NASA ka publikuar sot pamje satelitore nga liqeni i Ohrit dhe ai i Prespës, teksa i cilëson si dy nga liqenet më të lashta në Europë, me karakteristika dhe veçori unike.
Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës, dy nga liqenet më të lashta në Evropë, shtrihen në një zonë malore përgjatë kufijve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Greqisë. Liqenet kanë ekzistuar për të paktën 1 milion vjet dhe ndoshta edhe më gjatë.
Shumica e miliona liqeneve në botë janë më pak se 18,000 vjet të vjetra dhe u formuan kur akullnajat u shkrinë në fund të Epokës së fundit të Akullnajave.
Ohri është më i madhi dhe më i thelli nga të dy, me një thellësi mesatare prej 155 metrash . Prespa ka një thellësi mesatare prej 14 metrash. Gjeologët klasifikojnë 30 liqene në botë si më të lashta, në këtë kategori bëjnë pjesë Ohri dhe Prespa.
Pjesa më e madhe e ujit të liqenit të Ohrit vjen nga burimet nënujore, shkruan NASA. Në një studim të fundit, bazuar në afro katër dekada të vëzhgimeve të Landsat, shkencëtarët raportuan se Liqeni i Prespës humbi 7 për qind të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis viteve 1984 dhe 2020, me shumë mundësi për shkak të rritjes së tërheqjes së ujit për bujqësinë.
Në liqenin e Ohrit ndodhen 200 lloje speciesh që nuk gjenden askund tjetër, këtu bëjnë pjesë kërmijtë e pazakontë, rosat dhe trofta.
Liqeni i Ohrit mbrohet nga UNESCO-s dhe në disa raste është quajtur “Galapagos Evropian” ose një muze i fosileve të gjalla për shkak të biodiversitetit të tij të jashtëzakonshëm.
Në vitin 2010, shkencëtarët e Unionit Ndërkombëtar Astronomik i dhanë emrin Ohër një liqeni në Titan. Artikulli i NASA-s./ KultPlus.com
Para pak kohe, duke shkelë për një vizitë, në prakun e shtëpisë – muze të atdhetarit shkodran Pashko Vasa, mu kujtuan fjalët që më thoshte frati françeskan, atdhetari Ambroz Martini, gjatë takimeve të këndëshme herë pas heret tek ai.
„Gropa e Shkodres ka pas nxjerrë burra që mateshin me bjeshkët, …. e fillonte me përmendë një varg të gjatë atdhetarësh që ja kushtuan apo e flijuan jetën për atdheun dhe lirinë e tij… Njerëz të thjeshtë, trima malsie, intelektual të shkolluar në perëndim e që u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre,…. zyrtarë me origjinë shqiptare që punuan në administratat e vendeve të ndryshme, por që nuk e harruan kurrë vendin… e rreshti vazhdonte gjatë me emra trimash e personalitetesh të njohur të cilëve ne i detyrohemi për lirinë e trojeve tona. Ndër to rreshtohej emri i Pashko Vasës, burrit i cili dha ndihmesë të madhe, në shumë drejtime në të mire të atdheut.
“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?? ….nuk ka vajzë e as djalë shqiptarit, që nuk i ka shqiptue ose ndigjue nji herë këto vargje kushtrimi, që nuk i ka dhëmbur shpirti nga kjo ofshamë e dala nga gjoksi i njeriut që digjet për atdhe. E jo vetëm këto vargje, por edhe aktiviteti diplomatik, artistik e patriotik, e rritën ndër vite figurën shumëdimensionale të Pashko Vasës.
Pak mbi familjen e Pashko Vasës.
Lindi me 17 shtator 1825, nga prindët Roza dhe Hile Vasa. Pat edhe një vëlla, Nikollën dhe një motër që quhej Gonxhe. Bir i një familje me tradita qytetare e kulturë të gjërë, që zotëronte emër të mirë dhe pasuri në qytetin e Shkodres, Pashko-ja mësimet fillestare i mori në Shkodër, e qysh i ri, i prekur nga problemet e mprehta sociale të kohës si dhe gjendja e mjerë e atdheut, ai fillon të reagoje duke shkruar në disa gjuhë.
Pashko, fliste dhe shkruante në frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, serbisht dhe anglisht. U martua në vjentin 1855 me një grua shkodrane të cilës nuk i dihet emri (sipas Vehbi Balës), me të cilën pat Rozën, Linden, Marien, një djalë të quajtur Lerish dhe Silven. Si gruaja Roza ashtu edhe 4 nga fëmijët, vdiqën të rinj. Pashko u martua për së dyti me Katerina Bonatin (të cilën meqenëse ishte ortodokse e quanin “grekja”) e cila po ashtu vdiq shpejt nga tuberkulozi. E bija e Pashkos, Roza, u martua me një shtetas turk me origjinë armene të njohur si KUPELIAN dhe pat dy vajza Silven dhe Mariken.
Për herën e tretë, Pashko u martua me Berta Lerish, një grua franceze që e kish njohur në Stamboll, me të cilën pat dy djem Mikelin dhe Leonin. Djali i madh Mikeli vdiq i pamartuar në 1914-tën, ndërsa Leoni i cili pat lindë në Beirut, vdiq rreth viteve 30-të, duke lenë një vajzë që jetoj deri vonë në Francë.
Me 18 qeshor 1883, Pashko Vasa emrohet guvernator i Libanit. Vitet e fundit të jetës , ai ka vuajtur nga sëmundja e zemrës, por thuhet që vdiq nga gripi me 29 qeshor 1892. U përcoll në varrezën e fundit në Liban, nga miqtë e tij Filip Shiroka dhe Ismail Qemali. Eshtrat e tij dhe të gruas së tij, Katerinës, u sollën në Shqipëri nga Libani në vitin 1978 dhe janë të vëndosura në varrezat e deshmorve në Shkoder.
Shtëpia e Pashko Vasës, degë e Lidhjes së Prizrenit
Objekti kryesor që ka mbetur dhe që aktualisht na lidh me figurën e atdhetarit Pashko Vasa, është shtëpia e tij në Shkoder që ishte baza kryesore e Lidhjes së Prizrenit, sot Monument Kulture. Kjo shtëpi, që sot është e vendosur si objekt në hartën turistike të Shkodres, ka një histori të lavdishme, pasi jo vetëm ishte degë e Lidhjes së Prizrenit, vendi ku mbaheshin takimet e aktivistëve për çeshtjen kombëtare, por falë vlerave arkitekturore dhe etnografike, është pikë e preferuar e të huajve që vizitojnë vendin tonë.
Sipas dëshmive të njërzve që kanë jetuar aty, kjo shtëpi ka një histori rreth 300 vjeçare. Ajo është rinovuar e restauruar tërësisht në vitin 1977 si dhe në vitin 2013, nga shteti shqiptar. Të gjitha dyert, dyshemetë, dritaret, tavanet e çardaku, janë punuar nga restaurator profesionist sipas origjinalit, në dru. Sot është një shtëpi e kategorisë së parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarve të familjes Vasa, qysh në vitin 1971. Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodres dhe në oborrin e saj qëndrojnë në origjinal, pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri e shpërlarjes së rrobave dhe shkalla prej guri të latuar.
Sipas thënieve që mblodha nga disa pjestar të familjeve shkodrane që jetojnë në afërsi të degës së Lidhjes së Prizrenit, po në shtëpi karakteristike shkodrane, si familjet Suma, Kamsi, Gjonej, Kraja, Guga, Shiroka, thuhet që edhe kjo shtëpi duhet të jetë ndërtuar në atë periudhë. Kjo mund të dallohet nga karakteristikat e njëjta me shtëpitë e tjera shkodrane që gjinden në të njëjtën zonë, që kanë pothuajse të njëjtën arqitekturë, fasada, strukturën e mbrendëshme e po ashtu edhe oborret. Pjesa mbrendëshme e shtëpisë është e ndarë ndër dhoma të mëdha, të cilat kanë tavane të gdhendur në dru, të një bukurie të veçantë, ballkone për qëndrimin e grave, apo raftet e futura në mur. Dhoma e ndejës ose në gjuhën popullore “oda e zjermit”, që komunikon me dhomat e tjera me anë të koridoreve të vogla të veshur në dru të gdhendur, ka dritare të mëdha druri të mbrojtura me hekura, që e mbushin me dritë dhe hapin një pamje të mrekullueshme të oborrit të stolisur me luleborën e lulevilen tradicjonale të Shkodres.
Një çardak i madh hapet në mbarim të shkallëve të gurta, ku zotërojnë “qoshja e ndejës” dhe kandilat e shandanat karakteristik të tipit oriental. Poshtë pjesës së banuar, janë ahuret ku mbaheshin objektet e përdorimit të radhë, drutë e ngrohjes si dhe veglat për të punuar kopshtin dhe oborrin. Përpara shtëpisë është oborri me lule dhe lojrat e fëmijëve, ndërsa prapa kopshti i zarzavateve dhe pemëve frutore.
Përsëri sot, shtëpia është një pikë turistike që preferohet nga turistë nga e gjithë bota, jo vetëm për arkitekturen e veçantë, por edhe për të fjetur, pasi familja Vasa, në disa dhoma të shtëpisë, ka plotësuar kushtet normale të jetesës ku mund të flihet komod e me kujtimet e kohëve të shkuara. Shpresoj dhe uroj që bukurisë së fasadave dhe arkitekturës karakteristike të shtëpive të vjetra shkodrane, ti shtohet edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit heroi kombëtar Luigj Gurakuqi, e cila nga moskujdesija e shtetit u rrënua. Kjo është dëshira e çdo shqiptari atdhetar dhe e çdo qytetari shkodran, pasi është identiteti ynë./KultPlus.com
Mundësi me nënshtetësi shqiptare, Zelimkhan Abakarov, është shpallur kampion bote në Kampionatin Botëror të Mundjes që është mbajtur në Beograd, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur i kryetari i Tiranës, Erion Velijaj përmes një psotimi në Faceboook.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të Velijajt:
Zelimkhan Abakarov, mundësi me nënshtetësi shqiptare i KS Tirana, shpallet kampion bote në Kampionatin Botëror të Mundjes – Beograd 2022.
Faleminderit Leonard Çakmashi, për kontributin si trajner! KRENARË per ty Zelimkhan!./ KultPlus.com
Poetja Naime Beqiraj është shpërblyer me çmimin e parë ‘Agim Ramadani’me poezinë ‘Gangjja e grigjës’ në manifestimin letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit 2022’, përcjell KultPlus.
“Çmimi i parë “Agim Ramadani” poezisë “Gangjja e grigjēs”.Falemnderit jurisë për vlerësim, krijuesve dhe publikut për urim! Falemnderit Zot për frymëzim!”, ka shkruar Beqiraj teksa ka dhënë lajmin për çmimin.
Në vijim e gjeni të plotë poezinë ‘Gangjja e Grigjës’
GANGJJA E GRIGJËS
1.
Ec shtegut t’arrave Hapat drejt në rërë Shkundur nga thepat I fshikullojnë kurthat e Jerusalemit E akuzat Dëshmitë Lyer me ngjyra sari
Pastaj e njejta pyetje -Çfarë bën Zoti për ne A mjafton të lëshojmë shtat Në oborr të Kishës E të rritemi pak nga pak
Kafka Drithërimë Luten prajshëm Për grigjen Mbi barinj të përulur Kullosave të Dardanisë
Këtu po gdhend Dora e Perëndisë Dorë e butë Dorë e zgjatur Me flatrat e mbushura gjak Sa herë në ditë e denojmë Atin E gojën plot Nënë Terezë
2.
Orë më orë Satani nuk ndalet Nuk e shohim Nuk e njohim As skenën e errët Kur lodhemi duke u lutur E përsëri të vakët Të vaktët si boshësi E të mundur Me pedantëri
Si kontinent të vdekur Kur bëhet ajër shpirti N’vjedhje djallëzore Dorën nuk e shtrive As shtatin Qafën, jo se jo Veҁ përulje Para Atit
Gangje e kthyer n’lule Besën dëshmi Kësaj bote Me emrin e Nënës Kontinentin e mbrojtur Ilirinë e nëpërkembur Dritare të hapura Poshtë të cilave Kurthërohen mbrojtjet Si te judenjtë
3.
Në qetësi nuk mund të të lëmë As në Shkup martire As n’Kosovë, bijë Zgjohu veç pak E dëshmo Si të dorëzuam Me duart tona Më gjatë se një jetë Duke shkelur Tre nga tre Fletët e Ungjillit
Asnjë kod Ne kemi të drejtë të lutemi Deri në Ditën e Gjyqit Nē qiell të hapur Si në udhë të bjeshkës Shtigjeve për Letnicë
Po kush arriti T’i mund kurthat E të ec pa u zvarritur Nën krahun e Atit Trimërisht si ti./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar për të marrë ftesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Sipas njoftimit të Presidencës, të dielën, ata janë ftuar të marrin pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III për krerë shtetesh dhe bashkëshortët e tyre nga mbarë bota, të cilët do të jenë prezent në varrimin e Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator.
Të hënën ndërkaq do të jenë prezent në varrimin e Mbretëreshës Elizabeth II, e më pas në pritjen e organizuar nga Sekretari për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly. /KultPlus.com
Në javën që nga vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II, këngët për mbretëreshën e ndjerë janë bërë veçanërisht të njohura në platformat muzikore me abonim.
Sipas Billboard, kënga e Smiths e vitit 1986 “The Queen Is Dead” regjistroi rritjen më të madhe në transmetime.
Më 7 shtator, hiti i grupit rock anglez mblodhi 6,000 transmetime në SHBA dhe një ditë më vonë, kur u njoftua vdekja e Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, pati një rritje prej 1,687%, domethënë u regjistruan 114,000 transmetime.
Hiti i Sex Pistols i vitit 1977 “God Save The Queen” u rikthye gjithashtu në plan të parë, duke arritur në 81,000 transmetime nga 11,000, një rritje prej 650%.
Në platformat muzikore, shumë përdorues dëgjuan përsëri “Her Majesty” të Beatles (1969) dhe këngën “Elizabeth My Dear” të Stone Roses të vitit 1989. I pari regjistroi një rritje me 269% dhe i dyti 224%.
Mirëpo, Sex Pistols u gjendën në qendër të vëmendjes për shkak të polemikës që shpërtheu mes anëtarëve të grupit. John Lyndon u distancua nga grupi dhe e akuzoi atë për përpjekje për të “shfrytëzuar” vdekjen e Mbretëreshës./abcnews.al/ KultPlus.com
Grupi i njohur shqiptar “Elita 5” erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të 90-ta, duke mbetur kështu ndër grupet më të njohura e më të dëgjuara në vendet shqipfolëse, shkruan KultPlus.
Njihen për tekstet e vecanta, ku përmes tyre i këndonin dashurisë, mallit, jetës etj.
Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera.
Në vijim, KultPlus ju sjell “Shiu vetëm ty të lagë”, një këngë që ishte dhe vazhdon të mbetet shumë e dashur për publikun shqiptarë e sidomos për adhuruesit e grupit.
Bashkangjitur gjeni videon e këngës./ KultPlus.com
Greva në arsim do të vazhdojë edhe javën që vjen, nëse nuk ka lëvizje nga Qeveria dhe Misnitria e Arsimit.
Kështu deklaroi kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj. Jasharaj deklaroi se nga komunikimet që kanë patur me kryetarët e niveleve komunale të Sindikatës dhe Universiteteve, qëndrimi mbetet i njëjtë që greva të vazhdojë nëse edhe gjatë kësaj fundjave nuk ofrohet asnjë zgjidhje.
“Duke u bazuar nga takimi online që e kishim mbrëmë, sepse mbajmë takime çdo ditë me kryetarët e niveleve komunale të Sindikatës tonë por edhe të Universiteteve, nga raportet që dhanë ata në komunikim me antarsinë nëpër komuna dhe Universitete qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë. Ata kërkojnë nga Qeveria që të ofrojë zgjidhje të pranueshme për kërkesat tona në të kundërtën ata u deklaruan se grevistët mbeten në qëndrimin e tyre, se nëse nuk ka lëvizje gjatë këtij vikendi greva do të vazhdojë”
Tutje Jasharaj deklaroi se nuk ka asnjë indikacion për komunkim as nga Qeveria dhe as nga Ministria e Arsimit.
“Për momentin nuk ka asnje indikacion për komunikim me Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit. Në në takimin që e kishim me kryeministrin e lamë të hapur nga ana jonë mundësinë për takim dhe i thamë se jemi të gatshëm në çdo sekondë, çdo ditë madje edhe vikendeve që të takohemi me qëllim që të gjejmë zgjidhje për kërkesat tona që kjo situatë të tejkalohet. Nga ana e tyre nuk kemi as një ftesë ne jemi në pritje, por situata është e tillë, ne edhe mbrëme kemi mbajt një takim si çdo ditë me kryetarët e niveleve komunal sindikal dhe të universiteteve. E kemi debatuar situatën, ne urojmë që njerëz të vullnetit të mirë të ndikojnë që ne të kemi takime, të kemi dialog e jo monolog dhe që bashkarisht të angazhohemi për të zgjidhur kërkesat legjitime, jo vetëm të SBASHK, por këto janë edhe kërkesa të shërbyesve civilë dhe të të gjitha federatave sindikale që bëjnë pjesë në BSPK” deklaroi për Gazeta Blic.
Dje, është mbyllur java e tretë që mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme.
Megjithëse janë zhvilluar disa takime ndërmjet përfaqësuesve të SBASHK dhe Qeverisë, të njëjtit nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.
Nga SBASHK kërkojnë një shtesë prej 100 eurosh në rroga ndërsa nga Qeveria po arsyetohen se shtesa është bërë në Pakon e fundit mbështetëse që është, në vlerën prej 50 eurosh.
Megjithëse greva vazhdon prej 3 javësh disa shkolla në Gjakovë , Fushë-Kosovë dhe Podujevë e kanë ‘thyer’ atë duke nisur mësimin./ KultPlus.com
Përmbi çdo maje mali Ka qetesi: Mi asnje maje mali Asgje s’leviz, As pipetin; Ne pyllin zogjtë’ e vegjël po pushojnë: Prit pak, se shpejt a vonë Gjen qetësi dhe ti./KultPlus.com
S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë: sa pamje shpartalle, skelete pa brumë. Flluska sapuni me shkumbë. Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite, që t’hedhin n’mendime vite me vite. Nji send un e dij: se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!
Mbarë token e due, si fushen, si malet livadh të qëndisun me lulet e lajlet, ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë; ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje që njerzt t’ambelsohen goje për goje.
Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull, ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull: ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë pa ju versulë flakurim ndoj skifter. Due njerzit, due popujt bashkuemun unji Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!
Ket andërr ka pa shumëkush para meje n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje. Dhe prap un e dij: Se u vunë vulën e zezë: utopi!…
Arsyeja dhe zemra njerzore, që n’kohnat e lashta antike, andrruene për nji: “Republikë platonike”. -Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore mbiemnin ja vunë edhe ksaj: utopike!
E s’voni n’epokat e reja, pa pra n’shkreti shungulloi persritun nji za: “O njerz, ju vllazen jeni të tanë! Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!” Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar, Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.
E dij se n’tokë ka dimna e prandverë, e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë; e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele, ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele, por kët s’e kuptoj: pse n’tokë sundon dhuna, forca shtasore jo mendja, jo puna; se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!
S’pat bota njerz t’mendshëm? pat, po si s’pat!… Por o kjenë të plakun o t’vorfen pa fat.
Prandaj un e due at andrrën e mirë: që njerzit dikur, me hir o pa hir, do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës, instinktet shtasore t’mënisë e furtunës, dhe n’vendin e tyne do t’vehet Mirsia, Mendja njerzore, Zemra e Dashunija! /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës së shpejti ri-fillon punën në hapësira alternative deri sa të përfundoj procesi i renovimit të objektit aktual!
Një prej këtyre hapësirave është edhe Amfiteatri në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në të cilin sot u takua ekipi i i shfaqjes së re që do të punohet në TKK e bazuar në komedinë “Pas vdekjes” e A.Z. Çajupi me regji të Fatos Berishës!
TKK është e lumtur që me këtë projekt po ri-kthehet pas 16 vitesh në skenen tonë, aktori Armond Morina!
Premiera e shfaqjes do të jetë së shpejti, sapo të përfundohen adaptimet e nevojshme të kësaj hapësire.
Së shpejti edhe lajme tjera të mira nga TKK! /KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj nisen sot për të marrë pjesë në funeralin shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.
Me ftesë të Mbretit Charles III, të Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth-it, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, niset sot drejt Londrës për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.
I shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës Elizabeth II.
Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.
Në kuadër të programit ceremonial, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, do të marrin pjesë dhe në pritjen e organizuar nga ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Në ceremonitë e organizuara me këtë rast, do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore të vendeve të ndryshme të botës. /KultPlus.com
Ndër më meritorët për sukseset e Baletit Kombëtar të Kosovës, pa dyshim janë koreografët me të cilët BKK ka realizuar krijime të jashtëzakonshme koreografike.
Me kreativitetin e tyre, këta koreografë u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të Baletit Kombëtar të Kosovës.
BKK ka kujtuar ndër të tjera emra si: Sylvia Tomova, Sergey Arendar, Konstanin Uralsky, Artan Ibërshimi etj.
“Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata të cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!”, thuhet në postimin e BKK-së.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com
Festivali i Filmi “PriFest” ka prezantuar jurinë programit Global – International Feature Film Competition, shkruan KultPlus.
Iris Elezi është një kineast, pedagoge dhe arkiviste shqiptare. Ajo studioi studimet e prodhimit të filmit në NYU dhe themeloi Kinematekën Shqiptare në vitin 2016. Ajo ka kuruar retrospektiva filmash dhe ka zhvilluar masterklasa me Francis Ford Coppola, Mohsen Makhmalbaf, Ben Rivers dhe Mark Cousins për të përmendur disa. Iris Elezi ishte drejtoreshë e Arkivit Kombëtar të Filmit Shqiptar dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FIAF-it. Filmi i saj i mirënjohur debutues artistik, BOTA (2014), u bë filmi përfaqësues i Shqipërisë për Çmimet e Akademisë 2016 dhe u rendit në listat e filmave më të mirë të vitit 2018 në ‘Sight & Sound’ të BFI-së.
Adem Karaga është aktor nga Maqedonia e Veriut, i njohur për filmat “Pankot ne e mrtov”, “Koha e kometës”, “Do balcak”, “Vrba”, “Sofija”, “Toka”. Ai është drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, Maqedonia e Veriut.
Luàna Bajrami është një aktore dhe regjisore franceze-kosovare. Ajo njihet për rolet e saj në filmat Portreti i një zonje në zjarr (2019) dhe School’s Out (2018). Ajo bëri debutimin e saj regjisorial me The Hill Where Lionesses Roar (2020) që u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë, Directors Fortnight. Filmi fitoi disa çmime, duke përfshirë çmimin e aktores më të mirë në FF të Sarajevës dhe çmimet e regjisorit dhe aktores më të mirë në PriFest 2021.
Edicioni i 14-të i PriFest, mbahet nga 20-25 shtator 2022. /KultPlus.com
Sot, përkujtojmë 197 vjetorin e lindjes së veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit, Pashko Vasa, shkruan KultPlus.
Pashko Vasa lindi në Shkodër aty ku edhe kreu mësimet e para dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane.
Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”.
Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).
Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).
Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër. / KultPlus.com
International Film Festival është përzgjedhur ndër 29 festivalet më të mira europiane, përkrah simotrave të Venecias, Kanës, Lokarnos e Berlinit, për të kandiduar filma në “European Film Academy Awards”.
Një tjetër arritje e këtij festivali është fakti se Akademia “Oscar” ka perzgjedhur TIFF, si një nga festivalet zyrtare me atributin e nominimit për “Oscar” për çmimin e filmit të shkurtër.
Filmat e metrazhit të shkurtër prej të cilëve do të dalin kandidatë për European Film Academy Awards dhe Oscars, ndahen në disa kategori, si Live Action, Animation, Documentary, VIDEO ART & EXPERIMENTAL dhe si dhe filmat studentorë, fituesit e të cilëve, do të mund të kandidojnë për t’u seleksionuar për Oscars.
Fituesit e kategorisë “Live Action” te TIFF-it, do të mund të seleksionohen si për Oscar ashtu edhe në European Film Awards. Në këtë kategori të metrazhit të shkurtër garojnë 12 filma, dy prej të cilëve nga Kanadaja, dy nga Franca, dhe të tjerët nga Suedia, SHBA, India, Meksika, Luksemburgu, Kina, Italia e Irani. Filmat kanë një gjatësi që varion nga 15 deri në 30 minuta, dhe ashtu si edhe origjina e tyre, edhe tematika që trajtojnë është e larmishme.
Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen me edicionin e tij të 20-të, si një histori suksesi, që nisi në 2003 dhe tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të Ballkanit dhe Europës.
Festivali, i cili do të zhvillohet nga 24 deri në 30 shtator. /atsh /KultPlus.com
Robbie Williams ka thyer një rekord të listave të mbajtura më parë nga Elvis Presley, përcjell KultPlus.
Ylli 48-vjeçar i popit publikoi albumin e tij ‘XXV’ të premten (09.09.22) dhe kur arriti në numrin një një javë më vonë, ai mundi Mbretin e ndjerë të Rock n Roll Elvis si artisti që kishte më së shumti solo. albumet zuri vendin e parë, me gjithsej 14 në emrin e tij tani.
Pas fitores së tij, Robbie tha: “Faleminderit për të gjithë ata që e kanë mbështetur albumin: të gjithë ata që e kanë blerë, transmetuar, shkarkuar dhe rishikuar. Jam shumë i kënaqur që ka shkuar në numrin 1, dhe megjithëse është e çuditshme të jesh Duke marrë një çmim në këto kohë të zymta, doja t’ju falënderoja të gjithëve për mbështetjen tuaj dhe t’ia dedikoja këtë fansave, të cilët nuk i marr kurrë si të mirëqenë. Unë e vlerësoj shumë, faleminderit shumë!”
Krijuesi i hitit “Angels” fillimisht fitoi famë si anëtar i grupit të djemve Take That përpara se të dilte si artist solo, por gjithashtu grumbulloi edhe katër albume të tjera numër një gjatë kohës së tij me grupin e djemve ndërsa legjenda e “Hound Dog” – i cili vdiq. në vitin 1977 në moshën 42-vjeçare – shënoi numrin e tij të 13-të të parë me publikimin pas vdekjes së koleksionit ‘ELV1S: 30 Nr. 1 Hits’ në vitin 2002.
Ndërkohë, ish-anëtari i Beatles, John Lennon, mbetet artisti që mban rekordin për shumicën e albumeve numër një gjatë karrierës së tij, me gjithsej 18 rekorde në krye të listave të lëshuara gjatë kohës së tij si një akt solo dhe gjatë kohës së tij me ‘ Hej hitbërësit e Judës. /KultPlus.com
Gjirokastra është një nga qytetet që ka përfituar më shumë nga Bonusi i Rijetësimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh mëngjesin e sotëm se janë 10 objekte që marrin mbështetje financiare për mirëmbajtje, restaurim apo rijetësim.
Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë atyre që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve.
Ai përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.
Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti./atsh /KultPlu.com
Servete Maçi (1901-1995) mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë dhe e bija e patriotit të palodhur, tiranasit Musa Maçi, një aktivist që kishte pësuar disa here burgime nga xhonturqit.
Servete Maçi e filloi mësimdhënien e gjuhës shqipe qysh në moshën 15 vjeçare. Shtyrë nga i ati, por edhe nga miqtë e të atit, Ibrahim Dalliu dhe Jusuf Elezi, ajo e filloi punën e saj me 35 nxënëse. Sipas kujtimeve të mësueses së parë veterane Servete Maçi (Petrela) të kësaj shkolle dalin këto të dhëna për hapjen e shkollës.
“Një grup patriotesh si Riza Jasa, mësuesi Mahmud Fortuzi erdhën në shtëpinë time (Servetes) dhe biseduan me babain tim. Ata i thane atij se kishin vendosur të hapnin një shkollë femërore shqipe dhe kërkuan që unë të isha mësuesja e pare atje. Unë dija vetëm të shkruaja dhe të lexoja. Babai im pranoi… Isha tepër e re, – shkruan ajo, – vetëm 15 vjeçe dhe kisha frike se a do të isha në gjendje ta përmbushja këtë detyrë për t’i mësuar vajzave gjuhën amtare siç duhej. Por, shokët e babait tim, në mënyrë të veçantë Ibrahim Dalliu, me binden duke me premtuar se do të më ndihmonin sa herë të kisha nevojë”.
Shkolla shqipe që sot quhet shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Përmetit” është hapur më 1916 në kohën e pushtimit Austro-Hungarez. Godina ishte prona e Dulle Kanes. Ishte një ndërtese e vjetër e përbërë prej tri dhomash, dy nga të cilat ishin pa tavan. Kushtet e mësimit ishin fare të papërshtatshme, por megjithatë për mësimin e gjuhës shqipe në të shkruar e në të lexuar u përdor libri i abetares i Naim Frashërit.
Shkolla 7-vjeçare “Kongresi i Pёrmetit” (Tiranё). Viti 1955
Mësimi zhvillohej dy herë në ditë me përjashtim të ditës së enjte që zhvillohej vetëm para dite (ditë pazari). Pushimi bëhej ditën e premte. Armiqtë e tërbuar të shkollës shqipe ishin anëtarë të klubit Turk të Tiranës. Ata, duke e fyer, përpiqeshin që ta bënin Serveten të linte detyrën e mësueses, por nuk ia arritën qëllimit. Ajo u quajt “kaurreshe”, pra si një grua që kishte braktisur fenë islame. Të nxitur nga dallkauket xhonturq disa fëmije rrugaçë e qëllonin me gurë, kur ajo vinte në shkollë ose kur kthehej në shtëpi, derisa një ditë arritën ta qëllojnë me gur në shpatullën e majte që i shkaktoi asaj lëngimin në shtrat për pese muaj, por shkolla nuk u mbyll. Shpesh atë e shoqëronte e ëma ose nxënësja e saj Hatixhe Jasa. Vendin e mësueses e zunë ish-nxënëset e saj Hafsa Hasan Haxhimehmeti dhe me pas Alie Myrtezim Kelliçi të cilat bënin mësim sipas udhëzimeve të mësueses Servete Maçi. Me gjithë kushtet e vështira (nxënëset ishin herë të zbathura e herë të pa ngrëna) ato mësonin me shumë dëshire gjuhën shqipe në të shkruar e të lexuar. Ato gjithashtu mësonin edhe shumë këngë patriotike shqiptare. Një rol të madh në hapjen dhe organizimin e arsimit në zonat e pushtuara nga Austro-Hungaria (edhe në Tiranë) ka luajtur Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër dhe Drejtori i Përgjithshëm në atë kohë ishte Luigj Gurakuqi.
Në 1917 në Tirane u hap një kurs pedagogjik. Në shkollën femërore erdhi mësuesja e kualifikuar Zenepe Reçi. Gjatë vitit 1920, nën qeverinë e Sulejman Delvines u bënë disa reforma. Sipas dokumentacioneve arkivale të Ministrisë së Arsimit të shtetit të ri shqiptar, data 29 gusht 1920 thuhet se, në Tiranë krahas shkollave të tjera, shkolla femërore në rrugën e Dibrës do të kishte tre klasa me mësuese: Zenepe Reçi, Sailia (mbiemri nuk mund të lexohet), Alie Kelliçi dhe Hafsa Hasani.”
Marrë prej librit “Kujtime për shkollën e parë (laike) shqipe për vajza në Tiranë” (Dorëshkrim) nga Servete Maçi, faqe 33 si dhe nga libri “Historia e Tiranës” i Kristo Frashërit./ KultPlus.com
Presidenti amerikan Joe Biden do të emërojë disa zyrtarë për të shërbyer si udhëheqës kryesorë në administratën e tij, sipas një njoftimi të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Uashington, shkruan KultPlus.
Në mesin e të nominuarve është edhe një shqiptaro-amerikan, B. Bix Aliu (Begzat Azem Aliu).
Ai pritet të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetin e Malit të Zi.
Aliu ka prindër shqiptar, të cilit emigruan nga Maqedonia e Veriut drejt SHBA-ve.
Ndërkaq, ai ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Prishtinës.
Ali më së fundi shërbeu si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA në Budapest, Hungari. / KultPlus.com
Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të ju ftojë në premierën e veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, e ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës.
Koncerti mbahet më 17 shtator në Kino Lumbardhi, duke filluar ngra ora 20:00.
Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.
Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.
Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthurren në një çasje poetike nga regjisorët Blerta Zeqiri dhe Gazmend Bajri për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.
Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.
Bileta/Hyrja: 10 euro
Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com