Vdes Lisa Banes, aktorja e njohur për rolin e Marybeth Elliot në “Gone Girl”. Ylli i filmit ka vdekur pasi pësoi dëmtime të rënda kur u godit nga një skuter elektrik më 4 qershor.
Miqtë e ngushtë të Lisa konfirmuan vdekjen e saj të hënën, pasi fatkeqësisht ylli humbi luftën e saj mes një dëmtimi traumatik të trurit dhe nuk ishte në gjendje të shërohej.
Është raportuar se Lisa ishte në rrugën e saj për të takuar gruan e saj Kathryn Kranhol kur ajo u godit nga skuteri elektrik ndërsa po kalonte rrugën në Upper West Side të Manhattan, New York, shkuran The New York Post, transmeton KultPlus.
Shoferi besohet se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia aktualisht është duke kërkuar pronarin e skuterit elektrik.
Pas vdekjes tragjike të Lisa-s, një zëdhënës i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut i tha Metro se ende nuk ka arrestime.
Lisa është e njohur më së shumti për rolin e saj të Gone Girl ku ajo luante Marybeth Elliott, nëna e karakterit Rosamund Pike. / KultPlus.com
Moikom Zeqo ka lindur në Durrës, më 3 qershor 1949. Më 1971 u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për Gjuhë-Letërsi Shqipe.
Në vitet 1971-1973 ka punuar redaktor në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1991 ka qenë Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ndërsa më 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1997-2005 ka qenë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.
M. Zeqo ka botuar mbi 100 libra si: “Kalorësit dardanë” (1993), “Panteoni ilir” (1996), “Onufri” (1998), “Mes Laokontit dhe Krishtit” (2000), “Kështu foli Mona Liza” (2000), “Engjëjt e pikturës dhe Lasgush Poradeci” (2003), “Grishja e Florimontit” (2004), etj.
Moikom Zeqo, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 15 qershor 2020. Nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në histori, publicistikë dhe artin shqiptar. / KultPlus.com
Vetëm katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta e saj e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran , demokratik, unik dhe të pandashëm.
Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike.
Kushtetuta hyn në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës, kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore, të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisarit.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve, të cilët nuk janë pajtuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është njohur nga më shumë se 115 vende të botës. / KultPlus.com
Një tumë 4000-vjeçare, e zbuluar në Siri në vitet 1990, është një memorial lufte dhe jo një varr masiv siç është hamendësuar deri më tani.
Nuk është një varr masiv për armiqtë, por një memorial për të kujtuar të rënët. Një studim i botuar në “Antiquity” ripërcakton funksionin e Tell Banat North, i quajtur Monumenti i Bardhë nga studiuesit për shkak të mënyrës se si struktura shkëlqen në dritën e diellit, një varrim tumë i zbuluar në vitet ‘90 të shekullit të kaluar në Tell Banat në Sirinë veriore, duke argumentuar se mund të jetë memoriali më i vjetër i luftës i gjetur ndonjëherë deri më tani, që daton në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit
Nuk është e qartë kur u ndërtua monumenti imponues, 22 metra i lartë, por ajo që dihet është se gjatë shekujve ai pësoi disa ndryshime, duke marrë formën e tij përfundimtare midis viteve 2450 dhe 2300 para Krishtit.
Tell Banat North dallohet nga monumentet e tjera të ngjashme të shpërndara në të gjithë vendin për organizimin e trupave dhe përbërjen e vetë tumës. Rregullimi sistematik dhe i kujdesshëm i eshtrave të të ndjerëve, të ndarë nga njëri-tjetri për të ruajtur identitetin e tyre, tregon një monument të ndërtuar për të nderuar ushtarët që ranë në betejë, sesa një mënyrë për të asgjësuar trupat e armiqve të mundur.
“Ne nuk e dimë nëse eshtrat njerëzore u përkasin fituesve ose humbësve”, thekson Anne Porter, shefja e studimit.
“Ajo që dimë është se kushdo që e bëri i solli trupat këtu nga diku tjetër, mbase edhe shumë kohë pasi ata vdiqën, dhe i varrosi duke mbledhur eshtrat në këtë tumë të madhe, të dukshme nga disa milje larg”.
Sipas studiuesve, memoriali do të kishte kontribuar, në varësi të faktit nëse të vdekurit ishin humbës apo fitimtarë, për të rritur në popullatën afër një ndjenjë kundërshtimi dhe rezistence ndaj armikut, ose për të pranuar sundimin e një regjimi të ri.
“Ne nuk e dimë kush ishte armiku që ata po luftonin, por ka të ngjarë që ai të ishte një konflikt midis fuqive rajonale, ose një konflikt i brendshëm”, përfundon Porter./a2/ KultPlus.com
Në hapjen e ekspozitës në Galerinë “Arteve Kızılay Metro”, Ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli deklaroi se ata organizuan ekspozitën për refugjatët në këtë galeri për të arritur më shumë njerëz, transmeton KultPlus.
“Për shkak të Covid-19 dhe masave, ekspozita do të jetë e hapur vetëm për mysafirët tanë të ftuar dhe udhëtarët e vlefshëm që kalojnë përmes metrosë Kızılay”, ka thënë Dugolli.
Ai tutje është shprehur mirënjohës për ndihmën e zyrtarëve të Galerisë së Arteve të Bashkisë Metropolitane të Ankarasë dhe të gjithë ata që kontribuan në hapjen e ekspozitës, shkruan AnkaraMasasi.
“Ne do të dëshironim të falënderonim dy fotografët tanë të vlefshëm, fotoreporterin e AA Esra Hacıoğlu dhe Hazir Reka, punimet e të cilëve do të jenë të hapura deri më 20 qershor në Ditën Botërore të Refugjatëve”, ka thënë Dugolli.
Ai tutje ka deklaruar se ka miliona histori të tjera që përpiqen të bashkohen në këtë ekspozitë.
“Fotografi Hazir Reka ishte gjithashtu një refugjat gjatë luftës në Kosovë. Nga ana tjetër, Esra Hacıoğlu vjen nga refugjatët e Kosovës. Kështu që secili prej nesh ka histori të ndryshme e të llojllojshme dhe secili prej nesh duhet ta shohë veten në çdo refugjat”, thotë Dugolli.
Dugolli theksoi se refugjatët janë mësues, studentë, të papunë, fotografë, studiues, prindër, shkencëtarë, atletë, domethënë secili prej tyre ka një jetë, dhimbje, humbje dhe sprovë dhe se ata meritojnë ndihmë, solidaritet dhe respekt. Në ekspozitë, fotografi kosovar Hazir Reka, i cili ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme në historinë e vendit të tij gjatë dyzet viteve të fundit, përshkruan histori bezdisëse të luftës së Kosovës, e cila rezultoi në deportimin e më shumë se gjysmës së popullsisë së vendit nga forcat serbe.
Esra Hacıoğlu, një pasardhëse e refugjatëve kosovarë tre breza më parë, tani po dokumenton situatën aktuale të refugjatëve sirianë. Në punën e saj, ajo përshkruan vuajtjet e refugjatëve, por në të njëjtën kohë përshkruan edhe ëndrrat dhe shpresat e tyre.
Punimet në ekspozitë do të paraqiten në Qendrën Kulturore Shqiptare në Altindğ duke filluar nga 21 qershori. / KultPlus.com
Baritoni, Gëzim Myshketa, ka publikuar librin me CD muzikore, ‘Ta dish’, si një antalogji të këngës tradicionale shqiptare të përpunuar shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Myshketa në një posti në Facebook i cili ka thënë se kur kishte filluar të këndonte që në fëmijëri nuk kishte menduar kurrë që jeta e tij do të ishte përplot rrugëtime.
“Kur nisa të këndoj që në fëmijëri, në qytetin tim të lindjes, në Durrës, nuk e kisha parashikuar kurrë që jeta ime do të vijonte me “valixhe në dorë” nga një shtet në tjetrin, në skena shumë të rëndësishme, me role të bukura që i kam shijuar pafund”, ka shkuar ai.
Tutje artisti ka theksuar se ndonëse ndihet me fat për rrugëtimin e tij profesional, nuk e fsheh dot ndjesinë e mungesës së atdheut, rrugëve, njerëzve, por mbi të gjitha këngët e vendit të tij.
Krejt të fund bartioni ka pohuar se k libër me CD muzikore është veç një kontribut modest i tij.
“Ky është një kontribut modest imi, sepse besoj që çdo ndryshim nis nga vetja. Sikur copëzat e Shqipërisë të duhen fort nga secili prej nesh, ajo ka për të qenë gjithmonë e më shumë e bukur, e fortë, krenare”, ka përfunduar Gëzim Myshketa.
Statusi i plotë:
Më në fund pa dritën publikimi i Librit me Cd Muzikor “TA DISH” Antologji e vogël e këngës tradicionale Shqiptare të përpunuar Vol.1.
Të dashur Miq,
Prej ditësh mendohem se si të gjej fjalët më të ndjera e të çiltra për të mbërritur te secili prej Jush. Kuptova, se ato janë të varfra, përpara thjeshtësisë së dashurisë që i kemi dhënë njeri-tjetrit në gjithë këto vite.
Kur nisa të këndoj që në fëmijëri, në qytetin tim të lindjes, në Durrës, nuk e kisha parashikuar kurrë që jeta ime do të vijonte me “valixhe në dorë” nga një shtet në tjetrin, në skena shumë të rëndësishme, me role të bukura që i kam shijuar pafund.
Ndihem i përkëdhelur e me fat në rrugëtimin tim profesional, megjithatë, nuk e fsheh dot ndjesinë e mungesës së; aromës së luleve të vendit tim… ngjyrës së qiellit të vendit tim… ndjej mall për rrugët, njerëzit, kripën e dallgëve, gjuhën e përveçme… ndjej mall për këngët e vendit tim…
“Ta dish…!”. Kjo përmbledhje muzikore e informative që keni në duar i thotë të gjitha:
Ta dish…sa më mungon!
Ta dish… sa të du’!
Ta dish…sa mirënjohës të jam për këtë që jam!
Ta dish… sa dua ti’a jap meritat që i takojnë kësaj krijimtarie!
Ta dish që me mend, shpirt e zemër jam gjithmonë te ty e me ty,
Shqipëri.
Ky është një kontribut modest imi, sepse besoj që çdo ndryshim nis nga vetja. Sikur copëzat e Shqipërisë të duhen fort nga secili prej nesh, ajo ka për të qenë gjithmonë e më shumë e bukur, e fortë, krenare!
Aty ku nis kënga të ligjërojë me gjuhën e saj, fjalët ndoshta janë të tepërta, ndaj s’më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju uroj dëgjim e lexim të mbarë./ KultPlus.com
Për disa ditë me radhë sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka mrekulluar publikun në Operan e Mynihut.
Shfaqja e parë me publik pas masave drastike të pandemisë është “zgjuar” më zërin e mrekullueshëm të artistes shqiptare.
Më 11 dhe më 13 qershor u shfaq opera e Puçini “Il Trittico” me regji të Lotte de Beer dhe me pjesëmarrjen e Ermonela Jaho, Ambrogio Maestri dhe Wolfgang Koch.
“Vetem kur ndihmojmë njëri-tjetrin mund të arrijmë diçka më të madhe se vetvetja. Falenderoj të gjithe familjen e produksionit të “Il Trittico” dhe publikun e Operas së Munihut që arrin të kthejë një sallë opere të oshëtijë sa një stadium me 100,000 vetë. Faleminderit që më kthyet zemrën që ju dhashë……”, ka shkruar më herët vetë Ermonela në rrjetet sociale./ KultPlus.com
Eli Fara është një këngëtare mjaft e dashur për publikun. Ajo karakterizohet me zërin e ëmbël e të veçantë, duke e bërë kështu ndër këngëtaret më të mëdha të muzikës shqipe pas viteve të 80-ta, shkruan KultPlus.
Sonte, KultPlus ju sjell këngën ‘Bie shiu pika pika’ nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Eli Farës.
Bashangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Bie shiu moj pika pika Besomë o baba se ika Të besova moj të besova Që ditën o moj që të fejova Ike, ike moj
More dhenë Kush t’ia bëj o babait kafenë Le t’ia bëjë kush të dojë Kush i tha të më martojë
Ike ike Moj more dhenë Kush t’ia bëj o nënë kafenë Le t’ia bëjë nusja e djalit që për mua moj ta marr malli. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për Sunny Hill Festival, shkruan KultPlus.
Ajo dhe babai i saj Dukagjin Lipa kanë organizuar tash e dy vite ‘Sunny Hill Festival’ i cili është një festival ndërkombëtar i muzikës në Kosovë që u zhvillua në Gusht 2018 dhe 2019 në kryeqytetin Prishtinë.
Dua dhe Dukagjin Lipa sot dhanë lajmin se ‘Sunny Hill Festival’ tashmë ka një adresë të përhershme në qytetin e Prishtinës.
Dua ndau një Instastory ku tha se ajo është aq krenare për atë që kanë arritur deri tani.
“Festivali ynë Sunny Hill Festival tashmë ka një adresë të përhershme në Prishtinë, Kosovë. Jemi kaq krenarë me arritjen e këtij rrugëtimi deri tani dhe mezi presim që të rritemi më shumë dhe të bëhemi edhe me një lokacion të ri! Ju faleminderit për të gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Do të shihemi së shpejti”, shkroi Dua në fotografinë të cilën e postoi në Instastory./KultPlus.com
Sabihaja u lind më 15 shtator 1912 dhe ishte e bija e dyte e doktorit Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani.
Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin E. Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos.
Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj.
Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.
Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.
Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!
Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…” Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt.
Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme./ KultPlus.com
Në një shkrim të gazetës “The Roman Sunday Observer” më datë 24 gusht 1980 botohej shkrimi mbi gjuhën shqipe të trashëguar ndër shekuj nga arbëreshët.
“E drejta për të folur shqip”
Lungro – “Shkolla duhet ta mbrojë, për momentin nuk e bën. Bën rezistencë ndaj këtij komuniteti. Mundësia e radios lokale dhe indiferenca e shtypit.
E quajnë: shkolla e heshtjes. Një fëmijë është në klasë fillore, bëhet pjesë e shpjegimit të mësueses që ka vënë në program, sot për sot, për tí bërë të kuptojë tingullin e çdo gërme. Mësuesja angazhohet maksimalisht dhe kur i pyet të shqiptojnë gërmën S dhe fjalën (Serpente) në shqip gjarpër: E Kuptuat fëmijë? Askush nuk përgjigjet, aty përballet me shkollën e heshtjes, sepse ata fëmijë ishin mësuar se Gjarpër fillon me G dhe jo me S (Serpente), si mund ta bënin dallimin këta fëmijë?
Është një shembull për të dalluar 21 gërmat që ka alfabeti Italian, kundrejt 36 gërmave që ka ai shqip, një ide e frikshme me të cilën përballeshin fëmijët shqiptarë që jetonin në Itali./ KultPlus.com
Prej datës 15 qershor e deri më 30 nëntor, arti i Helidon Xhixhës ndriçon Rezidencën Italiane dhe qendrën e Tiranës.
Ambasada e Italisë në Tiranë kremton, me veprën e artistit Helidon Xhixha, tridhjetë vite miqësi dhe solidaritet midis Italisë e Shqipërisë, në përkujtim të mbërritjes në Itali të dhjetëra mijëra shqiptarëve, me anije e varka rasti, në brigjet e Puglia-s në vitin 1991.
Eksperienca e jetës së Helidonit, i cili tridhjetë vite më parë mbërriti në Puglia me një nga ato anije për të gjetur të ardhmen në “Vendin përballë”, dhe arti i tij, i aftë të përhapë një energji force, drite e rinovim konstant, janë simboli i një bashkimi kulturor me vlerë të pabesueshme dhe janë dëshmia e gjallë e një prej historive të suksesit që kanë sjellë tridhjetë vite integrim shqiptar në Itali.
Në dhjetëvjeçarët e fundit, Helidon Xhixha (i lindur në Durrës në vitin 1970) u imponua si një personalitet me rëndësi në skenën artistike bashkëkohore, duke u vlerësuar shumë nga kritika në nivel ndërkombëtar. Vizioni dhe teknika inovative e Xhixhës përkthehen në një art publik monumental që ripërcakton marrëdhënien midis skulpturës dhe mjedisit që e rrethon. Pasi trashëgoi nga i ati pasionin për artet, Helidoni u arsimua në Itali, pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Brera-s, ku mundi të zhvillojë teknikën e tij.
Skulpturat e tij tredimensionale prej çeliku inoks nxjerrin në dritë marrëdhënien e brendshme që ekziston midis veprës së artit dhe mjedisit që e rrethon. “Unë nuk i gdhend materialet, i përdor ato për të gdhendur dritën”, ka deklaruar ai vetë.
Në kuadër të nismave të ndryshme kulturore që gjatë verës do të kremtojnë tridhjetë vjetorin e solidaritetit midis Italisë e Shqipërisë në të dyja brigjet e Adriatikut, Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, përuroi një prej shesheve kryesorë të qendrës së Tiranës, shesh i rinovuar së fundmi, i cili rimori emrin “Sheshi Italia”, me veprën monumentale “Big Bang”, me rastin e Festës së Republikës. Skulptura monumentale e artistit (480X480X480 cm), një sferë prej çeliku me elementë të ndritshëm e të shkëlqyer, komunikon në një kontekst sugjestionues që ndërthur elementë arkitektonikë racionalistë të viteve ‘ç të shekullit të kaluar, karakteristikë e gjenialitetit të arkitektit italian Gherardo Bosio, me artin bashkëkohor arkitektonik të Marco Casamonti-t, i cili ka projektuar Stadiumin e ri Kombëtar.
“Skulptura është një himn për rilindjen që reflekton mbi nisjen e kohës e hapësirës. Rikrijon një shpërthim të aftë për të lëshuar një energji të pafundme e të pastër, të nevojshme për të rivënë në lëvizje universin tonë, jetët tona. Çdo çast është një fillim i ri”, në këtë përfundim ka arritur skulptori pasi e ka realizuar veprën.
Vepra është prezantuar nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, si “simboli i rilindjes që kemi zgjedhur me rastin e Festës së Italisë në Shqipëri, një ftesë për t’iu rikthyer hapësirave publike e hapësirave tona, historisë dhe kulturës sonë të përbashkët, pas vështirësive dhe vetmisë që na u desh të përjetojmë gjatë pandemisë”, me rastin e një ceremonie në të cilën morën pjesë, përveç artistit dhe kuratorit Anselmo Villata, edhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Më datë 15 qershor Rezidenca e Italisë në Tiranë rihap dyert e saj për qytetarët, duke mikëpritur ekspozitën e parë antologjike të artistit Xhixha në Shqipëri. Bashkimi i dritës është një rrugëtim i cili përvijohet nga vepra e parë e artistit e deri tek vepra e fundit, rrugëtim i nisur me këtë ekspozitë për herë të parë. Një rrugëtim në jetën, në artin, në materialet dhe në format e artistit, i konceptuar për të përjetuar me historinë e tij, në formë simbolike, atë të atyre mijëra shqiptarëve të cilët, në tridhjetë vitet e fundit, kanë gjetur një shtëpi e re në Itali dhe që sot, gjithmonë e më shpesh, kthehen në Vendin e tyre duke kontribuar në një emigracion qarkullues suksesi dhe në përforcimin e një marrëdhënieje miqësie unike midis Italisë e Shqipërisë.
Në bashkëpunim me Harabel, shoqata kryesore për promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri, Ambasada do të organizojë vizita të udhëhequra dhe workshop-e për shkollat në mëngjes si edhe vizita të lira e udhëhequra gjatë pasdites./shqiptarja/KultPlus.com
Nga fototeka historike “Marubi”, fotografia e një burri të njohur në mbarë Shkodrën, si Kupe Danja. Ai kujtohet për gjestin shumë fisnik në kohën e pushtimit osman.
Kur Kupe Dania pa udhës dy asqerë osmanë që po ngacmonin një grua katolike, edhe pse i besimit mysliman i doli zot zonjës dhe pasi përplaset me ushtarët turq, i vret të dy!
Pra, i të njëtit besim me osmanët, Kupe Dane qëndroi e vrau zabitët, për një grua të tjetër besimi… sepse ishte shqiptare! Emri i tij edhe sot evokon shqiptarizëm, ashtu si motoja e hershme e shqiptarëve kundër pushtuesve:”Feja e shqiptarit është shqiptaria!”…
Poeti dhe intelektuali Arshi Pipa, i ka kushtuar vargjet e një poemë Kupe Danes, për aktin aq burrëror:
KUPE DANJA …
“Kû bân brryl kah Arra e Madhe rruga e Tepes n’për livadhe kishin ndenjë tue pí duhan nji çaush, nji djál azgan, bashkë me j tjetër mâ të rí, turq të dy dhe suvarí. Vjen nji grue me branavekë. Fluturon, thue me i prekë n’tokë pashmânga; posi krahë letë shkon kindat tue ja rrahë era e mbrâmes, degermís, fjolla flokësh prej shamís neper báll i janë përdarë… « Mbrâmja e mirë oj nusja e mbarë! Kam nji shoq, âsht pak qyqár! Fort maraku n’ty e ka kapë: lidhja sŷtë e bâ seváp! »
« Pse më lodhë, moj, kish ta dishe, shega e âmbel devedishe! Pse më lodhë e pse më bjerrë! Bâhem gjarpën n’u ─ bâfsh ferrë! Bâhem zog n’u ─ bâfsh qershí fluturoj, mbi gem të rrí! Ato duer, mori sulltanë s’janë për vegjë e për gjylpânë! Në mi dhânsh, moj, gjinj e gushë me florinj kam me t’i mbushë, me florinj e me inxhí, e kam babën Kujunxhí ja grabis, t’i bâj dhantí!»
Nalt n’minare thrret akshami; vjen tue hjekë tespijt imami. Ngjiten burrat prej pazari, vijnë te pusi bri çinari. N’patalok kû losin fmija te bakalli, simiçija ndrrohen gjindja tash e parë; shkon talim nji tubë ushtarë.
Kupe Danja n’ato fjalë vên tarabat, shkon me u-falë. E qet rruga andej me rá, shef me sŷ, nuk don me pá. Shef me sŷ, vjen tue u-ndezë: « Turp e mârre! faqe e zezë! Kaq u-bâna, kët hatá s’e kam ndie as s’e kam pá! » Kupe Danja llafepaku tha nji fjalë, e ndjeu sokaku: « S’âsht për búrr me ngucë çarçafë, me i rá kot të vorfnit n’qafë! » Nuk pat sosë kur briti grueja: « Mjera vetë qi ndodha e hueja! Mjera vetë ndër gjithkta njerz qi m’la turku sot pa erz! » Kupe Danja hodhi krahun: « Mosni burra, pashë Allahun! » « Dashke gjobën ti daí? Kthen çaushi si n’mahí: Kû po t’hiqet ashkel tye? » Gjimon trimi tue shpërthye: « Páç nishane, ngrì qofsh n’ár i thonë erz, s’blehet n’pazár! I thonë erz, nuk i thonë krande…» « Kupe Danja, n’dore tânde!» Kupe Danja doren n’brez: « A po shkoni, faqezez? » Vrret çaushi shokut t’vet: « Bjeri qenit se na mbet! » Mâ s e ngjati, i hoqi gisht… « Ndihmo Zojë e Jezu Krisht! » Krisi pushka, u kuq kalldrâmi: Kupe Danes i mbet nami.
Kupe t’dalshin mendt e krés, çka t’u-desht ty kjo ngatrresë! Báne hasmin tánd me qeshë vrave turk për nji kaurreshë! « Agallarë, ju mos u-idhnoni! Feja, fé… por âsht zakoni! âsht kanuni qi la i pari: mârre e dhunë nuk bân shqiptari. Më rá ndore, ndodhi grue… Kush e kah s âsht punë për mue. Se qilloj për katolik: i ndihmoj kur âsht n’rrezik, e kam shoq s e kam anmik. I ndihmoj si m’ka ndihmue: sot atij e neser mue. Ndryshe kém Bajram e Pashkë besë e bderë i kemi bashkë! Kët rrezik s e deshta i ngrati, borxh m’u bâ… qilloj sahati. Nuk jam trim qi bâj trimní, nuk kam emën, pasuní. Jerevi më ka lanë baba kam dugâjë me trí taraba. Po s e thot as robi as Zoti me u-poshtnue kotnasikoti, me durue qi n’votër tande kur t’i teket kur ti kande’ nji kopuk prej Anadollit me t’i ba paçaver sqollit gjithshka ma për zemër ké, qi pa to, e bafsha bé kot me bâ hije mbi dhe! »
Mori fjala mal e kodër. Qofsh e parë gjithmone, o Shkodër! Të lumtë pushka, Kupe Dane! Kânga jote m’katër ane!
Nget bimbashi, nji harap: « Do ta rrjepi posi sqap! Zênje Kupen gjallë a vdekë: ka guxue n’asqer me prekë! »
Thrret kasneci, bie nji lodër: Qitni Kupen mori Shkodër! S e qet Shkodra kurr Jakupin se vrau t’flligunin, magjupin! Mbos e mbajshin ana e vet e mban prifti njizet vjet me fërrlik e me sherbet!
U-çue pasha e prej inati i muer gjindt ja hallakati, i vû zjarmin me çka pati. U-çue prifti, vendi mbarë, shehërlij e katundarë, me t’ungjillit e t’islamit, turrevrap ju gjegjen dâmit. Po n’at plâng e n’ato troje mâ të bukur mbi rrenoje ja goditën nji konak me nji qoshk përmbi çardak.”
Arshi Pipa Burgu i Gjirokastrës, 1950/ KultPlus.com
Këtë të premte do të bëhet promovimi i librit fotografik për azilkërkuesit dhe refugjatët në Kosovë, ‘Meet my soul’, i autores Malisa Zymberi, shkruan KultPlus.
‘Meet my soul’, synon që dhimbjen, dashurinë, agoninë, lumturinë, pikëllimin dhe përjetimet që njerëzit në lëvizje I kanë kaluar në vendin e tyre të origjinës dhe gjatë udhëtimit të tyre deri në Kosovë; ti përçojë përmes syve.
Libri do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com
Bazuar në Paktin për Universitetin, si dhe në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit përfaqësuar nga drejtori Iris Elezi nënshkroi në muajin Tetor 2020 një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin POLIS për zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta për studimin, vlerësimin dhe rikonceptimin e hapësirave muzeore dhe hapësirave të ruajtjes së fondeve arkivore në AQSHF, përcjell KultPlus.
Bashkëpunimi mes AQSHF dhe Universitetit Polis zgjati 8 muaj dhe angazhoi 69 studentë të ndarë në grupe, si dhe pedagogët e tyre Joana Dhiamandi dhe Gjergji Poci, për përpilimin e projekteve arkitektonike për rikonceptimin e hapësirave të interierit në godinën e AQSHF-së.
Nesër me fillim nga ora 14 :00, në sallën e shfaqjeve në AQSHF do të organizohet ceremonia e përzgjedhjes së 3 projekteve më të mira si dhe vlerësimi i studentëve fitues. Në aktivitet do të shfaqet edhe një video ilustruese e punës së studentëve./ KultPlus.com
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Kantonin e St. Gallenit, në Watwil organizoi kë fundjavë promovimin e librit “Shkolla Shqipe” i autorit Vaxhid Sejdiu. Në këtë veprimtari morën pjesë mësues, nxënës, aktivistë e bashkatdhetarë.
Ky botim ka vlerë si didaktike ashtu dhe do të shërbejë si një historik orientues për kontribute mësuesish në kohë, për bashkimin e shqiptarëve tek institucioni i arsimimit dhe i njohjes së gjuhës shqipe nga breza fëmijësh nëpër dekada.
Vlerësimi i autorit të këtij libri bëhet edhe më i madh, kur njihesh me dashurinë dhe pasionin e tij për misionin e shenjtë të arsimdashjes dhe të këmbënguljes për tre dekada rresht për mësimin e nxënësve të Diasporës./ KultPlus.com
Është publikuar trailer i ri i filmit të ardhshëm të zhanrit aksion dhe komedi, “Free Guy”, i cili e sjellë aktorin e njohur hollywoodian, Ryan Reynolds, në rolin e një burri i cili e kupton se është personazh dytësor në një videolojë.
Në projektin e shumëpritur filmik luan edhe aktorja Jodie Comer, e njohur për rolin e vrasëses Villanelle në serinë e shumëshpërblyer, “Killing Eve”, si dhe aktorët Lil Rel Howery, Utkarsh Ambudkar dhe Taika Waititi.
Me regji të Shawn Levy, filmi do të publikohet nëpër kinema më 13 gusht të këtij viti.
“Free Guy” është vetëm një prej projekteve të shumta me buxhet të lartë të ndikuara nga pandemia. Ndër filmat e shumtë që pritej të lansoheshin në vitin 2020 por u shtynë për një vit, janë edhe “Black Widow”, “Eternals”, “Minions: The Rise of Gru”, “Jungle Cruise”, “No Time to Die” dhe të tjerë. / KultPlus.com
Instituti i Historisë Ali Hadri-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë organizuan konferencën shkencore jubilare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”.
Në këtë konferencë referoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Më tej, Akad. prof. dr. Marenglen Verli nga Instituti i Historisë në ASA paraqiti kumtesën me titull: “Refleksione për qëndrimin e shqiptarëve prej revoltës së dimrit të viteve 1944-1945 dhe demonstratave të viteve 1968-1981-1989 deri në luftën e Kosovës 1998-1999”.Akad. prof. dr. Beqir Meta dhe dr. Hasan Bello paraqitën kumtesën me titull: “Shtypi amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981”.Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Konteksti ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”.Ndërsa, dr. Artan Hoxha paraqiti kumtesën me titull: “Pasqyrimi i revoltave kosovare të vitit 1981 në shtypin komunist”.
Në datën 11 qershor pjesëmarrësit në konferencë kryen vizita në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz dhe në kullat e Tahir Mehës dhe Ahmet Delisë ku janë zhvilluar luftime dhe është bërë qëndresë e jashtëzakonshme, përkatësisht në vitet 1998, 1981 dhe 1913. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi javën e kaluar një koncert të njërës prej këngëtareve ikonë e që mbetet një nga zërat më të njohur dhe të dashur jo vetëm të trevave të Shqipërisë së Mesme por të mbarë vendit, Fitnete Rexha.
Kjo shfaqje erdhi si premiera e parë e ciklit të koncerteve të Ansamblit Popullor “Gjerdani i artë” dedikuar kësaj artisteje dhe këtij zëri brilant, i cili në fakt nuk ishte vetëm një koncert por një faqe e rëndësishme e historisë së “TKOBAP”.
Nga institucioni i teatrit kjo shfaqje është vlerësuar edhe si “tërmet emocional, në një shfaqe tepër të veçantë, të mbushur me emocione të prekshme”.
Fakti interesant dhe bën optimist shumëkënd që jeta artistike po i rikthehet edhe njëherë tjetër normalitetit dhe se kjo është një arsye më e madhe për të vazhduar fuqishëm me organizime të projekteve të përmasave të tilla është fakti që numri i personave të cilët kanë ndjekur aktivitetin në faqen e rrjeteve sociale të “TKOBAP” arriti numrin e 27,183 personave online nga e gjithë bota. /atsh / KultPlus.com
Të shumta janë sopranot shqiptare që na përfaqësojnë denjësisht në skenat botërore. Së fundmi Elbenita Kajtazi ka mbajtur recitalin e saj në konkursin e këngës në BBC Cardiff Singer of the World.
Në një postim të bërë në Facebook lidhur me recitalin e mbajtur nuk ka munguar përkrahja dhe vlerësimi i sorpranos së njohur Ermonela Jaho.
“Krenare për ty. Bravo”, shkruan në komentin e saj një ndër ambasadoret e muzikës klasike shqiptare në botë. / KultPlus.com
Disa artikuj që dikur ishin pronë e ikonave të industrisë së muzikës, u shitën për një shumë afërsisht 5 milionë dollarë, gjatë një ankandi tre ditorë të organizuar në shtëpia e ankandeve “Julien’s”.
Në mesin e gjësendeve të shitura ishin edhe karikatura e portretit të muzikantit të ndjerë Kurt Cobain, piano e Elton Johnit dhe kitara elektrike e këngëtarit Prince, përcjell KultPlus.
Më shumë se 1.000 artikuj përfshiheshin në këtë ngjarje përfshirë këtu instrumente, relike, veshje dhe pasuri tjera personale që dikur ishin pronë dhe ishin përdorur nga artistë të zhanreve të ndryshme.
Ndër artistët tjerë pjesë e këtij ankandi ishin: Eddie Van Halen, Alex Van Halen, “The Beatles”, Elvis Presley, Cher, Lady Gaga, Madonna, Jimi Hendrix, Bernie Taupin, Tom Petty, Tupac Shakur, Whitney Houston, “The Doors” dhe Little Richard.
Vizatimi i vokalistit të grupit “Nirvana”, Kurt Cobain, i krijuar në vitin 1992 gjatë turneut promovues të albumit, “Nevermind”, u shit për 281 mijë dollarë, shumë kjo 28 herë më e madhe se vlera origjinale e llogaritur prej 10 mijë dollarësh, përcjell KultPlus.
Kitarja e kaltër e markës “Cloud” e porositur në vitin 1994 dhe e shfrytëzuar nga muzikanti, Prince, u shit po ashtu për 281 mijë dollarë.
Një piano e kuqe e markës “Yamaha”, e cila e mbanë nënshkrimin e këngëtarit britanik, Elton John, së bashku me një karrige të kuqe që është pjesë e këtij seti, u shitën për 150 mijë dollarë. Kurse teksti i firmosur dhe i shkruar me dorë nga Bernie Taupin, i hitit të Elton Johnit, “Candle in the Wind”, arriti të shitet për 76,800 dollarë.
Kostumi i zi së bashku me xhaketën e lëkurës të cilat ylli i muzikës, Cher, i kishte veshur në videoklipin e këngës “If I Could Turn Back Time” u shit për 115,200 dollarë.
Ndërsa, bateritë e krijuara me porosi nga marka “Pearl” të cilat ishin shfrytëzuar nga bateristi i grupit “KISS”, Eric Singer, u shitën në vlerë prej 75 mijë dollarëve.
Ky organizim i shtëpisë së ankandeve “Julien’s” zuri vend nga e premtja deri të dielën, dhe po konsiderohet një ngjarje mjaft e suksesshme. / KultPlus.com
Që nga themelimi i saj në vitin 1984, studio holandeze “Mecanoo”, ka krijuar një reputacion për hartimin e bibliotekave të gjalla dhe tërheqëse.
“Unë jam i njohur për të thënë që bibliotekat janë ndërtesat më të rëndësishme publike, unë ende qëndroj prapa kësaj,” thotë për Designboom drejtori krijues dhe partneri themelues i firmës, Francine Houben.
Në qershor të vitit 2021, biblioteka publike e Nju Jorkut hapi zyrtarisht bibliotekën e fondacionit, Stavros Niarchos (SNFL), një ndërtesë që iu nënshtrua një rinovimi të plotë nga Mecanoo në bashkëpunim me firmën e re me bazë në Nju Jork, e ndërtuar brenda kornizës së guaskës dhe çelikut të vitit 1914 të bibliotekës në mes të Manhatanit të cilën ajo zëvendëson.
Ndërtesa është në krye me një çati këndore të veçantë.
“Në Nju Jork ka njerëz të rinj, është super i ngarkuar me energji, diversitet dhe shpresë, qyteti më i madh i Amerikës meriton më të mirën që mund të jetë një bibliotekë qendrore qarkulluese”, tregon Houben.
Projekti u krijua për të plotësuar degën kryesore të bibliotekës publike të Nju Jorkut, e cila ndodhet në anën e kundërt të rrugës së pestë, dhe për të integruar të dy vendet si një kampus në mes të qytetit.
Tiparet e reja pasqyrojnë këtë harmoni midis ndërtesave: tavolina të gjata që kujtojnë shkallën mbresëlënëse të dhomës së leximit në “degën kryesore”, vepra arti në tavan në “dhomën e gjatë” që bën jehonë pikturave neo-klasike të vendosura në tavanet të kësaj të fundit, dhe përdorimin e materialeve klasike duke përfshirë gurin natyror dhe lisin.
Kati përdhes i SNFL është rregulluar rreth një rruge të brendshme që kalon nën një tendë lineare lundruese të trarëve të drurit, nga hyrja e rrugës së pestë deri në tryezat e mirëseardhjes. Zemra e bibliotekës është “room” apo “dhoma e gjatë”, një hapësirë e re që sjell vërtet idenë e një biblioteke në strukturën e vjetër, e cila fillimisht u krijua si një dyqan.
Ashensorët dhe shkallët vazhdojnë në katin e shtatë, i cili është ndërtuar në nivelin e kulmit të ndërtesës origjinale. Ky kat i ri ka tavane me pllaka druri dhe përmban një qendër fleksibile për konferenca dhe ngjarje me 268 persona. Së jashtmi, një tarracë çatie në formë të “L”, përfshin një kopsht çatie dhe një kafene të brendshme. Është e vetmja çati e lirë, e arritshme nga publiku në Manhattan, dhe ofron pamje gjithëpërfshirëse të mjediseve të ndërtesës.
Katrani i tij me kënd dhe një sipërfaqe alumini të patinuar me ngjyrë bakri, është i frymëzuar nga çatitë e veshura me bakër të arteve të bukura të Manhatanit, shembujt e të cilave janë të dukshme nga tarraca. / zhurnal.mk / KultPlus.com
Ndonëse, stresi dhe idetë e paarritshme kanë qenë prezente pothuajse çdo herë, këmbëngulja dhe vetëbesimi janë dy ndjenja që dominojnë në punën e saj të cilën ajo e sheh si një vlerë të madhe ku çdo sakrificë dhe sfidë harrohet lehtësisht kur në fund vëren suksesin e saj në punë e sidomos me koleksionin e saj të fundit që për karakteristikë ka ngjyrat e forta dhe detajet finesë të punuara me dorë, shkruan KultPlus.
Detajet si rol kyç në fushën e saj, konsiderohen një diferencë e lartë mes modeleve të ndryshme dhe stilit personal të veshjeve prandaj edhe nuk është aspak e vështirë që detajet të mbizotërojnë kur ato janë në vendin e duhur. Përveç detajeve dhe siluetave, në koleksionin e saj të fundit që dallon shumë nga stili i zakonshëm i saj me të cilën jemi mësuar ta shohim, vërehet një ndryshim i madh për sa i përket ngjyrave ku ajo e kuqja, indigo dhe portokalli përplasen fuqishëm në veshje të cilat shfaqen si një bombë e ngjyrave. E kjo në fakt është një ndryshim i madh për Kikën sepse ajo për herë të parë ka shfaqur një anë të sajën që nuk është parë më herë, për arsye se ajo anon më shumë në ngjyrat pastel.
Një pikë tjetër e fortë e këtij koleksioni si një veçanti e radhës janë edhe ‘headpieces’, që njëkohësisht me ngjyrat e ndezura, vijnë për herë të parë e të cilat janë të punuara me dorë. Ndërsa, koleksioni numëron gjithsej 10 veshje apo fustane të cilat përafërsisht kanë marrë kohë rreth 1 deri në 2 muaj ku intensiviteti nuk ishte i pranishëm për shkak se puna e ngadaltë ka sjell një punë të cilën Kika e ka dëshiruar që herët për të parë fundin total të koleksionit.
Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Nadira Kika, ka shpalosur edhe detajet që mbizotërojnë në të gjitha koleksionet e saj.
“Kryesisht janë: ngjyra kuqe, kaltër, portokalli dhe hiri. Nuk kam ndonjë ngjyrë që shihet më pak në dizajnet e mia por për sa i përket koleksioneve të mia, ngjyrat e kuqe janë ato që i përdori më pak sepse është një ngjyrë që nuk më inspiron dhe nuk e gjej veten”, thotë Kika.
Sipas saj, fillimisht, është një koncept mbi të cilin ajo bazohet ku ekziston një ‘moodboard’ me të cilën janë ngjyrat, format dhe detajet që atë e frymëzojnë. Kështu që nga ai moodboard procesi i saj vazhdon me skicim pastaj vazhdon me përzgjedhjen e materialeve deri në realizimin e skicave.
“Për të gjithë ata që e përcjellin stilin tim me siguri kanë parë dy lloje të stileve gjatë këtij rrugëtimi, unë gjithmonë mundohem t’i mbaj dy llojet e stilit si: “Ready to wear” dhe “Pret-a-couture”, ku njëri është me veshje të përditshme dhe tjetri është me fustane elegante. Kurse, porositë e klientëve janë kryesisht ato çka ne i postojmë në rrjete sociale, ndonjëherë me ca ndryshime në bazë të linjave trupore”, thotë Kika.
Për Kikën, njëra ndër porositë të cilën ajo do e veçonte do të ishte ajo e një gruaje e cila ka pasur kancer të gjirit e një punë kjo me të cilën Kika ka punuar me shumë delikatesë, dashuri dhe ndjeshmëri. Kurse, si njëra ndër vështirësitë më të mëdha, ajo përmendi njohjen e targetit me të cilin ajo punon. Koha dhe përkushtimi për të gjetur targetin e duhur janë dy pikat kryesorë që kanë shënuar vështirësinë e madhe në punën e saj.
Ajo tutje ka folur rreth specialitetit me të cilën dallohet nga të tjerët në fushën e saj, e për çka ajo mundohet të sjell çdo herë diçka më unike.
“Fillimisht, unë mendoj se stili im personal e bënë diferencën mes meje dhe dizajnerëve të tjerë. Llojet e materialeve me të cilat unë punoj dhe i sjell, mundohem që çdo herë të jenë më unike, e po e njëjta vlen edhe për çmimet e ndryshme. Gjithashtu, besoj se jam njëra ndër dizajneret e pakta që i mban dy linja njëkohësisht, atë me veshje të përditshme dhe atë me fustane elegante”, përfundon Kika për KultPlus.
Ndërsa, synimet e saj për të ardhmen përfshijnë së paku një apo dy koleksione brenda këtij viti, kurse momentalisht ajo është duke punuar në disa plane afatgjate për sa i përket tregut ndërkombëtarë. Në ndërkohë, të pasionuarit pas veshjeve diversive, detajeve unike qoftë në veshjet e përditshme apo edhe solemne si dhe pas ngjyrave të llojllojshme, mund ta ndjekin punën e disenjatores Nadira Kika. / KultPlus.com