Gjërat që s’i kisha vënë re më parë

Kur hyja më parë në shtëpi hapja dorezën e derës dhe në mënyrë të natyrshme mendimi i parë ishte drita, televizori dhe mbase tualeti. Tani e shoh ndryshe atë copën e metalit (dorezën e derës), më duket se aty është varur suksesi i një dite me apo pa coronavirus. Më duket e frikshme dhe me mikrobe, sepse postieri kur ka trokitur ose është përpjekur të dorëzojë një porosi, ka mbledhur aty një tufë me mikrobe të frikshme.

Po çelësi i dritës? Hall më vete, ka një ndriçim në mes të murit, tip fosfor, që më thotë: Unë jam Corona – brandi i ri plot dritë i shtëpisë.

Dua të marr pultin e TV, stepem edhe vë dorezat mbrojtëse. Nuk e mendoja kurrë që do të tmerrohesha nga një produkt plastik i zi, të cilin herë-herë s’e gjeja vërdallë dhe më dukej pothuajse i panevojshëm.

Fjala TOUCH me tingëllon ndryshe…

A ka mundësi të mos kem në shtëpi asnjë sistem modern me prekje? S’dua të prek asgjë në këto kohëra virozash vdekjeprurëse.

Por sfida e radhës është tualeti, është zgjidhje, por edhe jo, sot për sot.

Po sikur duke larë duart me sapun për 30 sekonda stërkalat e ujit të ndotur të infektojnë gotën e furçës?

Edhe mund te ndodhë, kush ma siguron që jo?

Kam përshkruar një distancë prej 3 metrash nga momenti që mbërrita në shtëpi dhe ndërkohë kam ndërtuar një film me skenare dhe 1000 pasiguri. Një gjë është e sigurt, këto gjëra s’i kisha vënë re më parë… / KultPlus.com

Hollywoodi e merr seriozisht koronavirusin

Industria më e madhe e filmit në botë ka vendosur ta marrë më seriozisht rrezikun nga kjo sëmundje, dhe si pasojë po i anulon shumicën e premierave dhe lansimeve të projekteve kinematografike.

Në mesin e tyre janë edhe: “Mulan”, “Fast and Furious 9”, “The New Mutants”, “Antlers”, “A Quiet Place Part II”, “The Lovebirds”, “No Time to Die”, “Peter Rabbit 2” dhe të tjerë.

Të gjitha këto anulime janë të përkohshme, megjithëse ende nuk dihen data e sakta të lansimit të filmave të shumëpritur nga publiku, nëpër kinema. /KultPlus.com

Qeveria ia zvogëlon për 2.8 milionë buxhetin RTK-së, reagon Sindikata

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës i ka zbritur buxhetin RTK-së, diku rreth 2.8 milionë më pak se vitin e kaluar, ulje të cilën e kanë paraparë në projektbuxhetin për vitin 2020, i cili pritet të miratohet këto ditë në Kuvendin e Kosovës.

SPERTK-ja përmes një komunikate i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së që të mos lejojë një gjë të tillë dhe të përmirësojë këtë gabim, duke e rikthyer buxhetin në lartësinë që kishte në vitin 2019 deri në miratimin e ligjit të ri të RTK-së.

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, mediumi publik nuk rregullohet duke ia shkurtuar buxhetin dhe duke ia pamundësuar funksionimin. Nëse nuk kthehet buxheti i RTK-së në lartësinë sikurse vitin paraprak, RTK-ja do të shkatërrohet përfundimisht, ndoshta dikush edhe dëshiron këtë gjë por të gjithë kolegët tanë së bashku nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.

Sipas SPERTK-së, me uljen e buxhetit të RTK-së nuk rrezikohen vetëm punëtorët e këtij mediumi, por edhe zhvillimi dhe ekzistenca e RTK-së.

“Andaj ju bëjmë thirrje të gjithëve që ta korrigjoni këtë gabim, ndryshe ne do të bëjmë thirrje dhe do të organizojmë protesta. Po ashtu, do të përdorim të gjitha format ligjore për ta kundërshtuar ashpër uljen e buxhetit të RTK-së. Sindikata edhe një herë kërkon nga deputetët që ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe ju bën me dije se nuk do ta lejojë një gjë të tillë me asnjë kusht. Ne, deri në leximin e parë, do të ndjekim me vëmendje se çfarë do të ndodhë me kërkesën tonë”, thuhet tutje në reagimin e SPERTK-së. / KultPlus.com

Kënga epike për koronavirusin nga mirditorët vëllezër Lleshi (VIDEO)

Në rrjet ka nisur të qarkullojë kjo këngë epike për koronavirusin e cila ka pushtuar krejt rrjetet sociale.

E sjellë në një version me nota humori nga vëllezërit mirditor Lleshi, kjo këngë tingëllon shumë reale për gjendjen ku jemi përfshirë prej pandemisë botërore të koronavisit.

Ndiqni videon:

Arrin në 33 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, qindra të testuar

Ka shkuar në 33 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli dhe drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino në përditësimin e fundit në lidhje me situatën e përhapjes së Coronavirusit në Shqipëri bënë me djie se janë 457 të testuar dhe nga këta, 33 raste pozitive.

Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19, për të cilët ju kemi informuar në daljet e mëparshme.

Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:

8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)

25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 19 raste

Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje 1 rast

Elbasan 2 raste

Fier 4 raste

Rrogozhinë 2 raste

Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Dua tju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur!

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht.

“OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”, tha Bino. /KultPlus.com

Koronavirusi “zbraz” rrugët e qyteteve kryesore të Shqipërisë

Frika nga koronavirusi ka përfshirë të gjithë vendin. Kudo në qytetet krysore të Shqipërisë sheh vetëm rrugë të boshatisura, pa makina, disa qytetarë që lëvizin më këmbë, pa ndotje, diell dhe pranverë.

Po të mos ishte koronavirusi, Shqipëria sot do të ofronte një pamje të mrekullueshme si kurrë më parë. Shqiptarët që dhe për në kafe marrin makinën, duket se i janë dorëzuar masave të qeverisë kundër koronavirusit.

Në vijim ju sjellim një panoramë të përgjithshme për rrugët e qyteteve kryesore:

Edhe Lezha i është bindur urdhrit të qeverisë për ndalim qarkullimi. Rruga kryesore ka marrë një pamje të frikshme ku përpos policisë, nuk shihet asnjë automjet. Rruga kryesore ka marrë një pamje të frikshme ku përpos policisë, nuk shihet asnjë automjet.

Raportohet se edhe mjetet që do lëvizin do kenë një kontroll të rreptë nga ana e policisë dhe forcave të ushtrisë. Karburantet, furrat e bukës dhe farmacitë janë të hapura!

Megjithëse vendimi për paralizimin total të qarkullimit të mjeteve është marrë për Tiranën e Durrësin, edhe në rrugët ndërqytetase në Qarkun Dibër janë të boshatisura.
Raportohet se aksi nacional Peshkopi – Burrel është i boshatisur si kurrë më parë. Megjithëse në këtë aks lëvizin në ditë mijëra mjete, sot nuk kishte asnjë të tillë në drejtim të Burreli apo Klosit.

Por gjatë ditës së djeshme ka pasur një dyndje të qytetarëve të Tiranës që ju janë drejtuar rretheve. Shumë qytetar janë kthyer në vendlindjet e tyre pas vendimit të dalë për ndalimin e lëvizjeve në Tiranë e Durrës nga ora 6 e mëngjesit të kësaj të premteje deri në mesnatën e së dielës.

Qyteti i Fierit është zgjuar sot i qetë dhe me rrugë pothuajse të zbrazura. Nuk ka pasur lëvizje të automjeteve ndërsa bizneset kanë qenë të mbyllura.

Është ndoshta hera e parë që qyteti i Fierit është i izoluar. Raportohet se hapur janë vetëm disa farmaci, furra buke, por edhe markete.

Policia është ndërkohë në akset kryesore të qytetit ndërsa vijon thirrja ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. /KultPlus.com

Ledri Vula lanson para kohe albumin e ri “10/10”

Një prej artistëve më të pëlqyer nga publiku shqiptarë, Ledri Vula, i ka befasuar por edhe gëzuar fansat e tij me lansimin e parakohshëm të albumit “10/10”.

Përmes një mesazhi të postuar në Instagram, reperi shumë i dashur kosovar ka treguar që incizimin të cilin kishte planifikuar ta publikojë më 10 prill, por e solli gati një muaj më herët për shkak të izolimit nëpër të cilin po kalojnë qytetarët, si masë parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

“Ne kohën kur krejt jemi të obligum të qëndrojm në shpi, të kujdesemi për vetën dhe të afërmit, albumi 10/10 , i cili ka qëndru me mu shum kohë, menoj që tash e tutje duhet të qëndroj me ju. Vjen koha që na shumë shpejt mu kthy në jetët tona normale, vjen koha që na me u pa e me u përqafu shumë shpejt si gjith,” ka shkuaur Vula për 1.5 milion ndjekësit e tij.

Përhapja e COVID-19 në mbarë botën përfshirë edhe shtetet fqinje, ka bërë që shumë qytetarë të mbyllen në shtëpi për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.

Fansat e Ledri Vulës e kanë mirëpritur këtë veprim të reperit që tregon se në rend të parë për ta, janë pikërisht përkrahësit më të mëdhenj të karrierës së tij muzikore. Deri, Vula po ashtu ka bërë të ditur se albumi “10/10”, do të publikohet në Spotify, AppleMusic dhe platformat e tjera online. / Koha.net / KultPlus.com

“Simpsons” kishin parashikuar që Tom Hanks do të infektohet me Koronavirus

Seria komike “Simpsons” kishte parashikuar më parë që Tom Hanks do të infektohet me virusin corona!

Aktori kishte dal në këtë seri më 2007, në versionin e ekrainit të madh e ku ai e kishte “izoluar” vetveten dhe kishte thënë “Nëse me shihni, mos me flisni”.

Seria komike vazhdimisht shquhet për parashikimin e ngjarjeve historike pasi që transmetohet që katër dekada.

Fansat e saj kanë parashikuar se ajo kishte parashikuar edhe coronavirusin në episodin e vitit 1993 në episodin e quajtur “Marge in Chains”, e ku paraqitet një virus që vije nga Lindja e Largët.

Më 2007, në filmin “The Simpsons”, Hanks ishte paraqitur vet dhe kishte thënë “Ky është Tom Hanks duke thënë se nëse e shihni atë, mos i flisni”, duke aluduar në atë se ai ishte infektuar me virusin në fjalë.

Simpsons njihet për parashikime të tilla. Ata e kishin parashikuar që Trump do të bëhet president, kishin parashikuar që do të zbulohet një peshk mutant me tre sy dhe kishin parashikuar ndërtimin e një ndërtese në formë piramide në Londër. /GazetaExpress /KultPlus.com

Të përshëndetemi me ‘dorë në zemër’ në kohërat e COVID19


Nga Arbnora Gojani Mazreku

Ndërsa po hyjmë në epokën e kërcitjeve të bërrylave dhe fërkimit të këmbëve si përshëndetje (të cilat sinqerisht, më duken përshëndetje qesharake dhe jo profesionale e as të sinqerta), më lejoni t’ju kujtoj për gjestin ‘dorën në zemër’, të përdorur edhe si përshëndetje.

Si shqiptare, jam rritë duke parë këtë lloj përshëndetjeje pothuajse çdo herë që na vinin mysafirë në shtëpi, dhe kjo lloj përshëndetjeje gjithmonë ka nxitur një lloj krenarie, dinjiteti dhe ndershmërie tek unë.

Më vonë, ndërsa isha duke bërë disa hulumtime për gjestet dhe gjuhën e trupit, zbulova se që nga koha e Aristotelit, njerëzit kanë besuar se zemra është vendi i mendjes njerëzore, dhe në mënyrë simbolike përdoret ende për t’iu referuar emocioneve ose thelbit moral të qenieve njerëzore. Që atëherë, gjesti i vendosjes së një dore në zemër nënkupton ndershmëri dhe shoqërohet me shumë kultura.

Ky gjest gjithashtu tregon që nuk po mban armë, ose ka qëllime të vërteta, ose po e jep fjalën e nderit, ose po premton besnikëri.

Shumë gjuhë kanë gjithashtu idioma që shprehin ndershmëri duke iu referuar gjestit së dorës mbi zemër, si në gjuhën shqipe, angleze, gjermane, arabe, meksikane, polake, etj.

Meqenëse ky gjest shoqërohet gjerësisht me ndershmërinë, nuk mund të jetë më i sinqertë për t’u uruar mirë të tjerëve, por edhe për të mbrojtur veten dhe të tjerët në këto kohë të COVID19, atëherë  të përshëndetemi me ‘dorë në zemër’. 

Dhe duke qenë se është e njohur globalisht, kjo përshëndetje lehtë mund të adaptohet si përshëndetja “e re” që zëvendëson shtrëngimin e dorës, kërcitjen e bërrylave dhe fërkimin e këmbëve. / KultPlus.com

Koronavirusi mbyll Malin Everest

Mali më i lartë në botë Everest është mbyllur për pjesën tjetër të sezonit të ekspeditës, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Qeveria e Nepalit njoftoi se do t’i anulojë të gjitha lejet e ngjitjes nga 14 marsi deri më 30 prill.

“Kemi vendosur t’i ndalojmë të gjitha vizat turistike deri më 30 prill”, tha Narayan Prasad Bidari, sekretar i Zyrës së Kryeministrit.

Ai gjithashtu i këshilloi të huajt që nuk kanë mundur të shmangin shkuarjen në Nepal nga data 14 mars, të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Shumica e alpinistëve në Everest vijnë nga Shtetet e Bashkuara, India, Kina, Britania e Madhe, Japonia dhe Koreja e Jugut dhe janë burim kryesor i të ardhurave për Qeverinë e Nepalit.

Kushdo që dëshiron të ngjitet në Everest duhet t’i paguajë qeverisë 11,000 dollarë.

Shpërthimi i koronavirusit ka bërë që shumë qeveri në botë të mbyllin shkolla, pika turistike, si dhe të anulojnë fluturime.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka infektuar mbi 128,000 njerëz në gjithë botën.

Si pasojë e tij, 4,720 pacientë kanë vdekur.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Kinë në muajin dhjetor, ndërsa që atëherë janë përhapur edhe në mbi 100 shtete të botës.

Nga vendet e goditura më së keqi në Evropë është Italia, me mbi 12,400 raste. / KultPlus.com

Fjalimi befasues i Fan Nolit në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve

Kulmin e saj oratoria e Nolit në Lidhjen e Kombeve e arriti me fjalimin aq të debatuar që mbajti në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më 10 shtator 1924. Shtypi ndërkombëtar e pasqyroi si një ngjarje jo të zakontë në aeropagun e diplomacisë botërore. Disa nga mediat më të mëdha të kohës do të shkruanin kështu për Nolin:

Mezzogiorno: “Fjala më e kthjellët dhe më e mençur”

Gazette de Lausanne: “Fjalë pa masë e zgjuar dhe e hollë”

Daily Telegraph:“Fjalë të drejta. Bombë e peshkopit shqiptar”

New York Times: “Peshkopi Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”

Nga mbledhja

Kryetari M. Motta: Kërkoj leje t’i drejtohem Asamblesë duke njoftuar se folësi i fundit, është Imzot, Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndos si kryeministër dhe kryetar të qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, dhe përfitoj nga ky rast të shtoj se tërë shtetet anëtarë të Lidhjes së Kombeve janë të njëshme para ligjit.

Fjalimi i Fan Nolit

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.

Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetëshe? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri. Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet. Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim. Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija. Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqësuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen. Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën? Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.” Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit? Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës. Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi. Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot. Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Dawes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal. Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve.

I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë, megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve. Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të?

  1. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj. Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve?

Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?

Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë: “Verweile doch, Du bist so schon!” ( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )

Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh. Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri.

Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkëpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes. Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë.

Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr! Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.

Përpara, o shokët e mi! Bota është gati për Ungjillin e ri. Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit dhe mundimet nuk do t’ju venë kot. ( Duartrokitje të zjarrta ).

Gjeneve 1924 /KultPlus.com

Fan Noli, vokacioni atdhetar i politikanit, poetit, diplomatit, publicistit dhe shqipëruesit

Ai ishte shumëdimensional. E pozicionoi veten dhe aktivitetin e tij çmues si veprimtar dijeshumë në një spektër të gjerë, duke u behur dhe mbetur një kontributor i paçmim, si në fushën e veprimtarit politik, diplomatik, klerik, poetik, publicistik dhe shqipëronjës. Ai u përkushtua dhe dha kaq shumë, erdhi dhe mbeti një dishepull i vlerave të njimendta. Në terrenin e thyer të udhëpërshkrimit ngulmoi dhe ofroi si pakkush. Dija, kultura dhe arsimimi, atdhetaria dhe gjakimi shqiptar e yshtën këtë vërshim vlerash përnga rrugë të pashkelura, përnga shtigje të pamundura dhe sfida jo fort të lehta.

Fan Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965, ShBA)

Ai ishte dhe mbeti burrështetasi dhe intelektuali i shquar, poeti dhe përkthyesi i pashoq, poligloti dhe dijeshumi i përmasave botërore, zëri i zëshëm i interesave shqiptare, kleriku i apasionuar dhe figura më e debatuar politike dhe historike.

Historia dhe biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra e dhjetëra shkrime e broshura të botuara kudo në botë. Për të është folur jo vetëm në vitin 1924, kur në Shqipëri udhëhoqi një nga revolucionet më të veçanta në Evropë, por edhe më shpejt. Atdhetar, demokrat, burrë shteti, poet dhe përkthyes. Theofan Stilian Noli, u lind Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të merrej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku nisi të punonte si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare. Shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashrit.

Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patriotët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, të cilit kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovinistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj.

Megjithëse nuk kishte bindje të forta fetare, u shugurua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetarë etj. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat më 1912 u bashkuan në federatën mbarëshqiptare “Vatra” dhe po atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1935 u kthye në një nga pasionet e tij të vjetra, muzikën dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin “New England” në Boston, ku u diplomua tre vjet më pas. Ishte 63 vjeç kur mori titullin “Doktor” në Filozofi nga Universiteti i Bostonit për disertacionin “Gjergj Kastrioti – Skanderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg), që botohet më 1947, vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965.

Ai u lind më 6 janar 1882 në İbriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905), kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903-shit, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re, duke kaluar nga Napoli, dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për njohuritë e tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.

Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kairos që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.

Jeta Parlamentare

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Lëvizja e Qershorit

Gjatë Lëvizjes së Qershorit 1924 nuk ishte për përmbysjen me forcë që ndodhi; u vendos në krye të saj vetëm si kërkesë e krahut të të rinjve, që shihnin tek ai një njeri me formim perëndimoro-amerikan. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor, e dënoi atë me vdekje në mungesë. Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ardhja e një delegacioni rus me në krye Arkady Krakovetsky shqetësoi kancelaritë perëndimore deri në atë pikë, sa të mbështesnin ardhjen e Zogut me anë të 106-112 oficerëve të ish-Ushtrisë Perandorake Ruse. Sipas mendimit të A. Këlcyrës në “Shkrime për historinë e Shqipërisë” vërehet se lidhjet me Bashkimin Sovjetik ishin munduar ngaherë t’i sendërtonin, por ishte pikërisht kjo lëvizje që duhej të soste.

Mërgimi i pakthim

Pasi zbarkuan në Bari me ftesë të Duçes u zhvendos në Vjenë pasi Italia lidhi marrëveshjet me Shqipërinë. Pas vrasjes së kolegut Luigj Gurakuqi në Bari, i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926-s, Berlin. Ndërsa vrasjes së mikut Bajram Currit elegjinë “Shpell’e Dragobisë”. Selia e Kominternit në Vjenë e ndihmon për të organizuar KONARE-n. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet e trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën. Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938.[3]

Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Dielli 27 mars 1943. F. S. Noli shkruan kryeartikullin: “Origjina, shvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“:…Atëhere puna mbeti t’i flisja Faik Konitzës dhe t’a fitonja për idenë e Bashkimit të Shenjtë. Konitza kundërshtoj me rreptësi Bashkimin e Shenjtë me Zogun në krye… Luftova disa dit’ e net me radhë që t’i mbushnja mendjen që s’kish tjatër më e mirë se kjo. Më në funt Konitza u bint. U bint dhe qendroj në fjalën e tij gjer në orën e vdekjes.”

Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Dielli 11 gusht 1943: “Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët Shqipërinë të Premten e Zezë. Populli shqiptar nukë dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: “Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj.”

Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.[3] Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

Veprimtaria letrare

Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse, Boston 1911. Përkthime që ai i çmonte si arritjet më të mëdha të tij. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve ’20. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte). Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante,[3] ndonëse pak folklorike.[4] Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Anton Çefa: Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit

Pjesa I

Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre.

Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat. Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë.

Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim e mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të spjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar kontradiktat e tij. 12)

Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferikë të ndërgjegjes kombëtare.

Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës – “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak, gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjët universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.

II

Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.

Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.

Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.

Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.

Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në të gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.

Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.

Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 19), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.

Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.

Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.

Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!

Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë. 20). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!

Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik

Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 21), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.

Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 22). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.

Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.

Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 23).

Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.

Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 24).

I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.

Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.

Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 25).

A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.

Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.

Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.

Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).

Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.

Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 26).

Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.

Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:

“Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,

tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”

Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.

Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.

Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.

Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës se proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,-premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”

Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo kontradiktë ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.

Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 27).

Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.

Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.

Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 28).

Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kuj e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?

Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.

Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 29). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.

Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.

Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Në internet, gjatë këtij viti është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!

Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.

(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)

Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mëndja satanike e njeriut.

Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik iliro-shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.

Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit. /Albert Vataj /KultPlus.com

Shqipëria ka mbyllur kufirin me Kosovën

Pikat kufitare me Shqipërinë janë mbyllur sot në orën 6.00.

Me vendim të Qeverisë shqiptare, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, pikat do të jetë të mbyllura deri më 15 mars, ora 24:00, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

“QKMK ju njofton: për masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, sa i përket qarkullimit kufitar për në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga data 13/03/2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë, për te gjithë shtetasit / veturat e Republikës së Kosovës. Do te lejohet hyrja vetëm e veturave te shëndetësisë / ndihmës së shpejt , automjeteve komerciale (ata te cilat bartin mallra) dhe veturave qeveritare. Kjo masë do të zgjasë deri me datë, 15/03/2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Lajmi është konfirmuar edhe përmes telefonit dhe postës elektronike.

Deri më tash në Shqipëri janë konfirmuar 23 raste me koronavirus, ndërsa një ka humbur jetën si pasojë e tij.

Qeveria në krye me Edi Ramën ka marrë po ashtu masa tjera, duke ndaluar qarkullimin edhe Brenda vendit. /Koha.net /KultPlus.com

55 vjet nga vdekja e Fan Nolit

Sot bëhen 55 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com

Dua Lipa në mesin e yjeve që do të performojnë në Glastonbury

Dua Lipa është në mesin e yjeve të muzikës që do të performojë në “Glastonbury Festival” në verë, raporton BBC.

Përkundër koronavirusit, nuk është paralajmëruar se do të do anulohet festivali, transmeton Koha.net.

Më shumë se 90 yje të muzikës do të performojnë në edicionin e 50-të të Glastonburyt që është paraparë të mbahet më 24 qershor në Somerset.

Taylor Sëift, Kendrick Lamar, Lana Del Rey e Sir Paul McCartney janë disa prej yjeve të tjerë që pritet të performojnë.

Kujtojmë se koronavirusi deri më tani ka prekur disa festivale e ngjarje kulturore, duke bërë që shumica prej tyre të shtyhen.

Raportohet se për edicionin e 50-të të Glastonburyt janë shitur mbi 175 mijë bileta. / KultPlus.com

“Shqipëria, vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë e cila ushqen urrejtje kundër bukurisë”

Faik Konica mbetet një intelektual i papërsëritshëm edhe në ditët e sotme. Një njeri mendjendritur jo vetëm si politikan por edhe si publicist e shkrimtar që pasuroj mendimin letrar shqiptar.

KultPlus sjell vetëm disa prej shprehjeve më të bukura të Faik Konicës:

Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”

“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.”

“Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.”

Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.

Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.

Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.

Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirëinformuar. Në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.

Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme.

Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.

Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.

Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.

Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.

Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!

Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.

Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.

Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.

Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.

Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.

Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.

Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit
t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.

Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

Nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.

Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh. / KultPlus.com

Nicholas Abbott fton Rita Orën të vijë në Kosovë, nëse ndihet e vetmuar

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott në një postim në Facebook e ka ftuar këngëtaren shqiptare Rita Ora të vijë në Kosovë, nëse ndihet e vetmuar.

Ky postim i tij vjen në përkrahje të Rita Orës, e cila ka paralajmëruar se sonte në mesnatë do të sjellë këngën e saj më të re “How To Be Lonely”, transmeton Koha.net.

“Nëse Rita Ora ndjehet e vetmuar, gjithmonë mund të vijë në Kosovë”, ka shkruar Abbott, i cili ka shpërndarë postimin e Rita Orës ku ka paralajmëruar këngën e re. /KultPlus.com

Image

“Baladë mbi dashurinë”, me tekst të Musa Ramadanit, kënga që fitoi Çmimin e parë në Akordet e Kosovës (VIDEO)

Shkrimtari i shquar Musa Ramadani iku në amshim, duke lënë pas vetes një krijimtari të pasur artistike, shkruan KultPlus.

Poet, romancier, gazetar, publicist, eseist, e tekst shkrues me perceptime moderne.

Përveçse si shkrimtar, Musa Ramadani ishte i suksesshëm edhe në fushën e muzikës, ku kontribuoi me shkrime të teksteve të këngëve.

Sonte po e sjellim njërën nga tekstet që ai shkroi. Bëhet fjalë për këngën “Baladë mbi dashurinë”, të cilën e interpreton bukur këngëtari Besnik Krajku.

Ky tekst i fuqishëm i flet dashurisë, duke e ngritur atë në piedestal.

Krajku pati sukses me këtë këngë duke fituar Çmimin e parë në Akordet e Kosovës në vitin 1978.

Në mbledhjen përkujtimore që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Kosovës për nder të Musa Ramadanit, u lëshua në fund videoja ku shihet vet autori teksa i këndon vargjet e tij të cilën po e sjellim më poshtë. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=UNGEuqocTMo&fbclid=IwAR3SO5jyAgF3r_tcJ_L1nWFC_nItQWukvDwXSFeNREgaKE9xNXIVD0JfFuk&app=desktop

Balerini Kadiu apel qytetarëve shqiptarë kundër përhapjes së koronavirusit

Balerini i famshëm shqiptar, Kledi Kadiu, i cili punon dhe jeton në Itali i është bashkuar fushatës sensibilizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Ministria e Shtetit për Diasporën ka shpërndarë videon e ndërgjegjësimit nga balerini i mirënjohur shqiptar Kledi Kadiu për bashkëkombasit e tij në Shqipëri.

Kadiu është shprehur se “gjithçka do të shkoj mirë edhe në Shqipëri”.

“Unë rri në shtëpi. Rigorozitet dhe optimizëm si në Itali dhe në Shqipëri”, thekson Kadiu.

“Vetëm kështu do ta mundim, të gjithë bashkë”, shprehet balerini shqiptar.

“Atdhetarë këtej dhe andej Adriatikut, për shkak të përhapjes së koronavirusit po përjetojmë çaste të vështira, të papara në kohë paqeje. Gjithkush prej nesh duhet të bëjë atë që na kërkohet. Duke ndryshuar pak stilin e jetës. Unë rri në shtëpi. Ju ftoj ta bëni dhe ju duke ruajtur veten dhe të dashurit tonë që nga kjo situatë të dalim sa më shpejtë. Ju përshëndes nga Italia Kledi”, thotë balerini i famshëm, Kledi Kadiu. /KultPlus.com

Familja mbretërore vetëkarantinohet

Mbreti i Norvegjisë Harald dhe mbretëresha Sonja janë në karantinë dhe kanë ndërprerë angazhimet e tyre publike.

Ata nuk janë të sëmurë ose pozitivë, por janë përshtatur, për të dhënë një shembull të mirë, me dispozitat e qeverisë së Oslos.

Kjo e fundit vendosi sot që kushdo që kthehet në vend nga jashtë duhet të izolohet në shtëpi, pa asnjë dallim midis vendeve të origjinës ose nëse paraqesin simptoma apo jo. /KultPlus.com


Imzot Frendo: Çdo fatkeqësi sjell diçka pozitive

Në këtë kohë të vështirë për të gjithë, kur më shumë se kurrë është nevoja që të qëndrojmë në shtëpi për të mbrojtur veten dhe të tjerët, Imzot Ipeshkv George Frendo në një lidhje live me Ilva Now, në Euronews Albania iu bëri thirrje shqiptarëve të tregojnë solidaritet dhe të bëhen të përgjigjeshëm. “Çdo fatkeqësi mund të sjellë me vete diçka poizitive. Është rast për të treguar më shumë solidaritet dhe të bëhemi më të përgjegjshëm se kjo sëmundja na tregon jo vetëm përgjegjësinë që kemi për veten por edhe për të tjerët. Unë përsonalisht kur kam folur me të tjerët këto ditë kam thënë se unë përsonalisht jo se kam frikë nga koronavirusi por u kam thënë se kam përgjegjësi për ju. Nëse unë infektohem, unë që kam shumë kontakt me popullin, vë në rrezik edhe të tjerët. Për këtë duhet të jemi më shumë të vetëdijshëm”.

Imzot Frendo përmend se që më 29 shkurt janë dhënë disa udhëzime për besimtarët. Që nga ajo ditë në kisha është hequr uji i bekuar, kungimi nuk jepet mbi gjuhë por me dorë, në momentin që në kishë thuhet t’i japim paqen njëri tjetrit të mos i jepet dora dhe që mos të preken statujat. “Kur kemi dhënë këto udhëzime, na kanë thënë se e kemi tepruar e kemi krijuar panik kot, por këtë javë kemi vënë re se këto masa ishin shumë të dobishme për të shmangur rrezikun që të infektohemi. Kemi anuluar çdo aktivitet nga ana e kishës, edhe pelegrinazhin në nder të Shna Ndout. Nga ana jonë kemi njoftuar nëpërmjet shtypit se nuk do të bëhet”.

Imzot Frendo e mbyll fjalën me një mesazh dhe lutje për të gjithë ata që i përgjigjen situatës aktuale me frazën “Do na ruajë Zoti!” “Përgjigjem me fjalët e Jezu Krishitit! Kur Djalli i tha Jezusit hidhu nga tempulli, nga çatia e tempullit, të gjithë njerëzit do të çuditen që nuk do të të ndodhë asgjë. Do të vijnë engjëjt, do të të mbrojnë, Jezusi i është përgjigjur: ‘Mos e tundo Zotin tënd!’ Dhe të njejtën fjalë kam unë, mos të themi Zoti do të na ruajë! Zoti nuk do të lejojë që unë të shkoj në kishë për meshë dhe të marr infeksion! Ne kemi detyrë morale të mbrojmë vetveten kundër rrezikut e prandaj kemi detyrë të marrim të gjitha masat që të mos marrim këtë infeksion. E për këtë arsye kemi marrë këtë vendim të vështirë për ne, të cilën e kemi diskutuar shumë. Jemi në kohën e Kreshmeve, është koha më e bukur, më e rëndësishme në tërë vitin, megjithatë ne kemi bërë këtë sakrificë e kemi marrë këtë vendim. Nuk do të bëjmë meshë në kishë. Nuk do të kemi asnjë kremtim në kishat tona sepse kemi detyrë morale”. /KultPlus.com

Ndërrimi i hapit që është i nevojshëm

Në fillim të vitit e shihnim Kinën më shumë me mosbesim se sa me shqetësim. Virusi dukej një zjarr aziatik, i largët. Kush do të dinte të shënonte Wuhanin mbi një hartë? Nuk kishim arsye të trëmbeshim. Së paku jo si Vend: do t’ishte infektuar një grusht udhëtarësh të zellshëm mes dy kontinenteve, por asgjë që të kishte të bënte me “popullin italian”. Ishte paragjykimi i tjetërkundit, ka shkruar Paolo Giordano dje tek Corriere, duke vazhduar një arsyetim të nisur më 25 shkurt mbi evidencën matematike të infektimit. Në pika të ndryshme, por mjaft të afruara, Pekini dhe Milano janë gjendur në të njëjtën vijë kohore. Ai paragjykim, siç ndodh shpesh ishte një mashtrim. Mashtrimi i tjetërkundit.

Të qëndrojmë atëherë mbi atë vijë e të lexojmë lajmet që vijnë sot nga Wuhani, kryeqendra e një province qëndrore të Republikës popullore, Hubeit, ku jeton një popullsi që përkon me numurat e asaj italiane (më shumë se 60 milion banorë). Dje të infektuarit e rinj në Wuhan ishin 36. Për të dytën ditë rradhazi, asnjë i infektuar i ri nuk është njoftuar në pjesën tjetër të Kinës. Me krenari, por dhe me dëshirën për të përmbysur me shpejtësi paraqitjen e Vendit nga fajtor në virtuoz, regjimi tregon fotografitë e spitaleve të masave të jashtzakonshme duke u zmontuar.

Do të kuptojmë shpejt nëse epidemia po zbrapset përfundimisht në vendet ku ka lindur; ndërkaq të provojmë të shohim se si mund të fusim në Itali marshin përmbrapa që të vrapojë paralelisht. Pyetja që të gjithë bëjnë, madje  edhe vetes në këto orë është e drejtë dhe e thjeshtë: a mundet një demokraci klasike evropiane të durojë të njëjtën terapi që ka ndaluar shoqërinë dhe ekonominë kineze për rreth provincës së Hubeit? Mbyllje me breshëri të zyrave, dyqaneve e fabrikave; ndalesë e të gjitha zhvendosjeve të brëndëshme; kontroll në rrugë dhe masa ndëshkimore të ashpra; familje të bllokuara në shtëpi prej më shumë se një muaji me harxhet e dorzuara në portat e pallateve; deri edhe në ndërprerjen e kampionatit të futbollit pa asnjë farë diskutimi….

Si mund të gjejmë një strategji, të jashtzakonshme e tonën, t’aftë të verë në të njëjtën vijë demokracinë dhe gjëndjen e jashtzakonshme, duke i u përgjigjur kështu edhe dyshimeve të New York Times sa i përket aftësisë / paaftësisë italiane të respektojë (e jo t’i bëjë dredha përjetësisht) rregullave?

Në këto ditë – që e dijmë se janë të fundmet përcaktuese për të shmangur rënien e spitaleve – secili prej nesh ka qënë i pranishëm i tmerruar para ikjes kokëkrisur nga Veriu të mijra banorëve drejt krahinave jugore të origjinës (guvernatori Emiliano ka numuruar 9362 puliezë të kthyer). Kemi parë fotografitë e parqve milaneze plot djem e vajza në një të djelë me diell sikur të festonin fundin e dimrit. Jemi frikësuar para pamjeve dolomitike të turmës në rradhë para impianteve të skive. Kemi pushuar së buzëqeshuri për guximin e atij që thyen karantinën e vëndit të tij për të shpëtuar “së paku fëmijët”e për atë që nuk arrin të gëzohet së largu për një gol me porta mbyllur. Mbi të gjitha kemi pyetur (pa marrë asnjë shpjegim) si mundet që brënda “zonës së re të sigurisë” nuk ka mbetur zona e kuqe origjinale, për të lajmëruar një zonë edhe më shumë të ruajtur. Të dhënat e infektimeve a janë të njëjtat?

E vërteta është se kemi arritur tani në mënyrë të paorganizuar në një udhëkryq që  na detyron zgjedhje të qarta e përfundimtare. E që kërkon tani vendosmërinë e atyre që na drejtojnë e na mbarështojnë të bëjnë të respektohen rregullat e veçimit e të mbrojtjes, të nevojshme për bashkësinë. Shteti që na përfaqëson duhet të gjejë masat e duhura në rastet e indisiplinimit. N’emër të këtij që është një objektiv kombëtar, e të vetëdijshëm për atë vijë të përkohëshme që ka bashkuar në një sërë të shpejtë Pekinin – Milanon – Romën – jugun – pjesën tjetër të botës, ka kuptim të shtrijmë te të gjithë krahinat masat e parashikuara nga nata e 8 marsit për zonën portokalli. Për italianët perimetri i “sigurisë” nuk mund të mos përkojë me kufijtë e gjithë Vendit. Nuk mund të ketë më as moskuptime ndërmjet qytetarëve dhe as kapërcime ndërmjet provincave. As shpërngulje në të kundërt as kushte të posaçme për Veneton që, për fat e meritë, ka numura në përmirësim.

Ka ndonjë që këshillon në këtë kalim qënësor e pa kthim, përdorimin e ushtrisë. Nuk ka nevojë të ushtrizojmë Vendin, ushtarët mund të ndihmojnë policinë e karabinjerët në terren – dhe pjesërisht e bëjnë – siç ka ndodhur në raste të tjera spikamash, që nga fatkeqësitë natyrore tek terrorizmi.

Frika e madhe, natyrisht, është ndalimi i ekonomisë kombëtare. Regjimi i Pekinit ka mundur t’i lejojë vetes ngrirjen e gjithshkaje e të gjithëve, ekonomi e shoqëri, duke siguruar që “dora e shtetit” do të përballojë kostot e krizës si edhe të gjallërimit. Përsëri do të kemi nevojë për të gjetur rrugën tonë, perëndimore e liberale, për të projektuar të pritmen e për të kufizuar që tani dëmet e spread-it. E përsëri përgjigja e jonë ekziston: është Evropa, e mbetur deri tani pothuajse pa zë në mes të të dhënave jo simetrike të Shteteve antarë.

Ndërrimi i hapit që i kërkojmë atij që merr vendimet e vigjëlon mbi respektimin e normave rrënjësore na takon neve. Në mbrojtjen këmbëngulëse të një stili jetese mbiveprues, të themeluar mbi lëvizjen e sfidën, me gjasë ndihemi më të fuqishëm. Në të vërtetë jemi robër të një përtacie që bie në sy menjëherë: nuk arrijmë të konceptojmë më vështirësinë, nuk arrijmë të përballojmë mundimin e të ndërruarit të sistemit të jetesës, mundin e ngadalësimit, e të qëndruarit të ndalur për të mirën e të tjerëve. Dhe tonën.

“Corriere della Sera”, 9 mars 2020. E përktheu Eugjen Merlika /KultPlus.com