Këngët e Lipës janë dëgjuar në Spotify 3.8 miliardë herë

Dua Lipa ka postuar në Instagram publikimin e Spotify, ku shihet se është ndër këngëtaret më të dëgjuara.

Statistikat e vitit 2020, tregojnë se këngët e Lipës janë dëgjuar 3.8 miliardë herë.

“Woweeeeeee!!!. 3.8 miliardë. Faleminderit të gjithëve që dëgjuat muzikën time këtë vit. Gjëra si këto më shtyjnë përpara dhe jam shumë falënderuese”, shkroi Lipa. / KultPlus.com

View this post on Instagram

A post shared by DUA LIPA (@dualipa)

Obama, Bush dhe Clinton pranojnë të bëjnë live në kamera vaksinën anti-Covid

Në një kohë kur diskutimet nëse vaksina anti-Covid është efektive, jo efektive, e dëmshme apo e sigurtë, tre ish-presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dolën në një deklaratë duke i çuditur të gjithë.

Ka qenë Barack Obama, ai i cili ka deklaruar në një intervistë se të tre ish-presidentët janë të gatshëm të vaksinohen para kamerës, nëse dr. Fauci ua rekomandon vaksinën anti-Covid.

“Njerëz si Anthony Fauci, të cilin unë e njoh dhe kam punuar me të, kam besim të plotë. Pra, nëse ai më thotë se kjo vaksinë është e sigurt dhe mund të fillojë vaksinimi, absolutisht, unë do ta marr!”, u shpreh Obama. “Unë ju premtoj se kur të jetë bërë për njerëzit që janë më pak të rrezikuar, unë do ta marr atë. Unë mund ta filmojë live atë  në mënyrë që njerëzit të dinë se unë i besoj kësaj shkence dhe ajo që nuk kam besim është marrja e Covid!”

Gjithashtu, të tre emrat e njohur të politikës amerikane do të nisin një fushatë ndërgjegjësimi për të rritur besimin e njerëzve te vaksina./ KultPlus.com

Nusja e prekur me Covid-19 martohet nga dritarja (FOTO)

Ajo donte me çdo kusht që të martohej dhe asgjë nuk do t’ia prishte ditën më të lumtur të jetës. As koronavirusi! Pasi më 20 nëntor, Lauren Jimenez, 29 vjeç, dhe Patrick Delgado, 27, vendosën të martoheshin, nusja u infektua me koronavirus. Megjithatë, çifti nuk i anuloi planet dhe ceremonia u krye në distancë.

Si një Romeo i kohërave të pandemisë, Patrick qëndronte në rrugë, ndërsa “Xhulieta” Lauren në dritaren e apartamentit të saj në një godinë dykatëshe në Ontario, Kaliforni. E për të respektuar në maksimum protokollin anti-Covid, të ftuar ishin vetëm 10 persona.

Kjo nuk pengoi fotografen e tyre, Jessica Castellano, që të realizonte disa foto vërtet të jashtëzakonshme, që do të mbeten për shumë gjatë në kujtesën e tyre. Ndërkohë, në pritje për t’u puthur si “burrë e grua” pasi të shërohet nusja, Lauren dhe Patrick kanë planifikuar një festë të madhe vitin e ardhshëm, me shpresën që pandemia do të ketë përfunduar. / KultPlus.com

Artistja e famshme botërore Abramovic: Shtrëngoje pemën, është tretmani më i mirë që mund të bëni (VIDEO)

Artistja e famshme Marina Abramovic më 5 dhjetor do të ketë një performancë në lidhje me drunjtë, e cila e jep si një terapi për traumën e vitit 2020, përcjellë KultPlus.

Pas një mbyllje të tmerrshme përgjatë vitit 2020, Abramovic porositë të çlirohemi pranë një peme.

“Pemët janë si qenie njerëzore, kanë inteligjencë, kanë ndjenja”, ka thënë ajo duke potencuar se drunjtë janë dëgjues të heshtur.

“Ju mund të ankoheni te ta, dhe këtë praktikë e fillova shumë kohë më parë gjatë qëndrimit tim në Amazonë”, ka shpjeguar ajo.

“Shko në parkun më të afërt, zgjidh pemën që të pëlqen, shtrëngoje fort dhe zbraze zemrën tuaj, shtrëngoje pemën minimum për 15 minuta. Është tretmani më i mirë që mund të bëni”, ka porositë ajo nëpërmjet një videoje, e cila ka paralajmëruar se do të takohet me ndjekësit më 5 dhjetor, pikërisht me këtë ritual të shtrëngimit te drunjëve./ KultPlus.com

Radio Exeter ka ndaluar transmetimin e këngëve të Rita Orës

Stacioni radiofonik Exeter ka ndaluar transmetimin e këngëve të Rita Orës në formë dënimi dhe revolte pasi theu rregullat e Covid-it dhe festoi me miqtë.

Rita kërkoi publikisht falje duke shkruar se e organizoi festën duke menduar që masat do zbuteshin, por nuk ndodhi ashtu.

Pagoi edhe gjobën prej 10 mijë paundësh, por as dëmshpërblimi monetar dhe as falja publike nuk kanë mjaftuar për drejtuesin e radios.

Prezantuesi i programit të mëngjesit tha: Po e fusim Ritën në listën e zezë. Në fund shtoi se vendimi është marrë për një kohë të paparashikueshme. / KultPlus.com

Jam Shkurta e diagnostikuar që nga lindja me kufizime në shikim: Diskriminimi u bë forcim për mua

Shkruan Shkurta Bregovina

E kuptoja se isha ndryshe, por guximi që buronte nga brendësia ime, si shumica e fëmijëve, me bënte të mos ndaloja përballe rreziqeve të mundshme. Në atë kohë nuk njihja pamundësi.

Prindërit patën vendosur që unë dhe Liridona (motra) të vijonim shkollimin bashkë. Pikërisht aty edhe filloj përballja e vërtet me shoqërinë paragjykuese. Në vitin 2005 kur i mbusha 5 vjeç u përballa për herë të parë me të qenurit person me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë.

Mësuesi, modeli i dytë pas familjes, zgjodhi që diferencat dhe kufizimet t’i aktivizonte që nga klasa e parë. Ditën e parë të klasës së parë mua në prani të tërë klasës më nxori jashtë duke më potencuar se vendi im nuk ishte shkolla e rregullt, por shkolla speciale. “Unë s’muj me punu me nxansa si ti.”

Nejse, na u deshtë ta ndërronim shkollën me shpresën se do të gjenim një mësues që të më pranoj në klasë. Qasja joadekuate më përcolli gjatë tërë ciklit fillor dhe të mesëm të ulët.

Sikur nuk mjaftonte trajtimi diskriminues nga mësimdhënësit. Barrës së paragjykimeve ju shtuan ato të prindërve që sillnin fëmijët në shkollë. Ata i drejtoheshin Liridonës : Kjo çika nuk sheh a ? E ti kujdesesh për të a ? Boll zor valla.

Por këto pyetja asnjëherë nuk m’i bënin fëmijët, ndonëse buronin nga po këto familje paragjykuese.

Gjatë gjithë kohës më kanë shoqëruar pyetjet e famshme me dozë nënçmuese : A ushqehesh vetë ? A pastrohesh vetë ? A edhe ti munesh me mësu? E qysh i nënshtrohesh testeve kur nuk sheh me lexu ?

A ndikonte kjo qasje jo adekuate në mua ? Unë them po.

Përballja me mos pranimin me shkaktoj pasiguri, ndrojtje, dyshim. Por ama unë vendosa që të ndërroj pozicionin e figurave. Zëvendësova pasigurinë me caktimin e Zotit, ndrojtjen në përballje me situatat, dyshimin me besim në aftësitë dhe fuqitë e mia

Me Liridonën i ndamë rrugët ajo në gazetari e unë në punë sociale. Këtu vendosa me tentu, me provu kush është me të vërtet Shkurta.

Ambientimi me mungesën e infrastrukturës në universitet ishte i vështirë. Kisha nevojë për tualet për me ndërru ambient, por shpesh këto ishin të mundura deri kur Liridona përfundonte ligjëratat dhe vinte tek unë. Në mëngjes shkoja dhe prisja deri sa Liridona përfundonte ligjëratat. Dikur pritja në korridoret e filozofikut u bë art në vete, pastaj u bëra një me pritjen. Ndjeja lodhje fizike, por asnjëherë shpirtëror.

As nuk u mjaftova me studimet BA. Po vazhdoj të studioj, madje tani në dy nivele njëkohësisht. Unë po ndjek studime BA Psikologji e përgjithshme dhe MA Psikologji e vlerësimit dhe intervenimit. Sepse pritja, lodhja dhe diskriminimi nuk u bë demoralizim, por forcim për mua.

Përgjigjeve të naltpërmenduna gradualisht u jepja përgjigjeje praktike.

Shkurta e vogël që nuk mundet, nuk mundet dhe prap nuk mundet, u kthye në atë që: Shkurta mund të luaj, të mësoj, të studio, të pastroj shtëpinë, të përgatisë ushqimin, të ndihet e pranuar, të pëlqej dhe të pëlqehet. Mos prit as ti që dikush të të pranojë pa e pranuar ti veten. Mos thuaj nuk ma nin për ofendimet e tjerëve kundrejt meje, se në fakt mua, ty dhe gjithsecilit na bënë të ndihemi jo mirë.

Por çka duhet të bësh në fund? Të ndërrosh pozicionet e figurave dhe të vazhdosh. T’i thuash vetës qëndro se nëse bie ngrihesh përsëri. / KultPlus.com

Selmani: Jemi shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

Në Kosovë, janë dukshëm më të theksuara problemet me të cilat përballen personat me aftësi të veçanta. Gazetari Arbër Selmani, duke pasur një familjar me aftësi të veçanta për të cilin ai kujdeset çdo ditë, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook, duke treguar ballafaqimin e tij të përditshëm me infrastrukturën aspak adekuate për këto raste dhe problemet tjera shtesë. Sipas tij, shoqëria jonë është larg vite dritë për ta kuptuar gjendjen e personave me nevoja të veçanta.

KultPlus ju sjell reagimin e tij të plotë pa ndërhyrje:

Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta
Para banesës teme, është një kalim për karroca të çfarëdoshme. Prindërit debilla, njerëzit që thirren në edukim dhe edukojnë e shumëzojnë padyshim debilla të tjerë, qytetarë që dojnë me e shti kerrin mrena në banesë prej zorit e budallakisë, e parkojnë kerrin bash para kësaj pjese edhe nuk e mendojnë që hiç hiç, këtu kalon një vajzë a një djalë me një shoqërues, në karrocë invalidore. Së paku një person me nevojë të veçantë kalon këtu se shkallëve nuk mundet.
*
Në Kosovë, thirremi fuqishëm që i respektojmë të drejtat e njeriut, e n’fakt personat me nevoja të veçanta as nuk i bojmë hesap dhe diqysh sikur e kemi të instalume që janë pak në numër edhe duhet me i lonë veç në kutinë ku ata gjoja se përkasin.
Pse? Sepse kurqysh nuk na hin në mendje me kriju një infrastrukturë edhe për këta njerëz. E kom potencu edhe ma herët, edhe tash: nëse mendoni që duhet me i parku 10 kerre afër njëra tjetrës e me i bashku gati se krejt, ta dini që sigurtë gjatë ditës e keni pengu një person me karrocë edhe një familjar me lëvizë lirshëm, në hapësirën mes veturave.
Ma kanë blloku krejt mahallën prej punimeve, duhna me u sillë me karrocë okolla-okolla me mujt me e vazhdu shëtitjen me personin tjetër.
Në Breg të Diellit, ku është drejtoria e Rrugëve të Kosovës e Ministrisë së Infrastrukturës, me vite kerret e kanë blloku lëvizjen te një kalim (korsi) e krijuar për karroca, qoftë për njerëz me nevoja të veçanta qoftë për karroca të llojeve e funksioneve tjera.
Para 3 muajve, te kalimi bash para NeëBorn, rreth 20 veta rrijshin si trullqa ndërsa një gru kishte nevojë me e shty se kish mbetë në mes të rrugës me karrocë. Nëse në këtë rast nuk reagoni, besomni që nuk ka as fe, as Zot e as birmilet që ju çon diçka të mirë juve e familjes tuaj.
*
Në Kosovë edhe krejt aftësitë me i pasë, jeta shtyhet me të vjellme, e lo mo ndryshe. Jemi (jeni) shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta, dhe më pas me e ndryshu pak stilin tuaj të jetës në përshtatje të këtyre njerëzve. Mos të harrojmë që edhe deputetët që i kena rrush e me shpirta prush, para disa vjetve nuk dojshin me ju ndihmu personave me nevoja të veçanta.
Meqë në Kosovë nuk ma ndrron mendjen kërkush që shumica jetojmë të pasigurtë në vete, nuk e dimë çka dojmë, kush jemi, pse jetojmë, pra shumica jetojmë në një pluhnosje mendore dhe fizike, kish qenë mirë me i thirrë mendjes e me i ndihmu secilës kategori që mundemi, në çfarëdo forme që mundemi.
Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, dhe ka shumë pak rëndësi sepse ish dashtë secili me vepru ndryshe e me mendu edhe dikënd tjetër pos vetes. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci reagon pas prezencës së Selmanajt në Kuvend: Ky njeri nuk ka as fytyre e as dinjitet

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, e cila u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

Ndërkaq me këtë rast sot po mbahet edhe seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës.

Rend dite e seancës është “Debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”.

I pranishëm në këtë seancë është edhe deputeti Driton Selmanaj, e prania e tij së seancë e ka irrituar deputetet Saranda Bogujevci e cila ka reaguar menjëherë përmes një statusi në Facebook. Sipas Bogujevcit, e cila kohëve të fundit ka pasur përplasje me Selmanaj sa i përket çështjes së të zhdukurve, prezenca e Selmanajt në këtë seancë dëshmon se ai nuk ka fytyrë e as dinjitet.

“Ky njeri nuk ka as fytyre e as dinjitet. Shfrytëzon seancën ku po diskutohet për persona me nevoja të veçanta për të qenë i pranishëm në sallën plenare të Kuvendit.
Nuk mund të kuptoj se si nuk e di kur është mjaft për ta lëndimi dhe mos respekti ndaj qytetarëve”, shkruan Bogujevci. / KultPlus.com

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhim në fushën e kinematografisë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, kanë nënshkruar sot marrëveshjen ndështetërore e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të Filmit dhe Serive televizive.

Me qëllim të zbatimit dhe funksionimit efektiv marrëveshja përcakton themelimin e nënkomisionit për bashkëprodhimet e filmave dhe serive televizive, të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të secilës palë dhe të bashkë-kryesuara nga palët.

Ministrja Dumoshi është shprehur shumë e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Kjo marrëveshje përtej detajeve dhe modaliteteve që përcakton, ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin kulturor, sidomos atij në fushën e kinematografisë, midis Kosovës dhe Turqisë dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, ka theksuar ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Human Rights Watch: Azerbajxhani po i trajton çnjerëzisht të burgosurit e luftës

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” ka thënë se trupat etnike armene që janë zënë gjatë luftimeve në Nagorno-Karabak janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shumë raste nga forcat azere.

Në videot që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale shihen ushtarët azerë duke i goditur me shuplaka dhe shqelma të burgosurit e luftës, tha kjo organizatë në një raport të ri.

Të burgosurit armenë shihet se janë të detyruar që ta puthin flamurin e Azerbajxhanit, ta lavdërojnë presidentin azer, Ilham Aliyev, ta shajnë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, dhe të deklarojnë se rajoni i Nagorno-Karabakut i takon Azerbajxhanit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Ndonëse me ligjin humanitar ndërkombëtar dhe legjislacionin përkatës për konfliktet e armatosura kërkohet nga të gjitha palët që të burgosurit e luftës t’i trajtojnë në mënyrë njerëzore në të gjitha rrethanat, në videot që po qarkullojnë, fytyrat e personave që përdorin dhunë janë të dukshme, duke lënë të kuptohet se ata nuk kanë frikë se do të japin përgjegjësi, thuhet në raportin e organizatës “HRW”.

Të burgosurit e luftës mbrohen me Konventën e Tretë të Gjenevës, sidomos kundër akteve të dhunës, frikësimit, fyerjeve dhe paraqitjes publike.

“Nuk mund të ketë justifikim për trajtimin e dhunshëm dhe dëmtues të të burgosurve të luftës”, tha Hugh Williamson, drejtor i kësaj organizate për Evropë dhe Azi Qendrore.

“Ligji humanitar është absolutisht i qartë për detyrimin për t’i mbrojtur të burgosurit e luftës. Autoritetet e Azerbajxhanit duhet të sigurohen që ky trajtim të përfundojë menjëherë”, shtoi ai.

Ndonëse numri i saktë nuk dihet, zyrtarët armenë i kanë thënë organizatës “Humans Rights Watch” se Azerbajxhani është duke mbajtur dhjetëra të burgosur të luftës të përkatësisë etnike armene. / KultPlus.com

Banorët e Krushës sot protestojnë kundër përgjysmimit të dënimit të Darko Tasiqit

Gjykata e Apelit ia ka përgjysmuar dënimin prej 22 vjetësh që kishte marrë Gjykata Themelore në Prizren në 11 vjet kriminelit të luftës në Kosovë, Darko Tasiq.

Të irrituar nga ky vendim krushjanët, familjarë të viktimave të Tasiq, janë nisur drejt Prishtinës për të protestuar kundër këtij vendimi.

Ata janë tubuar në Krushë dhe nga aty u nisën për në kryeqytet.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, Tasiq në Krushë të Vogël mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ndërsa sipas pikës 2 të aktakuzës, ai akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Edhe kur u dënua me 22 vjet, krushjanët para Gjykatës në Prizren protestuan ashpër duke thënë se po iu bëhet padrejtësi për herë të dytë familjarëve të tyre të vdekur. / KultPlus.com

Forbes: Ava Max, këngëtarja e famshme shqiptare në mesin e yjeve

Ava Max, këngëtarja e famshme shqiptare është në mesin e yjeve të përfshirë në listën e përvitshme, “30 nën 30 vjeç”, të përpiluar nga revista “Forbes”, transmeton albinfo.ch.

Kjo listë ka për qëllim të nderojë çdo vit sukseset financiare të 600 personaliteteve të reja, në 20 kategori të ndryshme.

Këngëtarja ka reaguar ndaj lajmit të mirë duke postuar një mesazh në rrjetet sociale:

“Faleminderit për këtë nder revista ‘Forbes’. “30 nën 30”!!! Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe ne sapo kemi filluar”- ka shkruar artistja shqiptare në profilin e saj. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Viti 2020, një ndër tre vitet më të nxehtë në histori

Toka vazhdoi t’i rezistojë edhe për një periudhë të rëndësishme ngrohjes globale në vitin 2020, sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO).

Një vlerësim i përkohshëm thotë se ky vit do të jetë një nga tre më të nxehtit, menjëherë pas vitit 2016 dhe 2019.

Gjashtë vitet më të ngrohta në historinë e rekordeve botërore që kanë filluar të llogariten nga viti 1850 kanë ndodhur që të gjitha pas vitit 2015.

Ngrohtësia më e dukshme ishte në Arktikun Siberian, ku temperaturat ishin 5 gradë mbi mesataren, shkruan BBC.

Me të dhëna që janë të disponueshme nga janari deri në tetor të këtij viti, WMO thotë se 2020 është vendosur të jetë rreth 1.2 gradë Celcius mbi vijën fillestare.

Të dhënat tregojnë se 2020 është viti i dytë më i nxehtë, pas 2016 dhe para 2015.

Sidoqoftë, sipas pritshmërive të shkencëtarëve të dhënat e temperaturave për nëntor dhe dhjetor ka të ngjarë që të jenë mjaftueshëm të ftohta sa që 2020 mund të kalojë në vend të tretë./kk/ KultPlus.com

Peshkatari i varfër bëhet milioner, gjeti në plazh jashtëqitjen e balenës

Peshkatari i varfër tailandez Naris Suwannasang duket se është bërë milioner brenda natës pasi ka gjetur në plazhin pranë shtëpisë së tij, një masë të madhe lëndës ambergris –substanca e çmuar e gjetur vetëm në stomakun e zorrët e balenave, që vjen në formën e jashtëqitjes ose të vjellës së tyre.

Gjashtëdhjetë vjeçari Suwannasang e gjeti lëndën e çmuar të përdorur në prodhimin e parfumeve në plazhin e Nakhon Si Thammarat, në jug të Tailandës.

Ambergris çmohet për zgjatjen e aromave të parfumeve aq sa një version sintetik i saj është prodhuar nga industria.

Naris thërriti kushërinjtë e tij për ta çuar ngarkesën në shtëpi. Ai ishte siguruar që kishte gjetur ambergris, kur kishte testuar një pjesë të saj dhe pa që merrte flakë.

Vlera e copës së tij të ambergris llogaritet në 2.5 milionë euro.

Naris tha për gazetarët: “Do të shkoj në polici për të regjistruar këtë që kam gjetur, pasi kam frikë se ma vjedhin në shtëpi”.

Ai shtoi se një biznesmen vendas i ka ofruar të 960,000 baht tailandezë (rreth 30 000 euro) per kilogram, për copën e tij rekord prej të vjelle të balenës.

Rroga aktuale e Naris është rreth 500 euro në muaj.

Ambergris njihet si “floriri i detit”.

Fosile të substancës datojnë deri 1.75 milionë vjet më parë dhe me shumë gjasa njerëzit e përdorin prej rreth 1000 vjetësh.

Lënda ka qenë mjaft misterioze deri në vitet kur nisi gjuetia masive e balenave në vitet 1800, kur u kuptua se prodhuesi i vetëm i saj ishte balena e spermës (Physeter macrocephalus).

Balenat e spermës hanë sasi të mëdha cefalopodësh si sepje e oktapodë. Në shumicën e rasteve pjesët e patretshme të presë së tyre “villen” jashtë para tretjes.

Në disa raste këto pjesë lëvizin në zorrë dhe bashkohen me njëra-tjetrën, duke krijuar gradualisht masën e ambergris. Kjo e fundit krijohet në zorrët e balenes gjatë disa viteve, të cilën ato më pas e nxjerrin si jashtëqitje apo nga sipër aparatit tretës.

Nga ambergris nxirret Ambrein, një alkool pa ngjyrë që përdoret për të zgjatur aromën e parfumeve. / KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë mijëra vizatime shkëmbore në pyllin e Amazonës

Një ekip arkeologësh britanikë dhe kolumbianë kanë njoftuar për zbulimin e dhjetëra e mijëra pikturave shkëmbore në Kolumbi e që besohet të datojnë rreth 12,500 vjet më parë.

Duke u shtrirë në 12.8 kilometra përgjatë faqeve shkëmbore, zbulimi është cilësuar edhe si “Kapela Sistine e të lashtëve”. Madhësia e paskaj e zbulimit nënkupton se do të nevojiten breza të tërë për ta studiuar tërësisht.

Koha e vizatimeve vlerësohet prej atyre që janë paraqitur, të tilla si një specie e afërme me elefantin e zhdukur mastodon që nuk ka qenë në Amerikën jugore për të paktën 12,500 vjet teksa bëhet e ditur se aty janë paraqitur edhe kafshë të moçme si palaeolama e kuaj të kohës së akullit.

Vizatimet e ndodhura në Serranía de la Lindosa, një vend tej mase i largët ku arti shkëmbor ishte gjetur edhe më parë, ishin zbuluar vjet, por janë mbajtur sekret deri këtë vit.

Me qëllim që të arrinin vendin në fjalë, anëtarëve të ekipit iu deshën dy orë jashtë San José del Guaviares para se të arrinin në lokacion për katër orë.

“Vendi është kaq i ri, sa ata ende nuk i kanë dhënë një emër”, ka thënë Ella Al-Shamahi.

“Ne filluam të shihnim kafshë që tani janë të zhdukura”, ka thënë lideri i projektit José Iriarte, profesor i arkeologjisë në “Exeter University” dhe ekspert në historinë e Amazonës dhe asaj para-kolumbiane. “Pikturat janë kaq të natyrshme dhe kaq bukur të bëra sa, për shembull, ne kemi pak dyshime se po shohim një kalë. Kali i kohës së akullit ka një fytyrë të egër e të rëndë. Është kaq i detajuar, sa mund të shohim edhe qimet e kalit. Është fascionuese”.

Iriarte ka njoftuar se vizatimet, që duket të shfaqin grupe të vogla figurash që i ngrenë duart rreth kafshëve, mund të jenë paraqitje adhurimesh.

“Për popullin amazonas, jo-njerëzit si kafshët e bimët kanë shpirt, dhe ata komunikojnë dhe lidhen me njerëzit në mënyra bashkëpunuese apo armiqësore nëpërmjet ritualeve dhe praktikave shamanike që i shohim të paraqitura në artin shkëmbor”, ka thënë Iriarte.

Ai më tutje ka shpjeguar se ky zbulim ishte i rëndësishëm për paraqitjen e tij të megafaunës, duke sugjeruar se sa shumë ka ndryshuar rajoni. Kafshët e paraqitura në vizatime nuk mund të jetonin në një pyll shiu. Kur ato ekzistonin, rajoni duhet të ketë qenë më tepër si savanë”, ka thënë Al-Shamahi.

Iriarte thotë se ka edhe më shumë vizatime që presin të zbulohen. “Ne po e gërvishtim vetëm sipërfaqen”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Mes më të suksesshmëve, “Forbes” fut në listë dhe shqiptarin Premtim Gjonbalaj

Revista prestigjioze “Forbes” ka renditur shqiptaro-amerikanin Premtim Gjonbalaj në listën e saj “30 Under 30” për vitin 2021. Bëhet fjalë për 30 të rinj që kanë arritur suksesin në fushën e biznesit dhe industrisë ende pa mbushur 30 vjeç.

Premtimi ka lindur në Brooklyn dhe është në listë për idenë e tij gjeniale në industrinë ushqimore. Ai ka kompaninë “Butler Hospitality” kuzhina e disa prej hoteleve të famshme të New York-ut.

“Imagjinoni një hotel me 150 dhoma, me staf të plotë, shtatë ditë në javë, tre turne në ditë, që shet një produkt që mund të kalbet e skadojë shumë shpejt”, ka shpjeguar ai më herët për revistën Forbes.

Premtimit i lindi ideja gjatë kohës që ishte menaxher i një restoranti dhe në vitin 2015 krijoi këtë platformë që ofronte kërkesë shërbim dhome dhe oferta të ndryshme e quajtur si një “kuzhinë fantazmë”.

Si veprohet? Kuzhinat e hoteleve “flenë gjumë” nëse nuk ka kërkesë për ushqim dhome, apo mëngjese masive, dreka e darka. Kështu që nuk humbasin para. Mirëpo, në letër hotelet ofrojnë ushqime nga më të mirat. Nëse vërtet ka klientë që kërkojnë të ushqehen në hotele atëherë lajmërohet Butler Hospitality. Ata vijnë marrin në dorë kuzhinën e restorantin e hotelit, sjellin gjithçka që duhet, me një ekip talentesh, dhe gatuajnë gjithçka me nivelin e yjeve të hotelit që i thërret.

Suksesi ishte aq i madh saqë kompania e tij, në raportin e fundit, kishte vlerën 85 milionë dollarë sipas revistës “Forbes”.

Premtimi është djalë i shqiptarëve nga Mali i Zi, të cilt u vendosën në New York në fillim të viteve 1990. Revista “Forbes” shkruan se ai u rrit në kuzhina restorantesh, ku punonte pa u lodhur babai i tij përpara se të hapte restorantin e tij, ku Premtimi punonte si pjatalarës, si shërbyes, si shpërndarës ushqimi, e më në fund, si menaxher./ KultPlus.com

Kamionët me vaksina anti-Covid nisen drejt Britanisë

Kamionët që morën vaksinat e para kundër COVID-19 Pfizer / BioNTech janë rrugës për në Britani, pas miratimit për përdorim më herët sot nga rregullatori.

Mijëra doza të vaksinës kanë filluar tashmë “udhëtimin” e tyre nga fabrikat Pfizer në Belgjikë këtë mëngjes, vetëm disa orë pasi “Drita e Gjelbër” u dha nga Autoriteti Rregullator për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA), duke e bërë Britaninë vendin numër një në botën perëndimore, që ka aprovuar përdorimin klinik të ilaçit.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se pandemia po mbaronte, ndërsa kryeministri, Boris Johnson u shpreh se kjo “do të na lejojë të rikthejmë jetën tonë në rrugën e duhur”, por gjithashtu paralajmëroi që njerëzit britanikë nuk duhet të jenë tepër entuziast për zbatimin e shpejtë të programit të vaksinimit.

Rreth 800,000 doza të vaksinës Pfizer, e cila kërkon dy doza me 21 ditë diferencë, do të jenë në dispozicion “nga java tjetër”.

Britania e Madhe tashmë ka porositur një total prej 40 milion dozash, me 10 milion që mbërrijnë në vend deri në fund të vitit 2020 dhe pjesa tjetër brenda vitit të ardhshëm./albinfo.ch/ KultPlus.com

“Art Without Limit International Film Festival” shfaq filmat fitues për nder të ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar


Festivali i Filmit “Art Without Limit International Film Festival” në Prishtinë, me datën 03 Dhjetor 2020 për nderë të ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar do ti shfaq online  12 filmat fitues nga edicioni i parë i Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”
Filmat që do të shfaqen janë filma me shumë çmime kinematografike, poashtu të shperblyer në Festivalin “Art Without Limit International Film Festival” nga juria profesionale në krye me Presidentin e jurisë Z. Veit Heiduschka – Producent nga Austria dhe fitues i çmimit OSCAR!
Filmat të cilët do të shfaqen janë;

“MATCH”
Regjia: Vincent Hazard, France
“LOOK BEYOND APPEAREANCES” Regjia; Dervin Usta, Turkey
“AN ELEPHANT ON THE MOON” Regjia; Benjamin Barthélémy,  France
“CUERDAS” Regjia; Pedro Solís García,  Spain
“MARTIN” Regjia; Donal Moloney, Ireland
“HOSPICE OF SANTA BARBARA – MANUEL’S STORY” Regjia;  Greg Kroes, Lou Figueroa, USA
“WAVE”  Regjia;  Benjamin Cleary,  Ireland
“DELIVERY BOY” Regjia; Vinicius Saramago, Brazil
“AZAR” Regjia; Diba Ehteshami, Iran
“ROUTINE” RegjiaBekim Guri, Kosovë
“DIMA’S GAME” Regjia; Oussayma Canbarieh,  Canada “BUILDING 50 HOMES IN MELAMCHI” Regjia; Justin Cava – Janes, Indonezia

Filmat do të gjinden në platfomat online të Festivalit ;
www.artwithoutlimit-filmfestival.com
https://www.facebook.com/Art-Without-Limit-International-Film-Festival-103329747916446 /KultPlus.com

Vjosa Osmani inicion themelimin e Bibliotekes “Ibrahim Rugova”

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se janë iniciuar procedurat për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do të emërtohet me emrin e presidentit të parë të Kosovë, Ibrahim Rugovës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një statusi në Facebook ajo ka thënë se ky akt shënon nismën e një traditë të vyer të ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sot, në ditën e lindjes së presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, kemi inicuar procedurat për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do të emërtohet me emrin e themeltarit të shtetit, presidentit të parë të Kosovës, “Dr. Ibrahim Rugova”.

Me këtë akt ne nisim një traditë të vyer të ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore. Bibliotekat, krahas arkivave e muzeve, ruajnë kujtesën e një populli dhe e mbajnë të gjallë vetëdijen për shtetin. Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” do ta jetësojë kujtesën tonë për njërin ndër institucionet themelore të vendit, Presidencën e Kosovës.

Krahas akteve presidenciale, vendimeve, dekreteve, dhuratave, shkresave zyrtare e fotografive, biblioteka do ta mbledhë edhe krijimtarinë e dr. Rugovës, përfshirë librat dhe dorëshkrimet e dr. Rugovës, si dhe njësi të shumta bibliografike për të. Së shpejti, biblioteka do të përfshijë edhe koleksione të tjera të veçanta. Modeli i bibliotekave presidenciale është traditë edhe në SHBA, shtet me të cilën kultivojmë miqësi të hershme e të përhershme./ KultPlus.com

Mall

Poezi nga Medina Pasoma

Sonte malli shtrihet në qerpikun e syrit tënd

Merr jetë nga gjelbrimet e tua, rinohet nga qetësia e bukurisë tënde

Lëshon shpejt valixhet në stacionin e shikimeve

Dhe pret të çelen pranverat, kur sytë përqafohen

E të bëhet spektator i skenës thellim-gëzim

Malli i merr dallgët më të gjalla dhe i gjuan në detin e zërit tënd

Pastaj fjalët kaltërsohen, shpresa fillon të frymoj

Te vaji i skamnorit, dhimbja e të lënduarit

Vdekja e të gjallit dhe rilindja e të vdekurit

Zbarkon malli në ngrohtësinë e duarve tua dhe humb çdo adresë tjetër

Teksa foshnjës heshtja iu bëhet ninullë, largësia më bëhet këngë

Zjarre kryeneçe pa triumf ndizen në botë, për ta luftuar atë të shpirtit

Malli merr thellësinë e oqeaneve, rezistencën e maleve

Butësinë e fushave, prehjen e netëve prej teje

Mbi një cop dhé më del përpara në dyluftim

Duke harruar se ti je nëndheu

Që më flak edhe mua, edhe mallin tim…/ KultPlus.com

Përmbyllet edicioni i 38-të i “Takimet e Poeteshave Shqiptare” çmimi i parë shkon për Valmira Sylejmanin

Medina Pasoma

38 vjetori i organizimit të Festivalit i cili bën bashkë gratë dhe vajzat të cilat flasin nëpërmjet vargjeve, “Takimet e Poeteshave Shqiptare” përmbylli aktivitetet e saja në qytetin e Vushtrrisë, shkruan KultPlus.

Ndonëse konkursi ishte hapur më parë dhe poete të shumta nga vende të ndryshme përtej kufirit të Kosovës kishin dërguar poezitë e tyre në konkurrim, pandemia bëri që organizimi i festivalit të shtyhej. Mirëpo, 2 dhjetori u bë data kur Vushtrria u bë ombrellë për vargjet e frymëzimet e poeteve shqiptare.

Festivali i cili i kishte rezistuar viteve dhe kishte mbetur një simbol identifikimi kulturor për këtë qytet, këtë vit u organizua pa praninë e publikut dhe në respektim të masave anti-covid.

Ulëset e teatrit të qytetit “Adem Mikullovci” u mbushën me praninë e artdashëseve dhe shkrimtareve nga vende të ndryshme, të cilat gjetën bashkim rreth letërsisë.

Të gjithë u ngritën në këmbë në nderim të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, të cilat shënuan edhe hapjen e edicionit të 38-të të Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.

Në skenën e teatrit të qytetit antik u shfaq moderatorja Ejonë Hasani, e cila në fillim të festivalit lexoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, duke sjellur në kujtesë me nostalgji organizimin e para një viti.

Pas këtij interpretimi, fjalën e morri drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia, e cila përshëndeti poetet pjesëmarrëse.

“Takimet e Poeteshave Shqiptare nuk përbëjnë thjesht një tubim të zakonshëm të poeteve a të poezisë, por përbëjnë një takim të veçantë, të vetmin të këtij lloji në mbarë trojet shqiptare, andaj pjesëmarrja në këtë festival, përveç nesh iu bën nder edhe juve”, u shpreh Cecelia.

Pas fjalimit të drejtoreshës radha ishte që skena të zbukurohej me frymëzimet e poeteve dhe fjalët, përmes të cilave ato shprehnin botën e tyre të brendshme. Secila nga to morrën me radhë vendet e tyre në foltore, duke përçuar ndjenja dhe motive prej më të ndryshmeve, mirëpo sërish duke gjetur një të përbashkët secila nga to, të shprehurit nëpërmjet poezisë. Në anën tjetër organizatorët u kujdesën që edhe poetet të cilat nuk patën mundësi të vinin fizikisht në Festival të përfaqësoheshin nëpërmjet leximit të poezive të tyre nga moderatorja Ejonë Hasani.

Teksa ndërroheshin tematikat dhe emocionet nëpërmjet vargjeve, secila nga to kishte kurreshtje të madhe për të ditur fituesit e çmimeve, teksa ky Festival ndante çmimin e parë, të dytë, të tretë si dhe atë të debutantes, e cila iu dhurohej poetes më të re në moshë.

Për të hijeshuar edhe më shumë festivalin që kishte themel fjalën shqipe, nga skena e teatrit “Adem Mikullovci” u dëgjuan dhe u panë talentë të shumtë vushtrrias. Zëri i magjishëm i Elvira Mazhiqit nëpërmjet interpretimit të këngës “Valsi i Lumturisë”, Lejla Nika dhe Laurenta Dobërdoli me emocionin që fal kënga “Pranvera ka nis me ardhë” dhe Ansambli i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” me vallet e shumta i falën publikut momente të paharrueshme.

Pas këtyre interpretimeve artistike, koha ishte të shpalleshin emrat e jurisë të cilët tanimë veçse kishin bërë vlerësimet e tyre. Nevrije Islami, Merxhan Avdyli dhe Mentor Mani përbënin treshet në duart e së cilës kishin kaluar shumë poezi dhe në fund kishin përzgjedhur 21 më të mirat për të garuar gjerë në finale.

Teksa poetet pritnin me padurim, moderatorja Ejonë Hasani filloi t’i kumtonte emrat e fituesve dhe personat të cilët do të bënin shpërndarjen e çmimeve.

Drejtoresha Fatmire Cecelia si kryeorganizatore e edicionit të 38-të të Takimit të Poeteshave Shqiptare ndau çmimin e parë për Valmira Sylejmanin e cila nuk ishte prezente si dhe çmimin e dytë për poeten Nurimshahe Demalijaj.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Vushtrri, Nasuf Aliu kishte marrë vendin e tij në skenë për t’ia dhuruar çmimin e tretë poetes Majlinda Shaqiri.

Ndërkaq, deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Fjolla Ujkani e cila njëkohësisht vie nga qyteti i Vushtrrisë ndau çmimin debutantja, e cila iu jipej poetes më të re në moshë, e që kësaj radhe rastisi të jetë Elona Fazliu.

Edicioni i 38-të i Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare” u përmbyll me një fotografi të përbashkët të poeteve nga vende dhe me frymëzime të ndryshme. / KultPlus.com

Fshati i Gjakovës merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, krahasohet me Nju Jorkun dhe Moskën

Fshati Pjetërshtan i cili gjendet pak kilometra larg Gjakovës i cili çdo fund vit dekorohet dhe kthehet në një pamje magjike ka marrë edhe vëmendjen e mediave botërore.

Euronews i ka kushtuar një kronikë, dekorimit të Pjetërshtanit për Krishtlindje dhe Vit të Ri.

Ata madje e kanë krahasuar dekorimin e këtij fshati me pamjen e mrekullueshme që merr Nju Jork dhe Moska për festat e fundvitit.

Si çdo vit edhe këtë vit banorët e kanë stolisur hapësirën rreth famullisë, dhe kjo gjë e ka bërë fshatin piktoresk.

Me pamjen e mrekullueshme që merr në fundvit Pjetërshtani është një ide e mirë për ta vizituar dhe shijuar dekorimin e tij përrallor./ KultPlus.com

https://streamable.com/e/f2ewrq

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Buxhovi: Presidentin nuk ka kush ta përkujtojë, ata që nuk u vranë, kaherë janë shpallur të padëshirueshëm

Gjatë ditës së sotme në nderim të ditëlindjes së presidentit historik të Kosovës, në vendlindjen e tij është përuruar shtatorja e tij, shkruan KultPlus.

Për të kujtuar Rugovën kanë qenë të shumta mesazhet dhe statuset që nga figurat politike të vendit e deri tek qytetarët.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se sot nuk ka se kush ta përkujtoj Rugovën, sepse sipas tij ata që i takuan kauzës së përbashkët ose u vranë ose u shpallën  të padëshirueshëm.

“PRESIDENTIN nuk ka kush ta përkujtojë nga ata që i takuan kauzës së përbashkët. Ngaqë ata që nuk u vranë, kaherë janë shpallur të padëshirueshëm, apo jo?”, ka shkruar ai./KultPlus.com