Osmani vazhdon aktivitetet në promovimin e ekonomisë së Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e vizitës zyrtare në Panama ka mbajtur një sërë takimesh me qëllim të promovimit të potencialit ekonomik të Kosovës dhe thellimit të marrëdhënieve miqësore

Kësisoj, Presidentja Osmani ka takuar udhëheqës të sektorëve të ndryshëm, përfshirë komunitetin e biznesit, teksa më pas ka takuar edhe Korin diplomatik.

Presidentja Osmani ka vizituar gjithashtu qytetin e Kolonit në pjesën atlantike të Panamasë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Odës Ekonomike dhe terminalit ndërkombëtar Manzanillo. Si një nga zonat më të rëndësishme të lidhshmërisë tregtare botërore, Presidentja ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit ndërshtetëror do t’i mundësojë bizneseve kosovare qasje më të lehtë në Panama dhe në të gjithë rajonin e Amerikës Latine.

Në një takim me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kolonit, Michael Chen dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit biznesor është konfirmuar gatishmëria e përbashkët që t’i përafrojnë bizneset e të dy shteteve dhe të krijojnë ura të reja të bashkëpunimit dhe komunikimit.

Gjatë qëndrimit në Panama, Presidentja ka takuar Jorge Ramón Arosemena, drejtorin e Qytetit të Dijes, i cili nga një bazë ushtarake amerikane është shndërruar në qendër inovacioni, ndërmarrësise, arti e kulture. Presidentja dhe drejtori Arosemena janë dakorduar që të ndërmerren hapat e mëtejmë për ta rritur bashkëpunimin me këtë institucion, përfshirë shkëmbimin arsimor dhe kulturor. Më tej, Presidentja e ka informuar z. Arosemena mbi potencialin e Kosovës si vend lider i ndërmarrësisë, teknologjisë dhe inovacionit në rajon.

Gjithashtu, Presidentja ka takuar edhe ambasadorë si dhe deputetë e përfaqësues të tjerë të Panamasë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në kontinentin tonë dhe më gjerë, duke ritheksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që të kontribuoj për paqe dhe stabilitet, duke bashkërenduar politikën e jashtme me aleatët e Kosovës. Në bashkëbisedim me diplomatët e akredituar në Panama dhe përfaqësues të tjerë të Panamasë, Presidentja ka nënvizuar progresin e vazhdueshëm të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht në trajektoren e demokracisë, lirive individuale, të medias si dhe përkushtimin për shtetin e së drejtës.

Gjatë ditës, Presidentja do ta vizitojë edhe Kanalin e Panamasë, ku do të shoqërohet nga Ministri për Çështje të Kanalit, Roberto Roy, si dhe do të takojë përfaqësues të Odës Ekonomike të Panamasë.

Në vizitën zyrtare në Panama, Presidentja ka përmendur potencialin ekonomik dhe frymën e përbashkët demokratike si motivim për të thelluar tutje bashkëpunimin ndërshtetëror. /KultPlus.com

E emëroi një këngë me emrin ‘Dua Lipa’, këngëtari Harlow njofton se ka marrë leje për këtë

Këngëtari amerikan, Jack Harlow, ka publikuar albumin e tij të fundit në të cilin shihet edhe një këngë me emrin “Dua Lipa”, e cila është e kushtuar pikërisht për këngëtaren shqiptare, shkruan KultPlus.

Në një intervistë të fundit, Harlow shpjegon se ka marrë lejen e Lipës që ta publikoi këtë gjë, e gjithashtu ka thënë se nuk do ta publikonte këngën në qoftë se kjo e fundit do të thoshte jo.

“Doja të merrja lejen e saj, kështu që e telefonova atë në FaceTime dhe ia tregova, sepse nuk doja që ajo të verbërohej prej saj ose të ndihej e zvarritur. Ajo ishte sikur “është kënga jote, mendoj se është në rregull”.

I pyetur nga gazetarët se a i dedikohet kënga Lipës, Harlow pranon se e admiron atë dhe e ka kushtuar tërësisht gjithë këngën asaj.

“Dua Lipa, dua të bëjë diçka më shumë me të sesa vetëm një bashkëpunim”, është pjesë nga teksti i kësaj këngë. /KultPlus.com

“Gjithçka të shumtë ai e pati, të vetme kish veç Shqipërinë”

Në përvjetorin e lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, KultPlus iu sjellë një poezi të shkruar nga poeti Ismail Kadare.

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

Bashkëpunimi kulturor, tema kryesore në takimin mes Çekut dhe Luçin

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku është takuar sot me zëvendësministrin e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Daim Luçin.

Në takim është diskutuar për çështje të interesit të dyanshëm mes dy vendeve në fushën e kulturës, me theks fuqizimin e bashkëpunimit kulturor përmes aktiviteteve konkrete të përbashkëta në shkëmbimin e përvojave të mira dhe të profesionistëve në fusha të veçanta kulturore.

Ministri Çeku e ka informuar edhe për punët, planet dhe aktivitetet që janë duke u realizuar në fushën e kulturës nga ana e ministrisë dhe ofroi mbështetjen e plotë të MKRS-së për të bashkërenduar përpjekjet për rritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut në kulturë. /KultPlus.com

Në Kosovë do të mbahet një edicion i përbashkët mes PriFest dhe Festivalit Odesa të Ukrainës

Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë). Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë, Kosovë,

Me moton “Odesa IFF përtej kufijve: Odesa në PriFest”, Prishtina International Film Festival do të mundesojë hapësirën që OIFF të mbajë një pjesë të programit në Prishtinë, gjatë kohës së edicionit të sivjem të PriFest.

Dy festivalet gjithmonë janë përputhur me terminet në fund të korrikut, si dhe shpesh kanë ndarë mysafirët ndërkombëtarë që kanë udhëtuar nga njëri festival në tjetrin. Edhe këtë vit ishte paraparë ashtu, por fatkeqësisht për shkak të luftës në Ukrainë, festivali i Odesës u anulua.

Menaxhmenti i PriFest kontaktoi menaxhmentin e OIFF dhe u pajtuan që Odesa IFF të akomodohet në Prishtinë me disa nga programet dhe mysafirët.

“Jemi vërtetë të brengosur dhe të mërzitur duke parë se cfarë po ndodh me luftën në Ukrainë. Ne në Kosovë kemi përjetuar luftën 20 vjet më parë dhe bashkëndjejmë me Ukrainën dhe popullin e saj. Kultura dhe arti poashtu vuajnë në situate të tilla, dhe duke parë njerëzit e Ukrainës që aq trimërisht rrezistojnë dhe luftojnë, ne ndjemë nevojën të bëjme dicka për kolegët tanë Ukrainas. Kështu kontaktuam me miqtë nga Odesa International Film Festival dhe ua spjeguam idenë tonë. Andaj jemi krenarë të shpallim lajmin se do të kemi në PriFest një program special të filmave nga kineastët e rinjë Ukrainas nga programi i Odesa IFF. Gjithashtu, 10 projekte filmike ukrainase do të mbarrin pjesë në PriForum, në sesionin garues të Best Pitch, si dhe të takojnë producentë, selektorë festivalesh dhe distributorë në Prishtina Randezvous. Ne mëtojmë të mundësojmë që filmbërësit ukrainas dhe menaxhmenti i Odesa IFF të vijnë në Prishtinë. Shpresoj që gjithcka të jetë ok deri atëherë dhe ata të kenë mundësi të vijnë”- tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest.

“Invazioni cinik rus në Ukrainë ka pasur impakt të drejtpërdrejt në secilin Ukrainas dhe në gjitha degët e industrisë që zhvillojnë vendin tonë. Ne kemi qenë në pamundësi të mbajmë edicionin e 13-të të Odesa International Film Festival në formatin që mysafirët dhe shikuesit tanë e duan aq shumë. Por, jemi shumë mirënjohës kolegëve tanë nga Kosova – nga Prishtina International Film Festival – për mundësinë që të mbajmë edicionin e OIFF përtej kufijve: në PriFest, dhe të shfaqim projektet filmike Ukrainase për publikun e huaj. Në vitet e fundit, kinematografia Ukrainase ka pasur ngritje konstante, u fuqizua, dhe arriti të ketë tifozë në gjithë botën. Ne nuk mund të ndalemi tani, dhe duhet t’I tregojmë botës historinë e kulturës Ukrainase. Jam i sigurt se projekte shumë interesante, origjinale dhe unike për Ukrainën dhe kulturën e saj specifike do të shfaqen në Best Pitch në PriForum” tha Anna Machukh, drejtore gjenerale e OIFF.

Komuna e Prishtinës është mbështetëse e kësaj iniciative, dhe Kryetari i Prishtinës Përparim Rama me këtë rast tha: “Është mundësi e jashtëzakonshme, marrë parasysh luftën në Ukrainë, që këtë vit Odesa të mbajë edicionin e saj të sivjemë këtu në Prishtinë, në partneritet dhe bashkëorganizim me PriFest-in, më të suksesshmin festival të filmit që ka kryeqyteti ynë. Kryeqyteti do ta mbështesë maksimalisht këtë hap të mrekullueshëm bashkëpunimi mes dy festivaleve. Kjo është një mundësi shtesë për të shfaqur solidarizimin me luftën e Ukrainës për të drejtën më themelore të saj – lirinë”.

PriFest është në pregaditje për të pritur mysafirët nga Ukraina në Prishtinë që të prezentojnë filmat e tyre, si dhe të marrin pjesë në programet e ndryshme të PriFest me projektet filmike Ukrainase në zhvillim.

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 26-31 korrik. /KultPlus.com

Përkujtohet albanologu i shquar austriak me prejardhje hebreje

Si sot më 6 maj 1942, u nda nga jeta studiuesi dhe albanologu i shquar austriak, Norbert Jokli.

Jokli do të mbaronte shkollimin e tij me shkëlqesa të lavdërueshme (“summa cum laude”) dhe do të konsiderohej që në rini, si një nga studiuesit më të mirë të kohës në fushën e gjuhësisë e kryesisht në lëmin e gjuhëve indoevropiane.

Albanologu do të hidhte vështrimin e tij studimor në gjuhën tonë, duke kryer studime të kalibrit botëror. Në mbështetje edhe të studimeve të Gustav Majerit e të Pedersenit, Dr. Jokli do e cilësonte shqipen si vazhdimësi të ilirishtes dhe të trakishtes.

Me ardhjen në fuqi të nazizmit në Austri, studiuesi do të përndiqej për shkak të origjinës së tij hebraike. Kundërvënia ideologjike ndaj prejardhjes së tij do t’i kushtonte edhe jetën.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave disponon një sërë letër këmbimesh me albanologun mbi fusha të ndryshme të studimit të kulturës shqiptare./ atsh / KultPlus.com

Margariti: Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit u konsultua me rreth 80 ekspertë shqiptarë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se për hartimin e planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit janë konsultuar rreth 80 ekspertë shqiptarë, bashkëpunëtorë, ekspertë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, etj.

Në një reagim, ministrja Margariti sqaroi se “më 13 qershor 2019 Ministria e Kulturës i ka kërkuar mendim Institutit të Arkeologjisë rreth draftit të PMI të Parkut Kombëtar të Butrintit. Më 11 korrik 2019 Instituti i Arkeologjisë ka depozituar pranë Ministrisë së Kulturës gjithë sugjerimet në lidhje me draft-PMI të Butrintit, të cilat janë reflektuar në draftin e ri. Janë zhvilluar tre dëgjesa publike në periudhën tetor-nëntor 2019. Më 6 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore, firmosur edhe nga një ekspert nga fusha e arkeologjisë”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti sqaroi se “më 7 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, firmosur edhe nga IA dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” i është nisur të gjitha ministrive të linjës në datën 15 dhjetor 2021 mes të cilave edhe Ministrisë së Arsimit, në varësi të së cilës është IA”.

“Më 21 dhjetor 2021 Ministria e Arsimit sjell përgjigjen me sugjerimet përkatëse, të cilat u reflektuan në projektligj. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” u miratua në Këshillin e Ministrave në 29 prill 2022″, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com

Meta takon nipin e Ismail Qemalit: Kënaqësi të dëgjoja për lidhjen e ngushtë me vendlindjen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim, Nedim Aleksandër Vlorën, nipin e Atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali.

Meta u shpreh se ishte kënaqësi të dëgjonte prej tij për lidhjen e ngushtë që ndjente në zemër për vendlindjen e të parëve.

Meta theksoi se ishte “akoma më bukur sesi këtë dashuri të madhe për Shqipërinë ua transmetonte nipërve e mbesës së tij, me kërkesën, që edhe në brezat e ardhshëm të ruhet tradita e trashëgimit të mbiemrit Vlora”.

“Pres me padurim botimin e librit të Nedim Vlorës mbi historinë 1000-vjeçare të familjes Vlora, për t’u njohur edhe me disa dokumente të papublikuara më parë, për Ismail Qemalin”, u shpreh Meta në një postim. /atsh/ KultPlus.com

The Bad Guys arrin në Cineplexx me eventin Dita e Familjes më 8 maj ku do të ketë shpërblime dhe aktivitete për fëmijë




Një animacion i ri nga DreamWorks Animation, bazuar në serinë e librave më të shitur të New York po arrin në Cineplexx më 8 maj, me eventin Dita e Familjes, ku do të ketë shumë shpërblime dhe aktivitete.

Njëri prej filmave të shumëpritur për fëmijë, po arrin në Cineplexx me eventin Dita e Familjes. Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 11:30 ku do të ketë shumë shpërblime dhe aktivitete si facepainting falas, dhe coloring pages.

Sa i përket ngjarjes së filmit, pas një jete grabitjesh legjendare, kriminelët famëkeq Z. Ujku, Z. Gjarpër, Z. Piranha, Z. Pershkaqen dhe Znj. Tarantula më në fund janë kapur. Për të shmangur një dënim me burg, jashtëligjorët e kafshëve duhet të largojnë mashtrimin e tyre më sfidues deri më tani, duke u bërë qytetarë model. Nën mbikëqyrjen e Profesor Marmalade, banda e dyshimtë niset të mashtrojë botën se ata po bëhen mirë.

Gjatë eventit do të dhurohen shpërblime të ndryshme në të dy kinematë.

Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Timberland

10x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland

https://www.instagram.com/p/CdL4Z74IaKT/

Ndërsa në kinemanë në Prizren do të dhurohen:

10x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland

https://www.instagram.com/p/CdL4XoloUcB/

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 11:00.

Në shënim të dy vjetorit të vdekjes, nesër mbahet Akademi përkujtimore për Ahmet Brahimaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, kanë organizuar Akademi Përkujtimore në shënim të dy vjetorit të ndarjes nga jeta të ish balerinit dhe drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Akademia do të organizohet nesër (7.05.2022), ora 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Filmi “Pa Vend” sonte premierë në Lisbonë, Ambasadori i Kosovës Ylber Kryeziu priti në takim regjisorin Samir Karahoda

Ambasador i Republikës së Kosovës në Lisbonë, Ylber Kryeziu ka pritur sot në takim regjisorin Samir Karahoda, shkruan KultPlus.

Karahoda jo rastësisht gjendet në Lisbonë. Filmi i tij “Pa Vend” i cili ka fituar çmime gjithandej nëpër festival botërore, sonte pritet të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit “IndieLisboa”.

Ambasadori Kryeziu a ka ndarë një fotografi me Karahoden duke i uruar suksese tutje Samirit.

“Me Samir Karahoda, fotografin, regjisorin dhe programerin e festivalit më të njohur të filmit në Kosovë, #DokuFest.

Samiri po qëndron në Lisbonë, ku po merr pjesë në festivalin e filmit #IndieLisboa dhe sonte pritet të shfaqet premiera e filmit te tij, “Pa Vend”, i cili ka fituar çmime gjithandej festivaleve më të rëndësishme europiane. Suksese Samir!”, shkruan Kryeziu.

Filmi “Pa Vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme.

Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Profesor Agani, figurë përbashkuese dhe politikan konsistent me vizion të qartë


Në 23-vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin.

“Profesor Agani ishte intelektuali i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës. Ai ishte figurë përbashkuese, politikan konsistent me vizion të qartë për rrugën që duhet të ndiqte Kosova. Si dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore. Vënia e autorëve para drejtësisë është synimi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani. / KultPlus.com

Nis festa në sheshin ‘Skënderbej’, Spring Festival bën bashkë shqiptarë nga të gjitha trojet




Tingujt e muzikës do t’ju drejtojnë drejt sheshit “Skënderbej” nga data 5 maj deri më 15 maj. Shumë artistë do të ngjitën në skenën e Spring Festival për të elektrizuar atmosferën dhe shumë artistë të rinj do t’ju rrëmbejnë zemrat duke e bërë festivalin një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë. Mjafton të themi se ditën e parë e dogji skenën Dren Abazi, artisti nga Kosova, ndërsa ditën e dytë pritet një trupë teatrale nga Shkupi. Nuk është e vështirë të besosh se shqiptarët bëhen bashkë, sidomos për një festë si Spring Festival.

Art Bazaar është konceptuar si një mundësi për artistët e rinj që të promovojnë dhe shesin artin e tyre. Piktura, skulptura punime dore e shumëllojshmëri sendesh të bukura të punuara me aq pasion e dashuri nga artistët tanë. Një stendë e dedikuar do të jetë aty për ta, lehtësisht e aksesueshme nga të gjithë.
Përveç argëtimit të pamatë, vizitorët e festivalit do të kenë mundësi të zbukurojnë ambientet e tyre me veprat e artistëve tanë shqiptarë.

Street Food
Nuk mund të konceptohet një festival i përmasave gjigande pa ushqimin e preferuar “Steet Food”. Ushqim cilësorë, i shpejt, i shijshëm dhe varietete nga më të ndryshmet që ju të mos humbisni asnjë emocion nga Spring Festival.

Garage Sale
Herë pas here bëhen pastrime nga sendet e objektet për të cilat nuk ka më nevojë, dhe ndodh që ato janë në gjendje të mirë dhe funksionale, kështu lindi koncepti i Garage Sale. Për të rijetësuar objektet, lodrat, veshjet, punimet e dorës, duke marr pjesë në një aktivitet i cili ju krijon mundësinë ti shisni dhe blini këto objekte në një treg modest dhe lehtësisht të aksesueshëm.
Nuk ke nevojë për liçencë e as për eksperiencë pasi mund të bëhesh një super tregtar brenda ditës!
Të gjithë fëmijët që duan të shesin lodra, punime dore janë të ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet dhe të rezervojnë vendin e tyre të shitjes.

Movie Garden
Nën yjet e Tiranës do mund të shijoni filmat ikonik të kinematografisë botërore. Çdo mbrëmje një titull filmi që do të donit shumë ta shihnit në mes të qytetit.
Ata filma që nuk i kemi parë në kinema. Ndaj ndjesinë e kinemasë pranverore do e gjeni në Spring Festival. / KultPlus.com

N’kandin e rrëfimit – ladrim nër hijet e randa t’Gjergjit

Nga Rrahman Paçarizi

Ke pasë thanë nji herë “Embëtha!”
– tash mos u bëj hije e dreqit, Gjergj!
Kur e gjejnë fresk e s’i sheh dielli,
gja t’zezë nuk lanë pa ba
q’aty në dheun e djegun prej hijes tande,
ku as bari s’mbin
ata zhgrryhen Gjergj, dhjesin, masturbojnë, mendermethanë
i kcejnë njani-tjetrit, t’harlisun hirit tand
Zana, Orë (t’mira e t’liga) e Shtojzovalle
edhe diellin kishin me e mallku e nem
Po ua prishi ndoj gjumë me ty n’andërr
Menxi presin me t’marrë n’gji
e me ta zanë frymën n’pëqi
Theje udhën Gjergj – mos e ngri kryet!
Hiq degë, bisqe, e fleta le t’u bjen dilli kreje
Le t’harlisen t’dehun rreth gjymtyrëve tua
a të kali
T’kalit ma mire, dej t’ngulen
Sa mos me pasë bisht që i tremb
Le t’flladiten veç nër hije t’gjogut
N’ladrim e n’lazdri
Ta kanë teshë kalin Gjergj zeza / KultPlus.com

Kurti kujton Skendërbeun: Ai frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në ditën e lindjes së tij. Ai thotë se Skënderbeu është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit shqiptar dhe i dëshirës sonë për liri.

Kurti tha se përpjekjet për liri të kombit shqiptar kulmuan me epopenë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kurti, i cili ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare, tha se kujtesa për Skënderbeun, për të cilin tha se ishte mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe Perëndimit, është frymëzuese edhe tani kur rreziqet ndaj sovranitetit janë aktuale.

“Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike”. /KultPlus.com

Rama dhe Çeku japin detaje për Muzeun e Artit Bashkëkohor, në rend Këshilli Inicues

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se Kosova së shpejti do të ketë një institucion të ri, atë të Muzeut të Artit Bashkëkohor, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Në një intervistë për KultPlus, Çeku deklaroi se janë në fillet e para konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.

“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pohuar për KultPlus se ekziton një bashkëpunim i mirëfilltë me Ministrinë e Kulturës dhe ata po punojnë së bashku në Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.

Komuna e Prishtinës së fundmi ka marrë vendim për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit prapa Pallatit të Rinisë. /KultPlus.com

Kënga ‘Shingjergjat po sillen’, nga zëri emocionues i Plator Gashit

Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit.

Këngën nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite.

Po e sjellim poshtë edhe tekstin e këngës bashkë me videon e zërit kaq të ëmbël të Platorit, sot në ditën e Shëngjergjit.

SHINGJERGJAT PO SILLEN

Shingjergjat po sillen, mor djalë
Shingjergjat po sillen, mor djalë
Vjeshtat po përcillen medet-o
Vjeshtat po përcillen medet-o
Qajo guja e gat, mor djalë
Qajo guja e gat, mor djalë
M’i këputi dy kraht medet-o
M’i këputi dy kraht medet-o
Qajo guja e shkurt, mor dajë
Qajo guja e shkurt, mor djalë
M’i këputi dy gujt medet-o
M’i këputi dy gujt medet-o. / KultPlus.com

Akademizmi: Ky dekor publik poskolonial

Nga Ibrahim Berisha

Edhe kur nuk ekziston armiku i dukshëm, për “akademikët” organikë, ai i padukshmi “është këtupari”, përherë, madje. Ky është veçse akademizëm pragamatik politik, dmth, një përvojë fatlume e komode e strehimit publik poskolonial.

Edgar Moren, duke bartur më tej formulën e Aronit për demokracinë, thekson  se në një proces veprimi urgjent  “aspirata demokratike” mbytet nga “iluzioni demokratik”. Aspirata demokratike e qytetarit, po edhe e intelektualit, mbytet nga transformimi dhe çintegrimi “jotradicional”, po i konzeruvuar në integritetin “famoz” tradicional. Prandaj, në mënyrë të natyrshme, procesi post-autoritar ballafaqon aspiratat me interesat shumëherë të injoruara duke ndikuar në sjelljen “neurotike” dhe  paradoksale te një pjesë e intelektualëve. Këtë e dëshmojnë  praktikat e shoqërive në procesin e ndryshimit, kur për intelektualët, aspirata e dikurshme me shumë ankth dhe ëndërr, ndryshe ai iluzioni demokratik, iluzion i fjalëve shumë të bukura (politike), u kthye në një zhgënjim dhe pakënaqësi reale. Përmasa e zhgënjimit imponon pozicionimin joformal të këtij grupi, o heshtje, një mes as rebelm dhe as revoltë kjo, në njërën anë dhe o ofrim të shansit që  politika të bëhet interes “akademik” profesional dhe moral.

Politikanët kështu fituan shans shumë më të gjerë në tranzicion për të humbur shijuar fetishin që i kishte shoqëruar gjatë, duke mos pasur parasysh strehimin e intelektualëve në “kauza politike”. Kjo politikë-jo rrallë edhe parapolitikë, personifikon së paku në këtë fazë edhe për intelektualin, vetëm  lumturi komoditeti, siç nuk do të ishte e natyrshme të ndodhë, duke ndikuar kështu edhe në  ndryshimin e agjendës së prioriteteve. Aspirata e njerëzve të politikës për të qenë intelektualë, për t’u trajtuar dhe vlerësuar si intelektualë, dhe në anën tjetër, aspirata e intelektualëve për të qenë jo zë racional, por zë moral, i shndërron ata në elementë politikë të ngurtësuar, të identifikueshëm fundamentalisht me “krizë vlerash”.

Çka ndodh në të vërtetë me intelektualët që zbulojnë një cak të ri azili? Disidentët kishin një cak vërtetë të ri. Pjer Bordie shkruan në kontekstin e këtij veprimi se intelektualët paraqesin » kapitalin shoqëror«, mbasi gjithë dijen e vet, e riinvestuan në përpjekjet e opozitës (demokratike). Po a kanë cak intelektualët në periudhën e postdisidentizmit? Nuk është fjala më për substrat të qyetetërimit, një shtyllë e fuqishme e angazhimit të intelektualëve qoftë edhe në politikë. Surealizmi i intelektualëve i orientoi ata të pretendojnë marrjen e rolit madje edhe, të misionarëve. Emra të njohur, duke u bërë pjesë e politikave “historike”,  “u kompromituan seriozisht, njëkohësisht duke rënë në zërin e patosit moral”. 

Nuk është ky inercion vetëm në Kosovë, po është  “një fenomen edhe në shtetet e tranzicionit – në shtetet e Evropës Lindore” .

E vetmja përvojë e e jospekualtive e këtyre viteve, është ajo se, politikës nuk  i duhet dija e intelektualëve, por vetëm herë-herë i duhen intelektualët, sa për të krijuar iluzionin demokratik se elita është në politikë, intelektualët janë “politikanë” dhe kështu edhe politika është “intelektuale”.

Problemi ndërlikohet mbasi një numër intelektualësh  nuk kanë ide politike dhe kështu ata nuk kanë më as shtylla të identifikueshme publike për të cilat luftojnë në tregun e dijes, po bëhen pjesë e luftës së ideve politike të politikanëve duke zbritur në shkallën e shërbyesit ditor (Filandra).

Shpesh shtrohet pyetja, cili është stimuluesi që ndikon në ecjen  e intelektualit me ritmin  e politikës së ditës? Dhe, është problemi tek brishtësia dhe pasiguria e intelektualëve apo tek fortësia dhe mosvlerësimi i politikanëve?

Së, pari nuk është fjala për një njeri më të mirë, që pretendon të jetë intelektuali, por për një njeri më të nevojshëm në politikë, në tregun e politikës. Nëse respektohen skemat, atëherë do pranuar se realiteti politik është evaziv dhe këtë evazion e shton moszhvillimi shoqëror, në njërën anë dhe glorifikimi i pengesave, utopizëm ky, në tjetrën.  Leotar ka vërejtur se utopizimi i intelektualëve është jofunksional. Pazari politik ua shkatërron tregun  e ideve intelektuale dhe kështu ata në politikë, nuk dalin më shumë se utopistë dhe ëndërrimtarë qesharakë.

Pra, intelektualët “vuajnë pasojat e prodhimeve të tyre në politikë”. Jo rrallë, kështu ka ndodhur, kur impulset e ideve të tyre janë marrë në dorë nga teknikët e privilegjeve, burokratët e veshur me petkun e vjetër akademik, injorancë, fanatizëm e arrogancë bashkë, dhe atëherë më, edhe shërbimi i tyre nuk ka pasur vlerë, dhe  ata janë mënjnuar nga ”froni i parë qoftë me qejf qoftë me dhunë” duke lënë mbas shkretëtirën kulturore dhe publike. Po Leotar e arsyeton këtë veprim fare thjeshtë: Intelektualët nuk janë veçse utopistë, ndërsa vetëvetiu politikanët janë pragamtistë, se nuk merrem me projekte të së ardhmes, por me shfrytëzimin e të tashmes, kryesisht  duke u thirrur në të kaluaren e vështirë apo në rrezikimin e e vazhdueshëm të së ardhmes. Nga kush? Edhe kur nuk ekziston armiku i dukshëm, për “akademikët” organikë, ai i padukshmi “është këtupari”. Përherë, madje. Ky veçse dekor vulgar publik i glorifikuar, prodhuar dhe “mbrojtur me ligje”.  Ky është akademizmi pragmatik dmth, një  praktikë fatlume e strehimit  publik postkolonial. / KultPlus.com

617 vjet nga lindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Sot mbushen 617 vjet nga lindja e Heroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut – figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, i cili njihet si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.

Thuhet se lindi në ditën e Shën Gjergjit dhe për atë u pagëzua me emrin Gjergj.

Ai u lind më 6 maj të vitit 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468.  Ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, që ishte marrë peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës. Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike.

Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik, pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik. Ai nuk e harroi vendin e tij dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniaditnën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.              

Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve. Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit, Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera. Në janar të vitit 1468, Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë, ku edhe u varros. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Historia tregon se për shumë kohë shqiptarët e mbajtën të fshehtë lajmin e vdekjes së Skënderbeut, por edhe kur e dëgjuan as vetë turqit nuk e besonin se ai kishte vdekur. Shqiptarët e fituan edhe një betejë pa Skënderbeun, betejën e Kirit, udhëhequr nga Lekë Dukagjini. Por pas 10 vjetësh, kur turqit nisën sërish pushtimin, e gjetën varrin e Skënderbeut dhe morën eshtrat e tij, duke i përdorur ato si hajmali për t’u dhënë forcë dhe fitore, ashtu sikundër ai ishte i gjallë. / KultPlus.com

Fehmi Agani, themeluesi i Institutit Albanologjik të Prishtinës që u vra mizorisht

Në muajin maj, gjithmonë e kujtojmë Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e morri seriozisht studimin gjatë tërë jetës.

Fehmi Agani lindi më 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë.

Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvu politikës së turqizmit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.

Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.

Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.

Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.

Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Fehmi Agani u vra mizorisht afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.

Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe mori pjesë në Forumin për gratë në politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, Erika Mouynes.

Në takim me Ministren Mouynes është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme, duke përfshirë mbështetjen e palëkundur të Panamasë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik, të cilët kanë qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e vlerave tona të përbashkëta liridashëse.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes i janë drejtuar një audience akademikësh dhe diplomatësh në një panel të përbashkët mbi rolin e gruas në politikë. 

Presidentja deklaroi që fuqizimi i grave në politikë është thelbësor për ndërtimin e demokracive të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. “Përpjekjet tona nuk do të pushojnë deri atëherë kur vajzat e gratë do të ndihen që kontributi dhe roli i tyre në shoqëri është i njohur dhe i vlerësuar”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.​ / KultPlus.com

‘Natën e Shingjergjit prehet kingji’

Më datë 6 Maj, në shume treva Shqiptare festohet dita e “Shën Gjergjit” festë kjo shumë e vjetër me siguri që nga koha e paganizmit. Me anë të kësaj feste, shënohet fillimi verës, për dallim nga “Shën Mitri” fillimi i dimrit. Në të kaluarën janë kryer shumë rite duke përfshirë, mbledhjen e degëve me gjethe të njoma dhe vendosja e tyre nëpër hyrje të shtëpisë, ahurit etj. mbledhja e barishteve të ndryshme, me të cilat janë ushqyer kafshët, me qëllim që të  jenë sa më të shëndetshme. Të gjitha këto ceremoni janë kryer në natën e “Shën Gjergjit”, më 5 Maj.

Ky asht tregimi për festën e Shingjergjit, festë të cilën e festojnë kryesisht romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Këtë tregim e tregon personalisht Hysnije Jaha në mënyrën si e festojnë ashkalitë këtë festë.

Shëngjergji është nji festë për ne sikurse Bajrami për muslimanë e Krishtlindja për serbët e katolikët. Nji javë para Shingjergjit e pastrojmë shtëpinë, i lajmë të gjitha tepihat, perdet, tona çka ka me u la.

Blehet kingji tre-katër ditë përpara, mahet mirë e f’mija gëzohen e lozin me të.

Natën e Shingjergjit prehet kingji.

Kur o kon mullini, shkojshim me mar ujë, pak hitha, pak bari, e rujshim ka ni vo të velikdanit, e në sabah ditën e Shingjergjit i stërpikim fmitë me u çu heret kurse gjatë ditës i lajmë fmitë. Ujin e mullinit, barin, hithat dhe votë i qesim krejt në nji kofe, i lajmë f’mitë dhe pastaj i veshim me tesha t’ reja që iu kemi ble dy tre ditë përpara Shengjergjit. Dytën ditë të Shingjergjit hahet silla e Shingjergjit.

Aty mbledhen familja e madhe, djemtë, nipat, mesat e rejat.

Mas dreke shkojmë te familjet tona me bo për hajr Shingjergjin. Aty na presin me omëlcina dhe soka. Tretën ditë të Shingjergjit u veshim edhe na t’ mdhejt, dilshim n’ park ku bojke muzika, k’cejshim, lujshim edhe na në mënyrën tonë deri vonë. Ma së shumti e majnë gabelt (emërtim i ashkalive për romët).

Ata prejnë ka dy-tre kingja dhe e majnë në mënyrë të vet ku shpenzojnë shumë pare për Shingjergj.

Kjo festë mbahet katër ditë. / KultPlus.com

(Tregim i marrë nga një botim i vitit 2012, me titullin PËRMBLEDHJE E TREGIMEVE TË SHKURTËRA RRËFIME TË URTA – Ky dokument është prodhuar brenda kornizës së projektit të përbashkët ‘BE/KE – Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë’.)

‘DokuFest’ bëhet festival nominues për EFA, MKRS: Një arritje e jashtëzakonshme për festivalin dhe skenën e filmit të Kosovës

“DokuFest” bëhet festival nominues për Çmimet e Filmit Evropian.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar sot duke i uruar për këtë sukses të jashtëzakonshëm duke e quajtur një festival të përmasave botërore.

Ky është postimi i plotë nga MKRS:

Veprimtaria e tyre i ka shndërruar në festival të përmasave botërore.

DokuFest tashmë është kthyer në një platformë të veçantë, ku përveç organizimit të festivalit po vazhdon puna me përkushtim e cilësi në fushën e filmit dhe programeve të edukimit.

Kësaj radhe ata kanë arritur një sukses të madh. Janë përzgjedhur nga Akademia Evropiane e Filmit si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe të filmit dokumentar. Një arritje e jashtëzakonshme për festivalin si dhe për skenën e filmit të Kosovës.

Po ashtu DokuFest këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë gjatë festivalit prestigjioz të Kanës. Ky është viti i parë që ata do të kenë mundësi të prezantohen dhe të promovohen në këtë program. Cannes Docs ofron një hapësirë dhe program të posaçëm të eventeve për të gjithë profesionistët e filmave dokumentar – si krijuesit e filmave e po ashtu edhe vendimmarrësit e industrisë.

Kjo është një mundësi tejet e mirë e krijimit të marrëdhënieve me festivale e film bërës nga gjitha bota dhe zgjerimit të rrjetit të profesionistëve të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja të film bërësve në vendin tonë.

I përgëzojmë ekipin e DokuFest për punën që po bëjnë dhe njëkohësisht për promovimin e kinematografisë së Kosovës. / KultPlus.com

Kisha e Shën Kollit në Vodicë, drejt përfundimit restaurimi i ikonave

Kisha e Shën Kollit në Vodicë, e ndërtuar në shek. XVIII, po kthehet në identitet.

Bashkia e Kolonjës bën të ditur se “punimet restauruese në këtë kishë janë drejt përfundimit”. Pjesë e punimeve restauruese është edhe rehabilitimi i ikonave të kësaj kishe, që janë një pasuri e trashëgimisë kulturore.

“Mirënjohje besimtarëve që kanë kontribuar në restaurimin e plotë të ikonave dhe veçanërisht piktorit Elvis Goliku”, vuri në dukje bashkia e Kolonjës.

Kisha është e ndërtuar në shek. XVIII dhe është e tipit një nefeshe me kupolë në pjesën qendrore dhe me një tambur të lartësuar mbi çati që shpaloset me 9 dritare.

Kupola shkarkon në 4 pilastra që dalin nga qoshet e murit. Pjesa tjetër e mbulesës është me qemer guri dhe tavane me formë të ndërthurur cilindrike dhe sferike.

Kisha ka këmbaneri që është ndërtuar në pjesën jugore të kishës dhe ka lartësi 8 m. Kulla e këmbanërisë është prej mur guri smerc të punuar. E gjithë kisha është me muraturë guri me gur të zonës pak të punuar.

Më herët në këtë kishë është kryer edhe projekti për përforcimin e këmbanores. Ajo është mjaft e frekuentuar nga besimtarët veçanërisht gjatë festave fetare, por shumë pelegrinë e vizitojnë gjatë gjithë vitit këtë vend të shenjtë./ atsh / KultPlus.com