Më 28 mars 1989, në Kosovë shpërthyen protestat e mëdha kundër represionit të Serbisë

Në të gjithë Kosovën, më 28 Mars të vitit 1989, shpërthyen protestat e mëdha kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga parlamenti serb.

Kjo datë shënon edhe pushtimin e Kosovës nga forcat ushtarake serbe. Nga sulmet e ushtrisë serbe, që në ditën e parë të demostratave u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Kjo datë e furishme dhe e përgjakshme ka hyrë në historinë e Kosovës si ditë e manifestimit të vullnetit për pavarësi. Me gjithë dhunën e egër, kosovarët nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet për lirie pavarësi. Dy vite më vonë, u shpall pavarësia e vendit, në vitin 1991, u përfundua referendumi, ku kosovarët shprehën dëshirën e tyre që të jetojnë të lirë dhe të pavarur në vatrat dhe në trojet e tyre.

Ndërkaq në vitin 1992 u zhvilluan zgjedhjet për deputet në parlamentin e Kosovës dhe për Kryetarin e Republikës. / KultPlus.com

Mozarti, gjeniu që u gropos në varr të përbashkët dhe la pas një vdekje të mistershme

Një nga gjenitë e muzikës, një nga magjistarët e këtij arti magjepsës, ai që do të mbetet përjetësisht një ëndje e gjeneratave si mjeshtri i mjeshtrave, ai, Wolfgang Amadeus Mozart, iku duke lënë pas më shumë se trishtim. Iku në një rrugë pa kthim dhe humbi në asgjënë e harrimit atë mbasdite të sertë dhjetori.

Iku për të mbetur pa varr. I’u dha një lamtumire aspak dinjitoze. Gjithçka e madhështisë së tij ishte katandisur në një asgjë 5 dhjetorin e vitit 1791, atë ditë kur kortezhin e përmortshëm e shpartalloi stuhia duke lënë pa zot arkivolin me trupin e pajetë të gjeniut.

Plot 118 diagnoza vdekjeje u përpiluan dhe krijuan panoramën morte të fundit të këtij gjeniu. Asnjëra prej tyre nuk u bë provë më shumë se sa ajo për të cilën shtypi vjenez pëshpëriti, ditë e vite më pas.

Ai që kishte mrekulluar e magjepsur një shekull të tërë kishte përfunduar në një varr të përbashkët. Një vdekje e mbetur mister, pas të cilës ngrihet alibia e një helmimi nga rivali dhe armiku i tij i përjetshëm, Antonio Salieri. Një lamtumirë e ndëshkuar nga moti dhe një pasvdekje që rrit famën e muzikës së tij, dhe bën me faj gjithçka që gëloi më pas, ndoshta më shumë se askënd bashkëshorten e tij.

Ishte ajo, Kostanca, e cila u nda jo me aq dhimbje nga bashkëshorti i saj, se sa me merakun për të përfituar nga emri dhe nga pasuria muzikore që Mozart kishte lënë. Pasi kishte përfituar pension, kishte hequr qafe fëmijët duke i degdisur ata të rriteshin pa prindër, plot 18 vite nga vdekja e bashkëshortit ajo kujtohet të shkojë në varrezat e Shën Markut ku gjeniun e muzikës, të nesërmen e ceremonisë mortore, varrmihësi e kishe hedhur arkivolin me trupin e tij në një gropë të madhe e të thellë. Ishte ajo gropë ku zakonisht varroseshin vrasës, lypsarë e të pastrehë që ngrysnin ditët e mjera të agonisë në shtretër spitalesh apo shtëpi bamirësie.

Kostanca Mozart ishte kujtuar shumë vonë për varrin e të shoqit. Kishin kaluar kaq vite. Kujdestari plak që atë mëngjes të 6 dhjetorit të vitit 1791 së bashku me arkivolet e tjerë të pjesës mjerane të shoqërisë kishte hedhur në gropën e përbashkët gjeniun e muzikës, nuk jetonte. Ajo, gruaja që u nda së gjalli e së vdekuri me njeriun që e bëri atë të pavdekshme, e kishte të pamundur mes atyre kockave, të gjente ato të bashkëshortit, atë grusht eshtra që ajo i kishte bluar dhe ngrënë për 18 vite pa u brejtur në ndërgjegje as si nënë, as si bashkëshorte.

Dhe kështu, historia e artit, bota e muzikës, kujtesa e kohërave u ndanë me Wolfgang Amadeus Mozart kaq tragjikisht, për të mbetur përgjithnjë të mbështjellë nga aureola e famës së tij, nga magjikja e muzikës që la testament njerëzimit.

Nata misterioze

Në vitin 1791 një i panjohur i tha Mozartit:

– Shkruamëni një Rekuim.

Tha këto fjalë misterioze dhe i panjohuri iku, pa u dukur fare sikurse edhe kishte ardhur dhe nuk u pa më.

Mozarti pati një mbresë të thellë nga ky takim. E shkroi Rekuimin me një forcë misterioze dhe pak ditë më vonë vdiq.

Ditën që vdiq Mozarti ishte një furtunë e madhe që vazhdoi edhe të nesërmen. Kjo pengoi edhe njerëzit më të afërm që të merrnin pjesë në varrim. Të vdekurin e çuan në varreza të pashoqëruar puthuaj nga asnjeri.

Tri ditë më vonë e shoqja shkoi në varreza për të parë vendin ku ishte varrosur burri i saj.

– Wolfgang Amadeus Mozart? – pyetën varrmihësit.- Nuk e kemi dëgjuar këtë emër dhe nuk kemi varrosur njeri me këtë emër.

Mozartin e madh, në atë stuhi të tmerrshme të natyrës e kishin varrosur shpejt e shpejt në një varr të zakonshëm ku shiu i zhduku shenjat e grumbullimit të dheut. Edhe sot nuk dihet me saktësi vendi se ku pushojnë eshtrat e kompozitorit të shquar. /albertvataj/ KultPlus.com

Një qytetar i mirë, një qytetar i vdekur

Leonora Aliu

Një qytetar i mirë,
një qytetar i vdekur.
Si gruaja që nuk bën zë
Për burrin e saj qyqar
Nëna që ledhaton flokun
E fëmijës së palumturisë
Dashnorja nuk kërkon as të vetmen gjë
E përbuzja pranon të fëlliqet
Lopa që nuk shqelmon
Bariun që nuk ka për ta mjelë vetë
Një pallë për prostitutën
Pas të gjashtën herë në kohën e drekës tek garazhet erë vjetërsie
Ora katër e pasdites
Për administruesin, i shtypen gishtërinjtë për pensionet, vdekjen për ta shtyrë matanë
Hija për argatin
Larë në djersë pas shtrimit të betonit në 40 gradë
Një qytetar i mirë
Mbase, një qytetar i vdekur.

E xhelatin e zgjedh vet./KultPlus.com

‘Vendi më i lumtur është ai ku ndihet sa më pak dora e qeverisë’

KultPlus ju sjell disa thënie të njohura që trajtojnë mënyrën e zhvillimit të politikës dhe të kombit.

Vendi më i lumtur është ai ku ndihet sa më pak dora e qeverisë.

Një popull që s’ka opinion publik, nuk mund të numërohet për komb.

Njerëzit që u pëlqen sallami dhe ligjet, është mirë të mos i shohin kurrë se si këto të dyja përgatiten.

Është e sigurtë zhdukja e një vendi ku njerëzit mposhtin ligjin dhe forca mposht të drejtën.

Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.

Shumica e politikanëve ngjajnë me shpërgejtë; duhen ndërruar shpesh se zënë erë shpejt.

Nuk ka zotërinj më të mëdhenj se të vetëquajturit shërbëtorë të popullit.

Inisiativa private që mbështet në shfrytëzimin tinëzar e të pamëshirshëm të natyrës është edhe më e keqe se socializmi i dështuar.

Sistemi i sotëm ekonomiko-shoqëror do të bjerë shpekt nëse nuk do të rishikojë urgjentisht raportet e tij me mjedisin dhe natyrën.

Transparenca është syri i demokracisë.

Politika është arti i brishtë i marrjes së votave nga të skamurit me financimin e të kamurve duke u premtuar mbrojtje nga njëri-tjetri.

Pushteti është shumë i madh, por është shumë i vlefshëm për t’ua lënë në dorë politikanëve.

Zgjedhjet fitohen kryesisht për hir të faktit që pjesa më e madhe e njerëzve votojnë kundër dikujt sesa për dikë.

Demokracia plus injoranca e popullit është rruga më e shkurtër drejt despotizmit nëpërmjet demagogjisë.

Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin.

Kemi mësuar të fluturojmë si zogjtë e të notojmë si peshqit, por nuk e mësuam dot kurrë artin e bashkëjetesës si vëllezër.

Koha mbërrin vetë në udhëkryqin e pashmangshëm. Heshtja mbërrin vetë në pikën e ngopjes. Dufi arrin vetë pikën e shpërthimit. Maskat arrijnë vetë çastin e rënies.

Politika ngec në vepra, nuk ngec në fjalë. Ky është kurthi i saj. Demagogët besojnë se nëpërmjet spërdredhjes së guhës mund të justifikojnë gjithçka, madje t’i paraqesin, sipas rastit dhe interesit, në të njëjtën dritë të shkëlqyer zgjidhjet e ndryshme apo të kundërta.

Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim.

Në demokraci forca e arsyes është dhe duhet të jetë më e fuqishme se arsyeja e forcës.

Hajdutët e mëdhenj çojnë në burg të voglin.

Durimi i popujve është grazhdi i tiranëve.

Të qeverisësh do të thotë të parashikosh.

Demokraci shumë e mirë është ajo në të cilën, ndëra në të gjitha të tjerat ka barazi, epërsia përcaktohet nga virtyti, kurse inferioriteti nga ligësia.

Demokracia e skajshme është më e keqe se tirania.

Shoqëria më e përsosur është ajo në të cilën mbizotëron një klasë e mesme , e cila numerikisht është më e lartë se të gjitha klasat e tjea shoqërore.

Varfëria është prind i revulucionit.

Ëshët e padurueshme të qeverisësh nga një njeri më i keq se vetja.

Një qeveri, sado e pandershme të jetë, nuk është aq e keqe sa anarkia.

Në ndryshimet e situatatve edhe më të fuqishmit ua kanë nevojën më të dobtëve.

Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes me përjashtim të atyre që njerëzimi ka provuar deri sot.

Partitë i ndërroj për parimet, por parimet nuk i ndërroj për partitë.

Shtet i përkryer është ai që dëgjon së tepërmi ligjet dhe shumë pak oratorët.

Ata që veçojnë politikën nga etika nuk do ta kuptojnë kurrë as njërën as tje
tjetrën.

Pa harmoni as shteti nuk mund të drejtohet siç duhet, as familja.

Oratori dinak i rrëzon ligjet.

Situatat kritike i shkatërrojnë regjimet tirane.

Tiranët kanë një ves të keq: nuk u zënë besë miqve.

Kur qytetarët janë disiplinuar para ligjeve atëherë shtetet bëhen të fuqishme e të lumtura.

Gjatë viteve të nazizmit xhelatin e duartrokisnin xhelatët, ndërsa në të gjitha llojet e komunizmit xhelatin e duartrokasin viktimat.

Demokracia nuk është ligji i shumicës, por mbrojtje e pakicës.

Ai njeri që në moshën 19 vjeçare nuk është revulucionar, nuk ka zemër. Njeriu që në moshën 40-vjeçare mbetet revolucionare, nuk ka mend!

Ka një sekret që burrat e mençur udhëheqës e dinë dhe e pranojnë: femrat janë arkitektet e fshehura të shoqërisë.

Në politikë është si në matematikë: ajo që nuk ëshët krejtësisht e saktë, është e gabuar!

Për fat të mirë ne amerikanët nuk jemi një qeveri që ka një komb, por një komb që ka një qeveri.

Shpesh shikojmë nga qeveria për të zgjidhur problemet tona. Kjo është e gabuar atëherë kur qeveria është vetë problemi.

Të gjithë ne nuk kemi talente të barabarta, por të gjithë duhet të kemi një mundësi të barabartë për t’i zhvilluar ato.

Në politikë është nganjëherë si në gramatikë. Një gabim që e bëjnë të gjithë, më në fund pranohet si rregull.

Të gjitha krimet i lind tirania, e cila është më i madhi krim.

Të kuptosh ç’është mizoria, të mos e mohosh ekzistencën e saj, ta përballosh realitetin pa paragjykime.

E vetmja gjë që na shpëton nga burokracia është joefikasiteti i saj. Një burokraci efikase është kërcënimi më i madh i lirisë.

Ka raste kur të votuarit nuk është demokraci. Ama të numëruarit – po!

S’ka rrezik më të madh për një komb, se kur njerëz dinakë shkojnë për të urtë.

Pak opozitë i bën shumë mirë njerëzimit. Balonat ngrihen dhe fluturojnë lart vetëm duke shkuar kundër erës dhe jo duke e ndjekur atë.

Ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë pa ndihmuar të tjerët që të ndërtojnë të tyren.

Pothuaj të gjithë mund t’u bëjnë ballë vështirësive por nëse doni të testoni karakterin e një njeriu, jepini pushtetin.

Një burrë shteti është ai që mendon për gjeneratat e ardhshme , kurse një politikan është ai që mendon për zgjedhjet e ardhshme.

Urrejtja dhe fuqia nuk mund të jenë në një pjesë të botës, papatur efekt mbi pjesën tjetër të saj.

Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht. Dhe nëse ndodh, mund të vini bast se ka qenë planifikuar të ndodhë.

Edhe në fronin më të lartë të botës, për t’u ulur do të përdorësh… prapanicën.

Politikani i mirë ka një ideal në zemër dhe një program në kokë.

Partia nuk është “putanë” që, kujt i ngrhet mund t’ia hipi, por një komunitet njerëzish bashkaur për një ideal dhe disiplinuar me statut e kushteturë.

Liria pa socializëm është padrejtësi. Socializmi pa lirinë është skllavëri.

Me shumë mundësi kemi të gjemë një bordello me gra të virgjëra se një qeveri me njerëz të ndershëm.

Një lider di ç ‘është mirë të bëhet, një menaxher di vetëm si ta bëjë mirë.

Mjerimi ka këtë të mirë, që e zë për fyti miletin dhe ia sjell mendtë në kokë me pahir, në qoftë se nuk ia ka nxjerrë shpirtin.

Nuk është vështirë të bësh kurorë, po është vështirë të gjesh kokë të mirë.

Çdokush ka katër dhurata: Vetëdijen, Ndërgjegjgjen, Dëshirën për pavarësi dhe Imagjinatën. Këto na japin lirinë themelore; të drejtën për të zgjedhur, për t’u përgjigjur dhe për të ndryshuar. /shks/ KultPlus.com

Albin Kurti: Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije, ne s’arrijmë t’i marrim me mend

Në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin, Ferdonije Qerkezit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka realizuar një bisedë me Ferdonijen.

KultPlus ju sjell të plotë postimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Sot pasdite bisedova me zonjën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin.

Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve.

Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend.

Ky është një krim i vazhdueshëm pasi që është drejtësi e munguar. Të pagjeturit duhet të jenë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi./KultPlus.com

Papa Françesku bën lutjen e jashtëzakonshme për botën

Si kurrë më parë në histori, sheshi “Shën Pjetër”, këtë të premte ishte bosh. Papa Françesku mbajti i vetëm, një lutje të jashtëzakonshme për këtë moment që po kalon mbarë njerëzimi, për të gjithë besimtarët e mbarë popujt në të katër anët e globit.

Papa shpërndau bekimet e “Urbi et Orbi”, që zakonisht jepen vetëm për Krishtlindje, Pashkë, apo pas një zgjedhjeje papale.

“Prej javësh, duket se mbizotëron terri. Errësira të mëdha kanë mbërthyer rrugët, sheshet e qytetet tona, duke u bërë zotër të jetës sonë, duke mbuluar gjithçka me një heshtje shurdhuese e zbrazëti të shkretë, që paralizon çdo gjë ndërsa kalon. Ndihet në ajër, në gjeste, e thonë vështrimet. U gjetëm mes frikës e hutimit, si dishepujt e Ungjillit, u gjetëm në befasi nga një stuhi e papritur dhe e tërbuar. Kuptuam, se jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Të gjithë të brishtë e të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm e të domosdoshëm, të gjithë duke lundruar së bashku, të gjithë me nevojën për të ngushëlluar njëri-tjetrin”.

Çdo fjalë e tij, është një referim i plotë i momentit unik që po kalon Italia dhe e gjithë bota. “Lakmitarë në fitim. E lamë veten, të mbytemi nga gjëra e të nxitojmë nga hutimi. E tani që jemi në një det të hapur, të përgjërohemi: ZGJOHU O ZOT!”.Papa Francesku ka mbyllur këtë lutje të jashtëzakonshme në sheshin “Shën Pjetër”, duke i besuar Shën Mërisë, humanizmin e duke i kërkuar Zotit, të mos braktisë njeriun në këtë furtunë.

Për këtë rast, përpara derës qendrore të bazilikës së Shën Pjetrit, ishte vendosur kryqi që është nderuar për t’i dhënë fund një plage të shekullit XVI. /konica/ KultPlus.com

Eksperiment në Suedi, qeveria e lë në dorë të qytetarëve luftën ndaj Coronavirusit

Suedia e fundit në glob sa i përket masave shtrenguese.

Prej sot nuk lejohen grumbullime me më shume se 50 persona, ndërkohë që ky numër tejkalohet për shembull në mencat e shkollave, trena, autobuza etj, ku distanca është më pak se 1 metër.

Gjithashtu sezoni pranveror i skive ku mblidhen mijëra njerëz, nuk anulohet. (Gjithkush e kujton se ishin pikërisht aktivitetet e skive në Itali në shkurt që çuan në këtë situatë katastrofike sot).

Edhe për këtë aktivitet, qeveria dhe specialistet e shendetit publik, iu bëjnë thirrje njerezve që të mos dalin në vende publike nëse janë të prekur nga virusi.

Suedia është i vetmi vend në botë, ku qeveria i lë në dorën e vullnetin e qytetarëve masat shtrenguese e ku qytetarët i besojnë thuajse në menyre të verber qeverisë (E cila u beson experteve).

Është një experiment, një marrëdhënie ndërvarësie besimi dy palësh, që askush nuk e di se ku do të dalë. E sigurtë është që Suedia do të dalë më mire ose më keq se të gjithë vendet në këtë histori e luftë me armikun e panjohur./27.al/ KultPlus.com

MKRS me grup punues për të ndihmuar organizatat kulturore, rinore dhe sportive

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të themelojë grupin e punës për ndërtimin Planit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përfshin masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja, për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga efekti i pandemisë globale COVID-19.

Fokusi i punës së këtij grupi do jetë ngritja e programeve të reja për subvencionim të krijuesve, të rinjve dhe sportistëve individualë si dhe OJQ-ve dhe bizneseve në këta sektorë të cilat kanë nevojë për mbështetje, me qëllim të vijimësisë së punës.

Grupi i punës do i propozojë ministrit kriteret e reja për përfitim të fondeve konform pakos emergjente pas Masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Sipas pakos, për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.

Pra, me caktimin e grantit prej 5 milion euro dedikuar për MKRS-në, ministrja Dumoshi menjëherë ka ndërmarrë veprimet e duhura për themelimin e grupit punues për të ndihmuar sektorët e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë.

Ministrja Dumoshi tha se është obligim i yni që t’u gjendemi pranë organizatave kulturore, rinore e sportive në këtë kohë të vështirë. / KultPlus.com

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Siddhartha’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Herman Hese është një nga romancierët më në zë të shekullit 20. Fitues i çmimit “Nobel” për letërsi dhe autor i një sërë romanësh filozofik, mes së cilëve edhe “Siddhartha” të cilin po e rekomandojmë sonte.

“Siddhartha” është roman i botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt.

Si njohës i mirë i budizmit, Hese zgjedh emrin Siddharta që do të thotë arritje e gjetjes së kuptimit të ekzistencës. Siddha – arritje dhe Artha – kërkim.

Për ta shkruar këtë roman Heses iu deshën më shumë se dy vjet, kurse me të dalur në treg libri, ngjalli interesim dhe kureshtje të madhe, por gjithashtu pati edhe kritika ndaj tij. Siddharta ky djalosh, është shpirt i trazuar që dëshiron të nis rrugën drejt të vërtetës, ai don të jetë një “Samana”, pra mendimtar – i riu nuk mjaftohet me mësimin e artit të savanasë, ai shkon përtej kësaj, te Buda, mjeshtri, ideve të të cilit Siddharta nuk iu bindet, ndaj vendos të largohet sepse kishte diçka që e pengonte në këtë drejtim, pra në përqafimin e ideve të Budës.

Me t’u larguar, djaloshi i rij do të provojë shumë gjëra të kësaj bote, pasurinë, dashurinë, lidhjen me prostitutën Kamala, e tregtinë. Gjithnjë duke kërkuar që gjatë rrugëtimit të gjejë të vërtetën brenda vetes.

Romani në fjalë lexuesit i lë përshtypje për meditacionin dhe trajtesën mjeshtërore të jetës askete brahmanë, tradtië fetare jo aq e njohur në Evropë para se Hese ta sillte në këtë vepër. Herman Hese i qaset në aso mënyre rrëfimit, duke treguar mjeshtërinë e tij me rrjedhshmërinë, elementet narrarive, të cilat shkrihen natyrshëm në tërësinë kompozicionale të veprës.

“Siddhartha” mbetet njëra nga veprat më të lexuara të letërsisë botërore për shkak se trajton një temë universale, temën e kërkimit të dijes dhe jetës – krahas konceptit budist të njësisë së qenieve.

“Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo”

Libri na zbulon konceptin budist për jetën përmes personazhit Siddharta, i cili nis rrugën e tij jetësore duke hulumtuar misteret e jetës.

Fragment nga libri

Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës. /KultPlus.com

Shaqe Çoba, gruaja e parë shqiptare që studioi Shkenca Politike

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.

Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.

U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.

Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.

Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. /albanianwomen/ KultPlus.com

Besa Avdiu ofron mësime falas për nxënësit e ciklit të ulët

Inxhinierja Besa Avdiu është shprehur e gatshmë të ndihmoj nxënësit e ciklit të ulët të cilët hasin në probleme gjatë zgjedhjes së detyrave në matematikë, shkruan KultPlus.

Besa Avdiu ka shkruar një status në grupin ‘Vullnetarët kundër Coronavirusit në Kosovë’ në Facebook, ku iu është drejtuar prindërve.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Avdiut.

‘Të nderuar prindër

Nëse femijët tuaj janë prej klasës 1 deri në klasën e 5 dhe hasin në probleme matematikore, lirisht më dërgoni detyrën apo pjesën ku kanë probleme konkrete më pas unë me video inxhizim e sqaroj detyrën dhe e dërgoj si video tek ju qe fëmiu të ketë sqarimin dhe ta kuptoj atë.

Mos hezitoni me kontaktoni këtu në fb permes mesazheve apo ne whatssapp në numrin e telefonit +37745230300!
Të kontribojmë për të vegjlit tanë,
Me shumë dashni,
Msc. Besa Avdiu – inxhiniere.’ / KultPlus.com

‘O Vendi im, të thërras unë me mall, a lindë për ne dielli ma?’

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend, këngët e të cilin shfaqin haptazi revoltën kundër sistemit, shkruan KultPlus

Sonte KultPlus ju sjell një version më ndryshe të këngës ‘Mallëngjimi’ nga grupi Troja, të titulluar ‘Vendi im’.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

O Vendi im
Të thërras unë me mall
A lindë për ne Dielli ma ?

Ku janë ato fusha ?
Atje ku bahej buka
Lisa deri në qiell
Në vendin tim më nuk ka

O Vendi im
Të thërras unë me mall
A lindë për ne Dielli ma ?

Ku janë ato fusha ?
Atje ku bahej buka
Lisa deri në qiell
Në vendin tim më nuk ka. / KultPlus.com

Historia e themelimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Sot në Ditën Botërore të Teatrit, KultPlus ju sjell historikun e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Teatri Kombëtar i Kosovës u themelua në Prizren në vitin 1946 dhe ishte teatri i parë profesional në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim u quajt ‘Teatri popullor krahinor’ dhe ishte i vendosur në qendrën sportive ‘Partizani’.

Thuhet se ky objekt ka pasur një skenë shumë të vogël dhe nuk permbushte kërkesat bazike për një vend i cili do te mund te përdorej si një teatër. Themeluesit e teatrit të parë profesional në Kosovë ishin Pavle Vugrinac, Milan and Cica Petrovic te cilët mblodhën aktorë te rinjë të talentuar me dëshirë për të punuar për teatrin dhe emëruan Shefqet Musliun si drejtor gjeneral te atij institucioni.

Themelet e shfaqjeve të ndryshme teatrale të sistematizuara dhe të regjistruara pranë enteve zyrtare gjenden në Prizren ku në vitin 1946 teatri lokal u ngritë në nivel rajonal e më vonë në teatër popullor në nivel krahinorë. Ky ishte institucioni i parë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore nga i cili më vonë do të krijohet teatri profesionist. Shumë shpejt, disa muaj pas themelimit, ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që, në vitet ’60, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste.

Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish Jugosllavisë janë përcjellë nga mbi 3.200.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet e shumta të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave.

Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të ndryshme artistike.

Kështu, p.sh., në vitin 1967, shfaqja “Erveheja” e regjisorit Muharrem Qena është nderuar me Çmimin e Regjisë më të Mirë në Festivalin e Dramës Jugosllave “Sterijino Pozorje”. Krahas shfaqjeve në gjuhën shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presion të rëndë politik nga sistemi dhe regjimi komunist jugosllav.

Në vitin 1990, regjimi serb i Slobodan Milosheviqit, e ka vënë këtë teatër nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët shqiptarë dhe duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike të këtij teatri. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës aktive paqësore kundër regjimit totalitar serb, nëpër shtëpitë – shkolla u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e ansamblit profesionist të këtij teatri. Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës.

Gjatë 10 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe, si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Dumoshi: Kosova është e nderuar që ka një traditë të pasur në fushën e teatrit

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Teatrit, mirëpo duke qenë se bota po kalon në ditët e një pandemie të vështirë, manifestimet e ndryshme për të festuar këtë ditë janë anuluar pothuajse në gjithë botën, shkruan KultPlus.

Këtë ditë e uroi edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, ku shprehi respektin dhe mirënjohjen e saj të madhe për punën e palodhshme që bëhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Dumoshit.

‘Në ditën Botërore të Teatrit dëshiroj t’iu uroj këtë ditë të gjithë profesionistëve të kësaj fushe, dhe njëkohësisht t’iu shpreh mirënjohjen dhe respektin tonë për punën e palodhshme që bëjnë ata për kulturën e Kosovës.
Teatri përfaqëson vlera të larta nacionale dhe universale, prandaj jemi të përkushtuar për ta ndihmuar, të bindur se kështu e ndihmojmë avancimin e përgjithshëm kulturor të Kosovës.
Kosova është e nderuar që ka një traditë të pasur në fushën e teatrit dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më shumë.
Po ashtu, në këtë ditë, dëshiroj të kujtoj me respekt të gjitha ata që kanë dhënë shumë ndër vite për teatrin shqiptar dhe që sot nuk janë më mesin tonë.
Veprat e tyre janë themele të rëndësishme në historinë e kulturës sonë.’ / KultPlus.com

Rita Ora lanson videoklipin e këngës ‘How To Be Lonely’ (VIDEO)

Pas lansimit të këngën “How To Be Lonely” në versionin audio, Rita Ora tashmë e ka sjell edhe videoklipin e kësaj këngë, shkruan KultPlus.

Kjo këngë vjen në një kohë mjaft të vështirë për njerëzit të cilët tashmë janë të izoluar për shkak të koronavirusit, e ndoshta muzika është mjeti më i mirë më të cilën mund ta kalojnë kohën.

Këngëtarja shqiptare lajmin për publikimin e videoklipit të kësaj këngë e ka bërë në rrjetin social Instagram, duke u shprehur tejet falenderuese ndaj gjithë ekipës që ka punuar në realizimin e këtij videoklipi.

Drama koreane që parashikoi koronavirusin

Një serial dramë koreane e cila flet për një koronavirus vdekjeprurës në vitin 2018 është bërë shfaqja më e shikuar në Netflix në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton KultPlus.

Në një skenar paralel, shumë të ngjashëm me pandeminë që po përjetojmë, një personazh paralajmërohet për koronavirusin e ngjashëm me gripin, i cili kërkon një periudhë inkubimi prej 14 ditësh. Ai sulmon mushkëritë dhe për të nuk ka një vaksinë.

Në serialin ‘My secret Terrius’ virusi mutant përdoret si një armë që mund të vrasë 90% të popullsisë. / KultPlus.com

Paratë të shqetësojnë edhe kur veç i përmend

Nga: Simply Red
Shqipëroi: Bujar Meholli

Sapo jam pushuar nga puna
dhe qiranë më duhet ta paguaj,
kalamajtë e mi kanë nevojë
për këpucë të reja.
E, ç’duhet të ndërmarr?

Vajta në bankë
për të parë nëse mund të bëj diç,
ata më thanë: e po bir,
duket se fati i keq të ka kapluar…

Te vëllai im vajta më pas
të më ndihte sado pak shpresova,
ai tha se “do t’i pëlqente diçka e tillë
por s’qe në gjendje ta bënte”…
Ç’të bëja tjetër veçse atin tim
ta telefonoja,
po, atin tim e thirra dhe ai më tha:

“Paratë të shqetësojnë edhe kur veç i përmend,
ah, pa-ra-të, pa-ra-të,
mua mezi më del pensioni tim…”

Ne s’flasim gjë tjetër veç për para,
oh Zot eja dhe zbrit këtu poshtë
s’ke ç’të shohësh
sall vrapim pas monedhave…

Ato të shqetësojnë edhe kur veç i përmend,
pa-ra, pa-ra, pa-ra…
Ne veçse për para flasim
gjithë kohën e kohës,
por ç’bëjmë vërtet
kur në duar kemi ndonjë kacidhe?

Oh, pa-ra, pa-ra,
dinero…
Ndjen shqetësim po i përmende,
di-ne-ro, di-ne-ro,
ne s’flasim veçse për to,
për to…
për paratë…

Teksti i këngës nga: John Valentine & William Valentine /KultPlus.com

“Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin”

Thënie për jetën

-Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

-Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

-Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

-Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

-Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

-Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë

– Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

– Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

– Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

– Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

– Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.

– S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.

– Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

– Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

– Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

– Ai që s’di të mësojë, jep mend.

– Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.

– Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

– Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

– Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

– Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

– Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë. /KultPlus.com

Mesazh për Ditën Botërore të Teatrit: Teatri ka potencialin për t’u bërë një faltore dhe faltorja një hapësirë interpretimi

Teatri si Faltore

Në përfundim të një shfaqjeje të Teatrit Ajoka për poetin sufist Bulleh Shah, një plak, i shoqëruar nga një djalë i ri, erdhi tek aktori që luante rolin e sufistit të madh. “Nipi im nuk është mirë, ju lutem jepeni një bekim atij.” Aktori u mahnit dhe tha: “Unë nuk jam Bulleh Shah, unë jam thjesht një aktor që luaj këtë rol.” Plaku tha: “Bir, ti nuk je aktor, ti je rimishërimi i Bulleh Shahut, avatarit të tij.

Papritur na erdhi një koncept krejt i ri i teatrit, ku aktori bëhet rimishërimi i personazhit, që ai / ajo e portretizon. Eksplorimi i tregimeve të tilla si ai i Bulleh Shahut, dhe që ka aq shumë në të gjitha kulturat, mund të bëhet një urë lidhëse mes nesh, krijuesve të teatrit dhe një audiencetë panjohur, por entuziaste.

Ndërsa performojmë në skenë, ne nganjëherë largohemi nga filozofia jonë e teatrit, nga roli ynë si paralajmërues i ndryshimeve shoqërore dhe lëmë pas një pjesë të madhe të masave.

Në betejën tonë me sfidat e së tashmes, ne privojmë veten nga një përvoje lëvizëse thellësisht shpirtërore që teatri mund të ofrojë.

Në botën e sotme ku fanatizmi, urrejtja dhe dhuna janë në rritje dhe planeti ynë po zhytet thellë e më thellë në një katastrofë klimatike, duhet të rimbushim forcën tonë shpirtërore.

Duhet të luftojmë apatinë, letargjinë, pesimizmin, lakminë dhe mosrespektimin e botës në të cilën jetojmë, planetit ku jetojmë.

Teatri ka një rol, një rol fisnik, në dinamizimin dhe mobilizimin e njerëzimit për t’u ngritur nga rënia e tij në humnerë. Ai mund të lartësojë skenën, hapësirën e shfaqjes, në diçka të shenjtë.

Në Azinë e Jugut, artistët prekin me nderim dyshemenë e skenës para se të shkelin në të, një traditë e lashtë ku ndërthuren ana shpirtërore dhe kulturore. Është koha për të rimarrë atë marrëdhënie simbiotike midis artistit dhe audiencës, të kaluarës dhe të ardhmës.

Bërja e teatrit mund të jetë një veprim i shenjtë dhe aktorët me të vërtetë mund të bëhen avatarë të roleve që luajnë.

Teatri ka potencialin për tu bërë një faltore dhe faltorja një hapësire interpretimi./ Nga Shahid NADEEM, Pakistan, Përktheu: Elmaze Nura / KultPlus.com

Edhe kryeministri britanik i infektuar me koronavirus

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, me anë të një video-incizimi të postuar në rrjetin social Twitter, ka njoftuar se pas testimeve ka dalë pozitiv me koronavirus.

Kryeministri britanik ka shkruar se pas testimit është vetizoluar dhe do të drejtojë qeverinë në formë digjitale.

“Përgjatë 24 orëve të fundit kam pasur simptoma të lehta dhe jam testuar pozitiv me koronavirus. Tani jam në vetizolim, por do të vazhdojë të drejtoj qeverinë me anë të video-konferencës perderisa e luftojmë virusin. Bashkë do t’a mundim këtë”, ka thënë kryeministri britanik./GazetaExpress/ KultPlus.com

Toskana, në magjinë e natyrës piktoreske, shkëlqimin e gotikut dhe elegancën e Rilindjes

Qytetet kodrinore të Toskanës janë krijuar në kohë të turbullta ndërsa sot rrugët e tyre mesjetare, kishat e mbushura me afreske dhe pejsazhi i mrekullueshëm i fshatrave toskanez janë trashëgimia e këtyre rivaliteteve

Toskana-Itali

Për të nisur një udhëtim në “parajsën” tokësore italiane merr shkas në Pienza, një trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO, me dizajnin e mrekullueshëm mesjetar që i detyrohet Papa Piu II. Katedralja dhe rezidenca e vjetër papale në Pallatin Piccolomini qëndrojnë kryelarta në sheshin kryesor të qendrës. Një tjetër vend miqësor është edhe Montepulciano, i njohur për verën Vino Nobile, prodhimin e mjaltit, djathit dhe pastave. Arkitektura gotike është hijeshuar nga ajo e Rilindjes, dhe kjo vihet re në Biagio di San Tempio. E ndërtuar në shekullin e 16 nga një gur i artë i zbehtë, kjo kishë është pasqyrimi i përsosur i idealeve të gjeometrisë së Rilindjes.

Ngritur në një derdhje vullkanike, rrethuar nga gryka nga të tre anët, Pitigliano duket sikur është rritur e jo ndërtuar. Shkallët gjarpëruese zhduken në kthesa dhe rrugicat me kalldrëm qëndrojnë joshëse nën harqe. Fshati gjithashtu është quajtur “Jeruzalemi i vogël” për shkak se dikur ka qënë strehë e komunitetit më të madh hebre në Itali. Ndërtesat e vjetra të lagjies mbijetojnë ende, përfshirë këtu edhe një sinagog i mbuluar me luks. Rajoni toskanez meriton një udhëtim më vete, për të parë mrekullitë që e përfshijnë atë, duke mos lënë në harresë Firencen, qytetin e Rilindjes, dhe qendrat historike të saj, të cilat tërheqin mijëra vizitorë cdo vit.

Verë pa pesticide në Toskana

Toskana

Në Toskanë të Italisë, prodhuesit e verës po heqin dorë nga përdorimi i pesticideve, duke e vendosur rajonin në qendër të skenës biodinamike të Italisë. Bujqësia biodinamike përjashton kimikatet dhe mbështetet tek përdorimi i plehrave natyrore dhe tek cikli i hënës. Në zonat e fshatrave të Toskanës në Itali shihen kodra të shumta të gjelbëruara buzë luginave mjaft të hijshme. Toskana është gjithashtu rajoni ku prodhohen disa prej verërave më të mira të Italisë. Por kjo industri shekullore po fillon të ndryshojë disa nga rregullat e saj. Prodhuesit e verës po heqin dorë nga pesticidet për të përqafuar një mënyrë biodinamike të zhvillimit të bujqësisë. Vreshti La Maliosa në Mançano është një sapo ka hyrë në skenën biodinamike. Rrushi në të rritet mes luleve si Calendula dhe Phacelia, ndërsa insektet kanë përreth një mjedis shumë të përshtatshëm. Varietetet e rrushit Alicante dhe Ciliegiolo lulëzojnë këtu pa ndihmën e asnjë pike pesticidesh. Pronarja e La Maliosa-s, Antonella Manuli është një sipërmarrëse nga Milano. Ajo hyri në botën e verës biodinamike në vitin 2005, me blerjen e këtij vreshti dikur të braktisur. “Toskana është veçanërisht e përshtatshme për vreshtari biodinamike, sidomos për shkak të relievit së terrenit. Me gjithë këto kodra që ndahen në ngastra të vogla, krenaria e këtij rajoni nuk mund të jetë bujqësia intensive. Në fakt, lloj i bujqësisë që ne zhvillojmë ruan më së miri bukurinë e peisazhit.\” Zonja Manuli punësoi specialistin e aftë të verave, Enrico Bachechi, për t’u kujdesur për vreshtin. Sipas zotit Bachechi, vreshtaria moderne bën gabimin e të konsideruarit natyrën si armikun e saj.”Është një betejë e pafund kundër barërave të këqija, insekteve, kërpudhave, bakterieve. Kjo është një betejë e humbur që në nisje. Prandaj, arrihet në abuzim me kimikatet, të cilat grumbullohen mbi tokë, duke ndotur burimet ujore, e duke e bërë punën jashtëzakonisht të vështirë për vreshtarët. Në bujqësinë biodinamike, ne kemi marrë një qëndrim të kundërt. Në fakt, baza e saj është bashkëjetesa e të gjitha qenieve të gjalla\”. Me anë të vreshtarisë biodinamike prodhuesit e verës përpiqen të krijojnë harmoni në vreshtat e tyre, dhe luftojnë barërat e këqija duke mbjellë më shumë lule dhe duke i përdorur ato si pleh natyror, duke trajtuar tokën me përgatitje biodinamike, dhe duke ndjekur ciklet e hënës. Pak ditë pas natës me hënën e plotë më të shndritur të vitit, zoti Bachechi spërkat vreshtin me diçka të quajtur \”Preparati 500\”, një përzierje e veçantë plehu organik lope, i mbajtur brenda një briri dhe i groposur gjatë dimrit. “Preparati 500” është pleh, jo pesticid. Ithtarët e biodinamikës ngulmojnë se kjo e bën tokën të pasur me minerale, duke lejuar që rrushi të rritet i shëndetshëm, ndërkohë që nuk vret insektet dhe parazitët. Kundër tyre vreshtarët biodinamikë kërkojnë mënyra për të gjetur grabitqarët e duhur, ose – për të forcuar rezistencën e vreshtave – përdorin përzierje bimore që mund të krahasohen me antibiotikë natyrorë. Një diçka e ndërmjetme midis shkencës dhe filozofisë, bujqësia biodinamike mbështetet në parimet e vendosura nga Rudolph Steiner, një filozof austriak i fundit të shekullit 19-të. Vera biodinamike në përputhje me udhëzimet e Steinerit, vlerësohet nga një kompani certifikuese ndërkombëtare, e quajtur Demeter. Toskana nuk jetonë vetëm me të kaluarën, por është më shumë se kurrë në kërkim të së ardhmes,  falë historisë dhe veçorisë së saj, për të përmballuar sfidat e shoqërisë së globalizuar. Këtu do të gjeni qendra të rëndësishme industriale dhe  teknologjike ndër të cilat mund të veçojmë sektorët:

Toskana

Modë, design, tekstile dhe lëkurë

Këtu kanë lindur dhe janë selitë më të mëdha të shtëpive të modës, duke filluar nga Gucci, Ferragamo, Patrizia Pepe. Përveç emrave më të famshëm në fushën e modes ky territor është i pasur me shumë kompani  që prodhojnë produkte luksoze dhe zejtare për “l’alta moda”. Një rëndësie të veçantë ka përpunimi dhe punimi i lëkurës (Toskana prodhon 80% të asaj evropiane) dhe industria tekstile.

Gastronomia dhe Eno-gastronomia

Bujqësia dhe blegtoria janë ende me rëndësi të madhe sot, duke patur parasysh cilësinë e produkteve që ofron territori. Toskana është rajoni i parë në Evropë që ka miratuar një ligj të veçantë që ndalon kultivimin dhe prodhimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht dhe konsumin e tyre. Lidhur me vajin e ullirit ekstra të virgjër është për të raportuar prania e 5 DOP (Markë me Origjinë të Mbrojtur) (Chianti Classico, Colli Fiorentini, Lucca , Siena dhe Tuscia). Mbi verën mund të theksojmë rëndësinë globale të verërave toskane që numërojnë më shumë se 6 lloje DOCG – Carmignano ( Prato Province ) , Brunello di Montalcino , Chianti ( me 8 nën- zonat e saj ) , Morellino di Scansano, Vernaccia di San Gimignano , Vino Nobile di Montepulciano – dhe 34 tipe DOC ( Markë me Origjinë të Kontrolluar). E njohur në të gjithë botën është Puroja toskane, e prodhuar me llojin e duhanit  Kentaki në Val di Chiana dhe në Valtiberina toscana.

Hi tech dhe Inovacion

Sektori i inovacionit në teknologji është gjithnjë duke u zgjeruar, përmendim këtu kompanitë që operojnë në sektorin e industris hapsinore si SELEX ES, kompanitë që marrin pjesë në projektet hapësinore evropiane, amerikane , ruse si Kaiser Italia, dhe shumë SME-të, universitetet e qendra kërkimore që punojnë me këto kompani.

Toskana

Turizmi

Çdo vit, rajoni ka numëron rreth 48 milion vizitorë, të cilët akomodohen në më shumë se rreth 12,200 struktura hotelerike, kampingje dhe agriturizme. Sektori i turizmit punëson pothuajse 70.000 persona, duke zënë 8 % të PBB-së rajonal dhe gjeneron 9 miliard euro në vit. Artizanati ( argjend dhe ar, qeramikë e mobilje druri, qelq dhe këpucë). Artizanati  toskan është i njohur në të gjithë botën. Është një sektor i rëndësishëm ekonomik, ku operojnë me shumë se 33.000 kompani dhe punojnë më shumë se 177.000 persona. Cilësia dhe vlera e produkteve toskane është vërtetuar dhe nga numri i lartë i eksporteve drejtë  USA, Rusia, Kina dhe vendeve aziatike.

Mermeri dhe guri

Toskana ka qenë gjithmonë lider në industrinë ndërkombëtare të mermerit. Në toskanë gjenden sasi të mëdha mermeri dhe guri me vlera të madhe historike të përdorura në shumë prej veprave të artit dhe arkitekturës toskane. Mermeri i Apuanës është materiali më i vjetër aktualisht në treg, i përdorur tashmë për veprat e mëdha romake. Çdo vit nxjerren rreth 2 milionë tonë mermer në blloqe për më shumë se 100 kompani të cilat ofrojnë punësim për 1.216 persona; në procesin e përpunimit veprojnë më shumë se 1.100 kompani dhe punojnë rreth 6.000 persona. /Albert Vataj /KultPlus.com

Era Istrefi lanson këngën “No Maybes”, bashkëpunim me Ilkay Sencan dhe Arash (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Era Istrefi e cila ka kohë që nuk ka publikuar ndonjë projekt te ri, sapo i dha fund pritjes së fansave të saj, shkruan KultPlus.

Kënga vjen në bashkëpunim me artistët e njohur si Ilkay Sencan dhe Arash.

E titulluar “No Maybes” kjo këngë vjen në gjuhën angleze dhe shqipe. Pjesa ku këndon Era është pothuajse e gjitha në gjuhën shqipe.

Kujtojmë se Era Istrefi famën e madhe në tregun ndërkombëtar e mori me këngën “Bon Bon”, këngë kjo e krijuar nga producenti kosovar Cricket. / KultPlus.com

Digjet muzeu etnografik në Has (FOTO)

Dje rreth mesnatës është djegur muzeu etnografik në Has.

Muzeu i cili ruante veshje dhe sende të rralla të zonës, është një humbje e madhe në kulturën e vendit.

Arsyet e zjarrit nuk dihen ende, por ndërhyrja e zjarrfikësve nuk ka mjaftuar për ta shpëtuar.

Ndërtesa është shembur në çatinë e saj dhe asgjë s’ka mbetur më brenda. / KultPlus.com