Muzeu Virtual i Refugjatëve shpalos përvojat e qytetarëve nga lufta e fundit në Kosovë

Po, këto trauma kam bindjen që lanë shenjë, gjurmë edhe sot e kësaj dite”, konstaton në fund të rrëfimit të tij për përjetimet prej refugjati veterani i arsimit, Ibrahim Gashi. Këtë përfundim ai e nxjerr pasi sqaron gjerë e gjatë se si në vitin 1999 bashkë me familjen ishin detyruar nga forcat serbe që ta linin fshatin e tyre në Komunën e Istogut.

Bëhet fjalë për trauma që janë pjesë e secilit prej rreth 1 milion kosovarëve të zhvendosur dhunshëm nga shtëpitë e tyre gjatë viteve 1998-1999. E kujtimet e mësimdhënësit Ibrahim Gashi janë veç një prej dhjetëra rrëfimeve që gjenden në Muzeun Virtual të Refugjatëve, i lansuar në dhjetor të vitit 2018. Por ky projekt do të zgjerohet edhe më.

Muzeu i konkretizuar para dy vjetësh nga Nisma për të Drejtat e Njeriut është duke u plotësuar çdo ditë e më shumë me rrëfime të reja.

“E ardhmja nis t’u e njoftë të kalumen”, është slogani i Muzeut. Sipas Nismës për të Drejtat e Njeriut, dega në Kosovë, eksodi i refugjatëve gjatë luftës së fundit në Kosovë është pjesë thelbësore e së kaluarës dhe e së tashmes, duke marrë parasysh se rreth 1 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

“Megjithatë, ende mungon memorializimi dhe dokumentimi i përvojave të refugjatëve duke u dhënë rëndësi vetëm rrëfimeve të heronjve e martirëve. Rrëfimet e njerëzve vazhdojnë të mbesin të heshtura në mungesë të hapësirës për t’u dëgjuar”, shkruhet në konceptin e Muzeut.

Qëllimi i Muzeut është që të kontribuojë në njohjen simbolike të vuajtjeve të civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës në Kosovë. Gjithashtu, përmes kësaj nisme synohet të nxitet debat publik dhe gjithëpërfshirës për të kaluarën dhe të rritet empatia sociale, duke shpërfaqur rrëfime të ndryshme.

Bjeshka Guri, hulumtuese në Nismën për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se Muzeu ka pasur mjaft vizita dhe numri i tyre është duke u shtuar shkaku i popullimit të Muzeut me rrëfime të ndryshme.

https://www.facebook.com/watch/?v=1160170174399963&t=0

“Ne kemi vazhduar të mbledhim rrëfime që nga lansimi i Muzeut dhe do të vazhdojmë të popullojmë me rrëfime të përvojave të qytetarëve duke i dhënë hapësirë secilit që t’i ndajë përvojat personale në Muze”, ka thënë ajo. Planet e Nismës janë që të shkojnë edhe më tutje.

Rrëfimet e mbledhura deri më tash shpërfaqin vuajtje të ndryshme të refugjatëve. Emigrimet e detyrueshme drejt Malit të Zi, Maqedonisë së asaj kohe dhe Shqipërisë kujtohen në detaje bashkë me vështirësitë gjatë rrugës e pastaj edhe gjatë strehimit në vendet nikoqire. Kthimi në vendlindje dhe përballja me shtëpitë e hirta shkaku i shkatërrimit nga forcat serbe janë një kapitull më vete. Dëshmitë e mbledhura si audioincizime dhe të transkriptuara do të mbesin pjesë e historisë së dokumentuar të Kosovës. Është një dokumentim që buron nga vetë ata që e kanë përjetuar luftën.

“Natën e 20 prillit 1999, kur ishin bo katër ditë pa një muj që kishin fillu bombardimet në ora 15 në 2 t’mëngjesit, njësitë e maskume, 5-6 veta hynë në banesën ku rrishim ne, natyrisht me thymje të derës, me hymje në korridor dhe në dhomën ku flejshim t’gjithë së bashku dhe fillun me pyt t’zotin e shpis për prezencën e familjarëve dhe prezencën tone”, kujton fatlum Sadiku nga Mitrovica. Rrëfimi i tij sikurse edhe i të tjerëve janë në gjuhën shqipe, atë serbe dhe angleze. Ai flet gjatë për ikjen nga banesa në qytetin që edhe 20 vjet pas luftës mbetet vend potencialisht konfliktuoz shkaku i veprimeve të strukturave paralele serbe në veri.

Bjeshka Guri ka thënë se besojnë fuqishëm se pa njohjen konstruktive të së kaluarës nuk mund të ketë një shoqëri që jeton në paqe dhe drejtësi për të gjithë të prekurit e luftës.

“Për me tepër, neglizhenca ndaj eksperiencës së rreth 1 milion qytetarëve ka çuar në një harresë kolektive ndaj kësaj çështjeje. Prandaj memorializmi sa më i gjerë i luftës së fundit në Kosovë do të afektonte në një vetëdijesim kombëtar mbi rëndësinë e paqes dhe zhdukjes së konfliktit”, ka thënë ajo.

Stafi i Nismës për të Drejtat e Njeriut në Kosovë do të vazhdojë të mbledhë dëshmi të përjetuara gjatë luftës.

Muzeu Virtual i Refugjatëve është i qasshëm për secilin. Mënyra për të marrë vesh se çfarë ka ngjarë me secilin që ka shpalosur kujtimet e tij është shumë e thjeshtë. Pasi hyhet në ueb-faqe, në sektorin e “Storieve” gjenden të gjitha rrëfimet që përmes audioincizimeve vijnë në gjuhën amtare të të intervistuarve, kurse të transkriptuara, pos në shqip, janë në serbisht e anglisht. Ky projekt implementohet nga YIHR KS dhe mbështetet nga National Endowment for Democracy NED./kohanet/ KultPlus.com

‘Rectify’, aplikacioni ku mund të raportoni gabimet në tekstet mësimore

Gabimet drejtshkrimore në tekstet shkollore të cilat dita ditës kanë filluar që të rriten tashmë kanë një adresë ku mund të raportohen, pikërisht në aplikacioni ‘Rectify’ të krijuar nga studentja e Inxhinierisë Kompjuterike, Edona Haziraj.

Ky aplikacion krahas ofrimit të hapësirës për raportimin e gabimeve drejtshkrimore, ka opsione të tjera të raportimit sikurse përmbajtjen fyese, shfaqjen e dhunës apo edhe përkthim të gabuar shkruan KultPlus.

Linku për shkarkimin e këtij aplikacioni e gjeni më poshtë:

https://play.google.com/store/apps/details?id=rectify.app.platformaegabimeve / KultPlus.com

Reagon tenori Lahaj pas rastit të gazetarit Syla: Me Valonin se dhuna është e shëmtume, por pa të kur ma ofendon nënën, babanë motrën e vëllanë

Rrahja që i është bërë gazetarit Vlaon Syla gjatë ditës së sotme ka ngjallur reagime të shumta tek publiku, por edhe tek një numër i madh i artistëve shqiptar shkruan KultPlus.

Një ndër ta është edhe tenori shqiptar Rame Lahaj. Ai nëpërmjet një statusi në Facebook ka shkruar se dhuna që ushtrohet në rrugë është një turp i madh, por edhe ofendimi që ju është bërë diasporës ditëve të fundit Lahaj e ka konsideruar analfabetizëm dhe bukpërmbusje.

Krejt në fund ai ka shkruar se është me Valonin dhe çdo viktimë të dhunës, por pa Valonin kur ai ia ofendon nënë, babë, vëllanë, motrën, nipin e mbesën.

Më poshtë mund të gjeni statusin e tij të plotë:

Me t’rreh n’rrugë se mendon ndryshe asht marre e madhe.

Me ja sha tjetrit sofrën, me e ofendu se qysh e sa keq hanë e ku jeton asht ofendim, nençmim e përbuzje e madhe.

Me e sha bukëdhanësin tënd nuk sheh dritë kurrë.

Me i ofendu e përçmu ata që na kanë mbajtë gjallë n’ditët ma t’zeza t’kombit tonë e t’u na ndihmu me u shkollu që plot herë as prindi s’ka mujt me na e financu shkollimin po na e ka financu mixha, daja e halla prej diaspore është analfabetizëm e bukëpërmbysje.

Me Valonin e cdo lloj viktime të dhunës sepse dhuna asht e shëmtueme por pa Valonin kur ma ofendon Nanën e babën, vëllanë e motrën, nipin e mbesen./ KultPlus.com

Dua Lipa pjesë e klipit të NBA

Pjesë e klipit të ri të NBA-së u bë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Ka qenë faqja e NBA on TNT që në Facebook ka hedhur edhe videon e 30 ekipeve dhe emrave më të njohur të tyre.

Përpos Duas, në klip është parë edhe DaBaby.

Mirëpo, disa nga komentet e bëra në këtë rrjet ishin kundër këngës së kënduar.

“Muzika e tmerrshme, pop dhe NBA, ku është problem? Ku është repi, stili i vjetër?” shkroi një ndjekës./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=415529652926802&t=0

Në Gjilan u organizua koncert në nderim të qytetarëve që humbën betejën me COVID-19

Në Gjilan sot është mbajtur koncerti “Requiem of Hope” nga ClassiKos, në nderim të 93 qytearëve të Gjilanit që humbën betejën me COVID-19.

Koncerti është mbajtur nën organizimin e Zyrës së Kryetarit të Gjilanit dhe duke respektuar masat anti-Covid.

Para se të niste koncerti, në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka folur drejtoresha e Kulturës në Gjilan, Deniza Limani.

“Sonte bëjmë homazh për 93 qytetarët tanë të cilët e humbën betejën me virusin, i cili e ka gjunjëzuar botën dhe Kosovën. Është emocion për me dalë me folë këtu, sepse edhe unë e kam humbur një anëtare të familjes sime. Falëënderoj shumë grupin e Klasicos që janë sonte me ne, sikurse që i falënderoj qytetarët prezëntë sonte”, tha Limani, derisa ka falënderuar mantelbardhët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë kohës së pandemisë.

ClassiKos sollën një koncert të permasave më ndryshe të muzikes serioze, ku u interpretuan vepra madhështore nga Moxart, R.Dhomi, C.Zadeja, T. Albinoni dhe A.Peterson te cilat u performuan nga profesionistët e Gjilanit: Orkestrina dhe Kori nën udheheqjen artistike të Burhan Azizi me dirigjente Florentina Rushiti – Bajrami dhe në piano Ndriqim Bajrami.

Secila vepër e sjellur në skene, ishte e përmbushur me shumë emocion. Nje lidhje e pa përshkruar mes thjeshtësisë së melodisë dhe interpretuesve ku shprehej kontrasti i mprehtë mes të bukures dhe dhimbjes.

Ndryshe, në skenë për secilën jetë të humbur nga ky virus ishte ndezur nga një qiri./ KultPlus.com

Vdes aktori i famshëm francez Brasseur

Claude Brasseur, një nga aktorët më të adhuruar francezë, ka humbur jetën sot në moshën 84-vjeçare, njoftojnë mediumet e huaja.

Brasseur, ka fituar dy çmime Cesars, që njihet si Oscari në Francë dhe bëri bujë me performancën e tij në vitin 1971 në filmin Vidocq.

Në vitin 1964, ai ishte pjesë e skuadrës së Francës në sportin bobsled për Lojërat Olimpike Dimërore, por u lëndua rëndë para se të fillonin garat.

Ai ishte i pasionuar me veturat dhe mori pjesë disa herë në garën Paris-Dakar, duke e fituar atë në vitin 1983 në tandem me Jacky Ickxin./ KultPlus.com

‘Qilimi i Apolonisë’, një mrekulli që nuk duhet mbajtur e fshehur

“Qilimi i Apolonisë”, është një mrekulli që nuk duhet mbajtur e fshehur, deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ajo u shpreh se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij.

“Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar “fsheh” një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore. Bëhet fjalë për “Qilimin e Apolonisë”, këtij mozaiku të rrallë, i cili duhet të jetë i vizitueshëm për publikun”, theksoi Margariti.

“Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për evidentimin e patologjive dhe hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij”, u shpreh Margariti./atsh/ KultPlus.com

Distria Krasniqi zë vendin e parë në listën botërore për vitin 2020

Xhudistja shqiptare nga Kosova Distria Krasniqi vijon sukseset ndërkombëtare.

Krasniqi ka zënë vendin e parë në ranglistën botërore për vitin 2020.

Lajmi është publikuar në portalin “Europian Judo Unionin”, si dhe nga trajneri Driton Kuka, në llogarinë e tij zyrtare duke shkruar se Distria Krasniqi përfundon vitin 2020 si e para në ranglistën botërore.

Distria në kategorinë 48 kilogram ka pasur paraqitje mjaft të mirë në garat e fundit të mbajtura në Budapest, kurse betejave do t’u rikthehet në janarin e vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Bebe Rexha pjesë e koncertit që mbahet në shenjë falënderimi për profesionistët e kujdesit shëndetësor

Bebe Rexha ka konfirmuar pjesëmarrjen në koncertin virtual që mbahet më 29 dhjetor. Koncertetet e këtij viti kanë kaluar në një tjetër version, atë virtual, për shkak të pandemisë.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, me anë të një postimi në rrjete sociale, ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e një koncerti, i cili mbahet në shenjë mirënjohëse për punën e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

“Jam e ngazëllyer që jam pjesë e koncertit virtual të Montefiore-Ajnshtajn “Në një shtet të mirënjohjes”, duke festuar për heronjtë e kujdesit shëndetësor të Nju Jorkut – infermierë, mjekë dhe të gjithë që kanë qenë kaq vetëmohues këtë vit ”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Koncerti në fjalë do të mbahet më 29 dhjetor, ndërsa bashkë me Bebe Rexhën, pjesëmarrës janë dhe Natalie Merchant, Anthony Ramos dhe Mary J. Blige./ KultPlus.com

Qeveria miraton masat e reja, nga nesër hyjnë në fuqi

Qeveria e Kosovës në detyrë ka miratuar masat e reja anti-Covid, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media nga zyra për informim e Kryeministrit të Kosovës.

“Me kërkesë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, sot është mbajt mbledhja korresponduese\elektronike, mbledhja e 51 e Qeverisë, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtën nga pandemia Covid-19”, thuhet në njoftim.

Këto janë të gjitha masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës:

I.                   MASAT PËR TËRË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë

1.      Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit.

2.      Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:

2.1.   Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

2.2.   Qytetarët e huaj që punojnë si transportuesi profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

2.3.   Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

2.4.   Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;

3.      Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

4.      Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

5.      Komunave iu kërkohet që të ofrojnë ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve (Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare), që me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdar, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari”, përfshirë para se gjithash matjen e temperaturës.

Organizimi i punës së institucioneve publike dhe organizatave/bizneseve private

6.      Institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

7.      Për aq sa nuk ndikon në kryerjen e shërbimeve dhe detyrave të institucioneve, institucionet publike udhëzohen të punojnë vetëm me staf esencial.

8.      Punëtorët me sëmundje kronike (sipas qarkores zyrtare të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë e përgatitur për këtë qëllim), gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse lirohen nga paraqitja në punë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.

9.      Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

10.  Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektim e distancës etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

11.  Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

12.  Të gjitha institucioneve publike (qëndrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private pa asnjë përjashtim, iu ndalohet organizimi i çfarëdo ceremonie festive për fundvit.

Organizimi i procesit arsimor

13.  Procesi arsimor në institucionet parauniversitare, publike dhe private, për gjysmë-vjetorin e dytë fillon më datë 18 janar 2021 dhe organizohet sipas planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

14.  Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në formën online, përveç provimeve, punës praktike dhe laboratorike që duhet të organizohet në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së.

15.  Veprimtaria e çerdheve publike dhe private vazhdon sipas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, bazuar në “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.

16.  Konviktet dhe menzat punojnë duke respektuar manualin për mbrojtje dhe përhapjen nga Covid-19.

17.  Të gjitha institucioneve arsimore në të gjitha nivelet e arsimit, publik dhe privat, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor dhe nxënësve-studentëve dhe të ngjashme.

Organizimi i shtabeve emergjente komunale dhe shërbimeve shëndetësore komunale

18.  Komunave iu kërkohet të mbajnë të aktivizuar plotësisht shtabet emergjente komunale për të mbikëqyrë zbatimin e masave, gjendjen shëndetësore të qytetarëve të infektuar me Covid-19 dhe çështje të tjera, si dhe të koordinohen me nivelin qëndror përkatës.

19.  Shtabeve emergjente komunale, drejtorive për shëndetësi dhe QKMF-ve ju krkohet të mbikëqyrin dhe ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore për së paku 2 javë për personat e infektuar me Covid-19 dhe do të raportojnë në baza ditore në QRSHP-IKSHPK.

20.  Komunave iu kërkohet të ofrojnë shërbimet shëndetësore shtëpiake për të gjithë sëmurët kronikë dhe për personat mbi moshën 65 vjeç.

21.  Komunave iu kërkohet që, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të ofrojnë ekipet mjekësore teknike për të bërë kontrollin rutinor të qytetarëve të huaj dhe vendorë që hyjnë në territorin e Kosovës siç specifikohet në pikën 4 më lartë në këtë vendim.

Masat për personat mbi moshën 65 vjeç

22.  Personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues.

23.  Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MPMS-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

24.  Qytetarëve që qëndrojnë në shtëpitë për të moshuar u ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore, sociale dhe kontrolla të rregullta shëndetësore nga QKMF-të.

Masat për aktivitetet publike

25.  Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 4 personave në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim.

26.  Ndalohen të gjitha tubimet publike në hapësira publike të të gjitha formave, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

27.  Ndalohen seminaret dhe punëtoritë e të gjitha institucioneve publike dhe private.

28.  Ndalohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare.

29.  Ndalohen ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, përveç me pjesëmarrjen e familjes së ngushtë.

30.  Përjashtim nga pika 29 më lartë bëjnë ceremonitë e veçanta fetare që organizohet me leje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë bazuar në rekomandimet e IKSHP-së.

Masat për aktivitetet biznesore

31.  Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve.

32.  Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

33.  Lejohet ushtrimi vetëm i veprimtarive si në vijim (sipas kodeve NACE të përcaktuara nga ARBK – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë):

33.1.   Sektori shëndetësisë,

33.2.   Sektori i sigurisë dhe drejtësisë,

33.3.   Sektori publik (administratë qendrore dhe komunale),

33.4.   Sektori i prodhimit,

33.5.   Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë,

33.6.   Sektori i ndërtimit,

33.7.   Transporti i mallrave,

33.8.   Sektori i produkteve ushqimore,

33.9.   Sektori i shërbimit/distribuimit.

II.                MASAT SPECIFIKE SIPAS KOMUNAVE

34.  Komunat kategorizohen në tri grupe bazuar në rrezikun nga përhapja e infeksionit:

34.1.   Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të gjelbër),

34.2.   Komunat me rrezik të mesëm –  nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të verdhë),

34.3.   Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të kuqe).

35.  Në baza javore, çdo të premte, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.

36.  Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

36.1.   Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-20:00,

36.2.   Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00,

36.3.   Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”,

36.4.   Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.5.   Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.6.   Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 20:00 duke shfrytëzuar deri në 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.7.   Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.8.   Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.9.   Pavarësisht pikave 36.6, 36.7 dhe 36.8 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

37.  Masat për komunat me rrezik të mesëm (prej 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

37.1.   Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-20:00.

37.2.   Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00.

37.3.   Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

37.4.   Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

37.5.   Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

37.6.   Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

37.7.   Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 20:00 duke shfrytëzuar deri në 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

37.8.   Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

37.9.   Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

37.10.               Pavarësisht pikave 37.7, 37.8 dhe 37.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

38.  Masat për komunat me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

38.1.   Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 20:00 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në mënyrë të përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme, dhe punëtorët e operatorëve ekonomik që paisen me leje të veçanta për qarkullim;

38.2.   Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 20:00 deri në orën 05:00, përveç:

38.2.1.   Personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme,

38.2.2.   Qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë),

38.2.3.   Operatorëve ekonomik dhe transportit të mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit,

38.2.4.   Kompanive ndërtimore,

38.2.5.   Operatorëve që kryejnë punë publike.

38.3.   Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-20:00.

38.4.   Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00.

38.5.   Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

38.6.   Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

38.7.   Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

38.8.   Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

38.9.   Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 20:00 duke shfrytëzuar deri në 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

38.10.               Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

38.11.               Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

38.12.               Pavarësisht pikave 38.9, 38.10 dhe 38.11 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

III.             OBLIGIMET E INSTITUCIONEVE PËR ZBATIMIN E MASAVE

39.  Obligohet Ministri i Shëndetësisë që në rast nevojë të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

40.  Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën 16:00).

41.  Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

42.  Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

43.   Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

44.  Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

45.  I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

46.  Ministria e Shëndetësisë obligohet të publikojë në faqen zyrtare të saj Qarkoren lidhur me sëmundjet kronike, për të cilat sëmundje personat sipas pikës 8 të këtij vendimi lirohen nga paraqitja në punë.

47.  Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë nr.01/42 i datës 11.11.2020.

48.  Vendimi hyn në fuqi më 23.12.2020, në orën 05:00 dhe vlen deri në një vendim tjetër./ KultPlus.com

Shqiptarja Suzanna Shkreli merr postin e rëndësishëm në Miçigan

Një histori suksesi ajo e Suzanna Shkrelit në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqiptaro-amerikania me origjinë nga Malësia e Madhe është emëruar nga Guvernatori i këtij shteti në një post të rëndësishëm.

Suzanna do të shërbejë si Drejtore e Zyrës së Ombudsmanit të fëmijëve pas emërimit nga guvernatori Gretchen Whitmer.

Suzanna njihet si një nëpunëse publike e ashpër dhe jotolerant dhe disa vite të punës së saj i ka shpenzuar duke punuar për fëmijët në Miçigan. Më herët 33-vjeçarja ka kandiduar edhe në Kongresin Amerikan.

E lindur dhe rritur në Miçigan, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, ajo është fëmijë i dy prindërve nga Ulqini dhe Gruda. Prindërit kanë emigruar në Amerikë për një jetë më të mirë për katër fëmijët e vet.

E rritur në një shtëpi ku është inkurajuar nga prindërit për të studiuar shumë, Suzana përfundoi studimet në Universitetin Perëndimor të Michigan, për drejtësi. Më pas, arriti të bëhej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shtetet e Bashkuara./ KultPlus.com

Tre aktorët me origjinë shqiptare në “Top 100 meshkujt më të bukur” në botë

Ndër meshkujt më të preferuar të serialeve turke, për të cilët të gjitha vajzat çmenden për ta janë natyrisht Kivanc Tatlitug, Baris Arduc dhe Can Yaman.

Të tre këta aktorë kanë pranuar publikisht se janë me origjinë shqiptare kështu duke vulosur se shqiptarët janë të bukur.

Faqja “Top Beauty World” në SHBA ka publikuar listën e 100 meshkujve më të pashëm në botë për vitin 2020. Sigurisht që mes tyre kanë rënë në sy këta tre aktorë.

Renditja e tyre me numra vijon si më poshtë.

Kivanc Tatlitug në vendin 33

Baris Arduc në vendin 68

Can Yaman në vendin 89

Ndërsa 3 vendet e para i i zurën, 1 aktori kinez Xiao Zhan , 2 Kim Taehyung këngëtari i njohur korean dhe vendin e 3 aktori indian Shahrukh Khan./KultPlus.com

Personi më i paguar në YouTube për 2020 është një 9 vjeçar

Ryan Kaji, nga Teksasi është një djalë 9 vjeç dhe është ai që kryeson në listën e personave më të paguar të YouTube për vitin 2020, sipas një liste të publikuar nga “Forbesi”.

 Ai ka arritur të fitonte plot 29.5 milionë dollarë këtë vit. Kanali i tij në YouTube, i quajtur “Ryan World” ka rreth 41.7 milionë subscribers.

“Ai është i famshëm për të ashtuquajturat video unboxing, në të cilat bën revew për lodra të ndryshme. I vogli ka një linjë me lodra, çanta shpine, pastë dhëmbësh, etj- në Target, Amazon dhe Walmart nga të cilat fitoi 200 milionë dollarë vitin e fundit”, shkruan “Forbes”-i.

Me 12.2 miliardë shikime, kanali i tij është i famshëm për reviewt e videove dhe lodrave, çpaketimet e tyre, si edhe eksperimentet shkencore DIY. Sakaq, nuk mungojnë as videot edukative për fëmijët se si të lajnë dhëmbët dhe gjëra të tjera nga historia dhe gjeografia./ KultPlus.com

Poçari sirian ruan zanatin shekullor

Brenda një punishteje me pluhur dhe të errët në brigjet e lumit Jaghjagh në verilindje të Sirisë, Misak Antranik Petros përdor një rrotë qeramike antike për të krijuar forma të ndryshme nga argjila.

Poçari sirian 85-vjeçar me origjinë armene tha se familja e tij ka praktikuar zanatin për më shumë se 450 vjet. “Profesioni u transferua nga një brez në tjetrin si një trashëgimi,” tha ai. “Tani, djali im po e merr atë”./ KultPlus.com

‘Në kërkim të Venerës’, suksesi i madh i Norika Sefës dhe Besnik Krapit

Për Norika Sefën, rrugëtimi po fillon në një festival të madh botëror.

Filmi i saj ‘Looking for Venera’ (Në kërkim të Venerës) është pranuar sot në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Roterdam, i cili do të mbahet nga 1 – 7 shkurt 2021.

Filmi, bashkëproduksion mes Kosovës e Maqedonisë, do të garojë për Çmimin e Tigrit – Tiger Award, çmimin kryesor të festivalit.

“Jam shumë e lumtur që filmi po e fillon rrugëtimin në Roterdam, në një festival të kategorisë A. Kam punuar shumë në këtë film dhe mendoj se i përshtatet shumë një festivali si ai i Roterdamit. Ky është edhe filmi i parë ndonjëherë nga Evropa Lindore i cili futet në garën kryesore të këtij festivali, dhe është një tregim nga Kosova” tregon për KultPlus regjisorja Norika Sefa.

*

“Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

Nga një takim i çuditshëm, në film, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e saj patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shpreh nje sens absurd të jetës, me njerëz qe fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi.

“Festivali i Roterdamit ka qenë prioritet për neve si ekip. Unë me anë të filmit kam dashtë me tregu se qysh jetohet në një familje të madhe shqiptare, përderisa shpesh deri në tri gjenerata kemi jetu në një familje. Sa ka privatësi e qysh zhvillohet temperamenti i një të riu në atë familje. Si shoqëri unë mendoj se jemi më shumë tradicionale sesa patriarkale, anojmë kah tradita, ma shumë vlerëohet ajo çka ke trashëgu se ajo çka dëshiron më arritë në jetë. Këto janë disa prej temave që i prekë filmi” tregon Norika.

“Është një lajm i jazhtëzakonshëm për të gjithë ekipin, kinematografinë tonë dhe veçanarisht për Norikën dhe mua si filmëbërës të rinjë. Një motiv i madh për të punuar tutje. Kam besuar shumë në vizionin e Norikës dhe nuk kemi kursyer në asgjë për t‘a realizuar filmin sa më mirë që mundemi.”- u shpreh producenti Besnik Krapi.

Në film luajnë aktorë me nam por edhe emra të rinj të cilët Norika ka preferuar ti shpalosë para publikut me anë të këtij tregimi të cilin ajo e ka shkruar vetë.

Pas premierës së filmit, në Roterdam, filmi patjetër që do të vazhdojë rrugëtimin edhe në Kosovë, para audienës shqipe.

Në rolet kryesore në film janë Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Tristan Halilaj. / KultPlus.com

Në kërkim të Venerës nga Norika Sefa në konkurrencë kryesore në festivalin e Roterdamit


Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, do t’a ketë premierën botërore në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë Kosovar që merr pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë.

“Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi. “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

”Festivali i Rotterdamit ka qenë targeti ynë! Kjo është një nismë shumë e bukur për filmin. Sot, unë po du me i falenderu nga zemra të gjithë ekipën për punën e palodhshme, dedikimin, e dashninë për këtë film. Ndihem me fat që kam pas rastin me punu me ju, edhe që po e ndajmë diçka të bukur sot.” u shpreh regjisorja Norika Sefa.

“Është një lajm i jazhtëzakonshëm për të gjithë ekipin, kinematografinë tonë dhe veçanarisht për Norikën dhe mua si filmëbërës të rinjë. Një motiv i madh për të punuar tutje. Kam besuar shumë në vizionin e Norikës dhe nuk kemi kursyer në asgjë për t‘a realizuar filmin sa më mirë që mundemi.”- u shpreh producenti Besnik Krapi

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Përmbyllet projekti “Kultura për ndryshim”, Neziraj: Kultura vazhdon të shihet si luks

Medina Pasoma

Teatri Oda hapi dyert për të shpalosur rrugëtimin 3 vjeçar të projektit “Kultura për Ndryshim” të implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, shkruan KultPlus.

“Kultura për Ndryshim” ishte ura lidhëse e shumë artistëve dhe organizimeve kulturore në Kosovë. Ky projekt përkrahi bibliotekat publike të institucioneve kulturore dhe arsimore, duke i mbushur raftet e tyre me libra me synim të rritjes së shprehisë së leximit; artistët e pavarur për realizimin e performancave të tyre dhe përkrahi mbi 90 organizata për realizimin e projekteve të tyre.

Aktiviteti përmbyllës i projektit u nda në 3 pjesë, duke sjellur fillimisht në lidhje direkte përfaqësues të institucioneve, pastaj një panel diskutimi me drejtues dhe artistë kulturor si dhe në fund video-dokumentari për rrugëtimin e projektit nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Përgjatë pjesës së parë në lidhje virtuale, prezentë ishin ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe autori i raportit hulumtues për kulturën në Kosovë, Davor Miskovic.

Ambasadori i BE-së përmendi aktivitetet të cilat kanë qenë të përfshira në kuadër të këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e tyre në jetën kulturore të vendit.

“Le të mendojmë një moment se si do të ishte jeta jonë pa aktivitetet kulturore këtë vit”, u shpreh Szunyog.

Në anën tjetër ministrja në detyrë, Dumoshi u shpreh se e vlerëson mbështetjen disa vjeçare të BE-së për kulturën e vendit, teksa tha se Qendra Multimedia ka kryer një punë të shkëlqyeshme.

“Kam arritur që pas shumë viteve t’i pavarësoj institucionet tona kulturore, siç janë teatri, pjesa e muzeve dhe trashëgimisë kulturore e kështu me radhë”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Në fund ministrja në detyrë theksoi rëndësinë e diversitetit kulturor dhe bashkëpunimit artistik.

Pas kësaj, fjalën e mori drejtori i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj, i cili u shpreh se ky projekt nuk do të implementohet në vitin e ardhshëm.

“Heqja dorë nga mbështetja e kulturës e bën BE-në t’i ngjasojë këtyre ministrive tona, edhe të kësaj të kulturës, që në mungesë vizioni shtrojnë asfalte, ndërtojnë stadiume e shtëpi kulture kudo dhe kurdo që të jetë e mundur”, u shpreh Neziraj.

Në anën tjetër, ai nuk kurseu kritikat për pikëpamjen ndërkombëtare dhe vendore për kulturën në Kosovë.

“Kultura vazhdon të shihet si luks, e ky vend nuk është vendi i luksit kulturor por i nevojave e emergjencave sociale, politike, ekonomike por jo kulturore”, tha drejtuesi i Qendrës Multimedia.

Neziraj tha se buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vitin e ardhshëm do të reduktohet, mirëpo sipas tij, edhe po të mos ndodh ndonjë reduktim, ajo keq menaxhohet dhe keq shpërndahet.

“Buxheti shkon në fushat e sportit e në shtëpitë e kulturës për t’ua rritur lavdinë kryetarëve të komunave apo partizanëve politikë”, u shpreh dramaturgu Jeton Neziraj.

Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se viti që po vjen do na gjej me më shumë tulla, asfalte, me më pak art, kulturë e liri, teksa shtoi:

“Mirë se vini në Republikën ndërkombëtare të asfaltit!”.

Në vazhdim, përmes lidhjes digjitale fjalën e Davor Miskovic, i cili në bashkëautorësi me Teodor Celakoski ka realizuar një raportin hulumtues për skenën kulturore të Kosovës.

Miskovic përgjatë fjalimit të tij shpalosi procedurat të cilat i ndoqën deri në realizimin e këtij raporti, e që përfshinte mbledhjen e materialit nga mediat dhe dokumentet, realizimin e intervistave në terren dhe konkludimet finale.

“Nga të gjitha informacionet që nxorëm gjatë hulumtimit, ne bëmë disa konkludime për institucionet kulturore të Kosovës, skenën e pavarur, lidhjen mes shoqërisë dhe kulturës”, u shpreh autori i raportit.

Ai çmoi lartë rolin e skenës së pavarur e cila mban lidhje të kulturës me shoqërinë përreth saj.

Pas mbarimit të fjalimeve të secilit veç e veç, radha ishte te paneli i diskutimit të moderuar nga Arif Muharremi, me pjesëmarrjen e artistit të pavarur Edis Galushi, pjesëtares nga ‘Termokiss’ Fjolla Brisku si dhe nga Lumbardhi në Prizren, Rudina Hasimja.

I pari i cili morri fjalën ishte Edis Galushi, i cili nëpërmjet artit të tij vazhdon të promovojë vlerat e komunitetit rom. Duke qenë se vjen nga Prizreni dhe identifikimit të qytetit të tij si vendi i kulturës, ai tha:

“Kjo emblemë e kulturës po vazhdon të zbehet pikërisht për shkak të përkrahjes së brishtë të skenës kulturore në Kosovë, e sidomos në Prizren”.

Galushi tha se kultura nuk është prioritet në Kosovë, andaj edhe përkrahja institucionale është e vogël.

“Për momentin jam duke e bërë një lexim letrar në shqip e romisht por përsa i përket përkrahjes financiare po më duhet t’i bashkoj disa burime të financimit publik për diçka minore. Kjo si artist po të bën të mendosh për diçka më të madhe, meqë përkrahja po lënë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Edis Galushi.

Për projektin “Kultura për Ndryshim” ai përmendi bashkëpunimin për krijimin e një monodrame. Ndërkaq, pati edhe një dëshirë drejtuar përkrahësve të këtij komuniteti.

“Në momentin kur e fusim krijimtarinë tonë në letër në aspektin financiar, të jemi të lirë e të mos kemi rezerva se ‘hajde tash çfarë lëmoshe kemi me marrë’, por me qenë të liruar nga ajo brengë dhe vetëm të mendojmë se si dhe sa gjerë do të shkojmë me kulturën për të cilën dhe me të cilën po merremi”, shprehi dëshirën e tij Galushi.

Një ndër tjerash, Galushi tha se fokusi kryesor i përkrahjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian po ndodh në sferat e edukimit dhe arsimit, teksa kultura po lihet anash.

Pastaj diskutimi vazhdoi me Fjolla Briskun nga ‘Termokiss’, e cila përmendi se ky institucion ka arritur të organizoj 200 aktivitete përgjatë pandemisë, duke përmendur “Maskë për krejt”, “Bukë për krejt”, klubi “Strofull” me fokus shëndetin mendor dhe organizime të tjera.

“Ne si ‘Termokiss’ kemi pasur mirëkuptim nga donatorët ku ata kanë vlerësuar kontributin njësoj online sikurse fizikisht por, të tjerët nuk kanë qenë edhe aq me fat dhe është rrezikuar e gjithë puna e tyre në skenën kulturore ndër vite”, potencoi Brisku.

Rudina Hasimja nga organizata Lumbardhi në Prizren tha se pandemia e ka rritur pasigurinë për financimin e strukturave udhëheqëse dhe organizimeve kulturore.

“E tëra kjo është një akumulim i defekteve që kanë ndodhur qe 20 vite dhe na kanë gjetur në pandemi”, u shpreh Hasimja.

Përfaqësuesja e ‘Lumbardhit’ theksoi se përgjatë pandemisë kanë marrë subvencione nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorisë Komunale për Kulturë Rini dhe Sport në Prizren, mirëpo që nuk i kanë përmbushur nevojat financiare të kësaj organizate.

“Ajo ka qenë vetëm një infuzion, që nuk ka mjaftuar për ta përballur, me ç’rast është dashur të bëhet rritje fondesh për ta sjellur organizatën në një lloj sigurie”, tha Rudina Hasimja.

Në fund panelistët shprehën pritjet e tyre dhe dëshirën për përmirësimin e gjendjes kulturore në vend.

Ndërkaq ajo që kurorëzoi mbylljen e projektit “Kultura për Ndryshim” ishte video-dokumentari, në të cilën u paraqitë e gjitha puna dhe rrugëtimi 3 vjeçar, ndryshimet në komunitetin artistiko-kulturor dhe fjalë nga përfituesit e projektit.

Programi “Kultura për Ndryshim” është mbështetur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut. / KultPlus.com

Rita Ora rikthehet si juri në sezonin e ri të “The Masked Singer”

Shou muzikor “The Masked Singer” ka paralajmëruar sezonin e ri, aty ku anëtare e jurisë do të jetë edhe këngëtarja shqiptare Rita Ora.

Spektakli “The Masked Singer” ka si kontekst artistët tashmë të famshëm të performojnë porse të maskuar, duke fshehur kështu identitetin e tyre.

Kjo nuk është hera e parë për Ritën që merr pjesë në këtë panel të jurisë, e meqenëse puna dhe prania e saj në sezonin e kaluar është vlerësuar lartë, Ora ka vendosur të kthehet edhe njëherë në këtë emision argëtues, të mbushur me muzikë por edhe humor.

Përveç Rita Orës, në panelin e jurisë do të jenë edhe Davina McCall dhe Jonathan Ross.

Sezoni i ri i “The Masked Singer” do të fillojë në fundjavën e Krishtlindjeve, me 26 dhjetor dhe tashmë vëmendja është e madhe si për jurinë ashtu edhe për pjesëmarrësit. /Koha/ KultPlus.com

Thirrje për audicion, produksioni gjerman kërkon një vajzë shqiptare për filmin “The Fine Line”

Nëse e keni menduar veten si pjesë e botës kinematografike, ekziston një mundësi e mirë për ta provuar.

Regjisori Tuna Kaplan është në kërkim të një vajzë shqiptare të moshës 13-15 vjeç për një rol, kundrejt shpërblimit financiar, në filmin artistik “The Fine Line”, një produksion gjerman.

Personazhi në fjalë përfaqëson një vajzë të re, të zhdërvjellët, me një ndjeshmëri të heshtur ndaj çka e rrethon dhe me një pasion të madh për muzikën.

Nëse e gjeni veten në petkun e kësaj vajze ju mund të na dërgoni materialet e mëposhtëm nëpërmjet wetransfer* në këtë adresë emaili: [email protected]

– Foto portret, përballe dhe profile. Foto në total. (vetëm një fotografi në secilin nga pozicionet e përmendura)

– Një video-prezantim me cilësi të qartë të imazhit (plan portret) që përmban:

a) emrin mbiemrin, moshën, qytetin nga vini.

b) një prezantim të shkurtër të pasioneve tuaja.

c) një situatë imagjinare që tregon se si e shihni veten tuaj nëse do të emigronit dhe jetonit në Gjermani bashkë me familjen. Nëse keni një përvojë të ngjashme reale, akoma edhe më mirë.

Video duhet të jetë maksimumi 5 min. Preferohet të realizohet në gjuhën gjermane ose angleze por nëse kjo është e pamundur, do të pranohen edhe video në gjuhën shqipe.

Çdo vajzë e re shqiptare, kudo ku ajo jeton, nëse e sheh veten tek karakteristikat e sipërpërmendura dhe kërkon të realizoj një pasion, mund të aplikojë dhe do të kontaktohet menjëherë.

*https://wetransfer.com/ / KultPlus.com

Mësohen finalistët e Festivalit të Këngës në RTSH

Festivali i Këngës në RTSH ka nisur mbrëmë edicionin e 59-të i cili këtë vit po mbahet pa publik dhe në ambiente të hapura për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

RTSH ka vendosur që këtë vit tri netët e festivalit të xhirohen dhe më pas të transmetohen për publikun për shkak të situatës, ndërsa sot “zeri.info” ka zbuluar edhe finalistët të cilët do të prezantohen më datën 23 dhjetor.

Kujtojmë se si çdo vit fituesi përfaqëson Shqipërinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Roterdam të Holandës.

Lista e finalistëve:

Sardi Struga
Xhesika Polo
Orgesa Zaimi
Wendi Mancaku
Era Rusi
Gjergj Kaçinari
Rosela Gjylbegu
Devis Xherrahu
Mirud
Gigiola Haveriku
Viktor Tahiraj
Kamela Islamaj
Florent Abrashi
Inis Neziri
Anxhela Peristeri
Festina Mejzini
Kastro Zizo. / KultPlus.com

ASHAK zgjedh 10 anëtarë të rinj të rregullt, me korrespondencë dhe të jashtëm

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se më 22 dhjetor 2020 në Kuvendin zgjedhor të saj zgjodhi disa anëtarë të rregullt, me korrespondencë dhe anëtarë të jashtëm të saj.

Anëtarë të rregullt (akademikë)

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

Kujtim Shala

Seksioni i Shkencave Shoqërore

Edi Shukriu

Justina Sh. Pula

Muhamedin Kullashi

Anëtarë korrespondentë

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

Nysret Krasniqi

Shkumbin Munishi

Seksioni i Shkencave Shoqërore

Besnik Krasniqi

Anëtarë të jashtëm:

Abdylmenaf Bexheti

Brian D. Joseph

Irena Sawicka.

Akademia e Shkencave sjell për lexuesin veprën “Banda Kombëtare Vatra”

Akademia e Shkencave në Shqipëri sjell për publikun historinë e jashtëzakonshme të bandës së njohur Vatra.

Botimi i kësaj vepre vjen me titullin “Banda Kombëtare Vatra”  tregon lidhjet që kanë pasur dy kombet si pasojë edhe e diasporës Shqiptare në Amerikë që shumë vite më parë.

Kjo vepër vjen në 100 -vjetorin e kohës në të cilën kanë ndodhur edhe këto ngjarje. Është pikërisht koha kur para 100 vitesh erdhën edhe vullnetarët shqiptaro-amerikan në 1920 për të mbështetur popullin shqiptar dhe për ti dhënë atyre një nxitje për rritjen e vetëvlerësimit dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ishte koha kur populli ynë duhej të ngrihej dhe të bënte atë që i takonte dhe që po tentohej ti mohohej, duhet të drejtonin vendin e tyre dhe të ishin të lirë, gjithashtu kishte ardhur koha që qytetet e Shkodrës dhe të Korçës t’i ktheheshin sërish vendit dhe të drejtoheshin prej shqiptarëve.

Banda e njohur në atë kohë me emërtimin “VATRA” u bë pjesë e kësaj fushate me repertorin e saj kaq shumë të njohur për të mbështetur luftën e shqiptarëve dhe për ti nxitur edhe më tepër ata që të përballeshin drejtë për drejtë me armikun.

Një nga këngët simbol të kësaj periudhe dhe të kësaj bande ishte pikërisht edhe kënga aq e njohur me titullin “Vlora-Vlora” e kompozuar nga Thanas Nasi dhe me tekst të Ali Asllanit e cila jo vetëm që e nxiti aq shumë popullin vlonjatë, por edhe mbarë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve.

Ky botim i Akademisë së Shkencave vjen për lexuesit i shoqëruar bashkë me një CD ku janë regjistruar disa nga interpretimet më të mira të bandës “Vatra”. /atsh / KultPlus.com

Hapet thirrja për Shkollë Dimërore në Finland për studentët e Kolegjit Universum

Universiteti Partner i Kolegjit Universum nga Finlanda me sistemin më të mirë të edukimit në botë, Kajaani University of Applied Sciences fton të gjithë studentët e Kolegjit Universum nga Programi Infermieri dhe Biznes Menaxhment (Bachelor & Master) të aplikojnë në Shkollën e VIII-të Dimërore e cila do të organizohet online në muajin Mars 2021.

Tema e përgjithshme e Shkollës Dimërore është “Ne i japim formë së ardhmes”.

Varësisht nga programi i studimeve ndahen edhe temat. Për studentët e programit Biznes Menaxhment shkolla do të përqendrohet në sfidat në biznesin global dhe menaxhimin e burimeve njerëzore dhe do të organizohet me 4-5 Mars 2021 dhe përmban 3 dhe 5 kredi (vareisht nga punëtoritë që ndjekni). Studentët do të fitojnë njohuri të reja mbi temat aktuale dhe globale të MBNJ dhe praktikat e mira të MBNJ në mjedisin global të biznesit. Studenti do të mësojë mënyrat sesi të ndërkombëtarizohet një kompani dhe çfarë lloj çështjesh të ndryshme (përfshirë kulturën dhe diversitetin) duhet të merren parasysh në kontekstet e biznesit ndërkombëtar.

Ndërsa për studentët e Infermierisë do të zbatojnë njohuritë infermierore-shkencore të bazuara në prova dhe zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe ndërkulturore në një mjedis virtual. Shkolla do të organizohet nga data 2.-5 Mars 2021 dhe përmban 2 kredi.

Për detaje rreth aplikimit kontakto Zyren Ndërkombëtare në Kolegjin Universum në [email protected], 044 144 062 apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.