Filmi “Kulla e Sahatit” i Arzana Krajës tashmë online, luan edhe Leze Qena (VIDEO)

Njëri nga filmat e regjisores tashmë të ndjerë, Arzana Krajës, “Kulla e Sahatit”, tashmë është publikuar edhe online në VIMEO, shkruan KultPlus.com

Ky film është me skenar dhe regji të regjisores Arzana Kraja, e cila ka vdekur së fundmi si dhe njëkohësisht pjesë e aktorëve që luajnë në këtë film është edhe Leze Qena, e cila është ndarë nga jeta dje.

Lajmin për publikimin  e filmit edhe online është dhënë nga Gresa Kraja- familjare e Arzana Krajës përmes një statusi në Facebook.

Eilish, Carey dhe Keys me performanca nga shtëpia për bamirësi

Billie Eilish, Mariah Carey dhe Alicia Keys do të performojnë në një koncert që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për ata që po përballen me vështirësi përderisa koronavirusi vazhdon të përhapet.

Yjet nga distanca do të këndojnë live nga dhomat e tyre në një koncert bamirësie njëorësh që do të prezantohet nga Sir Elton John të dielën.

Një ditë më pas, Eilish do të shfaqet së bashku me BTS, Dua Lipa dhe artistë të tjerët në një tjetër shfaqje televizive për mbledhjen e fondeve.

Ata do të performojnë në një edicion special të “Late Late Show” tëJames Corden.

Duke transmetuar nga garazhi i tij, nikoqiri britanik do të lidhet me BTS në Korenë e Jugut, Dua Lipa në Londër, Andrea Bocelli në Itali dhe Eilish me vëllain e saj Finneas O’Connell si dhe John Legend në Los Angeles.

“Xhirimi nga garazhi i James mund të jetë larg nga perfeksioni, por në këto rrethana shpresojmë se mund të ndihmojë dikë, diku, që ka nevojë për pak gëzim tani”, thanë producentët ekzekutiv Ben Winston dhe Rob Crabbe.

Ngjarja, e quajtur Homefest, do të transmetohet në CBS dhe do të mbledhë fonde për Fondacionin CDC [Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve] dhe bamirësitë e fëmijëve.

Rrëfimi i rrallë i regjisorit Milkani për gjyshin që i ka vdekur nga gripi spanjoll dhe për mjekët shqiptarë

Regjisori i njohur Pirro Milkani rrëfen nga vetizolimi në shtëpinë e tij, se këto ditë të vështira do të kalojnë, por duhet durim. Ai gjithashtu si rrallëherë për “ReportTV” rrëfen se 100 vite më parë gripi spanjoll i mori jetën gjyshit të tij.

Ju përshëndes të gjithë ju që jeni në shtëpi, por edhe ata që luftojnë kundër këtij infeksioni të poshtër. Hymë në javën e tretë të këtij vetizolimi dhe mund të them se duhet të kemi durim, se është për të mirën tonë, të fëmijëve tanë, të nipërve edhe të mbesave tona.

Do ta kapërcejmë këtë fatkeqësi, çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Bota ka parë edhe fatkeqësi më të rënda. Edhe kjo sëmundje e poshtër, ky infeksion i keq, ky mikrob i pabesë, një ditë do të marrë fund.

LEXO EDHE:
Milkani, Esat Musliu e Arben Skënderi akuzojnë SUADA-n për abuzime me tarifat e të Drejtave të Autorit
Çuditërisht 100 vjet më parë ndodhi një katastrofë e tmerrshme në të gjithë globin, gripi spanjoll mori 50 milionë jetë njerëzish, në Spanja, Europë, Amerikë, por edhe në Shqipëri.
Arriti deri në Vithkuq, në një fshat malor të Korccës me ajër të pastër, me çdo gjë të mirë. I mori jetën gjyshit tim, e la mamanë time jetime, që dhjetë vjecc.
Por mos të harrojmë që shkenca ka avancuar dhe nuk mund të përsëritet ajo që ndodhi me gripin spanjoll. Do të ketë natyrisht viktima, por do të dalë shumë shpejt dhe antidoti, ilaçi, mjekimi i duhur, edhe ne do t’i rikthehemi përsëri jetës.
Bota ka kaluar kriza të mëdha! Edhe njeriu, krijesa më inteligjente e botës, që i ka bërë globit shumë të këqija, dhe prandaj ndonjëherë edhe e pëson edhe ndëshkohet, ka kaluar gjëra të tmerrshme, por në këto ndodhi të tmerrshme, sicc ishte Lufta e Dytë Botore, ku vdiqën miliona njerëz dolën në pah gjestet edhe veprimet më thelbësore, më pozitive të njeriut që do të mbijetojë me dinjitet.
Leningradi i atëhershëm, San Petërsburgu i sotëm jetoi për 900 ditë i rrethuar nga nazistët gjermanë me heroizëm, me dinjitet e përballoi atë luftë me shumë sakrifica.
Edhe kjo luftë, ky dinjitet e frymëzoi Shostakovichin të kompozoi simfoninë e shtatë, të Leningradit, simfoninë më të gjatë në historinë botërore, që kishte edhe një piano. Të gjitha instrumentet partiturat, orkestrantët edhe pianoja u çuan me aeroplanë në Leningradin e rrethuar. Njerëzit që kishin kohë në këtë rrethim e duartrokitën këtë koncert madhështor.
Falë heroizmit të leningradasve edhe talentit të jashtëzakonshëm të Shostakovich, që ka lënë një muzikë të mrekullueshme. Pikërisht në këto ditë vëmendja jonë është kthyer tek ata që punojnë natë e ditë, mjekët, tek Dritan kalo, policët, tek ata që na furnizojnë me ushqime edhe ne lehtësojnë qëndrimin brenda. Duhet të kemi besim se çdo e keqe ka një fund. /KultPlus.com

Koronavirusi vë në gjumë atraksionet turistike

Për shkak të koronavirusit ka një heshtje drithëruese në shumë zona turistike.

Sidomos në Itali, por edhe në vendet e tjera. Le të tregojmë se si duken këto vende tani pa turma, njofton Klan Kosova.

Eternal City në një gjumë të thellë

Atraksionet turistike në Itali janë pjesërisht të prekura nga kriza e koronavirusit. I gjithë vendi është në karantinë. Dyqanet janë mbyllur, turistët kanë lënë shtetin. Sheshi Saint Peter’s Square në Romë është mbyllur, muzetë nuk janë më të hapura.

Milani i qetë

Në veri të Italisë, vetëm tubime të mëdha pëllumbash guxojnë të dalin në rrugë. Katedralja e Milanit ngrihet e vetmuar dhe e shkretë në qiell. Në Itali ka një shtetrrethim mbarëkombëtar. Njerëzit lejohen vetëm të lënë shtëpitë e tyre për punë ose të bëjnë blerjet e nevojshme.

Hapësira të lira në Madrid

Pas Italisë, Spanja është vendi europian më i prekur nga kriza e koronavirusit. Orë policore janë shpallur atje, gjithashtu. Plaza Mayor, normalisht është qendra e pulsimit, është e zbrazët.

Katedralja e Shën Stefanit e vetmuar dhe e shkretë

Qytetarët e Austrisë gjithashtu nuk mund të lëvizin më lirshëm. Që nga e marta (18 Mars 2020) të gjitha baret dhe restorantet, ndër të tjera, janë mbyllur. Pika historike e Vjenës – Katedralja e Shën Stefanit – është e mbyllur për turistët, shërbimet e kishave bëhen pa adhurues dhe transmetohen përmes radios. Gjithashtu, para katedrales sheshi është i shkretë.

Republika Çeke është mbyllur

Ura e Charles në Pragë zakonisht rënkon nën turmat. Tani është heshtje për këtë pikë referimi të qytetit. Republika Çeke ka deklaruar një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të krizës së koronavirusit dhe ka vendosur ndalesa për hyrje dhe largim nga vendi. Të gjitha lidhjet ndërkufitare me tren dhe autobus gjithashtu janë pezulluar. Liria e lëvizjes së banorëve është kufizuar ashpër.

Franca në gjendje të jashtëzakonshme

Presidenti i Francës thotë se vendi është angazhuar në një luftë shëndetësore kundër koronavirusit. Dhe ministri i Brendshëm i ka kthyer të gjithë në “aleatë të luftës”, ata të cilët tani qëndrojnë në shtëpi. Aty ku normalisht mijëra njerëz përzihen – në Kullën Eifel ose Louvre në Paris – vështirë se dikush mund të shihet këto ditë.

Atraksionet e Berlinit të mbyllura

Berlini po bëhet gjithnjë e më i zbrazët, edhe pse ende nuk është vendosur një shtetrrethim. Atraksionet si kubeja Reichstag janë të mbyllura. Teatrot dhe muzetë janë mbyllur. Turizmi është vënë në pritje në të gjithë Gjermaninë. Hotelet dhe akomodimet e tjera tani mund të përdoren vetëm për “të nevojshme dhe shprehimisht jo për qëllime turistike”.

Turizmi në modalitetin e gjumit

Edhe atreksionet pa tarifa hyrëse janë të izoluara dhe të shkreta. Vetëm disa turistë janë ende në rrugë, si në Portën e Brandenburgut. Por edhe nëse tani keni një pamje krejtësisht të papërmbushur të monumentit të Berlinit, megjithatë një vizitë aty nuk është interesante.

‘Seç ёshtё njё vit i mbrapshtё pёr tё cilin do tё flitet gjatё’

Poezi nga Bujar Meholli

Seç ёshtё njё vit i mbrapshtё
pёr tё cilin do tё flitet gjatё
seç ёshtё njё vit pёr tё cilin
tё paturpshmit servilёt
judaistёt do tё heshtin kokёulur
fuqia dita ditёs do t’i lёshojё

oh kjo tokё atёherё do t’i pёrpijё
oh kjo tokё pёrherё do t’i mallkojё

Seç ёshtё njё vit qё nё mend do tё mbahet
kur nё geto tё urtit punёtorёt veniteshin
teksa kokёboshёt mbretёronin
seç ёshtё njё vit qё nё mend do tё mbahet
pёr qiellin e errёt tё egёrsuar
qё nё vend tё shiut hekur pati lёshuar. / KultPlus.com

Umberto Eco: Interneti iu ka dhënë hapësirë budallenjve

Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.

Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.

Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.

Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.

Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.

Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.

Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.

Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide”. / KultPlus.com

Kolegji Universum organizon konferencë online me Drejtorin e Raiffeisen Bank


Në këto ditë izolimi ku të gjithë po qëndrojmë në shtëpi dhe po kujdesemi për shëndetin, Kolegji Universum ofron për ju konferencë të hapur online me Z. Robert Wright, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank me temen “BANKAT NË KOHËN E PANDEMISË”.

Konferenca do të mbahet me 1 Prill nga ora 14:00 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar http://tiny.cc/5l1xlz
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.   
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;  

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Dua Lipa publikon klipin e këngës ‘Break my heart’ (VIDEO)

Këngëtarja kosovare që tashmë gëzon famë ndërkombëtare, ka publikuar edhe një këngë për fansat e saj, të titulluar ‘Break my heart’, shkruan KultPlus.

Lajmin për publikimin e këngës në platformën Youtube, këngëtarja e bëri të ditur duke postuar në rrjetet e saj sociale Instagram dhe Facebook. ‘Mbajeni, është e juaja’, thuhet në mbishkrimin e bashkangjitur në videon e postuar.

Vlen të ceket që Dua me 3 prill pritet të lansojë albumin e saj më të ri, njëherit edhe të dytin me radhë. / KultPlus.com

Angelina Jolie dhuron një milion dollarë për të luftuar koronavirusin

Ylli i Hollywoodit, Angelina Jolie, ka dhuruar një milion dollarë për të ndihmuar të prekurit nga pandemia koronavirus, njofton Telengana Today, transmeton KultPlus.

Jolie ka kontribuar, sikur edhe shumë herë në të shkuarën, në organizatën ‘No Kid Hungry’ që kujdeset të mos ketë fëmijë të uritur. Gati 22 milionë fëmijë në SHBA mbështeten në ushqimin që marrin si ndihmë.

Më herët edhe Arnold Schwarzenegger, çifti Ryan Reynolds e Blake Lively dhe Shawn Mendes kontribuuan në këtë kohë pandemie. / KultPlus.com

Gramoz Berisha dhe nëna e tij para lokalit ku 21 vjet më parë u vranë dhe u dogjën 52 familjarët e tyre

Me 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO, filloi bombardimet kundër forcave ushtarake e policore serbe, në qytetin e Suharekës, ndodhi një prej masakrave më të rënda në Kosovë.

Këtë ditë forcat serbe vranë 52 anëtarë të familjes Berisha. Nga kjo tragjedi mbijetuan vetëm tre prej tyre. Në mesin e tyre Gramozi, atëherë 8 vjet, nëna e tij dhe Shyhretja, gruaja e një familjari.

Sot, bëhen 21 vite nga kjo masakër dhe Gramozi e kujton këtë ditë të kobshme për familjen e tij.

Në rrjetin e tij social Facebbok, Gramozi ka ndarë një fotografi ku shihet i përqafuar me nënën e tij teksa qëndrojnë para lokalit ku para 21 vite u vranë 52 familjarë të tyre.

“21 vjet pas…”, shkruan Gramozi në mbishkrimin e fotografisë.

Ditën që ndodhën vrasjet, Gramoz Berisha ishte me familjen e tij, kur policë serbë ia vranë babanë, Sedatin, vëllanë, Drilonin 13 vjeç, dhe motrën Dafinën që kishte mbushur 16 vjet.

Forcat policore serbe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të grave dhe fëmijëve të familjes Berisha, të cilët i kishin ngujuar në një lokal.

Shumica u vranë në vend nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda lokalit që ishte përplot me njerëz. I ngujuar në lokal ishte edhe Gramozi, atëherë vetëm 8 vjeç. Ai u plagos në njërin krah.

“Ashtu kanë vazhduar njëjtë, i kanë kapur një nga një trupat. Kur ka ardhur radha te unë, jam frikësuar në fillim mos po më kapin për këtë krahun e plagosur edhe kisha reaguar në moment, por më kanë kapur për krahun tjetër, më kanë qit në lesë dhe më kanë gjuajtur në kamion. Përmbi mua kanë gjuajtur trupa të tjerë”, thotë Gramozi.

Të mbuluar me trupa të vdekur

Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit.

I rrethuar nga trupat e vdekur, Gramozi pa se nëna e tij, Vjollca, dhe gruaja e një familjari, Shyhretja, ende ishin gjallë.

“Gjatë rrugës e kam dëgjuar një bisedë, mami me Shyhreten duke folur, duke komunikuar mes vete, por unë prapë nuk kam guxuar ta ngre kokën duke menduar që e kemi dikë në kamion edhe mund të merret vesh. Kam qëndruar ashtu, pa lëvizur hiç. Gjatë rrugës, mami ma ka njohur jaknen që kam qenë i mbuluar dhe ka thënë t’ia shoh bile për herë të fundit fytyrën. Kur më ka kthyer kah vetja, unë i kam çelë sytë. Ka thënë: “Mozi, a je gjallë?”. I kam thënë po. Ka thënë hajde me mamin kërcejmë prej kamionit se këta na shtinë në ndonjë gropë dhe s’mund të dalim pastaj”, kujton Gramozi.

Gramozi, nëna e tij, Vjollca dhe familjarja tjetër, Shyhretja arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.

Përgjatë këtyre 20 vjetëve, Gramozit nuk i është larguar nga kujtesa momenti kur në kamion kishte mbetur ende një fëmijë i gjallë.

“Afër meje e kam pasur një djalë në gjeneratë me mua, Miratin, ai ka qenë gjallë edhe në kamion. Jemi munduar ta marrim bashkë me mamin, i thamë: “Eja me ne të kërcejmë”. Ai filloi të bërtasë dhe tha: “Jo nuk po dua, vetëm largoma këtë trupin”. Atij ia kishin qitë një trup përmbi, s’mund të merrte frymë. “Veç largoma këtë se s’po dua. Po dua të shkoj me mamin”, vazhdon Gramozi rrëfimin e tij.

Ditën e sulmit, forcat policore serbe vranë gjithsej 52 anëtarëve të familjes së ngushtë Berisha, 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina. / KultPlus.com

Nga virusi tek rimëkëmbja: Si do ndryshojë bota gjatë 18 muajve të ardhshëm

Jemi nën karantinë. Raftet e supermarketeve janë boshatisur. Fluturimet janë anuluar.

Punëtorët kanë lënë punën, dhe janë shndërruar në mësues të fëmijëve të tyre në shtëpi. Një qeveri konservatore, ka shtetëzuar hekurudhat, dhe po paguan njerëzit që nuk punojnë. Dhe jemi ende vetëm në javën e dytë.

Në më pak se 2 javë, Britania ka përjetuar një lloj trazire sociale dhe politike, që ndodh normalisht vetëm pasi i është prerë koka një mbreti, apo kur turmat mësyjnë në pallatin mbretëror. Por a është ky një moment i shkurtër i solidaritetit kombëtar, apo “normaliteti” i ri”?

Gjithçka varet nga kohazgjatja e krizës së koronavirusit. Ekspertët besojnë se një vaksinë për Covid-19 (sëmundja e shkaktuar nga virusi Sars-CoV-2) është ende të paktën 18 muaj larg, gjë që bën i premtimet e Donald Trumpit se SHBA-ja do të “rihapet” brenda 3 javësh, të duken në rastin më të mirë optimiste.

Në Britani një raport nga studiuesit e Kolegjit Mbretëror të Londrës, vlerësoi se elementët e normalitetit të ri – distancimi social, vetë-izolimi, bllokimet – mund të zgjasin deri në shtatorin e vitit 2021. Pra çfarë mund të ndodhë, ndërsa vazhdon kriza e koronavirusit? Ja se çfarë thonë ekspertët.

Muaji i parë: Infektimet

Një gjë është gati e sigurtë:gjërat do të përkeqësohen, para se të përmirësohen. “Mendoj se  epidemia do të vazhdojë me siguri për 3 muajt e ardhshëm”-thotë dr.Pol Hanter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore. Ai beson se kufizimet e lëvizjeve, do të bëhen

më të ashpra gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Qendrat e qytetit do të shkretohen. Dyqanet, baret, restorantet dhe baret, do të qëndrojnë të mbyllura. Në mungesë të tyre, do të lulëzojnë supermarketet dhe kompanitë që ofrojnë ushqime. Prilli është muaji kur Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS), pret pikun e parë të pandemisë.

Të gjitha të dhënat, tregojnë se në aspektin e përhapjes së virusit, jemi në rrugën e Italisë. Mbretëria e Bashkuar ka 2.8 mjekë për 1.000 njerëz – një normë më e ulët se Spanja dhe Italia, të cilat kanë 4.1 mjekë për 1000 pacientë. Numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes kritik, do të rritet në mënyrë dramatike, dhe NHS ka të ngjarë të kalojë në kolaps.

Muaji i tretë: Recesioni ekonomik

Shpresohet që deri në korrik, të kemi një ngadalësim të ndjeshëm të përhapjes së epidemisë. “Unë dyshoj derisa ta shohim këtë gjë vërtet”- thotë Hanter, që shton se do të befasohej nëse bllokimi nuk do të ishte hequr deri në atë kohë. “Shpresojmë që do të ndodhë para fundit të majit, por mundet edhe të mos ndodhë”- thekson ai.

Nëse premtimi i Trumpit për të rihapur ekonominë amerikane brenda një muaji do të realizohet, duket se ka gjasa që pas 3 muajsh një numër vendesh të kenë nisur të rikthehen në të paktën në një imazhi të normalitetit. Ndërkohë, pritet që ekonomia të pasojë atë që po ndodh në spitale. “Gjendja do të jetë e rëndë, por unë personalisht mendoj se gjërat do të përmirësohen nga vera. Nuk e di me siguri, por dyshoj se epidemia do ta humbasë shumë forcën nga fundi i qershorit. Kjo pjesërisht për shkak të masave që ka marrë qeveria, por edhe pjesërisht për faktin se është verë, dhe gjërat do të lehtësohen”- thekson Hanter.

Ndërkohë supermarketet do të riorganzohen me më pak staf. Edhe marrëdhënia jonë me ushqimin do të ndryshojë. Frutat tropikale do të zhduken nga raftet, për t’ja lënë vendin frutave të sezonit. Por rikthimi në normalitetin shoqëror, ka të ngjarë të shkaktojë një raund të ri të infektimeve.

Muaji i gjashtë: Rikthimi në normalitet

Nga shtatori, ne do të fillojmë të llogarisim me efektet e krizës tek buxheti i shtetit. Ka nga ata

që mund të rikthehen në vendet e tyre të punës. Ata që janë pushuar nga puna, do të përballen me pasiguri të mëdha mbi të ardhmen. Ato vende pune, që u zhdukën gjatë krizës nuk ka gjasa që të kthehen, gjë që mund të çojë në një rritje të papunësisë.

Përgjigja mund të jetë një sistem më bujar i mirëqënies sociale. Një e ardhur themelore universale, e cila u aludua në Finlandë dhe Kanada se ka dhënë rezultate të përziera, mund të ishte shkatërruese për klasën punëtore. Për ata, punët e të cilëve mbijetuan, mënyra e punës do të ndryshojë.

Zyrat do të reduktohen në personel, dhe do të shndërrohen në vende ku shkohet vetëm 2 herë në javë për ndonjë konsultim, pasi shumë punë mund të kryhen nga shtëpia. Por nën rimeson e normalitetit, virusi do të rizgjohet. Ndërsa vera largohet, do të shohim një ringjallje të numrin e rasteve të reja me koronavirus, që do të kërkojë një menaxhim të kujdesshëm.

Do ketë sërish bllokime të lëvizjeve, që do të zbatohen në zona të ndryshme të Britanisë. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se duhet duhet t’i krijojmë sa më pak probleme shtesë sistemit shëndetësor. “Krishtlindjet e ardhshme apo më tej, unë besoj se do kemi një rritje të dukshme të numrit të lindjeve”- mendon Hanter.

Do të rihapen shkollat dhe universitetet, por me më pak studentë të huaj. Ashtu si punonjësit nëpër zyra, edhe mes tyre do ketë një debat nëse studentët dhe pedagogët duhet të jenë

në të njëjtën dhomë. Prandaj shkollat ​​e mesme dhe universitetet, mund të nisin të marrin në konsideratë mësimin online për një periudhë afatgjatë.

Muaji dymbëdhjetë: Qëndrueshmëria

Megjithëse vaksina nuk do të jetë ende gati, stafi mjekësor do të jetë mësuar të përballet me Covid-19 dhe ndërlikimet që ai shkakton. Ndaj që do të ketë opsione më të mira trajtimi. Ndërkohë, mund të ndryshojë mënyra se si qeveria gjurmon përhapjen e virusit.

Një element pozitiv është se me ndalimin e udhëtimeve, emetimet e karbonit në ajër do të bien ndjeshëm. Studiuesit kanë vëzhguar tashmë rënie të mëdha në emetimin e dioksidit të azotit , teksa në pjesë të caktuara të Kinës, niveli i ndotjes është deri në 30 për qind më i ulët se normalja.

Edhe në Italinë veriore, nivelet e dioksidit të azotit, kanë rënë me 40 përqind. Por gjithçka tjetër do të jetë shumë më pak rozë. Me siguri do të jemi ende në recesion, dhe sektorë të tërë të ekonomisë do të duhet të ristrukturohen rrënjësisht. Mund të shohim falimentimin e disa ndërmarrjeve që nuk mund të jenë më fitimprurëse. Por do të ketë një dritë në fund të tunelit:një vaksinë.

Muaji i tetëmbëdhjetë: Rimëkëmbja

Si sëmundje, koronavirusi është këtu për të qëndruar gjatë. Por vaksina, do të lehtësojë ndikimin e saj. Mund të ketë ndryshime të mëdha në rendin botëror. Kina do të jetë e prirur të rifitojë ritmin e vjetër të rritjes së saj ekonomike. Vendet që përfituan nga ndihma mjekësore kineze, si Italia, do të krijojnë lidhje më të ngushta me Pekinin.

SHBA-ja ndoshta do të rishikojë më në fund efektivitetin e një sistemi të kujdesit shëndetësor të bazuar tek tregu. Koronavirusi, do të sjellë një revolucion mbi mënyrën se si jetohet dhe punohet. Testi për shoqërinë tone, është se si do të kujdesemi për ata që do të jenë më të humbur, teksa shoqëria do të riorganizohet. a

Marrë me shkurtime nga “Esquire” / KultPlus.com

‘Për ata qi manteli pelerinë iu ba, superheronjtë tanë’

Poezi nga Fjolla Besimi

Fotografia: Fjolla Besimi

Mantelin e bardhë trupit hodhën,
Diellin përshëndetën dhe luftën filluen,
N’vijë t’parë t’frontit gjeneral,
T’rreshtuen.
Në luftëra armikun ti e di,
E njef,
E edhe e sheh.

Por n’luftën që këta heronjë janë,
Ish ma shumë,
Shumë ma shumë,
Shumë ma e madhe,
Nga nji i padukshëm,
Padukshëm shkatërrues,
Padukshëm frikësues.

Ndaj që ma t’lehtë betejën ta kenë,
E barrën ma t’lehtë të ia bajmë,
E vrapin e luftës ma t’fuqishëm ta kenë.
Ballkoneve ti duartrokasim.
E Rrugët ti boshatisim.

Ditët që po kalojmë t’lehta
Për asnji sjanë,
Por Ma s’paku për ta janë,
Për ta, Qi manteli pelerinë iu ba, Superheronjtë tanë. / KultPlus.com

GKK hap ekspozitën virtuale ‘Artist në karantinë’

Galeria Kombëtare e Kosovës sot fillon ekspozitën virtuale “ARTIST NË KARANTINË” duke mbajtur aktiv interaksionin me publikun në këtë kohë të vështirë.

Artistët në izolim do të postojnë punimet e tyre ekskluzivisht për ju, duke filluar me Driton Selmani.

Driton Selmani — Everything, 2020
40 × 35 cm Acrylic on found plastic bag
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery

Driton Selmani — Worry About, 2020
40 × 35 cm Acrylic on found plastic bag
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery

Driton Selmani — Happy End, 2020
60 × 60 cm Acrylic draëing on paper
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery / KultPlus.com

Hajmalitë në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Edhe pse mejhania e Lahut ishte e ndaluar, nuk kishte ferman që badihavaxhinjtë i largonte prej saj dhe thashethemeve ndër më të ndryshmet, ku si me shpoti flitej për t’u mundur frika, që ishte te secili…
Aty, në ditë, u shfaq edhe një i panjohur me një hajmali që tha se ishte ilaç për çfarëdo të lige…
Kur e pyetën se ç’ishte ajo mrekulli, tha se duhej me e mbajtë në gji dhe me mendue se ke armik gjithçka shihet dhe nuk shihet, dhe se, ti je shpëtimtari, që krijon bindjen e një vetëprofeti…
Ky është marifeti, tha.
Si më shaka, Lahu i tha se këtu, për hajmali të tilla, as që kishte nevojë…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

“Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?”



“Troja” është bendi, mendimin e të cilit dëshirojnë ta dëgjojnë shumë njerëz. Ata janë artistë dhe kënga e tyre është vepër arti që përpiqet të na ngrejë mbi realitetin e konfuzionit – apatisë, shkruan KultPlus.

Në një hov të orientimeve të gabuara të kohës së sotme, të ngufatjes së shoqërisë, mosfunksionimit të ligjit, mungesës së shprehjes së lirë, vjedhjes e votës… si kundërbalancë është vendosur njeriu i vogël, i zakonshëm, i cili në demokracinë e sotme kaherë ka humbur, por që i mbetet shpresa dhe guximi për të rezistuar.

Se politika është një kurth perfid, “Troja” e dëshmon me këngët që janë bërë himne kundër anomalive që ngarkojnë shqiptarin e rëndomtë. Në këngët e tyre secili e gjen veten dhe përmes saj shfaq mllefin, rebelimin dhe pakënaqësinë me realitetin ku jetojmë.

Rockerët e ndryshuan botën. Ata dëshmuan se artisti nuk është produkt i shkollës, por i shpirtit. Ata e barazuan individin me institucionin, ishin forca shtytëse e ndryshimeve më të mëdha shoqërore të shekullit XX. Ata janë njerëz që mendojnë dhe sakrifikojnë.

KultPlus ju sjell tekstin e plotë të këngës “Demokraci” e cila vazhdon të mbetet aktuale edhe sot:

-Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! …

Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hiq Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë qu “te dajtë”?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”.
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”.
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

‘Më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

Vogëlushi i gëzohet akullores pas daljes nga karantina

Mund të jetë dhe akullorja e parë pas daljes nga karantina.

Kjo foto është shkrepur në provincën kineze Hubei në ditën e parë të rihapjes së dyqaneve pas urgjencës së koronavirusit. Është përshkruar si imazhi i gëzimit.

Në foto vogëlush shfaqet i lumtur saqë dhe sytë e tij nuk mund ta fshehin teksa shijon akulloren dhe ndërkohë që maska i varet në vesh. / KultPlus.com

Fotografitë mahnitëse të faltoreve në Indein, Myanmar

Fotografi francez Romain Veillon ka publikuar albumin me fotografitë e pagodave të Myanmarit.

Pagodat janë tempuj apo faltore në shumicën e rasteve budiste por ka edhe prej atyre taoiste dhe zakonisht janë të ndërtuara afër manastireve budiste që quhen Viharas. Origjina e tyre vjen prej Indisë së lashtë. / Ndertim.info / KultPlus.com

Adem Mikullovci: Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat, Teatri i jonë Leze-u mbyll

Aktorja e njohur, Leze Qena vdiq në mëngjesin e djeshëm në moshën 85-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani, shkruan KultPlus.

Komuniteti artistik janë shprehur tejet të pikëlluar për ikjen e Lezës, duke e cilësuar si aktoren me energjinë më të madhe e që ka qenë edhe inspirim për ta.

Por, gjatë gjithë karrierës së saj, si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë në skenë, e ka pasur aktorin Adem Mikullovcin. Shumë skena ata i kanë ndarë bashkë, e kjo ka bërë që të kenë edhe një miqësi shumë të mirë. Ikja e Lezës e ka prekur thellë edhe aktorin Mikullovci i cili përmes një statusi në Facebook ka ndarë edhe bisedën e fundit që e ka bërë me Lezën.

Postimi i plotë i aktorit Adem Mikullovcit:

ELIZABETE- Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashk herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Une thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bêrtite:”Përkundrazi unë shkoj para teje,mua më ka grua e ty vetëm shok”..
Dhe ja ! Ashtu edhe ndodhi Elizabett..
Mua më lat të fundit dhe unë s’kam qare pa ardhë te ju.
Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….
Teatri i jonë Leze-u mbyll. / KultPlus.com

193 vjet nga vdekja e gjeniut të muzikës klasike, Bethoven

Më 16 dhjetor të vitit 1770, në Këln, lindi Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.

Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Noli, i njohur si republican dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vienë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.

Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit sinfonia e tretë u interpretua për herë të pare.

Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. / KultPlus.com

Pamje nga satelitët, bota para dhe pas koronavirusit

Koronavirus, është “kundërshtari” që po lufton një botë mbarë. Kjo e keqe, ka izoluar miliona persona në shtëpi, ka boshatisur rrugë, parqe, institucione publike apo private si edhe rrjedhën e jetës. Shumë shtete në mes të panikut, të shkaktuar nga virusi korona, kanë zgjedhur të mbyllin kufijtë e tyre.

Disa thonë që “toka po merr frymë”, por në të vërtetë, në këto momente “bota po vuan për njerëz”. Numri i të infektuarve dhe viktimave po shtohet dita ditës. Evropa është kthyer në vatrën kryesore të koronavirusit dhe kjo e keqe nuk dihet kur do të marrë fund.

Pamjet të marra nga satelitët, tregojnë si ka ndryshuar bota para dhe pas koronavirusit, vërtet prekëse kur vëren që kjo epidemi ka paralizuar gjithçka. Për më shumë ju ftojmë t’i ndiqni.

Sopranoja Elbenita Kajtazi: Ky votim ka vetëm një të mirë, që ua kemi parë duart secilit që ka votuar

Elbenita Kajtazi, soprano e njohur në Evropë

Jam artiste dhe gjithmonë kam mbajtur distancën në lidhje me politikën, por sot gjatë gjithë ditës më ka shoqëruar kjo seancë tmerri, ashtu ja kam vënë emrin.
Pse e kam përcjellur? sepse jam e ngujuar( karantinuar) dhe pata kohë dhe zemra po më dhemb për popullin të cilit mbi gjithë stresin e sëmundjes nga Corona virusi po u shtohet edhe ky përjetim i kësaj “ drame “ politike sot!
Nuk i kam mbajtur anën asnjeherë asnjë partie dhe nuk jam marrur kurrë me ta, pse? sepse kam pasur për qëllim të iki nga vendi im, po po, të iki sa ma larg e të filloj një jetë aty ku vlerësohesh si qenie njerëzore, si artist, si femër dhe përkrahja kur ke vlera nuk mungon, gjë që nuk e kam përjetuar nga vendi im, për faktin që nuk e kam identifikuar veten me asnjë parti dhe nuk kam vrapuar mas tyre që të marrë vlerësim e që në këtë rast do ishte nga njerëz diletant që nuk e kanë iden se çfarë pune e çfarë kontributi bëj unë si artiste për vendin tim!

Sot Gjermania ndajti 156 miliard euro për të gjitha ato biznese, dhe lëmi tjera të ndryshme që kanë pësuar humbje gjatë krizës së Corona Virusit! Një qytetar gjerman u intervistua sot nga televizioni NDR se si ndihet për një veprim të tillë. Përgjigjja e tij ishte; “ kam paguar taksa tash e sa vite, sikur gjithë populli që jeton e vepron këtu, dhe jam i stërlumtur që ato para janë mbledhur dhe sot ipen për qëllime të mrekullueshme”!
Mu mbushen sytë me lot, sepse thash me vete, sikur edhe unë një ditë ta admiroja qeverinë e vendit tim ashtu sikur po e admiron ky, sikur unë një ditë ti besoja qeverisë së vendit tim sikur ky, por jo… atë pak shpresë e besim që kisha ose më mirë të them kish filluar të më kaploj, e shuat ju! Ju 82 deputet të cilët do mbaheni mend!!!!!!

Ky votim ka vetëm një të mirë, që ua kemi parë duart secilit që ka votuar, e tani do na i shihni votot ju neve në zgjedhjet e ardhëshme!

Me të mira Kosova ime, ndonjëherë kam frikë që as toka jote nuk do i qëndroj dot gjithë këtij maltretimi e poshtrimi që po të bëhet!/ KultPlus.com

“Mos të na detyrojnë me i lënë edhe varret e me ik nga ky vend”

Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka lexuar një mesazh të Kosovare Kelmendit, vajzës së Bajram e Nekibe Kelmendit, e cila është lutur që të mos votohet mocioni, ndryshe, sipas saj, kosovarët do të detyrohen ti lënë edhe varret dhe të ikin nga ky vend.

KultPlus ju sjell të plotë mesazhin e Kosovare Kelmendit.

Me shpirt, mendje e lutje jam me Vjosën, sikurse mbarë Kosova, të MOS votohet mocioni, të MOS na detyrojnë me i lënë edhe varret me ik nga ky vend.
Sepse, po u vra sot shpresa, mua vetëm emri do të më mbetet Kosovare, sepse Kosovë të ëndrrave e luftës së prindërve të mijë më nuk do të ketë.
Kështu thotë e bija e Bajram Kelmendit, Kosovare Kelmendi./KultPlus.com