Sizifi shqiptar

Sot 13 vjet nga ikja e kësaj bote e aktorit më famë botërore Bekim Fehmiut. Njerëzit e mëdhenjë nuk vdesin kurrë.

Ilir Muharremi, kritik i artit

Shpirti i tij i heshtur brenda mbretërisë së zhurmshme bëri bujë në brigjet globale të thellësisë së artit të aktrimit. Atë që e ndjente veçanërisht ulërimin e zemrës së tij, e veproj mbas forcës së talentit duke e zëvendësuar me punë. Ishte Sizif i dobishëm me djersën e tij personale ngjiste papushim shkëmbin e orfeut të aktrimit në majë të famës. Trupi i tij plot forcë, energji nuk e ndjente tendosjen. “Qëllimi im ka qenë që t’i tregoj botës se edhe një shqiptar i vogël mund të jetë njeri i mirë dhe punëtor i mirë. Mirëpo këtë nuk e kam marrë në mënyrë fantastike e të krenohem tash se kush e di çfarë bëra, jo. Qëllimi im ka qenë ta bind dikë se mund të ecim ne përpara, të zhvillohemi dhe t’i japim kontribut shoqërisë”, thoshte Bekim Fehmiu. Bekimin e shohë si Sizifin i cili përpiqet të ngritë një gurë të madh, fytyrën e ngërdheshur, faqen e mbështetur te guri, një shpatull nën gurin me baltë rrëshqitëse, një këmbë që e mbanë, dy duar që e mbërthejnë, sigurinë plotësisht njerëzore të dy duarve me forcën e mendjes dhe estetikën e tij plastike. Pamje plot stil, zë të thellë e të fuqishëm, shikim bindës ngë një hapësirë me qiell të thellë plot ngjyra si një muzg ngjyror vere, qëllimi arrihet. Bekimi-Sizifi arritjen për famë e ndjente te fuqia e gurit sepse guri i tij rrokullisej drejt botës së poshtme nga ku duhet të ngrihet përsëri. Ai zbretë në fushëbetejë. Mesiguri që gjatë pauzës Bekimi çlodhej por kur arrinte te guri ai bëhej gurë vet. Ky vullnet, kjo luftë shpirtërore sepse Shqiptarët nuk trajtoheshin mirë në Beograd, i dijmë dallimet nacionaliste nga serbët. “Kur për herë të parë erdha në Beograd nga Prizreni, njëra nga detyrat e mia ka qenë ta luftoj famën e cila akoma kishte mbetur nga e kaluara tek disa njerëz, se shqiptari mund të jetë vetëm ‘shqiptar’ hamall i qymyrit, pastrues, se as mund të jetë edhe aktor akademik. Duke shkuar në botën e jashtme, kam dashur ta kundërshtoj famën mbi Jugosllavinë, e cila ka qenë rezultat i anës së propagandës jo qëllimmirë. Kam dashur të tregoj se ne nuk ecim me thika në bel dhe në opinga, porse krejt normal mund të gjendemi edhe në ‘të mirat’ e asaj bote të tyre” thoshte Bekimi.

Bekimi e ndjente orën e ndërgjegjës dhe ishte më i fortë se vet guri i tij. Vuajtjet, pengesat, dallimet, i tejkalonte me punë duke e shtirë qëllimin e tij të brendshëm pra forcën e aktrimit. Nëse e ndjen në zemër aktrimin, punon në këtë qëllim, universi bën komplot edhe yjet do të përkrahin t’i arrish qëllimet.

Zbritja ndonëse jo çdo herë ishte me vullnet tek guri, bëhej edhe me dhembje. Bekimi në kokë nguliste pamjen e qëllimeve globale të artit të aktrimit, kjo forcë, ky mund , kjo thirrje për lumturi ishte e rëndë, por trishtimi nuk i shfaqej në zemër. Bekimi u bë shkëmb, e hiri i tij lundon në lumbardhin e Prizrenit/KultPlus.com

Paris-Soir (1937) : Nga Ferexheja tek mbajtja e kaskës, Maxhidja, motra e Zogut udhërrëfyese e këtij emancipimi

Nga Aurenc Bebja-Francë

Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Ndodhi një revolucion i vërtetë.

Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.

Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.

Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”/ KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha i këndonte Prishtinës: Jeta e amël me plot’ dëfrim, te ti po ngjallet Prishtinë (VIDEO)

Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Tash kur natyra ka lulëzu
Qyteti im asht zbukuru
Jeta e amël me plot dëfrim
Te ti po ngjallet Prishtinë.

Të du të du qyteti im
Të du unë si nana fmin’
Të du të du qyteti im
Të adhuroj o Prishtinë.

Qyteti im je plot gjallni
Me vasha t’bukra djem te ri
Gjithçka te ti është plot hijeshi
Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com

Kurr Shqypni s’kam me t’harrue, edhe n’vorr me t’përmend kam

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./ KultPlus.com

Bekim Fehmiu për “Variety” më 1993: Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi

Nga: Aurenc Bebja

Fotografia: Fahredin Spahija

Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.

“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.

Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.

Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.

Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.

‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.

Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.

‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.

Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.

Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/

Stan Dragoti e James Belushi të veshur si arvanitas në Hollywood (FOTO)

Sot, në 69 vjetorin e lindjes së aktorit amerikan me prejardhje shqiptare, James Belushi, KultPlus ju risjell një fotografi të tij dhe artistit tjetër shqiptar po ashtu Stan Dragotit, me fustanellën shqiptare, të realizuar në vitin 1985.

James Belushi dhe Stan Dragoti, dy artistët e mirënjohur shqiptarë të Hollywood-it, kishin veshur kostumet arvanitase dhe ishin shfaqur në këtë fotografi fantastike në vitin 1985. Fotografia është publikuar në Gazetën “Illyria”.

Stan Dragoti është vlerësuar nga Shqipëria me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në kohën e luftës së Kosovës, Stan Dragoti ishte një nga intelektualët shqiptaro-amerikanë më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të kombit të tij. Stan Dragoti është me origjinë nga Dragoti i Tepelenës.

Ai është i biri i Asllan Dragotit, veprimtarit të shquar të Vatrës, mbështetësit të Fan Nolit. Rrënojat e shtëpisë së tij janë ende në fshatin tepelenas të origjinës. Stan Dragoti vdiq para disa viteve në moshën 86 vjeçare në Los Angeles.

James Adam Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois), është aktor amerikan i kinematografisë, teatrit dhe televizionit me prejardhje shqiptare.

Fëmijërinë e rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adem dhe Agnesë Belushit. Babai i tij, Ademi, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934, në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnesë Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte i madhi John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollywood-it dhe shoqërisë në SHBA./ KultPlus.com

634 vite më parë u krijua koalicioni antiosman, i cili u pasua me Betejën e Kosovës së vitit 1389

634 vite më parë, popujt ballkanik shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe serbët krijuan një koalicion antiosman për shkak të depërtimit të vrullshëm të osmanëve në Ballkan.

Beteja e Kosovës u zhvillua në rrethinën e Prishtinës në Kosovë (Dardani) në vitin 1389 midis Serbisë (ndërmjet një koalicioni ballkanik), dhe Perandorisë Osmane.

Depërtimi i vrullshëm i osmanëve në Ballkan tronditi elitën politike drejtuese shqiptare, dhe atë të vendeve fqinje. Të ndodhur përballë një armiku të përbashkët, shqiptarët, bullgarët, rumunët e serbët i fashitën mosmarrëveshjet dhe grindjet e tyre dhe krijuan një koalicion antiosman.

Në të bënin pjesë personalitete të shquara shqiptarë si Gjergji II Balsha, Teodor Muzaka, Gjon Kastrioti, Dhimitër Jonima, Andrea Gropa etj. Këta, më forca të bashkuara, morën pjesë në betejën që u zhvillua në afërsi të Prishtinës, më 28 qershor 1389. Në këtë betejë të përgjakshme dhe të pabarabartë që u zhvillua ndërmjet 20.000 ushtarëve osmanë dhe 20.000 luftëtarëve ballkanas u shqua luftëtari shqiptar Millosh Nikolla Kopili, i cili arriti të vriste Sulltan Sulltan Murad I.

Megjithëkëtë ballkanasit pësuan disfatë të rëndë dhe kjo i hapi rrugën sulltanit pasardhës, Bajazitit I, për pushtime të reja në Ballkan. Gjatë sundimit të tij, osmanët arritën të vendoseshin diku përkohësisht e diku përgjithmonë në viset e tjera shqiptare, që nga Shkodra e Kruja dhe deri në rajonet e Korçës e të Përmetit.

Në Shqipëri u krijua kështu një situatë e rëndë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Vendi pësoi një copëzim të madh politik. Prijësit e shumtë shqiptarë, duke qenë ushtarakisht të pafuqishëm, përgjithësisht hynë në vasalitetin e sulltanëve dhe nxituan të lidheshin më vende të tjera.

Duke përfituar nga një situatë e tillë dhe në marrëveshje me prijësit vendas ose edhe më presion, Venediku arriti t’u merrte atyre qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në atë të Artës, si Buduan, Tivarin, Ulqinin, Shkodrën (bashkë me rrethinat e saj, Drishtin e Dejën), Lezhën, Durrësin, Butrintin, Pargën etj, që ishin edhe qendra shumë të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit.

Pas disfatës që pësoi ushtria e sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë më 1403 prej trupave mongole të Timurlengut, përkohësisht zotërinjtë shqiptarë i forcuan pozitat e tyre dhe në jetën politike të vendit dolën në plan të parë familje të tilla si Balshajt, Gojçinët (Çernojeviçët), Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, Stres-Balshajt, në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt, në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët; në Shqipërinë e Jugut etj.

Sapo erdhi në pushtet sulltan Mehmeti I (1413-1421) mori masa energjike për rivendosjen e zgjerimin e pushtimit osman dhe gjatë viteve 1415-1417 ushtritë e tij pushtuan njërën pas tjetrës kështjellat e rëndësishme, si Krujën, Beratin, Kaninën e Gjirokastrën./KultPlus.com

Publikohet traileri i dokumentarit artistik për Bekim Fehmiun (VIDEO)

Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.

Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com

Presidentja Osmani në Luksemburg: E domosdoshme përballja me drejtësinë e grupeve kriminale që e sulmuan Policinë, KFOR-in dhe EULEX-in

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, shkruan KultPlus.

Në këtë takim temë e diskutimit ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë. 

Presidentja Osmani në takimin e saj me kryeministrin Bettel ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.

“Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Më tej thuhet gjithashtu se Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës./KultPlus.com

Shëtitorja e re e plazhit të Durrësit, gati për banorët dhe turistët

Shëtitorja e re e plazhit është tashmë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve të shumtë që frekuentojnë bregdetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako përcolli pamje nga shëtitorja e re, vepër e rëndësishme që i shërben turizmit, por edhe banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Kjo shëtitore që ndryshon tërësisht imazhin e bregdetit të plazhit të Durrësit ka jo vetëm pistën e këmbësorëve, por edhe atë të biçikletave, hapësira argëtuese për fëmijë, ndriçim dhe gjelbërim.

Projekti parashikon edhe rikonstruksionin e fasadave të godinave si dhe zgjerimin e brezit të rërës.

Lungomarja e re është 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.

Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

Shëtitorja merr rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./atsh/KultPlus.com

Zëri i shiut

Poezi nga Ernest Hemingway

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë  fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente,e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti/KultPlus.com

Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.

Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.

Ju sjellim më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:

Salvatore Quasimodo – Letër Nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”/ KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja, artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj në Pantheon të Romës: Është absolutisht një ëndërr

Jeta Zymberi

Në skenën e muzikës klasike, një emër që po shkëlqen çdo ditë e më shumë është ai i sopranos Adelina Paloja. Kjo artiste e mrekullueshme ka arritur të krijojë një ndikim të vërtetë në audiencë me zërin e saj të butë, të pastër dhe emocionues. Talenti i saj kësaj radhe po e dërgon për interpretim në dy vende të shquara – në Vatikan dhe Pantheon, në monumentin antik kult të Romës, shkruan KultPlus.

Si një soprano e njohur në skenën shqiptare, Adelina Paloja është një shembull i rrallë i pasionit, talentit dhe përkushtimit për muzikën. Zëri i saj që ngjall magji është i pajtueshëm me zërin e engjëjve, dhe ajo ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimit të saj të mrekullueshëm.

Tashmë, një sukses i ri po shënohet në karrierën e artistes. Si rrjedhojë e interpretimit të saj në celebrimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me meshën “JOSEPH VELLA, MESSA PER LA PACE KOSOVA HYLAND PEACE MASS” erdhi edhe bashkëpunimi në Romë – Itali me ftesë të vet Hyland pasi dëgjoi interpretimin e Meshës nga sopranoja kosovare.

Përveç interpretimit në Vatikan, Paloja do të performojë edhe në monumentin antik kult të Romës, duke u vendosur mes thellësive të historisë dhe mrekullive të artit të lashtë. Në këtë ambient të veçantë, zëri i saj do të përjetësohet në një bashkëpunim të pazakontë mes kohës së sotme dhe të kaluarës së largët.

“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në Pantheon – Romë, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën! Mund të them që nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik”, shprehet Paloja për KultPlus.

Sopranoja gjithashtu ka thënë se ky interpretim do i dedikohet imazhit të Kosovës në Vatikan, Romë dhe në botë andaj edhe do jetë i mbështetur nga “Albanian Diaspora Business Network”.

Në këtë paraqitje, Adelina do të interpretoj edhe premierën e veprës “Kosova Hope” të Hajrullah Sylës.

Koncerti do dirigjohet nga Michele Manganelli, soliste vokal, në organo Roberto Marini si dhe International Opera Choir shoqëruar nga Orkestra “Orchestra Sinfonica Romana” Direttore Michele Manganelli.

Përtej pjesës artistike, Adelina ka shpalosur për KultPlus edhe peshën që bart ky koncert.  

“Përgjegjësia është edhe më me peshë pasi në Pantheon do jem artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj. Pantheon në Romë si një destinacion për çdokënd jo vetëm për turistët dhe regjisorët por edhe për arkitektët, dizajnerët dhe artistët nga e gjithë bota është pasuri dhe i mbrojtur. Legjendat thonë se ishte pikërisht vendi ku themeluesi i Romës, Romulus, u ngjit në parajsë ku edhe sot mbetet akoma i hapur për të gjithë si objekti më i vjetër në botë që është ende i hapur përgjatë ditëve të sotme”, tregon artistja.

Shekuj më vonë, arkitektët neoklasikë do t’i referoheshin kombinimit të portikut dhe kupolës së Panteonit për të mbushur ndërtesat e tyre me të njëjtat vlera, nga Kapitoli i SHBA-së në Uashington, DC., deri te Somerset House në Londër, ku në plan është që edhe ky koncert të shfaqet në USA dhe në Britani të Madhe.

“Jam e bindur që do mirëpritet kjo premierë e veprës në Itali, me prezencë të aktereve kyç nga jeta kulturore, diplomatike, politike dhe religjioze duke përfshirë prezencën e Kardinalit të Romës dhe kardinalëve të tjerë të Italisë, përfaqësuesve nga Shtetet e ndryshme etj.”

Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për Palojën e cila tash po i shijon frytet e karrierës mbi 27 vjeçare.

Prezantimet e sopranos kosovare në Itali, Milano me Orkestra Simfonike në Teatro, Koncerti dedikuar 100 Vjetorit jubilar të dives Maria Callas, koncertimet në Zagreb, Kroaci dhe në rajon e Evropë, janë vlerësuar lartë nga kritika dhe të pranishmit. Por puna për të vazhdon me projekte të reja, me angazhim të përditshëm në kontroll rigoroz të teknikës së të kënduarit e me detaje të stërholluara muzikaliteti e studimi të literaturës nga opusi i kompozitorëve për të qenë gjithherë në formë optimale që ti dhurojë audiencës interpretime të nivelit të lartë. / KultPlus.com

Hykolli: Drama “Thyerja”, vepër me vlera të mëdha

Vështrim

Qasje kritike

Shkruan: Atdhe Hykolli

Ilir Muharremi (1983) tashmë me kontributin e tij prej shkrimtari gjithnjë e më shumë po lë gjurmë në shkrimtarinë tonë Shqiptare me krijimet letrare: në dramë, romane, poezi, kritikë dhe monografi. Prandaj, në saje të të gjitha këtyre prurjeve të tij, ku shquhet intuita e tij prej krijuesi të veçantë, tashmë kur shpërblimet e njëpasnjëshme arsyetojnë për të arriturat në krijimtarinë e tij të shumanshme, emri i Ilir Muharremit lakohet në vazhdimësi, duke e radhitur në kolanën e krijuesve më të afirmuar tek ne në Kosovë e më gjerë, çka jep për t’u kuptuar dhe shpresuar se nga ky krijues priten rezultate edhe më të shumta dhe më të gjithanshme, meqë deri më tash ka bërë emër pothuajse në të gjitha zhanret letrare, ku shkrimtaria e tij merr përmasa më të gjëra.

Në këtë rast, duke bërë fjalë për opusin letrar të Ilir Muharremit, lypset që t’i zëmë ngoje të gjitha veprat e tij të botuara tek ne: dramat (Van Goghu kosovar, Unë me veten, Kafeneja, Thyerja); romanet (Psyeho I, Psyeho II, Ti); poezi (Djalli në qytetin tim, Dera e fundit e çmendurisë); kritikë (Moskuptimet) dhe monografi (Dramat, shfaqjet dhe pikturat).

Duke e marrë për bazë moshën e këtij krijuesi dyzetvjeçar jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një krijues të gjithanshëm dhe të veçantë, meqë veprat e tij (deri më tash 10 sosh) janë krijime të zhanreve të ndryshme, ku shquhet talenti i tyre prej krijuesi të njëmendët, meqë secila syresh arriti që të zgjojë kureshtjen e kritikës letrare, ku edhe u vlerësuan me çmime të shumta. Kjo, po ashtu, jep për t’u kuptuar se Ilir Muharremi ka sens, përgatitje profesionale dhe intuitë prej krijuesi të përkushtuar. Prandaj, pikërisht për këto prurje letrare, nga viti në vit, shpërblimet adresohen në emeër të këtij krijuesi i cili aktin e krijimit e ka kuptuar më për së mbari, gjë që krijimtarinë e tij të begatë e ka shpërfaqur pothuajse në të gjitha zhanret letrare. Në këtë rast përqendrimi ynë do të vihet në pah vetëm me krijimtarinë dramatike, pikërisht për dramën “THYERJA”.

Drama “THYERJA”, e autorit tashmë të afirmuar Ilir Muharremi, SHB “Lena”, Prishtinë, 2023, vjen pas dy dramave të lartpërmendura, krahas veprave të tjera në poezi, prozë e shkrimeve diskursive të botuara tek ne në Kosovë, që nga viti 1996 e tëhu.

Krijuesi Ilir Muharremi, profesor universitar, përkatësisht në Fakultetin e Edukimit si dhe në Fakultetin e Arteve, po ashtu në Prishtinë, i shpërblyer sa e sa herë me sa e sa shpërblime, më shumë se në cilindo zhanër letrar, siç duket talenti i tij shquhet në dramarturgji, gjini kjo e cila e tërhoqi dhe e bëri për vete, duke dhënë kontributin e tij në artin skenik, tashmë edhe në dramën “THYERJA”, vepër kjo që u mirëprit nga lexuesit e që do të pëlqehet edhe nga shikuesit, herëdokur që të vëhet në skenë.

Drama “THYERJA”, e autorit Ilir Muharremi, me recensentët prof. dr. Haqif Mulliqi dhe prof. dr. Hazir  Sh. Haziri (njerëz autoritativë në fushën e dramaturgjisë), tashmë edhe më shumë po e dëshmon pohimin e kritikës letrare se ky krijues, gjithnjë e më i përgatitur po shpërfaqet para lexuesve me vepra të tilla të arrira si drama për të cilën do të shpërfaqim bindjet tona.

Që në fillim të mbarështrimit të kësaj teme kemi theksuar se ky autor me krijimet e deritashme të tij u dëshmua për talentin që ka , meqë shkrimtaria e Ilirit mori përmasa të gjera falë prurjeve të tij letrare në zhanreve të ndryshme, për çka edhe mori sa e sa shpërblime të njëpasnjëshme, në poezi, prozë dhe dramë. Prandaj, pohimi ynë është përqëndruar në të dhënat kritikës letrae, dhënë autorit tonë, tanimë që ka bërë emër, falë kontributit të tij letrar.

Autori i dramës”THYERJA” (Ilir Muharremi) strukturimin e kësaj vepreje letrare e konceptoi në katër akte skenike: akti i parë nisi me gjashtë skena, akti i dytë  me pesë skena, akti i tretë me pesëmbëdhjetë skena dhe akti i katërt dhe i fundit me dhjetë skena.

Kjo do të thotë se brendapërbrenda këtyre katër akteve (lexuesi e më vonë shikuesi do të ballafaqohet me 36 (tridhjetë e gjashtë) skena me personazhe: Dana, Anabla, Bella, Cece, Indis, Niki, Asenga, Polici 1, Polici 2, Ronnie.

Në këtë rast, vlen për t’u theksuar pohimi i autorit, i cili vë në dukje në fillim të fillimit thënien: “…bazuar në ngjarje të vërtetë” u hartua dhe u mbarshtua kjo dramë, e cila ngërthen në vete thyerjet ( në këtë rast një thyerje) që ka ndodhur tek ne (pse jo edhe diku tjetër…) në cilindo mjedis shoqëror, ku fenomeni i thyerjes shenjohet nga autori i dramës, duke i tipizuar personazhet e kohës sonë në të cilën edhe ne po e përjetojmë.

Po ashtu, vlen të theksohen edhe dy veçanti: e para nga Kintia Muharremi, e bija e autorit, e cila pohon “E dua babin shumë” dhe pohimi i Bella Wates ”Babi im është hero”-thënie gnomatike që jepen nga dy vajza, të cilat shprehin dashurinë e pakufishme për etërit e tyre, ku e para thotë se babain e saj e do shumë, kurse e dyta e shpall hero. Prandaj, lexuesi e më vonë shikuesi i shfaqjes së dramës do të shohë e përjetojë dy dashuritë e paskajshme për etërit (baballarët) e tyre edhe në trazirat e kohës kur edhe ndodhin thyerjet siç paraqet thyerjen në dramën “THYERJEN”, në rastin e pikërishëm autori Ilir Muharremi. Prandaj, të shkruhet për thyerjet që kanë ndodhur nuk është diç e vështirë, meqë autori këtë e ka pasqyruar  bindshëm, duke bërë tipizimin e personazheve sipas karaktereve të tyre në situata tejet dramatike.

Pra, drama “THYERJET” është një pasqyrë identifikuese e ngjarjeve të ditëve të sotme, ku ndodhin sa e sa të papritura, në këtë katrahurë të jetës sonë bashkëkohore./ KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit

Jeta Zymberi

Ditën e djeshme ka përfunduar xhirimet filmi i metrazhit të shkurtër “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit, shkruan KultPlus.

Për katër ditë xhirime në Istog dhe rrethinë, regjisorja ka përthekuar materialin e nevojshëm për të sjell një film emocionues dhe frymëzues i cili në qendër ka personazhin të quajtur Hana. Ajo është në përfundim të shkollës së mesme dhe përpiqet t’a arrijë ëndrrën e saj, të luajë futboll profesionist, mirëpo babai i saj, Sherifi, ka një plan tjetër për të, e që është të vazhdojë studimet akademike.

Me një histori të fuqishme dhe interpretim të shkëlqyeshëm, filmit i japin jetë aktorët kryesorë e shumë të talentuar si: Eli Gashi, Luan Jaha, Adriana Matoshi dhe Era Balaj por edhe i gjithë ekipi i përkushtuar në prodhimin e këtij filmi.

Valmira Hyseni, regjisorja e filmit, ka ndihmuar në krijimin e një vizioni unik dhe tërheqës për “Keep Going”. Përgatitja dhe xhirimet e filmit kanë qenë një rrugë jo e lehtë, por ekipi ka punuar me pasion dhe vendosmëri për të sjellë përpara një projekt të veçantë.

Filmi “Keep Going” që për skenaristë ka Valmira Hysenin dhe Zgjim Terziqin, synon të japë mesazhe të rëndësishme për të gjithë ata që përballen me sfida dhe pengesa në rrugën drejt arritjes së qëllimeve të tyre.

Pas përfundimit të xhirimeve, filmin tashmë e presin etapat e mëtejshme të prodhimit, përfshirë montazhin, muzikën dhe efektet e tjera e ku për gjithçka po përkujdeset produksioni Plan Bee Films. Deri atëherë publiku është në pritje të rezultatit të punës së palodhshme të gjithë ekipit. / KultPlus.com

Panairi i Librit i Prishtinës, një traditë dhe vlerë e shtuar për letërsinë shqipe

              

Pak ditë më parë, saktësisht ditën e diel, më datë 11 qershor, do të mbyllej Panairi i Librit i Prishtinës, që në vitin 2023, shënoi edicionin e vet të 23-ë.


Përkundër reshjeve thuajse të vazhdueshme të shiut, nganjëherë shtrëngatave dhe diellit të paktë, me pikatore, prishtinasit iu përgjigjën jehonës së këtij panairi masivisht, si përherë, duke i mbushur rruginat e ngushta midis stendave të shtëpive të shumta botuese të pranishme në këtë ngjarje kaq madhore letrare, përditë, njerëz të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, nga kryeqyteti i Kosovës, por edhe nga qytete të tjera kosovare, dhe gjithashtu nga viset e tjera shqiptare, matanë Morinës dhe përtej Hanit të Elezit.
Pata fatin që në këtë panair të isha i pranishëm në cilësinë e mbrothët të dyfishtë, të shkrimtarit, me romanin tim të ri, HEMISFERAT E SERENËS, duke gëzuar mundësinë të takohesha, shkëmbeja mendime, bisedoja dhe të frymëzohesha nga lexues të panumërt, miq e kolegë të botës së letërsisë, nga të gjitha trojet ku shqiptarët banojnë e lëvrojnë letrat shqipe.
Gjithashtu isha i pranishëm në këtë panair me plot libra e romane të rinj të përkthyer nga disa gjuhë të huaja në shqip (nga anglishja, frëngjishtja dhe rusishtja), sidomos me veprat e nobelistit të katërt të letërsisë të përkthyer nga unë, domethënë të madhit Rudyard Kipling (përfshirë novelën e parë të shekullit XIX, kushtuar Kalashëve ilirë të Pakistanit, me titullin “Njeriu Që Donte Të Bëhej Mbret”, ku për herë të parë bota u rinjoh me këta pasardhës ilirë të Aleksandrit të Madh, të mbetur rrëze Himalajeve prej dy mijëvjeçarësh, akoma paganë dhe të pamposhtur në kulturën dhe gjuhën e tyre).
Gjithashtu pata kënaqësinë të sjell në shqip edhe Volterin gjenial, Dostojevskin e mahnitshëm, por veçanërisht bestseller-in mbarëbotëror kushtuar Holokaustit, “Njeriu Më I Lumtur në Botë”, (Botimet JETA) të autorit tashmë të ndjerë, Eddie Jaku, ku tregohet në vetën e parë mbijetesa epike e këtij hebreu gjerman, nëpër të gjitha kampet e shfarosjes naziste, një libër i përkthyer brenda më pak se dy vitesh, në plot dyzet gjuhë nga anglishtja, përfshirë tanimë edhe shqipen, me përkthimin tim.
Në këtë pozitë fatmirësisht “të privilegjuar”, gjithsesi do të bëhesha dëshmitar i krejt veprimtarive të shumëllojshme dhe të larmishme që do të zhvilloheshin gjatë ditëve të panairit, nga e marta e hapjes së tij solemne, me praninë e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, por edhe të kryeministrit Kurti (gjithnjë i gjendur pranë librit në ngjarje të tilla madhore), dhe disa krerëve të tjerë institucionalë të Kosovës, përfshirë kreun e komunës së Prishtinës, Rama, gjer në ditën e tij të fundit.
Shtëpi të shumta botuese, nga Kosova, Shqipëria, por edhe më gjerë, do të ofronin botimet e tyre më të reja, me një fond të gjerë autorësh të huaj dhe shqiptarë, me një përzgjedhje të kryer përgjithësisht me sqimë të theksuar dhe orientim të mirëfilltë letrar, për t’i sjellë lexuesit shqiptar, kudoqoftë, letërsinë me të vyer, në formë përkthimi apo botimesh burimore në gjuhën tonë shqipe.
Për të mirën thelbësore të botimeve shqipe, sa vjen e barazohet, bashkërendohet dhe drejtpeshohet dallimi cilësor midis botimeve letrare në Shqipëri dhe Kosovë, gjithashtu edhe midis dy kryeqendrave tona kulturore shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, teksa tashmë cilësisht barasvlefshmëria mbizotëron në gjykimin tim, mes dy anëve të Morinës në fushën e botimeve, mbi të gjitha, vitet e fundit, për shkak të frymës së konkurrencës së mirëfilltë dhe prirjes për t’i përkryer sa më tepër botimet në çdo këndvështrim, të botuesve nga Kosova, me dëshirën për t’i djegur etapat në afrimin me fushën e botimeve në Tiranë dhe Shqipëri.
Ky përafrim i tillë i tregut letrar, i botimeve në shqip dhe i botës letrare shqiptare në përgjithësi, vetëm e përmirëson më tutje shijen e lexuesit shqiptar, duke përbërë një shembull të çmuar njësimi, të paktën në fushën e letërsisë dhe kulturës, që do të duhej të merrej si shembull edhe nga ana institucionale nga qeveritë tona politikisht, ekonomikisht e mirëfilli njerëzisht, mes shqiptarësh.
Ishte kënaqësi të merrja pjesë në disa promovime letrare të Botimeve Armagedoni, për të dëgjuar lidhur me veprën e autorëve të paraqitur mjeshtërisht përmes fjalëve dhe leximit shkoqitës të Adem Gashit e Emin Eminit, por gjithashtu pata nderin të moderoja promovimin e librit me novela të mikut tim, shkrimtarit të ri (dhe me shumë të ardhme) prishtinas, Andrin Kabashi, “Qyteti Pa Lumë”, kushtuar kujtesës së Prishtinës së moçme, që po venitet ngadalë, i botuar në Tiranë nga Botimet Onufri, që krahas veprës së plotë të Ismail Kadaresë, gjen kohën të mbështesë edhe shkrimtarët e rinj, për më tepër në Kosovë, si në rastin e Andrinit.
Mes mbresave për punën e palodhur të mikut tim, Shpend Hoxha, gjithmonë në vijimësi të paepur të trashëgimisë së të atit, autorit të shquar të letërsisë për fëmijë në Kosovë e më gjerë, Rexhep Hoxhës, po ashtu edhe punës së palodhur botuese të Botimeve “Jakup Ceraja”, me plot tituj klasikë e botime të reja bashkëkohore, apo të Botimeve Tenda që kremton edhe 25 vjetorin e themelimit këtë vit, përkufizimi im i këtij panairi, sigurisht kurorëzohet me imazhin e Botimeve PEMA, gjithnjë në pararojë të botimeve cilësore në Prishtinë e Tiranë.
Një fjalë përgëzimi meritojnë patjetër edhe për organizatorët e këtij panairi, të cilët, megjithëse kushtet vijojnë të mangëta lidhur me godinën ku zhvillohet kjo ngjarje madhore letrare (Pallati i vjetër i Rinisë), kishin arritur të krijonin hapësirat e duhura që botues e lexues të gjendeshin sa më mirë këto ditë.
Shihemi në Panairn e ardhshëm të Prishtinës.

ELVI SIDHERI
Shkrimtar e përkthyes letrar shumëgjuhësh./ KultPlus.com

“Muza Competiton”, Tirana bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trevat 

Sheshi “Italia” u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një pasarelë mode për finalen e “Muza Competiton”, ku u bënë bashkë krijues nga të gjitha trevat shqipfolëse.

10 finalistët shfaqën koleksionin e tyre në spektaklin që kurorëzoi si fituese Klara Kazanin me koleksionin “Nën vello”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në këtë aktivitet shprehu kënaqësinë që në kryeqytetin shqiptar realizohen kompeticione të tilla, që bëjnë bashkë shqiptarët.

“Pas asaj që ndodhi në Ukrainë me Rusinë, të gjithë kujtohemi se miqtë, sidomos fqinjët, nuk duhet t’i marrim për të mirëqenë. Ne jemi shumë krenarë për fqinjët tanë sepse ne shqiptarët rrethohemi nga tanët, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe ndaj sot jam shumë i lumtur që, për këtë fqinjësi, që është më shumë se sa fqinjësi, është gjaku ynë, ne kemi dedikuar këtë edicion. Jam vërtet krenar për presidenten Atifete Jahjaga, e cila na ka treguar se të drejtosh nuk do të thotë të provokosh, do të thotë të bashkosh, të dashurosh, të lidhësh njerëzit, jo të përçash njerëzit. Ndaj, jam vërtet krenar që sot kemi më të mirën e botës shqiptare”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku dha edhe një mesazh teksa iu referua një prej modeleve të “Muza Competition”.

“Modelja që mori më shumë duartrokitje nuk ishte modelja që kishte detyrimisht veshjen më të bukur, por ishte modelja që humbi këpucën dhe vijoi rrugëtimin. Për ne shqiptarët, nuk është i rëndësishëm mjeti, por destinacioni. Ajo modelja ishte shumë e qartë që destinacioni, misioni është më i rëndësishëm se sa mjeti. Ndonjëherë mund të shkojmë zbathur, ndonjëherë mund të shkojmë me këpucë, ndonjëherë mund të shkojmë me veshje sportive, ndonjëherë me veshjet më të çmuara, por destinacioni është shumë më i rëndësishëm se sa mjeti, që i çon shqiptarët atje ku duhet, në familjen evropiane”, tha Veliaj.

Andriola Kambo, drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon tha se “në udhëtimet e mia të shpeshta pata fatin të takoja nënë Tolen në komunën e Tuzit, një grua e moshuar që mbante ende gjallë trashëgiminë tonë kulturore dhe punonte xhubletën, më inspiroi. Këtu nisi dhe “Muza” që të bashkonte tre komponentët kryesorë inovacionin, turizmin dhe ekonominë krijuese. Në këtë edicion 1150 aplikime dhe në këto 1150 aplikime sot kemi 10 finalistët tanë. Vjet kishim 350 aplikime dhe patëm 10 finalistë”.

Mes të ftuarve, ishin edhe personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar dhe të botës së ekranit. “Muza Competition” është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetësimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajn.

Në këtë edicion, më shumë se 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, aplikuan për të qenë pjesë e finales së madhe të “Muza Competition”./ atsh / KultPlus.com

Votohet ligji i ri për kinematografi, Matoshi: Më në fund filmi po e merr mbështetjen ligjore e shtetërore

Sot është votuar përfundimisht ligji i ri për kinematografi.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja dhe njëherit aktorja Adriana Matoshi e cila është shprehur e plotësuar pas kalimit të këtij ligji shumë të rëndësishëm për industrinë e kinematografisë.

“Pas nje procesi shume te gjate e me plot veshtiresi, sot votuam perfundimisht ligjin e ri per kinematografi.

Sot po ndihem e plotesume ne dy menyra.

Si deputete e perfaqesuese e komunitetit ne Kuvend te Kosoves, shume e gezume qe ia arritem te behemi bashke edhe me opoziten per ta votu nje ligj kaq te nevojshem per industrine e kinematografise. Falemnderuese edhe per te gjithe akteret institucional dhe artistet qe kane ndihmu me u shkru ky ligj ashtu qe me iu pergjigj nevojave te industrise.

Si artiste, tejmase e gezume qe kinematografia po e merr vemendjen e meritume. Cilesia e prodhimtarise tone kinematografike, me suksese qe secili vend i enderron, ma ne fund po e merr mbeshtetjen ligjore e shteterore. E di qe dita e sotme ka me qene motiv shtese per krejt artistet, producentet, regjisoret, skenaristet, kostumografet e skenografet, me vazhdu me kriju dhe me enderru edhe ma shume.

Urime kolegeve te mi, e na shkoft mbare”, shkruan Matoshi. / KultPlus.com

Letra e Mozartit që zbulon dramën e tij të dashurisë del në ankand për çmimin marramendës

Një letër e kompozitorit austriak, Wolfgang Amadeus Mozart, të cilën e ka shkruar në moshën 26-vjeçare ku zbulon dramën e dashurisë që po jetonte në atë kohë, pritet të dalë në ankand muajin e ardhshëm nga Christie’s në Londër.

E shkruar në verën e vitit 1782 , letra me dy faqe tregon se ai kërkon këshilla nga një mik i ngushtë pas një “keqkuptimi” me vjehrrën e tij të ardhshme.

Mozart shkroi shumë letra gjatë jetës së tij, por kreu i librave dhe dorëshkrimeve të Christie, Thomas Venning tha se është e rrallë të shohësh një të tillë në ankand.

Mozart dhe Constanze u martuan pak pasi u shkrua letra dhe ishin bashkë deri në vdekjen e tij në 1791 në moshën 35 vjeçare.

Letra pritet të shitet çmimin më të lartë për një letër të Mozartit deri më sot me një vlerësim midis 300,000 – 500,000 £. / KultPlus.com

Filmat “Era” dhe “Gülizar”, në festivalin Karlovy Vary

Filmi “Era” dhe filmi “Gülizar” të mbështetura nga Qendra Kinematografike janë përzgjedhur në seksionin “Work in Progress” në Festivalin e 57-të të filmit në Karlovy Vary.

Filmi “Era” është film i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi.

Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë. Kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive.

Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.

Filmi u xhirua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.

Skenariste dhe regjisore është Parta Kelmendi, ndërsa producente e filmit është Afërdita Saraçini Kelmendi.

Filmi “Gülizar” është filmi i parë me bashkëprodhim Turqi-Kosovë, i xhiruar në Turqi dhe Kosovë. Producente e filmit nga Kosova është Valmira Hyseni.

Filmi tregon historinë e një gruaje që shkon në një udhëtim nga Turqia në Kosovë për t’u martuar.

“Gulizar” është mbështetur nga Ministria Turke e Kulturës dhe Turizmit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

Biden: Ndryshimi i klimës kërcënim ekzistencial

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se ndryshimi i klimës është “një kërcënim i vërtetë ekzistencial”.

Biden mbajti një fjalim në një darkë vjetore të një grupi për mbrojtjen e mjedisit në kryeqytetin Uashington.

Pasi bëri të ditur se brezat e rinj do të përballen me shumë kërcënime, Biden tha se njëra prej këtyre është ndryshimi i klimës të cilën ai e cilësoi si “kërcënim të vërtetë ekzistencial”.

Biden tërhoqi vëmendjen mbi ndryshimin e kushteve të motit, duke vënë në dukje se ajri u zverdh dhe miliona amerikanë u detyruan të mbajnë maska për shkak të tymit që u shfaq nga zjarret pyjore në Kanada të cilët prekën shtetet verilindore të SHBA-së javën e kaluar.

“Në kuadër të kësaj duhet të merren masat e nevojshme”, theksoi Biden i cili foli për hapat që administrata e tij ka ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit./ atsh / KultPlus.com

Shkencëtarët krijojnë embrione njerëzish në laborator

Shkencëtarët kanë arritur që të krijojnë embrione sintetike njerëzish duke përdorur qeliza staminale.

Kjo lloj metode është cilësuar si një arritje revolucionare që “anashkalon nevojën për materialet gjenetike të femrave dhe meshkujve për të bërë ngjizjen.

Shkencëtarët pohojnë se këto embrione model, të cilat ngjajnë me ato në fazat e hershme të zhvillimit njerëzor, mund të japin informacion vendimtar për efektet e çrregullimeve gjenetike dhe shkaqet biologjike të abortit të përsëritur.

Megjithatë, kjo është një arritje shkencore që ngre çështje serioze etike dhe ligjore, pasi subjektet e rritura në laboratorë nuk janë në një vijë me legjislacionin aktual në Mbretërinë e Bashkuar dhe as legjislacionin e shumicës së vendeve të botës, raporton “The Guardian”.

Embrionet sintetike nuk kanë zemër funksionale as ndonjë formë të hershme të trurit, por përfshijnë qeliza që në një fazë të mëvonshme zakonisht do të formonin placentën, qesen e verdhë të vezës dhe vetë embrionin.

“Ne mund të krijojmë shabllone që duken si embrion njerëzor duke riprogramuar qelizat burimore [embrionale]”, shpjegoi profesoresha Magdalena Żernicka-Goetz e Universitetit të Kembrixhit dhe Institutit të Teknologjisë në Kaliforni.

Nuk ka asnjë perspektivë të përdorimit klinik të embrioneve sintetike në të ardhmen e afërt: implantimi i tyre në mitrën e një pacienti do të konsiderohej i paligjshëm dhe nuk është ende e qartë nëse këto “struktura” kanë madje potencialin për të vazhduar maturimin përtej fazave të hershme të zhvillimit.

Motivimi për studiuesit, siç shpjegon punimi, është të kuptojnë periudhën e zhvillimit të embrioneve të quajtur “kutia e zezë “.

Ky cilësim është zgjedhur duke qenë se shkencëtarët lejohen të rritin embrionet në laborator vetëm deri në kufirin ligjor prej 14-ditësh, studimi i zhvillimit mund të vazhdojë vetëm në një fazë shumë më të vonë, përmes ultratingujve dhe dhurimeve të embrioneve për shkencën. / a2cnn / KultPlus.com

Fustani legjendar i Marilyn Monroe është kostumi më i shtrenjtë i filmit

Fustani legjendar i Marilyn Monroe është kostumi më i shtrenjtë i filmit.

Fustani legjendar i Marilyn Monroe në filmin “The Seven Year Itch” është një nga kostumet më ikonike në historinë e kinematografisë. Kjo skenë e famshme tregon Marilyn Monroe duke u qëndruar mbi hekurat e metrosë, ndërsa ajri i rrëmbyeshëm i ventilatorit i ngre fustanin e saj lartë.

Kostumi në fjalë është krijuar nga stilisti William Travilla dhe u bë shumë i njohur për shkak të formës dhe dizajnit të tij të veçantë. Fustani ka një dekolte të theksuar, shpatulla të hapura dhe një bel të shtrënguar.

Çmimi i fustanit të Marilyn Monroe në “The Seven Year Itch” ishte shumë i lartë për atë kohë. Ai u shit në ankand në vitin 2011 për shifrën prej 4.6 milionë dollarësh. Ky fakt tregon rëndësinë dhe vlerën historike që ka për koleksionistët dhe dashamirësit e Marilyn Monroe.

Përveç kësaj skene ikonike, “The Seven Year Itch” është një film komedi romantik i vitit 1955 dhe ka qenë një nga sukseset më të mëdha të Marilyn Monroe. Ajo interpreton rolin e një gruaje të bukur dhe tërheqëse që e lë të dashurin për një fundjavë dhe flirt me një tjetër burrë në apartamentin e saj. / KultPlus.com

Avokati Koci i gatshëm të shkoj në Beograd për t’ju dal në mbrojtje policëve: Punën do t’a bëj falas

Ditën e djeshme, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Për momentin nuk dihet me siguri se ku ndodhen tre policët kosovar, por pretendohet që janë dërguar në Beograd.

Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci i cili është shprehur se është i gatshëm të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen për policët kosovarë dhe punën e tij është shprehur se do ta bëjë falas.

“Në rast se policët e kidnapuar nuk lirohen me presion politik, jam i gatshëm që menjëherë javën e ardhshme – me autorizim të qeverisë së Kosovës – të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen.

Nuk mund t’i lëmë policët tanë vetëm në mëshirën e bashkësisë ndërkombëtare.

Në anën tjetër, dikush duhet t’i vizitoj në qendrën e ndalimit/paraburgimit, kudo që janë.

Punën time do t’a bëj falas!”, shkruan Koci. / KultPlus.com