Morina: Kosova ka shumë potencial, vetëm një udhëtim nga Prishtina në Drenas ta nxjerrë një film interesant

Jeta Zymberi

Si 15 vjeçar ai u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, atje ku sot ka zënë një pozicion të lakmueshëm në skenën e kinematografisë. Regjisori dhe skenaristi Visar Morina, ka spikatur qysh me filmin e tij të parë “Babai”. Por, ky ishte vetëm hapi i parë i cili i siguroi një rrugë të gjatë e të suksesshme. Filmi “Exil” është dëshmia më e mirë kur duam të flasim për suksesin e tij. Fitues i shumë çmimeve, Morina, po e nderon vendin e tij me paraqitje në festivale prestigjioze si Sundance Film Festival dhe Berlinale. Filmat e tij frymojnë edhe shqip, në thelb ata kanë rrëfime shqiptare, por ka edhe diçka që Visari ka treguar për KultPlus. Në filmin e tij të fundit flitet edhe shqip, e tingulli i gjuhës shqipe do të ketë rast të dëgjohet edhe para publikut gjigant në dy prej festivaleve më me zë në botë. Për krejt këtë sukses të menjëhershëm, sfidat, bashkëpunimin me aktorë të njohur botërorë, për rolin e tij të dyfishtë në filma, skenarist – regjisor dhe pikëpamjet e tij për kinematografinë e Kosovës do të keni rast t’i lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

KultPlus: Një projekt filmik me një përrallë shqiptare në një ndër festivalet më prestigjioze të botës, sikurse që është Sundance Film Festival, çfarë ndjesie të ka dhënë përzgjedhja e filmit “Exil” në këtë festival kaq të madh?

Visar Morina: Në fakt gjatë punës, nuk e kam menduar që premierën do ta kem në Sundance. E shoh më shumë si film evropian, edhe mënyra se si është bërë filmi, por edhe nga tema që e trajton. Isha ende në editim kur e mora lajmin për Sundance dhe më është dashtë disa ditë të kuptoj. Por normalisht që gëzohem. Ka vite që jam duke punuar në këtë film dhe për filma si ky, pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme sepse në këtë garë internacionale ku do të shfaqet “Exil”, janë vetëm 12 filma.

KultPlus: Xhaferi është personazhi kryesor i filmit, i cili flet për ballafaqimin e tij në një vend të huaj, të zbulojmë më shumë, a flet Xhaferi shqip në këtë film, apo në gjuhë të huaj?

Visar Morina: Gjuha është kryesisht gjermane, por kam disa skena ku flitet shqip. Njëra nga skenat e mia më të preferuara është në gjuhën shqipe. Xhaferi takohet me një burrë shqiptar (Astrit Kabashi) dhe flasin për qaj të rusit dhe për kojshit në Kosovë që kanë pi shumë qaj dhe e llogarisin kohën që e kanë humbur duke pirë qaj. Në kontekstin në të cilin ndodh kjo skenë e krijon një absurditet dhe tension të mirë.

KultPlus: Ndërkohë, rolin e Xhaferit e luan aktori kroat Mišel Matičević, pse vendosët që rolin e një shqiptari ta luaj një aktor kroat?

Visar Morina: Me shumë qejf do ta kisha marr një aktor shqiptar. Përveç që ka qenë e domosdoshme që ai person me qenë aktor i mirë dhe me u përshtatë si tip në atë rol, ka qenë edhe gjuha gjermane e domosdoshme. Xhaferi e ka një pozitë të mirë në një firmë shumë të madhe. Është e rëndësishme që ai të flas shumë mirë gjermanisht, që të mohohet dyshimi që problemet që i ka personazhi në film vijnë si pasojë e gjuhës. Edhe një herë, me shumë qejf e kisha marr një aktor shqiptar, por në fund nuk kishte zgjidhje tjetër.

KultPlus: Përpos aktorëve shqiptarë, është edhe aktorja e njohur Sanrda Hüller, çka e tërhoqi Sanrda Hüller të jetë pjesë e filmit “Exil”?

Visar Morina: Sandra është yll i madh në Gjermani, dhe shumë e respektuar. Një gazetë e madhe në Gjermani e ka bërë një intervistë me të dhe titulli i intervistës ishte “Mbretëresha e Aktrimit”, mu duk shumë përshkrim i duhur. Por Sandra Hüller dhe Rainer Bock kanë qenë të vetmit që i kam dashtë prej fillimi dhe të dyve ju kam shkruar një letër ku kam sqaruar pse dhe për çka po i dua. Sandres i ka pëlqyer skenari shumë dhe besoj që kjo ka qenë arsyeja kryesore për të pse është në këtë projekt.

KultPlus: Pjesë e filmit janë edhe aktorët shqiptar si: Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj dhe Ameli Kabashi, nga ana profesionale, si qëndronin aktorët shqiptarë përballë atyre botërorë?

Visar Morina: Kur fillon puna, aktorët nuk ndahen në këto llogari, secili e ka rolin dhe rreshtat e vetë. Me Sandra-n në fillim ka qenë pak problem, sepse aktorët tjerë stresoheshin kur luanin me të, është aq e mirë dhe e saktë në punë sa që të komplekson në fillim. Por pas një kohe nuk ka dallim a po punon me një fëmijë, me një të njohur apo me një person që nuk e njeh askush. Besoj se kam pas shumë fat me aktorë. Loja e tyre do të jetë gjëja më e mirë në film.

KultPlus: Shenjat se ky projekt është mjaftë premtues i morët shumë herët, pasi që ky skenar u shpërblye me çmimin prestigjioz “Golden Lola”, ku u sfidove me skenaristët dhe shkrimtarët më të njohur në Gjermani, si dhe në Euroimages, e ndjeje një sukses të tillë?

Visar Morina: “Lola” për skenar më të mirë, ka qenë një befasi për mua. Për atë çmim nuk mund të aplikosh, duhesh të jesh i propozuar nga dikush. Pastaj është dashur ta dorëzoj skenarin vetëm me titull, pa asnjë informatë rreth autorit dhe produksionit. Qëllim ka qenë që juria ta lexojë vetëm skenarin, pa ditur se kush është autori. Pas leximit janë nominuar tri skenarë. Një nga skenarët konkurrent është vlerësuar dhe veçuar shumë nga juria, edhe kur ministrja e kulturës doli ta ndaj çmimin foli për atë skenar, dhe isha i bindur që ai skenar do të fitoi dhe mbeta i habitur kur e shpalli skenarin “EXIL” si fitues. Skenarin e kam shkruar shumë shpejt dhe për asnjë çmim deri më tani nuk jam gëzuar më shumë.

KultPlus: Kur ke shkruar skenarin “Exil”, e ke bazuar në ndonjë ngjarje të vërtetë, apo është imagjinare?

Visar Morina: Zakonisht për mua është shumë e rëndësishme të kem në projekt diçka që më tërheq personalisht. Nëse nuk ekziston kjo lidhje, projekti nuk ka kuptim për mua. Në këtë rast tregimi është fiktiv, por ka shumë gjëra që i njoh ose nga jeta ime ose nga jeta e njerëzve që i kam përreth. Por shpesh ka shumë detaje të vogla, një rresht, një imazh ose një situatë. Këto detaje zakonisht transformohen në diçka tjetër. Filmi e përshkruan jetën e një të huaji në Gjermani dhe normalisht në këtë rast kam ndodhi personale në të cilat jam bazuar. Por prapë jeta e Xhaferit nuk ka të bëjë me jetën time.

KultPlus: Por tashti, pranimi i filmit në “Sundance Film Festival” dhe në festivalin tjetër poashtu prestigjioz “Berlinale” po dëshmon se ky film është ndërtuar në nivel të lartë dhe po flet në gjuhën e botës, dhe qysh në fillim është një matje tjetër se filmi i fundit po e kalon filmin paraprak “Babai”, që padyshim është një sukses i madh për një regjisor të ri, çfarë janë pritjet për rrugëtimin e këtij filmi?

Visar Morina: Fillimi i projektit ka qenë i tillë. Buxheti për filmin e dytë ka qenë shumë më i madh. Zakonisht filmat e dytë në Gjermani bëhen me shumë më pak buxhet, ka edhe raste tjera por nuk janë të shpeshta. Pastaj casting është bukur i njohur këtu, firma prodhuese gjermane e filmit është bukur e madhe dhe shumë e suksesshme. D.m.th., kërkesat për këtë projekt kanë qenë shumë më të mëdha qysh nga fillimi. Nëse filmi do ta kishte premierën në një festival të vogël, do të kisha shumë telashe me projektet e radhës. E çka do të ndodh me filmin pas Sundance dhe Berlinale nuk e di. Normalisht që suksesi i këtij filmi vendos shumë edhe për kushtet që do t’i kem në projektin tjetër.

KultPlus: Edhe “Babai” edhe “Exil” kanë për bazë rrëfime shqiptare, edhe përkundër faktit se si i vogël jeni larguar nga Kosova, rrëfimet e popullit tënd po vazhdojnë të kenë prioritet, pse?

Visar Morina: Nuk kam qenë edhe aq i vogël kur kam ikë nga Kosova. Kam qenë 15 vjeçar. Ajo kohë ka qenë shumë e veçantë, jo vetëm për faktin që ishte fëmijëria ime por edhe për arsye politike. Në dhjetor 1994 kemi dal nga Kosova. Fëmijëria ime, si te çdo njeri, ka shumë ndikim, dhe siç thash edhe më herët për mua si krijues është shumë e rëndësishme që të kem një lidhje personale me atë çka e prezantoi në një film. Por nuk është e domosdoshme që të jetë 1 me 1. Shpesh është ndjenja më e rëndësishme se sa ngjarja. Por më duhet të ceki që “Exil” e trajton jetën e një të huaji në Gjermani, dhe që ai “i huaji” ndodh të jetë shqiptar. Fakti që është i huaj është më i rëndësishëm se sa fakti që është shqiptar. Besoj që struktura dhe statusi social i një ekzistence vendos më shumë për një individ se sa kombësia. Pra në këtë rast ka qenë edhe e mundur që roli kryesor të jetë edhe i një vendi tjetër. Por prapë se prapë jam shumë i lidhur me Kosovën. Përveç që më duket shumë inspiruese me shumë gjëra, është një copë e identitetit tim dhe me shumë qejf do të vija prapë në Kosovë për të bërë film.

KultPlus: Mendoni se kemi edhe shumë brum për skenarë të shumtë, duke u bazuar në historinë, mënyrën e jetës dhe veçantinë e popullit shqiptar?

Visar Morina: Besoj që çdo njeri dhe çdo popull – edhe pse nuk e di çka do me thanë me qenë një popull – e ka një veçanti. Në kohën kur unë kam jetuar në Kosovë, shqiptarët kanë përjetuar gjëra të tmerrshme, por prapë më ndodhë që tash flas me njerëz nga Kosova dhe e shoh që fëmijëria ime dallon nga fëmijëria e tyre. Një person që është rrit në Prishtinë në të njëjtën kohë si unë, e ka një përshkrim krejt tjetër, se sa unë që jam rrit në fshat.

KultPlus: Zakonisht, në shumë filma, për skenarist kanë një person tjetër e për regji një tjetër, e shumë shpesh fajin e suksesin e hedhin te njëri tjetri, ju keni përballë unin tuaj, si funksiononi në këto dy pozita?

Visar Morina: Gjatë periudhës sa shkruaj e adhuroj xhirimin dhe editimin. E gjatë editimit e adhuroj shkrimin. Shkrimi është fazë e mirë, sepse je plot shpresa. Xhirimi shpesh herë di të jetë shumë i rëndë, shumë i varur nga koha, ekipi, kushtet, moti… Besoj, do të isha regjisor më i mirë nëse skenari nuk është i imi. Nëse nuk e kanë bagazhin e shkrimit, besoj do të jem më i qartë në regji. Dhe me qejf do të bëja një skenar të huaj.

KultPlus: Do të bëje një kombinim me dikë tjetër, qoftë në rolin e skenaristit, apo të regjisorit?

Visar Morina: Nuk mund ta paramendoj që të shkruaj skenar për dikë tjetër. Edhe pse për momentin po shkruaj dhe jam si koskenarist i një regjisori gjerman. Por kjo ishte e qartë prej fillimit. Ai e kishte idenë dhe më ftoj ti bashkëngjitëm. Në këto rrethana, po. Por që të shkruaj një skenar krejt vetë dhe të ia dorëzoj dikujt tjetër, kjo vështirë që do të bëhej. Gjatë shkrimit e paramendoj filmin shumë dhe do të isha shumë i dëshpëruar nëse i shoh skenat ndryshe. Do të ishte si dhunë.

KultPlus: Ju keni studiuar për film në Akademinë e Arteve në Gjermani, dhe suksesi i juaj në botën e kinematografisë veç sa ka filluar, por si i shihni përpjekjet e regjisorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për të prekur majat e festivaleve prestigjioze?

Visar Morina: Por kjo ka ndodh me disa filma nga Kosova. Nuk është më e jashtëzakonshme që një film kosovar të marr pjesë në një festival të kategorisë A. Dhe në fakt filmat më interesant në botë qysh që disa vite nuk vijnë nga vendet e zhvilluar. Shumë filma të jashtëzakonshëm vijnë nga e ashtuquajtur bota, e tretë ose e dytë. Kështu që fakti që kam studiuar në Gjermani nuk thotë shumë. Kosova është shumë, shumë interesante. Vetëm një udhëtim me kombi prej Prishtinës në Drenas mund të del një film shumë interesant. Ose diskotekat kosovare, lezet i madh për film…

KultPlus: Do të veçoje ndonjë film të Kosovës apo Shqipërisë?

Visar Morina: Për skenën në Shqipëri nuk kam njohuri, ose shumë pak. Për Kosovë më shumë. Dhe prej nga 2010 jam rregullisht në kontakt me disa filmbërës nga Kosova dhe më duket një zhvillim i jashtëzakonshëm çka ka ndodh në këto vite. Më duket një zhvillim shumë i mirë. Ndërkohë është krijuar një lloj industrie e vogël. Jo vetëm sa i përket regjisorëve por edhe sa i përket stafit përreth dhe pa asnjë telashe do të xhiroja një film komplet me staf kosovar. Diçka që para disa viteve nuk kisha mundur ta paramendoj. Por prej filmave që i kam pa nga Kosova, mendoj që “Kthimi” nga Blerta është për mua filmi më i mirë. Dhe në përgjithësi e vlerësoj dhe adhuroj punën e Blertës shumë dhe shpresoj që ajo së shpejti të na sjell një projekt të ri. “Zana” akoma nuk e kam parë, por skenarin e kam lexuar dhe po pres me shumë gëzim që ta shohë atë film.

KultPlus: Jeni duke shijuar suksesin e filmit “Exil”, por shumë po besoj se keni në kokë ndonjë projekt të ri, nëse po, mund të na tregosh më shumë?

Visar Morina: Jam në shkrim të dy projekteve por akoma është shumë herët të konkretizohet diçka.

KultPlus: Dhe për fund, filmat shumë herë bazohen edhe në letërsi, keni të piketuar ndonjë shkrimtar shqiptar që do të donit që romanin e tij/saj të shndërronit në film?

Visar Morina: Letërsia që më pëlqen nuk mund ta paramendoj si film. Më duket më shumë si dhunë ndaj veprës. Çka mund ta marr me mend është që ta marr një pjesë ose një situatë nga një roman dhe të krijoj diçka të re, por jo si adoptim. Por momentalisht nuk jam duke bërë asgjë në atë drejtim, as nuk e kam ndërmend. / KultPlus.com

Pajtim Osmanaj: Në Kosovë kisha karrierë si çoban, në Amerikë u bëra pjesë e rezidencës së Facebook

Arbër Selmani

Ai që ruan, që kullot dhe që mbarështon bagëtinë. Çoban. Këtë fjalë dhe shpjegimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe e përqafoi për shumë vite Pajtim Osmanaj nga Istogu. Djali i ri e simpatik do të bënte një jetë modeste, deri në vitin 2013-të kur do të nisej drejt Amerikës. Atje do të përballej me shuplakat që jep arti, konkurencën, të pistat por edhe në fund, sukseset e pashmangshme për atë që punon dhe, siç themi ne shqiptarët, ‘e nxehë karrigen’.

Modestia dhe gegnishtja e një shqiptari nuk i është zhdukur edhe pse tash jeton në një frekuencë më ndryshe. 98 përqind e ditës së tij në New York është e mbushur me art dhe një përqindësh i mbetur i mbetet për çkado tjetër, si çdo artisti që ndoshta nuk ka dëgjuar tash e shumë kohë për fjalën pushim e relaksim.

Lidhja e tij me Kosovën qëndron e fortë. Artisti nga Kosova, i cili në Amerikë po e merr definitivisht vendin që e meriton, së fundmi bashkëpunoi edhe me Facebook – me programin artistik rezidencial të rrjetit të madh social.

E bukura e Osmanajt është vetë zemra e tij, pashmangshmërisht e lidhur me Kosovën, duke rezonuar edhe në punët e tij që gati gjithmonë, një fije të perit diku e kanë me Kosovën tonë, luftën, emocionet, jetën në një kohë tjetër, të vështirë.

Po e sjellim sot një intervistë me Pajtimin, duke iu njoftuar me të por edhe duke ua sjellë punët e tij më të mira artistike.

KultPlus: Po e nisim me suksesin e fundit, pjesëmarrjen në rezidencën e Facebook. A na tregon më shumë, prej fillimit e deri në fund si arrite të bëhesh pjesë?

Në muajin mars të vitit 2018-të isha pjesëmarrës në Spring Break Show, ku morra pjesë me veprën e titulluar ‘Ekskurzion’. ‘Ekskurzion’ është një vepër e formës instalacion interaktiv ku si temë kam shtjellu udhëtimin tim dhe të familjes time nga Kosova në Mal të Zi, gjatë luftës, në vitin 1999. Kuratore e ekspozitës ka qenë Sarah Han, një kuratore e re nga New York. Me këtë ekspozitë morra kritika të ndryshme, fatmirësisht kritika pozitive. Spring Break Show ishte për mua ekspozimi i parë në një nivel më të lartë në fushën artistike në New York, ku edhe krijova lidhje të reja artistike dhe morra oferta të ndryshme për ekspozita në të ardhmen. Pra nisën të hapeshin rrugët.

E këtu edhe lindi bashkëpunimi me Facebook, ku kuratorja për programin e artit nga Zyra e Facebook – Tamara Weg, më ftoi të bëhesha pjesë e projektit të ardhshëm që do të mbahej në Zyret e Facebook në New York. Aty pata mundësinë të krijoj tri murale/piktura të formatit të madh, dy prej tyre 13×5 ndërsa tjetra ishte 8 metra me 3 metra. Tematika e tri veprave lidhet kryesisht rreth nostalgjisë për kohën e kaluar, për kujtimet dhe se si ato dhe e tashmja i japin drejtim të ardhmes.

Realizimi i tri pikturave ka zgjatur shtatë javë punë, pesë javë në studio dhe dy javë të tjera instalim në Zyrën e Facebook.  

KultPlus: Shumë shpesh Kosova është fokus i punëve tua artistike? Sa e fortë është lidhja jote me Kosovën, pasi ajo gjen vend në punët tua artistike?

Lidhja ime me vendin ku jam rritë është shumë e gjallë. Familja dhe pjesa më e madhe e njerëzve që i njoh jetojnë në Kosovë, gjithçka që unë e kam përjetu deri në moshën 23 vjeçare është pjesë e jetës dhe përditshmërisë sime sot.

KultPlus: Në vitin 2013-të shkove në Amerikë, fillimisht si punues në ndërtimtari? Si u gjete, si u zbulove ti ?

Fillimi i jetës në Amerikë ka qenë shumë interesant, nuk kam pasur shumë njohuri për New York, për Amerikën në përgjithësi, ishte ndryshim i madh e sidomos nëse vjen prej batallinave të Istogut në Times Square të New York.

Në fillim është dashur me gjetë punë, për me fillu një jetesë normale. Me u rritë në Kosovë asht kan zor dhe shyhret, një eksperiencë jetësore njëkohësisht, jemi rritë në rrethana të ndryshme që besoj mu më kanë ba më të përgatitun për jetë. Njëra prej këtyre përvojave është kur axha apo komshija të kanë thirrë ‘me qit plloq e me maru cement’.

KultPlus: Meqë jemi te plloqa e cementi, e ke përdorur artin duke e lidhur me punën në ndërtimtari… Na trego më shumë për Construction Stories – Tregimet e Ndërtimit?

Cementin e dijnë plot gjenerata në Kosovë. Në fillim pra fillova me punu në ndërtimtari, në Amerikë, gjatë asaj kohe fillova me mësu më shumë për New York.

Në ndërtimtari gjatë kohës së lirë pikturoja në muret e ndërtesës, kryesisht ishte për me eksperimentu në art dhe materiale të ndryshme që gjendeshin aty. Pas një kohe, pata edhe intervistën në New York Times për punët e mia që i kisha realizu në fushën e ndërtimtarisë, dhe ky ka qenë momenti pas së cilit jam mundu me u aktivizu më shumë në fushën e artit në New York. Njëkohësisht ende punoja në ndërtimtari. Eksperienca në ndërtimtari ka qenë jo e lehtë, por e mrekullueshme, pata mundësi me eksperimentu me materialw të ndryshme.

Teknikat që i kam hulumtu asokohe në art i përdori edhe sot në veprat e mia.

KultPlus: A ke pasur karrierë artistike në Kosovë para se të largohesh për në Amerikë? A do të kishe të njëjtin nivel artistik po të rrije në Kosovë?

Në Kosovë kam pasur karrierë të gjatë si çoban. Dëshira dhe andrra ishte e madhe por jo, në Kosovë nuk kam pasur karrierë artistike.

Pajtim Osmanaj, “Static Beauty.”

KultPlus: Si është një ditë e zakonshme e Pajtimit në Nju Jork? A është Nju Jorku vendi i duhur për një artist, për të krijuar kontakte dhe rrjet?

Gati çdo ditë asht ndryshe ndryshe, filloj ditën me një filxhan kafe në banesë ose studio, pjesën më të madhe e kaloj në studio duke punu, pjesën tjetër në vende të ndryshme kryesisht nëpër New York: nëpër galeri, evente të ndryshme artistike të cilat janë shumë të rëndësishme për krijimin e rrethit shoqëror artistik.

KultPlus: Me cilat mediume po punon më shumë së fundmi? Punët tua interesante janë skulptura, instalacione e medium tjera. Sa e gjerë është fushëveprimtaria jote dhe cilat janë planet e Pajtimit, a do të të kemi me ekspozitë edhe në Kosovë?

Gjate viteve të fundit kam eksperimentu për me e bo të mundshme që teknikën time që e përdori të kem mundësi me apliku më pas në forma të ndryshme artistike: në pikturë, në kollazh, në instalacion, në skulpturë e forma e mediume tjera.

Pas projektit me Facebook e kam pasur një ekspozitë personale në një galeri në East Village New York, ku kuratore ishte Gabrielle Sirkin.

Për momentin jam duke kalu kohën më të madhe në studio në punët e reja artistike. Kam disa oferta të ndryshme nga disa galeri në Europë, por jemi në diskutim e sipër. Në Kosovë sigurisht që do të jetë kënaqësi kur të vije rasti që të ekspozoj, për momentin nuk ekziston si plan por së shpejti besoj diçka do të ketë të re në këtë drejtim.

KultPlus: Cili është mesazhi yt për artistët e rinj në Kosovë, që synojnë të dalin në pah në vend apo edhe jashtë vendit?

Mesazh i thjeshtë: Mos me e ndalë punën artistike pa marrë parasysh rrethanat. Eksperiencat jashtë vendit janë gjithmonë të rëndësishme dhe të nevojshme. E di që në Kosovë jo secili artist ka mundësinë me dalë jashtë vendit për përvoja më të mëdha por mbes me shpresë që artistët tjerë, ne që patëm fatin me jetu në metropole artistike, me programe të ndryshme në të ardhmen me u mundu me e sjellë kulturën dhe eksperiencat artistike në Kosovë. / KultPlus.com

Rozafa Çelaj, aktorja që mori fokusin e kritikëve botërorë, shumë shpejt në rolin e regjisores

Jeta Zymberi

Role, sfida, çmime, kritika e krahasime të nivelit botëror, ishin vetëm disa nga arritjet e aktores Rozafa Çelaj për një kohë relativisht të shkurtër në karrierën e saj. Kinematografisë shqiptare ajo iu bashkua në mënyrë më sfiduese këto vitet e fundit. “Konflikti” i saj me botën e aktrimit zuri fill qysh në fëmijëri. Të rriturit në një familje artistësh, ka bërë që Rozafa Çelaj të jetë gjithmonë pranë teatrit dhe filmit. Ajo ishte aktive me disa paraqitje teatrale dhe filmike qysh në fëmijëri, por roli i parë serioz ishte ai në filmin e shkurtër “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, këtu ku edhe spikati talenti i Rozafës. Entuziazmin për pranimin e rolit të parë, sfidat, sukseset dhe ballafaqimin e saj me nënën në skenë, Rozafa i përmbledh në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e nis duke shpalosur hapat e parë në karrierë.  

“Isha shumë e entuziazmuar për të filluar punimin e atij filmi dhe sot e asaj dite mbetet një përvojë shumë e veçantë. Pas përfundimit të filmit “Gardhi”, regjisorja Zeqiraj ishte e vendosur që në projektin e saj të radhës do të donte që të isha pjesë e kastës së aktorëve dhe normalisht që rruga do të vazhdonte pasi ishte diçka që herët ose vonë e dija se nuk do t’i ikja”.

Profesioni i prindërve ndikon pa vetëdijshëm tek fëmijët dhe është ndër profesionet e para që ata ëndërrojnë. Duke pasur të dy prindërit aktorë, Ilire Vincën dhe Lirak Çelajn edhe ndikimi të Rozafa ishte gati i pashmangshëm.

“Përkushtimi dhe dashuria e prindërve të mi ndaj profesionit të tyre mendoj që ka ndikuar që edhe unë ta çmoj. Duke i ditur vështirësitë shpesh herë kanë provuar edhe të më largojnë nga fusha e artit të cilën tash e kuptoj në një mënyrë por asnjëherë nuk ma kanë imponuar asnjë profesion”.

Sapo iu bashkua me seriozitet kinematografisë shqiptare, Rozafa Çelaj u bë pjesë e tre prej filmave më të suksesshëm kosovarë për këto dy vitet e fundit, “Gardhi”, “Shpia e Agës” dhe “Në Kërkim të Venerës”, ky sukses i menjëhershëm ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për të.

“Është fat të jesh pjesë e projekteve të tilla, të shohësh gjithë atë punë dhe të vlerësohesh brenda dhe jashtë vendit, pa dyshim një ndjenjë e mirë. Por kjo gjithashtu nënkupton rritjen e përgjegjësisë dhe punës e cila asnjëherë nuk është e lehtë”.

 “Shpia e Agës” film ku Rozafa portretizoni një ndër rolet kryesore, hapi konkurrencën e ‘East of the West’ në festivalin ndërkombëtar Karlovy Vary të Çekisë, ky ishte edhe prezantimi i parë për të në një festival kaq prestigjioz, se sa ishte i fortë emocioni dhe barra e saj si aktore e këtij filmi, ajo shprehet kështu:  “Emocioni më i fuqishëm është reagimi i publikut, sidomos kur personazhi dhe filmi është një ngjarje autentike dhe merr përmasa jashtë atyre kufijve”.

Figura e saj nuk ka mbet pa rënë në sy edhe nga kritikët e filmit ndërkombëtar. Prof. Dr. Maja Bogojević, teoriciene dhe kritike e filmit, figurën e Rozafës e ka krahasuar me atë të yllit botëror, Juliette Binoche.

“Është e rëndësishme që puna jonë, e artistëve tanë të ketë audiencë ndërkombëtare dhe kur kjo vlerësohet nga kritikë të filmit tregon nivelin e lartë të artistëve tanë.”

Duke trajtuar jetën e pesë grave, secila viktima të fatit të tyre, pjesë e të cilave ishte edhe Ermira, rolin e së cilës e luan Rozafa te filmi “Shpija e Agës”, ajo doli fituese e çmimit të aktores më të mirë në festivalin ndërkombëtar Cine Balkan Panorama, ky njëherit është çmimi i parë për të si aktore, por Rozafa pohon se asnjëherë nuk e mendon punën e çmimeve kur merr role. Për të e rëndësishme është t’i përkushtohet maksimalisht punës, ndërsa kur vlerësohet me çmim kjo është vetëm një shtytje.

Bashkë me koleget e saj aktore te filmi “Shpia e Agës”, ato fituan çmimin e përbashkët për aktoren më të mirë në festivalin prestigjioz të Cotbusit, Gjermani,  një tjetër sukses, ndonëse i përbashkët, por ky çmim ishte lehtë i kuptueshëm. Shpërblimi si ekip në këtë rast, erdhi për faktin se raporti i pesë grave në film ishte me të vërtetë organik, duke mos lënë hapësirë të ndahen.

“Ashtu siç kemi qenë prapa kamerave mendoj që njëlloj pasqyrohet edhe shihet puna e përbashkët dhe mbështetja e secilës për njëra tjetrën edhe në film”, arsyeton kështu Rozafa çmimin e përbashkët.

Ka ndarë skena me shumë aktore, por ajo ka luajtur edhe përkrah nënës, Ilire Vincës. Ky bashkëpunim e ka sjellë Rozafën në një rezultat.

“Deri sa nuk fillova vetë të merresha me aktrim nuk ma kishte marr mendja që është aq vështirë sa e kam kuptuar tani. Duke e parë kaq shumë vite nënën time Iliren duke performuar, dukej shumë më e lehtë nga këndi i publikut, e ta bësh të duket ashtu mendoj që është një ndër mjeshtëritë kryesore. Këtë e pashë edhe kur pata rastin ta kem partnere dhe si e tillë me profesionalizmin e saj më ndihmoi të ndaj raportin personal me atë të një partnereje në skenë”.

Për të fituar kaq shpejt dashurinë e regjisorëve dhe publikut, nuk është e lehtë. Por modestia nuk e lë Rozafën të vlerësojë vetën. Ajo pohon që punën e merr me shumë dashuri dhe përkushtim.

Secili rol e përballë aktorin e sfida të reja. Për Rozafën këto sfida nuk krahasohen me njëra tjetrën,  secili rol është proces nga fillimi. “Përvoja ndihmon, por në gjëra praktike apo teknike”, thotë ajo.

Në të ardhmen, Rozafa pritet të vijë edhe në rolin e regjisores. Angazhimet e vazhdueshme si aktore, nuk i kanë dhënë mundësi të fokusohet ende në regji, po kjo nuk do të marrë edhe shumë kohë. Ajo pohon për KultPlus se nuk do ta lërë edhe shumë gjatë pas dore regjinë.

Ka pasur zëra që Rozafa do të tërhiqet nga aktrimi, por sipas saj ajo ende nuk i ka hyrë mirë kësaj punë, e për tërheqje nuk bëhet fjalë.

“Ende nuk jam në pikën që kam hyrë në këtë profesion që të tërhiqem nga ai. Jam duke e shijuar punën momentale dhe nuk e mendoj si diçka që duhet të vendosi në atë mënyrë. Jam ende në fazën e zbulimit. Meqë jam edhe regjisore e filmit e vetmja “tërheqje” do të ishte zhvendosja ime prapa kamerës.”

Për të demantuar këtë, më mirë se gjithçka do të flas puna e saj në vazhdim. Ajo tashmë është angazhuar në disa projekte të cilat do t’i zbuloj gjatë vitit 2020. Deri atëherë do të mund të shijoni rolet e saj në filmat e realizuar deri më tani. / KultPlus.com

Gjashtëmbëdhjetë vjeçe ‘theu’ kufirin jugosllavo-shqiptar, për nëntë vjet korrespondoi njëmijë letra me familjen

Ferdeze Mujaj Sadiku është një farmaciste shumë e suksesshme në Kosovë. Në vitet e 70-ta ishte arratisur për Shqipëri, atëherë kur kishte vetëm 16 vjet. Tre muaj, familja e saj nga Hogoshti i Kamenicës nuk kishte ditur se nëse vajza e tyre ishte e gjallë apo e vdekur. E për këta tre muaj, Ferdezja, bashkë me tre bashkudhëtarë ishte arrestuar nga ushtria shqiptare. Arratisja, kalimi i kufirit mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, qëndrimi në burg për tre muaj, lejeqëndrimi në Shqipëri, komunikimi i saj me familjen përmes 1 mijë letrave, takimi me nënën pas katër viteve dhe shumëçka tjetër, janë shpalosë ekskluzivisht në intervistën e dhënë për KultPlus, ku Ferdeze Mujaj Sadiku e ka ndarë edhe nëpërmjet lotëve.

Ardianë Pajaziti

“Baba ka me të qu në shkollë në Elbasan”, ishte premtimi i babait të Ferdezes, në njërën nga mbrëmjet në shtëpinë e familjes Mujaj në Hogosht të Kamenicës, ku Ferdezja ishte në atë kohë vetëm gjashtë vjeçe, dhe ishte me temperaturë.

Ajo mbrëmje sikur hapi një dritare të re për Ferdezen, dhe qysh prej asaj kohe, ajo filloi të ëndërronte për Elbasanin, Shqipërinë dhe shqiptarët. Babai i Ferdezes, njëri nga mësuesit e parë të asaj rrethine nuk e kishte pas idenë se një bisedë çasti, mund të zgjonte dashurinë e vajzës së tij të madhe për Shqipërinë.

Emocioni  i Ferdezes, përderisa rrëfente dalëngadalë për krejt përjetimet e saj që kapërcejnë edhe një film, vërehej në sy, në tingullin e fjalëve e në lëvizjet e duarve. Përderisa fliste për Hogoshtin, për moshën e saj të vogël kur edhe kishte dëgjuar për Elbasanin, për rrugëtimin e mëtejmë të Ferdezës që lëvizi në atë kohë edhe kufijtë, shoqëroheshin edhe me lot, që nuk ndaleshin vetëm në bebëzat e syve, por rridhnin pavetëdijshëm në faqet e saj.

65 vjeçja, që është një farmaciste shumë e suksesshme, tregon rrëfimin e saj në intervistën e dhënë për KultPlus, që mund të jetë një ndër përjetimet e rralla që mund të hasë një njeri, sidomos kur bëhet fjalë për moshën e saj të vogël që kishte atëherë.

 “Babai im kishte një dashuri të madhe për Shqipërinë, sikurse të gjithë shqiptarët e Kosovës. Përgjatë një mbrëmje, kur unë isha me grip, babai im ma përmendi Elbasanin”, rrëfente Ferdezja përgjatë takimit, takim që po shpaloste një jetë të tërë të një zemër gruaje, e që zanafillën e kishte qysh në vegjëli.

Dhe si fëmija më i madh i familjes, ajo jo vetëm që po rriste shtatin, por brenda saj po rriste  dashurinë për Shqipërinë, një mollë super e ndaluar për kosovarët. “Dëgjoja tinëzisht radio Tiranën, lexoja letërsi shqiptare, dhe unë çdo ditë ëndërroja atë vend që po më tundte pafundësisht”, tregonte Ferdezja, me një gjuhë të pastër shqipe, që për nga theksi, tashti tingëllon si një zonjë nga Shqipëria, dhe jo nga Kosova.  

Ajo tregon se si duke dëgjuar Radio Tiranën, dashurohej në aksionet rinore që zhvilloheshin në atë kohë në Shqipëri, dhe përmend se i ishte ngulitur në kokë emri i një vajze, që në atë kohë kishte moshën e Ferdezes. Ajo kishte humbur jetën gjatë një aksioni, dhe shteti shqiptar atë kohë e kishte shpallur heroinë. Emri i Shkurte Palvatës ishte bërë si një dritë për Ferdezen, që ta adhuronte edhe më shumë këtë shtet, që vetëm e imagjinonte, por që nuk e kishte idenë më të vogël se si mund të ishte.

Prindërit e dërguan për shkollim në Prishtinë, me çantë të shkollës u arratis në vitet e 70-ta për Shqipëri

Ferdeze Mujaj kishte vijuar shkollimin në Hogosht e Kamenicë, për të vazhduar më pas shkollën e mesme në Prishtinë, në medicinë, ku edhe përfundoi vitin e parë.

Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, dhe pikërisht në një kohë kur dukej se gjërat kishin marë rrjedhën e tyre, ajo kishte dëgjuar një informatë që e kishte goditur. Tre djem nga fshati i saj kishin vendosur të arratiseshin për Shqipëri, dhe kjo iniciativë e tyre kishte mjaftuar që të niste një rrugëtim të panjohur, por të ngulitur në shpirtin e saj qysh nga vegjëlia.

“Dëgjova se tre bashkëfshatarë të mi donin të arratiseshin për Shqipëri dhe pa menduar dy herë vendosa tu bashkëngjitem”, kujtonte ajo për këtë vendim, që më pas bëri të kalojë shumë peripeci, por asnjëherë t’ia thyente dashurinë për tokën e premtuar.

Me një çantë shkolle, me rrobat e trupit, një fund pak mbi gjunjë dhe me këpucë me taka të ulta, me pak para sa i kishte ndarë familja për qëndrimin e saj në Prishtinë,  Ferdezja ishte nisur për Shqipëri, bashkë me Rexhep Malën, Isa Kastratin e Sami Dërmakun, dhe një rrugëtim të tillë kishte marë vetëm nga dashuria që kishte për Shqipërinë.  

Pse kishte marë këtë vendim që të arratisej dhe që mos ti tregonte asgjë familjes, Ferdezja edhe sot është e bindur se nëse do ti tregonte, ata në asnjë mënyrë nuk do ta lejonin që ta merrte këtë hap. “Babai im më kishte premtuar që të më shkollonte në Shqipëri, por ai kishte menduar se deri sa të rritesha, do të ndryshonin edhe marrëdhëniet mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë. Por gjërat ishin keq të bllokuara, dhe mënyra e vetme ishte arratisja, pa ia bërë me dije prindërve”, ka thënë Ferdezja.

 “Në vitin 1970 kemi kaluar kufirin nga Gjakova, atje na informuan për një zonë ku nuk kontrollohej nga ushtarët e ish Jugosllavisë, dhe po në atë pikë kaluam pa na vërejtur, por rruga ishte shumë e vështirë për t’u kaluar, me shkëmbinj e me terren të papërshtatshëm, sa që disa herë jam rrëzuar përgjatë kalimit të kufirit. Duke pas parasysh se isha e veshur me fund e me këpucë me taka, gjendja ime u përkeqësua edhe me lëndime, shenja që i kam edhe sot në këmbë”, rrëfen Ferdezja për rrugëtimin e saj në një mbrëmje shtatori të vitit 1970, udhëtim që kishte zgjatë për shumë orë nëpër pyje ku nuk shihej qielli, dhe që ujë kishin pirë edhe nga prrockat.

Tre muaj burg në burgun e Laçit, familja e saj nuk kishte lënë vend pa e kërkuar

Dhe përderisa kaluan kufirin, brenda territorit të Shqipërisë u takuan me ushtarët shqiptarë, ku burgosën që të katër udhëtarët kosovarë, për ti vendosë fillimisht në Bajram Curr, aty i mbajtën tetë ditë si të burgosur,  e më pas në burgun e Laçit, ku Ferdezja, bashkë me tre bashkëfshatarët e saj u mbajt për tre muaj.

“Ata dëshironin të dinin se pse kemi hyrë në Shqipëri dhe cili ishte qëllimi i arratisjes tonë, kemi pas pyetje çdo ditë nga hetuesit, por tretmani ka qenë i mirë, nuk na ka munguar as ushqimi dhe as kujdesi. Unë isha e ndarë nga djemtë, dhe nuk dija për ta, sikurse që as ata nuk dinin për mua, përgjatë këtyre tre muajve vetëm njëherë na kanë lënë që të takohemi, dhe pas atij takimi më nuk i kam parë. Pas tre muajve hetuesi, më erdhi lajmi se organet e shtetit kishin marë vendim që mua të më lejonin të qëndroja në Shqipëri, por djemtë i kthyen, nuk kemi arritë as të përshëndetemi. I pyeta se çfarë ka ndodhë me tre djemtë, më thanë se nuk mund të japim shpjegime, përpos asaj se mua më ishte dhënë leja e qëndrimit” shpjegon Ferdezja.

 “Shteti ka vendosur që të qëndrosh në Shqipëri” ky ishte vendimi që ia kishin kumtuar dy shtetas të Shqipërisë, vendim që solli qëndrimin e Ferdezes në shtetin të cilin e kishte ëndërruar aq shumë.

“Kërkova që të më dërgonin në Elbasan, se u thash që aty do të shkollohem, po kur kuptuan se unë kam përfunduar një vit të shkollës së mesme të medicinës, dhe në kohën e arratisjes isha në fillim të vitit të dytë, ata më rekomanduan që të më dërgojnë në Vlorë, ku edhe zgjodha farmacinë, sepse profesionin e farmacistes e adhuronte nëna ime. Nuk arrita ta plotësoja dëshirën e babait, të paktën po vija në vend dëshirën e nënës”, shpaloste kujtimet Ferdezja, e cila tregon se si në atë kohë, ishte njoftuar edhe shkolla se kishte ardhur një vajzë nga Kosova, dhe kërshëria e njerëzve që ta takonin ishte shumë e madhe.

Dhe regjistrimi në shkollën e mesme të farmacisë, vendosja në konvikt sillte edhe një hap tjetër. Kishte ardhë momenti që të njoftonte familjen e saj që ishte gjallë. Kishin kaluar tre muaj që ajo nuk kishte asnjë komunikim me familjen, dhe përmes një telegrami, ajo po dërgonte përshëndetje nga Shqipëria.

“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht

“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht, e cila më vonë kishte mësuar se familja e saj për këta tre muaj e kishte kërkuar në të gjitha anët, dhe kishin pas shumë frikë se nëse i kishte ndodhë më e keqja.

“Edhe familja ime më pas më ktheu telegramin e tyre dhe kuptova se ishin lehtësuar për faktin se kishin kuptuar se jam shëndoshë e mirë, duke më këshilluar që të kem kujdes”, tregonte Ferdezja, e cila shpaloste etapat e jetës së saj, që kishin shumë përjetime, e në anën tjetër, për kohën kur fliste, ajo kishte një moshë jashtëzakonisht të vogël.

Por, nëse kishte shijuar atë Shqipërinë e Radio Tiranës dhe të romaneve që kishte lexuar para se të shkelte këtë tokë, Ferdezja këmbëngulë, se në kohën kur kishte shkuar në Vlorë, në vitet e 70-ta, Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëria e viteve të 80-ta, e as e viteve të 90-ta, Shqipëri që e panë shumë kosovarë, por ishte një Shqipëri shumë stabile dhe e sigurt.

“Jetoja në konvikt, më pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme, si mësuesit, si nxënëset, isha e vetmja kosovare që kam qenë edhe në shkollë të mesme, por më pas edhe në Universitet. Pastaj, shteti i Shqipërisë më shpërbleu për faktin se si një vajzë e re theu kufirin jugosllavo- shqiptar, dhe më dhuroi 20 mijë lekë të asaj kohe, të cilat kishin vlerën e tri rrogave të një doktori. Edhe në fakultet, përpos bursës, më ndanë 10 mijë lekë, kështu që nuk e kisha problem ekzistencën, më shkolloi shteti shqiptar dhe isha në një rreth shumë të sigurt”, vazhdonte këtë rrëfim Ferdezja, që me vite është jashtëzakonisht i largët, por emocionet e kësaj gruaje, tregonin që këto përjetime janë ende shumë të gjalla brenda saj.

Dhe përderisa vazhdonte jeta e Ferdezes në Shqipëri, ajo më vonë kishte mësuar se në fshatin e saj të lindjes, admirimi për të, rritej dita ditës. Tri vajza të fshatit ishin pagëzuar me emrin Ferdeze, me të cilat komunikon edhe sot nëpërmjet facebook.

Shkollohej, shërbente në akisone të ndryshme dhe dita ditës shndërrohej në një qytetare të Shqipërisë, e cila, duke mos komunikuar me asnjë kosovar, theksi i saj kosovar, dalëngadalë po i linte vend atij të Shqipërisë.

Ajo më pas kishte marrë të drejtën e studimeve, po në drejtimin e farmacisë, ku edhe ishte vendosur në konviktin me numër 18, konvikt ku qëndronin studentë të huaj, pasi në ato vite kur studionte Ferdezja, ajo tregon se kishte shumë shtetas të huaj.

Pas katër viteve takova për herë të parë nënën time, ishte plakur shumë

Dhe në vitin 1974, vjen një emocion i madh, ku Ferdezja katër vite pas arratisjes e përjeton. Nëna e saj, bashkë me vëllain që kishte lindur pas arratisjes së saj për në Shqipëri, kishin marë të drejtën e vizitës në Tiranë.

Ajo, përderisa kujton takimin e saj më nënën dhe vëllain, që pikërisht Ferdezja e kishte pagëzuar me emrin Alban, nuk mbanë lotët dhe kthen kohën dhe emocionin e vitit 1974.

“Takimi i parë me nënën më ka sjell shumë dhimbje, shumë emocion, nuk e harroj as sot. Edhe pse ishte shumë e re, atë kohë vetëm 41 vjeçe, mua më dukej se nëna ime ishte plakur shumë, ishte mbushur me rrudha, thjeshtë iu kishin thelluar rrudhat. Qëndruan një muaj në Tiranë, por asnjëherë nuk i treguam ndjenjat e vërteta, prej frikës që mos po e lëndojmë njëra tjetrën”, vazhdon Ferdezja, e cila shton se vragë të thellë i ka lënë edhe pritja dhe përcjellja e saj në kufi, që pasojat e asaj kohe e rrëqethin edhe sot, sa herë që kalon kufirin me Shqipërinë.

“Kur dola ta prisja nënën dhe vëllain në kufi, kishin ardhur edhe anëtarët e tjerë të familjes, babai, motrat dhe vëllezërit, vetëm që të më shihnin nga distanca. Rregullat e asaj kohe ishin që ti mund vetëm të shikoje, po në asnjë mënyrë që të lëshoje ndonjë zë, apo të bëje me dorë. Thjeshtë shikonim njëri tjetrin ashtu të shtangur, në një distancë diku prej 150 metrave. Thjeshtë isha e mpirë, shihja figura nga larg, e në të njëjtën kohë ishte familja ime”, tregon Ferdezja.

Vizita tjetër e radhës ishte ajo e babait, i cili kishte vizituar vajzën e tij në vitin 1978, dhe kishte qëndruar për 15 ditë. Gjithë atë dashuri që kishte pas për Shqipërinë, përgjatë atyre 15 ditëve, ai as që e kishte ndjerë. Ferdezja tregon se nga frika se çfarë do të ndodhte me të bijën, nëse do të mund të kthehej në Kosovë, e kishin mpirë babain e saj, i cili, më pas i kishte treguar asaj, se asgjë nuk i ishte regjistruar në memorie se si ishte dukur Tirana.

Kërkesën për riatdhesim e bëra në vitin 1978, shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës

Dhe ndryshimi i kushtetutës në vitin 1974, që ndryshonte situatën edhe në Kosovë, kishte bërë të mundur që Ferdezja të ëndërronte kthimin e saj në vendlindje, Kërkesën për riatdhesim e kishte bërë në vitin 1978, dhe leja për kthimin e saj në Kosovë i ishte aprovuar në vitin 1979.

Nëntë vite distancë kishin bërë që nga një vajzë 16 vjeçe, një vajze të arratisur nga Kosova për në Shqipëri, ta kthente për vendlindjen e saj si 25 vjeçe, por tashti jo si një çapkëne, por një farmaciste e diplomuar.

“U ktheva më 10 qershor të vitit 1979, sa isha në Shqipëri, kisha menduar se kurrë nuk do të mundja ta shihja edhe njëherë Kosovën, dhe shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës, dhe me të vërtetë ndodhi kthimi. Mbaj mend që kanë dalë mijëra njerëz të më prisnin në fshatin tim dhe fshatrat përreth, të cilët më preknin duart, më përqafonin dhe më puthnin, më shihnin si një heroinë që kisha thyer kufirin e Jugosllavisë me atë të Shqipërisë.

Por jo gjithçka shkoi lehtë, për tre javë rresht asaj i është dashur të lajmërohej për çdo ditë në Sekretariatin e Brendshëm të asaj kohe në Gjilan, dhe pyetjet dhe dhuna psikike që ia kishin bërë, e kishin dërguar edhe deri në vjellje. Ajo kujton që nuk kishte përjetuar dhunë fizike, por psikike po, dhe ata që merrnin në pyetje ishin shqiptarë, por për emrat e tyre nuk dëshiron të flasë.

Ferdezja, për 11 vite punon si farmaciste në Obiliq, vend në të cilin në atë kohë nuk kishte shkuar asnjë farmacist, dhe pikërisht në këtë vend lind edhe dashuria me bashkëshortin e saj, të cilët gëzojnë jetën e tyre me fëmijët dhe nipat e mbesat.

“Bashkëshortin tim e kam pas në klasë, në shkollë të mesme në Prishtinë. Isha e vetmja vajzë, dhe 40 djem. Kur u ktheva, pothuajse të gjithë shokët e shoqet e klasës erdhën e më vizituan, duke përfshirë edhe bashkëshortin tim. Po vizitat e tij u shpeshtuan aq shumë, sa që na dërgoi deri në martesë, ku sot jam nënë e gjyshe shumë e lumtur”, tregon Ferdezja, e cila shpjegon se sa herë që i bie malli për Shqipërinë, bashkëshorti i saj është i gatshëm që ta shoqërojë.

E martuar në një familje të madhe, me tetë vëllezër, ajo thotë se ishte e admiruar nga familja e burrit të saj, dhe se kurrë nuk e kanë trajtuar si grua, por gjithmonë ka bërë ndeja në odën e familjes Sadiku, të cilët dëgjonin rrëfimet për Shqipërinë, nga përvoja e Ferdezes. Me të njëjtën dashuri ka rritur edhe dy fëmijët e saj: Brikenën e Ermalin, ku vajza ka emrin e vajzës së Eqrem Çabejit, që Ferdezja e kishte shoqe gjatë shkollimit të saj në Shqipëri.

Edhe sot e blej bukën e zezë

Përpos gjuhës që edhe tash tingëllon si të jetë nga Shqipëria, Ferdezja ka edhe një ves tjetër, është adhuruese e bukës së zezë, që edhe sot e blen. Poashtu, ajo në vizitat e shpeshta në Shqipëri, vazhdon të vizitojë burgun e Laçit ku qëndroi për tre muaj, postën, ku kishte pas kutinë e saj, nëpërmjet të cilës kishte shkëmbyer një mijë letra, e që nuk e ka asnjë prej tyre, pasi që familja e saj kishte hequr të zitë e ullirit nga pushteti i atëhershëm në Kosovë.

Ajo ka edhe disa shoqe që edhe sot mbanë kontakte. Dhe befasitë për Ferdezen nuk mbarojnë, Shkurte Palvata, vajza heroinë që e kishte magjepsë qysh nga Radio Tirana, ngacmoi këtë vit që po e lëmë pas përsëri Ferdezen. Gjatë pushimit të fundit në Shën Gjin, duke treguar me një çift shqiptar historinë e saj, përderisa kishte treguar edhe për Shkurte Palvatën, rastisi që gruaja me të cilën po ndante rrëfimin, kishte qëlluar të jetë po motra e Shkurtes.

Ferdezja, e cila qysh prej viteve të 90-ta ka farmacinë e saj në Prishtinë, krejt këtë rrugëtim e adreson edhe te mosha e saj e re, sepse, sipas saj, në moshën që ka tashti, një hap i tillë do të ishte shumë i vështirë për tu menduar, por për krejt këtë përvojë jetësore ajo thotë se asnjëherë nuk është penduar, dhe se dashuria për Shqipërinë edhe sot është shumë e madhe./KultPlus.com

Ziberi: Çelësi i jetëgjatësisë së grupit “Elita 5” është përkushtimi i madh në punë

Bujar Meholli

Kur flitet për rok grupin “Elita 5”, vetvetiu të sillen në kokë tingujt e bukur, tekstet kuptimplota dhe zëri unik i vokalistit Arif Ziberi.

Janë bërë 30 vjet prej se ata kanë dalë në skenë, fillimisht duke performuar nëpër kafene e mbrëmje rinore për t’u bërë më pas një grup i fuqishëm roku, një grup i konsoliduar që publikut shqiptar arriti t’i sjellë shumë albume muzikore me qindra hite që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen, këndohen e performohen me ëndje vazhdimisht…

Këngët e tyre të para si “Mbrëmje rinore”, “Mirë e di”, “Si Merlin Monro”, e deri te hitet “Unë e di se ku të dhemb”, “Faleminderit”, “Dua të vdes”, “Al Kapone”, “Zemra e thyer”, “Dashuria është diçka tjetër”, “Ti e vrave dashurinë”, “Çmendem” e shumë të tjera kanë mbetur thesar i skenës muzikore shqiptare, duke i vënë ata në piedestal si grup.

Arif Ziberi dhe Nexhat Mujovi gjatë viteve ’90

Zakonisht, një rok grup nuk e ka të lehtë t’i rezistojë kohës apo edhe rrethanave tjera, shpesh grupet e famshme kanë ndryshuar formacionin apo në të shumtën e rasteve vokalistin.

Por te “Elita 5” kjo nuk ka ngjarë për gjithë këto vite. Ata vazhdojnë të jenë të njëjtit që kur kanë filluar performancat në vitet ’90.

Nexhat Mujovi (sintisajzer-producent), Agron Idrizi (bas kitarë), Besim Ibraimi (daulle), Mevaip Mustafi (solo kitarë), e vokalisti Arif Ziberi janë muzicientët e njëjtë të cilët e krijuan grupin “Elita 5” dhe të cilin arritën ta mbajnë përgjatë këtyre viteve, me edhe një anëtar të shtuar, Valon Gashin (kitarë).

I formuar në Tetovë në vitin 1987, grupi preku zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës me tekstet e bukura të gërshetuara në baladat aq prekëse që di t’i interpretoj Arif Ziberi. “Elita 5” dha qindra koncerte, qindra organizime të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit “Elita 5”

Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, vokalisti Arif Ziberi shpalos gjëra interesante. Ai tregon se çfarë do të thotë për të grupi “Elita 5”, cilat grupe të famshme kanë qenë inspirim për ta, e si i sheh ai artistët e rinj dhe artin e sotëm në përgjithësi…

KultPlus: Çfarë do të thotë për ju personalisht grupi “Elita 5”?

Për mua grupi “Elita 5”, do të thotë thjesht kuptim i jetës.

KultPlus: Në vitet ’90 kur edhe është shfaqur “Elita 5” ishin vitet e arta për muzikën rok, cilët ishin këngëtarët dhe grupet që ju inspiruan?

Sigurisht në fillet tona kemi pasur inspirime nga grupet e mëdha botërore si: Bon Jovi, Deep Purple, Toto e plot të tjerë.

KultPlus: Janë bërë shumë vite për “Elitën 5” në skenë, e ndjeni veten të lodhur nga gjithë ky rrugëtim?

Mbase do të thonit se mosha e bën të veten. Edhe tek ne mosha e bëri të veten, por për të mirë. Na thonë se jemi sikur vena, sa më e vjetër, aq më e mirë.

KultPlus: A po i jep grahmat e fundit muzika rok, sipas jush?

Tek ne muzika rok ka mbetur një gjysmë hobi le të themi. Ajo që na gëzon është se në skenën botërore roku ka invazion të vërtetë, e këtë e shohim edhe si shtytje për zhvillimin e rokut në trevat tona.

KultPlus: Tekstet e “Elitës 5” përçojnë mesazhe në shoqëri, a mendoni se teksti dhe muzika janë gërshetim i një krijimi harmonjoz?

Për ne dhe grupin tonë, kënga nuk quhet e përfunduar  nëse teksti dhe muzika nuk e kanë kiminë e njëjtë.

KultPlus: Kohët moderne (zhvillimi i teknologjisë) kanë krijuar kushte që skena të gëlojë nga artistët e rinj, por realisht si i shihni ju ata? Mendoni se mund të lënë pas vepra që do t’i rezistojnë kohës?

Sinqerisht më vjen keq që artistët e rinj e kanë për cak të bëjnë këngë që dëgjohen dy javë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë kualitet dhe nuk kanë se si të lënë gjurmë.

KultPlus: A mendoni se gjithnjë e më shumë po i bie rëndësia grupit klasik muzikor si shkak i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë?

Grupi klasik muzikor po e humb vlerën vetëm tek ne. Pra, mundohen që të gjitha instrumentet të zëvendësohen me sintisajzer, në mënyrë që këngëtari të përfitojë me shumë. Por kjo nuk sjell kualitet dhe është jetëshkurtër.

KultPlus: Me çfarë preferoni të merreni jashtë muzikës?

Kohën e lirë preferoj ta shfrytëzoj me anëtarët e shtëpisë, po ashtu kam dëshirë të eci shumë…

KultPlus: A ekziston vërtet ndonjë sekret i jetëgjatësisë në skenë, apo ajo vjen si rezultat i punës së madhe kolektive?

Çelësi i jetëgjatësisë tonë është përkushtimi i madh në punë. Derisa të tjerët nxjerrin pesë këngë në vit dhe harrohen menjëherë, ne nxjerrim një këngë dhe mbetet hit për pesë vite e më shumë…

KultPlus: Filozofi gjerman Fridrih Niçe që ishte adhurues i madh i muzikës, shprehet se: “Pa muzikë, jeta do të ishte gabim!” Pajtoheni me këtë thënie të famshme?

Jo rastësisht Niçe llogaritet si filozofi më i njohur i të gjitha kohërave. Besoj se i gjithë njerëzimi pajtohet me këtë thënie të tij. /KultPlus.com

Dastid Ferati, njeriu i Kosovës, Tokios, arkitekturës e bamirësisë

Xhemile Hysenaj

Dastid Ferati, arkitekti nga Mitrovica, suksesi dhe karriera e të cilit zë vend në njërin prej metropoleve të botës siç është Tokio në Japoni, ku përveçse mjaft i suksesshëm në profesionin e tij, Dastidi njihet edhe si një njeri shumë human, i cili asnjëherë nuk e ka kursyer veten duke udhëtuar shumë shpesh drejt vendeve më të varfëra për të ofruar ndihmën e vet.

Në një intervistë për KultPlus, Dastidi ka shpalosur më shumë rreth jetës së vetë personale dhe asaj profesionale, ku ka treguar për uljet, ngritjet, përkrahjen e sfidat që i ka hasur gjatë rrugëtimit të tij drejt një karriere të suksesshme si dhe për projektin e tij me qëllim humanitar.

Dastidi ka studiuar për arkitekturë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjatë përfundimit të studimeve u bë anëtar i ekipit për projektimin e masterplanit Prishtina 2012-2022. Dhe ishte pikërisht ky projekt që ngjalli interesimin e tij për projektimin e qyteteve të mëdha, duke bërë që Dastidi të hulumtojë mundësi për të vizituar Tokion ku pastaj aplikoi në një program kërkimi shkencor në të cilin u pranua, duke vazhduar kështu studimet në Tokio fillimisht për 6 muaj e më pas edhe për studimet master.

Në fëmijërinë e tij Dastidi tregon të ketë qenë një fëmijë shumë kurreshtar dhe mbi të gjitha shumë i shoqërueshëm. Ai tregon se qysh fëmijë ka qenë person i cili ka provuar shumë gjëra në kërkim të vetvetes, duke provuar herë muzikën, herë teatrin, modelizmin e shkencën. Ku më fund, pas gjithë këtyre eksperimenteve, ai ka arritur të gjejë një mes të artë, duke kombinuar shkencën dhe artin.

”Kam qenë më shumë i dhënë në shkencat ekzakte dhe natyrore, që besoj më ka bërë të investoj më shumë në të menduarit analitik. Mirpo, çdoherë më ka pëlqyer e bukura, arti dhe moda. Thuhet shpesh që arkitektura është në mes të shkencës dhe artit, e shpesh njerëz të ndryshëm e vlerësojnë si vetëm njërën apo tjetrën. Prandaj, duke mos dashur të sakrifikoj njërën apo tjetrën, ishte arkitektura ajo që më joshi, si fushë ku për të qenë arkitekt i mirë, nevojiten të dyja, shija dhe logjika”, shprehet Dastidi.

Dastid Ferati flet me një pasion të madh për arkitekturën, duke e konsideruar atë si një fushë që ngërthen në vete shumë kuptime, një profesion jo i lehtë por që të falë kënaqësi. Ai iu përket pjesës së arkitektëve të cilët provojnë të maksimalizojnë pjesëmarrjen publike në proceset e dizajnit. ”Me zhvillimin e teknologjisë, materialeve dhe dinamikës së kohë bashkëkohore, një arkitekt i mirëfilltë duhet të jetë në hap me kohën më shumë se kurrë me parë. Unë e dua logjikën në njërën anë dhe artin në anën tjetër, kkështuqë është dizajni urbanistik i cili më ka mundësuar t’i kombinoj këto tri gjëra në një profesion të vetëm”, vazhdon tutje Dastidi në rrëfimin e tij.

Të jesh i suksesshëm kërkon edhe një sakrificë, që kryesisht ka të bëjë me të qenurit larg nga familja e shoqëria, gjë kjo të cilën Dastid Ferati nuk e konsideron si një të metë apo si një mungesë në jetën e tij, pasiqë ai tregon se fakti që udhëton shumë ka bërë që ai të krijojë shumë shoqëri të reja dhe të njihet me njerëz shumë të mirë, me të cilët vazhdon të mbajë kontakte. Sigurisht se ndjen mall për familjen, për të cilën flet me një dashuri të pashoqe, duke thënë se ka një lidhje dhe një afërsi shumë të madhe me ta dhe se pavarësisht angazhimeve dhe obligimeve të tij në profesion ai gjen kohë që çdo ditë të komunikojë me ata.

”Më duhet të them që të jetuarit vetëm i ka përparësitë e veta. Unë vlerësoj që ne si kulturë shqiptare, shpesh kemi tendencë të krijojmë varësi emocionale me të afërmit tonë, e cila shpesh rezulton në presione të ndryshme, (si: martesa, përfundimi i shkollës, lënia pas e trashëgimtarëve etj). Edhe pse të kesh afërsi me familjarët është një gjë shume pozitive, i ka të metat e veta që shpesh na bën të mos investojmë në vete. Një ndër sifdat më të mëdha besoj unë, është të krijosh një pavarësi emocionale, pasiqë është e nevojshme të krijosh atë lloj pavarësie por pa harruar se duhet ruajtur dashuria, afërsia dhe raportet me të dashurit. Prandaj, vlerësoj që distanca që krijohet me të dashurit si rezultat i sfidave në jetë, i ka edhe dobitë e veta, dhe jo çdo herë është e keqe apo e dëmshme”, vazhdon tutje Dastid Ferati.

Humanizmi dhe dëshira e madhe për të ndihmuar është ajo që e karakterizon gjithë jetën e Dastidit, ai udhëton shumë, takon shumë njerëz dhe bashkëndjen me të gjithë ata që kanë përjetuar dhimbje prej më të ndryshmeve. ”Unë së bashku me të gjithë kosovarët nuk kemi nevojë të lexojmë libra, shikojmë filma apo intervistojmë njerëz, që ta kuptojmë ndjenjën e humbjes së familjarëve dhe çdogjë tjeter. E kemi provuar vetë dhe janë kujtime akoma të freskëta.”, tregon Dastidi.

Ndër të tjerash ai ka treguar edhe fillimet e tij në projektet humanitare, pjesë e të cilave ka qenë edhe vetë.

Si student arkitekture në Tokio, Dastidi për temë të masterit ka trajtuar mënyrat e dizajnimit të hapësirave publike në qytetet metropole, temë të cilën ka tentuar ta zgjerojë më pas në studimet e doktoraturës. Ai tregon se gjatë kësaj kohe në Europë filloi dyndja e madhe e refugjatëve sirianë, me ç’rast atij iu bë ftesa të udhëheq një punëtori në Selanik të Greqisë. Qëllimi i të cilës ishte dizajnimi i një hapësire të vogël publike që u dedikohej refugjatëve në njërin nga kampet atje. Kështu ai filloi të intervistojë refugjatët dhe njëra nga intervistat e preku shumë atë, një intervistë që Dastidi deklaron se nuk do ta harrojë kurrë, pasiqë i kujtonte përjetimet e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

”Një djalë 21 vjeçar i cili ishte paralizuar nga një bombë dhe kishte dy fëmijë dhe gruan. Gjatë intervistimit për hapësirën publike, ai ë kërkoi një batanije për fëmijët e tij, të cilët, sipas tij, po vdisnin nga të ftohtit. Ishte ky moment, mbase ai që më ktheu prapa në përjetimet e mia gjatë luftës në Kosovë, që unë vendosa ta ndërroj temën e doktoraturës nga hapësirat publike në kampe refugjatësh në menyrëqë të ndihmoj duke kontribuar nga profesioni im, pra i hulumtuesit shkencor në aspektin e arkitekturës.”, tregon Dastidi.

Në vitin 1951, Kombet e Bashkuara votuan ligjin për refugjatët në bazë të së cilit, çdo njeri i larguar nga shtëpia e tij nga frika e persekutimit, cilësohet si refugjat. Fillimisht ky ligj parashihte angazhimin vetëm për refugjatët nga Europa, mirpo me kalimin e kohës, fatkeqësisht prejardhja dhe numri i refugjatëve vazhdon të rritet edhe sot. Në Kenya, refugjatët mund të jetojnë në njërin nga dy kampet atje: Kakuma dhe Dadaab. Kampi Kakuma si njësi e vetme, është kampi më i madh në botë me një popullësi prej 186,000 banoresh, nga 21 shtete të ndryshme, mirëpo shumica e tyre janë nga Sudani Jugor dhe Somalia. Ky kamp u themelua në vitin 1991 me ardhjen e rreth 15,000 fëmijëve jetim në kamp, të cilët kishin bredhur nëpër shkretëtirat e Afrikës për më shumë se 3 vite. Shumë familje në këtë kamp jetojnë aty që nga ajo kohë, që do të thotë se ka gjenerata të treta të lindura aty, pa parë kurrë asnjëherë asgjë jashtë kampit. Ky kamp gjendet në mes të shkretëtires, pa ujë dhe pa nevojat e tjera elementare.

Pasi konfliktet cilësohen si të përkohshme edhe kampet ndërtohen si të tilla, pra e përkohshme. Fatkeqësisht, si rezultat i ligjeve, këto kampe mbesin me karakter të përkohshëm edhe pas shumë viteve, siç është rasti i Kakumes.

Dhe duke qenë se kjo është një situatë e ndjeshme, Dastidi u bë pjesë e një hulumti shkencor që ka për qëllim të targetojë ndryshimin e karakterit të përkohshëm të kapmeve të refugjatëve. Ai tregoi për KultPlus se meqë shumica e hulumtimeve të kësaj natyre kishin për bazë të dhëna të grumbulluara nga organet shtetërore dhe meqë ai dëshironte që të njihte nga afër jetën e këtyre njerëzve, ai kishte përdorur metodologji të cilat kishin fokusin direkt tek refugjatët.

”Kam intervistuar dhe vizituar qindra familje refugjatësh, me të cilat vazhdoj të jem në kontakt. Përpos Kakumes, unë jam angazhuar edhe në disa vende të tjera të rajonit, siç është Uganda, Sudani Jugor apo kampet ne Tanzani.”, vazhdon rrëfimin ai.

Tragjedia e fundit në Shqipëri që ndodhi si pasojë e tërmeteve, rastësisht e zuri Dastidin në Shqipëri.”

Në fillim të muajit nëntor të vitit 2019, u ftuam nga një koleg japonez që jeton në Shqiperi, për të ligjëruar në njërin nga universitetet në Tiranë, në fillim të muajit dhjetor, tema e të cilit ishte tërmeti që goditi shqipërine në muajin shtator. Meqë unë flas shqip, u pajtuam me profesoreshen që të udhëtoj në Shqipëri një javë më herët në mënyrëqë të organizoj takimet. Kështu ndodhi që unë u gjenda në Kosovë/Shqipëri më 26 nëntor.”, tregon ai.

Duke qenë se ky tërmet kishte magnitudë më të madhe dhe numër shumë më të madh të viktimave, krahasuar me atë të shtatori, ai me të tjerët vendosën që të mos anulonin udhëtimin por përkundrazi të hulumtonin dhe të ofronin ndihmën e tyre shtetit shqiptar. Ku përpos hulumtimeve, ata zhvilluan edhe takime me institucione, me të cilat u pajtuan parimisht për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për angazhimin e laboratorit të tyre në Shqipëri.

Dastidi ndër të tjerash për KultPlus tregoi se ai dhe ekipa e tij po planifikojnë të kthehen në Shqipëri në muajin janar të vitit 2020, ku pretendojnë të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre.”Edhe pse kam shumë dhembshuri për refugjatët, tërmetin në Shqipëri e kam përjetuar shumë rëndë, për faktin se janë njerëzit e mi, për faktin se edhe vetë jam shqiptar. Prandaj projekti i Shqipërisë do të jetë prioritet për mua. ”, pohoi ai.

Ndërsa në anën tjetër projekti që ka për bazë kryesisht vendet e Afrikës, pritet të vazhdoj së paku deri në verën e vitit 2022
”Lidhur me këtë projekt, kam pasur disa takime me universitete dhe institucione të tjera nëpër botë, veçanërisht në SHBA, ku mendoj që së shpejti do të kemi bashkëpunime të ndryshme, për sa u përket kampeve të refugjatëve. Unë shpresoj që projekti do të ketë sukses, i cili do të mundësonte angazhimin tonë në kampe, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Amerikën Qëndrore”, tregon Dastidi për KultPlus.

Një njeri që ka ndjekur ëndrrën e tij, ka arritur kaq sukses dhe në të njejtën kohë nuk lë anash njerëzimin dhe nevojat e tyre, sigurisht që një kohë duhet të ia kushtoj vetes dhe gjërave që atë e relaksojnë. Për Dastidin qetësia dhe relaksi qëndrojnë në momentet kur ai ulet dhe lexon, kur bën yoga dhe më së shumti kur udhëton dhe haset me kultura e njerëz të ndryshëm. Mirëpo, dashuria e tij më e veçantë mbetet tek libri.

Ai tregon se i pëlqen të lexoj për shumë gjëra, që jo domosdo lidhen me profesionin e tij, libra që i përkasin fushave të ndryshme si shkencës, psikologjisë, metafizikës, filozofi, studime të sjelljeve njerëzore etj.

”Mendoj që secili njeri në fazat e hershme të të lexuarit do të përballet me një nihilizëm, por çdoherë është një gjendje tjetër shpirtërore që vjen pas saj e cila mund të arrihet vetëm duke lexuar dhe eksploruar në literaturë. E cilësoj si të dhimbshme nëse të tjerët nuk e perjetojne kete gjendje mentale. Varësisht gjendjes shpirtërore e ndoshta edhe nivelit të dijes, një njeri do të përjetoj të njejtin libër ndryshe saherë që e lexon. Të tilla do i vlersoja librat e Dostojevskit dhe literatures klasike ruse, pas të cilave jam i obsesionuar. Do e veçoja Vëllezërit Karamazov. Poashtu edhe ‘Homo Sapiens’ dhe ‘Homo Deus’, që mendoj që janë dy vepra që çdo i ri duhet t’i lexojë, pasiqë sipas mendimit tij, ndihmojnë në të kuptuarit e dinamikabe të kohës sonë, tabuve dhe pasojat e tyre të shumë vendeve që kanë konflikte, siç jemi edhe ne.”, thotë ai ndër të tjerash.

Ndërsa kur flet për suksesin e tij Dastidi është shumë modest, duke thënë se suksesi ka të bëjë me të qenurit i përmbushur dhe jo domosdo të kesh arritje të larta në karrierë.

”Se çka e bën një njeri të ndihet i permbushur, është një pyetje me shumë përgjigje, prandaj e shoh të domosdoshme që secili të provoj të gjej pergjigje per veten. Sepse kur secili e gjen atë që e përmbushë, puna nuk do të ndihet si punë, atëherë fillon ta duash punen apo te investuarit drejt arritjes së asaj pune. Dhe normalisht, puna e pandërprerë dhe me zell çdoherë sjell suksese”, deklaron ai. / KultPlus.com

Diella Valla, një përzierje mes pikturës, feminizmit dhe modës

Arbër Selmani

Ajo është 17 vjeçare, por çmimet dhe përmbushja me suksese e kanë përcjellur vazhdimisht dhe nuk parashihet ta lënë të qetë. Fituese e vendit të parë në garat komunale ‘8 marsi’ në vitin 2016-të, fituese e garës FcStechContest në Universitetin FIDM në Los Angeles, këtë vit fituese e vendit të parë në nivel shtetëror në garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik, Diella Valla është fëmijë i veçantë që krijon dhe ushqehet me art. Mbesa e piktorit Esat Valla, Diella Vallës i rrjedhë në familje e në gjak dëshira për të pikturuar, për të skicuar, për të sjellë në jetë mendimet e saja abstrakte.

Në shikim të parë, Diella duket e turpshme, por shpejt e zbulon veten dhe botën që brenda saj është zjarr arti. Diella është e ardhmja e ndritur e këtij vendi që, nëse me asgjë tjetër, do të duhej të krenohej me talente të tilla që inspirohen çdo ditë, dhe kanë thumbimin e tyre artistik si armë të fortë.

Me anë të kësaj interviste, Diellën po e afrojmë më afër me lexuesin e KultPlusit.

KultPlus: Fillimisht, kush është Diella Valla, na trego pak më shumë për veten për ata që po njoftohen me ty me anë të kësaj interviste?

Unë jam Diella Valla, një vajzë 17 vjeçare e cila jeton në Prishtinë. Vijoj Shkollën e Mesme të Shkencave Natyore “Sami Frashëri”, mirëpo anash shkencave kam një pasion të madh për pikturën e veçanërisht për dizajnin e modës.

KultPlus: Në familjen tënde arti rrjedhë prej kohësh. Na trego pak për influencën që kanë pasur familja jote dhe pjesa e saj që merret me art?

Në familjen time arti ka rrjedhur shumë moti, duke filluar nga gjyshi im Esat Valla i cili është piktor i njohur, babi im Klodian Valla poashtu me profesion piktor, dhe nëna Yllka e cila ka të përfunduar dizajnin grafik dhe masterin në pikturë. Mendoj se këto kanë qenë kanalet prej nga unë kam marrë hapat e parë dhe thellë në mua është instaluar dashuria për artin, modën, për të bukurën.

KultPlus: Si ka lindur piktura te Diella, kur ka nisur gjithcka ta marrë formën që e ke tani?

Njëkohësisht, është familja ime ajo e cila më ka ndjekur rreth zhvillimit të pasionit tim për pikturë, dhe në të njëjtën kohë edhe frymëzimi i madh i imi, dëshira e madhe dhe guximi e vullneti që ta sfidoj veten jashtë klisheve dhe kutisë së mendimit tim.

KultPlus: Cka pëlqen më shumë të pikturojë Diella dhe a ka talent edhe për ndonjë fushë tjetër artistike, që lidhet me pikturën e ngjyrat?

Piktura dhe dizajni janë pasioni im më i madh, mirëpo krahas me to mua më pëlqen shumë realizimi i punëve vullnetare dhe aktivizmi, ndjenja e veprime të cilat sipas meje duhet t’i kultivojmë të gjithë dhe na ndihmojnë në ndërtimin e një personaliteti. Kam filluar që të vizatoj qysh nga mosha 2 vjeçare me format e vogla artistike fëmijërore, mirëpo pasioni dhe dëshira e madhe për të shndërruar ato forma fëmijërore në anën shpirtërore timen vazhduan në vitet më tutje.

Gjithçka më pas morri formë dhe arrita deri te piktura dhe ilustrimet e deritanishme të modës, dhe pjesa më e madhe e imja dhe inspirimit tim shkon për të punuar në projekte artistike.

KultPlus: Je fituese e disa konkurseve kombëtare e ndërkombëtare. Sa të ndihmojnë këto çmime të vazhdosh në fushën ku je?

Është e vërtetë se jam fituese e shumë çmimeve sikurse në fushën e pikturës, ashtu edhe në atë të modës. Shtoja këtu edhe vendin e dytë në garën për fotografi dhe pikturë me temën ‘Prishtina ime’ – nga Qendra Yunus Emre, vendin e dytë në garat komunale ’17 shkurti’, vendin e parë në garën e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, kam bërë edhe punë praktike për skicim të veshjeve të kreatores së modës, Samira Ebrahimi.

Këto çmime dhe angazhime kanë arritur që të më shoqërojnë deri në rrugën e tanishme, dhe shpresoj që do të kemi edhe suksese të tjera në vazhdim, sepse këto mbesin shpërblime të cilat e kanë ngritur vlerën time, vlerën e artit që unë bëj, madje edhe e kanë përmirësuar stilin tim në secilën prej këtyre degëve të artit. Mësoj çdo ditë diçka të re dhe po rritem bashkë me pretendimet e mia. Kam marrë pjesë edhe në njërin prej aktiviteteve të KultPlusit – në punëtorinë e piktorëve të rinj, prej nga jam ndarë shumë e kënaqur.

KultPlus: Në plot piktura tuaja shohim gratë si motiv, na trego pak më shumë për këtë inspirim?

Femrat janë motivi i pothuajse çdo copës sime të artit. Duke qenë se jam feministe, piktura dhe dizajni i modës janë të vetmet rrugë për të shprehur identitetin tim femëror dhe për të mbrojtur të drejtat e femrave në çdo aspekt, qoftë në anën politike, ekonomike, kulturore e artistike përmes fuqizimit të tyre me anë të pikturës.

Madje cikli që unë e kam krijuar në ilustrimet e modës në të cilën dominojnë qafët e gjata ka një simbolikë që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Pikësëpari është një prej synimeve të mia, të arrij fuqizimin dhe të drejtat e plota të grave, duke përdorur edhe artin tim si mjet aktivizmi.

KultPlus: A ke kthyer pikturat e tua në kreacione?

Pjesa më e madhe e pikturave të mia, qofshin peisazhe apo natyra të qeta, kam arritur që t’i shndërroj në stilin tim abstrakt apo edhe në pointilisem.

Një pjesë e madhe e kreacioneve të mia të modës sot janë të kthyera edhe si pjesë të pikturës, sepse në çdo figuracion të modës kam elemente pikturale të cilat më flejnë në shpirtin tim dhe që mendoj se janë të denja si pjesë e një kreacioni.   

KultPlus: Si është një ditë e zakonshme e Diellës?

Dita e zakonshme për mua fillon me shkollën të cilën e përfundoj paradite, kthehem në shtëpi, mësoj dhe arrij në pjesën e fundit të ditës e që është pjesa më e bukur për mua, ajo thjesht definohet me ‘Pikturim’ apo ‘Ilustrim Mode’.

Inspirimi im fillon gjithnjë me detaje të vogla, nga copëzat e revistave, nga ngjarjet e jetës së përditshme, nga sfilatat më të reja të modës të cilat më nxisin në çdo moment për të krijuar diçka të re dhe unike. Ky inspirim është shumë i shpeshtë saqë jo çdoherë kam kohë të lirë të implementoj secilën ide timen.

Për të gjitha pikturat, ilustrimet e modës dhe bashkëpunimet, mund të më ndjekni në faqen time në instagram @diellaillustrations, aty ku edhe jam e gatshme të shfaqi çdo gjë të re, në çdo moment.

KultPlus:  Diella, për fund, cili është mesazhi yt për moshatarët tu, a do të duhet të merreshin të gjithë me një copë art në përditshmërinë e tyre dhe në një moshë kaq delikate

Çdo moshatar i imi tashmë ka nje copëz talenti pothuajse të zbuluar.

Unë mendoj që të gjithë ata që kanë pasion në shpirtin e tyre dhe dëshirojnë që të ndajnë idetë e tyre me të tjerët, asnjëherë nuk është shumë vonë, për të nxitur idetë tuaja, për t’i shkarkuar në letër qoftë në formë pikture, ilustrimi, vizatimi, dizajni, poezie, eseje apo edhe romani. Secila shprehje artistike vlen.  Ato mendime që i keni bëhuni të gatshëm t’i ndani me të tjerët. / KultPlus.com

Pacolli çon konsull në Tiranë nipin e Sami Lushtakut që e ka të kryer vetëm shkollën fillore

Behgjet Pacolli i ka vënë kapak politizimit të shërbimit diplomatik, nëpërmjet një vendimi që e ka marrë në fund të 2019-s. Ai e ka bërë konsull Festim Lushtakun, nip i Sami Lushtakut.

Festim Lushtaku ka qenë “Asistent administrativ”, në kuadër të stafit konsullor të Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë. Ka tre muaj që kur burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë. Përkitazi me këto informata, gazeta pati dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me kërkesën që ato t’i përcilleshin edhe Lushtakut, por prej tre muajsh nuk janë kthyer përgjigje as nga Ministria dhe as nga Lushtaku.

Vendimi i Pacollit mban datën 2 nëntor 2019, dhe në të parashihet që Lushtaku fillon ta realizojë detyrën në Tiranë që nga 15 nëntori. Por, ky dokument ka shkuar për t’u arkivuar në Ministri tek të premten e shkuar, një muaj e gjysmë pas fillimit të punës nga Lushtaku.

“Me këtë vendim, Festim Lushtaku është emëruar Konsull dhe është caktuar të shërbejë në Konsullatën e përgjithshme në Tiranë. Sipas vendimit, ai do të shërbejë në një mandat 4-vjeçar. Ajo çfarë ka bërë Pacolli, është që pas mandatit nuk ka obligim ta sistemojë në Shërbimin e Jashtëm”, ka treguar ky burim. “Paga bruto e tij do të jetë e barasvlefshme me të Konsullit”.

Sipas këtij burimi, ai do t’i nënshtrohet edhe llupës së inteligjencës.

“Vendimi përcakton që Festim Lushtaku i nënshtrohet procedurave të verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, ka theksuar ky burim.

Emërimi dhe caktimi i Lushtakut në misionin konsullor në Tiranë, është bërë në kundërshtim më ligjet në fuqi, meqë ato parashohin që grada diplomatike e konsullore mund të marrin vetëm ata që suksesshëm kalojnë në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe që, të paktën, një vit më herët kanë qenë të punësuar në Ministri. Ligji nuk ia njeh të drejtën ministrit që vet, dhe duke shpërfillur komisionin, të ofrojë grada për stafin ose për persona jashtë Ministrisë.

Burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë

Në profilin e tij në Facebook, Festim Lushtaku ka shumë fotografi me Sami Lushtakun, ish-kryetar i Skenderajt dhe një prej njerëzve me më ndikim në Partinë Demokratike që ka qenë forca më e madhe politike në pushtet që nga 2008-a e deri sivjet.

Sami Lushtaku ka kaluar nëpër disa procese gjyqësore, dhe aktualisht ka statusin e të dyshuarit për krime lufte, për çka është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Në vizitën për t’u intervistuar në këtë institucion, ishte shoqëruar edhe nga nipi i tij, i cili kishte shpërndarë edhe një foto.

“Me ty axhë!”, ishte shkrimi që ia kishte shoqëruar dy fotografive Festim Lushtaku, e në të cilat shihej Sami Lushtaku tek hynte në ndërtesën e Speciales.

Gazeta ka raportuar në fillim të muajit se Pacolli është akuzuar nga njerëz të institucionit që e drejton se nuk ka reshtur së marri vendime të jashtëligjshme gjatë dy vjetëve dhe se me to e ka politizuar në tërësi Shërbimin e Jashtëm. Hisedar në një numër shkeljesh të njëjtët kanë identifikuar edhe presidentin Hashim Thaçi.

Akuzat janë shprehur në një shkresë 5-faqëshe të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, e cila ia ka drejtuar Pacollit, dhe kopjen e njëjtë ua ka përcjellë edhe Zyrës së presidentit, Zyrës së kryeministrit, sekretarit të Kuvendit, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe disa autoriteteve të tjera.

Në të është treguar se, jo veç pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por as pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme Pacolli nuk është përmbajtur nga marrja e vendimeve të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave njerëz të politikës i ka bërë pjesë të misioneve diplomatike.

Sindikata ka konsideruar se, duke u shkelur ligji, janë marrë së paku 26 vendime, qoftë për emërimin e konsujve dhe personelit tjetër diplomatik, qoftë për emërimin e konsujve të përgjithshëm.

“Ju tani si ministër i Punëve të Jashtme në detyrë, gjatë periudhës së dorëheqjes së Qeverisë, nuk keni të ndalur në lëshimin e vendimeve të kundërligjshme, duke emëruar konsuj dhe propozuar konsuj të përgjithshëm te presidenti i Republikës, të cilët nuk janë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm në MPJ”, thuhet në letër, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”. /Koha.net

Ndizen fenerët në Stadiumin Olimpik në Amsterdam për të sëmurët me kancer

Mijëra fenerë janë ndezur në Stadiumin Olimpik në Amsterdam për edicionin e katërt të  një fushate nga Shoqata Holandeze e Kancerit.  

Me shfaqjen e jashtëzakonshme, organizata shpreson të rrisë vetëdijen për njerëzit që janë të sëmurë me kancer.

Çdo fanar ka emrin e një personi që lufton me kancerin ose i cili ka humbur betejën me sëmundjen vdekjeprurëse. 

Imazhet mahnitëse tregojnë rreshtat e fenerave të vendosur në një formë zemre në mes të stadiumit, me shkëlqim në errësirë.

Disa nga të dritat e mrekullueshme tregojnë se njëri prej organizatorëve po kalon nëpër rreshtat e dritave në vendin ku edhe u mbajt eventi.

Shoqëria Holandeze e Kancerit është themeluar në vitin 1949 dhe ka zhvilluar eventin me fanar për tre vitet e fundit./syri.net/ KultPlus.com

Anna Taylor, femra e parë në botë që ngjit majën e rrezikshme Roraima

Anna Taylor, 21 vjeç, ka përfunduar një nga sfidat më të vështira të ngjitjes në botë duke u bërë femra e parë që ngjiti muret marramendëse të malit Roraima në pyjet e shiut të Guajanës.

Britanikja ishte një anëtare e një ekipi me gjashtë forca i cili kaloi nëpër 33 milje xhungël për të arritur në malin spektakolar.

Atëherë u deshën dy javë për të ngjitur në majën 601 metër të të frikshme duke fjetur në tenda speciale të varura me një rrezikshmëri të lartë për rënie.

Samiti i rrafshët i malit prej 9,000ft thuhet se ka ndikuar në romanin e Sir Arthur Conan Doyle The Ëorld Lost ku dinozaurët bredhin zonën./syri.net/ KultPlus.com

Rifat Berisha shpallet fitues i Festivalit ‘Rapsodia Shqiptare’

Në natën finale të Festivalit “Rapsodia Shqiptare”, nga juria profesionale janë shpallur fituesit e çmimeve kryesore që ndahen në këtë festival, ku vendin e tretë e mori Fetije Terstena, vendin e dytë Resmije Krasniqi, kurse vendin e parë, fitues i këtij festivali, për këtë vit u shpallë këngëtari, Rifat Berisha, i cili këtë çmim e mori nga kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, transmeton KultPlus.

Gjatë këtij festivali u ndanë edhe çmime tjera si, çmimi i 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, të cilin e mori Merita Sahiti, çmimi grupi më autentik shkoi për grupin “Lulet e Malësisë”, çmimi i publikut i takoi Festim Mazrekut, debutanti më i mirë, Rrezarta dhe Blinor Gashi, veterani i festivalit, Januz Mushkolaj si dhe çmimi i karrierës, Imer Sefë Mleqani.

Festivali ‘’Rapsodia Shqiptare’’ zgjati tri ditë, kurse është përkrahur nga Komuna e Skenderajt, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Fashion Designer Kosovare e Fitore”, “Foto Kabashi, “Foto Dani”, “Hill Production”, kurse sponsor medial ishte Radio Televizioni i Kosovës- RTK.

Ky festival  u drejtua nga Ramiz Shala, Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Skenderajt,  bashkë me ekipin koordinues./syri.net/ KultPlus.com

“Meant to be” e Bebe Rexhës, në krye të listës së këngëve më të mira të dekadës

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha arriti edhe një sukses tjetër me këngën “Meant to Be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line.

Përveç se kryesoi toplistën e Billboardit për 50 javë vitin e kaluar, hyri në historinë e muzikës “country” dhe arriti miliona klikime, kjo këngë kryeson tabelën e këngëve më të mira të dekadës në këtë zhanër sipas Billboard. Lajmin e bëri të ditur artistja përmes një storie në Instagram, ku shkroi “wow”, transmeton KultPlus.

Me këtë këngë fitoi edhe shumë çmime. Kënga u publikua në tetor të vitit 2017 dhe arriti mbi 861 milionë klikime në YouTube. / KultPlus.com

New York: Shqiptari gjen portofolin plot me dollarë dhe e dorëzon në polici

Duket se më nuk është “lajm” se një shqiptar gjen një send me vlerë, portofol plot me dollarë, e tjerë, që i ka humbur dikujt tjetër, dhe me plot qytetari e humanizëm e dorëzon në polici.

E ky gjest ndodhi në New York, ku shqiptari gjeti një kuletë plot me dollarë dhe gjesti i tij e mahniti policinë amerikane, pasi që e dorëzoi atë në polici, ashtu siç e mori.

Pa dyshim se ky ishte gjesti me përmasa të mëdha humane të shqiptarëve që jetojnë në mërgim po evidetohen kohë mbas kohe.

Vetëm në Nju-Jork kemi disa raste kur shqiptarët tërheqin vëmendjen e opinionit me gjestet e tyre tepër humane dhe të ndershme, gjeste të tilla publike që vetëm shqiptarët mund t’i bëjnë.

Sipas një vetëpostimi në llogarinë e tij në rrjetin social, shqiptari Blerim Gjoçaj nga Kosova ka gjetur një portofol të mbushur me dollarë (shuma nuk bëhet e ditur) në një rrugë të qytetit, ku ai jeton Bronx – NYC, dhe e ka dorzuar në stacionin e afërt të policisë.

Ai shkroi duke postuar edhe fotografinë që tregon atë duke dorëzuar në polici portofolin se:

“Sot gjeta një portofol të mbushur me para (mijëra dollarë) dhe kur i dorëzova në stacionin e policisë, ata më falënderuan dhe më thanë se jam një djalë shumë i mirë”, ndërkohë, shton se ai është përgjigjur oficeres së policisë që ka marrë në dorëzim portofolin e gjetur me shumën e dollarëve dhe dokumenta të tjera.

“Unë falënderoj policinë shumë për këto fjalë të shkëlqyera dhe të bukura, por unë nuk kam bërë asgjë më shumë se një shqiptar”, theksoi Blerimi.

Duhet theksuar se ky gjest human është vlerësuar edhe në stacionin e policisë 52 PC në Websiter -Bronx NY 10467, duke nxjerrë në pah edhe një herë gjestin e një shqiptari, që për koincidencë në prag të Vitit të Ri e gjen një protofol me dollarë dhe e dorëzon në polici. /albinfo/ KultPlus.com

Amaneti i Fishtës: Për fe e atdhe

Autori i “Lahutës”, shkrimtari dhe patrioti i madh Gergj Fishta, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940, në spitalin civil të Shkodrës. Para do kohe, kanë dalë në dritë detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë.

Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë, ai zbatoi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt, Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908, ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.

Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924.

Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malcis” në 1937./konica.al/ KultPlus.com

Kasandrës

OSIP MANDELSHTAM (1881-1938) / Përktheu në shqip Agron Tufa

Çastesh t’lulëzuara s’kam dashtë të kem
Buzët e tua, Kasandër, tuat sy,
Por, në dhjetor të kremtimit solemn
Kujtimi do na djegë të dy!

Të gjitha i humbëm, duke dashuruar
Në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë:
Dikush u grabit me vullnetin e popullit,
Tjetri grabiti veten e vet…

Por, kjo jetë në qoftë domosdo deliri,
Dhe pyll’ i anijtë, pallate – vargmale, –
Fluturo, pra, fitore e paduar –
O murtajë hiperboreale!

Midis autoblindash, bash në shesh
Unë shoh një njeri: ai
Me urë të ndezur ujqit tremb:
Me ligj, me liri, me barazi!

Dallëndyshkë moj, e mira Kasandër,
Ti rrënkon, ti digjesh – për çfarë
Na ndriçoi dielli i Aleksandrit
Të gjithëve, qind vjet më parë?

Herëdokur, në kryeqytetin e vështirë,
Kur skithët në breg Nevë të shtrojnë gostinë,
Nën tingujt e ballos së këllirë
Prej kokës së bukur do t’ta shkyjnë shaminë.

Me rrëfime e intervista ekskluzive, KultPlus më afër lexuesit në ditët festive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Rrëfime e intervista ekskluzive dhe simpatike do të mund t’i lexoni me 31 dhjetor, 1 e 2 janar, në ditët festive të Vitit të Ri 2020.

Antoneta Kastrati, Dastid Ferati, Rozafa Çelaj, Arif Ziberi, Visar Morina e Rinaldo Sata janë disa prej emrave që këtë fundvit ia kanë besuar rrëfimet e tyre më të bukura KultPlusit. Të tjerë emra të njohur e të panjohur të artit e kulturës, por edhe rrëfime njerëzore të dhimbshme e të bukura, do të mund t’i lexoni në www.kultplus.com

Gazetarët e KultPlus dhe stafi janë përkujdesur që në ditët festive të mund të lexoni tekste interesante, duke mos harruar edhe raportimin ditor të cilin e bëjmë tash e disa vite.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Urime festat!

Dhjetë gjuhët më të vështira në botë për t’i mësuar

Një listë e përbërë nga gjuhët të cilat duket se janë më të vështirat për t’u mësuar, është publikuar së fundmi duke renditur Kinën si të parën, transmeton KultPlus.

Sipas radhës gjuhët më të vështira janë: gjuha kineze, greke, arabe, islandeze, japoneze, finlandeze, gjermane, norvegjeze, daneze dhe gjuha franceze.

1- Gjuha kineze

Thuhet se po te njihni rreth 3.000 karaktere është e mundur të lexoni një gazete, ndërsa një person i shkolluar mund te njohe deri ne 8.000 karaktere ku ne total njihen zyrtarisht 50.000 karaktere. Thuhet se nevojiten rreth 2.200 orë studimi për ta mësuar.

2- Greqishtja

Greqishtja përbën një degë më vete të familjes indoevropiane. Dikush ka hipotezuar se greqishtja kishte ngjashmëri me gjuhen armene. Por gjuha greke e shkruar moderne është shumë më e thjeshtë se greqishtja e lashtë.

3- Arabishtja

Edhe pse alfabeti arab është me i shkurtër se ai kinez kjo gjuhe është përsëri e vështirë për t’u mësuar. Ka 28 bashkëtingëllore dhe 3 zanore nga të cilat marrin 4 forma te ndryshme sipas pozicionit të tyre në fjale. Edhe për këtë gjuhë nevojiten rreth 2.200 orë studimi për ta mësuar.

4- Gjuha islandeze

Është një gjuhe gjermanike, e vështirë për tu mësuar sepse është e bazuar në një fjalor dhe gramatikë komplekse dhe ka disa pjesë nga gjermanishtja e vjetër.

5- Japonishtja

Studentet japonezë duhet te memorizojnë mijëra karaktere, tre sisteme të ndryshme shkrimi (Kanji, Hiragana e Katakana) dhe një sistem numerik me dy thekse të ndryshme. E folura në këtë gjuhë është e ndryshme nëse flitet në familje, me miqtë, me të moshuarit, me femrat, me meshkujt apo me fëmijët. Pas Japonisë kjo gjuhë flitet shumë edhe në Brazil.

6- Gjuha finlandeze

Gjuha finlandeze edhe një gjuhë shumë e vështirë sepse ka shumë veta, 15 në numrin njëjës dhe 16 në numrin shumës.

7- Gjermanishtja

Është gjuha që flitet më shumë në Europë. Por është edhe gjuha me gramatikën më të vështirë, që nga zgjedhimi dhe ndryshimet e rrënjës. Shumë fjalë kanë gjithashtu të njëjtën rrënjë, për të mos përmendur përdorimin e rregullt të dialektit.

8-Gjuha norvegjeze

Bën pjesë ndër gjuhët më të vështira në botë edhe për shkak të dialekteve të shumta që fliten. Norvegjishtja e folur ka vetëm pak standarde zyrtare dhe dialektet lokale ngelen të rëndësishme.

9- Gjuha daneze

Është një tjetër gjuhë gjermanike dhe flitet vetëm nga 6 milion njerëz. Me një sistem fonetik të pazakontë. Sistemi i të folurit është tërësisht ndryshe nga e shkruara.

10- Frëngjishtja

E folur zyrtarisht në 29 vende është gjuha latine e cila mund të konsiderohet më e vështirë. Por për ata që flasin gjuhësi italishtja apo spanjishtja gjuha franceze është e thjeshtë për t’u mësuar. / KultPlus.com

72 vite më parë u nda nga jeta diva shqiptare, Tefta Tashko

Zëri i saj është melodioz dhe me një ngjyrë të mrekullueshme që të bën të mahnitesh dhe të rrish e ta dëgjosh kudo që mund të ndodhesh.

Madhështia e saj është aq e jashtëzakonshme sa edhe do bënte edhe francezët të mahniteshin me të. Po kush është kjo soprano lirike dhe Artiste Populli? Legjendarja Tefta Tashko Koço. Tefta lindi më 2 nëntor 1910, në qytetin Fajum të Egjiptit.

Në vitin 1921, në moshën 11-vjeçare sheh për herë të parë Shqipërinë. Familja e saj me origjinë nga Frashëri i Përmetit, braktis kurbetin dhe kthehet në Atdhe. Në kujtimet që na vijnë nga të afërmit e saj në ditët tonë, thuhet se ka qenë një fëmijë gjithmonë i etur me kuriozitetin e moshës dhe me mall prej të rrituri për vendlindjen e prindërve, pasi në vogëli, pëlqeu shumë gjuhën dhe këngët shqiptare që dëgjonte në festa dhe gëzimet familjare.

Dera e Athanas Tashkos ka qenë e hapur gjithmonë për mysfirët, për më tepër ata që ishin ajka e patriotizmës shqiptare në Egjiptit. Kur u rrit, ndjehej krenare që kishte parë Çajupin, Spiro Dinen, Jani Vruhon, Filip Shirokën… E rritur në atë ambient atdhetar, kur erdhën në Korçë me familjen e saj, ndjehej më shqiptare se shqiptarët. Për fat zgjodhën për të jetuar, atë qytet që në vitet ’20, ishte kryeqyteti i kulturës shqiptare. Ishte periudha kur u shfaq për herë të parë, nga disa të rinj që kishin ardhur nga Rumania, drama e Mihal Gramenos “Vdekja e Pirros”.

Personazhet e saj ishin veshur me kostumet e kohës, ndërsa dekoret ishin punuar me shije nga piktori Vangjush Mio. Por, më shumë gjallëri dhe freski i dha jetës artistike banda e shoqërisë “Vatra”, e cila kishte ardhur nga Amerika. Dirigjenti i saj, Thoma Nasi, një muzikant i talentuar, grumbulloi disa muzikantë amatorë dhe krijoi një orkestër të vogël, e cila jepte koncerte me muzikë të lehtë. Pak më vonë u krijua edhe një orkestër me mandolinën e famshme korçare. Të gjithë të pasionuarit pas muzikës dhe artit formuan shoqërinë e “Arteve të bukura”. Jo më pak e njohur në aktivitete ishte edhe grupi muzikor “Lyra”.

Ajo ndjesi që i ishte shfaqur në Egjipt për këngën shqiptare tani 11-vjeçares, iu kthye në dashuri. Shoqet e saj më të rritura, kënaqeshin me zërin e bukur, kur e dëgjonin Teftën, duke kënduar në shkollë ose në mbrëmjet e vogla familjare. Ajo interpretonte këngë të ndryshme, duke shpalosur qartë kujtesën muzikale, sensin e ritmit, shijen për meloditë e bukura… Në ditët e para të janarit të vitit 1922, në Korçë erdhi Fan Noli.

Për të festuar ditëlindjen e këtij demokrati të shquar që e kishte më datë gjashtë, u organizua një koncert. Nga nxënësit e korit të asaj shkolle u dalluan dy vajza. Njëra ishte Tefta dhe tjetra e kishte emrin Jorgjia Truja. Një urim dhe përqafim nga Noli i madh, ishte kujtesë e mjaftueshme për mësuesit e muzikës, që të vlerësonin talentin e tyre. Në vitet që vijuan, u shtuan koncertet artistike, ku pjesëmarrja e Teftës dhe e Jorgjisë ishin të pa diskutueshme.

Gjatë periudhës 1927-1931, Tefta studio në Konservatorin e Muzikës në Montpellier dhe në vitet 1932-1936 studioi në Conservatorie National de Musique et de Declamation të Parisit. Për të hyrë në këtë konservator, Teftës iu desh të këndojë në sallën Gaveu, aktin e katërt të operas “Traviata”. Juria e përbërë nga personalitetet muzikore më të shquara franceze, i akordoi Çmimin e Dytë. Në koncertin e dytë po për të njëjtin rast, ajo këndoi La cavatine du Page nga opera “Les Huguentos”, fitoi Çmimin e Parë.

Qëndrimi nëntë vjeçar i Teftës në Francë, shënoi jo vetëm kalimin nga faza e rinisë (17 vjeç) në atë të maturimit fizik dhe intelektual (26 vjeç), por dhe i përshtatjes në një ambient krejt të ndryshëm nga ai i Korçës. Gjithsesi, ajo nuk e zbehu për asnjë çast, dashurinë për Shqipërinë. Ndoshta në këtë mirësi dhe ndjesi të saj, ndikoi edhe qëndrimi pranë saj i familjes (nëna, vëllai dhe motra e madhe). Pra, ishte po ajo jetesë dhe tradita shqiptare që e shoqëruan në gjithë kohëqëndrimin e Francës.

Kështu për dhjetë ditë me radhë, ajo u shkëput nga Montpellier dhe qëndroi në Paris. Gjatë gjithë kohës, Tefta punoi me pasion dhe përkushtim për të realizuar sa më mirë regjistrimet. Shtangu dhe u emocionua shumë kur dëgjoi disa nga këngët polifonike. Një bashkëpunim që i la mbresa të pashlyeshme, duke ia shtuar edhe më shumë dëshirën dhe merakun për perlat e këngës popullore shqiptare.

Gjatë studimeve në Francë, ajo u vlerësua shumë nga pedagogët e Konservatorit të Parisit, drejtues artistikë të Radios së Parisit dhe kritikë muzike. Edukimi në Francë, bëri që ajo të asimilojë në mënyrë të veçantë, repertorin vokal klasik francez, ku prioritet për përgatitje ishte njohja mirë e mjeteve karakteristike shprehëse muzikore si dhe e gjuhës frënge. Tefta ishte pjesëmarrëse në dy konkurse që organizoi Teatri i Operas komike franceze.

Ajo interpretoi në rolet kryesore të dy veprave të mëdha dhe shkëlqeu me madhështinë e saj. Vlerësimi që iu bë këngëtares sonë nga kritikë të njohur parisienë, përmes artikujve të botuar në gazetat kryesore të kohës, janë pika më e lartë që ajo arriti gjatë karrierës së saj studenteske në Francë.

Pjesëmarrja e saj në konkurse, koncerte, opera, dhënia e programeve në Radiostacionin e Parisit dhe fitimi i çmimeve dhe i diplomave të ndryshme në këto manifestime muzikale, dëshmojnë për një këngëtare me vlera të padiskutueshme. Pikërisht në këtë kohë, Teftës i krijohet shansi për të lidhur kontratë me një nga drejtuesit më të mëdhenj të teatrove të operave të Nju-Jorkut.

Përgjigjja, e Tefta Tashkos tashmë dihet… Me kthimin në Shqipëri në vitin 1936, përveç programeve koncertale me muzikë dhome dhe operistike, ajo iu përkushtua interpretimit të këngës lirike qytetare shqiptare.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në mes të fletëve të një pasaporte të huaj, me të cilën këngëtarja jonë ishte e pajisur kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë.

Mbi të, Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht, vetëm dy fjalë:

“Vdes dhe s’tërhiqem”.

Ishte motoja e jetës së saj, e shkurtër, por e denjë për të mbetur përjetësisht, Artiste e Popullit!

Këngët popullore të kënduara nga Artistja e Popullit, Tefta Tashko Koço

Çelni ju, moj lule, çelni.
Edhe ky bilbil.
Fryn veriu. (Teksti: L. Poradeci).
Kur më vjen burri nga stani.
Ishin dy kunata.
Kroi i fshatit tonë (Teksti: L. Poradeci).
Të dua, moj goc e vogël.
Dolla në penxhere.
As aman, moj lule.
As u gremis, moj lejthatë.
Moj hyrije, bukurie.
Kur më shkon sokakut.
Fol e qesh, moj sylarushe. (Teksti: M. Gura).
Qante lulja lulen.
Ku do shkosh, moj goc e vogël.
M’at’fush’ t’mejdanit.
Kënga e bilbilit.
Fustani me pika.
Po këndon bilbili fushave.
As aman, o syri i zi.
Ma ven dorën përmbi dorë.
Këngët popullore të incizuara në shoqërinë fonografike “Columbia” – Milano 1942

Un’, o ty moj të kam dashur.
Kjo- dashtnija kjoft mallkue.
Kenke nur’ i bukurisë.
Për një ditë, kur del gaca në pazar,
Këndon kumrija.
6 Metelikun ta kam falë.

Ma ven dorën përmbi dorë.
Dallëndyshe vaj, vaj.
Qante lulja lulen.
Moj fëllanxë.
Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën.
Dy gisht përmbi vetull.
Moj Hyrije; bukurie.
Shamija e beqarit.
Iku nata.
Del një vashë prej hamami
Zare trëndafile.
Të dua, moj goc’ e vogël.
As aman, moj lule.
Kroi i fshatit tonë.
O moj sylarushe.
Dolla në penxhere.
Bilbil çapkëni.
As u gremis, moj lejthate.
Dashtnuer tu bana.
Ani, moj Hatixhe.
Seç kënd on bilbili mali te.
Shkaperceva dy-tri male.
Edhe ky bilbil ç’ka qenke një zog.
Kam shtëpinë e vogël.
I kam hypë vaporit.
Fry, moj er’ e malit.
O në atë fushë t’mejdanit.
Edhe gurët e sokakut.
Iku shpejt edhe pse erdhi “vonë” në Shqipëri.

Bazuar në shkrimin e gazetës “Diana”, 1938. / KultPlus.com

Kalaja e Krujës në mesin e 10-të kalave më të bukura në Europë

Kështjellat në përgjithësi bartin histori të ndryshme e të mëdha pas vetes, shkruan KultPlus.

Pra, kështjellat janë vendet më joshëse ku ka rrjedhur e gjithë historia njerëzore. Arkitektura mahnitëse e shfaqur në kështjella ndez mistiken dhe legjendaren, në të njëjtën kohë.

Sipas ”Skyscanner”, dhjetë kështellat më të bukura në Europë që patjetër duhet të vizitohen janë:

Kështjella Bran në Rumani është renditur në vendin e parë si më e bukura në Europë.

Në vendin e dytë u rendit Kështjella e Krujës në Shqipëri.

Me vendndodhje në juglindje të Europës, në qytetin e vogël të Krujës, në lartësinë 557 metra, kjo kështjellë reflekton esencën e guximit me të cilin ajo u ndërtua. Pasi u rezistoi tre rrethimeve të mëdhenj të turqve në shekullin 15, kjo kështjellë nën udhëheqjen historike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut i rezistoi pushtimit otoman me një guxim të skajshëm.

Skënderbeu është ende një figurë e nderuar në Shqipëri, i njohur për taktikat e tij ushtarake. Në një prej përpjekjeve të pasuksesshme të rrethimit nga turqit, Skënderbeu i ngatërroi turqit duke dërguar një kope dhish me qirinj që digjeshin, të cilët ua kish lidhur tek brirët. Turqit menduan që ishte një sulm. Pas kësaj, Skënderbeu kreu një kundërsulm të fuqishëm dhe i mundi turqit.

Vetëm pas vdekjes së tij, otomanët morën kështjellën dhe e kontrolluan deri në vitin 1912. Kështjella e Krujës ka një muze të mirëmbajtur, i cili ka dokumentuar bëmat dhe mban sende të Skënderbeut.

Duke vazhduar më pas me Kështjellën e Kotorit në San Giovanni, Mali i Zi, Kështjella e Carevetsit, Bullgari, Château de Commarque, Francë, Kështjella e Dunluce, Irlandë, Kështjella e Charleville, Islandë, Kështjella e Edinburgut, Skoci, Kështjella Predjama, Slloveni dhe Kështjella e Chillinghamit, Angli. / KultPlus.com

Salvador Dalí: A mos jam gjení vallë?

Në moshën gjashtë vjeç doja të bëhesha kuzhinier. Në moshën shtatë vjeç, Napoleon. Edhe më vonë dëshirat e mia shtoheshin jo më pak sesa synimi për t’u ngjitur sa më lart drejt madhështisë.

Në ditarin e Stendalit përmenden fjalët e njëfarë markeze italiane, e cila, në një mbrëmje vere me vapë përvëluese, kishte provuar akulloren: “Sa keq që kjo nuk është një kënaqësi mëkatare!”. Kështu pra, kur unë isha gjashtë vjeç, ishte mëkat i madh të haje bukë në kuzhinë. E kisha të ndaluar nga prindërit të hyja në atë pjesë të shtëpisë. Mbaj mend që, duke kapërdirë jargët, gjeja rastin të depërtoja në sancta sanctorum (vendin e shenjtë), domethënë në vendin e kënaqësive të papërfytyrueshme. Megjithatë, ndonjëherë arrija të hyja atje, i ndjekur nga britmat e shërbyeseve… Dhe, ndonëse më kërcënonte ndonjë shuplakë e mirë, me shpirt ndër dhëmbë, rrëmbeja ose ndonjë copë mishi, ose ndonjë kërpudhë të skuqur dhe, në kulmin e ngazëllimit, dilja me vrap, gjë që e rëndonte edhe më tepër fajin.

Çdo gjë tjetër më lejohej. Ndërsa të hyja në kuzhinë, në asnjë mënyrë. Deri në moshën tetë vjeç shkruaja duke ndenjur shtrirë në shtrat, vetëm e vetëm sepse ashtu më pëlqente. Në shtëpi isha unë që mbretëroja e jepja urdhra. Për mua nuk kishte asgjë të pamundur. Babai dhe nëna vetëm që nuk faleshin përpara meje. Ditën e Infantës, midis dhuratave të shumta, mora edhe një kostum të mrekullueshëm mbretëror, një pelerinë të qëndisur me lëkurë të vërtetë kunadheje dhe një kurorë prej ari me gurë të çmuar. E    kam ruajtur për një kohë shumë të gjatë atë vërtetim të shkëlqyer (ndonëse si në maskaradë) të të qenit i zgjedhuri i familjes. Mbaj mend se shërbëtoret ruanin syçelë që gjëja e ndaluar për mua të mos shkelej në asnjë mënyrë, kështu që, sa më pikasnin, më zbonin… Dhe ja, unë po rrija si i ngurosur në gjysmerrësirën e korridorit, i veshur me rrobat mbretërore, në njërën dorë mbaja skeptrin, ndërsa në tjetrën, që më dridhej vazhdimisht, një kamxhik: isha gati t’i fshikulloja ato kafshë në mënyrë që ta merrnin vesh se me mua nuk mund të talleshin! Skena të tilla luheshin zakonisht afër mesditës, në atë orë sfilitëse të verës, kur në ajrin që nuk të mjafton për të mbushur mushkëritë, fillojnë e lindin vegime. Fshihem pas derës gjysmë të hapur të kuzhinës dhe dëgjoj se si vrapojnë, me sa kanë fuqi prapa meje, ato gra-kafshë me duar të kuqërremta, shoh trupat e tyre të fuqishëm dhe jelet e shpupuritura. Në vapën e mesditës, midis zhurmës së shurdhët të përgatitjeve të drekës, arrin deri tek unë duhma e thartë e djersës së grave, e kokrrave të rrushit, e vajit të nxehtë, e qimeve të hequra nga lëkura e lepujve të butë, e veshkave dhe e majonezës, që e mbulojnë aromën e gjellëve, dhe të gjitha këto bashkohen e bëhen njësh duke më krijuar ndjesinë e erës së kalit. E bardha e rrahur e vezës, që shkëlqen si rreze dielli, shpërthen nëpërmjet shtëllungave të tymit dhe resë së mizave duke ndriçuar pikërisht si shkuma që u del kuajve, të cilët, pas një vrapimi të gjatë nëpër rrugën e pluhurosur, fshikullohen deri në përgjakje. Siç edhe e thashë, unë kam qenë fëmijë i llastuar e i mbrapshtë…shkruan gazeta EXLIBRIS.

Vëllai im vdiq tre vjet përpara se të lindja unë, në moshën shtatëvjeçare, nga meningjiti. Babai dhe mamaja ime e ngushëlluan dëshpërimin e tyre me ardhjen time në jetë. Unë me tim vëlla ngjanim si dy pika uji: po ato fillesa gjenialiteti (më vonë, në vitin 1929, mua m’u shfaq vetëdija e prerë e gjenialitetit dhe, ndonëse u përforcua shumë brenda meje, nuk më shkaktoi asnjë shenjë nga ajo që quhet mani e madhështisë) dhe po ajo shprehje e shqetësimeve të kota. Ne dallonim vetëm në disa tipare psikologjike. Jo vetëm kaq, por edhe vështrimin ai e kishte pasur të ndryshëm, si të mbështjellë nga melankolia, nga një meditim “i pakapërcyeshëm”. Unë nuk isha dhe aq i mençur dhe, si për ta plotësuar këtë, më ishte dhënë aftësia të reflektoja për gjithçka. U bëra reflektues i shkallës më të lartë për shkak të “polimorfizmit tim të shtrembëruar”,* si dhe i prapambetjes fenomenale në zhvillim. Meqenëse më ishin ngulitur në tru disa kujtime të turbullta nga parajsa me prejardhje erotike të fëmijës së gjirit, me një kryeneçësi prej egoisti, kapesha fort pas kënaqësive. Në këtë fushë nuk hasja në kundërshtime, prandaj edhe bëhesha i rrezikshëm. Një mbrëmje, sesi i gërvishta me gjilpërë faqen tajës sime, vetëm e vetëm sepse shitorja ku ajo më çonte për të blerë ëmbëlsirat e mia të dashura ishte e mbyllur. Kështu pra, nuk kishte dyshim që unë isha një fëmijë plot gjallëri. Vëllai im ishte vetëm prova e parë e vetes sime, që ishte ngjizur tek unë me tepricë absolute.

Tani ne e kemi të qartë që forma është rezultat i dhunës prej inkuizitori mbi materien. Hapësira e shtyp atë nga të gjitha anët, kështu që materies i duhet të mbrohet dhe të tendoset, të arrijë deri në kufijtë e mundësive të saj. Kushedi sa herë, materia e frymëzuar nga vrulli i tepricës absolute, vdes, zhduket? Edhe materia më e aftë për t’u përshtatur, që është shumë më e thjeshtë në kërkesat e saj, i kundërvihet tiranisë së hapësirës, duke u rrekur t’i përmbahet thelbit të formës së saj origjinale. A ka gjë më të lehtë, më të lirë dhe më me fantazi se ngjyrimet e kristaleve minerale? Por edhe ato janë prodhim i “mjedisit koloidal” të përqendruar, i cili, duke i munduar, i mbërthen dhe i përmbledh në një strukturë të ngurtë. Degëzimet më të përkryera dhe më ajrore janë vetëm e vetëm një grafik i agonisë, i vuajtjeve të dëshpëruara, i frymëmarrjeve të fundit të materies, e cila vdes, por nuk dorëzohet, është ngjyrimi i fundit i botës së mineraleve. Por edhe për trëndafilin, ligji është po ai! Çdo lule bulëzon nën trysni. Liria është pa formë. Morfologjia (lavdi Gëtes që e ka shpikur këtë fjalë i ngazëllyer nga pafundësia krijuese e Leonardos), pra morfologjia na zbulon se, krahas mbretërisë fitimtare të hierarkisë së ngurtë të formave, ka edhe prirje më anarkike dhe më të ndryshme në lloje, të cilat gërryhen nga kundërshtitë.

Në këtë mënyrë mendjet e ngushta e të kufizuara u dogjën nga zjarret e Inkuizicionit të Shenjtë, shpirtrat heterogjenë dhe anarkikë mbartën mbi vete pasqyrimin e zjarrit të madhërishëm të morfologjisë së tyre shpirtërore. Siç e përmenda, vëllai im kishte pasur aftësi meditimi të një vetie të veçantë, të papërballueshme, e paaftë të ndryshonte pamje dhe që ndrydhte vetveten. Ndërsa unë, si e kundërta e tij, isha një shthurje polimorfe, e gjallë dhe anarkike. Të gjitha veprimet e mia të vetëdijshme shpreheshin në makutërinë time, dhe e gjithë makutëria bëhej një veprim i vetëdijshëm. Gjithçka ma ndryshonte pamjen dhe asgjë nuk ma ndryshoi thelbin. Unë kam qenë i plogët, frikacak dhe kundërthënës. Në ashpërsinë e mendimit spanjoll, natyra ime kërkonte shfaqjen më të madhërishme të kristaleve të gjalla, të përsosura dhe trillane të gjenialitetit tim të papërsëritshëm. Prindërit më pagëzuan Salvador, ashtu si tim vëlla. Dhe, nga kuptimi i emrit, mua më ishte paracaktuar, as më shumë e as më pak, por të shpëtoja Pikturën nga paqenësitë e modernizmit dhe kjo do të ndodhte në epokën e katastrofave, në atë gjithësi mekanike e të zakonshme, në të cilën ne, për fat të mirë dhe për fat të keq, jetojmë. Sikur të kisha mundësi të gjendesha në të Kaluarën, Rafaeli dhe të ngjashmit me të do të më dukeshin perëndi të vërteta. Ka të ngjarë që unë të jem i vetmi njeri që e kam kuptuar se pse sot është e pamundur t’u afrohemi formave rafaeliane. Krijimtaria ime, mua vetë më duket një fatkeqësi e madhe. Si mund të jetoja unë në epokën time, kur nuk do të kisha mundësi të shpëtoja dot asgjë! Por duke u kthyer tek e Tanishmja e quaj ogur të mirë që shumë mjeshtra i kam vlerësuar më tepër se veten, por, megjithatë, nuk do të doja të ndërroja vendin me asnjërin nga ata që sot janë gjallë.

Ta arrish dhe ta shprehësh kuptimin e jetës i vetmuar do të thotë të krahasohesh me titanët e mëdhenj të Rilindjes. E tillë është gruaja ime Gala (Elena Dmitrievna Djakonova, me prejardhje ruse), e cila qe lumturi për mua. Lëvizjet e saj fluturake, gjestet dhe aftësia për t’u shprehur, i ngjajnë Simfonisë së Dytë: shfaq tiparet arkitektonike të shpirtit të përkryer, që kristalizohet në begatinë e vetë trupit, në aromën e lëkurës, në shkumën detare të shndritshme të jetës së saj. Duke shprehur frymëmarrjen e stërholluar të frymëmarrjes së ndjenjave, plastika dhe aftësia e të shprehurit materializohen në arkitekturën e patëmetë prej mishi e gjaku.

Kur Gala pushon, mund të them se i ngjan kishëzës Tempieto di Bramanti, që ndodhet në afërsi të Shën Pjetrit Montozio, në Romë. Dhe ashtu si Stendali në Vatikan, unë më vonë, dhe pavarësisht prej tij, mund të vë në një rrafsh krenarinë e saj, kolonat e bukura, parmakët e butë e të qëndrueshëm, me pamjen fëmijërore të saj, shkallët hyjnore me buzëqeshjen e saj. Orë të tëra përpara këmbalecit të piktorit, duke e admiruar vjedhurazi, në kohën kur ajo nuk e vinte re këtë, unë i thosha vetes se ajo është një tablo po aq e bukur sa punimet e Vermejerit dhe të Rafaelit. Në një kohë që të tjerët, ata që na rrethojnë, na duken të vizatuar aq dobët, të skalitur aq dobët, saqë ngjajnë më tepër me karikatura të pështira, të laparosura në ngut e sipër nga ndonjë piktor i uritur në tarracën e ndonjë kafeneje.

Në moshën shtatëvjeçare unë doja të bëhesha si Napoleoni… Ja se si ndodhi. Në katin e dytë të shtëpisë sonë banonin argjentinasit Mammas. Njëra nga vajzat e asaj familjeje, me një bukuri përrallore, Ursula Mammas, sipas zërave që u dëgjuan, u bë katalanasja e vitit 1900. Flitej gjithashtu se Eugjenio d’Ors, në librin e vet “La Ben Plantada” (“Shtathedhura”), pamjen e kata-lanases e kishte pikturuar duke u nisur nga fytyra e saj. Në vitin tim të shtatë më kaploi joshja seksualo-aristokratike ndaj katit të dytë. Gjatë buzëmbrëmjeve të ngrohta, unë rrija për orë të tëra në tarracë, derisa fëshfërima sipër, që me zor ndihej, më tregonte se mbi mua po hapej dera e ballkonit. Në katin e dytë më donin aq sa edhe në shtëpinë time. Rreth orës gjashtë të mbrëmjes, përreth tavolinës monumentale në sallon, mbi të cilën qëndronte varur një i balsamosur lejlek, mblidheshin për të pirë mate disa zonja të mahnitshme, me flokët të fryrë dhe që flisnin me theks argjentinas. Mate-në e shërbenin në një enë të madhe argjendi, e cila kalonte nga njëra buzë te tjetra. Ajo afërsi e ngushtë buzësh më emociononte dhe më lindte në shpirt një qerthull i tërë pasionesh, në të cilin fillonin të shndrisnin majat e mprehta të xhelozisë.

Kur më vinte radha, edhe unë e gjerbja lëngun e ëmbël, që për shijen time ishte më i ëmbël se mjalti, ndërsa mjalti, më i ëmbël se gjaku. Sepse ime më, gjaku im, ishte gjithmonë po aty. Në këtë mënyrë, fillesa ime aristokratike ishte një marshim triumfal nga buzët në buzë, nga goja në gojë, kështu që unë doja të pija kupën e Napoleonit, pasi Perandori ndodhej gjithashtu në sallonin e katit të dytë, ndonëse jo personalisht, gjithsesi, aty ndodhej përfytyrimi i tij në faqen e një fuçie të vogël druri, në të cilën ruhej mate-ja. Ai Napoleon me rëndësi olimpike, me barkun e bardhë e të ngopur, me faqet e tij perandorake të trëndafilta, me kapelë të zezë, i përgjigjej pikë për pikë përfytyrimit tim të asaj se çfarë monarku mund të isha unë vetë.

Në atë kohë ishte në modë kënga:

Napoleon en el final

De un ramillet colossal.

Paraqitja e Napoleonit në faqen e fuçisë e kishte përpirë përfytyrimin tim, po aq të egër sa edhe e bardha e vezës në pjatë (apo ndoshta pa pjatë). Dhe i ndikuar nga Napoleoni i pijshëm, nëpërmjet mate-së ndodhi një kërcim i fortë i joshjeve të mia, nga kuzhinieri deri tek perandori. Pikërisht në këtë mënyrë, ndjesitë e mia erotike të grave-kuaj, që ecnin me galop nëpër kuzhinën tonë, u nxorën jashtë fushës sime të pamjes nga përfytyrimi i shndritshëm i Ursula Mammasit, i bukuroshes të llojit të vitit 1900. Më vonë do t’i përshkruaj me hollësitë e “makinës që mendon” zbulimet e mia. Njëra prej tyre, të paktën, është e bazuar në idenë e Napoleonit të pijshëm, në të cilin u mishëruan dy fantazmat e fëmijërisë sime të hershme. Jermi i buzëve (gojëve) dhe imperializmi i verbër shpirtëror. Kjo e shpjegon se pse pesëdhjetë kupa me qumësht të ngrohtë, të vendosura mbi një karrige të lëkundshme, ishin për mua njëlloj si kofshët buçkane të Napoleonit. Për ta përfytyruar një gjë të tillë, nuk duhet të jesh i çmendur! Kjo shprehej edhe në sende të tjera, që, të para në dritën e këtij libri, nuk janë më pak të çuditshme dhe më të pakundërshtueshme. Gjithsesi është e vërtetë: gjithçka, absolutisht gjithçka që them këtu, është tërësisht mëkati im, mëkati im i vetëm./KultPlus.com

Fort e dashtun vetja jeme


Nga Arjola Zadrima


Të falemnderës që më ban me kthy kryet me kuptu ecjen e këtij viti. Të falemnderës që nuk je pendue që je me mu. Të falemnderës për lehtësinë me të cilën e merr jetën ani pse shpesh ajo asht ma e ashpër. Sinqerisht të falemnderës që më ke rritë kaq shumë këtë vit sa me kuptue që thjeshtësia asht ajo që më gëzon. Të falemnderës posi për debatet që krijon brenda meje, për peripecitë që më ofron. Më njohe me fasadën e njerëzve dhe boshësinë që i karakterizon. Të falemnderës që më dhe mundësinë me dominu mirësia e jo ligësia jeme. Kuptoj ku gjendem. E dashtun vetja jeme të falemnderës që nuk eksperimenton me jetën e askujt dhe ekspertët e fushës i largove prej rrugës teme. Të falemnderës që emocionohesh prej lumtunisë së fëmijëve, kujdesit të prindve e dashnisë të atyne pak njerëzve që më rrethojnë. Të falemnderës që familjen e ke kriju brenda shpirtit tem. Të falemnderës që më lekund shpesh themelet dhe krijon vorbullat e sigurive të mia, kjo më ka ba ma të fortë. Të falemnderës që ende beson tek unë, kjo qënie kaq e pashpjegueshme, shpesh e pakuptueshme, kjo qënie kaq e komplikueme dhe e vërtetë.
Të falemnderës që ma dhe mundësinë me të dashtë aq fort sa me i largu njerëzit negativë, mendimet e papjekuna. Të falemnderës që më bane selektive, egoiste dhe mbi të gjitha realiste. Së fundmi të falemnderës që je ndryshe, që pranon diversitetin dhe mundohesh me u gjetë në këtë rruzull fasadash, vitrinash shumë ngjyrëshe, njerëzish hipokritë, me drita elektrike.
Të falemnderës për çdo çast që e përjeton sepse më bane kuptu se jeta asht kaq e pabukur pa mue.
Fort e dashtun vetja jeme e përshpirtshme, e pashpirt të falemnderës, të falemnderës shumë që ekziston. / KultPlus.com

Pamje magjepsëse nga Thethi, ngrijnë ujëvarat (FOTO)

Një ndër bukuritë më të veçanta në alpet shqiptare janë edhe ujëvarat, sidomos në stinën e dimrit kur uji ngrin duke ofruar një pamje magjepsëse.

Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dy prej ujëvarave që ndodhen në fshatin turistik të Thethit, ajo e Gjeçajve dhe Grunasit, e cila është shpallur edhe monument kulture, kanë dhuruar një spektakël të vërtetë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka publikuar sot disa fotografi nga ky fenomen natyror, që magjeps adhuruesit e natyrës.

Uji që zbret nga faqja e malit ka ngrirë deri poshtë në gropën e krijuar prej tij.
Thethi është fshati që ka më shumë ujë dhe ujëvara në Shqipëri, sepse ngado që të ecësh do të gjeni një burim uji. Në Theth janë më shumë se 80 burime uji, që nuk shterojnë asnjëherë.

Ujëvara e Grunasit

Ujëvara e Grunasit është një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare. Me vendimin e qeverisë Nr.676 dt 20.12.2002 është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti.  E lartë mbi 30 metër së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.

Kjo ujëvarë ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës.

Ujëvara e Gjeçajve

Gjatë rrugës tuaj për në qendër të fshatit, përveç bukurive mahnitëse që do të shikoni, kurorën me majat e maleve, do të shikoni edhe ujëvarën e Gjeçajve, e cila është sapo keni kaluar lagjen Gjeçaj rreth 30 metër, sipër rrugës nacionale, që të çon për në qendër, e cila është mjaft e bukur dhe e veçantë, rreth 25 metër e lartë./atsh/ KultPlus.com

Thënie nga Edgar Allan Poe

I lindur në vitin 1809, ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Një libër me tregime i Bukowskit botohet edhe në Kosovë

“Emancipimi i gruas” është libri me tregime i Charles Bukowskit i cili është përkthyer në gjuhën shqipe nga Fadil Bajraj, kurse është botuar në javën e kaluar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, shkruan KultPlus.

Përzgjedhjen e 21 tregimeve e ka bërë Fadil Bajraj, të cilët janë përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe.

Librin nga sot e gjeni në librarinë “Artini”, në librarinë “Dukagjini”./KultPlus.com