‘Jemi verbue shpirtnisht, na mungon dashunia’

Nga At Zef Pllumi

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën.

Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën ..

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem.

Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. / KultPlus.com

Koronavirusi mund të përcaktojë fatin e përballjes SHBA-Kinë

Ndërsa COVID-19 po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, analistët janë përqendruar me të drejtë mbi pasojat e mundshme shëndetësore dhe ekonomike. Por kjo pandemi, është duke diktuar zhvillimin më të rëndësishëm gjeopolitik të shekullit XXI:rivalitetin mes SHBA-së dhe Kinës, mbi atë se kush do e drejtojë botën në të ardhmen.

Mënyra se si do i menaxhojnë Uashingtoni dhe Pekini pasojat e pandemisë së koronavirusit në javët në vazhdim, mund të përcaktojë se kush do ta udhëheqë rendin ndërkombëtar dekadat e ardhshme. Tek e fundit, siç e shpjegoj në një libër të ri, pandemitë globale kanë kontribuar shpesh në ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha në të kaluarën.

Në shekullin V Para Krishtit, Athina ishte fuqia më e madhe e Greqisë së lashtë. Ajo ishte një shtet i pasur tregtar, qendra e artit dhe kulturës greke, dhe një fuqi detare që e kishte udhëhequr me sukses Aleancën Deliane në luftë kundër Perandorisë së fuqishme Persiane.

Por gjatë Luftën Peloponeziane kundër rivales së saj Spartës, Athina u godit nga një epidemi e rëndë në vitin 430 Para Krishtit. Studiuesit modernë, besojnë se ka qenë një epidemi e tifos e ardhur nga Afrika e Veriut. Sëmundja e shfarosi popullsinë e Athinës, e dërrmoi ushtrinë e saj, dhe madje i mori jetën udhëheqësit të saj më të mirë, Perikliut.

Para epidemisë, Athina ishte shumë pranë fitores, por e dobësuar nga sëmundja, ajo u detyrua të nënshkruajë një paqe të përkohshme në vitin 421 Para Krishtit. Kur rifilluan luftimet, Athina u mund nga Sparta, dhe forma e saj demokratike e qeverisjes u rrëzua nga spartanët fitimtarë.

Një fat të ngjashëm pati Republika e Venedikut. Sot, ne e shohim Venecian si një destinacion të mrekullueshëm turistik. Por në fund të Mesjetës dhe fillim të periudhës së hershme moderne, ajo ishte një superfuqi.

Venecia ka të ngjarë të ketë në atë kohë qyteti më i pasur në botë, fuqia më e madhe tregtare dhe detare. Ajo kontrollonte territorin, portet tregtare dhe kolonitë nga Italia kontinentale, në të gjitha rajonet e Mesdheut dhe Detin e Zi. Gjithsesi, ashtu si Athina, edhe Venecia u përball me raste të përsëritura të epiodemisë.

Murtaja Italiane e viteve 1629-1631, besohej se e kishte origjinën në Kinë, dhe prej andej u përhap në Perëndim, duke ndjekur trajktoren e të famshmes Rruga e Mëndafshit. Si një qendër e madhe tregtare, Venecia ishte ndër më të goditurat.

Ndërsa autoritetet bënë çmos për ta luftuar epideminë (fjala karantinë vjen nga fjala në dialektin venecian që do të thotë ‘40 ditë’), por nuk ishte e mjaftueshme. Murtaja Italiane, ndikoi në një ndryshim të madh në ekuilibrin evropiane të pushtetit, teksa Venediku ra, ndërsa shtetet e Evropës Veriore, si Anglia dhe Republika Holandeze, u ngritën për t’u bërë fuqi të mëdha gjeopolitike.

Siç thoshte dukur Ciceroni, paratë janë vektorët e pushtetit. Kina po raporton aktualisht ecurinë e saj ekonomike më të keqe ndër dekada. Tregu i aksioneve në SHBA është në rënie të lirë, teksa ekonomistët parashikojnë një recesion të afërt.

Që të dy fuqitë do të dobësohen ekonomikisht, por jo në mënyrë të barabartë. Aftësia e tyre relative për të “lundruar” në mesin e kësaj stuhie, do të përcaktojë kur dhe ndoshta edhe nëse, Kina mund ta kapërcejë SHBA-në, si fuqia më e madhe ekonomike në botë.

Në rafshin diplomatik, në garën SHBA-Kinë ekziston një element ideologjik, pasi shumë analistë e shohin modelin e drejtuar nga shteti autoritaro-kapitalist i Kinës, si një alternativë të zbatueshme ndaj sistemit demokratik të tregut të hapur që përfaqëson Amerika.

Për t’u përballur me COVID-19, Partia Komuniste Kineze u përpoq që ta fshehë epieminë, gjë që vetëm sa i përkeqësoi gjërat. Por pas një reagimi të ngadaltë, Kina vendosi masa drastike, dhe duket se e vendosi sëmundjen nën kontroll.

Analistët janë tani sy e veshë, për të parë nëse Shtetet e Bashkuara demokratike, do të jenë më të afta që ta përballojnë këtë krizë. Siç ndodh shpesh në shoqëritë e lira, qeveritë vendore dhe aktorët privatë, si universitetet ashtu dhe ligat sportive profesioniste, kanë ndërmarrë veprime më të vendosura sesa qeveritë kombëtare.

Por ekspertët paralajmërojnë, se do të nevojitet një veprim më i fortë në nivel federal. Suksesi i përgjigjes së SHBA-së, do të formësojë perceptimet globale mbi efikasitetin relativ të demokracisë përkundrejt autokracisë.

Dhe kjo nga ana tjetër, do të ndikojë në gjendjen globale të SHBA-së, fuqisë së saj të butë dhe aftësisë së saj për të tërhequr aleatët e lëkundur në orbitën e vet, dhe jashtë sferës së ndikimit të Kinës.

Ndërkohë në fushën ushtarake, Komisioni i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes për vitin 2018, paralajmëroi se Lufta e Trete Botërore me Kinën, është një skenar i mundur, dhe se Shtetet e Bashkuara, kanë gjasa edhe ta humbasin atë.  COVID-19 do të ndikojë mbi personelin ushtarak, dhe gatishmërinë e të dyja palëve, por edhe mbi strategjitë e qeverive kombëtare.

Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, besojnë se pasiguria mbi ekuilibrin e fuqisë ushtarake dhe zgjidhjen e kësaj çështje, është shkaku kryesor i konfliktit. Nëse qeveria amerikane është e fokusuar në reagimin ndaj katastrofave në shtëpi, dhe nëse ka për shembull një shpërthim epidemik tek personelit ushtarak amerikan, a do ta mendonte Pekini që tani është koha e duhur për të vepruar kundër Tajvanit?

Sigurisht, rreziqet e një lufte SHBA-Kinë mbeten të ulëta, por gjasat janë më të mëdha se sa disa javë më parë, dhe pasojat do ishin potencialisht katastrofike. Për fatin e mirë të SHBA-së, studimi im tregon se demokracitë në përgjithësi, ua kalojnë rivalëve të tyre autokratikë në garat e mëdha për pushtet dhe ndikim.

Nuk ka kohë për të humbur. Ndërsa udhëheqësit amerikanë, po përgatisin reagimin e tyre ndaj koronavirusit, ata duhet të mendojnë jo vetëm mbi krizën emergjence të shëndetit publik, por edhe për të ardhmen e udhëheqjes globale amerikane.

Shënim: Matthew Kroenig, është drejtor i Nismës së Strategjisë Globale në Qendrën Skaukroft për Strategji dhe Siguri në Këshillin Atlantik. Ai është edhe autori i librit “Rrithimi i rivalitetit mes fuqive të mëdha:Demokracia përkundrejt autokracisë, nga bota e lashtë, deri tek SHBA-ja dhe Kina”.

“National Interest” – Bota.al /KultPlus.com

Më 28 mars të vitit 1986 lindi këngëtarja e famshme, Lady Gaga

Stefani Joanne Angelina Germanotta, e njohur më mirë si Lady Gaga, ka lindur në New York më 28 mars 1986, popstarja është një prej famozeve më të adhuruara jo vetëm për muzikën e saj, por edhe për paraqitjet skenike, pamjen dhe provokacionet.

Prindërit janë me prejardhje italiane, babai nga Palermo e nëna nga Venecia.

Lady Gaga ka filluar të përformojë në moshën 19 vjeçare si këngëtare roku në skenat e qytetit të New York-ut. Ajo është edhe autore këngësh. Akon pasi e dëgjoi Lady Gaga-n, e bindi presidentin Interscope, Jimmy Iovine të nënshkruante me të një marrëveshje dhe me Kon Live Distribution të Acon.

Albumi i saj debutues Fama, The Fame, doli në Gusht të 2008 dhe pati një sukses të madh komercial. Dy këngët hite të albumit që dolën edhe si hite-single “Just Dance” dhe “Lady Gaga song)” href=”http://en.wikipedia.org/wiki/Poker_Face_%28Lady_Gaga_song%29″>Poker Face”, u kthyen në hite Number 1 të suksesit ndërkombëtar.

Lady Gaga e gjeti frymëzimin e saj tek rokerë të famës si David Bowie, Queen, si dhe tek mbretërit e muzikës pop Madonna dhe Michael Jackson. Ajo po ashtu ka një tërheqje të veçantë pas modës, të cilën e sheh si komponente esenciale të performancave të saj. Ajo deri më tani ka shitur 15 milionë albume në të gjithë botën dhe 51 milionë disqe single.

1986–2004: Fëmijëria dhe edukimi

Lady Gaga ka lindur më 28 mars 1998 në lagjen Yonkers, New York, ishte fëmija më i madh i prindërve me origjinë italo-amerikane Joseph dhe Cynthia Germanotta. Në moshën 11 vjeçare ndoqi mësimet në shkollën Juilliard School në Manhattan, por në vend të saj vazhdoi studimet në Convent of the Sacred Heart, një shkollë me edukim Katolik. Në moshën 4 vjeçare filloi të luajë në piano, balladën e parë për piano e shkroi në moshën 13 vjeçe dhe performimin e parë në skenë kur ishte 14 vjeç. Kur ishte 17 vjeç, ajo u pranua në moshë tepër të re në Universitetin e New York-ut Tisch School of the Arts. Atje ajo studioi muzikë përmirësoi aftësitë e saj për kompozim, duke kompozuar esse, si dhe u mor me kritikë arti. Më vonë ajo u largua nga shkolla për të vijuar karierën e saj muzikore.

2005–2007: Fillimi i karierës

Germanotta nënshkroi një kontratë me Def Jam Records kur ishte vetëm 19 vjeç. Po rreth kësaj moshe ajo largohet nga shtëpia e prindërve duke filluar përformimin në skena të klubeve në Lower East Side me grupe si Mackin Pulsifer SGBand. Në këtë kohë ajo pati eksperiencat e para me drogë si dhe duke përformuar në show të tipit burlesque; Lady Gaga thoshte për muaj të tërë se i jati nuk e kuptonte. Producenti muzikor Rob Fusari, i cili e kish ndiuhmuar Lady Gaga në kompozimin e disa këngëve në fillim e krahasonte stilin e saj vokal me atë të Freddie Mercury. Pseudonimi i saj Gaga, vjen sipas këngës të grupit Queen “Radio Ga Ga.” Ajo filloi ta përdorë këtë emër në skenë dhe prej asaj kohe njihet si Lady Gaga.

Ndërkohë ajo filloi të kompozojë për artistë të nivelit Pussycat Dolls, Britney Spears, dhe New Kids on the Block. Ishte Acon që pasi dëgjoi potencialin e saj vokal erdhi në përfundimin se Lady Gaga është po ashtu një këngëtare e mirë.

2008 deri sot: The Fame dhe The Fame Monster

Prej 2008, Gaga u vendos në Los Angeles, duke punuar për albumin e saj debutues The Fame. Gaga thotë se ajo ka kombinuar shumë gjini të muzikës në albumin e saj të parë. Më pasi ajo filloi të punojë në Haus of Gaga, ku ajo prodhon muzikë dhe veshje. Suksesi i albumit të parë dhe disqeve single të tij si “Just Dance” ose “Lady Gaga song)” href=”http://en.wikipedia.org/wiki/Poker_Face_%28Lady_Gaga_song%29″>Poker Face”, që dolën për herë të parë respektivisht më 8 Prill 2008 dhe 23 Shtator 2008 patën një sukses të padiskutueshëm në të gjithë botën.

Pas kësaj Haus of Gaga u kthye në fokus të Amerikës dhe botës mbarë.

Lady Gaga është kontraverse në paraqitjen dhe jetën e saj duke përformuar dhe jetuar gjithnjë kundra rrymës. Gjatë kësaj kohe ajo pati një lidhje sentimentale me një trumpetist të muzikës heavy metal. “Unë isha Sandy e tij dhe ai ishte Danny im” (personazhë të filmit Grease). Ndarja me të u kthye si frymëzim për disa këngë të albumit The Fame.

Gaga u kandidua për tetë çmime të 2009 MTV Video Music Awards duke përfshirë edhe Video of the Year, Best New Artist, Best Female Video dhe Best Pop Video për “Lady Gaga song)” href=”http://en.wikipedia.org/wiki/Poker_Face_%28Lady_Gaga_song%29″>Poker Face” dhe Best Direction, Best Editing, Best Special Effects, Best Cinematography dhe Best Art Direction për hitin “Lady Gaga song)” href=”http://en.wikipedia.org/wiki/Paparazzi_%28Lady_Gaga_song%29″>Paparazzi.[43] Gaga ia arriti të fitojë çmimin si “Best New Artist” ndërsa disku i saj single “Paparazzi” fitoi dy çmimet për “Best Art Direction” dhe “Best Special Effects.”[44] Në tetor 2009 Gaga fitoi çmimin e revistës Billboard Yjet në ngjitje 2009.

Pastaj ajo u shfaq në shown Saturday Night Live bashkë me Madonna-n duke perfomuar një pjesë nga disku single “Bad Romance”, që është këngë nga albumi i saj i dytë titulluar The Fame Monster. Gaga merr pjesë në shumë aktivitete si Human Rights Campaign’s “National Dinner” në 10 tetor 2009, përpara marshit National Equality March në Washington, D.C. Në fillim të këtij muaji, pra në nëntor 2009, gaga njoftoi për daljen e albumit të saj të ri The Fame Monster, në përbërjen e të cilit ka tetë këngë. “Bad Romance” sapo ka dalë si single duke arritur majat e shitjeve në SHBA, Australi, Angli, Irlandë, Suedi etj.

Stili muzikor dhe influencat

Lady Gaga në fillim ka pasur ndikime prej Michael Jackson dhe Madonna. Po ashtu tek yjet e rokut të glam rock si David Bowie dhe grupi Queen, prej nga ka marrë edhe pseudonimin si këngëtare. Artistë si Andy Warhol, poeti Rainer Maria Rilke, dhe ikona e modës skenës dhe këngës Grace Jones kanë qenë po ashtu frymëzuesit e saj. Si vokal e krahasojnë me Madonna-ën dhe Gwen Stefani, ndërsa për strukturën e këngës thonë se janë reminishenca të muzikës pop të viteve `80 dhe `90.

Pas debutit të saj të parë The Fame, The Sunday Times e krahason atë me Madonna-ën, Gwen Stefani, Kylie Minogue të viteve 2001 ose Grace Jones tani.” E ngjashme në kritikat e saj edhe Sarah Rodman tek The Boston Globe ku po ashtu heq paralele duke filluar nga Madonna deri tek Gwen Stefani, ndërsa vetë Madonna tek revista Rolling Stone ka thënë se e sheh vetveten tek Lady Gaga.

Gaga ka thënë se ajo është shumë e përfshirë tek moda, dhe se moda është për të gjithçka, dhe këtë ndjenjë për modën e ka trashëguar prej së ëmës e cila mbahet shumë mirë dhe është tepër e bukur. Ajo thotë se : “Kur jamë duke kompozuar unë mendoj se çfarë do të vesh në skenë kur do ta këndoj këtë këngë” dhe se kur ajo performon, perfomon art, muzikë dhe modë. Ajo ka skuadrën e saj producente dhe plot kreativitet, ku ajo drejton gjithçka. Arti i saj del nga Haus of Gaga, të cilën ajo e drejton personalisht. Lady Gaga ka gjashtë tatuazhe, midis tyre një simbol paqe peace symbol frymëzuar nga John Lennon, të cilin The Guardian e cilëson si heroin e Lady Gaga. Po ashtu ka një vargje në gjermanisht nga poeti Rainer Maria Rilke në të cilat thuhet “Në orët më të thella të natës, tregoi vetvetes se do të vdesësh nëse do të jesh i ndaluar të shkruash, dhe shih thellë në zemrën ku ka shpërndarë rrënjët përgjigjia dhe pyet vetveten, duhet unë të shkruaj?” Gaga e përshkruan Rilken si filozofin e saj të preferuar, duke e cilësuar atë si „filozofin e vetmisë”, ndërsak ajo e konsideron Donatella Versace si muzën e saj.

Gaga është një brune natyrale, por ajo bëhet shpesh bionde sepse e ngatërrojnë me Amy Winehouse.

Debuton në tregun diskografik në vitin 2008 me albumin “The Fame”: pren nga nxirren single të suksesit të madh si “Just Dance”, “Poker Face”, “Bad Romance” e “Paparazzi”. Fama e saj përhapet sidomos në Australi, Amerikë, Kanada, Zelandën e Re dhe Itali.

Falë albumit të saj të parë ka arritur në Shtetet e Bashkuara rekordin e e renditjes së 4 singleve numër 1 në Billboard Pop 100.

Në vitin 2009 del vepra e saj e dytë, me titull “The Fame Monster”. Në gusht të vitit 2010 jepet lajmi se Lady Gaga do të ketë një riprodhim të saj në dyll në të gjithë muzetë e Madame Tussauds, duke vendosur rekordin si artistja e parë në histori që t’i ketë shtatoret e saj njëkohësisht në dhjetë muze në mbarë botën.

Në të njëjtën periudhë mori triembëdhjetë kandidime për MTV Video Music Awards, rekord absolut për një artist: i fiton tetë.

Në vitin 2010 është në vendin e parë në klasifikimin special të 100 artistëve më me ndikim të shpallur nga revista TIME e në vendin e katër të klasifikimi të famozëve më të fuqishëm të shpallur nga javorja Forbes. E njëjta javore e rendit numër 7 në klasifikimin e femrave më të fuqishme të botës. Këngëtarja është zgjedhur drejtore e re artisitke e ndërmarrjes fotografike Polaroid. Lady Gaga ka një gamë zanore kontralto.

Në fillim të vitit 2011 Lady Gaga ka kënduar në duet me Elton John në pjesën Hello, Hello, marrë nga kolona zanore e filmit animativ Gnomeo e Giulietta. Pjesa është publikuar më 8 shkurt 2011. Albumi i dytë në studio i Lady Gaga do të titullohet Born This Way e do të publikohet më 23 maj 2011, siçe ka bërë të ditur këngëtarja nëpërmjet Twitter në një paraqitje të saj më 31 dhjetor 2010. Titulli është konfirmuar gjatë MTV Video Music Awards të vitit 2010, ku ka marrë plot 8 trofè. Singli me të njëjtin emër, paralajmëruar për datën 13 shkurt 2011 është vënë në qarkullim më 11 shkurt. Brenda më pak se 3 orëve ka arritur vendin e parë në plot 14 vende në iTunes dhe në më pak se 24 orë ka arritur kreun e renditjes në shumë vende. Interpretimi i parë i drejtpërdrejtë e singlit të ri është dhënë gjatë ceremonisë së dorëzimit të Grammy Awards 2011. Born This Way është kënga e njëmijtë që ka arritur vendin e parë në klasifikimin amerikan. Më 2013 ajo nxjerr albumin muzikor Artpop, më 2014 albumin tjetër Cheek to Cheek, 2016 – Joanne. Lady Gaga ka kryer këto turne botërore të koncerteve: The Fame Ball Tour (2009): The Monster Ball Tour (2009–2011); The Born this way ball tour (2012 – 2013 ); ArtRAVE (2013-2014); 2014/15 – Cheek to Cheek Tour; 2016 – Dive Bar Tour; 2017 /KultPlus.com

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Si të përballemi me vetminë’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në një kohë kur jeta duket sikur rend me ritme të pakapshme, kur përditshmëria sillet rreth punës dhe ambienteve të ngarkuara me njerëz, nuk janë të paktë ata që i druhen vetmisë. Ajo që shpesh shihet si veprim antisocial është në fakt një ‘sfidë’ që duhet përballuar pa problem.

Sara Maitland është shkrimtare angleze, e cila njihet për tregime të shkurtra me tendencë të realizmit magjik. Si autore e vlerësuar nga kritika, ajo ka ardhur edhe në shqip falë shtëpisë botuese “Pegi”, për të na udhëzuar drejt rrugëtimit tek vetja. “Si të përballemi me vetminë” vjen si një studim i autores angleze, e cila ka sjellë në vëmendje qëndrimet e ndryshme të shoqërisë ndër breza, ashtu sikurse propozon eksperimente për të mposhtur frikën dhe ndjenjën e ankthit që shpesh përcjellë frika ndaj vetmisë. Përjetimi i situatave të tilla do të ndihmojë në përballje me të qenit vetëm, çka do të sjellë një jetë më të pasur e më të plotë.

A doni të përballeni me vetminë? Një shoqëri si jona, e cila ecën me ritme të shpejta, nuk e pranon vetminë. Të jetuarit vetëm shihet si veprim antisocial, madje për disa është diçka kërcënuese. Përse ndodh kështu, kur autonomia, liria personale dhe individualizmi vlerësohen më shumë se kurrë më parë?

Kësaj pyetjeje, autorja Sara Maitland i përgjigjet nëpërmjet hulumtimit të qëndrimeve të ndryshme që ka mbajtur shoqëria njerëzore gjatë historisë. Ajo propozon eksperimente dhe strategji për të mposhtur frikën që kemi ndaj vetmisë, na ndihmon t’i praktikojmë ato pa ndjenjën e ankthit dhe na nxit të shohim sa e dobishme është vetmia për njeriun. Duke e përjetuar plotësisht përvojën e të qenit vetëm, mund të frymëzohemi për të zbuluar fuqinë tonë të brendshme dhe të jetojmë një jetë më të pasur e më të plotë. Seria “Shkolla e jetës “përmban këta tituj: Si të përballemi me vetminë – Sara Maitland • Si të përballemi me sprovat e jetës – Christopher Hamilton Si të përmirësojmë shëndetin emocional – Oliver James • Si të përballemi me moshën – Anne Karpf .. Sara Maitland thekson se çdo qenie njerëzore ka nevoja spirituale dhe mistike, të cilat veç izolimi apo vetmia mund t’i përmbushë.

The Indipendent                                                                                              

Jetojmë në një shoqëri që e konsideron vetëvlerësimin si një provë të mirëqenies, megjithatë nuk duam të kemi një marrëdhënie të ngushtë me këta persona të admirueshëm, që bartin këtë cilësi. Ne i shohim konvencionet morale dhe sociale si pengesa të lirisë personale, por nga ana tjetër, frikësohemi kur dikush shkëputet nga turma dhe kultivon zakone “të çuditshme”. Besojmë që secili ka “zërin” e vet unik dhe, para së gjithash, është krijues, por e shohim plot dyshim dhe mosbesim (në rastin më të mirë) këdo që përdor një nga metodat më të qëndrueshme të zhvillimit të aftësisë krijuese: të qenit vetmitar. Mendojmë se jemi qenie unike, të veçanta dhe e meritojmë lumturinë, por tmerrohemi nga vetmia. Pohojmë se liria personale dhe autonomia janë të drejta dhe të mira, mirëpo e konsiderojmë “të trishtuar, të çmendur ose të keq” këdo që e ushtron këtë liri në mënyrë të pavarur. /KultPlus.com

Unë ngrihem përsëri

Poezi nga Maya Angelou

Shqipëruar nga: Rudi Pobrati

Mund të gëzohesh se po më braktis,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel me këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.

Te shqetëson kryelartësia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me nafte,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?

Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.

Dëshiroje të më shihje të thyer,
Me kokë të ulur e sy me lot,
Me supe varur si lule thare,
Grua e mjere qe një fjale se thotë?

Mos të lëndon krenaria ime,
Mos ndoshta kujton se po lajthis,
Se qesh sikur kam miniera ari,
Atje prapa, në oborrin e shtëpisë?

Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund ti plagosësh sytë e mi,
Mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
Por njësoj si era do ngrihem përsëri.

Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse të kapi papritur habia?
Se unë eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mia?

Nga kasollet e turpit të historisë
Unë ngrihem
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujëvarë e lartë, e zezë freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.

Duke lënë pas frikën e natës se gjatë
Unë ngrihem
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem
Duke bartur dhuntitë e të pareve të mia
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem
Ngrihem përsëri!



Herman Bernstein: Mbreti Zog është një nga udhëheqësit që punon më shumë në Europë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Mars 2020

“The Chicago Tribune and the Daily News” ka botuar, të mërkurën e 25 majit 1932, në faqen n°3, një intervistë të Herman Bernstein, ambasadorit amerikan në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Bernstein, ambasador i Shqipërisë, në Paris

Rrugës për në detyrën e tij

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Herman Bernstein, ambasadori amerikan në Shqipëri, shkoi pasditen e djeshme në Paris, qëndroi atje për disa orë, dhe pastaj mori trenin e mbrëmjes për në Gjenevë për të kaluar dy ditë para se të kthehej në postin e tij në Tiranë.

Ai ishte shumë optimist për kushtet politike dhe ekonomike përtej Atlantikut. Tani për tani, tha ai, qytetet e mëdha pasqyrojnë depresionin shumë më tepër se qytetet e vogla sepse ato kanë një mentalitet të tillë depresioni, por “së shpejti do të dalin prej tij”.

— Po në lidhje me situatën politike çfarë mendoni ?

— Unë pres që t’i raportoj të njëjtit president gjatë pesë viteve të ardhshme. Nuk mund të them asgjë më shumë ?

— Shqipëria ?

— Një nga vendet më interesante në Evropë për të jetuar. Një vend shumë interesant dhe me të ardhme. Unë mendoj se Mbreti Zog është një nga udhëheqësit që punon më shumë në Evropë. Ai është i zënë çdo minutë në planet për të përmirësuar vendin e tij dhe po ia del mbanë me sukses.

Bernstein, i cili kaloi vetëm një muaj në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Uashington, u kthye me anijen Leviathan. Ai do të vizitojë vajzën e tij në Gjenevë para se të kthehet në Tiranë. /KultPlus.com

“Dashuria është eksperienca më e pasur, që një qenie njerëzore mund të përjetojë”

Me 59 libra në një periudhë 55-vjeçare, shumë e mendojnë se Mario Vargas Llosa duhet të pushojë, por peruani i vetëm që ka fituar një Nobel duket se nuk ka asnjë qëllim të tërhiqet përfundimisht nga letërsia.

Në moshën 82-vjeçare, njeriu i quajtur si titani i fundit i letërsisë hispanike, pohon se ka shkruajtur çdo mëngjes të jetës së vet. I shquar për luftën e tij të palodhur kundër nacionalizmit dhe populizmit, artikulli thekson se Llosa mbetet një nga mbrojtësit e lirisë individuale dhe demokracisë në botën latine dhe sulmet e tij kundër autoritarizmit kanë fituar një numër të madh armiqsh përgjatë viteve singa konservatorët ashtu edhe nga socialistët. Shkrimtari pohon se dhuna familjare që ka vuajtur në fëmijëri nga i ati e kanë bërë që të strehohej në letërsi dhe poezi.

Ishte ky baba abuziv që me besimin se letërsia ishte një pasaportë për dështimin në jetë dhe që romanet ishin vepër e bohemianëve dhe homoseksualëve vendosi ta dërgonte djalin e vet 14-vjeçar në një akademi ushtarake me qëllim që të rikonsideronte prioritetet. “Im atë mendoi se shkolla ushtarake do të ishte një kurë për letërsinë dhe për ato aktivitete që ai i konsideronte margjinale, por që në të vërtetë më dha temën për romanin tim të parë.” “Qyteti i qenve” u publikua në 1963 dhe mbetet edhe sot mjaft i gjallë për shkak të temës së intimidimit dhe ngacmimeve që ka në mjedisin ushtarak. New York Times heq paralele mes karrierës së Vargas Llosas me atë të Gabriel Garcia Marquez që së bashku me Kortazarin, Carlos Fuenten, Jose Donozon, Juan Rulfon, Miguel Asturiasin dhe Guillermo Cabrera Infanten kanë qenë pjesë e një transformimi letrar në botën latinoamerikane.

Artikulli thekson se ndërkohë që realizmi magjik i Marquezit e ka fituar një vend në bibliotekën dhe studiot e amerikanëve, punët më të errëta të Vargas Llosas kanë qëndruar në plan të dytë. Pozicionimi i tij si shkrimtar më demokratik ka bërë që të shquhet si një mbrojtës i të drejtave të homoseksualëve dhe të zgjedhjeve të lira mes kauzave të ndryshme. Në ndryshim nga Markezi që u kthye në një përkrahës të Fidel Castros, Llosa ndryshoi pozicionimin e tij mbi revolucionin në Kubë me kalimin e kohës. Sipas New York Times-it ai i dërgoi një letër private Castros ku i shprehte pakënaqësinë, shkrimtari mblodhi kolegët dhe miqtë, mes tyre Kortazar, Simone de Beauvoir, Jean Paul Sartre, për të redaktuar atë që do ta publikonte në “Le Monde”, kartën e tij emblematike me titull “Çështja Padila” ku denonconte burgimin dhe gjykimin e poetit Heberto Padilla. Pas këtij episodi shkrimtari do të shihej si një referent ideologjik që shkonte kundër rrymës, pavarsisht nga ajo që pritej nga një intelektual i asaj epoke.

Llosa shprehet edhe për fundin e martesës së tij 50-vjeçare me Patricia Llosan, nënën e tri djemve të tij, për të filluar një marrëdhënie me Isabel Preyslerin. “Dashuria është përvoja më e pasur që një qenie njerëzore mund të përjetojë. Nga ana tjetër është një çështje private dhe nëse bëhet publike ka çmim të lirë, plot me vende të zakonshme. Prandaj, është kaq e vështirë të shkruash për dashurinë në letërsi. Besoj se një person nuk duhet të flasë për dashurinë meqë është diçka kaq e rëndësishme në jetë”, shprehet duke u distancuar nga ajo që në dukje i detyron të famshmit të ventilojnë të gjitha aspektet e jetës së tyre private në mënyrë që bota t’i zhveshë. /KultPlus.com

Njihuni me Eleonora Dusen, aktoren e madhe italiane të teatrit

Harrimi nuk mund ta përpijë një emër si Eleonora Duse, përjetësia e së cilës është skalitur në memorien e një arti që nuk i kanë munguar korifejt. Ajo konsiderohet si më e madhja aktore italiane e teatrit të traditës. Sot kur galerinë e mbretërimit skenik e popullojnë emra të pafund, mbetet tepër e vështirë të dilet në një konkluzion të tillë, por dukshëm këtij emri i ofrohet një gjithëpranim. Ajo u ngjit në skenën italiane për t’u shndërruar në një ikonë. Gjithçka që arriti deri në panteon është një ngulmi i një sakrifice të paepur dhe gufimi i një shpirti të etur për zjarrin e vërshimeve sfiduese. Nuk kishte asgjë ta ndalonte këtë grua vullnetesh titane. E pamundura nuk mund të gjunjëzonte atë energji qëllimesh çfarë e hovte peshë.

Eleonora Duse u lind më 3 Tetor 1858 në Vigevano, Lombardia. Vdiq nga pneumonia në moshën 65-vjeçare, më 21 Prill 1924 në Pittsburgh në Suite 524 të Hotel Schenley, SHBA . Duse ishte një aktore e famshme italiane, madje konsiderohet si një nga aktoret më të mëdha të të gjitha kohërave të tetrit të traditës. Duse ishte temë e filmit biografik të 1947, Eleonora Duse.

Ajo ishte një vazhduese e testamentit skenik të familjes së saj. Të dy, babai dhe gjyshi ishin aktorë, dhe ajo i’u bashkua kësaj sfide familjare që në moshën 4-vjeçare. Për shkak të varfërisë, Duse fillimisht ka punuar shumë dhe pa ndalim, duke udhëtuar nga qyteti në qytet me cilindo trupë që familja e saj ishte aktualisht e angazhuar. Ajo u bw e famshme në versionet italiane të roleve të të famshmes Sarah Bernhardt .

Eleonora Duse fitoi suksesin e saj të parë të madh në Evropë, pastaj vizitoi Amerikën e Jugut, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara; duke filluar turneun si një e panjohur, por duke lënë pas një njohje të përgjithshme falë gjenialitetit të saj. Ndërsa ajo e bëri karrierën dhe famën me të ashtuquajturën “teori e kuqe” teatrale të asaj kohe, aktualisht ajo ruhet në kujtesë më shumë për lidhjen e saj me dramat e Gabriele d’Annunzio dhe Henrik Ibsen. Në lidhje me karakterin e aktores, Eleonora Duse, ajo që mbetet e rëndësishme të theksohet është se leximi ishte një nga pasionet që e ndoqi përgjatë gjithë jetës.

Më 30 korrik 1923 Eleonora Duse u bë gruaja e parë italiane që u shfaqën në kopertinën e revistës së sapolindur, prestigjozes “Time” . Për të njohur më mirë Eleonora Duse ne mund të parakalojmë nëpër disa episode nga jeta dhe krijimtaria e saj skenike.

NGA JETA E AKTORES

*** Që fëmijë Eleonora Duse ishte shumë e lëvizshme dhe prindërit e saj thonin:

-Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme te rrëmbimi i saj, ka lindur më 1859 dhe ka luftën në qënien e saj. Kujtojmë se në këtë vit shënon Lufta e dytë për pavarësi e Italisë. U luftua nga Perandoria franceze dhe Mbretëria e Sardenjës kundër Perandorisë austriake, luftë e cila luajti një rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit italian.

*** Babai i Eleonora Duse e dashuronte shumë gruan e tij. Kur ajo vdiq në mjerim të madh, ai nuk gjeti dot ngushëllim. Pak ditë pas kësaj vdekjeje i erdhi një letër prej një avokati. I bëhej e ditur se i kishte vdekur një kushëri i largët pa bërë testament, kështu që një pjesë e trashëgimit i takonte atij.

– Shumë vonë, – tashmë – thirri me ton shpërthyes për fatin e tij, – kjo shumë do ta shpëtonte gruan time ose të paktën do t’i kishte bërë më të mira ditët e fundit të jetës së saj. Tashti nuk di më se çfarë të bëj me këto para, prandaj nuk po i pranoj.

Ai i shkroi noterit që t’ua jepte të gjitha paratë të afërmeve të tjerë.

Duse e vogël e përjetoi me gojën mbyllur atë skenë, shikoi veshjen e saj të varfër dhe nuk guxoi të tërhiqte vëmendjen e të atit për të lehtësuar mjerimin e tyre.

*** Eleonora Duse recitonte në grupin teatral që drejtohej nga Lui Pecana. Një ditë gjatë provave drejtori e ndërpreu Duse:

– Kjo batutë, – i tha, nuk shkon kështu si e thoni ju.

Po jua tregoj unë sesi duhet bërë.

Dhe e përsëriti batutën në mënyrë të atillë që ia ndryshoi krejt kuptimin. Mirëpo. Duse nguli këmbë se kishte ajo të drejtë. Tjetri duke e ndjerë veten të fyer u bë si i tërbuar dhe i tha:

– Po përse vazhdoni të punoni si aktore? Nuk e kuptoni, pra, që kjo nuk është bukë për dhëmbët tuaja? Zgjidhni më mirë, një zanat tjetër!

Eleonora Duse do të donte t’i përgjigjej me të njëjtën gjuhë, por e gëlltiti zemërimin.

*** Duse kishte luajtur role të dorës së dytë dhe nuk kishte arritur të vinte më mirë në dukje talentin e saj. Një mbrëmje në shoqëri me aktoren e madhe Zhiaçinta Pecanal, e cila nuk deshi të luante në rolin e plakës në dramën, “Tereza Rakuin”. Rolin më të vështirë i’a lanë Duse ndërsa tjetrin e luajti Xhiançinte Pecana!

Duse, gjatë provave luajti keq dhe nuk guxoi t’i ngrinte sytë përpara Pecanës. Natën e shfaqjes, e rrëmbyer nga zjarri i papërmbajtur dhe nga pasioni, e ngriti ballin lart. Ky ishte një zbulim dhe Pecana u habit dhe nuk i besonte syve. Ishin që të dyja të mrekullueshme sa që publiku nuk ishte në gjendje të dallonte se kush e luante më mirë rolin.

Atë mbrëmje lindi aktorja më e madhe e teatrit italian të traditës, Eleonora Duse.

*** Në Torino ishte një grup teatral me Çezar Rosin i cili duhej t’i linte vendin në teatër, Sara Bernardit. Ky grup do të luante pjesë të ndryshme. Entuziazmi i publikut për aktoren e madhe franceze, Sarën, ishte i tillë sa që Çezar Rosi nguronte ta fillonte shfaqjen e tij. Më në fund, por jo për t’iu kundërvënë publikut ose për të bërë krahasim, vendosi të vinte në skenë një komedi të vjetër italiane. Por Duse nuk pranoi.

– Dua të luaj “Princeshën e Bagdatit” – nguli këmbë ajo.

– Po nuk mendoni pak? Përpara jush ka luajtur një kolose e artit si Sara Bernard?

Mos doni t’u fishkëllejnë?

Eleonora Duse ishte e patundur.

– Më lejoni të luaj “Princeshën e Bagdatit”, ose unë po iki.

– Po ku do të shkosh?

– Nuk e di.

Në fund ia doli mbanë dhe luajti duke korrur sukses të padiskutueshëm,”Princeshën e Bagdatit”.

*** Eleonora Duse jetonte vetëm për skenën. Koha tjetër që mbetej ishte një pritje ose pushim deri sa të merrej me teatrin.

Në skenë kishte një kujdes të përsosur për mbajtjen e vetes. Zor se mund t’i gjeje një fije floku të ngatërruar. Në rrugë, përkundrazi për anën e jashtme ishte e pakujdesshme. Këtë e bënte se nuk i jepte asnjë rëndësi gjykimit të njerëzve, kur ata nuk ishin në teatër.

*** Sa e përzemërt edhe po aq kundërshtare ishte Eleonora Duse për fjalët dhe gjestet e mirënjohjes. E bënte të mirën dhe ikte me të shpejtë pa pritur kohë të merrte falënderime. Kur u largua nga Firence, për të jetuar përgjithnjë në Romë, i dhuroi marangozit të saj disa tryeza tualeti që ishin shumë të kushtueshme e plot sende të tjera të çmueshme.

*** Një kolegu i Eleonora Duse u habit, kur ajo i vajti në shtëpi me një veshje të keqe sa që dukej edhe e shëmtuar. Hoqi syzet, ngriti kokën lart, u ndryshua në mënyrë të çuditshme dhe tha:

– Miku im, unë jam e bukur kur dua vetë.

*** Kur e pyetën Eleonora Duse, se cili ishte vendi më i parapëlqyer prej saj, ajo u përgjigj me një buzëqeshje kuptimplote: “Udhëtimi”.

*** Duke vizituar studion e Rodenit, Eleonora Duse, u mahnit përpara bustit të Françeskës. E frymëzuar dhe e emocionuar nga përfytyrimi dantesk, që bënte pjesë në grupin skulpturor “Porta e ferrit”, aktorja e madhe nisi të recitonte me zë të lartë vargjet e Dantes. Rodeni u frymëzua për skulpturat e tij të mëdha: “Dhimbje” dhe “Trishtim”.

*** Një kritik, që e kishte acaruar me artikujt e tij, donte të pajtohej me artisten e madhe. Shkoi një ditë në dhomën e saj të vogël dhe pa i thënë asnjë fjalë, i nxori një degë ulliri përpara. Duse nuk kërkoi asnjë shpjegim, i shtrëngoi dorën dhe pa folur i dha dy trëndafila.

*** Në fillim të karrierës së saj Eleonora Duse ishte e dobët fizikisht. Një mbrëmje, kur po shkonte në teatrin e Torinos për të interpretuar një rol, zuri një shtrëngatë shiu që e bëri qull.

– Çfarë ka ndodhur? – tha drejtori.

– Ah, sikur ta dini? Një përmbytje e vërtetë. Më ka hyrë ujë deri në kockë.

– Me siguri shiu nuk ka bërë rrugë të gjatë për të arritur deri atje, – i tha një koleg duke qeshur. /AlbertVataj /KultPlus.com

Artur Miler: Teatri ka qenë forma më e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme e të shkruarit

Brenda kësaj shtëpie ndodhej studioja e tij, në të cilën Miller punonte vetëm orëve të natës, sepse siç thoshte nuk ndihej rehat në dritën e diellit. Në këtë dhomë, në vitet ’60 ndodhej vetëm tryeza e shkrimit, një karrige dhe një raft i mbushur me libra.

Artur Miler ka jetuar dhe shkruar për një kohë të gjatë në një peizazh shumë të bukur, në një fermë diku në shtetin e Konektikatit. Ai vetë u rrit në Bruklin dhe Harlem, por shpesh tërhiqej nga peizazhi rural, qetësia dhe paqja që i karakterizon mjedise të tilla. Në një shtëpi të bardhë, të rrethuar me pemë, ai ka shkruar një pjesë të mirë të veprave të tij, i “shqetësuar” vetëm nga cicërimat e zogjve dhe disa zhurma të largëta që përcilleshin nga kodrat në formën e një jehone. Brenda kësaj shtëpie ndodhej studioja e tij, në të cilën Miller punonte vetëm orëve të natës, sepse siç thoshte nuk ndihej rehat në dritën e diellit. Në këtë dhomë, në vitet ’60 ndodhej vetëm tryeza e shkrimit, një karrige dhe një raft i mbushur me libra.

Voznesensky, një poet rus, ka thënë se për shkrimtarin dhe poetin janë shumë të rëndësishme ambientet ku punon dhe krijimi i asaj mikroklimës së domosdoshme për të krijuar. Jeni dakord me një vlerësim të tillë?

Më pëlqen një vlerësim i tillë. Në rastin tim parametrat janë ata të duhurit. Nuk jam i “zhytur” në një hapësirë të pafund, ku mund të humbas koordinatat. Distancat e brendshme dhe të jashtmet të mjedisit tim janë ato të duhurat, mendoj.

A mund të na thoni diçka në lidhje me fillimin e karrierës suaj si shkrimtar?

Pjesën time të parë e kam shkruan në Miçigan në vitin 1935. E kam shkruar gjatë një pushimi pranveror, pra pak a shumë brenda 6 ditësh. Isha i ri në atë kohë, ndaj guxoja shumë dhe guxoja që të shkruaja mjaft shpejt. Në atë kohë kisha parë vetëm dy drama, ndaj nuk e kisha idenë se sa të gjata duhej të ishin pjesë të tilla. Më pas doli se ishte nja 40 minuta e gjatë. Ishte diçka që nuk e kisha marrë seriozisht. Të paktën kështu tentoja që t’i mbushja mendjen vetes.

Të isha një dramaturg ishte për mua një ide maksimaliste. Gjithmonë kam menduar se teatri ka qenë forma më e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme e të shkruarit, apo për ata që duan vërtet të quhen mjeshtër të të shkruarit. Ka shumë pak kryevepra që mund të cilësohen të tilla për sa u përket pjesëve teatrale, kjo nëse e krahasojmë me artet e tjera dhe zhanret e tjera të letërsisë.

Cilët kanë qetë dramaturgët që keni vlerësuar më shumë kur keni qenë i ri?

Së pari grekët, për formën e tyre të përkryer të simetrisë. Fillimisht personazhet mitologjike ishin të panjohura për mua dhe e kam pasur të vështirë që të zbërtheja simbolikën e pjesëve. Në fillimet e mia nuk kisha kulturën që kam sot për të kuptuar se cila ishte madhështia e vërtetë e këtyre pjesëve, por gjithsesi arkitektura e pjesës për mua ishte përgjithësisht e qartë. Janë pjesë që lënë gjurmë dhe kanë peshë edhe tek më injorantët, ndaj janë të mëdha dhe universale.

Keni qenë veçanërisht i tërhequr nga tragjedia?

Më duket se ka qenë e vetmja formë e duhur për të shprehur botën e asaj kohe. Pjesa tjetër ose ishte një tentativë për tragjedi, pse një ikje prej saj. Por tragjedia ka qenë kolona kryesore.

Kur shkruat “Vdekja e një shitësi” në një intervistë që keni dhënë, jeni shprehur se ndjenja tragjike evokohet brenda nesh kur jemi në prani të një personazhi që është i gatshëm të japë jetën, nëse është nevoja, për të siguruar një gjë: dinjitetin personal. A i konsideroni pjesët që ju shkruani aktualisht si tragjedi moderne?

Kam ndryshuar shumë herë mendje në lidhje me këtë gjë. Mendoj se bërja e një krahasimi të drejtpërdrejtë mes një vepre bashkëkohore dhe një tragjedie klasike është e pamundur, për shkak të fesë dhe pushtetit, që janë marrë si të mirëqena dhe janë konsideruar apriori në çdo tragjedi klasike. Është si një ceremoni fetare, ku mbërrihet objektivi përmes sakrificës. Ka të bëjë me komunitetin që sakrifikon dikë, të cilën e adhurojnë dhe e përçmojnë njëherazi në mënyrë që të justifikojnë ekzistencën.

Cilat kanë qenë ato dy pjesët teatrale që na thatë se patë para se të uleshit të shkruanit vetë?

Kur isha 12 vjeç, mbaj mend që ishte ime më ajo që më çoi në teatër një pasdite. Ne jetonim në Harlem dhe në atë kohë atje kishte 2-3 teatro që jepnin vazhdimisht shfaqje. Mbaj mend se ishte një shfaqje që kishte të bënte me një anije të madhe, mbaj mend njerëz që ishin duke u mbytur në skenë dhe ulërinin. Për mua ishte shumë eksituese dhe zbavitëse, sepse ishte një skenë jashtë së zakonshmes. Pjesa tjetër ishte me kinezë, diçka më zbavitëse dhe në qendër të Nju Jorkut. Mbaj mend që kinezët kishin grabitur një bionde të bukur. Nuk kujtoj gjë tjetër dhe këto kanë qenë “kryeveprat” që pashë para se të ulesha dhe të shkruaja vetë. Por kisha lexuar ndërkohë Shekspirin, Ibseninin. Sigurisht jo shumë.

Një pjesë e madhe e dramave tuaja kanë në qendër të tyre marrëdhënien djalë-baba. Keni qenë tepër i lidhur me babanë tuaj?

Kam qenë dhe jam, por mendoj se pjesët e mia në akt nuk reflektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhënien time me të. Për sa i përket një ati, ai është një figurë që mishëron dhe ngërthen në vetvete shumë pushtet dhe moral. Ndërkohë që im atë nuk ishte ati i përkryer. Nuk e kam menduar kurrë figurën e tim eti si frymëzuese, sepse nëse do ta kisha bërë do të isha ndier i bllokuar. Figura e babait është mitike. Im atë ka qenë ndërkohë një njeri i zakonshëm, shumë më realist nga sa mund të jetë një njeri i zakonshëm. Mund ta konsideroja njeriun e fundit në botë që mund të kryente një vetëvrasje.

A mendoni se për teatrin, shfaqja e kinemasë ishte fillimi i një fundi?

Forma fillestare e teatrit u ndryshua nga kinemaja, pra ajo që e konsiderojmë si emocionin e drejtpërdrejtë që ta jep vetëm skena, ashtu të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë.

Po televizionin a e shihni si një mjet të mirë për të përcjellë dramën te një shkallë e gjerë shikuesish?

Nuk mendoj se ka ndonjë lloj mediumi që mund t’i afrohet teatrit kur është fjala për të përcjellë ato emocione, apo mesazhe që i përcjell vetëm teatri. Por sigurisht që ka edhe mjete të tjera që mund të bëhet përcjellës e një prej tyre është edhe televizori. Mendimi im është se audienca që sheh TV është gjithmonë e ndarë. Ndjesia ime është që njerëzit që shohin diçka në masë reagojnë ndryshe nga ata që e shohin në një grup të vogël apo të vetmuar. Nuk ka të bëjë me sasinë, por me cilësinë e përjetimit që në grup, për mendimin tim, është më e madhe se sa kur je vetëm. Megjithatë kjo nuk është thelbësore në të përjetuarit e një drame në ekran.

A mendoni se aktualisht jeta e amerikanëve, sot më shumë se kurrë, është e projektuar në drejtim të suksesit personal?

Po. Sot është shumë më e fuqishme kjo tendencë se kur unë shkruaja “Vdekja e një shitësi”. Mendoj se është në kufijtë e çmendurisë. Nuk ka më perspektivë.

A mund të shfaqen sërish format strikte të aplikuara nga Molieri në teatër?

Nuk mendoj se format e vjetra mund të përsëriten në kohët e reja, sepse ato u krijuan për të shprehur momentet e një kohe që nuk është më. Për shembull unë vetë nuk mund të shkruaj kurrë më “Vdekja e një shitësi”, ose edhe vepra të tjera që i kam shkruar. Secila është e ndryshme dhe u përket e përkon me një kohë të caktuar.

Keni ndonjë përfytyrim në lidhje me evoluimin tuaj që nga zanafilla? Për sa u përket formave dhe termave?

Unë vazhdoj që të eci. Para dhe mbrapa. Për fat më shumë para se sa mbrapa. Para se të shkruaja pjesën time të parë, që pati vërtet sukses, kam shkruar 14 ose 15 pjesë për teatër dhe për radio. Pjesa më e madhe nuk kanë qenë realiste. Ishin pjesë metaforike, apo simbolike, disa kanë qenë në vargje. Më pas erdhi “Të gjithë djemtë e mi”, ose siç mund ta quaj fati im. Të tjerat pasuan këtë sukses, por janë pak a shumë e njëjta natyrë. Në përgjithësi përpiqem që të krijoj një të tërë nga pjesëza të vogla.

*Intervistë e vitit 1966 /KultPlus.com

NYT: Nju-Jorku mund të bëhet më keq se Wuhani apo Lombardia

Nëse shkalla e rritjes së rasteve të koronavirusit vazhdon në nivelet aktuale, zona metropolitane e Nju Jorkut do të pësojë një epidemi më të keqe se ajo e Wuhan në Kinë ose në rajonin e Lombardisë në Itali, deklaroi prestigjozja ”New York Times”.

Sipas NYT qyteti i Nju Jorkut ishte më pak i suksesshëm në rrafshimin e lakores së rasteve sesa në Wuhan ose rajonin Lombardi.

“Nuk ka garanci që trendi do të vazhdojë. Eshtë e mundur që distancimi social të ngadalësojë ose ndalojë rritjen e rasteve,” thekson New York Times. /KultPlus.com

Evolution Dance ofron argëtim dhe mësime vallëzimi online

Në këtë kohë pandemie kur shumë aktivitete kanë mbetur pezull, përmes mënyrës online ato po vazhdojnë të vijohen, shkruan KultPlus.

Pas mësimit online për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet, tashmë edhe Evolution Dance i fton të gjithë të interesuarit që përmes argëtimit të mësojnë gjithashtu vallëzim nga shtëpitë.

Përmes rrjetit social Facebook, Evolution Dance fton të gjithë pa dallim të bashkohen sonte në orën 20.

Postimi i plotë:

Evolution Dance ju fton te argetoheni duke VALLËZUAR…

Ndani pak kohe bashk me familjare dhe anetare te tjere me te cilet po kaloni kete periudhe per tu kenaq duke mesu te VALLËZONI nga shtepia…

Femije, te rritur, te moshuar pa dallim, ftoheni qe pervec te mesuarit te KENAQEMI me se shumti…

Ju presim te shtunen ora 20:00 /KultPlus.com

Parashqevi Gjergji, artistja vlonjate për të cilën Vlora heshti

Parashqevi Gjergji, ose Paçi i “kinemasë”, siç e njihnin vlonjatët e mirë, por që mjerisht e harruan titullarët , pushteti lokal, njerëzit e  kulturës, institucioni ku ajo shkriu jetën, Teatri “Petro Marko”. Si nuk u kujtua njeri për të xhanëm? Mirë pushtetarët se merren me “punë të mëdha”, por qytetarët, ata që e kishin duartrokitur për gjysmë shekulli, si nuk u kujtua për të së paku një vlonjat që ta përshëndeste largimin e saj nga kjo botë me dy fjalë falënderimi, për vlerat e saj si kërcimtare?!

Sa e vështirë është rruga e artit, për këdo, por veçanërisht për një vajzë të re. Ishte kohë e egër, aq më  tepër në Vlorën me mentalitet mesjetar, ku opinioni dënonte çdo vajzë të re që dilte të kërcente në skenë: Por Paçi, si shumë vajza të tjera, që dolën mbi kohën, realizoi vetëveten . Dëshira për t’i shprehur e zhvilluar dhuntitë , me të cilat kishin lindur, bënë që Paçi dhe shoqet e saj të dilnin jashtë kornizave të kohës duke u bërë protagoniste të skenës vlonjate dhe të të gjithë Shqipërisë, apo më gjerë. Me këtë rast po kujtoj lindjen e elementëve të parë të artit koreografik në qytetin e bukur bregdetar, në qytetin e diellit, në  Vlorën e dy deteve . Si në të gjithë Shqipërinë, edhe në trevën e Vlorës kënga dhe kërcimi( vallja popullore) kanë qenë  pjesë e festave, e gëzimeve familjare apo atyre qytetare . Veçanërisht  vallja ishte shprehje e kulmit të kënaqësisë dhe gëzimit nëpër dasma. Dikur kërcehej “Vallja dyshe e grave”, “Vallja e grave  në rreth”, të shoqëruara me këngë. Por ato që e karakterizojnë Toskërinë ku bënë pjesë Vlora, kanë qenë vallet e burrave, si: “Nën hijen e ullinjve”, “Vallja e Kapedanit”, “Bejkulo kërcen me kordhë”,etj…

Elementët e parë të artit koreografik në Vlorë janë vazhdimësi e traditës së trevës, me zanafillë vallen popullore. Grupi i parë nismëtar ka filluar në shtëpinë e Pionierit, me vajzat: Parashqevi Gjergji, Asqerie Bushi Bala, Ana Billa, Pëllumbesha Dalliu, motrat, Sanie e Tefta Çiraku, Shpresa Bute, Gjinovefa Golemi,( Milika Marsi & Belina Opingari), dy të fundit i mori  Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Tiranë . Ndërkohë  erdhën Pandora Gjeçi dhe Leonora Valkova. Kurse më pas, grupit iu basnkuan vajzat e Shkollës Pedagogjike, “Jani Miga”, Lina Rrumbullaku dhe Elpiza Gazhga. Nga meshkujt kanë qenë: Kadri Sharra, Nuri Borshi, Kristaq Pema, Gjon Batalli, Fitim Haxhiraj, Musa Deromema, Viktor Konomi, Cane Myrto, Besnik Elbasani. Po ata që mbetën gjatë dhe kaluan me Estradën profesioniste si amatorë, ishin katër çifte: Parashqevi Gjergji e Fitim Haxhiraj;  Ollga Gjergji e Kadri SharraPandora Gjeçi e Gjon BatalliLeonora Valkova e Cane Myrto. Para vitit, 1961, ky formacion punoi nën drejtimin e koreografëve , Shefqet Resuli dhe Tefta Çiraku, Në fund të vititi1961 erdhi Jani Kosta me Ollga Gjergji. Më 1962 Jani filloi si koreograf profesionist dhe trupa e baletit punoi me Estradën profesioniste të Vlorës.

Me këtë trup baleti kanë punuar shumë koreograf me emër,  si: Gëzim Kaceli, Petrit Vorpsi, Bujar Aliaj, i cili ka punuar më gjatë me grupin Vlorës.

Medalja e Festivalit të Moskës, 1957 , akorduar Parashqevi Gjergjit

Cila ishte Parashqevi Gjergji?

Ajo ishte vajza vlonjate, “Paçi”  që debutoi për gjysmë shekulli  në skenën vlonjate dhe në ato të të gjithë qyteteve dhe fshatrave të vendit.

Parashqevia ishte e bija e Palit dhe Sofijes, lindi në Vlorë më 15 gusht, 1942. Arsimin e ultë dhe të mesëm e mori në qytetin e lindjes, në Vlorë. Aktivitetin artistik e ka nisur herët, qysh në bangat e shkollës, si kërcimtare dhe këngëtare, e përgatitur në Shtëpinë e Pionierit. Ndërsa në skenë, para publikut, doli në moshën 15 vjeçare.Gjithashtu ka debutuar në kuartetin vlonjat që përbëhej nga Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe Parashqevi Gjergji.

Paçi jo vetëm ka kërcyer dhe ka kënduar, por i ka rënë edhe  Daires.

Në vitin 1957, kurteti vlonjat iu inkuadrua në  Ansamblin e Shtetit, Tiranë,i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin e Moskës. Ansambi dhe kuarteti i Vlorës, veç Festivalit në Moskë ,dhanë koncerte  edhe në Republikat e tjera të ish Bashkimit Sovjetik.Për debutim të nivelit të lartë artistik, Paçi është vlerësuar nga Juria e Festivalit me medalje ari. Kjo vajzë, kjo bashkëshorte, kjo nënë dhee gjyshe vlonjate punonte në skenë  me shumë sakrifica, sepse iu paralizua nëna. Ishte e martuar me Todi Kolën , me të cilin lindi një vajzë dhe një djalë.  Me kalimin e moshës kaloi si rekuizitore, grimiere dhe shitëse biletash në Teatrin “Petro Marko” deri sa doli në pension. U nda nga jeta në datën 2 shkurt 2020.

Siç e theksova më sipër, Paçi ishte ndër femrat e para të emancipuara në qytetin e Vlorës. Me gjithë vështirësitë , ajo ia doli mban dhe e sfidoi opinionin bashkë me kohën,  duke u treguar bashkëqytetarëve të saj se sa e aftë është një femër kur ka një synim në jetë. Në fund të fundit, letërsia, arti i të gjithë gjinive, apo kultura në tërësi në një qytet apo shtet, tregon shkallën apo nivelin kulturor të një kombi. Nuk kish si të ndodhte ndryshe, pasi vlonjatët lindën buzë dy deteve, Adratikut, që me kaltërsinë e tij, u ka dhuruar qetësinë dhe bukurinë shpirtërore. Kurse Joni  i thellë, ngjyrë blu u fali me të tepërt bujarinë banorëve të Rivierës shqiptare, se kjo është Parajsa, ku  kanë folenë dhe prehen Perënditë. Këto ndjesi kanë provuar vlonjatët nga artistët e qytetit.

Paçi dhe gjithë artistët e Vlorës, u kanë falur kënaqësi dhe qetësi shpirtërore  bashkëqytetarëve. Nuk ka vlonjat që të mos e ketë njohur Paçin .

Kurse unë, si Fitim Haxhiraj dhe si partner baleti, e njihja mirë, pasi kam jetuar në një apartament me familjen e Paçit. Unë me bashkëshorten, Vilhelme Vrana dhe dy fëmijët, jetonim në një dhomë të vogël pa diell, kurse familja e Paçit kishte dhomën tjetër dhe kuzhinën. Familja ime ruan konsideratë për nënë Sofinë dhe për Parashqevinë. Në 17 vjet bashkëjetese në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë, me Paçin kemi kaluar shumë mirë, prej së cilës ruajmë veçse kujtime të mira.

Falënderojmë vjehrrin e vajzës së saj, Evës,  poetin, Meto Hoxha që na lajmëroi…, sepse siç e nisa shkrimin askush nuk u kujtua të jepte një njoftim për Parashqevinë .

U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta djalit dhe vajzës.

I qoftë e lehtë balta dhe t’i prehet shiprti në paqe!

Vëllazërisht e me dhembje!

Vilhelme e Fitim Haxhiraj /KultPlus.com

Dorështrëngimi, historia e një përshëndetje universale shumë të lashtë

Shtrëngimi i dorës është një gjest universal që tregon përshëndetjen, por gjithashtu edhe arritjen e një marrëveshjeje, apo urimin e dikujt, bazuar në kontekstin në të cilin kryhet. Ai kryhet si midis dy njerëzve krejtësisht të panjohur për njëri-tjetrin dhe që takohen për herë të parë, ashtu edhe midis të afërmve të ngushtë, që përsëritet sipas nevojës edhe disa here për të treguar dakordësinë e ideve ose mendimeve.

Është e mahnitshme të mendohet se si shtrëngimi i duarve, është një gjest lehtësisht i interpretueshëm në të gjithë botën, i përsëritur herë të panumërta nga njerëz nga kultura dhe qytetërime të largëta mes tyre.
Por pse i shtërngojmë duart me njëri-tjetrin?

Gjesti i shtrëngimit të duarve daton që në kohët e lashta, madje edhe atëherë ishte një simbol i harmonisë universale. Në i gjejmë gjurmët e para arkeologjike që në kohën e Babilonisë së lashtë, kur mbreti Shalmaneseri III i Asirisë (859-824 P.E.S), takon mbretit babilonas Marduk-zakir-Shumi I (855-819 PE.S), dhe ngjarja është skalitur në historinë e fronit të Shalmaneserit III, e ruajtur në muzeun kombëtar të Bagdadit në Irak.

Në Perëndim, rregjistrohet pak kohë më vonë, shtrëngimi i parë i duarve mes dy Perëndeshave, të cilat shtëngrojnë duart si simbol i një marrëveshjeje të përtërirë, në një reliev të shekullit V P.E.S, i cili ndodhet aktualisht në Muzeun e Akropolit në Athinë.

Pamja e gdhendur në reliev përshkruan Herën dhe Athinën, respektivisht perëndesha mbrojtëse të Samosit dhe Athinës, me popullin athinas që nderon atë të Samosit, për shkak se i ka qëndruar një aleat besnik, pavarësisht disfatës së flotës athinase në Agios Potamoi kundër spartanëve.
Teksti është një kopje e dekretit origjinal të nënshkruar në vitin 405 P.E.S, i gdhendur në vitet 403-402 P.E.S gjatë Luftërave të Peloponezit. Në kohën e Greqisë së lashtë, shtrëngimi i duarve përcaktohej si “dexiosis” që do të thotë “të jap dorën e djathtë”, e cila në latinisht përkthehej si “dextrarum iunctio”, që megjithatë i referohej shtrëngimit të duarve midis bashkëshortëve gjatë martesës, dhe për këtë arsye përkufizohej si “inter coniuges”.

Shtrëngimi i dorës. i kapërceu kufijtë e Greqisë dhe arriti zonat përreth. Një shembull është relievi i Mbretit Antioku I (69-36 P.E.S), sundimtar i shtetit të vogël helenistik Komagjeni, që është pikturuar duke shtrënguar duart me Perëndinë Herkul.

Në poemat homerike, shtrëngimi i duarve është përshkruar disa herë si një shenjë e besimit, ndërsa pamjet nga ceremonitë funebre janë të zakonshme, edhe në kohët e etruskëve, dhe shfaqen shumë herë për të treguar dy bashkëshortët që shtrëngojnë duart, ose personin e vdekur që largohet përfundimisht nga jeta tokësore, duke përshëndestur të afërmit me një shtrëngim duarsh.
Një shtëngim dore i fuqishëm

Shtrëngimi i duarve midis të huajve ka qenë me gjasë i ndryshëm nga ai i treguar në shumë skulptura. Shumica e historianëve, bien dakord me identifikimin e përshëndetjes “në stilin e gladiatorit” si një shtrëngim duarsh në nivelin e parakrahut, një shenjë që do të tregonte ndër të tjera edhe mungesën e armëve të fshehura, dhe kjo lloj përshëndetje bëhej mes ushtarëve, por edhe në shoqërinë civile.

Shtërngimi i duarve në kohët moderne, do t’i atribuohet kultit të Zotit Mitra, një prej feve më të mëdha në perandorinë e madhe romake. Edhe pse ndoshta ka modele të ndryshme të shtrëngimit të duarve në epokat e mëvonshme, përdorimi universal i këtij gjesti në shoqërinë moderne, me gjasë ka ndodhur më herët se sa në kohën e romakëve, grekëve dhe bizantinëve.

Kalorësit mesjetarë përshëndeteshin mes tyre me një përshëndetje moderne ushtarake, duke vënë dorën e trye mbi ballë dhe hequr përkrenaren që kishin në kohë, gjest që është trashëguar deri në ditët tona. Disa historianë besojnë se shtrëngimi i duarve, u rrikthye të ishte popullor falë obortarët e shekullit XVII, të cilët e konsideronin shtrëngimin e dorës një alternativë të barabartë me gjunjëzimin apo heqjen e kapeles.

Përshëndetja më vonë u bë një simbol i përbashkët dhe, në vitet 1800, manualet e etiketave të sjelljes, përfshinin shpesh udhëzime për teknikën e duhur të shtrëngimit të duarve. Një udhërrëfyes i vitit 1877, i këshillonte lexuesit që “një zotëri që shtyp brutalisht dorën që takon, ose e shtrëngon me forcë, nuk duhet të ketë kurrë mundësi ta përsërisë këtë gjest” /bota/ KultPlus.com

‘Një roje shqiptar’, kryevepra e piktorit serb

Paja Jovanović është një nga piktorët më të mëdhenj serbë. Shqiptarët mërguan për herë të parë në Egjipt si ushtarë dhe mercenarë në gjysmën e dytë të shekullit 18, duke bënë emër dhe duke fituar respekt në luftën osmane për të dëbuar trupat franceze në vitet 1798–1801. Mehmet Ali Pasha (1769–1849) themeloi dinastinë shqiptare të Egjiptit, e cila zgjati deri në vitin 1952.

Në shekullin 19 dhe fillimin e shekullit 20, shumë shqiptarë të tjerë u vendosën në Egjipt për arsye ekonomike dhe politike. Pas rënies së dinastisë, me Revulucionin egjiptian të vitit 1952, komuniteti shqiptar u zvogëlua dhe humbi ndikimin.

Nëpërmjet kësaj pikture, mjeshtri përcjell një reale që ngjall edhe sot pas kaq vitesh një ëndje të nxitur nga një ser komponentësh, të cilët e shndërrojnë këtë vepër në një simbolikë shprehëse të asaj tradite, e cila ka mbetur e plazmuar në histori, si një vezullim. Piktori serb, një nga mjeshtrat më të zëshëm të pikturës realiste, jo vetëm me tablonë “Një roje shqiptar”, por edhe me një seri të begatë krijimi, ka përcjellë përshkueshmërinë e të vërtetës së atij ceremonialiteti dhe asaj bukurie, asaj force dhe atij impakti burrëror të rojeve dhe ushtarakëve shqiptarë që i shërbyen dinastisë shqiptare të Egjyptit.

Dritshmëria, me të cilën Paja Jovanović skalit një reale kaq imponuese, është në vetvete ai vezullim, ajo hijeshi dhe ajo krekosje ceremoniale. Edhe sot ajo ka kaq shumë impakt, kaq ndikim dhe joshje, aq sa çdo koment, shkujdersje dhe përfytyrim hiri të krenarisë së luftëtarëve, që është skalitur në atëkohjen mbetet i njëjë pasqyrues i vërtetë dhe realist, sa vetë piktura e mjeshtrit serb. Çdo komponent dhe element dëshmues në këtë tablo, që nga veshja, armatura, stolisja, deri tek shprehia e fytyrës, mënyra e qëndrimit të këtij rojeje, janë një ansambël hijeshije dhe force imponuese.

Ky roje nuk është në këtë krekosje pompoze për të imponuar frikë, por bukuri dhe energji. Karakteristikat dalluese e bashkëafrojnë atë me gjithë sivëllezërit e tjerë që i shërbyen kësaj dinastie të fuqishme, dhe u bënë subjekt i lakmueshëm për mjeshtrat e tablosë, të cilët përcollën jo vetëm shkëqlimin e Egjiptit nën Mehmet Ali Pashain, por edhe rëndësinë dhe vlerat që kumtoi shpura e mercenarëve dhe bestarëve të oborrit të pashait shqiptar që nisi karrierën si taksambledhës dhe përfundoi me shndërimin e Egjiptit në një Perandori të fuqishme civilizimi. /albertvataj/ KultPlus.com

Koronavirus ndryshon rregullat e Golden Globe

Koronavirus ka ndaluar industrinë e kinematografisë dhe Golden Globe i duhet të bëj disa ndryshime. “Hollywood Foreign Press Association” ka njoftuar që për edicionin e ardhshëm të janarit do të konsiderohen edhe filmat që ende nuk kanë dalë në kinema.

Shoqata e gazetarëve ka specifikuar që do të pranohen dhe filma të cilët kanë dalë për herë të parë në television apo në një patformë streaming. Sipas rregullave të vjetra ishte e detyrueshme, që filmi të ishte shfaqur më parë në një sallë kinemaje përpara se të konkuronte në Golden Globe.

Masat janë të përkohshme dhe nuk është e qartë nëse “Academy Motion Pictures Arts and Sciences”, organi që organizon Oscarin, do të ndjekë të njëjtën lëvizje, por ka bërë me dije që po vlerëson opsione të ndryshme në kushtet e një skenari të pazakontë. /bw/ KultPlus.com

‘Dua të qaj për ato herë që nuk kam qarë’

Nga Juliana Londoño

Përktheu Arbër Selmani

Dua ta vras frikën se do të më thyejnë, se do të shprishem, se do të më copëtojnë. Dhe, në fakt, të shqyhem brenda, sikur të mos ekzistonte ndonjë mënyrë tjetër për të mbijetuar e ringjallur, sikur të bëhej fjalë për vetëm një rrugë dhe një fat unik.

Të ndjej që ditët peshojnë, që dhimbja është diçka që lejohet, që lotët e mi mbajnë mbi vete rërën e krejt deteve, që sytë e mi nuk mbyllen veç natën dhe që dhoma ime nuk është më hapësira ku kërkoj qetësi.

Të ndjej sikur diçka vjen e më godet pa pyetur, dhe më pas, të ndjej se nuk kam ndjerë asgjë. Të shoh në pasqyrë çdo varrë të dashurive të mia, ti përkëdhel ato, të shoh se asnjëra nuk dhemb por secila është e mërzitshme. Dua ti bëj copa copa secilën, dua ta vë një lëkurë të re dhe ta çmoj dritën që ajo përçon. Ta rris zërin e “Rasguna las piedras” nga Sui Generis, që nostalgjia t`më bëhet shoqe e protagonist, e më pas të dëgjoj një nga ato këngë që tregon se si melankolia nënkupton ngjyrë të hareshme.

Dhe dua të qaj, sepse nuk duhet të kesh arsye për të qarë. Sepse as nuk duhet buzëqeshur gjithmonë. Sepse ka kohë që lotët nuk dalin dhe është e ndaluar të harrosh të qash. Dua të qaj për secilën herë që nuk kam qarë, e nuk më kanë obliguar. Ta çliroj tërë dhimbjen si ujë i pastër, që të largohet pa e ndalë askush. Dua ta shikoj veten në reflektimin e pasqyrës, ta pyes veten pse po qaj e të mos kem arsye. As edhe një të vetme. Dua të filloj të buzëqesh, dhe ngadalë dua gjithçka të jetë me zë të lartë.

Dua të rrotullohem në shtrat, me gojën e hapur, me sytë e hapur, ta dëgjoj secilën zhurmë të sirenave. Të mendoj se nuk di ta dalloj policinë nga ndihma e shpejtë dhe të mendoj se cila është më pak e tmerrshme. Dua të mendoj se po e humbas kohën, se të mendosh kaq shumë banalitete është e dëmshme për suksesin tim, një orë pasi kam këtë pozicion të trupit e mendjes. Ka kohë për gjithcka, se ndjenja e fajit i takon veç vrasësve, se është mirë që jam kësisoj, duke mbledhur mendime të padobishme.

Dua të zgjohem në këtë pozicion. Të vërej që kam fjetur, që nuk kam harxhuar kohë por kam humbur kohë. Të ndalem si një pranverë, ta bëj një listë të “gjëra të rëndësishme për ta ndryshuar ritmin e jetës sime”, ti kem zili ata që janë atje ku doja të isha unë – ta largoj këtë ndjenjë, sepse kështu më kanë edukuar qysh fëmijë.
Dhe në fund i bie që është mirë të kesh ndjenja sepse njeriu duhet të ketë ndjenja, sepse duhet të ndjesh, sepse kam ndjerë. Por gjithashtu, e tëra që është e keqe të ndjehet, e kam ndjerë. Sepse rezulton e thjeshtë, njeriu është mjaftueshëm njeri, shumë e kundërshtimeve. / KultPlus.com

Shtatë gjërat që na i mëson Anna Karenina

“Ana Karenina” është një roman romantik tipik i letërsisë ruse, i shkruar plot me detaje që të mbeten në mendje, por që transmeton edhe një ngarkesë të fuqishme emocionale.

Ana, personazhi kryesor i veprës, nuk e gjen veten gjëkundi në martesën e saj dhe, pasi një aventurë jashtëmartesore, e gjen veten në shinat e trenit, e gatshme për t’u vetëvrarë për mëkatin që ka bërë.

Nëse gjatë gjithë veprës personazhi i saj transmetonte neveri për atë që i bënte bashkëshortit, në fund gjithsecili nga ne ndjeu dhimbje për vdekjen e saj. Këtë fuqi për të t’i ndryshuar komplet emocionet e kanë shumë pak autorë. Kujtojmë këtu se të njëjtin efekt na ofron edhe Flaubert me “Zonja Bovari”.

Tolstoy duket sikur e ka tejkaluar veten me romanin “Ana Karenina”, pasi i ka falur botës një kryevepër që ka kryesuar kushedi sa e sa klasifikimeve për librat më të mirë. I nisur me fjalinë “Të gjitha familjet e lumtura janë njësoj, ndërsa familjet jo të lumtura janë të gjitha jo të lumtura në mënyra të ndryshme”, Leo Tolstoy na jep këto mësime përmes kryeveprës së tij:

Jo çdo gjë që shkëlqen, është prej ari

Kur 18 vjeçarja Kiti u përball me dy djem që e pëlqenin, ajo zgjodhi Vronskin, në vend të Levinit. Ajo mendonte se Vronski ishte më i paraqitshëm dhe më sharmant, por pavarësisht se ai flirtoi më Kitin, më pas zgjodhi Anën dhe në fund i la të dyja me zemrën të thyer. Ndërkohë Levini, vërtet duket në fillim personazh antipatik për lexuesin, por në fund rezulton një partner shumë besnik.

Divorci duhet të jetë një zgjedhje e pranuar nga shoqëria

Romani është shkruar në një periudhë, kur divorci konsiderohej një tabu. Divorci ishte e kundërta e lumturisë, prandaj dhe përballë një fakti të tillë, Ana nuk divorcohej dot nga bashkëshorti i saj që nuk e bënte të lumtur.

Por nëse e mendojmë mirë, një paragjykim i tillë për divorcin nga shoqëria e asaj kohe, na bën të mbajmë në duart tona një kryevepër të letërsisë botërore. Imagjinoni pak nëse Ana do të ishte ndarë prej bashkëshortit të saj. Sot nuk do të kishim një vepër të kësaj natyre.

Të martohesh në moshë të re, është një zgjedhje jo tepër e zgjuar

Vitet e fundit është vënë re një rritje e moshës mesatare të martesës. Mosha mesatare e martesës për femrat është 27, kurse për meshkujt 29 (në ndryshim nga 23 për femrat dhe 26 për meshkujt në vitet ’90). Ky është një ndryshim shumë i mirë, pasi të dy partnerët janë më të përgatitur për jetën në çift.

Tolstoy ndoshta nuk e parashikoi këtë tendencë të shoqërisë moderne, por ai ka shkruar në vepër për vështirësitë e martesës në moshë të re. Për të nxjerrë në pah pikëpamjet e tij, autori e vendos martesën e Levinit në moshën 32 vjeçare dhe që në fund të romanit, ai rezulton të jetojë më i lumtur se personazhet e tjerë që martohen më të rinj.

Ne nuk e kemi fuqinë të ndryshojmë “ligjet” e shoqërisë ku jetojmë

Ajo që është pjesë e shoqërisë sonë, kërkon kohë të ndryshojë. Normalisht, “ligjet” arbitrare të shoqërisë ishin të padrejta për Ana Kareninën. Të shqetësohesh për të dalluar “të drejtën” nga “e padrejta” është tunduese dhe mund të jetë më pak produktive, se sa të mendosh për një mënyrë pozitive për të bashëpunuar me situatat e padrejta ekzistuese.

Romanca dhe dashuria e vërtetë ekzistojnë

“Ana Karenina” është natyrisht një tragjedi. Një femër rrezikon gjithçka që ka në emër të dashurisë së vërtetë, dhe arritja e një dashurie të tillë është fatale për të. Pavarësisht fundit tragjik, përgjatë gjithë veprës jepen mesazhe të shumta për dashurinë dhe lumturinë.

Levini dashurohet me Kitin që në momentin e parë që e sheh dhe nuk i ndalon përpjekjet e tij për ta bërë për vete, edhe pse ajo e refuzon. Çifti has vështirësi në momentet e para pas martesës, por në fund, krijon një jetë të lumtur bashkë.

Rutina nuk është e mërzitshme

Levini, që është personazhi më pozitiv në vepër, ndiqte një rutinë të njëjtë dhe ishte i lumtur me këtë pjesë, deri në momentin që miqtë e tij borgjezë e nxisnin të ndryshonte stilin e tij të jetesës. Nëse më parë ai zgjohej shpejt dhe bënte punë fizike, ata e shtynin të shkonte në opera, apo të merrte pjesë në gossip. Këto aktivitete ai nuk i pëlqente aspak, pasi ndihej më mirë me rutinën e zakonshme që ndiqte më parë.

Askush nuk jeton një jetë të lehtë

Levini punonte me fshatarët që kishte punësuar dhe thuhet se Tolstoy ka bërë të njëjtën gjë në kohën e tij. Autori hapi shkolla për fëmijët e bujkrobërve të tij dhe i thurrte punëtorëve lavde për meritat e tyre./bota.al/ KultPlus.com

‘Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti, fuqí t’madhe që m’i dhanë ka Zoti’

Filmi për Gjergj Kastriotin është një film historik që trajton jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

Në film Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastriotin dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik.

KultPlus ju sjell këngën e Gjergj Kastriotit, e cila është edhe kolona zanore e këtij filmi.

Bashkangjitur gjeni videon e shkëputur nga filmi dhe tekstin e këngës.

Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti,
fuqí t’ madhe që m’i dhanë ka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti,
shpata e tij than malin n’dysh e çán,
me nji t’ râme nji ushtrí perlán.

Lavd’ ô Gjergj, ô Skanderbe drangoi,
krahu yt çdo dit’ u përforcoftë,
gjithë ku janë armiqt ai i çfaroftë,
Lavdi yt, ô, brez mas brezi u knoftë. / KultPlus.com

‘Ju nuk jeni bagëti, ju jeni njerëz dhe ju, njerëzit, keni pushtetin’

Ai i Charlie Chaplin në filmin “Diktatori i Madh”, është padyshim një prej fjalimeve më brilantë të historisë së kinemasë. Një fjalim për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat …

Atyre që më dëgjojnë, unë u them, mos u dëshpëroni. Mjerimi që ka rënë mbi ne, është thjeshtë kalimi i babëzisë – hidhësia e njerëzve që kanë frikë prej progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët vdesin, dhe pushteti që i morën popullit, do i rikthehet popullit. Dhe sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të zhduket asnjëherë….

“Më vjen keq, por nuk dua të jem perandor. Nuk është puna ime. Nuk dua të sundoj, apo pushtoj ndokënd. Do të doja të ndihmoja këdo – nëse do të ishte e mundur – hebre, pagan, zezak, të bardhë. Ne të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kështu janë qeniet njerëzore. Ne duam të jetojmë me lumturinë e njëri-tjetrit – jo me mjerimin e njëri-tjetrit. Ne nuk duam të urrejmë dhe përçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë, ka hapësirë për këdo. Dhe Toka e mirë është e pasur dhe mund të ofrojë për të gjithë. Mënyra e jetesës mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.

Babëzia ka helmuar shpirtërat e njerëzve, e ka mbushur botën me urrejtje, na ka zhytur në mjerim dhe gjakderdhje. Ne kemi zhvilluar shpejtësinë, por jemi mbyllur brenda. Makineria që jep bollëk, na ka lënë nevojtarë. Dija na ka bërë cinikë. Zgjuarsia, na ka bërë të vështirë dhe të ashpër. Ne mendojmë shumë dhe ndiejmë pak. Më shumë se makinerinë, kemi nevojë për njerëzillëkun. Më shumë se zgjuarsinë, kemi nevojë për mirësinë dhe butësinë. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe e humbur…

Aeroplani dhe radio na kanë afruar më shumë. Vetë natyra e këtyre shpikjeve, kërkon të nxjerrë të mirën tek njeriu – bën thirrje për vëllazëri universale – për bashkimin e të gjithëve ne. Edhe tani, zëri im po mbërrin tek miliona njerëz përreth botës – miliona burra, gra dhe vogëlushë të dëshpëruar – viktima të një sistemi që i bën njerëzit të torturojnë dhe burgosin të pafajshmit.

Atyre që më dëgjojnë, unë u them, mos u dëshpëroni. Mjerimi që ka rënë mbi ne, është thjeshtë kalimi i babëzisë – hidhësia e njerëzve që kanë frikë prej progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët vdesin, dhe pushteti që i morën popullit, do i rikthehet popullit. Dhe sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të zhduket asnjëherë….

Ushtarë! Mos u jepni tek shtazët – njerëz që ju përçmojnë, ju skllavërojnë, që vënë në regjim jetët tuaja, ju thonë çfarë të bëni, çfarë të mendoni dhe çfarë të ndieni! Që ju stërvisin, ju ushqejnë, ju trajtojnë si bagëti, si mish për top. Mos iu jepni këtyre njerëzve të panatyrshëm – njerëz – makina, me mendje – makina dhe zemra – makina! Ju nuk jeni makina. Ju nuk jeni bagëti! Ju jeni njerëz! Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemër! Ju nuk urreni! Vetëm ata që nuk duhen, urrejnë – ata që nuk duhen dhe të panatyrshmit! Ushtarë! Mos luftoni për skllavërinë! Luftoni për lirinë!

Në Kapitullin 17 të Shën Lukës, shkruhet: “Mbretëria e Zotit është brenda njeriut” – jo një njeriu, jo një grupi njerëzish, por brenda të gjithë njerëzve! Brenda jush! Ju, njerëzit keni pushtetin – pushtetin për të krijuar makina. Pushtetin për të krijuar lumturi! Ju, njerëzit, keni pushtetin për ta bërë këtë jetë të lirë dhe të bukur, për ta bërë këtë jetë një aventurë të mrekullueshme.

Atëherë, në emër të demokracisë, le ta përdorim atë pushtet – le të bashkohemi të gjithë. Le të luftojmë për një botë të re – një botë të mirë, që do i japë njerëzve një shans për të punuar – që do u japë të rinjve një të ardhme dhe të moshuarve siguri. Me premtimin e këtyre gjërave, shtazët janë ngjitur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk e përmbushin atë premtim. Nuk do ta bëjnë kurrë!

Diktatorët lirojnë vetveten, por skllavërojnë popullin! Tani le të luftojmë për ta përmbushur atë premtim! Le të luftojmë për të çliruar botën – për të zhdukur kufijtë mes shteteve – për të zhdukur babëzinë, urrejtjen dhe intolerancën. Le të luftojmë për një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do të shpien drejt lumturisë së të gjithë njerëzve. Ushtarë! Në emër të demokracisë, le të bashkohemi, të gjithë!” /bota.al/ KultPlus.com

Nesër ndryshon ora, akrepat shkojnë 60 minuta para

Në natën mes të shtunës dhe të dielës (28-29 mars) fillon llogaritja verore e kohës, ora do të shkojë 60 minuta përpara.

Momenti zyrtar i ndërrimit të orës është pikërisht në orë 02:00, atëherë kur akrepat kalojnë 60 minuta para duke shënuar 03:00. Dy herë në vit orët tona ndryshojnë për një orë dhe njerëzit fitojnë ose humbin një orë gjumë.

Këtë vit, e diel më 29 mars shënohet fillimi i llogaritjes verore të kohës. Prej vitit 1981 u vendos ndryshimi i orës, që përfshin të gjithë Evropën, ku në shumë shtete të saj, akrepat e orës lëvizin 60 minuta përpara.

Norma evropiane përcakton në mënyre të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ata lëvizin 1 orë pas. / KultPlus.com

Vizita virtuale nëpër artin e botës

Muzetë më të njohur të artit i kanë mbyllur dyert – por vizitorët mund të udhëtojnë brenda tyre në mënyrë virtuale për të parë nga afër xhevahiret që posedojnë. Dy javë më parë, një retrospektivë e Andy Warhol u hap në “Tate Modern”, pastaj u mbyll.

Nëse keni nevojë për të parë punën e tij, përse të mos e vizitoni faqen e “Warhol Museum” në Pittsburgh, që ka në të gjithë botën pjesën më të madhe të veprave të artistit? Nëse asnjëherë nuk e keni parë ekspozitën “Titan” të Galerisë Kombëtare në Londër (apo edhe nëse e keni parë), janë tri biseda në lidhje me këtë ekspozitë të qasshme online në kanalin e Galerisë në Youtube, së bashku me shumë video të tjera për vepra të tjera që janë pjesë e koleksionit dhe idesë kryesore. “Nuk është nevoja që ta lini shtëpinë”, ka shkruar Franz Kafka.

“Qëndroni në tavolinën tuaj dhe dëgjoni. Madje as mos dëgjoni, vetëm prisni. Ose as mos prisni, qëndroni plotësisht në qetësi dhe vetëm. Bota do ta shfaqë veten tek ju, pa maskë; nuk ka si të jetë ndryshe; me emocion do të përpëlitet para teje”.

Unë duhet të kem kujdes me përpëlitjen pasi që shpina nuk është siç ka qenë më parë dhe për momentin nuk na lejohen vizitorë, veçanërisht të tillë që vijnë të pamaskuar. Sidoqoftë, pak gjallëri dhe ngazëllim nuk do të ishte i pavend për asnjërin nga ne, ani pse nuk është një përjetim fizik, ka gjithmonë art. Eksperienca në një mënyrë është larg nga mundësia e dytë më e mirë.

A keni tentuar ndonjëherë të hapni rrugën tuaj përgjatë turmës para veprës “Night Watch” të Rembrandt në “Amsterdam’s Rijkmuseum”? Shumica i lënë telefonat e tyre të mençur që shohin për ta.

Mund të ktheheni në shtëpi menjëherë pa u përplasur me dikë. Nëse dëshironi që të jeni më afër, “Night Watch” është duke u restauruar, e ju mund ta shikoni (është edhe një turne për fëmijë). “Rijkmuseum” së bashku me qindra muze të tjerë rreth botës janë duke bashkëpunuar me “Google Arts & Culture”, ku mund të hysh brenda muzeve që nga “MoMA” në New York të “Munch Museum” në Oslo, që nga Muzeu Britanik të “Musee d’Orsay” në Paris e të “Today Art Museum” në Pekin.

Jo vetëm kjo: ueb-faqja të mundëson të afrohesh më shumë sesa do të kishe mundësi në jetën reale. Si një pilivesë, mund të pushosh në pellgun e Monet, e të humbësh veten në qiellin pas pemëve në peizazhin e Cézanne, apo të afroheni më afër shalleve e jelekëve apo hundëve me lyth të “Night Watch”. /koha.net/ KultPlus.com

Zemra e shokut

Poezi nga Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër,
Shok prej zemre edhe prej gjaku,
Shok të ri eme besë plaku,
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç’do gas e mall të shkretë,
M’i ke thënë emër me emër,
Une i mbylla mun në zemër,
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar,
Shentërinë e një dhurate,
Mban në fund të zemrës sate,
Ç’të kam thënë i llaftaruar.

Ish e bardhë e nuku ishte,
Dredhëri zemra bujare,
Bënte botën ziliqare,
Zemër e bukur shokërishte. / KultPlus.com

84 vjet nga lindja e Vargas Losës, shkrimtari që u vu në mbrojtje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë

Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”

Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999

NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.
Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.

Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.
Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.
Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.

Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.
Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.
Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.

Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.


Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001. / KultPlus.com

79 vjet nga vdekja tragjike e shkrimtares së madhe, Virginia Woolf

“Nuk ndjej asgjë për ty Leonard. Siç ta kam shprehur më parë edhe në formë brutale unë nuk kam kurrfarë tërheqje fizike nga ty. Edhe kur më puthe një ditë më parë, nuk ndjeva asgjë. Isha si gur.”

Kështu i shkruante ajo të shoqit të ardhshëm pas propozimit të tij të dytë, kjo në një periudhë disa vjeçare ku asnjëherë Virxhiniës nuk i kishte shkuar në mendje se ai do ta priste aq gjatë dhe do ta propozonte sërish. Vetëm herën e tretë ajo pranoi të martohet me të.

Edhe sot letërkëmbimet e tyre dashurore janë objekt leximi e diskutimi. Po ashtu vetëvrasja e shkrimtares që ka një fund të makthshëm.

Ajo u takua për herë të parë me Leonard Woolf, përgjatë një vizite tek i vëllai. Ishte viti 1900 kur ai vendosi të njihte këtë grua pas disa letrave me Lytton Stachey, mikun e tij, të cilit Virxhinia i kishte refuzuar propozimin për martesë. Ja çfarë i shkruante Leonard Woolf-it teksa ky i fundit punonte në Seilon: “Ajo është gruaja e vetme në botë me një mendje të ndritur. Është një mrekulli që duhet të ekzistojë. Martohu me të.”

Një dasëm e vogël me pak të pranishëm do të zhvillohej të shtunën e 10 gushtit 1912.

Por jeta e Virxhinias nuk qe aspak e qetë. Krizat nervore që në moshën 22 vjeçare do ta mundoni njëra pas tjetrës prej vdekjes së nënës dhe motrës. Ndërsa vetëm pak vjet më vonë vjen edhe vdekja e të atit.

Lufta e saj me jetën dhe depresionin nuk do të reshtte deri më 28 mars të vitit 1941, ku vendosi t’i jepte fund jetës. Jo shumë larg shtëpisë, në lumin Ouse shkrimtarja vendosi të vetëvritet duke u mbytur në lumë pasi mbush xhepat me gurë. Gurë të rëndë si lotët dhe heshtja e saj.

Në mantelin e Virxhinias disa javë më vonë, Leonardi zbuloi këtë letër:

” I dashur!

Jam e sigurt që po çmendemi përsëri. E ndiej senuk mund të përjetojmë dot përsëri një tjetër çast të tmerrshëm si ato. Dhe këtë herë nuk do të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqëndrohem. Kështu që po bëj atë që më duket se është gjëja më e mirë për të bërë.

Ti më dhe maksimumin e lumturisë. Ke qenë në çdo rast ai që askush tjetër s’do të kish qenë ndonjëherë për mua. Nuk mendoj se dy njerëz do të kishin qenë më të lumtur nga ne deri sa erdhi kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po ta shkatërroj jetën, se pa mua ti mund të ecësh përpara. Dhe do ta bësh, e di.

E sheh, as këtë letër nuk e shkruaj dot si duhet. Nuk arrij të lexoj. Ajo që dua të të them është se të detyrohem gjithë lumturinë e jetës. Ti ke qënë tërësisht i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë.

Dua ta them – të gjithë e dinë. Nëse dikush do mund të më shpëtonte, ky do të kishe qenë ti. Tashmë gjithçka më ka humbur, veç sigurisë për mirësinë tënde. Nuk mund të vazhdoj duke ta shkatërruar jetën.

Nuk mendoj se dy njerëz mund të jenë më të lumtur, nga sa kemi qenë ne të dy.” /konica.al/ KultPlus.com