Drejtësi për gratë e vrara: Organizohet protestë para Gjykatës Themelore në Prizren

Me 3 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vite burgim Ilir Haxhiajn i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. I dënuari, sipas Gjykatës është dënuar për “lëndim të rëndë trupor” i cili çoi në vdekjen e viktimës.

Për këtë rast kanë reaguar aktivistet/ët, gratë e burrat e këtij vendi, duke u shprehur se ky gjykim është i gabuar dhe si të tillë e kundërshtojnë.

“Ilir Haxhiaj e ka vrarë viktimën dhe ky rast është edhe një rast tjetër i femicidit. Ndërsa trajtimi i tillë i vrasjes së grave nga institucionet përveç që i frikshëm, është duke iu dhënë zemër kriminelëve edhe më shumë!”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ky vendim i Gjykatës është duke e theksuar edhe një herë qasjen e padrejtë të shtetit ndaj femicidit.

“Përderisa shteti vazhdon të mbajë anën e të fortëve, në duhet të vazhdojmë kundërshtimin tonë dhe t’i kundërvihemi kësaj qasjeje patriarkale dhe paternaliste. Vrasja e grave nga burrat duhet të dënohet më fuqishëm nga institucionet e drejtësisë dhe shteti duhet të merret më seriozisht me jetën e grave.”

Andaj, të revoltuar/a nga ky vendim dhe nga paternalizmi i vazhdueshëm i shtetit, ‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’ kanë organizuar protestë.

Protesta do të mbahet para Gjykatës Themelore të Prizrenit, të hënën, (08 Shkurt) në ora 12:00. / KultPlus.com

“Tubimet vdekjeprurëse: U premtohet sundim i ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët”

Nga Rrahman Paçarizi

Kam frikë se në mbrëmjen e 14 shkurtit festa do të na zihet në grykë dhe bashkë me krizën eventuale institucionale do ta përjetojmë një krizë më të rëndë – krizën shëndetësore në përmasa apokaliptike për një vend kaq të vogël, kaq të varfër e kaq të lodhur nga gjithçka.

Liderët politikë i kemi pa në ditën e tyre të parë e të dytë të fushatës në mesin e turmave pafund të njerëzve. I kemi pa në fushata ku premtohet jetë më e mirë, u premtohet sundim i ligjit. Dhe, jeta më e mirë u premtohet në ambiente ku ata mund të infektohen me virusin vdekjeprurës, potencialisht duke mos arritë me e pritë përmbushjen e premtimeve për jetë më të mirë. U premtohet sundim I ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët. Në Kosovë ende janë në fuqi masat me të cilat ndalohet mbledhja e grupeve të mëdha të njerëzve, qytetarët obligohen të bartin maska dhe ta ruajnë distancën, si dhe ka kufizim të lëvizjes në orar të caktuar e nuk lejohen dasmat e ahengjet në ambiente të mbyllura dhe më pjesëmarrje të madhe të njerëzve. Qysh me besu se i kanë seriozisht frazat për sundimin e ligjit, pra?!

Në fund të fundit, me çfarë të drejte e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve? Mund të thonë se ata dalin vullnetarisht. Mos bëni hajgare!

Pse pati nevojë me dalë Ambasada Britanike me na këshillu që të mos e rrezikojmë shëndetin e qytetarëve? Pse ankoheshin a thua kur menjëherë pas luftës organizata të ndryshme na mësonin se misri, gruri e hardhia u mbjellkan në tokë dhe që lopa paska katër këmbë. A s’i paskemi meritu edhe një herë këto njësi mësimore? Shumë madje, madje edhe shpesh.

Partitë politike prandaj, duhet t’i ndërpresin menjëherë tubimet vdekjeprurëse dhe t’u premtojnë qytetarëve më shumë shtretër, personel shëndetësor e terapi anticovid pas 14 shkurtit e ndoshta edhe më herët.

Ju që i doni aq shumë qytetarët-votues, duajini pakëz më pak e mos i vritni me tejdoza dashurie – mësohuni me deshtë me masë e jo deri në vdekje! Mos synoni me udhëheqë një shtet me qytetarë shëndetrrënuar.

Nëse duket që e kam me Vetëvendosjen, e keni gabim – e kam me të gjithë papërjashtim. Partitë e tjera nuk janë më të përgjegjshme se VV, por nuk po arrijnë të mbledhin aq njerëz. Sa për rahmet nuk e kishin lanë keq. / KultPlus.com

“Fati ynë shpresë e marrëzi”, një nga perlat e Aurela Gaçes (VIDEO)

Nostalgjia për këngët e viteve 90-ta na bënë që shpesh të ju rikthehemi dhe t’i dëgjojmë ato perla që pavarësisht viteve vazhdojmë t’i dashurojmë, shkruan KultPlus.

Kënga “Fati ynë shpresë e marrëzi” e kënduar nga Aurela Gaçe është një ndër këngët që ka arritur t’i rezistojë kohës.

Kjo këngë ka një fuqi brenda vetes e cila duket sikur nuk do të shuhet kurrë.

Kënga u këndua në vitin 1997 në Festivalin e RTSH-së duke e zënë vendin e dytë.

KultPlus e sjell sot këngën në dy versione. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kje0k8Ov5DU

20 vjeçari me nevoja të veçanta u diskriminua në konkursin e QKUK, qytetarët mobilizohen për t’i gjetur një vend pune

Personat me nevoja të veçanta, në vazhdimësi përveç kufizimeve të ndryshme që kanë në jetën e tyre të përditshme për të kryer punët dhe nevojat e tyre, ata kanë vështirësi dhe diskriminohet në çdo sferë të jetës.

Një rast i tillë është edhe ky i të riut 20 vjeçar Vigan Gashi, i cili është shurdhmemec dhe ka konkurruar për pozitën punëtor krahu në QKUK.

Vigani që ka të kryer shkollën e mesme teknike, siç thotë babai i tij nuk ishte lajmëruar fare nga QKUK-ja për ditën e testimit dhe se ai rastësisht kishte shkuar në QKUK ku dhe ka kuptuar se kur do të jetë testi me shkrim.

Mirëpo situata shkon e bëhet më dramatike kur ai përveç që nuk lejohet të asistohet nga prindi i tij gjatë testimit për shkak të kufizimeve në komunikim, ai nuk është bërë pjesë as në listën e pjesëmarrësve në testim, as që është pranuar apo refuzuar e as në listën rezervë.

E për rastin e tij që sigurisht nuk është i vetmi ku i bëhet keqtrajtim kësaj kategorie, në  grupit Network Prishtina është marrë nisma që t’i ndihmohet Viganit, që edhe ai të ketë një punë.

Menjëherë kanë filluar reagimet e qytetarëve të cilët përveç se të mllefosur me keqtrajtimin që iu bëhet kësaj kategorie, kanë shprehur solidaritetin për të ndihmuar këtë të ri./ Indeksonline/ KultPlus.com

Vdes ikona e modës dhe e paqes Ruth Dayan

Ruth Dayan, bashkëshortja e parë e Moshe Dayanit, ikona e së majtës izraelite, kampione e paqes dhe një nga themelueset e modës në vend me markën e saj ”Maskit”, vdiq sot në moshën 103-vjeçare në Tel Aviv.

“Një grua që u bë një legjendë izraelite e kohës së saj”, deklaroi presidenti izraelit Reuven Rivlin.

“Historia e jetës së saj përmban realizimin e ëndrrës izraelite”, theksoi ai.

Ruth Dayan u lind më 6 mars 1917 në Haifa./ atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet “Mjeshtri i Madh”, kompozitori i njohur Ferdinand Deda

Përkujtohet sot ditëlindja e artistit Ferdinand Deda. Ai lindi në qytetin e vogël të Peqinit më 5 shkurt të vitit 1941. Studioi pranë liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe i përfundoi ato më 1959.

Menjëherë pas përfundimit të liceut u emërua mësues muzike në qytetin e Gjirokastrës. Pak kohë më pas, Deda filloi Konservatorin Nacional të Pragës në ish-Çekosllovaki, sot Çeki, por për shkak të prishjes së marrëdhënieve më ish-Bashkimin Sovjetik, ai vazhdoi studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura” në degën e dirigjimit.

Në vitin 1991-1992 ai specializohet për dirigjim dhe kompozicion në Itali.

Që nga viti i diplomimit dhe derisa u tërhoq nga skena, artisti realizoi mbi 300 koncerte të rëndësishme, ku jo vetëm si dirigjent, por punoi dhe krijoi gjithashtu edhe si kompozitor.

Ferdinand Deda ka dirigjuar koncerte të rëndësishme në skenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare ku shpesh herë është vlerësuar shumë me çmime të rëndësishme dhe medalje të festivaleve dhe performancave në aktivitete të ndryshme.

Ai gjithashtu njihej për publikun shqiptar edhe si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të “Festivalit të Këngës në RTSH”, festivalin e këngëve të stinës “Kur vjen Pranvera” dhe këngët e tij vazhdojnë të këndohen edhe sot jo vetëm nga këngëtarët por edhe nga artëdashësit e muzikës.

Madje ai është edhe themelues i “Festivalit të Pranverës”, në RTSH.

Deda gjithashtu ka dhënë kontributin e tij të madh edhe në kinematografinë shqiptare si kompozitor i shumë filmave. Më vitin 1997 u shpall fitues i “Diskut të Artë”, ndërsa ka mbajtur titujt si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Artisti Ferdinand Deda u nda nga jeta më 22 gusht të vitit 2003 nga një sëmundje e pashërueshme. /atsh/ KultPlus.com

Nanë kush ta vrau djalin

Poezi nga Çun Lajçi

Po vinë krushqit buzës malit
Rexha i fjetun n’grazhd
duvakshkyemen tue ia çua të shpia
allçi kambëthyemi bishtkëputuni qorr

Nusja s’hyn n’kullë dhandrri s’hyn n’qiler
krushqit i han mali

Për grazhdin e kalit t’paskom rritë
Rexhë lum nana
thot lokja qefinin tue ia veshë

Nusja heq duvakun ven futën merr vajin
krushqit pa pajë m’prunë buzës malit
me allçin jelëkëputun oj-oj
nanë
kush ta vrau djalin. /KultPlus.com

Sot, 90 vjet nga vdekja e atdhetarit të shquar Mihal Grameno

Sot, përkujtojmë 90-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar Mihal Grameno (13 Janar 1871- 05 Shkurt 1931).

Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike. Mihal Grameno lindi në Janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”.

Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.

Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931. / KultPlus.com

Rita Ora krenare me suksesin e filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit, e ndanë lajmin me fansat e saj (FOTO)

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka gëzuar të gjithë dhe reagimet kanë qenë të shumta. Por mbrëmë, përmes Instagramit ka reaguar edhe ylli botëror Rita Ora.

Ajo ka ndarë në story lajmin duke shkruar: Yess!! Në këtë formë Rita ka shprehur krenarinë e saj për këtë arritje të filmit kosovar.

Kjo padyshim që e ka bërë tejet të lumtur regjisoren Basholli e cila e ka falënderuar Ritën për përkrahjen.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Filmi pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festivale nga ku nuk do t’i mungojnë sukseset. / KultPlus.com

Peshkatari i varfër zbulon margaritarin me vlerë 300 mijë euro

Një peshkatar i varfër ka zbuluar një margaritar të rrallë në një plazh në Tajlandë, i cili do t’i ndryshojë jetën.

Hatchai Niyomdecha, 37 vjeç, kishte dalë së bashku me familjen e tij në bregdet në provincën Nakhon Si Thammarat, shkruan Dail Mail, transmeton Indeksonline.

Ai gjeti një guaskë dhe brenda saj zbuloi një perlë të rrallë Melo, e cila vlerësohet me shumën e 300 mijë eurove.

Perla Melo formohet nga kërmijtë e detit të njohur si Melo Melo dhe depozitohet brenda guaskave të tyre.

Historia e Hatchai Niyomdecha bëhet edhe më interesante, pasi ai ka treguar se disa ditë para zbulimit kishte parë një ëndërr të çuditshme. Ëndrra e tij kishte të bëjë “me një plak, me mustaqe të gjata, i veshur me të bardha, e atij i kishte thënë të shkoj në plazh për të marrë një dhuratë”, pretendon 37-vjeçari.

“Ai më udhëhoqi të bëja këtë zbulim”, rrëfen peshkatari.

Pasi lajmi u përhap, një biznesmen vendas i ofroi 37-vjeçarit rreth 30 mijë euro për perlën, por ai e refuzoi, ndërsa një tjetër e çoi ofertën deri në 150 mijë euro, por sërish u refuzua.

Daily Mail shkruan se, tashmë një tjetër biznesmen, por nga Kina ka ofruar 300 mijë euro dhe është duke negociuar me peshkatarin për ta bërë të tijën perlën e çmuar./DailiMail/ KultPlus.com

Simptomat e kancerit po anashkalohen nga frika prej COVID-19

Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat e kancerit është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën veçse kritike

Ekziston shqetësim përherë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar se personat që përballen me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke i anashkaluar simptomat dhe po i shtyjnë kontrollet mjekësore për shkak të frikës se mund të shkaktojnë ngarkesë më të madhe për shërbimet shëndetësore të vendit.

Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar situatën tashmë kritike.

Për John dhe Pam Elliott, 2020-a ishte viti më i gjatë ndonjëherë, jo vetëm për shkak të COVID-19, por edhe për shkak të kancerit.

Ajo që Johni mendonte se ishte thartirë e stomakut dymbëdhjetë muaj më parë, ishte në fakt një tumor në ezofagun e tij. Pas gjashtë trajtimeve me kimioterapi dhe një operimi, Johni ia doli ta çrrënjoste tërësisht kancerin.

“Po përjetoja reagime në lukth dhe thartirë, ngase përherë kam qenë një prej atyre personave që pëlqejnë ta hanë shpejt ushqimin”, ka thënë Johni.

Kërkimi i hershëm i ndihmës mjekësore ia shpëtoi jetën, por kjo nuk është gjëja që të gjithë e bëjnë.

Besohet se vetëm 12 për qind e personave me kancer në ezofag mund të shërohen. Diagnostikimi i hershëm është çelësi, por gjatë pandemisë përherë e më pak njerëz me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke kërkuar ndihmë mjekësore.

“Mendoj se kanë shqetësime, e dini, se e ngarkojnë shërbimin shëndetësor”, ka thënë Anna Jewell, udhëheqëse e organizatës së bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”. “Mendoj se njerëzit janë edhe të shqetësuar se mos preken nga COVID-19 nëse shkojnë në spital. Janë shumë të shqetësuar, mendoj, nga përhapja e virusit, nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit”.

Spitalet në Britaninë e Madhe vazhdojnë të përballen me vështirësi në luftimin e COVID-19, teksa shërimi i pacientëve të sëmurë varet ekskluzivisht nga ofrimi i njohurive më të provuara në shkencën e mjekësisë.

Por, pavarësisht rrethanave të vjetra dhe të reja, këshilla kryesore mjekësore për rastet e kancerit vazhdon të jetë: “Mos i anashkaloni simptomat dhe shkoni për t’u vizituar te mjeku”.

“Mos e shtyni”, ka thënë Johni.

Është ky një paralajmërim prej një personi që e kupton mirë urgjencën. /Koha/ KultPlus.com

Sepse të dua

Poezi nga Hermann Hesse:

Sepse të dua, i egërsuar,
Po vi tek ti në këto nete.
Me që ti kurrë s’më ke harruar
Dhe shpirtin tënd mora me vete.

Me mua ësht’ e më përket përfare.
Të mira, të liga, këtu do t’i shkojë.
Prej dashuris’ sime përvëlimtare
S’ka engjëll që mund të të çlirojë / KultPlus.com

‘Nëse emrin tënd çdo natë e thërras e për ty flas, s’do të thotë se ty të du’ (VIDEO)

Këngët e grupit të themeluar në vitin 1991, “Marigona” ende vazhdojnë të dëgjohen, duke ndjellur një nostalgji në kohanikët e këtyre melodive, shkruan KultPlus.

“Marigona” si një grup që i ka kënduar kryeneçësisë së dashuriçkave, ndarjes, mallit dhe ndjenjave të thella për tjetrin, ka hyrë në historinë e muzikës shqiptare.

Një këngë tejet e famshme e grupit është “Sonte”.

Si një elegji kënduar dhimbjes nga ndarje, kjo këngë mbetet një kujtim i hidhur për shumëkë.

KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e këngës “Sonte” nga Marigona:

Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes
Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes
Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet
Puthja jote nesër kend e pret e kend me vonë e vret

Ref:
Nëse emrin tend çdo nate e therras e per ty flas
S’do t’thot se ty te du
Nëse netët pa ty vijn e shkojnë, do t’mundem une pa ty
Kur ti mundesh pa mu.

Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du ti harroj
Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veq ëndërroj
Se fshehtësi ishe per mu, këtë une tash e di
Do t’provoj pa ty me jetu, do t’lutem ne vetmi .

Ref:
Nëse emrin tend çdo nate e therras e per ty flas
S’do t’thot se ty te du
Nëse netët pa ty vijn e shkojnë, do t’mundem une pa ty
Kur ti mundesh pa mu. / KultPlus.com

Dua Lipa sjellë versionin e ri të albumit ‘Future Nostalgia’

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa ka bërë të ditur që do të sjell një version të ri të albumit të saj të fundit, shkruan KultPlus.

“Future Nostalgia” u bë albumi i cili u publikua në mars të 2020-ës, atëherë kur bota ishte në karantinim total. Çdo këngë e saj u vlerësua tejet shumë, duke arritur të jetë në krye të toplistave në platforma të njohura muzikore.

Në anën tjetër, Lipa ka sjellur një lajm të mirë për dëgjuesit e këtij albumi.

Ajo do të sjell versionin ‘The moonlight edition’ më 12 shkurt.

“Future Nostalgia” është një gërshetim mes zhanreve pop, disco, electro dhe dance-pop. / KultPlus.com

Nuk i hiqet licensa restorantit ku Ora festoi datëlindjen

Restoranti në të cilën Rita Ora kishte festuar datëlindjen e 30-të nuk e humbi lincensën, transmeton KultPlus.

Kjo pasi, restoranti në fjalë, “Casa Cruz” pranoi se bënë shkelje të masave anti-Covid.

Ekipi i yllit të pop-it i ofroi menaxherit të restorantit në Notting Hill, 5,000 funta për të lejuar mysafirët të marrin pjesë në një aheng më 28 nëntor, gjatë bllokimit të dytë të virusit, tha policia.

Në anën tjetër, drejtori i restorantit, Nic Fallows është shprehur se mezi presin t’i shërbejnë klientëve kur të lejohet rihapja.

Rita Ora më parë ka kërkuar falje për festën. 30-vjeçarja  udhëtoi për në Egjipt për një shfaqje private më 21 nëntor. Kur u kthye të nesërmen, ajo duhej të ishte izoluar për dy javë.

Në vend të kësaj, ajo organizoi një festë ditëlindjeje në Londër, e cila shkel rregullat e bllokimit që parandaluan familjet të përziheshin brenda.

Në anën tjetër, kjo festë i kushtoi Orës me ‘penalizim’ nga ndjekësit dhe artdashësit e saj, nga të cilët mori kritika të shumta

Casa Cruz do të mbajë licencën e saj derisa vendi të ketë pasur një shans për të apeluar vendimin e komitetit. /KultPlus.com

Zoti shëron

Poezi nga Arbër Selmani:

Zoti shëron
Zoti e ka krejt forcën, krejt djersën
Krejt plagët e botës i ka të shtypura në miliona libra
Ai i lexon, i shëron.

Zoti fle me Bibël e Kuran poshtë shtratit,
I njëjti është
Si Zoti i të pasurit a i të ngratit.

Zoti e ka penën më maestrale në botë
Zoti pret, por ai din me shëru.

Zoti i ka krejt ëndrrat tona në sirtare
Zoti pret, gëlltitë kafen e mëngjesit dhe shfleton librin e fundjavës
Shijon natyrën, kafshët, drunjtë,
Zoti na ka në palmën e dorës
Polin e Jugut, Polin e Veriut, fatin e njeriut
Zoti shëron, Zoti din me shëru.
Zoti sjellë ilaçin aty ku koka është plagu.

I ka edhe ai lutjet e veta, jetët tona të shkreta
Pret, mahnitet me recitime, me bukuritë, me dashuritë.

Ai i madh, ne të vegjël
Zoti është Dielli, ne tjerët veç marrim dritë.

Zoti shëron,
Sheh këmbët që nuk lëvizin, sheh gojën që frikësohet të flasë
Sheh degët e thara të lisit
Sheh vesën e butë të mëngjesit
Sheh motrat që e lëngojnë vëllaun e vdekur
Sheh sëmundjet, gjakun e çpuar, aortën e lënduar
Sheh spitalet, sheh dhomat e shtëpive të shndërruara në spitale
Sheh sytë e vajzës që nuk sheh
Sheh bukën që përmbyset, sheh shiun e krejt hyjnive
Sheh malet mbi ne, drenushat e mbytura përdhe
Ne bëjmë gjumin, fundosemi në krim, por unë besoj që ai nuk fle.

Zoti sheh se i ka të pafundme imazhet e vizionet
Zoti shëron, ky Zot i madh i shtatë botëve
Din me shëru
Pret, vonon, hekurosë këmishën më të hijshme
Zoti para pasqyres, burrë me syçka të përndritshme
E kërkon edhe ai pak kohë për vuajtjet e tij.

Zoti i sheh të vajtuarit, të lënduarit,
Zoti sheh, nuk rënkon
I disave, Zoti i tyre, mallkon
Zoti im pret, por shëron.
Këtu mes neve ai banon. / KultPlus.com

‘Nëse një libër ju mërzit, lëreni, mos e lexoni nga që është i famshëm, modern, apo nga që është i vjetër’

Jorge Luis Borges

Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë.

Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm.

Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar. / KultPlus.com

Rita Ora do të shënojë rikthimin në muzikë me këngë të reja

Rita Ora është duke iu rikthyer skenës muzikore për t’i gëzuar artdashësit e saj, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me emra të njohur të skenës artistike, David Guetta, Gunna, Kthea dhe Imanbek, Ora do të sjell 4 projekte muzikore.

4 këngët e reja të Orës do të jenë një përzierje të kulturës moderne të muzikës pop, viteve 80-ta dhe 90-ta.

Lajmin për këngët të cilat do të lansohen më 12 shkurt, e bëri me dije Rita Ora nëpërmjet rrjeteve sociale. / KultPlus.com

‘Në kërkim të Venerës’ nesër shfaqet premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Roterdam

Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, do ta ketë premierën botërore nesër në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), shkruan KultPlus.

‘Në kërkim të Venerës’ do të jetë filmi i parë kosovar që merr pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë.

Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë.

Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi.

“Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

NASA planifikon të dërgojë astronautë në Mars në vitin 2030

NASA po planifikon të dërgojë astronautët në Mars në vitin 2030. Planeti i kuq i cili ndodhet rreth 140 milionë milje larg Tokës është më i ftohtë se Antarktika dhe ka shumë pak oksigjen.

Sa më shumë kohë që u duhet astronautëve për të shkuar dhe sa më shumë që qëndrojnë atje, aq më shumë janë të rrezikuar.

Kjo ka shtyrë shkencëtarët që të kërkojnë mënyra për reduktimin e kohës për të arritur në këtë planet, shkruan CNN.

Kompania teknologjike USNC-Tech ka propozuar një zgjidhje e që është një forcë shtytëse që do t’i dërgonte njerëzit nga Toka në Mars për vetëm tre muaj.

Aktualisht, koha e mbërritjes në Mars llogaritet të jetë shtatë muaj.

Michael Eades, drejtor i inxhinieringut në USNC-Tech ka thënë se raketat nukleare do të ishin më të fuqishme dhe dy herë me efikase se motorët kimikë që përdoren sot, duke nënkuptuar se astronautët do të udhëtonin më shpejtë dhe njëkohësisht do të shpenzohej më pak lëndë djegëse.

“Teknologjia nukleare do të zgjerojë mundësitë e njerëzve rreth orbitës së Tokës dhe në thellësi të hapësirës”, ka thënë Eades. /express/ KultPlus.com

Çifti i ri rruan flokët në dasmë për solidarizim me nënën e nuses e cila vuante nga kanceri

Një çift i ri në Zelandë të Re kishte planifikuar një suprizë për nënën e nuses duke dalë në mes të sallës ku po mbahej dasma e tyre dhe duke i prerë tërësisht flokët për t’u solidarizuar me luftën e saj kundër kancerit.

Luna Macapagal nga Aucklandi i Zelandës së Re ishte diagnostikuar me shkallën e katërt të kancerit ovarian në vitin 2018 duke kaluar deri tani nëpër operacione të shumta dhe kemioterapi, shkruan Daily Mail.

Vajza e Lunas, 20 vjeçarja Jony donte të befasonte nënën e saj duke rruar flokët për t’u bërë njëjtë si nëna e saj.

Këtë veprim ajo deshi që ta bënte pikërisht në ditën e saj më të rëndësishme dhe idesë së saj iu bashkua edhe bashkëshorti i saj, Alistair po ashtu 20 vjeçar.

Çifti ka mahnitur gjithë të pranishmit në sallë në momentin kur kanë dalë në mes të sallës dhe e kanë kryer këtë veprim. /Koha/ KultPlus.com

Sia i kërkon falje komunitetit autik për klipin e saj kontravers

Këngëtarja australiane Sia ka kërkuar falje për rolin e një vajze autike në klipin e këngës së saj të re.

Sia po ashtu ka kërkuar falje për skenën e përshkrimit të kufizimeve tek njerëzit autik shkruan BBC.

Pamjet e videoklipit të saj kanë shkaktuar debate kontroverse të mërkurën pasi kënga ishte nominuar për dy çmime në “Golden Globes”.

Kënga është kritikuar për luajtjen e valltares Maddie Ziegler në një rol akustik dhe po ashtu për skenat e kufizimeve të këtyre njerëzve.

Sipas Sias, ishte paraparë që në fillim të klipit të këngës do të vendosej një paralajmërim për këtë gjë.

Ajo po ashtu ka thënë se do të largohen të gjitha skenat e tilla nga klipi.

“Kam vendosur të largoj të gjitha pamjet e tilla. Kam dëgjuar njerëzit e gabuar dhe kjo është përgjegjësi e imja”, ka shkruar ajo në Twitter pak para se të fshinte llogarinë e saj e cila kishte rreth 6 milion ndjekës. /Koha/ KultPlus.com

Kur Musine Kokalari doktoronte në vitin 1941, KultPlus ua sjell diplomën origjinale të saj (FOTO)

Një emër i spikatur i letërsisë shqiptare dhe që përfaqësonte gruan e pavarur dhe inteligjente ishte Musine Kokalari, shkruan KultPlus.

E lindur në Turqi, Musineja rikthehet me familje në Gjirokastër ku e vazhdon shkollimin deri për studimet akademike.

Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.

Në librin “Si lindi partia social demokrate”, Musineja kishte përshkruar pasionin e saj përgjatë përgatitjes së disteracionit të temës, duke e çmuar lartë kontributin e Naim Frashërit në letërsinë shqiptare.

“…Une u laurova më Nëntor 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe që përfaqesohej nga arbëreshi Zef Skiroi

 dhe Namik Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime te vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin per ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, te barazise, te demokracisë.
…Une e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithshka qe rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur ne botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformimin e parlamentarizmin që na ushqeu Sami Frasheri që në bankat e shkollës…”, kishte shkruar Kokalari.

KultPlus ua sjell pamjen origjinale të diplomës së doktoraturës së Musine Kokalarit.



Kalaja historike e Krujës merr pamje magjepsëse pas ndriçimit (FOTO)

Vazhdës së monumenteve të trashëgimisë kulturore të ndriçuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë iu është shtuar edhe Kalaja e Krujës, shkruan KultPlus.

E njohur për historinë e saj me heroin legjendar, Gjergj Kastriotin, Kalaja ka marrë një pamje tjetër.

“Falë projektit të ndriçimit ajo tashmë ka rifituar madhështinë që i takon”, ka shkruar ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kruja është një ndër qytetet tjera që po përfshihen në procesin e ndriçimit të monumenteve. / KultPlus.com