Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” hapi thirrjen për projekte artistike për vitin 2023.
“Prioritet do të ketë dramaturgjia shqiptare bashkëkohore, evropiane dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin që teatri ka bërë publik edhe në rrjetet sociale.
Thirrja e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është e vlefshme edhe për bashkëprodhimet.
Të gjithë krijuesit, regjisorë, producentë, koreografë, dramaturgë, muzikantë mund të prezantojnë projektet e tyre për: Projekte artistike për shfaqje për të rritur, projekte artistike për shfaqje për adoleshentë dhe të rinj si dhe projekte artistike për shfaqje për fëmijë.
Pak ditë më parë, Teatri “Kujtim Spahivogli” u bë me drejtor të ri. Ai është koreografi Gjergj Prevazi.
Pasi i uroi suksese, ministrja Margariti, u shpreh e bindur se, Gjergj Prevazi do t’i ofrojë këtij teatri seriozitet dhe pasion, si dhe do të shtrijë rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe do të çojë përpara nismat në mbështetje të artistëve të rinj, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, siç e kërkon statusi i këtij institucioni./ atsh/ KultPlus.com
Paul McCartney, 80-vjeçari që ende jep koncerte, do të vijë për publikun edhe në cilësinë e fotografit.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA thotë se, së shpejti do të kemi në duar librin me titull “1964: Eyes of the storm”, i cili përmbledh fotografi, reflektime dhe ndërhyrjet e historianes së Harvard-it, Jill Lepore, drejtorit të National Portrait Gallery të Londrës, Nicholas Cullinan si dhe të kuratores Rosie Broadley.
Libri po përgatitet të dalë njëkohësisht nga shtëpitë botuese anembanë globit, në 13 qershor 2023.
Në vitin 2020, në arkivin e ish këngëtarit të grupit Beatles, u zbulua një sasi e jashtëzakonshme fotosh të bëra me film 35 mm. Bëhet fjalë për foto të shkrepura në momente private e intime, mes 1963-`64, kur grupi ishte në kulmin e suksesit.
Për librin që del së shpejti, janë përzgjedhur 275 fotografi te McCartney-t, të shkrepura në 6 qytete të ndryshme: Liverpul, Londër, Paris, Nju Jork, Uashington D.C. dhe Majemi.
Për ta plotësuar këtë event të rëndësishëm, veçanërisht për adhuruesit e Beatles, menjëherë pas daljes së librit nëpër libraritë e të gjithë botës, në galerinë “National Portrait Gallery” të Londrës, do të çelet një ekspozitë me foto të McCartney-t që i shfaqen publikut për herë të parë./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të SHBA-ve, të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.
Pasi që ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, Presidentja Osmani e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake.
Presidentja Osmani, tha se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me Iowa-n, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.
“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowa-s. Falënderoj shtetin e Iowa-s për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit”, është shprehur Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka kontribuar ndjeshëm në profesionalizimin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë kontribuuese në misionet ndërkombëtare bashkërisht me trupat amerikane.
Ndërkaq gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e Presidentes Osmani, e cila sipas tij do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës. Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar./ KultPlus.com
12 dramat për fëmijë ‘Koko’ nga autorja Dritë Ruhani, u shpërblyen me vendin e parë në Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë ‘Agim Deva’, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë vetë autorja përmes një postimi në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë të autores Ruhani:
Urra! Edhe një shpërblim!
Nuk ka më mrekulli se sa kur vlerësohesh kaq bukur nga krijues që tërë jetën ia kushtuan letërsisë.
Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, i përbërë nga juria: Ibrahim Kadriu, Prend Buzhala dhe Xhevat Syla sot, 12 dramat për fëmijë “Koko” i shpërbleu me vend të parë.
Jam shumë mirënjohëse për një çmim të çmueshëm si ky!
Por e them me shumë kënaqësi, se sot me mua si autore, fitoi dashuria për librin, fëmijët dhe sidomos dashuria dhe mirëkuptimi për qentë. Një dashuri që mungon shumë në letërsinë tonë për fëmijë.
Ju falem nderit për ndjenjat e bukura që më dhuruat për librin!/ KultPlus.com
Cineplexx sjell ofertën Kids Fest ku të gjithë filmat për fëmijë do të jenë me çmim special prej 3 Eur. Oferta vlen çdo ditë nga 27 janari deri më 3 shkurt në të dy lokacionet e Cineplexx, në Prishtinë dhe Prizren. Filmat për fëmijë që do të shfaqen gjatë kësaj periudhe do të jenë Puss in Boots: The Last Wish, Lyle, Lyle, Crocodile, Norm of the North: Family Vacation si dhe filmi më i shikuar gjatë vitit 2022, Minions 2.
Filmat të cilët do të shfaqen:
Holy frijoles, Puss in Boots is back!
Puss in Boots: The Last Wish
Maqoku në qizme zbulon se pasioni i tij për aventurën ka bërë të vetën: ai ka djegur tetë nga nëntë jetët e tij. Ai nis një udhëtim epik për të gjetur legjendën e “Dëshirës së Fundit” dhe për të rikthyer nëntë jetët e tij.
Familja Primm zhvendoset në qytetin e Nju York-ut dhe djali i tyre i vogël, Josh lufton të përshtatet me shkollën dhe miqtë e tij të ri. E gjithë kjo ndryshon kur ai zbulon Lyle, një krokodil që këndon që i pëlqen banjat, ‘caviar’ dhe muzikën e shkëlqyer. Të dy bëhen miq të shpejtë, por kur fqinji i keq z. Grumps kërcënon ekzistencën e Lyle dhe këmbëngul që Lyle i përket një kopshti zoologjik, Primm-ët duhet të bashkohen për t’i treguar botës se familja mund të vijë nga vendet më të papritura.
Gru është një fans 12-vjeçar i grupit “The Vicious 6”, një grup super-antagonistësh. Së bashku me ekipin e tij të sapogjetur të Minions, të udhëhequr nga Kevin, Stuart, Bob dhe të sapoardhurit, Otto, Gru harton një skemë për t’u bërë një antagonist i njohur.
I mbingarkuar nga detyrat e tij mbretërore, Norm përpiqet të gjejë kohë për mbretërinë dhe familjen e tij. Por kur kurora e tij vidhet në mënyrë misterioze në fund të natës, Norm duhet të nisë një udhëtim epik, të maskuar si një pushim familjar, për të gjetur hajdutin me kurorën e tij.
Në Cineplexx Prizren gjithashtu do të ketë shpërblime të ndryshme më 29 janar ku do të dhurohen 50 kupona për 30 minuta në trampolinë nga Area 52 si dhe 3 dhurata nga Toyzz Shop.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha me rastin e ndarjes nga jeta të piktorit të shquar dhe veprimtarit të dalluar, Daut Berisha.
Në vijim, KultPlus ju sjell të plotë telegramin e Presidentes Osmani:
E nderuar familje Berisha,
Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të shquar e veprimtarit të dalluar, Daut Berishës.
Piktori Berisha ishte emër i shquar në botën e artit e të kulturës, jo vetëm në trojet shqiptare, por gjithandej botës.
Me punën e tij krijuese dhe me angazhimin e tij në të mirë të çështjes kombëtare, ai u bë shpejt personalitet i veçantë i kulturës dhe artit, por edhe referencë për veprime atdhetare.
Veprat e tij, të ekspozuara në galeritë më të njohura botërore, e bën atë artist e njeri të respektuar gjithandej.
Piktori Berisha na la trashëgimi të shquar artistike e njerëzore. Në këto momente ne jemi me familjen e tij, me miqtë dhe me artdashësit e tij./ KultPlus.com
1. Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht. Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku. Dhe kështu të gjitha ditët.
2. Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë? Thoshte: “Ishalla vdeksh!” Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy. Gjithmonë me gjithë shpirt. Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Askush nuk ia vinte veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër. I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes.
3. Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga prania e tij, papritur lëshoi këto fjalë: “Tashmë e vrava.” Cilin dhe si? Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka. Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar. Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër. Kurrë nuk u kthye më. Vdiq? Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër. Unë rishikoj veprimet e mia. Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros?/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës hapi thirrjen për projekte kulturore për vitin 2023.
Thirrja hapet mbështetur në politikat e qeverisë shqiptare për kulturën, për të gjallëruar jetën artistike, me një fokus të veçantë gjatë sezonit turistik si dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale.
Kjo thirrje synon mbështetjen e projekteve që zhvillohen në Shqipëri. Këtë vit do të mbështeten festivale, projekte që promovojnë trashëgiminë kulturore përmes teknologjisë, industritë kreative, publikime që lidhen me promovimin e trashëgimisë dhe vendit tonë etj.
Programi i Ministrisë së Kulturës për Artin dhe Trashëgiminë 2023 do të sigurojë mbështetje konkrete për industritë krijuese në vend, duke cekur të gjithë sektorët kulturorë, duke synuar mbështetjen e skenës së pavarur artistike, përmirësimin e cilësisë artistike, promovimin e prodhimeve të tyre dhe lehtësimin e qasjes në mekanizmat inovative të financimit.
Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës mars – nëntor 2023.
Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur deri në 25 shkurt 2023./ atsh/ KultPlus.com
Dy herë e kisha parë. Një herë në Korzon e Pejës duke ecur në drejtim të Grykës së Rugovës. I gjatë, i hollë, i drejtë… Mund të jenë ndoshta njëzet vjet, ose edhe më shumë. I kisha parë pikturat e tij, jo aq shpesh sa kisha lexuar për të por më shumë kisha dëgjuar rrëfimet e përshtypjet e piktorëve e artistëve të Pejës që në rininë time të hershme për dy pejantë e famshëm në Paris: Daut Berisha dhe Ehat Musa. Kisha lexuar një poezi brilante të Sabri Hamitit për Berishën, kisha dgjuar rrëfimet e Ibrahim Rugovës për miqësinë e tyre që nga fëmijëria, vizitat dhe ndejat e gjata në studion e piktorit në Paris. E atë ditë vere në Pejë, teksa e shihja me ecjen gracioze, mu hidh me i dal para e me e lut për një intervistë kur të ketë mundësi. Mu duk vetja e pa përgatitur, ndaj hezitova. Po të më thoshte: po, urdhëro gazetare e re. Unë e papërgatitur…
Kisha folur vite më pas me kolegen time Fellanxën dhe djalin e saj Nak Berisha (nipi) të cilit piktori i kishte vënë emrin dhe më kishin premtuar që në rastin e parë kur Berisha vjen në Kosovë ta realizojmë intervistën pasi të isha përgatitur mirë. Ajo intervistë nuk u realizua asnjëherë dhe më vjen shumë keq.
Herën tjetër, para 17 vitesh në ngricë janari. Prisnin në radhë në ambientet e Kuvendit të Kosovës për t’i bërë nderim Presidentit Rugova. Daut Berisha para nesh i shoqëruar nga ish deputetja Samije Zeqiraj. Në duar mbante lule të freskëta. Policja që fliste në gjuhën serbe, e ndaloi. Kurse dy gra të ish ministrave me minifunde së bashku me burrat e tyre, edhe ato me lule, por u lejuan. Berisha ju drejtua polices por ajo serbisht as nuk deshti me e ndëgju. Ndërhyra për t’i treguar kush ishte ky njeri. Piktori u kthye pas. U mundua t’i përmbajë lotët. Policja me arrogancë i tha përsëri serbisht: nuk lejohen me lule. Piktorit i mbeti fjala në grykë. Mu duk se e pashë portretin e tij Gjergj Kastriotit të cilin ja kishte dhuruar Presidentit Rugova nën kronizën e thellë të të cilit spikacnin sytë shprehës. Piktori kishte ardhur nga Parisi për ta nderur mikun e rinisë e të fëmijërisë dhe me hiret e kryeqytetit botëror të artit, ishte përulëse që bashkë me trupin e shpirtin të vendoseshin lulet. Nuk mund të bëja një hap para e të lija pas njeriun që zihej në shpirt nga ky refuzim. Me dhimbjen për humbjen e Presidentit dhe me lotët që mundohej t’i përbinte Daut Berisha, rëndesa e ditës ishte dyfishuar.
Daut Berisha, pa bujë, pa ceremoni shterpe, i vetmuar, ashtu siҁ ishte tërë jetën – eci drejt amshimit. Ne do të jemi më të varfër pa peshën artistike të këtij njeriu. Kush ja diti vlerën do ta mbajë në shpirt pengun: si nuk ju organizua një ekspozitë, nuk ju shpreh mirënjohje as në Prishtinë, as në Pejë. Asgjë nuk bëmë për këtë njeri të madhe. Jemi mosmirënjohës. Nuk e di nëse e kemi merituar në artin e kulturën tonë një vlerë si Daut Berisha./ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, prezantoi sot, në rrjetet sociale, një nga objektet që disponon në fondin e tij. Bëhet fjalë për mitrën, pjesë e veshjes ceremoniale të ritit Ortodoks Lindor.
Origjina e saj shkon larg në histori, tek tradita hebraike. Në formën që na paraqitet sot, ajo është përdorur pas rënies së Kostandinopojës dhe është bazuar në kurorën e perandorëve të lindjes.
Mitra, e ekspozuar në MKAM është prodhuar prej materialesh të ndryshme si, mëndafsh, metal, gurë dhe porcelane të ngjyruar. Copa e gjelbër rrethohet nga dekoracione argjendi të lara në ar, me motive floreale, të zbukuruara me gurë artificialë shumëngjyrësh. Në pjesën e sipërme ajo mbyllet me një kryq. Midis dekoreve prej argjendi janë montuar disa pjesë porcelani në formë ovale ku paraqiten katër Ungjillorët.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./atsh/ KultPlus.com
Po tani ç’të bëj, thashë me vete, duke vështruar me radhë flegrat e lagura, të mbufatura nga shiu. Pastaj qilimin, derën, prej nga pak kohë më parë ajo kishte dalë, hirnoren e cigareve, me fjalët “Hotel Turizmi” anash. Një copë herë u vërtita nëpër dhomë, gjersa këmbët më çuan pranë derës. Qëndrova pikërisht te vendi ku ajo më kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim i tillë te dera, pas një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht, në sfond të dënesës, të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur. Unë i kisha mbajtur duart në xhepa, madje i kisha rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ndjeva buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeva nevojën ta përqafoja, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor, i ikur nga kushedi ç’shtatore, s’më la të lëvizja. S’isha penduar për asgjë. Isha vetëm i lodhur. Në hirnore, dhjetëra bishtat e cigareve, të rënë njëri mbi tjetrin, si në një masakër (të sajtë si të vrarët e njërës palë, asaj pale që për t’u njohur mbante një rrip të kuq, dalloheshin vërtet nga shenja e të kuqit të buzëve), jepnin më mirë se çdo gjë atë që kishte ndodhur: furinë, shpjegimin e vështirë, fajësimet e ndërsjella që i kishim bërë njëri-tjetrit, lotët e pafund të saj. Sikur të kishte gjëkund një muze të hidhërimit, do ta kisha çuar atë hirnore. Isha i lodhur. Gojën e kisha të hidhur. Doja të pushoja me çdo kusht. Me mosbesim vështrova shtratin, velenxën sipër tij dhe nënkresën. Vërtet shpresoja se mund të flija? Më erdhi të qeshja, kaq e pamundur m’u duk kjo. Shushurima e shiut vinte që jashtë zbutëse. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë grua. Por, së pari, duhej të nxirrja atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme. Duhej ta nxirrja atë grua, sepse gëzimet që më jepte ishin përherë më të pakta se mërzia. E gjeta veten duke lëvizur nëpër ato pjesë të dhomës ku kishim lëvizur dhe ishim zhvendosur të dy gjatë atyre orëve të çmendura. Dhe përsëri hirnorja me bishtat e cigareve më mbajti në vend. E mora, e ktheva në pëllëmbë të dorës atë grusht bishtash, si të kisha përpara syve një gjë të pabesueshme. Të ftohura, të shkrumbuara vende-vende, ishin tani ato që pak më parë kishin qenë më afër se çdo gjë tjetër pranë fjalëve tona, frymëmarrjes së furishme, pendimit, dënesës. Iu afrova dritares, shtyva flegrën dhe i flaka përjashta, në terr. Kështu hidhet hiri i të vdekurve, kur e lënë me testament, mendova. Duhej ta harroja patjetër atë grua. Të përdorja gjithë mekanizmin e trurit tim për ta zhvlerë-suar. Ta godisja nga pika të ndryshme, në mënyrë që, kur të vinte ora e harrimit, ta kisha të lehtë rrënimin e saj. Kisha ende një keqardhje të fundit për këtë, por isha i bindur se s’kishte rrugë tjetër. Do të shtrihesha pas pak horizontalisht (e kisha vënë re se në atë qëndrim mendoja gjërat më shkatërruese) dhe do të filloja… Do t’i ndiente vallë buldozerët që larg, në shtratin ku, ashtu si unë, me siguri, nuk flinte? Dhe, papritur, më shkrepi në kokë një mendim: e sikur ta shkruaja gjithë këtë? E shkruar, ndoshta kjo mbrëmje mund të nxirrej më lehtë nga vetja. Ta trupëzoja për ta vrarë më lehtësisht. Ashtu do të bëja. Për çudi, siç më ndodhte përherë në kësi rastesh, mendimi i të shkruarit më dha qetësi. Si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide, më shpejt se ç’e mendoja, më nxori nga gjendja delirante në një shtresë më të qetë, sipër furtunës. Dhe më parë se ç’e prisja, fjeta. E njoha Polin e Jugut që larg (dallohej shtypja, ashtu siç e kisha mësuar në gjeografinë e tetëvjeçares). Dëgjohej një goditje e mbytur veglash. Kur iu afrova edhe më, pashë se atë zhurmë e shkaktonin tre njerëz me shtat të shkurtër. Diçka po bënin me boshtin e tokës. Nuk u bezdisën aspak nga prania ime dhe vazhduan punën e tyre. Dukej si një riparim. Nuk e di nëse i pyeta ç’bënin ashtu apo vetvetiu m’u bë e qartë: po bënin një ndreqje në bosht. Një ndryshim, me sa dukej, në shpejtësinë e rrotullimit. Prej kësaj do të sajoheshin ditë të ndryshme, jo njëzetekatërorëshe, si më parë, por tridhjetetet-orëshe. Kurse netët do të ishin njëzetedyorëshe. Sipas studimeve dhe pyetësorëve të ndryshëm, paskësh qenë më mirë kështu. Kisha përshtypjen se diku kisha lexuar në shtyp për këtë gjë. Desha t’i pyes: e kur do të fillonte ky kalendar i ri, por, s’di se pse, i pyeta për tjetër gjë: meqenëse merreshin me gjëra të tilla, me siguri, mund të zbërthenin nga bota copa të kohës. Posi, u përgjigjën ata. Pra, e bënin edhe këtë dhe ndihej që s’e kishin të vështirë. O Zot, sa e thjeshtë paskësh qenë ajo që dukej e pamundur: të shkulja nga vetja gjithë atë hidhërim. U mundova t’ua shpjegoja, doja të hiqja nga vetja ime një ditë ose, më saktë, një mbrëmje të hidhur. Ata qeshën. Një mbrëmje? Po ne punojmë me copa të mëdha. Gjysma shekujsh, dekada, shumë-shumë, me vite. Kurse ditët janë vocërrima. Megjithatë (vështruan veglat e tyre), ndoshta me ato më të imëtat mund të kapim edhe ditët. – Ku është ajo ditë? – pyeti njëri prej tyre. – Si? – ia bëra unë. – Dita që doni të shkëputni, në ju kuptova drejt. Ju doni ta hiqni atë dhe të lidhni prapë fijet, apo jo? – Pikërisht. – Atëherë, ku është ajo? O Perëndi, s’më kujtohej asgjë. U mbyta në djersë, por koka sa vinte më bëhej më e turbullt. – Në mos viti, së paku, koha, – tha ai. Por mua s’më kujtohej asgjë. Dija vetëm që ishte e hidhur, tepër e hidhur. – Po çka ndodhi atë ditë? Ndoshta, kjo ju kujtohet, – tha ai. – Ç’perandori është përmbysur, ç’tërmet ka rënë? Vështruan njëri-tjetrin, kur e panë që s’përgjigjesha. Pastaj sytë e tyre të lodhur u kthyen diku anash, atje ku në një shtjellë të largët vërtiteshin, me sa dukej, ngadalshëm perandoritë e rrëzuara, themelitë e tërmeteve dhe skelete shekujsh. Vërtite-shin zymtas, të përshkuar nga vetëtima të ftohta. Asgjë s’më kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbut-shme, e patretshme. Pastaj m’u duk se pashë diçka, një si trajtë fustani që e merrte era në një luhatje mortore. – Një grua, – thashë. – Ishte aty, në atë ditë, një grua… Ata qeshën, por ftohtë. Pastaj vështruan prapë veglat e tyre. – Po të jetë ashtu, është e pamundur. Këto vegla s’bëjnë për atë gjë. – Ma hiqni atë mbrëmje me atë grua, – ulërita. U zgjova. Zhurmërimi i shiut më kujtoi më parë se çdo gjë tjetër se ku ndodhesha. Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga rripi i kuq… Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhej të ndiente që unë përpiqesha ta varrosja.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson në një postim në rrjetet sociale se, 97 vjet më parë, John Logie Baird eksperimentoi me versionin e parë të “televizorit mekanik”.
Në ekranin që ishte shumë i vogël, u shfaq një kokë njeriu që lëvizte. Ishte koka e Daisy Elizabeth Gandy, bashkëpunëtores së John Logie Baird, shkencëtarit skocez që njihet si shpikësi i televizorit.
Kutia që solli për herë të parë figurat lëvizëse në shtëpitë e njerëzve, në versionin e saj të parë eksperimental ngjante më shumë me radion, vetëm se zëri shoqërohej me figurën, që qartësohej duke rrotulluar një buton për “skanim elektronik”./atsh/ KultPlus.com
Më në fund erdhi edhe goditja për bashkëpërdorimin e fjalëkalimeve të ”Netflix”, sipas today.com.
Për ata që përdorin fjalëkalimin e tjetrit të ”Netflix” erdhi fundi i një epoke, pasi ndarja e fjalëkalimeve do të bëhet e vështirë, çka është njoftuar nga kjo kompani se këtë gjë do ta mundësonte në fillim të këtij viti.
Në raportin e të ardhurave të kompanisë, të publikuar dje, ”Netflix” njoftoi se ndarja e fjalëkalimit do të bëhet e padisponueshme në fillim të këtij viti, me gjasë përpara marsit, gjë që do të kufizojë përdorimin e njëkohshëm të llogarive ”Netflix” përtej familjeve.
Në vend të kësaj, kompania është e përqendruar në shtyrjen e opsionit të saj të ndarjes me pagesë si edhe planin e saj të abonimit me çmim më të ulët.
”Gjatë tremujorit të parë, ne presim të fillojmë të shpërndajmë ndarjen me pagesë më gjerësisht”, thuhet në raportin e ”Netflix”.
”Netflix” tha se ndarja e llogarisë, të cilën ia atribuoi më shumë se 100 milionë familjeve, minon aftësinë tonë afatgjatë për të investuar dhe për ta përmirësuar atë.
”Ndërsa kushtet tona të përdorimit kufizojnë përdorimin e ‘Netflix’ për një familje, ne e kuptojmë se ky është një ndryshim për anëtarët që ndajnë llogarinë e tyre më gjerësisht”, thuhet në raportin e ”Netflix”.
“Kështu që ne kemi punuar shumë për të ndërtuar veçori të reja shtesë që përmirësojnë përvojën e ‘Netflix’ duke përfshirë aftësinë për anëtarët për të shqyrtuar se cilat pajisje po përdorin llogarinë e tyre dhe për të transferuar një profil në një llogari të re. Ndërsa shpërndajmë ndarjen me pagesë, anëtarët në shumë vende do të kenë gjithashtu mundësinë të paguajnë ekstra nëse duan të ndajnë ‘Netflix”, përfundonte njoftimi i kompanisë./ KultPlus.com
Të hënën ka vdekur në moshën 76-vjeçare piktori Daut Berisha, përcjell KultPlus.
Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka dërguar një telegram ngushëllimi duke e cilësuar atë si një personalitet të veçantë të kulturës dhe artit.
Në vijim gjeni telegramin e ministrit Çeku:
Telegram ngushëllimi
E nderuar familje Berisha,
Me dhimbje pranova lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit Daut Berisha, një prej artistëve më të shquar të kohës sonë.
Berisha ishte personalitet i veçantë i kulturës dhe artit. Portretet që krijoi, të ekspozuara jo vetëm në vendlindje por edhe në galeritë më prestigjioze jashtë vendit, bëjnë që veprimtaria e tij e frytshme të zërë vend të veçantë në trashëgiminë e pasur të artit botëror.
Krijimtaria e tij do të kujtohet gjithmonë ndërsa do të frymëzoj breza të tjerë artistësh.
Ngushëllimet të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik.
Me respekt,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Më 26 janar të vitit 1938, të gjitha gazetat e Budapestit njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi, pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeç.
Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin.
Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.
Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldina e kishin pëlqyer njëri-tjetrin.
Geraldina ishte takuar me mbretin Zog, në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.
Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh, çifti u fejua. E njohur si “Trëndafili i bardhë” i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror, si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.
Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund, ndau fatin me të shoqin, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së mbretit Zog, Geraldina preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.
Në qershor 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002. /konica/ KultPlus.com
Në nëntor të vitit 1988, një grup intelektualësh nga Kosova, ndër ta Idriz Ajeti, Skender Riza, Ali Podrimja, Rexhep Ismaili, Gani Bobi, Jusuf Buxhovi, Hivzi Islami, Ever Maloku dhe Shkelzën Raça, morën pjesë në shënimin e 500 vjetorit të Horës së Arbreshëve në Iali.
Në këtë kremtim ishin të pranishëm edhe shkrimtarët dhe gjuhëtarët nga Shqipëri: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Androkli Kostallari dhe Ali Dhrimo si dhe piktori i madh Ibrahim Kodra dhe intelektualë të tjerë nga diaspora shqiptare.
Me këtë rast u mbajt edhe simpoziumi shkencor rreth diasporës abreshënë në Itali dhe rolit të saj të madh për çështjen shqiptare./KultPlus.com
Muzeu i Muzikës në Gjakovë vazhdon të jetë pothuajse i shkatërruar, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, shefja e grupit të këshilltarëve komunalë në Gjakovë, Mimoza Shala, tha se përveç gjendjes së mjerueshme të muzeut, aty gjendet edhe pianoja tashmë e shkatërruar me të cilën u kompozua opera e parë në Kosovë.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:
Të dashur qytetarë të Republikës sonë, të dashur bashkëkombas. -Ju me siguri keni dëgjuar fjalë si; “Gjakova djep i kulturës”. Me dhimbje ua prezantoj gjendjen e Muzeut të Muzikës në Gjakovë. Ka kohë që është në këtë gjendje.
Pianon që e shihni në foto është dhuruar nga akademiku Rauf Dhomi, me të cilën u kompozua opera e parë në Kosovë “Goca e Kaçanikut”
Kultura, arti, trashëgimia, muzika, nderi, bujaria, edukata, patriotizmi, arsimi që dikur e karakterizonte qytetin dalëngadale po bëhet sikur një përrallë “na ishte njëherë”./ KultPlus.com
Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.
Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.
Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.
Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.
Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale.
Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë.
“Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell. /REL/ KultPlus.com
Ekonomia ka imazhin e një “shkence” të mërzitshme. Por në mënyrën më elegante dhe bazike, ajo mund të jetë e paçmueshme, madje shumë zbuluese. Ja cilët janë disa nga ekonomistët e mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe si gjenialiteti i tyre zbuloi mekanizmat shoqërorë që na lidhin të gjithëve.
Adam Smith
Ekonomist dhe filozof skocez i shekullit XVIII-të. I konsideruar gjerësisht si “Babai i Ekonomisë”, libri i tij “Studim mbi natyrën dhe shkaqet e pasurimit tëkombeve” është padyshim libri më me ndikim në historinë e kësaj fushe. Ai e shihte ndarjen e punës si shtytësin kryesor të produktivitetit, që nga ana e tij ishte i nxitur nga konkurrenca.
Ndërsa ishte skeptik për virtytet e interesit vetjak , ai pohoi se në një sistem tregu, e ashtuquajtura “dora e padukshme” priret të drejtojë kanalizimin e qëllimeve egoiste drejt së mirës së përbashkët. Ai trajtoi konceptet bazë të ofertës dhe kërkesës, tendencën e tregjeve për të ecur drejt ekuilibrit dhe teorinë e vlerës së punës.
Dejvid Rikardo
Ishte ekonomist britanik dhe deputet i parlamentit. Plotësoi konceptin e Smith se vlera e një produkti ishte e lidhur ngushtë me sasinë e punës që kryhej për prodhimin e tij, por duke theksuar rëndësinë e faktorëve të tjerë, si vështirësia e punës së përfshirë dhe mjetet e nevojshme për të realizuar punën.
Ai këshillonte vendet të maksimizonin prodhimin në industritë ku kishin disa avantazhe, dhe të importonin gjërat e tjera që u nevojiteshin, duke ilustruar teorinë e tij me shembullin e tregtisë së rrobave dhe verës midis Anglisë dhe Portugalisë. Ky argument është përpunuar, kritikuar dhe ri–interpretuar gjatë 2 shekujve të fundit. Por ideja bazë, pra që tregtia është përgjithësisht e mirë edhe kur dy vendet e përfshira nuk janë shumë të ngjashme, pranohet gjerësisht.
Karl Marks
“Babai” i komunizmit ishte filozof, ekonomist, gazetar, historian dhe revolucionar. Vepra e tij kryesore “Kapitali: Një kritikë e ekonomisë politike” ,u fokusua kryesisht tek ekonomitë kapitaliste. Ai shkroi rreth 10.000 faqe për ekonominë, por si rezultat i metodave të tij të punës shpeshherërastësore dhe i projekteve të papërfunduara, vetëm një pjesë e ideve të tij kanë mbijetuar deri më sot.
Ai e zgjeroi teorinë e punës së vlerës në mënyra që shkuan përtej ideve të Rikardo dhe Smith. Marksithoshte se disa nga problemet që preknin në atëkohë kapitalizmin – përqendrimi i pasurisë në pak duar, pagat e ulëta, recesionet e mëdha pas lulëzimit dhe kushtet e tmerrshme në vendet epunës – ishin veçori dhe jo defekte të sistemit. Disa nga idetë e tij, si qëndrimet ndaj ciklit të biznesit, janë rishikuar dhe shihen si përshkrues të dobishëm të funksionimit të kapitalizmit, ndonëse ekonomistët marksistë nuk janë sot dhe aq popullorë.
Xhon Mejnard Kejnes
Është e pamundur të flitet për ekonominë moderne kapitaliste pa u ndalur tek Xhon MejnardKejnes. Shumë aktiv gjatë Depresionit të Madh, ai u përpoq të shpjegonte se çfarë kishte shkuar keq me ekonominë globale, dhe si dilej nga kriza. Për pasojë, Revolucioni Kejnesiannë ekonomi ndihmoi nëdhënien fund të krizës së madhe dhe në nxitjen e bumit të pasluftës që zgjati disa dekada.
Kejnes thoshte se ishte kërkesa agregate – pra i gjithë shpenzimi për mallra dhe shërbime në një shoqëri – forca kryesore që e çonte përpara një ekonomi. Përpara tij, shumica e ekonomistëve shqetësoheshin për ofertën, me idenë se rritja e ofertës do të ulte çmimet dhe do të stimulonte kërkesën ndërsa mallrat do të bëheshin më të lira. Ai u bë i famshëm edhe sepse u fokusua pothuajse ekskluzivisht në ekonominë në terma afatshkurtër. Sepse siç e deklaroi me një batutë të tijën: ”Në planin afatgjatë, ne të gjithë do të kemi vdekur!”.
Pol Samuelson
Është ekonomist amerikan, fitues i Çmimin Nobel në Ekonomi në vitin 1970. Samuelsonndihmoi në hedhjen e themeleve matematikore moderne për ekonominë. Qasja e tij matematikore ndaj ekonomisë, ndihmoi në përmirësimin e nivelit të analizës përmes mënyrave për të përfaqësuar teoritë dhe problemet.
Po ashtu ai nxiti dhe e zgjeroi idenë e Kurbës së Filipsit, pra vëzhgimit që normat e inflacionit dhe të papunësisë priren të lëvizin në drejtime të kundërta.Shkolla neokejnesianee mendimit u shkri me ide të ndryshme neoklasike për t’u bërë sot teoria kryesore e ekonomisë.
Milton Fridman
Bashkë–fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 1976, këshilltar i dy presidentëve dhe injë kryeministri, dhe përkrahësi kryesor i Shkollës Ekonomike të Çikagos, Milton Fridmanështë më i famshëm për teorinë e tij monetariste. Ai dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj shkolle,argumentojnë se madhësia e ofertës monetare, është aspekti më i rëndësishëm që ndikon në normën e inflacionit dhe kërkesën agregate.
Sipas Fridman ekziston një “normë natyrore papunësie”, nën të cilën inflacioni i lartë ështëkrejtësisht i pashmangshëm. Po ashtu ai dha një shpjegim për stagflacionin (kombinimi i inflacionit të lartë dhe papunësisë). Tezat e tij u bënë shumë popullore pas dështimit të ekonomistëve më konservatorë për të shpjeguar krizën ekonomike globale të viteve 1970.
Edhe pse gjatë dekadës së fundit ka një tendencëdrejt mendimit kejnesian, idetë e tij mbeten me ndikim. Po ashtu, Fridman propozoi versionin e tij të një plani mbi të ardhurat egarantuara.
Amartja Sen
Ekonomist dhe filozof indian. Sen bashkë-krijoi Qasjen e Kapacitetit në ekonomi me filozofen Marta Nusbaum. Kjo metodë shqyrton jo vetëm mënyrën se si lëvizin paratë në një ekonomi, por çfarë mund të bëjnë njerëzit në atë ekonomi me to. Në këtë mënyrë, ideja e tij ezhvendos fokusin e ekonomisë nga burimet tek njerëzit.
Sen përdor shembullin e dy individëve që fitojnë të njëjtën shumë parash, por me dy nivele të ndryshme aftësie fizike. Ndërsa ata mund të jenë të barabartë në disa mënyra, shoqëria e tyre mund t’i bëjë ata të pabarabartë në të tjerat, për shembull duke mos siguruar rampa për karriget me rrota.
Mendimi i Sen ka të bëjë me atë lloj jete që një person mund të shpresojë të jetojë, dhe jo vetëm sesa të ardhura raporton. Kjo teori është baza e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor, tëbashkë-hartuar nga Sen dhe Mahbub ul Ha, i cili përdoret nga Kombet e Bashkuara për të vlerësuar vendet për karakteristika të tilla si jetëgjatësia, arsimi dhe standardi i jetesës. / BigThink / KultPlus.com
Janë shpallur nominimet për çmimet Oscars 2023. “All Quiet on the Western Front” është filmi më i spikatur në këtë edicion, një produksioni i cili është kandidat për 8 çmime.
Ky produksion gjerman i regjisorit Eduard Berger bazohet në bestsellerin me të njëjtin emër nga Erich Maria Remarque dhe tregon historinë tronditëse të një ushtari të ri gjerman në Frontin Perëndimor të Luftës së Parë Botërore.
Filmi që pati premierën në shtator të vitit që lamë pas është nominuar në kategoritë: Filmi më i mirë në gjuhë të huaj, Grim, Tingull, Skenar i Përshtatur, Skenar Origjinal, Muzikë Origjinale, Efekte Vizuale, Kinematografi dhe Dizajn Produksioni.
Teksa të tjerë filma janë po ashtu në garën për të rrëmbyer një OSCARS në këtë edicion.
Për fotografinë më të mirë janë nominuar filma si:
“Everything Everywhere All at Once”, “The Fabelmans”, “Babylon”, “Tár, Top Gun: Maverick”. “The Banshees of Inisherin”, “Avatar: The Way of Water”, “Elvis”, “Glass Onion: A Knives Out Mystery”, “Triangle of Sadness”.
Regjisori më i mirë pritet të ndahet mes emrave:
Steven Spielberg, “The Fabelmans”, James Cameron, “Avatar: The Way of Water”, Daniel Kwan and Daniel Scheinert, “Everything Everywhere All at Once”, Damien Chazelle, “Babylon S.S”. Rajamouli, “RRR”.
Aktori më i mirë mes:
Colin Farrell, “The Banshees of Inisherin”, Austin Butler, “Elvis”, Bill Nighy, “Living”, Brendan Fraser, “The Whale”, Paul Mescal, “Aftersun”.
Aktorja më e mirë mes:
Cate Blanchett, “Tár”, Michelle Yeoh, “Everything Everywhere All at Once”, Michelle Williams, “The Fabelmans”, Viola Davis, “The Woman King”, Margot Robbie, “Babylon”.
95 Academy Awards do të mbahen më 13 mars, në Dolby Teatre, në Los Angeles./euronews.al/ KultPlus.com
epa09851901 An Oscar statue on the red carpet as preparations continue for the 94th annual Academy Awards ceremony at the Dolby Theatre Dolby Theatre in Hollywood, Los Angeles, California, USA, 26 March 2022. The Oscars are presented for outstanding individual or collective efforts in filmmaking in 24 categories. EPA/JOHN G. MABANGLO
Për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down, sot ishte një ditë më ndryshe. Ata u njohën me historitë e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe veprat e shumë llojeve e zhanreve brenda muzeve.
Në kuadër të projektit “Trashëgimia Kulturore për integrim Social të personave me Sindromën Down” të mbështetur nga Ministria e Kulturës, ata vizituan Muzeun e Kristaleve të Kosovës ”Trepça”, Muzeun Etnologjik të Mitrovicës, Hamamin e qytetit të Mitrovicës dhe Kishën e Shën Pjetrit. / KultPlus.com
Papa Françesku ka deklaruar se homoseksualiteti nuk është krim ndërsa kritikoi ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin dhe i quajti “të padrejta”.
Ai u shpreh se “Zoti i do të gjithë fëmijët e tij ashtu siç janë”. Ndërsa u bëri thirrje peshkopëve katolikë që i mbështesin ligjet, t’i mirëpresin njerëzit LGBTQ në kishë.
“Të jesh homoseksual nuk është krim”, tha Papa Françesku gjatë një interviste të martën për Associated Press.
Papa pranoi se peshkopët katolikë në disa pjesë të botës mbështesin ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin ose diskriminojnë komunitetin LGBTQ. Papa Françesku ia atribuoi qëndrimet e tilla prejardhjes kulturore dhe tha se peshkopët, në veçanti, duhet t’i nënshtrohen një procesi ndryshimi për të njohur dhe mbështetur dinjitetin e gjithsecilit.
“Këta peshkopë duhet të kenë një proces konvertimi”, tha ai, duke shtuar se ata duhet të aplikojnë “butësi, ju lutem, siç ka Zoti për secilin prej nesh”./Express/ KultPlus.com