘kampit socialist’ të udhëhequr nga BRSS dhe për të pranuar komandën e tij. Një deklaratë e ngjashme u dha më vonë dhe nga ministri i jashtëm Koca Popoviç në Parlament. Me një ton të moderuar ai e përshkruante Jugosllavinë si një komb të futur në mes të dy konkurruesve që nuk e kuptonin atë.

Deklarata ngrinte lart ‘ndihmën e çmuar’ të SHBA dhe shprehte shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Popoviç i kushtoi shumicën e fjalimit të tij konfliktit me Moskën dhe foli fjalë të rënda për Kremlinin dhe aleatin e tij të vogël Shqipërinë. Reagimet e para ndaj fjalimit të Popoviç thoshin se me këtë presidenti Tito kishte hequr dorë nga pretendimet se dallimet e tij me Bashkimin Sovjetik janë vetëm ideologjike.

Raporti konsiderohej si një paralajmërim se era që fryn nga Lindja do të sjellë një ‘kafshim’ të veçantë në muajt në vijim. Popoviç tha se nuk mund të gjendet asgjë në ngjarjet e vitit të fundit që të justifikojë këtë dënim të Jugosllavisë nga Blloku Socialist Sovjetik e madje përmendi fjalët e javës së kaluar të Nikita Krushov, i cili tha se çdo vend është i lirë të ndjekë rrugën e tij në kërkim të zhvillimit.

24 mars 1957

Hoxha i Jugosllavisë refuzon akuzat e keqtrajtimit të shqiptarëve

Fadil Hoxha, kreu i Këshillit të Kosovës, rajonit autonom shqiptar të Jugosllavisë, ka refuzuar sot pretendimet e kreut komunist të Tiranës Enver Hoxha për keqtrajtim të minoritetit shqiptar. Në një miting në Prishtinë, Fadil Hoxha akuzoi dje Enver Hoxhën se po përpiqej të nxiste urrejtje shoviniste mes popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë dhe se qëllimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë. Konflikti kryesor mes dy Hoxhave është pozita politike e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 750 000 njerëzish në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është rreth 1 200 000.

Rritja e shpejtë e popullsisë

Por shqiptarët nuk janë vetëm minoriteti më i madh në Jugosllavi por dhe ai më primitiv dhe me rritjen më të shpejtë. Që prej censusit të parë jugosllav në 1921 kur shqiptarët numëronin 440 000, ata janë rritur me 71 përqind, në një kohë kur popullsia jugosllave është rritur vetëm me 36 përqind.

Por, Enver Hoxha tha në fjalimin e tij se “udhëheqësit jugosllavë kanë nisur një fushatë shoviniste e anti-marksiste ndaj popullit të Kosovës, një rajon në të cilin situata është e mjerë. Liderët jugosllavë po ndjekin politika të shkatërrimit të karakterit kombëtar teksa dhjetëra mijëra prej tyre janë detyruar të japin tokën dhe shtëpitë e tyre duke emigruar në Turqi. Udhëheqësit jugosllavë po përpiqen ta transformojnë vendin në një bazë veprimi kundër Shqipërisë”, tha Hoxha.

Refuzimi i akuzave

Shtypi jugosllav nuk e ka publikuar fjalimin e Hoxhës por më 28 shkurt ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare duke u ankuar për “provokime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë”. Fadil Hoxha citonte në përgjigjen e tij se shqiptarët në Kosovë kishin të drejta të njëjta me qytetarë të tjerë të Jugosllavisë dhe se ndërhyrjet nga jashtë nuk do të arrinin kurrë të përçanin ata me serbët, malazezët apo turqit që janë të gjithë fqinjë në Kosovë e Jugosllavi.

Ai shton se shqiptarët atje kanë shkollat e tyre, shtypin dhe teatrin ku përdoret gjuha shqipe. Fadil Hoxha shton se minoriteti shqiptar përfiton nga zhvillimi ekonomik i rajonit, ndërsa Shqipëria nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë të drejta minoriteteve të saj malazeze e maqedonase.

Këto grupe sipas tij, nuk kanë shkolla në gjuhën e tyre apo mundësi të tjera mësimi. Ndërsa për akuzat e Hoxhës së Shqipërisë se shqiptarët po detyroheshin të emigronin në vende të tjera, Fadili tha se ishte një gënjeshtër e madhe.

Ai argumentonte se prej fundit të Luftës vetëm 291 shqiptarë kanë ndryshuar qytetarinë nga rreth 500 000. Zyrtarët e qeverisë jugosllave janë të shqetësuar nga përpjekjet shqiptare për të nxitur minoritetin e saj të Kosovës, dhe e konsiderojnë këtë një nga lëvizjet më kërcënuese të Hoxhës./sotnews/KultPlus.com

Edhe këtë vit, Kolegji Universum mbetet zgjedhja e parë e maturantëve për studime

I cilësuar si institucioni më inovativ në vend, Kolegji Universum edhe këtë vit mbetet zgjedhja e parë e maturantëve për studime. 

Për shkak të këtij interesimi të jashtëzakonshëm të maturantëve për regjistrim, këtë vit Kolegji Universum ka hapur edhe kampusin e katërt më inovativ në vend, objekt ky i cili dukshëm do të ndikojë në përmirësimin e standardit studentor dhe do të rris kapacitetet e Kolegjit Universum për pranimin e studentëve të rinj. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Përveq kampusit të ri modern, Kolegji Universum këtë vit ka shtuar programe të reja studimi dhe numrin e bashkëpunimeve me Universitetet Evropiane duke e ngritur në 395 numrin e BURSAVE Ndërkombëtare që do të ofrohen për këtë vit për studentë për shkëmbim në 22 shtete të BE-së dhe Turqi. 

Aplikimet vazhdojnë, eksploro Evropën gjatë studimeve, studio një semester në Evropë me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

108 studentë të Kolegjit Universum deri tani kanë përfituar shkëmbim semestral në 22 shtete të BE-së. Kliko këtu, shiko fotot e studentëve përfitues të këtyre bursave. Informohu më shumë për programet e reja dhe për BURSAT ndërkombëtare që i ofron Kolegji Universum.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)KultPlus.com

Tri gra shqiptare synojnë ulëse në Parlamentin Austriak

Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë)

Austriakët do t’u drejtohen qendrave të votimit të dielën, me  29 shtator për të vendosur për përbërjen e parlamentit të ri. Në këto zgjedhje të cilat mbahen të parakohshme, të drejtë vote kanë edhe shqiptarët me nënshtetësi austriake e të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri. Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

Drita Cacaj: Nëse nuk dilni në votime, mos u ankoni pastaj!

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit Austriak.

Kandidatja e ÖVP-së Drita Cacaj e cila garon në listën e kandidatëve për Vjenë, ka thënë se ata që nuk dalin në votime nuk duhet pastaj të ankohen. “Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri –  tjetrin nuk mund të forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë për albinfo.ch, kandidatja Drita Cacaj e cila theksoi se të gjithë ata që kanë nënshtetësi austriake e kanë për obligim moral dhe ligjor për të votuar.

Zonja Cacaj e cila është aktive prej vitesh në partinë ÖVP në Austri, është shprehur se me zgjedhjen e saj si deputete, ajo do të jetë zë i shqiptarëve në Parlamentin Austriak. “Vota juaj do të jetë përgjegjësi për mua që të ju përfaqësoj në mënyrën më të denjë njerëzore dhe profesionale. Si shqiptarë që jetojmë në Austri duhet të jemi të përfaqësuar dhe të integruar si të gjitha nacionalitetet tjera pa dallim”, ka thënë Drita, e cila ndër prioritet e saj kryesore ka edhe integrimin më të mirë të femrës shqiptare në jetën sociale në Austri.

Serafina Demaku angazhohet për mbrojtjen e klimës dhe transport publik falas

Në anën tjetër, nga radhët e partisë SPÖ, kandidon 23 vjeçarja shqiptare, Serafina Demaku. Ajo është e lindur në Baden të Austrisë, kurse me prejardhje është nga Arbria e Drenicës.

Serafina ka qenë e angazhuar në organizata joqeveritare për çështjen e migracionit. Në vitin 2015 hyn në udhëheqjen e të Rinjve Socialistë të Austrisë, ku deri në maj të vitit 2017, mban edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve Socialistë të Austrisë. Ajo kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara nga po e njëjta parti.

Albinfo.ch ka provuar të mearrë edhe një prononcim nga Serafina Demaku, por fatkeqësisht nuk ka arritur ta kontaktojë. Megjithatë, Serafina në faqen e saj në “Facebook” tregon arsyet e kandidimit të saj për deputete.

“Unë kandidoj për zgjedhjet parlamentare 2019 për një politikë që e merr seriozisht mbrojtjen e klimës dhe angazhohet për një transport publik falas. Një politikë që angazhohet për një sistem ekonomik, ku njerëzit dhe mjedisi vlejnë më shumë se paratë dhe përfitimet. Për një politikë që krijon strehim të përballueshëm për të gjithë.

Zgjedhjet parlamentare në Austri janë zgjedhje të parakohshme. Ato u bënë të domosdoshme pas publikimit të skandalit “Ibiza” të liderit djathtist, Heinz Christian Strache, i cili në video incizime dëgjohej teksa u premtonte oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Ina Rexhepi: Nëse dëshirojmë ndryshime, atëherë votoni dhe bëhuni pjesë e ndryshimeve

Në listat për deputetë të partisë së kandidatit për kancelar, Sebastian Kurz (ÖVP) gjendet edhe Ina Rexhepi. Ajo është 36 vjeçare, e lindur në Prizren ndërsa së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Wels të Austrisë. Bashkë me familjen e saj udhëheqin një kompani të suksesshme të dizajnit. Ina prej shtatë vitesh është anëtare e Partisë Popullore të Austrisë. “Pas relativisht pak kohësh që u bëra pjesë e partisë, u njoha me Sebastian Kurz. Ai më emëroi si ambasadore të integrimit për projektin “Zusammen Österreich” kështu që u bëra më aktive në politikë”, tregon Ina për “albinfo.ch”, për fillimet e aktiviteteve politike në Austri.

Sipas saj, Partia Popullore në Austri është partia që i trajton dhe ju jep mundësi shqiptarëve më së shumti, kjo falë raportëve të mira që tradicionalisht ka kjo parti me shqiptarët e deri te kancelari në ardhje Sebastian Kurz. “Për Partinë Popullore në Austri vlerësohet suksesi dhe jo origjina. ÖVP si prioritete i ka temat si: dixhitalizimi, ndryshimi i Klimës, forcimi i Evropës, pra, janë të gjitha tema që ndikojnë gjithashtu në gjeneratën tonë të ardhshme”.

Ina, kërkon nga shqiptarët që të dalin të votojnë sepse me votën e tyre do të ndryshojë pozitivisht gjendja e tyre. “Secili kërkon një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe fëmijët e tij. Nëse dëshirojmë të bëjmë ndryshim, atëherë duhet të votojmë, sepse vetëm duke votuar mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, ka thënë Ina./albinfo.ch

“Drita” e luftës përballë traditës, premierë botërore në Zürich

Një histori që e kthen hakmarrjen si përgjigje ndaj padrejtësive e dhuna bëhet një cikël i mbyllur shkatërrues. Gjatë një akti hakmarrës, Drita humb jetën.

Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Ky është përshkrimi për filmin “Drita”, nën regji të amerikanit Daniel Kruglikov, në faqen e Festivalit të Filmit në Zürich.

Sipas kritikëve zviceranë, filmi është një poemë tërheqëse kinematografike për luftën me traditën, nevojën për ndryshim dhe fuqinë e dashurisë, transmeton KultPlus.

Në edicionin e 15-të të këtij festivali, i hapur të enjten, do të debutojë edhe filmi dramë që shtjellon një histori të dhimbshme hakmarrjeje në Kosovë.

I xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, “Drita” ka në rolet kryesore aktorët Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.

“Flamuri e di kush është ekzekutuesi i saj, por çfarë duhet të bëjë me këtë informacion? Për bredharakun Flamur ka pasur vetëm dhunë e luftë; atij iu desh të arratisej.

Drita, sidoqoftë, nuk mund të ikte. Familja e saj, violina e saj, kultura e saj: ajo ishte në shtëpinë e vet në Kosovë”, thuhet në përshkrimin e filmit të afishuar në faqen zyrtare të Festivalit të Filmit në Zürich. “Dhe kështu ai lë pas vete dashurinë e jetës së tij dhe e çon atë drejt mjerimit.

Drita kuturiset në një cikël shkatërrimtar hakmarrjeje, ku rivalët bëhen një me dhunën dhe jeta bëhet një me vdekjen. Si mund të kalohet ky rreth?”

Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.

Të hënën, më 30 shtator, ky film do të ketë “shfaqje speciale” (special screening) në festivalin e mirënjohur zviceran.

“Është hera e parë që do të shfaqet. Nga aty fillon rrugëtimi i tij nëpër festivale”, ka thënë Armond Morina, bashkëproducent i filmit./koha.net/KultPlus.com

Kanë filluar xhirimet e filmit “I’mPossible”, një film që trajton sakrificën e solidaritetin

Kanë filluar xhirimet e filmit më të ri “I’mPossible”, me skenar nga Shqipe Malushi dhe me regji të Burim Halitit në bashkëpunim me Mahiema Anand.

Ky film e tregon jetën e një femre të quajtur Resmije Rahmani apo Biba May.

Resmija është prizrenase, por ajo që nga mosha shtatë vjecare ka vuajtur nga sëmundja e distrofisë muskulare progresive.Duke bëtë kështu cdo ditë në jetën e saj një sfidë dhe një ferr të papërshkruar.

Por shpirti i Bibes është dritë dhe në vend që sëmundja ta mund ate, ajo e mund sëmundjen me fuqinë e saj të brendshme.

Ajo sot udhëheqë një projekt të financuar nga Bashkësia Europiane për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Edhe pse asaj i punojnë vetëm dy gishtat e dores ajo e drejton karrocen elektrike në qytetin e Prizrenit dhe i kryen te gjitha punët e ditës, duke blerë ushqim per prindërit e saj të moshuar, për të punuar në kompjuter, dhe për ti bërë të gjitha takimet e ditës.

Qëllimi i këtij Filmi Dokumentar është të rritet vetëdija kolektive për persona me aftësi të kufizuara duke bërë kshtuëqë të rritet solidaritet kundrejt tyre.

“I’mPossible”, është duke u realizuar nga “Eureka Film & Production në bashkëpunim me OJQ “Art Without Limit” nga Prishtina, mbështetur nga Komuna e Prizrenit, si dhe me skenaristen dhe producenten Shqipe Malushi nga Amerika, me Regjisorin e mirënjohur Burim Haliti nga Kosova dhe bashkëregjisoren nga India Mahiema Anand, si dhe drejtorin e fotografisë Michael Stoeberg nga Austria, ndërsa skenografia dhe kostumet janë duke u realizuar nga Ganimete Sava./KultPlus.com

Edicioni i pestë i “Coffee and Tea Festival” po vjen

Në këto ditët të para të vjeshtës, sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbushet me aromën e kafes dhe çajit.

Në datat 30 shtator, 1 dhe 2 tetor, nga ora 10:00 deri në ora 20:30 Festivali i Kafes dhe Çajit rihap dyert për të mirëpritur adhuruesit e kafes dhe çajit.

Brendet e reja që e dominojnë tregun vendor dhe ndërkombëtar të kafesë dhe çajit, do të ekspozohen në ambient të hapur nga rreth 15 kompani pjesëmarrëse.

Prezentë do të jenë afër 25 lloje të ndryshme të kafes dhe çajit – nga top brendet botërore si: Prince Caffe, Llavazza, Antica Tostatura Triestina, Pavin Caffe, Ama Caffee, Barcaffee, Galliano, Mokate, Michelad’oro, pastaj çajërat si Emona Brand, Albred, Lloyds, Podravka, Millford, Naturavita etj.

Përveç shërbimit me kafe dhe çaj, dhuratave për vizitorë, performimit të maskotave, risi do të jetë muzika live nga ora 11:00 – 13:30 si dhe performimi i baristave të kafes të cilët do të përkujdesen për dekorimin e kafeve me dizajne kreative. / KultPlus.com

“Sallatë dhe Çalldisje”, libri më i ri nga Lorik Sylejmani promovohet këto ditë

Artisti vizuel dhe gazetari, Lorik Sylejmani këto ditë pritet të sjellë në dorën e lexuesit librin e tij të fundit, shkruan KultPlus.

“Sallatë dhe Çalldisje” është libri i artistit Lorik Sylejmani i cili për herë të parë do të shpaloset për publikun ditën e 2 tetorit përmes një promovimi i cili do të ndodhë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Gjithçka rreth këtij projekti ai dëshiron që ju ta kuptoni gjatë këtij promovimi i cili do të mbahet në ora 19:00. / KultPlus.com

Tetova nga sonte nikoqire e “Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit”

Drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit nga Kosova, Rexhep Qosja, do hap festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë.

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Nga data 27 shtator deri dy tetor Teatri i Tetovës do të jetë nikoqir i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ku para ardashësve do shfqen gjashtë trupa teatror nga trevat shqiptare dhe jo vetëm. Këtë vit pjesëmarës në festival do jetë edhe trupa e teatrit “Atakent” nga Stambolli.

Festivali ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë është përkrahur nga Ministria e Kulturës me 2 milionë denarë, shumë e njëjtë si edhe në vitet e kaluara. Të pyetur se pse në Teatrin e Tetovës shfaqen gjithmonë e më pak shfaqe premierë, Ish-drejtori i festivalit Arsim Fazliu këtë mungesë e arsyeton me mungesën e kushteve.

Festivalin do ta hap drama “Sfinga e Gjallë” e Teatrit të Kosovës, duke u pasuar nga drama “Të Huajt” e Teatrit të Dramës Shkup, “Një letër e humbur” e Teatrit të Tetovës, “Unë kam gjithmonë një shami ne xhepin tim” nga Albania Dance Theatre Compani, “Gjiganti me sytë blu” e Teatrit Atakent Stamboll dhe do përmbyllet me dramën “Zona e pritjes” e teatrit Migjeni Shkodër. / KultPlus.com


Gjurmë të një kishe paleokristiani në Malësinë e Madhe

Zbulohen gjurmë të një kishe paloekristiane të shekullit V pas Krishtit në Hot të Malësisë së Madhe.

Gërmimet arkeologjike kanë qenë pjesë e një projekti të ACA -Albania Community Assist në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Instituti i Arkeologjisë Tiranë dhe Dioqeza e Budimjes dhe Nikshiqit dhe muzeun Polimlje -Berane (Mali i Zi).

Holta Hoçi / drejtuese e projektit tha se ky zbulim i rëndësishëm është tregues i identitetit kulturor dhe fetar të Shkodrës.

Ajo shtoi se kanë qenë pikërisht banorët e zonës dhe familja Pepa të cilët dhe në kohë të hershme dhe të vështira të komunizmit kanë ruajtur reliket fetare dhe rrënjët e krishterimit, percjell vision plus.

Arkeologu Gëzim Hoxha tregoi mbi të veçantat e kësaj kishe dhe gurët me simbolika të përdorshme plot 15 shekuj më parë. / KultPlus.com

Prezantohet ekspozita shitëse “Rruza t’zemrës” me punimet e viktimave të trafikimit

Bujar Meholli

Është prezantuar ekspozita shitëse “Rruza t’zemrës” e organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë mund të shohësh gjithfarë aksesorë të punuar me përkushtim e dashuri të madhe nga viktimat e mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci.

Në një ambient të këndshëm tek Menza “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, u hap zyrtarisht ekspozita e cila shpalosi çanta, qafore, vathë e aksesorë të tjerë nga ku po fitonin interesimin e te pranishmëve.

Venera Ismaili nga ArtPolis, në një prononcim për medie u shpreh e lumtur për organizimin derisa inkurajoi njerëzit që të vijnë, ta shijojnë ekspozitën dhe t’u dalin në ndihmë këtyre grave.

Nën moton “Ejani dhe merrni pak dashuri me vete” kjo ekspozitë u mirëpritë shumë mirë nga të pranishmit

Gjatë kësaj ekspozite të pranishmit kishin mundësi të shoqërohen, derisa pinin e ushqeheshin.

Të gjitha fondet që grumbullohen nga shitja e këtyre aksesorëve dhe produkteve të punës së dorës do të shkojnë te krijueset e tyre, pra te gratë që i kanë punuar. Andaj, shkoni dhe shijojeni këtë ekspozitë interesante në ambientin e Menzës “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. /KultPlus.com