Kthesa që pritet të marrë bota, raporti: Kriza do të përshpejtojnë kalimin drejt energjisë së pastër

Shpenzimet e larta për energjinë të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm ekonomikë dhe lufta në Ukrainë mund të jetë një pikë kthese drejt energjisë më të pastër, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një raport, shkruan AP.

Në këtë të fundit evidentohej se kërkesa globale për lëndë djegëse fosile, duke përfshirë qymyrin, naftën dhe gazin natyror, do të arrijë kulmin në dekadat e ardhshme.

Raporti shqyrtoi skenarët e bazuar në politikat aktuale dhe tha se përdorimi i qymyrit do të zvogëlohet brenda disa viteve të ardhshme, kërkesa për gaz natyror do të arrijë në kulm deri në fund të dekadës dhe rritja e shitjeve të automjeteve elektrike do të thotë se nevoja për naftë do të nivelohet. Në mesin e viteve 2030 përpara se të bjerë pak nga mesi i shekullit. Emetimet totale aktualisht po rriten çdo vit, por ngadalë.

“Tregjet dhe politikat e energjisë kanë ndryshuar si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, jo vetëm për momentin, por për dekadat në vijim”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol. Një rritje e kërkesës pas heqjes së kufizimeve të pandemisë COVID-19 dhe pengesave në zinxhirët e furnizimit kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e çmimeve të energjisë.

Roli i gazit natyror si një “lëndë djegëse në tranzicion” që do të kapërcejë hendekun midis një sistemi energjetik të bazuar në lëndë djegëse fosile në një sistem të rinovueshëm ka marrë gjithashtu një dëmtim, thuhet në raport. Megjithëse është një lëndë djegëse fosile, gazi natyror konsiderohet më i pastër se qymyri dhe nafta, pasi djegia e tij prodhon më pak dioksid karboni.

Por pavarësisht nga perspektiva kryesisht pozitive, raporti shton se pjesa e karburanteve fosile në përzierjen globale të energjisë e vendos botën në rrugën e duhur për një ngrohje prej 2.5 gradë Celsius (4.5 gradë Fahrenheit) deri në fund të shekullit, një shkallë e tërë (1.8 Fahrenheit) më shumë se objektivi i vendosur në marrëveshjen e Parisit për klimën.

Kjo është në përputhje me një raport të OKB-së të lëshuar të mërkurën që tha se premtimet aktuale të klimës nuk janë “afër” aty ku duhet të jenë për të përmbushur objektivin ambicioz. Shkencëtarët më të mirë të klimës thonë se për të mbajtur ngrohjen në përputhje me objektivin 1.5 C, emetimet duhet të ulen me 45% deri në vitin 2030.

Analistët e politikave energjetike thonë se ndërkohë që ka hapa premtues në drejtimin e duhur, lëvizja drejt energjisë së pastër duhet të jetë shumë më e shpejtë.

Raporti vlerësoi se investimet për energjinë e pastër do të jenë mbi 2 trilion dollarë deri në vitin 2030, por shtoi se do të duhet të dyfishohen për të mbajtur tranzicionin në përputhje me qëllimet klimatike. / Express / KultPlus.com

Policia mban ligjërata për ngacmimet seksuale në shkollat e Shtimes

Policia në Shtime, bazuar në Strategjinë e Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijësimit të nxënësve për dukuritë negative,  ka realizuar  ligjërata me nxënës të klasave të 7-ta, 8-ta dhe nxënësit e klasave të 9-ta, në pesë shkollat e mesme të ulëta në Shtime.

Këto ligjërata u mbajtën në shkollat e fshatrave Carralevë dhe Zborc ‘’Abdullah Shabani’’, në shkollën e fshatit Pjetrshticë ’’Idriz Ajeti’’ dhe në shkollën e fshatit Muzeqinë ‘’Lasgush Poradeci’’, me temë ‘’ Parandalimi i ngacmimeve seksuale dhe masat ligjore ndëshkimore’’.

Ligjëratat janë mbajtur nga ana e instruktorëve të Policisë Rajonale, e cila ka për synim vetëdijesimin e nxënësve  për të kontribuar në parandalimin e ngacmimeve seksuale.

Gjithashtu, nxënësit janë njoftuar edhe për detyrat dhe përgjegjësitë që ka policia në fushën e parandalimit, reagimit,  përkatësisht të trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale , masat ligjore dhe ndëshkimore, si dhe  për pasojat që shkakton kjo dukuri, thuhet në komunikatën e Policisë për medie, përcjell arbresh.info. / KultPlus.com

I jepet licenca e parë Federatës së Pingpongut të Kosovës

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sort, Hajrulla Çeku, ka thënë se është tejet i gëzuar që pas një pune të gjatë dhe sfiduese, sot ka nënshkruar licencën e parë për një federatë të sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.

Sipas tij, ky është një nga angazhimet qendrore të Ministrisë së Sportit në përmbushje të njërit nga zotimet kryesore, fuqizimit të standardeve të qeverisjes së mirë në organizatat sportive të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, kryetarit të Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Beqiri sot zyrtarisht ia dorëzova vendimin dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, me afat vlefshmërie deri në fund të vitit 2024. Përgëzime për FPPK-në, dhe shumë suksese në masivizimin dhe ngritjen e cilësisë në sportin e pingpongut në Kosovë”.

“Nga Komisioni për licencim u njoftova që një numër i federatave tashmë kanë dorëzuar aplikacionet për licencim, ndërsa së shpejti pritet që të dorëzohen edhe disa aplikacione të tjera. Jemi të përkushtuar për të çuar përpara synimin tonë strategjik për më shumë integritet në sistemin tonë sportiv. Dita e sotme është datë e shënuar për sportin kosovar”./KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim boksieren Donjeta Sadiku, e shpërblen për suksesin në Kampionatin Europian

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Marjola Sallauka e të cilat i shpërbleu për sukseset e arritura në Kampionatin eEuropian ku bokierja kosovare fitoi medaljen e bronztë, përcjell KultPlus.

Çeku përmes një postimi në Facebook tha se takimet me sportistet janë shumë frymëzuese dhe të japin motiv shtesë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Donjeta Sadiku, pas medaljes botërore, tash me të bronztën europiane dhe me plot vendosmëri edhe drejt medaljes olimpike

Gjithmonë janë shumë frymëzuese dhe të japin motiv shtesë takimet me sportistet tona që me angazhimin e tyre po na bëjnë krenarë të gjithëve.

Boksieren Donjeta Sadiku, bashkë me trajneren Marjola Sallauka, kryetarin e Federatës së Boksit, Enver Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Latif Demolli i prita sot në kabinet.

I urova për medaljen e re që i sollën shtetit tonë, të bronztën në Kampionatin Europian, ndërsa i ndamë shpërblimin në vlerë prej tetë mijë euro për Donjetën dhe katër mijë euro për trajneren, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në gara ndërkombëtare.

Donjetës i uroj suksese të radhës!/KultPlus.com

Historia e Lojërave Olimpike në festivalin ‘Arkeovizion’

“Agones, nga miti në ringjallje” është dokumentari i tretë mbi trashëgiminë që shfaqet në festivalin “Arkeovizion”, sot, në mjediset e Muzeut Arkeologjik (ASA).

Filmi dokumentar, prodhim i vitit 2021, me kohëzgjatje 1 orë e 50 minuta, ka për skenariste Katerina Anastasopoulou-n dhe regjisor Giannis Georgioudakis-i. Ai nxjerr në pah përmes historisë, artit dhe kulturës, vlerat olimpike, universale që kanë lindur në Olimpian e Lashtë dhe që vijojnë të jenë të gjalla edhe sot.

Gjithashtu filmi transmeton aspekte të panjohura të historisë olimpike të lidhura me Revolucionin Grek dhe atë Francez. Filmi është xhiruar në vende emblematike të katër qyteteve: Olimpia e Lashtë, Athina, Parisi dhe Vjena dhe nxjerr në pah karakterin global të Lojërave Olimpike.

Partiturat muzikore të shekullit të 19-të janë orkestruar dhe inçizuar enkas për dokumentarin nga Orkestra Simfonike Kombëtare e ERT-së. Muzika është shkruar nga kompozitori i shquar Dimitris Papadimitriou.

Historia e Lojërave Olimpike dhe ringjallja e tyre në kohën modern vjen përmes vështrimit kinematografik, prodhim i kanalit televiziv ERT “Lojërat”. Ky film që vjen sot për publikun kryeqytetas, premierën e pati para ndezjes së flakës olimpike, të Lojërave Olimpike të Tokios./atsh/KultPlus.com

‘Po t’jemi bashkë ne të dy, do t’na shikjojnë me zili’ (VIDEO)

Në kohën e diktatures, çdo krijim duhej ti nënshtrohej kërkesave të asaj periudhe, andaj, edhe këngët cungoheshin deri në atë masë që shpeshherë deformoheshin nga origjinalja.

Kënga e famshme “Kur perëndon dielli”, me tekst të Zef Lekajt e muzikë të Leonard Dedës, është një ndër këngët që ka pësuar ndryshime.

Kjo këngë, tashmë njihet më shumë me titullin ”Po të jemi bashkë ne të dy”, mirëpo në versionin e saj origjinal kënga titullohet ”Kur perëndon dielli”, shkruan KultPlus.

Leon Lekaj, djali i Zef Lekajt, ka publikuar versionin e parë të kësaj kënge, që për dhjetëra vite është kënduar me versionin ashtu si e ka kërkuar koha.

KultPlus ju sjell videon e kësaj këngë të realizuar në vitin 1960, nën intepretimin e Lucie Milotit dhe Xhevdet Hafizit.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Mbeta gjithë ditën hijeve
Se m’than nën hije rri
Etjen e shova krojeve
Krojeve ku pin ti

Flaka ju raft-o hijeve
Qi s’mujtën me m’freskue
Turbullt asht uji krojeve
Se etjen s’ma kan shue

Po t’jemi bashk’ ne të dy
Do t’na shikjojn me zili
E do t’na flasin në sy
Sa duhemi un’ e ti. /KultPlus.com

Në një vjetorin e vdekjes, organizohet takimi përkujtimor ‘Një vit pa Buqen’

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha, Kolegji AAB dhe miqtë e Buqes organizojnë takimin përkujtimor “Një vit pa Buqen…”, përcjell KultPlus.

Me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve e kolegëve të Buqes, takimi do të mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, të enjten, më 27 tetor 2022, nga ora 16.00.

Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.

Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.

Ajo vdiq më 27 tetor 2021./KultPlus.com

Tetori i Librit, diskutim mbi letërsinë në Ballkan

Shkrimtarja nga Maqedonia e Veriut, Ivana Trajanoska, dhe shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni, ishin të ftuar në një diskutim mbi letërsinë dhe librin në rajonin tonë, në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit. Ky takim u zhvillua në kuadër të “Tetorit të Librit”, me qëllim dhënien e përgjigjeve mbi sfidat me të cilat përballen autorët e rinj ballkanikë, temat mbi të cilat shkruhet sot në rajon dhe cilat janë modelet dhe lidhja me traditën.

Ivana Trajanoska, shkrimtarja nga Maqedonia e Veriut, e sheh librin si një mjet të rëndësishëm që duhet të bëjë bashkë gjuhët, kulturat. Në një bisedë me shkrimtarin Ag Apolloni, dhe përkthyesin Fari Laçka, ata sollën një reflektim mbi raportet e deritanishme që kulturat në rajon kanë me njëri-tjetrin, duke e parë Ballkanin e hapur si një perspektivë të rëndësishme për t’i dhënë më shumë hov një tregu më të gjerë të librit dhe bashkëpunimeve rajonale, me në fokus kulturën.

Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar, i lindur në Kaçanik. Gjithashtu është pedagog në Universitetin e Prishtinës. Ivana Trajanoska është shkrimtare, përkthyese, kritike letrare e pedagoge në Universitetin e Shkupit. Punon prej më shumë se 20 vjetësh si mësuese e anglishtes dhe frëngjishtes./atsh/KultPlus.com

Mural gjigand për ditëlindjen e 62-të të Maradonës në Buenos Aires

Një artist argjentinas ka pikturuar një mural gjigant të legjendës së ndjerë të futbollit Diego Maradona në Buenos Aires për të përkujtuar atë që do të ishte ditëlindja e 62-të e fituesit të Kupës së Botës në fund të tetorit, transmeton KultPlus.

Muralisti Martín Ron mbushi murin prej 1,600 metrash katrorë (17,000 metra katrorë) në zemër të qytetit me një përshkrim të Maradonës, bazuar në një foto të tij duke nxitur ekipin e tij gjatë finales së Kupës së Botës kundër Gjermanisë në 1990, të cilin Argjentina e humbi.

“Ne tashmë e dimë se ai ishte lojtari më i mirë në botë, por kush ishte ai si person? Ai ishte një luftëtar, ai u përball me fatkeqësitë, madje i gjithë i plagosur, ai u përball me gjithçka që i vinte,” tha Ron, 41 vjeç. Reuters.

Maradona vdiq nga arresti kardiak në moshën 60-vjeçare në fund të vitit 2020, gjë që shkaktoi një periudhë zie mbarëkombëtare për yllin problematik, i cili nderohej nga miliona dhe u mbiquajtur “D10S”, një lojë në numrin e këmishës së tij dhe fjalën spanjolle për “Zot”./ KultPlus.com

‘Filmi’ i Jim Belushit për Shqipërinë

Me këtë miniperformancë zgjedh aktori hollivudian me origjinë shqiptare, Jim Belushi të përshëndesë gazetarët.

Prej 10 ditësh ai ndodhet në Shqipëri për të xhiruar një dokumentar ku në qendër ka kultivimin e kanabisit dhe përdorimin e tij në mjekësi. Aktori i mirënjohur përgjigjet për Televizionin Klan se në vendin e origjinës ka ardhur me ftesë të Kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur në Shqipëri ende po diskutohet legalizimi i bimës.

Jim Belushi: Unë po bëj një program me gjashtë pjesë. E kam filluar me fermën time në Oregon, kam filmuar në Çikago etj dhe pastaj më vjen një telefonatë nga Kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Legalizimi i kanabisit nënkupton shkatërrimin e krimit të organizuar. Kjo është ajo që unë promovoj edhe në emisionin tim.

Pyetjes nëse ai do të investonte në Shqipëri, Belushi i përgjigjet kështu:

Jim Belushi: Po flasim për kanabisin si bimë medicinale. Shpresoj që do të ketë një përfitim që do të mund tatohet dhe të ndihmojë qeverinë. Nëse në Shqipëri do të legalizohet, pse jo do të vij të investoj.

Por ndërkohë Belushi tregon edhe përshtypjet që ka marrë nga vendi i tij i origjinës që do të jenë pjesë e këtij dokumentari.

Jum Belushi: Është ai fshati mistik aq i bukur prej nga vjen babai im, familja e nënës sime. Përjetova shumë emocione të fuqishme dhe ende jam duke përpunuar në kokën time atë që përjetova aty.

Prej shumë vitesh, aktori i mirënjohur tashmë njihet edhe si fermer pasi Jim Belushi pas legalizimit të hashashit në Oregon, e kultivon atë për qëllime mjekësore. Ekipi po vazhdon ende xhirimet e dokumentarit që do të shfaqet në “Discovery Channel”./Tv Klan/ KultPlus.com

Boksieri Tyson Fury do të risjellë këngën ‘Sweet Caroline’, dedikim për bamirësi

Kampioni i peshave të rënda të WBC, Tyson Fury, po ndërron dorezat e tij të boksit me një mikrofon me publikimin e këngës së tij debutuese, një ribërje e këngës së Neil Diamond “Sweet Caroline”, për bamirësi, transmeton KultPlus.

Boksieri 34-vjeçar britanik, i cili më parë ka kënduar për turmat në ndeshje si dhe ka bërë duet me Robbie Williams, do të nxjerrë  këngën, e preferuara e turmës në ngjarjet sportive, më 11 nëntor në ndihmë të organizatës bamirëse të shëndetit mendor për meshkuj Talk Klubi.

“”Sweet Caroline” është një rekord që e kam dashur gjithmonë, dhe jam i emocionuar ta regjistroj dhe publikoj atë,” tha Fury në një deklaratë, duke vënë në dukje se singulli do të dalë në kohën e duhur për Kupën e Botës 2022 në Katar.

“Është një mundësi e shkëlqyer për mua që t’i kthej diçka shëndetit mendor dhe shpresoj të vazhdoj të ndërgjegjësoj për një kauzë që është vërtet afër zemrës sime dhe nëse ndihmon Anglinë në rrugën e Kupës së Botës, ky është një bonus shtesë.”./ KultPlus.com

Krahët e engjëjve

Poezi nga Sali Bashota

KRAHËT E ENGJËJVE

Na duhen prapë
Krahët e engjëjve
Dhe ai kopsht i luleshtrydhave
Rrethuar me dritën e diellit
Ndoshta provë e vetme
Për ta pagëzuar ditën fatlume
Na duhen prapë
Krahët e engjëjve
Me mësue një herë e përgjithmonë
Ç’është vetmia e shiut
Pse nuk dridhen duart kur luten
Derisa sytë e njohin pikëllimin
Na duhen prapë
Krahët e engjëjve
Si ajo ditë e bekuar
Me mësue një herë e përgjithmonë
Si zgjohet rituali i lumturisë

(Prishtinë, 26 tetor 2022)

Presidentja Osmani pret nesër Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë nesër në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan KultPlus.

Takimi do të mbahet në Presidencë nga ora 09:00.

Pas takimit, Presidentja Vjosa Osmani dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbajnë konferencë për media./ KultPlus.com

Koleksionisti që zotëron qindra kopje të ‘Njëqind vjet vetmi’ në 48 gjuhë

Jorge Ivan Salazar Palacio ka mbledhur prej 16 vitesh botimet e “Njëqind vjet vetmi” , romani i famshëm i Gabriel García Márquez. Ai ka botime në tamilisht, armenisht dhe 45 të tjera. Qindra kopje zbukurojnë raftet e bibliotekës në shtëpinë e tij në qytetin e Armenisë, në Kolumbinë qendrore-perëndimore.

“Në total 379 botime” të librit Njëqind vjet vetmi, mes tyre i pari, i shtypur në vitin 1967, shpjegon ai për AFP. “Është i preferuai im, munda ta gjeja në Meksikë, e kishte një librashitës. Ky botim u shtyp vetëm në 8000 kopje”, vijon inxhinieri 59-vjeçar. Jorge filloi të mbledhë veprën e shkrimtarit kur ishte 43-vjeç.

Megjithëse nuk mund ta vërtetojë zyrtarisht këtë, ai beson se ka koleksionin më të madh të “Njëqind vjet vetmi” në botë. Madje, ai ka një version “pirat”, të shtypur në Kinë, kur ende nuk kishte dalë botimi zyrtar./abcnews.al

Syt’e tu vetëtimtarët

Poezi nga Lasgush Poradeci

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht

Majlinda Kelmendi në librin e rekordeve botërore ‘Guiness’

Majlinda Kelmendi i dha fund karrierës së suksesshme vitin e kaluar.

Xhudistja pejane kishte fituar gjithçka të mundshme në karrierë, ndërsa tash e ka nisur punën e trajneres.

E gjurmët që i ka lënë Majlinda në sportin e xhudos janë vërtet të pashlyeshme, shkruan “Express”.

Legjenda e sportit kosovar e mban rekordin botëror “Guiness” për më së shumti medalje të arta të fituara në turneun botëror IJF nga data 7 maj 2010 deri më 24 tetor 2019.

Federata Botërore e Xhudos në Librin e botuar së fundmi “Judo Legends” (Legjendat e xhudos) flet për një rekord të “Guiness” të arritur nga Majlinda në periudhën afro 10 vjeçare.

Për këtë arritje, i nderuar dhe krenar ndihet edhe trajneri Driton Kuka, i cili e ka bërë një postim në rrjetet sociale.

Majlinda Kelmendi konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur Kosova ndonjëherë, shkruan “Gazeta Express”.

Ajo ia solli vendit tonë medaljen e parë olimpike në vitin 2016./ KultPlus.com

KE propozon rregulla të reja për kufizimin e ndotësve të ajrit dhe ujërave

Komisioni Evropian (KE) propozoi sot rregulla më të rrepta për kufizimin e ndotësve të ajrit në mjedis, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore dhe trajtimin e ujërave të zeza urbane.

“Një mjedis jo i shëndetshëm ka pasoja direkte dhe të kushtueshme në shëndetin tonë”, tha në një deklaratë nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.

“Çdo vit, qindra mijëra evropianë vdesin para kohe dhe shumë të tjerë vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive ose kanceret e shkaktuara nga ndotja”, tha ai.

Komisioni kërkon nje qasje të kufijve aktualë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Aktualisht, në BE lejohen 25 mikrogramë për metër kub (μg/m³) të grimcave të rrezikshme PM2.5 në vit, kufiri i ri vjetor do të ulë pragun në 10 μg/m³ deri në vitin 2030, ndërsa OBSH-ja rekomandon një maksimum prej 5μg/m³.

Komisioni vlerëson se 300 000 evropianë vdesin çdo vit para kohe, për shkak të ndotjes së ajrit, 75% e vdekjeve që lidhen me PM2.5, mund të parandalohen brenda 10 viteve sipas rregullave të propozuara.

Personat që vuajnë nga probleme shëndetësore që lidhen me ndotjen e ajrit duhet të kenë të drejtën e kompensimit.

Komisioni Evropian propozoi gjithashtu përditësimin e listës së tij të ndotësve të ujit, duke shtuar 25 substanca, duke përfshirë të ashtuquajturat “kimikate e përjetshme” që nuk degradohen si dhe pesticide si glyphosate dhe antibiotikë.

Prodhuesit e produkteve farmaceutike që përmbajnë mikro-ndotës toksikë duhet të paguajnë kostot e largimit të tyre nga ujërat e zeza.

Propozimi pritet ende të miratohet nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian./atsh / KultPlus.com

“Kanuni i Lekë Dukagjinit”, po studiohet nga autorja e “Fifty Shades of Grey” për një arsye të veçantë

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” po studiohet nga autorja Erika L. James e cila shkroi „Fifty Shades of Gray“.

James në rrjetet sociale ka publikuar një imazh të kopërtinës së “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, duke e shoqëruar me mbishkrimin TM2.

Autorja në vitin 2019 publikoi romanin “The Mister” ku trajtohet historia e Maxim Trevelyani i cili dashurohet me një emigrante shqiptare pa dokument, Alesia Demaçi.

Romani përfundon kur dy të dashuruarit vijnë në Shqipëri,  babai i Alesias kërcënon Maximin që të martohet me vajzën e tij.

E autorja James po vjen me vëllimin e dytë të „The Mister“, që si duket për ta realizuar më mirë i duhet t’i njoh traditat e zakonet e vjetra shqiptare që për këtë iu është drejtuar “Kanunit të Lekë Dukagjinit”./ KultPlus.com

“Tri motrat” e Çehovit nga Qëndrim Rijani me premierë në Teatrin Shqiptar

Të enjten në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të prezantohet me premierë shfaqja “Tri motrat” e Çehovit’ që vjen me regji të Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje që më pas reprizën do ta ketë më 29 tetor, me rolin e Olgës do të shfaqet Amernis Nokshiqi, Xaka Jonuzi në rolin Mashës dhe Sabina Memishi në rolin e Irinës.

Në role tjera vinë: Andrea-Arben Rasimi, Natalia-Sara Bajrsmi, Anfisa-Drita Kaba Karaga, Çebutikini-Adem Karaga, Kulligini- Hamdi Rashidi, Vershenini-Fisnik Zeqiri, Tuzenbahu-Dritero Ame, Solioni-Abedin Aliji, Fedotiku-Rrahim Ramadani, Rodeja-Mentor Kurti, Aleksej-Genci Mirzo, Ferraponti-Hetem Etemi. Në këtë shfaqje kompozitor është Trimor Dhomi, koreograf  Artan Ibershimi, kostumografe Maria Papuçevska dhe skenograf Bujar Muça.

“Tri Motrat” janë të mbushura me konflikte  dhe emocione, përfshihen në  afera të trazuara dashurie./ KultPlus.com

Përvjetori i çlirimit të Kepit të Rodonit nga Skënderbeu

Më 26 tetor 1467, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Kepin e Rodonit dhe kështjellën e tij strategjike.

Kjo kështjellë ishte pronë e familjes së Kastriotëve, dhuratë nga Princi Karl Topia për Pal Gjon Kastriotin. Kështjella u ndërtua me rastin e martesës të Mbretit e Mbretëreshës, Gjergj e Donika Arianiti Kastrioti (1451). Skënderbeu i kërkoi Venedikut ta ndihmojë, për të rindërtuar kështjellën e shkatërruar nga betejat. Duke pasur frikë forcimin e Skënderbeut dhe të shqiptarëve, Venediku e refuzoi kërkesën e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit u bë vendvarrimi i Princeshës Mamica me dy fëmijët e vet. Gjithashtu u bë fortesa e sigurisë së lartë për familjen Kastrioti. Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit, Mbretëresha Donikë u arratis me birin e vetëm, princin Gjon Gjergj Kastrioti. /atsh / KultPlus.com

Nesër mbahet konferenca e 13-të vjetore e Shkencave Mjeko-Ligjore

Nesër do të mbahet konferenca e 13-të vjetore e Shkencave Mjeko-Ligjore, e cila mbahet në bashkëorganizim me Akademinë Ballkanike të Shkencave Mjeko-Ligjore dhe Kolegjin AAB, përcjell KultPlus.

Konferenca do të mbahet të enjten, më 27 tetor 2022, nga ora 10.00, në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB. / KultPlus.com  

Nesër do të mbahet konferenca e 13-të vjetore e Shkencave Mjeko-Ligjore, e cila mbahet në bashkëorganizim me Akademinë Ballkanike të Shkencave Mjeko-Ligjore dhe Kolegjin AAB, përcjell KultPlus.

                                                           

Jeta Zymberi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rrjeti global GSFEN

Rrjeti Global Socio-Economic and Financial Evolution Network ka nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, Jeta Zymberin, studiuesen e letërsisë dhe redaktoren e gazetës për art dhe kulturë – KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zymberi përmes rrjeteve sociale duke u shprehur e nderuar për këtë vlerësim të radhës nga GSFEN, pasi në muajin qershor ajo u shpall “Ambasadore e Paqes” nga po ky rrjet.

“Rrjeti Global Socio-Economic and Financial Evolution Network më nderoi sot me titullin “Doctor Honoris Causa”. Faleminderit për këtë vlerësim që për mua është nder dhe do të mundohem t’i shërbej në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Zymberi teksa ka njoftuar se ajo gjithashtu do të jetë një prej folësve në konferencën “Global Leadership Conference 2022” të organizuar nga GSFEN.

“Gjithashtu faleminderit për ftesën që të jem një prej folësve në konferencën “Global Leadership Conference 2022” të organizuar nga GSFEN ku bashkë me panelistë nga e gjithë bota do të flasim mbi temën “Understanding Modern Humanitarianism”.

Faleminderit Prince Blessing Lawal dhe Ambasadorit Tahir Shabani”, shkruan Zymberi.

Jeta Zymberi u lind në Gjakovë me 15 prill 1991. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet Bachelor dhe Master për Letërsi Shqipe i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë.

Në vitin 2016 u punësua gazetare në gazetën për art dhe kulturë- KultPlus.com ku vazhdon aktualisht si redaktore. Gjithashtu është Anëtare e bordit në Organizatën joqeveritare “ProPlus”.

Në vitin 2019 u shpall “Gazetarja më e mirë për vitin 2019 në KultPlus” çmim të cilin ia dorëzoi themeluesja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.  

Në vitin 2020 nga Bashkimi Evropian – Europe House Kosovo, u shpall fituese e garës së fotografisë “Covid-19: Gratë dhe tregimet e tyre” (vendi i dytë), çmim të cilin ia dorëzoi Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog,

Jeta Zymberi gjithashtu ka qenë anëtare e jurisë në konkursin “Poezi për Paqe” organizuar nga KultPlus dhe UN Women në vitin 2019 si dhe anëtare e jurisë në konkursin “Letër Presidentes” në vitin 2021.

Në kuadër të KultPlus, Jeta ka qenë pjesë e projekteve kulturore si: KultWoman (11/2018 – 03/2019), Ta zbardhi ftyrën (2017 – 2019), KultStrofa (2017 – 2018), Pen for Culture (11/2019 – 10/2020) e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Rona Nishliu pritet të rikthehet në Festivalin e Këngës pas 10 vitesh



Këngëtarja Rona Nishliu e cila përfaqësoi Shqipërinë në vitin 2012 në Eurovision me këngën “Suus”, është gati të rikthehet në garën e Festivalit të Këngës.

10 vite nga fitorja në Festivalin e 50-të të Këngës në RTSH, Rona pritet të rikthehet në festivalin e 61-të.

Sipas Eurovision Kosova, këngëtarja që i dha Shqipërisë pozicionin më të mirë në Eurovision, ka përgatitur diçka mjaft të veçantë për edicionin e këtij viti, por që mbetet të zbulohet në ditët në vazhdim.

Se a do të shkoj Rona edhe një herë në Eurovision për ta radhitur Shqipërinë edhe më lartë, të presim nëse ajo do jetë në listën e pjesëmarrëseve ashtu siç po përflitet. / KultPlus.com

Imer Kutllovci me rol kryesor në serialin që po shfaqet në Amazon, në fokus mafia shqiptare

Jeta Zymberi

Pa shumë zhurmë, por me shumë punë e rezultate, aktori shqiptar Imer Kutllovci shkallët e suksesit po i ngjet me hapa të sigurt. Pas suksesit si aktor teatri në Paris, ai u bë edhe pjesë e disa filmave gjithmonë duke marrë vëmendje e duke dhënë rezultate të shkëlqyera, shkruan KultPlus.

Por kësaj radhe do të flasim për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të Imerit.

Është seriali “Darknet-sur-mer” që u shfaq në Amazon Prime Video më 7 tetor dhe Imer Kutllovci bart një ndër rolet kryesore dhe ne lirshëm mund të themi që kjo është hera e parë që një aktor shqiptar bart një rol kryesor në një serial që shfaqet në Amazon.

“Darknet-sur-Mer”, shkruar dhe drejtuar nga Rémy Four dhe Julien War, është në dispozicion në Amazon Prime Video nga 7 tetori dhe po konsiderohet si një komedi-thriller e destinuar për sukses.

Ky serial me gjashtë episode tregon historinë e dy miqve geeks që gjenden përballë dy anëtarëve të mafias shqiptare pas një mashtrimi në Darknet – një faqe interneti misterioze që ofron shërbime nga vrasës me pagesë e që rezulton të jetë një mashtrim. Ndërmarrja e Ben dhe Flo së shpejti i fut në telashe me Alkanin, i cili po kërkon një vrasës me pagesë për të vrarë shefin e një bande.

Për “20 minuta”, pesë aktorët kryesorë diskutojnë rolin e tyre dhe flasin për të dy çiftet dhe kiminë me partnerin e tyre në film.

Aktori shqiptar, Imer Kutllovci, përbën dyshen mafioze, Aklan (Artus) dhe Veran (Imer Kutllovci) të cilët kanë folur për 20 minute duke u shprehur se janë përputhur shpejt.

“Përputhej shumë shpejt, nuk kishte luftë ego siç mund të ketë ndonjëherë, kështu që shpejt u afruam shumë dhe ishte super e këndshme”, thotë Artus, partneri i Imerit në film. Përtej këtij aspekti, ata patën kënaqësi duke kompozuar këtë tandem mafioz të përbërë, të paktën në pamje, nga një i butë dhe një i fortë.

“Është pak si Asterix dhe Obelix”, bën shaka Imer Kutlovci. Të dy vlerësuan ambivalencën e karakterit të tyre. Artus, i cili luante një agjent të DGSE në The Legends Office, këtë herë shkon në anën tjetër: “Të luash një djalë të keq është gjithmonë mirë. Por atje është një horr që luan horr, por që nuk është në të vërtetë”, shpjegon ai.

Ndërsa, Imer Kutlovci, gëzohet që për një herë i ofrohet një rol i mafiozit, por me një dimension tjetër: “Verani ka dy anë. Me të tjerët është shumë i ashpër, shumë i vendosur, por me Alkanin është shumë i butë dhe shumë njerëzor. Kjo është ajo që krijon një komedi në vetvete”, shprehet Kutllovci.

Tanimë mbetet për t’u parë nëse banorët e Poney-sur-Mer, vendi imagjinar ku zhvillohet ngjarja, do të gjejnë një vend në zemrat e abonentëve të Amazon Prime Video. Nëse do të ishte kështu, nuk do të habiteshim të shihnim serialin me një sezon të dytë. / KultPlus.com