22 vjet nga vdekja e piktorit të njohur, Adem Kastrati

Sot shënohen plot 22 vjet nga vdekja e piktorit të njohur, Adem Kastrati.

Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.

Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.

Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.

Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.

Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.

Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.

Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.

Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.

Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.

Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.

Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.

Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com

Përkujtohet në 107-vjetorin e ndarjes nga jeta, Dedë Gjo Luli

Më 24 shtator 1915 u nda nga jeta Dedë Gjo Luli, prijësi legjendar që u rreshtua krah heronjve të shquar të kombit tonë.

Dedë Gjo Luli kujtohet sa herë që sjellim ndërmend përpjekjet dhe luftrat që janë bërë për pavarësinë e vendit nga Turqia dhe ruajtjen e trojeve shqiptare nga “orekset” e fqinjëve.

Emri i Dedë Gjo Lulit është mishërim i betejave të mëdha të shqiptarve për liri e pavarësi. Kujtojmë se betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit për herë të parë dhe flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare.

Ai mori pjesë si luftëtar në Vraninë, si komandant në Lidhjen e Prizerenit dhe si prijës e valvitës i flamurit të Skënderbeut në Bratile të Deçiçit, në kryengritjen heroike të malësorëve në vitin 1911 (e cila u shoqërua me programin e pavarësisë kombëtare të Greçës më 23 qershor të po atij viti).

Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në vitin 2015 kur e nderoi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Dedë Gjo Luli lindi në vitin 1840 dhe sot në Tiranë ka një bust në nder të tij dhe emrin ja “trashëgojnë” shkolla e rrugë. Dedë Gjo Luli ishte atdhetari i shquar dhe prijës i lufës për liri dhe pavarësi.

Arkivi Qendror Shtetëror publikoi sot foto nga ceremonia e sjelljes së eshtrave të Heroit të Popullit në Shkodër. / KultPlus.com

‘Një mësues i mirë është si një qiri, konsumon vetveten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve’

KultPlus ju sjell disa thënie për rëndësinë e mësuesit dhe mësimeve.

-Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

-Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.

-Ëndrra fillon me një mësues i cili beson në ju, i cili ju shtyn dhe ju shpie në një plato tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të mprehtë të quajtur ‘e vërteta‘.

-Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj.

-Ai njeri që i bënë të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi.

-Mësuesi është përhapësi i dritës.

-Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i cmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët.

-Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim; secili hap që bën ai duhet të jetë shembull i mirë – Jean-Baptiste de La Salle.

-Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri

-Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.

-Mësuesi është ai që të hap derën, në të cilën ti duhet të hysh vet. /KultPlus.com

Greva vazhdon, s’ka zgjidhje për të filluar mësimi

Greva nga SBASHK-u, e cila ka filluar më shumë se një muaj më parë, nuk po duket të jetë afër fundit, shkruan KultPlus.

Sindikalistët kanë mbajtur një takim virtual me Komisionin për Arsim, mirëpo nuk u arrit përsëri as edhe një zgjidhje.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje disa herë SBASHK-ut që të fillojnë mësimin.

Raportohet se një numër i madh i shkollave nuk kanë pranuar një propozim nga Ardian Gola, kryetari i Komisionit për Arsim.

Arritja e një zgjidhje nuk duket të jetë afër. /KultPlus.com

Beqiri hap ekspozitën e tij në Hamburg, i kënaqur me vizitorët

Artisti Arianit Beqiri ka hapur ekspozitën e tij në Hamburg të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Ditë më parë, Beqiri në një intervistë për KultPlus tha se kjo ekspozitë në thelb do të jetë një homazh për kujtesën kolektive.

Gjatë ditës së sotme artisti përmes një postimi në “Facebook” ka bërë të ditur se ekspozita tashmë është hapur, me ç’rast ka shpërndarë edhe disa foto.

Ai është paraqitur në këtë ekspozitë me katër piktura dhe pesë instalacione, derisa ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj. /KultPlus.com

Një vit e gjysmë “Kurti II”, i pari i ekzekutivit numëron arritjet e tij

Sot bëhen një vit e gjysmë që kur ka filluar të qeverisë vendin, Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, shkruan KultPlus.

Kurti, ka numëruar të arriturat e tij përmes një statusi në “Facebook”, kur janë bërë një vit e gjysmë qeverisje e tij, shkruan KultPlus.

Fillimisht, i pari i ekzekutivit ka përmendur krizat globale shëndetësore dhe energjetike, si probleme që ndikuan në qeversijen “Kurti II”, ndërkaq, sipas tij, në çerekun e parë të këtij viti, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 4.9 për qind.

Shefi i Qeverisë gjithashtu, përmendi edhe pjesën e të hyrave të doganës, rritje të të hyrave në ATK, rritje të eksportit, investimi në buxhet të mbrojtjes, lartësimi i Kosovës në sundimin e ligjit, ardhja e vettingut dhe shumë gjëra të tjera.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë.

Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike.

Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj.

Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, dmth. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor.

Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta.

Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë.

Kemi luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej).

Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lansuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës.

Kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Kemi luftuar krimin dhe kontrabandën në gjithë territorin e vendit.

Me Vettingun për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë.

E bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë kontestet përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet.

Kemi themeluar Institutin për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’i treguar gjeneratave të reja dhe botës krimet e kryera gjatë luftë në Kosovë.

Kemi lartësuar Kosovën në botë duke u renditur të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe.

Të dashur qytetarë, këto janë vetëm disa nga arritjet në rrugëtimin tonë të përbashkët që kemi filluar nga 23 marsi i vitit të kaluar kur e morëm detyrën.

Me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, jemi angazhuar për të arritur rezultatet që na duhen të gjithëve.

Pritjet tuaja janë të mëdha, sepse ndryshimi që na duhet është i madh. Por ashtu siç dëshmuam me 14 shkurt të vitit të kaluar, ndryshimi është i mundur vetëm kur secili jep kontributin që i takon sepse Kosova është shteti e vendi ynë i përbashkët.

Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike.

Të ardhmen e mirë e kemi përpara nesh. /KultPlus.com

Dhunimet e grave – prekje e kodit gjenetik dhe atij moral

Promovimi i romanit “Rrushja” në Pejë – Shkruan: Jusuf Buxhovi

Promovimi i romanit “Rrushja” në bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë u prit me intresim nga të pranishmit e shumtë, të cilët nga autori morën informacione rreth prosedeut të romanit, ku faktet e vërteta te një paramilitari serb të zënë peng nga NATO pasqyrojnë fushatën e dhunimeve të kryera nga njësi të posaçme në dy qendra (në afërsi të Gjakovës dhe tjetra në Drenicë). Paramilitari serb, i cili do të vritet në një spital psikiatrik në Skandinavi që të pengohen dëshmitë e tij në tribunalin e Hagës, ia del të fsheh një ditarë të dhunimeve, që e përhap një moter medicinale, që po ashtu vritet. Sipas autorit, ditari i paramilitarit serb, kthehet në një rrëfim tronditës imagjinar, ku dhunimi shfaqet si pjesë e konceptit hegjemonist serb për prekjen e kodit gjenetik dhe atij moral të shqiptarëve, siç u vepruar edhe në Bosnje. Autori tha se,meqë politika jonë e ka anashkaluar këtë fakt ose e ka fshehur qëllimisht nga shkaku që të “ruhet i papërlyer diskursi i fitimtarëve” në vend të viktimës, siç kanë qenë shqiptarët në raport me hegjemonzmin serb prej më shumë se një shekulli, letërsia ka për detyrë të paraqesë dimension tragjik të njërit ndër aktet më të rënda të krimeve kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë nga soldateska serbe në bashkëpunim me klerin orotodoks serb, me çka do të pengohet çfarëdo përpjekje që krimet e tilla të anashkalohen nga gjoja “pamundësia e dokumentimit gjatë kohës së kryerjes”, në përputhje me kalkulimet politike të Beogradit në sferën gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë, siç po tentohet! /KultPlus.com

Në Viti 13-vjeçarja e dhunuar mbeti shtatzënë – babai i viktimës rrëfen rastin

Një 13-vjeçare po dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 20-vjeçar në qytetin e Vitisë. Rasti ka ndodhur në shkurt të këtij viti, por është raportuar në shtator, kur viktima tashmë është në muajin e tetë të shtatzënisë.

“Jam frigu tha prej teje. Domethënë prej prindit. Jam frigu me tregu. Kom mendu se hajt kurgjo nuk është”. Kështu nis rrëfimin prindi (duke cituar fjalët e vajzës) për një ngjarjeje tepër të rëndë që ka goditur një familje në shkurt të këtij viti në qytetin e Vitisë.

Vajza 13-vjeçare atëherë, e tash 14 vjeçare, është dhunuar seksualisht nga një person rreth të 20-tave.

Por, ky rast i rëndë në stacionin policor është raportuar tek para tre ditësh.

Se rasti është denoncuar më 20 shtator e konfirmojnë edhe burime nga Policia, të cilët thonë se me rastin po merret prokurori për të mitur.

Krejt kjo ka ndodhur kur në pah ka dalë një fakt që e rëndon edhe më shumë ngjarjen. Vajza e mitur tashmë është në muajin e tetët të shtatzënisë.

Babai i viktimës ka thënë se  rasti ka ndodhë para 7-8 muajsh përafërsisht.

“Nuk e ka vërejt askush prej shtëpisë se vajza e re, nuk ka pasë simptoma të shtatzënisë. E ka vërejtur vajza e tretë. E kemi dërgu te mjeku, ka dalur se është shtatzënë. Me rastin është marr policia, dihet personi kush është, por faktikisht ai është jashtë”, tregon babai i vajzës.

Detajet, thotë se i dinë vetëm organet e rendit pasi informacione vetë nuk kanë mundur të nxjerrin për shkak të gjendjes psikologjike të vajzës.

“Këto i dinë policia. Na nuk kemi kurrfarë informacioni, as që i kemi bo pyetje çikës, se çika e re, po e ngarkojmë, mundemi me deviju edhe ma keq”, tha babai i 13-vjeçares.

Përderisa tashmë është vonë për një abort, babai i vajzës nën emocione tregon se çfarë do të ndodhë me fëmijën që pritet ta sjellë në jetë vajza e tij.

“Unë i dalë në krahë vajzës time. Nuk e lë vajzën time në baltë. Sa për fëmijën, nëse nuk e merr ai, e marrim ne, edhe pse është fëmija i dhunuesit. Por, fëmija është i pafajshëm”, u shpreh babai i 13-vjeçares.

Meqë qyteti i tyre nuk është i madh, babai tregon se ka gjetur shtëpinë e tashmë të dyshuarit dhe është përballur me babain e tij, të cilit ia ka dhënë një mesazh.

“Kur ta zbardhë drejtësia këtë rast, që djali yt është dhunuesi, ke me pasë punë me drejtësi, por edhe me Kanun”, tregon ai fjalët që ia ka thënë babait të dhunuesit.

Babai i viktimës që është edhe veteran i UÇK-së, thotë se nuk ka besuar që pas luftës do të përballet me një situatë të tillë.

“Për këtë shtet kam luftu. Për këtë shtet e kam rrokë armën, për këta fëmijë që me pasë një të ardhme pak më të mirë.”

Nga prokuroria themelore në Gjilan nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës, por me Televizionin ka folur Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti.

Ai ka thënë se rasti është cilësuar si keqpërdorim seksual, teksa thotë se me vajzën do të merret Qendra për Punë Sociale edhe pse ndryshe ka pohuar babai i viktimës, kur potencoi se që nga marrja në pyetje asnjë psikolog as punëtore sociale nuk e ka takuar më vajzën

Demush Mehmeti nga Qendra për Punë Sociale në Viti ka thënë se janë njoftuar prej shtëpisë së shëndetit.

“Edhe policia dhe kemi qenë prezent për intervistimin e saj. Është nën moshën 18 vjeçare, ka mbet shtatzënë. E ka paraqit një emër, i cili është jashtë. Qendra Sociale tash e përcjellë rastin varësisht pala çfarë ndihme kërkon”.

Ndërkohë, policia u ka thënë familjarëve të viktimës se shteti i Kosovës do të komunikojë me organet e rendit në shtetin e Zvicrës, ku pretendohet se ilegalisht po qëndron i dyshuari. /Dukagjini/ /KultPlus.com

“Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër…”

Thënie nga Osho

“Nëse e dashuron një lule, mos e këput.
Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe puhson së qëni ajo që dashuron.
Kështu që, nëse e do një lule, lëre të jetë.
Dashuria nuk është zotërim.
Dashuria është vlerësim”.

“Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme…
e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë,
verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet.
Mos ki frikë nga eksperienca, sepse
sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq
më i pjekur do të jesh”.

“Trishtimi jep thellësi. Lumturia jep lartësi. Trishtimi jep rrënjë. Lumturia jep degë. Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë. Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të hskojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht. Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rënjët. Në fakt, janë gjithmonë në proporcion. Ky është ekuilibri i saj”
“Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën. Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”

“Miqësia është dashuria më e pastër. Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”.

“Jeta fillon aty ku merr fund frika”.

“Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”.

“Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh. Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde. JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.

“Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”. /KultPlus.com

Do të zgjohem një ditë

Poezi nga Arbër Selmani

Do të zgjohem një ditë
një të diele me mëngjes të beharshëm
dhe pa fjalë
në vend të jogurtit do të të jap helm
do t’i lash dhëmbët me lëng sapuni
ujin e vaktë do ta bëj akull të ngrirë
me krem për shputa do të ta lyej fytyrën
dhomën do ta ngjyros veç të t’i dëmtoj sytë
do të rrëzohesh në pragun e derës mbushur me thika
masazhën e qafës do ta kesh fërkim me goditje
Diellin do ta kthej në 1000 re që pluskojnë me nervozë
do t’i ushqej me kujdes krejt alergjitë tua
nektarinën e butë të pasdites do ta shndërroj në ftua
brenda këpucëve do të gjesh iriqët e egër
do ta vras me ëmbëlsi çdo ndërrmarje, çdo ide, çdo veprim tëndin, çdo vepër
në frenat e veturës, ka diçka që gjithsesi nuk ndalon
në vend të ilaçeve, kutitë do t’i mbushi me mbetje të lumit të ndyrë
terrinë do të gjesh aty ku kërkon ngjyrë
nje gjullurdi do të jetë këndi ku ruan trofetë e jetës së fituar
do ta ç’orientoj gëzimin, ekzistencën tënde të sistemuar
mykun e ke poshtë shtratit, mbi të, në jastëk brenda
do t’i përzë shokët, do t`a copëtoj krenarinë
në ëndrrat tua kam ndjellur ardhjen e qindra insekteve
propolisi yt për fyt tash është lëndë djegëse.

Gjithçka do të jesh, por jo një mundës
një të diele do të shpërthej,
se më ka ardhur në maje të hundës. /KultPlus.com

Projekti filmik ”Era” pjesë e COCO-së

Në edicionin e 22-të të COCO (Connecting Cottbus), tregun e bashkëprodhimeve të Evropës Lindore dhe platformës e cila mundëson bashkëpunimet, me fokus ato të kinemasë së Evropës Lindore gjatë festivalit të filmit Cottbus, filmi kosovar “Era” me regji të Parta Kelmendit, do të shfaqet në kategorinë e Works in Progress, përgjatë datave 9-11 nëntor 2022.

“Era” është përzgjedhur në mesin e 19 projekteve filmike, tematika apo prodhimi i të cilave ndërlidhet me Evropën Lindore. Filmi do të shfaqet para një audience profesionale të prodhuesve, blerësve, montazherëve dhe financierëve botëror, me eksperiencë të gjatë në industrinë e filmit.

Me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës, projekti filmik ka marrë pjesë në First Cut Lab Balkans, program i dizajnuar për këshillim gjatë fazës së montazhës së filmave.

“Era” është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. /KultPlus.com

Erson Zymberi zgjedhet drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit

Erson Zymberi zgjedhet drejtor i përgjithshëm i Teatrit tē Qytetit tē Gjilanit.

Këshilli Drejtues i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, pasi ka zhvilluar procedurat e parapara ligjore, përfshirë intervistimin me shkrim dhe me gojë, ka zgjedhur drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

Drejtor i ri i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, është zgjedhur me mandat të plotë katërvjeçar.

Zymberi ishte drejtor edhe mandatin e kaluar në Teatrin e Gjilanit. /KultPlus.com

Në 70-vjetorin e lindjes, Zejnullah Rrahmani promovon veprat ‘Djemtë e Ballofcit’ dhe ‘Deti i Zi’

Flonja Haxhaj

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, shkrimtari Zejnullah Rrahmani ka promovuar veprat ‘Djemtë e Ballofcit’ dhe ‘Deti i zi’. Në promovimin e mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare folën: Ali Aliu, Sabri Hamiti, Nysret Krasniqi, Kujtim Rrahmani, Meliza Krasniqi, Avdi Visoka, Xhavit Beqiri, përcjell KultPlus.

I pari mori fjalën studiuesi i letërsisë Ali Aliu i cili e vlerëson Zejnullah Rrahmanin si një shkrimtar ndryshe nga të tjerët.

“Për shkrimtarin Zejnullah Rrahmanin mund të them se është i veçantë dhe i vetmi në letërsinë shqipe sepse ai asnjëherë në asnjë botim të tij nuk vjen me të njëjtën veshje narrative.” , shpreh Aliu duke vënë më pas në pah ‘thyerjet’ që sipas tij janë karakteristikë e krijimtarisë letrare të Rrahmanit.

“Ai u paraqit si shkrimtar i pjekur, si shkrimtar me përvojë që në moshën para se t’i mbushë 20 vjet, në fillim të 70-ave, ai erdhi me dy romane ‘Zanoret e humbura’ dhe ‘Sheshi i unazës’. Me një narracion klasik edhe për nga tema edhe për nga personazhet që i solli edhe për nga vizioni ideor brenda, gati se e hutoi opinionin letrar në Prishtinë”, u shpreh ndër të tjerash Aliu duke folur për librat e mëhershëm të Rrahmanit.

Ndërkaq, për të folur më tutje për veprën e shkrimtarit Zejnullah Rrahmani, fjalën e mori profesori Sabri Hamiti.

“Libri ‘Djemtë e Ballofcit’ nga Zejnullah Rrahmani është libët binjak me librin tjetër ‘Tregimet e Ballofcit 2008’. Në njërin karakterizimi letrar përqendrohet në rrëfim, në tjetrin në personazh, ndërsa Ballofci del kaq i lidhur me autorin dhe këndvështrimin e tij’, tha Hamiti.

Më pas, profesori Nysret Krasniqi dha para të pranishmëve këndvështrimin e tij rreth krijimtarisë letrare të Zejnullah Rrahmanit.

“Pikëpyetja themelore që bën Zejnullah Rrahmani në prozën e tij ‘Deti i Zi’ është pikërisht aforia se çfarë relacioni, ndikimi, profesioni e pasioni, krijon e ushtron dashuria si universalitet në dashurinë njerëzore, personale, në këtë rast në raportin gjenerik mashkull – femër e cila doemos, për mjeshtrin e vetmisë, pra për autorin, përkthehet si dhimbje, si udhë jetësore dhe krijimtare”, u shpreh Krasniqi duke folur për veprën që sot u promovua.

E për veprën ‘Djemtë e Ballofcit’ që u promovua sot nga shkrimtari Rrahmani, foli edhe studiuesi i Letërsisë Shqipe në Institutin Albanologjik në Prishtinë, Kujtim Rrahmani.

Sipas Rrahmanit, vepra e Zejnullah Rrahmanit të jep kënaqësi si për llojin estetik. Ai ngre paralele përmes metaforës duke e cilësuar krijimtarinë letrare të shkrimtarit si një ‘Letërsi të gishtit’.

“Nëse letërsia shqipe mund të shihet si një rrëfim, kam njohur dy vrulle të mëdha të njohura poetike, shtegun e Barletit dhe atë të Kristoforidhit. Barletit si heroike, poetike, bashkësi dhe të Krostoforidhit si poetikë gjueti apo si aventurë, kurse shkrimtrari Rrahmani është ndër ata pak autorë të kësaj letërsie që u tërhoq nga të dy krahët’, deklaroi, Rrahmani duke e cilësuar të veçantë krijimtarinë letrare të tij.

Për studiuesen e letërsisë, Meliza Krasniqi, Libri i fundit i Zejnullah Rrahmanit ‘Djemtë e Ballofcit’, në planin tematik trajton pikërisht mëkatet me të gjithë motivet okazionale të fajeve dhe gabimeve njerëzore. Sipas Krasniqit duke u nisur nga mëkati fillestar i Adamit dhe Evës, një faj që bie ndesh me vullnetin hyjnor, si diçka e veçantë, libri shpërfaq edhe gabimin njerëzor në gjitha pamjet e keqbërjes së një njeriu të zakonshëm në ditët e sotme si një gabim i përgjithshëm.

“Arti i Rrahmanit’ krijon modele mëkatesh univerzale dhe të gjithëkohshme. Vepra letrare nuk nis sikurse çdo libër prozë, ajo nuk përfill kufirin apo pragun sikurse pragu i shtëpisë midis tekstit dhe jotekstit. Themi kështu sepse në paratekstin e veprës nuk hasim në ndonjë përmbajtje që tregon kapituj, por nuk definon apo përcakton zhanrin, elemente këto që mundësojnë hyrjen më të sigurtë në një libër. Prandaj aktori ka bërë përpjekje të suksesshme për t’u vetëpërmbajtur duke lënë që libri të flasë vetë dhe lexuesi semiotik dhe semantik t’i shpalosë rrugëtimet”, u shpreh mes tjerash Krasniqi.

Më pas, fjalën e mori profesori Avdi Visoka i cili u shpreh se Zejnullah Rrahmani, e rikthen lexuesin ne Ballofc me ‘Djemt e Ballofcit’ duke vendosur ndërlidhje mes reales dhe fiktives.

“Zejnullah Rrahmani njihet si autor që i thyen kontratat zhanrore, kështu ai i pasuron dhe i zëvendëson ato. Kësaj radhe me librin e tij ‘Djemtë e Ballofcit’, është komponues i afreskeve të llahtarshme që përbëhen nga 22 copa pikturash, grafikash e teknikash të ndryshme të cilat janë të organizuara në mënyrë korrekte”, tha Visoka i cili më tutje shtoi se  për autorin, kthimi në vendin e lindjes do të thotë kthim në lindjen e vendit dhe besës.

E më tutje, profesori Xhavit Beqiri, i cili ka qenë edhe student i shkrimtarit Rrahami, foli para të pranishmëve për veprën Deti i Zi.

“Në botën e ligjërimit artistik, sintagma ‘Deti i Zi’ konoton një numër të madh kuptimesh, Detin, simboli i thellësisë dhe i së kaluarës, nxit përherë kureshtjen për krijime joreale dhe imagjinative”,  tha Beqiri i cili mes tjerash tha se Deti i Zi mund të cilësohet edhe si mister i jetës, për ta njohur dhe për ta jetuar atë në plotninë e saj.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese ‘Onufri’, shtëpi kjo e cila ka botuar për herë të parë veprën e Zejnullah Rrahmani. Hudhri e quan arritje shumë të madhe këtë bashkëpunim të parë mes autorit dhe ‘Onufrit’.

Ndërkaq botimin e këtyre librave e mundësoi edhe shtëpia Botuese ‘Faik Konica’. E nga kjo Shtëpi Botuese foli shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani, i cili është edhe vëllai i autorit Zejnullah Rrahmani.

“Më duhet t’u them vetëm dy fjalë për fëmijërinë e tij pasi i kemi diku 12-13 vjet diferencë. Mbaj mend në ditën e lindjes së tij në shtëpinë tonë me katër fëmijë, ky ishte i pesti dhe me dy vëllezër të tjerë pas tij. E trashëgoi emrine  gjyshit, prandaj do të ketë qenë edhe më i dashuri për prindërit. U rrit si gjithë fëmijët e tjerë të katundit të tij. Filloi herët të mësojë shkrim e lexim”,  u shpreh Rrahmani duke folur për fëmijërinë e vëllait të tij e duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen.

E krejt në fund, fjalën e mori edhe vetë shkrimtari Zejnullah Rrahmani i cili mes emocionesh thotë se tani që është 70-vjeçar, kur kthehet prapa në kohë dhe e shikon jetën e kaluar të tij, është pak a shumë ashtu siç e shikon një shkrimtar një histori të cilën dëshiron ta shkruajë, me dashuri edhe kur është e keqe dhe e rëndë, me distancë edhe kur është emocionale dhe e rëndësishme.

“Kjo distancë dhe paanësi  ndaj të kaluarës dhe historisë dhe historisë së shkruar, njësoj larg prej mikut dhe armikut është pozicioni ideal i një tregimtari epik çfarë synoj unë. Pak a shumë, me këtë hapësirë mitike dhe reale, me paanësi ka treguar historitë e veta narratori në veprën ‘Djemtë e Ballofcit’, u shpreh ndër të tjerash autori Rrahmani.

Përveç këtyre veprave, Rrahmani është edhe shkrimtar i veprave të tjera si : “Zanoret e humbura”(1974),  “Udhëtimi i një pikë-uji”(1976), “E Bukura e Dheut”(1977), “Sheshi i Unazës” (1978, 1982, 1990), “Udhëtimi arbdhetar”(1992), “Mjeshtri i vetmisë”(1995), “Romani për Kosovën”(2000), “Jusufi”(2000), “99 rruzaret prej smaragdi”(2006), “Iluminacion” (2008), “Tregimet e Ballofcit”(2008), “Lypësi dhe Sophia”(2011), “Pesë vakte”(2013), “O njeri”(2019)./ KultPlus.com

Prishtina identiteti ynë apo ne identiteti i Prishtinës

Shkruan: Ballsor Hoxha

Në vetëdijen tonë, si konkretizim i zërit dhe po ashtu fajit tonëPublik, ne vazhdimisht atakojmë secilin krijues të monumenteve tona. Por në anën tjetër jemi ambivalentë ndaj dy ndërtimeve krejtësisht riorientuese dhe riorganizuese të identitetit tonë me qytetin tonë: katedrales Nënë Tereza dhe xhamisë Qendrore në Prishtinë. 

Kjo shfaqë një pyetje rrënjësisht të rëndësishme: a jemi ne identiteti i qytetit të Prishtinës, apo Prishtina identiteti ynë? A është Prishtina si qytet realiteti ynë, apo ne qytetarë të saj jemi realiteti i saj. Dhe ka një dallim në këtë, derisa e kemi të ditur edhe shoqërinë tonë por edhe memecërinë e qytetit tonë.

I

Pse kemi disa, apo aq shumë Skënderbe në qytetet tona? Shumëfishimi i tij, a nuk është zhvleftësimi i tij? Përsëritja e tij, identike, në të gjitha qytetet tona, a nuk është në të vërtetëuzurpim i imazhit të tij?

Por Skënderbeu si imazh në Prishtinë është i pamundshëm pa një realitet të tij. Pa qenë pasqyrim i një realiteti, të tij. Dhe në vetëdijen tonë objekti (monumenti i Skënderbeuet) që shohim është saktësisht fillimi, fillimi edhe i realitetit tonë edhe i bashkëkohores sonë. 

Nëse e vëzhgojmë Skendërbeun në qytetet tona, ai është zotërues, arritur përmbledhjen e historisë së tij, dhe i vendosur, i gatshëm, në lëvizje. I nisur. Por edhe i ndalur. Mirëpo, ai është i vetëm, realiteti i tij mungon, së paku në diçka konkrete; apo, ai, Skënderbeu nuk e ka një objekt për të nisur këtë realitet. Kali, përkrenarja, shpata, qoftë edhe trupi e tij, janë në të vërtetë, imazh në idenë tonë për Skënderbeun, e jo objekt. Janë pasioni ynë, janë edhe prezenca ynë, por gjithashtu edhe mungesa e prezencës sonë, të cilën ia kemi dhuruar pikërisht Skënderbeuttonë.

Sigurisht, objekti, trupi i Skënderbeut, ka mbetur prapa ligjeve të tokës, pas vdekjes së tij. Që do të thotë se ai, në qytetet tona është edhe imtim i pikturave dhe fotografive të tij nga e kaluara, dhe edhe ideal i yni. 

Por ky imitim nga fotografitë dhe nga pikturat e tij, duke qenë se nuk e “mbajmë mend si të gjallë” është vetëm imagjinatë e fizikes së tij. Që do të thotë ne na mungon edhe realiteti i tij, ndonjë objekt i realitetit të tij për ta ditur si dukej dhe si ishte Skënderbeu. Le të themi se imazhi i parë i Skënderbeut, pasi që nuk e ka një realitet të tij, apo një objekt të realitetit të tij është në të vërtetë i dy versioneve: imagjinatës së imituesit, apo pasionit/idealit të imituesit. Por kjo do të thotë se ai ka vdekur dhe në të vërtetë është i vdekshëm si të gjithë, dhe pikërisht për shkak se ka vdekur/është i vdekshëm është i paimitueshëm.    

Atëherë, Skënderbeu, si ai i imazhit të parë si ai në qytetet tona është vetë pasioni/ideali ynë. Po i njëjti i vetëmjaftueshëm në kalin dhe “përditshmërinë” apo historinë e tij. Gjë që është realitet i vetëmjaftueshëm. Por a është realitet i tij, apo i yni, apo i të dyve së bashku? 

Për të pranuar, perceptuar këtë, mungon një objekt, e ashtuquajtur reale, apo objekti i realitetit të tij. Apo thënë më saktë finiti i tij. Në këtë tërë ajo që mbetet është finitja jonë, qoftë e bashkëkohësisë së imazhit të tij të parë, qoftë ajo e tashme.

Atëherë duke e vëzhguar imazhin e konkretizuar të Skënderbeut në prezencën tonë, në bashkëkohësinë tonë, që do të thotë duke e nisur dhe filluar realitetin tonë përmes tij, ne ose besojmë se ka pasur një Skënderbe të si ky i yni i shumëfishuar në qytetet tona, si kujtim historik, ose imagjinojmë një prezencë tonën përmes këtij Skënderbeu. Por, në këtë realiteti kalon, shndërrohet në dy versione nga pesha dhe graviteti i këtij imazhi. Ose ne jemi realiteti, objekti i imazhit, ose imazhi është objekti i imazhit tonë për veten.

II

Identiteti ynë atëherë është, apo duhet, të jetë vetë ne, vetë Skënderbeu, e kjo qyteti ynë. Por, identiteti është i pandalshëm dhe i papërfundeshëm, duke qenë marrëveshje e dyanshme, dykahshme. Nëse qyteti është realiteti jonë, imazhet e tij e identifikojnë atë. Por nëse këto imazhe janë ideali, pasioni, dhe marrëveshja jonë për ne, ne kalojmë në realitet të tyre, ne jemi prezenca dhe arritja e tyre. Ne strehohemi përbrenda tërë asaj që këto përfaqësojnë për ne.

Por kjo dykahshmëri në të vërtetë është dinamikë e realitetit tonë që kalon, ka kaluar në realitetin tonë, përmes simboleve të tij. 

Dhe kjo simbolikë ka edhe zhvillimin e saj, apo thënë shkurt prejardhjen dhe fillimin e saj. E që në secilin rast është përsëritje e këtyre prejardhjeve dhe burimeve. Të cilat në të vërtetë konfirmojnë idealin tonë, të një Skënderbeu të padyshueshëm dhe të pavdekshëm. 

E njëjta dykahshmëri është e përhershme në identitetin tonë, dhe në këtë edhe i përjetësuar, apo përpjekje për të përjetësuar këto dhe përmes tyre vetë neve. 

III

Çka nëse si në filozofinë e ekzistencës e shohim Skënderbeun si të ‘hedhur’ në jetë, pa një fillim dhe as fund, dhe po ashtu të vdekshëm. Të vdekshëm në kalin e tij në qytetet tona. Apo a nuk është ai edhe një realitet i harruar i yni. Një identitet i braktisur i yni. Një realitet i dezintegruar i yni.

Si duket të vetmit ata që ende e kujtojnë Skënderbeun në qytetet tona, në Prishtinë po ashtu janë diaspora. Ai është bërë i pavërejtshëm nga ne, në të jetuarit aq afër kufirit tonë si shoqëri, në të jetuarit aq afër pamundësisë sonë. Apo, në të vërtetë pikërisht Skënderbeu, aq i arritur, aq i gatshëm dhe aq i vendosur na përkujton tradhtinë e idealit tonë, lirisë dhe pavarësisë sonë. 

Në të vërtetë ne jemi të deziluzionuar krahas Skënderbeut aq të madh, aq të gatshëm dhe aq të vendosur, siç edhe do të mund të kishim imagjinuar veten një herë në euforinë e lirisë sonë. 

Andaj dhe ambivalenca jonë. Braktisja jonë ndaj tij. Apo shpikja e panumër lirive tona, pavarësive tona.

Apo, identifikimi ynë, identiteti ynë është politikë e jona me të gjitha burimet e identitetit tonë dhe në këtë të gjitha shpikjet prej madhështisë tepër të madhe të tij dhe aq më shumë uzurpimit të Skënderbeut, përsëritjes së tij, përpjekjes për të filluar përsëri dhe përsëri janë aty ku fshehemi për të jetuar një liri dhe pavarësi tjetër, ambivalente.

Nesër nis edicioni i 20-të i ‘Tirana International Film Festival’

Nesër nis rrugëtimin edicioni i 20-të i Tirana International Film Festival, i cili do të mbahet deri në datën 30 shtator. Ky edicion jubilar do të zhvillohet në kinema Millenium, Liceu Artistik “Jordan Misja”, Open Air Cinema Millenium si dhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë, që nuk mund të frekuentojnë sallat dhe të udhëtojnë në Shqipëri.

Ceremonia e hapjes do të organizohet në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës, në ora 18:00, në kinema Millenium. Pas fjalës së rastit të ambasadorit italian e drejtorit të TIFF, programi do të vazhdojë në ora 19:00 me filmin e hapjes nga regjisori i njohur botërisht Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venecia.

Pas filmit, pjesëmarrësit në ceremoninë hapëse, do të mund të ndjekin muzikë live nga Elton Deda & the band.

Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen si një histori suksesi, që nisi në 2003 dhe tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të rajonit. Për herë të parë, festivali do të ketë “Official Partner”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Festivalin do ta nderojë edhe prezenca e Gerardo Prat, anëtar i bordit të Hollywood Foreign Press Association, që organizon e akordon çdo vit çmimet Golden Globes. TIFF përveç atributit si Oscar® & European Film Awards qualifying, është që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA./ atsh / KultPlus.com

Konkurs për çmimin letrar mbarëkombëtar ‘At Gjergj Fishta’

Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizon konkursin letrar për çmimet “At Gjergj Fishta” 2022.

Çmimet në këtë konkurs do të ndahen për romanin më të mirë, librin më të mirë poetik dhe veprën më të mirë studimore për letërsinë, me prioritet për veprat studimore kushtuar veprës a figurës së At Gjergj Fishtës.

Veprat letrare duhet të jenë botime të vitit 2022, të botuara dhe jo dorëshkrime.

Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të gjithë autorët të cilët e kanë shkruar veprën e tyre në gjuhën shqipe. Po ashtu, për t’u bërë pjesë e konkursit ftohen edhe autorët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera.

Juria e këtij konkursi përbëhet nga Stefan Çapaliku – shkrimtar, studiues; Suela Bala – studiuese, redaktore; Ndue Deda – shkrimtar, studiues.

Ndarja e çmimeve do të bëhet në 23 tetor, gjatë aktivitetit të organizuar nga Bashkia Lezhë, ndërsa afati i dorëzimit të librave është data 17 tetor./ atsh/ KultPlus.com

“Guest House 1960”, bujtina në Lin ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së fëmijërisë

Një tjetër bujtinë e bukur ka hapur dyert për turistët në Lin të Pogradecit.

“Guest House 1960” e ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së fëmijërisë nga familja Sulollari, është një ambient shumë miqësor ku spikat bujaria dhe mikpritja.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga kjo bujtinë, ku krahas natyrës magjepsëse që ofron Lini ka dhe një minigaleri me piktura të shekullit të 19-të që pasqyrojnë Shqipërinë e asaj kohe.

Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.

Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.

Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona./ atsh / KultPlus.com

Emocionohet pasi sheh veten në fotografi me këmbë zbathur: E kisha kthy prapë atë kohë, e prapë kisha shku zbath në shkollë

Jeta Zymberi

Shpesh prindërit na flasin për kohën kur kanë qenë fëmijë dhe kushtet në të cilat janë rritur. Ndonëse ato fakte shpesh i marrim me skepticizëm, pasi na duket e pamundur kur pohojnë që kanë shkuar në shkollë zbathur, kanë kaluar kilometra të tërë në këmbë për të arritur te shkolla, apo që shpesh gjatë dimrit të lagur nga bora e shiu i kanë përfunduar orët e mësimit në atë gjendje, por disa fotografi të publikuara sot nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi na pasqyruan më mirë se asgjë tjetër atë periudhë, shkruan KultPlus.

“Në shkollën e fshatit në Sllovi, komuna e Lipjanit, në fund vitet 1980- ta, nxënësit ishin urdhëruar që të hynin me këpucë të veçanta në shkollë për të mos futur baltën nëpër klasa. Shumica e tyre hynin zbathur, sepse nuk kishin mundësi të blinin edhe një palë këpucë për brenda”, ky është përshkrimi i fotografive të postuar sot nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi.

Foto: Ilaz Bylykbashi

Këto fotografi nuk na emocionuan vetëm neve, por fatmirësisht edhe një nga personazhet në foto.

Elhame Avdyli Bajraktari, vajza e ulur në bankën e parë të klasës, që shikimin e ka drejtuar ngultas drejt fotografit, sot përjetoi emocione të forta kur familjarët i dërguan fotografinë në fjalë.

“Kur djali i axhës më dërgoi fotografinë, nuk mund të besoja që isha unë. Nëna dhe të gjithë më njohën. U emocionova aq shumë e nisa ta kujtoj atë kohë. Gjëja e parë që mu kujtua ishte bluza me vija. Mu kujtu edhe që nuk kemi pas këpuca e hynim zbathur në klasë sepse shkolla ishte e re dhe nuk na lejonin të hynim më këpucët që vinim nga rruga. Ishte viti 1986, ishte skamje e madhe”, tregon për KultPlus Elhamja që sot është një grua e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo jeton në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, jo larg nga fshati ku e kishte kaluar fëmijërinë.

Foto: Ilaz Bylykbashi
Ne foto: Elhame Avdyli Bajraktari

Ajo tutje tregon që pothuajse e gjithë klasa ishte në atë gjendje, vetëm 5-6 nga fëmijët kishin kushte pak më të mira dhe kishin mundësi t’i blinin dy palë këpucë.

“Kur u ftoh moti, shkojshim me çorape. Kemi shku me çka kemi mujt”, thotë Elhamja e cila nuk e ka harruar as mësuesin e klasës së parë, Feriz Bytyqin i cilit sot nuk jeton më, por që Elhamja ruan një kujtim të mirë për të, si një mësues i sjellshëm e shumë i kujdesshëm me nxënësit.

Ndoshta dikush do të ndihej keq, apo do të turpërohej për fotografinë që sot u shpërnda edhe nëpër media, por Elhamja jo. Me zërit plot krenari e e lumtur pafund për këtë fotografi, ajo në një intervistë për KultPlus shprehet se nuk ndihet aspak keq për atë kohë, por shumë e lumtur që i ka përjetuar ato momente.

“E kisha kthy prapë atë kohë, e prapë kisha shku zbath në shkollë, veç me i përjetu ato momente se edhe pse nuk kemi pas, kemi qenë të kënaqur”, thotë ajo.

“Kemi qenë shtatë fëmijë, unë kamë qenë fëmija i tretë, nuk kanë pas me na vesh krejtve. E mbaj mend që dy motrat e mëdha të mijat kanë qenë në shkollë njëra paradite e tjetra pasdite. Me një parë këpuca kanë shku në shkollë. Pasi u kthy njona i ka mbath tjetra.”

Foto: Ilaz Bylykbashi

Për të përshkruar gjithë vështirësitë e asaj kohe, Elhamja na përshkruan edhe një tjetër moment. Në klasë të dytë ajo pohon se nuk kishte pantallona për të shkuar në shkollë dhe nënë e saj i ka marr një palë pantallona të burrave dhe i ka shkurtuar e ngushtuar për trupin e fëmijës. Madje ajo tregon edhe se si u paragjykua nga një shoqe në atë kohë.

“Asnjëherë s’kam pas komplekse. Një shoqe më pat thon që i paske pantollonat pak të shkym, unë i kam than po, veç kom kalu shembullore.”

Elhamja flet me dashuri të madhe për shkollën të cilën dikur ju desh ta ndërpriste pasi familja nuk kishte mundësi financiare.

“Shkollën e mesme e kam përfundu e pastaj e kam regjistru shkollën e lartë pedagogjike, po për shkak të kushteve e kam ndërpre”, thotë ajo.

Krejt për fund Elhamja ka një mesazh për të rinjtë sot.

“Unë çuditem çfarë kushte kanë sot fëmijët e nuk mësojnë, unë as natën nuk kisha flejt. Po e marr shembull djalin tem, krejt kushtet i ka edhe priton me msu. Gjithë i them djalit që unë me një fletore i kam shkru krejt landët e ju sot i keni krejt edhe s’po m’soni. Ju kisha lut me m’su sa më shumë”, përfundon kështu Elhamja e cila më në fund e ka në duar imazhin e vetëm nga fëmijëria falë shkrepjes së fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. / KultPlus.com

Foto: Ilaz Bylykbashi
Elhame Avdyli Bajraktari
Elhame Avdyli Bajraktari

Xhakës dhe Shaqirit “i ndalohet” shqiponja kundër Serbisë

“Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me gjeste, pavarësisht lojës”, tha drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami.

Zvicra dhe Serbia sërish do të ndeshen. Kësaj radhe në grupet e Kupës së Botës që zhvillohet në Katar.

Serbia dhe Zvicra do të takohen më 2 dhjetor në Doha, në xhiron e fundit të Grupit G, por siç raportohet lojtarët me origjinë shqiptare nuk do të lejohen të përsërisin më atë që bënë në Botërorin 2018, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami.

“Kupa e Botës nuk ka të bëjë vetëm me lojën me Serbinë, edhe nëse e dimë se sa e veçantë është kjo lojë, duke marrë parasysh atë që ndodhi në vitin 2018. Ne nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër. Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar. Ne duam të përfaqësojmë vlerat tona. Njëra prej tyre është: respekti. Ne tregojmë respekt për të tjerët. Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me gjeste, pavarësisht lojës”, deklaroi Tami.

“Nuk duhet të ketë fjalë, gjeste apo sjellje në përgjithësi që të nxisin reagime të tjera. Kur brohorasim, tregojmë gëzimin tonë, kjo është e rëndësishme. Por ne nuk duhet të jemi provokues”, është shprehur ai.

Në Kupën e Botës së vitit 2018 Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan duke bërë shqiponjën dykrenare, në ndeshjen kundër Serbisë për çka edhe u ndëshkuan./ KultPlus.com

Ka vdekur shkrimtarja angleze Hilary Mantel

Hilary Mantel ishte një nga romancieret më të njohura angleze të këtij shekulli.

Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare Hilary Mantel, autorja britanike e cila dy herë fitoi çmimin Booker.

Shkrimtarja e njohur, e cila fitoi çmimin prestigjioz për dy nga librat në trilogjinë e saj “Wolf Hall”, vdiq në paqe të enjten e rrethuar nga familja dhe miqtë e ngushtë, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

“Me pikëllim të madh njoftojmë se autorja Hilary Mantel vdiq papritur, por në paqe dje, e rrethuar nga familja e ngushtë dhe miqtë, në moshën 70-vjeçare”, tha agjenti i saj, Bill Heath.

Hilary Mantel ishte një nga romancieret më të njohura angleze të këtij shekulli. / KultPlus.com

Jetëgjatësia e dashurisë

Vështrim i Atdhe Hykollit për romanin “TI” të Ilir Muharremit 

            Emri i Ilir Muharremit ka vite qysh se lakohet në mjediset tona, ku flitet e shkruhet, për veprat letrare, sidomos kohëve të fundit, ku emrat e krijuesve të rinj po shtohen dita-ditës. Është ky një krijues i kësaj plejade të të rinjve, i cili me vlerat e njëmendta, të mirëfillta, falë intuitës së tij po lë gjurmë në disa zhanre të krijimtarisë letrare, posaçërisht në fahun e romanit. Pikërisht romani i tij “Psycho” është dëshmia më bindëse, meqë për këtë mori çmimin “shkrimtari i vitit 2018” të Pejës. Megjithatë, kontributi i tij letrar u dëshmua edhe në dramë dhe për libra të tjerë si “Djalli në qytetin tim” (1996), “Dera e fundit e çmendurisë” (2003), “Van Gogu kosovar” (2010), “Drama” (Unë me veten, Kafeneja), “Moskuptimet” (2016), “Psycho I” (2017) dhe “Psycho II” (2019). Ndërsa, tashmë, romani “Ti” (2021) është vepra për të cilën do t`i themi disa fjalë për të zgjuar kureshtjen e lexuesve që ta kenë edhe këtë vepër, për ta plotësuar edhe më shumë dijen për këtë krijues, i cili po bën hapa të sigurt drejt majave të sukseseve të njëpasnjëshme, ku do të arrijë bindshëm.

            Pa u thelluar në jetëshkrimin e autorit, sikur mjafton të theksohet se Ilir Muharremit gjatë kësaj dekade të fundit bëri emër me bujë, duke na ofruar libra letrarë në zhanre të ndryshëm, ku me një sens të veçantë prej krijuesi letërsisë sonë i solli vlera të nivelit të duhur.

            Që në fillim, do theksuar se romani “Ti” i Ilir Muharremit mban titullin pothuajse më të shkurtër (krahas apo pas romanit “Oh” të Anton Pashkut e ndonjë tjetri) në letërsinë shqipe, në Kosovë e më gjerë. Megjithatë, duhet theksuar se një roman i tillë, me një titull kaq të shkurtër, por kaq përmbledhës dhe domethënës për mbarë shtrimin narrativ, si formë dhe syzhe, të realizuar si është më së miri, autori arrin t`i përmbushë kriteret e mirëfillta për një vepër të tillë letrare, për të cilën kritika letrare do të çmojë e vlerësojë si një nga veprat më të arritura në letërsinë tonë të viteve të 20-ta të këtij shekulli në të cilin po bashkëjetojmë me autorin e këtij romani sa domethënës po aq edhe tërheqës, duke lënë shkas që veprat e tilla, siç është romani “Ti” jo vetëm të lexohet, po njëkohësisht edhe të dramatizohet apo edhe të ekranizohet, d.m.th., të vihet në skenë apo të shënjohet në celuloid, për t`u përjetësuar e përditësuar sa më gjatë e sa më me plotni.

            Syzheu i këtij romani ngërthen më vete një ngjarje sa të trishtë po aq krenare, që përthekon një periudhë të shkurtër po aq të bujshme dhe krenare, ku personalisht janë të tipisuar sipas karaktereve dhe tipareve të virtyteve që i posedojnë.

            Autori Ilir Muharremi në romanin e tij të radhës “Ti” trajton çështjet më vendimtare të një të riut, i ardhur nga Shqipëria mëmë, i cili i bashkohet luftës së Kosovës (1999) pasi që ai merr mesazh jo të parapëlqyer nga e dashura e tij, e cila ishte larguar nga Kosova, për të vazhduar studimet larg vendlindjes së saj, meqë Kosova po bënte luftë (falë UÇK-së) kundër falangës serbo-sllave.

            Megjithatë, kontributi i të riut – Fatmirit në Kosovë është për t`u vlerësuar tejet shumë, meqë shëmbëllen me një plejadë të të rinjve nga Shqipëria që erdhën në Kosovë, pa llogaritur për sakrificat e shumta, duke flijuar edhe vetën e tyre, duke rënë në altarin e lirisë, për çka numri i tyre nuk është i vogël.

            Rasti i Fatmirit, i ardhur si sa e sa të tjerë nga Shqipëria, është paksa i veçantë dhe pak a shumë karakteristik, pasi që shquhet me disa karakteristika si pakkush tjetër. Pra, pas përfundimit të luftës së Kosovës (1999) Fatmiri rikthehet në Shqipëri, ku në fillim sikur gjendet paksa në zgrip të jetës, meqë traumat e përjetuara të luftës i kishin lënë pasoja të paparashikueshme, ku pa ditur kishte marrë “udhë të pakrye” siç thonë, duke u dhënë pas veprave të këqija, mirëpo për ta kthyer në binarët normalë të jetës sikur i kishte mjaftuar dashuria e vërtetë dhe e sinqertë ndaj të dashurës së tij, duke shpëtuar atë nga droga, plaçkitja, hajdutëria a burgu.

            Romani “Ti”, si asnjë vepër tjetër letrare, as më pak apo as më shumë deri më tash, është në vazhdimësinë e veprave të tilla që mbrujnë tharmin e dashurisë së dyfishtë, sa atë njerëzor (në mes dy të rinjve) dhe atë atdhetar (Shqipëri e Kosovë), duke i përballuar në një si të vetme dhe unikate.

            Prandaj, e themi me plot gojë dhe me sinqeritet të plotë se, një vepër si kjo veçsa e begaton opusin letrar të autorit, në njërën anë dhe të krijimtarisë sonë në anën tjetër./ KultPlus.com

Dijana Toska fiton çmimin ‘K’tu Fest 2022’

Nën emocionet e mëdha shkaktuar nga artistët dhe personalitetet që u ngjitën në skenë, u zhvillua nata finale e edicionit K’tu Fest 2022 në Strugë.

Salla e teatrit Poshka ishte mbushur mbi kapacitetin e saj. Energjia pozitive të jepte një ndjesi gati surreale që përzihej me gëzim dhe magji.

Ishte nata e ndarjes së çmimit të vetëm që ky festival akordon, çmimi Ars Gratia Artis, që jepet për atë personalitet ose institucion që ka kontribuar me veprën e tij/saj në zhvillimin e shoqërisë.

Çmimin këtë vit e fitoi gazetarja, producentja, aktivistja dhe humanistja Dijana Toska.

Tek merrte çmimin që ju dorëzua nga regjisorja Olsa Poshka, ajo u shpreh se ndihej e lumtur që çmimi i jepej nga një grua me vlera e nga një festival si K’tu Fest.

Dijana foli për përvojën e saj si gazetare duke u shprehur se kishte intervistuar shumë burra shteti, kishte zbardhur për vite të tëra ngjarje kyçe nga bota shqiptare për Zërin e Amerikës, rrëfeu për peripecitë e saj plot ulje ngritje deri në himnin për nënë Terezën dhe me ngjarjen kulmore si ishte koncerti në Vatikan ku Dijana arriti të mbledhë shqiptarë që janë yje botërore, nën audiencën rekord të 140 milionë teleshikuesve.

Tek tregonte për jetën e saj që të ngjasonte me një libër të mirë për t’u lexuar por jo i lehtë për t’u jetuar, shikoje se me çfarë personalitetesh janë bekuar shqiptarët. Toska, tek fliste e fliste për jetën, tregonte gjithashtu se kemi arsye të mëdha për të qenë krenar që jemi shqiptarë.

Në fund byzylykën e artë të gdhendur vetëm për të, ia vendosi në dorë regjisori Xhelo Poshka, e së bashku me të edhe letrën e falënderimit nën emrin e Margarita Xhepës si presidente nderi e K’tu Fest 2022 e nën emrin e drejtorëve të festivalit Olsa Poshka dhe Xhelo Poshka. / KultPlus.com

Bunkerët e fundit të botës, pallatet nëntokësore me ushqim deri në 5 vite

Kërcënimet në shtim nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore ka rikthyer edhe njëherë frikën te qytetarët e të gjithë botës, shumë prej të cilëve, pjesa më e madhe milionerë, kanë ndërtuar bunkerë gjigante nëntokësore për të shmangur një katastrofë bërthamore.

Vetë Putini paralajmëroi se ky nuk është një bllof, i gatshëm të realizojë një Armagedon me bomba që do të ndezin qiellin.

“Survival Of The Richest” është një libër i shkruar nga Profesor Douglas Rushkoff, i cili tregon se shumë të pasur tashmë kanë pallatet e tyre nëntokësore me teknologjinë më të fundit dhe furnizim me ushqime deri në 5 vite.

Madje ka nga ata që në shtëpitë e tyre të sigurta, kanë krijuar dhe një korridor për të nxjerrë qentë xhiro.

Siç thekson Rushkoff, probabiliteti që një bunker i fortifikuar të mbrojë banorët e tij është shumë i vogël. ‘Gjithçka arrin kudo. Retë toksike dhe rrezatimi kanë një mënyrë për t’u përhapur dhe depërtuar nëpër barrikadat më të menduara mirë. Filtrat e ajrit duhet të zëvendësohen rregullisht dhe ndonjëherë dështojnë edhe kur janë’./A2CNN / KultPlus.com