‘Selfie’ e fansit mund të jetë fotografia e fundit e Kobe Bryantit

Kur Brady Smigiel realizoi një selfie me idhullin e tij, Kobe Bryant, të shtunën në Akademinë e Sportit “Mamba”, ai nuk e dinte se kjo mund të ishte fotografia e fundit me legjendën e NBA-së të gjallë.

Vetëm një ditë më vonë, Bryanti dhe e bija e tij Gianna vdiqën në një aksident ajror në Kaliforni. Në aksident vdiqën edhe shtatë persona të tjerë.

Brady, që ka luajtur për Edge në Kupën Mamba fundjavën e shkuar bashkë me vëllain binjak, Beau, u zgjua duke menduar “Të shkojmë të shohim Koben para ndeshjes sonë”, ka thënë nëna e tij Dionne Reich Smigiel për “CNN”.

“Ata të dy janë të obsesionuar me basketbollin dhe fansa të mëdhenj të Kobet. Brady po shkruante në grupin tonë të familjes. Kur arritëm në Newport Beach, Brady më detyroi të shkojmë kah hyrja e Kobyt me shpresën se do të arrinim në të njëjtën kohë në vend”, ka deklaruar ajo.

Të shtunën, Kobe ishte në Akademinë “Mamba” për të menaxhuar ekipin e Giannas, Lady Mambas, që po garonte në këtë garë. Pas ndeshjes së parë, që Gianna dhe ekipi i saj e humbën, Brady kishte shkuar për të pyetur Koben për një selfie, transmeton Koha.net.

“Ai tha se Kobe ishte tejet i nervozuar që humbën dhe nuk do të lejonte të shkrepte një fotografi”, ka thënë Smigiel.

Gianna ishte paraparë të kishte ndeshje të tjera të shtunën e të dielën. Dy vajzat tjera që ishin në helikopter, Alyssa Altobelli dhe Payton Chester, ishin po ashtu pjesë e ekipit të saj. Brady pati një tjetër shans për të pyetur për Koben për fotografi pas ndeshjes së dytë, të cilën e fituan. Teksa Bryant po largohej nga ndërtesa, adoleshenti shkrepi fotografinë që nuk doli me kualitet të lartë.

“Kobe i tha ‘Do të bëjmë tjetër selfie nesër’”, ka shtuar Smigiel.

Lajmi për vdekjen e Kobet dhe Giannas ka shokuar këtë familje.

“Jemi në shok, Kobe ishte tejet prezent në komunitetin tonë të vogël në Newbury Park. Djemtë e mi nuk dinë si ta tejkalojnë këtë. U zgjova të dielën dhe dëgjova se helikopteri ishte përplasur në Calabasas dhe i tregova familjes sime ‘Zot, një helikopter aspo ishte rrëzuar në kohën kur Kobe ishte paraparë të vinte në Camarillo. Të lutemi që nuk është ai dhe Gigi’”, ka deklaruar ajo. “Një orë më pas e kuptuam në lajme. Është tejet e rëndë”./KultPlus.com

Promovohet “Qytetet e Ilirisë” nga Mehmetaj, konsiderohet libër i rëndësishëm për publicistikën shqiptare

Bujar Meholli

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Gani Mehmetaj promovoi sot librin e tij më të ri me titull “Qytetet e Ilirisë”, shkruan KultPlus.

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” u mblodhën profesorë, studiues, gazetarë e adhurues të fjalës së shkruar për ta promovuar librin më të ri të Mehmetajt.

Ish-redaktori Shaban Arifaj, njëherit redaktor i librit, hapi ngjarjen duke e cilësuar librin e Mehmetajt si të rëndësishëm për publicistikën shqiptare. “Përmbajtja dhe shtjellimi i veprës si dhe përshkrimet, Ganiu i bën me një kapërcim të fuqishëm historik duke u thelluar në përshkrimin e qyteteve dhe ngjarjeve që lidhen me periudhën e lavdishme të Ilirisë, poashtu duke i përshkruar në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, tha redaktori Arifaj.

“Mehmetaj shquhet me stilin e tij të veçantë, ai trajton tema dhe probleme që janë të nxehta për opinionin. Mehmetaj shquhet për një qasje ndryshe, i tillë është ky libër që është i veçantë në publicistikën shqiptare”, potencoi Arifaj. Ai e vëri theksin tek pjesa e librit ku flitet për perandorin Justinian nga koha antike, i cili ndërtoi qytete të reja dhe meremetoi edhe shumë të tjera. Studiuesi dhe pastori Femi Cakolli që ishte në panel, prezantoi para të pranishmëve një analizë të thukët për librin “Qytetet e Ilirisë”. “Libri më i ri i Mehmetajt i takon zhanrit udhëpërshkrues, aty përshkruhen 23 qytete shqiptare, duke nisur nga Gjakova, Nishi, Pazari i Ri, Artana, Ulpiana, Prizreni, Shkupi e Shkodra, Plava e Gucia, Kruja, Lezha, Korça e Gjirokastra”, nisi ai.

“Autori këtë herë e lë fiksionin dhe bëhet një vizitator, një arkeolog ose ciceron për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire si pjesë e ekspeditave që i ka bërë”. “Mund të konstatoj se nga aspekti tematik, kjo vepër nuk ka ndonjë risi strukturore, veçantia e këtij teksti është arkeologjia e këtyre qyteteve dhe ideja për të përçuar një mesazh dhe kundërshtesë për këtë civilizim tonin”. “Autori zgjedh të kaluarën e largët, antikitetin ilir, të kaluarën e mesme, Mesjetën, të kaluarën e afërt, Rilindjen kombëtare, dhe të sotmen. Skema është thjeshtë, dje dhe sot. Në qendër të këtyre qyteteve gjendet perandori Justinian, i cili ndërton qytete, kala, foritifikata, etj. Perandori Justinian është ndërtuar si ide letrare në këtë vepër”, thotë ai.

Tutje, Cakolli shton se në të kaluarën kemi pasur skulptura e skulptor, piktura e piktorë, tempuj e kisha, vepra e shkrimtarë, për të cilat shkruan Mehmetaj dhe dëshiron që t’i përçojë tek lexuesi. “Autori porosit se ka një vazhdimësi dardane nëpër këto qytete, andaj ne duhet të shfaqim më shumë dashuri për historinë e vendit”, potencoi Cakolli.

Autori Mehmetaj tha se është i lumtur teksa sheh interesimin e lexuesve, ai premtoi se në të ardhmen do të sjellë edhe krijime të reja, qoftë nga letërsia apo publicistika. Në fund Mehmetaj diskutoi me të pranishmit rreth librit dhe interesimeve që ata shfaqën për veprën e tij.

“Qytetet e Ilirisë” është libër i tipit udhëpërshkrues, pasiqë autori ka shtegtuar nëpër këto qytete dhe krahina ka bërë edhe ilustrime të cilat janë brenda librit, poashtu ka rrëfime të vendasve e kronika të ndryshme.

Nga tani libri gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit, në “Dukagjini”, “Artini”, “Buzuku” si dhe në kioskat e Sheshit “Nënë Tereza”. /KultPlus.com

‘Tyrbja e Çikave’, gjashtë motra me anë të punës artistike nga Lola Sylaj

Arbër Selmani

Legjenda thotë se ishte e mërkurë kur gjashtë çika po i lanin petkat e tyre. Motrat luftuan me austro-hungarezët, 400 vite më parë, e vite më vonë thuhet se në shtëpinë e tyre u gjet një thikë.

Sot, kjo hapësirë në Gjakova quhet Tyrbja e Çikave. Çikat ende dalin në ëndërrat e njerëzve që jetojnë rreth tyrbes, një vendi të qetë e të relaksuar që vite më parë u bë fole flijimi.

Mbrëmë, në Prishtinë, Lola Sylaj dhe Donjeta Murati e prezantuan hulumtimin e tyre rreth kësaj tyrbe. Me anë të një dokumentari, dyshja ka sjellë këtë tyrbe, situatën që atë e bëri të famshme në Kosovë. Gjashtë çika në dokumentar i lajnë petkat, të nervozuara, të gatshme për ta luftuar armikun me po këtë thikë që më vonë u gjet rreth shtëpisë-tyrbe.

Tetë muaj i janë dashur Lolës dhe ekipit të saj ta finalizojnë dokumentarin 10 minutësh për Tyrben e Çikave, një histori sa interesante aq edhe e mishëruar për heroizmin e çikave para 400 vjetve.

“Është interesant se në shumë shkrime të gazetave dhe kudo ku përmendet kjo Tyrbe, nuk dihen emrat e këtyre çikave. Njëjtë është interesant edhe fakti se kjo Tyrbe sot quhet Tyrbe e Çikave dhe jo e meshkujve apo burrave, si një pjesë e madhe e Tyrbeve në Kosovë. Edhepse aty në atë shtëpi, në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka pasur edhe dy meshkuj, sot historia më shumë lidhet me çikat, të cilat kanë zgjedhur këtë formë të luftës” tregon Donjeta Murati.

Lola Sylaj, artiste, tregon se kjo histori e ka thumbuar për të realizuar një punë artistike e cila bazohet në një histori si kjo.

Një ditë, ushtarët austriakë hynë në oborrin e tyre dhe papritmas u ndeshën me rezistencën e gjashtë motrave, që rastësisht lanin rroba në oborr. Ushtarët, të tërhequr nga bukuria përrallore e vajzave motra, vrapuan për t’i kapur ato që t’i merrnin me vete apo t’i dhunonin. Vajzat luftuan duke i gjuajtur ushtarët me ujë valë.

Në ndihmë u erdhi edhe babai i tyre, Mehmet Efendiu. Vajzat i mbytën disa ushtarë, por ata ishin shumë dhe vajzat, në pamundësi për të shpëtuar, u vetëmbytën.

Por, disa të dhëna thonë se ushtarët austriakë, në pamundësi për t’i kapur vajzat, i vranë ato e edhe babanë e tyre. I varrosën në oborrin e shtëpisë ku gjendën edhe sot varret e tyre.

Që nga ajo kohë, asgjë nuk ka ndryshuar në atë vend, as pamja, as pemët, andaj gjithçka mbeti nën ndikimin e natyrës, shkruan KultPlus.

“Tyrbja është aty dhe njerëzit rreth saj e dijnë historinë por edhe shpesh flasin për të. Dokumentari është i ndarë në disa pjesë, unë kam dashur që aty mos të paraqes luftë por më shumë ndjenjën e çikave duke larë petka dhe duke gjetur thikën e austro-hungarezëve” tregoi Lola Sylaj në një diskutim që pasoi pasi dokumentari u dha dy herë, shkaku i interesimit të madh. / KultPlus.com

94 vjet nga lindja e kompozitorit të njohur Tish Daija

Tish Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin, përcjellë KultPlus.

Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova.

Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003. / KultPlus.com

‘Muaj i mallkuar ish janari’

Këngë nga Jehona Sopi

Sërish acar e dimri ky plaku i vjetër
Plaget e zemrës si njeh
Sërish një shall kapele
Por shikimi është tjetër
Lotët si lumi i fsheh
Dhe sërish një darkë një përvjetor
Kur më the s’të dua për ne është vonë.

[ref:]
Muaj i mallkuar ish janari
Ra e u fundos margaritari
Thell ne zemër vend për mua s’pate fakte
T’hidhura paska kjo jetë.

Prej kur nuk zgjohemi bashkë
Dashuri ime e vjetër
Vetëm udhetoj përsëri
Druaj qe dora jote perkdhel dike tjetër
S’dua ta shoh as ta di.
Sa batica e zbatica qe
Dhe mbaruam si shumica ne….

[ref:]
Muaj i mallkuar…/KultPlus.com

Dua Lipa flet për këngën e re, zbulon detaje nga albumi i saj “Future Nostalgia” (VIDEO)

Edhe pse këtë vit ajo nuk ishte nominuar për asnjë çmim në “Grammy Awards”, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, pushtoi tapetin e kuq të dielën në mbrëmje e shoqëruar nga i dashuri i saj, modeli Anwar Hadid.

Ajo u ndalua nga “Billboard” në tepihun e kuq në “Grammy Awards 2020”, për të zbuluar më shumë detaje rreth këngës së re “Physical”, dhe se çfarë fansat mund të presin nga albumi i saj i katërt – “Future Nostalgia”.

Duke folur për këngën e saj të re, e cila lansohet nesër (31 janar), Lipa ka thënë së është inspiruar nga vitet e 80-ta.

“Ju mund të kërceni me të”, vazhdoi ajo. “Është me të vërtetë, më e çmendura prej këngëve të mia energjike”.

Se çfarë mund të presin fansat nga albumi i saj i katërt, këngëtarja tha që i gjithë koleksioni i këngëve lidhet me titullin dhe mënyrën sesi ajo i interpretoi ato.

“Unë kam punuar me fotografin Hugo Comte, dhe jam po ashtu një fanse e madhe e tij. Jam me të vërtetë e lumtur që punuam së bashku”, vazhdon më tej 24-vjeçarja.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=88&v=tdJSVA_eIvU&feature=emb_title

Në intervistë, Lipa është pyetur gjithashtu nëse ajo ka ndonjë zgjedhje për artistin e ri më të mirë, të cilës i përgjigjet se i do të gjithë të nominuarit.

“Ajo që unë jam vërtet e lumtur është se sa femra janë nominuar përsëri në atë kategori”. “Ne vetëm mund të shpresojmë të shohim gjithnjë e më shumë atë ndërsa vitet kalojnë”. / KultPlus.com

Protestë e madhe në Kamenicë, kërkohet dorëheqja e kryetarit Kastrati, po i mbyll shkollat

Në komunën e Kamenicës ka filluar protesta kundër reformës në arsim, ku shumë qytetarë dhe nxënës e të rinj janë bashkuar protestës.

Banorët dhe nxënësit e këtij qyteti, janë mbledhur para objektit të komunës së Kamenicës për të protestuar pasi po kundërshtojnë reformën në arsim.

Ata janë mbledhur  për të kundërshtuar planet e kryetarit të komunës, Qëndron Kastrati dhe i kanë kërkuar dorëheqjen e tij nga pozita e të parit të komunës pasi po i bën dëm të rinjve me mbylljen e shkollave dhe veprimet e tjera komunale që po ndërmerr.

Banorët vlerësojnë se reforma parasheh mbylljen e një pjese të shkollave dhe transferimin e nxënësve në shkolla tjera.

Nga kjo reformë shumë profesor e arsimtar kanë mbetur pa punë, po ashtu janë mbyllur shkollat dhe familjet po e kanë të pamundur monitorimin e fëmijëve të tyre duke i dërguar nxënësit në shkollat e qytetit nga fshatrat ku ata jetojnë.

Në protestë janë vërejtur pankarta si ‘Stop mbylljes së shkollave’, ‘Reforma po nxitë shpërngulje’, ‘Duam shkolla në vendlindjen time’.  / Gazeta Metro / KultPlus.com

“Gjirokastra”, filmi shqiptaro-rus për dashnorët fatkëqij të komunizmit

Brenda mureve të gurta të kështjellës së shekullit të 13-të, aktorë shqiptarë e rusë po përpiqen të rigjallërojnë për ekranin e madh një kapitull pak të njohur, por fort trazues të historisë së tyre të përbashkët.

E bashkëshkruar nga shkrimtari i vlerësuar i Shqipërisë Ismail Kadare, kjo dramë historike është prodhimi i parë i përbashkët mes dy vendeve në thuajse 70 vjet. Titulli i vënë për këtë rrëfim dashurie është “Gjirokastra”, qyteti jugor shqiptar ku edhe shpaloset rrëfimi. Do të jetë filmi i parë që qëmton fatin tragjik të çifteve të përziera të persekutuara nga regjimi komunist në Tiranë.

Telashet filluan pasi Tirana ndërpreu lidhjet me Moskën më 1961, një shkëputje diplomatike që, brenda natës, i ktheu të rinjtë shqiptarë me femra sovjetike në tradhtarë.

“Personazhet për të cilat jam i interesuar janë viktima të harruara ose fare pak të njohura të komunizmit: të huaj të mbajtur në Shqipëri dhe të persekutuar egërsisht nga regjimi”, ka thënë Kadare për AFP-në.

Derisa ky është debutimi i tij si skenarist, shkrimtari dhe poeti ka fituar një varg çmimesh letrare dhe rregullisht shqyrtohet si kandidat për nderet e “Nobelit”.

“Kaq shumë fate individuale janë shkërmoqur nga historia”, ka thënë Kadare, i cili ka bashkëshkruar skenarin me regjisorin dhe skenaristin rus Yuri Arabov.

Në vitet ’50 shumë meshkuj shqiptarë studionin në Bashkimin Sovjetik, disa prej të cilëve u kthyen në vendlindje me partnere ruse, polake, hungareze apo bullgare. Filmi përvijon rrëfimin e një çifti të tillë.

Për vite Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë të ngushtë, dhe diktatori komunist i Tiranës, Enver Hoxha, ishte një adhurues i Joseph Stalinit. Por pasi pasardhësi i liderit sovjetik Nikita Khrushchev filloi një varg reformash destalinizuese, dikatori shqiptar u shkëput nga Moska “revizioniste” dhe nga shtetet e saj satelite më 1961.

Grave të huaja që jetonin brenda Shqipërisë, kufijtë e së cilës u mbyllën nën Hoxhën, iu dha një mundësi: të ktheheshin në vendet e tyre, apo të qëndronin me burrat dhe rrezikun e persekutimit.

Nuk ka të dhëna se sa shumë çifte u bënë pjesë e dhjetëra mijëra kundërshtarëve të shpallur nga regjimi, që u burgosën apo dënuan me punë të detyruar gjatë dyzet vjetëve të komunizmit në Shqipëri.

Rreth 5500 burra dhe 450 gra u ekzekutuan nga regjimi. Sidoqoftë, një nga të mbijetuarat është Irina Sallaku, një 88-vjeçare që tani jeton në Tiranë.

E lindur në Rusinë sovjetike, Sallaku u martua me një shqiptar që po studionte inxhinierinë në Leningrad. Çifti u kthye në Tiranë më 1955 me binjakë. Jeta e tyre u përmbys dy dekada më vonë, kur burri i saj u ekzekutua nga regjimi shqiptar nën akuzat e “sabotazhit”.

Sallaku ishte dërguar me dy bijat e saj në një kamp pune. Ato nuk u liruan gjerë më 1988.

“Shumë të huaja që bënë një akt të qëndresës me zemër duke zgjedhur të jetonin në Shqipëri kanë pasur fat tragjik”, ka thënë Sallaku për AFP-në.

Si shumë të tjerë, ajo ende nuk e di se ku gjendet vendi i prehjes së burrit të saj, një burim i çdoditshëm i dhembjes.

Por ajo mirëpret bërjen e një filmi që do të rrëfejë diçka të ngjashme me përjetimin e saj.

“Ky është një episod tragjik në rrëfim (të Shqipërisë) që ka nevojë të thuhet me qëllim që të kuptohet përmasa e krimit”, ka thënë ajo duke folur me një zë të qetë.

Filmi, të cilin Kadare nisi ta shkruante më 2010, përvijon rrëfimin e studentes ruse Katia, që takon burrin e saj të ardhshëm shqiptar, Arjanin, në Moskë.

Disa vjet pasi kishin kaluar një jetë bashkërisht në Shqipëri, burri arrestohet për “spiunazh” dhe ekzekutohet.

Katia, e akuzuar gjithashtu për spiunazh, përfundon e burgosur në Kështjellën e Gjirokastrës, që asokohe përdorej si burg.

Derisa pjesa më e madhe e xhirimeve është bërë në Gjirokastër, vendlindja e Hoxhës dhe Kadaresë, disa skena janë xhiruar edhe në vilën e diktatorit të ndjerë në qendër të Tiranës.

Dy aktorë shqiptarë e interpretojnë Hoxhën, i cili vdiq më 1985, dhe të shoqen e tij, Nexhmijen, ende gjallë në moshën 99-vjeçare.

Regjisori Arabov e përshkruan filmin si “homazh për të gjitha viktimat e pafajshme të regjimeve totalitare”.

Me xhirimet e përfunduara, montazhi do të fillojë nga fundi i muajit. Dhe kjo punë tashmë ka sjellë një rrëfim të ri dashurie – mes Polina Grishinas, aktores ruse që luan Katian, dhe Besmir Bitrakut, aktorit shqiptar që luan të shoqin e saj.

“Ne jemi historia jonë”, ka thënë me buzëqeshje Bitraku, aktor i njohur në Shqipëri.

Loreta Mokini, bashkëproducentja shqiptare e filmit, ka shtuar: “Dashuria është e verbër, ajo nuk mëson nga historia”/AFP / KultPlus.com

Lirim Gula, shqiptari i parë që kalon Oqeanin Atlantik me varkë

Gjatë dhjetorit një garë e veçantë është zhvilluar në oqeanin Atlantik, ku njëri prej pjesëmarrësve ishte dhe shoku im shqiptar Lirim Gula.

Fjorda Llukmani

Së bashku me shokët e tij, ai u bë shqiptari i parë që kalon oqeanin duke lundruar me varkë. “Dorabros” përbëhet nga 4 djem të cilët janë stërvitur prej vitesh për të përballuar këtë sfidë të madhe. Kalimi i Oqeanit Atlantik me varkë ishte pika kulminante e garave ku ata morën pjesë.

Arsyeja përse u mor kjo sfidë e rrezikshme është akoma më prekëse. Para disa vitesh Lirimi ka humbur një mikun e tij që ishte i sëmurë me kancer. Kjo ngjarje i ndryshoi jetën dhe e bëri të mendojë se duhet të ndihmojë ata që kanë më shumë nevojë. Të gjitha të ardhurat që janë mbledhur nëpërmjet sponsorëve, kanë shkuar për spitalet që kurojnë adoleshentët dhe fëmijët e sëmurë me kancer.

Lirimin e takova vjet në shkurt në Prishtinë ku dhe u njoha me historinë. Më tregonte se në dhjetor do të fillojë gara në Atlantik, sepse atëherë ujërat janë më të ngrohta. Asokohe më dukej pothuajse e pabesueshme, por ja që ata ia dolën.

36 ditë, 10 orë e 31 minuta u deshën për të lundruar në oqean. Lirimi, Rufus, Charlie dhe James janë nisur nga ishulli La Gomera në Spanjë e deri në Antigua. Për ta bërë sa më të lehtë nisjen nuk kanë pranuar që t’i përcjellin familjarët, por vetëm një grup i vogël miqsh e trajnerësh.

Varka mund të ndiqej live në internet dhe unë pashë momentin e nisjes në Facebook. Më kapi frika, megjithëse kisha besim të plotë që do t’ia arrinin. Ama 1 muaj në oqean si thonë pak.

Në bisedën që pata me Lirimin ai thotë se ditët e para patën stuhi e dallgë. Dorabros së bashku me 34 skuadra të tjera u nisën më 12 dhjetor. Valët e detit prej 30 metrash e lëkundin varkën goxha shpejt dhe kështu djemtë i zuri deti. Disa ditë kaluan me të vjella, por i jepnin forcë vetes me idenë që sëmundja e detit kalon për 3 ditë.

Lirimi në veçanti ka patur plagë të hapura e të infektuara në këmbë që janë shkaktuar nga shiritat që mbanin për t’i dhënë velave.

As nuk haja e as nuk pija dot. Nuk isha në gjendje të lundroja. Shokët e skuadrës u përqendruan në rregullimin e varkës pasi patëm disa dëmtime prej dallgëve. Pas 10 ditësh, piva disa antibiotikë, mjekova plagët e mia, fjeta 14 orë gjumë dhe hëngra vaktin tim të parë. Fillova të përmirësohesha dhe s’doja të lija shokët në baltë.”- thotë ai.

Shokët e skuadrës e kanë ndihmuar shumë duke bërë punën e tij gjatë kësaj periudhe. Ndërroheshin me njëri-tjetrin vetëm që Lirimi të pushonte e të merrte veten në vazhdim. Tamam punë e shkëlqyer në grup!

Trupat e tyre u përshtatën me lodhjen, nxehtësinë e dhimbjen dhe kështu ndjeheshin më të fortë. Lundronin 3 orë, bënin 1 orë pushim, e pastaj vazhdonin përsëri. Arritën të lundronin 10 milje në ditë duke u radhitur në vendin e 6-të. Kishte dhe momente gëzimi pavarësisht kushteve rraskapitëse, si p.sh tufa të mëdha delfinësh duke bërë shfaqje akrobatike, balena duke notuar qetësisht, 20 yje të rëna nga qielli përfshirë dhe një kometë. Gjatë natës kushtet bëheshin më të vështira pasi nuk shikonin prej errësirës. Djemtë dëgjonin librin e Harry Potter me kufje ose muzikë për të mbajtur trurin zgjuar.

Ndërkohë që ne ktheheshim në punë pas festimeve të Vitit të Ri, skuadra Dorabros përballej me një aksident tjetër në oqean. Një skaj i varkës ishte ngritur mbi një valë 10 metra dhe i kishte hedhur djemtë përmbys me një dhunë të jashtëzakonshme. Charlie dëmton rëndë gjurin e iu desh të thërrisnin ekipet e mjekëve për t’i ndihmuar.

Zhurmat e dallgëve ishin aq të forta sa i krahasuan me ato të bombës, prandaj ishin të detyruar të mbanin kufje në vesh. Të lënduar, të tronditur e të frikësuar nga ky incident, ekipi vazhdoi para duke bërë të pamundurën për të shmangur një peripeci tjetër. Adrenalina e tyre luajti favor të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes, e për pak ditë ekuipazhi qeshte e bënin shaka përsëri.

Arritja më e madhe e tyre ishte që grupi Dorabros do të vazhdojë të jenë miq edhe pas kësaj sfide. “Ndodh shpeshherë që skuadrat e tjera të ndahen me njëri-tjetrin pasi krijojnë mosmarrëveshje gjatë rrugëtimit në oqean. Kurse ne ia dolëm shumë mirë, duke e forcuar miqësinë tonë më tepër. Sigurisht që kishte momente të tensionuara, por nuk u grindëm asnjëherë pasi ishim për një qëllim të përbashkët, të mblidhnim një shumë të madhe parash për Trust Teenage Cancer. Varka u drejtua pa lider, por si në demokraci. Nëse duhej të merrej një vendim votonim të gjithë për më të mirën tonë.”-thotë Lirimi.

Tek afroheshin në Antigua, ditët e fundit të sfidës djemtë kishin humbur rreth 12 kilogramë dhe përtypnin vitamina C shumicën e kohës. Në breg i prisnin miqtë e familjarët dhe qëndruan disa ditë të tjera për të pushuar në Antigua. Në Facebook shikoja momentet e pritjes nga të afërmit, kur çunat arrijnë finishin.

S’besoj se ka patur kënaqësi më të madhe për ta. Imagjino çfarë mbështetjeje kishin nga familja për një sfidë të tillë jetë a vdekje. Shumica e prindërve tanë s’do të na kishin lënë nga frika. Por shpirti aventurier i Dorabros i kaloi të gjitha parashikimet.

Në varkën e tyre ka një stampë të ngjitur me flamurin shqiptar, ndërkohë që nuk mungon dhe flamuri i Kosovës e Anglisë.

Për njerëz patriotë e me zemër të madhe kemi nevojë. Kur ka marrë pjesë në maratonën e shkretëtirës së Saharasë dhe në rrugëtimin me biçikletë nëpër Evropë, Lirimi se ka ndarë kurrë flamurin e Shqipërisë me atë të Kosovës.

Ndonëse të dyja shtetet s’kanë dhuruar apo promovuar suksesin e tij, ai prapë bëri të vetën duke mos harruar nga vjen. Shumë kollaj mund të përfaqësonte vetëm Anglinë, duke qenë shteti që ia dha këtë mundësi dhe e bëri ai që është. Por njerëzit e mëdhenj në shpirt e mendje, se mohojnë kurrë të shkuarën.

Familja Gula ka bërë një punë të shkëlqyer duke i rritur fëmijët më dashurinë ndaj atdheut. Lirimi jo vetëm që na bëri krenar që finalizoi një sfidë të veçantë, por dhe na nderoi duke qenë i pari.

Kështu Lirimi u bë shqiptari i parë dhe i vetmi në Ballkan që ka lundruar në oqeanin Atlantik. Dhe s’ka më mirë se të jesh i pari, sepse do të thotë që do të mbahesh mend gjithmonë./dritare.net / KultPlus.com

Te ti kam besim

Nga: Bob Dilan

Shqipëroi: Bujar Meholli

Më pyesin se si ndihem
a është dashuria ime e pastër
dhe pse jam kaq i sigurtë
që do t’ia dal mbanë?
Ah, ata më shikojnë
dhe e ngrijnë shikimin,
nga ky vend duan të më flakin
vetëm e vetëm se unë
te ti kam besim.

Derën ma tregojnë dhe ma hapin
këndej s’duan të më shohin më,
unë nuk jam ashtu
siç ata duan që të jem.
Dal ecë tutje-tëhu
me mijëra kilometra larg shtëpisë,
por asnjëherë i vetëm nuk ndihem
sepse besoj te ti.

Besoj te ti mespërmes ngashërimeve
dhe qeshjeve,
besoj te ti edhe pse jemi të ndarë,
te ti do të besoj edhe pas këtij mëngjesi që do të zbardh.
Ah, kur të afrohet agu,
ah, kur nata nis të shkrihet e të zhduket
ah, këto ndjenja janë ngulitur në zemrën time… /KultPlus.com

Tropojanët paralajmërojnë protestë për filmin e Ermal Mamaqit

Në Pallatin e Kongreseve mbrëmë u shfaq premiera e filmit “I Love Tropoja”, me regji të Ermal Mamaqit. Në premierë ishin të pranishëm mijëra adhurues të filmit, familjarë, kolegë dhe miq të Mamaqit dhe kastit të filmit.

Pas shumë duartrokitjeve, në premierë pati edhe incident. Disa të rinj kanë hedhur disa fletushka në shenjë proteste kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili është pjesë e filmit. Në disa fletushka shkruhej “Shqipëria digjet, Rama krihet”, ndërsa në disa të tjera janë foto të familjeve të prekura nga tërmeti që jetojnë në çadër, si dhe të Ramës me flokë të gjata, sipas rolit të dajës në filmin ‘I Love Tropoja’.

https://www.instagram.com/p/B76oiqqh6jk/

Përveç kësaj, filmi i Mamaqit ka marrë kritika të ashpra në rrjetet sociale nga shumë qytetarë nga Tropoja, të cilët thonë se janë ndjerë të ofenduar me pjesë ku për të nderuar mikun e tyre, tropojanët i vendosin vajzat e shtëpisë për të fjetur me të. Në llogarinë Tropoja në Facebook, qytetarët kanë publikuar këtë reagim, duke paralajmëruar protesta.

Kujtojmë se pjesë e filmit “I Love Tropoja”, përkrah Mamaqit luajnë Arjola Demiri, Enca Haxhia, Mariana Kondi, Bruno Shllaku e shumë të tjerë./21Media / KultPlus.com

Një monografi për pajtimin e gjaqeve në Kosovë

Nga Lulëzim Etemaj

Libri im monografik, “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990-1991)”, gjendet në prag të daljes nga shtypi. Po botohet me rastin e shënimit të 30-vjetorit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Ky libër është një shenjë modeste nderimi për mijëra zemërgjerë që, në vend të ngrehjes së gishtit të krimit, shtrinë dorën e pajtimit; gjaqet, plagët dhe ngatërresat i falën në emër të rinisë, flamurit dhe kombit. Kështu i dhanë fund gjakmarrjes dhe i liruan nga burgu shtëpiak mijëra persona. I liruan nga atmosfera e rëndë dhe druajtja, por edhe nga “detyrimi” për ta marrë gjakun. I bashkuan shqiptarët si kusht i domosdoshëm për të ecur përpara drejt çlirimit nga Serbia. Është, gjithashtu, libër nderimi për qindra pajtimtarë vullnetarë dhe për punën e tyre përkushtuese.

Libri është ilustruar edhe me letra, me fotografi, me procesverbale, me shënime, me përjetime. Të gjitha këto bashkë po bëhen publike për herë të parë pas 30 vjetësh.

Përmbajtja e librit ka kaluar fillimisht nëpër disa duar miqsh, duke filluar nga bashkënismëtarët e tjerë të pajtimit të gjaqeve, Myrvete Dreshaj-Baliu, Have Shala-Gërguri, Adem Grabovci dhe Brahim Dreshaj. Ndihmesë të shkëlqyer, nëpërmjet deklaratave të dhëna, fotografive të ofruara, ideve kreative dhe punëve të tjera përgatitore kanë dhënë edhe shumë miq, mikesha dhe të afërm të veçantë. Ata janë të përgatitur profesionalisht në drejtime të ndryshme, të besueshëm për mua, ndonjëri madje tejet i posaçëm. Që të gjithëve u them: Ju falem nderit nga zemra!

Nga data 2 shkurt librin do ta shpërndajmë në të gjitha libraritë e Prishtinës, por edhe në libraritë në Prizren, Ferizaj, Pejë, Istog, Gjakovë, Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, Klinë, Besianë, Tetovë, Gostivar, Tiranë… / KultPlus.com

“Njeriu mund të ketë cilëndo fe por s’mund të zgjedhë tjetër kombësi pa vënë në ballë vulën e madhe prej tradhëtari”

Fan Noli, ka qenë dramaturg, prift, përkthyes, politikan, diplomat, poet e historian shqiptar.

Lindi më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin shqipfolës[2] İbriktepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës.[3]

I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër trembëdhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Familja rronte me tokat që kishte si pronë. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për gjashtë vjet, më tej prindët e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë, ku qëndroi katër vjet.[4]

Më 1900 mori të nisej Greqi, por në Stamboll u sëmur, u kurua dhe nisi punë në një ëmbëltore për ca kohë. Vitin tjetër u nis për në Athinë dhe të njohurit e tij i gjetën vend si nëpunës në një shoqëri belge, e cila kishte koncesionin e tramvajeve me kuaj në qytet. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek. Më tej, meqë kishte prirje për aktor, punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet.[5] Gjatë endjeve me trupën shkroi dramën “To ksipnima” (“Zgjimi”), e cila u luajt nga trupa në Pirgos të Peloponezit. Atë periudhë nisi të shkruante skeletin e dramës “Israelitë dhe filistinë”. Në fillim të 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues lëvizës greqishtes dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet“. Ndikohet nga klima e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare atje, ku Thanas Tashko dhe Jani Vruho e ndihmuan në botimin e përkthimit të Samiut, dhe më tej në komunikim me Nikolla NaçonShahin Kolonjën e Kristo Luarasin.[6]

Pas tre vjetësh qëndrimi në Egjipt, në prill 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara, duke kaluar nga Napoli, dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji në Buffalo, ku punoi në një fabrikë të sharrës për tre muaj,[8] Noli shkoi në Boston. Gushtin e 1906 gjeti punë në Filadelfia, por e la pasi Sotir Peci i ofroi të bënej si zv/redaktor të së përkohshmes “Kombi”.

Më poshtë disa nga thëniet e njohura të Fan Nolit:

Asnjë s’mundet t’a mohojë sot që fetë në Shqipëri janë vegla politike dhe, më shumë nga të gjitha, Orthodhoksia dhe Musulmanisma.

Bota nuk vijnë të shëkojnë sa tolerancë e madhe mbretëron në Shqipëri, po venë re vetëm që fetë nuk na lenë të bashkohemi e të çlirohemi.

Njeriu mund të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”. /KultPlus.com

Fotografi e rrallë nga fëmijëria e Dua Lipës (FOTO)

Dua Lipa ishte vetëm një vajzë e thjeshtë, e cila u rrit mes Londrës dhe Prishtinës.

Dua ka publikuar disa herë fotografi nga fëmijëria e saj, duke u treguar se sa fëmijë i ëmbël ka qenë kur ishte fëmijë.

Ndërkohë, një fotografi e publikuar së fundmi nga prej miqve të saj të fëmijërisë, e ka mallëngjyer këngëtaren shqiptare me famë ndërkombëtare.

Ajo e ka rishpërndarë fotografinë në fjalë në InstaStory, duke kujtuar kohën kur si e vogël shëtitej në Londër me shoqërinë e klasës.

“Fotografi e vjetër nga ekskursionet shkollore”, shkroi Lipa në mbishkrimin e kësaj fotografie. /KultPlus.com

Gruaja e Kobe Bryant e thyen heshtjen me një letër prekëse

Bashkëshortja e Kobe Bryant, Vanessa, e theu heshtjen të mërkurën përmes një postimi prekës në Instagram, ku flet për vdekjen e bashkëshortit të saj dhe vajzës 13-vjeçare Gianna Bryant.

Ylli i basketbollit 41-vjeçar dhe vajza e tij vdiqën të dielën, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin bashkë me shtatë persona të tjerë u rrëzua në Los Angeles. Vanessa Bryant ka thënë se ajo dhe tre vajzat e  tjera të saj me Koben kanë qenë të shkatërruara nga kjo ngjarje, transmeton Gazeta Express.

“Vajzat e mia dhe unë duam t’i falënderojmë miliona njerëzit që kanë treguar mbështetje dhe dashuri gjatë kësaj periudhe të tmerrshme. Faleminderit për të gjitha lutjet. Pa dyshim që kemi nevojë për to”, shkruan Vanessa.

“Jemi plotësisht të shkatërruara nga humbja e papritur e burrit tim të adhurueshëm, Kobe – babai i mrekullueshëm i fëmijëve tonë; dhe Giannan time të bukur e të ëmbël – një vajzë e dashur, e mrekullueshme dhe e kujdesshme, si dhe një motër e mrekullueshme për Natalian, Biankan dhe Caprin”.

“Ne jemi të shkatërruara edhe për familjes që i humbën të afërmit e tyre të dielën dhe e ndajmë në mënyrë intime dhimbjen me ta”.

“Nuk ka mjaftueshëm fjalë për ta përshkruar dhimbjen tonë tani. Unë gjej ngushëllim te fakti se Kobe dhe Gigin e dinin të dy se sa shumë i donin njerëzit. Ne ishim jashtëzakonisht të bekuar që i kishim ata në jetën tonë. Do ta doja t’i kishim me vete përgjithmonë. Ata ishin bekimi ynë i bukur, që na u mor shumë shpejt”.

“Nuk jam e sigurt se çfarë do të bëhet me jetët tona përtej të sotshmes dhe është e pamundur ta imagjinoj jetën pa ta. Por, ne zgjohemi çdo ditë, duke tentuar të vazhdojmë përpara sepse Kobe dhe vajza jonë Gigi janë duke na e ndriçuar rrugën. Dashuria jonë për ta është e pafund dhe e pamatshme. Unë thjesht dëshiroj të kisha mundësi t’i përqafoja, t’i puthja dhe t’i bekoja. T’i kem ata këtu me ne, përgjithmonë”.

“Faleminderit që e keni ndarë gëzimin tuaj, mërzinë tuaj dhe mbështetjen tuaj me ne. Ju kërkojmë që të na i jepni respektin dhe privatësinë që na duhet për ta gjetur rrugën tonë në këtë realitet të ri”.

“Për ta nderuar familjen Team Mamba, fondacioni Mamba Sports e ka nisur fondin MambaOnThree për t’i ndihmuar familjeve të tjera të prekura nga kjo tragjedi. Për të dhuruar, ju lutem shkoni te MambaOnThree.org”.

“Faleminderit shumë që na keni mbajtur në lutjet e juaja dhe që na keni shprehur dashurinë mua, kobe, Natalias, Gigit, Biankas dhe Caprit”. /KultPlus.com

“Dështimet janë gjurmët e gishtërinjve në rrugën drejt arritjes së qëllimeve”

KultPlus ju sjell disa thënie nga shkrimtarë të mëdhenj për ta sfiduar dështimin.

“Hapat që në fëmijëri kanë rëndësi, për aq kohë sa jeni duke ecur përpara. Ju mblidhini të gjitha bashkë, dhe një ditë kur të hidhni vështrimin pas do të habiteni se ku keni mbërritur”. – Kris Gardner

“Suksesi duket të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm janë në lëvizje. Ata bëjnë gabime, por nuk ndalen kurrë”. – Xhon Uilard Merrot

“Nuk ka asnjë sekret në të arriturit e suksesit. Ai është rezultat i përgatitjes, punës së madhe dhe mësimeve nga dështimet”. – Kolin Pauell

“Bëni punën tuaj me gjithë zemër, dhe do të keni sukses – do ta shihni se ka vërtet pak konkurrencë”. – Elbert Habard

“Vullneti për të fituar, dëshira për sukses, kërkojnë arritjen e potencialit tuaj të plotë… këto janë çelësat që do t’iu hapin derën e përsosmërisë personale”. – Konfuci

“Dështimet janë gjurmët e gishtërinjve në rrugën drejt arritjes së qëllimeve”. – K.S Ljuis

“Dështimi është kaq i rëndësishëm. Ne flasim gjatë gjithë kohës për suksesin. Por është aftësia për t’i rezistuar dështimit apo përdorur këtë të fundit, ajo që të çon shpesh drejt një suksesi më të madh. Kam takuar njerëz që nuk donin ta provonin nga frika e dështimit”. – J. K Rouling

“Ngjit shkallën e parë të besimit. Nuk të duhet ta shohësh të tërë shkallën, vetëm ngjit shkallën e parë.” – Martin Luther King

Të mundesh është veçse një gjende e përkohshme. Të heqësh dorë e bën atë të përherëshme.” – Marilyn von Savant

“Nëse mendoni se jeni shumë i vogël për të pasur ndonjë lloj ndikimi, provoni të flini në shtrat me një mushkonjë”. – Anita Rodik. bota.al /KultPlus.com

Francezi që u magjeps me veshjet shqiptare (FOTO)

Piktori mbeti i magjepsur nga ecja e tyre krenare, shkëlqimi i armëve dhe veshjet e mahnitshme, sidomos nga fustanellat e bardha që mbanin shqiptarët.

Jean-Léon Gérôme (1824-1904), piktori dhe skulptori që lindi në Vesulë (Vesoul) dhe studioi në Paris, do të lintë një sërë pikturash me motive nga veshja shqiptare. Gjatë udhëtimit të vitit 1856 në Egjipt, në shqoqërinë e mikut të tij, skulptorit Auguste Bartholdi (1834-1904, i cili më vonë u bë me famë si projektuesi i satujës së Lirisë, në Nju Jork), u mahnit nga ngjyrat dhe aromat e Lindjes. Udhëtimi pati një ndikim të rëndësishëm në veprat e tij të mëvonshme, duke e bërë shumë të suksesshëm atë, si piktor i motiveve dhe temave orientale, transmeton konica.al.

Me temë nga Linjda, udhëtimi vendimtar që do të shenjonte punët e artistit, veprat e kësaj natyre zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Siç e theksuam, ai vizitoi Egjiptin e shekullit XIX, asokohe pjesë e Perandorisë Osmane nën sundimin e dinastisë shqiptare, të themeluar nga Mehmet Ali Pasha (1769-1849). Në të tilla rrethana, shumë shqiptarë, më së shumti jeniçerë, ishin vendosur në brigjet e Nilit.

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është 1-9-225x300.jpg

Piktori mbeti i magjepsur nga ecja e tyre krenare, shkëlqimi i armëve dhe veshjet e mahnitshme, sidomos nga fustanellat e bardha që mbanin shqiptarët.

Gerome, deri në fund të jetës vazhdoi të hidhte në telajo tematikën shqiptare, piktura që po i risjellim në vëmendje:

/KultPlus.com

“Arti është i mirë për trurin tuaj”

Shkruan: Jessica Jacolbe

Përktheu: Veron Dobroshi

Fusha e neuroestetikës përdor neuroshkencën për të kuptuar se si arti ndikon në trurin tonë, kur ne jemi duke e bërë atë ashtu edhe kur jemi duke e parë atë.

A ka rëndësi arti? T’i lëmë mënjanë të gjitha përfitimet e paprekshme, rezulton se proceset e krijimit të artit dhe përjetimi i të bukurës kanë benefite nervore. Neuroestetika ekzaminon artin dhe reagimet tona ndaj tij nga një këndvështrim neurologjik. Neurobiologu i njohur Semir Zeki dokumenton se si arti mund të stimulojë “marrëdhëniet konceptuale” në mendjen tonë, dhe jo vetëm reagimet ndaj artit pamor para nesh. Sipas gjetjeve të Zekit, përjetimi i çdo lloj bukurie, vizuale apo muzikore, ndikon në zonat vendimmarrëse të trurit tonë.

Përjetimi i këtij lloj arti është si të punosh përmes provës matematikore.

Historiani i artit Gregory Minissale shpjegon se njerëzit mund ta shikojnë artin konceptual si një enigmë. Përjetimi i këtij lloj arti është si të punosh përmes provës matematikore. Sic shkruan ai:

Ka shumë vepra arti që përdorin punime dhe lojëra fjalësh për të paraqitur shikuesit me paradokse vizuale. Një nga shembujt më të hershëm është Tradhtia e Imazheve të Magritte (Ceci n ‘est pas une tub, 1928-1929), e cila, sipas Zekit,“ shkon kundër gjithçkaje që truri ka parë, mësuar dhe ruajtur në kujtesën e tij”.

Një shembull tjetër, pikturat e Seurat ose Mondrian stimulojnë një zonë të trurit që gjithashtu sjell gëzim nga zgjidhja e enigmave për kënaqësi. Minnissale i referohet studimeve të Zekit për “ambiguidet”. Ideja është që zona të shumta të trurit bashkëpunojnë për të zgjidhur këtë “enigmë” të artit që, si rezultat, krijon një ndjenjë kënaqësie. Kur kjo ndodh, ka zona të dallueshme në lobin ballor që bashkëveprojnë dhe bashkojnë “kujtesën, përvojën, [dhe] mësimin”.

Zeki mban pikëpamjen e pazakontë që artistët po bëjnë punën e neurologëve në mënyrën se si luajnë me artin e tyre dhe interpretimin e objekteve. Në një pikturë, truri kërkon rend dhe objekte. Edhe kur një artist është duke pikturuar, truri synon të përfaqësojë ose pikturojë objekte ndërsa piktori i sheh ato. Zeki shkruan, “Prandaj, do ta përcaktoj funksionin e artit si kërkim për qëndrueshmëri, i cili është gjithashtu një nga funksionet më themelore të trurit. Funksioni i artit është, pra, një shtrirje e funksionit të trurit – kërkimi i njohurive në një botë që është gjithnjë në ndryshim ”.

Ndërsa arti dhe shkenca përmbajnë karakteristika të dallueshme që nuk mund të kryqëzohen kurrë, mendja e njeriut zbulon që fushat kanë një të aspekt të përbashkët të rëndësishëm. Siç shkruan Zeki: pyetja e vetme më e rëndësishme për vizionin që dikush mund të pyes: Pse shohim? Është përgjigjja e kësaj pyetjeje që zbulon menjëherë një paralele midis funksioneve të artit dhe funksioneve të trurit, dhe me të vërtetë na çon në mënyrë të pandërprerë në një përfundim tjetër – se funksioni i përgjithshëm i artit është një shtrirje e funksionit të trurit. Virtual Sophist/ KultPlus.com

“Marrim me qindra mesazhe nga Zoti, në çdo çast të jetës sonë”

Disa thënie nga Rumi që do ta ndryshojnë komplet botëkuptimin tuaj për jetën.

“Çdo moment në jetë përmban qindra mesazhe nga Zoti”.

“Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën tënde, derisa ajo të hapet”.

“Fuqizo fjalët, jo zërin. Është shiu që i rrit lulet, jo stuhia”.

“Kura e dhimbjes gjendet tek vetë dhimbja”.

“Dje isha i zgjuar, ndaj doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, ndaj dua të ndryshoj veten time”.

“Disa njerëz janë si vetë parajsa. Bëhu mik me ta”.

“Kur ti i bën gjërat nga shpirti yt, ti fillon të ndjesh një lumë kënaqësie brenda vetes”.

“Plaga është vendi nga ku drita hyn tek ty”.

“Ji falenderues për këdo që hyn në jetën tënde, sepse kushdo është dërguar si një guidë nga sipër”.

“Detyra jote nuk duhet të jetë kërkimi i dashurisë, por kërkimi dhe gjetja e çdo barriere brenda vetes tënde që ti e ke ndërtuar për të mbajtur larg dashurisë”.

“I dashur shpirt, mos u jep vlera të larta njerëzve, përpara se ata t’i meritojnë ato. Ti ose do t’i humbasësh ata, ose do të shkatërrosh vetveten”.

“Çdo gjë që është bërë e bukur, e drejtë dhe e dashur, është bërë për sytë e atyre që mund të shohin”./ KultPlus.com

Hija e shpirtit tim

Poezi nga Federico García Lorca

Hija e shpirtit tim
Fluturon në një perëndim alfabeti,
Mes librash
Dhe fjalësh.

Hija e shpirtit tim!

Kam arritur në vijën ku bie
Malli,
Dhe pika e vajit shndrrohet,
Në albastër shpirti.

(Hija e shpirtit tim!)

Kupa e dhimbjes
u mbarua,
por kjo është arsyeja dhe përmbajtja
e buzëmbledhjeve të vjetra të mesditës
e vështrimeve të vjetra të mesditës.

Një labirinth i mjegullt
Yjesh të tymtë
Grackon iluzionet e mia
Aq të venitura.

Hija e shpirtit tim!

Dhe një aluçinacion
Mëkon vështrimet.
E shoh fjalën dashuri
Të zhveshur.

Bilbili im!
Bilbil!
A po këndon? /KultPlus.com

Këngët e ahengut shkodran, trashëgimi e vyer kulturore dhe shpirtërore

Albert Vataj

Krahas valleve të kënduara, në folklorin muzikor të qytetit të Shkodrës bëjnë pjesë edhe këngët e ahengut, këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez pas brezi, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre.

Dihet që pas pushtimit turk të vendit tonë, shumë qytete shqiptare, ndër to edhe Shkodra, për një periudhë të gjatë kohe nuk e morën dot veten. Megjithkëtë, është i njohur fakti që qytetet tona, edhe pas këtij pushtimi, kanë patur e kanë zhvilluar kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet.

Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona, për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këtyre këngëve, si formë më e zhvilluar, lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet shoqëror të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve.

Këngët e ahengut shkodran shquhen për tematikën kryesisht lirike-erotike me theks intim, për pathosin e thellë emocional dhe për dinamikën e zhvilluar që i karakterizon. Në to kanë zënë vend një radhë elementësh muzikorë të veçantë, siç janë frymëmarrja e gjërë e melodisë (mveshja e së cilës me lloj-lloj melizmash e kadencimesh të lira i kanë falur asaj, krahas tingëllueshmërisë vokale, ndonjëherë edhe tipare instrumentale); trajtimi lirik (ku pasazhet e improvizuara gërshëtohen me ato të inkuadruarat); mbështetja në një radhë modesh të pasura; modulime të pazakontë; karakteri shprehës-emocional që ato marrin sipas rastit; përcjellset instrumentale (që kontrastojnë me dinamikën e vokalit); roli që luan në to shoqërimi instrumental etj.

Fakti që këngët e ahengut shkodran nuk kanë asgjë të përbashkët me këngët e tjera e sidomos me ato të ciklit që këndohen në dasëm, qoftë përsa i përket përmbajtjes, qoftë ndërtimit të tyre melodik, ritmik e modal; ka bërë që herë pas here të shfaqet ndonjë mendim i kundërt lidhur me origjinën shqiptare të tyre.

Por, pavarësisht nga këto mendime të shkëputura të cilat janë krejtësisht të pa argumentuara (fatkeqsisht studimet tona muzikore janë dukshëm të vonuara në këtë fushë), edhe këngët e ahengut gjatë kohës janë bërë pjesë e pandarë e asaj feste të madhe me karakter popullor siç është dasma.

Është i pamohueshëm fakti që, së bashku me pushtimin ushtarak, pushtuesi osman u përpoq të impononte kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet. Por tashmë populli ynë kishte fituar tipare të përcaktuara mirë të kulturës së tij shpirtërore, të muzikës së tij, të folklorit të tij në përgjithësi që i ruajti dhe i zhvilloi me përpjekjet e tij shumë shekullore kundër pushtuesit të huaj, kundër asimilimit si popull, gjuhë, muzikë, zakone etj.

Duke u nisë nga sa thamë më siper, mendojmë se këngët e ahengut shkodran nuk mund të quhen të huaja pse në to ndikimi i një kulture tjetër është i ndjeshëm. Populli i ka seleksionuar ato duke ia pershtatur kerkesave shpirtërore dhe psikologjisë së tij.

Nga ana tjetër, fenomene të tilla takojmë edhe në kulturat muzikore të popujve tjerë. Ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cenojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të ahengut shkodran.

Në repertorin e pasur dhe të larmishëm të ahengut shkodran dallojmë disa tipe këngësh. Në përgjithësi ato ruajnë një unitet stilistik që flet qartë për epokën në të cilën janë krijuar dhe për evoluimin që ato kanë pësuar kohë pas kohe.

Melodia e këngëve të ahengut është në shumë raste e një sentimenti subjektiv, e butë dhe shumë përkëdhelëse për plastiken e saj. Kjo lidhet me përmbajtjen emocionale të këngëve. Zakonisht ato trajtojnë tema të lirikës qytetare në plan mjaft sentimental. Sentimentalizmi i tyre kalon në ndonjë rast edhe në shpërthime erotike disi të ekzaltuara.

Në krahasim me vallet e kënduara, këngët e ahengut shkodran kanë një shtrirje dhe një diapazon shprehës shumë të gjërë. Kulminacionet vijnë natyrshëm dhe zakonisht ndërtohen në pjesën e fundit të ndërtimit muzikor, duke konkretizuar kështu me forcë mendimin e vet.

Dy janë tipet e melodive kryesore që përbëjnë ciklin e këngëve të ahengut shkodran: meloditë e inkuadruara qartë nga ana ritmike dhe ato të karakterit të shtruar, që ose këndohen në mënyrë krejt të lirë, ose herë pas here gërshetohen me momente të inkuadruara ritmikisht.

Këngët e karakterit ritmik shquhen për një lirizëm efektiv, mjaft dinamik. Meloditë e tyre janë të zhveshura nga zbukurimet e shumta. Janë më koncize dhe ndërtohen me struktura frazore binare. Shembull këngët: “Ti je krejt si nji ganxhe”, “Ala emnin s’ta kam xanë” etj. si këto.

Këngët e karakterit të shtruar që këndohen sipas deshirës dhe ndjeshmërisë së këngëtarit, shquhen për zbukurimet e shumta, për natyren e një “ornamentalizmi oriental”, për rrjedhshmërinë dhe delikatesën e shprehjes artistike muzikore.

Të gjitha zbukurimet në tipet e melodive të shtruara qendrojnë si elementë jo të jashtëm. Në këto elemente shfaqen veçantitë e asaj lirike e cila shpreh një botë të tërë emocionale. Në këto këngë ku bëjnë pjesë edhe grupi i këngëve “jare”, ndjejmë thellë fantastikën krijuese të popullit. Shembull kënga “Jare të due, mori të due”.

Ritmika e këngëve të ahengut shkodran është shumë e pasur, qoftë për strukturën ritmike mbështetëse, qoftë edhe për formën. E kemi fjalën këtu jo vetëm për ritmin si skemë apo për karakterin e aksenteve, por edhe për trajtimin shumë të lirë që marrin këto aksente në kontekstin e dhënë.

Pjesa më e madhe e këngëve të ahengut shkodran shtjellohen në ritmin 7/8, pastaj vijnë ritmet 2/4 dhe 7+5/8. Më pak takohen ritmet 3/4, 5/8, 5+7/8 dhe 8/8. Brënda këngëve të shtrira ndeshemi edhe në kombinime ritmike të tilla siç janë ritmet 4+3/8, 4+5/8 etj. Shembull kënga “Edhe njiherë due me kja hallin”.

Kjo ritmikë që në veshtrim të parë duket sikur është e çrregullt, në ekzekutimin e ahengxhinjve shkodranë tingëllon jo vetëm shumë e natyrshme, por edhe shumë shprehëse. në kontekstin e dhënë, renditja e aksentave nuk ka më vlerë organizuese brënda masës, por brënda frazës. Në këto raste, ashtu si melodia, edhe ritmika ruan natyren e një improvizimi ritmik.

Zakonisht këngët e ahengut shkodran ndërtohen në formën dy pjesëshe të thjeshtë (strofë – refren) dhe pa përjashtim, kanë një hyrje instrumentale. Si rregull këto hyrje shtjellohen brënda 16 masave. Ka raste kur fillesat instrumentale ndërtohen me materialin tematik të vetë këngës, por në përgjithësi ato përmbajnë material krejt të ri, duke sjellë kështu zgjerimin e mëtejshëm të sferës emocionale të këngës. Shembull kënga: “Pranverë e bukur”.

Në këngët e ahengut shkodran, rëndom, takojmë edhe fraza instrumentale brënda për brënda këngës. Këto momente janë të lidhura jo vetëm me njifarë ndihme, po mund të shprehemi kështu, që i jepet këngëtarit për vazhdimin e mëtejshëm të këngës, por në mjaft raste edhe plotëson, zgjeron mendimin, i bën njëfarë jehone këtij mendimi. Megjithëse këngët e ahengut shkodran janë të stilit homofonik, këto fraza sikur krijojnë njëfarë “imitacioni” të largët. Shembull kënga “Në zaman të njasaj furi”.

Struktura modale e këngëve të ahengut shkodran mbështetet mbi një bazë të gjërë modale, duke filluar nga modet natyrore maxhore e minore, deri tek ato të ashtuquajturat mode orientale. Këto shkallë modale që populli i quan “perde” ose “makame”, janë gjithsej dymbëdhjetë dhe përcaktohen zakonisht nga tonika dhe lidhja e gradëve të ndryshme që bëjnë pjesë në strukturën e shkallës.

Nganjëherë ndryshimi ndërmjet dy perdeve qendrore tek shtrirja ose diapazoni i tyre, d.m.th., dy perde kanë pak a shumë të njëjtën renditje intervalore, por dallohen nga diapazoni, shtrirja ose funksionet modale të tyre. Një gjë e tillë e ndërlikon mjaft ndërtimin e tyre.

Në dasmën tradicionale shkodrane, këngët e ahengut shkodran grupoheshin në shtatë grupe. Çdo njëri prej këtyre grup këngësh hapej e mbyllej me një pjesë instrumentale.

Në tërësi, ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mengjezit të ditës së neserme. Këngët që i përkisnin një grupi, këndoheshin në orë të caktuara të natës dhe përmbajtja e tyre lidhej në njëfarë mase me veçoritë e kohës kur këndoheshin. Kështu, këngët e grupit “sabah” që përfundonin krejt ahengun, këndoheshin në të gdhirë.

Shoqërimi orkestral bëhej me një grup instrumentash të përbërë prej violinës, sazes që kishte 10 tela dhe që akordohesh mbi parimin e kuartë-kuintës (la-re-sol); kavallit, dajresë. lugëve ose çapareve. Sazeja nuk përbënte një bazë të përhershme tonale, sepse akordi i saj lëvizte në varësi të grup këngëve.

Nga gjysma e dytë e shek. XIX, kavalli u zëvëndësua nga klarineta. Më vonë, në vend të sazes hyri braçi, instrument melodik me forcë tingëlluese më të madhe se sazeja dhe bugarija që, në vend të akordit pedal, shoqëronte me harmoni të rregullt. Në çerekun e parë të shek. XX, hyri edhe basi që siguroi fondamentin e orkestrës. Shtatë ishin akordimet që përdorin instrumentistët për të rënë në ujdi me njëri tjetrin.

Këngët e ahengut shkodran janë kënduar nga tenorë lirikë dhe me një impostim të bazuar në shkollën popullore të të kënduarit. Duke iu referuar një transkriptimi të vjetër të këngës “Në zaman t’njasaj furi”, rezulton se këngëtari shkonte lart deri tek nota Re bemol e oktavës së tretë. Gjatë ahengut këngëtari me përvojë ia linte radhen një këngëtari të ri. Kështu tradita e të kënduarit popullor transmetohej nga brezi nën mbikqyrjen e një këngëtari të njohur popullor. Shkolla popullore e të kënduarit meriton një vëmendje dhe studim të veçantë.

Një vend të veçantë në këngët e ahengut shkodran zënë këngët e trimërisë, si evokim i traditave luftarake të popullit tonë. Përmbajtja e re i ka diktuar krijuesit popullor nevojën e përdorimit të një ritmike dhe intonacioni jo thjeshtë qytetar.

Në strukturën e këtyre këngëve vërejmë prirjen për t’iu shmangur modeve karakteristike të këngëve të ahengut, gjë që në shumë raste i afron këto këngë me intonacionet e këngëve të trimërisë që këndohen në Malësi. Shembull janë këngët: “Dasho Shkrelit”, “Dedë Gjon Lulit”, “Ali Pashë Tepelenës”, “Krisi topi, gjemoi deti” etj. si këto.

Bashkëtingëllimi për një kohë të gjatë në dasmat e qytetarëve shkodranë e këngëve të ahengut me vallet e kënduara, ka bërë që mjaft elementë intonativë të këtyre të fundit të zënë vend në strukturën e disa këngëve të ahengut. Shembull këngët “Si t’kam dashtë unë ty”, “Hajde verë e bardha verë”, “Mollë e kuqe top sheqere” etj. të kësaj natyre. Së bashku me këto intonacione, ato u kanë falur këtyre këngëve edhe elegancën, finesën dhe ndjeshmërinë që është tipike per vallet e kënduara.

Është vendi këtu të japim disa konsiderata lidhur me evoluimin që vërehet dukshëm në krijimtarinë popullore të këtyre 100 viteve të fundit, krijimtari që ka pasuruar me vlera të qendrueshme repertorin e këngëve të ahengut shkodran.

Në qoftë se në periudhat e hershme të krijimit të këngëve të ahengut shkodran, mendimi muzikor ishte mjaft i zhvilluar dhe që në disa raste merr përmasa të një bukurie të veçantë, mendimi poetik qendron në këto këngë relativisht prapa. Dhe kjo është e kuptueshme.

Temat shoqërore, në kushtet e një pushtimi të egër dhe prapanik, trajtoheshin në tekstin poetik në mënyrë të terthortë, alegorike. Megjithkëtë, në fillimet e zgjimit tonë kombëtar, Rilindjes sonë Kombëtare, kemi një evoluim të ndërgjegjshem si të përmbajtjes, ashtu dhe të formës në këngët e ahengut shkodran.

Nuk ka dyshim se këngët më të mira të ahengut shkodran, krijuar gjatë 100 vjeçarit të fundit, janë dhe duhen vlerësuar si dokumente muzikore ku ndjehet dinamika e jetës qytetare dhe zbulohen një radhë motivesh shoqërore, të cilat, nga jeta zunë vend në këngë dhe që nuk i takojmë në këngët tjera popullore si, p.sh., në këngët e dasmës, të cilat pasqyrojnë vetëm ceremonialin e saj.

Ky fakt na shtron për detyrë të nxjerrim në pah këtë dinamikë jetësore që pasqyrohet në këngët e ahengut shkodran të kësaj periudhe. Kështu, në këto këngë dallojmë elemente të zhvillimit arsimor (nga kënga “Iptida due me fillue” sjellim vargjet “Ku ta gjejë unë nji shkollar/F’tyren tande me ta shkrue”); dallojmë kalimin nga shprehjet alegorike në thirrjen e drejtpërdrejtë të objektit të frymëzimit (këngët “Sa me t’shpejtë ma vune kamben”, “Midis t’ballit m’ke nji pikë”); dallojmë vendosjen për herë të parë të emrit të vajzës në tekst (këngët “Mori drandofilja e vogël”, “Kur me flet me gojë moj Gjyle”); rritjen cilësore të vargut poetik nën ndikimin e poezisë qytetare të kohës; ngjyrën lokale që marrin këngët (këngët “N’Shkodër tonë ka ra nji dritë”, “Ti moj Shkodër, Shkodra e jonë”); dallojmë pasurimin e teksteve të këngëve me elementë përparimtarë, siç është mosperfillja ndaj kufizimeve fetare etj.

Në planin muzikor të tëra këto gjejnë reflektim në kontekstin e përgjithshëm të këngës, këngë e cila arriti kulme të tilla që janë vlerësuar si paralajmëruese apo modele të para të romancës e deri të aries shqiptare (këngët “Marshalla bukurisë sate”, “Për mue paska kenë kysmet”, “Kenke nuri i bukurisë”).

Mund të themi me bindje se sot proçesi i zhvillimit të këngëve të ahengut qytetar (e kemi fjalën këtu jo vetëm për ato të qytetit të Shkodrës, por edhe të disa qyteteve tjera shqiptare ku këto këngë janë kultivuar pak a shumë në të njëjtat rrethana historike dhe po me të njëjtat karakteristika muzikore), ka hyrë në një etapë të re që paraqet ndryshime të dukshme në procesin e zhvillimit të hershëm të saj.

Mjafton të theksojmë kalimin nga tradita gojore e transmetimit në atë të notizuar; variantet e reja të interpretimit të këtyre këngëve nga artistët profesionistë; ndryshimet në tekst e muzikë që iu bënë varianteve të vjetra nga vetë muzikantët popullore; gërshetimin e këtyre këngëve në dasma, festa familjare, manifestime të ndryshme artistike-muzikore si koncerte etj. me këngë të muzikës së lehtë, popullore të krahinave tjera të vendit tonë apo edhe me muzikë të popujve dhe vendeve tjera.

Koha ka seleksionuar repertorin e gjërë të këngëve të ahengut, duke pranuar ato që janë me të vertetë popullore dhe që shprehin ndjenjat e aspiratat e tij si dhe duke mënjanuar ato që mbartin karakteristika dhe mënyra jetese të huaja për popullin tonë. Sidoqoftë, mbetet të ndërmerren studime të mëtejshme, aq më tepër se numri i përgjithshëm i tyre nuk dihet, se mungojnë të dhëna qoftë për sa i përket stilit kompozicional, qoftë për stilin interpretativ të shumë prej këtyre këngëve.

Një fushë tjetër studimi, e pa rrahun ende me vemendjen e duhur nga muzikologët tanë, është edhe përcaktimi i plotë i tipeve të këngëve të ahengut dhe i varianteve të tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë apo ndikimi që kanë ushtruar në strukturën e këtyre këngëve elementët intonativë të këngëve të fshatit e të Malësisë. /KultPlus.com

“Peaky Blinders” triumfon në National Televison Awards 2020 të Britanisë së Madhe

Drama televizive “Peaky Blinders” dhe ylli i saj Cillian Murphy ishin fituesit e mëdhenj në ceremoninë britanike National Television Award në Londër të martën mbrëma (28 janar).

Krijuesi i serisë Steven Knight e mori çmimin për Dramë në ceremoninë në O2 Arena, ndërsa Murphy i cili mungonte e mori çmimin për Drama Performance.

“Chernobyl”, mini-seria e cila e dokumenton katastrofën bërthamore sovjetike të vitit 1986, u shpall Best New Drama, ndërsa Mrs. Brown Boys triumfoi në kategorinë Comedy.

Fituesit e tjerë të shquar përfshinë Jesy Nelson, dokumentari i të cilit flet për trollet e mediave sociale, Odd One Out, e fitoi çmimin Factual, dhe dyshja televizive Ant dhe Dec, të cilët e zgjeruan rekordin e tyre të fitoreve në seksionin TV Presenter me fitoren e 19-të, transmeton Insajderi.

Ylli i “Monty Python”, Michael Palin u nderua me çmimin Special Recognition për punën e tij si komedian, aktor dhe dokumentues udhëtimesh. Ai ia dedikoi çmimin mikut dhe kolegut të ndjerë të “Monty Python”, Terry Jones, i cili ndërroi jetë javën e kaluar. /KultPlus.com

“Ç’pret nga një botë ku i mashtruari turpërohet më shumë se mashtruesi”

Sot ju sjellim një nga thëniet e poetit, prozatorit, publicistit dhe politikanit shqiptar, Dritëro Agolli.

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.

Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. / KultPlus.com

Image result for dritero agolli"

Hida Halimi, romancierja e parë në Kosovë

Hida Halimi romancierja e parë ne Kosovë, e njohur me romanin “Ai që nuk ishte Fidia”.

Jetoi mes Kosoves dhe Francës duke e ushtruar profesionin e saj si juriste në sektorin e të drejtave të njeriut.

Romani i saj “Njeriu im” është i botuar në gjuhën frënge përderisa “Ato letra nuk i shkrova vetë” është përmbledhje tregimesh.

Ajo u nda nga jeta ne moshën 63 vjeçare më 1 shkurt 2012. (rilindja) /KultPlus.com