Mendimi për pushtetin dhe demokracinë, nga Sokrati e Konfuci te Gëte, nga Niçe tek Tolstoy

Niçe: Unë e quaj shtet ku të gjithë dehen me helmin, e të mirave dhe të këqijave: shtet, ku askush nuk di për veten e vet, as të mirët e as të këqijtë: shtet, ku vetëvrasja e ngadalshme e të gjithëve quhet –“jetë”.

Zarathrusta: Akoma ka popull…por tek ne ekzistojnë shtetet… shtetin e quajnë përbindëshin më të ftohët nga të gjithë përbindëshit. Dhe ai ftohët gënjen, e kjo gënjeshtër ëmbëlsisht del nga goja e tij: “Si shtet, unë e përfaqësoj popullin!” Kjo është gënjeshtër! Krijues janë ata të cilët popujt i kanë krijuar, populli i ka besuar dhe i ka dashtë; ata i kanë shërbyer atyre me jetë. Shkatërrimtar janë ata të cilët vejnë kurthe për aq shumë njerëz, dhe kështu i quajnë shtet…E shtet është gënjeshtar, pavarësisht se me cilën gjuhë të mirës apo të keqes flet. Posa ta hapë gojën, ai rren. I ka vjedhë krejt çka ka… Ku përfundon shteti, aty ngritet njeriu, që nuk është i tepërt…E atje, ku përfundon shteti, ju lutem vëllëzër, shikoni, a nuk po e shihni ylberin dhe urën e mbinjeriut.

Tolstoj: “Shteti është shoqatë individësh për ruajtjen e pasurisë së tyre nga ata të cilëve më së shumti iu duhet”.

Santajana: Gjithçka artificiale e ka rrënjët e veta natyrale dhe krejt çka është natyrale zhvillohet artificialisht. Shprehja është natyrale, gjuha është artificiale; feja është natyrale, kisha është artificiale; shoqëria është natyrale, shteti është artificial. Deri tek nënshtrimi ndaj ligjit, sikur edhe ndaj gjuhës dhe teologjisë, kanë çuar, para se gjithash, trashëgimia shoqërore dhe mësimet individuale, se sa ndonjë shtytje e lindur. Për këtë arsye në njeriu është prezent konflikti i përhershëm në mes policit dhe asaj që zemra ia donë.

Gete: Shteti është i krijuar për njeriun, e jo njeriu për shtetin.

Xheferson: “Qeveria më e mirë është ajo qeveri e cila më së paku qeverisë”

Sokrati i flet Aristotelit: “Nëse do ta konsideroni, deri sa të jetoni me njerëz, se ma mirë është të mos qeverisni, e as të jeni nën qeverisjen e dikujt, mendoj se së shpejti do ta shihni se i forti di sesi të dobëtit t’i shndërrojë në robër.”

Aristokseni: “S’ka asgjë më të keqe se sa anarkia; sepse njeriu sipas natyrës nuk është i atillë që të mbahet vetë e që dikush me të mos të udhëheqë. Për ata që udhëheqin dhe për ata me të cilët udhëheqjet, Aristokseini kështu mendon” ata që udhëheqin duhet të jenë jo vetëm profesionalisht të arsimuar por edhe me njeriun duhet të jem mik, e ata me të cilët udhëheqet duhet të jenë jo vetëm të dëgjueshëm por edhe besnik ndaj udhëheqësve”.

Konfucie: Ata që janë pushtet kurrë nuk guxojnë të jenë të pabrengosur; njëherë kur gabojnë, e gjithë bota i mohon. Për këtë arsye (sundimtari apo pushtetari) së pari duhet ta mbikëqyrë karakterin e vet. Nëse ka karakter, do ta ketë popullin pas vetes; nëse e ka popullin pas, do ta ketë pushtetin mbi vendin; nëse e ka pushtetin mbi vendin, atëherë do të ketë pasuri; nëse ka pasuri, mund të bëj që shumë gjëra të mira të bëhen. Në këtë mënyrë karakteri është themel, derisa pasuri është pasojë. Nëse pushtetari i anashkalon themelet dhe vetëm synon kah suksesest e jashtme, do ta çojë popullin në plaçkitje të ndërsjellë. Për këtë arsye, kur pushtetari grumbullon pasuri personale, e humbë popullin e vet, e kur e humbë pasurinë personale, atëherë e ka popullin pas. Për këtë arsye, nëse njeriu në fjalimin e tij është dinak dhe gënjeshtar, do të fitojë përgjigje dinake dhe të rreme, nëse deri tek pasuria ka ardhur rrugëve të këqija, rrugëve të këqija edhe do të tretet.

Konfucie: A mund ta paramendosh mediokrin si ministër? Para se të vijë në atë pozitë, ai është plotë me brenga për të arritur aty, e pasi e merr, është plotë me brenga për të mos e humbur, e nëse fillon të brengoset për të mos e humbur, atëherë nuk ka asgjë që ai nuk do të jetë në gjendje të bëj për ta ruajtur atë pozitë.

Mariq: “Të gjitha dashuritë, me kalimin e kohës veniten; vetëm dashuria për pushtet, me kalimin e kohës, sa vjen e shtohet.”

Sokrati: Në akuzën time Melet e ka shkruar me cinizëm se mua po më paraqitet diçka e hyjnishme dhe djallëzore. Ky është njëfarë zëri që po më përcjellë që nga rinia e hershme; dhe kur lajmërohet, gjithmonë më paralajmëron të mos bëj atë që planifikoj ta bëj, por kurrë nuk më detyron. Kjo është ajo që më ndalon të mos merrem me punët shtetërore. Dhe po më duket se ky është fat i vërtetë që po më parandalon. Kjo, më besoni, qytetar të athinës, po t’iu kisha qasur heret punëve shtetërore, unë moti do isha vrar, kështu as ju e as vetja ime nuk do të kishte pasur dobi nga unë. Dhe në mua mos u zemëroni që po ua flas të vërtetën; sepse nuk ka njeri i cili do ta kishte shpëtuar jetën e vet nëse iu kishte kundërvu haptazi dhe dinjiteteshëm juve apo kujdo qoftë nga tubimi popullor, dhe të përpiqet t’i ndalojë shumë padrejtësi dhe thyrje ligji që po ngjajnë në shtet, përkundrazi ai i cili me të vërtetë lufton për drejtësi, ai duhet, qoftë edhe nëse dëshiron shumë shkurtë të jetë i gjallë, të kufizohet vetën në punën e tij private, e pjesëmarrjes në jetën publike duhet t’i shmanget.

Zhan Zhak Ruso: “Demokracia e vërtetë kurrë nuk ka ekzistuar dhe kurrë s’do të ekzistojë”

Monteskje: Nëse e giciloni krenarinë e popullit, ju mundë të bëni me të çfarë të doni. Romakët e kanë sunduar popullin me Panem et circenses -(bukë dhe cirk) edhe sundimtarët tonë duhet vetëm të na sigurojnë cirkun katërvjeçar, e ne vetë do ta sigurojmë bukën dhe pagesën e tatimit.

Sakaq na mbetet të konsiderojmë atë që thotë Will Durant, sipas të cilit: Shkalla e fundit e demokracisë është pushteti i përfituesve. Kriminelët të lumtur zgjerohen nëpër qytetet tona më të mëdha, për shkak se na është garantuar mbrojtja dhe bashkëpunimi total i ligjit. Nëse janë anëtarë të cilësdo parti, apo kanë shok në të, ata mund të jenë plotësisht të sigurt se nuk do të jenë të arrestuar pas një krimi të bërë, dhe se, edhe po qe se arrestohen, nuk do të gjykohen, e nëse edhe gjykohen, nuk do ta vuajnë dënimin, por edhe nëse i burgosin, do t’ju falet, e po nëse edhe nuk do të kenë falje, dënimi do t’ju lejohet të ikin. Nëse dikush prej tyre vritet derisa e kryejnë zanatin e vet, do të jetë i varrosur me ceremoni siç i ka hije një pjesëtari të shtresës së lartë, dhe do t’i ngrihet edhe lapidari. Ky është përfundimi i demokracisë!

Napoleoni: Pushteti absolut nuk ka nevojë me rrjetë. Filozofia.al / KultPlus.com

Artisti Nagip Tashi nderon Leze Qenën me mozaik prej druri

Skulptori Nagip Tashi e ka nderuar në mënyrën e tij artisten e ndjerë, Leze Qena.

Ai, me copëza druri, ka bërë një mozaik të Qenës, transmeton KOHA.

“Këtë mozaik, të punuar me shumë dashuri në dru, ia dedikoj të gjithë kolegëve të saj aktor, regjisor e skenarist të teatrit dhe filmit, me të cilët ka bashkëpunuar gjithë jetën e sajë artistike”, shkruan ai në Facebook, në përshkrimin të cilin ia ka bashkëngjitur fotografisë së këtij mozaiku.

Leze Qena vdiq javën që shkoi, në moshën 85-vjeçare. Karriera e saj shtrihej në gjashtë dekada dhe përfshin role të shumta në teatër, televizion dhe film. Koha.net / KultPlus.com

Konkurs për “Librin e Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë

Duke iu referuar të shkuarës ku disa shkrimtarë si Shekspiri, Çehovi, apo Pushkini, në kohë izolimi i dhuruan lexuesit kryevepra të letërsisë botërore, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë  i fton autorët shqiptarë në një konkurs për krijimtarinë më të mirë nën titullin “Libri i Karantinës”.

Gjinia në konkurrim është në prozë dhe afati i fundit për të dorëzuar dorëshkrimin është 15 maji.

Fituesi do të jetë vetëm një. Do të gjykohet nga një juri me profesionistë të fushës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do t’i mundësojë botimin. Koha.net / KultPlus.com

15 filmat që duhet parë ndërkohë që jeni të mbyllur

Filmin “Never Rarely Sometimes Always” e ripashë disa javë më parë dhe u binda që ishte konsideruar si një nga filmat amerikanë më të  jashtëzakonshëm, më të sinqertë dhe më empatikë për të drejtat e abortit, shkruan Justin Chang për ”Los Angeles Times”.

Ai këshillon edhe 15 filma të tjerë që nuk duhen lënë pa u parë, në këtë periudhë kur njerëzit janë të mbyllur në shtëpi duke respektuar këshillën e autoriteteve për frenmin e përhapjes së koronavirusit:

1 – “A Beautiful Day in the Neighborhood”  me Tom Hanks dhe Matthew Rhys.

2 – “Clemency” me Alfre Woodard. 

3 – “Dark Waters” me Mark Ruffalo.

4 – “Emma” me Anya Taylor-Joy.

5 – “Ford v Ferrari” me Matt Damon dhe Christian Bale.

6 – “Hustlers” me Jennifer Lopez.

7 – “The Invisible Man” me Elisabeth Moss.

8 – “Invisible Life”.

9 – “Knives Out” me Daniel Craig dhe Ana de Armas.

10 – “Little Women” me Saoirse Ronan.

11 – “The Lighthouse” me Robert Pattinson dhe Willem Dafoe.

12 – “Parasite” fitues i Oscar.

13 – “Portrait of a Lady on Fire” me Noemie Merlant dhe Adele Haenel.

14 – “Uncut Gems” me Benny Safdie.

15 – “Waves” me Kelvin Harrison Jr., Taylor Russell, Sterling K. Brown dhe Renee Elise Goldsberry./ atsh / KultPlus.com

Mes burgut shtëpiak sot dhe reflektimit të vuajtjeve të martirëve dje, sipas Anton Kcirës

Nga: Leonora Laçi

Nuk mund të mos reflektoja mbi këtë mesazh kaq kuptimplotë, pasi vetë personi që e ka shkruar e meriton vëmendjen për çka ka shprehur, duke bërë një paralelizëm mes qendrimit në shtëpi sot, me vuajtjet e martirëve në burgjet komuniste dje. Apo qendrimin e izoluar të një populli në terrin komunist, nën propagandën komuniste, duke mos pasur mundësi të levizin lirshëm, të njohin botën që i rrethon. Pra e gjithë Shqipëria ishte një karantinë-bunkier që nuk hynte as dilte informacioni. Gjithçka që ndodhte mbytej nga propaganda aty në vend. Sot shoqëria njerëzore ndodhet në një burg të ngjashëm por me armikun e padukshëm, nëse dje ishte armik ideologjia, sot armiku është kudo dhe pa lokacion të saktë. Dom Anton Kçira na jep një mesazh shprese që kësaj periudhe kalimtare t’i shohim anën tjetër të medaljes, qendrimin me familjen, të jemi të bashkuar, të duam njëri- tjetrin, të vlerësojmë lirinë dhe të jemi optimist.

Dom Anton Kçira tashmë në pension, prifti që ngriti kishën katolike shqiptare të Shen Palit, më të madhe në Detroit, Michigan, shkruan: “Këto ditë jam tuj lexu librin “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” me autorë Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi.

Këto ditë siç po e shifni se tanë bota asht tuj kalu nëpër nji krizë të jashtëzakonshme, të pa përshkrueshme, vuajtje, frikë, shqetësime për jetën si edhe për familjen.

Të gjithë gjindemi në burgun shtëpijak.

Tuj meditu dhe tuj shique vuajtjet e këtij martiri me 38 shokë, që kanë ditë me iu dhanë ujë me pambuk, e në vend të ujit edhe urinën tuj u qesh me ta, e ata pas nji dite pa pi ujë kanë qënë të detyruem me e pi edhe atë. Ose të lidhun gjithë natën për nji pemë që në kohën e dimnit asht desht të i perballojnë kësaj loje të djallit komunist, qe shka s’kanë dijt me ba në trupin e tyre, tuj jua qit vezët e nxehta nën sjetulla dhe ato tuj hy mbrenda në krahnorin e tyre , tuj jua ly varrat me peshgve dhe tuj iu qit kryp në varre e tuj jau çel varret si bagtisë.

Tuj i pas para sysh ato qelija të sigurimit ku asht dasht me ndejt në të ftohtë, nën temperaturë e tuj u torturue për çdo ditë me tortura të pa spjegueshme, tuj ia thye eshnat e trupit për të nxjerrë prej tyre nji shamje Krishtit , por jo, e mandej kanë vazhdu deri në alivanosje torturat e llojllojshme.

Këto ditë po kam kohë me u marrë me vuajtjet e tyre dhe them :”more Zot sa vështirë më duket me nejt në burgun shtëpijak”, e kur mendoj dhe krahasoj jetën time, kam me hangër e me pi. Me nejt në shtëpi të nxehtë dhe të bukur, me hangër shka të duash e me pi shka të duash, edhe na duket zor!? Kthehem e them: – O ju të lum që keni ndejt në qelit tuja të ftohta tuj u torturu si s’del fjalë të përshkruhet, me tortura ju kanë mundue. Pra ju nuk ishit hajna e bandita e kriminela drogista, por njerëz të Zotit, njerëz të lutjes, njerëz bamirës të kombit dhe kulturës shqiptare, por shqiptarët ju torturuan, u knaqeshin me vuajtjet tuja si bishat që pijnë gjakun e presë!

Qe pra vëllezër këto ditë janë ditë shpëtimi për çdo nji nga ne, kemi pas harru familjen, fëmijët, të dashurit, nuk kemi dijt tjetër veç gjumë e punë, por tash bile po kënaqemi me familje dhe tuj pushue në qetësi. Na mungon edhe nji gja, të lutemi së bashku ma tepër, të lexojmë ndonji libër të mirë ku mundemi me u pasunu në jetën tonë.

Baft Zoti që këto ditë të na kalojnë pa dëme në familje, në popullin tonë shqiptar dhe krejt botën, si dhe ky virus të kalojnë mbi ne e jo ndër ne!

Zoti ju bekoft kudo që gjindeni!” /KultPlus.com


Humbja e kohës

Tregim nga Ibrahim Berisha

Në orën 15.10, më mori në celular.

Heq dorë ndryshe, sot do të vriteni si qeni, tha shkurt. E kuptoni, nuk mund të fshiheni askund.

Kisha për të shkruar për mungesën e autobusëve lokalë në Prishtinë. Redaktori priste raportin. Mendoja ta shtroja shkurt problemin për qytetarët që sjell mungesa e trafikut publik në kryeqytet.

Thirrja më tronditi. Heq dorë, heq dorë, përsërita i papërqendruar.

Dje kisha botuar edhe një analizë, ku theksoja mungesën e numrave të celularit që shiteshin e stërshiteshin kontrabandë me çmime shumë të larta.

Eja, po dalim për kafe në “Stampa”, më tha Lumja, redaktorja e showbizit.

Nuk vonohem, i thashë.

Po shkojmë të gjithë, tha Artani, menaxheri i marketingut. Ata janë jashtë. Të presim, mos u vono.

E prisja. Midis shqetësimit të trishtë, më mori përsëri, mbas pesë minutave: Heq dorë, ndryshe do të të vras brenda ditës, kërcënoi.

Ndërkohë unë po mundohesha të zgjedhja ndonjë fjali të veçantë mirëkuptimi. Nuk priti as ta pyesja: kush je? Këputi linjën.

Do të vriteni, tha më herët, tashti: do të vras.

Kisha përpara letrën e banorëve të tri fshatrave të Shalës, të cilët për mungesë mjeku në ambulanca, duhej të udhëtonin në Mitrovicë. Këtë e bëjmë edhe për sëmundjet më pak të rrezikshme, shkruanin. Gjithçka sot është e rrezikshme, mendova me buzagaz të ngrirë dhe po në atë ndërkohë, cingëroi përsëri celulari.

Heq dorë, ndryshe do të vrasë brenda ditës, tha ai me zë të shpejtë, ndërsa unë po ngrihesha nga vendi ta pyesja se nga çfarë duhej të heqja dorë. Ju lutem, më trego, nga çka të heq dorë? Ra linja.

Futa celularin në xhep, mendova ta mbyll, por prisja thirrjen e gruas, e cila tashti sigurisht qe duke përgatitur ushqimet, pasi për darkë do të vinte mysafir, familja Kera nga lagjja Çair e Shkupi, tek e cila qëndruam tre muaj gjatë luftës. Njoftimi për mysafirët më detyronte të mos fikja celularin.

Ishte ora 15.32 minuta, kur zëri i njohur thirri përsëri: Heq dorë o i shkretë, ke vetëm pak çaste për të vendosur. Tha vetëm kaq.

Unë provova në një mënyrë të paprovuar deri atë kohë frikën që më humbi drejtpeshimin jo vetëm të të ecurit, por edhe të të menduarit.

Një herë sot, pastaj pak nga pak, vetëm një orë, pastaj vetëm pak çaste, kaq e tmerrshme, fola dhe godita tavolinën me grusht.

E braktisa karrigen time, duke u tundur dhe në majë të gishtërinjve bëra nga dritarja të shoh mos dukej njeri i dyshimtë përpara ndërtesës së redaksisë. Nuk kishte të dyshuar afër mureve të mbretëruara nga sipërfaqja e çimentosur. Nuk kishte njeri që ndalej përballë dhe priste për të kryer aktin. Anash sallonit të odulimit,”Bukuria”, qëndronte e vetme një grua, ndërsa afër saj, të shtrirë pushonin tre qenë endacakë.

Mund të jetë edhe grua, mendova. Kjo mund të jetë, kur po i thosha pa dilemë vetes: Kjo duhet të jetë, ajo iku, sa i erdhi tax-i. Shikon kot, mendova. Ai mund të jetë fshehur aty ku nuk e sheh njeri.

Celulari cingëroi dhe në mëdyshje e hapa.

Unë heq dorë, i thashë, sa linja u hap. Nga të gjitha heq dorë, më kupton.

Jo, tha ai, tashti është shumë vonë. Vendimi i vonuar nuk ka vlerë.

Dera u hap dhe dy plumba më goditën njëri në dorën e majtë dhe tjetri në këmbën e djathtë. Në ulësen e tundur nga dridhja, ranë pluskat e ngrohta dhe të holla të gjakut.

Ai vuri gishtin vertikalisht përpara gojës, nënkuptohej se nuk guxoja të thosha asgjë. Të rrija i qetë.

Nuk nxora as klithmë, as ofshamë.

Pendim i vonuar, por të shpëtoi, tha një burrë trupgjatë, me revolen në dorë. Do ta dish kush jam, pyeti.

Jo, i thashë. Faleminderit shumë. Humba kohë. Nuk përfilla paralajmërimin.

Ditën e mirë, tha.

Faleminderit, i thashë. Por ai nuk e ktheu kokën mbas. / KultPlus.com

Kujtesa, nostalgjia dhe harresa në “Mosdijen” brilante të Milan Kunderës

Pas vitesh në emigrim, Irena dhe Jozefi kthehen në Pragë ku tashmë komunizmi ka rënë. Ajo vjen nga Franca së bashku me të dashurin suedez Gustavin, pas vdekjes së bashkëshortit Martin. Ai nga Danimarka, ku do të kthehet sërish e ku prehet gruaja e tij e ndjerë.

Ata rikthehen, por ora nuk ka ndalur aspak për miqtë e për të afërmit. Vazhdojnë rutinën, ndërsa “të mërguarit” e rikthyer ndihen shumë më bosh se më parë. Askush nuk i kupton, askush nuk provon të mësojë për jetën e tyre në ekzil, askush nuk i pyet për të shkuarën e tyre. Të dy, veçmas, presin të jenë qendra e vëmendjes për të tjerët, por më kot. E madje kur Irena sjell verë franceze Bordo në darkën e shtruar me mikeshat e saj, ato e injorojnë dhe vazhdojnë të pinë “pijen e çekëve”, birrën.

Kjo është historia e Irenës dhe Jozefit, personazheve kryesorë të romanit “Mosdija” të Milan Kunderës. Historia e dy të rinjve që lanë në mes një dashuri e që takohen pas dekadash në qytetin ku nisi gjithçka. Irena vuan nga nostalgjia, sepse ajo është ndjenja që shkaktohet nga dëshira e paplotësuar për t’u rikthyer. Jozefi shijon Pragën dhe takimet me Irenën, por e ka harruar krejtësisht se cila është ajo. Për të, Irena përfaqëson vetëm disa momente kënaqësie pa të shkuar e pa të ardhme, ndërsa për Irenën ato takime janë mundësia për diçka më shumë, për të arritur dashurinë në jetën e saj.

Ishte mirënjohëse ndaj dy burrave të mëparshëm të jetës së saj, Martinit të vdekur e Gustavit që e priste në shtëpi. Ia njihte vetes këtë virtyt, por nuk e pëlqente. Sepse në një lidhje dashurie, mirënjohja nuk është asgjë veçse një mënyrë tjetër për të emërtuar dobësinë apo varësinë. Irena nuk donte mirënjohje, donte dashuri. Ama Kundera nuk e lejon këtë dashuri të ndodhë, “sepse shkuara që na kujtohet nuk ka kohë. E pamundur të jetohet sërish një dashuri siç rilexohet një libër ose siç shikohet një film”, shkruan ai.

Nëse në reportazhet e Gabriel Markezit Praga paraqitet si ishulli i vetëm kapitalist i Europës Lindore, personazheve të Kunderës u dukej si një shall i gjerë e i gjelbër lagjesh të qeta dhe rrugësh të pikëzuara me pemë. Ishte ajo Praga e kartolinave, Praga e turistëve dhe e kurvave, Praga e restoranteve të shtrenjtë, Praga vallëzuese, Praga e Kafkës.

Jozefi e ka të vështirë të kujtojë të shkuarën e tij në vendlindje. Lexon ditarin e fëmijërisë që ia dha i vëllai, por historitë nuk i duken të tijat. Me shumë sforcim arrin të sjellë në kujtesë hijet e atyre veprimeve që shkronjat përshkruanin. “Ky është ligji i kujtesës mazokiste: sa më shumë mure të jetës shemben brenda harresës, aq më shumë njeriu heq qafe gjëra që s’i pëlqejnë duke u ndjerë më i lehtë, më i lirë… Jeta që kemi lënë pas ka zakonin e keq që del nga hija, qahet për ne, na bën gjyqe. Larg Bohemisë, Jozefi ishte çmësuar të jetonte me të kaluarën”.

Ndërsa Irena jeton në çdo moment me dëshirën për të qenë edhe një herë me Jozefin. Nuk ndjen nostalgji për martesën e parë, për të dashurin suedez, për shoqet që ritakon. Por vetëm për Jozefin. Sepse nostalgjia ka një paradoks matematik: është më e fuqishme në rininë e parë, kur vëllimi i jetës që ka shkuar është i papërfillshëm.

“Mosdija” është një roman për kujtesën dhe harresën, për rikthimin dhe zbrazëtinë në shpirt në një sfond real historik dhe politik të Europës Lindore. Ndoshta është historia e vetë Kunderës, i detyruar të emigrojë në Paris në vitin 1975 nga Praga, ku rikthehet rrallë herë dhe në fshehtësi të plotë. /Tiranapost.al /KultPlus.com

Profesor Gjota thoshte: Asnjëherë mos i vërë pikë gjërave shkencore, parimore dhe politike



Se gjithmonë do të del dikush që do të fshinë pikën, dhe do të verë presjen.
Marrke si shembull shpikësin Tomas Edisonin, kur përmendej emri i tij vihej pikë.
Pas tij erdhi inxhinieri Nikolla Teslla, u hoq pika pas Edisonit, u vë presje, Tesla (pikë)
Më pas erdhi zbuluesi shqiptar Rifat Gjota, u hoq pika pas Teslës dhe u vë presja.

Tomas Edison, Nikola Tesla, Rifat Gjota. (pikë)

Ky parim do të vazhdon, askush nuk do të mund ti vë pikë gjërave.
Pikë nuk i është verë as jetës, ka mbetur diçka të imagjinohej edhe përtej saj.

….vazhdon, presje! / Nga Emrush Shkodra / KultPlus.com

Pse koronavirusi u përhap me shpejtësi në gjithë botën?

Një hulumtim i ri ka hedhur dritë mbi mekanizmin thelbësor i cili ka ndikuar te përhapja e koronavirusit në të gjithë botën, shkruan The Guardian.

Një analizë e hollësishme e strukturës së virusit tregon se mekanizmi që ai përdor për të infektuar qelizat njerëzore është katër herë më i fortë se mekanizmi i koronavirusit që shkaktoi Sars, sëmundje që vrau qindra njerëz në vitin 2002.

Studimi tregon që grimcat e koronavirusit që thithen përmes hundës dhe gojës kanë një shans më të lartë për t’u bashkuar me qelizat e traktit të sipërm respirator.

Shkencëtarët e Universitetit të Minnessota-s përdorën kristografografinë me rreze X për të krijuar një pamje 3D të anatomisë së virusit.

“Struktura 3D tregon se në krahasim me virusin që shkaktoi shpërthimin e Sars në vitit 2002-2003, koronavirusi i ri ka evoluar në strategji të reja për t’u lidhur me receptorët njerëzorë,” u shpreh Dr. Fang Li, i cili drejtoi ekipin e mjekëve amerikanë.

Ky studim po përdoret nga shkencëtarët për të krijuar medikamente të ndryshme, të cilat mund të neutralizojnë virusin para se të infektojë.

Ne e dimë se koronavirusi që shkakton Covid-19, Sars-CoV-2, vepron shumë ndryshe krahasuar me Sars,” tha Jonathan Ball, një profesor i virologjisë në Universitetin e Nottingham, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Në veçanti, Sars-Cov-2 infekton fytin dhe hundën, duke shkaktuar simptoma të buta të ngjashme me të ftohtin, ndërsa simptomat e Sars janë përsëritur gjithmonë  në mushkëri.

“Studimi përdori vetëm sekuenca të virusit dhe proteinave ACE-2, dhe kjo është akoma vetëm një teori,” shtoi ai. ” Kjo do të ketë nevojë për vërtetim përmes eksperimentimit të mëtejshëm.” /KultPlus.com

21 vjetori i masakrës në Gjakovë, historia e 10 vjeçarit, i mbijetuari i vetëm që pa vdekjen e 21 familjarëve

twitter sharing button
pinterest sharing button
email sharing button
sharethis sharing button

Sot janë bërë 21 vjet nga masakra në lagjen Qerim në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara.

Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.

Ata besonin se serbët, të cilët kishin nisur në një pjesë të Gjakovës, “po kërkonin vetëm burra dhe nuk do të sulmonin gratë dhe fëmijët”.

Rreth orës 2 të mëngjesit, nëna e Drenit kishte dëgjuar se disa policë ishin duke ardhur në shtëpinë e tyre ku dhe kishin thyer derën e bodrumit dhe kishin kërkuar gra dhe fëmijë në gjuhën serbe dhe shqiptare. Ata kishin nxjerrë nga bodrumi gratë dhe fëmijët që kishin qenë aty, disa kishin arritur të shpëtonin mirëpo Dreni me motrat dhe nënë e tij nuk kishin arritur të iknin nga bodrumi dhe kishin mbetur nën ruajtjen e tre policëve serbë.

Pesëmbëdhjetë vjeçarja, Flaka ishte viktima e parë e kësaj masakre, ajo ishte vrarë nga agresori serb me një plumb të një pushke automatike. Ajo ishte vajza e Hani Hoxhës. Babai i saj kishte dëshmuar lidhur me këtë masakër.

Flaka ishte vrarë derisa ishte duke përgatitur çaj. Pas saj ishte ekzekutuar edhe nëna e saj dhe të gjithë njerëzit që kishin qenë në dhomë me Flakën dhe nënën e saj.

Ndërkohë, policët kishin djegur shtëpinë ku kishin qenë gratë dhe fëmijët. Shtëpia filloi të mbushej me tym. Dren Caka kishte dëgjuar britmën e motrës së tij dyvjeçare, të bllokuar nën trupin e nënës së saj të vdekur, por nuk kishte mundur ta ndihmonte. Po ashtu edhe Dreni ishte qëlluar, ai kishte krahun e thyer. Dreni kishte lëvizur nga dhoma në dhomë, duke pretenduar se ai ishte i vdekur në çdo hapë që e bënte. Në fund ai ishte hedhur nga dritarja e shtëpisë së fqinjit ku kishin qenë duke qëndruar dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij. Derisa po ikte nga shtëpia në zjarr, Dren Cakën e kishin parë tre policë. Ata ishin duke qëndruar para shtëpisë, duke pirë duhan me një shprehje të ftohtë në fytyrë.

Kur arriti në shtëpinë e tij, Dren Caka kishte parë tezen e tij dhe i kishte kërkuar ndihmë, duke bërtitur se “të gjithë ishin të vdekur”. Ai i kishte thënë se e ka parë një ëndërr të keqe, mirëpo tezja i kishte besuar Drenit vetëm kur e kishte pa të plagosur.

Pas kësaj masakre, Dreni kishte shkuar në Shqipëri si refugjat së bashku me të afërmit tjerë të cilët i kishin mbijetuar masakrës së 1 dhe 2 prillit. Mirëpo babai i Drenit nuk kishte shkuar së bashku me të, ai kishte mbetur në Gjakovë, ndërsa ai kishte qëndruar për pesë muaj në Shqipëri.

Meqenëse dëshmitari kishte dëshmuar në një anglishte të rrjedhshme, ndonëse u rrit shumë larg nga Kosova, Dreni kishte dëshmuar dy herë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, Dreni kishte dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur.

Dreni tash është duke jetuar në Vankuver të Kanadasë së bashku me babain e tij Ali Cakën, ku dhe është i punësuar. Babai i tij është martuar sërish dhe ka një djalë, të quajtur Dennis, dhe Dreni ka bërë tatuazh në krahun e tij emrin e Denisit. / KultPlus.com

Bismarck: Politika shkatërron karakterin

Otto von Bismarck ishte burrështetas prusian dhe kryeministri i parë i Perandorisë Gjermane. Është një nga më meritorët e bashkimit të shteteve gjermane, zhvillimit të hovshëm ekonomik të Gjermanisë një nga mjeshtrit më të mëdhenj të diplomacisë. Nga disa cilësohet si gjeni i politikës e nga të tjerët si demon i pushtetit. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet e tij.

• Kurrë mos beso gjë në politikë derisa nuk mohohet zyrtarisht!

• Bëhu i sjellshëm; shkruaj në mënyrë diplomatike; edhe në shpalljen e luftës dikush analizon rregullat e mirësjelljes!

• Me xhentëlmenin jam përherë xhentëlmen e gjysmë, e me një mashtrues tentoj të jem mashtrues e gjysmë!

• Kur dëshiron ta mashtrosh botën, thuaje të vërtetën!

• Të gjitha marrëveshjet me shtetet e mëdha pushojnë të jenë të detyrueshme kur vinë në konflikt me luftën për ekzistencë!

• Kur një burrë thotë se pranon diçka në parim, kjo do të thotë se nuk e ka as më të paktin synim për ta zbatuar atë në praktikë!

• Një ditë një luftë e madhe evropiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!

• Gazetari është personi që ka gabuar profesionin!

• Dashuria është e verbër, miqësia mundohet të mos shohë asgjë!

• Kushdo që flet për Evropën e ka gabim: është shprehje gjeografike!

• Oportunist është një njeri që kap rastin më të favorshëm për të arritur gjënë e nevojshme e të leverdishme. Kjo është edhe detyra e diplomacisë! /KultPlus.com

“Nëse ju duket vështirë të qëndroni në karantinë, paramendojeni miqtë e mi me nevoja të veçanta që jetojnë kështu tërë jetën”

Një moment reflektimi në një krizë që na bashkon të gjithëve, pa dallime.

Nga: Rijad Mehmeti

Ditët po ecin ngadalë, nuk ju gënjejë. Afër vetës kam gjithë familjen dhe gjithçka që më duhet të mbijetojë, madje edhe një kompjuter prej të cilit po marrë informacionet e nevojshme sa për të mos thënë që nuk e di se çka po ndodh jashtë pragut të derës.

Por asnjëra nga këto nuk janë të krahasueshme me ditët jashtë shtëpisë, pranë shokëve të klasës, mikut tim më të ngushtë Adrijanit dhe orëve mësimore. Si për çudi edhe orët e gjata mësimore po më mungojnë sot.

Sikur edhe ato gjitheherë paskan qenë pjesë të asaj që e quajë “liria ime”. Por ja që tek sot e kuptova këtë më mirë.

Ndoshta kjo që po ndodh nëpër gjithë botën do të na shërbejë më shumë për një reflektim të tillë, por jo vetëm.  Jo shumë fëmijë si unë, që lëvizin me karrocën e tyre ndihmëse, e shijojnë mësimin si unë çdo ditë, apo kanë miq si unë që kam Adrijanin. Dhe nëse sot ju duket vështirë juve të qëndroni në karantinë, paramendojeni si ndihen gjithë miqtë e mi që jetojnë me aftësi të kufizuar dhe detyrohen të jetojnë kështu për tërë jetën e tyre, të mbyllur e të distancuar socialisht.

Ma thoni, si ju duket?

Ndoshta këto ditë do të ju ndihmojnë të gjithëve, politikanë e shoqëri, që të reflektojnë mbi këtë, sidomos mbi këtë, dhe të bëjnë më shumë për përfshirje të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara në arsim dhe jetë shoqërore, të ua mundësojnë këtë si çdokujt tjetër.

Dhe po, mezi po pres të pres atë, të dalë nga karantina ime e të bashkohem me miqtë e mi në shkollë dhe mezi pres të shoh ditën kur përnjëmend të gjithë do të dalin, pa dallim, nga karantina sociale që kemi krijuar jo sot por me dekada për fëmijët që jetojnë me aftës të kufizuar. Deri atëherë, rrini në shtëpi, duajeni njëri-tjetrin, lajini duart dhe saherë që mërziteni për të dalë jashtë shtëpisë ndaluni, dhe bëni atë që do të duhej të bënim çdo ditë – mendoni edhe për të tjerët.

I juaji, Rijadi.

Rreth Rijad Mehmetit:

Rijad Mehmeti është 14 vjeçar nga fshati Bardhosh i Prishtinës dhe jeton me paralizë cerebrale. Rijadi është avokues i fëmijëve sidomos atyre që jetojnë me aftësi të kufizuara. Ai është pjesë e grupit referues të të rinjvë që ndihmojnë UNICEF-in për implementimin e pesë prioriteteve të zyrës bazuar në nevojat e fëmijëve në Kosovë. Para dy viteve Rijadi ka mbajtur një fjalim në parlamentin Evropian ku pati ngritur shqetësimet e tij para deputetëve evropian në lidhje me gjendjen dhe nevojat e fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara. / KultPlus.com

Fragment nga romani “Shakaja” i Milan Kunderës

Atë ditë kur Luçia më gjeti në vendin e caktuar, me libër në dorë, më pyeti se çfarë po lexoja. I zgjata librin e hapur. Poezi?-!tha ajo e habitur. -Të duket e çuditshme që unë lexoj poezi? Duke ngritur supet, u përgjigj: ”Pse?” Por besoj se ajo u befasua me të vërtetë, pasi, me siguri, për të poezia përzihej me leximet fëmijërore. Ne endeshim aty në atë verë të rrallë ostraviane të mbushur me blozë, një verë e zezë ku, në vend të reve të qumështa, rendnin vagonët e qymyrit radhë-radhë mbi shina. Mbaja librin në duar dhe e shihja se ai po e tërhiqte shumë. Kësisoj, kur u ulëm pranë një korijeje të brishtë, e hapa përsëri duke iu drejtuar: ”Të pëlqen pra?” Ajo bëri po me kokë. S’kisha lexuar ndonjëherë vargje për dikë tjetër. Tek unë funksionon një siguresë turpi, që nuk më lejon të zhvishem para njerëzve e t’u zbuloj ndjenjat, mirëpo, të lexoja vargje, për mua, jo vetëm do të thoshte të flisja për ndjenjat e mia, por do të më duhej të ruaja ekuilibrin duke ndenjur mbi një këmbë; do të ndihesha i ngrirë po të isha i detyruar t’i jepesha ritmit dhe rimës duke mos qenë vetëm. Por Luçia kishte fuqinë magjike (që askush tjetër pas saj s’e ka pasur) që e nxirrte jashtë loje siguresén e m’i hiqte si me dorë mëdyshjet. Para saj mund t’i lejoja çdo gjé vetes: çiltërsi, ndjenja, patetizém. E kësisoj lexova: Kalli i zbehtë trupi yt lëshon një farë që nuk mbin. Si kalli gruri është trupi yt. Shtëllungë mëndafshi trupi yt, dëshirë e shkruar deri në rrudhën e fundit. Si shtëllungë mëndafshi është trupi yt. Qiell i përvëluar trupi yt, në teshat e tua vdekja ruan e ëndërron. Si qiell I përvëluar është trupi yt. Heshtje e papërsëritshme është trupi yt, nga vajet e tij dridhen qepallat e mia, Sa I heshtur është trupi yt! I kisha hedhur një krah mbi supe (të veshur me cohën e hollë të një fustani me lule) që i ndieja nën gishtat e mi. Po më mposhte ideja se vargjet që lexoja (si një lutje e ngadaltë) flisnin për trishtimin e trupit të Luçisé, trup memec, i nënshtruar, i dënuar me vdekje. Pastaj lexova poezi të tjera, edhe një tjetër që, ende sot, ma sjell atë ndër mend e që përfundon me këtë trofë: O marri e fjalëve gënjeshtare! Unë i besoj heshtjes, më e fortë se bukuria, më e fortë se gjithçka, O hare e atyre qé kuptohen në heshtje! Befas, nén gishta ndjeva se supet e Luçisë po lëviznin me dridhje të shkurtra. Luçia po dëneste. Përse iu derdhën ata lot? Nga kuptimi i vargjeve? Mos vallë nga melankolia e thellë që rridhte nga fjalët, nga timbri i zërit tim? Apo ndoshta, hermetizmi i rëndë i poemave e kishte magjepsur dhe kjo magjepsje e kishte prekur deri në lot ? Ose, më thjesht, vargjet i kishin hapur një derë të fshehtë dhe e kishin liruar nga një peshë e mbledhur prej kohësh? Nuk e di. Si njé foshnje, Luçia ishte varur në qafën time ,kishte ngjeshur kokën pas uniformës jeshile që më shtrëngonte kraharorin dhe qante, qante, qante… /KultPlus.com

Në këtë kohë izolimi, më e rëndësishme është që dhoma t’ju ofrojë rehati sesa ta publikoni në rrjetet sociale

Nga: Sophie Donelson

Si kam jetuar në këtë mënyrë kaq gjatë?

Këtë javë zhytur në shtëpi, gjatë distancës sociale, nuk janë vetëm bashkëshortët dhe partnerët që po bëjnë pyetje – është vetë shtëpia. Për ata që janë mësuar ta kalojnë pjesën më të madhe jashtë shtëpisë, hapësira e brendshme shërbente vetëm për disa funksione themelore.

Stilistja ime e flokëve e vet izoluar, më tregonte se kjo ishte koha më e gjatë e qëndrimit në shtëpi në 23 vjet.

Në rolin tim të mëparshëm si kryeredaktore e revistës “House Beautiful”, përkrahja idetë e dizajnimit të shtëpisë; dhomat familjare mund të shpërbejnë për pasurim të shpirtit dhe zgjim të imagjinatës. Vetëm komoditete të vogla, në një shtëpi ku vlojnë dëshirat.

Ndërroni llambat dhe krijoni një dhomë të ndritshme, të mbushur me humor të lehtë, rrotulloni mobilet tuaja, kur të shtriheni t’i shihni lajmet shtendosuni.

Vërtet, një ndryshim i peizazhit është thelbësor. Befasoni sytë tuaj, dhe mos harroni që asgjë nuk është e përhershme. Edhe kjo situatë do të kalojë, thjesht zbulojeni improvizimin tuaj. /KultPlus.com

Shqiptari, menaxher i një restoranti në Gjermani, shpërndan ushqim falas për stafin shëndetësor

Menaxheri i një restoranti në Gjermani, Bedri Idrizi, ka shpërndarë ushqim falas për stafin e shërbimeve shëndetësore, në shenjë falenderimi për kontributin e tyre për të ndihmuar pacientët e infektuar me Covid-19. Gjithashtu, Bedriu, së bashku me stafin e tij, po ndihmojnë dhe grupe të moshuarish, duke u dërguar ilaçe dhe ushqime, transmeton albinfo.ch.

Ky restorant quhet “Dolce Vita” dhe është në Schwedt Oder të Gjermanisë, menaxhohet nga Bedri Idrizi nga Sllatina e Tetovës, ka shpërndarë ushqim falas për 12 reparte të spitalit të qytetit, për njësitë zjarrfikëse, ndihmën e shpejtë dhe njësitë e tjera të ambulancës, në shenjë solidarizimi me përpjekjet humane të atyre që bëjnë gjithçka për ta ndihmuar popullatën në kohën e pandemisë së virusit korona.

Solidarizimi i restorantit “Dolce Vita” ka zgjuar respektin e autoriteteve komunale, të shërbimeve mjekësore dhe të banorëve të Schwedt Oder, një qytezë industriale në Gjermani, me 30 mijë banorë, shkruan tetova1.

Po ashtu stafi mjekësor e kanë falënderuar publikisht stafin e restorantit dhe i kanë shprehur mirënjohjen nëpërmjet rrjeteve sociale.

Restoranti u ka dalë në ndihmë edhe pleqve, duke u dërguar ushqim dhe ilaçe në shtëpi pa asnjë fitim.

Gjithashtu, stafi i restorantit ka shpërndarë një afishe, ku u bën thirrje pleqve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mos e rrezikojnë shëndetin, ndërkohë që ilaçet dhe ushqimi atyre u dërgohet nga ekipi i restorantit deri në shtëpi dhe pa asnjë fitim.

“Të dashur gjyshe e gjyshër, ju rini në shtëpi dhe na dërgoni porositë për barna e ushqim, kurse ne ua blejmë dhe ua sjellim në shtëpi”, thuhet në afishen e shpërndarë.

Menaxheri i restorantit, Bedri Idrizi, njihet edhe për nisma të tjera humanitare jo vetëm për vendësit, por edhe për komunitetin gjerman. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Shpirti i Milanos

Nga: Alex Soros

Kriza COVID-19 i ka dhënë Bashkimit Evropian një mundësi për të zbatuar diskurset e veta madhështore mbi vlerat dhe të drejtat, dhe të afirmohet si udhëheqës global. Për ta rrokur këtë shans, BE dhe vendet anëtare duhet të demonstrojnë solidaritet shumë më të madh, sidomos ndaj Italisë, sesa kanë bërë deri më tani.

Titujt janë tmerrues. Mungesa e pajisjeve jetike që i detyrojnë mjekët të marrin vendime në fushën e betejës, se kush jeton dhe kush vdes. Radhët e gjata të njerëzve të sëmurë që presin më kot për një test, apo një shtrat spitali. Bizneset, dyqanet, baret dhe restorantet e zbrazëta që kanë shkaktuar ndaljen e ekonomiveë lokale në të gjithë botën. Dhe një numërim i zymtë se cilët shtete janë goditur më së shumti nga koronavirusi COVID-19, me Shtetet e Bashkuara që tani po rendin shpejt drejt kreut – duke regjistruar gati 61,000 raste të konfirmuara shumë sesa Kina, vatra e shpërthimit fillestar.

Në Evropë, pandemia ka goditur veçanërisht Italinë, e cila ka qenë në bllokim total mbarëkombëtar që nga 9 marsi, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Që nga 30 Marsi, Italia ka raportuar rreth 98,000 raste të konfirmuara të COVID-19. Më shumë se 10,700 italianë, kryesisht në rajonin verior të Lombardisë, kanë vdekur nga sëmundja deri më tani. Milano, kryeqyteti rajonal, është më shumë se një kolonë mbështetëse për ekonominë e Italisë. Qyteti që dikur ziente nga gjallëria, është i lidhur pazgjidhshmërisht me projektin evropian dhe është një shtysë kryesore e ekonomisë evropiane në tërësi.

Megjithatë, ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe rajoni sheh nivelet e transmetimit më të larta se kudo tjetër në kontinent, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij kanë qenë të avashtë, për të dhënë një dorë në çfarëdolloj mënyre domethënëse dhe të tregojnë solidaritet me fqinjin e sëmurë. Në vend të kësaj, vendet anëtare të BE-së kanë mbyllur kufijtë dhe janë kthyer brenda vetes. Vuajtja e Italisë u përkeqësua nga mbyllja e kufijve, të cilat ndërprenë furnizimet dhe pajisjet mjekësore të nevojshme.

Qeveritë janë përfshirë në grindje të vogla, duke u shfaqur më shumë të merakosura për avantazhin e tyre ekonomik. Përfaqësuesit e disa shteteve të Evropës veriore kanë sfiduar vendimet e fundit ekonomike të Italisë dhe e kanë patur më shumë mendjen, të mësojnë se si Italia do të arrinte të paguante borxhet, sesa për numrin e vdekjeve dhe rënien ekonomike.

Si rezultat, në një kohë kur kontinenti, dhe në të vërtetë gjithë bota, po përballet me krizat publike-shëndetësore dhe ekonomike me përmasa historike, Evropa është një shtëpi e ndarë, në rrezik të shpërbërjes së mundshme territoriale. Nëse Brexit bashkoi 27 shtetet anëtare të mbetura dhe largoi spektrin e daljes nga arena evropiane, koronavirusi e ka rikthyer përsëri në rendin e ditës.

BE ka një përgjegjësi ndaj shteteve anëtare dhe popujve të saj, që të përdorë cilindo dhe të gjitha instrumentet financiarë në dispozicion, ose të krijojë të reja, për të siguruar që Italia dhe Bashkimi në tërësi të mund të përballojnë – dhe përfundimisht të ringrihen nga – kjo krizë. Kjo kërkon heqjen dorë nga zakoni i mbështetjes mbi një model të vjetëruar të qeverisjes, i justifikuar prej mungesës së burimeve të përbashkëta financiare, në një bashkim monetar. Nëse Italia dështon, çmimi për ekonominë evropiane – në të vërtetë, për vetë projektin evropian – do të jetë shumë më i lartë, se sa çmimi i shkeljes së një rregulli fiskal gjatë një kohe rreziku të madh.

Para samitit virtual të Këshillit Evropian të javës së kaluar, një grup prej nëntë vendesh evropiane, duke përfshirë shtetet jugore si Portugalia dhe Sllovenia, kërkuan një Eurobond dhe përbashkëzimin e borxhit. Institucionet financiare të Evropës kishin për detyrë në samit të bënin propozime, ndoshta të lehtësonin presionin ndaj krerëve të qeverive (shumica e të cilëve janë të shqetësuar me opozitën e brendshme). Në të njëjtën kohë, disa nga figurat më autoritare dhe ekstreme politike të Italisë e shfrytëzuan momentin, për të bërë thirrje kundër BE-së dhe hodhën në tryezë idenë e daljes së Italisë nga euro dhe vetë Unioni.

Me Shtetet e Bashkuara nën administratën e sotme, duke u tërhequr nga aleanca transatlantike e pas luftës, BE-së iu dha mundësia të ngrihej në lartësinë e angazhimeve të veta kundrejt vlerave, të drejtave dhe bashkëpunimit shumëpalësh, dhe të afirmohej si një udhëheqës global. Nuk është ngritur në lartësinë e sfidës. Ndërsa e ardhmja e Evropës sot duket e zymtë, nuk është vonë që institucionet dhe qeveritë evropiane të ndryshojnë kurs. BE nuk mund të lejojë të humbasë Italinë ose të kalojë krizën pa një përgjigje kuptimplote. Të gjitha vendet dhe ekonomitë në bllok do të vuanin si pasojë e kësaj.

Babai im, George Soros, ka jetuar në kohën e disa prej krimeve më të egra të shekullit të kaluar dhe doli nga ajo përvojë me një besim të thellë dhe të qëndrueshëm në domosdoshmërinë e projektit Evropian. Unë jam krenar për historinë e tij të gjatë, dhe përdorimin e institucioneve të tij filantrope për të promovuar një të nesërme më të mirë, për Evropën dhe botën.

Kjo është arsyeja pse nuk duhet të jetë befasi që organizata që ai themeloi, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, po bën një hap përpara në ndihmë të Italisë në këtë moment vendimtar duke i premtuar 1 milion euro qytetit të Milanos, për të mbështetur punën e palodhur në ndihmë të të prekurve dhe rindërtimit të ekonomisë, shëndetit dhe shpirtit të Milanos, në muajt në vazhdim.

Për të qenë të qartë, disa vende të BE-së – edhe pse me vonesë – kanë dërguar edhe pajisje mjekësore, dhe shumë italianë kanë bërë dhurime në përpjekjet kombëtare për të luftuar krizën. Dhe vetëm disa ditë pasi mori miratimin për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE, Shqipëria shfaqi solidaritetin e vërtetë evropian duke dërguar një kontingjent prej 30 mjekësh në veri të Italisë. Shpresoj se shumë të tjerë do ta ndjekin atë shembull dhe do të ofrojnë një ndihmë në zonat më të goditura nga COVID-19. Duke bërë një dhurim të ngjashëm për qytetin e Budapestit, një dorë e tillë për të ndihmuar është njëri prej një serie veprimesh,  që Fondacionet e Shoqërisë së Hapur do të fillojnë në ditët në vijim si përgjigje ndaj kësaj krize. /KultPlus.com

Rrena

Poezi nga Ndre Mjedja

Mos thuej rrena kurr, o f´mi,
por gjithmonë t’i keshë mëni.
Nji ndeshkim asht fort ma mirë,
Se rrencak ndokush me t´thirrë.

Mos t´shkojë mendja se me rrena
Fajin tand e msheh përmbrenda;
S´vonon dita, gja s´e ndal,
E´ në fushë rrena ka me dalë.

Por veç marrja ka me t´mbetë
E kund besë nuk ke për t´gjetë.
Edhe t´drejtën n´kjoftë se e thue,
Për rrencak kanë me t´kujtue. /KultPlus.com

Aktori i “Star Wars” vdes pas komplikimeve me Coronavirus

Andew Jack ka vdekur pas infektimit me COVID-19.

Producenti i dialekteve dhe aktori i “Star Wars”, Andrew Jack, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, pas komplikimeve me coronavirus, shkruan Hollywood Reporter

Atij iu besuan leximi i thekseve greke dhe trojane për “Troy” të vitit 2004 dhe formimi i thekseve të “tokës së mesme” për trilogjinë e filmit “Lord of the Rings”.

Andrew Jack, një producent i dialekteve që hartoi thekse për filmat e fundit të “Star Wars” dhe trilogjinë “Lord of the Rings”, vdiq të martën në mëngjes për shkak të komplikimeve nga COVID-19, sipas raportimeve. Ai ishte 76 vjeç.

Jack vdiq në spitalin e “Shën Pjetrit” në Chertseey, një qytet në Anglinë juglindore, ndërsa vdekjen e tij e konfirmoi për TMZ edhe një përfaqësues i tij.

Ai ishte jashtëzakonisht i pavarur dhe i dashuruar me gruan e tij, Gabrielle Rogers, e cila ushtronte të njëjtin profesion.

Rogers po qëndron e mbyllur në karantinë në Australi, pasi kishte udhëtuar javën e kaluar, andaj nuk ishte në gjendje ta shihte në minutat e fundit të jetës së tij. Ekziston mundësia që të mos mbahet as funerali për Jack.

Ai luajti Caluan Ematt në trilogjinë e re të “Star Wars”. Projekti i tij i fundit ishte Warner Bros.

Kundera: Dy njerëz të dashuruar, vetëm, të izoluar nga bota, kjo është e bukura

Milan Kundera lindur më 1prill të vitit 1929 në qytetin Brno, është shkrimtari më i njohur i Çekisë dhe një nga shkrimtarët më të mirë të kohës. Me origjinë çeke, ai jeton që prej vitit 1975 në Francë dhe në vitin 1981 u bë një francez i naturalizuar. Ai e konsideron veten francez dhe këmbëngul që puna e tij të njihet e të studiohet si literaturë franceze.

Njihet si autor i shumë veprave, përmendim: Shakaja, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies. Librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni Velvet në vitin 1989.

Kundera jeton në Francë prej vitit 1975 dhe ka fituar nënshtetësinë Franceze më 1981. Lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Me vonë Kundera studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund te gjenden në shumë vepra të Kunderës.

Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqëndrua në regjizurë dhe skenografi. Më 1950 Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës.

Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dyte Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardh e zi të botës tek ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhoje, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve Marksiste dhe te antarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u antarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij Pršelo jim štěstí (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymezua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë Žert (Shakaja, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956.

Më 1970 ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989).

Më poshtë disa thënie të njohura të Kunderës për dashurinë:

“Dy njerëz të dashuruar, vetëm, të izoluar nga bota. Kjo është e bukura.”

“Dashuria është përgjërimi për gjysëm e vetes sonë që e kemi humbur.”

“Oh të dashuruar! Keni kujdes nga ato ditët e para të rrezikshme. Nëse njëherë e sjellni mëngjesin në shtrat, këtë pastaj duhet ta bëni përgjithmonë, përveç nëse doni të jeni të akuzuar për mungesë dashurie dhe tradhëti.”

“Përse ti kurrë nuk e përdor forcën mbi mua? – i tha ajo.
Sepse dashuria nënkupton heqje dorë nga forca. – u përgjigjë ai”. /KultPlus.com

Thënie të mrekullueshme nga kryevepra e Gabriel Garcia Marquez, “Dashuri në kohërat e kolerës”

Është romani më i bukur dhe më i njohur i Marquez, bashkë me “100 vjet vetmi”. Nuk ka lexues që t’i kenë lexuar me vëmendje të dy romanet dhe të kenë ngelur të zhgënjyer. Mua më ka rënë rasti të flas edhe me ata që nuk e pëlqejnë mënyrën e të shkruarit plot detaje dhe fantazi të shfrenuar të autorit, por më besoni, shumica e atyre që nuk i pëlqejnë veprat e Gabriel Garcia Marquez lodhen me faqet e para të romaneve të tij dhe nuk e marrin mundimin t’i mbyllin së lexuari ato vepra.

Nëse arrini ta kalitni mirë vullnetin dhe të lexoni “Dashuria në kohërat e kolerës”, si dhe “100 vjet vetmi”, ju me siguri keni për t’i pëlqyer të dy romanet. Në vijim do të keni mundësi të lexoni disa nga thëniet më të bukura të autorit të realizmit magjik në veprën “Dashuria në kohërat e kolerës” :

“Gjithmonë mbaj mend që gjëja më e rëndësishme në një martesë të mirë nuk është lumturia, por stabiliteti”.

“Nuk ka lavdi më të madhe, se sa të vdesësh për dashurinë”.

“Jeta nuk është periudha që dikush jetoi, por periudha që dikush kujton dhe si e kujton për ta treguar”.

“Gjithccka për të cilën ka nevojë dikush, është koha. Koha për të kuptuar kush është, kush do të bëhet, dhe ku do të shkojë”.

“Duhet të trembesh edhe nga nxehtësia, edhe nga ftohtësia e zemrës tënde dhe të përpiqesh të kesh durim, nëse mundesh”.

“Ajo e priste me një ankth të tillë, saqë vetëm një buzëqeshje prej tij i rikthente gjallërinë”.

“Kam pritur për këtë mundësi më shumë se gjysmë shekulli për të të folur edhe një herë mbi besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë time të pavdekshme”.

“Ai që pret shumë, mund të përfundojë me asgjë”.

“Ka gjithmonë diccka të mbetur për t’u dashuruar në ccdo gjë që përfundon”. /Bota.al /KultPlus.com

KOMF thirrje prindërve: Rri n’shpi, zhvillo aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët

Përderisa po vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi si masë mbrojtëse për parandalimin e virusit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë, që të zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët tuaj. Në këtë mënyrë, do të kaloni momente më atraktive dhe të shëndetshme për zhvillimin tërësor të fëmijëve.

Me qëllim që ta kaloni këtë kohë në mënyrë sa më produktive me fëmijët tuaj në familje, KOMF është duke publikuar në vazhdimësi lojëra për fëmijë të moshave të ndryshme në faqen zyrtare në Facebook. Kjo do të shërbejë si një mbështetje për prindërit dhe kujdestarët për angazhim në lojëra që synojnë të nxisin shkathtësitë e fëmijëve dhe ndihmojnë zhvillimin e tyre.

Aktivitetet që po publikojmë janë konceptuar për të zhvilluar edhe më tej kapacitetin njohës të fëmijës, stimulimin sensorik (shqisor), aftësitë motorike, etj. Mbi të gjitha, kjo do të jetë një kohë relaksuese e argëtuese mes prindërve dhe fëmijëve, e cila do t’i ndihmojë ata në reduktim të nivelit të stresit dhe do ju ofroj më shumë qetësi e ekuilibër emocional.

Prandaj, KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë të fëmijëve, të ndjekni lojërat e publikuara në faqen zyrtare të KOMF, në mënyrë që të zhvilloni sa më shumë aktivitete argëtuese me fëmijët duke i mbajtuar ata të sigurtë brenda ambientit familjar.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, është duke punuar në mënyrë intezive për hapjen e një faqeje zyrtare, për mbështetjen e prindërve dhe profesionistëve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i themeluar në 2011, është koalicion i përbërë nga 31 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. / KultPlus.com

68 vjet nga vdekja e Ferenc Molnárit, autorit të romanit “Djemtë e rrugës Pal”

Lindi më 12 janar 1878 në Budapest, në një familje hebreo-hungareze të borgjezisë së mesme. I ati, mjek shumë i njohur, e dërgoi në Zvicër për të studiuar për drejtësi, por ai, në moshë tepër të re, zgjodhi të punonte si gazetar, shkruan KultPlus.

Është autor i shumë komedive të suksesshme humoristike, që u shfaqën në Hungari, Austri, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara dhe e bënë mjaft të njohur.

Romani i tij i parë ishte “Qyteti i uritur” (1900), pasuar nga “Historia e një varke pa pronar” (1901). Por u bë shumë i njohur vetëm me “Djemtë e rrugës Pal” (1907) ku tregon jetën e personazheve të vegjël, të shtypur nga arroganca dhe padrejtësitë shoqërore.

Ndodhitë dhe ngjarjet e këtij libri zhvillohen në lagjen e djemve të rrugës “Pal”, një pëllëmbë tokë e lirë, e kufizuar nga mure në ngjyrë të hirtë me shtëpi shumë të mëdha dhe nga një gardh gati në të shembur në anën që të nxjerr në rrugë. Në disa raste, ndodhitë dhe ngjarjet zhvendosen në kopshtin botanik, në lulishten e muzeut, në kështjellën e këmishëkuqve.

Në shtëpinë e vjetër të rrobaqepësit Andras Nemeshek, babai i “ushtarit të thjeshtë” Erno Nemeshek, zhvillohet pjesa e fundit e historisë. Në Budapest, në rrugën Pal, gjendet selia qendrore e një grupi djemsh. Kur Açi, kryetari i grupit kundërshtar “Këmishëkuqtë” vjedh flamurin nga një prej kështjellave të tyre, Boka, Nemeçeku dhe Çonakoshi, organizojnë një ekspeditë në kampin armik për ta marrë… /KultPlus.com

Koronavirusi bashkon “Backstreet Boys”, grupi i famshëm këndon nga karantina për fansat (VIDEO)

Nëse deri tani keni dëgjuar vetëm lajme të trishtuara për shkak të koronavirusit, atëherë këtu keni diçka për t’ju ngritur humorin.

Kjo pasi bota mund të jetë në distanc sociale mes pandemisë së koronavirus, por asgjë nuk do të ndalte një nga grupet më të suksesshme të djemve të të gjitha kohërave që mblidheshin së bashku në një kauzë të mirë.

Anëtarët e grupit të famshëm “Backstreet Boys” janë mbledhur së bashku për të dhënë një shfaqje për fansat e tyre, të cilët janë të izoluar në shtëpi.

Ka qenë iniciativa e Elton John për të bërë këngëtarët e famshëm që të këndojnë për fansat e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë.

AJ McLean, Howie Dorough, Nick Carter, Brian Littrell dhe Kevin Richardson i mbërthyen fansat e tyre duke i bërë nostalgjik me hitin e tyre të vitit 1999 “I want it that way” nga shtëpitë e tyre përkatëse në pesë ekrane të ndryshme.

Koncerti, i organizuar nga Elton John dhe transmetuar në Fox, vjen disa javë pasi Boys Backstreet anuloi një koncert në Sao Paulo, Brazil për shkak të krizës globale, duke thënë se siguria e tifozëve të tyre ishte “përparësia e tyre kryesore”. / KultPlus.com

“Muzeu im”, ftesë për të paraqitur trashëgiminë kulturore familjare

Janë të shumta familjet shqiptare që ruajnë me fanatizëm objekte të trashëgimisë materiale, si veshje popullore, qëndisma, bizhuteri, orendi shtëpiake, vegla pune etj.

Duke u nisur nga ky fakt, Muzeu Historik Kombëtar fton të gjithë zotëruesit që t’i prezantojnë këto objekte tek faqja e institucionit duke u bërë kështu pjesë e projektit “Muzeu im”.

“A keni ndonjë unazë që jua ka lënë pas gjyshi apo gjyshja? Ndonjë vazo të vjetër në shtëpi? Apo çdo objekt tjetër që posedoni dhe vjen nga e shkuara e largët? Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij aktiviteti tërheqës është i ftuar që ta prezantojë objektin e tij duke na dërguar me mesazh ose duke komentuar në këtë postim foto dhe historinë e objektit”, është ftesa që vjen nga Muzeu Historik Kombëtar, në këto ditë vetizolimi prej koronavirusit, për të ndarë me bashkëkombasit historinë e objekteve më të veçanta që kushdo mund të ruajë në shtëpi. /KultPlus.com