Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar, përcjell KultPlus.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
NJOFTIM
Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë).
Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të TKK./ KultPlus.com
14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës mbrëmë u festua nëpërmjet rrëfimeve nga dy gra të cilat përmes dhimbjeve, vuajtjeve, tmerreve të luftës së fundit në Kosovë, u zhytën në shpresë, u shndërruan në inspirim për shkrimtarë e regjisorë dhe u bënë zëri i shumë grave të Kosovës që fuqinë e tyre të brendshme e shpërthejnë rrallëherë por kur ndodh, atëherë nis një histori suksesi, i njëllojshëm me atë të këtyre grave. Pra, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti, mbrëmë erdhën me një rrëfim të sinqertë e tejet inspirues në KultPlus Caffe Gallery.
Prezenca e tyre përgjatë dy orëve, rezultoi që rrëfimet e tyre të dëgjohen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe, ngase qetësia që këto dy gra posedonin, dëshmoi se krenaria e tyre nuk kishte nevojë për fjalë e as për zë, por ajo shkëlqente përmes syve të tyre që rrezatonin dhimbje, dashuri, lumturi, por mbi të gjitha; mburrje. Mburrje për atë se çfarë kanë arritur, nga një rrugë e shtruar me gropa e kthesa të shumta, deri në një depërtim mbarëbotëror, ku historia e tyre hyri në fushën kinematografike por edhe atë letrare, shkruan KultPlus.
Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti u bënë muza të shkrimtarëve e regjisorëve, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar si ajo në vitin 2005, “Ikonë e lotëve” me regji të Ilir Kabashit si dhe “Pritja” me regji të Artan Korenicës, film ky që ka përfunduar por ende nuk është shfaqur, por edhe të librave, ku shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar së fundmi librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, bazuar në jetën e saj.
Ora shënoi 19:00, dhe një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve kishte zënë vendin në karriget e tyre për të qenë sa më afër ngjarjes e për të parë nga afër këto gra që sa herë që ato flasin, sytë e tyre flasin akoma më shumë. Hapësira e KultPlus Caffe Gallery, u mbush me artistë, artdashës, e njerëz të cilët ishin prezent në jetën e këtyre dy grave qysh në fillet e tyre të një jete pas lufte, jetë kjo që u konsiderua edhe një luftë e dytë më vete. Ndërkohë, bashkëbisedimit veçse kishin filluar mes të pranishmëve derisa koha për të nisur mbrëmja erdhi.
Entuziazmi i publikut dallohej jo vetëm në qetësinë absolute që kishte kapluar atmosferën por edhe në lëvizjet e tyre trupore që ishin të drejtuar karshi këtyre dy grave të cilat me një rrëfim jo të lehtë, shpalosën gjithë sfidat e tyre që zunë vend në rrugëtimin e tyre që ishte mbushur plot me dëshira që vendi jonë të jehojë me historinë që mban mbi supe.
Gazeta e parë online për art e kulturë, KultPlus e ka sjellë këtë mbrëmje si një dedikim për këto dy gra të suksesshme në jetë e të cilat sot e përherë do të kenë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.
Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti nuk ngurruan që të shpalosin emocionet e tyre, vështirësitë dhe sukseset, që janë gërshetuar në jetën e tyre, edhe tash pas plot 22 viteve.
“Sonte është një mbrëmje e jashtëzakonshme sepse në një vend kemi dy gra të cilat u ngritën sikur feniksi dhe i treguan botës për dhimbjen, vuajtjen dhe guximin. Këto dy gra treguan se duke u ngritur mbi dhimbjen, ato për çdo ditë treguan nga një copëz të luftës, vdekjes e zhdukjeve. Dhe këto dy gra inspirim gjetën edhe shkrimtarë, regjisorë e skenaristë të cilat jetën e tyre e shpalosën para botës vetëm e vetëm për të treguar për krimet e rënda që bënë serbët në familjet e tyre dhe për tu shndërruar në zërin e shumë grave dhe familjeve të tjera”, thotë moderatorja Merovci, e cila nisi këtë mbrëmje me një prezantim të dy grave që treguan se kanë forcë të ringjalljes ku njëra ndërtoj fabrikë kurse tjera ngriti muze.
Kurse, drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli për një fjalë rasti për të treguar se këto dy gra janë bërë zëri i shumë grave dhe se familjet që kanë sakrifikuar për këtë vend, duhet të kujtohen.
“Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë mbrëmje ku i kemi ftuar dy zonja, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti. Ne sonte kemi vendosur që 14 vjetorin e shtetësinë tonë ta shënojmë duke i kujtuar edhe familjet që kanë sakrifikuar shumë për këtë vend. Duhet të ndajmë edhe copëza dhimbje, vuajtje por edhe të guximit që këto dy zonja janë bërë zëri i shumë familjeve dhe shumë grave që nuk e kanë pasur fuqinë sikur të këtyre dy zonjave”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, në kohën e pasluftës, shumica janë dëshmitarë që nuk ka pasur gra vendimmarrëse dhe pikërisht ishin burrat që kanë udhëhequr vendin me shitjen e fabrikave të vendit tonë duke i dërguar në privatizim e duke e zhbërë pasurinë shtetërore.
“Fahrija e ka bërë të kundërtën, e ka krijuar fabrikën duke u shndërruar në një model për gratë e tjera dhe jo vetëm. Ndërsa, ne jemi dëshmitarë të asaj që Kosova ende nuk e ka një muze shtetëror për pasojat e luftës, por zonja Ferdonije shtëpinë e saj e shndërroi në muze. Unë përkulem para të dy zonjave dhe faleminderit që jeni sonte me ne”, përfundon Pajaziti.
Në ndërkohë, fjalën e morën edhe dy gratë, të cilat së bashku me moderatoren, ato zhvilluan një bashkëbisedim rreth jetës së tyre që nga koha e pasluftës e gjerë më tash.
Mendimet e para të Qerkezit dhe Hotit në takim me regjisorët
“Po jam takuar me regjisorët dhe e kam ndjerë veten më të qetë për këto filmat që janë bërë. Ka qenë një mundësi shumë e mirë për t’i treguar botës historinë tonë dhe filmat në fakt janë shfaqur gjithandej nëpër botë. Jemi të kënaqur që është dikush që është përkujdesur për ne dhe janë bërë ato filma”, thotë Qerkezi.
Ndërsa, Fahrija Hoti shpalos se qysh në vitin 2011, takimi me regjisoren Basholli, ka qenë shumë i frytshëm.
“Kur e kam parë filmin për herë të parë jam prekur shumë sepse më ka kthyer vite më herët. Unë kur jam takuar për herë të parë në vitin 2011 me regjisoren dhe kemi biseduar për historinë të cilën ajo e kishte dëgjuar në media. Erdhi, më takoi dhe biseduam, dhe nuk hezitova fare. Ndoshta kam marrë një rrugëtim të vështirë që më përcjell prapë tek paragjykimet edhe sot por unë jam krenare me atë që nesër apo pasnesër, gjeneratat e reja do të dinë se ka ekzistuar lufta në Kosovë. Por paslufta ka qenë shumë e vështirë për gratë”, thotë Hoti.
Dëshira e Ferdonijes për muzeun historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”
Shtëpia e saj me gjithë ato fotografitë e gjërat e familjarëve është shndërruar në një muze historik që është emëruar edhe “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”. E për këtë dëshirë që është realizuar qysh në vitin 2014, e tregon edhe vetë Qerkezi.
“Unë e kam marrë vendimin vetë pa lejen e askujt që shtëpia ime të shndërrohet në muze, për të lënë trashëgiminë e shtëpisë për gjeneratat që vijnë e për të parë se çfarë ka bërë serbi në familjen time dhe në krejt Kosovën si dhe pasojat e shumta të luftës që rezultoi në zhdukjen e anëtarëve të familjes. Pra, po shtëpinë e shndërrova në muze pa ndihmën e askujt dhe të gjitha ato fotografi unë i kam bërë vetë, të gjitha, pastaj shtëpia zyrtarisht është shpallur shtëpi-muze në vitin 2014”, tregon ajo.
Ajo tutje tregon se përkrahja për këtë vendim, nuk ka ekzistuar fare nga askush dhe se familja e burrit të saj ka qenë kundër kësaj ideje.
Ndërsa, kur kujtojmë se libri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e shkrimtarit Ag Apolloni, tregon detaje nga më të ndryshmet si dhe përshkruan thellësisht shtëpinë-muze, Ferdonije Qerkezi tregon për të pranishmit se si ndjehet ajo kur ajo shtëpi vizitohet nga kushdo.
“Kur vijnë vizitorë, unë e ndjej veten më së miri e më së lehti për arsye se mendoj se është dikush atje që interesohet për këtë shtëpi dhe unë e ndaj dhimbjen me ta. Kemi vizitorë jo vetëm nga Kosova por edhe nga jashtë e edhe nga Shqipëria”, thotë Qerkezi.
“Zgjoi”, emocionet e para dhe fjalia e parë e Fahrije Hotit
“Për herë të parë unë e kam parë filmin kur ka përfunduar dhe asnjëherë nuk kam shkuar në xhirime se ka qenë kohë e punës dhe isha e angazhuar me aktivitete të ndryshme. Filmi tash ka bërë jehonë në gjithë botën por e metë e Kosovës janë ato gra të cilat nuk flasin por shpresoj që tash pas filmit të zonjës Qerkezi dhe ‘Zgjoi’, që ka me pasë edhe gra të tjera të cilat do të tregojnë për vuajtjet e tyre. Megjithatë, filmi personalisht më ka pëlqyer dhe dy fëmijët e mi e kanë pa filmin dhe nuk kam marrë ndonjë reagim negativ nga ta, por përkrahja e tyre ishte në një nivel të lartë”, shpalos Hoti.
Sipas saj, Krusha pas luftës, ka qenë luftë e dytë sepse ka qenë i tërë fshati i thatë dhe ajo kujton që kur janë organizuar protesta, i’u është bashkangjitur grave të Gjakovës, pa e ditë se çfarë po adresohet.
“Filmi shumë mirë e pasqyron atë pjesën e personave të pagjetur dhe pjesët e tjera. Në vitin 2005, kemi filluar të merremi me konservim dhe nuk i kemi plasu në treg për arsye të paragjykimit. Për neve, na është dashur që me bërryla e me gjunjë të shkojmë e të marrim edhe një herë jetën përpara se kemi qenë edhe burrë edhe grua, vetë. Por, fati deshi që njerëzit e mirë, donatorët e organizatat që Kursha të bëhet histori me veprimtarinë e kultivimit të specit”, thotë ajo.
Po ashtu, Fahrije Hoti kujton edhe fjalët e para që i dolën nga goja pasi që pa filmin “Zgjoi” për herë të parë.
“Fjala e parë që kam thënë pasi që shikova filmin ishte: “A bash qashtu më paska ndodh a?”. Kështu që më është trazuar ndjenja para 22 viteve sepse pashë veten se ku jam duke punuar dhe filmi ishte pikërisht ajo se çfarë më ka ndodhur mua”, shpalos Hoti.
Jeta pas xhirimeve të filmit Zgjoi
“Kam pasë fatin të marrë pjesë në Amerikë, në Zvicër e Gjermani si dhe kam pasur edhe ftesa të tjera por në pamundësi që të udhëtoja. Në veçanti, në Amerikë, këngëtarja me famë botërore ishte prezente së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku së bashku me ekipin e filmit, ajo ngjarje më ka bërë të ndihem e privilegjuar. Komentet që i kemi marrë, kanë qenë jashtëzakonisht të mira në të gjitha vendet. Pata marrë një ‘bravo’ të madhe që kam marrë guximin për të thyer tabutë në Kosovë e për të treguar të vërtetën dhe gjithë ajo se çfarë është përjetuar”, tregon Hoti.
Ferdonije Qerkezi, dëshmitarja që dëshmon çdo ditë të vërtetën
E pyetur nga moderatorja se si ndihet që bota po e dëgjon tragjedinë tonë, Ferdonije Qerkezi tregon se mision të rëndësishëm e ka çështjen e të zhdukurve.
“Unë e ndjej veten shumë mirë që e tregojmë atë tragjedi që na ka ndodh. Gjithmonë ata që kanë ardhur, qoftë gazetarë apo njerëz të zakonshëm, unë e kam treguar ngjarjen. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë duhet të tregojnë se çfarë i ka ndodh grave në të gjithë ato shtëpi dhe jo që heshtja të jetë një zgjidhje. Kështu që po, unë po ndihna e fortë”, thotë Qerkezi.
Përveç këtij bashkëbisedimi mes moderatores dhe këtyre dy grave, krejt në fund ishte publiku ai që kishte pyetje të shumta për të dëgjuar akoma më shumë nga to.
Paragjykimet pas filmit “Zgjoi”
“Ai që donë të logjikojë dhe me pa një film, e din se filmit i shtohen dhe i mungohen disa aspekte. Unë nuk jam artiste me ditë filmin por e kam pritur shumë mirë. Por ata që nuk kanë dashur dhe ata që nuk dojnë të kuptojnë realitetin, nuk i ka pëlqyer fare. Unë përsëri edhe pas publikimit të filmit, jam ballafaquar me komentet. Ndoshta pa fillu rrugëtimi i filmit, kanë folur në mënyrë të ndryshme por jo në rrjete sociale, tash të njëjtët njerëz nëpër rrjete sociale flasin. Unë do të kërkoj nga shteti që përsëri të krijohet një film e tash ata njerëz që kanë paragjykuar dhe janë sjell ashtu, të dalin me emër e mbiemër, me fakte, data”, përgjigjet Fahrije Hoti në njërën nga pyetjet e drejtuara për të.
Ajo tutje tregoi se ka pasur raste që disa njerëz kanë hyp në mur në orët e vona të natës e kanë bërë me gisht brenda vendit të punës të saj në ndërrimin e natës, e ka të tjerë që kanë dalë e i’a kanë zënë rrugën, e tjerë kanë dalë edhe nëpër dyqane dhe i kanë hapur kapakët e kavanozave të ajvarit, vetëm që t’i dalë era e ushqimi të prishet.
“Ndoshta nuk kanë ndodh skenat e dhunimit se në mos kam pasë allti, kom pas shati”, potencon ajo.
“Unë kam punuar me gratë që nga viti 2000 me organizimin e protestave e deri më sot, dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem. Filmi flet për burrat e Krushës, për njerëzit e ndërgjegjshëm si vjehrri, por flet edhe për njerëzit e pandërgjegjshëm që kanë ndenjur duke pi alkool në Krushë e na kanë pa neve duke pi kafe e kanë paragjykuar. Ata që kanë paragjykuar, tash i kanë nga tri puna nëpër institucione dhe rrinë pinë kafe e paragjykojnë përsëri”, thotë tutje Hoti.
Guxim pas guximi
“Të parët kanë thënë: ‘Nuk ki inat, nuk ki zanat’. Unë kam inatin në vetvete por në pozitivitet. Ti fol nëse donë gjithë ditën, por unë do të vazhdoj të punoj punën time. Por në rast se ty të dëmtoj, bëhu burrë e dil karshi. Unë kam kërkuar që përmes këshillit të fshatit, të gjithë burrat që janë prekur nga filmi, le të më vinë karshi. Le të ulen si burrat në zyre dhe jo si buburreca nëpër komente. Jo, se fëmijët e mi i shohin komentet. Nëse dëshiron të ballafaqohesh me të drejtën, vjen dhe ulesh karshi dhe unë të shpjegoj me data e me dëshmitarë”, përgjigjet Fahrije Hoti në pyetjen e radhës drejtuar saj.
“E marr guximin se fëmijët e mi kanë nevojë për punë dhe nuk dua t’ia falë Evropës fëmijët”, potencon ajo.
Fahrije Hoti gjithashtu tregon se e ka pasur një baba që ka punuar në biznes në ish-Jugosllavi dhe ka qenë një baba i denjë për familjen e saj. Ajo thotë se kanë luftuar, kanë mbajtur refugjatë, kanë shëruar njerëz të plagosur, i’a kanë pështjell plagët cdo mëngjës atyre dhe i kanë përcjellë deri në vend të vetë, kanë mbajt njerëz e i kanë hyp në autobus për Prizren, por pa marrë parasysh Hoti këtë nuk e konsideron diçka me të cilën ajo krenohet për ti dalë shtetit para për një rrogë 170 euro.
“Forca ime janë dy fëmijët e mi”, thotë ajo.
Përkrahja ndaj muzeut historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”
“Qytetarët e Gjakovës e kanë pritur shumë mirë shndërrimin e shtëpisë në një muze, por nga ana e burrit, nuk e kanë pritur mirë. Ndërsa, qytetarët e Kosovës e kanë pritur tejet mirë, qysh nga mosha e vogël e deri në atë madhore, përkrahja ishte e pranishme në secilin rast, duke më thënë të lumtë”, thotë Qerkezi.
Sipas saj, në vitin 2014, shtëpia është shpallur zyrtarisht muze nga Mimoza Kusari-Lila, me ndihmën e ish-Presidentit, Fatmir Sejdiu.
“Nuk më kanë përkrahur se nuk kanë dashur që shtëpia të bëhet një muze duke më dërguar edhe deri në Gjygj për të më vjedhur pasurinë”, shpalos ajo.
Tutje ajo tregon se Kosova për të nuk është ai vendi siç e ka ëndërruar ajo.
“Që 14 vjet, unë mendoj se Kosova nuk është formuar ashtu siç e kemi ëndërruar ne. Unë shpresoj se tash e mbrapa do të krijohet ajo për të cilën e kemi menduar për arsye se Kosova është Republikë, por më duket se është e përgjysmuar”, thotë Qerkezi.
Ndërsa, Fahrija Hoti thotë se familjarët e Qerkezit, duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me Ferdonijen dhe jo të paragjykojnë.
“Kosova është e zbehtë se i mungojnë edhe 1600 persona të pagjetur. Përderisa, familjarët që presin të paktën për një informacion, që janë të vrarë dhe i’u bëhet një varr që fëmijët e tyre ta vizitojnë, atëherë ndoshta Kosova do të ishte më e lirë. Duhet ta dimë vlerën e kësaj dite sepse është dhënë shumë gjak për këtë ditë e këtë vend. Sot ne kemi një nënë që ka lëshuar shtëpinë-muze, dhe tregon dhimbjen e luftës, familjarët e saj duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me të”, thotë Hoti.
Vështirësitë e Ferdonije Qerkezit dhe Fahrije Hotit
“Unë i kam edhe katër vëllezër të tjerë, por familja e ngushtë e imja më mungon më së shumti”, thotë Qerkezi.
Kurse, Fahrije Hoti përgjigjet se njëra ndër vështirësitë më të mëdha në jetën e saj ka qenë momenti kur ajo ka identifikuar personat e pagjetur.
“Më së vështiri ka qenë kur kam shkuar të identifikojë personat e pagjetur. Ajo ka qenë gjëja më e vështirë ku në morg i identifikova dy trupa, por xhaketa e burrit tim ka qenë e dyshimtë dhe nuk e kam pranuar që është ai. Unë isha e vetëm grua në familje që shkova në morg”, shpalos Hoti.
Suksesi i produkteve të biznesit të Fahrije Hotit
“Në vitin 2022, në 12 shtete të Evropës, ka arritur produkti im. Por ka edhe shumë kërkesa të tjera dhe pse tash kemi një objekt modern që është ndihmuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me kooperativa. Ne jemi prezent në 12 shtete të Evropës ku kërkohet produkti ynë dhe numri i punëtorëve për momentin është diku rreth 45 persona. Kam filluar vetëm në vitin 2005, tash jemi 45 punëtore të rregullta që punojmë. Ne kemi punuar ndonjëherë vetëm dy muaj, tash punojmë 12 muaj. Në kohë të sezone punojmë me 100 persona dhe i kemi diku mbi 70 fermerë me kontrata të mirëfillta që na furnizojnë me lëndë të parë. Por, asnjëherë nuk jemi dorëzuar për tregun vendor”, tregon Hoti.
Sipas saj, është një fat i madh që një fshat me 7000 mijë banorë nuk ka mungesë të asnjë pike infrastrukture për arsye se Krusha është një zonë industriale, zonë bujqësore, kultivohen të gjitha kulturat, përpunohen dhe në fund vërshojnë tregun e Evropës.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe se përgjatë prezantimit të filmit nëpër Evropë, unë kam pasë fatin që ti takoj edhe prodhimet e mia nëpër dyqanet atje. Sidomos në SHBA, ku para se të shkoja unë atje, ishte prodhimi i ajvarit tim që arriti para meje”, përfundon Hoti.
E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të këtyre dy grave, që ishte jashtëzakonisht sfiduese por në të njëjtën kohë edhe inspiruese, para të pranishmëve u interpretua edhe poezia “Cigarja” e Mehmet Krajës nga një person në publik, i cili i’a dedikoi këtë poezi, këtyre dy nënave aq të fuqishme.
Gjithë kjo dhimbje e tyre u shoqërua me një sukses që tash e gjithë bota ka mundësi ta shoh, ta dëgjojë e të bëhet pjesë e historisë së Kosovës, teksa ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta që kapluan atmosferën për të përmbyllur kështu këtë mbrëmje me një admirim dominues ndaj këtyre dy grave, ndjenjë kjo që u shpreh nëpërmjet fotografive, bashkëbisedimeve dhe muzikës shqiptare që po plasohej në të gjitha muret e hapësirës.
*Ky event është mbështetur nga Uji Rugove. / KultPlus.com
E plotë nata kurrrë s’mundet të jetë, Besomëni për çka po ju them, Besomëni për çka ju betohem. Çdo hidhërim ka një dritare të hapur, Një dritare të ndezur, Ka një ëndërr që lind, Ka një dëshirë që pret të përmbushet, Ka një uri që pret të shuhet, Ka një zemër fisnike, Ka edhe një dorë të zgjatur, Ka edhe dy sy në pritje, Ka edhe një jetë që hyn në një jetë./ KultPlus.com
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se homazhet në nderim të ish-deputetit, shkrimtarit Bardhyl Londo, do të zhvillohen në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ditën e shtunë, datë 19 Shkurt, nga ora 10:00-12:00.
Bardhyl Londo prej 2 muajsh ai ishte i shtruar në spitalin Onokologjik në Tiranë. Gjendja shëndetësore e Bardhyl Londos ishte përkeqësuar shumë, prej 10 ditësh ndodhej në reanimacionin e Onkologjikut në Tiranë./tvklan/ KultPlus.com
Konkursi i fotografisë “Colours of Albanians” që çeli siparin nëntorin e kaluar, u përmbyll dje në Prishtinë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, me një ceremoni solemne të ndarjes së 10 çmimeve fituese.
Mbi 5 mijë fotografi qenë pjesë e konkursit, që për herë të parë erdhi si organizim i përbashkët mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
Tema e CoA-s, këtë vit ishte “Gjurmë Identitare”. Juria profesionale prej 7 anëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, zgjodhi fotografitë fituese për kategoritë: Portret Identitar dhe Familje, Kulturë dhe Art, Stil dhe Modë, Bashkëjetesë Fetare, Traditë, Zakone, Festa, Peizazh dhe Turizëm, Arkitekturë, Sport dhe Rekreacion.
Për herë të parë u dha një çmim i veçantë për diasporën.
Ngjyrat e shqiptarëve” (Colours of Albanians 2022), është një koleksion fotosh dhe videosh, të bukurive të vendit tonë të shqiptarëve. Këtë vit një nga risitë ishte edhe fakti që futen edhe videot.
Ky konkurs nuk ka qenë i ri për Shqipërinë, ka nisur në vitin 2015-2019. Për fat të keq prej pandemisë vitin e shkuar nuk u organizua dot. Ndërkohë që këtë vit, me një emër të ri, “Colours of Albanians”, sepse u zhvillua në kuadër dhe të protokollit zbatues në fushën e diplomacisë kulturore midis dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky konkurs u lançua në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës./ atsh/ KultPlus.com
Filatelia e Postës së Kosovës, më 17 shkurt 2022, lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Lojërat Olimpike 2022”.
Përmes dy pullave postare dhe një blloku filatelik, në mënyrë simbolike prezantohen Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në Pekin, Kinë.
Është hera e parë që Kosova garon me dy sportistë në lojëra olimpike dimërore: Kiana Kryeziu, vajza e parë në këto lojëra nga vendi ynë dhe Albin Tahiri, debutues në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, në pesë disiplinat alpine të skitarisë.
Republika e Kosovës është në mesin e 90 shteteve pjesëmarrëse në Olimpiadën e Pekinit, transmeton Klankosova.tv.
Posta e Kosovës do të kujdeset si çdo herë që krahas afirmimit të vlerave tona kombëtare, përmes pullave postare do t’i motivon sportistët tanë në arritje sportive të Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
”Mëshira” e Mikelanxhelos, e njohur ndryshe Mëshira Vatikan, është një nga veprat më të bukura të krijuara nga gjeniu i Rilindjes Italiane. Një kryevepër e përjetshme, e cila, edhe pas pesëqind vjetësh, vazhdon të na mahnitë.
“Mëshira” e Mikelanxhelos gjithnjë e ka vënë qenien njerëzore para pikëpyetjesh.
E shikon në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vaikan dhe ajo nuk të lë në qetësinë tënde. Pse? Mundohuni ta shikoni me kujdes. Është hijerëndë? Jo. Është tmerruese? Jo. Është e qetë? Jo. Është përçmuese? Jo. Është ëndërrimtare? Jo. Është realiste? Jo. Mund të vazhdosh gjatë, duke thënë se çfarë nuk është, por duhet të rrekesh shumë për të qartësuar se çfarë është. Sa herë që përpiqesh ta përcaktosh, misteri i saj – misteri i bukurisë – largohet tutje, nuk kapet. Bukuria zbulohet, por largohet edhe një herë. Sa më shumë ta mbuloni me shpjegime dhe njohuri, aq më shumë ndiheni se ekziston një hendek, një shpërpjesëtim i nxehtës mes asaj që shihni fuqishëm para syve tuaj dhe asaj që fjalët arrijnë të thonë.
A close-up side view of the marble Pieta sculpture by Michelangelo, created circa 1498, depicting Mary holding the dead body of Jesus Christ, and located at St Peter’s Basilica in the Vatican. (Photo by Arnold Newman Properties/Getty Images)
Udhëzuesit dhe librat turistikë rregullohen mbi nocionet dhe stilin: skalitur nga Mikelanxhelo në mermer të bardhë Carrara, në 1498-1499, në një formë të përsosur piramidale, skulptura shfaq Madonën që ka të njëjtën moshë me të Birin dhe që e mban atë në krah, pasi është hequr nga kryqi. Tërësia tregon pastërti dhe ndershmëri. Në të vërtetë, kjo është prova më sipërfaqësore. Në realitet, ne jemi tërhequr dhe turbulluar nga “Dhembshuria”, sepse zemra jonë është bërë për të dëshiruar gjëra të mëdha dhe bukuria e ndez këtë dëshirë për të na sjellë në territore, marramendës, të frikshëm për ne të pamësuarit. Prandaj ndjejmë shqetësim, sepse, në fund të fundit, “Dhembshuria” – bukuria – nuk e dimë se ku na çon.
Mikelanxhelo ishte 23 vjeç kur e skaliti këtë punë. Oskar Uajld thoshte: “nga guximi pjesa më e mirë është paturpshmëria”. Skulptori i ri mund të ndiqte shumë mirë praktikën e figuracionit të shenjtë: nëna e moshuar që mirëpret me dhimbje djalin e munduar lakuriq. Përkundrazi, kokëkrisuri, i etur për të përfaqësuar Nënën më të re dhe më të re në krahasim me Birin e saj, i cili mund të paraqitet si një ofendim ose një blasfemi e rinisë pa respekt, e shndërroi “Dhembshurinë” në një unicum shprehës të pakrahasueshëm: “Gjithmonë është një mjeshtëri, një shfrytëzim i mjeshtërisë dhe për më tepër ndjenja e dobësisë së mjeshtërisë”, – shprehet Giuseppe Ungaretti.
Zanati nuk ishte i mjaftueshëm për Mikelanxhelon.
Zemra e tij, krijuar për të dëshiruar gjëra të mëdha, e kishte çuar tashmë në moshë të re për të matur veten me nevojën e mjeshtërisë, teknikës, aftësive në skulpturë, pikturë, arkitekturë, planifikim urban, por edhe për të kuptuar zbrazëtinë e tij, kur e njëjta zemër gjendet për të zbuluar hapësirat e jashtëzakonshme të të gjallit, për të cilin është e vështirë – madje edhe për një gjeni të padëgjuar si Mikelanxhelo – të japë formë, gjuhë dhe substancë njerëzore. / Konica.al / KultPlus.com
Aktorja e njohur shqiptare Tinka Kurti jo pak herë e ka kujtuar një puthje në jetën e saj.
Puthja e saj me Naim Frashërin ishte e para puthje në një film shqiptar, dhe kjo e theu një tabu të asaj kohe për mentalitetin sidomos shumë tradicional.
“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.
“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore” tregon Kurti.
Filmi “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958.
Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, ndërsa muzika nga Çesk Zadeja. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, piktorin dhe arkitektin Maks Velo.
“Mirënjohje arkitektit, piktorit, shkrimtarit Maks Velo, prania e të cilit do jetë gjithnjë mes nesh”, u shpreh Margariti.
Maks Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.
Me të mbaruar gjimnazin Maksi vazhdoi studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë. Në vitin 1960 ka marrë pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë dhe më pas ka punuar pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Vitet ’78-’79 ishin vitet më të vështira të jetës së tij pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.
Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është kushtuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj./atsh/ KultPlus.com
Dal nga një trishtim, hyj në një tjetër, Dita mbi dritare si perde tymnxirë. Ti tund qortueshëm ujvarën e flokëve. Di, vallë ti, një botë më të mirë?
Dal nga një dhembje, hyj në një tjetër. Qielli në dritare kallkan i ngrirë. Ti kapsallit qortueshëm konstelacionin e syve. Di valle ti nje bote me te mire?
Dal nga një vdekje, hyj në një tjetër. Kamzhiku i shiut dritaren rreh pa mëshirë. Ti duart shtrin dhe lutesh për mua. Di vallë ti, një Zot më të mirë? / KultPlus.com
Të premtën, më 18 shkurt 2022, në orën 17:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.
Temë shqyrtimi e kësaj të premteje është Letërsia e gruas.
Për këtë temë flasin Dije Demiri-Frangu dhe Naime Beqiraj,
Takimin e udhëheq Nerimane Kamberi.
Ftoheni të merrni pjesë.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Shkrimtari Bardhyl Londo vdiq sot në moshën 74-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Lajmi u bë i ditur nga akademiku Vasil Tole, i cili shprehet se “me hidhërim mësuam se zemra e mikut dhe shkrimtarit të shquar Bardhyl Londo sapo ndali. Një kaba përmetare po vajton për të”.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë thekson se “ndarja e poetit Bardhyl Londo nga jeta është një humbje e madhe për bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve, botën akademike, për familjen dhe te afërmit”.
Kryesia e Akademisë së Shkencave shprehu ngushëllimet dhe mbajti një minutë zi në sallën “Aleks Buda” para nisjes së veprimtarive të saj.
Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe. I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut.
Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”. Londo është autor i shumë vargjeve për dashurinë në letërsinë shqipe, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin. Një tjetër poezi e njohur e tij është “Ura dhe brigjet”.
Përvoja në gazetën “Drita” një nga gazetat më me ndikim në botën letrare gjatë komunizmit, duket se ka mundur të shmangë keqkuptimet në të cilat u përfshinë këto vite në debate publike shumë personazhe të kohës. Duke ruajtur një profil neutral, Londo arriti të krijonte profilin e një poeti dhe intelektuali të shkëputur nga koha.
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemeve në vend, duke bërë kalimin nga një kohë në tjetrën, të një institucioni, që për gati gjysmë shekulli kishte qenë zëri i propagandës së komunizmit. Për gati një dekadë pas rënies së komunizmit, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”.
Duket se liria e kishte bërë më të plotë poezinë e Londos, i cili rikthehej në dimensionin e plotë të tij. Megjithëse Londo hyn tek ata poetë që e kanë pranuar se “e kanë pasur jo të lehtë të punojnë pa censurën”. “Censura është futur aq thellë te ne sa është e pamundur ta shohim jashtë vetes”, do të shprehej ai.
Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, sjell të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi, përpjekjet për të mbetur njeri, dhe sfidat e një kohe tjetër siç ishte pluralizmi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.
Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë.
Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Londo është fitues i çmimit “Migjeni”.
Meta: Bardhyl Londo do të kujtohet përherë për vargjet frymëzuese që la trashëgim
Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Bardhyl Londo.
“Me shumë trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Bardhyl Londo, intelektualit aktiv dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike. Një humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë, kolegët dhe letërsinë shqiptare, ku spikati me talentin e tij të veçantë”, theksoi Meta.
Meta tha se “Bardhyl Londo do kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve”.
Basha: Bardhyl Londo, frymëzues i shumë brezave
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Bardhyl Londo, duke theksuar se “Londo i përket atij brezi intelektualësh shqiptarë që talentin dhe identitetin e tyre kulturor e lidhën fort me fatet e vendit dhe shoqërisë shqiptare”.
“Poeti i njohur la pas vepra dhe vlera si rrallëkush këto 30 vite në demokraci. Ishte fat për mua ta kisha pranë dhe përgjatë muajve të fundit të shkëmbeja me të ide dhe mendime të një diapazoni të gjerë siç dinte veç ai. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm si deputet, anëtar Kryesie, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Kreu i PD-së theksoi se “Bardhyl Londo ishte frymëzuesi i madh i ndryshimit në vitin 1990 dhe poezitë e tij për demokracinë ishin refren i shumë shesheve ku u zhvilluan mitingjet e para të Partisë Demokratike. Ai vazhdoi të ishte krijues i talentuar, intelektual i angazhuar dhe një veprimtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike deri në fund të jetës së tij. Largimi i tij është një humbje e madhe jo veç për familjen e tij por dhe për kulturën, artin dhe politikën shqiptare”.
“Me ikjen e tij, Shqipëria ka humbur prej qytetarisë dhe urtësisë se tij një zë që dëgjohej me respekt. Familja ka humbur bashkëshortin, babain dhe shtyllën e urtë të saj”, tha Basha./atsh/ KultPlus.com
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli fituesit e çmimeve të parë të Akademisë më 18 shkurt të vitit 1929. Emrat e marrësve të parë të çmimeve u shtypën në faqen e pasme të buletinit të akademisë. Disa ditë më vonë, Variety publikoi informacionin – në faqen shtatë. Ceremonia u mbajt më pas në maj.
E udhëhequr nga manjati i filmit Louis B. Mayer, Akademia u organizua në maj 1927 si një organizatë jofitimprurëse e dedikuar për avancimin dhe përmirësimin e industrisë së filmit. Çmimet e para shkuan për filmat e prodhuar më 1927 dhe 1928. Megjithëse njoftimet u bënë në shkurt 1929, çmimet aktuale nuk u dhanë deri më 16 maj 1929, në një ceremoni dhe banket të mbajtur në dhomën e luleve të hotelit Hollywood Roosevelt. Rreth 270 njerëz morën pjesë në darkë, shumë prej të cilëve paguanin 5 dollarë secili për një biletë.
Fituesit e parë të çmimit Oscar morën statuja ari të dizajnuara nga drejtori i artit, Cedric Gibbons, dhe të skalitura nga George Stanley. Presidenti i parë i Akademisë, aktori i filmit pa zë, Douglas Fairbanks, ua shpërndau statujat fituesve, të cilët përfshinin Janet Gaynor për Aktoren më të Mirë (për tre filma të ndryshëm: Seventh Heaven, Street Angel dhe Sunrise) dhe Emil Jannings me origjinë gjermane (The Last Command dhe The Way of All Flesh) për aktorin më të mirë. Frank Borzage dhe Lewis Milestone fituan çmimet e regjisorit më të mirë, respektivisht për Seventh Heaven dhe Two Arabian Knights. Nderimet për filmin më të mirë shkuan për Wings, drama e Luftës së Parë Botërore me regji të William Wellman.
Në vitin e dytë të çmimeve të saj, Akademia ndryshoi politikën e saj dhe filloi të publikonte emrat e fituesve të çdo viti në shtyp në orën 23:00, natën e ndarjes së çmimeve. Kjo praktikë përfundoi në vitin 1940 pasi Los Angeles Times shkëputi traditën dhe publikoi rezultatet në edicionin e saj të mbrëmjes, që do të thoshte se ato u zbuluan para ceremonisë. Akademia më pas krijoi një sistem zarfesh të mbyllura, i cili mbetet në përdorim edhe sot. Çmimet nuk morën nofkën “Oscars” deri në vitin 1931, kur një sekretare në Akademi vuri në dukje ngjashmërinë e statujës me xhaxhain e saj Oscar, dhe një gazetar e shtypi komentin e saj.
Çmimet u transmetuan në radio deri në vitin 1953, kur u transmetua programi i parë televiziv i Oscars. Që atëherë, Çmimet e Akademisë janë bërë një nga ngjarjet televizive më të ndjekura në botë./ KultPlus.com
16 vite më parë u nda nga jeta piktori i njohur shqiptar Kel Kodheli, autori i pikturave të njohura si “Vallja e shpatave” ,”Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”. “Lahutari”, “Portret shkodraneje”.
Në kohë e fundit para se të ndahej nga jeta, Kel Kodheli u muar edhe me pikturë moderne.
Ai lindi më 24 dhjetor 1918 në katundin Kodhel të Lezhës. Kur kishte 6 vjeç, familja e tij vendoset në Tiranë. Pas kryerjes së shkollës fillore në vitin 1933, Keli vazhdoj shkollimin e mesëm teknike por ndoqi kurset e vizatimit nën drejtimin e Odhise Paskalit e të Lasgush Poradecit.
Prindërit e tij babai Gega dhe nëna Eile, kishin dëshira kontradiktore për arsimin e mëtejshëm të djalit të tyre. Babai donte inxhinierinë, ndërsa nëna pikturën. U bë që Kel Kodheli të vazhdoj studimet në Romë në atelienë e Karlo Silvierës. Nga Roma kthehet në vitin 1943 dhe 10 vite punon në Bankën Kombëtare, si modelues.
Me 17 prill të vitit 1945 hapi ekspozitën e parë, titulluar “Nëna e dëshmorit” bazuar në pikturën e tij që e pat pikturuar “Gruaja që i ka vdekur burri”. 20 vjet punoi si edukator në Lice (Gjimnaz) për të dalë në pension si mësues i një shkolle fillore, edhe pse me Akademi të Arteve të Bukura të Romës.
Më 24 dhjetor 2003, Presidenti i asaj kohe Aleksandër Moisiu, në shtëpinë e tij Kel Kodhelit i dorëzon çmimin e “Piktorit të Merituar”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e sajë, ruhen 12 kompozime dhe 11 portrete të piktorit Kel Kodheli. / KultPlus.com
Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Qe në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.
Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm.
**** Mikelanxheloja i tregoi një piktori një tablo që e kishte bërë duke marrë fragmente nga veprat e të tjerëve dhe i tha:
– Vështroni mirë e me gjykim të ftohtë. Po të marrë secili pjesën e tij, nuk do të mbetet veçse pëlhura.
**** Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, të cilin po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar. Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar i asaj kohe në fushën e artit. Ai u ndal për ta vështruar veprën madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium, i vajti pranë autorit dhe i tha:
-Hunda e shtatores duket tepër e madhe në raport me komponentët e tjerë anatomik të imazhit të jetësuar të Davidit, nënshtruesit Golias së frikshëm. Atëherë Mikelanxhelo pa e prishur terezinë dhe duke shfaqur një lloj bindjeje për “vërejtjen” e bërë nga kolegu, rrëmbeu fshehurazi një grusht pluhur mermeri te këmbët e statujës dhe menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes duke derdhur nga pluhuri i marrë. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:
– Vështrojeni mirë tani, duket më mirë apo jo?
– Po, tha preraz ai. Më pëlqen më shumë kështu, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë, plotësoi ai.
**** Një ditë Mikelanxhoja shkoi te Papa JuIi II. Roja e ndaloi duke i thënë se Papa nuk mund ta priste. Mikelanxhelo u fye rëndë dhe me përbuzje iu përgjigj:
– I thoni Papës se do të vijë një ditë që ai do të kërkojë të më takojë, por nuk do të mundet. Dhe menjëherë u largua nga Roma.
**** Një herë, kur skulptori i dëgjuar bëri statujën e Kupidit, vendosi t’i heqë asaj një krah dhe ta fusë veprën e tij në dhe, në një vend ku bëheshin gërmime arkeologjike. Kur u gjend shtatorja shumë e bukur e Kupidit, të gjithë qenë të bindur se ishte fjala për një vepër të lashtësisë. Atëherë Mikelanxhelo duke qeshur, nxori krahun e këputur dhe zbuloi lojën e tij.
**** Kur Mikelanxheloja pa djalin e bukur të një piktori, i tha:
– Babai yt ka arritur të bëjë më mirë figura të gjalla se sa të pikturuara.
**** Mikelanxhelo e admironte shumë artin e lashtësisë. Në vitet e fundit të jetës, kur u verbua, shkonte te këmbët e skulpturave të lashtësisë, i prekte me duar, i përkëdhelte konturet dhe derdhte lot nga mallëngjimi.
**** Mikelanxhelo kishte bërë një tablo të bukur për Andrea Donin, njeri shumë dorështrënguar. Kur ia dërgoi tablonë e shoqëroi me një letër, me anën e së cilës i kërkonte 70 dukatë për veprën. Doni dërgoi vetëm 40 dukatë. Mikelanxhelo ia ktheu paratë, duke i thënë se tashmë donte 100 dukatë.
Donfi, duke psherëtirë, i nxorri me pikëllim 70 dukatë dhe ia dërgoi. Mirëpo Mikelanxhelo iu përgjigj se tashti kërkonte 140 dukatë dhe asnjë më pak. Andrea Donfi që ishte dashuruar shumë pas tablosë u detyrua nga frika t’i dërgojë të 140 dukatët, sepse kishte frikë se mos artisti e ngrinte përsëri çmimin e veprës së tij.
**** Kur Mikelanxhelo bëri statujën e famshme të Moisiut, pasi e mbaroi e soditi gjatë dhe u kënaq aq shumë me veprën e tij sa thirri:
– Po fol de, pse nuk flet. /Alber Vataj / KultPlus.com
Kanadaja është ndriçuar me ngjyrat e flamurit të shtetit të Kosovës. Kjo për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu ka publikuar fotografi nga ky moment.
“Çfarë nate e bukur sonte në Kanada. E ndriçuar kudo- nga bregu në breg, me ngjyrat (blue-gold-white) e flamurit të Republikës së Kosovës. Faleminderit Kanada”, ka shkruar Kryeziu./ KultPlus.com
Kosova është e mbushur me bukuri nga më të ndryshmet, e pikërisht këto pamje të jashtëzakonshme video kreatori Fitim Sopjani tenton që t’i përcjell nëpër rrjete sociale dhe të bëjë promovimin e Kosovës kudo që ai ndodhet, shkruan KultPlus.
Projekti i tij i fundit, me titull “Ski Center Brezovica”, që tenton të shfaq promovimin e njëra prej qendrave më të mira dhe më të njohura të skijimit në Ballkan, ka gjetur mbështetje nga Zyra e Presidencës, gjë që ka ndodhur për herë të parë.
Për këtë gjë, Sopjani në një prononcim për KultPlus tregon se është diçka të cilën e vlerëson shumë.
“Duke pasur parasysh që ka me vite të tëra që unë bëj promovimin e Kosovës, me mjete të mia vetanake, dhe pa asnjë interes, kjo përkrahje nga presidenca më ka gëzuar shumë”, ka thënë ai.
Kjo gjë madje do ta motivojë të riun që të punojë edhe më tepër në promovimin e vlerave të ndryshme të cilat Kosova ka në brendësi të saj.
“Kjo përkrahje më ka jep kurajo që unë të bëj projekte edhe më madhore për Kosovën”, shtoi ai tutje.
Këtë vit është marrë vendim që Kosova të marrë nën menaxhim Brezovicën, gjë që nuk ka ndodhur në 22 vitet e fundit. Më 13 janar të vitit 2022, Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpcë, në përbërje të gjashtë anëtarëve.
Më poshtë mund të shikoni edhe videon e publikuar nga Fitim Sopjani. /KultPlus.com
I Je fjalë e ruajtur nga dheu që hyn nëpër gjak e del nëpër diell je krahëror i shpuar nga plumbat krua i gjetur në palcën e shkëmbit të nxirë nga gjuajtjet nëpër kohë Kosovë lahutë e djegur këngësh E thirrjesh ndër revolucione
II je emër i paksuar në luftë për të mbetur e bukur për gjuhën që s’deshi të këputet nga rrenjët e legjendës së vjetër je stuhi e vringëllimave të shpatave tokë e bleruar ndër ëndrra tokë e rritur në gjinj nëpër vite e shekuj Kosovë pushkë e gjatë e zbrazur nga rruga e nga pylli
III E gurë të thyer mbi gurë e mur — shpend i vrarë në bebëza e gurë të ngrënë mbi rrashtë e duar — durim i gjakut në emër e rrashtë e shpuar mbi gurë e flamur — lum i zi lum i kuq në zemër
IV je ylli im dhe vdekja ime kë zërin e ninullave ninullave të kënduara kryengritjeve je gjuha ime dhe ashti im ke formën e sofrës — sofrës së dasmave të kuqe je e tashmja dhe e ardhshmja ime ke syrin prej lulediellit — lulediellit të skuqur nga flaka e pushkës të rritur nga gjaku e djersa
V djepi yt më ka rritur djepi yt më ka plakur Rrugët tymojnë në prehrin tënd jemi gjetur në prehrin tënd kemi mbetur Këngët jehojnë Kosovë tokë e paepur
VI pas teje shekujt gurë të shpuar breg rrugëve ëndërrojnë pas teje dejtë e tharë rreth zemrave lotojnë pas teje kullat e verbuara ditëve të përflakura recitojnë pas teje tokë e qiell muze eshtrash e dritash gjakojn pas teje pas teje fjalët e mia të ngurëzuara në shkëmb të kërkojn
VII të kërkoj ndër libra të gjej në gjuhë — rrethatore e ngrirë e brezit të kërkoj nëpër dete të gjej në shkëmb — fanar i dritës dhe i gjakut të kërkoj ndër varre të gjej në tufat e kallinjve si mustaqet e rritura të nipave – Kosovë lavër e skuqur e ballit tim
VIII të dua për farën që tufoi edhe ndër varre edhe mes gishtërinjve edhe ndër sy të dua për farën që s’e kalbi as gjaku që s’e mërdhiri acari që s’e shterri as thatësira të dua për duart që libra shkruajnë për ikjet e kthimet tua nëpër fërfëllaza e të reshura të dua për kullat triherë të kallura të ndërtura sërish nëpër krisma të dua për emrin që shkrove me maje të briskit nëpër lisa për shqiponjat që i qendise shamiave të djemve të vetëm për ndjekjet rrahjet vdekjet Mehmet Dinës për yrishet e tij sukave për pushkën e tij pa rrip për fishekët e tij nëpër xhepa të dua për damarët e dritës në duart e Din Mehmetit
IX e kullat e djegura të mbikullave lomsha flake në qiell e pushkët e heshtura nga pushkët për një emër për një djep për një qiell — recital i gjuhës kosovë krismë e gjatë
X qëndroj para teje me një pushkë e me një laps — porosia jote më kallë fryma jote më jep zemër jetë më jep qëndroj para teje me një drapër me një çekan — syri yt dashuri e zjarrtë
XI të dua për duart e qara duke lidhur shekujt sukave të zgjuara për duart mbi tanksa të Hitherit e Musolinit për pishtarët e lirisë të dua për këngët e babait mbrëmjeve pa dritë për fishekët e tij nëpër xhepa për lutjet e nënave vetëtimave për pranverat që nxjerre nga gjoksi për yjet diejt tokës së plleshme të dua për duar që ngrejnë ura që lidhin në mesveti popujt për ato që ndërtojnë shkolla në fshat Kosovë shqipanjë vallëtare shkëmbinjsh dhe fushash të bleruara të dua për një kështjellë eshtrash për një shpatë për një emër për gjithçka që shihet e preket për gjithçka në ëndërr e zhgandërr të dua kur qeshi kur qaj kur ngritem kur zbres kur eçtohem kur kam uri kur dashuroj kur çmendem Kosovë zog i Diellit… / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, piktorin Edison Gjergo.
“Homazh piktorit Edison Gjergo, që u dënua sepse doli jashtë kornizave të realizmit socialist”, u shpreh Margariti.
Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e realizmit socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste. Në tablotë e tij, vihen re gjithmonë e më shumë tendencat ekspresioniste dhe kubiste, larg shablloneve të ngurta akademike dhe skematizmit që mbizotëronte në këtë periudhë në artin figurativ shqiptar.
Piktori Gjergo zgjodhi tematikën e tablove të tij, brenda rregullave të realizmit socialist. “Era” e një jete politike sociale më liberale që u ndje në fillimin e viteve ’70 edhe në kulturën shqiptare bëri që mjaft piktorë sidomos ata të rinj, të realizonin punimet e tyre në forma artistike “novatore” për kohën.
Ai mori pjesë në disa nga ekspozitat kryesore: në 1966 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative me punimin “Heroina Zonja Çurre”; në 23 nëntor 1970 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, piktorëve dhe skulptorëve të rinj “Rinia në punë dhe në jetë” ku mori pjesë me një punim: “Kënga e aksioneve”; në 1971 në ekspozitën kombëtare “Pranvera” me dy punime: “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971); në 1972 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative e Rinisë me punimin:”Portret malësoreje” dhe në nëntor 1974 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me punimin: “Tekstilistët”.
Edisoni u arrestua më 13 janar 1975 dhe u dënua me 8 vjet burg me akuzën e agjitacionit e propagandës. Dënimin Edisoni e vuajti në burgun e Spaçit. Pas lirimit nga burgu më 15 nëntor 1982 nuk ishte e thënë që ta linin të qetë. Atij iu dha një tjetër dënim më 1989, i cili nuk ndodhi, pasi më 1989 Edison Gjergo u nda nga jeta./ KultPlus.com
Gjithçka në jetën e poetit lirik, Frederik Rreshpja, nisi si një psherëtimë e zëshme përkoreje në qytetin e Shkodrës 79-vite më parë, më 19 korrik 1940. Erdhi në jetë si një amanet dhe përfundoi si një anatemë.
I ngjizur me dashuri dhe forcë besimi katolik, kurmi i këtij njeriu do të ecte në të zakonshmen, deri kur një shkreptimë fatkeqe dashurie e goditi në zemër duke i thyer shpirtin.
Gjithçka në jetën e tij do të ndryshonte kur ai do të ishte ende i ri. Një zjarr dashurie që shpërtheu si një vullkan do të bëhej për këto vullnete të stuhishme ndjenjash të hyjshme, një ferr, ndoshta pikërisht ai për të cilin Dante mëton në “Komedinë Hyjnore”. Pati një trashëgimtar, të cilit nuk i’a ktheu asnjë Odiese. Lënda tragjike e jetësores që mëtoi, e ngjeshi këtë magmë, duke e ngurtësuar në humusin e fateve tragjike, në dëshmimin e ngjizur me dhimbje dhe trishtim.
Frederik Rreshpja erdhi për të mbetur një zë kushtrues në lirikë, një përjashtim në lëndën e ngjizjes, një vetvete e tallazuar trazimesh në jetë. Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës dhe në mirënjohjen e gjeneratave, se sa ai. Jetoi gjithnjë në tehun e rrezikut dhe kumtoi në poezi thelbin tragjik. Jetoi me dhimbjen dhe absurdin, gjithëçmosin, si në një marrëdhënie të vetme ekzistimi, deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, e atë kurm të drobitur nga hekat dhe vetmia.
Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e nuk e ndali luftën përkundër asgjëje. Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues.
Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të fatit dhe vetmisë që e cytin si një zë nimfash, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbërritur gjithnjë në një tokë të pashkelur. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë mbi supet i rëndon një gurë i stërmadh që vetëm rritet. Në tokën që gjithnjë rrëshqet për nën këmbë ai është një Ante.
Vitet e një stine të ndëshkimi, mohimi, harrimi dhe mospërfillje do ta përndjekin këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë, si të vetmin armik që duke i thyer zemrën, ai i theu enën e fatit, copëzat e së cilës i shpojnë këmbët e çjerrin qiellin. Gjithqysh ai ishte këtu. Është ende këtu në mungim.
Pavarësisht nëse ai deshi, apo dikush u përpoq ta anatemonte duke e martirizuar, ai u bë ndër zërat më dëshmues të kohës. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force, që mëson të ndërtojë vetveten, duke u përleshur gjithmonë dhe me gjithçka. Në tehun e vetëtimava ai e ka mprehur mendimin, në tharmin e zemërimit të tokës, në llavën e vullkanit, ai ka ngjyrë penën, për të dëshmuar atë që i duhej brezit për të bërë atë që bënte më mirë, për të qenë poet. Ai është në zërin dhe zemrën e secilit prej nesh që jeton në vetminë e tij, që ndjen pulsin e e betejave të tij që janë edhe tonat. Ai la një testament dhe një shpirt. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik. / KultPlus.com
Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse Andej nga Kosova në fshatrat e thella, Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe Si valë e flamurit tek shpella.
Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra, Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj. Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura, po veç si qëmoti me kuaj.
Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë, Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë, me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.
Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët Në vatrën time të vjetër sa përralla, Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër, Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,
Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë, Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta; Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë, As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…
Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur Në fshatarat e thella andej nga Kosova, Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur, Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja. / KultPlus.com
“Alcarras” nga Carla Simon fitoi ”Ariun e artë” si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit të Berlinit, njoftoi juria.
Filmi tregon historinë e betejave të përditshme të një grupi fermerësh pjeshkësh në Spanjë dhe se si ata janë shtyrë në prag të ekzistencës së tyre.
Tetëmbëdhjetë filma ishin në garë për ”Ariun e artë” për filmin më të mirë.
Juria drejtohej nga regjisori hollivudian M Night Shyamalan.
Berlinale e këtij viti është e hapur për publikun, por nën kufizimet e koronavirusit që do të thotë se teatrot do të jenë vetëm gjysmë të mbushura dhe do të pranohen vetëm ata që janë vaksinuar kundër koronavirusit ose janë shëruar së fundmi nga Covid-19.
Çmimi “Ariu i Argjendtë” për regjinë më të mirë shkoi për regjisoren franceze, Claire Denis për filmin “Avec amour et acharnement”.
Regjisori koreano-jugor Hong Sangsoo fitoi Çmimin e Madh të Jurisë për filmin “The Novelists Film”.
Çmimi i jurisë shkoi për filmin meksikan “Robe of Gems” me regji të Natalie Lopez Gallardo.
Çmimi “Ariu i argjendtë” në kategorinë e aktores më të mirë në rolin kryesor i takoi aktores me origjinë turke, Meltem Kaptan për rolin e saj në filmin “Rabiye Kurnaz kundër George W. Bush”.
Çmimi prej 40 mijë eurosh për dokumentarin më të mirë shkoi për filmin “Ditarët e Mianmarit”, i cili tregon kryengritjen kundër grushtit të shtetit në Mianmar në vitin 2021.
Në festival do të shfaqën 256 filma nga 69 vende.
Ditët e audiencës fillojnë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve dhe i gjithë festivali mbyllet të dielën./ KultPlus.com