Artistja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha iku sot në amshim, duke lënë pas një karrierë shumë të pasur, shkruan KultPlus.
I gjithë opinioni u pikëllua me lajmin për ikjen e saj, Nexhmije Pagarusha është autore e qindra këngëve që kanë mbetur të paharruara për publikun.
Përgjatë 40 vjetve karrierë, jo arriti të bëhet e pavdekshme me performancat e saj të jashtëzakonshme.
E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.
Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.
Sot po e kujtojmë këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com
Vdekja e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha ka prekur të gjithë. Reagimet janë të shumta e dhimbja për këtë humbje është e madhe.
Me dhimbje të madhe ka reaguar edhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ajo vlerëson se me këngët e saj, Nexhmije Pagarusha ka bërë që të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.
Ky është reagimi i plotë i kryeparlamentares Vjosa Osmani:
Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e bilbilit të Kosovës muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. Nga “Baresha” e deri te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la. / KultPlus.com
Ka ndërruar jetë sot bilbili i muzikës Nexhmije Pagarusha.
Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar për vdekjen e Pagarushës duke e
vlerësuar si një humbje të madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar, shkruan
KultPlus.
Ky është reagimi i plotë i presidentit Thaçi:
Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije
Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë
vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.
Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe
për kulturën dhe artin tonë kombëtar.
Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH / KultPlus.com
Nexhmije Pagarusha konsiderohet si legjenda e gjallë e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun. Sot Nexhmije Pagarusha mbetet ndër vokalet më të arritura shqipe, edhepse ka kohë që nuk është aktive në muzikë.
“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.
Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.
Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. /KultPlus.com
Ka ndërruar jetë bilbili i muzikës Nexhmije Pagarusha.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është një nga të ftuarat për të performuar në festivalin “Estéreo Picnic 2020”, në Kolumbi.
Rita,
mbiemri i vërtetë i së cilës është Sahatçiu ka dhënë së fundmi një intervistë
për median e njohur amerikano-jugore, SHOCK.
Ajo ka
rrëfyer shumëçka nga jeta dhe karriera e saj, ndërsa nuk ka hezituar të flasë
me krenari edhe për Kosovën, duke e cituar si krenarinë më të madhe të saj.
Kjo gazetë i
ka dedikuar një shkrim të gjatë historisë së Kosovës – një vend ky i cili
numëron njohje kryesisht të vogla në shtetet e Amerikës së Jugut.
“Rita Ora
njihet si interpretuese e shumë hiteve, që e kanë ngjitur atë në majat e top
listave të Mbretërisë së Bashkuar dhe jo vetëm. Kur Rita ishte fëmijë, në vitin
1991, familja e saj la Kosovën e tyre amtare në kuadër të Luftës Ballkanike. Në
atë kohë, Kosova ishte subjekt i autoritetit serb. Në vitin 1998, shpërtheu
konflikti midis forcave serbe dhe shqiptarëve. Pas një lufte që la më shumë se
13,000 të vdekur, vendi arriti pavarësinë në vitin 2008. Me një popullsi prej
1.8 milionë njerëzve, Kosova ka PBB-në më të ulët për frymë në Evropë”, citon
mediumi i njohur kolumbian.
Rita ishte e
ftuar në një koncert të veçantë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës në
vitin 2018. “Për të arritur këtu duhej një udhëtim i gjatë”, u tha artistja
mediave. “Por unë mendoj se është vetëm fillimi i një udhëtimi të
jashtëzakonshëm për vendin tonë”.
Në një nga
pyetjet e intervistës, Ora foli rreth albumit të saj “Phoenix”, i cili erdhi
gjashtë vite pas publikimit të albumit të parë – kjo për shkak të një beteje të
gjatë ligjore që pati me ish-labelin e saj.
“Ndihej si
fundi i një kapitulli dhe fillimi i një kapitulli të ri dhe emocionues. Një nga
ndjenjat më çliruese për mua është të këndosh dhe të krijosh muzikë. Ky album
ishte një punë me dashuri dhe ishte e rëndësishme ta bëja atë në mënyrën time.
Vlerësoj dashurinë dhe mbështetjen e atyre që kanë punuar me mua në album dhe
më lejuan të krijoj diçka që më bën krenare. Ata më dhanë hapësirë dhe liri për
të krijuar diçka nga zemra. Ndonjëherë ishte disi sfiduese dhe euforike. Jam
krenare dhe mirënjohëse për udhëtimin që shijova me këtë album”, tregoi Rita.
Përveç
muzikës, moda është një nga pasionet e saj. Këngëtarja shqiptare tregoi se si
ka arritur që ta krijojë dhe mbajë gjatë gjithë këtyre viteve stilin e saj të
veçantë.
“Meqenëse e
mbaj mend, moda ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe mendoj se
gjithmonë do të jetë kështu. Duke u rritur unë nuk kam pasur qasje në kaq shumë
stilistë të mahnitshëm, kështu që krijova pamjen time duke kombinuar stilin
tim. Këtu lindi dashuria për të eksperimentuar me stilin tim. Për mua, moda
është liri dhe një mënyrë për të shprehur veten. Nuk ka rregulla, që më duken
shumë të fuqishme”, ka thënë këngëtarja shqiptare për SHOCK.
Teksa pyetet
se sa i rëndësishëm është aktivizmi në vendin e saj, Rita këtu kujtoi vizitën e
fundit që realizoi në Kosovë me UNICEF-in vitin e kaluar.
“Është gjëja
më e rëndësishme për mua. Jam ndjerë më shumë se e nderuar që jam zgjedhur për
të përfaqësuar UNICEF-in. Në udhëtimin tim të fundit në Kosovë pashë nga dora e
parë punën e madhe që UNICEF bën në vendin tim dhe unë jam më e vendosur se
kurrë që të përdor pozicionin tim për të mbështetur fushatat në vendin tim”, ka
treguar Rita.
Tutje,
29-vjeçarja ka treguar se nëna e saj, Vera Sahatçiu-Ora, është personi model i
saj, pasi gjithnjë frymëzohet nga ajo.
“Nëna ime
është personi më frymëzues dhe mahnitës që njoh. Familja ka qenë gjithmonë dhe
do të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën time. Ne kemi qenë gjithmonë afër
dhe mbështetemi shumë tek njëri-tjetri”.
Në pyetjen e
fundit të kësaj intervista, Rita Ora ka theksuar edhe njëherë se çfarë do të
thotë për të vendi i saj i origjinës.
“Jam shumë krenare për origjinën time dhe nuk do ta harroj kurrë se nga vij. Do të thotë gjithçka për mua”, ka përfunduar rrëfimin e saj për SHOCK artistja me renome botërore. /Epoka e re/ KultPlus.com
Në vijimësi të hulumtimit të së shkuarës në romanin e tij të ri, nobelisti rishikon labirintet e kujtesës, duke u mëdyshur me idenë se mos vallë gjithë hollësitë e rrugëtimit të jetës “janë shkruar diku me bojë të këndshme”.
Një narrator bredhërin në Parisin e të kaluarës, në kërkim të një gruaje të zhdukur… Çmimi “Nobel” i letërsisë ruan imagjinatën dhe stilin e tij magjepsës, në ngutjen e një të kaluare të pasigurt dhe të një Parisi të shkuar. Zhan Patrik Modiano (1945), shkrimtari bashkëkohor francez me më shumë se tridhjetë punime teatrale, romane dhe çmime ndërkombëtare i rikthehet vëmendjes së publikut.
“Bojë e këndshme”… është libri i fundit që ka nxjerrë nga duart nobleisti francez. Që në titull na krijohet ndjesia e rikthimit të beftë në kontinentin Modiano, me një gjeografi sentimentale dhe të mistershme, të kujtimeve të humbura, të personazheve kalimtarë. Narratori, i cili s’i ka mbushur ende të 20-at, zotëron vetëm një kartelë, me të dhënat e duhura, nga një agjenci detektive, duhet të bjerë në gjurmët e njëfarë Noëlle Lefebvre, që është zhdukur pa lënë adresë. E ka marrë përsipër këtë punë, që ndërthur hetimin, intuitën dhe sekretin profesional, vetëm si një aktivitet të përkohshëm, të dobishëm, mendon ai, për të hyrë në letërsi. Me aftësinë për t’u prezantuar në jetën e të tjerëve, ai vepron si shkrimtar…
Sërish arti romanesk nga Modiano, i tipit somnabul në palimpsestet e Parisit pranveror, detaje të konservuara në një harresë të mjegulluar. Modiano luan në analogji me imazhin e padukshëm të fotografisë, që lind nga zhvilluesi në dhomën e errët. Një fletore e vjedhur, në një apartament të zbrazët, vepron, edhe pse me tregues fare të papërfillshëm, si ato pamjet e ngrira të cilat nuk kanë asgjë për të ofruar përveç gozhdimit të misterit që mbartin. Pjesa e fundit, enigmatike, e lehtë si ëndërrim, është vendosur në Romë: “qyteti i harresës”. Në çastin e heqjes së velit, Modiano shkruan: “Kam frikë se pasi t’i keni marrë të gjitha përgjigjet, jeta juaj do të rimbyllet për t’ju zënë si në kurth, në zhurmën që bëjnë çelësat e qelive të burgut. A nuk do të ishte më mirë të linim rreth vetes vise të vagullta ku të mund të arratiseshim?”./Konica.al/KultPlus.com
Prezantuesja simpatike shqiptare, e mirënjohura Alketa Vejsiu është ngjitur mbrëmë në skenën e madhe të festivalit të muzikës italiane, “Sanremo”.
Alketa Vejsiu shënon kështu një moment historik, pasi është e para shqiptare që u bë pjesë e prezantimit të këtij kompeticioni mjaft të rëndësishëm italian.
Prezantuesja shqiptare ka hyrë në skenë me një veshje elegante. Por veç veshjes ajo që ra në sy ishte komunikimi i lirshëm në italisht dhe aftësitë si prezantuese, gjë që u vlerësua me duartrokitje nga publiku italian, të cilët nuk ndalonin së duartrokituri.
Prezantuesja e njohur nuk e fshehu emocionin teksa zbriste shkallët e teatrit të famshëm “Ariston”. Ajo tha se pjesëmarrja në këtë festival ishte një triumf për karrierën e saj profesionale, ndërsa zgjodhi një moment të veçantë gjatë prezantimit për të përshëndetur në shqip të gjithë bashkëkombasit e saj.
Alketa Vejsiu kapërceu kufijtë dhe u bë epiqendra e natës së tretë të Festivalit italian Sanremo. Alketës iu besua një monolog, tema e së cilës ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori”, u shpreh në fillim prezantuesja e mirënjohur që dhuroi spektakël më vete në Sanremo.
”Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglionit dhe [Adriano] Celentanos ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e RAI-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret”.
Ajo falënderoi Italinë, që mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve. ”Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktiset kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”.
Mes fjalëve që emocionuan publikun në sallë dhe bënë krenarë miliona shqiptarë që po shihnin festivalin, Alketa foli edhe për tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ‘Tokën e Premtuar’ në bregdetin përballë”. Teksa këndonte “Una lacrima sul viso”, në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.
Aftësia e Alketës për të folur shpejt dhe prezantuar saktë në italisht është veçuar dhe nga faqja zyrtare e Sanremos. Ndërsa komentet në rrjetet sociale të miliona italianëve që ndjekin spektaklin më të madh të këngës janë të jashtëzakonshm, Alketa vlerësohet për veshje, elegancën dhe komunikimin brilant. /KultPlus.com
Nata e mbrëmshme në Cineplexx në Prishtinë ishte rezervuar për shfaqjen e komedisë “I Love Tropoja”, film ky që producenti Ermal Mamaqi e solli jo shumë kohë pas suksesit të jashtëzakonshëm me filmin paraprak “2 Gisht Mjaltë”, shkruan KultPlus.
Me bindjen që
edhe ky film do t’i thyejë të gjitha rekordet e shitjes së biletave, Mamaqi mbrëmë
bashkë me disa nga aktorët e filmit erdhën në Prishtinë për të prezantuar punën
e tij në një gala premierë e cila ishte organizuar për të ftuarit special dhe
mediat.
Para
shfaqjes së filmit, atëherë kur të gjithë zunë vendet e tyre dhe salla ishte e
stërmbushur, Mamaqi bashkë me aktorët e filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhia,
Julian Deda, Marjana Kondi, Irgen Çela, etj hynë në sallë për një përshëndetje
me të pranishmit.
I pari e mori
fjalën Mamaqi i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tutje
foli pak rreth filmit.
“Kjo histori
flet për një djalë, për frikën e tij që ka nga tropojanët, dhe misioni që ka ky
film është që të thyejë paragjykimet për Tropojën, duke treguar që tropojanët
janë njerëz të traditës, besës, zakonit, që e respektojnë familjen dhe në të njëjtën
kohë ky është një marketing shumë i mirë për Tropojën, Valbonën”, ka thënë
Mamaqi.
Sipas
Mamaqit, ky film është krijuar me një buxhet prej 700.000 Euro dhe është
xhiruar me kamerat me lense speciale që janë përdorur në xhirimet e filmit Fast
& Furious 8.
Edhe aktorët
tjerë të filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhiu, përshëndetën publikun me shpresën
që filmi do të ju pëlqejë.
Aktorët dolën
jashtë sallën për të lënë një qetësi absolute në sallë ku filmi nisi të shfaqet.
Filmi
trajtonte problematikat dhe situatat dramatike që ndodhin në një qytet në veri
të Shqipërisë, Tropojë. Përshkrimi me nota tepër komike, nga njëra anë e bënte
publikun të qeshte gjatë gjithë kohës, por nga ana tjetër filmi kishte synim të
vë në dukje fenomene të ndryshme përmes një mesazhi edukativ.
Një djalë me
ambicie të mëdha për jetën, shpreson që së shpejti do të vendoset në pozicionin
që meriton në kompaninë ku ai punon, por çuditërisht ndodh e kundërta. Djali e
gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet verior, në Tropojë
(në qytetin e Marko Hoxhës në filmin “Taken”), ku duket se shpresa ka vdekur
bashkë me botën në mendjen e tij.
Gjate
kalimit të kohës ai kupton se jeta në qytetin e largët nuk ishte aspak ashtu si
e kishte menduar. Njerëzit nuk janë të egër dhe nuk ka rreziqe që i kanosin
jetën, madje ashtu papritur ai gjen dashurinë e jetës së tij.
Në fund të
fundit, zakonet janë zakone dhe mentaliteti provincial hera herës bëhet pengesë
për çiftin. Por në fund, dashuria e dy të rinjve bëhet më e fortë se secili
zakon.
Kjo është komedia “I Love Tropoja”, i cili mbrëmë është shfaqur në dhjetë termine në Cineplexx, filmi tutje do të vazhdojë të shfaqet në orare të ndryshme për të gjithë të interesuarit. / KultPlus.com
Sanremo mbërriti në natën e tretë, ku së bashku me Amadeus-in prezantuan Alketa Vejsiu dhe Georgina Rodriguez.
Mbrëmja nisi me surpriza. E papritur ishte prezenca e këngëtareve të famshme italiane, të cilat janë bërë bashkë për një kauzë të rëndësishme.
Alessandra Amoroso, Giorgia, Fiorella Mannoia, Laura Pausini, Elisa, Gianna Nannini dhe Emma Marrone do të jenë protagoniste të një koncerti të madh që do të mbahet më 19 shtator, në Campovolo.
Kjo është një nismë e këngëtareve për t’i thënë jo dhunës ndaj grave dhe për të mbledhur fonde që do të shkojnë në qendrat anti-dhunës. Mbrëmja muzikore do të quhet “Njëra, asnjëra, njëqind mijë”. /KultPlus.com
Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues mjaft i njohur, i cili gjatë karrierës së tij ka sjellur për publikun shqiptar këngë që do të mbahen mend shumë gjatë, shkruan KultPlus.
Sonte KultPlus ju sjell këngën ”Më lër të fle”, këngë kjo që në vitin 2011 ishte edhe fituese e vendit të parë në Festivalin e Këngës Magjike.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
E kaluar e largët sa vjen e më afron Te dikurshmen sjell të tashmen ma largon Më vjen pak e turbullt,pamjen sma mundëson Dhe koha do t’kaloj atë do e pastroj
Bëj të shtrihem dhe gjumi nuk më zë… Bëj të ngrihem papritur takoj atë… E përshëndes, i them si je? Ajo më shtrëngon dorën buzëqesh… Thotë nuk të lë sonte të flesh..
Bëj të shtrihem dhe gjumi nuk më zë… Bëj të ngrihem papritur takoj atë… E përshëndes, i them si je? Ajo më shtrëngon dorën buzëqesh… Thotë nuk të lë sonte të flesh..
E kaluar e largët sa vjen e më afron Te dikurshmen sjell të tashmen ma largon Më vjen pak e turbullt,pamjen sma mundëson Dhe koha do t’kaloj atë do e pastroj
Bëj të shtrihem dhe gjumi nuk më zë… Bëj të ngrihem papritur takoj atë… E përshëndes, i them si je? Ajo më shtrëngon dorën buzëqesh… Thotë nuk të lë sonte të flesh..
Diçka të thjesht kërkon nga ty.. Lërmë të të shoh në sy…te flas me goj… Në botën tënde unë të hy Dhe të shoh aty më mir se sa më do dhe ti…
Bëj të shtrihem dhe gjumi nuk më zë… Bëj të ngrihem papritur takoj atë… E përshëndes, i them si je? Ajo më shtrëngon dorën buzëqesh…
E përshëndes, i them si je? Thotë nuk të lë sonte të flesh. / KultPlus.com
Lidhja midis baballarëve dhe vajzave është aq e fuqishme saqë përcakton rrugëtimin e një vajze në jetën prej të rriture. Hulumtimet thonë se fëmijët që kishin një baba të dashur, kishin shanse më të larta për të qenë emocionalisht të sigurta, më aktive në shoqëri dhe me vetëbesim.
Etërit e formojnë të ardhmen e vajzës së tyre në shumë mënyra, kështu që ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të bëjnë shumë përpjekje për të rritur vajzat e tyre të çmuara që në fëmijëri.
Ne jemi 100% të sigurt se vajzat dhe baballarët kanë një lidhje të veçantë që nuk mund të prishet dhe asnjë burrë tjetër nuk mund të ndikojë në jetën e një vajze në një mënyrë kaq të shkëlqyeshme.
Një baba jep një shembull se si vajza e tij duhet të trajtohet nga një burrë.
Marrëdhëniet midis burrit dhe gruas veprojnë si një shembull dhe formojnë qëndrimin e një vajze ndaj asaj që mund të presë nga një burrë. Një baba duhet të tregojë respektin e tij për gruan e tij dhe të mbajë mend se ai duhet ta dojë atë ashtu siç dëshiron që vajza e tij të duhet një ditë. Ai nuk duhet të ketë frikë të shprehë ndjenjat e tij dhe të tregojë që vajza e tij kurrë nuk duhet të marrë më pak se sa meriton.
Një baba duhet t’i dhurojë të gjithë dashurinë e mundshme vajzës së tij.
Çdo grua është vajza e vogël e babit të saj thellë në zemrën e saj, kështu që një baba nuk duhet të ketë frikë t’i tregojë vajzës së tij se ajo vlen sa e gjithë bota për të. Një vajzë do të ketë nevojë për të gjithë atë dashuri për të ndërtuar vetëvlerësimin e saj dhe të kuptojë që ajo është e denjë për t’u dashur.
Ajo mund të ndiejë vetë-dyshime ndërsa rritet, por dashuria e një babai gjithmonë do t’i japë asaj forcën për të shtypur çdo pengesë në rrugën e saj. Askush nuk mund të zëvendësojë një baba dhe askush nuk e do këtë, kështu që ai duhet të shfrytëzojë maksimumin e rolit të tij si baba.
Është e rëndësishme t’i thuash asaj që është e bukur si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Vajzat dyshojnë shumë në veten e tyre. Ndikimi nga bashkëmoshatarët e tyre, media sociale dhe standardet e paarritshme të bukurisë mund t’i bëjë ata të krahasohen me njerëzit e tjerë dhe të rrisin shanset e tyre për të pasur probleme me vetëvlerësimin e tyre.
Etërit duhet të lavdërojnë dhe t’u kujtojnë vajzave të tyre se sa të bukura janë, dhe t’i bëjnë ato të kuptojnë se janë më shumë sesa një fytyrë e bukur. Është në dorën tuaj të mos lejoni që të tjerët të prishin besimin e tyre dhe të sigurohen që kanë besim të mjaftueshëm në veten e tyre.
Ajo ka nevojë që babai i saj të jetë gjithmonë përkrah saj.
Pavarësisht se sa e rritur mund të duket një vajzë, ajo gjithmonë do të ketë nevojë për dashurinë dhe mbështetjen e pakushtëzuar të babait të saj. Ajo dëshiron të dijë se babai i saj do të jetë aty duke ia mbajtur dorën, pavarësisht të gjithave.
Sigurisht, ajo do të mësojë duke bërë gabimet e saj dhe një baba nuk mund ta mbrojë atë nga kjo. Por ajo do të ketë nevojë për mbështetjen e babait të saj dhe që ai t’i tregojë asaj se asgjë nuk mund ta ndalë dashurinë e tij për të.
Ajo me të vërtetë dëshiron që babai i saj të dëgjojë ato që ajo ka për të thënë.
Pavarësisht nga mosha, një vajzë dëshiron të dëgjohet dhe kuptohet. Etërit nuk duhet t’i injorojnë problemet e vajzave të tyre, pa marrë parasysh se sa të parëndësishme mund t’u duken atyre.
Një vajzë do ta dijë që babai i saj nuk po i kushton vëmendje, kështu që ajo kurrë nuk mund të ndajë përsëri një sekret me të. Është e rëndësishme të mos i anashkaloni kurrë nevojat e saj dhe t’i ofroni asaj gjithë mbështetjen emocionale që ajo kërkon.
Kujtimet e lumtura janë një dhuratë që nuk do ta harroni kurrë.
Vajzat duan vëmendjen e baballarëve të tyre dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë atë. Një baba mund të marrë vajzën e tij të vogël për akullore, të bëjë një udhëtim familjar në një fundjavë, ose thjesht të luajnë një lojë së bashku.
Për të krijuar kujtime nuk është e nevojshme të harxhosh shumë para, është thjesht një mënyrë e shkëlqyeshme për të krijuar një lidhje emocionale. Etërit duhet t’i mësojnë vajzat e tyre se janë gjërat e vogla ato që kanë rëndësi dhe që ju mund t’ua bëni çdo moment të veçantë.
Një baba që duhet ta mësojë vajzën e tij se si të bëjë gjëra të ndryshme.
Fëmijët kanë kaq shumë për të mësuar dhe është detyra e babait t’i mësojë vajzës së tij të gjitha gjërat e mahnitshme për botën. Një baba duhet të gjejë pak kohë për t’ia kushtuar plotësisht vajzës së tij ose të paktën t’i përgjigjet pyetjeve të saj dhe të kënaqë kuriozitetin e saj.
Koha babë-bijë është një mundësi e përkryer që një vajzë të mësojë se si të rregullojë një lavaman të prishur ose edhe një gomë të shfryrë. Pse baballarët duhet t’i përmbahen të ashtuquajturave gjëra për “vajza”?
Vajzat i shohin baballarët e tyre si burra të përsosur.
Çdo vajzë beson se babai i saj është standardi i artë i një burri. Mënyra se si ai sillet, merr vendime dhe trajton njerëzit e tjerë do të ndikojë në perceptimin e saj për botën dhe veprimet e saj. Një baba është modeli kryesor i rolit mashkull në jetën e vajzës së tij dhe është babai ai që përcakton se çfarë ajo do të kërkojë tek burri i saj i ardhshëm. Pra, baballarët duhet t’i ndihmojnë vajzat e tyre të marrin vendime më të mira dhe të jetojnë jetën e merituar.
Një baba duhet të jetë i gatshëm për ta lënë vajzën e tij të shkojë.
Baballarët duan të mbrojnë vajzat e tyre nga të gjitha rreziqet në botë dhe kjo përfshin edhe të dashurin. Ata shpesh mendojnë se fëmija i tyre është shumë e re për të dalë në takim ose nëse djali e meriton vajzën e tij të çmuar. Ndërsa një baba duhet të vëzhgojë patjetër vajzën e tij, ai gjithashtu duhet të kuptojë se një ditë, ajo do të largohet nga foleja dhe do të fillojë jetën e saj gjithsesi.
Ajo bëri gabime prej të cilave babai i saj dëshironte ta mbronte atë, por ajo do të ishte aq krenare për gruan e mahnitshme të kënaqur me veten që ajo u bë./shkollaeesuksesit/ KultPlus.com
“Dashuria nuk posedon e as nuk mund të posedohet; sepse ajo është e mjaftueshme për veten. Dhe mos mendoni se ju mund ta drejtoni kursin e dashurisë; nëse asaj i dukeni i vlefshëm, ajo e drejton kursin tuaj. Dashuria nuk asnjë dëshirë tjetër përveç se ta përbush vetveten.
Por nëse dashuroni dhe keni nevojë patjetër për dëshira, atëherë le të jenë këto dëshirat e juaja: të tretesh e të bëhesh si një përrua që e këngon melodin e vet gjatë natës. Ta njohësh dhimbjen e butësisë së tepërt. Të plagosesh nga kuptimi i yt për dashurinë; dhe të rrjedhësh gjak vullnetarisht dhe me kënaqësi.”
– Stefan Zweig, “Beware of Pity”
“I tronditur në thellësit e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj. Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj. Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua. Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.
Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj. Është i kotë tentimi i juaj për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju. Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo.”
– Paulo Coelho, “By the River Piedra I Sat Down and Wept”
“Kam qenë i dashuruar më parë, është si narkotik. Në fillim, ajo e sjell euforinë e nënshtrimit të plotë. Ditën tjetër ju dëshironi edhe më shumë. Ju ende nuk jeni i varur, por e pëlqeni atë ndjesi dhe mendoni se ende mund t’i kontrolloni gjërat. Ju mendoni 2 minuta për personin që e dashuroni dhe pastaj e harroni atë për 3 orë. Por pastaj ju mësoheni me atë përson dhe filloni të jeni plotësisht i varur nga ai. Tani ju për atë mendoni 3 orë dhe e harroni vetëm 2 minuta. Nëse ajo nuk është atje, ju e ndjeni një varësi e cila nuk ka shërim. Dhe ashtu sikurse varësit të cilat ua vjedhin veten tuaj dhe ju poshtërojnë për ta arritur atë që kanë nevojë, edhe ju jeni në gjendje të bëni çdo gjë për dashurinë.”/filozofia.al/ KultPlus.com
Halim Begeja njihet si jurist që dha kontribut të madh në çështjet kombëtare të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Në vijim mund të lexoni një pasyqrë të jetës dhe veprës së Halim Begejës.
Begeja që në moshen 15-vjeçare u bë pjesëtar aktiv në formacionin e “S.K.Tiranës” me të cilin ai fitoi tre tituj kampion i Shqipërisë. U bë pjesë e ekipit kombëtar që prej vitit 1936 nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.
Më 16 shtator 1942, Halimi merr pjesë në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Rinisë Nacionaliste dhe i deleguari personal i Mit’hat Frashërit. Ai përpiloi “Traktin për Demokracinë”, dokument që në historiografinë e luftës ka hyrë me emrin “Dekalogu i Ballit Kombëtar”.
Ky dokument paraqitet nga Halimi, miratohet nga organizata e Ballit Kombëtar dhe shpallet publikisht më 28 nëntor 1942. Në qershor 1944 shkon në Kosovë, si zv.komandant i batalionit “Besnik Çano”, ku luftoi për tre muaj rresht. Në vitin 1944 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Neë York, ku vazhdoi aktivitetin e tij politik kundër komunizmit. Halim Begeja ishte anëtar themelues i komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe sekretar i këtij komiteti.
Gjithashtu ai u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombetar dhe se bashku me Vasil Andonin, Halit Maçin, Nexhat Peshkëpinë e të tjerë, botuan për disa dekada gazetën “Flamuri” të Ballit Kombëtar. Më vonë me shpenzimet e veta botoi në New York gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar.”
Me këtë frymë vazhdoi veprimtarinë e tij kudo që ishte, në Evropë dhe SHBA. Vuante nga veshkat dhe u detyrua që të bënte transplant. Për këtë ishte Jusufi, i vëllai, i cili erdhi nga Franca në New York dhe i dhuroi veshkën e vet , me të cilën Halimi jetoi edhe tre vjet të tjera. Vdiq në New york në vitin 1977 pa e parë vendin dhe familjen e tij. / KultPlus.com
Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u promovua libri më i ri i autorit Ferdi Kamberi, ‘Dilemat e tranzicionit’.
‘Dilemat e tranzicionit’ është një trajtesë e komenteve
sociologjike, që ndahet në gjithsej pesë kapituj, ku secili trajton probleme të
ndryshme të njeriut modern në shoqërinë shqiptare, shkruan KultPlus.
Temat tjera që shtjellohen në këtë vepër kanë të bëjne me tjetërsimin e njeriut, rënien e solidaritetit shoqëror e atij tradicional, rritjen e abuzimeve të substancave psiko-aktive, kriza identitare, përplasja e religjionit me sekularizmin, pasojat e divorcit etj.
Nën moderimin e Arbër Selmanit, fjalën e morri autori i librit i cili u shpreh falënderues për prezencën e të pranishmëve, duke vazhduar më pas të shpaloste detaje rreth realizimit të librit të tij. Kamberi tregoi se përmbledhja e gjithsej 27 eseve që bëjnë pjesë në këtë libër, nuk ka qenë e lehtë.
‘Nuk ka qenë i lehtë realizimi i këtij libri pasi për një
periudhë të gjatë këto tema vetëm i kam shqyrtuar, libri ka marë një kohë prej
4 vitesh për realizimin final të tij’, tregoi ai për të pranishmit.
Ky libër është një skanim sociologjik i gjendjes aktuale, që
për shoqërinë tonë kosovare, konsiderohet të jetë një libër i tillë që ofron
diagnoza dhe alternativa se si dhe kah duhet të orientohet shoqëria.
‘Ajo çka vlen të ceket për këtë libër është se këto ese apo analiza nuk i referohen vetëm një audience apo shoqërie të caktuar, mirëpo i referohen një opinioni të gjerë dhe unë si sociolog jam përpjekur ta godas secilën temë duke e obzervuar rrethin dhe shoqërinë tonë’, vazhdoi tutje autori i librit.
Të pranishëm në panel ishin edhe dy prej recenzentëve të
librit, Avni Rudaku dhe Imran Rasimi, të cilët së bashku me dy recenzentët
tjerë, Ilire Zajmin dhe Ermir Hoxhën, kishin dhënë kontributin e tyre në
realizimin e këtij libri.
‘Përpjekja e Ferdi Kamberit për të interpretuar transformimet e shumta sociale, kulturore, ekonomike dhe politike që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit, bashkë me thirrjen në ndihmë të disa teorive sociologjike dhe citimeve, e bëjnë librin të jetë publicistikë e dinamikës sociale, përkatësisht e ndryshimeve të mëdha shoqërore që ka përjetuar shoqëria kosovare në njëzet vjetët e fundit’, u shpreh Rudaku, sipas të cilit libri do ta marrë jehonën e duhur dhe mbi të do të reflektohet denjësisht vetëm pas dy dekadave, kur një përmbledhje e tillë do të shihet me një sy tjetër.
‘Libri i Kamberit sjell një freski tek lexuesi shqiptar duke
shqyrtuar probleme dhe çështje bashkëkohore të cilat kanë bërë konfuz opinionin
publik nga trajtimi jo-adekuat. Diskutimet mbi religjionin, sekularizmin,
fundamentalizmin, ekstremizmin e të ngjashme, në Kosovë jo rrallë janë
shtjelluar në mënyrë të ngushtë dhe joakademike. Si studiues i religjioneve më
duhet të them që libri në fjalë do të jetë një adresë e qëlluar për studiuesit
e rinj’, deklaroi në anën tjetër Rasimi.
Libri përmban 5 kapituj dhe është libri i dytë i Kamberit, pas librit ‘Fundamentalizmi i Religjioneve të mëdha monoteiste dhe globalizmi’. Edhe kjo ngjarje ndodhi në KultPlus Caffe Gallery, hapësirë e re në kryeqytet dhe një qendër kulturore ku çdo javë ka ngjarje dhe debate kulturore. / KultPlus.com
Shqipëria dhe Polonia thellim të bashkëpunimit në fushën e arkivave, kinematografisë dhe muzeologjisë. transmeton KultPlus.
Kështu u theksua gjatë një takimi të zhvilluar dje në Varshavë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti me ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë kulturore, zv.kryeministër i Polonisë, Piotr Gliński.
“Gjatë këtij takimi patëm mundësi të ndanim interesat tona të përbashkëta dhe të diskutonim mbi fushat ku mund të bashkëpunojmë”, – tha Margariti.
“Polonia është një nga vendet më mbështetëse të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe është e gatshme për të rinovuar marrëveshjen ekzistuese në fushën e kulturës dhe ta konkretizojmë atë në projekte konkrete, në sektorët e arkivave, kinematografisë, bibliotekonomisë, muzeologjisë etj”, – u shpreh Gliński.
Gliński shprehu dëshirën për të dërguar në Shqipëri një grup ekspertësh për të identifikuar nevojat reale dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë, për promovimin e kulturës shqiptare në Poloni dhe anasjelltas./atsh/ KultPlus.com
Gustav Klimt, artisti austriak i cili i përkiste periudhës të simbolizmit në art, sot shënon 102 vjetorin e vdekjes.
Klimt njihet për pikturat e tij të veçanta, subjekt i të cilave zakonisht ishte trupi i femrave, duke bërë kështu që në veprat e tij të shënjohet një erotizëm i pashoq, shkruan KultPlus.
Përveç veprave të tij figurative, të cilat përfshijnë alegori dhe portrete, ai pikturoi peizazhe. Ndër artistët e tjerë të Vjenës, Klimt ishte më i ndikuari nga arti japonez dhe metodat e atij arti.
Në 102 vjetorin e vdekjes së njërit prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, KultPlus ju sjell disa fakte interesante të jetës së tij.
-Klimt kishte jetuar në varfëri të skajshme për një kohë të gjatë, por falë talentit të tij arriti që të sigurojë të ardhura të kënaqshme.
-Klimti ka qenë një person shumë introvert, nuk dihet nëse njëherë ai ka pasur shoqëri me të tjerë artistë.
-Klimt ka qenë shumë i apasionuar pas grave, mirëpo nuk u martua kurë.
-Klimt i ka dashur shumë edhe macet, thuhet se ka mbajtur shumë mace.
-Klimt ka qenë i apasionuar pas seksualitetit, ëndërrave dhe të pavetëdijshmes.
-Ai vdiq në moshën 55 vjeçare, në vitin 1918 nga i ashtuquajturi Gripi Spanjoll. / KultPlus.com
Akademiku edhe albanologu Jani Thomai festoi 85-vjetorin e lindjes mes kolegëve në Akademinë e Shkencave. Gjuhëtarët edhe studiuesit e vlerësuan për kontributin që ka dhënë në botimin e disa fjalorëve të gjuhës shqipe, transmeton KultPlus.
Mjeshtëri i fjalorëve të gjuhës shqipe, akademiku edhe
albanologu Jani Thomai, i cili ka dhënë kontributin e tij në fushën e leksikologjisë
dhe leksikografisë, por edhe në përgatitjen e disa brezave në 60 vjet karrierë,
festoi mes miqsh dhe kolegësh në sallën “Aleks Buda” datëlindjen e tetëdhjetë e
pesë.
Bashkudhëtarë e tij, por edhe ish-studentët e vlerësuan
gjuhëtarin, jo vetëm si dijetar të rrallë, por edhe si një njeri plot vlera
intelektuale, që vazhdon të jap kontributin e tij në ruajtjen e gjuhës shqipe,
derisa të rinjve t’u vijnë mend, shkruan Shqiptarja.
“Në këtë kohë të ligë të vlerësimit të përmbysjes së vlerave detyra është si një luftë, do të thotë që duhet që vlerat të nderohen dhe të çmohen, tani, kurdo edhe përgjithmonë. Por nuk jemi ne më të rinjtë, më të fortët kundër antivlerës, por janë vet profesorët e ndritur. Nuk kemi plakun bujar Jani Thomai, edhe pleq të tjerë bujar, por kemi djaloshin 85-vjeçar edhe djelmoshat e tjerë 90-vjeçar, që ngulmojnë të jenë të rinj, derisa të rinjtë që janë krejt të vjetër në mentalitet t’u vijnë mend. Nderime edhe rini sa më të gjatë në jetë juve edhe bashkëkolegëve tuaj. Rini të gjatë, sepse këtë rini në kulturën kombëtare e keni siguruar përjetë”, shprehet studiuesi Kristaq Jorgo.
Ndërsa, profesor Jani Thomai teksa shprehu mirënjohjen e tij për
nderimin që iu bë u shpreh mes të tjerash, se nuk ka aq kohë aq sa ka pasur
deri tani, prandaj meraku i tij për gjuhën shqipe është i madh, aq sa sheh si
detyrë të së ardhmes edhe hartimin e një fjalori të madh.
“Në raste të tilla, jubile edhe veprimtari, sikundër mund t’i ndodh gjithkujt edhe mua më kaplojnë shumë ndjenja të ndryshme edhe të trazuara. Një ndjenjë e fortë që e mbërrita këtë moshë, por edhe një kënaqësi kur më vlerësojnë punën, siç u bë këtu. E marrë këtë si nderim për mua edhe si vlerësim për punën, por le të themi se edhe pak trishtim, se nuk kam më aq kohë sa kam pas deri tani, se e ardhmja është më e shkurtër sa e shkuara, por edhe pak merak se nuk do të arrijë shumëçka që çdokush ka në kokë. Por kjo veprimtari më jep gëzim edhe mi fashit këto ndjenja”, shprehet profesori Jani Thomai, i cili dikton se është i domosdoshëm hartimi i një fjalori të madh me më shumë se 100 000 fjalë për gjuhën shqipe.
Gjuhëtari Jani Thomai është autor dhe bashkautor i disa fjalorëve të gjuhës shqipe. Ka botuar rreth 150 punime shkencore brenda edhe jashtë vendit. / KultPlus.com
Bijat e mija, jini egoiste të ndyra! Merrni atë çfarë është e juaja! Mëmësia nuk është mision. As martesa, jo. Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes. Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush. Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja. Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm. Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet t’ju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë. Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në shtëpi apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jini të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jini egoiste siç është një burrë.Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija. Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj. Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie. Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër. E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërresin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës. Por ju, mos dyshoni tek vetja. Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra. Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju / femër/ KultPlus.com
American actress Lillian Gish (1893 – 1993), circa 1982. (Photo by Colin Davey/Getty Images)
Performanca e fundit e Ermonela Jahos, e cila ka zënë vend në sallën prestigjioze të Londrës ‘’Wigmore Hall’’, ka bërë bujë të madhe nëpër botë, duke marrë kështu vëmendjen e medieve më prestigjioze ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Koncert ky i cili u realizua të hënën, iu dedikua sopranos italiane
Rosina Storchio (1872-1945), e cila njihej si yll i premierave botëore të
Puccinit e Giordanios. Me këtë koncert u shënua edhe 50-bjetori i kompanisë ‘Opera
Rara’.
Performanca e Jahos u shoqërua nga pianisti Steven Maughan,
ku ajo interpretoi një kombinim të këngëve italiane dhe franceze me arie
operistike të cilat Rosina Storchio i kishte performuar më parë.
‘’Aftësia e jashtëzakonshme e sopranos shqiptare për të hyrë në mendjen e
një personazhi e bëri këtë recitim një rast shumë të veçantë’’, thuhej në The
Guardian.
Ndërsa gazeta britanike ‘’The Independent’’, shkruante se si Ermonela një
shqiptae fama e së cilës erdhi ngadalë por kur erdhi kishte tronditur botën e
artit duke ngjallur lot e emocione tek publiku.
‘Pak këngëtare të tjera kanë aftësinë e saj për të përqendruar tërë fokusin e një skene dhe të detyrojnë vëmendjen tonë për çdo nuancë të shprehjes së saj’’, thuhej ndër të tjera në The Independent. / KultPlus.com
Djaloshin poliglot dhe me informacion universal Elvi Sidherin e kam njohur vite me parë, gjatë perkthimit të një libri studimor e monografik të studiusit të njohur italian dhe evropian Luca DE POLI, Ibrahim Rugova, viaggio nella memoria tra il Kosovo e l’Italia, (Ibrahim Rugova Rrugëtimi në kujtesën e tij mes Kosovës dhe Italisë), në përkthim të shkëlqyeshëm shqip të Elvit, botuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2017, f. 220.
Ky botim e mori Shpërblimin e
parë në Itali në konkursin ndërkombëtar në vitin 2016 në Firence, Seksioni:
Biografitë, dhe ishte çmuar jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë, kudo në botë,
si studim shumë i qëlluar dhe dokumetuar.
Përkthimi dhe botimi shqip quditërisht mbeti pa zë dhe pa jehonë
ndër ne, përse askush nuk e di dhe nuk e thotë. Siç duket, të tillë jemi ne, që
nënçmojmë vetveten, njëri-tjetrin, dhe mbiçmojmë të tjerët, sidomos nëse janë
të huaj. Kësaj radhe edhe i huaji shkruan mjaft mirë për dr. Ibrahim Rugovën,
për Kosovën, për Popullin shqiptar, por kot.
Duket intreset tona nuk janë më
libri, krijimtari, kultura, arti, por diçka tjetër… Populli thotë: E kemi
humbur rrugën në oborr. Sfidat e reja të jetës dhe veprimtarisë, si duket, na kanë
gjetur “në gjumë”, pa përgatitje.
Përthimi shqip i Elvi Sidhedherit është shumë i rrjedhëshëm dhe
mjaft besnik, si i tillë, pra, edhe i suksesshëm. Fill sa e mora në dorë dhe e
lexova versionin shqip e kuptova që ishte një njeri me njohuri të begtashme gjuhësore,
me përgatitje solide kulturore dhe jetësore, me përspektivë të mirë për punë
dhe krijimtari artistike, sepse puna dhe përkthim ishte bërë vërtet me
përkushtim dhe shumë dashuri.
Pastaj e njoha edhe në krijimtarinë e tij letrare, sidomos
nëpërmjet dy romaneve që sot po i paraqesim dhe promovojmë, ku përpos njohjes
dhe begatisë gjuhësore, punës dhe përkushtimit në shkrim, përshkrim, do të
thoja gati “pikturim” gjuhësor, ai është një krijues i ri, gjithnjë i etshëm
dhe uritur për të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, duke
lënë gjurma të pashlyeshme nëpërmjet përshkrimeve dhe përjetimeve artistike dhe
letrare.
Albanologjia shqiptare ka nevoje për kësi lloj mendjesh të
përndritura, sikurse kishte nevojë dikur Kisha universale për një Shën Jeronim
ilir, studiues, përkthyes dhe komentues të “Vulgates”, përkthimit të tërësishëm
të Biblës nga gjuhët e vjetra hebraishte, greqishte, pjesërisht aramaishte, në
gjuhën e asaj kohe dhe bote, që ishte latinishtja, (sivjet përkujtojmë dhe
kremtojmë së bashku me botën e kulturës 1600 vjetorin e vdekjse së tij).
Ai, por edhe shumë të tjerë, klerikë dhe shekullarë, gjatë
shekujve, prej Pal Engjëllit deri te i ndjeri Dr. Don Gaspër GJINI, Don Simon
FILIPAJ, ishin studiues, gjuhëtar, përkthyes dhe krijues të zellshëm dhe të
suksesshëm, përkrahës të komunikimit jo vetëm gjuhësor, por edhe të vlerave dhe
virtyteve tona dhe anasjelltas, të botës për ne dhe ndër ne.
Përkthyesit i ngjasojnë një urë – lidhjes mes kulturave e popujve,
ku përmes kësaj simbioze shpirtërore, intelektuale e integruese, planetin tonë
e bëjnë në vazo kulturore të përbashkët në shkëmbimin e vlerave letrare,
kulturore e kombëtare, botën e bëjnë më të njësuar, më tolerante, më të
informuar, por edhe me të vëllazëruar, të mbështetur në të Vërtetën dhe të
begatuar dhe fisnikëruar me Dashuri.
Këtë dimension intelektual dhe letrar, synime kulturore dhe
artistike, pa dyshim i ka edhe margaritari i lindur apo i fituar nga puna e
palodhshme dhe me përkushtim, Elvi Sidheri, i cili përmes botimit të këtyre dy
romaneve jep prova, porosi dhe dëshmi për rininë shqiptare se: emancipimi
letrar e kulturor nuk është privilegj, por flijim dhe përkushtim, dhe mundësia
që të jesh vetvetja, nuk është utopi, por mundësi konkrete dhe reale.
Mesazhi i Ronald Rolanit: ,,Te krijosh d.m.th. te vrasësh
vdekjen’’ është gjithmonë aktual e maksim për të gjithë, sidomos për brezin e
ri në trojet tona stërgjyshore, edhe më shumë në diasporë, që mos të pësojë nga
materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, por të
jetë vetvetja gjithnjë, si në jetë dhe në veprimtari, po ashtu edhe në
krijimtari, që hyjnorja dhe njerëzorja të gërshetohen dhe begatohen.
Shoqëria, populli pa vlera dhe virtyte, pa krijimtari burimore,
nuk ka as të tashme, edhe më pak të ardhme.
Të shkruash roman domethënë angazhimi i të gjithë mendjes e
qenies, që brendia të shpaloset, vlerat të përpunohen dhe ofrohen, ngjarjet dhe
personazhet të përshkruhen dhe portretohen, si përjetim artistik, por edhe si
përvojë jete dhe porosi frymëzuese.
Bota e brendshme, mendore dhe shpirtërore, dhurohet, paraqitet,
ofrohet, bëhet pjesë edhe për të tjerët, në veçanti për lexuesit e botimeve.
Autori Elvi Sidheri, i frymëzuar nga këto ide, dëshira dhe porosi
të romaneve, shkëlqen si në planin ideor dhe artistik, po ashtu edhe në atë
gjuhësor dhe botëkuptimor, ku në qendër të rrëfimit është etnopsikologjia
shqiptare dhe mbijetesa e individit në kohëra të mjegulluara dhe të pasigurta.
Këtë bërthamë narrative e ngërthejnë në vete edhe romanet
“Emigrantja” dhe “Dy Botë”, që reflektojnë një frymë post moderne letrare, si
një model kulturor e universalizëm letrar, i cili nuk i pranon cenimet apo
copëtimet, po as ngurtësimet që imponohen nga jashtë.
Është nder për Institutin Albanologjik dhe dashamirët e tij dhe të
letërsisë, qe ta promovojmë krijimtarinë e këtij krijuesi, model për brezin e
ri, i cili përmes rrugës jo të lehtë, po hyn krah-hapur dhe natyrshëm në botën
e letërsisë shqiptare, pse jo edhe asaj universale.
Urojmë që emri Elvit tonë të dashur t’i pushtojë majat e letërsisë
kombëtare dhe ndërkombëtare, së bashku me shumë krijues tanë, dhe të tjerë, për
një botë më njerëzore, për një takim, afrim dhe bashkim më të ngrohtë, për një
“shtëpi” të përbashkët në bukuri, vlera dhe virtyte, që jetën tonë e bëjnë më
të mirë, përjetimet tona më të bukura, ëndrrat tona më të realizueshme, idetë
dhe idealet e përbashkëta të vëllazërisë gjithë-njerëzore të përjetuara dhe të
dëshmuara në përditësi.
Shpresojmë dhe urojmë që në këtë mozaik kombëtar dhe ndërkombëtar,
Elvi Sidheri të jetë një margaritar i çmuar dhe i dalluar. Urime dhe përgëzime!
Prishtinë, 6 shkurt 2020
(Reflektim për Romanet “Emigrantja” dhe “Dy Botë” të shkrimtarit Elvi Sidheri) / KultPlus.com