Bajrami: Bursat veç sipas ligjit

Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar rreth shpërndarjes së bursave nga MASHT si dhe rreth paralajmërimeve për protesta nga disa organizata studentore për të njejtën çështje, shkruan KultPlus.

Bajrami ka thënë se nuk do të përkrah asnjëherë thirrjet që të ulen kriterin e notës mesatare, që është cekur si kauzë e disa organizatave studentore.

Këtu keni statusin e plotë të saj:

“BURSAT VEÇ SIPAS LIGJIT

Është hapur konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike. Janë përcaktuar kriteret ligjore dhe të njëjtat janë publikuar në njoftimet e MASHTI-it.
Jam duke i lexuar reagimet dhe paralajmërimet e disa organizatave studentore se do të protestojnë pse s’e kemi ulur kriterin e notës mesatare. NUK KA MUNDËSI të ndryshohet ky kriter pasi është i përcaktuar me bazë ligjore.
Thirrjet e juaj për protestë me kauzën që MASHTI duhet të ulë kriterin e notës mesatare për disa fakultete janë thirrje për të mos e respektuar ligjin. Nuk do ta bëj një gjë të tillë asnjëherë.
Buxheti i bursave është buxhet i shtetit, si i tillë nuk shpërndahet/shpenzohet as për qejfe të dikujt as pse dikush organizon protesta. Nuk shpërndaj taksat e qytetarëve me nënshkrim timin edhe pse në MASHTI kjo ka ndodhur me dhjetëra herë. Unë punën timen gjithherë e mbështes në ligje dhe akte të tjera nënligjore.
Si ministre e MASHTI-t që në ditët e para kam bërë përpjekje që të merrem me të gjitha problemet.
Nëse kthehemi pak në histori, unë kurrfarë obligimi ligjor nuk kam pasur që ta shpall konkursin e anuluar nga ish-ministri aq me pak kur mjetet e bursave nuk ishin më në buxhetin e MASHTI-t por kam vendosur të dëgjoj kërkesat e juaja.
Në fillim të këtij viti në dëgjimet buxhetore me ministrin e financave kam arritur që të kthejë pjesën me të madhe të mjeteve financiare për bursat e vitit akademik 2019/2020 të cilat veç kishin kaluar në buxhetin e shtetit si suficit nga MASHTI.
MASHTI ka një Udhëzim Administrativ për ndarjen e bursave UA 14/2017 për të cilin edhe kam vërejtjet e mia dhe si të tillë e kemi pasë në plan që ta zëvendësojmë me një të ri por meqë nuk patëm kohë ky udhëzim është ende në fuqi dhe RESPEKTIMI I TIJ NUK KA ALTERNATIVË.
Sipas këtij Udhëzimi 14/2017 ministri/ministrja cakton fushat me prioritet por për shkak të pandemisë unë vendosa që këtë vit të gjitha fushat të jenë me prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se pandemia ka prekur edhe ekonomikisht secilin nga ju. Ne nuk e patëm aspak të lehtë që të alokojmë 1,150,000.00 Euro për bursa duke qenë të sigurt se MASHTI prapë do të ketë mundësi të shpallë konkurs në fund të këtij viti, për vitin akademik 2020/2021.
UA 14/2017 në Nën-paragrafin 1.2 të Nenit 3 të tij thotë se përfitues të bursave mund të jenë studentët të cilët kanë notën se paku 9.0 dhe në asnjë nen tjetër të tij nuk thuhet se ministri mund të vendosë ndryshe.

Falënderoj taksapaguesit e vendit, ku bëni pjesë edhe ju e familjet e juaja që mundësuat që MASHTI të ofroj këtë mbështetje.
P.S. Buxheti për bursa ështe 1,150,000.00 Euro, bursë do të përfitojë secili student i cili i plotëson kushtet sipas UA 14/2017 Për Ndarjen e Bursave dhe Konkursit të shpallur nga MASHTI me 29.05.2020. Lartësia e bursës varet nga numri i atyre që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet.

https://masht.rks-gov.net/…/ua-masht-14-2017-per-ndarjen-e-…“.

“Nëse do të dish të më rrish pranë”, nga Pablo Neruda

Poezi nga Pablo Neruda.

Nëse do të dish të më rrish pranë,

dhe të mund të jemi të ndryshëm,

nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,

pa u mbivendosur hijet tona,

nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë

dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi

dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,

nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit

pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,

nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri

dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë.

Kujtimet e Kolë Verrit për Pater Anton Harapin

KUJTIMET E KOLË VERRIT PËR PATER ANTON HARAPIN, SESI U STREHUA NË DUKAGJIN DHE DITËT E FUNDIT TË TIJ PËRPARA DORËZIMIT

Në periudhën e pandemisë Covid-19 (kur i gjithë vendi ishte në karantinë) hapa dosjet e punës dhe më ra në dorë një fletore me kapakë të blertë dhe sipër shkruhej: Kolë Verri (Pepa). Si nuk e kisha marrë në dorë?! U habita me veten time. Puna që bëra me librat për persekutimin e femrës në Shqipëri gjatë viteve 1945-1991, nuk më dha mundësi të merresha me këtë material. I kërkoj të falur z. Kolë Verri për vonesën…

FATBARDHA MULLETI SARAÇI

MESHA E FUNDIT

Vjeshtë 1945- Banorët besimtarë të Dukagjinit po përgatiteshin për të festuar natën e Shën-Kollit.

Në të gjithë krahinën dukeshin re të zeza, po shtoheshin për ditë dhe priteshin që shtërngatat komuniste të vazhdonin njëra mbas tjetrës, sejcila ma e pashpirtshme se tjetra.

Brigadat (e të pafeve) komuniste mbasi kaluan nëpër Shalë dhe Shosh, po i drejtoheshin bajrakëve të Pultit duke bërë shantazhe dhe reprezalje, në këtë krahinë të papërkulur edhe në kohën e pushtimit otoman si dhe të sulmeve shoviniste serbo-malazeze ndër shekuj.

Më 5 dhjetor 1945 në natën e Shën- Kollit- Shytan Lulashi kaloi nëpër katundin Kir dhe ndaloi tek frati i këtij fshati, mbasi ishte vllai i Patër Gegë Lumaj, i cili ishte arrestuar nga forcat e ndjekjes dhe donte të dinte mos ka ndonjë lajm për të.

Në këtë kohë pritej se do të vinin forcat e ndonji brigade nga mali i Shoshit, prandaj duhej larguar nga ai vend Patër Anton Harapi, i cili kishte ardhur nga Shkodra deri tek kisha e fshatit Prekal dhe Lulash Noshi e dërgoi në kishën e Kirit për strehim.

Shytan Lulashi e mori me vete Patër Anton Harapin. Pra natën e Shën Kollit Patër Anton Harapi vjen në Plavra të Planit.

***

Plavrat janë në të djathtë të bregut të fshatit Kir.

Kanë qenë gjashtë shtëpia dhe banorët e saj ishin: Gjek Deda, Let Putani, Martin Leka, ndërsa Shytan Lulashi dhe kushëriri i tij ishin banues të përhershëm bashkë me

shtëpinë tonë. Prekë Marashi, si dhe Prek Ndoj gjysëm i përhershëm këto ishin tre kullat e Plavrajve, pak të shmanguna nga shtëpiat e tjera të fshatit Plan.

Të nesërmen u bashkuan Shytan Lulashi, Mark Kola dhe Prek Ndou, të cilët menduan se vendi më i mirë për të strehuar Patër Anton Harapin është shtëpia e Prek Marashit dhe kështu ditën e Shën Kollit Patër Anton Harapi erdhi në shtëpinë tonë (Prekë Marash Verri).

Na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes dhe duhej ta largonim Patër Antonin nga shtëpia bashkë me bagatit në mal.

Ai u vesh me një gazhup (lëkur deleje) dhe në kokë vendosi një kësulë si dhe u pajis me kmesë (një llojë spate) dhe vazhdoi të ecte mbas dhive. Në mbrëmje kthehej në shtëpi dhe ngarkohej me dru të thatë, si vepronin barinjtë e tjerë.

Gjatë largimeve në mal zakonisht e shoqëronte Gjoni, mbasi Ai ishte çobani i dhive, ndërsa unë isha çobani i deleve.

Qëndrimi në Plavra u bë në shtëpinë tonë, sepse kulla ishte më afër malit dhe ishte mundësia më e mirë për tu larguar. Dimri ishte shumë i ftohtë, bora ishte mbi dy metër dhe mundësia për t’u larguar ishte e pamundur.

Për t’u siguruar nga kontrollet e shpeshta që bënin forcat e ndjekjes, hapëm një bodrum në vathën e lopëve, që ta kishim të gatshëm për çdo çast.

Një ditë janari bora kishte filluar si gjithnjë në këto anë. Mbasi bora pushoi dhe kishte ngrirë, na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes për kontroll për armët pa leje.

Në këtë kohë ishte e pamundur me u nis për në mal dhe u detyruam me hapë bodrumin, i cili ishte si varr dhe i sikletshëm me jetue në të, mbasi duhej të qëndronte disa orë i mbyllur në dhé (nën tokë), i mbuluar me rrasë guri dhe sipër mbuluar me pleh.

Erdhën forcat e ndjekjes e kontrolluan sa me kalu rradhën, mbasi mësuan se një pjesëtar i familjes sonë ishte partizan.

Në kohëm e parë forcat e ndjekjes caktuan që çdo familje do të caktonte një familjar të shkonte me forcat partizane ( për t’i shërbyer pushtetit). Në këtë kohë caktuan Prekën, por mbasi ishte kryetar i familjes, morën Lekën në vendin e tij.

Forcat e ndjekjes pasi hëngrën e pinë, u larguan në anën tjetër të lumit Kir. Sa u siguruam që nuk ka ndonjë rrezik, erdh Mark Kola, larguam plehun, hoqëm rrasën e gurit dhe e ngjitëm lartë të strehuarin. E gjitha kjo vazhdoi dy orë e gjysëm.

Gjatë qëndrimit në bodrum tregon Patër Anton Harapi:- Kam kaluar çaste të tmerrshme, nga një anë kisha frikë se mos kishin ndonjë dyshim dhe do të zbulohej e nga ana tjetër i futun në vorr për së gjalli, se dhe era e plehut banin punën e vet.

Kjo punë përsëritej sa herë na lajmëronte Prek Ndou, i cili në ato fillime bënte detyrën e Këshillit të fshatit Plan.

Në kohën që në shtëpinë tonë erdh Patër Anton Harapi u lajmërua dhe Frati i Planit, që në atë periudhë ishte Patër Daniel Gjeçaj. Ai erdhi e takoi, por vinte rrallë. Ai dërgoi rrobat që i nevojiteshin për me çue meshë në shtëpinë tonë.

Kryesisht meshën e çonte për tre familjet tona, ndërsa rrallë shkonim dhe në kishën e fshatit, që të mos kuptohej mungesa e jonë.

Gjatë muajit maj që ishte muaji i Zojës, në katundin tonë çohej meshë në çdo mbrëmje, kjo ishte dhe për Patër Anton Harapin, si detyrë shpirtërore, me çue meshë, pavarësisht nëse kishte besimtarë apo jo.

Ne (si familje) shkonim në meshën e fshatit në mënyrë që të mos kishte ndonjë dyshim të çastit.

Mesha e fundit në shtëpinë tonë asht çue nga ana e Patër Anton Harapit në fundin e muajit maj 1946, dhe kanë marrë pjesë: Mark Kola, Prek Ndou, Shytan Lulashi familjarisht dhe familja e jonë Verri (Pepa).

Z.Kolë tregon:- Kishte gjashtë muaj që shtëpia jonë ishte bërë Kishë dhe çdo natë kishte meshë. Në këto meshë ka marrë pjesë dhe frati i Planit Pater Daniel Gjeçaj, i cili pas disa vitesh u arratis jashtë shtetit (jetoi si mërgimtar deri në vdekje, varrimi i tij u bë në Shkodër me të gjithë nderimet e duhura nga populli i Qarkut Shkodër, kuptohet pas vitit 1991).

Me datën 4 qershor 1946 po afrohej buza e natës dhe Çun Ndout i kishin mbetur delet në mal dhe doli me i kërku. Gjatë kohës që po kërkonte delet, sheh se në vendin e quajtur Mbas Kryqja kishin ardhur forcat e ndjekjes dhe po pritnin që të errej dhe të vijonin urdhërin për veprim.

Ato kishin ardhur nga fshati Kir-Pogë dhe i ishin drejtuar Planit. Kishin marrë me vete një udhërrëfyes për deri në Kodër- Kujës pak më lart (rreth njëzet minuta) mbi shtëpinë në Plavra.

RRETHIMI

Mbasi u err, ra nata, forcat e ndjekjes që ishin parë në muzg kanë dalë në Kodër-Kujë, kanë marrë një anëtar të Këshillit për të treguar rrugën, për të zbritur tek shtëpia e jonë, që ishte pranë pyllit me verra, një pyllë shumë i dendun.

Në bazë të të dhënave që kishin, janë shpërndarë, për me i qendrue rezistencës, që mund të kishin nga të rrethuarit.

Shtëpia e jonë ishte e para në zbritje të pyllit për në Plavra.

Është bërë rrethimi i shtëpisë dhe janë drejtuar tek dera e shtëpisë, duke kërkuar hapjen e saj.

Derën kemi vonuar me e hapë, mbasi urdhëresat e komunikuara thonin që pa qenë prezent Kryetari i Këshillit, të mos i hapej dera kërkujt.

Gjatë kësaj kohe Patër Anton Harapi zbriti nga një shkallë e vogël dhe është futur në bodrum, e mbuluam me rrasën e gurit, sipër i hodhëm pleh dhe kashtë misëri, ndërsa lopa që ishte aty është ulur dhe ka fjetur sipër bodrumit.

Në këtë kohë, vëllai im Preka është shtrirë në shtratin ku flinte Patër Anton Harapi.

Një anëtar i Këshillit që i shoqëronte ka thirrur pas dere në ballkon dhe kërkonte të hapej dera, se jeni të rrethuar nga forcat e ndjekjes.

Nana ime Pashka ndezi pishën (kjo ishte drita jonë në të gjithë krahinën) dhe hapi derën.

Kanë hyrë brenda në shtëpi dhjetë deri në njëzet partizanë me armë në dorë.

Kontrolluan nëpër shtëpi, kanë hapur arkën e rrobave të nënës, kanë vrojtuar vathën e lopëve e të dhive, se delet ishin jashtë.

Morën me vete vëllain tim, Prekën, dhe janë drejtuar për në qendër të fshatit që ishte Kisha e Planit.

Sa po u larguan forcat rrethuese ka ardhur Mark Kola bashkë me Gjonin, kanë hapur bodrumin, nxorrën fratin, të cilin e kanë çuar mbi shtëpi, në pyllin e verrave.

Gjatë natës e kanë torturuar Prekën, kanë bërë me të çfarë i ka ardhur në mendje. E kanë torturuar shumë. Ai nuk ka treguar asgjë.

Në mëngjes Patër Anton Harapi ka thënë :- Due me u dorëzue vullnetarisht, tue marrë parasysh se nuk kam ba ndonji të keq ndaj Atdheut dhe askujt, veçse kam predikue tanë jetën paqe dhe dashuni për njerëzimin.

Sa u dha lajmi se Patër Anton Harapi është dorëzuar, nga forcat e ndjekjes krisi pushka tek Kisha e Planit dhe në të gjithë krahinën ishin shpërndarë forcat ndëshkimore komuniste.

Ne këtë kohë kanë arrestue Prekë Marashin, nanën tonë Pashkë Zefi, gjithashtu kanë arrestue Prek Ndoun që ishte i pari i bajrakut të Planit, si dhe Mark Kolën djalin e axhës të Shytanit dhe patër Gegës.

Të nesërmën janë kthyer forcat ndëshkuese në shtëpinë tonë, kanë arrestue dy vëllezërit Gjonin e Prelën si dhe motrën Lulën, ndërsa unë- Kola, në rrëmujë e sipër

munda të largohem, pasi ato e kishin mendjen me plaçkitë, duke marrë dhen, dhi dhe katër derra.

Qendra e Dukagjinit ishte larg, me ecë në këmbë duhej tetë orë.

Prek Marash Verrin e kishin torturuar tmerrësisht, s’ishte në gjendje të ecte, e kanë hipur në mushkë, për ta dërguar në Degën e Punëve të Brendëshme, që në atë kohë ishte në Kodër Shëngjergj.

Edhe Patër Anton Harapit i siguruan një mushkë për transport (si i moshuar). Rrugë automobilistike nuk kishte.

Të tjerët i kanë lidhur dhe i kanë ruajtur me armë gjatë gjithë rrugës, sepse po atë ditë janë arrestuar dhe familje të tjera në fshatin tonë dhe kështu ishte bërë një karvan i gjatë, që të shtinte tmerrin. Një rrugë e mundimëshme nga Plani deri në Kodër Shëngjergj. Gjatë periudhës që qendruan në hetuesi të Dukagjinit janë përdorur të gjitha torturat e mundura.

Më vonë i përcollën të lidhur dy nga dy me litarë nga Kodër Shëngjergji deri në Theth, aty i priste karvani i shoqëruesve me makina.

Gjatë udhëtimit që zgjati tetë deri në dhjetë orë i kanë sharë. (Ishte një grumbullim i detyruar nga forcat e ndjekjes).

Sapo janë paraqitur në Shkodër janë veçuar nëpër hetuesi të ndryshme, sepse Shkodra ka pasur shumë burgje në atë kohë.

Shkodra u kthye në qytet më shumë burgje…

Mbasi përfundoi hetuesia i nxorrën në gjyq.

Patër Anton Harapin e veçuan nga strehuesit.

Gjyqi dënoi:- Prek Nduen me vdekje, me pushkatim.

-Prek Marash Verrin dhe Mark Kolën Plavrën i dënuan me 101 vjet, ndërsa nanën tonë Pashka Zef Verri 30 vjet burg, ndërsa Gjon, Prel dhe Lula Marash Verrin i kanë mbajtur në paraburgim tetëmbëdhjetë muaj, pastaj i kanë liruar si të mitur, dmth ishin minorenë.

***

Unë Kolë Verri kur vuaja dënimin në Kampin e Punës, një ndër komandantët e kampit me gradën kolonel kishte qenë komandant i një njësie të repartit në Dukagjin, tregonte mënyrën e rrethimit të zonës operative.

Ai thoshte:- “Patër Anton Harapi kishte organizuar të gjithë zonën e Dukagjinit dhe kishte lidhje me grupet e rezistencës së Dukagjinit duke pasur dhe përkrahjen e shumë ushtarakëve të kohës së Zogut, për të luftuar forcat komuniste.”

Këto i thoshte dhe në prezencën time, sidomos kur vinin udhëheqësit e kohës nëpër veprat që ndërtonim ne të burgosurit politikë.

Ai vazhdonte të thoshte :- “Kam bërë luftë të tmerrshme me tradhëtarët e vendit, sidomos në Plavra të Planit, për të kapur Patër Anton Harapin.”

Të gjitha ishin vetëm mburrje, se në të vërtetë nuk është shprazur asnjë pushkë për arrestimin e Patër Anton Harapit. Ai ishte dorëzuar vetë në qershor 1946.

***

KUSH ISHTE PATËR ANTON HARAPI

Lindi në Shirokë, Shkodër, më 5 janar 1888. Studimet e larta i vazhdoi në Tirol, Salzburg e Shvarc, Austri për teologji. Studioi në fakultetin teologjik të Universitetin të Innsbruck dhe për filozofi në Universitetin e Vjenës.

Shërbeu në Grudë, Hot e Triepsh. Së bashku me banorët e kësaj treve përgatiti kërkesën me dyqind nënshkrime dhe me 14 nëntor 1918 ia dorëzuan Fishtës dhe Gurakuqit, për t’a transmetuar në Konferencën e Paqes në Paris, që të mos lejohej kalimi i këtyre trojeve Jugosllavisë.

Ishte dashamirës me njerëzit që takonte, ishte ndër klerikët më të ditur, orator i shquar, që nderoi Kishën dhe Atdheun, me fjalë, vepra e shkrime.

Ishte njeri nga katër “regjentat”, që u emërua në krye të shtetit gjatë pushtimit gjerman. Këtë vendim e mori me pëlqimin e autoriteteve kishtare.

Strehohet në zonën e Dukagjinit dhe nga dhjetori i vitit 1945 deri me 5 qershor 1946 u strehua në Plavra, në familjen e z.Prekë Marashi dhe zonjës së shtëpisë Pashka Zefi.

Gjykohet dhe dënohet me vdekje.

Fjala e fundit e tij:

Zoti Kryetar, Ju falemnderës që po m’epni rasën me thanë fjalën t’eme të fundit. Nuk shembet Shqypnija pse gjykohet me vdekje Patër Anton Harapi, kshtu ma merr mendja se nuk prishet Shqypnija po mos gjykohet me vdekje Patër Anton Harapi.

Ka dyzet vjet që po mundohet për kët Shqypni, për me ja çue nalt nderën, me i mbrojtë të drejtat e saja t’shejta dhe me i ngrejtë nalt gjuhën dhe letërsinë e sajë.

Në rrugën tonë kena has keqbasë e ngatrrestarë, por nuk i kena vu në plumb, as në konop, por kena pasë tolerancë Zotni kryetar…

Unë u futa në gojën e atyne ujqëve të tërbuem siç ishin Hausdingu dhe Fitzami, por jam i lumtur që prej çapenjve t’tyne kam shpëtue me mija jetë Shqyptarësh.

Rroftë Shqipnia dhe Patër Anton Harapin.

Në çastet e fundit xhelatët që e ekzekutuan në zallishte…, i kish bekuar.

Njollosja e kujtimit ishte një nga armët më të mprehta, që përdori komunizmi shqiptar kundër tij, ashtu sikundër atyre martirëve-të vdekur a të gjallë- të cilët guxuan të mos i nënshtroheshin.

Botoi shumë shkrime në “Hylli i Dritës”(1930-1936) si “Urti e burrëri ndër banorët e Cemit”, tek “Shna Ndou”; shkrime me burime nga psikologjia popullore dhe tek “Ora e Maleve” ishte inisiator dhe kryetar nderi i saj. Shkroi:Valë mbi Valë, Shkrime në prozë. Përktheu veprën e Anton Herget “Edukata ose mirërrijtja e fëmivet (1925).

Në 2003 –Në Prishtinë tek “Shpresa & Konica” u botuan veprat e Pater Anton Harapit, në pesë vëllime. Veprat e Harapit për Harapin titulluar “Shqyptari dhe bota e tij”, “Valë mbi Valë”, “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtërore”, dhe “Të tjerët për veprat e Harapit”.

Simbas Pater Anton Harapit: Marëdhëniet shoqërore nuk ecin në rrugë të drejtë, komunikimi dhe bashkëveprimi, si pasojë e egoizmit të tepruar, shndrrohet në fanatizëm, në idhujtari të ideve personale.

Pater Anton Harapi vertetonte se Religjioni nuk është i dëmshëm për shoqërinë as për organizimin e shtetit dhe formon mendje të mprehta.

Për çështje të tre elementave fetarë në Shqipëri ai pohon:” Shqiptarët po qenë vërtetë të qytetëruar e nacionalista të sinqertë, po besuan për nji mend në një zot të vërtetë, nuk kanë se si mot të rrojnë (jetojnë)vëllazërisht shoq me shoq dmth me njeri tjetrin. Duhet të dallojmë dallimin e thellë ndërmjet fanatikut e njeriut me karakter.

Njeriu me karakter ngul këmbë për parim të arësyeshëm, që mund të kuptohet prej tjetrit, sepse ka si cak arsyen, ndërsa arsyeja e fanatikut nuk ka kurrëfarë caku.

Prandaj për të jetuar paqësisht së bashku, pohon Patër Antoni, nuk do me thënë me heqë besimin, me bindjen se tue hequr besimin, shrrënjosin fanatizmin, si armiku kryesor i shoqërisë njerëzore.

Nuk mjafton me thënë se jemi besimtarë, vetëm se kemi trashiguar fenë prej të parëve, por duhet të justifikojmë besimin përballë vetes dhe mandej këtë besim ta kemi shtyllë kryesore të jetës. Kjo është kultura fetare sipas tij, duke nënvizuar se njeriu me ndërgjegje

fetare, është dhe qytetar i mirë, i ndërgjegjshëm, i devotshëm, që mbron pasurinë e përbashkët, nuk vjedh as nuk dëmton.

Elementi tjetër, që krijon kulturë fetare e bashkëveprimi ndërmjet përfaqësuesve të feve të ndryshme, është nderimi ndaj bindjeve të të tjerëve.

Pse e pranoi Regjencën

Këtë detyrë e pranoi që të pushojë lufta civile në Shqipëri, të mos vriten vllai me vlla, të krijohet një forcë shtetërore për të ruajtur Shqipërinë nga shkatërrimi. E pranoi detyrën për me i shërbye idealeve të jetës së tij, binomit Fe e Atdhe.

Ai nuk e mori detyrën e Regjentit në emër të karrierës personale apo titull personal. I gjithë aktiviteti i tij politik u krye me pelqimin e autoriteteve fetare.

Komunistët e pushkatuan Patër Anton Harapin, pse e shikonin si pengesë serioze në marrjen e pushtetit e sidomos për mbajtjen e tij, derisa të realizonin veprën e tyre shkatërrimtare.

Lum kush studion veprën e tij !

Çmimi“22 NËNTORI”: Apelohet për paraqitje edhe të intelektualeve nga Kosova dhe Shqipëria

Në vijim është Konkursi për ndarjen e çmimit “22 Nëntori” për vitin 2020, i cili është i hapur deri më 15 qershor.

Ky çmim për herë të parë është krijuar vitin e kaluar nga Ministria e Kulturës dhe Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, edhe pse ai ka karakter kombëtar dhe jepet për nderë të Ditës së Kongresit të Manastirit dhe është mbarëkombëtar, vitin e kaluar ka qenë i bojkotuar nga opozita shqiptare dhe ka pas shumë pak njerëz të paraqitur. Andaj, nga Komisioni për ndarjen e këtij çmimi bëjnë thirrje për paraqitje sa më të madhe të intelektualëve shqiptar nga vendi dhe jashtë në të. Related Posts

Anëtari i Komisionit për ndarjen e këtij çmimi, Blerim Grubi, u bënë thirrje intelektualeve shqiptarë që të paraqiten në këtë konkurs. “Ky është çmim mbarëkombëtare. Vitin e kaluar për herë të parë u nda ky çmim. Si anëtar i Komisionit isha shumë i zhgënjyer vitin e kaluar. Andaj, edhe kam drojën që mos të përsëriten të njëjtat gabim me këtë konkurs si vitin e kaluar. Vitin e kaluar për shkak të mos informimit paraqitja e kandidatëve për këtë çmim ishte shumë e vogël. Vjet në konkurs janë paraqitur vetëm se katër kandidatë, nga të cilët një ishte maqedonase dhe një amerikan. Kjo ishte shumë zhgënjyese si fillim, por kjo ishte edhe neglizhenca e mos informimit. Andaj shpresojë se kjo situatë mos përsëritet edhe këtë vit. Pra presim që të paraqiten sa më shumë intelektual shqiptarë. Në konkurs mund të paraqiten edhe intelektual nga trevat tjera shqiptare. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë atyre intelektualeve që kanë kontribuar dhe janë dëshmuar në shkencë, kulturë, arsim etj, që të paraqiten në këtë konkurs”, deklaroi për KOHA, Grubi. Ai thekson se vitin e kaluar ceremonia e ndarjes së çmimit të 22 nëntorit u bojkotua nga opozita shqiptare. Andaj shpresojmë që e njëjta mos përsëritet edhe këtë vit, për arsye se ky është një çmim mbarëkombëtar.

Përveç Blerim Grubit, anëtarë të Komisionit për ndarjen e këtij çmimi janë edhe profesoresha universitare Gëzime Starova, piktori Reshat Ahmeti, Mexhait Vela dhe Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Shuma e të hollave të shpërblimit shtetëror “22 Nëntori” arrin pesë (5) rroga mujore mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut të paguara në tre muajt e fundit të vitit aktual. Shpërblimi shtetëror “22 Nëntori” sipas rregullit, ndahet çdo vit. Në një vit mund të ndahen më së shumti deri në dy shpërblime. (koha.mk) / KultPlus.com

Shqipëri-Greqi, projekte të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore

Shqipëria dhe Greqia do të bashkëpunojnë mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror të pandemisë së COVID-19.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me ambasadoren e Greqisë, në Tiranë, Sophia Philippidou me të cilën biseduan mbi mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe shkëmbime ekspertësh, duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror

“Situata post Covid-19, na vendosi përpara kërkesave të reja. Me ambasadoren e Greqisë, në Tiranë, Sophia Philippidou, ndamë ide mbi projekte të përbashkëta, në fushën e trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe shkëmbime ekspertësh, duke iu përshtatur kontekstit të ri, mbarëbotëror”, u shpreh ministrja Margariti. atsh / KultPlus.com

Shkolla që praktikon distancën

Në kohë të drekës, mensa e shkollës fillore “Val de Beaute” gumëzhinte përherë nga nxënësit që prisnin radhë për bukë, por një atmosferë e tillë nuk mbizotëroi edhe të enjten.

Administrata e shkollës në afërsi të Parisit ka nisur me provat për mbajtjen e distancës, teksa nxënësit janë shprehur të lumtur që janë takuar me njëri-tjetrin.

Dy javë pasi filloi lehtësimi i masave në Francë, vetëm 22 për qind e nxënëseve janë rikthyer në bankat shkollore, transmeton KOHA.

E si rrjedhojë e masave të kujdesit ndaj koronavirusit, nxënësit janë detyruar që të mbajnë distancën prej së paku një metër e gjysmë.

“Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, sepse duhet të shoqërohen me të tjerët. Duhet të mësojnë dhe të qëndrojnë në grupe për të krijuar vetëbesim”, ka thënë psikologia e fëmijëve, Christine Barois.

Por përveç distancës, Ministria e Arsimit ka kërkuar që edhe nëpër oborret e shkollave të krijohen hapësira të gjelbra, me qëllim që nxënësit të qëndrojnë në grupe sa më të vogla.

Studentët e Fakultetit Teknik paralajmërojnë protestë, shkak bursat studentore

Këshilli i Studentëve në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, kanë paralajmëruar se do të dalin në protestë, nëse ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami nuk pranon të takohet me ta të hënën në lidhje me konkursin për bursat.

Sipas tyre, me konkursin për bursat të rishpallur nga ana e MASHTI-t, atyre u është bërë padrejtësi, duke mos u marrë parasysh që janë ndër fakultetet më të vështira dhe sipas tyre është ndryshuar edhe pika 1.5 e konkursit nga tetori i vitit të kaluar.

“Sot nga ana e Ministres Bajrami u bë publik konkursi i rishpallur për bursa nga ana e Ministrisë. Për fat te keq, ne mendojmë se është bere padrejtësi ndaj studenteve te Fakulteteve Teknike, duke mos u marr parasysh si një nder fakultet me te vështira e njëkohësisht duke bërë ndryshim të pikës 1.5. te konkursit për bursa i shpallur në tetor të vitit të kaluar, i cili thotë: “ Të gjitha fushat e cekura në pikën 1.4 të këtij konkursi të kenë notën mesatare të studimeve së paku 9.0, në përjashtim të fushës së Teknikut që duhet të jetë së paku 8.0. Konkursi i fundit është anuluar padrejtësisht, ani pse çdo gjë ka qenë në rregull me të. Bursat e MASHT-it iu jepen studenteve te drejtimeve deficitare, pra duke përfshi Fakultetin Teknik, FSHMN dhe Shkencat e aplikuara. Të anashkalohen këto drejtime dhe te bëhen bashke me drejtimet studentet e të cilave mbi 90% kanë note mesatare mbi 9.0 është turpi më i madh”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.

Pjesë e shkëputur nga “Tuneli”, Ernesto Sabato

“Këtë grua jam duke e parë për herë të parë dhe të fundit. Kurrë më gjatë jetë sime nuk do ta shohë atë. Mendimet e mia fluturuan kuturu, si një tapë poshtë një lumi të paeksploruar. Për një moment ato u vërtitën rreth gruas nën çati.

Çfarë kuptimi kishte ajo për mua? Mirëpo, nuk mund ta çliroja veten nga mendimi se, për një çast, ajo ishte pjesë e jetës sime e cila kurrë më nuk do të përsëritej; nga këndvështrimi im, ajo tashmë ishte sikur e vdekur; një vonëse e vogël treni, një thirrje nga brendësia e shtëpisë, dhe ajo grua nuk do të kishte ekzistuar kurrë në jetën time.

Çdo gjë dukej e rrufeshme, kalimtare, e kotë, e mjegullt. Truri im nuk funksiononte mirë, por Maria ishte një vizion periodik, diçka melankolike dhe e turbullt.”

– Ernesto Sabato“Tuneli”

BARCELONA SOCIEDAD ERNESTO SABATO ESCRITOR

Filozofët për dashurinë!

“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.”
– Simone de Beauvoir

“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.”
– Bertrand Russell

“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.”
– François de La Rochefoucauld

“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
– Arthur Schopenhauer

“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.”
– Plato

“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.”
– Albert Einstein

“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.”
– Herman Hesse

“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.”
– Fyodor Dostoevsky

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.”
– Kahlil Gibran

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”
– Friedrich Nietzsche

“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.”
– Virgil

“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.”
– Socrates

“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.”
– Dr. Seuss

“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.”
– Ernest Hemingway

“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.”
– Honore de Balzac/filozofia.al / KultPlus.com

Ne jetimët e Iliridës

Poezi nga Çun Lajçi 

Ne jetimët e Iliridës

Daradani
Ne bijtë tu, t’Vilajetit tand t’vjetër
Kërçovë Dibër Gostivar që harrua na ke
andrra kishim me i marrë nuset me duvakun e kuq
n’odat tua t’gurit
tupanat me i shkye tue i rreh e kambët me i thye tue kcye
“Dy tupana n’derë të kulles” me knua Grykës Kaçanikut
zani me shkua para nesh fushës Pollogut
Radika m’u çua n’kamë me i shalua atllarët
koburet me i zbrazë me thirrë
dilni po vinë krushqit me Teutën dardane
Ilirida po bahet nanë me nipa Drenice
e kangës me ia thanë Tre-Zajazi
e tokës me i shkua gjamë

Dardani!
ne bijtë tu t’Pellagonisë
t’harruem prej teje e nanëmadhes Shqipni
bukën hangër e kemi hambareve tua
kokat mbushë i kemi dije, e zemrat atdhedashuni
me fjetë qejf kemi pasë n’konakun e Buletinve
n’rranzë t’Çyçavicës me marrë Shota
veshun n’tierqit galana
Azema me rritë n’Iliridë me kobure dardane
Pse i le jetimë Kosovë, bimët tua t’vilajetit t’vjetër
që andërr kishim fushatve tua me vdekë

Pse na harrove Dardani!

Bëhuni pjesë e fushatës “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës”

Fushata “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës” ka për qëllim ngritjen e fondeve që do të mundësojnë mbështetjen e studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët kanë synim fillimin e rrugëtimit të tyre në ndërmarrësi përmes Qendrës së Ndërmarrësisë dhe Inkubimit, VentureUp.

Kjo fushatë u mundësua falë biznesmenit dhe filantropit Shqiptaro-Amerikan, Ramiz Kukaj, pronar i restaurantit të mirënjohur në Nju Jork ‘Çka ka Qëllu’, i cili pranoi ftesën që t’i bashkohet kësaj iniciative duke e ditur nevojën e madhe që studentë e këtij Universiteti kanë për qasje ndaj mundësive dhe resurseve për të krijuar një të ardhme të suksesshme për veten dhe vendin.

“Vazhdimisht themi se rinia është e ardhmja e Kosovës, mirëpo shpesh-herë e shohim se rinia po vazhdon të ballafaqohet vet me sfidat dhe problemet, dhe rrallë herë marrin ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme drejt suksesit. Jemi me fat të kemi një rini kaq aktive, ambicioze dhe kapacitet të arrijë majat botërore, dhe tash e kemi mundësinë konkrete t’u japim një ndihmë të vogël, por që do të thotë shumë për ta, për ndërmarrjet që do të krijojnë dhe pashmangshmërisht në zhvillim të vendit” u shpreh Kukaj.

Venture Up është Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inkubatori i Universitetit të Prishtinës. Kjo qendër ofron mbështetje për ndërmarrës, mentorim dhe trajnim për studentët të cilët dëshirojnë të transformojnë idetë e tyre në biznese reale, dhe organizata të vet-qëndrueshme.

Me fondet e ngritura, VentureUp synon të inkuboj 17 ndërmarrje të reja ‘startup’, me 51 ndërmarrës të rinj, të ofrojë trajnime online për 14 javë, të ofrojë 150 orë mentorim për studentët, si dhe 60 orë/muaj trajnime në Aftësi të Buta. Qëllim është që të aftësohen 4,800 të rinj deri në Shtator të 2020-së.

Ju mund të dhuroni duke klikuar në linkun:  https://bit.ly/2zTl8Ua

Amerikë: Vazhdojnë protestat për ditën e katërt për vdekjen e Floyd

Shumë demonstrues u mblodhën të premten nëpër Amerikë për ditën e katërt për të protestuar kundër vdekjes së George Floyd, i cili u vra nga një polic në Minesota.

Që nga e hëna kur Geroge Floyd vdiq teksa ish-polici Derek Chauvin e shtriu dhe mbajti këmbën e tij në qafë për më shumë se tetë minuta, protestat kanë shpërthyer në Minneapolis.

Protestat filluan të bëhen më të ashpëra me zjarrvënie ditëve të fundit teksa protesta pati edhe në Boston, Massachusetts dhe Memphis, Tenesi, Louisville, Kentucky, Detroit, Michigan dhe Houston, Texas, shkruan Anadolu, transmeton Klan Kosova

Protestat e reja erdhën disa orë pasi Chauvin u akuzua për vrasje të shkallës së tretë, sipas Prokurorit të Qarkut Hennepin Michael Freeman në Minneapolis.

Protestuesit po kërkojnë edhe arrestimin e tre oficerëve të tjerë të policisë të shfaqur në pamjet të kapura në vendin e ngjarjes kur Floyd u arrestua.

Të premten vonë, protestuesit u mblodhën në Minneapolis megjithë një shtetrrethimi që u imponua nga kryetari i komunës Jacob Frey me shpresën për të shuar protestat e dhunshme. Frey pushoi nga puna të martën të katër oficerët.

Në përgjithësi, protestuesit bartnin pankarta ku shkruhet “Jo drejtësi, pa paqe!” dhe parullat “Nuk mund të marr frymë”.

Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën pasi thuhet se u përpoq të përdorte një faturë të falsifikuar 20 dollarë në një dyqan lokal.

Por policia pretendoi se ai kundërshtoi arrestimin. Chauvin e shtiru në tokë dhe ia vuri këmbën në qafë, edhe pas lutjeve të përsëritura të Floydit “Unë nuk mund të marr frymë”.

Pas pak, Floyd dukej se humbi vetëdijen, por oficeri mbajti qëndrimin e tij ndaj viktimës, teksa vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Kujtojmë se edhe Presidenti Donald Trump ngushëlloi familjen Floyd.

Requiem për Mjeden dhe Mentorin

Shkruan: Leonora Laçi

Nuk është hera e parë që shkruaj për një nga studiuesit më në zë të hapësirës shqiptare dhe qytetit të tij, Shkodrës që krenohet më të. Ai ishte një studiues model, ai dhe Mjeda ishin në simbioz, shkriheshin tek njëri- tjetri, plotësonin njëri-tjetrin.

Mentor Quku (1939-2014) hynë në atë kategori studiuesish që nuk rrahin gjoksin për ta demonstruar medoemos autorësinë e hulumtimeve të tyre, ndonëse ka bërë një punë kolosale të një jetë të tërë, sërisht ai fshihej pas dom Ndre Mjedës, duke na lënë të kuptohet se vemendja duhet të ishte tek dom Ndre Mjeda dhe jo ai vetë. Atij i interesonte vetëm të vendoste Mjedën në vendin ku i takonte, përfytyronte që Kukeli të bëhej një vend pelegrinazhi dhe biblioteka e Mjedës të sillte studiues nga vende të ndryshme, ai në parim ngriti një institut shkencor, na mësoi se si duhet punuar për të merituar emrin e hulumtuesit.

Nuk më hiqet nga mendja shprehja e tij që më ka shoqëruar dhe udhëzuar përgjatë viteve:- “Sot ti punon për emrin tënd, dhe nesër emri yt do punoj për ty”.

Në maj të vitit 2018 kisha bërë një artikull të shkurtër me titull “Mjedologu dhe pengu i mbetur zvarr”, të cilin po e risjelli shkurtimisht:- “Në ecejaket me bashkëudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do të shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do të shkruaj për karakterin e fortë, do të shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes, kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do të shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do të shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do të shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku. Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për t’i bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha:- “që ta vazhdonim të nesërmen punën.” I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.

U ndjeva në faj që nuk insistova për t’i marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për te flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.

Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palëkundura tek e drejta e vet. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjedën” dhe marrë emrin Mjedolog.

Tek Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.

Studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Puna shkencore e Mentor Qukut u realizua paralelisht me këmbënguljen e udhëzuesit shpirtëror që i dha jetë Kishës dhe Qelës në Kukel. Studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini prifti jezuit që është sa hulumtues aq dhe fetar ishte dëshmitari i të gjitha vështirësive nëpër të cilat kaloi realizimi i ringritjes së kishës dhe qelës, që pa vullnetin e këtij të fundit vështirë se do të mund të realizoheshin. Duhet theksuar që dom Nika nuk përtonte ta mprehte lapsin sa herë që Ministria e Kulturës vinte gurë nën rrota, gazetat pritshin me padurim kritikat e dom Nikës.

Pra pa dom Nikën, Kukeli nuk do të kishte as vazhdimësinë pas ikjes në amshim të mjedologut. Studiuesi dom Nikë Ukgjini e kuptoi si duhet rëndësinë e dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qelës së Mjedës, në vende për tu vizituar si muze pa lënë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.

Mjedologu Quku vuante vetëm për kohën, që ndoshta s’do të mund t’i mjaftonte për të arritur që ta përfundojë si duhet kolanën e Mjedës. Koha po i fashitej përpara syve me shpejtësi, e ndjeu këtë gjë. Të kapësh kohën ishte e vështirë, prandaj ai gjithmonë ishte në vrap e sipër, deri sa një ditë nuk mundi më të rendte bibliotekave por bëri vrapin e fundit drejt mëshiruesit…

Mjeda dhe Mentori u takuan… Mentori tashmë qetësisht me kohën ndalur merr përgjigjet që s’mundi t’i marr në botën e vdekshme, zgjidh enigmat që në jetën joreale nuk i zgjidhi dot pasi i duhej përjetësia për t’i dhënë zgjidhje, i duhej Mjeda. Mjeda duke i qenë mirënjohës që e përjetësoi dhe fitoi pavdekësinë, e anasjelltas përmes Mjedës këtë status e fitoi dhe Mentori, e ne morëm leksionin sesi duhet hulumtuar e shkrirë të gjitha energjitë për qellime të larta, për të marrë statusin e studiuesit.

Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.”

Shqipëria sot ka më pak shkrimtarë, studiues, poetë, por këto që kanë ngelur le të frymëzohen nga realiteti i mjedologut, historia e tij, që sadopak të lënë gjurmë në botën kalimtare, të ecin në shtigje të reja, të guxojnë për të mos mbetur kalimthi kalimtarë.

Jelekët me ar të Beratit, vlera të trashëgimisë kulturore që u shpëtuan nga zhdukja

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi sot disa foto të jelekëve tradicionalë të Beratit që ruhen në Muzeun Etnografik të qytetit.

Kryeministri tha se disa nga vlerat e vërteta të trashëgimisë sonë kulturore u shpëtuan nga zhdukja dhe konservuan më së miri.

“Mirëmëngjes dhe me këto xhevahire të ilakçinjve duarartë nga Muzeu Etnografik i Beratit, ku u shpëtuan nga zhdukja dhe konservuan më së miri, disa nga vlerat e vërteta të trashëgimisë sonë kulturore, ju uroj ditë të mbarë”, tha Rama.

Jelekët me ar janë përdorur në masë si te femrat dhe te meshkujt. Copa e jelekut ka qenë kadife, ngjyra e referuar ka qenë e kuqe, vjollca dhe e kaltra. Jelekët me ar ishin të qëndisur në të gjithë sipërfaqen.

Në Berat janë përdorur edhe jelekë cohe me ngjyre blu të qëndisur me gajtan të caktuar për gratë në moshë. Për femrat jelekët ishin kadife të qëndisur me fije mëndafshi, stolisur me rruaza dhe temina. /Atsh /KultPlus.com

Lamtumirë, vendet e mia

Poezi nga Gjergj Fishta

Lamtumirë, vendet e mia,
qe, po zhduken dalëngadalë!
Gjëmon deti, ushton duhia,
likundet barka valë mbi valë,
Kah njai diell, që asht tue flakue,
andej fill un tash do t’vete…
Lamtumirë, atdhe i bekue!
Lamtumirë, për sa t’jet jeta!
Nesër nade kur mbi ne,
rrezja e diellit ka me ra,
kush e din sa ujë e dhe,
mue prej teje ka me m’da!
E por n’pyetsha ret mizore,
e por n’pyetsha zogjt e detit,
se për ty, moj tokë arbnore,
s’ka me m’folë kush mue t’shkretit…
Tjera fusha e tjera zalle
kam me pa, e tjera dete;
kam me ndje po tjera valle,
tjera gjuhë, tjera qytete.
Vendin tem s’kam me e pa,
ku kam le e jam burrnue:
sytë e mi kan me kja.
pa u gjet kush me i ngushllue./ KultPlus.com

Nick Cave “Your face seems wet to touch”, kënga profetike, Prishtina ishte fronti kryesor i luftës

Nga: Ballsor Hoxha

Çirrej Bono Vox në hane të Kurrizit të Prishtinës, këndonte, dhe kënga arrinte deri tek

“… Am I bugging you,

cause I don’t mean to bug you,

Edge, play the blues…” (Silver and Gold – U2, 1987)

Thellonte, depërtonte, penetronte solo e gitarës së Edge… Kriste disku i vetëdijes së ndëshkuar përjetë dhe arrinim në amalgamën e jetësimit të Prishtinës.

Ka një keqkuptim në shoqërinë tonë. Prishtina asnjëherë nuk është përkulur. Kurrizi si referand – shishe të zbrazura alkooli, kundërmim shtjerrjeje të njeriut, rizla, “qibrita”, dhe adoleshentë, profesora, drogirasha, muzicient e hajna, bashkë në kakofoninë e Joy Division, Velvet Undeground, Nick Cave, U2 (kur ishin revolucionar) etj, derisa dëgjohej “god loves you lonely souls” ka qenë fushëbeteja e Prishtinës, jo vetëm me Serbinë, jo vetëm me vrasësit e Millosheviqit, ka qenë fushëbeteja e njeriut përballë akumulimit të urrejtjes në glob, në vitet nëntëdhjetë, në pritje të mileniumit të ri, në këtë kohë të madhe. Fushbeteja kryesore e konfirmimit të prezencës, qenësimit tonë bashkëkohor dhe ngadhënjimit mbi tragjedinë, jo vetëm lokale, kosovare por edhe globale.

Ka pasur të gjitha përçmimet dhe denigrimet e mundshme që i janë bërë Prishtinës, Kurrizit dhe jetës së të rinjve në Prishtinë. Jo nga serbët qytetar, ata kanë pasur respektin më të madh për përpjekjen tonë për të qeniësuar ashtu siç ishim dhe jemi – shqiptarë. Përçmimi dhe denigrimi ka ardhur nga shqiptarët, dhe atë pas luftës.

Por ka pasur dy lufta në Kosovë. Me armë në gjerësinë e Kosovës, dhe me prezencë, prezencë ekszistenciale, prezencë “guri që rrokulliset” dhe prezencë përvoje në Prishtinë. Të gjithë ata që harrojnë se Prishtina ishte fronti i parë dhe jak-a-jak, kanë inferioritetin që kurrë nuk arritën të ikin nga patriarkalja e “madhështisë” së një populli prej më të vegjëlve, më tragjik dhe më të viktimizuar së paku në Evropë.

Prishtina ka qenë fronti ku është jetuar dhe jetësuar përballja me ekzistencialen e hiçit dhe egërsimit të njeriut në një kohë të madhe si hapja e botës para mileniumit. Tërë muzika e Prishtinës, e dëgjuar në Prishtinë, në vitet e aparteidit dhe luftës, tërë muzika e kësaj kohe e profetizon këtë.

(Estetika e dëgjimit) – kënga profetike

15 vjeç, në Kurriz, në Han…, dëgjonim Nick Cave dhe nuk mund të flinim me javë të tëra. Jo vetëm nga esktaza, jo vetëm nga njohja, por aq më shumë nga tronditja e botëkuptimeve tona 15 vjeçe. Por ishim aty, shkonim aty, për të qenë, për të ruajtur dhe luftuar me jetësim Prishtinën.

“This is a weeping song/ a song in which to weep”

(“Weeping Song” Nick Cave)

Kjo këngë është publikuar në vitin 1990 dhe del profetike në tërë atë që ndodh në botë pas. Ne ishim në këtë momentum. Ne ishim në këtë ekzistenciale, të të qenit përballë bishave dhe monstrumëve që tuboheshin në pozita lidershipi në tërë botën.

Kuptonim, lidheshim në lirinë e këngës, me këngën e Nick Cave, “kjo është këngë për vajtim”. Kuçtonim se në anën tjetër ne shqiptarët kemi thënien e bukur “vaji i burrave është kënga”. Në të dëgjuarit e kësaj kënge të Nick Cave perceptohet natyra e muzikës dhe bukuria e saj, posaçërisht si shqiptarë – pakufishmëria e botës. Mungesa e kufijve. Ngjashmëria e jetësimit. Bashkimi në vaj, në tragjedi.

  • Kurrizi – mallkimi për të kërkuar lirinë

“O father tell me are you crying/ Your face seems wet to touch”

(“Weeping Song” Nick Cave)

Lufta kishte shpërthyer, aty këtu kishte aksione të UÇK në stacione të policisë. Mburreshim dhe vuanim se ishim të dënuar të luftonim me përjetimin ekzistencial, të luftës për territorin e Prishtinës. Në Kurriz, në vetë Prishtinën. E tërë nata, në disa prej kafiqave më serioz në përkitjen në botën e tërë, fokusohej në këngë që arrinin atë përndritjen mbi dhe në zotërimin e valës së rrymës së botëkuptimeve globale aktuale, pikërisht në mes të luftës në Kosovë. Në luftën tonë iknim nga rendi dhe ligji e morali i patriarkalizmit ku jetonim, të tragjedisë dhe të dhembjes, tej në dhembjen universale. Tej në lirinë e botës dhe dijes. Tej kordonit policor. Në të vërtetë në këto momente, në të kapurit të “faqes së babait të lagur nga lotët” mbronim territorin e Prishtinës.

Tundej kafiqi, të gjithë të dehur, të gjithë ikur, të gjithë të lëçitur, nga sistemi, pushteti, babai dhe patriarkalja në shoqërinë tonë, dhe sigurisht edhe nga rendi shtetëror Millosheviqian, dhe prisnim momentin kur na konfirmohej:

“your face seems wet to touch” – vaji i burrave,

Lufta në Kurrizin e Prishtinës ka pasur edhe armët – dehjen deri në nihilizëm të çdo gjëje, trimëri për përballje me të nesërmen e paardhmëri (për dallim në territoret e luftimeve kishe përballë armikun); pastaj kishte dhe refugjatët e saj – studentat e mbetur në Prishtina nga Kosova; por dhe heronjtë dhe viktimat e saj.

Tronditja nga ekzistencialja e Prishtinës, përballë pafatësisë, mungesës së një fati, çfarëdo fati, edhe udhërrëfyese nëpër ekzistencializmin e një kohe të madhe të njerëzimit (gjë të cilën luftohej në Kurriz për t’u përjetuar, për t’u mbajtur mend dhe të jetësohej në liri). Tronditja edhe si muzikë tragjedie kishte sjellë edhe drogat, heroinën. Ikjen dhe mallkimin për liri. Me gjithë vuajtjen, viktimat dhe sidomos vdekjet, ishte luftë, ishte përpjekje për të mbrojtur territorin. Mbi të gjitha ishte dhembje e luftës të të qenit përballë kotësisë së njerëzimit, egërsisë së tij, kuptimit tejet të thellë dhe direkt të profetizimeve të muzikës aktuale botërore. Dhembje e pamundësisë dhe dhembje e mallkimit për të jetësuar lirinë. Plagë dhe heronj lufte, pavarësisht etikës dhe moralit, pavarësisht tragjedisë, ushtarë të humbur.

  • Përfundim – Aveny, Kulturologjia e saj

 dhe jetësimi i Prishtinës

Të gjitha këto dhëshmohen menjëherë pas luftës. Kulturologjia, zhveshja e pushtetit politik përmes industrisë së artit, e Aveny, emisionit të RTK bartë këtë përvojë përballë kosovarit.

Lorik Sylejmani autor, dhe Gëzim Krasniqit, tanimë i vdekur, menjëherë pas luftës kanë realizuar një prej emisioneve që përmenden, mbahen në mend dhe përdoren ende. Të regjur në Kurriz, “Në Qiellin Mbi Prishtinën” (si filmi Sky Above Berlin, dhe kënga e U2 “Faraway so Close), me përvojë në shije, dije dhe jetësim, kanë monumentalizuar për vite me radhë pikërisht ngadhënjimin e Prishtinës mbi luftën ndaj injorancës, ndaj izolimit të shoqërisë sonë. Dhe sidomos  kanë liruar konfliktin e adoleshentëve me politikën dhe rikthimin e patriarkales dhe meskinitetet e pushtetit politik.

Aveny ka qenë Kulturologji, (disiplinë e Sociologjisë që i kundërvihet pushtetit dhe ideologjisë së mveshur përmes industrisë së argëtimit dhe artit), ka qenë dija dhe përmbysja e besëtytnive të injorancës dhe të mungesës së informacionit (shumë më herët se Google dhe internetëzimi i Kosovës).

Në Aveny është bërë bartja e përvojës ekzistenciale të Prishtinës si front lufte kulturore dhe shpirtërore dhe përvoje, dhe po ashtu edhe edukimi përmes interpretimit, analizës dhe prezantimit të fushës alternative të artit në përgjithësi, prej Bauhaus (arkitekturës, pikturës së Kandinsky e Paul Klee, e deri tek vetë bendi i quajtur me të njëjtin emër), e deri tek Velvet Underground, Lou Reed e deri tek Laurie Anderson.

Aveny, e sigurt jashtë patriarkales së shoqërisë sonë, është ajo që konfirmon Prishtinën si front lufte, kryesorin, në përpjekjen për emancipim, dije, dhe përvojë. Përballë ekzistenciales së një qyteti shumëdimensional. Ngadhënjimin e Prishtinës në luftë. Dhe pas lufte.

(Vazhdon me – referandin – tjetër të Prishtinës – Radio Urban FM)

P.S.

“…The warden says “The exit’s sold

If you want a way out…

Silver and gold, silver and gold…”

(Silver and Gold – U2) /KultPlus.com

Aktorja Kudrow mezi pret ribashkimin e “Friends”

Aktorja Lisa Kudrow ka konfirmuar edhe një herë ribashkimin e aktorëve të serisë së famshme “Friends”. Kudrow ka thënë se mezi pret të bëhet bashkë me ish-kolegët për disa episode të veçanta, të cilat do t’i realizojë platforma “HBO”.

Aktorja do të ribashkohet me kolegët Jennifer Aniston, Matt LeBlanc, Courtney COx, Matthew Perry dhe David Schwimmer. Kudrow i ka siguruar fansat se seria e re do të jetë e veçantë. “Mezi pres që të realizohet”, ka thënë Kudrow, që për shumë vjet e luajti rolin e Phoebe Buffayit. “Të gjashtit nuk kemi qenë para publikut qe 25 vjet dhe vetëm para pak vjetësh ishim bashkë për një darkë.. Realizimi i ri do të jetë plot befasi dhe do të jetë i mirë”, ka shtuar ajo.

Aktorja 56-vjeçare ka bërë të ditur se ideja e ribashkimit filloi të mendohej, pasi që seria “Friends” u ritransmetua në “Netflix”.

“Të jem e sinqertë, kur seria filloi të transmetohej u mendua edhe ribashkimi. Për këtë shkak, Marta dhe Davidi (Marta Kauffman dhe David Crane – krijuesit e serisë) ishin të shkëlqyer dhe e dinë se çfarë kanë ndërmend”, ka sqaruar aktorja.

Ribashkimi i veçantë i “Friends” pritej të transmetohej më 27 maj, por kriza e koronavirusit e pamundësoi realizimin e tërësishëm të saj.

Sipas Bob Greenblatt, drejtor i “WarnerMedia Entertainment”, seria pritet të transmetohet në fund të verës.

“Mos pyesni çfarë mund të bëj vendi juaj për ju, pyesni ju çfarë mund të bëni për vendin tuaj”

Thënie nga John F. Kennedy

“Sigurisht që është punë e madhe, por nuk e njoh asnjë i cili mund të e bëjë më mirë se unë.”

“Rruga më e mirë e përparimit është rruga e lirisë.”

“Injoranca e një votuesi në demokraci dëmton sigurinë e të gjithëve.”

“Koha për ta riparuar çatinë është kur dielli është duke ndritur..”

“Shtetet e Bashkuara duhet të lëvizin shumë shpejtë për të qëndruar në vend.”

“Gjërat nuk ndodhin. Gjërat janë të krijuara që të ndodhin.”

“Ata të cilat nuk kanë frikë të dështojnë tmerrshëm mund të arrijnë shumë.”

“Ata që e bëjnë revolucion paqësor të pamundshëm do ta bëjnë revolucionin e dhunshëm të pashmangshëm.”

“Ne duhet shfrytëzuar kohën si mjet, jo shtrat.”

“Ne do të dëshirojmë të jetojmë siç kemi jetuar më parë, por historia nuk do ta lejojë këtë.”

“Ne filluam lundrimin në këtë det të ri sepse në të ka dituri për tu fituar.”

“Ne nuk duhet harruar se arti nuk është formë e propagandës; është formë e së vërtetës.”

“Na duhen njerëz të cilët mund të ëndërrojnë gjërat që asnjëherë nuk kanë ekzistuar.”

“Ne duhet gjetur kohë që të ndalojmë dhe t’i falënderojmë njerëzit të cilët ndryshojnë jetën tonë.”

“Atyre që u jepet shumë, nga ata shumë kërkohet.”

“Një person mund të bëj ndryshim, dhe të gjithë duhet provuar.”

“Një lajthitje nuk bëhet gabim në një kohë që nuk refuzon të e përmirësosh.”

“Batica në rritje ngrit të gjitha anijet.”

“Udhëtimi njëmijë milje fillon me një hap.”

“Krizat e mëdha prodhojnë njerëz të mëdhenj dhe punë me kurajë.”

“Të gjithë ne nuk kemi talent të njëjtë, por të gjithë ne duhet të kemi shans të njëjtë të zhvillojmë talentin tone.” /KultPlus.com

Testi i Arritshmërisë mbahet më 23 qershor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Testi i Arritshmërisë – për klasët e nënta – është caktuar më 23 qershor 2020.

MAShTI ka njoftuar se ka përgatitur dhe ka dërguar te DKA-të udhëzuesit dhe informacionet e detajizuara për nxënësit, institucionet arsimore dhe për të gjithë akterët e përfshirë në organizimin dhe administrimin e Testit të Arritshmërisë 2020.

“Në këto dokumente janë të përfshira informacione dhe udhëzime të rëndësishme sikurse data dhe afatet me rëndësi, organizimi kohor për ditën e testimit, rolet dhe përgjegjësitë për realizimin e Testit të Arritshmërisë, detyrat e palëve kryesore të përfshira në administrimin e testit, detyrat e DKA-ve dhe shkollave, MAShTI-t, detyrat e komisionit të qendrës së testimit, detyrat e administruesit të testit, informata, udhëzime dhe rregulla për nxënësit, etj”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

FFK nis me projektin e ri të edukimit online

Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB) ka nisur projektin e ri të trajnimit për edukatorë, trajnerë dhe gjyqtarë nëpërmjet platformës online “Edu Break – Academy”.

Sipas FFK, kjo platformë është tejet e mirëseardhur, sidomos në këtë periudhë të pandemisë, por është tejet funksionale edhe për të ardhmen, ku sigurisht do të kombinohen ligjëratat online me punën praktike, transmeton Klan Kosova.

“Ky projekt po realizohet nën përkujdesjen e drejtorit teknik Michael Nees dhe menaxheres për Grassroots, Sanije Krasniqi dhe menaxherit të gjyqtarëve, Visar Kastrati, derisa pjesë e projektit janë edhe Horst Kriete, instruktor për trajnerë dhe David Wetsel, instruktor për kurset e portierëve. Fillimisht në këtë projekt po bëhet trajnimi i edukatorëve, me ligjërues nga ‘Edu Break – Academy’, të cilët më pas do të vazhdojnë trajnimet me trajnerët dhe gjyqtarët e rinj”.

Hapet konkursi për ndarjen e bursave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se kanë hapur konkurs për ndarjen e bursave për studentët elitarë të Universiteteve Publike, në nivelet baçelor, master.

MASHTI ka bërë të ditur se përshkak të rrethanave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, kanë vendosur që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike.

Komunikata e plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 14/2017 për ndarjen e bursave, Vendimin nr. 41/01B, datë 22.05.2020 dhe duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 shpall:.

KONKURS

PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT ELITARË TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË NIVELEVE: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

Kushtet dhe kriteret:

1. Për fitimin e bursës së MAShTI-t, kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë:
1.1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
1.2. Të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA dhe vitin e parë për studimet MA;
1.3. Të kenë të përfunduar vitet akademike paraprake, pa përsëritje të vitit;
1.4. Të drejtë aplikimi kanë studentët e të gjitha fushave të studimit;
1.5. Të drejtë aplikimi kanë studentët që kanë notën mesatare të studimeve së paku 9.0 të arritur në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 2019.
Mënyra e aplikimit:

Duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, MAShTI vendos që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike. Studentët duhet të aplikojnë në institucionet ku ata studiojnë. Universitetet Publike krijojnë kushtet e nevojshme për të mundësuar aplikimin e studentëve në këto platforma sipas kushteve të këtij konkursi dhe lansojnë konkursin brenda platformave të tyre.

– Aplikimi eletronik do të jetë i hapur nga data 08.06.2020 deri më datë 29.06.2020. Lista përfundimtare e studentëve të cilët përmbushin kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues të MAShTI-t dorëzohen nga Universitetet Publike në MAShTI.
– Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në uebfaqen e MAShTI-t.
Këshilla juridike:

Kandidatët që kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e MAShTI-t, kati përdhesë, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MAShTI-t.

“Bonevet” vendos 43 3d-printerë në qytetin e Gjakovës (VIDEO)

Fondacioni “Bonevet” pas përfundimit të fushatës “Bashkojuni luftës” ka vendosur 43 3D printerë të rinj në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Stafi dhe studentët e përfshirë në këtë fondacion janë të lumtur që kanë arritur ta realizojnë këtë projekt.

“Të dashur mbështetës,

Pas përfundimit të fushatës sonë “BASHKOJUNI LUFTËS”, BONEVET është krenar të njoftojë se e kemi tejkaluar qëllimin, dhe se kemi instaluar dhe kemi vendosur në funksion tashmë të gjithë 43 3D-printerët e rinj të cilët janë duke prodhuar mburoja të fytyrës me fuqi të plotë.

Duke marrë parasysh që kemi mbledhur 65% të shumës së kërkuar vetëm në 24 orë, dhe duke mbajtur parasysh kohën e gjatë të arritjes për 3D-printerët, ne kishim vendosur të porositen pajisjet nga furnizuesi ynë menjëherë pas fillimit të fushatës.

Stafi dhe studentët e BONEVET janë krenarë. Ne jemi mirënjohës për përkrahësit tanë dhe kemi mësuar shumë nga fushata ‘crowdfunding’.

Ne kemi fituar aftësi të reja dhe jemi më të fortë dhe presim sfida dhe mundësi të reja.

Faleminderit,
Ekipi BONEVET”, thuhet në njoftimin e tyre. /KultPlus.com

Kompania kineze e bindur në efikasitetin e vaksinës për Covid-19

Shkencëtarët kinezë që po punojnë për vaksinën ndaj COVID-19 kanë thënë për Sky News se janë “99 për qind” të sigurt se ajo do të jetë efektive.

Sinovac, kompania bioteknologjike me bazë në Pekin, aktualisht e ka vaksinën e saj për COVID-19 në fazën e dytë të testimit, me më shumë se 1000 vullnetarë pjesëmarrës.

Kompania ka thënë se është në diskutime preliminare për të mbajtur fazën e tretë të testimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Faza e tretë është e fundit e testimeve.

Luo Baishan, studiues në Sinovac, është pyetur nëse mendon se vaksina do të jetë e suksesshme.

“Po, po. Duhet të jetë e suksesshme. 99 për qind”, ka thënë ai.

Muajin e kaluar kjo kompani publikoi rezultatet në një revistë akademike. Sipas kompanisë, vaksina e quajtur CoronaVac mbron majmunët nga infeksioni me koronavirus.

Problemi më i madh me të cilin po përballet kompania, është numri i vogël i rasteve me COVID-19 në Kinë. Kjo e bënë testimin e vaksinës në një situatë epidemike të vështirë. Për këtë kompania po kërkon vend tjetër për testimet e fazës së tretë.

“Po flasim me disa vende evropiane dhe mendoj se kemi diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht është faza preliminare për diskutim”, ka thënë Helen Yang, udhëheqëse në kompani.

Kompania po përparon sa i takon prodhimit, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet, raporton Sky.

Në selinë e kompanisë pakot e vaksinës me ngjyrë të portokalltë dhe të bardhë janë gati për shpërndarje. Synimi i angazhimit të dyanshëm është që prodhimi masiv të fillojë menjëherë, nëse provat dalin të suksesshme dhe vaksina merr lejen për përdorim.

Synohet prodhimi i 100 milionë dozave, në një fabrikë në tjetër pjesë të Pekinit.

Vaksina megjithatë nuk do të jetë gati së shpejti. Duhet të kalojnë disa muaj në fazën e dytë para se të mund të fillojë faza e tretë. Më pas, nëse testimi del i suksesshëm, duhet që vaksina të miratohet. /KultPlus.com