Një film me katër legjenda

Film “One Night in Miami” përshkruan takimin fiksional të Muhammad Ali-së, Malcolm X-it, Sam Cooke-it dhe Jim Brown-it në një natë të 25 shkurtit më 1964, përderisa diskutojnë për çështjet e kohës së tyre.

Kjo ishte nata kur 22-vjeçari, Cassius Clay – që më vonë e ndërroi emrin në Muhammad Ali – u bë pjesë e botës së boksit me shpalljen kampion i TKO të peshave të rënda Sonny Liston.

I përshtatur nga Kemp Powers nga vetë aktrimi i tij, “One Night in Miami” paraqet katër figurat e mirënjohura përderisa diskutojnë për pabarazitë racore dhe mënyrat për ta përdorur famën e tyre për t’i dhënë fund ndarjes në jug.

Mëngjesin e së nesërmes ata e nisën të vendosur për ta shndërruar botën në një vend më të mirë. Pa mjetet e sotme që na ndihmojnë të shpërndajmë informata – si interneti, mediat sociale dhe telefonat mobilë – biseda ishte një pikë edhe më e rëndësishme e fillimit, ka thënë ekipi i filmit.

Leslie Odom Jr., që portretizon Cookein, përmend reagimin që ka pasur ndaj skenarit të August Wilsonit.

“Shumica e ndeshjeve të tij janë zhvilluar në kohën kur nëpër shtëpi nuk ekzistonin televizorët”, thekson Odom. “Dhe çfarë kanë bërë njerëzit? Ata kanë folur. Kanë folur me njëri-tjetrin”.

Ndryshimi i mendimit përfshinte të paraqiteshit ashtu se po u përmbaheshit bindjeve tuaja, ka shtuar Aldis Hodge, që portretizon futbollistin dhe aktorin Brown.

“U është dashur që në fakt të punojnë më shumë që t’u përmbahen bisedave në mënyrë që t’i përfaqësojnë si duhet”, ka shpjeguar Hodge. “Nuk kanë mundur thjesht ta publikojnë në Twitter apo Instagram. Dhe, të gjithë e kuptojnë që kjo është ajo që doni të thoni. Duhet t’i mbani fjalët e dhëna, t’u qëndroni prapa atyre. Dhe ata të gjithë e zbatuan këtë”.

Kjo është pjesë e secilit burrë, beson Eli Goree, që e luan rolin e Clayt.

“Mendoj se kjo pjesë i bëri këta burra kaq të rëndësishëm për atë kohë, për shkak se platforma ka pasur shumë kuptim për arsye se jo të gjithë kanë pasur një të tillë. Dhe sidomos njerëzit nga komuniteti ynë nuk kanë pasur platformë. Kështu që, këta burra e kanë pasur mundësinë që të thonë gjëra, të cilat do t’i dëgjojë e gjithë bota”, ka thënë Goree.

Më regji të Regina King-ut, “One Night in Miami” tashmë është duke u transmetuar në Amazon Prime./ KultPlus.com

Ja si tingëllonte gjuha shqipe e folur 466 vite më parë (VIDEO)

Kjo video sjell disa pasazhe nga Meshari i Gjon Buzukut, i shkruar nga kleriku katolik në vitin 1555. Meshari është libri i parë i botuar në gjuhën shqipe. Ajo që bie në sy është se gjuha shqipe gati 466 vite më parë nuk ka tingëlluar shumë e ndryshme nga sot, në dialektin geg.

Meshari i Gjon Buzukut (1555) është libri më i vjetër i botuar në gjuhën shqipe. Libri u shkrua nga Gjon Buzuku në vitet 1554-1555. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik. Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale. Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”. Nuk ka mundësi të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut./ KultPlus.com

Dobroshi në bashkëbisedim me Osmanin: Do të bëj gjithçka për vendin, pasi e kemi në gjak

Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se për 7 ditë me radhë do të bashkëbisedoj me 7 personalitete të ndryshme, shkruan KultPlus.

Nismën që e filloj me Vera Orën, Osmani gjatë natës së sotme e ka vazhduar me aktoren e cila ka debutuar në skenat ndërkombëtare, Arta Dobroshi.

Dobroshi gjatë këtij bashkëbisedimi ka folur për sukseset e saj të shumta në karrierë.

Ajo ka shpjeguar se asnjëherë nuk ka tentuar të arrijë famë, pasi aktrimi është një gjë që e dashuron.

“Gjithmonë kam ndjekur zemrën time, nuk kam shikuar famën. Por, çka është me rëndësi, të kesh sinqeritet me vete, më pas vjen dinjiteti dhe rrezaton pozitivitet”, është shprehur ajo.

Dobroshi ka potencuar se nuk e sheh veten si refugjate sepse kur shkel në tapetin e kuq të gjithë janë të njëjtë.

“Do të bëjë gjithçka për vendin, pasi e kemi në gjak”, ka përfunduar aktorja./ KultPlus.com

‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli shfaqi premierën e shumëpritur në festivalin Sundance në SHBA

‘Zgjoi’ filmi debutues i Blerta Bashollit shfaqi premierë tejet të rëndësishme në edicionin e sivjetshëm virtual të Sundance, festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA. Filmi kosovar u shfaq në kuadër të konkurencës kryesore të festivalit – World Cinema Dramatic Competition.

Frymëzuar nga një histori e vërtetë, ‘Zgjoi’ është “një vështrim fuqizues i një gruaje që përballet me humbjen e burrit” siç e përshkruan IndieWire. Përderisa është në kërkim të burrit të humbur gjatë luftës, Fahrija (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi) sfidon banorët e fshatit konservator, të cilët janë të palëkundur në rolet tradicionale dhe pritjet patriarkale. Ajo shpërfill fyerjet, thashethemet, madje edhe sulmet fizike për të fuqizuar një komunitet të grave që të jenë të pavarura dhe të punojnë për të mbijetuar bashkë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ KultPlus.com

Rozafa Shpuza nderohet me çmim në Flakën e Janarit

Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është një nga fitueset e poezive të koduara në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020″, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Shpuza e cila njëherësh ka njoftuar se ky është edhe çmimi i dytë për poezinë e saj.

“Faleminders Gjilani! Kënaqësi për mu me kenë nji ndër fitueset e poezive të kodueme: Çmimi i dytë poezisë: “Baladë”, shifra “Vetëm 5 minuta”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Genc Prelvukaj publikon këngën ‘Atje’ (VIDEO)

Genc Prelvukaj është një prej artistëve që vazhdon fuqishëm të jetë aktiv në skenën muzikore duke sjell kështu këngë të njëpasnjëshme për publikun. Këtë e dëshmon edhe projekti i tij më i ri i cili sapo është lansuar, shkruan KultPlus.

‘Atje’ mban titullin prodhimtaria muzikore, për instrumentalin e së cilës është përkujdesur Prelvukaj.

Kjo këngë është pjesë edhe e albumit të tij, Gentivs II, ndërsa po pëlqehet që në minutat e parë./ KultPlus.com

Grupi Artistik i Konispolit, “flaka” e fundit që ruan vallen çame të Osman Takës

Portali “Prointegra.ch”, ka prezantur Grupin Artistik nga Konispoli në jug të Shqipërisë, që në repertor ka kryesisht valle burimore çame.

Grupi i drejtuar nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, që u ngrit në vitin 1973 u shqua në disa manifestime e festivale, ndër to edhe në atë të Gjirokastrës, ndërsa dy brezat e fundit me shumë sukses i udhëheq specialisti i artit, Vangjel Taho.

Ajo që i jep një dimension të veçantë artit dhe kulturës shqiptare, padyshim se janë grupet tona të shumta artistike të këngëve dhe valleve, qoftë në trojet etnike apo në mërgatën e madhe shqiptare. Grupi Artistik i Konispolit, që ka një traditë mjaft të gjatë të themelit, që nga viti 1973, e që sipas drejtuesit të saj Vanxhel Taho, një specialisti të artit, që ende është kontribues i madh si në udhëheqje ashtu edhe në mobilizimin dhe frymëzimin e brezave për ta dashur dhe lozur vallen e bukur shqiptare, sidomos atë të jugut shqiptar.

Kësaj radhe përmes postës telefonike më në hollësi u njoha për historikun e këtij grupi që tashmë ka krijuar rrugën dhe fizionominë e tij artistike, miku dhe artistin Vangjel Taho, nga i cili mësova se: Ansamblit i këngëve dhe valleve popullore të Konispolit është ngritur nga qysh në vitin 1973, edhe atë filluar nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, duke u shquar sidomos me pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku qe përfaqësuar me vallen e Osman Takës e Limereve e Isuf Arapit si dhe valle të kënduara të vajzave, Kjo hardhi e rrushit Me kadale valle-o etj, karakteristik e valles së kënduar nga vajzat është se ajo shoqërohet edhe nga orkestra.

Mësojmë gjithashtu se në festivalet folklorike 1973-1978 kanë marrë pjesë Valltari Koreograf Taip Madani (Mjeshtër i madh), Vullnet Dine Alush Dora Aramush Veli etj. Nga vajzat mund të përmendim Trëndafile Lame, Leta Shehu, Remzo Emini, Besnike Mullai Lindita Kasapi, Fato Hazbi, Teuta Çokalli etj. Rrugëtimi artistik i kësaj grupe me këtë trashëgimi të mirëfilltë kulturore u bart nga brezi në brez deri më sot në gjeneratën e re të djemve e vajzave të Konispolit siç janë: Adrian Arapi, Beqir Emini, Olsi Shorri, Selaudin Arapi etj dhe nga radhët e vajzave: Alva Haxhiu, Altea Çokalli, Anxhi Beqo, Ermelinda Rakipi, Sildi Isufaj. Kjo është breznua e tretë dhe vazhdojmë me brezin më të ri si: Klajdi Papara etj etj.

Sa i përket vazhdueshmërisë, Taho potencon me keqardhje se:  kënga polifonike e burrave të shoqëruara me orkestër vjen duke u venitur ndërsa sa i përket pozitës financiare të grupit, drejtuesi i tij shton se : “ Kemi një fond minimal nga Bashkia, por se kryesisht mbizotëron vullnetarizmi dhe dëshira e këtyre valltarëve, që vazhdimisht i shtyn përpara”.  Ai sa i përket lokalit thotë se : “ Kemi një dhomë ku kryejmë provat, por sivjet flitet për ngritjen e pallatit të kulturës dhe kjo është një shpresë e jonë e madhe që do të na ofronte kushte më të volitshme për veprimtarinë tonë artistike. Ndër projektet e grupit sipas Tahos : “Qëllimi im është të grumbullojë të rinj të talentuare për Ison polifonike Çame, ndaj edhe për këtë jam në tentativa”.

Na mban shpresa që këto dëshira si për lokal ashtu edhe për projekte të Grupit Artistik të Konispolit të plotësohen dhe që një ditë ti kemi edhe në mjediset tjera shqiptare, sidomos në Kosovë, veçmas në EtnoFest në fshatin Kukaj, organizatorët e të cilit mezi presin që ky grup të jetë në mesin e tyre, nga vet fakti se ata kanë dëshirë që ta kenë në mesin e tyre një grup artistik që kultivon dhe avancon këngët dhe vallet çame./ Rexhep Rifati/ KultPlus.com

Gdansk, polakët krenohen me portretin e Skënderbeut

“Shtëpia e artë” (Złota Kamienica) është një nga godinat më të bukura të qytetit Gdansk, në Poloni, me një histori të gjatë dhe interesante. Por veçantia e qytetit është fasada e ndërtesës, ku pasqyrohet dhe portreti i Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Sipas medieve polake, ndërtimi i “Shtëpisë së artë” nisi më 1609, me urdhër të pronarit të atëhershëm, Johann Speimann, më vonë kryetari i Gdansk. Blloku i banesave është projektuar nga Abraham van den Blocke, përfaqësues i shquar i manierizmit hollandez, bashkë me të atin, Vilhelm, një nga arkitektët më të respektuar të epokës. Punimet përfunduan në vitin 1618 dhe shumë shpejt, ndërtesa mori funksionin e një muzeu specifik, duke u dhënë mundësi vizitorëve të shohin pikturat e shumta, artizanatit dhe koleksionet ushtarake mbledhur nga Speimann.

Grafika që përshkruan Skënderbeun, në Gdansk

Gjatë shekujve të mëvonshëm u bë një bankë, që gjatë periudhës së qytetit të lirë, në Gdansk në 1938-ën, u bë selia e Muzeut Krahinor të Prusisë Perëndimore, institucion që merret me koleksione natyrore dhe arkeologjike. U shkatërrua bashkë me pjesën më të madhe të qytetit, në mars të vitit 1945 dhe u rindërtua me përpikëri, pas luftës. Prej vitit 1952 është selia e Institutit Detar të Universitetit detar Gdynia.

Fasada është elementi më përfaqësues i saj, ndërsa katet që janë zbukuruar me figurat e virtyteve qytetare dhe komandanteve të shquar, si ata të antikitetit dhe modernët.

Por, figura e Skënderbeut nuk është një figurë në hapësirën historike të Gdansk, por pse gjendet në fasadë?

Magjepsja evropiane me princin shqiptar

Veprat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe rezistenca e tij ndaj pushtuesve osmanë u bë e njohur në të gjithë Europën dhe në shekujt që pasuan, u bë e njohur falë biografisë së Marin Barletit.

Gdansku liridashës, e vlerësoi Skënderbeun

Vlerat që i atribuohen Skënderbeut, gjetën një pasqyrim të madh në komunitetin e pavarur të klasës së mesme në qytetin modern, Gdansk.

Nga mediet polake, figura e Skënderbeut konsiderohej mjaft e afërt me vlerat e banorëve të Gdanskut: dashurinë për lirinë e paçmuar./konica/ KultPlus.com

Vdes në moshën 43 vjeçare reperi Double K

Reperi Double K, i njohur edhe si Michael Turner, ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare.

Ani pse tashmë lajmi po qarkullon në rrjet, ende nuk i dihet shkaqet kryesore të vdekjes së tij, shkruan Daily Star.

Ai ishte i njohur për muzikën që bënte, teksa numëron kohë si pjesëtarë i grupit “People Under the Staris”.

Pas lajmit të trishtë, fansa të muzikantit kanë përdorur rrjetin social Twitter, duke shprehur ngushëllime për artistin.

“Sapo pashë lajmet që Double K ka ndërruar jetë. Faleminderit për krijimtarinë tënde”, ka qenë njëri prej komenteve.

I lindur në vitin 1977, në moshën 19-vjeçare ai kishte hyrë në botën e muzikës, duke debutuar me këngën “Red Dots”/ KultPlus.com

Familja shqiptare në Korfuz (FOTO)

Fotografia e publikuar nga historiani Arben Llalla: Familje shqiptare në Korfuz”, daton në vitin 1880 dhe është poshtëshënuar në gjuhë greke. Shqiptarët e Korfuzit, janë pjesë e popullsisë shqiptare që jeton në Greqi, me mbi 600 katunde që flasin në vatër gjuhën shqipe ose arvanitika.

Ruajtja e gjuhës shqipe nga shqiptarët e Greqisë, ka qenë një ndër sfidat kryesore. Bazuar në dokumente apo dëshmi të shumta, studiuesi Arben Llalla vëren:

“Kur u vendosën në fshatrat e rinj në tokën greke, pas vitit 1922, allvanosët apo arvanitasit, siç i quajnë shpeshherë grekët shqiptarët që u shpërngulën nga Turqia për në Greqi, nuk kishin marrëdhënie të mira me fshatrat fqinje që banoheshin nga grekët. Ata nuk merrnin dhe as jepnin nuse me njëri-tjetrin. Të moshuarit kujtojnë që, kur thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre, ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Sipas mësuesve grekë, kjo bëhej për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, që vinin nga familjet shqiptare. Shpeshherë, fëmijët shqiptarë ziheshin me grushta e dru me fëmijët grekë, kur këta të fundit e quanin gjuhën shqipe gjuhë evgjite apo gjuhë turke”./ KultPlus.com

Lumi Buna rrezikon kishën e Shirqit (VIDEO)

Kisha e Shirqit e ndërtuar në Dajç të Shkodrës,  e ndërtuar në shekullin e VI, është sot një nga monumentet me vlerë në Shqipëri për nga pikëpamja historike dhe arkitektonike por ajo çfarë ka mbijetuar nga rrebeshet e historisë  dhe kushteve klimaterike, është vetëm kjo anë muri.

Sot, për shkak të vërshimit të lumit Buna, edhe kjo dëshmi rrezikon të zhduket.

Kjo zonë me  bukuri të rralla natyrore, mund të shërbejë edhe për turizëm historiko-kulturor prandaj ai bën apel për ndërhyrje emergjente.

Themelet e kësaj kishe bashke me varrezat e Shirqit,  vijojnë ende luftën për ekzistence me ujërat e rrëmbyeshëm të Bunës, një luftë të cilën nëse nuk do të ndërhyhet shumë shpejt për ta mbrojtur, do të humbasë duke shkatërruar dhe fshirë një dëshmi të fortë të identitetit shqiptar./tch/ KultPlus.com

Historia e Shqipërisë së 1900-tës përmes çokollatave gjermane

Pamje të rralla vijnë nga Hamburgu i Gjermanisë kur jeta shqiptare në vitet 1900 pasqyrohet në ambalazhin e çokollatave të kompanisë “Gartmann Schokolade”.

Bëhet fjalë për gjashtë seri ambalazhi ku shihet jeta e shqiptarë në ato vite, si në Durrës, Malësi e Krujë. Nuk dihet ende se kush është autori i këtyre pikturave, por ato janë në një nga katalogët e atëhershëm të kompanisë ku krahas serisë me jetën në Shqipëri, janë ato në Arabi, Austri etj.

Në atë periudhë kompania e çokollatave madje nxirrte dhe albume të ndryshme nën titullin “Libri i Çokollatave” prej nga mendohet të jenë shkëputur dhe këto foto. Sipas shpjegimit të gjetur të kompanisë botimi nuk është specifikuar por mund të jetë botimi i parë rreth viteve 1916-1923.

Gartmann është një kompani tradicionale e Hamburgut që ekziston që nga viti 1810 dhe tani është në brezin e gjashtë dhe të shtatë.

Produkti kryesor i kësaj kompanie janë kurorat e pemës së Krishtlindjes Gartmann, të cilat janë bërë nga çokollata e zezë të spërkatur me “nonpareille” të bardhë ose të kuq (rozë). Nonpareille i jep shijes së imët të çokollatës një nuancë pak të ëmbël. Motoja e saj është ndërthurja e cilësisë me traditën dhe pasionin./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

18 vite pa ikonën e artit skenik, Istref Begollin

Sot shënohet 18 vjetori i vdekjes së ikonës së artit skenik, Istref Begollit, shkruan KultPlus.

I lindur më 1 maj të vitit 1933 në Pejë, Begolli shkollën fillore e kreu në vendlindje.

Me artin filloi të ‘takohet’ që nga mosha 16 vjeçare, atëherë kur në vitin 1949 filloi punën si aktor i rregullt në Teatrin Popullor Krahinor.

Kontributin e tij artistik Istref Begolli prej vitit 1961 deri në vitin 1963 e jep në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd si bashkëpunëtor i jashtëm ku ushtron studentën në lëndën e Diksionit.

Pas tri viteve punë kthehet përsëri në Teatrin Popullor Krahinor ku punon deri në vitin 1968. Për disa vite rresht deri më 1971, Begolli vepron si aktor i lirë.

Më 1971 fillon të punojë përsëri në “TPK” gjerë me 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij Teatri.

Ajo çka mbetet pas si kujtim për të janë rolet e shumta që i ka dhënë jetë. Istref Begolli arriti të jetësoj rreth 150 role në teatër, film e televizion, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe kulturës shqiptare.

Disa nga rolet kryesore në shfaqjet janë: Mihali në shfaqjen “Zhelanat” e Matej Borit, në regji të Abdurrahman Shalës, Dhëndrri dhe Meriku në “Dasma” dhe “Hani në rrugën kryesore” të Çehovit, me regjisor Muharrem Qenën, Karl Fon Mori në “Cubat” e Shilerit, me regji të A. Shalës, Plaku i Parë në “Erveheja” e Ahmet Qirezit, me regji të Muharrem Qenës, Dyl Mehmeti në “Fosilet” e Azem Shkrelit, Paratovi në “Vajza pa Pajë” e Ostrovskit, Prifti në “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, në regji të Piromanit, Murtaja në “Shtetrrethimin” e Kamysë, në regji të T. Durbeshiqit, Iago në “Othello” të Shekspirit, me regji të A. Shalës, Magbethi në “Magbethi” të Shekspirit, si dhe shumë të tjera..

Ndër rolet më eminente të luajtur në më se 20 filma artistik janë roli i Pavie Shatev në filmin “Atentatorët e Selanikut” i Zhika Mitroviqit, Deliu në “Era dhe Lisi” i Besim Sahatqiut, Prifti në “Proka” nga Isa Qosja, Fatmir Gashi ne “Përroi Vërshues” i Besim Sahatqiut, Polici në “Si të vdiset” i M. Stamenkoviqit, Otos në “Sulmi i kuq” i Predrag Golluboviq, Trobërku në “Mali i Leiejit” i Zdravko Velimiroviqit, etj.

Nga rolet në filmat televiziv duhet veçuar: Plaku në “Të ngujuarit” me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut, Kostë Kasapi në “Kulla”, sipas Anton Pashkut e në regji të Agim Sopit, Inspektori në “Dhembja krenare”të Ismail Ymerit, Kabili në “Vallja e Çmendur” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, Ati në “Vjeshtën e Trëndafilave”, me skenar të Veli Karahodës e në regji të Agim Sopit, etj.

Në anën tjetër, Istref Begolli është edhe fitues i shumë shpërblimeve si çmimi i parë për rolin e Dyl Mehmetit në shfaqjen “Fosilet”, shpërblimin e dhjetorit për veprimtari të frytshme në lëmin e Teatrit dhe Filmit, në Takimet Teatrore “Joakim Vujiq” të mbajtura në Kragujevc merr vendin e parë për rolin e Priftit në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë dhe plotë të tjera, që janë dëshmi e vlerve të mirëfilta artistike të tij.

Istref Begolli ndërroi jetë tragjikisht ne një ditë acari më 31 janar të vitit 2003 në spitalin e Krapinske Toplices në Republikën e Kroacisë. Ai i takon plejadës të aktorëve që vunë themelet e Artit Skenik në Kosovë.

Sot Teatri i Pejës në nderim të veprimtarisë së tij të bujshme, mban emrin e tij. / KultPlus.com

Arbëreshët e Firmos në Piazza San Pietro më 1968-ën (FOTO)

Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror dhe veshjet tradicionale dëshmojnë  kulturën arbëreshe. Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve. Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit arbëresh një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë.

Arbëreshët në Firmo gjithmonë ka ruajtur me fanatizën kuturën, traditat dhe historinë. Ende sot në Firmo flitet në gjuhën shqipe. Në një intervistë muaj më parë kryetari i Komunës Giuseppe Bosco tregonte se një nga programet që kjo komunë ndjek në shërbim të ruajtjes së vlerave arbëreshe është vëmëndja ndaj muzikës arbëreshe, duke radhitur disa eksperienca interesante që nga krijimi i një grupi folklorik, kori, si dhe muzikante shumë të rëndësishëm që i kanë dhënë zë njohjes dhe përhapjes së pasurisë poetike dhe letrare të Firmos, duke e përshtatur në këngë.

Foto kortezi e Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro/diapsorashqiptare/ KultPlus.com

Libër i Berishës për rrjetet sociale të kulturës

Ibrahim Berisha: Rrjetet e kulturës: Mbylljet dhe hapjet në Kosovë,  SHB Artini, Prishtinë, 2020.

Ibrahim Berisha, profesor i sociologjisë së komunikimeve dhe kulturës, botoi librin Rrjetet e kulturës: Mbylljet dhe hapjet në Kosovë. Libri ka 290 faqe.  

Libri ka temë kulturën e shqiptarëve, e krijuar në Kosovë në shek. XX. Kjo kulturë është pjesa e tërësisë së kulturës shqiptare.

Pasi bëhet fjalë për studimin që zbaton metodologji diakronike, hulumtim dhe shfrytëzim të burimeve primare nisur nga prodhimet kulturore, pastaj nga arkivat dhe dokumentat edhe jashtë tyre, intervista, anketa, literaturë etj.

Korniza teorike e shkrimit, hedh dritën mbi praktikat programore koloniale dhe postkoloniale për të ndryshuar realitetet kuturore, që nga trashëgimia e deri te konceptimi i vlerave artistike, letrare, muzikore, figurative, teatrore, filmike etj., nga kombi shtetëror serb pakicë, ndaj kombit shqiptar shumicë në Kosovë.

Ndodh ndërthurja kulturore, si qarkullim formal dhe informal, po kaq vlerash dhe jovlerash, duke ndryshuar bashkë me profilin komunikues publik edhe atë jopublik. Kjo ka ndodhur në përmasë dinamike në shekulin XX, periudhë që është fokus teme në këtë libër, apo më mirë thënë, i përmbajteve dhe koncepteve të rëndësishme sa sociale po aq edhe kulturore të shqiptarëve në Kosovë.

Termi Kosovë ka shumë kuptime, por për të ndihmuar leximin më të plotë, këtu fjala është për territorin, i cili përkufizohet më një linjë admistrative dhe jo gjeografike. Prandaj, edhe shumë nga fenomenet kulturore në këtë kornizë linje, nuk mbetën vetëm në hapësirën e saj, pasi është fjalë për një kulturë rrjetesh të pasura, të shumëngjyrshme, të shtrira shumëfish më larg, atë shqiptare, që shquan një idententit popullor e kombëtar të përbashkët, përjashtuar atë ideologjik e shtetëror.

Një kornizë shkrimi hedhë dritë edhe për strukturën e brendshme, relativisht të mbyllur, dhe me tendencë mosnderthurëse me përmasat kulturore  të jashtme, e cila mund të jenë një nga burimet e qëndrushme të rezistencës ndaj akulturimit dhe imitimit, por jo krejt pa pasoja.

Në trendin diskriminues, ka pasur edhe prerje fatlume. Ndryshimi që ka sjellur ikja e regjimit monarkist jugosllav në vitin 1941, është një pikë e qenësishme kthese. Krijimi i politikave të reja arsimore, kulturore, politike dhe ekonomike, ndërton atmosferën e ridefinimit të identitetit kolektiv kulturor po edhe kombëtar. Gjuha,  arsimi, bibliotekat, shkollat, teatrot, radioja, sallat e leximit, qarkullimi i lirë i librit, simbolet, administrata po në gjuhën shqipe, në vitet 1941-1944, bënë kthesën e pakthyeshme edhe të ndikimit dhe komunikimit kulturor.

Historia sociale e kulturës së shqiptarëve në Kosovë pas instalimit të regjimit komunist të Federatës së Jugosllavisë në Kosovë, ndërthurë ashpër tendencën për ideologjizim klasor dhe nacionalizëm serb, për të rikthyer gjendjen që kishte qenë para viti 1941. Krijimi i institucioneve kulturore me dominancë të theksuar të pakicës serbe në arsim dhe kulturë, argumentohet gjërësisht. Censura e zbatuar ndaj kulturës shqiptare përmes politikave dhe favoreve për kulturën serbe, përfshirë atë kishtare ortodokse, në njërën anë dhe të ideologjisë panserbe e panjugosllave, apo institucioneve ideologjike komuniste, shplojnë tendencën e kthimit të shtypjes dhe diskriminimit kulturor të shqiptarëve në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë .

Pas vitit 1966 historia sociale e kulturës në Kosovë, që përmes hulumtimit shumshtresore, ndryshon thelbësisht, duke krijuar politika të reja kulturore, të cilat krahas mobilitetit të kuadrove e krijuesve që ishin dhe atyre që nxiten të përfshihen në këtë proces, nisin riformatizimin edhe orientimin modern profesional në njërën anë, edhe rizgjimin nacional-romantik në tjetrën. Paradoske këto që nuk gjenden vetënm ndër shqiptarë, po edhe në rajone tejra të Bllakanit të trazuar.

Libri provon dhënien e përgjigjes edhe për përmasën dhe cilësinë e realitetit transformues kulturor të krijuar në vitet 1970 dhe 1980 në Kosovë. Ndryshimet që pasohen në të gjitha sferat, pra në politika dhe institucione, me ndryshimin e pozitës kushtetuese të Krahinës, krijojnë realitetin e ri kulturor, referenca e plotësime vlerash të trashëgimisë dhe atyre moderne kulturore. Është ky kohabitim maksimal i të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes, që plotësojnë njëra tjetrën duke mos u penguar, madje edhe duke u ndihmuar. Është koha e humbjes së mbajtes së privilegjeve dhe primatit të hegjemonizmit serb ndaj kulturës shqiptare në Kosovë.

Kultura e re do të krijojë, po edhe ndryshojë shijet dhe preferencat e publikut. Po kështu, zbehet përmasa e ndërhyrjeve politike në institucionet kulturore apo edhe në popullaritetin, glorifikimin krahas, në mënjanimin e krijuesve bazuar në bindjet e tyre politike. Politizimi, rajonalizmi, nepotizmi, klanizimi, mediokriteti, propaganda, censura, etj, megjithëkët, janë po kështu  disa nga dukuritë përcjellëse në punën e institucioneve dhe të sferës publike kulturoror dhe artistike më prodhiemet e tyre.

Ka një hapësirë të gjerë studimi të vlerave sociale e kulturore si dhe funksionimit të tyre. Stadet e ndryshme shoqërore, politike dhe arsimore, nëpër të cilat ka kaluar shoqëria e Kosovës, kanë krijuar vlera sociale kulturore

Libri tregon se sa janë të domosdoshme hapjet e debateve publike dhe shkencore në Kosovë, për temat kulturologjike në gjithë shek. XX, duke plotësuar kështu një hapësirë të duhur të studimeve kulturologjike./ KultPlus.com

21 vite pas luftës e pa veten në fotografinë e KFOR-it në Kosovë, Shaban Xani rrëfen emocionin e tij për KultPlus

Medina Pasoma

Përgjatë viteve të 90’ta, përderisa shumica e fëmijëve të botës jehonin me të qeshura të lojës, të pafajshmit e Kosovës dëgjonin çdo ditë zërat e tmerrshëm të luftës. Një ndër ta ishte djaloshi 6 vjeçar nga Polaci i Skenderajt, Shaban Xani, shkruan KultPlus.

Në sytë e Shabanit në atë kohë nuk mund të dallohej dëshira e fëmiut për fluturaket në qiell, sepse qielli i vendit të tij ishte i mbushur nga aeroplanët e bombardimeve të NATO-s, si një shkëndijë shprese për shpëtimin e Kosovës.

Ishte gushti i vitit 1999, kur Shabani kishte një pamje ndryshe. I veshur me një xhemper ngjyrë rozë, pantallona të zeza, fytyrë të hutuar që nuk mund ta perceptojë deri ku mund të shkoj fati i njerëzve dhe përballja e tyre me vdekjen, ai la gjurmë në historinë e fëmijëve të Kosovës.

Ishte pikërisht fotografia e shkrepur nga ushtarët e KFOR-it, ajo e cila do të kthente kujtesën e tij 21 vite pas për atë që kishte kaluar. Teksa ditë më parë në rrjete sociale -duke përfshirë edhe redaksinë tonë, u shpërnda kjo fotografi, Shaban Xani vendosi që rrëfimin e fotografisë që e kishte parë për herë të parë në jetën e tij, ta ndaj me KultPlus.

“Fatmirësisht kur e shikova për herën e parë pas 21 viteve ishte vërtetë, me sinqeritetin më të lartë të fjalës “Befasi e ëmbël”, e papritur dhe shumë emocionale”, nis rrëfimin e tij djaloshi 27 vjeçar nga Skenderaj.

Tanimë ai është rritur, mbi themelet e dhimbjeve që ka lënë lufta edhe në familjen e tij si në çdo familje tjetër, ka krijuar një jetë të re. Si student i shkëlqyeshëm në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës përgjatë studimeve bachelor, tanimë ai po vazhdon edhe me studimet për titullin master, teksa përgjatë karrierës së tij ka qenë bankier, kontabilist dhe menaxher.

Fotografia e cila e ktheu në kohë i ngjalli nostalgji, teksa nuk mund t’i besonte syve se protagonisti i saj ishte vetë ai.

“Mendoja me veten vallë se si dhe nga kush erdhi kjo befasi e këndshme e në ndërkohë duke e shikuar fotografinë sikur nëpër një mjegull kalonin mendimet e mia për atë kohë”, thotë Xani për KultPlus.

Rrëfimin e tij për fotografinë e tregon me plotë emocion, teksa rrëqeth këdo që ka kaluar nëpër të njëjtat rrugë përgjatë historisë.

“Më kujtohet sikur sot, ishte pikërisht gushti 1999, isha së bashku me gjyshin në atë kohë dhe po kalonim nga rruga aty pari dhe u ndalëm tek vendi  ku ndodhej ky lloj i armatimit (gëzhoja e gjyles e hedhur nga tanket nga ushtria serbe)”, shprehet Shaban Xani.

Ai tregon se në atë vend ndodheshin ushtarët e KFOR-it bashkë me një përkthyes shqiptar, teksa kështu edhe kishte lindur ideja e fotografisë që na ktheu në retrospektivë.

“Njëri prej ushtarëve më ofroi afër gëzhojës së gjyles së tenkës, njëri nga ushtarët me preku faqet dhe një zgjatje duarsh të përcjella me një buzëqeshje sikur një fitore e vërtetë”, përshkruan me emocion studenti i Universitetit të Prishtinës.

Natyrisht, pesha e gjylës së topit, pavarësisht pse ishte e zbrazët ishte e madhe për ta mbajtur një 6 vjeçar, andaj ushtarët aty pranë e ndihmuan.

“Ushtari i KFOR-it u afrua dhe e kthej gjylen e topit nga përshkrimi që të dukeshin shkronjat tamam, e që unë vetëm e dija që nuk ishin në gjuhën shqipe. Sot kur e pashë fotografinë e vërejtëm se shkronjat janë lloj i shkrimit i njohur si ciliricë”, thotë Shaban Xani.

I mbështjelle me pafajësinë fëminore, Shabani u bë një dëshmitar i asaj çfarë ka kaluar Kosova nëpërmjet shkrepjes së fotografisë nga ushtarët në fjalë.

Si për gjithë popullatën shqiptare, shteti serb nuk pati mëshirë as për zhvendosjen e familjes së Shaban Xanit, aq më shumë kur ata jetonin në rrethin prej ku kishte dal heroi kombëtar, Adem Jashari.

“Ushtria serbe u vendos pikërisht në vendin ku është bërë edhe kjo fotografi, dhe ne u detyruam të largohemi nga shtëpitë tona për në fshatrat që të çonin rreth maleve të Qyqavicës, e që ne vazhduam në fshatin Beqiq, komuna e Vushtrrisë”, thotë Xani.

Ai rrëfen se nga shtëpia e tyre ata u zhvendosën për te halla e tij, tokë me dy motrat, Adelinën 10 vjeçare dhe Albinën 9 vjeçe,  gjyshen e gjyshin. Ndërkaq prindërit e tij ishin duke kryer punë fisnike në periudhën më të keqe të popullit.

“Nëna ishte duke kryer punën e infermieres në QKMF në Drenas, ndërsa babai ka qenë në batalionin e shëndetësisë në mal”, shprehet ai.

Përgjatë kujtimeve të hidhura të luftës, më të vështirat për Shabanin mbesin zhvendosjet nga një vend në tjetrin, sepse të papriturat në këto raste ishin të mëdha.

“Më kujtohet mirë rasti i një nate tmerri do të thoja, ne ishin në mal dhe afër meje ishte gjyshi. Ushtria serbe gjuante me topa dhe granata, e gjyshi më mbulonte me trup e edhe me qebe, që mos të ndjeja dridhjet e mëdha nga fuqia e armëve”, mbaron rrëfimin e tij Shaban Xani.

Xani pati fatin që t’i mbijetojë luftës, të shkollohej dhe të vazhdoj me një jetë të qetë, krejt ndryshe prej fëmijërisë së tij të zhurmshme. Mirëpo, Kosova mban mbi tokën e saj dhimbjen e humbjes së 1,024 fëmijëve sipas Qendrës e të drejtës humanitare në Kosovë.  / KultPlus.com

Prend Buzhala, fitues i çmimit “Pena e Flakës 2021”

Poeti Prend Buzhala, me poezinë “Kodi i një loje”, është fitues i çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, që po mbahet në Gjilan.

Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, këtë të diele, u organizuan dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Në hapje të Orës Letrare, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Deniza Limani tha se ndihet tejet e lumtur që përkundër kufizimeve për shkak të situatës me pandemi, rrjedha e manifestimit “Flaka e Janarit”, ka shkuar shumë mirë dhe se është shumë e kënaqur me organizimin e të gjitha shtyllave, duke përfshirë edhe “Pena e Flakës”.

Ajo tha se ky aktivitet letrar dhe më pas edhe ai muzikor “Fest Flaka”, janë si ëmbëlsirë me të cilat do ta përmbyllin manifestimin e sivjetmë të “Flakës”, që pati rrjedhë të mirë dhe një program me vlera, duke vlerësuar se të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij manifestimi këtë vit, janë ndarë të kënaqur, sepse edhe Komuna, por edhe Drejtoria jonë janë ndarë të kënaqur me secilin organizator të shtyllave përkatëse të “Flakës…”.

Limani tha se këtë vit “Flaka…”, i është kushtuar heroit Kadri Zeka, ndërsa potencoi edhe faktin se tanimë ky manifestim, është pjesë e Trashëgimisë Shpirtërore në kalendarin e MKRS-se dhe ky është një lajm i mirë, sepse më asnjëherë nuk do ta kemi problem çështjen e financimit.

Përndryshe në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”- 2021, deklamuan poezitë e tyre këta poetë konkurrues: Afrim Demiri (GEGA I GJETUN), Alisa Bekteshi (KUR HANA E DO DIELLIN), Alketa Spahiu (MOS U DASHURO NË ESMERALDËN), Donart Rexhbogaj (ELEGJI), Farida Zmijani Ramadani (PËRJETIM NDJESISH), Fatmir Halimi (SEKRETI I DASHURISË), Jonida Sheholli (MBI SUPIN TËND), Kanita Sadiku (N’SY), Klejda Plangarica (PA BËZAJT), Linditë Ramushi Dushku (KAM LE DASHNIE), Prend Buzhala (KODI I NJË LOJE), Preng Maca (PRAG DITE), Rabije Bytyçi (SHTËPIA IME ËSHTË RRËNUAR), Ramë Oraça (UNAZË E KËPUTUR), Rrushe Hasimi (MARRËZIA E NJË DASHURIE), Sadete Tërnava Osmani (QIELLI I KËSAJ TOKE), Sadije Aliti (PUTHJA SHTEGTARE), Selajdin Shabani (NJË RRUGË TJETËR), Xheladin Mjeku (PËRRALLË PATRIOTIKE), Xheladin Rexhepi (DORA E DJATHTË E GJERGJIT).

Jashtë konkurrencës lexuan edhe dhjetë poetë të tjerë, për të quar në 30-të numrin e poetëve që deklamuan në Orën Letrare si simbolik 137 e vitit jubilar, 30- vjetorit të “Flakës së Janarit”.

Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Anton Nikë Berisha, Flora Brovina dhe Sherafedin Kadriu, përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë poezia “Kodi i një loje”, i Prend Buzhalës, të cilit çmimin “Pena e Flakë”, ia dorëzoi drejtoresha Deniza Limani.

Kur jemi te konkursi letrar, Adem Gashi, nga juria e konkursit. vlerësoi se janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Sipas tij ishin 45 tregime dhe 93 poezi konkurruesenë këtë konkurs.

Juria profesionale e konkursit, në përbërje Adem Gashi, Linditë Ramushi – Dushku dhe Mehmetali Rexhepi ka bërë këtë zgjedhje:

Në poezi:

Shpërblimi i parë i jepet poezisë: “Kjo e diel” shifra “Perla”

Shpërblimi i dytë poezisë: “Baladë”, shifra “Vetëm 5 minuta”

Shpërblimi i tretë poezisë: “ Poema e mjerimit” shifra “Aguliçe”

Ndërsa për botim në revistën “Agmia”, juria i ka propozuar këto poezi: “Me fillue ditën me rreze në sy”, pa shifër, “Shpirti i poetit” shifra “Frymëzimi”, “Ftohti” shifra “Rebelja”, “M’u shëndrro ne pranverë fluturash” shifra malli i Tropojës, “Portret në bronz” shifra “Ec me kohën” dhe “Një pikë uji rrëshqiste në krahun e saj” shifra “Fryma e Hyjit”

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Ëndrra me peshq” shifra “Balonat”

Shpërblimi i dytë: “Buka e dheut” shifra “Arusha”

Shpërblimi i tretë: “Pallati i sorrave” Pa shifër

Ndërsa për botim në revistën “Agmia”, juria i ka propozuar këto tregime: “Nënokja” shifra “Emigrantja 1993”, “Torzo e gjallë” shifra “Unë pa UN” dhe “Dy artet e jetës” shifra Filozofia e dashurisë”

Manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2021”, përmbyllet sonte me Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka”- në Sallën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, e cila këtë edicion nuk do të ketë karakter garues. /Koha/ KultPlus.com

Nis hartimi i planit për menaxhimin e qendrave historike të Gjirokastrës e Beratit

Ka nisur sot procesi i hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Qendrave historike Gjirokastër dhe Berat.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Kulturës e cila sqaron se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore zhvilloi një takim koordinues me Qendrën e Trashëgimisë Botërore, UNESCO dhe trupat këshillimore të saj ICOMOS dhe ICCROM, mbi nisjen e procesit të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Qendrave historike Gjirokastër dhe Berat.

Asistenca Ndërkombëtare e hartuar nga IKTK, mbi këtë projekt është aprovuar nga Qendra e Trashëgimisë Botërore në vitin 2019.

Projekti parashikohet të zhvillohet gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2021. Ai do të përfshijë angazhimin e 3 ekspertëve ndërkombëtarë nga ICOMOS dhe ICCROM si dhe do të sigurojë përfshirjen e të gjitha palëve të interesit për këto pasuri botërore në Shqipëri. /ata/ KultPlus.com

‘Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë’

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Qyteti që ofron shtëpi me 1 euro

Italia, për të disatën herë po ofron shtëpi “vetëm 1 €” për të tërhequr banorë të rinj në rajonet e vogla pak të populluara.

Biccari, në rajonin juglindor të Puglia-s po shet shtëpi të shkatërruara me çmimin prej 1 €.

Shitja është pjesë e misionit të kryebashkiakut Gianfilippo Mignogna për të shpëtuar qytetin e tij nga shpopullimi. Shumica e banorëve u larguan për të punuar në qytetet e Italisë ose jashtë saj, kryesisht në SHBA.

“Ne mezi jemi 2000 banorë,” tha ai për CNN. “Shpopullimi është një plagë e hapur, një fenomen i qëndrueshëm. Vendasit vazhdojnë të largohen dhe ndërsa shumica ktheheshin gjatë verës, tani nuk kthehen më. Shumë shtëpi të banueshme janë bosh dhe kanë mbetur në harresë.”

“Një ditë isha duke shëtitur në qendrën e qytetit dhe më bëri përshtypje se si kaq shumë shtëpi të vogla dhe të lezetshme në një formë perfekte ishin mbyllur për vite me radhë, të zhytura në harresë me tabela “me qira ose shitje” që askush nuk i sheh,” tha kryebashkiaku.

Fotografitë dhe hartat e pronave së shpejti do të vendosen në internet në faqen e internetit të bashkisë. Platforma në internet do të ndahet në dy seksione: Shtëpi €1 dhe shtëpi të lira.

Ata që vendosin për të marrë një shtëpi për €1 duhet të kenë një fond garanci prej €3,000 që siguron se do të përfundojnë punimet në shtëpi brenda tre vitesh.

Afati i përfundimit të punimeve mund të zgjatet ose shtyhet nëse ka arsye. Në rastin tjetër, njerëzit mund të blejnë një shtëpi duke filluar nga €7,500. Shumica e shtëpive janë përgjithësisht 10,000 – 13,000 euro.

Biccari njihet si “çatia e Pulias” dhe është një rajon që shtrihet në detin Adriatik dhe është vend i pasur me pyje, kullota dhe ullishte. /express/ KultPlus.com

Gashi publikon një pjesë nga kënga në ardhje

Reperi me famë ndërkombëtare ka publikuar një video nga studio e tij.

Gashi ka inçizuar një pjesë të këngës së tij të re që do e lansojë së shpejti.

Ai e ka publikuar një video në Instagram duke shkruar se mezi pret ta publikojë këngën e re.

“Nuk mund të fle sepse mezi pres të publikoj këtë rekord”, ka shkruar reperi në mbishkrimin  e videos.

Ndryshe, projekti i fundit i tij është “Mama”./Lajmi.net/ KultPlus.com

Albumi i ri i Adeles do të jetë ndryshe nga ata të mëparshmit

Albumi i katërt i Adele nuk do të fokusohet në divorcin e saj nga ish-bashkëshorti Simon Konecki.

Ky do të jetë albumi i parë i Adeles në gjashtë vitet e fundit i cili pritet të lëshohet në treg gjatë këtij viti.

Thuhet se albumi do të tingëllojë ndryshe nga albumet e saj të mëparshme të cilat kanë në përmbajtje vetëm këngë për romancën dhe zemrat e thyera.

Një burim i ka thënë “The Sun” se “tekstet për zemrat e thyera i kanë ndihmuar Adeles në të kaluarën që të thyejë rekorde mirëpo tani gjithçka do të jetë ndryshe”.

Sipas burimit, Adele dhe Simon janë të pajtimit që ata duhet ta mbrojnë djalin e tyre Angelo dhe se për këtë arsye këngëtarja e famshme nuk do të përfshijë divorcin e tyre në këtë album. /Koha/ KultPlus.com

5 vite nga vdekja e akademikut Kristo Frashëri

Sot shënohet 5 vjetori i vdekjes i historianit, profesorit, akademikut Kristo Frashëri, shkruan KultPlus.

Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920.

Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.

Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.

Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.

Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./ KultPlus.com

Përkthehen dy veprat e Besim Xhelilit në gjermanisht

Veprat e Besim Xhelilit do të jenë më afër lexuesit gjerman, shkruan KultPlus.

Dy veprat e tij në gjuhën shqipe, të botuara në vitin 2019 janë përkthyer në gjuhën gjermane.

Poeti shqiptar nga Tetova, i cili jeton në Vjenë të Austrisë, sjell para lexuesve gjermanëfolës dy titujt e tij të fundit me poezi, vëllimin e tetë me radhë “Fragmente të një zemre të dalldisur…!” dhe i nënti “Vragë malli”.

Recensent i të dy vëllime është kritiku i mirënjohur shqiptar Prend Buzhala, për redaktimin u kujdesën Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini, kurse kritkën letrare e ka bërë Migena Arllati.

Përkthimin në gjermanisht të këtyre dy lirikave të dashurisë e realizoi albanologu i njohur austriak Kurt Gostentschnigg, kurse pikturat e kopertinave janë vepër e piktores dhe artistes Saranda Kika-Bahtiri nga Mitrovica. Autori falënderon stafin punues në libra, të cilët gjithmonë i qëndrojnë pranë me mbështetjen e tyre.

Këto dy vëllime gjehen gjithandej në libraritë dhe bibliotekat, si dhe në platformat e shitjeve të librave në internet. Në linkun e mëposhtëm mund të gjehen librat direkt tek botuesi:

https://www.bod.de/buchshop/catalogsearch/result/?q=besim+xhelili

Më poshtë sjellim një cikël me lirika nga këto dy libra:

DY SY

Dy sytë e tu t’bukur, aq të përsosur
O sa janë të thellë dhe frymëzues
Por, një poet seç e kanë brengosur
Me atë shikim t’egër e pushtues…

SONATË

O këta sytë e tu një sonatë e përkryer
Brenda tyre një çerdhe e pavdekësisë,
E sikur rrugën me zili më kanë rrëmbyer
Disa valë të brishta brenda melodisë…

MELODI ME TINGUJ T’FIKUR

O melodi e qëndisur me tinguj t’fikur
Vjeshta sapo mbaroi e më s’u pamë,
Një lule n’mes vargjeve seç ka zbritur
Po pret t’pathënat që kurrë s’i thamë…

DIHATJE

Buzën pika t’verës po ta prekin
N’ato çaste hareje dhe kënaqësie
Timen ngrica akujsh seç e stepin
Nga dihatje t’lodhshme dashurie…

SI KAHERA

N’ballkon po qave sonte si kahera
Yjet po i pyete nëse jam gjallë e lotoj,
Do t’thonë se gjithmonë e gjithhera
Aty n’zemër t’kam e dot s’të lëshoj… / KultPlus.com