Kuinteti i Tunxhit i Filharmonisë së Kosovës me dy koncerte në Shqipëri

Dy koncerte mjaft të veçanta dhe unike do të mbahen këtë fundjavë në Shqipëri nga Kuinteti i Tunxhit të Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy koncerteve që do të mbahen në Shkodër dhe Berat, Kuinteti i Tunxhit të Filharmonisë së Kosovës i përbërë nga Avni Krasniqi dhe Ardit Pira të cilët luajnë në trombë, Betim Krasniqi i cila luan në trombon, Bledar Bujupi në korno dhe Meriton Ferati në tubë do të performojnë një program të larmishëm të repertorit shqiptar, por dhe të huaj.

Koncerti i parë do të mbahet me datën 8 maj në orën 18:00 pranë Parkut të Bulevardit ‘Republika’ në Berat. Ndërkaq koncerti i dytë do të mbahet një ditë më pas pranë qendrës rinore ‘Arka’, në Shkodër me fillim nga ora 19:00.

Ky bashkëpunim është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Filharmonisë së Kosovës, Bashkisë së qytetit të Beratit dhe Qendrës Rinore Kulturore ‘Arka’ në Shkodër./ KultPlus.com

Azia magjepsëse në disa foto

Ka shumë bukuri në këtë botë dhe të gjithë kemi sy për ta parë. Por ndonjëherë, sytë e një fotografi të talentuar mund të na tregojnë kënde të reja interesante të mrekullive të botës.

Deri në fund të vitit 2021, besohet se rreth 1.4 trilionë fotografi do të bëhen në të gjithë botën. Me një numër kaq të madh fotografish të bëra në një vit të vetëm, papritmas, të gjitha llojet e rastësive dhe imazhe të çuditshme ka shumë të ngjarë të ndodhin, qofshin ato të bebeve të porsalindura të lezetshme, kafshëve shtëpiake dhe madje, si në këtë rast, të momenteve ose gjërave që nuk ka gjasa të shihen përsëri ose të gjenden diku tjetër.

Ndërkaq, fotografi japonez Ryosuke Kosuge tregon thjeshtësinë, simetrinë dhe elegancën magjepsëse të Azisë përmes lentes së tij./ KultPlus.com

1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.
11.
12.

Kurti: Dëshmorët janë mbartësit e historisë, ata na bashkojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më rastin e Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut ka thënë se dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni, shkruan KultPlus.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se 5 maji i bashkon lufëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët.

Postimi i plotë:

Dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni. Dhe nuk ka më drejt se t’i mendosh të prehen nën monumentin e Nënës Shqipëri.

Nëse historia jonë e përmban dëshminë e tyre, ajo na dëfton prej nga vijmë. Nëse historia shkruhet sipas frymës që themeloi çdo herë akti i tyre, atëherë ne do të dijmë sigurisht se kah shkojmë.

5 maji i bashkon luftëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët. Dëshmorët na bashkojnë. Detyrën ndaj tyre do ta kemi kryer nëse një pjesë e ëndrrës së tyre gjendet e realizuar gjatë jetëve dhe veprimeve tona./ KultPlus.com

Nxënës të shkollës shqipe në Toronto 42 vite më parë (FOTO)

Shqiptarët në Kanada janë vendosur që në fillim të shekullit të ’20-të. Ata janë përpjekur gjithmonë të ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre.

Në këtë foto të vitit 1979 janë nxënës të shkollës shqipe të Torontos. Foto është botuar në gazeta “Flamuri” të atij viti.

Shqiptarët e parë mërguan në Kanada në fillimin e shekulli 20, për shkak të kushteve jo të favorshme në vendet e tyre. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore shumë pak shqiptarë mërguan në Kanada, e shumica prej tyre ishin nga ish-Jugosllavia. Nurmi më i madh i shqiptarëve që mërguan u vendosën në Montreal ose Toronto, por gjithashtu disa punëtorë shqiptarë jetonin në Calgary dhe Ontario.

Pavarësisht këtij migrimi, në vitin 1986, numri i shqiptarëve të regjistruar ishte vetëm nën 1,500. Megjithatë, në vitin 1991, këto shifra pothuajse u dyfishuan. Numri i shqiptarëve në Kanada arriti kulmin në fund të viteve 1990, pasi ata i ikën krizës ekonomike dhe politike në Shqipëri dhe Jugosllavi./ KultPlus.com

Shqiptarët pjesë e spektaklit në zbulim të talenteve nga e gjithë bota

“Gold Talent London” është një projekt me qendër në Londër që synon të zbulojë sa më shumë talentë shqiptarë kudo që ndodhen në botë.

WAPA (World Association of Performing Arts) merren me organizimin e eventeve që kanë si synim të zbulojnë dhe të promovojnë talente të rinj në fushën e artit. Presidenti i WAPA në Armeni ka zgjedhur të bashkëpunojë me disa shqiptarë në Londër për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunimeve në zbulimin e talenteve.

Pjesë e kësaj nisme për zbulimin e talenteve do të jenë shumë të rinj shqiptarë nga të gjitha trevat. Gjithashtu pjesë e jurisë janë përzgjedhur shqiptarët Juliana Shalla, Alma Strazimiri dhe Gëzim Shkreli, të cilët prej vitesh merren me promovimin e talenteve shqiptarë në Britani dhe jo vetëm.

Juliana Shalla së bashku me organizatorë të tjerë po punojnë për vënien në skenë të konkursit “Albania Future Stars”. “Duke shpresuar që pandemia nuk do të jetë pengesë këtë vit po punojmë shumë për realizimin e këtij projekti”, shprehet Shalla./ KultPlus.com

180870352_886148988616186_6971183870338538817_n
180970570_886147858616299_7088758101940783211_n
181357031_886149228616162_5944763098891751281_n

Lista e 11 deputetëve që u pezulluan nga puna në Universitetin e Prishtinës


11 profesorët e Universitetit të Prishtinës duhet që t’i lirojnë pozitat pasi që janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pas vendimit të UP-së që profesorët e zgjedhur deputetë do të pezullohen nga puna.

Këta profesor janë deputet që vijnë nga të gjitha partitë parlamentare dhe që punojnë në fakultete të ndryshme.

Më poshtë gjeni listën e plotë:

Prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik);

Prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik);

Prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik);

Ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik);

Prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik);

Prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik);

Prof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik);

Ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti I Arkitekturës);

Prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike);

Prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe

Prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë)./ KultPlus.com

Vera e ruajtur në hapësirë mund të shitet për 1 milion dollarë

Një shishe vere “Bordeaux” që ka qëndruar për 14 muaj në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar është nxjerrë në shitje, për një shumë që mund të arrijë deri në 1 milion dollarë.

Vera “Château Pétrus 2000” ishte pjesë e një eksperimenti për të parë sesi ndikojnë kushtet në hapësirë te vera.

Kompania e ankandeve “Christie” tha në deklaratë se me paratë e siguruara nga shitja do të financojë misione të tjera hapësinore. Tim Triptree, drejtori ndërkombëtar për pijet alkoolike i “Christie”, tha për CNN se shuma që firma pret të arkëtojë shkon te rreth 1 milion dollarë.

Kutia e shishes është realizuar me dru nga firma “Les Ateliers Victor” dhe brenda saj ka gota dhe një hapëse vere të bërë nga një copë meteoriti. Gjithashtu në kuti gjendet edhe një shishe identike, por që ka qëndruar në Tokë, në mënyrë që blerësi të bëjë dallimin.

Në total, në hapësirë janë dërguar 12 shishe, por Triptree tha se vetëm njëra do të shitet. Tetë të tjera do të mbahen për kërkime të mëtejshme, ndërsa 3 janë hapur tashmë dhe janë pirë./a2/KultPlus.com

Kosova gjithë: Botë e kauzave

Nga Ibrahim Berisha

Një nga temat për të cilat jo rrallë dikutohet në shoqërinë tonë, a është liria ajo që duhet të jetë. A është ajo që është imagjinuar dhe kënduar pa u ndalur, për të cilën është sakrifikuar dhe investuar aq shumë. Së paku, të jetë e mirë e përgjithshme publike sikur ajri, apo shpresë, se një ditë e mirë publike do të jetë edhe uji që shpërthen me burime nga toka apo bie falë prej qielli.

Puna publike, edhe kjo politike, është edhe një mision për t’i shërbyer lirisë. Madje një nga detyrat kryesore. Prandaj, liria ka kuptimin e përgjegjësisë, edhe shumica e njerëzve frikësohen nga ajo, mendonte G.B.Shou. Ata që frikësohen më pak dhe që i hyjnë kësaj rruge, është e kuptueshme, me lehtë dhe më shpesh, janë edhe më të papërgjegjshmit e një shoqërie.

Misioni që marrin më të guximshmit, tregon edhe rasti i Kosovës në këto vite, jo gjithmonë është kreativ e konstruktiv.

Misioni personal që praktikohet aq shumë në Kosovë ndryshon agjendën publike, shndërrohet në amulli sociale dhe ikën në përmasën e iracionalitetit politik. Nuk është e çuditshme, pse ata pa u trembur, edhe kur kanë aq shumë thirrje për të reflektuar, ecin symbyllur në rrugën e humbur, të njohur nga publiku si pushtet personash dhe jo institucioni.

Kjo është ajo liria e azdisjes së pakufishme për pak njerëz.

Kur puna vjen ngusht, apo kërkohet mobilizimi oportun, misioni i komodëve e shmang kontrollin qytetar, prandaj shpiken kauzat e mëdha njëra pas tjetrës.

Në Kosovë mbijetohet politikisht vetëm me kauza.

Kosova është nëna e kauzave folk-romantike.

Ato janë azilet e arsyetimit të padiskutueshëm.

Se temat jetike të qytetarit janë të parandësishme për shtetin. Prandaj shteti duhet të identifikohet me personat e pushtetshëm dhe jo qytetarët.

Kauzat që i bartin këta persona të pushtetshëm të partive, me shumë shtet në misionin e tyre, i amnistojnë për të gjitha punët joligjore që i bëjnë, mbase ndonjëherë edhe pa e kuptuar edhe qëllimin e bërjes së tyre.

Kështu, të privilegjuarit, paraqiten dhe jetojnë si viktima sakrifikuese të papërsëritshëm. Shkurt e shqip: misionarë të përhershëm.

Një nga temat për të cilat jo rrallë dikutohet në shoqërinë tonë, a është liria ajo që duhet të jetë. A është ajo që është imagjinuar dhe kënduar pa u ndalur, për të cilën është sakrifikuar dhe investuar aq shumë. Së paku, të jetë e mirë e përgjithshme publike sikur ajri, apo shpresë, se një ditë e mirë publike do të jetë edhe uji që shpërthen me burime nga toka apo bie prej qielli.

Liria e mirë niset nga një kriter praktik: qytetarët janë të barbartë në detyrime dhe privilegje. Apo në privilegje dhe detyrime.

Kur mendohet ky kontekst domethënës i lirisë, pasi ka edhe të tjerë jo më pak të rëndësishëm, atëherë, kuptohet, bëhet fjalë për lirinë në kuptimin e plotë të saj. Ajo që duhet të jetë. E patransferueshme.

Në këtë kuptim, liria është e barbartë vetëm me lirinë dhe me asgjë tjetër.

Pjesa e vogël e lirisë nuk ekziston. Pjesa krijohet si një fiksion apo mashtrim që mbushë hapësirën publike me fraza dhe mesazhe stimuluese, propagandë

dhe tashmë edhe me fabrikimin e pandalshëm të lajmeve të rreme. Thjesht si manipulim dhe mashtrim.

Po mashtrimi dhe manipulimi janë të vështira për t’u larguar, veçmas në shoqëritë me fillime demokratike, aq më tepër, në shoqëritë e krizës, e cila krizë nuk pranohet reale në asnjë rast.

Prandaj kriza në arsim, shëndetësi, mjedis etj., nuk ekziston në Kosovë, sepse nuk pranohet. Thuhet me fjalë, por nuk punohet për ta ndryshuar.

S’ka çka të thuhet më shumë se sa përmasa drastike e anlfabetëve funksionalë.

Shmangia nga temat thelbësore ushqen përsëritjen e vuajtjeve.

Pse nuk pranohet kjo? I kthehemi edhe një herë pikërisht pozitës së identifueme të elitës si pjesë e procesit të ambalazhimit, mashtrimit. Kështu i quan edhe Gj. Sartori elitat falsifikatore, edhe intelektuale edhe politike.

Falsifikatorët e lirisë gjithmonë i bien borisë se ekziston qytetari i keq, i cili nuk i kupton elitat dhe kontributet e tyre të mira! Intelektualët thonë: Elitat janë më të avansuara se qytetarët, populli?

Ata mendojnë se jo elitat, por qytetarët, abuzojnë me lirinë.

Por, ana tjetër, shumica nuk është e detyruar të pranojë si të mirëqenë falsifikimin e pakicës.

Në fund të fundit: Liria e njeriut nuk ka të bëj më të drejtën se mund të bëj çkado që do, por të mos bëj atë që nuk do, shkruante Zh. Zh. Ruso. Të mos i imponohet vullneti rrënues i lirisë organike, pra./ KultPlus.com

Rifillojnë gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kizhevak

Kanë rifilluar sot në Kizhevak të Rashkës, Serbi, gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. 

Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë qëndruar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, Serbi, me rastin e rifillimit të gërmimeve.

Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë nga Kosova, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

Në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave.

Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht. Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve. 

Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit./ KultPlus.com

“Benedetta” në Festivalin e Kanës

Regjisori holandez, Paul Verhoeven do të jetë pjesë Festivalit të filmit të Kanës me “Benedetta” me francezen Virginie Efira, që do të dalë njëkohësisht më 9 korrik në kinema, njoftoi sot festivali.

Filmi ishte parashikuar për kompeticionin prestigjioz të vitit të kaluar, para krizës shëndetësore dhe pandemisë së COVID-19 që detyroi festivalin të anulonte edicionin e tij.

Regjisori i “Basic Instinct” (1992, me Sharon Stone) dhe “Elle” (2016, me Isabelle Huppert dhe… Virginie Efira) ka arritur disa herë majat, por nuk është vlerësuar asnjëherë me çmim.

Një kineast provokues, i cili shpesh ka trajtuar çështje të seksit dhe dhunës, këtë herë ai premton një zhytje në një kongregacion fetar të Italisë së shekullit XV, të goditur nga murtaja, përmes portretit të një murgeshë lezbike në një manastir nga Toskana, i cili që në moshë të re (…) është në gjendje të bëjë mrekulli “, sipas përmbledhjes.

Përveç Virginie Efira, kasta e kësaj drame historike “frymëzuar nga ngjarje të vërteta”, xhirimet e së cilës filluan në vitin 2018, bëjnë bashkë aktorët Charlotte Rampling dhe Lambert Wilson.

“Benedetta” i bashkohet filmit të parë tashmë të konfirmuar në kompeticionin zyrtar të festivalit që do të mbahet nga 6 deri më 17 korrik “Annette” e Leos Carax, me Marion Cotillard dhe Adam Driver, që do të bëjë gjithashtu dhe hapjen e festivalit./atsh/ KultPlus.com

Vetëm një herë në jetë do ta gjeni dikë që do t’jua ndryshojë botën krejtësisht

Teksti i mëposhtëm do t’jua ofrojë një pikëpamje të asaj se çfarë përjetojnë njerëzit kur bien në dashuri – ndjenjë e cila shpjegohet nga njëri prej artistëve më karizmatik të shekullit 20, Bob Marleyt.

“Unë besoj se vetëm një herë në jetë do ta gjeni dikë që do t’jua ndryshojë botën krejtësisht. Do t’i tregoni gjëra që asnjëherë nuk i keni ndarë me një shpirt tjetër, ndërkaq ai/ajo do të absorbojë çdo gjë që thoni dhe do të dëshirojë të dëgjojë më shumë. Do t’i ndani me të shpresat për të ardhmen, ëndrrat të cilat asnjëherë nuk do të bëhen realitet, qëllimet që nuk i keni arritur asnjëherë dhe shumë zhgënjime që jeta jua ka hedhur. Kur diçka e mrekullueshme t’ju ndodh, me padurim do të prisni t’i tregoni, duke e ditur se do ta ndajë emocionimin me ju. Nuk do të turpërohet të qajë me ju apo të qesh kur bëni gjeste si budalla. Asnjëherë nuk do t’i lëndojë ndjenjat e as nuk do t’ju bëjë të ndiheni se nuk jeni mjaftueshëm të mirë, por vetëm sa do t’ju ndihmojë të përmirësoheni dhe t’ju shfaqë gjërat për veten tuaj që ju bëjnë më të veçantë dhe më të bukur. Asnjëherë nuk do të keni presion, xhelozi apo garë, por vetëm qetësi. Me të mund të jeni vetvetja dhe të mos brengoseni se çfarë mendon. Gjërat që duken të parëndësishme për shumicën e njerëzve, si një mesazh, këngë apo shëtitje në park, për ju do të bëhen thesare që do t’i mbani të sigurta përgjithmonë në zemrën tuaj. Kujtimet e fëmijërisë do të rikthehen dhe do të jenë të qarta dhe gjalla sikurse të ishit fëmijë prapë. Ngjyrat duken më brilante dhe më të ndritshme. Buzëqeshja veçse iu është bërë pjesë e përditshmërisë. Një telefonatë apo dy gjatë ditës ju ndihmojnë ta kapërceni ditën e gjatë në punë dhe gjithmonë iu sjellin buzëqeshje në fytyrë. Me prezencën e personit, nuk do të keni nevojë për bisedë të vazhdueshme, por do ta gjeni veten të ngopur vetëm duke e pasur pranë. Gjërat që asnjëherë nuk iu kanë interesuar tani janë bërë të mahnitshme sepse e dini se janë të rëndësishme për personin me të cilin/cilën jeni. Për këtë person mendoni në çdo ngjarje dhe gjë që e bëni. Gjërat e thjeshta jua sjellin në mendje atë person, si qielli i kaltër, era e lehtë, etj. Ju e hapni zemrën duke e ditur se ka mundësi që do të thyhet një ditë dhe, në hapjen e zemrës, ju e përjetoni një dashuri dhe gëzim që nuk e keni menduar se është i mundur. E dini se vetëm duke vepruar kështu ju e lini zemrën ta ndjejë kënaqësinë e vërtetë që është aq e vërtetë sa ju frikëson. Ju gjeni forcë duke e ditur se e keni një shok/shoqe të ngushtë dhe me siguri një shpirt binjak që do t’ju qëndrojë besnik/e deri në fund. Jeta ju duket krejtësisht ndryshe. Shpresa dhe siguria e vetme tani janë duke e ditur se ai person është pjesë e jetës tuaj”./ KultPlus.com

Close up detail of Elderly Old couple holding hands together, Monochrome

Fillojnë gërmimet për arin nazist në pallatin e vjetër polak

Kërkuesit e thesareve nisën kërkimet në një pallat të vjetër të shekullit të 18-të në jug të Polonisë për të gjetur një thesar 10 tonësh prej ari që dyshohet se është groposur aty nga nazistët.

Kërkimet drejtohen nga fondacioni “Silesian Bridge” dhe ato janë përqendruar në një zonë të vogël të pallatit të vjetër në fshatin e Minkowskie.

Historianët besojnë se aty është groposur një sasi e madhe ari e vjedhur nga kreu i SS, Heinrich Himmler për ngritjen e Rajhut të Katërt.

Një grup ekspertësh është duke gërmuar me kujdesin më të madh, duke e trajtuar zonën si sit arkeologjik, për të zbuluar themelet e ndërtesës së vjetër.

Zona ku dyshohet se është fshehur thesari doli nga të dhënat dhe hartat e një oficeri të SS, të cilat iu dorëzuan kërkuesve nga një pasardhës i tij.

Mes dokumenteve, ndodhet dhe një letër që oficeri me emrin Von Stein ia ka dërguar njërës prej vajzave që punonte në pallat dhe që më pas u bë e dashura e tij.

Oficeri nazist i drejtohej vajzës me emrin Inge me këto fjalë:

“ ‘E dashura ime Inge, unë do t’i përmbush detyrat që më janë caktuar, me vullnetin e Zotit. Disa transporte ishin të suksesshme. 48 sëndukët e tjerë të Reichsbank jua besoj ju. Vetëm ju e dini se ku ndodhen ato. Zoti ju ndihmoftë dhe më ndihmoftë, ju lutem plotësoni detyrën time’./ KultPlus.com

Në bibliotekën në Bursa, mund të lexoni libra në shoqërinë e maceve

Dashuria për kafshët, veçanërisht macet, është e dukshme në të gjithë Republikën e Turqisë.

Macet ecin lirshëm në rrugë, dyqane, kafene, ka hotele për ta, dhe ata shpesh lejohen të hyjnë në shkolla.

Madje macet shpesh janë pjesë e disa institucioneve të nivelit më të ulët.

Bursa nuk bën përjashtim, ku ekziston një bibliotekë ku përdoruesit mund të lexojnë librat e tyre të preferuar në shoqërinë e maceve.

Ndërtesa është ndërtuar në shekullin e 16-të.

Për shkak se njerëzit gjithashtu kujdeseshin për macet atje, objekti u emërua pas këtyre kafshëve.

Sot, njerëzit mund të lexojnë libra atje, dhe shoqëria do t’i bëjë ata macet që lëvizin lirshëm.

Qendra për Përkujdesjen e Kafshëve të Braktisura të Komunës së Osmangazit është përgjegjëse për kujdesin ndaj kafshëve./ KultPlus.com

Vdes modeli dhe këngëtari Nick Kamen

Modeli dhe këngëtari Nick Kamen ka vdekur në moshën 59 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Ylli i lindur në Essex ishte i njohur për paraqitjen në një reklamë të Levi në vitin 1985 të filmuar në një lavanderi.

Karriera e tij muzikore arriti kulmin vitin e ardhshëm me pesë hitet kryesore Every Time You Break My Heart, bashkë-shkruar nga Madonna.

Shoku i tij Boy George që udhëhoqi homazhet këtë të Mërkurën, e ka përshkruar Kamen si “njeriun më të bukur dhe më të ëmbël”.

Kamen – emri i vërtetë i të cilit është Ivor Neville Kamen – u bë i famshëm nga reklama e xhinseve, e cila e tregoi atë të mbërrinte në një lavanderi dhe të zhvishej deri tek pantallonat e shkurtra të boksierit ndërsa disa gra shikonin.

Pas kësaj reklame e cila shoqërohej edhe me zërin e Kamen, bëri që të rritej numri i shitjeve të xhinseve, ndërkaq vetë Kamen të merrte vëmendjen e Madonës. Dhe prej këtu filloi rruga e tij e suksesit edhe në muzikë.

Kamen, i cili ka lindur në Harloë në 1962, kuptohet se ka vdekur të martën mbrëma pas një sëmundje të gjatë./ KultPlus.com

Nis Java e Terapisë së Artit me një sërë aktivitetesh atraktive nga 12 deri më 16 maj

Tryeza diskutimi, maratonë e filmave, bisedë e njëanshme me psikologë, performime poezish, natë rrëfimesh dhe koncerte muzikor, janë këto aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës së Terapisë të Artit, shkruan KultPlus.

Java e Terapisë do të fillojë me një tryezë diskutimi të titulluar ‘’Shëndeti fundaMental’’, ku do të shqyrtohen çështje rreth nevojës për art, posedimit të veprave artistike, rëndësisë së artit për mirëqenien psikologjike, ndikimit psikologjik në krijimin dhe interpretimin e artit, rëndësisë së shëndetit mendor, vlerësimit së artit në shoqërinë tonë dhe jo vetëm.

Pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare dhe Nesim Maxhuni, Artist. Ky event do të mbahet më 12 maj në Sallën e Kuqe në orën 18:00.

Në eventin e dytë të radhës do të zhvillohet një maratonë e filmave të titulluar ‘’3,2,1… Merr Frymë’’, ku do të shfaqen filmat si: “We are not Super Heroes” me regji të Lia Bertels, që tregon për vizualizimin e momentit të ndjeshëm gjatë të cilit realiteti dhe fantazia e ëndrrat shkëputen nga njëra-tjetra;  “Listen Papa!” me regji të Olga Poliektova dhe Tatiana Poliektova, që tregon për fjalë të pathëna që marrin fuqinë e tyre në letrën e një djali drejtuar babait të tij; dhe “Verso le Stelle (To The Stars)” me regji të Antonello Piccione, që tregon për vizualizimin e arratisjes si rruga e vetme për një jetë më të mirë në mjerimin e pamëshirshëm të luftës.

Këta 3 filma do të zënë vend në orën 20:00 më 13 maj në M Club Prishtinë dhe Kino ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Ndërsa, më 14 maj në orën 18:00 do të shfaqen në Diakonie Youth Center në Mitrovicë.

Si aktivitet i tretë me radhë do të realizohet biseda e njëanshme me psikologun të titulluar ‘’Blind Confessions’’, ku do të flitet për gjërat që mund të jenë duke e munduar çdo njeri. Kjo ngjarje është menduar për ta lehtësuar barrën e bartjes të të gjitha atyre mendimeve e ndjenjave të cilave u kemi dhënë fuqi e kanë marrë fuqi mbi ne, apo thjesht të merret perspektiva e një personi të dytë mbi ato mendime dhe ndjenja.

Përgjatë “Blind Confessions”, të pranishmit kanë mundësi që të shkruajnë çdo mendim e gjë që ata duan të lexojnë në një copë letër dhe ti diskutojnë ato nga profesionistët e ftuar të shëndetit mendor për këtë event. Të gjitha gjërat e shkruara në letër do të jenë plotësisht anonime.

Këto biseda do të zhvillohen më 13 maj në orën 20:30 në M Club, Prishtinë me Urata Gjergjizi dhe në  Kino “Jusuf Gervalla”, Pejë. Ndërsa më 14 maj në Mitrovicë në orën 18:30 do të zhvillohet në Diakonie Youth Center me Xhevahire Balaj në Diakonie Youth Center.

Ngjarja e katërt në kuadër të Javës së Terapisë të Artit është titulluar “Bardh e Zi me ngjyra”, ku flitet për artin dhe shëndetin mendor nga perspektiva e një artisti.

Të menduarit bardh e zi ose i njohur ndryshe si të menduarit e polarizuar është konsideruar se ka të bëjë me tendencën tonë të të menduarit përmes ekstremeve, si p.sh., “Asgjë nuk ka kuptim” apo “Çdo gjë është perfekte”. Kjo mënyrë e të menduarit na e vështirëson ta shohim botën në nuanca të tjera, me ngjyra të tjera, përveç atyre bardh e zi.

“Bardh e Zi me ngjyra” do të realizohet me Ilir Muharremin, i cili do t’i shtojë Javës së Terapisë së Artit nuanca të reja në aspektin e perspektivave të reja.

Kjo ngjarje do të zë vend më 15 maj në orën 19:00 në 1 8 Prishtinë.

Aktiviteti i pestë me radhë përfshinë performime poezish nga performues të shumtë të cilët do të ndajnë shkrimet e tyre poetike me audiencën prezente në “Slam Poetry” në ditën e dytë të Javës së Terapisë së Artit.

Ky event do të mbahet më 14 maj në orën 18:00 në M Club.

Ndërsa si aktivitet i gjashtë do të zhvillohet një natë e rrëfimeve e titulluar ‘’Netët pa gjumë”, ku folës do të jenë: Adriana Matoshi, Argenita Fetahu dhe Leart Rama.

Në këtë natë të pranishmit do të kenë mundësi të shpalosin përvojat e tyre nëpërmjet rrëfimeve të cilat do të japin një kuptim të ri netëve pa gjumë.

Eventi do të mbahet më 14 maj në orën 20:00 në M Club.

Akitviteti i fundit i cili do të përmbyllë Javën e Terapisë së Artit është koncerti muzikor me titull ‘’Festivali i Mendjes”, ku do të performojnë artistët si: SKAG Band, Gjina Kelmendi, Fjolla Shaqiri, Liridona Selmani, Lekë Gjurgjiali and Band, Florent Abrashi, dhe Nora Konjuhi.

Ky koncert do të zhvillohet më 16 maj në orën 19:00 në Teatrin Oda.

Java e Terapisë së Artit është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social./ KultPlus.com

Të enjten, në Tiranë do të promovohet libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’

Me 6 maj, prej orës 18:00, te Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë (prapa Piramidës, te Komiteti Bar) do të promovohet libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’ nga Arbër Selmani.

Kjo do të jetë një mundësi edhe për ta takuar autorin, por edhe për ta blerë librin. Të gjitha fitimet nga shitja e librit shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm dhe organizatën ‘Autizmi’ në Kosovë.

Intervistat në librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, flasin për jetën dhe punën e këtyre njerëzve: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaçi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci.

Realizimin e librit e ka ndihmuar Komuna e Prishtinës nga subvencionet e saj vjetore.

Promovimi do të mbahet duke respektuar të gjitha masat qeveritare në mbrojtjen nga covid-19. / KultPlus.com

Ederllezi, Karabashi, Shën Gjergji apo Gjurgjev Dan, pse festohen dhe festat e kujt janë?

Nga Denis Galushi

Gëzimin, ankesat dhe kërkesat, romët gjithnjë i kanë adresuar përmes artit. Ashtu siç e treguan vuajtjen dhe tragjedinë e tyre nga nazistët përmes himnit ‘’Gjellem, Gjellem’’, ashtu edhe gëzimin e shprehen përmes këngës shumë të kënduar, ‘’Ederllezi’’!

Por, në realitet, çfarë simbolizon ederllezi?

Jo rastësisht rrota në flamurin rom simbolizon migrimin e tyre, e ngjyrat gjelbër – barin dhe e kaltër – qiellin. Pra, tokën që e duan shumë dhe qiellin e hapur për të jetuar duke mos u kufizuar!

Marrë parasysh që shumica e romëve ishin nomad, ky është njëri nga faktet pse ata e urrejnë më së shumti dimrin. Sepse, dimri ua prishte planet e jetesës në natyrë. Por, natyrisht jo gjithë romët, por disa fise prej tyre jetuan/jetojnë në këtë mënyrë.

Prandaj, edhe i gëzohen shumë ardhjes së pranverës, ose ‘’ederllezit’’. Pra, ederllezi do të thotë zgjimi i pranverës, e dalja nga dimri.

Por, a thua veç romët e duan pranverën?

Normal që jo.

A është festë e romëve ederllezi, a po…?

Jo.

Nuk është festë e romëve.

Por, është kënga e romëve, “ederllezi”, që lënë të kuptohet që kënga i dha kuptim festës apo ardhjes së pranverës.

Shumë nga ju e këndoni këtë këngë, por në realitet çfarë do thotë kënga;
romisht:

Sa me amala oro khelena
Oro khelena, dive kerena
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo babo
Sa o Roma o daje
Sa o Roma babo babo
Ederlezi, Ederlezi
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo, e bakren chinen
A me, chorro, dural beshava
Romano dive, amaro dive
Amaro dive, Ederlezi

Nëse me lejohet, dua të interpretoj tekstin nga pikëpamja ime. 

Vargjet e para flasin për;

Të gjithë shokët e mi, vallëzojnë
Vallëzojnë, ditën e tyre kremtojnë.
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, babë
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, nënë, 2x
Ederllerzi, Ederllezi
Të gjithë njerëzit, nënë
Të gjithë njerëzit therrin qengjat e tyre
E unë nga larg shikoj
Të gjithë njerëzit, babë,
Të gjithë njerëzit, nënë 2x
Dua të ndalem këtu.

Ju lutem,  kushtoni vëmendje strofës së dytë ku thotë;
të gjithë romët (njerëzit) therin qengjat e tyre, e unë nga larg shikoj!

Pra, këtu nuk e ka fjalën për romët si grup etnik, por si emër: roma-njeri, roma-njerëz.

Pra, të gjithë njerëzit qengjat e tyre therin, e unë nga larg shikoj… Shikon, sepse nuk mund t’iu bashkohet, është i varfër.

Përderisa njerëzit gëzohen që u ndanë faqebardhë nga dimri, tash është rralla për të prerë kurban (qengj, dele, dash), e për të festuar, apo ndoshta n’këtë mënyrë falënderuar Zotin, por romët nga kushtet e vështira që kaluan, veç shikojnë, ashtu siç thotë kënga; a me duryal beshava – unë nga larg shikoj (unë qëndroj larg tyre), sepse nuk kam para për të festuar me ata, edhe pse shpirtnisht jam shumë më i pasur se ata!

Ederllezi, Shën Gjergji apo Sveti Gjorgje?

Logjikisht, nëse njeriu i gëzohet ardhjes së pranverës, atëherë e falënderon atë që e solli atë, pra Zotin e Gjithësisë. Por, kështu zakonisht nuk ndodhte më herët. Sepse, njerëzit besonin në shumë zotra, apo politeizëm, dhe jo monoteizëm.

Prandaj, ata besonin në shumë zotra. I konsideronin gjethet si zotra, ujin, flakën, ushqimin… E, për këtë arsye edhe laheshin me gjethe, lula e vezë, duke konsideruar që do t’i marrin vetit e tyre. Pra, i shëndosh si vezë, e i/e bukur si lule, sipas mendimit paganë, e që sot shumica e popullit të ballkanit e kanë trashëguar, pa asnjë përjashtim!

Nga ana e tjetër, nëse e shikojmë emrin Shën Gjergj apo serbisht Sveti Djordje-Gjorgje, atëherë kjo është më shumë festë e besimit ortodoksë, ndoshta edhe krishterë, por ndoshta edhe është festë kombëtare/fetare, nëse lidhet më lindjen e heroit kombëtar shqiptar me gjashtë maj, e për dikë hero fetar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ashtu siç pretendohet së fundi.

E çka me ‘’Karabashin’’?

Dita e pesë majit, apo dita e Shën Gjergjit, Gjurdjevdanit apo Ederlezit/Hiderlezit, ndryshe në Prizren e quajnë, “Karabash”, dhe festohet sot, më 5 maj.

‘’Karabash’’, rrjedh nga gjuha turke që do të thotë ‘’kryezi’’, edhepse këtë kurrë nuk e kam kuptuar së çfarë kuptimi ka.

Në këtë ditë, sheshet e Prizrenit janë/ishin të bllokuara me shitës, poçarë e tregtarë të ndryshëm, që ekspozojnë mallin e tyre në sheshet e hapura, përderisa me mijëra njerëz bëjnë pazare duke blerë gurabija shumëngjyrëshe për ‘’mësysh e bereqet’’, e poashtu duke blerë nga poçarët tava nga dheu, sepse atë ditë ‘’duhet’’ ngrenë nga enët e dheut, sepse ai i ‘’merr gjitha të këqijat’’ gjatë tërë vitit…

Pastaj, shkojnë të tyrbja e Lezit, duke puthur gurin e puthur nga mijëra njerëz në të njëjtin vend, e duke iu lutur një tabutit, i rrethuar me para të shumta, tima dhe të letrës të hedhura nga vetë ata.

E çuditshme kjo pjesë. Sepse, ata i drejtohen kufomës apo gurit por duke i mbajtur duart drejt qiellit… Këtë si fëmijë por edhe tani asnjëherë së kam kuptuar…

Pra, kërkojnë dobi nga gjërat që as vetit nuk mund t’i sjellin dobi e as dëme, e si ka mundësi këtyre t’iu sjellin fat?!

Sidoqoftë, kemi një laramani të mënyrës së ‘’festimit’’ duke pretenduar që, kjo festë është e imja dhe jo e atij, e në fakt s’qenka e askujt.

Pra, kemi pikëpamje të ndryshme. Dikush e konsideron si feste fetare, dikush kombëtare, dikush as të parën, e as të dytën, por thotë; p’shtova nga dimri shëndosh e mirë, e Zoti na dhashtë mirësi. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe ajo e Izraelit nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Biblioteka Kombëtare e Izraelit kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, përcjellë KultPlus.

Memorandumi i Mirëkuptimit synon zhvillimin e një partneriteti të bazuar në bashkëpunimin që përfshin fushat shkencore, profesionale, të digjitalizimit dhe të veprimtarive kulturore.

Ky Memorandum do të kontribuojë në një kuptim më të thellë të nevojave të partneritetit, duke përfshirë:

Shkëmbimin e koleksioneve, të botimeve të vendeve përkatëse, shkëmbimin e informacionit bibliografik në dispozicion të tyre dhe që është me interes të përbashkët;

Bashkëpunimin shkencor, përmes të të cilit të dyja bibliotekat do të promovojnë shkëmbimin e informacionit shkencor dhe hulumtimin në fondet e tyre të trashëgimisë;

Shkëmbimin e informacionit bibliografik dhe njohurive teknike-teknologjike, për t’i zhvilluar praktikat profesionale në lidhje me teknologjitë e reja dhe standardet ndërkombëtare, që përbëjnë një mundësi për të zhvilluar shërbime cilësore për studiuesit në kontekstin tonë;

Shkëmbimin e praktikave, ekspertëve dhe profesionistëve nga fusha e digjitalizimit, përfshirë shkëmbimin e materialeve bibliotekare dhe sigurimin e qasjes në burimet digjitale të të dyja institucioneve, në përputhshmëri me  legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të privatësisë. Bibliotekat do të ndërmarrin nisma për projekte të përbashkëta në fushën e digjitalizimit si shkëmbimin e infrastrukturave digjitale me interes të përbashkët shkencor/kulturor.
Po ashtu, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Izraelit do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si: organizimin e konferencave, ekspozitave, promovimeve të botimeve të rëndësishme të autorëve dhe/ose studiuesve kosovarë ose izraelitë apo edhe të huaj, aktiviteteve të përbashkëta kulturore/shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe promovimin e historisë gojore – të rrëfimeve dhe dëshmive për bashkëjetesën, miqësinë dhe solidaritetin historik midis popullit shqiptar dhe popullit hebre.

Ky memorandum do të avancojë vullnetin për bashkëpunim midis të dyja institucioneve më të larta bibliotekare të të dy shteteve, për të përfaqësuar vlerat e kërkimit në informacion, të bashkëveprimit dhe të bashkërendimit sipas interesit të veçantë, që përfshin promovimin nga të dyja institucionet të kulturës dhe historisë kosovare dhe hebraike, nga perspektiva bashkëkohore dhe historike.

Përfaqësuesit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare të Izraelit do të vijojnë tashmë komunikimin për të çuar përpara, nëpërmjet hapave konkretë, bashkëpunimin midis tyre.​ / KultPlus.com

Policia interviston aktivistët vetëm se shkruan grafite feministe nëpër Mitrovicë

Policia e Kosovës ka intervistuar katër aktivistë, si të dyshuar për shkrimin e grafiteve feministe nëpër qytetin e Mitrovicës, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Zahiti ka thënë se ndaj tyre është iniciuar rast për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Me datën 25.04.2021, në Mitrovicë, është iniciuar një rast Prishje  e Rendit dhe Qetësisë Publike “PRQP’.Në cilësi  të të dyshuarave janë intervistuar katër persona, pasi të njëjtit  në orët  e pasdites së datës 25 prill 2021, në disa lokacione/objekte në qytet kanë shkruar grafitë”, ka thënë Zahiti.

Sipas “Jepi zë”, nga personat e arrestuar, një është burrë ndërsa tri të tjera janë gra. Ata janë mbajtur 6 orë në Stacionin Policor. / KultPlus.com

Sonte në Mitrovicë, aktiviste e aktivistë përshkuan qytetin me mbishkrime që denoncojnë dhunën sistemike ndaj…

Posted by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist on Sunday, April 25, 2021

Kurti: Donika Gërvalla e afirmon luftën e UÇK-së, dhe dënon krimet serbe si pakkush tjetër

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kritikave që po i bëhen zëvendëses së tij dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, lidhur me një deklaratë të mëparshme ku ajo i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, shkruan KultPlus.

Kurti është shprehur se Gërvalla e mbron dhe afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UCK-në, madje në takimet me ndërkombëtarët ajo e shpjegon agresionin dhe krimet serb në Kosovë si pakkush tjetër.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel.

Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, shkruan Kurti. / KultPlus.com

Vepra e Banksyt e blerë me 300 dollarë del të jetë origjinale

Një klient me fat, i cili kishte blerë një vepër kopje të Banksyt në një dyqan dhuratash në muze për “më pak se 300 dollarë” pritet që të arrijë të shitet për 150 mijë dollarë, pasi që doli se është vepër origjinale e artistit, personaliteti i të cilit mbetet anonim, shkruan Daily Mail. 

Pronari, i cili dëshiron të mbetet anonim, e bleu veprën në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Sydneyt në vitin 2003.

Vepra artistike është një printim i veprës “Love Is In The Air” të Banksit, në të cilën shihet një burrë i maskuar duke hedhur një buqetë me lule në vend të një koktej molotovi.

Pa dijeninë e blerësit, vepra ishte në fakt e 450-a nga 500 botime të limituara e të shtypura nga artisti në vitin 2003.

Veprat e artit do të dalë në ankand në internet nga shtëpia e ankandeve “Smith and Singer” me ofertat që do të mbyllen më 13 maj të vitit 2021 në orën 22:00.

Në katalogun e publikuar nga “Smith dhe Singer” shkruhet se “Love Is In The Air” është një nga veprat me të njohura të artistit.

“Është një nga imazhet më të njohura të Banksy dhe është e njohur gjithandej”.

Imazhi i kësaj vepre është i njëjtë me atë që Banksy pikturoi në një mur afër qytetit Beit Sahour, në Palestinë.

Kompania e legalizuar nga Bansksy e ka certifikuar veprën artistike, dhe ka bërë të ditur se ajo nuk është e nënshkruar nga Banksy, por është e vulosur dhe në të shkruan “Banksy / 450/500”.

Smith i ka thënë “Daily Telegraph” se kompania e tij beson se vetë Banksy ishte në Australi në vitin 2003 dhe se ai personalisht kishte dorëzuar veprat e artit në Dyqanin e MCA-së.

Printimi i veprës “The Love Is In The Air” pritet të thyejë rekordin aktual të Banksyit në Australi prej 55 mijë dollarësh të vendosur në maj të vitit 2020 për veprën e njohur me titull “No Ball Games”.

Versione të tjera të veprës së artit në kohët e fundit kanë arritur suksese duke u shitur mbi çmimet e vlerësuara gjersa kanë dalë në ankand në të gjithë botën.

Botimi numër 51 i veprës së njëjtë u shit nga “Sotheby” në Londër në shtator të vitit të kaluar për 305 mijë dollarë. “Sotheby” gjithashtu numrin 231 me të njëjtin çmim, pasi u vlerësua se do të shitej deri në 126 mijë dollarë.

Sipas katalogut të ankandit, “Banksy vazhdon të ngjallë turbullime dhe të habisë”. “Pikturat, shtypjet dhe gjestet e tij politike duken si një goditje e fortë ndaj autoritetit dhe një gisht i mesëm për pretendimet e botës së artit”.

Identiteti i Banksyit nuk është zbuluar kurrë për publikun, dhe vazhdon të mbetet një nga misteret më të mëdha të botës së artit. Shumë kanë spekuluar se muzikanti Robert Del Naja është Banksy, dhe se ai bëri një turne në Australi në vitin 2003 me grupin e tij “Massive Attack”. / KultPlus.com

‘’E ardhmja jonë’’, ekspozita nga vajzat rome zë vend në Komunën e Prishtinës

Projekti nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar synon thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipeve të shoqërisë në përgjithësi, nëpërmjet ekspozitës së titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, e cila do të realizohet nga vajzat rome, shkruan KultPlus.

Vajzat rome do të shpalosin pikturat e tyre të bukura përbrenda ekspozitës “E ardhmja jonë”, me ç’rast do të tregojnë se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë tonë. Fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejtat e barabarta dhe qasjen në programet socio-kulturore e edukativo-sportive.

“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen tonë është që ta ndërtojmë atë”, thuhet në njoftim përderisa bëhet thirrje që të vizitohet kjo ekspozitë mjaftë domethënëse.

Ekspozita hapet më 6 maj në orën 14:00, në hollin e katit të dytë të ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, që njëkohësisht është edhe nikoqire e kësaj ngjarje. / KultPlus.com

Apple Maps ndryshon emrat e lokacioneve të Kosovës, nga gjuha serbe i kthen në gjuhën shqipe

Lokacionet e territorit të Republikës së Kosovës deri më tani janë shënuar në gjuhën serbe në Apple Maps, po tashmë gjithçka ka ndryshuar, shkruan KultPlus.

Është vënë re se Apple ka përmirësuar këtë gjë dhe lokacionet tashmë janë shënuar në gjuhën shqipe.

Ky hap, vjen pas peticionit të suksesshëm që qytetarët e Kosovës ndërmorën për njohjen e shtetit të Kosovës në Apple.

Apple Maps si duket ka vazhduar procedurat e rregullimit të plotë të vendosjes së Kosovës në hartën e tyre edhe ende janë në proces deri në ndryshimin përfundimtar të secilit lokacion nga gjuha serbe në atë shqipe. / KultPlus.com

Vuçiq i lut autoritetet në Kosovë të mos e padisin Serbinë për gjenocid

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka porositur autoritetet në Kosovë duke i lutur që të mos e padisin Serbinë për gjenocid. Ai tha se ndërkombëtarët që po deklarohen se janë kundër ndryshimit të kufijve nuk e thonë të vërtetën, sepse pikërisht ata janë për ndryshim kufijsh, por vetëm të Serbisë.

“Padinë kundër Serbisë për gjenocid, mund ta bëni vetëm përmes një shteti tjetër, Shqipërisë. Kjo do të nënkuptonte fillimin de facto të bashkimit me Shqipërinë. Unë ju paralajmëroj dhe ju lutem mos e bëni këtë”, theksoi Vuçiq, për “TV Pink”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që, siç thotë ai, ende po përkundin dhe shikojnë Prishtinën si fëmijën e tyre, të mos e bëjnë atë, transmeton Telegrafi.

Vuçiq vuri në dukje se, “ndërkombëtarët që thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, nuk po thonë të vërtetën, sepse ata në të vërtetë janë në favor të ndryshimit të kufijve”.

“Gënjejnë hapur, ata janë vetëm për ndryshimin e kufijve të Serbisë. Sa herë që ata thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, unë them ‘ti je edhe një hipokrit tjetër që dëshiron të ndryshojë kufijtë që u arrit me forcë kur kishim një qeveri të paaftë në Serbi’. Thoni se jeni kundër ndryshimit të kufijve, kurse  në Kosovë e justifikoni atë me kinse një katastrofë humanitare. A nuk ishte një katastrofë më e madhe në Irak, pse atëherë nuk e ndatë Basrën nga Bagdadi?”, tha ai, duke shtuar se kjo flet vetëm për hipokrizinë e atyre.

Siç tha ai, kur shtron pyetjen – se pse disa kanë të drejtë të vetëvendosjes dhe të tjerët jo – ata, siç tha ai, i thonë, se duhet të shikojë për të zhvilluar ekonominë [e Serbisë].

“Çfarë do të ishte një Serbi e suksesshme në interesin e tyre? Për Evropën një Serbi e suksesshme është Serbia pa Kosovën. Prandaj ata [Kosova] janë kundër Mini Schengenit, kundër politikës ‘Ballkani ballkanasve’. Ata gjithmonë duan t’i ngrenë të tjerët kundër nesh, në mënyrë që Serbia të mos jetë e  fortë, të  mos jetë dominuese”, përfundoi Vuçiq. /Telegrafi/ KultPlus.com