Sot është datëlindja 76-të e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ushtruesja e detyrës së postit të presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar sot figurën e Rugovës ku bëri homazhe tek varri i tij dhe tutje ka theksuar se Rugova është themeltari i shtetit të Kosovës, një personalitet i jashtëzakonshëm historik dhe politikan humanist.
“Në ditëlindjen e themeltarit të shtetit, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtuam personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës e politikanin humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës”, shkruan Osmani e cila tutje shprehet se tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin.” / KultPlus.com
Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e Qeverisë Hoti, që gjysmëvjetori i parë nëpër shkolla fillore dhe të mesme të përfundojë 10 ditë më herët.
Këshilli përmes një komunikate për media, ka konfirmuar se lidhur me këtë vendim nuk është konsultuar fare nga Qeveria e vendit.
“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në një komunikatë për media.
Pushimi, sipas vendimit të qeverisë do të zgjasë deri më 18 janar dhe është marrë për shkak të situatës me koronavirus.
Kujtojmë se që nga marsi kur u shënuan rastet e para me Covid-19 në vend, procesi mësimor është mbajtur në formë të kombinuar, online dhe përmes orëve të shkurtuara në shkolla. / Gazeta Express/ KultPlus.com
Kosova e ligështuar dhe e dërmuar, pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me mendësi ekstremiste, që i vërtiten si profetë të rremë, duhet të frymëzohet nga figura shembullore e Ibrahim Rugovës për të tejkaluar sfidat e mëdha që ka përpara. Sepse Rugova e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve – testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Këtë testament – të cilit ai i blatohej – bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e tyre: Të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e karakterizojnë kohën pas tij.
Rugova është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën politike të botës.
Rugova qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër shqiptarë.
Ai e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti, njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askë.
Sepse ai ishte i vërtetë dhe i njerëzishëm.
Ai nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej, dhe e fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte popullin e vet i pa tunduar.
Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe korpusit të autorëve oskdentalë dhe nuk tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve të tjera.
Në saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.
Rugova punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision. Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të papërsëritshëm.
Prandaj, mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.
Mallëngjehem, sa herë i dëgjoj ose i lexoj idetë e tij të fisme politike dhe në anën tjetër shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe pa kurrfarë ideale.
Sot është datëlindja 76-të e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.
Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:
– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:
– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.
– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).
“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
– Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.
Ish-presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006. / KultPlus.com
Elbenita Kajtazi, sot është një ndër sopranot më të mira shqiptare e cila ka arritur të shkelë skena të mëdha botërore. Zëri i saj ka thyer kufijtë e ka jehuar para mijëra spektatorëve, shkruan KultPlus.
Por, secili nga ne ka një të kaluar, shpesh jo edhe të lehtë. Sidomos kur flasim për gjenerata e kohës së luftës së fundit në Kosovë.
Elbenita ishte vetëm 9 vjeçare në vitin 1999, atëherë kur lufta kishte arrit në kulmin e saj.
Elbenita me një shishe qumështi në dorë, është fotografia që një shok i fëmijërisë i ka dërguar mbrëmë Elbenites, e kjo e ka emocionuar pafund sopranon dhe e ka kthyer në kohë. Prapa kësaj fotografia fshihet një histori inspiruese të cilën ajo ka vendosur ta ndajë me ndjekësit e saj në Facebook.
KultPlus ju sjell rrëfimin prekës të Elbenitës pa ndërhyrje:
Kjo jam unë me një shishe qumësht shumë të shijshëm në duar pesë muaj pas luftës në Mitrovicë-Kosovë, më 26.10.1999 në 08:09 të mëngjesit! Do t’ju tregoj të gjithëve një histori të vogël. Para luftës ne kishim dy lopë të bukura dhe shisnim qumësht në lagje, sepse dy lopët e mia të bukura kishin qumështin më të mirë që ekziston, dhe unë isha fëmija që ua shpërndaja qumështin fqinjëve tanë. Gjatë luftës ne ishim refugjatë në Shqipëri dhe natyrisht duhej të linim gjithçka që kishim pas, edhe dy lopët e mia të bukura që aq shumë i doja! I pashë për herë të fundit kur u larguam nga shtëpia dhe mendova se nuk do t’i shoh më kurrë, por unë dhe gjyshja ime i kërkonim kur u kthyem nga Shqipëria dhe kur lufta kishte mbaruar. Edhe sot që tregoj këtë histori nuk mund të besoj se i gjetëm! Unë isha fëmija më i lumtur në tokë kur i gjetëm, kujtoj se u hodha lartë nga lumturia! Pas luftës, puna ime e vjetër u kthye, unë vazhdoja të jem vajza që shpërndanë qumështin dhe e doja punën time! Kur një shok më dërgoi këtë fotografi mbrëmë, unë qava shumë, u emocionova shumë dhe kujtova kohën e saktë dhe ditën dhe gjithçka që ndodhi atë ditë! Ishte një pamje shumë e bukur për ta parë, për të më bërë gjithmonë të kujtoj se nga vij dhe të jem krenare për faktin se në të kaluarën isha një vajzë me ëndrra shumë të mëdha dhe gjithashtu kisha një punë për të shpërndarë qumësht dhe fituar para për të ndihmuar familjen time me atë punë, si një fëmijë 9 vjeç! Kush mendonte se do të bëhesha këngëtare e Operas… atëherë nuk kisha ide se çfarë ishte opera, më besoni!
Ermonela Jaho më tha një ditë se “asgjë nuk është e pamundur në këtë botë, dhe ju mund të arrini çdo ëndërr që keni”. Unë ende besoj në atë që ajo më tha dhe unë ende shikoj deri në ato fjalë! #kosovogirl me shumë ëndrra. / KultPlus.com
Para 22 viteve vritet veprimtari, poeti e gazetari Afrim Maliqi, vëllai i vetëm i shtatë motrave, baladë në vete. Ai jetoi vetëm 33 pranvera, ose “vetëm tetëmbëdhjetë orë më shumë se Jezu Krishti”, siç do të shkruante gazetari Jusuf Salihu.
Në vjeshtën e ftohtë të 2 dhjetorit të vitit 1998, Afrimi bie dëshmor si një veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare bashkë me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin, derisa ndodheshin në një mision ushtarak. Ata u vranë në një pritë që i kishin bërë forcat e shumta serbe në Prishtinë, në afërsi të Qendrës së studentëve.
Lajmi për vrasjen e Afrimit ishte ankth e tmerr në familjen e tij, tek miqtë dhe tek të gjithë ne që e njohëm.
“Çdo rrëfim për vrasjen e njeriut të mirë është një tmerr. Por rrëfimi për vrasjen e artistit dhe intelektualit kapërcen kufijtë e tmerrit. Është një tundje planetare”, do të shkruante Halil Matoshi.
“Po. Vrasja e Afrimit është një prerje, siç u prenë baladat e J.G. – së. Afrim Maliqi. Një emër midis nesh, që e kemi dashur, sepse ishte i shndritur nga mendimi. Po. Afrimi ishte një Amadeus – i ardhur i perëndisë, se Zoti i zgjidhka dëshmorët, dhe këtë fat s’mund ta ketë secili nesh – një dëshmor që jeton, vetëm ka ndërruar trajtë – por ne nuk kemi afërsi që ta shohim, ai jeton heshtur, por historia nuk bëhet pa të. Ai ishte një kritik i rreptë i shoqërisë shqiptare, por i butë dhe fin. O Zot i madh, si bëre emër që Afrimi të zgjodhët që t’u bëhet fli hyjnive të një toke të egër, por të pafajshme, siç është Fusha e Mëllenjave. Pse të zgjedhurin tënd o Zot? Atë e patëm zgjedhur ne, pse na e more Zot. Ah, Afrim Maliqi se ç’na bëre një gropë në shpirtë, një humnerë të madhe sa mungesa”, ka shkruar mes tjerash Matoshi më 22 dhjetor 1988.
Për vrasjen e tij kanë shkruar intelektual, poetë, miqë e kolegët të shumtë gazetarë si: Enver Maloku, Blerim Shala, Jusuf Salihu, Nazmi Elezi, Safet Zejnullahu, Ali Cenaj, Ismail Syla, Nazmi Misini, Emine Berisha, Bekim Toqani, Fisnik Abrashi, Shaip Mustafa, Xhevat Llugaiu, Afrim Mustafa, Habibe Maliqi, etj.
Kolegu e miku i tij Shpend Halili, shkruan rrëfimin me titull “Artisti vdes i ri” ose “ Njeriu vdes i ri” pat shkruar në një varg poeti Sabri Hamiti; e miku ynë Afrim Maliqi vdiq i ri, jo vetëm si njeri, po edhe si artist. Pak kush ka mundur ta njohë atë shumë, edhe pse kishte shumë miq, dhe kjo vetëm për arsyen e vetme, se ai sikur të gjithë artistët vetmitarë ndrynte në vete dy botërat misterioze: atë të jetës reale dhe të asaj imagjinare. Jeta iu këput fare shpejt, ashtu sikur vdiset sot në Kosovë – me vrasje; tinëzisht. Po, për vdekjen e tij, ai nga thellësia e shpirtit sikur ishte i paralajmëruar, sepse kur na rastiste të flisnim për vdekjen, e merrte atë bisedë fare lirshëm, si një fund i cili mund të vijë shumë shpejt. Ai, kish lindur që të vdiste herët, ngase jo një herë e thoshte sekretin e tij se si paramendonte varrimin e tij.. E cili mund ta thotë këtë mendim për vdekjen e varrimin, veç njeriut të cilin e cilëson virtyti i trimërisë”, ka thënë mes tjerash Halili.
Poeti e gazetari Afrim Maliqi lindi më 1 dhjetor 1965 në fshatin Dobratin të Podujevës. Mësimet e para deri në klasën e gjashtë i kishte filluar në vendlindje për ti vazhduar vitet tjera të tetëvjeçares në Dumnicë të poshtme, ku ishte shpërngulur me familje e tij. Shkollimin e mesëm Afrimi e vazhdon në QAMO të Podujevës, kurse studimet i përfundon në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, në degën: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë periudhës së studimeve, ai u njoh me Sevdije Rexhepin nga Prishtina, me të cilën u martua në muajin maj të vitit 1989. Nga kjo martesë ata i dhuruan jetë djalit Bardhit dhe vajzës Gresës.
Afrimi gjatë punës prej gazetari në të përditshmen “Rilindja” përkatësisht “Bujku” të Prishtinës, regjistron studimet postdiplomike për letërsinë shqipe dhe shquhej me shkrimet analitike për gjendjen e përgjithshme në Kosovën e okupuar nga Serbia.
Në të njëjtën kohë ai dha kontribut edhe në letërsinë shqiptare. Afrimi botoi shumë krijime letrare, kritikë, ese e poezi në të përditshmet tona si në gazetën e studentëve “Bota e re”, Prishtinë, Flaka e vëllazërimit”, Shkup, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, “Rilindja” Prishtinë, etj.
Çështja kombëtare shqiptare për të nuk mbeti vetëm një kontribut, por edhe sakrificë jetësore, për të cilën ai e la bashkëshorten Sevdijen me dy fëmijët, shtatë motrat pa asnjë vëlla dhe nënën Mihrije pa djalin e vetëm.
Vepra letrare e publicistike e Afrimit u botua në dy vëllime nga Qendra e Kulturës në Podujevës, e udhëhequr nga Nexhmi Balaj e nën përkujdesjen dhe mbledhjen e materialeve nga Munish Hyseni e bashkëshortja e tij Sevdije Maliqi.
Afrimi do të mbetet përherë i gjallë në historinë dhe kujtesën e shoqërisë shqiptare. / KultPlus.com
Në bazë të vlerësimeve, mbetjet mortore të 7 deri në 20 personave janë gjetur në një lokacion në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, thotë shefi i Programit për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP), Matthew Holliday.
Zyra për media e Qeverisë së Serbisë ka njoftuar më 30 nëntor se ka filluar zhvarrosja e këtyre mbetjeve mortore, të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës.
Ekspertët e ICMP-së po ofrojnë ndihmë mjeko-ligjore për zhvarrosjen, në lokacionin që gjendet rreth 250 kilometra në jug të Beogradit dhe sipas Hollidayt, ekipi u vendos atje në fillim të kësaj jave.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Holliday, ekspertët nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) po ofrojnë mbështetje teknike të forenzikës në zhvarrosjen aktuale të mbetjeve mortore në Kizhevak në afërsi të Rashkës në Serbi. Deri më tani, çfarë dihet për këtë varrezë të dyshuar masive?
Matthew Holliday: Ekipi ynë ka shkuar atje të dielën. Ata ishin atje kur nisën zhvarrosjet të hënën. Ka qenë një proces i gjatë. Komisioni i Serbisë për Personat e Pagjetur faktikisht nisi vlerësimin e lokacionit në Kizhevak, besoj në nëntorin e vitit 2015.
Ata kanë kryer këto vlerësime që atëherë dhe në fillim të këtij muaji, ata gjetën mbetje mortore. Ka qenë një proces i gjatë, por pjesë kockore janë gjetur nga Komisioni i Serbisë dhe më pas ky Komision kontaktoi ICMP-në dhe kërkoi ndihmë të ekipeve tona të forenzikës që të ndimojnë në procesin e zhvarrosjes.
Duke mos paragjykuar se çfarë mund të gjendet në lokacionin ku gjendet varreza masive, por kuptohet se kjo është një varrezë dytësore masive dhe mund të ketë lidhje me gërmimet në Rashkën dhe Rudnicën që u kryen disa vite më parë. Mendoj se besohet që viktimat e gjetura në Kizhevak gjithashtu viijnë nga incidentet e njëjta në Kosovë më 1999.
Në këtë lokacion besohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës. A e dini se për sa persona bëhet fjalë?
Matthew Holliday: Kam biseduar me kolegët dhe ka një vlerësim se 7 deri në 20 raste të mbetjeve mortore mund të nxirren nga ky lokacion. Por, nuk mund të prejudikoj deri kur ta kemi zbuluar të gjithë varrin. Sot kam qenë në kontakt me ekipin, më kanë treguar se shtresa e sipërme është hequr nga kjo vendndodhje. Ata kanë bërë një sërë matjesh, dhe ka indikacione se ata do të hyjnë në vendin ku gjendet varri masiv të mërkurën. Pra, do të mund ta dimë se për sa raste bëhet fjalë kur varri masiv të jetë zbuluar plotësisht.
Sa prisni që të zgjasë procesi i zhvarrosjes bazuar në eksperiencat e mëparshme?
Matthew Holliday: Është e vështirë të thuhet, por mendoj se vlerësimet janë që brenda 10-15 ditëve për këtë lokacion specifik. Por, gjithçka varet nga numri i rasteve që do të lokalizohen dhe do të duhet të nxirren nga ky lokacion. Nëse ka më shumë, do të zgjasë më shumë, nëse ka më pak (mbetje mortore), procesi i zhvarrosjes do të kryhet më shpejt.
Kur mendoni se rezultatet e këtyre gërmimeve do të publikohen? Kur do ta dihet se kush ishte i varrosur në Kizhevak?
Matthew Holliday: Kjo varet shumë nga Dhomat për Krime Lufte të Gjykatës së Qarkut të Beogradit pasi që ky lokacion është nën juridiksionin e Gjykatës dhe Prokurorisë. Me sa kuptoj unë një tendë është ngritur pranë kësaj vendndodhjeje për ekzaminimin forenzik dhe antropologjik të mbetjeve mortore dhe për të marrë mostrat për autopsi, të cilat më pas do t’i dërgohen laboratorit të ICMP-së për testime të ADN-së, për profilizimin dhe analiza të tjera.
Është e komplikuar dhe e vështirë të thuhet se sa kohë duhet për të analizuar një mostër sepse ka shumë variacione. Fillimisht varet se kur një mostër është dërguar te ne, varet se sa sasi të ADN-së ka në këto mostra dhe varet nëse nga to ne mund të nxjerrim një profil. Ne kemi zhvilluar një sërë teknikash për të rritur shanset që nga mostrat të mund të nxirret një profil, por kur pranohen mostrat ato duhet të amplifikohen dhe duhet të bëhet procesi i krahasimit të ADN-së me mostrat e referencës që janë dërguar nga familjet. Dhe më pas duhet të ketë verifikime rigoroze që të sigurohemi se kemi përputhje të ADN-së që ka plotësuar kriterin minimal prej 99,95 për qind, që është kriteri që ne duhet ta plotësojmë për të raportuar se kemi gjetur përputhje të ADN-së.
Pra, ka shumë variabla, por besoj që mund të presim që rezultatet do t’iu jepen autoriteteve – në kuptimin e identitetit – nëse kemi përputhje të ADN-së me të dhënat që kemi në databazën tonë, deri në fund të çerekut të parë të vitit të ardhshëm. Këtë e them duke pasur rezerva, duke pasur në mendje të gjitha këto variabla.
Cili do të jetë tani roli i ICMP-së në Kizhevak dhe kush do të përfshihet në ekzaminimet e mëtejme për mbetjet mortore që do të gjinden?
Matthew Holliday: ICMP-ja ka dërguar një ekip në lokacionin në Kizhevak: dy arkeologë të forenzikës, një antropolog të forenzikës. Ekipi ynë nuk është duke e udhëhequr procesin e zhvarrosjes, ky proces është duke u udhëhequr nga një arkeolog nga Komisioni i Serbisë për Personat e Pagjetur. Ne po i asistojmë Komisionit serb dhe është në dorën e këtij komisionin që të marrë të gjitha vendimet për këtë proces.
Sa i përket punës që ekipi ynë do të bëjë në të ardhmen në këtë lokacion, faktikisht ata kanë përveshur mëngët dhe po punojnë në këtë lokacion. Thash edhe më herët, sot ata kanë punuar për të pastruar shtresën e sipërme dhe presin që të arrijnë te vendi ku gjendet varri masiv të mërkurën dhe të gjejnë mbetjet skeletore. Më pas ato duhet të nxirren, të ekzaminohen dhe t’u merren mostrat dhe besoj se ICMP-ja do të ketë rol në të gjitha këto elemente, në kuptimin e asistimit të Komisionit serb lidhur me këtë çështje.
A keni informacione se gërmime të reja do të kryhen në të ardhmen, qoftë në Kosovë apo Serbi, në kërkim të varrezave të mundshme masive?
Matthew Holliday: Ka një numër të lokacioneve që janë në interesin e Kosovës në territorin e Serbisë dhe në interesin e Serbisë që janë në territorin e Kosovës. Besoj se një plan për zhvarrosje është duke u bërë që të ndodhë në pranverë të vitit 2021. Por, përtej kësaj, nuk mund të jap më shumë detaje. Besoj se kjo pyetje duhet drejtuar Komisionit të Kosovës për Personat e Pagjetur dhe Komisionit të Serbisë.
Si e komentoni faktin se 21 vjet pas mbarimit të luftës, mbi 1,400 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.
Matthew Holliday: Natyrisht se për familjet, fakti që ende kanë familjarë të pagjetur mendoj se është një trashëgimi e dhimbshme e konfliktit, pa asnjë diskutim. Në anën tjetër, të paktën 2,500 nga rreth 4,500 persona të pagjetur nga konflikti i Kosovës janë gjetur dhe janë identifikuar përmes analizave të ADN-së. Dhe është e rëndësishme që të mos harrojmë se është bërë arritje e madhe në këto 20 vjetët e fundit dhe mund të shikojmë zhvarrimet që janë bërë në territorin e Serbisë në Batajnicë, në Petrovo Selo, Bajina Bashta, Rashkë, Rudnicë dhe tani Kizhevak.
Nëse e heqim Kizhevakun nga ky ekuacion, pothuajse 97 për qind e pothuajse 900 rasteve që janë zhvarrosur nga Batajnica, Petrovo Selo, Bajina Bashta, Rashka dhe Rudnica janë identifikuar përmes analizave të ADN-së të kryera nga ne. Prandaj, mendoj se ka disa arritje të rëndësishme.
Besoj se të dyja palët, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të jenë të përkushtuara që ta zgjidhin këtë çështje si prioritet. Të dyja palët kanë krijuar komisione që i dedikohen kësaj çështjeje, që punojnë dhe koordinojnë procesin e kërkimit. Ne do të donim që kjo të intensifikohej sepse ka kaluar një kohë e gjatë dhe informacioni po zbehet, kujtimet e dëshmitarëve zbehen dhe mund të bëhet më shumë për të gjetur lokacionet e varreza të tjera masive.
Mendoj se njëra nga çështjet kryesore në punën në të ardhmen, nuk ka të bëjë vetëm me lokalizimin e varrezave të reja, por sesi të adresohet çështja e personave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës. Ka të paktën 350 raste që janë atje. ICMP-ja po punon ngushtë me Komisionin e Kosovës lidhur me procesin e vlerësimin e të gjithë personave të paidentifikuar për të parë se sa prej këtyre rasteve janë jashtë mandatit, që do të thotë nuk janë rezultat i konfliktit të Kosovës dhe se çfarë mund të bëhet që të zgjidhen rastet tjera që duhet se janë brenda mandatit të komisionit.
Ne do të mbështesim Komisionin e Kosovës për këtë gjë dhe besoj është e rëndësishme të theksohet se duhet të bëhet në kontekstin e grupit të personave të pagjetur, që është një mekanizëm shumëpalësh rajonal, ku përfshihet Komisioni nga Serbia, ai i Kosovës, por edhe nga komisionet nga Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina sepse që të gjithë përballen me problemin e mbetjeve të paidentifikuara mortore, që janë gjetur në territoret e tyre, por që nuk kanë mundur të identifikohen përmes analizave të ADN-së.
Cilat janë sfidat që po bëjnë që disa nga mbetjet mortore nuk kanë mundur të identifikohen përmes analizave të ADN-së?
Matthew Holliday: Janë tri arsye se pse mbetjet e tilla mortore nuk mund të identifikohen përmes ADN-së. E para, ato mund të jenë historike, pra nuk datojnë nga konflikti – edhe pse kemi mbledhur mbi 14,000 mostra të referencës nga familjarët që kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur nga konflikti i Kosovës. Nëse janë historike, ato nuk do të përputhen me mostrat që kemi mbledhur nga familjarët. Kjo është një arsye se pse disa raste vazhdojnë të jenë të paidentifikuara. Një arsye tjetër është se potencialisht anëtarët e familjes kanë refuzuar që të japin mostra të ADN-së ose ka të ngjarë që të gjithë anëtarët e familjes janë vrarë gjatë konfliktit dhe nuk ka mostra të referencës. Edhe kjo arsye duhet të merret parasysh.
Por, mendoj se arsyeja kryesore që pamundëson përputhjen përmes ADN-së të të paidentifikuarve që gjenden në morgun e Prishtinës, është fakti se rreth 2,000 raste janë identifikuar në vitin 1999, 2,000 të tjerë më 2001 pa analizat e ADN-së, përmes metodave tradicionale të identifikimit përmes të dhënave antropomorfike, të gjësendeve që janë gjetur pranë mbetjeve mortore, gjë që fatkeqësisht çon në mundësinë e gabimit.
Është e rëndësishme që Komisioni i Kosovës të bëjë vlerësimin e këtyre rasteve të paidentifikuara, që do të thotë se duhet të rishikohet i gjithë dokumentacioni i vendeve, ku janë gjetur trupat, prej ku janë zhvarrosur, potencialisht edhe mostra të reja të mbledhur, në mënyrë që të ofrojnë informacion të saktë dhe t’iu ofrojnë përgjigje familjeve të të pagjeturve, por po ashtu t’iu ofrojnë përgjigje homologëve të tyre në Beograd. Kjo do të ndihmonte për të depolitizuar çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara.
Le të kthehemi te çështja e Kizhevakut. Kjo është varreza e pestë masive e zbuluar në Serbi që prej përfundimit të luftës. Sa janë përdorur prova për të sjellë drejtësi, pasi çdo rast të personave të pagjetur është i lidhur me një krim?
Matthew Holliday: Nuk mund të komentoj lidhur me numrin e rasteve të krimeve të luftës nga konflikti i Kosovës që kanë dalë para drejtësisë në Beograd. Mund të përmendim rastin e Vllastimir Gjorgjeviqit para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, në rastin e Gjorgjeviqit dhe tre gjeneralëve të tjerë. Mendoj se Tribunali në Hagë bëri punën sa i përket rasteve të profilit të lartë sa i përket konfliktit në Kosovë.
Por, pa dyshim ka ende persona që kanë kryer krime që ecin të lirë dhe nuk po flas vetëm për ata Serbi, por edhe për keqbërësit në Kosovë. Pavarësisht kombësisë apo etnisë, të gjithë keqbërësit duhet të përballen me drejtësinë për hir të viktimave, por edhe për hir të normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve në rajon.
Më 2018, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, nënshkruan në Hagë kornizën e një plani përmes së cilit ata u zotuan se do të bëjnë më shumë sa i përket mbi 12,000 personave të pagjetur në Ballkanin Perëndimor. Atëbotë, ju patët thënë se kjo ishte një arritje e madhe sa i përket forcimit të bashkëpunimit rajonal. Çfarë është përmirësuar që atëherë, sa i përket çështjes së personave të pagjetur?
Matthew Holliday: Mendoj se nënshkrimi i kornizës së këtij plani po ashtu për krijimin e grupit të personave të pagjetur, që besoj se është unik, është një mekanizëm shumëpalësh, ku Kosova përfaqësohet në formë të barabartë me Serbinë, por gjithashtu edhe karshi Bosnjës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Kjo ofron një forum shumëpalësh për bashkëpunim, për ndarjen e informacioneve për rastet e personave të pagjetur. Pjesëtarët e këtij grupi të personave të pagjetur, institucionet vendore, komisionet kanë ndërtuar një databazë rajonale për rastet e personave të pagjetur dhe ata i përdorin këto të dhëna në baza ditore, për të ndarë dhe për të shkëmbyer informacione me njëri-tjetrin për këtë çështje.
Kjo është shumë e rëndësishme se mbi 2,500 raste nga ajo databazë shfaqen në dy apo më shumë institucione vendore, prandaj që të gjithë ata kanë interes për atë rast specifik. Për shembull, Kosova mbyll një rast, e identifikon një person dhe nëse i njëjti rast ka qenë edhe në Serbi apo Mal të Zi, pas kësaj, menjëherë homologët e tyre informohen për këtë. Besoj se kjo ka sjell një transparencë më të madhe dhe ka rritur besimin në procesin për personat e pagjetur. Besoj që kjo është shumë e rëndësishme. Po ashtu, grupi për personat e pagjetur ka formuar një grup operacional për të adresuar çështjen e mbetjeve mortore që ende nuk janë identifikuar.
Besoj që kjo ka ndihmuar shumë në depolitizimin e kësaj çështjeje, por nuk mund të themi se kjo çështje nuk është e politizuar pasi dëgjojmë deklarata në media të politikanëve të ndryshëm. Por, besoj që ky grup në masë të madhe ka depolitizuar çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara. Çdo anëtar i këtij grupi ka informacione se çfarë po bëjnë homologët e tyre për të zgjidhur këto raste dhe faktikisht apo po punojnë së bashku duke ndarë informacione me njëri-tjetrin për të zgjidhur disa nga këto raste. Ne kemi pasur disa identifikime, falë këtij bashkëpunimi përmes grupit për personat e pagjetur dhe përmes zbatimit të planit-kornizë. Besoj se kjo është e ardhmja e bashkëpunimit për çështjen e të pagjeturve.
Çështja e të pagjeturve është gjithashtu temë e diskutimeve në dialogun në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu është pjesë e marrëveshjes së arritur në Uashington më 4 shtator. A keni kontakte me Uashingtonin dhe Brukselin dhe çka konkretisht mund të pritet nga këto marrëveshje, kur bëhet fjalë për fatin e personave të pagjetur?
Matthew Holliday: ICMP-ja nuk ka qenë palë në dialogun e Brukselit, por ne presim të shohim se çfarë rezultatesh do të dalin nga dialogu në Bruksel, kur të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, nëse arrihet. Ne shpresojmë se kjo do të theksojë rëndësinë e përgjegjësisë shtetërore për çështjen e të pagjeturve dhe për sundimin e ligjit, që është thelbësore për procesin në të ardhmen.
Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit, ICMP-ja ka punuar më ngushtë me ambasadat amerikane në Prishtinë dhe Beograd dhe ne kemi punuar me kolegët nga këto ambasada që t’iu ndihmojnë që të përcaktojnë një sërë indikatorësh që mund të demonstrojnë përparimin sa i përket çështjes së personave të pagjetur nga Prishtina dhe Beogradi. Siç e dini, në marrëveshjen e Uashingtonit, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar që të avancojnë çështjen e personave të pagjetur dhe të raportojnë çdo vit se çfarë është bërë dhe çfarë është arritur. / KultPlus.com
Të udhëtosh prapa në kohë është e pamundur – ende nuk i kemi shpikur makinat e kohës. Por, teksa presim që shkencëtarët t’i krijojnë ato, ne mund t’i rikrijojmë fotografitë tona të vjetra të fëmijërisë për të zbuluar se sa kemi ndryshuar.
Në fakt, përdoruesit e internetit kanë shpërndarë fotografi me disa vite diferencë mes tyre. Në disa raste, ata kanë veshur saktësisht të njëjtat rroba dhe janë në të njëjtat pozicione, duke e bërë rezultatin përfundimtar tejet argëtues dhe madje edhe emocional.
Në mblodhëm për ju një koleksion fotografish të vjetra, të rikrijuara nga njerëzit në internet.
Teksa i shikojmë, kuptojmë që pavarësisht viteve që ndajnë dy fotografitë, thelbi i njerëzve nuk ndryshon.
Një version korean i serialit hit të Netflix, “Money Heist” pritet të vijë së shpejti! Seriali, i cili mban titullin “La Casa de Papel” në gjuhën spanjolle, ka qenë një nga më të kërkuarit në Netflix.
Versioni korean do të drejtohet nga Kim Hong-sun me një skuadër skenaristësh të udhëhequr nga Ryu Yong-jae. Sipas Variety, seriali korean do të ketë 12 episode.
“Krijuesit korean kanë zhvilluar gjuhën dhe kulturën e tyre audiovizuale prej vitesh.
Ata kanë mundur të shkojnë përtej kufijve kulturor dhe të kthehen në një pikë reference për mijëra shikues në mbarë botën, veçanërisht për të rinjtë.
Prandaj është e mrekullueshme që bota e La Casa de Papel është tërheqëse për krijuesit korean dhe që duan ta përshtatin”, ka thënë producenti ekzekutiv i “La Casa de Papel”, Alex Pina.
Sezoni i katërt i “La Casa de Papel” u publikua në prill 2020 dhe u pa nga më shumë se 65 milionë njerëz në mbarë botën vetëm në 4 javët e para.
“La Casa De Papel” po bëhet gati edhe për një sezon të pestë, ndërsa xhirimet kanë nisur. Sezoni i pestë do të jetë edhe i fundit për serialin “La Casa de Papel”.
Sipas “Netflix”, sezoni i pestë i “La Casa De Papel” pritet të vijë në ekran në verën e vitit 2021.
Por, e gjithë kjo varet nga rrethanat e krijuara nga pandemia./ KultPlus.com
Një pjesë e shkallës së vjetër spirale të Kullës Eiffel u shit sot në ankand për gati 275 000 euro (331 300 dollarë), afërsisht katër herë sa çmimi i kërkuar, sipas shtëpisë së ankandit “Artcurial”.
Pjesa origjinale e monumentit historik 130-vjeçar të Parisit tani do të ketë një shtëpi të re në një koleksion europian.
Shkalla spirale, e cila më parë lidhte nivelet e dyta dhe të treta të “Dame de Fer” u çmontua dhe u nda në rreth dy duzina pjesë në fillim të viteve 1980, për shkak të ndërtimit të një ashensori.
Shumica e atyre pjesëve kaluan nën çekan në vitin 1983.
Pjesa në ankand këtë javë, i njohur si numri 17, është e gjatë tre metra dhe vjen nga një koleksion privat në Kanada.
Përfshirë koston e ankandit, çmimi total ishin saktësisht 274 475 euro.
Kulla Eiffel, pranë lumit Seine, në kohë normale vizitohet nga deri në shtatë milionë persona në vit.
Monumenti me famë botërore u ndërtua për Ekspozitën Botërore të Parisit dhe përfundoi tërësisht në vitin 1889./atsh/ KultPlus.com
Me rastin e ekspozitës “Anton Çetta e cila kohë më parë u hap në ambientin ekspozues të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, me rastin e 30-Vjetorit të Pajtimit të gjaqeve, si dhe me rastin e 100-Vjetorit të lindjes së prof. Anton Çetta . Hapja zyrtare e Ekspozitës në 76 Vjetorin e Biblotekës Kombëtare të Kosovës u bë nga znj. Vlora Dumoshi, ministre, e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Z. Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita personale e fotografisë, autorit, veprimtarit, Sali Cacaj nga “Pajtimi i Parë i gjaqeve”, në fshatin Raushiq-Pejë.
Autori në çdo cep të Kosovës e më gjerë i ka përcjell ngjarjet më të njohura që kanë ndodhur. Përmes objektivit të aparatit të tij në mënyrë kronologjike duke filluar nga lëvizjet e para studentore e sidomos të viteve të demonstratave (1989 – 90), të pajtimeve të gjaqeve, e deri me sot me përkushtim dhe me një devocion të madh i ka shpërfaq momentet më dramatike, më rënqellëse të gjenocidit serb i cili me shekuj në mënyrë kontinuele ka ndërmar veprime të tilla gjenocidale, vetëm e vetëm për të arritur synimet e tyre gllabritëse të teritoreve arbënore shqiptare. Kulmimi i të gjtha këtyre represaljeve ishin vitet e nëntëdhjeta, vitet kalvariane e tërë popullatës e cila nga regjimi milloshevian u detyru ta braktisë trojet e veta shekullore, ta boshatisë Kosovën. Pra fillimi i viteve të 90-ta shënojnë periudhën më të rëndë të okupatorit serb në Kosovë. Janë vitet e fillimit të zbatimit me metodat më represive të doktrinës antishqiptare që për synim strategjik kishte zhbërjen e çdo gjëje shqiptare.
Në një ambient dhe atmosferë të tillë të situatës në Kosovë studentet e themelojnë grupin nismëtar të pajtimeve te gjaqeve në Pejë, grupit të pajtimeve të gjaqeve ju prinë Prof. Anton Çetta , e shumë aktivist të tjerë që ju bashkangjiten grupit, duke parë dhunën dhe represionin që bënë ndaj gjitha instituticineve dhe popullatës shqiptare, duke e parë një situatë të tillë në një tërësi teritoriale ku e tërë popullatës po i kanosej zhdukja nga armiku i përhershëm serb i këtyre trojeve shqiptare. Andaj, në këtë situatë tepër të rëndë nga okupatori i cili e ndërmori tërë arsenalin e vet për masa sa më represive për ta pushtuar dhe zhbër Kosovën me qëllim të bashkangjitjes së shtetit serb. Në këto situata tejet të brishta dhe të rënda në cdo aspekt, Profesori Anton Çetta si atdhetar i përbetuar i cështjes kombëtare me bashkëpunëtorët e vet emra të njohur si për nga ana e tyre profesionale po ashtu edhe kombëtare, e fillojnë një veprimtari humane e patriotike, për faljen e gjaqeve, për tu liruar nga skenat e përditshme që shpërfaqen në trojet tona arbënore. Pra, ngjarjet e tilla lemeritëse ishin plagë e madhe e kombit shqiptar, ishte plaga vëllavrasëse, ishte plagë e madhe. Kjo ishte një dukuri shumë e keqe që kishte marrë përmasa të gjëra mes nesh. Kështu në vitin e pajtimeve të gjaqeve me 1990. Prof. Anton Çetta si vizionar i papar dhe i palodhshëm në punën humane e filloi aktivitetin e tij duke vajtur në odat e familjarëve, në hapësirat e jashtme ku u tubonin me dhjetëra, qindra e mijëra njerëz. Brenda një kohe deri tek ekzodi i popullatës 1999 me bashkëpuntorët e vet të palodhshëm arritën shumë e shumë familje ti pajtojnë në mes veti, u arrit gradualisht e kohësisht plaga më e madhe e hasmërisë të mposhtet. Filloi falja e gjaqeve në cdo cep ku pandërpreje deri në këto vite ishin aktiv me punën e tyre rreth pajtimimit të gjaqeve. Si deshmi e këtyre ngjarjeve më së miri mund të vrojtohen punimet e realizuara nga këjo periudha me skena të ndurnduarta, në ekspozitën personale e veprimtarit Sali Cacaj, i cili edhe si pjesëmarrës i grupit organizativ, ku të gjitha ngjarjet e pajtimeve të gjaqeve i ka përcjell dhe i ka jetësuar përmes objektivit të aparatit në punimet e veta, në fotografitë artistike të ngjarjeve anekend Kosovës. Këto dhe shumë të tjera janë të ekspozuara enkas (ekskluzivisht), për këtë ekspozitë personale e cila është një eveniment i vërtet dhe i paparë i këtyre ngjarjeve me skena nga pajtimi i gjaqeve duke filluar nga: “Pajtimi i parë në Raushiq në mes të Idriz e Fazli Buqollit”; Grupi nismëtar: “Anton Çetta me studentë ”, “Falja e gjakut”, Fushë Pejë , 1990; “Gjatë faljes së gjaqeve Smolicë ”, Gjakovë , 1990; Falje gjaku, Novosellë ” te Gjakovës , 1990; “Falja e gjaqeve në Burrnik”, Radavc, 1990; “Falja e gjaqeve”, Shtupeq”-Rugovë etj. Përmes fotografive artistike me motive të lartë cekura, autori e paqyron momentet e imazheve më të ndieshme, më emocionale ku figurat qendrore dhe parësore të ngjarjeve, tërë atë që e kanë përjetuar gjatë viteve e viteve të tëra ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri tjetrit dorën e atdheut të Kosovës, për një ardhmëri krejtë më ndryshe. Fotografitë artistike janë realizuar me një mjeshtri profesionale nga autori i ekspozitës Sali Cacaj. Këto vepra padyshim, janë dëshmi faktografike, historike për rrjedhat e ngjarjeve që kanë ndodhë në rrethana, aspekte të ndryshme të ngulfatjës së cdo gjëje që është shqiptare dhe kanë vazhduar sistematikisht me dhunën e paparë deri në ato momente kur një herë e përgjithmon u shporen nga Kosova që ishte nën okupimin e tyre vandal.
Dhe në fund do thënë se ekspozita e cila u organizu në shenjë të 30-vjetorit të pajtimit të gjaqeve dhe 100-vjetorit të lindjes së humanistit, profesorit dhe intelektualit të lartë Anton Çetta zgjoi interesim të madh tek mysafirët dhe artadashësit në Prishtinë e më gjerë dhe ishte një ngjarje ku përmes imazheve dhe skenave kompozicionale na përkujtoj për një periudhë historike shumë të rëndësishme në aspektin historik kur tek shqiptarët anekend Kosovës u shpërfaq homogjenizmi, humanitetit dhe ngritja e vetdijës rreth bashkimit kombëtar. Në tërësi ekspozita si në aspektin artistik po ashtu edhe përmbajtësor e arsyetoi konceptin e organizimit, si nga autori po ashtu edhe organizatori i kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme nga periudha e kaluar historike./ KultPlus.com
Për shkak të pandemisë së COVID-19, Mbretëresha Elizabeth II dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip, do t’i kalojnë Krishtlindjet në qetësi në kështjellën Windsor, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, njoftoi sot Pallati Buckingham.
Tradicionalisht, çifti mbretëror e kalon sezonin e festave në rezidencën e tyre në Sandringham, Norfolk, ku bashkohen me anëtarët e tjerë të familjes.
Por, përballë gjendjes shëndetësore, sovrania 94-vjeçare dhe burri i saj 99 vjeç, që ka një shëndet të brishtë, vendosën të qëndrojnë në rezidencën e tyre në periferi të Londrës.
“Pasi shqyrtuan të gjitha këshillat e duhura, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut kanë vendosur ta kalojnë Krishtlindjen në qetësi në Windsor, këtë vit”, tha një zëdhënës i Pallatit Buckingham.
Gjatë valës së parë të COVID-19, Elisabeth II dhe Princi Philip i ndërprenë angazhimet e tyre publike dhe u izoluan në rezidencën e tyre në Windsor.
Më pas, ata shkuan në kështjellën Balmoral gjatë verës, duke ndjekur traditën.
Ndërsa qeveria britanike njoftoi një bllokim në Krishtlindje, javën e kaluar, duke lejuar bashkimin deri në tre familje për pesë ditë nga 23-27 dhjetor, Pallati Buckinghamit nuk ka sqaruar nëse pjesa tjetër e familjes mbretërore, përfshirë fëmijët dhe nipërit e mbesat e sovranes, do të udhëtojnë në Windsor./atsh/ KultPlus.com
Monoliti që ishte parë në qytetin e Utah në SHBA dhe ishte bërë atraksion turistik brenda dy jave është zhdukur. Një i tillë tani është parë në Rumani.
“Ose po e vendosin alienët, apo dikush po kërkon me ngulm pak vëmendje”, thotë një ekspert.
Monoliti trekëndor është parë tani në komunitetin Piatra Neamt në verilindje të Rumanisë. Ai është përsëri 2.8 metra i gjatë dhe në të njëjtën formë me atë që është parë në Utah para dy javëve.
Ai është zhdukur nga Utah të martën e kaluar, transmeton KultPlus.
Gjithsesi objektet nuk janë tërësisht të njëjta siç edhe mund të shihet nëpër foto. Nuk dihet se kush e vendosi këtë objekt në Utah së pari dhe tani në Rumani. / KultPlus.com
Më 1 dhjetor 1958, pra 62 vjet më parë, u shfaq për herë të parë në Shkodër opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova.
“Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Opera “Mrika” ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane si Palok Kurti, Lec Kurti, Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka, Shuk Shllaku dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë të lartë të tjerë të muzikës si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, deri te shkodranet e ditëve të sotme.
“Mrika” mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë, me në krye të madhin Prenk Jakova, që dhe Shqipëria të kishte operan e saj. Kujtimi i një plejade të tillë, e cila arriti një sukses të madh të kohës, e që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike, është një detyrim moral i ditëve të sotme.
Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerëzit e saj, po ashtu, janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar./ata/ KultPlus.com
Shoqata Trojet e Arbrit ka bërë të ditur se pas ndërtimit të shtatores në Prizren, pritet të ndërtojë një tjetër shtatore buzë Kalasë së Prizrenit.
Paralajmërimi për këtë shtatore afër vendit emblemë të kryeqytetit historik është bërë përmes një njoftimi në Facebook.
Ky është postimi i plotë:
Njoftim i Shoqatës “Trojet e Arbrit”
Murana e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në debat publik
Shoqata “Trojet e Arbrit” njofton të gjithë shqiptarët anë e kënd trojeve shqiptare dhe nga diaspora atdhetare që të marrin pjesë në Debat Publik prej sot më, 1 dhjetor 2020 e deri më, 30 dhjetor 2020 lidhur me Muranën që do ta vendosim në pjesën shkëmbore nën Kalanë e Prizrenit në vitin 2021.Projekti tani më është i gatshëm.Murana do të jetë më një lartësi prej gjithsejt 11 metra dhe do të ndërtohet me strukturë metali,ku do të vishet me një shtresë prej 3-4 cm beton ku do të ketë edhe isolacionet përforcuese për të ruajtur jetëgjatësinë e monumentit.I gjithë ndërtimi dhe modelimi do të kryhet në vendndodhje.Si fillim do të montohët baza mbështetëse në shkëmb,me ndihmën e skeleve do të kryhet i gjithë ndërtimi dhe modelimi i muranës madhështore. E gjithë puna do të zgjasë në një periudhe kohore prej 4 deri 5 muaj në varësi të motit.Skulptori do të ketë në ndihmë 3-4 punëtor deri në përfundim.Vendndodhja e skulpturës është e rimenduar në harmoni të plotë me faqën e malit ku do të shkrihet në shkëmb dhe do të ketë të njejtën ngjyrë gjithashtu edhe me ambientin që e rrethon.Kjo skulpturë mund të kthehët në Ikonën e qytetit dhe në një pelegrinazh nga vizitorët në qytetin e Prizrenit.Te gjithë ju qe keni vërejtje sugjerime dhe kritika se çka mundemi me ndryshuar në këtë projekt mundeni ti dergoni në këtë email adresë deri më, datën 30 dhjetor 2020 ku qe nga 1 janari 2021 do te fillojmë me procedura konkrete.Kritikat,sugjerimet dhe vërejtjet munde ti dërgoni në këtë email adresë:[email protected]
Ju mirpret Shoqata atdhetare kulturore dhe shkencore” Trojet e Arbrit”./ KultPlus.com
Fillim dhjetori, krahas dimrit qytetit të bukur të Pejës do ti sjellë edhe net të paharrueshme me koncertet e muzikës Jazz. ‘Peja Jazz’ për katër net me radhë do të sjellë muzikën si sinonim të shprehjes së lirë por edhe si çlirim të shablloneve që deri dikur dukeshin të pathyeshme, shkruan KultPlus.
Kjo nismë e re ka filluar si organizim në kuadër të projektit të Anibar, komunitet ky që fuqizohet përmes artit dhe kulturës. Koncerti është menduar të zhvillohet përgjatë datave 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Anibar Vullnet Sanaja, në një intervistë për KultPlus ka thënë se ideja për një organizim të tillë daton qysh në fillet e punës së Anibar-it, mirëpo sipas tij arsyeja se pse pikërisht ky event do mbahet në këtë kohë, është edhe fakti që tashmë në vend ka filluar pjekja e kushteve për realizimin e ideve të tilla.
“Ne kemi parë këto vitet e fundit që ka pasur interesim të rritur për këtë zhanër në qytetin e Pejës, prandaj, edhe kemi menduar që këtë vit marr parasysh edhe nevojën për aktivitete kulturore ta fillojmë këtë organizim. Nuk është se ka pasur ndonjë arsye specifike pse kemi menduar ta organizojmë, më duket më shumë është se janë pjekë kushtet për të realizuar këtë event, ideja e të cilit është ekzistente qysh në fillimet e punës tonë në Anibar”, pohoi ai.
Pikërisht në pandemi, kohën kur kultura ka pësuar goditjen e saj më të madhe organizatorët e kësaj serie të koncerteve të muzikës Jazz kanë dashur të sfidojnë vetën dhe të zvogëlojnë distancën e krijuar mes nesh.
“Në kohën kur pandemia Covid-19 ka godit skenën e kulturës, gjithandej globit, organizatorët kanë dashtë ta sfidojnë veten që mu në këtë kohë ta krijojnë një ngjarje të re kulturore që ka për qëllim zvogëlimin e distancës mes nesh, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19”, shtoi Sanaja.
Tutje drejtori i kësaj ngjarje, e njëkohësisht edhe themeluesi i festivalit i filmit të animuar Anibar tha se themelimi i ‘Peja Jazz’ është një çlirim nga shabllonet e vjetra që synon të sjell shpresë dhe afrim mes njerëzve në kohën kur distanca e kërkuar sociale mund të thelloj edhe më tepër ndarjet.
“Me themelimin e “Peja Jazz” në një kohë kur e ardhmja është e turbullt dhe kur po testohen themelet e shoqërisë bashkëkohore, “Peja Jazz” vjen si “çlirim” nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore me dëshirën që të sjellë shpresë dhe afrim mes njerëzve, në kohë kur distanca sociale, kaq e kërkuar mund t’i thellojë ndarjet edhe më shumë”, tregoi ai.
Emrat e pjesëmarrjeve do të behën të ditur me kohë. Kurse deri më sot janë bërë të ditur emrat e i kitaristit Armend Xhafer i cili do të performoj së bashku me miqtë e tij, kontrabasistin Kiril Tufekcievski dhe bateristin Viktor Filipovski, si dhe duos Muhaxheri dhe Kuçi, fokusi i të cilëve është interpretimi i veprave dhe përshtatja në mënyrë sa më origjinale të veprave të muzikës Jazz.
Edicioni i parë i ‘Peja Jazz’ po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” i “Anibarit” që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora nuk do të paraqitet në shfaqjen e Jonathan Ross, kjo sepse ajo nuk respektoi rregullat e izolimit dhe festoi ditëlindjen e saj, shkruan KultPlus.
Këngëtarja e njohur shqiptare, Rita Ora, para pak ditësh e ka festuar ditëlindjen e 30-të dhe ka organizuar festë në një restorant në Londër.
Ky veprim i Ritës është kritikuar shumë dhe vetë ajo kërkoi falje publike.
“Përshëndetje të gjithëve, unë isha e përfshirë në një mbledhje disa miq për të festuar 30 vjetorin e lindjes. Ishte një nxitje e momentit kur vendimi u mor me pikëpamjen e gabuar se ne po dilnim nga bllokimi dhe kjo do të ishte në rregull. Më vjen shumë keq për thyerjen e rregullave dhe nga ana tjetër kuptoj se kjo i vë njerëzit në rrezik. Ky ishte një gabim serioz dhe i pafalshëm. Duke pasur parasysh kufizimet, unë e kuptoj se sa të papërgjegjshme ishin këto veprime dhe marr përgjegjësi të plotë. Ndihem e zënë ngushtë duke ditur se sa njerëz kanë punuar për të luftuar këtë sëmundje të tmerrshme dhe duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për sakrificat që njerëzit dhe bizneset kanë bërë për të mbajtur të gjithë ne të sigurt. Edhe mendova se kjo nuk do ta bëjë atë të drejtë, unë do të kërkoja sinqerisht falje”, ishte shprehur Rita Ora nëpërmjet një postimi në Instagram.
Dhe kjo është pikërisht arsyeja se përse Rita Ora nuk do të shfaqet më në shfaqjen e Jonathan Ross siç ishte planifikuar këtë javë.
Të martën në mëngjes, Piers Morgan, 55, kritikoi faljen e Ritës në emisionin ‘Good Morning Britain’ dhe e akuzoi atë thjesht se ishte ‘keqardhje që u kap’.
“Çfarë mendon mamaja e saj për këtë. Kjo gjë më bezdisi sepse papritmas ajo është “thellësisht e penduar” dhe doli vullnetare për të paguar gjobën prej 10,000 funtesh – e cila mezi do të prekë anët e parave të xhepit të saj. Për çfarë i vjen shumë keq? Ajo e dinte se çfarë po bënte, ne jemi në një bllokim kombëtar – nuk është sekret. Ajo është një yll popi shumë i pasur dhe qëllimisht planifikoi një festë të 30-vjetorit – Unë nuk e di se çfarë po mendonte restoranti, kështu që si je në gjendje ta bësh atë? Dhe pse po e bëre atë?”. Ju planifikoni një ditëlindje të 30-të ashtu, paraqiteni, ftoni të gjithë miqtë tuaj të famshëm, ju festoni dhe kaloni një natë të shkëlqyeshme – policia vjen dhe godet në derë. Nëse të gjithë po e bëjnë atë, nëse rregullat nuk janë për ata, atëherë çfarë kuptimi kanë rregullat. Më vjen shumë keq’, po në lidhje me çfarë? Ju nuk jeni shumë keq – ju vjen shumë keq që u kapët! Kjo është ajo për të cilën ‘ju vjen shumë keq”, u shpreh ai./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë konferencë për media me rastin e premierës së shfaqjes “Sisters”, shkruan KultPlus.
Konferenca do të mbahet me fillim nga ora 13:00.
“Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për media me rastin e Premierës së shfaqjes “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan. Konferenca mbahet nesër me 02.12.2020 në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë te ditur se ka ndarë 170 mijë euro për të përkrahur artistët që janë prekur nga kriza ekonomike, e shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, shkruan KultPlus.
Ahmeti ka bërë të ditur se mbështetje ekonomike vlen për artistët e fushave të ndryshme, që nuk kanë asnjë të hyrë që nga pandemia.
Më poshtë mund të gjeni statusin e tij të plotë:
Sot është marr vendimi për ndarjen e 170 mijë eurove për projekte të kulturës. Në këtë kohë pandemie edhe projektet e kulturës, apo më mirë me thënë artistët kanë pësuar nga mungesa e mundësive, shfaqjeve, ekspozitave e koncerteve. Prandaj ndihma për projekte është e domosdoshme.
Gjatë ditëve të ardhshme do të hapet edhe një thirrje për artistë të fushave të ndryshme të Komunës së Prishtinës të cilët nuk kanë asnjë të hyrë dhe të cilët janë goditur nga kriza e pandemisë. Për të gjithë ata që i përmbushin kushtet, Komuna do të ndajë nga një subvencion. Vlera e subvencionit do të varet nga numri i aplikantëve që kalojnë kriteret. Të gjitha detajet do të jenë të ditura ditëve në vijim.
Artistët janë kategoria e radhës që gjen mbështetje te komuna. Politikat tona gjatë pandemisë po mundohen që të përfshijnë të gjitha kategoritë. E kuptojmë se shumat mund të mos jenë të mëdha por po mundohemi që krejt çka kemi ti japim për qytetarët tonë pa përjashtime.
Bashkë do të ja dalim edhe kësaj sfide!/ KultPlus.com
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media rreth situatës së krijuar si pasojë e virusit Covid-19.
Hoti ka thënë që tashmë Kosova i ka të gjitha kapacitet për furnizim me barna për trajtimin e Covid-19.
“I kemi ngritur kapacitete dhe më nuk shoh asnjë problem që të kemi furnizim me listën e të gjitha barnave që kërkohen për trajtimin e Covid-19”, ka thënë Hoti.
Kryeministri ka njoftuar që gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor do të përfundoj me 18 dhjetor të këtij viti.
“18 dhjetori është data kur do të përfundoj gjysmëvjetori i parë i shkollave. Shkollat më pas do të hapen me 18 janar dhe pushimi dimëror do të zgjas pra 1 muaj. Gjatë pushimit pranveror do të shohim mundësin që të kompensohen këto orë”, ka thënë më tutje Hoti.
Kjo konferencë ka ardhur pas takimit me zyrtarë qeveritar e zyrtarë të institucioneve shëndetësore./ KultPlus.com
Kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë të ditur sot se nuk do të ndryshojnë masat e marra së fundmi për tu mbrojtur nga virusi Covid-19.
Ai tha se gjatë ditës së neserme do të mbajnë një takim me të gjithë inspektorët në vend, për të bërë kontrolle sa më rigoroze.
Hoti shtoi se masat e marra deri tani kanë ndikuar në kufizimin e rritjes së numrit të rasteve të reja të infektuara.
“Sot kemi pasur një takim të gjatë me ministrin Zemaj, ministrin e Tregtisë e drejtorin e IKSHPK-së, për ta analizuar situatën nëtëcilën po kalojmë. Ne kemi bërë një vlersim të detajuar të situatë. Konstatimi ynë është që gjendja është mjaft serioze por është në kontroll. Sygjerimi është që masat që janë në fuqi të mbahen dhe të vazhdohet me zbatim riguroz të masave që kemi marrë deri tani”, tha ai.
Hoti theksoi se numri i rasteve pozitive me këtë virus është më i vogël se i rasteve të reja të infektuara.
Ai tha se grupmoshat 30 deri në 40 vjeç janë më së shumti të infektuara me këtë virus./ KultPlus.com
Ekspozita e dytë me një përzgjedhje të fotografive fituese të çmimeve në konkursin ndërkombëtar të fotografive të lajmeve ”Istanbul Photo Awards 2020” u hap në Stamboll.
Ekspozita, e organizuar nga Anadolu Agency, me patronazhin e Turkish Airlines (THY), do të zhvillohet për një muaj në aeroportin ndërkombëtar ”Sabiha Gokcen”.
Më shumë se 10 000 aplikime për foto u bënë nga rreth 100 vende konkurruese, ku fotografitë që hynë në tre të parët u përcaktuan duke vlerësuar fotot njëjës dhe serial në lajme dhe sporte.
Për shkak të koronavirusit, juria vlerësoi punimet e paraqitura dhe përcaktoi fotot fituese në platformën speciale në internet të Anadolu Agency.
Fotografitë me titull “Protestat e Hong Kongut” e marrë për ”New York Times” nga fotoreporteri Yik Fei Lam u konsiderua e denjë për çmimin Foto e Vitit.
Gjithsej u ndanë 12 çmime, për vepra që adresojnë protesta, konflikte, katastrofa mjedisore, aktivitete sportive dhe histori njerëzore në vende që variojnë nga Palestina në Indonezi./ atsh/ KultPlus.com
Pas publikimit të lajmit se Gjykata e Apeliti ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i cili në qershor të këtij viti ishte dënuar me 22 vite për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit, ka reaguar Vasfije Krasniqi, shkruan KultPlus.
Krasniqi nëpëmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se është i turpshëm vendimi për përgjysmimin e këtij dënimi.
“Shameful. Si ju përgjysmohet dënimi një kremjneli?”, ka shkruar ajo.
Në një njoftim për media, Apeli gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit. Tani është ndryshuar cilësimi juridik i veprës dhe vendimi mbi dënimin. Tani Tasiq do të vuajë dënimin prej 11 vjetësh burgim.
“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj. I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftim të Apelit.
Tasiqi ishte dënuar më 22 qershor me 22 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit./ KultPlus.com