Qytetet e bukura të Shqipërisë në fokusin e fotografit australian Matthew Storer

Bukuritë e shqiptare gjithnjë e më shumë po tërheqin vëmendjen e turistëve dhe fotografëve të huaj.

Qytetet e bukura të Shqipërisë këtë herë vijnë në fokusin e fotografit australian Matthew Storer i cili ka sjell përmes një video vende, peizazhe e disa prej atraksioneve turistike që vendi ynë ofron.

Fotografi australian e nis videon me pamje nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, duke vijuar, me Beratin i quajtur ndryshe dhe si qyteti i një mbi një dritareve e për ta mbyllur me Himarën e Vunoin, qytetet të cilat tregojnë bukurinë bregdetare, në jug të vendit.

Shqipëria tashmë është shndërruar në një vend turistik europian ku ofron turizëm gjithëvjetor për shkak të klimës dhe atraksioneve të shumta turistike duke nisur që nga alpet e deri tek bukuritë e vijës bregdetare. /KultPlus.com

Befasia e West Side Family: Koncert në nder të Dr. Florit

Grupi “West Side Family” kanë përgatitur një befasi për publikun.

Ata do të sjellin në Pallatin e Kongreseve një koncert tribute për këngëtarin shumë të dashur për publikun e që i mungon shumë muzikës, Dr. Flori.

Ky koncert do të ketë risi në skenografi dhe në formën e Pallatit të Kongreseve.

Të ftuar do të jenë shumë bashkëpunëtorë që do të performojnë këngët e Dr. Florit.

Këtë koncert tribute e ka prezantuar me anë të një postimi në Instagram edhe Landi i cili shkruan:

“Ai ishte i vërtetë. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Ai ishte talent. Ai ishte pasionant. Për këto e shumë të tjera, ai ende mungon dhe do të mungojë gjithmonë. Kam parë dhe po shoh, kam dëgjuar dhe po dëgjoj dhe nuk dua të rrekem të shkruaj bukur, por për mua ai është dhe do mbetet i pazëvendësueshëm”. /KultPlus.com


Shpërngulja (e pavullnetshme) e shqiptarëve nga trojet e veta në Turqi

Marrëveshja turko-greke, 97 vjet më parë në Lozanë të Zvicrës, firmosi shkëmbimin e popullatës. Më 30 janar të vitit 1923, u nënshkrua në Lozanë, marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman, nga Çamëria) e Greqisë.

Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës, për turqit e Greqisë.

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks.

Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman, nga të vendosur në tokat greke.

Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi.

Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv.

Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e Mbretërisë Jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit.

Konventa:

Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke * (*Fjala është për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga regjioni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi.

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga regjioni i Serbisë së Jugut, dhe

– Njëherit vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyral në Turqi.

Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe pre-impotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë;

M.

Ekselenca e tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.

M.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1.

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fé, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turqishte.

Ndërsa, me këtë Konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2.

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj Konvente, janë si vijon:

1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:

Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishte); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:

Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës (Mitrovicë e Kosovës); Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).

3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin:

Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë).

Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).

Neni 3.

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj Konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj Konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4.

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve:

1. Në vitin 1939 – 4.000 familje

2. Në vitin 1940 – 6.000 familje

3. Në vitin 1941 – 7.000 familje

4. Në vitin 1942 – 7.000 familje

5. Në vitin 1943 – 8.000 familje

6. Në vitin 1944 – 8.000 familje

Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7.

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i perket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakëfit), kuptohet se kjo Konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8.

Qeveria jugosllave më 1. prill dhe më 1. tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 kiste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9.

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë:

30% në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë;

70% në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë – në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre.

Neni 10.

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11.

Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutat e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri.

Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se, për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare) të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 12.

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësuesit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13.

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera.

Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetët etj.; Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik.

Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet.

Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të certifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjendi, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh.

Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza. brendshëm, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk është i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15.

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhiro-llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detalizuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në Jugosllavia, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16.

Fondet, mallrat, vlerat, mobilet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17.

Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18.

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezantohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve.

Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq, dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19.

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullore të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis.

Neni 20.

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikso turko-jugosllav i përbërë nga nëpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21.

Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive.

Njëherit, nënshkruesit, këtë Konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

E hartuar në gjuhën frënge në vitin 1938/Konica.al / KultPlus.com

E bardha s’është veç një ngjyrë

Poezi nga Visar Emerllahu

“Bardhësitë” nuk janë më hiret e askujt
“Bardhësitë”parajsën zaptuan
Hapën pellgje ku fshihnin mortajën
Aty ku lahesha me ëndrra
Paqen kishin lyer me të bardhë
Mbi të shkrepnin rrufe gënjeshtrash
Derisa mashtrimi pikëlonte si rigë shiu.
Ngjyra që qenia prehet duke nusëruar ndjenjat
Uratat u bënë çamçakëza, përtypeshin lehtë
Fryheshin e plasnin si tullumbace.
Vdekja pikturon çdo moment
Nxin shpirtin për t’i dhënë jetë vuajtjes!
Gruri nuk e bën bukën, gatuajmë me pluhur
Jo të tokës, por të perjetësisë!
Unë e ti, që vdesim e dhimbjen lëm jashtë
Ajo vazhdon të jetoj në vaje zemrash
Trëndafilat e bardhë mbështjellin varrin
Që hapën “bardhësitë”!

Kosovarja që puth meshkujt nëpër botë, ftohet në emisionin e famshëm amerikan

Kosovarja Kristiana Kuqi ka marrë vëmendjen e madhe në rrjetet sociale muaj më parë me postime që kishin filluar të merrnin shumë pëlqime.

Vajza nga Kosova postonte fotografi duke u puthur me meshkuj që nuk i njihte, por këtë e bënte vetëm për të pasur fotografi e momente interesante në Instagram e rrejete tjera sociale. Kudo ku ajo kishte shkuar, Paris, Romë e qytete tjera kishte puthur meshkuj në rrugë.

Tash ajo po vazhdon të ketë vemendjen e emisioneve të ndryshme televizive në Amerikë. Së fundi ajo është ftuar në shoun e komedianit të njohur Steve Harvey.

Kritiana ka folur se ajo vjen nga Kosova, një vend që doli nga lufta, dhe ka rrefyer se pse kishte vendosur të bënte fotografi të tilla. Thotë se ajo dëshironte të shijonte momentet në vende të ndryshme dhe të tregonte para njerëzve se gjoja po kënaqet.

Kristiana thotë se është goxha punë e madhe t’i afrohesh një mashkulli, t’i kërkosh një puthje dhe pastaj t’i thuash ‘largohu tash’.

Thotë se e nisi në Paris, gjatë një vizite me shoqëri. Sipas saj, shumë vajza tjera e kanë provuar atë që kjo ka bërë, si një shenjë për të treguar lirinë dhe të mos paragjykohen nga cka bëjnë.

Kristiana, e cila sipas të dhënave në profilin e saj, është studente e diplomuar në një kolegj në Amerikë, në bazë të postimeve të saj është një vajzë që ka udhëtuar shumë dhe ka njohur kultura të ndryshme. / Gazetaexpress / KultPlus.com

23 vjet nga rënia e tre ushtarëve emblematikë të UÇK-së

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.

Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan, shkruan KosovaPress.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare, apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo që kishte parë kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje.

Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore, ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

Hakif Zejnullahu kishte një heshtje të jashtëzakonshme, ashtu siç e kishte edhe punën të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. /KultPlus.com

Stephen King flet hapur: Ndarja e çmimeve “Oscar” është e kurdisur

Shkrimtari i mirënjohur i romaneve horror e ka shokuar publikun me komentet për kriteret e ndarjes së çmimeve.

Stephen King i ka tërhequr komentet e tij kontroverse për diversitetin dhe ceremoninë e çmimeve Oscar. Në një ese të gjatë që e shkroi për “Washington Post”, ai pohon se Oscari është i manipuluar në dobi të të bardhëve.

King i zemëroi autorët dhe fansat pasi e postoi komentin në Twitter: “Kur votoj për një publikim si anëtar i Akademisë së Filmit, nuk e marr fare parasysh dallimin gjinor dhe racor në kuadër të çështjeve artistike. Vetëm cilësinë. Unë çdo mënyrë tjetër e konsideroj të gabuar”. King mund t’i kandidojë filmat në tri kategori “Oscar”: filmi më i mirë, skenari i adaptuar dhe skenari origjinal, kështu që me këtë rast e komentoi mungesën e njohjes për femrat dhe artistët zezakë në ndarjen e sivjetme të çmimeve.

“Ta hajë dreqi, Stephen. Mendova që je më i mirë se kaq. Duhet ta kesh të qartë se dallimi dhe cilësia nuk janë dy tipare të ndara, as nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përveç, mbase, në mendjen e një fanatiku,” komentoi Nora K. Jemisin. autorja e “The Hundred Thousand Kingdoms”.

Me të u darkorduan edhe shumë kolegë, të cilët shprehën keqardhje që një njeri i madh si King mund të jetë aq mendjengushtë, shkruan KOHA Ditore. Ata besojnë se cilësia është kudo, por që shumica e industrive besojnë në cilësinë e një mesatareje demografike – raporton Guardian.

King pastaj e shtoi edhe një postim tjetër për ta shpjeguar qëndrimin e tij të mëparshëm:

“Gjëja më e rëndësishme të cilën ne si artistë dhe krijues mund ta bëjmë është të sigurohemi që të gjithë e kanë një shans të barabartë, pavarësisht gjinisë, ngjyrës apo orientimit. Për momentin, njerëzit e tillë keqkuptohen, jo vetëm në art. Nuk mund ta fitoni një çmim nëse përjashtoheni nga gara për të njëjtat gjëra”.

Autori i njohur i zhanrit horror e shkroi një ese për Washington Post në të cilën theksoi se postimi dhe mesazhi i tij ishin nxjerrë nga konteksti. Ai në fakt tha se ata që vendosin për ndarjen e çmimeve duhet të jenë të verbër ndaj çdo dallimi (racor, gjinor dhe demografik) në mesin e artistëve. Shkrimtari pretendon se ai nuk tha që filmat, librat, shfaqjet dhe muzika që janë në fokusuar në dallimin ose pabarazinë nuk mund të jenë vepër e një gjeniu krijues. Mund të jenë dhe shpesh janë.

King në esenë e tij e vazhdoi tezën origjinale për atë që gjyqtarët duhet të jenë të verbër, por se kjo nuk është një botë e përsosur, sepse loja (Oscar) është e kurdisur për të fituar të bardhët. Ai e vendosi theksin në përqindjen e përbërjes demografike të votuesve për çmimin “Oscar”: 32 për qind janë femra dhe vetëm 16 për qind grupe minoritare.

“Vlerësimi i punës së dikujt sipas çfarëdo standardi tjetër, përveç paanshmërisë totale është fyes dhe e dëmton punën e të gjithë artistëve të shkëlqyer. Ne nuk jetojmë në botën e përsosur, ndërsa kandidimet e sivjetme të ndarjes së çmimeve “Oscar” edhe një herë e konfirmojnë këtë. Ndoshta një ditë do të mundemi? Mund të ëndërroj, apo jo? Në fund të fundit, unë trilloj tregime për të fituar para”, theksoi King. / KultPlus.com

Bukowski: Nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se sa një femër e mençur

Henry Charles Bukowski është një nga poetet më të njohur botëror. Ai ka shkruar shumë poezi, e tregime të shkurtra. Është autor i rreth 50 librave, përfshirë “Femrat” dhe “Zyra postare”, “Zonja vdekje” shkruan KultPlus.

Duke qenë se thëniet e tij tashmë janë shumtë njohura dhe shpesh përdoren në rrjete të ndryshme, KultPlus ju sjellë disa nga citatet më të mira të tij.

1. “Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin”.
2. Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
3.“Mua më pëlqejnë personat e hutuar, ata që sapo i përqafon duken të plotë, ndërkohë që më parë të dukeshin të thyer në mijëra copëza”.
4. “Unë nuk kam nevojë për dikë që të më përsërisë vazhdimisht se do të jetë aty, se nuk do të më lëshojë, apo se nuk do të më tradhtojë kurrë. Më mjafton dikush që në të gjitha rastet që të më dërgojë në djall, sërish të rikthehet tek unë”.
5. “Shpreheni atë që ndjeni. Mos kini frikë nga pasojat, sepse koha nuk fal askënd. Dashuroni, urreni, shpreheni çdo emocion të fortë që po përjetoni. Njerëzit janë spektakli më i bukur në botë, dhe për të cilin nuk paguhet ndonjë biletë”.
6. “Një nga ndjesitë më të bukura në botë është kur përqafon dikë dhe ai person të shtrëngon akoma më fort”.
7. “Mund të them se dashuria është si alkooli. E provon një herë, të trullos kokën, por sërish do një gotë tjetër, një tjetër, e kështu me radhë. Të bën të ndihesh keq, aq keq sa nuk do ta provosh më. Por, më vonë, që me gotën e parë do të tundohesh dhe nuk do të thuash dot “Jo””.
8. “Asnjë marrëdhënie nuk është një humbje kohe : nëse personi tjetër nuk të ka dhënë atë që kërkoje, dije se të ka mësuar gjënë për të cilën kishe vërtet nevojë”.
9. “Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë”.
19. “Gjej atë çfarë e dëshiron dhe më pas leje që të të vras”./ KultPlus.com

Facebook dorëzohet para ligjit, do paguajë 500 milionë euro për shkelje privatësie

Gjiganti i rrjeteve sociale ‘Facebook’ tha të mërkurën se kishte arritur një ujdi 550 milionë dollarëshe (500 milionë euro) që lidhej me një padi. Padia pretendonte se rrjeti social mblodhi në mënyrë të paligjshme dhe ruajti të dhëna biometrike për miliona përdorues pa pëlqimin e tyre.

Procedimi gjyqësor filloi në 2015, kur përdoruesit e Illinois akuzuan Facebook-un për shkeljen e Aktit të Intimitetit të Informacionit Biometrik të shtetit në mbledhjen e të dhënave biometrike, raporton Daily Mail.

Firma nën pronësinë e ‘Facebook’ dhe Instagram’ dyshohet se e realizoi këtë përmes tiparit”Suggestions Tag”, i cili lejoi përdoruesit të njohin miqtë e tyre në rrjetin social nga fotot e ngarkuara më parë.

Sipas ligjit të shtetit, kompanitë duhet të marrin leje qartazi, para se të mbledhin të dhëna biometrike – përfshirë skanime të fytyrave, shpjegoi Washington Post.

Vendimi erdhi pasi Facebook-ut iu refuzua kërkesa për ri-gjykim nga Gjykata Supreme.

Në një deklaratë, firmat juridike Edelson, Robbins Geller dhe Labaton Sucharow thanë se paditësit do t’i kërkojnë gjykatës së qarkut të japë miratimin paraprak për zgjidhjen e kontestit. / KultPlus.com

Çfarë thoshte Rugova më 1992 për “Der Spiegel” rreth ndarjes së Kosovës

Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-të. Për këtë është pyetur edhe Ibrahim Rugova në intervistën e dhënë për “Der Spiegel” gjatë 8 qershorit 1992.

“Serbët shikojnë me këtë ‘ndarje’, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”, thoshte Rugova.

Der Spiegel: A do të kthehet Kosova në betejë të ardhshme të Ballkanit?

Ibrahim Rugova: Ushtria Jugosllave është e dërmuar pas disfatës së rëndë në Slloveni, duke dashur që këtë ta mbulojë me ndonjë luftë tjetër. Udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq është i pasigurt, shtuar kjo edhe pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Nëse ai do të vendoste intervenim ushtarak kundër Kosovës, atëherë nuk do të ishte çudi nëse edhe OKB-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Personalisht do kërkoja ndihmë ushtarake nga jashtë, nëse Serbia e kërcënon Kosovën.

Der Spiegel: Presidenti kroat, Tuxhman, ka kërkuar disa herë që shqiptarët të hapin frontin e jugut kundër Serbisë. A jeni tërhequr ju nga ky front?

Rugova: Indirekt Po. Neve shpesh na është kërkuar të mbështesim politikën pasive të rezistencës gandiane. Fatkeqësisht koalicioni mes sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve është shembur. Gati një vit unë s’kam kontakte me Zagrebin.

Spiegel: Serbia pretendon se shqiptarët e Kosovës janë deri në dhëmbë të armatosur?

Rugova: Vlen e kundërta, ne s’kemi armë zjarri.

Spiegel: A ka shanse që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?

Rugova: Njohja e Kosovës është më e mirë se e kundërta e saj – domethënë se një krizë permanente në kufijtë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm të shpallim një shtet neutral dhe të evitojmë bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyral.

Der Spiegel: Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë të paprekshëm?

Rugova: Udhëheqësia shqiptare është nën presion, pasi edhe situata ekonomike në Tiranë është e rënduar. Por, kjo nuk vlen nëse do të kishte luftë. Ata do të na ndihmonin në një gjendje të tillë.

Der Spiegel: Për çfarë ndihme bëhet fjalë?

Rugova: Në gjendje lufte me ne do solidarizoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Atje janë rreth 40% dhe jo 20% siç pretendohet nga regjimi i Shkupit. Natyrisht unë shikoj rrezikun e ndërkombëtarizimit të konfliktit, pasi edhe Bullgaria mund të kyçej në luftë nëse “destabilizohej” Maqedonia, duke u shfaqur si shpëtuese.

Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore ti takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë.

Der Spiegel: Kosova në vitin 1974 de fakto kishte statusin e republikës, pse erdhi deri në protestat e dhunshme të 1981.

Rugova: Prej çlirimit nga turqit ne dëshironim shtetin tonë të pavarur. Në Jugosllavinë e 1918 ne nuk përfaqësoheshim si pjesë e Serbisë, por të pavarur, pra si Kosovë. Për kombin tonë është tragjedi të jemi nën shtypjen serbe.

Der Spiegel: Si e sqaroni ju këtë shtypje?

Rugova: Ne asnjëherë s’kemi pasur të drejtat të njëjta me kombet tjera. Prej 1990 janë arrestuar dhe burgosur 100.000 shqiptarë, nga punëtori i thjeshtë deri te profesorë të njohur. Papunësia te shqiptarët sot arrin 90%. Situata ekonomike është katastrofale. Mbijetesa jonë është falë remitencave të diasporës.

Der Spiegel: Kryeministri serb ju ka ftuar për takim në Beograd. Do shkoni ta takoni?

Rugova: Nuk kam marrë dakordësi nga “gjithë partitë e Kosovës” për të zhvilluar bisedime. Edhepse serbët janë zhytur deri në fyt, ata duan ti tregojnë botës se janë të gatshëm për bisedime. Ne e dimë prej tani se policia në Kosovë kërkon të pezullojë parlamentin e Prishtinës qoftë edhe me dhunë. Për Kosovën duhet të ketë takime, por më së miri me ndërmjetësimin e shteteve të Evropës.

Der Spiegel: Sa kohë ka mbetur deri te zgjidhja paqësore?

Rugova: Numri i radikalëve rritet nga ditë në ditë. Fatmirësisht e mbaj situatën akoma në kontroll- por me shumë vështirësi. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë patriotë, duke u shqetësuar për të ardhmen. Por unë nuk mund të premtoj, që ata një ditë të kthehen në nacionalistë. Jugosllavia është shpërbërë. Të gjitha kanë krijuar shtetet e tyre, por çdo ndodhë me 2 milionë shqiptarët? / KultPlus.com

‘Athinë ishte kur flitej arbërishte’

“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, – kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari, nga çdo banor i Salaminës, si dëshmi për historianin grek, Tasos Karantis. Janë dy studime të botuara në revistën greke, “Rrezet e grekëve”, për historinë e arvanitasve në Greqi.

Në këto studime evidentohet se, në shumicën e krahinave të Greqisë, duke përfshirë edhe Athinën, gjuha mbizotëruese ishte ajo e arvanitasve ose siç e quanin ata, arbërisht.

Në një faqe të kësaj reviste, artikulli në fjalë paraqet atë çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin. Të dhënat vijnë nga vepra e Dhimitriu Bizantiut, shkruar në vitin 1836.

Ja çfarë shkruan ai, konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi, se banorët e fshatrave përreth Atikës, por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar, flisnin një gjuhë që arvanitët e moshuar e quanin: ‘arbërisht’, gjuhë që ishte e njohur gjerësisht si arvanitëshe”

Në vijim, ai krahason fshatrat greke dhe ato arvanitas/arbëreshe, ku sipas tij, nuk ekzistonte asnjë dallim. Madje, deri në shekullin XX gjuha që mbizotëronte në këto fshatra dhe brenda në Athinë, ishte arbërishtja.

Ndërkohë, vjen dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis, për arvanitët e Salaminës, i cili tregon sesi me krenari, banorët e saj thoshin se: “Eimai arbanitis kai milao arbanitika (Jam arvanit dhe flas arvanitika)”.

Këta vendas, thoshin se “gjuha është e ‘tatërve (etërve) tanë, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike – gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve.

Përshtati: Hera Lera . / KultPlus.com

Publikohet për herë të parë letra që Princeshë Diana e la për dy djemtë e saj

Një ish-shërbëtor i Princeshës Diana, së fundi ka publikuar një letër private të Princeshës që nuk është publikuar më parë, shkruan KultPlus.

“Unë i dua djemtë dhe shpresoj që farat e mbjella të rriten dhe të sjellin forcën, njohurinë dhe stabilitetin që është i nevojshëm”, thuhet në një fragment të publikuar.

Paul Burrell në postimin e tij sqaroi edhe arsyen se përse po e bënte publik mesazhin tani: “Janë fjalët e një dashurie të pakushtëzuar të një nëne dhe janë po aq të rëndësishme sot, sa ishin kur ajo i shkruajti ato mbi 24 vjet më parë.”

Vlen të ceket se së fundi familja mbretërore është përfolur shumë, pikërisht për faktin se Harry, djali i Princeshës së ndjerë, ka hequr dorë nga trashëgimia mbretërore.

Harry është shprehur se mania e paparacëve dhe mediave britanike për familjen e tij, i kujton atë që ndodhi me nënën e tij, dhe tha se ai po tërhiqet për të mbrojtur familjen. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B7yDcEVj9C-/

Hapet katedra e parë e Albanologjisë në Amerikë, atdhetari shqiptar dhuroi 5 milionë dollarë

Në qytetin Çikago, sivjet është hapur katedra e parë e Albanalogjisë  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Katedra  është hapur falë donacionit prej 5 milionë dollarëve që e ka dhuruar atdhetari Idai Edy Bregu, një mërgimtar i hershëm shqiptar në SHBA. Në testamentin e hapur pasi ai ka ndërruar jetë, thuhet se një pjesë të pasurisë ia dedikon hapjes së të një katedre të Albanalogjisë, nevojë e kamotshme për shqiptarët në Amerikë.

Katedra e Albanologjisë funksionon në kuadër të Universiteti De Paul në Çikago, kurse udhëheqës i saj është  profesori Gazmend Kapllani, që deri tani ka ligjëruar në universitete dhe kolexhe të ndryshme në SHBA.

Në intervistën ekskluzive për Gazetën Lajm dhe për Lajm Tv, Kapllani sqaron në detaje aktin e madh të veprimtarit Bregu.

Në disa universitete amerikane prej më herët ekzistojnë programe për mësimin e gjuhës shqipe, mirëpo një katedër për studime të kompletuara albanologjike, hapet për herë të parë.

Kapllani flet edhe për misionin kryesor të kësaj katedre, e cila së shpejti do të përforcohet edhe me intelektualë tjerë shqiptarë.

Katedra po bëhet gati të pranojë studentët e parë. Përveç të rinjve me prejardhje shqiptare, dyert e katedrës do të jenë të hapura edhe  për student të komuniteteve tjera në Amerikë, që kanë interesim të studiojnë albanologjinë.

Në kuadër të katedrës së Albanologjisë në Çikago do të themelohet edhe Aleanca Shqiptaro-Amerikane, e cila do të grumbullojë intelektualët e rinj shqiptarë në Amerikë, e që për qëllim do të ketë angazhimin e diasporës në çështjen shqiptare, por edhe në avancimin e mëtejme të raporteve shqiptaro amerikane. / KultPlus.com

72 vjet nga vdekja e Mahatma Ghandit, njeriut të paqes

Mahatma Ghandi një udhëheqës i shquar politik dhe ideologjik i Indisë gjatë “lëvizjes indiane për pavarësi”. Ishte i pari i lëvizjes që kishte për bazë fuqinë e shpirtit (Satyagraha ), shkruan KultPlus.

Sot, në 72 vjetorin e vdekjes së njërës prej figurave më të shquara të historisë botërore të paqes, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të tij.

-Jeta ime është mesazhi im.

-Lumturia është kur ajo që mendon, ajo që thua dhe ajo që bën janë në harmoni mes tyre.

-Në fillim të injorojnë, pastaj qeshin me ty, pastaj të luftojnë, dhe pastaj ti fiton.

-Jo-dhuna është forca më e madhe në dispozicion të njeriut. AJo është më e fuqishme edhe se arma më e fuqishme e shkatërrimit që njeriu ka krijuar ndonjëherë.

-Urre mëkatin, duaje mëkatarin.

-Njeriu i mirë është mik i të gjithë gjërave të gjalla.

-Unë e kundërshtoj dhunën, sepse kur ajo duket se po bën mirë, e mira është vetëm e përkohshme; ndërsa e keqja që ajo shkakton, është e përjetshme.

-Cfarë është e vërteta? Pyetje e vështirë, por unë për vete e kam zgjidhur, duke thënë se ajo është “ajo që zëri i brendshëm të thotë”.

-Të dobëtit nuk mund të falin asnjëherë. Falja është virtyt i të fortit.

-Asgjë nuk më ka trishtuar më shumë në jetë, se sa ngurtësia e zemrës së njerëzve të arsimuar.

-Ti duhet të jesh ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë.

-Shëndeti është pasuria e vërtetë, dhe jo copat e floririt dhe argjendit.

-Mënyra më e mirë për të gjetur veten, është ta humbasësh veten në shërbim të të tjerëve.

-Nuk duhet të humbasësh besimin tek njerëzimi. Njerëzimi është një oqean; nëse disa pika në oqean janë të pista, vetë oqean nuk bëhet i pistë.

-E ardhmja varet nga ajo që bën sot.

-Kur admiroj bukurinë e perëndimit të diellit apo bukurinë e Hënës, shpirti im zgjerohet në adhurim të krijuesit.

-Dallimi mes asaj që bëjmë dhe asaj që jemi në gjendje të bëjmë, do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e botës.

-Mund të mos dish asnjëherë se cfarë rezultatesh do të kenë veprimet e tua, por nëse nuk bën asgjë, nuk do të kesh rezultate.

-Paqja është arma më e fuqishme e njerëzimit.

-Të humbasësh durimin është të humbasësh betejën.

-Jeto sikur do të vdesësh nesër. Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.

-Intoleranca është në vetvete një formë dhune dhe një pengesë për rritjen e një shpirti të vërtetë demokratik.

-Mosmarrëveshja e ndershme është shpesh herë një shenjë e mirë progresi.

-Në botë ka mjaftueshëm për nevojat e njeriut, por jo për babëzinë e njeriut. / KultPlus.com

Shpirti në venitje

Poezi nga Lefter Çipa

Si kalojnë vitet, si gjumi në varre,
Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre.
Shpirti më venitet, se s’pret më behare,
Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.

Po më duken ditët, netë me errësirë,
Sikur vërtet thikët, zemërën ma grijnë.
Çdo gjë është e kriptë, qumështi bëhet hirë,
dhembje përmbi brinjë, loti loton sytë.

Koha vërtet ngriu, sytë u mjegulluan
Trupi seç më shkriu, m’u prenë këmbë e duar.
S’më fryn më veriu, se më ka harruar,
Më harrojnë qejflinjtë, me ‘ta kam kënduar.

S’di ç’mu bë guximi, pse më është larguar?
Nga meraku shpirti, më rri i trazuar.
S’po duket bilbili, ka kohë pa dëgjuar
Apo s’vjen më prilli që ish shok me mua?!

Verë e hidhëruar, duhani m’është prerë,
Kujtesa mërguar, s’ka më për tu kthen’,
Dashuritë u shuan, s’duroj dot më erë,
Fjalë e sertësuar, plakë e s’e merr dhenë.

Paska qenë kjo jetë, një erë e shpejtuar,
Gjumërehatin humba, gëzim pakësuar.
Pa mundime s’ngelem, unë mundim-rënduar
Dot tek vetja s’mbeta, lundroj dëshpëruar.

Hapësirë e ngushtë, deti një kazan
Errësirë e shumtê, nata veç më plak.
Besimi i ngurtë jep e merr me xhan.
Filli n’u këputtë, s’më vjen keq aspak. / KultPlus.com

‘Disa njerëz besojnë se kanë lindun me të drejtën për t’i gjykue të tjerët’

Shkruan: Arta Maxhuni

Mania për me kritikue

Disa njerëz besojnë se kanë lindun me të drejtën për t’i gjykue të tjerët. Tue pa tansinë e diskursit të shoqnisë sonë, fjala e lirë kuptimisht po shkrihet në shpërdorim, me te tana mënyrat e hapësinat e pushtetit të saj. Çlirimi krahas ndryshimeve që solli, i dha hv edhe fjalës së lirë, e cila ‘atëbotë’ jo vetëm që ishte e mohueme, por për shkak të saj, njerëzit dënoheshin në mënyrat nga ma çnjerëzoret.

Me gjasë, kjo dhe asht arsyeja pse na jemi t’uritun m’u shpreh, me kumtue mendimet; gëzuem të drejtën e fjalës deri në cakun ma të tejmë të saj, pa ça kryet për shkeljen që u shkaktojmë të tjerëve, për faktin se nuk dimë që ekzistojnë kufij që ndajnë të drejtën dhe shkeljen.

Forca e rrjeteve sociale po u jep përdoruesve mundësinë t’i bajnë opinionet e tyne të lexueme nga nji masë e madhe, ka ndihmue poashtu në kultivimin e nji “fortese të zemërimit” që, sipas ekspertëve, kërcënon bisedat e dobishme. Lajmet e egra përmes mediave sociale mund të formojnë emocione morale n’atë mënyrë që ta bajnë ma të vështirë ndryshimin e shoqnisë për të mirë.

Fjala e lirë asht në krizë dhe si e tillë kurrë nuk ka kenë ma e lirë dhe ma e parregullueme. Keqpërdoret deri n’atë masë, sa që tjetri me jetue me frikë e dyshim, ku e vërteta dhe e pavërteta përzihen mundimshëm.

Fyerjet publike, fjalori i ulët, shpifjet që prekin dinjitetin e tjetrit me identitete të rreme, tue shkaktue konflikte me ndikim psikologjik në te tana format e dhunës verbale, psikike deri te ajo fizike.

Të qenunit anonim u jep rahatllakun e opinionbamjes dhe komunikimi bahet ma interesant, intensiv e agresiv, tue kalue nëpërmjet përçamjes së strukturës sociale, shpeshherë me tendencë të deformimit të realitetit. Shakaja online asht kthye n’industri të zhvillueme e të fuqishme, fal’ së cilës fyemjet dhe rrenat hidhen nëpër televizione, radio, n’internet dhe në shtyp pa asnji problem. / KultPlus.com

Hapet “Oda e Kulturës Zadrimore” në Lezhë

Ripërtëritja e traditës dhe vlerave historike kulturore, janë një mundësi e mirë për angazhimin e të rinjve në aktivitete të ndryshme, ekonomik sociale, që gjenerojnë punësim dhe përfitime ekonomike.

Në Gjadër, bashkia Lezhë, është inaguruar Qendra Kulturore “Oda e Kulturës Zadrimore” në kuadër të projektit “Krenaria Folklorike dhe Turistike e Lezhës”, i cili zbatohet nga Fondacioni Mary Ward Loretto në kuadër të projektit ” ReLOaD- Programi Rajonal per Demokraci Vendore financuar nga European Union in Albania e që zbatohet nga PNUD në bashkëpunim me bashkinë Lezhë.

Projekti ka si qëllim kryesor që nëpërmjet organizimit te festave lokale të komuniteteve te Lezhës, të promovojë jetën social kulturore dhe turizmin lokal të zonës.

Të angazhoje te rinjtë dhe njerëzit e artit dhe sportit për të gjallëruar jetën social kulturore dhe të promovojë turizmin lokal.

Kjo qendër do t’i shërbejë shkollës dhe komunitetit të zonës e do të jetë një model për tu ndjekur nga njësitë administrative të tjera në Lezhë.

‘Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit…”

Nga Gabriel Garcia Marquez

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet

Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort,fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri..

Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.

Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë. Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjeri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta. / KultPlus.com

Jeta sekrete e grave japoneze Yakuza

Fotografja Clhoe Jafe shpenzoi gjashtë vjet për të dokumentuar jetën dhe intimitetin e grave të martuara me anëtarët e Yakuza, organizatës së krimit të organizuar në Japoni. Në një rrëfim të rrallë për BBC, Jafe tregon gjithçka si më poshtë:

“Për ta nuk mund të flasësh në publik, nuk mund ta shqiptosh emrin “Yakuza” ose, nëse e bën, vetëm me zë të ulët ose fare fare, me një gjest – tregon ajo.

Projekti im për gratë e mafias japoneze filloi në vitin 2013. Kisha shkuar në Japoni dhe u interesova për rolin e grave në shoqërinë japoneze.

Kuptova se ishte një projekt për të cilin duhet të angazhohesha 200%, kështu e futa veten të punësohesha si një “eskortë”.

Një shoqëruese është një person që u shërben klientëve, që u afron sake (pije nga orizi) që i dëgjon klientët dhe qesh me ta e asgjë tjetër. Nuk ka marrëdhënie seksuale.

Para se të fillonte realisht projekti, para takimeve që bënë diferencën, ishte takimi me bosin, për të cilin prita shumë. Në fund të ditës, kur unë  kisha përshtypjen se kisha humbur në një rrugicë të errët, bosi erdhi me badigardët e tij!

Sigurisht që në atë moment unë nuk e dija se cili ishte ai. Pata ndjesinë që ishte dikush i rëndësishëm, por jo bosi. Në një moment, ai më kërkoi të pinim një birrë.

E ndoqa nga pas dhe u ula në tavolinë me këtë bos dhe shumë njerëz të tjerë sepse ishte një festë me shumë të ftuar. Ishte dhe një polic që më tregoi dokumentin e tij dhe më shpjegoi se unë isha ulur në krah të një bosi të madh Yakuza.

Ky ishte për mua fillimi i një historie, që zgjati gjashtë vjet dhe aktualisht vazhdon.

Fotografimi i grave të tyre ishte shumë më kompleks sepse unë duhej të fitoja së pari besimin e burrave të tyre dhe më pas, të grave.

Në fillim, marrëdhënia me gruan e bosit ishte shumë e vështirë, sepse ajo nuk dinte çfarë të mendonte për mua: A isha e interesuar për burrin e saj? A isha e interesuar për paratë e tij? Cili ishte synimi im? Pra, nuk ishte e qartë për atë së pari, tregon Jafe.

Fotografia e parë që i bëra gruas së bosit ishte nga mbrapa dhe me rroba veshur. Për mua qe si derë e mbyllur. Shpesh kisha fotografuar gra nga pas, por ato kanë qenë të zhveshura. Ti duhet të fitosh besimin e tyre, por kjo varet edhe nga burrat e tyre. Ato nuk mund të vendosin vetë kur duhet të fotografohen dhe kur jo. /syri.net/ KultPlus.com

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Alda Bardhyli, tashmë një emër i njohur në botën e librit dhe botimeve, do të drejtojë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në llogarinë e saj personale në rrjetin social Facebook, ku është shprehur se  kjo gjë është një lajm i mirë i këtij fillimviti.

‘’Hapja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, puna për të cilën ka nisur prej kohësh, është lajmi i mirë i këtij fillimviti. I urojmë suksese drejtores së QKLL, Alda Bardhyli, në këtë sfidë të re, në orientimin sa më të mirë, të politikave tona, që lidhen me një fushë kaq të rëndësishme, siç është libri”, shkruhet në postimin e Margaritit.

Qëndra Kombëtare e Librit u hap një vit më parë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror.

Si përgjegjësi kryesore e Qendrës janë funksionet që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, duke kontribuar edhe në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton programet dhe financon projektet në fushën e librit. Po ashtu, kjo qendër mbështet botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore edhe në format të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara.

Qendra, nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me protokoll bashkëpunimi për vitin 2020/21

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) nënshkruan sot në Tiranë protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021.

Ky protokoll, i cili u nënshkrua nga kryetari i ASH-së, akad. Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK-së, akad. Mehmet Kraja, mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim.

Ndër përparësitë kryesore të këtij protokolli janë: ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare; botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia).

Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe./atsh/ KultPlus.com

“Bota është në duart tua, shfrytëzoje atë”

Phil Collins është këngëtar, baterist, tekstshkrues, multi-instrumentist dhe aktor anglez.

Si këngëtar Collins ka arritur sukses të madh me grupin “Genesis” e poashtu edhe si artist solo, ku shquhet kënga e famshme “Another day in paradise” me të cilën arriti famë botërore.

Gjatë karrierës Collins ka bashkëpunuar edhe me shumë artistë të njohur.

Diskografia e tij përfshin tetë albume që janë shitur në 33.5 milionë kopje në SHBA dhe rreth 150 milionë në mbarë botën, për t’u bërë kështu njëri nga artistët më të shitur të të gjitha kohëve.

Phil Collins ka hyrë në Hollyëood Walf of Fame në vitin 1999, e poashtu është përfshirë në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 2010 me grupin “Genesis”.

Në ditëlindjen e Collinsit, KultPlus më poshtë sjell disa thënie të tij të njohura:

“Bota është në duart tua, shfrytëzoje atë”

“Përtej një pike, muzika më nuk është e imja, është e juaja”

“Unë nuk jam këngëtar që luan në daulle, unë jam daulle që këndon ngapak”. /KultPlus.com

“Kosova po humbë pasurinë më bazike dhe të çmueshme që ka një shtet, njerëzit!”

 

Ese nga Flora Halimi

“Sa gjenerata krra-krra-krra u hodhën plepat krahë me krahë u plaken, linden ikën larg po se harruan atë prag”. Me vargjet e Dritëro Agollit në poezinë “Lejleku”, fatkeqësisht shohim realitetin e dhimbshëm që po vazhdon të na përcjell edhe në ditët e sotme. Është për të ndjerë keqardhje, që e gjithë kjo katrahurë fatkeqe po shkaktohet nga funksionarët e shtetit dhe mos përgjegjësia e institucioneve. A thua vallë si do të ndikojë i gjithë ky fenomen në shoqërinë tonë nëse ky trend edhe më tej vazhdon? Në një raport të dhënë për media, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës – APRK, tregon bilancin e migrimit në Kosovë, për vitin 2017 ishte -5,431 apo 0.30% e popullsisë rezidente. Për periudhën 2012-2017 vlerësohet se Kosova ka humbur 128,088 banorë apo rreth 7.15% e popullsisë së vendit. Indikatorët të cilët po ndikojnë direkt në migrimin e popullsisë janë: mungesa e vende të punës, arsimi jo cilësor, humbja e besimit në institucionet e drejtësisë etj. Pra, e gjithë arsyeja e ikjes mbështillet në synimin për jetë më të mirë. Pasojat që lënë këto migrime konsiderohen të jenë të mëdha dhe me peshë të rëndë. Ndër këto pasoja bëjnë pjesë: mungesa e kuadrove profesionale, mungesa e fuqisë punëtore si dhe ngecjet në shënimin e progresit me fusha të caktuara. Se migrimi e ka prekur dukshëm edhe arsimin tregojnë edhe ekspertët e arsimit nga “Kosovo Education Center” që tregojnë për rënien e numrit të nxënësve. “Krahas natalitetit në vitin shkollor 2008/09, 443.912 fëmijë kanë qenë të përfshirë në arsimin parauniversitar, ndërsa në vitin shkollor 2018/2019 ky numër ka rënë në 361.875 që paraqet zvogëlimin prej 22.6% brenda një dekade”. Nga kjo mund të themi se Kosova rrezikohet nga zbrazja e shkollave me nxënës si dhe mbyllja e tyre. Segment tjetër i rëndësishëm që prek migrimi është edhe fuqia punëtore e kualifikuar. Me një përmbledhje del se nga kjo dukuri po preken të gjitha kategoritë e shoqërisë si nxënësit, studentët, mjekët, arkitektët etj. Është e domosdoshme të ndërmarrim hapa të shpejtë në këtë drejtim, ngase Kosova po e humbë pasurinë më bazike dhe të çmueshme që ka një shtet, njerëzit! / KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.

“Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij është morali i përgjithshëm”

Thëniet më të bukura për edukatën.

“As armiku më i madh nuk mund të sjellë më shumë dëme sesa mungesa e edukatës e cila gjithë jetën duhet të merret sikur të ishe foshnje.”

“Edukimi duhet të jetë në gjendje ta bëjë edhe trupin edhe shpirtin sa më të mirë dhe sa më të bukur.”

“Edukimi është buka e shpirtit.”

“Më e mira që e njohu dhe kuptoi njeriu në jetë është të mësuarit.”

“Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij është morali i përgjithshëm.”

“Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.”

“Themeli i çdo shoqërie, pa përjashtim, është edukimi i të rinjve.”

“Duhet që fëmijët të mos i krekosim e t’i fryjmë me lëvdata sepse zgërlaqen dhe vetëpërkëdhelen.”

“Të luash që të mësosh, të kombinosh mësimin me lojën.”

“Arsimimi është çelësi i suksesit tuaj, ai është fytyra e mendjes së njeriut.”

“Njeriu që është i aftë t’i bëjë gjërat e rënda të ndjehen të lehta, është mësues.”

“Që ta bësh të thjeshtën të ndërlikuar, kjo është e zakonshme, por që ta bësh të ndërlikuarën të thjeshtë, vërtetë të thjeshtë, kjo është krijimtari.”

“Ju nuk mund t’i mësoni dikujt asnjë gjë; ju vetëm mund ta ndihmoni që ai ta gjejë vetë atë.”

“Një nga defektet kryesore në mësimdhënie është se ne i japim shumë rëndësi zhvillimit të kujtesës dhe shumë pak zhvillimit të mendjes; ne i japim shumë rëndësi marrjes së dijes dhe shumë pak aplikimit gjerësisht të saj.”

“”Një mësimdhënës që synon të japë mësim pa i frymëzuar nxënësit e vet me dëshirën për të mësuar, rreh me çekan një hekur të ftohtë.”

“Kultura? Ulërima që njerëzit i bëjnë në fytyrë fatit të tyre.”

“Edukata është ajo që mbetet kur gjithçka e mësuar harrohet.”

Një histori e shkurtër në lidhje me rëndësinë jetike të edukimit:

Një djalë vodhi në shkollë fletoren e një shoku të klasës, dhe ia shpuri s’ëmës. Ajo, jo vetëm nuk e qortoi, por për këtë e lavdëroi. Kështu për herë të dytë vodhi një pallto dhe ia solli. Ajo e priti me dëshirë dhe kështu me kalimin e kohës, kur djali u bë adoleshent, bënte grabitje të mëdha.

Një herë e zunë duke vjedhur dhe, pasi e lidhën me hekura, po e shpinin te xhelati. E ëma e ndiqte dhe rrihte gjoksin. Atëherë djali tha se kishte një amanet të fundit që dëshironte t’ia thoshte të ëmës në vesh. Kur ajo vrapoi drejt tij, ai i kafshoi veshin dhe ia preu. Dhe ndërsa ajo e qortonte për mosrespekt dhe se nuk ishte ngopur me gjynahet e tij, por tani cungoi edhe të ëmën, djali u kthye e i tha:

“Po të më kishe qortuar kur vodha për herë të parë fletoren, nuk do të arrija në këtë pikë që të më tërheqin drejt vdekjes.” / KultPlus.com