Vjosa Osmani dhe Capital T diskutojnë ngecjet e industrisë muzikore në një lidhje ‘live’

Vjosa Osmani dhe Capital T kanë diskutuar për industrinë muzikore në Instagram Live.

Vjosa Osmani tash e disa javë me radhë është duke realizuar intervista në mënyrë virtuale me personazhe të njohur.

Dje ishte i ftuar rep-artisti i njohur, Capital T, në një lidhje ‘live’ në rrjetin social Instagram.

Reperi dhe Vjosa diskutuan për problemet që shkaktoi pandemia COVID-19, gjatë bisedës ata prekën edhe disa nga ngecjet që industria muzikore ka si përgjithësi.

Capital T bëri kërkesën qe për shkak të kapacitetit të vogël që kanë lokalet e natës, sallat sportive të kthehen në vende ku mund të performohet.

Reperi i njohur filloi duke thënë, “Normalisht janë disa pika që mund të bëhen më mirë, sikur sallat sportive të rinovohen dhe të menaxhohen mirë, që artistët të kenë vend që të performojnë”,u shpreh Capital T.

https://www.instagram.com/tv/CKrvI4wl_A8/embed/captioned/?cr=1&v=13&wp=540&rd=https%3A%2F%2Flajmi.net&rp=%2Fvjosa-osmani-dhe-capital-t-diskutojne-ngecjet-e-industrise-muzikore-ne-nje-lidhje-live%2F%3Ffbclid%3DIwAR05FYhB_zr8wx8ORaE1aXf0ocjBQ4mCp_DcudiFt7rEO–I1iirH-cgacM#%7B%22ci%22%3A0%2C%22os%22%3A2112.439999822527%2C%22ls%22%3A1127.7949998620898%2C%22le%22%3A1329.7299998812377%7D

Reperi gjithashtu nuk la pa përmendur Ligjin për Pirateri dhe këngët të cilat lëshohen në televizione pa marrë miratimin e artistit.

“Të tjera probleme janë sikur Ligji për Pirateri, televizionet që nuk paguajnë për këngë që lëshohen. Por, një shtëpi e madhe diskografike do të kishte qenë mirë të jetë në Kosovë”, përfundoi reperi./Lajmi.net/ KultPlus.com

‘Të çmendurit, të dashuruarit dhe poetët kanë të përbashkët imagjinatën’

Fragment nga William Shakespeare:

Të çmendurit, të dashuruarit dhe poetët kanë një gjë të përbashkët: imagjinatën. Të parët e përdorin atë në mënyrë të hallakatur, të dytët për të gjetur ngjashmëri të mahnitshme në fytyrën e të dashurës, poetëve ju shërben për të konfirmuar diçka magjike edhe nga realitet më të zakonshme. / KultPlus.com

‘Edhe këtë mëngjes u zgjova, m’u përplas mungesa jote në shtrat dhe ndarja jonë’


Poezia “Edhe këtë mëngjes u zgjova” nga Nazim Hikmet:

Edhe këtë mëngjes u zgjova
dhe muri, perdja, xhamat, plastika, druri
ranë mbi mua në masë
dhe drita e argjendtë e nxirë e llambës

më ra sipër edhe një biletë tramvaji
dhe e verdha e murit dhe tre rreshta shkrimi
dhe dhoma e hotelit dhe ky vend armik
dhe gjysma e ëndrrës së rënë u shua
nga kjo anë
m’u përplas sipër balli i bardhë i kohës
kujtimet më të hershme dhe mungesa jote  në shtrat
dhe ndarja jonë dhe ajo që jemi
U zgjova edhe këtë mëngjes dhe të dashuroj. / KultPlus.com

Përktheu: Faslli Haliti

Vdes kitaristi i grupit “The Animals”

Ka vdekur në moshën 77 vjeçare, kitaristi i grupit “The Animals”.

Hilton Valentine e kishte krijuar grupin e famshëm bashkë me këngëtarin Eric Burdon, basistin Chac Chandler, organistin Alan Price dhe bateristin John Steel, në vitin 1963.

Në anën tjetër, lajmi i hidhur për vdekjen e tij preku artdashësit e grupit “The Animals”.

Shtëpia e muzikës ABKCO e ka përshkruar atë si pionier të kitarës që ka ndikuar në tingullin e zhanrit “rock and roll” për shumë dekada, shkruan BBC.

Valentine ka krijuar grupin e famshëm bashkë me këngëtarin Eric Burdon, basistin Chac Chandler, organistin Alan Price dhe bateristin John Steel, në vitin 1963.

Grupi ka qenë në top 10 hite për gjashtë herë në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë këngët “Don’t Let Me Be Misunderstood” dhe “We Gotta Get Out of This Place”.

Valentine ishte larguar nga The Animals për një karrierë të veten, mirëpo mori pjesë në disa ribashkime me ta dhe vazhdoi turet me Burdonin në vitin 2007. / KultPlus.com

24 vjet nga rënia e tre ushtarëve emblematikë të UÇK-së

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.

Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan, shkruan KosovaPress.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare, apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo që kishte parë kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje.

Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore, ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

Hakif Zejnullahu kishte një heshtje të jashtëzakonshme, ashtu siç e kishte edhe punën të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. /KultPlus.com

‘O Vendi im, të thërras unë me mall, a lindë për ne dielli ma?’

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend, këngët e të cilin shfaqin haptazi revoltën kundër sistemit, shkruan KultPlus

Sonte KultPlus ju sjell një version më ndryshe të këngës ‘Mallëngjimi’ nga grupi Troja, të titulluar ‘Vendi im’.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

O Vendi im
Të thërras unë me mall
A lindë për ne Dielli ma ?

Ku janë ato fusha ?
Atje ku bahej buka
Lisa deri në qiell
Në vendin tim më nuk ka

O Vendi im
Të thërras unë me mall
A lindë për ne Dielli ma ?

Ku janë ato fusha ?
Atje ku bahej buka
Lisa deri në qiell
Në vendin tim më nuk ka. / KultPlus.com

Thomas Nassi, pioneri shqiptar i muzikës klasike amerikane

Gjithkush ka dëgjuar vargjet e këngës “Vlora, Vlora”. Ky himn u kompozua para një shekulli prej Thoma Nassit (1892-1964).

Lindur në Dardhë të Korçës, emigroi fillimisht në Greqi dhe më pas, në vitin 1914, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që në moshë të re shfaqi talentin në instrumentet e violinës dhe flautit.

Në vitet 1915-1916 së bashku me shqiptarët e Amerikës themeloi dy formacione orkestrale: mandolinatën “Dodona” dhe Bandën Frymore të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Në krye të saj, më 1920 u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës.

Në vitin 1916 hyri në Konservatorin e Nju Inglënd dhe kreu aty studimet për flaut dhe dirigjim. Pas studimeve punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit.

Gjatë kësaj periudhe ai organizoi për herë të parë një bandë muzikore për shoqatën VATRA. Ai do t’i mësonte vetë shqiptarët si të luanin në veglat muzikore. Po ashtu Thomai është i pari që organizoi meshat në kishën orthodokse të shqiptarëve në Boston duke i mësuar koreve fetare të këndonin meshën në Shqip.

Gjatë viteve 1920-të ai do të merrte bandën muzikore të Vatrës, të cilën e pat’ ngritur po vetë, edhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në këtë periudhë të vështirë për Shqipërinë, e sapo shpallur shtet sovran, ai dhe banda e tij do të udhëtonte në çdo trevë shqiptare duke luajtur këngë patriotike për të ngritur moralin e popullsisë dhe ushqyer ndjenjën kombëtare tek to.

Gjatë viteve 1920-1925 qëndroi në Korçë, duke iu kushtuar gjerësisht aktivitetit krijues muzikor. Këtu zënë fill edhe kompozimet e disa këngëve lirike dhe pjesëve të vogla instrumentale, si: “Fyelli i bariut”, “Bilbili”, “E qarë”, “Katër valle”, etj. kryesisht për instrumentet flaut, violinë e piano. Në gjashtë vite të qëndrimit në Shqipëri, ai u bë një nga nismëtarët e gjallërimit të jetës muzikore të vendit, organizator i sistemit të edukimit muzikor në shkolla dhe ngritjes së orkestrave frymore e formacioneve korale. Ndihmesa e tij në krijimin e traditës dhe konsolidimit të Këngës Qytetare, përbën gjithashtu një ndër meritat kryesore të punës së tij si krijues muzike dhe organizator profesionist.

Në vitin 1926 Thoma Nassi u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi punën si dirigjent i orkestrave frymore.

Nga këtej e tutje gjithë jetën në Amerikë do t’ia kushtonte muzikës. Në vendin e largët atij do t’i njihen krijimet e disa orkestrave simfonike siç qenë Cape Cod Filarmonik Orkestra dhe rruga do të vazhdonte në qytete të tjera si Orleans, Truro, Chatham, Province Town, Eastham etj. Në Amerikë ai njihet si pionieri i muzikës klasike.

Komiteti Organizativ i Festivaleve Tipologjike i ngritur nga QKVT, e ka vendosur emrin e Thoma Nassit prej këtij viti si një ndër çmimet vlerësuese për grupet fituese në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Qytetare që zhvillohet në qytetin e Elbasanit. /dsh/ KultPlus.com

Kadare: Është e pakuptimtë ajo letërsi që qëndron jashtë kohës së vet

Pjesë nga intervista ekskluzive e Ismail Kadaresë dhënë gazetës “Rilindja”, Prishtinë, e mërkurë 31 dhjetor 1980

Dyzet vjet më parë, saktësisht në vjeshtë të vitit 1980 në “Rilindjen” e Prishtinës u botua kompleti i veprave të Ismail Kadaresë në 10 vëllime. Atëbotë, Kadare u ftua që të bënte një vizitë në Kosovë dhe më këtë rast zhvilloi takime të shumta me shkrimtarë dhe personalitete të rëndësishme të kulturës në Kosovë. Nga rubrika e kulturës e gazetës “Rilindja” isha caktuar të bëja një intervistë me Ismail Kadarenë, bëra një numër pyetjesh, të cilat u kontrolluan nga kryeredaktori Fadil Bujari dhe nga drejtori “Rilindjes”, Rexhep Zogaj, të cilët e miratuan listën e pyetjeve. Më pas ishte Azem Shkreli ai që i mori pyetjet, me idenë që t’ia jepte Kadaresë, meqë ai ishte shoqëruesi i tij. Ndërkohë, Kadare u largua nga Prishtina pa kthyer përgjigje për intervistën, por ndodhi që në disa ditë më vonë në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë u mbajt një konsultë për romanin shqiptar, ku ishin të ftuar edhe shkrimtarë nga Kosova. Unë iu bashkëngjita grupit të shkrimtarëve, jo si shkrimtar dhe autor romanesh, por si gazetar i “Rilindjes”, që ndiqja aktivitetet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në Tiranë u takuam disa herë me Kadarenë, në hotel “Dajti”, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në shtëpinë e tij. Atmosfera ishte shumë miqësore dhe mbase kjo mund të ishte arsyeja pse Kadare iu kthye intervistës dhe bëri ca përgjigje të drejtpeshuara, të cilat, mbi të gjitha, kishin vendosur një raport të çiltër me shkrimtarët dhe lexuesin e Kosovës, i cili për më shumë se pesëdhjetë vjet do t’i mbetet besnik këtij shkrimtari.

 Me ndonjë rast kritika letrare ka theksuar se romanet tuaja ndërtohen mbi raportin bota-Shqipëria dhe se këtu krijohet një konflikt i vazhdueshëm, që përsëritet nëpër kohë. A mendoni se lexuesi i huaj do ta kuptojë drejtë këtë raport?

Kjo është një materie artistike jo e shpikur, por e gjetur prej meje në historinë e vendit. Do ta kuptojë drejt ose jo, lexuesi i huaj s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ajo të pasqyrohet drejt. Në qoftë se do të ndodhë kështu, gjithmonë do të gjenden ata që do ta kuptojnë.

 Në veprat tuaja shpesh iu bëni jehonë ngjarjeve të kohës. A mendoni se duhet një distancë më e madhe, në mënyrë që shkrimtari të japë gjykimin e vet ato ngjarje?

Mendoj se kjo varet nga ngjarja. Por këtu duhet thënë se nuk është vetëm koha materiale që përbën distancën.

 Po shkrimtari a duhet të krijojë distancë me politikën?

Mendoj se çdo e ashtuquajtur distancë me politikën s’është veçse njëfarë politike.

 Lidhur me metodën e shkrimit tuaj në prozë një pyetje: metoda e realizmit socialist shpesh ka sjellë klishe dhe shabllone në letërsi. Me veprën tuaj nuk ka ndodhur kështu…

Ja një pyetje që pothuajse nuk mungon kurrë në intervistat me shkrimtarët që aplikojnë realizmin socialit. Si e tillë ajo mund të quhet pyetje-klishe. Më falni, nuk e kam në kuptim të keq këtë gjë. A kane krijuar klishe dhe shabllone shkrimtarët e realizmit socialist? Po i përgjigjem thjeshtë: po, kanë krijuar. Natyrisht që kanë krijuar. Do të ishim idealistë po të pretendonim të ndodhte ndryshe.Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe kështu do të ndodhë gjithmonë, çdo metodë artistike, çdo metodë vitale artistike, krijon, krahas vlerave të saj, edhe klishetë e saj. Kjo është e natyrshme. Ajo që s’është e drejtë kur flitet për shabllonet dhe klishetë është fakti që ato i atribuohen vetëm realizmit socialist. Kjo s’qëndron kërkund. Realizmi socialist s’ka mbushur as shekullin kurse klishetë dhe shabllonet letrare janë të vjetra sa bota. Në krahasim me realizmin socialist, letërsia borgjeze, shkollat e ndryshme të saj, kanë krijuar dhjetëra herë, qindra herë më shumë klishe dhe shabllone. Madje, do të thoshja se disa nga shabllonet që vazhdojnë të jetojnë në letërsinë e shkrimtarëve të realizmit socialist janë të huajtura për fat të keq nga letërsia borgjeze. Që të kthehemi te klishetë: pak klishe dhe shabllone ka romantizmi evropian, sentimentalizmi, madje edhe realizmi kritik-lavdia e letërsisë borgjeze? Veç kësaj, ku është marrë kjo e drejtë që realizmi socialist të përfaqësohet vetëm nga shkrimtarët difektorë të tij? Shkrimtarë me aftësi të kufizuar ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por metodat letrare nuk janë identifikuar kurrë me ta. Një filozof ka thënë se shpejtësia e një flote është baras me shpejtësinë e anijes më të ngadaltë, por në letërsi nuk ndodh kështu, përkundrazi. Këtu s’duhet harruar se dy nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit tonë, Majakovskin dhe Brehtin, i ka dhënë pikërisht realizmi socialist.

Në bisedat që krijuesit tanë kanë pasur me ju, fitohet përshtypja se e përcillni me kujdes atë që krijohet sot në Kosovë. Sa i ofrohet ajo lexuesit në Shqipëri dhe cili është mendimi për të?

Përherë e më tepër letërsia shqipe që krijohet në Kosovë është bërë dhe po bëhet e njohur në Shqipëri. Dhe këtu nuk është fjala për rreth të caktuara letrarësh e intelektualësh, por për masën e gjerë të lexuesve, duke filluar nga lexuesit e kryeqytetit e të qyteteve të tjerë e gjer në zonat më të largëta. Ky lexues e pret me interesim të veçantë, me kureshtje dhe ngrohtësi krijimtarinë e shkrimtarëve të Kosovës. Qindra mijëra kopje librash të autorëve kosovarë qarkullojnë në Shqipëri. Në revistën “Les lettres albaniases” që ne botojmë frëngjisht për botën e huaj, gati në çdo numër ka autorë nga Kosova.

Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë keni pasur kontakte me krijues dhe punonjës të kulturës, pastaj me lexues, të cilët janë të shumtë. Me ç’përshtypje po largoheni që këtej?

Po largohem me përshtypjet më të bukura, me një pasuri të madhe, tepër të madhe që e marr me vete dhe për të cilën ju falënderoj shumë, ju falënderoj shumë.

Foto kryesore: Kadare dhe Mehmet Kraja gjatë intervistës në Hotel “Tirana” (foto: Nazmi Rrahmani). / KultPlus.com

Vuejtja

Poezi nga Migjeni

Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.

Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, ojetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndërluftat e jetës. / KultPlus.com

Artistët kosovarë fillojnë me kampanjën ‘Jo fushatë, por vaksina’

Orari i orës policore është zgjatur dhe mbledhimet e ndryshme për fushata zgjedhore dita ditës po shtohen, kjo gjë si duket ka ndikuar edhe në rritjen e të infektuarëve me Covid19, shkruan KultPlus.

Mirëpo, komuniteti i artistëve ka nisur një fushatë në rrjete sociale, ku bëjnë thirrje të ndalen fushatat dhe të ndërmerret diçka në lidhje me vaksinën Anticovid.

Kanë qenë Astrit Kabashi dhe Fatmir Spahiu të parët që në llogarinë e tyre personale, publikuan postimin, ku shkruanin ”Jofushatëporvaksina’ .

Ndërkaq, kjo iniciativë është pëlqyer nga shumica dërmuese dhe menjëherë ka marrë vëmndjen dhe përkrahjen nga shumë persona në rrjete sociale. / KultPlus.com

Greva e vitit 1989 e minatorëve në Trepçë (FOTO)

Në maj të vitit 1989, minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. / KultPlus.com

E marrë nga Shenida Bilalli / Facebook

Maro Konda, trimëresha labe që sakrifikoi veten për të mbrojtur popullin

Maro Konda ka qenë një trimëreshë labe me origjinë fteriote që sakrifikoi veten për të mbrojtur popullin.

Lindi në Fterrë. Jetoi në fillim të shekullit XVI.

U martua në Çorraj. Në vitin 1537, në mbrojtje të luftëtarëve çorrjotë, sakrifikoi veten, duke hedhur në greminë një numër jeniçerësh turq, së bashku me veten e saj.

Ndaj dhe populli i këndoi:

“Bijë Fterre, nuse Çorre,
Djalin më të mirë more,
Po ç’e do, nuk e gëzove,
Nga shkëminjtë u lëshove,
Turqitë prapa ç’i more,
S’more një, po di taborre…
” / KultPlus.com

Vloggeri i njohur ndan eksperiencën e tij në Banjat e Bënjës, Përmet

Vloggeri i njohur Dany ka udhëtuar së fundmi drejt Shqipërisë ndërsa eksperiencën e tij më vendin tonë e ka ndarë në kanalin e tij në Youtube.

Pas mbërritjes në Rinas cifti i vloggerëve kanë marrë një makinë me qera dhe pas një ndalese në Durrës destinacioni i Dany dhe bashkëshoqerueses së tij, ka qenë qyteti i Përmetit, ku janë ndalur tek Banjat e Bënjës.

“Erdha në Përmet për të parë këtë vend dhe qenka shumë më bukur se sa mendoja. Pamja është e mbrekullueshme. Uji nuk është shumë i nxehtë, sepse jemi në janar, por sërish mund të lahesh dhe të shijosh këtë pamje të mrekullueshme”, shprehet ndër të tjera ai, ndërsa shijojnë ujin kurativ të llixhave.

Nuk është hera e parë që vloggeri i njohur viziton dhe promovon Shqipërinë, sepse ai ka udhëtuar edhe më parë në Shqipëri. Në videot e postuara e promovon Shqipërinë si një destinacion i bukur ku mund të kalohen pushime të bukura me pak shpenzime. / KultPlus.com

Banesa sekrete brenda kullës Eiffel (VIDEO)

Banesa e Kullës Eiffel për një kohë të gjatë ka qenë e fshehur nga sytë e opinionit e shumë persona as që e ka ditur të ekzistonte.

Tani jepet mundësia që ta shohësh nga afër banesën sekrete me pamjen më të bukur në Qytetin e Dritës dhe të ndjehet fryma e Parisit të shekullit 19-të. Kulla e Eiffelit është hapur në vitin 1889 dhe ishte dizajnuar nergut për Ekspozitën botërore të Parisit të atij viti, transmeton KultPlus.

Sot është simbol i këtij qyteti dhe që nga themelimi, në nivelin e vet më të lartë, fsheh një banesë që i përket konstruktorit francez Gustave Eiffel, i njohur në botë me konstruktimin e kësaj kulle.

Eiffel dikur, në majë të kullës më të njohur në botë, ka pasur apartamentin me orendi shumë të bukura e stilistike si dhe një piano për koncerte. Tashmë banesa e gjallëron atmosfera autentike e kohës kur është bërë dhe ajo ka karakteristikat e shtëpisë modeste të Parisit nga shekulli 19, përfshirë tepihët e njohur, tapetat, ormanët si dhe dhomën e vogël të fjetjes. / KultPlus.com

Dervish Shaqa, një rapsod i paharruar (VIDEO)

‘Gjon Leka njëzet vjeç djalë’, është kënga që këndon Dervish Shaqa në këtë incizim të rrallë, shkruan KultPlus.

Rapsodi i njohur i gjithë shqiptarisë Dervish Shaqa, vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të folklorit shqiptar.

Kjo këngë që po sjellim sot është e rrallë në internet dhe Dervish Shaqa, i këndon një djaloshi trim nga jugu i Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa gjenden në arkivin e Radio Tiranës.

Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës. / KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria me resort të skive

Kryeministri Edi Rama tha se, “krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, do të sjellë shumë më tepër turistë, në Korçë”.

Gjatë një bashkëbisedimi të dielën, me qytetarë në Korçë, Rama theksoi se “Korça sot nuk është më në fazën a do të ketë më turistë, nuk e ka më Korça këtë problem. Korça ka hyrë në një fazë që do të ketë problemin si do të përballojë turistët dhe mendoj se ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, siç është ajo për krijimin e resortit të parë të skive në Shqipëri në zonën e Nikolicës, që është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër turistë”- tha Rama .

“Unë kam parë një pistë që është modeste këtu afër dhe është e përmbytur nga kërkesat dhe nga studimi që kemi bërë, jemi mahnitur që janë afro 1 mijë shqiptarë shkojnë në resorte dimërore skishë çdo vit”, tha ai.

“Afro 1 mijë është statistikë nuk është opinion. Pra janë shqiptarë që shpenzojnë pa llogaritur këtu se çfarë mund të sjellë Korça të huaj. Provat tashmë janë, vetëm nga Fesat e Birrës e cila filloi si festë lokale u kthye, në një destinacion me fluks vizitorësh që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, për të marrë pjesë në këtë festë”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, u shpreh se “lajmi që dha Kryeministri Rama, për ndërtimin e resortit dimëror të skive, është fantastik dhe i garanton Korçës 4 deri 5 muaj turizëm në sezonin e dimrit”.

Ndërsa duke veçuar diversifikimin e ofertës turistike në Korçë, Filo tha se, “kemi disa iniciativa interesante siç është ajo në Turan, ku me mbështetjen  AZHBR –së është vendosur pista e hipizmit, ku dy vëllezër të apasionuar kanë bërë një hipodrom me stalla dhe pistë për kuajt ku ofrojnë shëtitje me kuaj dhe kurse për hipizmin”.

Gjithashtu tha ai, dua të diskutoj me kryeministrin edhe për pistën në Rumalasë, që mundtë shndërrohet në një aeroport për fluturimet turistike dhe sportive, që nxit më tej turizmin në këtë bashki.

“Javën e fundi balonat që erdhën në Korçë, ishin një atraksion i veçantë që solli aeronautistë nga Selaniku në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës dhe nëse krijojmë një fushë bari për këto lloj fluturimesh mund të krijojmë hedhje me parashutë duke shtuar kështu ofertës turistike në Korçë”- tha Filo.

Rama theksoi se, “sfida në Korçë është si do të përballojë kërkesat, sidomos në periudhën e fundjavës. Nga ana tjetër si do të zgjerohet koha e qëndrimit për të mos ardhur vetëm në fundjavë, por në kohë edhe më të gjatë. Pra është një situatë shumë pozitive për Korçën. Patjetër që ka këtu dhe kudo, një pjesë njerëzish që janë larg këtyre zhvillimeve. Por nuk ka një formulë magjike prandaj duhet parë se ku ishim për të marrë forcë , për të marrë energji dhe për të vazhduar që të shkojmë aty ku duhet, të shkojmë përpara deri sa e kemi bërë këtë rrugë. Se dikur thonin fasada, fasada,  por po të bëjmë një llogari sa vende pune kanë hapur “fasadat”, është pikërisht ai fillimi i ndryshimit që ka ndodhur . Sepse për çfarë duhet të vinin njerëzit më parë në Korçë, vinin vetëm, për të takuar të afërmit, normalisht, kurse sot çdo vit e më shumë kamë shumë arsye për të ardhur në Korçë, dhe detyra jonë është të shtojmë arsyet për të ardhur se kështu do shtojmë ditët e qëndrimit këtu”- deklaroi Rama. /atsh/ KultPlus.com

‘Nuk janë të gjithë burrat abuzues e dhunues, është e padrejtë të futen të gjithë në një thes’

Nga Pranvera Nevzadi

Nuk e përkrahi asnjë lloj dhu-ne ndaj gruas, as nënçmin as ofendim të asnje lloji, bile as për hajgare, sepse gruaja meriton respekt dhe vetëm një i ligë mundet me nënçmu, ofendu e sidomos me rre-hë e me keq-trajtu atë. Por, edhe të paraqiten sikur egërsina para botës meshkujt shqiptar nuk po më duket e drejtë. Ndodhin raste, raste të dhimbshme që nuk duhet me ndodhë, të randa, të vështira me i përballu, por le të flitet vetëm për rastet e tilla, pse duhet me u thanë “meshkujt shqiptar” kur përmendim dhu-nën në familje? Pse me u akuzu breza e me e poshtërsu kështu veten para botës? Pse duhet me u përgjithësu?

S’guxon njeri në muhabet e sipër me tregu që e bon drekën nga ekstre-mizmi feminist, s’guxon njeri me tregu që ka qejf me lindë një djalë, menjëherë akuzohesh se nuk i do çikat, nuk i respekton, etj etj. Oj Amazona, po pa ata djem që lindin, qysh kanë me lind amazonat e vogla në të ardhmen?

Në Amerike, në “djepin e civilizimit”, 1 në 7 gra për-dhu-nohet, 1 në 3 gra dhu-nohet fizikisht në forma të ndryshme. Dhe këto janë vetëm raste që janë raportuar e meshkujt amerikan janë “zotrinj para botës”.

1 në 3 femra në Evropë ka përvoja të dhu-nës fizike dhe sek-suale para moshës 15 vjeçare. (Raporti për të drejtat e njeriut). Dhe ne meshkujt evropian i njohim për “françuza”.

Nuk arsyetohet me këtë as dëmtimi i një qimeje floku të një gruaje që bahet në vendin tonë. Por me fol ka del shpirti, në shoqërinë tonë gratë më shumë vuajnë nga vetë gratë se sa nga burrat.

90% e femrave tona gëzojnë të drejta të shkollimit, të punës, të avancimit etj, dhe është gjynah kur ndodhin raste të tilla dhe urrehet tërë gjinia mashkullore në përgjithësi. Po shkat-ërrohen e po ndahen familje.

Shkollohu oj motër, edukohu, bëhu dikush, vetvetiu do të ndihesh e pavarur, pa pasur nevojë ta fajësosh askënd. S’do të kesh nevojë t’i nënshtrohesh as shefit në punë për një pagë qesharake, as burrit pijanec, e as babait dhu-nues. E nëse ti nuk mundesh, mos e nxjerr mllefin te nusja e djalit e të krijosh përçarje e zinxhir zinxhir të shkaktosh gra që kërkojnë të drejta e vuajnë nga dhu-na në familje nëpër breza.

Nuk është nënshtrim, as nuk bëhesh shërbëtore kur i shërben familjes tane, babës, vëllait e burrit, po është dashni. Nënshtrim është bash ai sistem që kërkon prej teje me u bo vik-timë e lodër e secilit mashkull tjetër pos familjes tane.

Kurrë gratë shqiptare s’kanë qenë më të lira, më të shkolluara e më të avancuara.

Babai, vëllai, burri, e edhe djali, janë mbështetësit më të mëdhenj të një femre. Jane dora që iu zgjatet sa herë kanë nevojë, janë drita që iu dhezet sa herë kanë nevojë, janë rruga që iu shtrohet sa herë kanë nevojë, janë mburoja që iu bëhet sa herë kanë nevojë, janë hija që i freskon sa herë kanë nevojë.

Nëse ata po t’i ndalokan klubet, lakuriçllëkun, tarahenjet e natës, dhe po u munokan të mbrojtë, nuk janë dhunues, jane mbrojtësit e tu, e ti ktheje në revoltë me ndihmën e atyre që e kanë humb fillin dhe veç kërkojnë me ba diçka. Sot, gjithëkush është e zonja me jetu me një pagë për veten dhe mos me pas nevojë për asnjë mashkull rreth vetes, por për me mbajt familje, familje të shëndoshë, për këtë si duket gjithkush nuk është e zonja.

Me vjen keq që gratë e reja mashtrohen me këtë lloj të thirrjeve dhe mbushen me mllef dhe bota sot i njeh meshkujt shqiptar si arusha e egërsina. Kur shoh komente të nanave e grave se çfarë mendimi dhe urrejtje kanë ndaj meshkujve, m’duket se po flasin për paramilitarët serbë.

E nëse pret çdo mashkull me të respektu, je ka kërkon të pamundurën, mos u lodh, po ktheju familjes tane dhe përparo, shkollohu e arrij diçka në jetën tane, dhe mos e ngrit zanin me kërku që çdo rrugaç që kalon rreth teje me pas respekt për ty.

Nuk e arsyetoj as nuk e mbroj dhu-nën, por djemtë shqiptar nuk janë lugetër dhe është e padrejtë të trajtohen si të tillë. Nuk futen të gjithë me një thes. / KultPlus.com

95 vjet nga lindja e kompozitorit të njohur Tish Daija

Tish Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin, përcjell KultPlus.

Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova.

Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003. / KultPlus.com

Gandi: Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje

Më 30 janar të vitit 1948, vdiq Mahatma Gandhi, njeriu që u bë simbol i paqes kudo në botë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell një pjesë nga fjalimi i famshëm i Gandhi-t, ‘To the women of India’, fjalim ky që u mbajt në tetor të vitit 1930.

‘Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.

Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?

Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?’ / KultPlus.com

Vajza 4 vjeçe gjen në plazh gjurmën e dinosaurit të para 220 milionë vjetëve

Një gjurmë e qartë e këmbës së dinosaurit është zbuluar nga një vogëlushe 4 vjeçe në një plazh në jug të Uellsit.

Vajza e quajtur Lily Wilder e pa gjurmën e çuditshme në rajonin Barry. Shkencëtarët besojnë se kjo gjurmë mund të ofrojë ndihmë për të zbuluar se si kanë ecur këto kafshë që janë zhdukuar para një kohe shumë të gjatë.

Përderisa është e pamundur të thuhet se cili lloj i dinosaurit e ka lënë këtë gjurmë, besohet se ajo është e vjetër 220 milionë vjet. Gjurma është e gjatë 10 centimetra dhe mund të jetë lënë nga një dinosaur i lartë 75 centimetra, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Cindy Hoëells nga Muzeu Kombëtar i Uellsit tha se kjo është gjurma më e mirë që është gjetur ndonjëherë në këtë plazh.

Nëna e vajzës që e zbuloi gjurmën tha: “Lily e patë atë kur po ecte me babanë dhe i tha atij “baba, shiko”. Kur Richardi (babai i vajzës) ma tregoi fotografinë, unë thashë se ajo duket mahnitëse. Më pas vendosëm kontakt me ekspertët që e morën gjurmën nga vendi ku e gjetëm.”

Dinosaurët besohet se për herë të parë janë shfaqur para 230 milionë vjetëve, ndërsa gjurma e gjetur besohet se daton nga periudha e hershme e evolucionit të tyre. /express/ KultPlus.com

Jam myt tu shkru vargje

Poezi nga Dije Demiri Frangu:

që sa vjet jam myt tu shkru vargje
për qiellin si xham të thyer Katedraleje
për lulet që çdoherë tradhtojnë në vjeshtë
jam myt tu shkru vargje,
për do shikime aktoreske që shuhen sa mbyll sytë
e lojna që ta qesin gazin e mashtrim janë
për fëmijët e Ademve dhe Ademin e Prekazit
s’kisha ide si shkruhet
si hyjnë në vargje gjithë ata shpirtra t’kaltër
më duhej t’ i thyeja gjitha mitet e s ‘kisha forcë ma pa Ademët,
s’ mund vargëzoj s’kam shpirt sa duhet për ta
e jam myt t’u shkru vargje për perëndimin e diellit
dhe fjalët që i bartë era / KultPlus.com

Vdiq artisti që themeloi Cirkun Kombëtar, Bajram Kurti

Vdiq në moshën 91-vjeçare Bajram Kurti, një ndër themeluesit e Cirkut kombëtar.

Ai lindi në qytetin e Durrësit më 1930 dhe që në fëmijërinë e tij të hershme shfaqi talent në sportin e mundjes. Falë talentit, ai shumë shpejt do të aktivizohej me ekipin e “Partizanit” dhe shumë shpejt do të bëhej edhe pjesë e këtij ekipi. Në vitin 1952 gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar, Kurti theu disa rekorde kombëtare në peshëngritje dhe u shpall gjithashtu edhe nënkampion kombëtar.

Përveç aktiviteteve Kombëtare në të cilat ai ka marrë pjesë dhe është vlerësuar shumë herë, ka qenë pjesë e përfaqësueses kombëtare edhe në arenen ndërkombëtare.

Në vitin 1952 së bashku me kolegë të tjerë si Telat Agolli, Bardhyl Jareci etj ata themelojnë të parin “Cirk Kombëtar” dhe do të ishin ata që do të përgatisnin brezat e ardhshëm në shumë disiplina.

Edhe gjatë viteve që punoi në këtë isntitucion ai u vlerësua shumë për performancat e tij në ecjen me biçikletë në tel. Bajram Kurti gjatë karrjerës së tij sportive dhe artistike është vlerësuar me shumë çmime për arritjet e tij. Më i rëndësishmi është  “Nderi i mundjes shqiptare”. /ata/ KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës: Zyrtarët policorë janë duke shkaktuar problemë pranë lokaleve të gastronomisë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar për problemet e shkaktuara nga Policia e Kosovës, pranë lokaleve të gastronomisë, shkruan KultPlus.

“Kjo ka të bëjë me sjelljet e tyre që janë të pahijshme dhe drejtohen ndaj klientëve dhe stafit në hapësirat e lokaleve”, thuhet në reagim.

Veprimet e tilla të Policisë, Shoqata i ka vlerësuar si shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“SHGK, i’u bën thirrje zyrtarëve policorë dhe inspektorateve përgjegjëse që të zbatojnë në përpikmëri Vendimet e Qeverisë për kontrollin e pandemisë”, thekson Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Tutje, ata bëjnë thirrje për raportim të çdo rasti që është në kundërshtim me ligjin. / KultPlus.com

GShP reagon për policin që e rrahu 18 vjeçarin: Abuzues si në kohën e regjimit serb (VIDEO)

Organizata Jo-Qeveritare Global Shapers Prishtina ka reaguar ndaj rrahjes së një 18 vjeçari nga polici me uniformë, videoja e së cilës është shpërndarë nëpër rrjete sociale.

Kjo organizatë e ka quajtur veprimin e policit tejet skandaloze, e në anën tjetër ata e vlerësojnë se kjo është “fytyra e vërtetë e nepotizmit dhe korrupsionit që e ka kapluar këtë institucion”.

Në deklaratën e tyre përmendet që rinia kosovare ka shumë mungesa, teksa këto shkaktojnë lehtësim për përfundimin e tyre në polici.

“Në shumë Komuna nuk ka qendra rinore, kinema, teatro, që nënkupton jeta kulturore e sportive është skajshmërisht e varfër. Në anën tjetër, mundësitë e edukimit janë shumë të varfëra, në një sistem që nuk e promovon talentin, por e shtyp atë. Nuk ka programe edukative, nuk ka mundësi për aktivitete rekreative, e aq më pak bursa që zhvillojnë talentin e rinisë”, thuhet tutje në reagim.

Global Shapers Kosova kanë përmendur edhe papunësinë prej 51%, shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe mungesën e inspektorëve për hulumtim të rasteve të shkeljeve, teksa kanë vlerësuar se jeta e të rinjve në Kosovë në këto rrethana është e pasigurtë.

“Në këtë kaos, Inspektorati Policor i Kosovës lejon që zyrtarët abuzues të qëndrojnë në polici për më tepër se 2 vite duke rrafur qytetarët e Kosovës si në kohën e regjimit serb. Kjo është e dhimbshme, e patolerueshme dhe e rrezikshme”, deklarojnë Global Shapers Kosova.

Tutje, ata kërkojnë largimin e policit në fjalë nga puna, fillimin e reformimit në procesin e rekrutimit të Policisë së Kosovë.

Global Shapers Kosova së shpejti do të organizojnë edhe një aktivitet lidhur me këtë situatë. / KultPlus.com

Fotografi e realizuar nga Anesa R Metlillo