Piktori shqiptar Dastid Miluka, i cili jeton dhe punon prej vitit 2003 në Bruksel, Belgjikë, vjen në Tiranë me një përzgjedhje të një koleksioni prej 17 punimesh, të cilat përfshijnë periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2021.
Miluka është pjesëmarrës në shumë aktivitete artistike personale dhe kolektive, të zhvilluara në Belgjikë, Francë, Hollandë, Gjermani, Zvicër etj. Kompozimet e tij janë vlerësuar gjithmonë nga kritika dhe publiku, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme.
Është ky një koleksion retrospektivë i veçantë pasi piketon dukshëm një pjesë tepër të rëndësishme të rrugëtimit të tij artistik, i shtrirë ky në një hark kohor 23 vjeçar. Një udhëtim absolutisht i ndryshëm, i vendosur në kohë dhe vënde imagjinare, me karaktere personazhesh, të cilat vijnë për të rrëfyer një histori sa të vjetër po aq dhe të re. Një arratisje në një botë fantastike ku komunikimi vjen me nje tjetër metaforë dhe ku liria e perceptimit ndjesor e meditativ, miksohet natyrshëm me dimensione të tjera, më brendore, subkoshienciale. Surrealizëm e metafizikë, simbolizëm e kompozime të shprehura guximshëm në formë e ngjyrë, i bejnë keto punime të kalojnë vrullshëm përpara syve tanë aq shpejt por dhe në mënyrë po aq esenciale, sa dhe vetë ndjesia e të jetuarit.
Dastid Miluka është lindur në Tiranë, më 15 Shtator 1974. Në vitin 2000 diplomohet në Universitetin e Arteve, pranë Fakultetit të Artit Skenik, në specialitetin e Skenografisë dhe Kostumografisë. Nga viti 2003 jeton dhe punon në Bruksel, Belgjikë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”.
“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë.
Me këtë rast, ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s.
Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.
Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB).
Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.
Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, me datë 6 Maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30. / KultPlus.com
Këngëtarja e njohur shqiptare Ava Max, ka qenë e ftuar në emisionin e moderatores Kelly Clarkson.
Gjatë prezantimit Clarkson ka folur për origjinën e saj shqiptare, fakt që e ka theksuar që në prezantimin e emisionit në rrjetet sociale.
“Ava Max ka rrënjë shqiptare dhe është një këngëtare shumë e mirë. Por çfarë uji duhet të pinë këto këngëtaret e famshme shqiptare? Jeni të gjitha shumë të bukura, ti, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora”, shprehet moderatorja për këngëtaret e njohura që përfaqësojnë Shqipërinë në tregun botëror të muzikës.
Kelly Clarkson: Nga janë prindërit e tu?
Ava Max: Shqipëria.
Kelly Clarkson: Oh, mendoj se jeni shumë këngëtare të njohura nga Shqipëria. Çfarë ndodh atje në Shqipëri, jeni shumë të bukura, shumë elegante. Keni ujë të mirë, jeni shumë pasionant, apo si?
Ava Max: Po në fakt jemi shumë pasionant, edhe kur flasim jemi shumë ekspresivë. Mamaja ime, gjyshja janë gjithashtu elegante, është gjenetike mendoj.
Kelly Clarkson: Çfarë mendimi ke për Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora?
Ava Max: Janë si motrat e mia në muzikë, i adhuroj.
Kelly Clarkson: Do ishte fantastike nëse krijoni një grup. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
THE KELLY CLARKSON SHOW — Episode 4147 — Pictured: (l-r) Ava Max, Kelly Clarkson — (Photo by: Weiss Eubanks/NBCUniversal)
Një djalë australian i cili për pak sa nuk u vra nga sulmi i një peshkaqeni të bardh ka fituar të drejtën për ta mbajtur dhëmbin e peshkaqenit i cili ishte ngulur në dërrasën e sërfit.
Surfisti Chris Blowes ka humbur këmbën e tij dhe ka qëndruar në koma për 10 ditë pas sulmit në Australinë Jugore në vitin 2015.
Dhëmbi i peshkaqenit kishte mbetur në dërrasën e sërfit dhe shteti ndalon që njerëzit të mbajnë pjesë të specieve që janë të mbrojtura.
Tani shteti i ka dhënë atij të drejtën për të mbajtur dhëmbin si “suvenir”.
Blows tani 32-vjeçar ishte duke bërë sërf në Fishery Bay np prill të vitit 2015 kur një peshkaqen 5.5 metra i gjatë e kishte sulmuar atë nga prapa.
“Ai njëherë luante me mua dhe në fund ma këputi këmbën”, ka thënë ai.
Pasi jam sjellë në breg nga dy shokë, Blowes është trajtuar e pastaj dërguar në spital.
Kur policët shkuan për të marrë dërrasën e sërfit, Bowes tha se kanë gjetur dhëmbin e peshkaqenit. / KultPlus.com
Sepse të kam e nuk të kam dot sepse për ty mendoj sepse nata syçelë qëndron sepse shkon nata, “e dashur” të them sepse erdhe sërish të marrësh vegimin tënd ti, më e hijshme se çdo vegullim i yti sepse je e bukur, kokë, këmbë e shpirt sepse je mirësi, nga shpirti yt në timin sepse ti fshihesh ëmbëlsisht në krenarinë tënde e vogël, e ëmbël zemër parzmore
sepse je e imja sepse e imja nuk bëhesh dot sepse të kundroj e vdes në vend e më keq se vdekja po nuk të pashë, e dashura ime po nuk të kundrova dot
sepse ti përherë gjallon kudoqoftë por edhe më hijshëm në dashurinë time gjallon sepse goja jote gjak është e ti ke ftohtë nevojitet të të dua fort, e dashura ime nevojitet të të dua unë ndonëse kjo plagë me dhemb dyfish ndonëse të kërkoj pa të gjetur dot e ndonëse nata po kalon ndërsa unë të kam e nuk të kam prapë. / KultPlus.com
Nesër, më 5 maj, Franca do të përkujtojë 200-vjetorin e vdekjes së perandorit Napoleon Bonaparti.
Napoleoni vdiq më 5 maj 1821, gjatë burgimit në ishullin e shën Helenës.
Historianët dhe institucionet po përgatiten të përballen me mijëra aspektet e këtij karakteri, nga pozitivet deri te ato më të vështirat dhe më të sikletshmet.
Pavarësisht nga shumë polemika dhe mosmarrëveshje, presidenti francez megjithatë vendosi që marrin pjesë në përvjetor.
Më 5 maj, ai do të shkojë në Institutin e Francës, para se të vendoste një kurorë në varrin e perandorit në ”Esplanade des Invalides”, në qendër e Parisit./ atsh /KultPlus.com
Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, por ky ishte vetëm fillimi i suksesit për dramën kosovare, shkruan KultPlus.
‘Zgjoi’, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Kjo dramë kosovare që tërhoqi vëmendjen botërore, ka arritur suksesin e radhës të cilin Blerta Basholli e ka ndarë me publikun.
LevelK e ka shitur filmin “Hive” në Kinë (Hugoeast Holding), Skandinavia (Edge Entertainment), Portugalia (Filmat4you), Republika Çeke (HBO Evropa Qendrore), Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia (Kino Mediteran), Turqia (Filmarti), dhe Greqia (Cinobo), shkruan Screen Daily, përcjellë KultPlus.
LevelK gjithashtu po finalizon edhe shumë marrëveshje të tjera.
Emily Russo dhe Nancy Gerstman, bashkë-presidentë të Zeitgeist Films kanë thënë: “Ne kishim arritur kufirin tonë ideal prej pesë filmash të zgjedhur me kujdes në vit për të shpërndarë, por kur erdhi “Hive”, gjithçka ndryshoi. Ky film pati një efekt kaq të fuqishëm tek ne, sa ishte e pamundur të injorohej, dhe e pamundur të mos dëshiroje të sillje tek publiku i Amerikës së Veriut”.
Po ashtu, shefja e blerjeve e Altitude, Laura Wilson ka shtuar: “Hive” është një dritë e rëndësishme për pasojat e luftës në Kosovë, është gjithashtu një histori e grave që kapërcejnë padrejtësitë në një shoqëri patriarkale, e cila do të rezonojë dhe motivojë në të gjithë botën”.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com
Driton Kuka ka bërë thirrje që sa më shpejt Kosova të bëhet me Këshillin Kombëtar të Sportit.
Trajneri më i suksesshëm kosovar i cili ka fituar edhe medalje olimpike me xhudisten Majlinda Kelmendi, deklaron se krijimi i Këshillin Kombëtar të Sportit është tashmë domosdoshmëri pasi sporti në vendin tonë është në rrezik ngase organizatat sportive janë mbushur me prijës jo meritor, ndërsa, sipas Kukës, disa federata sportive po e manipulojnë shtetin me rezultatet nga arena ndërkombëtare që po i interpretojnë në opinion, shkruan Gazeta Express.
“Kosova ka ardhur koha të ketë Këshillin Kombëtar tē Sportit! Por jo ai të ndërtohet me vota, por me kritere! Sporti s’është politikë e as klub sportiv me bë tifo. Këshilli Kombëtar i Sportit domosdoshmëri! Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo turistit. Organizatat Sportive janë mbushur me njerëz që askush si njeh për kontribut në Sport dhe kjo është bë trend. A ka krizë në sportin e shtetit tonë, patjetër që po. A ka analizë të performansës së federatave? Shumë pak, ose aspak!”, ka theksuar Kuka.
“Disa garues shkojnë në Kampionate Evropiane e Botërore e raportohet se janë thyer rekordet e Kosovës! Pse ky fenomen, atje shkohet të garohet me shtete tjera e jo e kundërta! Mos tē lajthitet opinioni! Nëse shikohet numri i federatave e shohim një numër të madh të tyre, por sa prej tyre janë serioze në prezantim dinjitoz ndërkombëtar? Shumë numër i vogël! Sa Sporte kanë fituar medalje elitare prej përfundimit të luftës e këndej? Të analizohet pse?”, është shprehur ai.
Kuka thotë se krejt vëmendja është ta paraja, e jo te suksesi. “Kur flitet për buxhet, krejt gjejnë arsyetime e kërkojnë modele për me marr ndonjë euro ma shumë, por sa nga mjetet nëpër federata investohen seriozisht në sportistë e trajner? Paramendoni që Kategorizimi i Sporteve llogarit vetëm njē rezultat elitar, duhet ndryshuar mos të bëjmë hajgare me rezultate. Edhe Ligji i shtetit parasheh ngritjen e Këshillit Kombëtar të Sportit”, ka nënvizuar Kuka.
Trajneri pejan shpreson që nga sporti të largohen prijësit e disa organizatave sportive të cilët në mënyrë jo meritore dhe me dallavere i kanë zënë pozitat udhëheqëse të tyre, e ka nga ata që kanë probleme shumë serioze edhe me ligjin.
“Koha me ardhur njerëzit e duhur në sport!”, ka përfunduar Kuka. /KultPlus.com
Multimiliarderi Bill Gates dhe bashkëshortja e tij Melinda Gates njoftuan të hënën se kanë vendosur të shkurorëzohen. Njoftimi u bë lajm viral në botë, ndërsa fokusi tash është kthyer te ndikimi i shkurorëzimit si në jetën e tyre personale, por edhe të ndikimit që do të ketë në industrinë e teknologjisë dhe ndarjen e pasurisë miliardëshe.
Çifti, që po ndahet pas 27-vjetësh martesë, ka pasuri 146 miliardë dollarësh. Ata s’bënë publike planet e ndarjes financiare, por u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin në filantropi.
Bill Gates, 65-vjeçar, themeluesi i “Microsoftit”, pozicionohet në vendin e katërt të njerëzve më të pasur në botë. Melinda 56-vjeçare është ish-menaxhere në “Microsoft”. Ajo u bë e njohur pasi udhëhoqi Fondacionin “Bill & Gates”. Tashmë ka dhuruar mbi 50 miliardë dollarë. Një zyrtar i fondacionit ka thënë se Bill dhe Melinda do të mbesin bashkëpronarë të fondacionit.
Shkurorëzimi i çiftit Gates është i dyti që preku më të pasurit në botë, pas ndarjes së befasishme të Jeff Bezosit dhe MacKenzie Scott, më 2019. Ajo ndarje e bëri MacKenzien një nga njerëzit më të pasur në botë dhe kjo nxiti raportimet për ndarjen e pasurisë së Billit dhe Melindës.
Te çifti, që sapo ka njoftuar për shkurorëzimin, ndarja e pasurisë është më sfiduese, sipas “EconomicTimes”.
Vlera e pasurisë së Bill Gatesit, me origjinë nga aksionet në gjigantin softuerik “Microsoft”, tani zë më pak se 20 për qind të vlerës totale të pasurisë. Shumica e pasurisë është derdhur në fondacionin për ndihma. Vlera e pasurisë së saktë të Gatesit në “Microsoft” s’është e ditur që kur ai u largua nga bordi vitin e shkuar.
Aseti më i madh i tij është kompania aksionare “Cascade”, të cilën Gatesi e krijoi me shitjen e aksioneve të “Microsoftit”.
Monica Mazzei, një avokate e njohur për shkurorëzime, ka thënë se pikëpyetja më e madhe është për fondacionin dhe zyrën e familjes, nëse ish-çifti planifikon të vazhdojë punën bashkë. Ndërkaq, avokatja Janet George thotë se me ligj nuk është e caktuar që pasuria të ndahet përgjysmë. Madje sipas saj, publiku mund të mos e mësojë kurrë ndarjen e pasurisë së njeriut që ishte më i pasuri në botë për shumë vjet.
Bill e Melinda kanë tre fëmijë.
Ata u takuan për herë të parë në vitet e ’80-a në “Microsoft”. / KultPlus.com
Libri i shqiptarit Diamant Salihu po shfaq mjaft interes nga suedezët. “Tills alla dor” në bibliotekën e Stokholmit është rezervuar deri tani nga 163 persona.
Pikërisht për shkak të numrit të lartë të kërkesave biblioteka ka porositur dhe 38 kopje të tjera të librit për të përmbushur kërkesat e lexuesve.
Vetë Diamanti, i cili është reporter në televizion në kryeqytetin suedez shprehet i lumtur për këtë sukses.
Libri “Tills alla Dor” (Derisa të gjithë të vdesin) ka të bëjë me realiteti e përgjakshëm të asaj që në media njihet si konflikti Rinkeby.
Rrëfimi nis në verën e vitit 2015, kur një 19-vjeçar së bashku me disa të tjerë grabit një zyrë Forex në Täby Centrum. Disa nga miqtë e tij më të rinj xhelozohen dhe zemërohen që nuk u lejuan të ishin pjesë e grabitjes, jo për paratë, por për prestigjin. Në të njëjtën mbrëmje, 19-vjeçari u qëllua për vdekje pak jashtë sheshit Rinkeby.
Vrasja çon në një spirale vdekjeje midis asaj që së shpejti do të formohet në dy banda rivale. Ata që i mbijetojnë moshës së dhunës, ngurtësohen në institucionet e të miturve dhe burgjet, bëhen gjithnjë e më seriozë në krimin e tyre, bëhen pjesë e rrjetës ndërkombëtare. Disa e vendosin veten si artistë të repit, ku disa tekste bëhen propagandë e pastër, një mënyrë për të kërcënuar armiqtë dhe për të vajtuar miqtë e vdekur.
“Tills alla Dor” tregon se si ndërthuren konflikti Rinkeby me obsesionin dixhital të klikimit, me gjueti postimesh në mediat sociale, me abuzim dhe poshtërim para filmimit të kamerave celularë, me njerëz të famshëm dhe brohoritjet e tyre, – e gjithë ajo që në libër quhet ekonomi e vëmendjes.
Në qendër të përshkrimit të Salihut është një grup djemsh të rinj, disa prej tyre miq të fëmijërisë me origjinë somaleze, të cilët janë në një lloj përjashtimi të dyfishtë, të shkëputur nga sistemi ligjor suedez dhe traditat përreth. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Ministria italiane e Kulturës ka miratuar një projekt për rikonstruksionin e dyshemesë së arenës antike të luftës duke përdorur shtresë prej druri, për t’u dhënë vizitorëve mundësinë që të qëndrojnë aty ku dikur gladiatorët luftuan.
Punimet do të fillojnë në fund të vitit, për një hapje për publikun në 2023.
Në fund të vitit 2020, Ministria italiane e Kulturës nisi një thirrje për tenderë për të siguruar një dysheme të lëvizshme në qendër të Koloseut.
Institucioni dha vendimin e tij në favor të një kompanie milaneze dhe projektit të tij të pllakave të lëvizshme prej druri me ajrosje natyrore të pasazheve nëntokësore, të cilat në atë kohë strehonin lojërat e cirkut të kafshëve të egra dhe skllevërve. Një zgjedhje që do të mundësojë për vizitorët të ecin aty nga viti 2023.
“Bëhet fjalë për një hap tjetër përpara drejt ristrukturimit të arenës, një projekt ambicioz që do të ndihmojë në ruajtjen e strukturave arkeologjike duke rikuperuar imazhin origjinal të Koloseut dhe karakteristikën e tij të makinës komplekse skenike”, theksoi ministri i Kulturës, Dario Franceschini.
Ai dëshiron të lejojë vizitorët të admirojnë simbolin monument të Italisë nga qendra e arenës, siç mund të bëhej në fund të viteve 1800./ atsh / KultPlus.com
Parku i Liqenit Artificial të Tiranës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.
Investimet e bashkisë së Tiranës e kanë transformuar këtë park jo vetëm me korsitë e biçikletave, molin e varkave, por edhe duke krijuar kënde sportive dhe argëtuese, të cilat frekuentohen nga qytetarë të moshave të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me pamje nga njëri prej këndeve sportive të krijuara së fundmi në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës.
“Mirëmëngjes nga parku i liqenit të Tiranës”, tha Rama, ndërsa ndau pamjet nga ky park.
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës mbetet një nga destinacionet më të frekuentuar nga qytetarët jo vetëm në fundjavë, por në çdo ditë të vitit.
Investimet e bashkisë së Tiranës e kanë kthyer zonën në një hapësirë rekreative shumëfunksionale./atsh / KultPlus.com
Beteja e parë e Sfetigradit u zhvillua në vitin 1448. Ajo ishte një nga betejat kryesore të ushtrisë shqiptare, e komanduar nga Skënderbeu, kundër ushtrisë osmane. U zhvillua prej 14 majit deri në fund të korrikut. Ushtria osmane komandohej nga vetë Sulltan Murati II.
Më 14 maj pararoja e saj arriti në Dibrën e Poshtme dhe rrethoi Sfetigradin. Skënderbeu, për të lehtësuar mbrojtjen e kështjellës, tërhoqi në grykën e Rovikut pararojën turke dhe e shpartalloi. Kur ushtria osmane mbërriti në Stefigrad, Skënderbeu e afroi gjithë ushtrinë disa milje larg kampit të saj.
Murati II kërkoi dorëzimin e kështjellës, e bombardoi, por dështoi. Ndërkohë Skënderbeu e godiste kampin osman ditën dhe natën dhe bashkë me mbrojtësit e kështjellës e vunë armikun midis dy zjarreve. Trupat osmane, që ruanin shpinën e forcave të tyre kryesore, patën shumë të vrarë e të plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Firuz Pashën.
Natën e 22 qershorit, shqiptarët sulmuan dhe hynë thellë brenda në kampin turk. Vetëm kur osmanët gjetën ujësjellësin e kështjellës dhe i prenë asaj ujin, mbrojtësit u detyruan të dorëzohen, me kusht që të dilnin të lirë e të largoheshin të armatosur prej saj. Megjithëse e pushtuan Sfetigradin, për shkak të humbjeve të shumta dhe zgjatjes së rrethimit për më shumë se dy muaj e gjysmë, osmanët u detyruan të ndërprisnin mësymjen dhe të tërhiqeshin, të ndjekur këmba-këmbës nga ushtria shqiptare. / KultPlus.com
Mediat britanike kanë publikuar në një artikull disa foto ekskluzive nga treni i ish-liderit jugosllave, Josip Broz Tito, ku priti mbretëreshën Elizabeth II dhe aktoren e Hollywood, Elizabeth Taylor.
Treni blu i projektuar enkas i njohur ndryshe me emrin ‘Plavi Voz’ u ndërtua në vitin 1959 dhe u përdor ekskluzivisht për udhëtimet e tij diplomatike me figura politike dhe burra shtetit përreth vendit e përtej.
Lokomotiva u përdor nga më shumë se 60 burra shteti gjatë jetës së saj dhe udhëtoi me shumë se 400 mijë kilometra gjatë regjimit të Titos nga viti 1945 deri në 1980.
Ai gjithashtu shërbeu për të transportuar dhe arkivolin e Titos nga Ljubjana në Beograd në maj të vitit 1980. / KultPlus.com
Një baladë e fuqishme e Rona Nishliut nuk shkon lehtë në harrim.
Rona Nishliu që prej fillimeve të saj ka ditur të krijojë këngë që nuk harrohen dhe që veçohen.
“Shko pastro pas saj”, shembull, është një prej atyre këngëve të cilat ka goditur mirë në zemrat e fansave. Një baladë që më pas kthehet në pikën kulmore diku nga mesi i këngës, kjo këngë me një tekst të fuqishëm tregon për një dashuri ku hyn personi i tretë, shkruan KultPlus.
“Shko pastro pas saj” është një prej këngëve të njohura të Ronës, krahas edhe këngëve si “Suus” apo “Shenja” dhe këngëve tjera që Rona i publikon jo shumë shpesh por gjithmonë e kujdesshme me stilin e saj dhe me emocionin që e përçon me anë të këngëve.
Sot, po e sjellim këtë baladë për ta rikthyer emocionin e saj. / KultPlus.com
Gjiganti Yahoo do të shitet dhe lajmi bëhet i ditur nga New York Times. Sipas medias amerikane Verizon Communciations ka rënë dakord që aksionet e Yahoo dhe AOL ti kalojë tek Apollo Global Management për 5 miliardë dollarë.
Në një deklaratë këtë të hëën Verizon tha se shitja përfshin biznesin e teknologjisë së reklamave gjithashtu dhe kompania do të mbajë 10% të aksioneve në biznes.
Transaksioni është kthesa e fundit në historinë e dy pionierëve më të hershëm të internetit. Yahoo dikur ishte faqja e parë e internetit, duke kataloguar ritmin e furishëm të faqeve të reja në internet që dolën në fund të viteve 1990. AOL dikur ishte shërbimi që shumica e njerëzve përdornin për internet.
Por të dy u zëvendësuan përfundimisht nga më të shkathët, si Google dhe Facebook, megjithëse Yahoo dhe AOL ende botojnë faqe si Yahoo Sports dhe TechCrunch.
Shitja sinjalizon zgjidhjen e një strategjie që Verizon paralajmëroi në 2015 kur bleu gjigantin e zbehur të internetit AOL për 4.4 miliardë dollarë. Blerja kishte për qëllim t’i jepte Verizon një shteg në fushën e celularëve, me qëllimin e përdorimit të teknologjisë reklamuese të AOL për të shitur reklama kundër përmbajtjes dixhitale. Verizon dyfishoi atë strategji në 2017 me blerjen e saj të Yahoo prej 4.48 miliardë dollarësh, të cilën e kombinoi me AOL nën ombrellën Oath.
Por Google dhe Facebook kanë treguar të jenë konkurrentë të frikshëm në tregun e reklamave dixhitale. Verizon pranoi fuqinë e tyre në 2018 kur shkroi vlerën Oath me 4.6 miliardë dollarë, duke ia atribuar lëvizjen pjesërisht “presioneve të rritura konkurruese të tregut” që kishin rezultuar në “të ardhura dhe fitime më të ulëta se sa pritej”.
Akoma, biznesi i medias gjeneron shumë të ardhura. Ai regjistroi 1.9 miliardë dollarë në shitje në tremujorin e parë, një fitim prej 10 përqind krahasuar me vitin e kaluar./ Marre nga New York Times/diasporashqiptare/ KultPlus.com
Fatime Sokoli lindi në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948 dhe jetoi në Bajram Curr, aty ku heroizmi shqiptar kishte faqe të ndritshme të qëndresës shekullore kundër pushtuesve.
Në ata shkrepa të Dragobisë u rritë bija e Malësisë, e cila nga mosha e re, falë talentit u rritë me tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë trimërie për heroinat e trimat shqiptarisë.
Këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli, për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fakt. Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut.
Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën.
Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondin e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit.
Ata që e dëgjuan, që e njohën, e shijuan zërin e saj, e duartrokitën, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë. Ajo kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore.
Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”, një vlerësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje.
Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj.
“Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit.
U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues.
Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.
Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.
Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye.
Fatime Sokoli ” ishte çika e parë e Malsisë që kapi për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi më mirë se burrat.
Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malsie e në skenat e disa vendeve të Europës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës. Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet.
Në repertorin e Fatime Sokolit, zënë një vend të gjërë këngët kushtuar heronjve dhe veçanërisht Kosovës. Ajo la pas jo vetëm këngën brilante, por edhe shembullin e një gruaje të emancipuar, duke thyer çdo tabu për kohën dhe Malësinë.
Nderi i kombit Margarita Xhepa e vlerësonte si një këngëtare të vecantë jo vetëm për zërin, por edhe vlerat e kontributet si vajzë e malsisë. Zëri i saj, i papërsëritshëm, shoqëruar me iftelinë, që ia dridhte aq mjeshtërisht telat, gjëmoi në skenat e Evropës, kur ishte me Asamblin e këngëve dhe valleve.
Në repertorin e saj, në 30 vjet karrierë, numërohen mbi 100 këngë të kënduara, por këngët që u dëgjuan në këtë aktivitet ishin:“Moj Kosovë, moj kështjellë burrnie”, “Kënga e Bajram Currit”, “Ty Kosovë, këtë këngë të këndova”, “Moj Kosovë, o nëna ime”, “Në këtë tokë me rrënjë të lashta”, “Pushkë e mbushur me tufane”, “Tym të zi, po qet Europa”, etj.
Fatime Sokoli është një emër i madh i adhuruesve të muzikës folklorike shqiptare dhe këngës me çifteli.
Ajo veçanërisht është shumë e njohur në veriun e Shqipërisë dhe në Kosovë./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Lirisë së Mediave ka thënë se gazetarët janë ata që e bëjnë të mundur që ta mësojnë të vërtetën.
Sipas Kurtit, puna e gazetarëve është thelbësore për shëndetin dhe mbijetesën e demokracisë, ashtu si edhe liria dhe autonomia e tyre për ta ndjekur të vërtetën.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave ne i falënderojmë ata për rolin e tyre jetësor në mbajtjen e ne të informuar”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Twitter./ KultPlus.com
Deklaratat më të bukura të dashurisë janë ato që jetojnë në vetën e parë, por ne kemi përzgjedhur ato që ne mendojmë se janë më të bukurat të filmave romantikë, që na bëjnë të ëndërrojmë për dashurinë.
Nëse këni dëshirë për t’u zhytur në romancën më të ëmbël, ose po kërkoni frymëzim për t’i shprehur dikujt dashurinë, më poshtë janë deklaratat më të bukura të dashurisë në filma.
Filmi “When Harry Met Sally”
“Të dua kur je i ftohtë dhe jashtë është 30 gradë. Të dua kur të duhet një orë për të porositur një sanduiç. E dua rrudhën që të krijohet kur më shikon sikur jam i çmendur. Më pëlqen që pas një dite të kaluar me ty ende e nuhas aromën tënde në pulovrat e mia dhe jam i lumtur që je personi i fundit me të cilin bisedoj para se të fle gjumë në mbrëmje. Dhe kjo nuk është sepse ndihem vetëm, dhe nuk është sepse është Nata e Vitit të Ri”.
“The Notebook”
“Nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë shumë e lodhshme. Ne do të duhet të punojmë për të çdo ditë, por unë dua ta bëj sepse të dua. Dua gjithçka tënden. Përgjithmonë. Ti dhe unë. Çdo ditë”.
Dashuria nuk është shikimi i parë, muaji i parë apo takimi i parë; është jeta e përditshme dhe pushimet e vogla të çdo dite. Është e mundimshme. Por ja vlen. Dhe ndër deklaratat më të bukura të dashurisë kjo është sigurisht një nga më realistët.
“Bashkë me erën”
“Është telash: duhet të puthesh, dhe shpesh, dhe nga dikush që di ta bëjë”. Reth është i vetmi që mund ta shohë Roselën për atë që është “sepse”, ai i thotë asaj, “ne jemi të njëjtë, të dy fundërrina, egoistë dhe mendjemprehtë, por në gjendje t’i shohim gjërat në fytyrë dhe t’i thërrasim me emrin e tyre”.
Të paktën jini të sinqertë me veten dhe do të gjeni personin e duhur.
“Krenari dhe paragjykim”
“Nëse ndjenjat tuaja janë të njëjta, thuajeni tani. Dashuria dhe dëshirat e mia janë të pandryshuara. Por një fjalë e juaja do të më bëjë të hesht përgjithmonë. Nëse, nga ana tjetër, ndjenjat e tua kishin ndryshuar duhet të të them … Ti më ke magjepsur trupin dhe shpirtin dhe të dua, të dua, të dua dhe tani e tutje nuk dua të ndahem më nga ti.
Ah, Z. Darcy! Askush nuk mund të jetë aq i padurueshëm dhe i papërmbajtshëm sa prototipi i së bukurës dhe i mallkuar i krijuar nga Jane Austen.
“The Fault in Our Stars”
“Do të ishte një privilegj të më thyhej zemra nga ju.”
Mund të derdhni shumë lot, por ndonjëherë ia vlen ta provoni.
“Shekspiri i Dashuruar”
“Të dua Will, përtej poezisë”.
Kur premtimet shoqërohen me fakte, atëherë ju po përjetoni diçka të mrekullueshme.
“Submarine”
“Unë shkrepa një fotografi tonën, gjysmë të përqafuar. Kur të jem plakur dhe vetëm, do të kujtoj se kam mbajtur diçka vërtet të bukur”.
Si adoleshent gjithçka është vërtet e vështirë dhe e komplikuar, por ju jeni në gjendje të njihni dashurinë.
“Notting Hill”
“Unë jetoj në Notting Hill, ju jetoni në Beverly Hills, e gjithë bota e di kush jeni. Nëna ime e ka të vështirë të kujtojë emrin tim”, “Gjëja e famës nuk është një gjë e vërtetë, ju e dini, dhe mos harroni se unë jam gjithashtu një vajzë e thjeshtë, duke qëndruar para një djali dhe duke i kërkuar atij ta dua”.
Kushdo qoftë, mos harroni se ajo që ka rëndësi jeni ju të dy dhe pjesa tjetër është letër-muri.
“Moulin Rouge”
“Gjëja më e mirë që mund të mësosh është se si të duash dhe të të duan”. Ky është version i këngës së Nat King Cole “Nature Boy”, e riparë në film nga David Bowie dhe ribërë nga Massive Attack. Fraza është shtypur nga Christian, një poet pa para (Ewan McGregor) i dashuruar me Satinen e bukur (Nicole Kidman)./a2/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha brenda pak ditësh do të publikoj këngën e saj të re ‘My Dear Love’ në bashkëpunim me Ty Dolla Sign, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Rexha me anë të një postimi në Instagram, ku ka shkruar se kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në lansimin e këtij dueti.
“Katër ditë nga lansimi i këngës së gjashtë të Better Mistakes”, ka shkruar ajo.
Ky projekt është pjesë e albumit të saj të ri të titulluar ‘Better Mistakes’ të cilin këngëtarja do ta publikoj të plotë me 7 maj të këtij viti./ KultPlus.com
Shpërthimi Covid-19 në kampin bazë të malit Everest ka bërë që dhjetëra alpinistë të evakuohen nga kampi. Kjo vjen pas zbulimit të rastit të parë të virusit në kamp.
Situata me sa duket është përkeqësuar, pasi njoftohet se ka mbi 30 alpinistë të cilët janë detyruar të evakuohen me helikopter.
Një alpinist britanik i cili u dërgua në një spital të Kathmandu ku edhe rezultoi pozitiv për Covid-19, ka thënë se masat e distancimit fizik nuk po zbatoheshin siç duhet në mal.
Ekspedita e planifikuar të zgjaste për dy muaj, u ndërpre kur Steve Harris u diagnostikua me Edemë Pulmonare në Lartë, një formë fatale e sëmundjes.
“Unë fillimisht u diagnostikova me HAPE në kamp dhe u dërgova më pas në Namche Pazar për t’u shëruar.’’
“Unë nuk u pyeta dhe as nuk mu ofrua të bëja një test për Covid-19. Pas katër ditësh në Namche, unë u dërgova me helikopter në spital në Kathmandu ku u testova dhe u konfirmova pozitiv për Covid-19 dhe pneumoni dhe kalova një javë në kujdes intensiv,’’ tha ai për DailyMail.
“Tashmë kam dal nga spitali, por jam ende duke qëndruar i izoluar në një hotel pasi jam akoma pozitiv për Covid-19,” tha Steve.
Ai shtoi se para evakuimit kishte fjalë se Covid-19 ishte përhapur në kamp, por asgjë nuk ishte konfirmuar./ KultPlus.com
Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, do të bashkëkryesojnë një koncert bamirësie që synon rritjen e vaksinimit kundër COVID-19 në të gjithë botën, i quajtur “Vax Live”, në të cilin do të marrin pjesë edhe bashkëshortët Biden, sipas organizatorëve të ngjarjes.
“Vax Live: Koncerti për të ribashkuar botën”, do të regjistrohet paraprakisht në një stadium në Los Anxhelos më 2 maj dhe do të ketë si publik kujdestarët dhe personelin në frontin e parë të luftës kundër COVID-19, të gjithë të vaksinuar.
Performanca, që bashkon artistë të tillë si Jennifer Lopez, J. Balvin, Eddie Vedder dhe HER, do të transmetohet më 8 maj në kanale të ndryshme televizive në botë, si edhe në YouTube.
Përveç presidentit Joe Biden dhe bashkëshortes së tij, Jill, do të jenë të pranishëm presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, që gjithashtu do të bëjnë një ndërhyrje”, theksoi OJQ-ja “Global Citizen” në njoftimin e saj për shtyp.
Kjo iniciativë synon të mbledhë fonde për të financuar blerjen e vaksinave dhe t’u kërkojë qeverive të G7-s, që përfaqëson ekonomitë kryesore të planetit, të ndajnë dozat e tepërta me ata me më pak fat.
OJQ-ja, gjithashtu, dëshiron që kompanitë farmaceutike të ofrojnë “vaksina me çmim të kostos”.
“Gjatë vitit të kaluar bota jonë ka pësuar dhimbje, humbje dhe ne kemi luftuar së bashku. Tani ne duhet të ngrihemi dhe të shërohemi së bashku”, thanë Harry dhe Meghan në një deklaratë.
“Ne nuk mund të lëmë askënd në rrugë. Ne duhet të përfitojmë të gjithë, të gjithë duhet të jemi më të sigurt kur të gjithë, kudo, kanë mundësi të përdorin vaksinën. Ne duhet të përpiqemi të kemi një shpërndarje të drejtë të vaksinës dhe kështu të rivendosim besimin tonë në njerëzim”, vazhdon çifti princëror./ atsh/ KultPlus.com
Festivali i birrës i njohur si “Oktoberfest” në Gjermani që kishte planifikuar të mbledhë qindra mijëra njerëz nga 18 shtatori deri më 3 tetor në Mynih është anuluar.
Kjo është viti i dytë me radhë që ky festival është anuluar si shkak i pandemisë COVID-19, shkruan Euronews, transmeton KultPlus.
Situata shëndetësore në Gjermani mbetet shumë e “pasigurt” për mbledhjen më gjithëpërfshirëse të të gjithëve këtë vjeshtë, tha ministri bavarez, Markus Soder”.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar kur u anulua ky festival ishte hera e parë pas 70 vjetësh./ KultPlus.com