Filharmonia e Kosovës sonte ka nisur transmetimin e koncerteve në Facebook, pas situatës së krijuar nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com
“Ju faleminderit gjithë ju që na ndoqët”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre në Facebook.
Përndryshe, është premtuar që kjo praktikë do të vazhdojë edhe më tutje perderisa gjendemi në këto rrethana, ku koncerti radhës do të transmetohet të enjten.
Para publikimit të shërbimit të transmetimit HBO Max, HBO do të mundohet të lehtësojë distancimit social duke vënë në dispozicion 500 orë program falas për një kohë të kufizuar, nën titullin #StayHomeBoxOffice.
Promovimi fillon më 3 prill dhe do të përfshijë transmetim falas të serialeve si “The Sopranos”, “The Wire” dhe “Veep”, dokumentarë të HBO-së dhe disa filma të Warner Bros.
Shumë nga filmat kanë për target fëmijët ose një audiencë familjare, të tilla si “Pokemon Detective Pikachu”, “Smallfoot” dhe “Lego Movie 2: The Second Part”.
Programimi do të jetë në dispozicion pa abonim në HBO Now dhe HBO Go.
HBO Max, ndërmarrje rrjedhëse e kompanisë, ishte planifikuar të lansohej në maj.
HBO, Warner Bros dhe CNN janë të gjitha njësi të WarnerMedia. Klan Kosova / KultPlus.com
Mbase u bë ca kohë që jeni shkëputur nga shkolla apo që kur keni komunikuar me ish-mësuesen tuaj, por kujtimet mbeten!
Një mësuese apo mësues i caktuar ju ka lënë përshtypje dhe ju e mbartni përherë me vete dhe sigurisht që ju bën të jeni nostalgjik por mbi të gjitha mirënjohës.
E pra, kjo është koha, sot është dita që ta ktheni favorin duke ju thënë edhe një herë faleminderit mësuesve në jetën tuaj.
Themi qëllimisht ‘mësuesve’ sepse padyshim që ata janë shumë, por sigurisht disa janë më të spikatur ndaj është edhe më e lehtë ta filloni me ta.
Në vijim, do të gjeni disa nga shprehjet më të bukura për mësimdhëniet dhe… pse Mësimdhënia është art dhe të tillë e bën vetëm mësuesi.
“Ata që dinë, bëjnë. Ata që kuptojnë, japin mësim.” (Aristoteli)
“Unë kurrë nuk i mësoj nxënësit e mi; Unë vetëm përpiqem të siguroj kushtet në të cilat ata mund të mësojnë.” (Albert Ajnshtajni)
“Edukimi nuk është mbushja e një gotë bosh, por ndezja e zjarrit”. (W.B. Yeats)
“Unë nuk mund t’i mësoj askujt asgjë, unë vetëm mund t’i bëjë ata të mendojnë.” (Sokrati)
“Unë nuk mund të jem mësues, pa e njohur vetveten.” (Paulo Freire)
“Mësuesi i vërtetë mbron nxënësit e tij kundër ndikimit të tij personal.” (Amos Bronson Alcott)
“Në një shoqëri krejtësisht racionale, më të mirët do të ishin mësues dhe pjesa tjetër prej nesh do të duhej të vendoste për diçka tjetër”. (Lee Iacocca)
“Mësuesi jo i mirë, thjesht tregon. Mësuesi i mirë shpjegon. Mësuesi profesionist inspiron.” (William Arthur Ward)
“Mësuesit më të mirë janë ata që ndryshojnë mendim.” (Terry Heick)
“Mësuesi i mirë është si qiriri – konsumon veten për t’i ndriçuar rrugën të tjerëve.” (Mustafa Kemal Atatürk)
“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë“ (Konfuci)
“Një mësues i mirë është si një qiri: Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve.” (Anonime)
“Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij“. (Henry Adams)
“Mësuesi është përhapësi i dritës“ (Luigj Gurakuqi)
“Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim; secili hap që bën ai duhet të jetë shembull i mirë“ (Jean-Baptiste de La Salle)
“Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj“ (Fridrih Adolf Vilhelm Disterveg)
“Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri“(Anonime)
“Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari“. (John Cotton Dana)
“Mësuesi është ai që të hap derën, në të cilën ti duhet të hysh vet.” (Kineze)
“Është arti suprem i mësuesit, të ngjallë kënaqësi në shprehjen kreative dhe dituri”. (Ajnshtajn)
“Mësuesi gjithmonë fillon me gjetje gabimesh. Por nxënësi shikon merita pozitive në gjithçka”. (George Vilhelm Fredrih Hegel)
“Teknologjia është vetëm mjet. Për të bërë që fëmijët të punojnë së bashku dhe të motivohen, mësuesi është më i rëndësishmi”. (Bill Gates)
“Mësimdhënia nuk është një art i humbur, por respektimi i saj është një traditë e humbur”. (Jacques Barzun)
“Mësimdhënia është forma më e lartë e të kuptuarit.” (Aristoteli)
“Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i çmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët“- Etiene Cabe
“Një mësimdhënia e mirë ndahet në ¼ përgatitje dhe ¾ improvizim.” (Gail Goldwin)
“Armiku më i keq është mësuesi yt më i mirë.” (Buda)
“Detyra e një mësimdhënësi është t’i mësojë nxënësve të njohin karakterin e tyre.” (Joseph Campbell)
“Arti i mësimdhënies është të dish të sugjerosh.” (Henri-Frédéric Amiel)
“Mësimdhënia demonstron që diçka është e mundur. Mësimi të ndihmon ta bësh të mundur për veten tënde.” (Paulo Coelho)
“Mund t’i mësoj dikujt gjithçka që di, por vetëm eksperienca do ta bindë për vërtetësinë e atyre që i ke mësuar.” (Richelle E. Goodrich)
“Nuk ka dështime. Vetëm mësime.” (Robert Allen)
“Shenja më e madhe e suksesit për një mësues është ata mund të thonë: Nxënësit po punojnë sikur unë të mos ekzistoja.” (Maria Montessori)
“Pyetja që duhet të shtrohet është “Si mund të mësojnë më mirë?” dhe jo “A mund të mësojnë?” (Jaime Escalante)
“Mësimdhënësit e mirë janë ata që të tregojnë se ku duhet të shohësh por jo se çfarë duhet të shohësh.” (Alexandra K. Trenfor)
“Nëse një nxënës nuk mëson me mënyrën që ne shpjegojmë, ndoshta duhet të mësojmë të shpjegojmë në mënyrën që ato mësojnë.” (Ignacio ‘Nacho’ Estrada)
“Synimi i jetës është të zbulosh dhuntinë tënde. Qëllimi i saj është ta ndash me të tjerët.” (Pablo Picasso)
“Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë.” (Guy Kawasaki)
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Darka e gabuar është roman i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Ismail Kadare. Është shkruar mes Malit të Robit (Durrës), Luganos së Zvicrës dhe Parisit gjatë verës dhe dimrit 2007-2008. Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mister, është subjekti i romanit të Kadaresë.
Ndonëse i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse i hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti, në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht.
Në këtë roman bëhet fjalë për ngjarjet në qytetin e Gjirokastrës, nga pushtimi nazist deri tek vdekja e Stalinit me 1953. Romani fillon me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri , pararoja e të cilëve goditet në kufi nga partizanët, gjë që i zemëron gjermanët, të cilët vendosin ta hedhin qytetin në erë. Ata ndalin bombardimet pasi shohin flamurin e bardhë të cilin nuk dihet se kush e kishte ngritur. Mirëpo gjermanët dëshirojne hakmarrje për goditjen e pararojës prandaj mbledhin 80 njerëz qe t’i pushkatojnë . Në këtë kohë, koloneli gjerman, i ngarkuar me detyrë për pushtimin e Shqipërise, Fritz Wan Schwabe kërkon mikun e tij të universitetit, Dr.Gurameton e Madh, me të cilin kishte kryer studimet. Gurametoja e fton për darkë në shtëpinë e tij. Ndërsa koloneli Wan Schwabe është në darke te Gurametoja, qytetarët e tmerruar, që sapo ishin qetësuar nga bombardimet, nuk mund t’iu besojne veshëve.
Ata ende ishin nën shokun e bombardimeve ndërsa degjojne muzike me zë të lartë e cila vjen nga shtëpia e Gurametos. Mendimet e para janë se mos është çmendur fare doktori që ta thërrasë armikun në darkë, dhe në qytet përplasen dy rryma, ata që e konsiderojnë Gurameton tradhëtar dhe ata që e perkrahin. Mirëpo pa filluar thashethemet mirë ndodh befasia tjetër: pengjet lirohen. Qytetarët nuk dinë se çfarë të thonë. Ndërsa lufta e vërtetë ishte zhvilluar brenda, mes Gurametos dhe kolonelit. Por çfarë u bisedua brenda do të mbetej mister. Pas largimit të gjermanëve vijne komunistët dhe vendoset rendi i ri. Darka mbetet misterioze dhe e pashpjegueshme.
Gurametoja arrestohet disa herë . Gurametos i thuren edhe këngë. Njëra ndër kenget ishte më misteriozja: sipas këngës Gurametoja kishte ftuar të vdekurin në darkë. Autori e përmend që në fillim të librit një tregim që u tregohej fëmijëve për t’i vënë në gjumë: Një njeri detyrohet që të ftojë një njeri rastësisht për darke, ai ia jep të birit të tij ftesën që t’ia jap ndonjë kalimtari të rastit. Mirepo fëmijën e zë terri në rrugë dhe e hedh rastësisht ftesën në varreza dhe ftesa bie mbi një varr. Dhe në mbrëmje vjen në darkë i vdekuri.
Ndonëse autori e përmend rrëshqitazi këtë tregim, ky ka lidhje të forta me romanin. Disa ditë para vdekjes së Stalinit, Gurametoja arrestohet dhe torturohet në Guvën e Shanisasë, në lidhje me darkën që beri para 10 viteve. Sqarohet një gjë, personi që kishte qenë në darkën e Gurametos nuk kishte qenë Fritzi sepse ai kishte vdekur 3 muaj para darkës, por një shok i tij. Së fundmi Gurameton e pushkatojnë. Mirëpo gjatë rrugës për tek vendi i ekzekutimit, Gurametoja perpiqet te thote diçka kur kalon pranë varrezave, mirëpo kjo zbulohet vetëm vite më vonë: siç duket ai deshi të thoshte që donte të hiqte ftesën nga varri, ta hiqte ftesen për darken e cila e kishte marrë në qafë.
Dafina Zeqiri është një nga këngëtaret më të njohura të skenës muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus.com
Një numër i madh i këngëve të realizuara nga ajo janë shëndrruar shpejt në hite të kohës.
Kënga e saj e fundit “Një herë në jetë” në bashkëpunim me Cricket, është rrugës për tu bërë hiti i saj i rradhës.
KultPlus këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:
Një herë në jetë
Bonu i sinqertë një herë në jetë A m’don ti mu? Bonu i sinqertë një herë në jetë A m’ki zavendsu? Bonu i sinqertë më trego drejtë A të ka mjaftu? Bonu i sinqertë një herë në jetë Me to a ke shku?
Mos e le ti, mos e le Mos e le dashninë me u shu Mos e le ti, mos e le A e di sesa të du? Bonu i sinqertë një herë në jetë A m’don ti mu? Bonu i sinqertë një herë në jetë A m’ke zavendsu? Bonu i sinqertë më trego drejtë A të ka mjaftu?
Bonu i sinqertë një herë në jetë Me to a ke shku? Mos e le ti, mos e le Mos e le dashninë me u shu Mos e le ti, mos e le A e di sesa të du?
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI) ka njoftuar se nga e hëna (06 prill 2020), përmbajtja e mësimit në distancë për gjuhën turke dhe boshnjake do të zgjerohet me më shumë lëndë mësimore.
Ҫdo ditë pune, nga e hëna deri të premten – prej orës 12:30, në RTK 2, do të ketë video-ligjërata për lëndët gjuhë turke dhe atematikë për klasat 1 – 5, njofton Klan Kosova
Për klasat 6-9, nga e hëna deri të premten, në RTK 2, do të ketë video-ligjërata për lëndët Gjuhë Turke dhe Matematikë. Ndërsa nga e hëna deri të mërkurën transmetohen video-ligjëratat për lëndët mësimore Fizikë dhe Kimi për klasat 6-9.
Ndërsa prej orës 15:30 në RTK 2 mbahen video-ligjëratat për lëndët Gjuhë Boshnjake dhe Matematikë për klasat 1 – 5. Ndërkaq për klasat 6-9 transmetimi i video-ligjeratave në gjuhën boshnjake fillon sapo të ketë përfunduar përgatitja e materialeve mësimore.
Këto materiale mësimore do të transmetohen edhe përmes ueb faqes zyrtare https://emesimi.rks-gov.net, përmes së cilës shkohet në kanalin e MAShTI-t në Youtube edhe në gjuhën turke dhe gjuhën boshnjake.
MAShTI nëpërmjet komunikatës iu uron të gjithë nxënësve mësim të këndshëm dhe shumë shëndet, dhe kërkon nga prindërit dhe mësuesit bashkëpunim në realizimin me sukses të mësimit nga distanca!
Gjersa i gjithë vendi ndodhet në karantinë për shkak të përhapjes së COVID-19, rrugët janë bosh.
Nëpër to shikohen vetëm forcat e ushtrisë dhe pak ata persona që kanë autorizimin për të lëvizur.
Skulptura “Djali dhe kali”, e vendosur në qendër të Kamzës në rrethrrotulimin e saj ka marrë një pamje krejt tjetër.
Monumentit të realizuar nga Vladimir Llakaj i është venë një maskë kirurgjikale si shenjë solidarizimi në këto ditë të rrezikshme për të gjithë.
Artisti është shprehur se skulptura që solli shumë pikëpyetje dhe kritika nga qytetarët e Kamzës ka si qëllim të edukojë dhe kulturojë vendin dhe me vendosjen e maskës ky qëllim po realizohet dyfish.
Monumenti shpreh edukim për të gjithë që të mos lëvizin pa mjete mbrojtëse si maska apo doreza për të shmangur përhapjen e koronavirusit, problemit kryesor të tanishëm të të gjithë botës/Shqiptarja / KultPlus.com
Atmosfera surreale e pandemisë së Covid-19 më sjell ndër mend, se si ndjehesha në rininë time, kur isha pjesë e Divizionit të 84-të të Këmbësorisë gjatë Betejës së Bulge. Tani, ashtu si në fund të vitit 1944, ekziston një ndjenjë e rrezikut të porsafilluar, që kish në shënjestër jo ndonjë person të veçantë, por që godiste në mënyrë rastësore dhe me shkatërrim. Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis asaj kohe të largët dhe kohës tonë. Qëndrueshmëria amerikane atëherë u forcua prej një qëllimi final kombëtar. Tani, në një vend të ndarë, një qeveri efikase dhe largpamëse është e nevojshme për të kapërcyer pengesat e pashembullta, në përmasa dhe në shtrirjen globale. Ruajtja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, marrëdhëniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar.
Kombet bashkohen dhe lulëzojnë bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin impaktin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin. Kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara. Nuk ka rëndësi, nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit. Të debatosh tani për të kaluarën, vetëm sa e vështirëson të bërit e gjësë së duhur.
Koronavirusi ka goditur me një forcë dhe egërsi të paprecedentë. Përhapja e tij është eksponenciale: rastet në SHBA po dyfishohen çdo pesë ditë. Ndërkohë që shkruaj këtë artikull, nuk ka ende një kurë. Pajisjet mjekësore janë të pamjaftueshme për të përballuar valët e rasteve që sa vjen e zgjerohen. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag kolapsi. Testimi është i pamjaftueshëm, për kryerjen e detyrës së identifikimit të shtrirjes së infeksionit, aq më pak sprapsjes së tij. Një vaksinë e suksesshme mund të dojë 12-18 muaj që të prodhohet.
Administrata e SHBA ka bërë një punë solide në shmangien e katastrofës së menjëhershme. Testi përfundimtar do të jetë nëse përhapja e virusit mund të ndalet dhe më tej të sprapset, në një mënyrë dhe në një shkallë që ruan besimin e publikut tek aftësia e amerikanëve për t’u vetëqeverisur. Përpjekjet e krizës, sado të gjera dhe të domosdoshme, nuk duhet të largojnë vëmendjen nga detyra urgjente e lançimit të një përpjekjeje paralele, për tranzicionin drejt rendit të pas-koronavirusit.
Udhëheqësit po e përballin këtë krizë kryesisht mbi baza kombëtare, por impakti i virusit mbi shpërbërjen e shoqërive, nuk njeh kufij. Ndërkohë që sulmi ndaj shëndetit të njeriut do të jetë – shpresojmë – i përkohshëm, trazirat politike dhe ekonomike që ai ka startuar mund të zgjasin me breza. Asnjë vend, madje as SHBA, nuk mund të kapërcejë këtë situatë të shkaktuar prej virusit, thjesht me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave të momentit duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues. Nëse ne nuk mund t’i bëjmë të dyja këto njëkohësisht, do të përballemi me më të këqijat e secilës.
Duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projektit Manhattan, SHBA është e detyruar të ndërmarrë një përpjekje të madhe në tre fusha. Së pari, të forcojë rezistencën globale ndaj sëmundjeve infektive. Triumfet e shkencës mjekësore si vaksina ndaj poliomielitit dhe zhdukja e lisë së dhenve, ose mrekullia statistikore-teknike e diagnozës mjekësore përmes inteligjencës artificiale, na kanë përgjumur në një vetëkënaqësi të rrezikshme. Ne kemi nevojë për të zhvilluar teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionive dhe vaksinave, nëpër popullsi të mëdha. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten vazhdimisht për të mbrojtur njerëzit nga pandemitë përmes krijimit të stoqeve, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës.
Së dyti, të përpiqet të shërojë plagët e ekonomisë botërore. Udhëheqësit globalë kanë nxjerrë mësime të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008. Kriza e tanishme ekonomike është më komplekse: Tkurrja e shkaktuar nga koronavirusi është, në shpejtësinë e saj dhe në përmasën globale që ka, ndryshe nga çdo gjë e njohur ndonjëherë në histori. Dhe masat e nevojshme për shëndetin publik, siç janë distancimi social dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë në shtimin e dhimbjes ekonomike. Programet gjithashtu duhet të kërkojnë të zbusin efektet e kaosit që do të vijë, tek popullsitë më të rrezikuara në botë.
Së treti, të mbrojmë parimet e rendit liberal botëror. Legjenda në themel të qeverisjes moderne është një qytet me mure i mbrojtur nga sundimtarë të pushtetshëm, herë despotikë, herë të tjera dashamirës, por gjithnjë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur njerëzit nga një armik i jashtëm. Mendimtarët e Iluminizmit e ribënë këtë koncept, duke argumentuar se qëllimi i shtetit legjitim është të sigurojë nevojat themelore të njerëzve: sigurinë, rendin, mirëqenien ekonomike dhe drejtësinë. Individët nuk mund t’i sigurojnë vetë këto gjëra. Pandemia ka nxitur një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure, në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.
Demokracitë e botës duhet të mbrojnë dhe të ruajnë vlerat e Iluminizmit. Një tërheqje globale nga ekuilibrimi i pushtetit me legjitimitetin, do të bënte që kontrata sociale të shpërbëhej brenda shteteve dhe ndërkombëtarisht. Megjithatë, kjo çështje mijëravjeçare e legjitimitetit dhe pushtetit, nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjen për të kapërcyer plagën e hapur nga Covid-19. Nevojitet përmbajtje nga të gjitha palët, si në politikën e brendshme ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Përparësitë duhet të përcaktohen qartë.
Ne kaluam nga Beteja e Bulges në një botë me prosperitet të rritur, dhe me dinjitet të njeriut të forcuar. Tani, jetojmë një periudhë epokale. Sfida historike për udhëheqësit është të menaxhojnë krizën ndërsa ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund t’i vinte flakën botës.
Henry Kissinger ka qenë Sekretar Shtetit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentëve Nixon dhe Ford / WSJ (Bota.al)
Gëzim Kruja, të gjallët e këtij humoristi të madh të skenës shkodrane dhe asaj gjithëshqiptare, që nga sot, 5 prill 2020 nuk është më. Gëzim Kruja, u lind më 4 dhjetor 1939. Një jetë në skenën shkodrane të humorit, ka spikatur me rolet dhe karakteret që ai jetësoi për ti pavdekësuar në repertorin e larmishëm të humorit.
Karriera gazmuese e Gëzimit mësohet të ketë nisur në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin në qytetin kur është ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën Profesioniste të Shkodrës, për të vijuar për pesë dekada përpjekje dhe sfidë, punë dhe arritje, që e bënë emrin e Gëzim Krujës një logo të humorit.
Zëri i tij kishte kohë që ishte kyçur në robërinë e një sëmundjeje, e cila i ndali edhe zemrën që trokiti kaq gjatë në kraharorin e tij dhe dëshirimet e gjithë atyre që qeshën dhe gazmuan me humorin që ai solli.
Duhet që ai të shuhej, që ne të gjithë të kujtoheshim për të. Edhe për Gëzim Krujën, si për shumë prej atyre që i dhanë artit dhe skenës, traditës së vlerave, veprën e përkushtimit dhe sakrificave, ishte e njëjta harresë që e bëri lëngimin e gjatë të sëmundjes, më të dhimbshëm dhe më të trishtë. Ai luftoi me sëmundjen njëjtë si me harrimin dhe humbi, për të fituar nder dhe respekt, përulësi dhe mirënjohje, së paku në këto çaste lamtumire.
Ai nuk është më, por vepra e tij e bujrshme krijuese dhe interpretuese, do të mbeten një testament vlerash, obligim dhe mirënjohjeje. Rrugëtimin prej 52 vitesh të mëkues të artit të humorit, e shkruan vepra e tij, në të cilën bën pjesë: 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmore. Pjesë e këtij obelisku të lartë të promovimit të traditës shkodrane të humorit është interpretimi që ai realizoi në rreth njëmijë role në skeçe të ndryshme. Në vitin 2004 puna e tij, përpjekjet dhe përmbushja e angazhimeve artistike u nderua me titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 vlerësohet me titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin, “Mjeshtër i Madh”.
Një ditë dhe katër muaj pas festimeve të ditëlindjes së tij të 80-të, një përvjetor që spikati nga harrimi dhe braktisja, ai “i fton” të gjithë ta përcjellim në heshtje dhe pikëllim nga shtëpitë tona. Në këtë kohë ngujimi nga përndjekja e koronavirusit, nderimi dhe përcjellja e merituar e këtij emri të rëndësishëm të humorit do të jetë e pamundur.
Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjarët, miqtë dhe kolegët, në mesin e të cilëve do të mungojë energjia pozitive e një njeriu të hareshëm dhe dhe një aktori të palodhur, një kolegu të veçantë dhe një bashkëpunëtori korrekt, që dhuroi kaq shumë role, duke skalitur një emër nderi në panteonin e vlerave, prejnga do ta kujtojmë përgjithnjë.
Tani më shumë se asnjëherë tjetër, njerëzit po punojnë nga shtëpia.
Një laptop, pizhame dhe patjetër një kafe ngjitur me krevatin. Gjëja e parë që duhet të bëni është të hiqni pizhamet dhe të vishni rroba të tjera.
Pastaj hidhini sytë nga “zyra” juaj e shtëpisë. A është këndi i duhur? A mund të përmirësosh diçka që orët e punës nga shtëpia të jenë edhe më të këndshme?!
Nuk ka rëndësë sa e madhe është shtëpia juaj, një kënd i vockël i dekoruar bukur është gjithmonë i arritshëm.
E përbashkëta e këtyre fotove? Gjelbërimi!
Një vazo me lule, apo qoftë edhe një kaktus i thjeshtë do t’jua bëjë vendin ku punoni më interesant, shkruan Anabel.
Të punoni ndërkohë që shihni përtej xhamit. Një kënd i sajuar në ballkon, apo në oborrin e shtëpisë do të ishte perfekte. Më shumë se punë do t’ju dukej argëtim dhe karantina më pak stresuese.
Ylli botëror nga Kosova, Dua Lipa, e cila jeton dhe vepron në Mbretërinë e Bashkuar, me tri këngët e saj tashmë është pjesë e top 10-shes në Britani, shkruan KultPlus.com
“Don’t start now”, “Physical” dhe “Break my heart”, janë tri këngët e saj që janë pjesë e top 10-shes më të dëgjuar në Londër.
“Tri këngët në top 10-she, faleminderit”, ka shkruar Lipa në Facebook.
Në kushtet e jashtëzakonshme të krijuara nga Coronavirusi, filmi artistik i metrazhit të gjatë, “Dita zë fill”, do të mund ta shikoni nga shtëpitë tuaja, shkruan KultPlus.com
Ky film është me regji nga Gentian Koçi, i cili edhe ka dhënë edhe linqet ku mund të shikohet filmi përkatës.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Qëndroni në ! Shihni filma autorë!
Në kushtet e qëndrimit të gjatë e të detyruar në shtëpi, në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë të gjithë për shkak të pandemisë globale Covid-19, po ndaj me ju linkun e mëposhtëm të qasshëm nga të gjithë, të filmit tim “DITA ZË FILL”.
Fjalëkalimi qëndron i njëjtë deri në mbarimin e karantinës.
P.S: Ju lutemi, nëse e shpërndani, bëjeni bashkë me tekstin që të lexohet fjalëkalimi.
“Që nga vendimi për të mbyllur lokalin, unë kam vazhduar të marr myshterinjtë e mi të rregullt, por tashmë vetëm në shtëpi” thotë një floktare nga Cyrihu. Sigurisht, ajo nuk pranon klientë të tjerë, të rinj, shkruan 20minuten.
Por duke vazhduar të ushtrojë profesionin e saj, ajo po vepron në mënyrë të paligjshme: “Ne hetojmë çdo provë për çdo shkelje që dëgjojmë”, thotë Michael Walker, zëdhënës për media në Policinë e qytetit të Cyrihut, transmeton albinfo.ch. “Udhëzimet e BAG duhet të respektohen.”
Ndërsa Dionys Widmer nga policia e qytetit të St. Gallenit sqaron tutje se kushdo që shkel rregulloren federale mund të presë një kallëzim penal. Dhe, rezultati mund të jetë aspak i këndshëm: “Mosrespektimi i rregullave mund të rezultojë deri në tre vjet burg”, thotë ai.
Nga ana tjetër, floktarja e përmendur më lart, nuk ka frikë nga një ndëshkim i mundshëm, por as nga një infeksioni me koronavirus, që mund ta pësojë.
“Unë i pyes klientet e mia nëse janë të shëndetshme dhe gjithmonë punoj me dezinfektues”, thotë ajo, përcjell albinfo.ch. Ndryshe, klientet janë shumë mirënjohëse që ajo vazhdon të vijë dhe t`ua rregullojë flokët e saj. “Tani po marr bakshishe veçanërisht të larta”, thotë ajo, e kënaqur me zemërgjerësinë e klientëve të saj. /albinfo/ KultPlus.com
Gëzim Kruja, të gjallët e këtij humoristi të madh të skenës shkodrane dhe asaj gjithëshqiptare, që nga sot, 5 prill 2020 nuk është më. Gëzim Kruja, u lind më 4 dhjetor 1939. Një jetë në skenën shkodrane të humorit, ka spikatur me rolet dhe karakteret që ai jetësoi për ti pavdekësuar në repertorin e larmishëm të humorit.
Karriera gazmuese e Gëzimit mësohet të ketë nisur në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin në qytetin kur është ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën Profesioniste të Shkodrës, për të vijuar për pesë dekada përpjekje dhe sfidë, punë dhe arritje, që e bënë emrin e Gëzim Krujës një logo të humorit.
Zëri i tij kishte kohë që ishte kyçur në robërinë e një sëmundjeje, e cila i ndali edhe zemrën që trokiti kaq gjatë në kraharorin e tij dhe dëshirimet e gjithë atyre që qeshën dhe gazmuan me humorin që ai solli.
Duhet që ai të shuhej, që ne të gjithë të kujtoheshim për të. Edhe për Gëzim Krujën, si për shumë prej atyre që i dhanë artit dhe skenës, traditës së vlerave, veprën e përkushtimit dhe sakrificave, ishte e njëjta harresë që e bëri lëngimin e gjatë të sëmundjes, më të dhimbshëm dhe më të trishtë. Ai luftoi me sëmundjen njëjtë si me harrimin dhe humbi, për të fituar nder dhe respekt, përulësi dhe mirënjohje, së paku në këto çaste lamtumire.
Ai nuk është më, por vepra e tij e bujrshme krijuese dhe interpretuese, do të mbeten një testament vlerash, obligim dhe mirënjohjeje. Rrugëtimin prej 52 vitesh të mëkues të artit të humorit, e shkruan vepra e tij, në të cilën bën pjesë: 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmore. Pjesë e këtij obelisku të lartë të promovimit të traditës shkodrane të humorit është interpretimi që ai realizoi në rreth njëmijë role në skeçe të ndryshme. Në vitin 2004 puna e tij, përpjekjet dhe përmbushja e angazhimeve artistike u nderua me titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 vlerësohet me titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin, “Mjeshtër i Madh”.
Një ditë dhe katër muaj pas festimeve të ditëlindjes së tij të 80-të, një përvjetor që spikati nga harrimi dhe braktisja, ai “i fton” të gjithë ta përcjellim në heshtje dhe pikëllim nga shtëpitë tona. Në këtë kohë ngujimi nga përndjekja e koronavirusit, nderimi dhe përcjellja e merituar e këtij emri të rëndësishëm të humorit do të jetë e pamundur.
Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjarët, miqtë dhe kolegët, në mesin e të cilëve do të mungojë energjia pozitive e një njeriu të hareshëm dhe dhe një aktori të palodhur, një kolegu të veçantë dhe një bashkëpunëtori korrekt, që dhuroi kaq shumë role, duke skalitur një emër nderi në panteonin e vlerave, prejnga do ta kujtojmë përgjithnjë. / KultPlus.com
Një media italiane i ka kushtuar artikull një shqiptari të quajtur Edmond Prenga. Ai është pronari i një furre në Romë dhe në për shkak të papunësisë dhe varfërisë që mund të përballen italianët, ka vendosur të dhurojë bukë, transmeton KultPlus.
39-vjeçari shqiptar ka vendosur të prodhojë bukë në furrën e tij të quajtur “Bon Pan”, për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë, duke i varur qeset para furrës dhe një tabelë ku lexon: Nëse ju nevojitet, kjo është për ju!,
Ai shprehet se kjo është zgjidhja më e mirë që ata të mos ndihen në siklet dhe të kenë turp të kërkojnë bukë.
“E kam provuar urinë. Kur mbërrita në Itali në vitin 1998 nuk kisha asnjë qindarkë. I di mirë këto probleme. Italia më ushqeu mua. Kështu që vendosa t’u lija bukë atyre në nevojë se mendova se mund të kenë turp për të kërkuar.
Ne u rritëm me mitin e Italisë kur ishim fëmijë. Në ëndërronim të vinim një ditë këtu. Marrëdhënia e ne shqiptarëve me ju italianët është e fortë. Sot Shqipëria po rimëkëmbet, por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Mendoj se Edi Rama bëri një gjest që tregoi zemrën e madhe të shqiptarëve për italianët”. / KultPlus.com
Melodi ish, por nuk kapej lehtë. Vinte nga veriu, që mund të ishte larg sa të hidhje një gur me gjithë forcën e të rriturit trupfortë. Por edhe kjo ishte vetëm hamendje. Në atë karrige ku po qëndroja për të humbur kohën kot, një të diele prilli, ende mirë pa marrë frymë gjallësia e bimëve, dëgjoja dhe vëzhgoja hutuar se nga po vinte ai zë.
Nuk kishte shtëpi tjetër më afër se dykatëshja, muret ngjyrë e kaltër dhe tjegullat e gjelbër. Aq më keq, më bëhej se ishte një fije e hollë audio, që herë ngjante në vaj e herë në këngë. Kisha hamendje në ish zë që vinte nga radioja “Melodia” se të tilla ishin aparatet në gjithë qytetin tonë, apo vinte nga gramafoni, nga pllakat e zeza që silleshin duke prekur gjilpërën e hollë të ndonjë aparati të vjetër. Binda veten ishte zë gramafoni se këputja e melodisë, që vinte në trajtën e zhurmës së shkëputshme, ndodhte për shkak të pluhurit që kish mbushur vijat e hollë, ku fshihej rikrijimi i këngës.
Cila melodi a këngë mund të ishte kjo? Mbasi, zhurma që kapej pjesërisht, dukej melodi, mendja lehtë të thoshe, ajo shtëpi e vetmuar sërish kishte aktivizuar gramafonin, dhe ndonjë melodi të traditës folklorike mbushte hapësirën e ftohët në dhoma e korridore. Dilte pwrtej, nw hapwsirw.
Ti nuk njeh askend kwtu, pse nisesh, mendova.
E ndoqa me hapa të vegjël zërin, por nuk arrija të dalloj tekstin e këngës, po melodia më bëhej gjithnjë e më e pashkëputshme, kështu pak nga pak edhe e njohur. Kur iu afrova shtëpisë, që ishte e mbështetur për dy kurora të mëdha frashri, më frikësoi dera që ishte krejt e hapur. Mas zamani ra lezeti, për herë të parë kuptova fjalët e këngës, e cila vazhdonte me tregimin për sëmundjen dhe humbjen e shpresës për jetë. Si s’u gjet derman për mu, qëndroja te dera dhe isha i trishtuar, mbasi kënga nuk përcillej me instrumente, po këndohej vetëm me zë të thatë. Zëri më bëhej aq i thatë sa më ngjante në erën e shkretëtirës që lëshon ndonjë fishkëllimë sa për të tundur bjeshkët e rërës. Rri këtu deri sa të përfundoj kënga, urdhërova veten, për të hequr edhe hamendjen që po më përcillte që nga dëgjimi i timbrit të parë. Trëndafilin e shtrëngova, prapë në shtëpi nënës me i shku’, thoshe fjalët këngëtari. Nga zgjatja e afshët e zërit, më bëhej se djali që këndonte fshihej mbrapa ndonjë dritareje, prej nga shpërndante copëzat e fjalëve të dhimbshme. Tash, e kuptova se nuk ishte gramafon as radio, po një burrë i vetëm këndonte brenda shtëpisë, e cila për një kilometër së paku, nuk kishte shoqe tjetër përreth. Mos ma thuaj nanës atë fjalë, se nuk ka nana tjetër djalë, vazhdoi djali
këngën e tij, që hapej nga dritaret e shtëpisë dykatëshe. Jehona e zërit më jepte kurajo të mendoj se ai ishte në katin e dytë. Hypi hoxha në minare, dilni shokë se unë kam vdekë.
Oh, thashë, oh çfarë hidhërimi i plotw, i papërmbajtur.
Pushoi pastaj zëri, dhe nuk kisha tjetër alternativë, pos të prisja. Prita, mund të ishin bërë tre minuta, por mbasi thirra disa herë: këngëtar, o këngëtar, dhe nuk mora përgjigje, vendosa të hyj në shtëpi. Gjithnjë pa u ndalur duke thirrur: këngëtar, o këngëtar. Askush nuk ishte në katin e parë, kërkova dhe shikova i befasuar, po nuk dukej se aty të kishte qenë njeri ka kohë. Pluhur, gjëra të vjetra, shpërndarë parregullt, erë e rëndë, kjo ishte e tëra në atë brendësi pushtuese. Nëpër rraqe, e mbeturina hipa shkallët, kërkova nëpër tre dhomat, pastaj edhe në banjo, e cila binte ndërmjet shkallëve dhe dhomës pa derë.
O këngëtar, këngëtar, nuk praja së thirruri.
Këngëtar, o këngëtar, dëgjova për herë të parë zërin që vinte nga jashtë dera. Ishte njw zw i panjohur.
Pse thërret me kaq frikë, pyeta pa mundur të përcaktoja në ishte i ri apo plak ai që po thwrriste. Kur ke frikë mos lësho zë, mos bëzaj, rri strukur në trishtimin e vetvetes, mendova.
Këngëtar, u qas përsëri zëri nga jashtë. U arsyetua: Nuk të shoh, por më solli zëri këtu dhe fjalët e dhimbshme që dalin nga këto dritare, e mbushin hapësirën me melodi pikëlluese.
Ishte nga gramafoni apo radioja, po nuk shoh këtu të ketë pasur ndonjëherë rrymë elektrike.
A je ti këngëtari, pyeti ai që po ngjite shkallët.
Asnjë përgjigje nuk dhashë. Unë nuk isha këngëtari, nuk më përkiste mua të flisja në emër të tjetërkujt.
Pse pret kot përgjigje, qortova heshtur. Në fund të fundit kush je t’i për të tw dhënë përgjigjen.
Kisha mbështetë fytyrën në dërrasën e majtë vertikale të dritares, po shihja figurën e njeriut që thërriste pak më parë: Këngëtar, o këngëtar!
Nuk paska pasur njeri, por unë paskam kënduar, thashë pasi hapa sytw.
Kalimtari iku i frikwsuar, tha: Çudi, nuk paska njeri!
Ndërsa shikoja hapësirën e gjerë përpara ia kisha lakminë vendosmërisë së tij për të ikur nga këtu sa më shpejt.
Gjynah kaq i ri, thosh ai duke u larguar. Vetëm pak çaste më parë, këndonte. Mbështetur duart në dërrasën e thatë të dritares, nuk shqitja shikimin nga figura që ndërsa ikte bëhej më e largët dhe më e vogël.
Nga libri në dorëshkrim me tregime “Aroma e pluhërit” / KultPlus.com
Nuk mund ta besoja, nese do të me thonin dikur, se do të binte një epidemi, që gjithë njerrëzimin do ta mbyllte në shtëpi. Se do te ish aq e frikshme, sa dhe emrin do e ndërronte rrugës; nga Epidemi, në Pandemi……. Pallate të heshtura….. Rrugë të braktisura, si mbas kortezheve….. Cicërima zogjsh të harruar….. Guguftu që qajnë heshtjen….. Ndonjë çjerrje makine hallemadhe….. Dikush që lëviz cepave, kuturu…… Në ballkon, trishtim dhe tym dyhani gjithashtu. Qentë e rrugëve lodhen se nuk kanë ç’të hanë. Duket sikur edhe njerrëzit po krijojnë Mutacione…. Një jetĕ e këputur me gërshërë, fare pa pritur. Vakum… Vakum ne ëndrra. Vakum mes njerëzish. Vakum te e nesërmja. Globi rrotullohet pa zhurmë. Një heshtje e kobshme, paralajmëruese.
Njeriu i fortë, çudibërës, i plotfuqishĕm, i vetkënaqur, i mundur nga një Virus. Nuk e dija,… nuk e shoh,… se po ta dija, dija unë ç’ti bëja. … Bëja pra ! … Sillu tani në kafaz, siç i ke bërë kafshëve dje ! Kafsho hekurat ! Bëj sherr, e lëpiu me të tutë! Analizo ç’ke bĕrë mirë a keq, deri tani. E kupton që nuk do të jetosh aq gjatë sa mendoje ? ….. Të vjen keq tani, që je lodhur dhe je bërë pis për vogëlima ? Që nuk ke thënë sa herë e ke ndjerë; “Të dua. Me pëlqen” ? Që fjalën e fundit e thoje të parën, se të pëlqente vetja ? Që nuk e ke parë edhe tjetrin siç shihje veten ? Doje veten më shumë se çdo gjë ?…. Rri vetëm atëherë ! Shijoi virtualisht të gjitha bëmat e tua ! Sa je lodhur, i ziu ti ! Shikon tjetrin që ikën fare lehtë, e trembesh për veten. Sepse nuk besoje që mund të ndodhte edhe kështu! … Dhe ndjehesh komplet i pafuqishëm, për të djeshmen dhe të nesërmen ! Ah ta kisha ditur….thua …. Çfarë do të bëje ? / KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare, “Mjeshtri i Madh” Gëzim Kruja, raporton TCH.
Kohët e fundit ai vuante nga një sëmundje e rëndë teksa kishte humbur edhe zërin.
Ai ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit.
Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”. / KultPlus.com
Një studente amerikane nga shteti Kentucky, mendoi të modifikojë maskat klasike, duke i bërë ato të vlefshme që të shërbejnë edhe për personat shurdhë-memec, për të lexuar buzët, transmeton KultPlus.
Ajo ka vendosur nje material trasparent tek pjesa e buzëve për të bërë të mundur leximin e buzëve. Edhe pse këto persona kane alfabetin e tyre të shenjave, kjo ndihmon prinderit e tyre të komunikojnë më lehtësisht me fëmijët e tyre, që kanë këto probleme.
Ashley Lawrence ka hapur një llogari fondesh në platformën GoFoundMe dhe të ardhurat do shkojnë në një shoqatë që ndihmon prindërit e fëmijëve shurdhë-memec. / KultPlus.com
Dy anëtarë të një prej familjeve më të famshme amerikan, Kennedy u konfirmuan të humbur pas një kanoe u përmbys në gjirin e Chesapeake, në bregdetin lindor të SHBA, konfirmoi guvernatori i Maryland, Larry Hogan në një konferencë për shtyp, transmeton KultPlus.
”Maeve Kennedy McKean – mbesa e senatorit amerikan Robert F. Kennedy dhe mbesa e presidentit John F. Kennedy – dhe djali i saj 8-vjeçar Gideon nuk janë parë e dëgjuar që nga e enjtja”, deklaroi ai.
Gjiri Chesapeake është një grykëderdhje në shtetet e Maryland dhe Virginias.
Zyrtarët e Rojes Bregdetare të SHBA morën një raport që “dy persona u panë duke u përpjekur të ktheheshin në breg me një kanoe, afër gjirit Hering, 16 kilometra në jug të Annapolis, Maryland dhe nuk u panë më”, sipas një deklarate.
Hogan tha se një kërkim intensiv ishte duke u zhvilluar.
Gjatë dekadave, familja Kennedy ka parë një numër tragjedish të profilit të lartë.
Gjyshi i McKean dhe xhaxhai i tij i madh u vranë (John F. Kennedy dhe Robert Kennedy), ndërsa John F. Kennedy Jr dhe bashkëshortja Carolyn u vranë në një aksident me avion. / KultPlus.com
Sot bëhen 21 vjet nga masakra e Rezallës, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur.
Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj.
Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë konfliktit në Kosovë.
Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. / KultPlus.com
Muzeu “Getty” në Los Anxhelos sfidon publikun nga shtëpia të imitojë me mjete rrethanore veprat e artit.
Ndërsa institucionet e kulturës në vendet e prekura me virusin korona kanë kyçur dyert, drejtuesit e tyre po mendojnë për metoda alternative për të afruar publikun me artin në këto të vështira. Ka marrë vëmendje nga mediet ndërkombëtare iniciativa më e fundit e museut “Getty” në Los Anxheles, ku stafi ka sfiduar publikun nga shtëpia të imitojë me mjete rrethanore veprat e artit. ” Ju sfidojmë të rikrijoni veprat e artit me ndihmën e njerëzve dhe objektet që keni në shtëpi. Zgjidheni ju vetë veprën tuaj të preferuar.
Zgjidhni tre sende që mund të keni në shtëpi, dhe rikrijojeni veprën”. Thirrja e Muzeut “Getty”,në mediet sociale duket se ka nxitur shpirtin kreativ të shumë njerëzve të cilët kanë përshtatur vepra madhore, duke marrë mjaft pëlqime nën logon #GettyMuseumChallenge.
Disa prej imitimeve më simpatike të njerëzve në kushtet e izolimit, muzeu i ka ripublikuar në rrjetet sociale përbri veprave origjinale. Iniciativa këto, që shpresohet të nxisin të tjera, pse jo edhe në vendin tonë.
Pasi në raste të tilla as kostoja nuk mund të jetë justifikim. Me vullnet të mirë, institucionet e artit mund të japin pse jo, një frymë shprese dhe optimizmi duke bashkëvepruar me publikun nga shtëpia. /shqiptarja/ KultPlus.com