Bill Gates: Tregohu i mirë me ata që mësojnë, mund të përfundosh duke punuar për ta

Më 28 tetor të vitit 1955 lindi Bill Gates, njeriu që botës i dha kthesë historike për sa i përket teknologjisë dhe zhvillimit të saj. Gates është pronari edhe kryearkitekti softëare-i i firmës së njohur Microsoft e cila bënë xhiro rreth 36.84 miliard dollar Amerikan në vit edhe ka 128,000 punëtorë[1] të shpërndarë në 85 vënde të ndryshme në botë.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Gates, të cilat sipas tij nuk mund t’i mësoni në shkollë..

1. Jeta nuk është e drejtë, mësohuni me të.
Mjaft pritët që jeta “t’ju sjellë” gjërat që ju mendoni se “i meritoni”.
2. Botës nuk i bëhet vonë për vetëvlerësimin tuaj.
Filloni të bëni diçka me veten dhe për veten tuaj sot. Tani!
3. Nuk do të kesh një pagë me gjashtë shifra menjëherë pas shkollës.
Do të duhet të punosh fort për të arritur atë që dëshiron.
4. Nëse mendon se mësuesi është i ashpër, prit të shohësh si do të jetë shefi.
Në vend të të “hajë me dhëmbë” përpara klasës, tani do të jetë përpara një zyre të tërë.
5. Gatimi i hamburgerëve nuk është “përtej dinjitetit tënd”.
Gëlltite atë krenari idiote dhe merre atë punë që tani mendon se është nën nivelin që ti meriton.
6. Nëse i çon gjërat për dreq, nuk është faji i prindërve.
Mjaft shpërndave fajësime dhe fillo të marrësh përgjegjësi për dështimet e tua.
7. Prindërit dinë diçka që ti nuk e di.
Ndoshta, para se të lindje ti, prindërit e tu nuk kanë qenë aq të mërzitshëm sa janë sot.
8. Shkolla mund të ketë hequr fituesit dhe humbësit, por jeta jo.
Rezultati i një provimi nuk justifikon mjetet. Nuk ka as edhe ngjashmërinë më të vogël me atë që ndodh në jetën reale.
9. Jeta nuk është e ndarë në semestra.
Një herë që fillon, jeta vazhdon e vazhdon, pa fund. Kështu që shpenzoje kohën tënde duke bërë një gjë që vlen.
10. Ajo që sheh në televizor nuk është jetë reale.
Në jetën reale, njerëzit duhet ta lënë kafenenë dhe të shkojnë në punë.
11. Tregohu i mirë me ata që vetëm mësojnë.
Shanset janë që do të përfundosh të punosh për një prej tyre. / KultPlus.com

Regjisorja Berisha u gjet e vdekur në zyrën e saj, policia jep detaje

Mesditën e së mërkurës, regjisorja Burbuqe Berisha ka vdekur derisa ishte në vendin e saj të punës, në Ministri të Kulturës, transmeton KultPlus.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se Berisha u gjet e vdekur në zyrën e saj, ndërkaq vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Po ashtu, është bërë e ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Prishtinë 27.10.2021-13:20. Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia.

Ndryshe varrimi i regjisores Burbuqe Berisha do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë. / KultPlus.com

Homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha

Sot mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha.

Homazhet nisin nga ora 12:00 dhe vazhdojnë deri në orën 14:00, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, transmeton KultPlus.

Berisha varroset sot në orën 15 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Ajo vdiq dje në objektin e MKRS në moshën 51 vjeçare. / KultPlus.com

Mbi 16 mijë turistë vizituan muzetë e Beratit

Muzetë e qytetit të Beratit u vizituan nga 16 274 vizitorë në periudhën janar-shtator të këtij viti.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se “muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj, me vlerat e koleksioneve të tyre”.

“Qendrën Muzeore Berat e vizituan nga 16 274 vizitore vendas dhe të huaj, ku numri më i lartë u shënua kryesisht gjatë periudhës së sezonit të verës”, – tha Polovina.

Sipas tij, nga këta rreth 11 000 vizitorë të huaj dhe rreth 5000 vizitorë vendas.

Drejtori Polovina bën të ditur se “në muajt gusht dhe shtator muzetë e QMB kanë pasur 8 740 vizitorë, janë muajt në të cilët kemi pasur nivelin më të lartë të vizitueshmërisë”.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga nobelisti Orhan Pamuk

Ferit Orhan Pamuk është një romancier, skenarist, akademik dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006.

Një nga romancierët më të shquar të Turqisë, ka shitur mbi 13 milionë libra në 63 gjuhë, duke e bërë atë shkrimtarin më të shitur të vendit.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një koleksion të thënieve më të bukura të nobelistit Pamuk:

“Gjëja e parë që mësova në shkollë ishte se disa njerëz janë idiotë; gjëja e dytë që mësova ishte se disa janë edhe më keq.”

“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.”

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të dish që mban gjithë botën.”

“Unë nuk dua të jem pemë; Unë dua të jem kuptimi i saj.”

“Qentë flasin, por vetëm me ata që dinë të dëgjojnë.”

“Më thuaj atëherë, dashuria e bën njeriun budalla apo vetëm budallenjtë dashurohen?”

“Piktura është heshtja e mendimit dhe muzika e shikimit.”

“Librat, të cilët i ngatërrojmë si ngushëllim, vetëm sa e thellojnë pikëllimin tonë.”

“Muzetë e vërtetë janë vende ku koha shndërrohet në hapësirë.”

“Në fund të fundit, një grua që nuk i do macet nuk do ta bëjë kurrë një burrë të lumtur.”

“Pakënaqësia ime më mbron nga jeta.”

“Njerëzit thonë gënjeshtra vetëm kur ka diçka që ata janë tmerrësisht të frikësuar se mos e humbasin.”

“Për aq sa jetoj, nuk do t’i imitoj dhe nuk do ta urrej veten se jam ndryshe nga ata.”

“Sepse nëse fytyra e një të dashuruari mbijeton e zbukuruar në zemrën tuaj, bota është ende shtëpia juaj.”

“Çfarëdo që të thotë dikush, gjëja më e rëndësishme në jetë është të jesh i lumtur.”

“Mundohuni të zbuloni se kush jam unë nga zgjedhja ime e fjalëve dhe ngjyrave, pasi njerëz të vëmendshëm si ju mund të ekzaminojnë gjurmët e këmbëve për të kapur një hajdut.”

“Asgjë nuk është aq befasuese sa jeta. Përveç shkrimit. Përveç shkrimit. Po, sigurisht, përveç shkrimit, i vetmi ngushëllim.”

“Ne nuk jemi budallenj! Ne jemi thjesht të varfër! Dhe ne kemi të drejtë të insistojmë në këtë dallim.”

“Jeta është e bukur nëse jeni në rrugë për diku.”

“Gjëja që na lidh së bashku është se ne të dy kemi ulur pritshmëritë tona për jetën.”

“Papritur e kuptoi se ishte i dashuruar me İpek. Dhe duke kuptuar se kjo dashuri do të përcaktonte pjesën tjetër të jetës së tij, ai u mbush me frikë.”

“Unë nuk jam gjë tjetër veçse një kufomë tani, një trup në fund të një pusi.”

“Parajsa ishte vendi ku mbanit gjallë ëndrrat e kujtimeve tuaja.”

“Lumturi do të thotë të jesh pranë atij që do, kjo është e tëra. (Arritja e posedimit të menjëhershëm nuk është e nevojshme).”

“Kuptova se malli për art, si malli për dashuri, është një sëmundje që na verbon dhe na bën të harrojmë gjërat që tashmë i dimë, duke errësuar realitetin.”

“Në një qytet, ju mund të jeni vetëm në një turmë, dhe në fakt ajo që e bën qytetin një qytet është se ju lejon të fshihni çuditshmërinë në mendjen tuaj brenda turmave të tij të mbushura plot.”

“Orët dhe kalendarët nuk ekzistojnë për të na kujtuar kohën që kemi harruar, por për të rregulluar marrëdhëniet tona me të tjerët dhe në të vërtetë me gjithë shoqërinë, dhe kështu i përdorim ne.”

“Le ta dinë të gjithë, kam jetuar një jetë shumë të lumtur.”

“Unë kam nevojë për dhimbjen e vetmisë për të funksionuar në imagjinatën time.”

“Por unë mendoj se duhet të jetë më e lehtë për një vajzë të martohet me dikë që nuk e njeh, sepse sa më shumë të njohësh burrat, aq më e vështirë është t’i duash ata.”

“Zhytja në problemet e një libri është një mënyrë e mirë për të mos menduar për dashurinë.”

“…përsëritja e pafund e një mrekullie të zakonshme.”

“Piktura mësoi letërsinë të përshkruajë.”

“Më lejoni së pari të them drejtpërdrejt se ndryshe nga çfarë kemi lexuar shpesh në libra dhe kemi dëgjuar nga predikuesit, kur je grua, nuk ndihesh si Djalli.”/KultPlus.com

YAZAR *** Local Caption ***

Pllaka e Majave i rikthehet Guatemalës

UNESCO organizoi një ceremoni për dorëzimin vullnetar të një pllake guri të epokës së Majave, e zhdukur nga zona arkeologjike Piedras Negras në Guatemala në vitin 1960.

Dorëzimi iu bë Ambasadorit të Guatemalës nga një koleksionist privat.

“Kam kënaqësinë të përshëndes dhe falënderoj vullnetin e zonjës Manichak Aurance, kompanitë private, si dhe institucionet publike dhe organizatat shumëpalëshe dhe shoqërinë civile për gjestin e pranimit të dorëzimit vullnetar të fragmentit që u mor nga toka jonë, ” tha ambasadori Francisco R. Gross Hernández.

Kjo pllakë u zhduk nga zona Piedras Negras në vitin 1960. Ajo u rishfaq në Paris në vitin 2019 gjatë një ankandi.

Falë mobilizimit të përbashkët të Guatemalës, Francës dhe UNESCO-s, shitja u pezullua dhe filloi ndërmjetësimi.

“Jam sinqerisht e lumtur dhe shumë krenare që do t’ju dhuroj këtë artefakt që im shoq  dhe unë kishim shumë për zemër dhe të kontribuoj në ruajtjen e trashëgimisë së Guatemalës”, tha Znj. Manichak Aurance e cila vendosi të kthejë vullnetarisht fragmentin në Guatemalë.

Ky fragment i rëndësishëm tregon pjesën e sipërme të mbulesës luksoze të kokës së një sundimtari antik të Piedras Negras, i cili hipi në fron në vitin 729 pas Krishtit. Fragmenti përshkruan sundimtarin me një fustan nefriti të veshur nga perëndia e misrit.

Artefakti do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Etnologjisë në qytetin e Guatemalës./oranews/KultPlus.com

Shtëpia e lindjes e Maradonës shpallet memorial kombëtar

Pothuajse një vit pas vdekjes së të madhit të futbollit, Diego Armando Maradona, qeveria e Argjentinës e ka shpallur vendlindjen e tij një memorial kombëtar, sipas dekretit zyrtar të  publikuar sot.

Shtëpia e thjeshtë ndodhet në lagjen e varfër të Villa Fiorito, në jug të Buenos Aires.

Maradona kaloi atje vitet e para të jetës së tij.

Sot, një murale me ngjashmërinë e Maradonës zbukuron fasadën e shtëpisë.

Maradona nuk e fshehu kurrë origjinën e tij modeste.

Herë pas here, ai kthehej në Villa Fiorito, atje ku filloi karriera e tij si futbollist.

“Ky është vendi ku fillova të ëndërroj”, tha ai një herë në një intervistë.

Kampioni i botës i vitit 1986 do të kishte mbushur 61 vjeç këtë të shtunë.

Ai vdiq nga një atak në zemër, nëntorin e kaluar, në një rezidencë private në veri të Buenos Aires.

Dy javë më parë, ai kishte dalë nga spitali, ku i ishte nënshtruar një operacioni në tru.

Sipas prokurorëve, janë bërë gabime të rënda për kujdesin ndaj tij.

Mjeku i tij personal, psikiatri dhe disa punonjës infermiere janë nën hetim./KultPlus.com

Edicioni i 11 i kolonisë ndërkombëtare të arteve, piktorët frymëzohen nga Dardha

Dardha është kthyer në frymëzimin e piktorëve nga vende të ndryshme të botës të cilët janë bërë pjesë e Kolonisë Ndërkombëtare të Arteve Figurative “Ditët e Mios”.

Teksa çdo vit vijnë në Korçë për të parë dhe hedhur në telajo pamjet që ishin muzë frymëzimi edhe për piktorin e popullit Vangjush Mio, peizazhi në fshatin turistik mbetet ndër më të bukurit falë kombinimit të ngjyrave që natyra krijon sidomos në vjeshtë dhe për piktorët emocionet janë të veçanta.

Kolonia Ndërkombëtare e Arteve Figurative “Ditët e Mios” zhvillohet për të 11-in vit radhazi në qytetin juglindor dhe sjell piktorë nga vende të ndryshme të botes që hedhin në telajo ngjyrat e vjeshtës të Korçës apo rrethinave të saj./KultPlus.com

A do të akuzohet dikush për aksidentin ku humbi jetën kinematografja Halyna Hutchins?

Akuzat penale nuk janë përjashtuar për vdekjen e kinematografes Halyna Hutchins në xhirimet e filmit “Rust”, thanë policët të martën.

Ndërsa askush nuk është arrestuar në fatkeqësinë fatale, potenciali për akuza penale “nuk është përjashtuar” dhe nëse anëtarët e ekuipazhit kanë informacion, ata duhet të dalin përpara drejtësisë, tha për The Post, Juan Rios, oficeri i Zyrës së Sherifit në Santa Fe.

“Ka shumë gjëra që qarkullojnë në internet dhe sinqerisht nëse njerëzit kanë informacion, ata duhet ta sjellin atë tek ne në vend që të shkojnë te kushdo,” tha Rios.

“Silleni informacionin tek ne që ne të mund ta ndjekim dhe ta kontrollojmë, sepse nëse keni informacion të vlefshëm, ne e duam atë, por e vetmja mënyrë që mund ta kontrollojmë është nëse na tregoni.”

Rios tha se detektivët po marrin një qasje të ngadaltë dhe metodike ndaj hetimit, i cili pritet të vazhdojë edhe për disa kohë, për shkak të numrit të dëshmitarëve që duhet të intervistohen.

Të enjten e kaluar, Alec Baldwin, i cili është njëkohësisht producent dhe aktor i filmit, qëlloi aksidentalisht kinematografen dhe plagosi regjisorin me një armë, për të cilën iu tha se nuk kishte municion të vërtetë.

Rios pohoi se incidenti është ende në “hetim aktiv” dhe intervistat me dëshmitarët janë ende në vazhdim./KultPlus.com

Makina e sekuestruar kthehet në bibliotekë të lëvizshme në Shkodër

Makinat e konfiskuara nga trafikantët e drogës po kthehen në biblioteka të lëvizshme.

Ditën e sotme, në Shkodër u zhvillua ceremonia e dorëzimit të makinës së transformuar tashmë në bibliotekë të lëvizshme.

Republika Federale e Gjermanisë përmes GIZ-së po mbështet qeverinë shqiptare në luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në zona veçanërisht të prekura.

Ripërdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale, po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë Shkodër, Agjencinë Shqiptare për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë.

Biblioteka e lëvizshme është krijuar për të përmirësuar qasjen në arsim në komunitetet e thella. Përzgjedhja e librave bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë. Kjo siguron që biblioteka e lëvizshme të përmbajë libra që janë pjesë e programit të leximit të shkollave./atsh/KultPlus.com

Kërcënohet kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar, për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë.

Lajmin për FrontOnline, e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim kryeziu.

Ai ka thënë se për këtë arsye, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar.  Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, ka thënë Kryeziu./KultPlus.com

Fisnikëria femërore përmes tre grave në tre breza dhe tre kohë të ndryshme

Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.

Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.

Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.

Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.

Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.

Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.

Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.

Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.

Shkruan Elvi Sidheri

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…

Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme./KultPlus.com

Presidentja Osmani thirrje vajzave: Aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së (VIDEO)

Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkurs për rekrutë të rinj.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirjeve vajzave në Kosovë që të bëhen pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit.

“Të dashura vajza, aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit tuaj.”- ka shkruar presidentja Osmani./KultPlus.com

Lamtumirë për ty! por jo lamtumire

Poezi nga Anne Bronte

Lamtumirë për ty! por jo lamtumire
Për të gjitha mendimet e mia më të dashura për ty:
Brenda zemrës sime ata do të banojnë akoma
Dhe ata do të më gëzojnë dhe do të më ngushëllojnë.

O, e bukur dhe plot hir!
Nëse nuk do ta kishe takuar kurrë syrin tim,
Nuk kisha ëndërruar një fytyrë të gjallë
A mund të fantazohet sharmi deri më tani i jashtëzakonshëm.

Nëse mund të mos e shoh përsëri
Kjo formë dhe fytyrë kaq e dashur për mua,
As nuk e dëgjoj zërin tënd, përsëri nuk do të më binte mendja
Ruani, për ajet, kujtesën e tyre.

Ai zë, magjia e tonit të të cilit
Mund të zgjoj një jehonë në gjoksin tim,
Krijimi i ndjenjave që, vetëm,
Mund ta bëj shpirtin tim të qetësuar.

Ai sy qeshur, rrezja e diellit e së cilës
Kujtesa ime nuk do të çmohej më pak –
Dhe oh, ajo buzëqeshje! shkëlqimi i gëzueshëm i të cilit
As gjuha e vdekshme nuk mund të shprehet.

Adieu, por më lër të çmoj,
Shpresa me të cilën nuk mund të ndahem.
Përbuzja mund të plagoset, dhe ftohtësia të ftohtë,
Por gjithsesi më mbetet në zemrën time.

Dhe kush mund të tregojë përveç Qiellit, më në fund,
Mund të përgjigjem të gjitha mijëra lutjeve të mia,
Dhe ofertoni që e ardhmja të paguajë të kaluarën
Me gëzim për ankth, buzëqeshje për lot?./KultPlus.com

Promovohet në Nju Jork libri ‘Burden and Blessing’ i Shqipe Sylejmanit

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork u promovua libri “Burden and Blessing” i autores Shqipe Sylejmani.

Ambasadori Isufaj përgëzoi znj. Sylejmani për talentin e saj në të shkruar. Librin e saj të parë e cilësoi si një dëshmi të rrugëtimeve shumëvjeçare të diasporës shqiptare nëpër botë, për të cilin rrugëtim secili ka një tregim për të thënë.

Znj. Sylejmani, në prani të audiencës-dashamirëve të librit, lexoi disa copëza tregimi të përzgjedhura enkas për Diasporën Shqiptare në Nju-Jork. Anekdotat, tregimet e mitet e interpretuara qenë dëshmia më e mirë e zbulimit të gjurmëve jetësore të personazheve nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia, të cilat gjithmonë mall e barrë i patën të afërmit dhe vendet e tyre kulturore e historike./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare merr ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me ato që luftuan dhe po luftojnë me kancerin e gjirit

Bibloteka Kombëtare e Kosovës ka marrë ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me ato që luftuan me sëmundjen e kancerit të gjirit, ato që fituan betejën dhe si kujtim për ato që humbën jetën nga kjo sëmundje, përcjell KultPls.

Njoftimin e ka bërë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një postimi në Facebook.

“Bibloteka Kombëtare e Kosovës në rozë për të gjitha ato që po luftojnë sëmundjen e kancerit të gjirit, për ato që fituan betejen e si kujtim për ato që i humbëm!”-ka shkruar ajo./KultPlus.com

Kryeministri Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e regjisores Burbuqe Berishës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shprehë ngushëllime familjes Berisha, komunitetit artistik dhe miqve të regjisores dhe ish-drejtoreshës së Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, e cila u nda sot nga jeta, në moshën 51 vjeçare.

“Me keqardhje e pikëllim e mora lajmin për ikjen në amshim të regjisores së shquar Burbuqe Berisha. Zonja Berisha ishte ndër regjisoret e para kosovare, e cila me punën e saj të pakursyer e pasuroi dhe e ngriti nivelin e artit dramatik dhe filmik të Kosovës.

Vdekja e saj e hershme është humbje e madhe për familjen, për teatrin dhe kinematografinë tonë.

Në këtë ditë të vështirë për familjen, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e zonjës Burbuqe. Ngushëllime edhe miqve, studentëve dhe kolegëve të saj artistë.

Kujtimi për Burbuqe Berishën do të mbetet i paharruar sikurse edhe trashëgimia e saj e çmuar artistike”, tha kryeministri Kurti.​/KultPlus.com

MKRS shpreh ngushëllime për vdekjen e regjisores Burbuqe Berisha

Gjatë ditë së sotme (e mërkurë) është ndarë nga jeta regjisorja e njohur, Burbuqe Berisha.

Ajo thuhet se ka ndërruar jetë në vendin e punës, përkatësisht në Ministrinë e Kulturës.

Shumë nga komuniteti artistik e liderët politikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre, ndërsa një telegram ngushëllimi nuk ka munguar as nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ky është shkrimi i tyre i plotë (pa ndërhyrje):

“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha.

Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.

Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.

Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.

Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”./KultPlus.com

Përkujtohet në 109 vjetorin e lindjes, fituesi i çmimit Pulitzer në gazetari

Si sot më 27 tetor 1912, u lind ditaristi, shkrimtari, fituesi i çmimit Pulitzer në gazetari Cyrus Leo Sulzberger II.

Ai u lind në Nju Jork dhe ishte pjesë e familjes së botuesit të The New York Times. Edhe pse i lindur me benefite ai rrugën drejt suksesit e përshkron jo vetëm në studimet universitare ku u diplomua me “magna cum laude” në Universitetin e Harvardit, por shumë shpejt do të krijonte zërin e tij unik në medien e shkruar.

Karrierën e tij si gazetar e nis me një udhëtim pikërisht në Evropë dhe nga reportazhet e tij të para do të ishte edhe Shqipëria, element të cilët preken lehtësisht gjatë një vizite në 23 qershor 1990 në një takim me kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alinë për ta intervistuar atë mbi një tentativë të mundshme të rikthimit të marrëdhënieve me SHBA-në nga Tirana zyrtare.

Sulzberger nga shumë analistë është cilësuar edhe si një aset i gazetarisë amerikane por njëkohësisht edhe i shërbimit të inteligjencës (CIA) pasi ka arritur në kohë të vështira të përcjelli mesazhe gjatë konflikteve të hapura siç ishte ai i krizës raketore ndërmjet SHBA-së dhe BRSS më 1961.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot një fotografi të Cyrus Leo Sulzberger si dhe një material ku tregohet për vizitën e tij në Tiranën e vitit 1990./atsh/KultPlus.com

Filmi ‘Ishte dora e Zotit’ do ta përfaqësojë Italinë në Oscar

 ”E’ stato la mano di Dio” (”Ishte dora e Zotit”) nga regjisori Paolo Sorrentino është filmi që do të përfaqësojë Italinë në përzgjedhjen për filmin më të mirë të huaj në Oscar.

Sorrentino u përzgjodh ndërmjet 18 regjisorëve kandidatë, të cilët kanë prezantuar ose do të prezantojnë në kinematë italiane mes 1 janarit deri më 31 dhjetor të 2021.

Njoftimi zyrtar i të gjithë nominimeve do të jetë më 8 shkurt 2022 dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të zhvillohet në Los Anxheles më 27 mars.

”E’ stato la mano di Dio’ është filmi im më i rëndësishëm dhe më i dhimbshëm për mua. Jam i lumtur që e gjithë kjo dhimbje sot ka çuar në gëzim”, tha Paolo Sorrentino pas lajmit për zgjedhjen e filmit të tij për të përfaqësuar Italinë në çmimin Oscar.

“Sot është vetëm hapi i parë dhe e bukura e kësaj gare është se është e vetmja garë në botë ku nëse je në pesëshen e parë është një fitore”, vazhdon ai.

“Jam i lumtur që filmi është përzgjedhur. Falënderoj sinqerisht komisionin që ka zgjedhur filmin tim mes shumë filmave të mirë. Faleminderit The Apartment, Fremantle dhe Netflix që më mbështetën”, shtoi ai./KultPlus.com

Italian filmmaker Paolo Sorrentino arrives for the premiere of ‘E’ stata la mano di Dio’ during the 78th Venice Film Festival in Venice, Italy, 02 September 2021. The movie is presented in the official competition ‘Venezia 78’ at the festival running from 01 to 11 September 2021. ANSA/ETTORE FERRARI

QKK shpreh ngushëllime për vdekjen e regjisores Berisha

Qendra Kinematografike e Kosovës ka reaguar pas lajmit për vdekjen e regjisores, Burbuqe Berisha.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, QKK u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve.

“Jemi të prekur thellë nga lajmi për vdekjen e regjisores Burbuqe Berisha. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, thuhet në reagimin e QKK-së./KultPlus.com

Ollga Schweizer Libohova, aristokratja daneze që shpëtoi 100 shqiptarë nga pushkatimi

Ollga Schweizer lindi në vitin 1886 në Danimarkë. I ati i saj ishte ushtarak, oficer i lartë, ndërsa e ëma rridhte nga një familje aristokrate. Gjatë luftës me rusët e bardhë, Ollga sëbashku me familjen e saj u detyruan të largoheshin nga Danimarka.

Ata zgjodhën Parisin si vendqëndrimin e tyre të ri. Ollga kishte pasion artin, në veçanti pianon, për pasojë i ati e dërgoi me studime në Stamboll. Turqia u bë shkaku i njohjes së Mufid bej Libohovës me Ollgën, një dashuri që e solli danezen në Shqipëri.

“Ka qenë fundviti 1908 – fillimviti i 1909 kur gjyshi me gjyshen mbërritën në Shqipëri. Që prej asaj kohe madamë Ollga nuk u largua më nga vendi i bashkëshortit të saj”, rrëfen Mufid Libohova (i riu), nipi i Ollgës.

Mufid bej Libohova, firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, ish Ministër i Brendshëm, Ministër Financash, diplomat, Themelues i Bankës së Shqipërisë etj. kishte një djalë me gruan e tij të parë (e cila kishte vdekur), Malikun, ndërsa me Ollgën pati një tjetër djalë, i cili u quajt Elmas. Fatkeqësisht historia mes Mufid beut dhe danezes Ollga u mbyll shpejt. Në vitin 1927 Mufid bej Libohova ndërroi jetë. Por kjo ngjarje e hidhur nuk e ndau Ollgën nga vendi ku jetoi me bashkëshortin e saj, Shqipërinë.

“Frerët e shtëpisë i mori në dorë zonja Ollga, të cilën të gjithë ne e donim jo si gruan e Mufidit, por si të ishte libohovite”, thoshin banorët e vjetër të Libohovës – vazhdon rrëfimin e tij Mufid Libohova (i riu). – Në fillim të vitit 1944, kur gjermanët kontrollonin pothuaj të gjitha zonat e vendit, Libohova ruhej vetëm nga dy roje. Duke njohur gjuhën gjermane, Ollga Schweizer i kishte bindur gjermanët se Libohova nuk kishte të bënte me partizanët. Deri në muajin maj të atij viti Libohova mbeti si një ishull i paprekur. Gjatë asaj kohe libohovitët vazhdonin të strehonin dhe të ushqenin disa partizanë fshehurazi.

Por në operacionin e qershorit u prek edhe Libohova. Dikush kishte spiunuar se aty mbahej një partizan i plagosur. Pas një kontrolli të befasishëm në shtëpinë e kallëzuar, partizani u gjet. Të nesërmen Libohova u mbush me ushtarë gjermanë, të cilët i nxorën të gjitha familjet te rrapi i madh në qendër. Kapiteni gjerman, pasi bëri prezent arsyen e prezencës së tyre në fshat, e urdhëroi skuadronin të pushkatonte 100 burra. Edhe sot burrat më të vjetër të Libohovës na e tregojnë se si gjyshja ime, zonja Ollga, hyri mes 100 burrave që do të pushkatoheshin dhe skuadronit, duke e kërcënuar oficerin se, nëse ai do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së saj, 100 burrat shpëtuan, ndërsa dënimi ishte djegia e Libohovës.

Pas çlirimit, pikërisht në vitin 1945, me urdhër të shtetit të sapo formuar, familja e Mufid bej Libohovës u shpërngul nga sarajet ne mes te qytetit, në një stallë lopësh, ku ndenjën për 5 muaj. Në atë kohë librat më me rëndësi të gjyshit i morën, ndërsa gratë e Libohovës i detyruan që t’i nxirrnin kazanët e rrobave në sheshin kryesor dhe zjarrin ta bënin me librat tanë. Biblioteka jonë ka pasur 2500 volume, si dhe dokumente të rëndësishme historike nga koha e marrëdhënieve me Turqinë.

Pasi jetoi për 5 muaj në stallën e lopëve, Ollga u internua në Shijak. E braktisur nga te gjithë dhe e ndarë nga djali, Elmasi, i cili ndodhej në burg, danezja punonte në fushat misrit. Elmasi në vitin 1945 ishte kthyer nga Italia, ku kryente studimet e tij. Teksa ishte strehuar në një prej hoteleve të kryeqytetit e njihej me gjendjen në vend, ai u arrestua me tri akuza: tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë dhe grup armiqësor. Për këto akuza u dënua me 11 vjet burg.”

Që pas vitit 1949 deri më 1958-n Ollga jetoi e internuar në fshatin Tresh të Lezhës. Pas daljes së të birit nga burgu, ajo jetoi disa kohë me të në fshat. Në dhjetor të po atij viti ajo vdiq në moshën 77 vjeçare dhe u varros në fshatin Zejmen të Lezhës. Nga punët e rënda edhe i biri i saj, Elmasi, vdiq në vitin 1977. Në atë kohë gruaja e tij ndodhej në hetuesi të Lezhës. Për këtë ngjarje Mufidi i ri kujton: “Babai punonte në fushë me tensionin të lartë. Plus sëmundjes, babain e tronditi edhe marrja në hetuesi e nënës time, e cila u akuzua dhe dënua me 5 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, se gjoja paska thënë që dikur ka pasur 30 dele”.

Nga martesa e djalit të Ollgës, Elmasit, lindën tre djem: Enveri, Kemali dhe Mufidi (i riu). Persekutimi vazhdoi deri te nipërit e Mufid bej Libohovës. Mufidi (i riu) tregon se edhe vetë, nga viti 1985 deri në vitin 1987 është ndaluar dy herë. “Në vitin 1990 arriti dhe pika kulminante. U arrestova nga sigurimi dhe për një muaj ndiqesha nga pas. Nuk e dija se ç’do të bëhej me mua, dëgjoja vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë e cila për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo ‘valle e vdekjes’.

Me gruan e tij Myfidi (i riu) u martua ditë të premte, ndryshe nga zakoni, ndërsa të hënën, siç ai tregon, i hipi avionit për tu larguar përfundimisht nga Shqipëria për në Austri. U rikthye vetëm në vitin 2001, për të bërë të mundur tërheqjen e eshtrave të të afërmve nga Zejmeni i Lezhës. Ollga Libohova dhe djali i saj, Elmasi, sot prehen në kodrat e Tufinës, në Tiranë. /libohovapost/ KultPlus.com

Ndalini të gjitha orët

Poezi nga Wystan Hugh Auden

Përktheu: Orjela Stafasani 

Ndalini të gjitha orët, këputeni çdo telefon
qenin që leh për kockën e lëngshme a ka kush e pushon,
heshtni pianot dhe me daulle që mbytur tingëllojnë
silleni arkivolin, vajtojcat le t’vajtojnë.

Lërini aeroplanët t’sillen vajtueshëm, mbi re tretur,
dhe ta shkruajnë në qiell mesazhin “Ai ka vdekur”.
N’qafën e bardhë t’pëllumbave fjongo zije le t’ketë
policët e trafikut dorashka t’zeza kanavace t’mbajnë krejt.

Atë e kisha Veri, Jug, Lindje, Perëndim,
ditë pune, dhe në ditën e diel lehtësim,
mesditë, mesnatë, fjalë, tingullin tim.
Mendova se dashuria zgjat përgjithmonë: e kisha gabim

Yjet nuk kanë më vlerë; shuajini një nga një,
mbështilleni Hënën, çmontojeni Diellin, s’duhen më,
zbrazeni oqeanin, pyllin çrrënjoseni, rrafsh t’jetë;
se tash asgjë të mirë më këtu s’do të ketë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për vdekjen e Berishës: Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike

Sot vdiq regjisorja Burbuqe Berisha në moshën 51-vjeçare.

Për vdekjen e regjisores kanë reaguar figura të shumta publike, të cilën shprehën pikëllimin e ngushëllime për vdekjen e saj.

Ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka theksuar se lajmin për vdekjen e regjisores Berisha e ka pranuar me pikëllim të thellë.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka potencuar se Burbuqe Berisha përfaqëson një brez krijuesisht të cilët u formuan në kohë rezistencë dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas kësaj rezistence.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani:

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.

Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi.

Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin “Faruk Begolli”, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht.

Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar.

Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të! / KultPlus.com