Zemaj: Do themeloj “Institutin për Nënën dhe Fëmijën” (FOTO)

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se do themelojë “Institutin për Nënën dhe Fëmijën”.

Në llogarinë e tij të Facebook-ut ai ka njoftuar se si ministër, në mënyrë të veçantë po e përkrahë krijimin e familjeve të reja dhe me avancimin e shërbimeve shëndetësore të mos ketë nevojë për trajtime mjekësore jashtë Kosovës.

Zemaj po ashtu konfirmoi se përkrahja me nga 300 euro për personelin shëndetësor do të vazhdojë edhe për muajt sa do zgjasë pandemia.

Shtypi gjerman vlerëson lart filmin “Exil” të Visar Morinës

Filmi “Exil” i Visar Morinës, regjisorit shqiptar nga Kosova që jeton në Gjermani, këto ditë është temë e shumë shkrimeve në shtypin gjerman. Për të është shkruar edhe më parë në superlativ, por  publicitet më i madh po i jepet në veçanti tani për faktin se filmi do të fillojë të shfaqet më 20 gusht në rrjetin e kinemave të Gjermanisë.

Regjisori Visar Morina është i njohur për publikun gjerman dhe atë ndërkombëtar edhe me filmin e tij të suksesshëm “Babai”.

Në vazhdim pjesë nga shkrimet e mediave të ndryshme gjermane, (si Kultur.de; pointer.de etj.) në lidhje me subjektin e filmit “Exil”.

Xhaferi është një inxhinier farmaceutik 45 vjeç, i cili ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani. Ai është i martuar me gjermanen Nora (Sandra Hüller) dhe kanë bashkë tre fëmijë, transmeton albinfo.ch. Filmi na tregon jetën e tij të përditshme, e cila merr një kthesë për të keq në momentin kur ai gjen një mi të ngordhur në portën e tij.

Ky gjest për të është fare qartë, me motiv racist. Kështu, ai fillon të shohë racizmin prapa të gjitha problemeve të tij dhe gradualisht, me sjelljen e tij paranojake, largon familjen dhe miqtë. A është i arsyeshëm shqetësimi i tij? Apo ndoshta është vetë fajtor për situatën që po kalon?

E gjitha është një udhëtim i errët në mendjen e një njeriu që ndjen se po trajtohet padrejtësisht nga bota që e rrethon. Me këtë rast regjisori Visar Morina dhe ekipi i tij arrijnë të empatizojnë audiencën me këtë njeri.

Rolin e Xhaferit e luan aktori i njohur gjerman me prejardhje kroate, Mišel Maticevic. Ai këtu ka detyrën që dashamirësit mesatarë të kinemasë t`i bëjë të kuptojnë një njeri në një situatë në të cilën ata vetë kurrë nuk do të jenë … Dhe, Maticevic e menaxhon shumë mirë këtë, përcjell albinfo.ch. Ai krijon një realitet të perceptuar të një njeriu delirant, të cilin e kemi të vështirë ta kuptojmë. Gruaja e tij Nora është në një mënyrë në të njëjtën situatë sikur shikuesi.

“Exil” është një projekt ambicioz që adreson  në një mënyrë jo konvencionale çështje serioze si racizmi dhe ngacmimi (mobingu). Dilema e ngatërruar në mes të racizmit të vërtetë dhe paranojës e përshkon në fakt gjithë filmin. Dhe duket se vetë regjisori Morina e njeh më së miri këtë fushë: përvojat e tij personale me racizmin që përjetohet në përditshmëri gërshetohen në këtë film, transmeton albinfo.ch. Ai tregon sesi racizmi dhe paranoja shkojnë krah për krah dhe ushqejnë njeri-tjetrin.

Megjithatë, filmit duhet t`i bëhet një vërejtje për faktin se duke qenë në thelb një histori rreth racizmit, bëhet histori që rrezikon të relativizohet. “Exil” nuk është një film për të ndjerë kënaqësi kur ta shikosh. Ai është më shumë një përvojë kërkuese që mund ta bëjë shikuesin të ndihet pakëndshëm. Por kjo është arsyeja pse padyshim ia vlen të shikohet në kinema.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës: Titulli origjinal: “Exil”; Drama; D, Bel, RKS 2020; Regjisori: Visar Morina; Skenari: Visar Morina; Aktorët: Mišel Maticevic, Sandra Hüller, Rainer Bock, Thomas Mraz, Flonja Kodheli; distribucioni: Alamode Film. Shfaqja në kinema fillon më 20 gusht 2020. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Foto: Alamode Film

“Kur mbyllet njëra derë, hapet një tjetër, por ne shikojmë aq gjatë kah dera e mbyllur saqë nuk vërejmë atë që është hapur”

Thëniet më të mira për lumturinë.

Njeriu është i palumtur sepse nuk di të jetë i lumtur; kur ka për ta ditur, do të jetë i lumtur në po atë çast.

Kemi plot detyra në jetë që i nënvlerësojmë. Por nuk ka detyrë më të nënvlerësuar sesa detyra për të qenë i lumtur.

Lumturia më e madhe nuk qëndron në mosrënien kurrë, por në ringritjen gjithnjë pas çdo rënie.

Njeriu i pasur në vetvete është si ajo dhoma e ndritshme, e ngrohtë dhe e qetë në një natë dimri në furtunë.

Pyesni veten nëse jeni të lumtur dhe do të pushoni së qenuri i tillë.

Lumturia që fitojmë nga vetja është më e madhe sesa ajo që fitojmë nga rrethi ynë.

Të jesh i lumtur do të thotë të jesh i mjaftueshëm në vetvete.

Lumturia e njeriut përbëhet prej përdorimit të lirë të fuqive të tij mendore.

Njeriu që ka lindur me një talent gjen lumturinë më të madhe atëherë kur ai mundet ta vërë atë në përdorim.

Lumturi do të thotë të kryesh punë që kanë për të qenë të qëndrueshme; plot shpirt dhe të mbara, cilatdo qofshin ato.

Është një gabim trashanik që njeriu të bëjë fli atë që ka në vetvete për të jashtmen, të japë lirinë qoftë dhe pjesërisht, të japë qetësinë për komoditet, gradë, famë dhe nder.

Të tregohemi të kujdesshëm, të mos ecim symbyllur e të merremi me punë që nuk i përshtaten vetive tona, sepse sakrifikojmë lumturinë.

Shumica e njerëzve punojnë si miza dheu nga mëngjesi deri në darkë për të shtuar florinjtë dhe askujt s’i bie ndër mend të shtojë kulturën, pra të pasurojë gjendjen intelektuale, megjithëse kjo e fundit i shërben shumë lumturisë.

Lumturia në pjesën më të madhe të saj përbëhet prej qetësisë dhe mendimit të lirë e vetëveprues.

Në botë vërtetohet përditë se lumturia luftohet prej dy armiqve: dhembjes dhe mërzitjes; dhe ne zakonisht sa herë i shpëtojmë njërës i afrohemi tjetrës.

Sa më e madhe të jetë pasuria e brendshme, aq më pak mbetet vend për mërzinë, aq më pak njeriu do të ketë nevojë për njerëz të tjerë, sepse, aq më pak të tjerët mund t’i shërbejnë atij.

Njeriu i rëndomtë e mbështet lumturinë e vet në sendet të jashtme si pasuria, grada, shoqëria, dhe kur i humb këto, bie në dëshpërim dhe i shkatërrohet jeta.

Në kohën e pleqërisë, kur dashuria na lë, gjithashtu na lënë edhe kënaqësitë shoqërore, udhëtimet, kur shokët e farefisin i rrëmben vdekja; në këtë kohë më shumë se kurrë njeriu gjen mburojën e vetvetes.

Të kërkosh lumturinë në këtë jetë: ja shpirti i vërtetë i kryengritjes.

Lumturia është fitorja më e madhe e njeriut; ajo është përgjigja e qenies së tij në një drejtim frytdhënës për vetveten dhe për botën rreth tij.

Një njeri, interesi i të cilit gjithmonë drejtohet në anën e jashtme, mendon se lumturia gjendet jashtë tij, përderisa ai nuk vështron brenda vetes dhe ta zbulojë burimin në vetvete.

Mësova se të gjithë duan të jetojnë në majën e malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë qëndron te mënyra se si zbret në një log të fshehur nga maja të thepisura.

Një njeri që e ka pranverën në shpirt e vet, di ta gjejë pranverën në çdo stinë.

Suksesi është të arrish atë që do. Lumturia është të duash atë që ke. Ndaj lumturia është shëndet i mirë dhe kujtesë e keqe.

E vetmja gjë që ia vlen të kesh në jetën mbi tokë është ndjenja e humorizmit.

Ai që ka guximin për të qeshur është zot i botës pothuajse po aq sa ai që është i gatshëm për të vdekur.

Ndryshimi është ligji i jetës. Ata që shohin vetëm të kaluarën ose të tashmen, janë të prirur të humbasin të ardhmen.

Kur mbyllet njëra derë, hapet një tjetër. Por ne shpesh dhe me keqardhje shikojmë aq gjatë kah dera e mbyllur, saqë nuk vërejmë atë që është hapur.

Të gjitha gjërat e mëdha janë të thjeshta dhe shumë prej tyre mund të shprehen edhe me një fjalë të vetme: Liri, Drejtësi, Nder, Detyrë, Mëshirë, Shpresë. / KultPlus.com

Agroturizmi një realitet i ri, domethënës në rivitalizimin e zonave rurale dhe vlerë e shtuar e shijes dhe eksperiencës shqip

Agroturizmi po bëhet gjithnjë e më shumë  tërheqës, veçanërisht për ata që rrënjët i kanë të lidhura me fshatin.

Në fshatin “Katund i Vjetër” të Rubikut, lulëzon në mes pemëve dhe përroit, një shembull i zhvillimit rural për të gjithë zonën, e cila njihet për burimet e ujit dhe gjelbërimin e kodrinave përreth.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga agroturizëm “Dini” në Rubik, ndërsa thekson se “agroturizmi një realitet i ri, por domethënës në rivitalizimin e zonave rurale, alternativë dhe vlerë e shtuar e destinacioneve turistike, në ofrimin e kulinarisë tipike shqiptare, shijes dhe eksperiencës shqip”.

Administratori i bujtinës “Dini”, Ariel Marku, tha se “ne për vizitorët tanë përveç komoditetit dhe rehatisë që ofron pjesa e bujtinës ne ofrojmë edhe ushqime bio, të marra nga fshatrat e zonës”.

“Kam qenë gjithmonë me parimin se nuk mund të ecim dot përpara pa e ditur rrënjët tona”, – shprehet Marku.

“Bujtina Dini” model i agroturizmit, është një biznes familjar tashmë i konsoliduar, me produkte lokale dhe disa të punësuar. Mjaft e preferuar dhe nga turistët e huaj, kjo zonë ofron ajër të pastër, qetësi dhe gatim të mirë.

Bujtina është investuar me ndihmën 50% nga AZHBR, pas iniciativës së djalit të familjes Marku, për të aplikuar në masën e “Agroturizmit” dhe për të ngritur një shërbim cilësor në mes të natyrës.

Një ide origjinale për këtë fshat në zhvillim që po merr vëmendje çdo ditë e më shumë edhe nëpërmjet programit të “100 fshatrave”./atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fklosiblendi%2Fvideos%2F351558776005981%2F&show_text=0&width=560

“Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë”

Oscar Wilde ishte një njeri me opinione të forta, zgjuarsi të pakrahasueshme dhe një aftësi të jashtëzakonshme dhe tragjike për të dashuruar.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Në vitin 2007 Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij, shumica e të cilave janë të përzgjedhura nga këto vepra:

Bëhu vetvetja, të gjitha vendet e tjera janë të zëna.

Një poet mund t’i mbijetojë çdo gjëje, por jo një gabimi shtypi.

Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.

S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.

Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është se çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

Ai që s’di të mësojë, jep mend.

Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.

Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.

Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.

Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.

Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.

Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.

E vetmja mënyrë sjelljeje me një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.

Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.

Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.

Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.

Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.

Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë.

Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.

Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.

Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të ikin.

Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.

Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme.

Unë jam aq i zgjuar sa nganjëherë nuk e kuptoj një fjalë të vetme të asaj që jam duke thënë.

Arsimi është një gjë e admirueshme, por është mirë të mbani mend nga koha në kohë që asgjë që vlen për ta ditur nuk mund të mësohet.

Midis burrave dhe grave nuk mund të ekzistojë miqësia. Ekzistojnë pasioni, armiqësia, adhurimi, dashuria, por jo miqësia.

Gratë janë bërë për t’u dashur, jo për t’u kuptuar.

Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.

Njeriu është shumë pak vetvetja, kur ai flet për veten e tij. Jepini atij një maskë, dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën.

Kur burrat i duan gratë, ata u japin atyre vetëm pak nga jeta e tyre. Por gratë, kur ato të duan, të japin gjithçka.

Egoizmi nuk është të jetosh si ke dëshirë për të jetuar, egoizmi është t’iu kërkosh të tjerëve të jetojnë si ke ti dëshirë për të jetuar.

Pasuritë e zakonshme mund t’i vjedhësh; pasuritë e vërteta kurrë nuk mund të vidhen. Në shpirtin tuaj janë pafundësisht gjëra të çmuara të cilat askush nuk mund t’jua marrë.

Është absurde t’i ndajnë njerëzit në të mirë dhe të këqij. Njerëzit janë ose simpatikë ose bajatë.

Unë kam shije të thjeshta. Unë jam i kënaqur gjithmonë me të mirën.

Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre janë një citat.

Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.

Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.

Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit.

Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre. Kjo është tragjedi e tyre. Asnjë burrë nuk bëhet i tillë. Kjo është tragjedia e tyre.

Pakëz sinqeritet është një gjë e rrezikshme, dhe shumë sinqeritet është absolutisht fatal.

Një njeri që nuk mendon për vete, nuk mendon fare.

Nëse dikush nuk mund të kënaqet duke lexuar një libër përsëri e përsëri, nuk ka kuptim ta lexojë atë fare.

Burrat martohen sepse ata janë të lodhur, gratë, sepse ato janë kurioze, të dyja palët zhgënjehen.

Gjithçka popullore është e gabuar.

E qeshura nuk është aspak një fillim i keq për një miqësi, dhe është tejet e mirë për t’i dhënë fund një miqësie.

Demokracia nënkupton thjesht kamzhikosje e popullit nga populli për popullin.

Jeta nuk është e drejtë, dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë për shumicën prej nesh që ajo nuk është e tillë.

Të mashtrosh të tjerët. Kjo është ajo që bota e quan një romancë.

Kur perënditë dëshirojnë të ndëshkojnë, ata iu përgjigjen lutjeve tona.

Çfarë është një cinik? Një njeri që e njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.

Moraliteti është thjesht qëndrimi që mbajmë ndaj njerëzve të cilët ne personalisht nuk i pëlqejmë.

Unë ndonjëherë mendoj se Zoti në krijimin e njeriut disi e mbivlerësoi aftësinë e tij.

Sa herë që njerëzit bien dakord me mua, unë gjithmonë ndjej se duhet të jem i gabuar.

Sa kohë që një grua mund të duket dhjetë vjet më e re se vajza e saj, ajo është tejet e kënaqur.

Ambicia është streha e fundit e dështimit.

Nuk ka asnjë mëkat përveç marrëzisë.

Shoqëria ekziston vetëm si një koncept mendor; në botën reale janë vetëm individët.

Bota është një skenë, por drama është luajtur keq.

Kur një burrë ka dashur dikur një grua, ai nuk do të bëjë asgjë për të, me përjashtim të vazhdojë dashurinë ndaj saj.

Gratë na duan për defektet tona. Në qoftë se ne kemi mjaft prej tyre, ato do të na falin gjithçka, edhe intelektin tonë gjigant.

Urrejtja është e verbër, si dashuria.

Gruaja fillon duke iu rezistuar vardisjeve të një burri dhe përfundon duke bllokuar tërheqjen e tij.

Pesimist: Njeriu që, kur ka për të zgjedhur mes dy të këqijave, i zgjedh të dyja.

Librat që bota i quan të pamoralshme janë libra që ia tregojnë botës turpin e vet.

Biseda rreth motit është streha e fundit e fantazisë.

Kam vënë të gjithë gjenialitetin tim në jetën time, kam vendosur vetëm talentin tim në veprat e mia.

Më pëlqejnë personat më shumë se parimet, dhe më pëlqejnë personat pa parime më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

Gratë nuk janë të çarmatosura nga komplimentet. Burrat gjithmonë janë. Ky është dallimi në mes gjinive.

Tallja është haraçi që mediokrit ia paguajnë gjeniut.

Nëse dikush luan muzikë të mirë, njerëzit nuk dëgjojnë dhe në qoftë se dikush luan muzikë të keqe njerëzit nuk flasin.

Pyetjet nuk janë të pamatura, përgjigjet nganjëherë janë.

Avantazhi i emocioneve është se ato na çojnë në humbje.

Të edukuarit mirë grinden me njerëzit e tjerë. Të mençurit grinden me vetveten.

Ka shumë gjëra që ne do t’i hidhnim tutje në qoftë se ne nuk do të kishim frikë se të tjerët mund t’i marrin ato.

Jeta e vërtetë është shumë shpesh jeta të cilën njeriun nuk e jeton.

Për të fituar popullaritet duhet të jesh mediokër.

Në moment që ju mendoni se e kuptoni një vepër të madhe arti, ajo është e vdekur për ju.

Si e rrënon martesa një burrë! Ajo është demoralizuese sa cigaret, dhe shumë më e shtrenjtë.

Një nga mësimet e shumta që mëson në një burg është se gjërat janë ato që ata janë dhe do të jenë ato që do të jenë.

Është më mirë të kesh të ardhura të përhershme sesa të jesh interesant.

Njeriu mund të besoj të pamundurën, por njeriu kurrë nuk mund të besojë të pamundshmen.

Detyra e parë në këtë jetë është të jemi sa më sipërfaqësorë që të mundemi. Se cila është detyra e dytë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë ende.

Bota është krijuar për burrat, jo për gratë.

Nuk duhet t’i besojmë kurrë një gruaje që na tregon moshën e saj të vërtetë. Ajo që tregon moshën është gati të tregojë gjithçka.

Unë gjithmonë jap këshilla të mira. Është vetmja gjë që mund të bëj me to. Ato nuk kanë asnjë vlerë për mua. / KultPlus.com

Viti i ri akademik do të fillojë në formë të kombinuar

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 14 gusht, shqyrtoi procesin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/21, në situatën e vazhdueshme të pandemisë COVID-19.

Në këtë konferencë u theksua gatishmëria e të gjitha universiteteve publike të Kosovës, që vitin akademik ta fillojnë me kohë, më 1 tetor.

Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar, në atë virtuale dhe fizike.

Disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e ri, duke respektuar masat antiCovid-19.

Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj., do të vazhdohen në formatin online.

Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për datën 29 gusht, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj.

Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor. / KultPlus.com

Revista prestigjoze ‘Forbes’ shkruan për Drejtorin e Kolegjit Universum


Kolegji Universum po vendos Kosovën në hartën e botës. Së fundmi revista pretigjoze amerikane Forbes ka intervistuar Drejtorin e Kolegjit Universum Alejtin Berishën si ndërmarrës që po transformon arsimin në Kosovë.   

Intervisten mund ta lexoni në këtë link: How This Entrepreneur Built A Distance Learning Program Based On The Finland’s Best Education Practices.Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.  

Deri tani Kolegji Universum ka nënshkruar marrëveshje me 124 universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Deri sot 263 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi. Mëso më shumë https://www.universum-ks.org/bursa-nderkombetare/

Për më shumë informata rreth Kolegjit Universum kontakto [email protected] apo +383 44 144 062 apo ndiqni faqen në facebook & instagram

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Qeveria merr vendimin, hapen shkollat në shtator

               

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për hapjen e shkollave në shtator.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila tha se nxënësit do të ndahen në grupe të vogla nëpër klasa, duke e zhvilluar mësimin me turne.

“Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat”, tha ministrja mes të tjerash. /Gazeta Liberale/ KultPlus.com

Nurkollari: Mungesa e atmosferës së veçantë që krijohej nga “DokuFest”, ka ndikuar negativisht tek qytetarët dhe bizneset e Prizrenit

Suada Qorraj

Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” shënoi hapjen e edicionit të tij të 19-të me 7 gusht, por këtë herë me një transformim të imponuar. Për herë të parë në historinë e tij “DokuFest” u bart në sferën digjitale, si shkak i pandemisë COVID-19. “DokuFest” këtë vit solli magjinë u rrugëve të Prizrenit, brenda shtëpive të secilit prej nesh, shkruan KultPlus.

Ndonëse stafi ishte përgatitur për një edicion hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, kurse pjesa tjetër në kinema, një gjë e tillë nuk arriti të realizohet sepse në vend u krijuan rrethana të reja e një shpërthim edhe më i madh i pandemisë.

Hapja e këtij festivali u bë në Prizren, pa praninë e publikut, në kinematë ku karriget kishin mbetur të zbrazura, në vend të gjallërisë së publikut heshtja mbizotëronte në qytetin e bukur të Prizrenit.

Festivali i këtij viti që nga nata e parë ishte i mbushur me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore online. Në tetë seksionet garuese të këtij edicioni garonin 90 filma nga 51 vende të botës. Madje në mesin e tyre ishin tetë filma që bënin pjesë në programin e ri garues, TRUTH, program ky që ju dha hapësirë dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese.

Për të mos i munguar publikut as këtë vit, “DokuFest” ka bashkëpunuar me Festivalin Scope dhe Shift72 në mënyrë që të garantojnë përvojën më të mirë të transmetimit online. 

Më qëllim që të përshkruajnë transmisionin që përjetuam si shoqëri edhe tema e këtij viti erdhi ndryshe prej herëve tjera. Nëpërmjet “Transmision”, organizatorët i sollën publikut një eksperiencë që në atë kohë ishte eksperimentale, një transformim digjital të kinemave.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari në një intervistë për KultPlus ka rrëfyer përvojën e tyre me edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Sipas tij “DokuFesti” i këtij viti ka shënuar çudinë, risinë por edhe ka qenë i mbushur me përplot sfida.

“Duke qenë se kjo ishte hera e parë e realizimit të komplet festivalit në formën online, përvoja ishte sa e çuditshme aq interesante dhe plotësisht risi për të gjithë neve që ishim të involvuar. Nevoja për të mësuar dhe implementuar gjërat të cilat nuk i kemi bërë asnjëherë ishte ndër përvojat më sfiduese por edhe më plotësuese”, ka thënë ai.

Nurkollari ka theksuar se njëra nga vështirësitë kryesore për këtë edicion ka qenë mungesa e IP adresave të Kosovës, gjë që edhe pamundësonte vendosjen e vendit në hartën e shteteve në Internet. Koha e shkurtër që kishin në dispozicion për realizimin e kësaj ka sjell mjaft vështirësi.

“Ndër vështirësitë kryesore më duhet të ceki njërën sidomos, e ajo ishte mungesa e IP adresave të Kosovës, që në praktikë e pamundëson vendosjen e Kosovës në hartën e shteteve në Internet. Në sferën virtuale shtetet identifikohen me IP adresa dhe për këtë shkak dhe për të mundësuar që filmat nga portali online i DokuFest-it të mund të shihen kudo në Kosovë na është dashur të negociojmë me autorët dhe bartësit e drejtave të filmave që, përveç Kosovës, filmat të jenë të qasshëm edhe nga Shqipëria dhe një pjesë e Ballkanit Perëndimor. Natyrisht edhe koha e shkurtër për të siguruar që çdo gjë të funksionoj në portal ishte ndër sfidat kryesore, por jo domosdoshmërisht vështirësi”, ka deklaruar ai.

Tutje Nurkollari nuk ka lënë pa përmendur edhe mungesën që i është shkaktuar qytetit të Prizrenit, sipas tij atmosfera e veçantë që krijohej nga “DokuFest”, ka ndikuar negativisht tek qytetarët dhe bizneset.

“DokuFest-i është i njohur me atmosferën e veçantë, me numrin e madh të publikut, me aktivitete dhe takime të shumta, si në kinematë ashtu edhe në ngjarjet tjera dhe natyrisht shumë nga këto na kanë munguar. Atmosfera festive iu ka munguar edhe qytetarëve gjithashtu, ndërsa bizneseve të ndryshme në Prizren mungesa e numrit të madh të vizitoreve ju ka ndikuar mjaft negativisht”, ka thënë Nurkollari.

Ai ka shtuar se komentet e deritanishme që kanë marrë nga pjesëmarrësit kanë qenë pozitive, ndonëse është e vështirë që të mbledhësh mendime nga pjesëmarrësit në formën virtuale. Por, ai shpreson që viti i ardhshëm t’i gjejë së bashku qytetin e Prizrenit dhe “DokuFestin”, në mënyrë që të ftojnë edhe pjesëmarrësit e këtij viti dhe të kompensojnë atë se çka shënoj mungesë në edicionin e 19-të.

Për përvojën në pjesëmarrjen online të këtij festivali KultPlus që nga ditët e para të “DokuFestit” ka realizuar intervista me regjisor të ndryshëm, të cilët janë shprehur të entuziazmuar për faktin se edicioni i sivjetmë do të jetë i qasshëm për një numër më të madh të njerëzve, e kësisoj do të sjellë edhe më shumë shikueshmëri të filmave, por sipas tyre ky edicion nuk do të sjellë përjetimet e njëjta që mund të kesh në kinema.

Regjisorja e filmit “As if Biting Iron”, Stephanie Rizaj ka thënë se filmi i saj është krijuar për t’u parë në ekran të dyfishtë, me një projektor të madh, pasi që zërimi luan një rol të rëndësishëm. Por sipas saj versioni online do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe.

“Të shikuarit e filmit në një kinema fizike do të kishte një ndikim ndryshe te shikuesi, por edhe versioni online besoj se do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe”, është shprehur regjisorja për KultPlus.

Ndërkaq regjisori Dhimitër Ismjali, ka theksuar se është inkurajuese kur merr pjesë në festivale që kanë reputacion për drejtësi dhe paanësi. Madje për të “Dokufest-i” ka një vend të veçantë sepse ka një mënyrë unike të realizimit. Sipas tij puna që kanë bërë organizatorët përgjatë këtyre 19 viteve dëshmon forcën kulturore të këtij festivali.

“Për mua “Dokufest” ka një vend special sepse është unik në organizim dhe larmin e projekteve, sikurse dhe për faktin që kur ja kanë nis kësaj rruge, janë hasur pak a shumë me të njëjtat probleme dhe vështirësi që jam hasur edhe unë apo shumë kineastë të tjerë, pra me vështirësi financiare, me cinizmin e të tjerëve apo duke pasur edhe dilemë për sukses. Por, fakti që mbas 19 vitesh festivali nga një dhomë e vogël është bërë një forcë e madhe dhe e rëndësishme kulturore për rajonin, dëshmon në punën kolosale dhe besimin e organizatorëve në projektin e tyre”, ka pohuar Ismailaj.

Ndarja e çmimeve të Dokufestit u bë natën e 15 Gushtit, ku dhe juria e Ballkanit ishte shprehur e lumtur me pjesëmarrjen që kishte pasur në këtë edicion.

Edicioni i sivjetëm i “DokuFestit” do të vazhdoj deri më 25 gusht ku publiku do të ketë mundësinë t’i shikoj filmat në platformën online, si dhe të marr pjesë në diskutimet që organizohen në kuadër të programit për këtë vit. / KultPlus.com

Dhjetë foto mahnitëse të natyrës shqiptare

Shqipëria megjithëse një vend i vogël si sipërfaqe, ka një listë të madhe bukurish natyrore. Arsyeja kryesore për këtë është larmia gjeografike e vendit tonë. Natyra e virgjër dhe misteret kulturore kombinohen për të krijuar një ndjenjë të veçantë të vendit.

Nga malet të mbuluar me dëborë në dimër në fushat e mbuluara nga lule në pranverë si një tapet i butë që i dhuron një kolorit sezonit pranveror. Peizazhi i Shqipërisë është gjithnjë në ndryshim me stinët duke ofruar të apasionuarve të eksplorimit mundësinë për të shijuar një pushim të ngrohtë në plazh në verë ose një udhëtim malor në ajër të freskët dhe të ftohtë në vjeshtë.

Prej mëse 5 vitesh Granit Temaj një ndër aventurierët e turizmit të trojeve Shqiptare, ka arritur të fiksoj me aparatin e tij bukuri të shumta, mes relievit të thyer alpin apo edhe Rivierës Shqiptare. Vitet e fundit, ai ka bërë një planifikim të jetës dhe identifikimit të destinacioneve duke i kthyer ato jo vetëm në hobi, por me tepër në përjetime jetësore. Zgjimet në mes të pyllit, netët pranë një zjarri kampi dhe ecjet në natyrë e lumturojnë pa masë. Ai ka edhe blogun e tij, Alpventurer, që për objektiv ka promovimin e destinacioneve aventuriere. Për IntoAlbanian, Graniti sjellë copëza nga bukuritë Shqiptare. / KultPlus.com

1. Bovillë – Tiranë

2. Vaskat e Gurit në Ndërlys ë Thethit

3. Kepi i Rodonit, Durrës

4. Alpet Shqiptare. Maja e Shkëlzenit, Tropojë

5. Maja e Kalabakut, Kukës

6. Has, Maja e Pashtrikut

7. Gjiri i Gramës

8. Lumi i Shalës

9. Maja e Rosit, Tropojë

10. Syri i Kaltër, Theth

Emina Cunmulaj nuk i harron ushqimet tradicionale



Emina Cunmulaj gatuan ushqime tradicionale shqiptare. Modelja e njohur shqiptare, Emina Cunmulaj asnjëherë nuk e ka harruar vendin prej nga vjen.

Madje, siç transmeton BW, nuk i ka harruar as ushqimet tradicionale të cilat e shohim shpesh duke i gatuar.

Duke qenë se është aktive në rrjete sociale, këtë e bën me publikimin e fotografive apo videove të ndryshme. Ajo ka na treguar se gatuan shumë mirë byrekun dhe shumë ushqime të tjera shqiptare.

Së fundmi modelja shqiptare ka treguar momentin e përgatitjes së vaktiti të drekës për vajzën e saj, që është buke, djathë, domate, kastraveca dhe ullinj. Ajo tregon se si ishin sanduiçët kur ishte e vogël, thjesht bukë me djathë e domate. / KultPlus.com

Obama shpalos listën e hiteve që po dëgjon, në mesin e tyre edhe kënga e Dua Lipës

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpalosur listën e këngëve që ai dhe familja e tij po dëgjojnë më së shumti këtë verë. E në mesin e këtyre këngëve është edhe një këngë nga Dua Lipa.

Siç bën secilin vit, Barack Obama edhe për këtë verë ka zbuluar listën e këngëve që ai ka dëgjuar më së shumti gjatë sezonës.

Obama me anë të një postimi ka treguar se gjatë muajve të fundit, ai ka kaluar shumë kohë duke dëgjuar muzikë me familjen e tij dhe ka dashur të ndajë disa nga më të preferuarat nga vera, përcjell Gazeta Express.

E në mesin e shumë hiteve dhe këngëve kryesisht të artistëve me ngjyrë, ish-presidenti i SHBA-së ka përfshirë edhe një artiste shqiptare.

Bëhet fjalë për Dua Lipën dhe bashkëpunimin e saj me artistët latinë, J Blavin e Bad Bunny dhe këngën e tyre ‘Un Dia’.

E duket se depërtimi i Duas në Amerikë po shkon shumë mirë, sidomos pas publikimit të albumit të dytë, Future Nostalgia./ KultPlus.com

Festivali ‘ReMusica’ vjen me një format të ri

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, sivjet, vjen në një format të ri, format i kushtëzuar nga rrethanat dramatike që është duke kaluar njerëzimi, përcjellë KultPlus.

“Kemi qenë të shtrënguar, ashtu si edhe ndërmarrjet të tilla të ngjashme në botë, t’i kthehemi punës dhe t’i përkujtojmë vlerat fundamentale të ekzistencës”, thonë organizatorët.

Në përpjekjet që të dilet nga ky boshllëk, në horizont shfaqet shpresa si filozofi shumë e hollë e jetës – shpresa për ndryshim, shpresa për jetë, shpresa e gëzimit, shpresa e këngës, shpresa e botës së tingujve, shpresa e lumturisë. Shpresa shfaqet mu atëherë kur gjithçka duket e humbur. Ajo ngadhënjen mbi dëshpërimin (si mëkat i pafalshëm), ajo shkëlqen në fund të mendimeve tona të errëta.

Dhe në fund (apo në fillim?), na duket se koncepti i ringjalljes shfaqet si forcë lëvizëse në arritjen e një bote më të mire, më të lumtur. Pandemia zbuloi problemet fundamentale të mënyrës së jetesës dhe kjo ringjallje duhet të shërbej në adresimin e këtyre problemeve.

Në thelbin e situatës së sotme qëndrojnë fjalët Shpresa dhe Ringjallja – RISE!, thuhet në komunikatë.

“ReMusica” sjell këtë edicion mes datave 7-21 shtator 2020, e për përmbajtjen e programit dhe mënyrën e organizmit, KultPlus do të ju njoftojë në ditët në vijim. / KultPlus.com

Profesori që historinë e shndërron në art

Suada Qorraj

I lindur në qytetin e kullave mes historisë, të bëmave dhe heronjve që përshkruan vendin me vite. Dashurinë e madhe për artin, atdheun por edhe brengën që i erdhi pikërisht atëherë kur liria trokiti në fshatin e vogël ku ishte rritur, arriti ta shprehte përmes vizatimeve, që në atë kohë i ishin shndërruar në të vetmet fjalë, shkruan KultPlus.

Kushtrim Dacaj, profesor i Gjeografisë në Gjimnazin ʺVëllezërit Frashëriʺ në Deçan, ka rrëfyer për KultPlus për ditët e para të “takimit” të tij me lapsin e letrën, e deri në përvetësimin e këtij arti, që sot duhen shumë pak fjalë për ta dëshmuar.

Portretet që deri më sot ka realizuar, shfaqin vlerat kombëtare, heronjtë që pati fatin t’i takoj, por edhe ata të cilët historia ja mësoj.

Dacaj ka thënë se arti për të nuk është veç pasion, ai është një obligim për tokën, popullin por edhe atyre që jetën e dhanë për liri.

“Përveç punës që bëj dhe mësimit që zhvilloj me nxënësit, kohën e lirë e kaloj me punimin e portreteve. Këtë, përveç se e shoh si një pasion timin, gjithashtu e marr edhe si obligim ndaj kësaj toke, këtij populli dhe atyre që dhanë jetën për liri, pra dëshmorëve dhe të rënëve tanë”, ka pohuar ai.

Nuk mban mend se sa portrete ka realizuar deri më sot por sipas tij kjo është mënyra e tij për të përkujtuar figurat e ndritura të kombit, të qyteti ku ai është rritur, vendit që tokës i fali martirë e dëshmorë.

“Kam lindur në Deçan, një vend që ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë për këtë tokë, jam rritur duke dëgjuar për kontributin dhe vuajtjet e vajzave dhe djemve më të mirë të kombit, për çlirimin e trojeve tona. Prandaj, përmes portreteve që i punoj mundohem që tʼi përkujtoj figurat e ndritura të kombit, t’i transmetoj ato te gjeneratat e reja dhe së bashku t’i ruajmë dhe ti nderojmë veprat e tyre”, ka vazhduar Dacaj.

Tutje ai treguar edhe për procesin e krijimit të një portreti, duke theksuar se krahas punës, janë të domosdoshme edhe përkushtimi e vullneti.

“Punimin i një portreti kërkon një përkushtim dhe vullnet të madh. Zakonisht e përzgjedhi një fotografi dhe filloj të marr përmasat e saj të cilat i paraqes në fletë të bardhë (varësisht nga madhësia e fletës). Portretin filloj ta punoj në vija të lehta për të parë saktësinë e tij. Pasi të sigurohem se portreti është brenda parametrave dhe vijave, atëherë kaloj në pjesën e dytë, atë të vendosjes së vijave përfundimtare dhe nxjerrjen e nuancës së fytyrës bashkë me elementet e saj. Portreti me tu mbaruar do të lyhet me një spërkatës përkatës që lapsi të shkëlqej më mirë dhe të jetë më i qëndrueshëm”, ka rrëfyer profesori.

Dacaj ka shtuar se pikturat që ai ka realizuar deri më tani nuk janë për shitje disa prej tyre tashmë i janë dhuruar familjeve të dëshmorëve, shokëve apo edhe artistëve të ndryshëm. Ai ka thënë se nuk ka qëllim promovimin e vetes ngase qëllimi i tij i vetëm është përkujtimi dhe nderimi i figurave të mëdha të kombit. / KultPlus.com

L’unita më 1987: Pesëdhjetë e një vjeç , tridhjetë në skenë, Bekim Fehmiu ‘kthehet’ në kinema pas një mungese të gjatë

Nga Aurenc Bebja 

“L’Unità” ka botuar, të premten e 13 nëntorit 1987, në faqen n°20, një shkrim të gazetares Silvia Garambois në lidhje me filmin e ri  “Un Bambino di nome Gesù” të Bekim Fehmiut dhe mendimin e tij për të, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Fehmiu, Ungjilli sipas Jozefit

Ai është Uliksi. Ajo është një fotomodele e njohur. Së bashku, në shkretëtirën e Tunizisë, ata luajtën historinë e 1987 viteve më parë: arratisja nga Herodi e Jozefit dhe Marias. Një fëmijë me emrin Jezus është filmi televiziv që Franco Rossi (regjizori i Odisesë) sapo ka përfunduar xhirimet për Canale 5 me Bekim Fehmiun, Maria del Carmen San Martin dhe Matteo Bellinën e vogël. Protagonisti na flet për të.

Romë. Historia e një fëmije që njeh frikën, i cili ndihet ndryshe. Një fëmijë i çuditshëm gjithmonë në arrati. I ndjekur dhe i persekutuar. Por sikur të mos ishte për fatin e tij, historia e Jezusit të vogël, marrëdhëniet e tij me nënën, vetmia, shkelja, nuk i përkasin së kaluarës. “Përkundrazi, duket një histori moderne. Rruga në të cilën Jozefi dhe Maria udhëtojnë me fëmijën e tyre është plot me pengesa për arsye politike, në një situatë të turbullt botërore si sot.” Bekim Fehmiu është Jozefi: “Unë nuk do të jem njeriu i mirë që ecën mbas gomaricës, ashtu si në ikonografinë klasike ku Francesco Scardamaglia-s, i cili shkruajti për këtë subjekt, ka treguar përkundrazi për një njeri të aftë për të mbrojtur të birin, dhe gjithashtu e pashë atë si një njeri të fortë për kapacitetin që qenia njerëzore ndonjëherë duhet të fitojë një forcë të jashtëzakonshme përballë vështirësive.”

Pesëdhjetë e një vjeç, tridhjetë në skenë dhe në seriale, Bekim Fehmiu “kthehet” në kinema dhe televizion pas një mungese të gjatë: “Situata e kinemasë në Evropë ka qenë e errët për shumë vite. Kjo është arsyeja pse unë zgjodha të aktroja vetëm në teatër. Kur Franco Rossi, me të cilin kisha punuar tashmë në Odisenë, më ofroi këtë rol, vendosa të rifilloj. Unë isha duke luajtur “Lenini dhe Stalini në Zonjën Kollonlaj” të vënë në skenë në Beograd para se të bëhesha Shën Jozefi dhe nëse nuk më ofrojnë më filma të tjerë të mirë si ky, do të kthehem sërish në teatër.”

Në këtë periudhë, ka shumë filma me frymëzim fetar, nga “Misioni da Thèrese”, nga “Inchiesta a L’ultima tentazione di Gesù Cristo”, projekti i Martin Scorsese. A i lexuat përsëri shkrimet e shenjta përpara se të ballafaqoheshit me personazhin e Jozefit ? “Ky nuk është një film fetar. Është më tepër një film, i cili, në mënyrë indirekte, i përket edhe të tashmes. Sa për mua, dua të shtoj se jam mysliman. Por figura e Shën Jozefit është gjithashtu në Kuran.”

Filmi tregon historinë e jetës së Jezusit nga lindja deri në moshën shtatë vjeçare, arratia në Egjipt, një periudhë e përshkruar mbi të gjitha në Ungjijtë apokrifë, e sjellur për herë të parë në kinema. “Një periudhë që po përballet edhe në një mënyrë të re dhe të rrezikshme, shton Fehmiu – Jo në kuptimin që do të ‘shokojë’ publikun, por mbase do t’a befasojë atë. Për shembull, Jozefi im, i cili di të jetë aq i fortë përballë fatkeqësive, gjithashtu ka momente dobësie. Si çdo njeri. Dhe të gjithë personazhet në film kanë të njëjtën sjellje normale, nga Maria deri tek Jezusi, psikologjia e së cilës është ajo e një fëmije të zakonshëm, të etur për përkëdheljet e nënës.”

Përndjekësi (persekutuesi) i Jozefit dhe i familjes së tij është Sefiri, i dërguari i Herod Antipas-it, një njeri që përfundimisht do të jetë i fiksuar nga dhuna e persekutimit dhe nga ai fëmijë të cilin e ka ndjekur kaq gjatë. Dhe kur më në fund arrin të burgosë Jezusin dhe Marinë, Sefiri, tani i pushtuar nga çmenduria, do të vendosë t’i lërë ata të shpëtojnë.

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/l-unita-1987-pesedhjete-e-nje-vjec-tridhjete-ne-skene-dhe-ne-seriale-bekim-fehmiu-kthehet-ne-kinema-dhe-televizion-pas-nje-mungese-te-gjate-me-kete-film/

Deklarata e papritur e shkencëtarëve: Nuk mjafton distanca 2 metra për t’u mbrojtur nga Covid-19

Shkencëtarët amerikanë thanë se kanë diktuar grimca infektive të koronavirusit deri në një distancë prej 4.8 metrash larg pacientëve të shtruar në spital.

Shkencëtarët thanë se distanca prej 2 metrash e pranuar gjerësisht si normë për distancimin fizik jep një “ndjesi të rreme të sigurisë” dhe mund të bëjë që grupe të mëdha njerëzish të ekspozohen ndaj sëmundjes. Studimi, i kryer në Universitetin e Floridës, nuk i është nënshtruar oponencës nga shkencëtarë të tjerë.

Ndërkohë, një test pështyme për të zbuluar COVID-19 i krijuar nga Universiteti Yale dhe i financuar nga Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) mori të shtunën miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për përdorim emergjence.

SalivaDirect është testi i pestë i pështymës i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për sëmundjen. Ai analizon pështymën e njerëzve që mendojnë se kanë koronavirus.

Testi shihet si më i shpejtë, sepse marrja e rezultatit kërkon më pak se 24 orë. Ai është relativisht i lirë, rreth 10 dollarë, dhe më i thjeshtë, sepse përdor pështymën, pa nevojën e një shtupe hundësh.

Miratimi i testit të ri vjen ndërkohë që numri ditor i testimeve të konfirmuara të koronavirusit të kryera në SHBA ka rënë për herë të parë, megjithë thirrjet e disa zyrtarëve të shëndetit publik dhe atyre federalë për të rritur ndjeshëm testimet.

Disa statistika tregojnë se gjatë muajit gusht, në SHBA u testuan çdo ditë rreth 733,000 njerëz, më pak se muajin paraardhës kur ky numër ishte 750,000.

Rënia mund të ketë lidhje me faktin se është ulur numri i njerëzve që kërkojnë të testohen, pasi numri i rasteve të konfirmuara është stabilizuar pas pikut të arritur gjatë kësaj vere. Gjithashtu, shumë njerëz heqin dorë nga testimi për shkak të kohës së gjatë të pritjes dhe vonesave në marrjen e rezultatit/VOA / KultPlus.com

“Gazetaria është në krizë, sepse sundimi i ligjit është në krizë”

Suada Qorraj

Gjendjen e mediave në krizë! Kështu u tha mbrëmë në diskutimin që u mbajt online në vazhdën e DokuTalks të organizuara nga edicioni i 19-të i festivalit DokuFest. Marija Ristić, Saranda Ramaj, Milan Antonijević, Lindita Tahiri dhe Petrit Sarachini diskutuan edhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes mediave dhe institucioneve relevante për të pasur një ndikim më të madh, shkruan KultPlus.

Fokusi i këtij diskutimi ishte gjendja e gazetarisë hulumtuese në rajon, me një fokus të veçantë në Kosovë dhe Serbi, pasi që gazetarët në këto vende shpesh heqin dorë nga ndonjë storie apo raportim për shkak se përballen me pengesa dhe kërcënime.

Gjatë këtij diskutimi, Petrit Sarachini theksoi se sa e rëndësishme është që të kesh gazetari dhe informacione të sakta në një periudhë pandemike, si kjo në të cilën po kalon bota sot.

“Unë mendoj se është e rëndësishme, sidomos në kohën kur i gjithë njerëzimi po përballet me pandeminë COVID-19. Pandemia ka treguar se sa e rëndësishme është të kesh gazetarinë, si dhe një vend ku mund të marrësh informacionet e duhura, që do tu mundësonte edhe qytetarëve të informohen për gjërat e rëndësishme, ku përmes tyre të arrijnë të marrin vendimet e duhura”, ka thënë ai gjatë diskutimit.

Sipas tij edhe pse sot gazetaria hulumtuese ka shkuar në vende ku deri më sot s’ka arritur as teknologjia sot ka arritur një progres i madh i mediave që nuk e kanë synim informimin e publikut por që t’ju shërbejnë agjendave të caktuara politike dhe ekonomike.

“Mendimi im është që në këtë kohë pavarësisht faktit që gazetaria hulumtuese ka përparuar duke shkuar madje në vende ku teknologjia nuk ka arritur më parë, një përparim më të madh e ka pasur gazetaria senzacionale, prodhuesit e së cilës nuk e kanë për qëllim të informojnë publikun por të shtrembërojnë realitetin në mënyrë që tu shërbejnë agjendave të caktuara politike dhe ekonomike në vendin tonë”, ka potencuar Sarachini.

Ai madje ka theksuar se gjendja e sotme e mediave lidhet edhe me mungesën e një sistemi të mirëfilltë arsimor, ngase sipas tij ai ekzistues deri më sot ka privuar gjeneratat e reja nga dija dhe aftësitë analitike duke krijuar kështu një audiencë lehtë të manipulueshme që mund t’ju shërbejë agjendave politike dhe ekonomike.

Ndërkaq Marija Ristić, gazetare e BIRN, ka thënë se në Serbi por edhe në rajon ekziston një ambient armiqësor për mediat e pavarura dhe zhvillimin e një mendimi kritik.

“Në përgjithësi mendoj se ka një ambient armiqësor për median e pavarur dhe jo vetëm në Serbi, dhe kudo në rajon, ekziston një ambient armiqësor për çfarëdo lloj mendimi kritik”, ka thënë ajo.

Sipas saj kur diskutohet për ndikimin e gazetarisë hulumtuese në publik nuk mund të përfshish të gjithë gazetarët e Ballkanit Perëndimor sepse ndikimi nuk varet vetëm nga puna e mediave.

“Kur bëhet fjalë për ndikim, unë mendoj se është shumë e vështirë të mendosh për të gjithë gazetarët në Ballkanin Perëndimor, sepse ndikimi nuk varet vetëm nga media. Ju mund të publikoni hulumtimin më të mirë që keni, dhe të zbuloni korrupsion të nivelit të lartë si në Serbi, por atëherë ka një hap tjetër, që në thelb është diçka që duhet të përfundohet nga të tjerët. Dhe kur them të tjerëve këtu do të thotë institucione të pavarura, nga agjencia për antikorrupsion, tek avokati i popullit dhe institucionet e tjera të cilat monitorojnë sundimin e ligjit në vendin tonë. Pastaj ka dhe një tjetër aspekt në këtë çështje, ne shpesh herë kemi nevojë për përgjigje nga ana e policisë dhe prokurorisë, por që nuk i marrim, por jo për faktin që gazetaria është në krizë, por sepse sundimi i ligjit është në krizë”, ka theksuar Ristić.

Sipas gazetares, nëse krahason gazetarinë hulumtuese me Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Perëndimore do të vëresh dallime të mëdha sepse një raportim hulumtues rreth korrupsionit në Gjermani do të sillte dorëheqje e ngritje të aktakuzave kurse tek ne sjellë vetëm frustrim që të bënë të pyesësh vetën se mos je duke bërë raportime hulumtuese vetëm për Facebook dhe Twitter që diskutohen hiq më shumë se 7 ditë të javës.

Ndërkaq sipas gazetares së grupit Koha, Saranda Ramaj, në vendin tonë publikimi i një artikulli hulumtues do të sillte një diskutim disa orësh në publik, kjo për faktin se tashmë ekzistojnë një numër i madh i mediave që bëjnë publikimin e artikujve të pafiltruar.

“Pesha e hulumtimit besoj që flitet disa orë në Kosovë për shkak të numrit të madh të mediave dhe artikujve të pafiltruar, pesha e hulumtimit nuk e ka më rëndësinë që e ka pasur”, ka deklaruar Ramaj.

Sipas saj gazetaria hulumtuese tek ne nuk ka pasur një zhvillim të madh, madje sipas saj gazetaria ka pësuar kthim prapa. Ramaj ka theksuar edhe nevojën e profilizimit të gazetarëve, sepse sipas saj, gazetarët që mbulojnë fusha të ndryshme sjellin raportime jo cilësore dhe lehtë të manipulueshme.

Lindita Tahiri, profesoreshë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës ka theksuar se është e rëndësishme që të jemi përherë skeptik ndaj informacioneve që marrim në internet. Sipas saj larja e duarve për njëzet sekonda që është rekomanduar nga OBSH-ja qëndron ekuivalente me marrjen e informacionit sepse çdoherë duhet bërë kërkime më të detajuara.

Gjatë këtij diskutimi panelistët diskutuan edhe për ndikimin që kanë pasur lajmet e rreme gjatë pandemisë së koronavirusit në të gjithë botën si dhe u vu në pah që lajmet e rreme kanë qenë shkaktar i vdekjeve të shumta gjatë kësaj kohe. / KultPlus.com

Dua Lipa kujton jetën si refugjate në “W Magazine”: Askush nuk largohet me dëshirë nga vendlindja

Dua Lipa së fundmi ka pozuar për kopertinën e “W Magazine”. Në një intervistë për revistën e mirënjohur ajo ka folur rreth largimit nga vendlindja, Kosova, si dhe sfidat e emigrimit në rrugëtimin e familjes së saj në Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa, është aktive në industrinë e muzikës. Gjatë periudhës së izolimit, ajo publikoi albumin e saj “Future Nostalgia”, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm.

Ndërsa këtë muaj, Dua ka pushtuar kopertinën e revistës së famshme, W Magazine.

Ajo ka dhënë një intervistë, në të cilën është rrëfyer për karrierën dhe jetën si emigrante.

“Ajo vjen nga një familje “shumë liberale” e muzikantësh (babai i saj ishte këngëtar i grupit ODA, një grup kosovar i muzikës ‘rock’) dhe akademikë (gjyshi i saj ishte një historian), dhe u rrit kryesisht në Londër, por gjuha e saj e parë është shqipja, dhe ajo është vajzë e refugjatëve”, ka shkruar revista e njohur për këngëtaren.

“Në vitin 1992, tre vjet para lindjes së saj, familja e saj u dëbua nga qyteti i lindjes së tyre, Prishtinë, nga forcat nën drejtimin e presidentit serb Slobodan Milosevic. Në kohën kur familja Lipa u rikthye në vendlindje në vitin 2006, kur Dua ishte 11 vjeçare, Kosova kishte duruar një luftë që rezultoi me mijëra vdekje civile, shpërngulje masive të popullsisë dhe krime lufte, për të cilat u akuzuan më vonë një numër zyrtarësh, përfshirë Millosheviçin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, vazhdon më tej shkrimin W Magazine.

“Prindërit e mi gjithmonë ëndërronin të ktheheshin në Kosovë”, ka thënë Dua Lipa.

“Unë mendoj se një gjë që njerëzit nuk e kuptojnë, veçanërisht me situatën e refugjatëve për momentin, është se thjeshtë askush nuk largohet nga vendlindja, përveç nëse dëshiron të kujdeset për familjen e tyre ose janë në kohë krize”, ka thënë më tej këngëtarja.

Kjo nuk është hera e parë që Dua flet për origjinën e saj, në intervista të ndryshme ajo është shprehur se ndjehet krenare për rrënjët e saj. /Albinfo.ch / KultPlus.com

100 vjet, që nga koha kur gratë morën të drejtën e votës në Amerikë

Më 18 gusht 1920, legjislatura e shtetit Tenesi miratoi amendamentin e 19 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara me të cilin grave amerikane iu sigurua e drejta e votës.

Vota e legjislaturës së shtetit Tenesi i dha fund një debati mbarëkombëtar që kishte vazhduar për më shumë se një shekull.

Në vitin 1787, Kushtetuta amerikane u garantoi burrave të bardhë pronarë të drejtën e votës. Më 1869, amendamenti i 15 u dha të drejtën e votimit edhe burrave zezakë dhe ish skllevërve meshkuj, transmeton KP.

Fushata për t’u dhënë grave të drejtën e votës përfundoi me sukses kur kushtetutës amerikane iu shtuan këto fjalë: “Qytetarëve amerikanë nuk do t’u mohohet apo t’u kufizohet e drejta për të votuar nga qeveria federale apo qeveritë shtetërore për shkak të gjinisë”.

Megjithëse disa shtete u kishin dhënë grave të drejtën e votës, shumica e grave amerikane nuk mund të votonin.

Madje, në disa shtete, pjesëmarrja e grave në votim ishte kundër ligjit. Por amendamenti i 19-të e ndryshoi këtë praktikë dhe si rrjedhim edhe politikën amerikane në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1920. / KultPlus.com

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund t’iu besojë më”

Thënie nga Friedrich Nietzsche

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund të ju besojë më.”

“Ata shiheshin duke vallëzuar, mendoheshin si të çmendur prej atyre që s’mund ta dëgjonin muzikën.”

“Ti ke rrugën tënde, unë rrugën time. Sa për rrugën e drejt, rrugën e duhur, ajo nuk ekziston.”

“Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhën jetë një ylli vallëzues.”

“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.”

“Njeriu i dijes jo vetëm që duhet të jetë në gjendje t’i dojë armiqt e vetë, por gjithashtu edhe ti urrejë miqt e vetë.”

“Nuk mund të besoj në një Zot i cili përgjatë gjithë kohës dëshiron të jetë i lavdëruar.”

“Kur jemi të lodhur, ne sulmohemi nga idetë të cilat i kemi pushtuar shumë kohë më parë.”

“Gjarpëri që nuk mund ta flak tutje lëkurën e tij, vdes. Njësoj është edhe me mendjet të cilat pushojnë së ndryshuari mendimet e tyre; ato pushojnë së qenuri mendje.”

“Tek individët, marrëzia është e rrallë; mirëpo tek grupet, partitë, kombet dhe epokat, ajo është rregull.”

“Përparësia e një kujtese të dobët është se njeriu, i shijon disa herë gjërat e njejta sikur për herë të parë.”

“Njeriu është kafsha më mizore.”

“Besimi: të mos duash ta dish cila është e vërteta.”

“Një shëtitje e zakonshme nëpër çmendinë tregon se besimi nuk vërteton asgjë.”

“Keni kujdes kur i luftoni bishat, që edhe ju vetë të mos bëheni bishë pastaj…. Sepse kur e vështron me ngulm për kohë të gjatë humnerë, edhe humnera ju vështron juve.”

“Nuk ekzistojnë sipërfaqe të bukura pa thellësitë e tmerrshme.”

“Në botë ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që duan të dijn dhe ata që duan të besojnë.”

“Ajo që është bërë nga dashuria, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqe.”

“Heshtja është më e keqja; të gjitha të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese.”

“Fijet e padukshme janë lidhëset më të forta.”

“I vetmuari i’a zgjat dorën shumë shpejt kujtdo që e ndesh.”

“Ndoshta unë e di se përse vetëm njeriu qesh; vetëm ai vuan aq thellë sa që i është dashur ta shpik qeshjen.”

“Në fund të fundit është dëshira, dhe jo e dëshiruara ajo që e dashurojmë.”

“Edhe sot si gjithmonë, njerëzit ndahen në dy grupe: skllevërit dhe të lirët. Kushdo që nuk i ka 2/3 e ditës për veten e vetë, është skllav, pavarësisht nëse është burrështetas, biznesmen, zyrtarë ose profesor.”

“Ata e turbullojnë ujin për t’u dukur më i thellë.”

“Ekziston më shumë mençuri në trupin tuaj se sa në filozofinë tuaj më të thellë.”

“Në të vërtetë, shpresa është më e keqja sepse ajo i zgjat vuajtjet e njeriut.”

– Friedrich Nietzsche /KultPlus.com

Viti 1911, kur për bukurinë e vashës shqiptare shkruhej në ‘New York Times’

Kur kthejmë vështrimin nga historia e vendit tonë, dominuese janë betejat për liri, lavdi dhe varfëria e vuajtjet e pafundme të këtij kombi.

Literatura, mediat, e historianët janë fokusuar gjithnjë te beteja e vështirë për t’iu përcjellë brezave realitetin e kohërave të vështira falë të cilave kemi një të tashme. Probleme ka edhe sot, por tashmë kemi një Shqipëri të pavarur që ka armik vetëm veten.

Në morinë e dëshmive është folur edhe për gratë. Kryesisht për ato që morën pushkën, luftuan e u flijian. Por sa është komentuar bukuria e vashave shqiptare? Gjithnjë e më shumë po u “hiqet pluhuri” fotografive që nuk dihet se ekzistonin. Fotgrafët, gazetarët dhe historianët e huaj na e kanë bërë këtë “nder”.

Në kohët kur Shqipëria e trazuar luftonte të bëhej shtet, të huajt nuk kishin se si të mos ndalnin shikimin e apartët e tyre përballë bukurisë natyrale të vajzave shqiptare.

Një fotografi e publikuar nga prestigjiozja “New York Times” në vitin 1911 është dëshmi e qartë për këtë.

Vajza shqiptare e veshur me elementë të kostumit popullor, e lirshme para aparatit sikur të kishte një jetë që pozon dhe e stolisur me hijeshi na tregon një Shqipëri të bukur që pak njihet. / KultPlus.com

​George Bush pikturon portrete të migrantëve dhe shkruan një libër për ta

George W. Bush mund të jetë një ish-guvernator dhe president, por siç rezulton, ai është gjithashtu një piktor, dhe çfarë është më e mira, ai është me të vërtetë shumë i mirë në këtë drejtim.

Ish-presidenti së fundmi ndau një sekret të vogël në Instagram se si e kalon kohën e tij – si në karantinë, ashtu edhe më parë.

“Për 18 muajt e fundit kam pikturuar portrete dhe shkruaj histori për 43 migrantë që kam takuar. Unë jam i kënaqur të botoj një libër dhe ekspozitë të re në [The Bush Center] për nder të amerikanëve të rinj që kanë kontribuar në pasurinë kulturore, gjallërinë ekonomike, frymën e ndërmarrësisë dhe patriotizmin e përtërirë të vendit tonë. Siç thashë nga Zyra Ovale në vitin 2006: ‘Amerika mund të jetë një shoqëri legjitime dhe një shoqëri që pranon’”, shkroi ai poshtë fotografisë së tij në të cilën pikturon në studion e tij.

Libri i tij do të jetë në dispozicion nga data 2 mars e vitit të ardhshëm.

“Shpresoj se shumë do të ndihmojnë në përqendrimin e vëmendjes sonë të përbashkët në efektet pozitive që migrantët kanë në vendin tonë,” shkruan George W. Bush. / KultPlus.com

Pas dy dekadash zgjidhet çështja e vrasjes së yllit Jam Master Jay

Pas afër dy dekadash që nga vrasja e yllit të hip-hopit, Jam Master Jay, prokurorët kanë thënë të hënën se kanë zgjidhur një nga vrasjet më të vështira të New Yorkut, pasi dënuan dy persona.

Të dyshuarit janë, Ronald Washington, i cili është duke vuajtur dënim me burg për disa vjedhje pasi kishe ikur pas vdekjes së Jay, në vitin 2002 dhe Karl Jordan, i cili është akuzuar për përfshirje në shpërndarje të kokainës në vitin 2017, shkruan AP.

Washington i cili kishte jetuar në shtëpinë e Jay para vrasjes së tij, ishte i dyshuar që nga viti 2007. Prokurorët thanë se ai ishte futur me armë dhe kishte urdhëruar njerëzit që ishin në shtëpinë e Jay të shtriheshin në tokë, derisa Jordan e kishte qëlluar për vdekje më 30 tetor të vitit 2002.

Washington dhe Jordan ishin të dyshuar për shpërndarje të 5 kilogramë kokainë në kohën kur Jay ishte vrarë, por prokurorët nuk thanë gjë nëse edhe ky i fundit ishte i përfshirë për shpërndarje, transmeton KOHA.

Jason “Jay” Mizeel, i cili njihej me emrin profesional si Jam Master Jay, ishte anëtar i grupit të hip-hopit Run-DMC, bashkë me Joseph “Run” Simmons dhe Darryl “DMC” McDaniel. Hitet e tyre përfshinin këngët si, “It’s Tricky”, “Christmas in Hollis” dhe “Walk This Way”.

Festivali ‘Prifest’ shtyhet përsëri

Bëhet e ditur se Festivali Ndërkombëtar i filmit, ‘Prifest’, është shtyrë për në muajin tetor, edhe pse arsyet nuk dihen akoma, me shumë gjasë ka të bëjë me përhapjen e madhe të virusit Covid19 në Kosovë, njofton KultPlus.

Fatos Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ky festival do të mbahet në tetor të këtij viti, në platformën online. Ndërkaq datat e sakta nuk janë publikuar akoma. / KultPlus.com