Ti qan e loti vetëtin qërpikëve të tu

Poezi nga Lord Byron

Ti qan e loti vetëtin
Qerpikëve të tu;
Elmazi i vesës në agim
Prej vjollcës shket ashtu.
Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz
shkëndrit në sytë e tu;
Sarifi zbehet n’atë çast
nga flakë e tyre blu.

Purpurn e reve ruan ti,
kur Dielli perëndon
dhe errësira pa kufi
Nis botën e mbulon
Kështu dhe vështrimi yt
Djeg retë e shpirtin tim;
Le t’erret!Brenda meje ndrit
I zjarrti perëndim! / KultPlus.com

Kryevepra e Pikasos do të arrijë shifrën 120 milionë dollarë në ankand

Ankandi i nëntorit i një kryevepre të Pablo Picasso-s, “Femme a la montre” e piktorit të ndjerë spanjoll nga viti 1932, pritet të arrijë të paktën 120 milionë dollarë.

Piktura, e cila përshkruan zonjën e Picasso-s të veshur me një orë, do të shitet si pjesë e një ankandi dy-ditor të koleksionit prestigjioz të njujorkezes së ndjerë Emily Fisher Landau.

Fisher Landau, një anëtare e gjatë e bordit të Muzeut Whitney të Artit Amerikan në Nju Jork dhe një mbrojtëse dhe koleksioniste e njohur e artit, ndërroi jetë në mars në moshën 102-vjeçare.

Organizatorët kanë deklaruar se rreth 120 pjesë nga koleksioni i saj do të ishin në shitje dhe “vlerësohet se do të sjellin mbi 400 milionë dollarë” në total, me “Femme a la montre” që përbën një pjesë të konsiderueshme.

Julian Daëes, kreu i divizionit të Artit Impresionist, e quajti pikturën e Picasso “një kryevepër që qëndron mbi të gjitha.

Viti 1932 ishte aq i rëndësishëm në punën e Picasso-s, saqë një ekspozitë e tërë iu kushtua në vitin 2018 në muzeun Tate Modern të Londrës.

Marie-Therese Walter  ishte “muza e artë” e Picasso-s, e cila do të vazhdonte të shfaqej në “shumë nga portretet e tij më të arrira.

Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij në 1973 në moshën 91-vjeçare, Picasso mbetet një nga artistët më me ndikim të botës moderne, shpesh i përshëndetur si një gjeni dinamik dhe krijues./KultPlus.com

‘Kjo dashnia kjoft mallkue, që s’po m’len me ndej rehat’ (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare.

Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqipe.

Sonte KultPlus ju sjell “Kjo dashnia kjoft mallku”, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Kjo dashnia kjoft mallkue
Qi s’po m’len me ndej rehat.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.

Oh, malli yt s’më len derman,
aman!
Oh, malli yt s’më len derman,
aman!

Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!
Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!

Ty moj lule njiherë t’zgjodha
E në zemër të mbaj ndry’.
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!

Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!
Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!

Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!
Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!

Sytë prej lot’ve rrinë pa u terun
Loti i jem’ n’ty pikoftë!
Çka t’i tham kësaj zemre t’therrun
Kurr hallall mos t’kjoftë!

Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!/ KultPlus.com

Vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit (FOTO)

Nëntë muaj pasi kullat u rrëzuan, Lucas Foglia vizitoi lagjet e ndryshme të Nju Jorkut me kamerën e tij.

Fotografi Foglia thotë: ‘Kështu më kujtohet New York City në vitin 2002. Isha 19 vjeç dhe sapo isha shpërngulur në Manhattan nga ferma e familjes sime në Long Island. Ishte vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit.”, transmeton KultPlus.

Ai paraqiti përmes fotove ‘qytetin që po shërohej … por me plagë’.

Më poshtë mund të gjen fotografitë që ai i realizoi gjatë asaj kohe:

Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia

Lah Nimani, legjenda e boksit kosovar

Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.

Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).

Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.

Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.

Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.

Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com

Ata sy

Poezi nga Fjodor Tjutçev

Kam njohur sy – o, ata sy!
Sa fort i desha e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar,
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat, mengadal’.
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal.

Shpesh rrija shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj’ pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot. /KultPlus.com

Trikoja ikonike e Princeshës Diana thyen rekord në ankand, shitet për çmimin marramendës

Trikoja e famshme e kuqe me qingja të bardhë, e veshur nga Princesha Diana në vitin 1981, menjëherë pas fejesës së saj me Princin Charles, u shit për 1.1 milion dollarë këtë të enjte, tha Sotheby’s, pas një “beteje” të ashpër të ofertave përmes internetit.

Oferta e blerësit, duke përfshirë taksat dhe komisionin, është më shumë se dhjetë herë më shumë se vlerësimi fillestar i Sotheby’s: shtëpia e ankandit vlerësoi se do të kapte midis 50,000 dhe 80,000 dollarë. Ankandi nisi më 31 gusht, por në orët e fundit “goditjet” ndoqën njëra-tjetrën dhe çmimi u hodh nga 200 mijë në 1.1 milionë./abcnews.al/KultPlus.com

133 vjet nga lindja e Agatha Christie, autores që u cilësua si ‘Mbretëresha e Krimit’

Më 15 shtator të viti 1890 lindi Agatha Christie, autorja e cila u bë e njohur në botë për novelat e saj të zhanrit krim, gjithsej 66 të tilla, 14 vëllime me tregime të shkurtra dhe po ashtu për dramën më të shfaqur në histori “The Moustrap”.

Ajo është autorja më e shitur në botë, me 2 billion kopje të shitura, duke e thyer edhe rekordin botëror në Guiness World Records.

Shumë libra të Christie janë adaptuar për televizion, radio, dhe libra grafik. Janë dikund rreth 30 filma të bazuar në romanet e saj. Autorja u edukua në shtëpi nga prindërit e saj dhe filloi të shkruante tregime të misterit gjatë Luftës se dytë Botërore.

Fillimet e saj ishin të vështira dhe shpesh nuk iu pranuan librat nga shtëpitë publikuese, megjithatë libri i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles” ishte një sukses i madh. Gjatë fundit të karrierës së saj ajo flloi të shkruante romane të zhanrit romancë me libra si “Unfinished Portrait” dhe “A daughter’s daughter” ndër pseudonimin Mary ëestmacott.

Chrisite u titullua Damë nga shteti i Anglisë në vitin 1971, ndërsa ajo u pa për herë të fundit në publik në vitin 1974 kur u shfaq drama e saj “Murder on The Orient Express. “. Ajo vdiq në vitin 1976. / KultPlus.com

Vdes në moshën 91-vjeçare piktori kolumbian Fernando Botero

Artisti, i lindur në vitin 1932 në qytetin Medellin të Kolumbisë Qendrore, ishte ende duke pikturuar në studion e tij derisa u prek nga pneumonia dhe u shtrua në spital, por u lirua nga spitali të enjten për t’u shëruar në shtëpi, raportoi W Radio.

Piktori dhe skulptori kolumbian, Fernando Botero, i famshëm për figurat e tij epshore, ka vdekur në moshën 91-vjeçare, njoftoi të premten presidenti kolumbian Gustavo Petro, shkruan Euroneës, transmeton Klan Kosova.

Ka vdekur Fernando Botero, piktori i traditave dhe defekteve tona, piktori i virtyteve tona”, ka njoftuar kreu i shtetit në platformën e rrjeteve sociale X, e njohur më parë si Tëitter.

“Piktori i dhunës dhe i paqes sonë. I pëllumbit të refuzuar një mijë herë dhe të vendosur në fronin e tij njëmijë herë”, shtoi Presidenti Petro, duke iu referuar një prej kafshëve emblematike të artistit.

Ai nuk dha detaje për vendin e vdekjes së tij./KultPlus.com

15 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Kombet e Bashkuara kanë shënuar 15 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Në këtë ditë OKB-ja u kërkon të gjitha qeverive të promovojnë dhe mbështesin parimet e demokracisë, përcjell KultPlus.

Demokracia është një formë qeverisjeje në të cilën qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar. Demokracia ndërtohet mbi bazat e përfshirjes. Trajtimi dhe pjesëmarrja e barabartë janë gjithashtu komponentë të rëndësishëm.

Gjithashtu, demokracia është një bllok ndërtimi për paqen dhe të drejtat e njeriut. Vendet me demokraci kanë një kushtetutë, e cila ndihmon në krijimin e një mjedisi mbrojtjeje për qytetarët e saj. Shtetet demokratike gjithashtu kanë më pak gjasa të kultivojnë terroristë. Ata janë gjithashtu më aktivë në ekonominë globale.

Demokracia e vërtetë u jep pushtet njerëzve. Ai përfshin dialogun ndërmjet shoqërive civile dhe klasave politike. Ky dialog duhet të ndikojë në vendimet e politikëbërjes. Në shumë vende të botës mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët qeveritarë janë nën sulm. Gratë mbeten të nënpërfaqësuara.

Për shkak të këtyre kërcënimeve, është më e rëndësishme se kurrë për të përqafuar demokracinë dhe liritë globale që ajo ofron. Është gjithashtu me rëndësi të madhe të ndihmohet në formimin e demokracive të reja. /KultPlus.com

Kthimi në rrënjë – Trauma dhe Identiteti në “Sirin”

Uranik Emini

Shpesh thuhet se plagët e padukshme të luftës janë më të dhimbshme se ato të dukshme. Filmi me regji të Senad Shahmanoviq “Sirin”  duke u zhvilluar në një botë të prekur nga lufta, ku hija e së shkuarës duket ende prezentë mbi të tashmen, “Sirin” eksploron plagët e pashëruara të shpirtit njerëzor, shkruan KultPlus.

Kjo histori prekëse ndjek jetën e Nathaly Collins (Danica Qurçiq), e cila i mbijetoi viteve të trazuara 1990 në ish-Jugosllavi, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetesë më të mirë, duke përjetuar në realitet gjithë ato vite të luftës nën shtypje nga regjimi ndër vite. Një çështje e pazakontë ligjore në lidhje me trashëgiminë e një gruaje të moshuar të pasur që nuk kishte familje do ta kthejë atë në vendin e saj të origjinës, Malin e Zi.

Në këtë film luan edhe Valery Fisher (Maylinda Kasumovic), aktorja nga Kosova, duke dëshmuar edhe një herë tjetër talentin e fuqishëm që e ka kinematografia shqiptare.

Si një gazetare që kërkon asgjë tjetër përpos përmbushjen e premtimit që gruaja e moshuar e kishte lënë, Fisher, nuk i intereson në qoftë se dikush e kundërshton atë apo jo. Në anën tjetër, Collins, që ka ndryshuar edhe mbiemrin për të harruar rrënjët e saj që i kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje ndër vite, nuk mund të vijë në tokën e saj pa takuar motrën, të cilën e kishte harruar.

E gjithë historia ndjektë nga Collins që kërkon të eksplorojë sa më shumë vendin dhe të “rijetojë” edhe një herë tjetër kujtimet e hidhura, duke parë trauma në shumë vende, nga treni në fillim të filmit, e deri te takimi me motrën e saj.

Nëpërmjet “Sirin”, ne shohim si të pashmangshme lidhjen me origjinën tonë dhe ndërveprimin kompleks të kujtesës dhe identitetit. Në këtë histori na kujtohet se disa plagë nuk mund të harrohen kurrë, sado vite që të kenë kaluar. Është një eksplorim prekës i traumës së qëndrueshme që jeton në skutat e mendjes njerëzore.

“Sirin” është një përvojë bindëse kinematografike që na sfidon të reflektojmë mbi qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor dhe ndikimin e thellë të luftës në kujtesën kolektive të një kombi.

Senad Shahmanoviç, regjisori, pohoi se zhvillimi i historisë ishte frymëzuar si nga përvoja e tij ashtu edhe nga bashkëskenaristja Claudia Bottino. Ai gjithashtu ka përfshirë edhe titullin “Sirin”, që njihet në mitologji si një krijesë, si zog me kokën e një zonje elegante.

“Ata nuk i përkasin as kombit nga kanë ardhur fillimisht dhe as këtij. Ne përdorim gjithashtu incidente aktuale që përfshijnë individë të cilët janë të motivuar të zhvendosen dhe përpiqen të fshijnë gjithçka nga e kaluara e tyre, gjë që është e vështirë pasi ata kthehen gjithmonë dhe duhet të përballen me veten”, thotë regjisori.

Ai gjithashtu tregon edhe rikthimin e aktores kryesore në Malin e Zi, si një traumë personale që shfaqet kudo që ajo shkon.

“Por, i bie të kthehet në Mal të Zi dhe të përballet me to. Është një dramë personale se çfarë u ndodh njerëzve të cilët vuajnë dhe ndërrojnë vendbanimin për të pasur jetë tjetër”, ka thënë ai.

Mes tjerash, filmi “Sirin” do të jetë kandidati i Malit të Zi për çmimin në ceremoninë botërore të filmit “Oscars”. Shahmanoviç shpreson se shteti i Malit të Zi, ta mbështet këtë film dhe ta promovojë sa më shumë.

Bashkëproducenti nga Kosova në këtë film, Fatmir Spahiu nga Buka Production, thotë se filma të tillë kuptohen shumë dhe ndjehen në rrënjë në pjesën e vendeve ballkanike.

“Është një storie universale e rajonit. Ky film te unë si skenar ka ardhur shumë herët, ende pa siguruar fondet dhe kam besuar shumë në këtë storie. Pas meje kanë hyrë edhe shtetet e tjera në kooproduksion, siç është Shqipëria e të tjerat”, thotë Spahiu.

Ai gjithashtu thotë se ky film do të jetë një “film-ikonë” për Malin e Zi për një kohë të gjatë.

“Besoj që do të jetë film-ikonë për Malin e Zi për një kohë të gjatë. Kurse sa i përket bashkëprodhimit minor, mendoj se ne duhet të jemi prezentë me krejt fuqitë që kemi dhe besoj që duhet të jemi më shumë prezentë me aktorë pasi e konsideroj që kemi një potencial të fuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com

Ndërkaq, PriFest po vazhdon që të shfaq filma nga vende të ndryshme të botës dhe Kosovës deri më 17 shtator, duke e shndërruar Prishtinën në një qytet të filmit, gjë të cilën e ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë tradicionalisht që 15 vite me radhë. /KultPlus.com

“Një ditë me kuratorin”, Muzeu Historik Kombëtar afron të rinjtë me historinë e kulturën

Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”, me nxënësit e “Shkollës Ekonomike”. Kuratori i pavijonit u foli nxënësve rreth objekteve të pavijonit të lashtësisë. Gjithashtu, u mësoi disa nga teknikat e bërjes së guidës.

Tema e këtij viti në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë i referohet praktikave, dijebërjes dhe aftësive të trashëguara brez pas brezi dhe të sjella deri në ditët tona. Tërësia e aftësive, zanateve dhe profesioneve shërbejnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë nga brezi në brez në mënyra të ndryshme.

Tema e vitit 2023 mundëson evidentimin e punës që mban gjallë trashëgiminë në ditët e sotme falë njerëzve që transmetuan dijebërjen dhe siguruan vazhdimësinë e saj.

Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

Cikli “Një ditë me kuratorin” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën./KultPlus.com

Oriana Fallaci, portreti i mitit të gazetarisë përmes kumtimit të dy kolegëve

Nga Albert Vataj

Më 15 shtatur 2006 u shua Oriana Fallaci, një gazetare, një grua, një mit. Oriana Fallaci, ikona e gazetarisë dhe Zhan D’Ark e ambicies dhe vetmohimit të gruas në një rruzull dinjitetesh të nëpërkëmbura, anësishë dhe kufizimesh të mëdha që dikton predikimi i moralit të shekullit të XX e këndëj, strukur pas hekurave të konservatorizmit. “Një pikë bojë mjafton për të zgjuar mendime në miliona njerëz”. Kjo pikë boje e penën e Fallacit ka bërë që bota të ndalë frymën kur flet për këtë gazetare të madhe italiane, për penën e ndritshme të gazetarisë në shekullin e XX. Kjo është suaza ku Xhorxh Bajron korrnizon portretin e jashtëzakonshëm të Oriana Fallaci, gazetare dhe publicist, kronikane dhe shkrimtare, e cila ka plazmuar në eterin e shekullit të shkuar e në të tashmin, jo vetëm emrin dhe imazhin e femrës ngadhnjimtare, por edhe gruas vetmohuese për pasionin e saj të shenjtë, dëshmimin e lajmit, kushtrimin e zëshëm të lirisë së fjalës.

Shkrimtarja lindi më 29 Qershor të 1929 dhe u nda nga jeta më 15 shtator të 2006. Është gazetare, autore dhe intervistuese e njohur politike. Ajo intervistoi Sheikh Mujibur Rahman, Dalai Lama, Henry Kissinger, Shahu i Iranit, Ayatollah Khomeini, Deng Xiaoping, Willy Brandt, Zulfikar Ali Bhutto, Walter Cronkite, Muammar al-Gaddafi, Federico Fellini, Sammy Davis Jr, Nguyen Cao Ky, Yasir Arafat, Indira Gandhi, Alexandros Panagoulis, Arkpeshkvi Makarios III, Golda Meir, Nguyễn Văn Thiệu, Haile Selassie, Sean Connery dhe Lech Wałęsa.

Ky është portreti i panjohur i Oriana Fallaci-t, publicistes së panjohur më të madhe italiane, i bërë kur ajo ishte gjallë nga dy kolegë të saj më të rinj, Lucia Annunziata dhe Carlo Rossella

Nuk është intervistë. Dihet që Oriana Fallaci nuk jep më të tilla. Eshtë thjesht një portret që lindi ashtu rastësisht, rezultat i një përkimi të beftë (për fatin tonë të mirë) dhe i një miqësie të vjetër. Ne dhe Fallaci-n na shoqëroi në Neë York rastësia, e cila na vendosi në hall-in e një hoteli ku ne u gjendëm me Zemërim dhe krenari -në e saj në dorë. E kishim marrë nga botuesi në Romë tridhjetë e gjashtë orë më parë, pra në të njëjtin çast që po ankorohej edhe nëpër librari. Ndërkohë që në Neë York libri nuk kishte mbërritur dhe Fallaci nuk e kishte parë ende.

Që larg, ajo e dalloi menjëherë kapakun e kuq me shkronja ngjyrë ari. E kishte projektuar dhe dashur vetë, sepse edhe në kapakët e librave të saj ajo është e saktë deri në hollësinë më të vogël dhe e kujdesshme ndaj çdo nuance. Shenjë kuptimplote kjo e pasionit përkushtues që i rezervon ajo punës. Takimi me ato dy kopje të para ishte mbresëlënës. U lëshua me vrull drejt “librit të saj të dashur”. Dhe së bashku me librin na takoi edhe ne. Ajo që u shmanget dhe u largohet të gjithëve. Ishte mbrëmje, e enjte 13 dhjetor. Po ajo mbrëmje kur u transmetua shiriti-rrëfim i Bin Laden-it. Ne donim dhe duhet ta shihnim. Por edhe ajo donte dhe duhej ta shihte. Kështu, përfunduam në shtëpinë e saj. Pikërisht në atë kështjellëz të mbrojtur nga  dy palë kangjella dhe nga dera e cila nuk hapet kurrë. Që të tre u gjendëm përpara televizorit. Të mbërthyer pas ekranit duke dëgjuar Bin Laden-in, ose më mirë talljet që u ofronte ai qindra të vdekurve kur thoshte: “E kishim parashikuar, por nuk e pandehnim kaq…” Zërin e tij e pasonte Fallaci. Me zë të ngjirur, të mbushur me  zemërim dhe me dhimbje, ajo përsëriste vazhdimisht: “I mallkuar. I mallkuar. I mallkuar…”.

U takuam përsëri të nesërmen. Ne kishim marrë me vehte një regjistrues. E bindëm që të pranojë (“Të betohemi: nuk do të jetë një intervistë!”). Ishte kjo një ditë e gjatë. Dhe për habinë tonë ne u gjendëm në të njëjtën rrugë që ajo kishte përshkruar duke shkruar Zemërim dhe krenari. Siç do e shihni edhe forma përkon me të (kllapa, viza ndarëse, nënkapituj).  Ngadalë ngadalë, biseda u largua nga të rejat më të fundit, nga talljet e Bin Laden-it, nga thëniet e tij se e kishim parashikuar, por jo kaq… Pra, pak e nga pak, kjo bisedë mori formën e një portreti. Të portretit të saj. Një portret ky I skicuar me pasion.

LIBRI

Po  me pasion janë shkruar edhe ato faqe që ajo krejt pa vend i përmbledh me fjalën “libërth”. Ai botim sa i pritur aq edhe i papritur. Numri i kopjeve të shitura është marramendës. I paralajmëruar në mëngjesin e së martës, më 11 dhjetor dhe i dalë në libraritë në mëngjesin e datës 12, deri në mbrëmje vonë të po kësaj dite, të 200 mijë kopjet e botimit të parë ishin shitur pothuajse në të gjitha qytetet.Që nga ai çast, Zemërim dhe krenari vazhdon të ribotohet pambarimisht. Nga shtypshkronja e Rizzoli-t dalin çdo ditë 50 mijë kopje. Në prag të Krishlindjeve libri numëronte 500 mijë të tilla. Ai ofron pranë librarive edhe njerëz që nuk kishin hyrë kurrë më parë në to. Ata vihen në rradhë, presin dhe blejnë më shumë se një kopje…Një precedent ky i paparë në mjedisin e botimeve.

Por nuk është numri i kopje të shitura ai që ka rëndësi, por fakti se ky libër përvijoi në Itali konturet e një konflikti, atij mes botës perendimore dhe asaj islamike. Pa u mëdyshur për asnjë çast, pa “nëse” dhe “por”, pa pluskuar në ujrat e gjithçka-është-e mundur, e cila sipas saj përbën një nga të metat më të rënda të Itali-së, Oriana Fallaci e ka trajtuar çështjen me një thjeshtësi të hekurt. Jemi të ndryshëm, është shprehur ajo. Dhe për rrjedhojë edhe të papërputhshëm. Prapa kësaj lufte, vijon ajo, ka vetëm një zgjedhje: ajo mes qytetërimit tonë dhe besimit të tyre. Pra, zgjedhje mes nesh dhe tyre. Është hedhur pas krahëve epoka e ekumenizmit, sepse pozicionimi I tij I dhunshëm i hodhi në erë edhe rrënojat e fundit të “politically correct” (politikisht të rregullt). Po ashtu edhe koncepti i gjithëpërfshirjes në një shkallë të gjerë, i cili u përkthye praktikisht në një humbje identiteti. Edhe ideja e relativitetit kulturor, i cili rrugës u shtrembërua në relativizëm etik. Si dhe paaftësia për të vendosur dhe për të mbrojtur ndryshimin. (Folja “mbroj’ zë një vend kyç në fjalët e Fallaci-t dhe gjatë bisedës çështja që trajtohet shndërrohet në një thirrje).

Mos vallë duhet të na habisë fakti se përse kjo thirrje ndezi një zjarr të tillë debatesh dhe pikëpërputhjesh? Se përse një gjë e tillë ndodhi në një vend si ky i yni, i fuqishëm dhe gjithë muskujt, vend ky nga i cili fillon Jugu i Botës, një vend i rritur në ekuilibrin e paqëndrueshëm të Luftës së Ftohtë, një vend në të cilin emigrantët myslymanë shtien tmerrin dhe ku njësitë e Al-Qaida-s prodhojnë pasaportat e rreme? Po politikanët dhe intelektualët, dy kategoritë me të shënjuara nga Fallaci, a nuk e pyesin ndonjëherë vehten se përse ky libër shitet kaq shumë? Përse nuk bëhen kureshtarë të marrin vesh se përgjigjet e cilave pyetje kërkojnë qytetarët të cilët blejnë Zemërim dhe krenari ?

Ky libër njohu një sukses të jashtëzakonshëm, sepse qëndron shumë larg stisjes. Pas artikullit në gazetën Corriere della sera, i cili përmbante variantin e parë dhe të  shkurtuar të librit, Fallaci nuk ka shqiptuar qoftë edhe një fjalë të vetme në lidhje me të. Ashtu siç kishte  paralajmëruar, ajo nuk mori pjesë në debate, nuk iu përgjigj as ithtarëve dhe as denigruesve të saj. Dhe deri më 11 dhjetor, ditë kjo kur u bë e ditur dalja nga shtypi, ajo e detyroi botuesin e saj që t’i bindej një heshtjeje absolute. Kjo për shkak se, sipas saj, një pritje e paduruar mund të ngjallte ndonjë kureshtje të pavend. Sjellje kjo që bën pjesë në uni-n e saj. Që prej shumë vitesh, kjo dihet, Fallaci nuk përgjigjet në telefon. Ajo nuk ka as sekretari telefonike ku mund t’i lësh mesazh. Për të mbajtur lidhje me të, miqtë e saj duhet t’i nënshtrohen një sistemi shumë të ndërlikuar, sistem ky ku çdo miku i përket një numër i caktuar tingëllimash. Më pas është ajo që merr në telefon, por ndodh që edhe të numërojë zilet gabim dhe të flasë me mikun e gabuar…Rrallëherë e hap postën. Një herë i ra në të plot tetë muaj me vonesë se një letër e pahapur numëronte një shumë të mirë taksash të papaguara. Shkruan dhe nuk boton. Kishte dhjetë vjet që nuk i kishte ofruar lexuesit asnjë tekst të ri. Janë thjesht zakonet e saj dhe asgjë më shumë. Por vjen gjithnjë një çast kur papritur e papandehur ajo e thyen heshtjen e ngurtë. Duke dalë nga vetëmbyllja e saj. Ndërkohë, njerëzit reagojnë sikur ajo të kishte qënë e pranishme në çdo mbrëmje në ndonjë skenë apo në ekranin e televizorit. Sepse atë nuk e ka harruar askush, edhe në ato vite vetëmbylljeje. Të gjithë kanë vazhduar ta ndjekin, t’i flasin, t’i shkruajnë, t’i kushtojnë tituj gazetash dhe komente në televizion. Nderime pa fund, të cilave ajo u largoget gjithnjë e më shumë. Nuk shfaqet kurrë në televizion dhe nuk merr kurrë pjesë në debatet që kanë të bëjnë me të. Nuk firmos kopje në librari dhe, gjë ë jashtëzakonshme kjo, ajo nuk kundërpërgjigjet nëse dikush e sulmon. Shumë shumë mund të ngarkojë avokatët e saj që të bëjnë ndonjë kërkesë-padi.

Megjithatë, librat e saj vazhdojnë të shiten. Përveçse best-seller, ata janë edhe long-seller, pra libra jetëgjatë. Libri mbi luftën në Vietnam, i botuar në vitin 1969, Niente e cosi sia, ende vazhdon të shitet. Lettera a un bambino mai nato, i botuar në vitin 1975, tashmë njihet në të gjithë botën. Un uomo, i vitit 1979, ka fatin e pararendësit të tij.  Gjatë 22 vjetëve, ajo ka marrë me dhjetra kërkesa zyrtare për t’i shndërruar librat në filma, por asnjërit prej tyre nuk i është ndezur drita jeshile (për faj të saj, e cila sa kërkuese është me vehten, po aq është edhe me të tjerët, po aq sa e pableshme me para, aq edhe përbuzëse për to). Ndërsa pas tragjedisë së 11 shtatorit, Inshallah, romani që ka për bosht kundërshtitë mes botës perendimore dhe asaj islamike i është rikthyer kreut të renditjes së librave më të shitur.

Ndërkohë ata që ajo i quan gjinkalla (“Mos më detyroni të them emra. I shihni çdo ditë në televizor, i lexoni çdo ditë nëpër gazeta”), vazhdojnë ende ta sulmojnë. Por njerëzit e duan. Përplasje domethënëse kjo, në të cilën pasqyrohet rrugëtimi i mëdyshur i identitetit tonë kombëtar.

Të kuptosh atë sot, do të thotë të kuptosh edhe gjurmët që ka lënë në të ky sukses i pabesueshëm.

EYELINER

Të flasësh për të do të thotë të flasësh për luftën. Lufta është strumbullari i identitetit të saj si shkrimtare dhe si gazetare. Por ne do ia dalim mbanë. Sepse do flasim gjatë. Tani për tani le të ndalemi në kohën kur mes bisedave të miqve mbijnë çastet e shkuara. Flasim për vehten, për ne dhe për të. E shohim njëri tjetrin në sy dhe nxjerrim fjalë zemre.

Tek çdo gazetare e re e këtyre tridhjetë viteve të fundit dhe ndoshta tek çdo grua e re e emancipuar, mund të gjesh diçka nga bishtalecat e Oriana-s, tek vrapon me kokën ulur nëpër urën e Kien-Hoa-s e ndjekur nga plumbat vietnamezë. Gjen diçka edhe nga vija ndarëse e flokëve, ajo prerje e saktë që ndan ata  flokë të drejtë, të palyer dhe të gjatë. Në një kohë kur gratë frynin flokët dhe mbanin funde të shkurtra Chanel, Fallaci ofroi për të gjitha veçantinë e asaj që nuk mbante  as funde të shkurtra, nuk vinte as bikudina dhe nuk ndiqte modën. Ajo shërbeu si model për gratë e emancipuara, gratë e një brezi më të vonë, të cilat morën pjesë qoftë edhe në një luftë të vetme: në luftën si nëna, si bashkëshorte, si profesioniste apo si punëtore. Ato morën pjesë në këtë luftë duke huazuar stilin e saj: pantallona, këpucë të sheshta dhe aspak të lyera dhe të stisura.

Ky stil i përqafuar nga dashuria ose nga zori përmbante në vetvehte nuanca elegance. Ai nuk dëshmonte as shkujdesje dhe as sjellje burrërore. Sepse fytyra e saj e pastër dhe gjithnjë e shënjuar nga rrudha të parakohshme, rrudha këto të shkaktuara nga lodhja dhe tensioni, ka qënë një nga fytyrat mbi të cilat, në vitet ’60 dhe ’70, u ndërtua imazhi i Amerikë-s në kulmin e saj.

Kjo nuancë e papërsëritshme, pjesë e librit Women të fotografit të famshëm amerikan Francesco Scavullo, e rendit Fallaci-n në listën e 46 grave më tërheqëse dhe më të jashtëzakonshme të botës. “Nuk jam dikushi që u përshtatet rregullave thjesht sepse ato quhen të tilla” i tha dikur Fallaci Scavullo-s. Sigurisht që mbretëronin rregullat e modës dhe të bukurisë, por kjo batutë krijoi një manifest të pavarësisë nga lyerja dhe stisja si një lloj metafore. Një pohim ky që do u përshtatet më së miri vajzave të brezave të mëpasmë.

Ajo u shndërrua në këtë mënyrë në një simbol të gruas së kohës. Është e vështirë të parafytyrosh një grua më të kohës se ajo, e cila që në moshë të re bënte  “punë burrash” dhe “jetë burrash”. (Fakti që ka qënë korrespondente lufte është vetëm një anë e paraprirjes që i bën ajo kohës). Është po pjesë e modernizmit të saj edhe mospranimi për të ndjekur modën. Ajo mbante pantallona në një kohë kur në Amerikë një grua me pantallona nuk lejohej që të hynte në një lokal publik.  “A e dini nga sa restorante më ka nxjerrë jashtë, vetëm se isha veshur me pantallona?”. Gjithësesi, kur pantallonat filluan të bënin pjesë në veshjen femërore, ajo (njeriu me shpirt të përhershëm kundërshtimi) filloi të mbante funde dhe fustane. Edhe kjo modë e padëshëruar bën pjesë në modernizmin e saj. Siç është modern edhe një ves i saj: një vizë peneli mbi qerpikë. “E bëj shpejt e shpejt. Tak, tak, tak” i thotë ajo Scavullo-s. Ndërsa ai e përshkruan kështu: “Dy vijëza të zeza, të trasha, të drejta që ajo i bën vetë dhe që i zmadhojnë sytë e saj të mrekullueshëm lindorë.Ato dy vijëza u shndërruan në firmën e saj”. Një firmë kjo që ia nënshkruan ende fytyrën. Vitet nuk e kanë ndryshuar fytyrën e Oriana-s mbi urën e Kien-Hoa-s. As trupin e saj të imët dhe të dobët. As atë shprehje të lëvizshme dhe atë ngritje të papërmbajtur shpatullash që përbëjnë një tjetër tipar fizik të saj.

Por ka ndryshuar krehja e flokëve. Flokët e drejtë dhe të gjatë tashmë janë mbledhur pas qafës. Nuk i shkojnë dhe ajo e di këtë. Por i mban kasten kështu.  “Është krehja që bënin zotërinjtë në vitet ‘700, që nga Jefferson e deri tek Robespierre. S’kërkon shumë punë, është e rehatshme dhe plotësohet me një fjongo. Më pëlqen. Gjyshja ime thoshte: nëse nuk të pëlqej, ca më keq për ty, kthehu nga ana tjetër”. Ndërsa sytë e saj lindorë tani kanë më shumë rrudha: kjo dihet. Por ajo i do këto rrudha dhe i mbron me krenari. “Ato janë medaljet e mia”. / KultPlus.com

Kosova dhe viset e tjera shqiptare në rrethanat e shkatërrimit të Jugosllavisë së Versajes

Në prag të 80 vjetorit të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”

Nga Jusuf Buxhovi

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste si dhe ngjarjet që pasuan nga prilli i vitit 1939 e deri te shtatori i atij viti, kur Gjermania e Hitlerit hyri në Poloni me çka praktikisht filloi Lufta e Dytë botërore, nuk ishin tjetër pos një uverturë e konceptit nazifashist për krijimin e një aleance botërore ky do të përfshiheshin edhe vendet tjera. Natyrisht se në këtë rrugë, Berlini kërkonte të përfshinte edhe Jugosllavinë e Versajës, e cila paraqitej si një faktor i rëndësishëm në Europën Juglindore, veçmas pas zbarkimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nën trysninë e këtyre zhvillimeve ishte edhe marrëveshja e Hitlerit me Stojadinoviqin e 27 marsit 1941 me ç’rast Jugosllavia iu bashkua forcave të Boshtit. Por, do të jetë Britania e Madhe, e cila, ia doli që në Beograd të vejë në veprim aleatët e saj për ta rrënuar këtë pakt, që do të përcillet me kundërpërgjigjen ushtarake gjermane ndaj Jugosllavisë më 4 prill 1941, me ç’rast, për disa ditë Jugosllavia kapitulloi.Kjo ia lëshoi vendin copëtimit të vendit në disa pjesë, me ç’rast u krijua shteti kroat, ndërsa, pos krijimit të Serbisë kuislinge të Nediqit, pjesët e tjera iu nënshtruan shkapërderdhjeve: një pjesë e Maqedonisë iu nda Bullgarisë, disa komuna në perëndim, bashkë me një pjesë të Kosovës, iu bashkuan “Shqipërisë së Madhe” të krijuar nga Italia fashiste.

Por, si rrodhi shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës dhe si dukej skenari i ndarjes së hapësirës shqiptare midis aleatëve të Boshtit? Ishin këto realitete që Shqiptarëve ua hapnin përnjëmend udhët e bashkimit të pandalshëm? Apo, bëhej fjalë për zhvillime në të cilat ishin përfshirë për interesa të huaja ndaj të cilave duhej përfituar sa më shumë që të ishte e mundur pa harruar që ato të drejtoheshin në përputhje me interesin shqiptar, i cili nënkuptonte sjellje të përgjegjshme të të gjithë faktorëve të saj?

Këto dilema fitonin edhe më shumë në peshë kur dihej se shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës, më shumë ishte pjesë e ndëshkimit të saj pse ishte larguar nga Pakti Trepalësh me Boshtin, që e kishte nënshkruar më 27 mars me qeverinë e Beogradit se sa pjesë e ndonjë koncepti të mëhershëm se ajo duhej të shkatërrohej për t’u krijuar realitetet e reja në hapësirën e saj (nga shteti i pavarur kroat, Serbia e Nediqit e deri te “Shqipëria e Madhe”).

Megjithatë, bëhet e ditur se Hitleri që në mars 1941 e kishte bërë planin për pushtimin dhe ndarjen e Jugosllavisë. Ky plan përmbahej në direktivat e përkohshme për ndarjen e Jugosllavisë, në tri zona: atë gjermane, italiane dhe atë bullgare. Krahas formimit të shtetit të lirë kroat, edhe territori i Serbisë “së vjetër” vihej nën administratën ushtarake gjermane. Zbatimi i këtij plani ishte shpallur më 12 prill 1941 nga kryeshefi i Shtabit të Komandës Supreme të ushtrisë gjermane, gjenerali Keitel.

Edhe pse në parim ishte marrë vendimi që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i bashkoheshin “Shqipërisë së Madhe”, të cilën duhej ta drejtonte Italia, megjithatë midis Berlinit e Romës u shfaqën dilema rreth çështjes së kufijve. Kjo bëri që rreth kësaj çështje të mbahet një takim urgjent në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941 midis ministrit të jashtëm gjerman, von Ribentrop e atij italian, Kontit Çiano. Çiano kishte kundërshtuar kërkesat maksimaliste territoriale të Bullgarëve në drejtim të Maqedonisë edhe Kosovës. Italianët përfaqësonin qëndrimin që Bullgarëve t’u jepeshin sa më pakë toka shqiptare, meqë vetëm ashtu fitohej besimi i Shqiptarëve si partnerë të ardhshëm të rëndësishëm në rajon, ndërkohë që një Bullgari e Madhe dëmtonte këtë koncept. Meqë Bullgaria iu kishte bashkuar Paktit, edhe ndaj kërkesave të tyre duhej pasur kujdes. Kjo bëri që edhe atyre t’u jepej një pjesë e rrethit të Gjilanit, Vitia, një pjesë e Zhupës së Sirini qit dhe rrethi i Kaçanikut. Më vonë, në janar 1942 zona bullgare zgjerohet edhe me Podujevën, ndërsa më 17 janar 1943 me Mitrovicën e Vuçitërnën.

Pjesa tjetër ndahej midis Italisë dhe Gjermanisë. Kështu, në Vjenë u caktua vija e demarkacionit ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë (nga drejtimi i Vincit në Slloveni, nëpër Leskovien e Plitivicës e nëpër Udbinë dhe Donji-Lapac në Livno, Prejnj, Bjellashnicë) – Priboj mbi Lim – Nova-Varosh – Sjenicë – Novi-Pazar – Mitrovicë – Prishtinë. Sipas kësaj ndarjeje, Rrafshi i Duka-gjinit dhe pjesa më e madhe e Kosovës i takuan protektoratit shqiptar italian. Tri rrethe: Mitrovica, Vuçitërna dhe Podujeva i takuan zonës gjermane të okupacionit, përkatësisht Serbisë së Nediqit. Gjermanët, pra ishin të interesuar të mbanin xeherorët e Kosovës si dhe hekurudhat që lidhnin Beogradin me Selanikun, ndërsa për të tjerat mund të bisedohej me aleatët e saj.

Për pjesën e Kosovës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Maqedonisë që hyri në përbërjen e protektoratit italian të quajtur “Shqipëri e Madhe”, në verën e vitit 1941 u formua “Komisariati Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën”.Në krye të tij ishte Komisari i Lartë, Fejzi Alizoti, që kishte rangun e ministrit të qeverisë së Tiranës. Administrata u konstituua sipas asaj në Shqipëri, përkatësisht në Itali. Në dhjetor të atij viti, qeverisjen e këtyre viseve e mori Ministria e Viseve të Çliruara në Tiranë, e cila u suprimua në shkurt 1943. Në këto pjesë u formuan prefekturat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Dibrës e më vonë edhe ajo e Tetovës. Prefekturës së Pejës iu bashkuan edhe rrethet e Plavës e Gucisë, Rozhajës e Tutinit, Istogut dhe Drenicës. Rrafshi i Dukagjinit dhe pjesa e Kosovës në zonën italiane të okupacionit përfshinte rreth 500 mijë banorë. Shqiptarët e këtyre viseve, me vendimin e qeverisë së Tiranës, më 18 tetor 1941, automatikisht u bënë nënshtetas të Shqipërisë fashiste.

Pas bashkimit, Italia dëshironte që edhe Kosova dhe viset e tjera të shfaqeshin sa më shpejt me petkun fashist. Kështu, “Partia Fashiste e Shqipërisë”, e formuar më 2 qershor 1939 në Tiranë, nisi t’i hapë degët e saj në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe qytetet e tjera shqiptare. Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dha udhëzime shkollave, sipas të cilave ato kanë për detyrë “përhapjen e irre-dentizmit shqiptar dhe arsimimin në frymën e re”.

Për ndryshim nga zona gjermane dhe bullgare e okupacionit, ku si do të shihet, pati shumë vështirësi dhe mospajtime të Shqiptarëve me rrethanat në të cilat u vunë, veçmas në zonën e pushtuar nga Bullgarët. Në zonën italiane, nxitej jeta ekonomike dinamike: hapeshin punë, vazhdonte shfrytëzimi i xeheroreve, ngjallej tregtia me mallra të konsumit të gjerë, me drithëra etj. Që të përfitoheshin bejlerët, pushteti i Tiranës lejoi përtëritjen e marrëdhënieve çifligare.

Në Prizren u vendos selia e Komisariatit të Lartë dhe Shtabi i Forcave Italiane. Ky qytet, në të cilin u vendosen edhe përfaqësitë e shumta tregtare, ekonomike, administrative dhe kulturore, përjetoi një shkallë dinamike të zhvillimit dhe u bë njëri ndër qytetet më të zhvilluara shqiptare.

Por, gjendja nuk ishte e tillë në tri rrethet e Kosovës, që hynë nën zonën gjermane të okupimit, të cilat, së bashku me Novi-Pazarin, përbënin prefekturën e Kosovës me qendër në Mitrovicë, e cila, formalisht bënte pjesë në Serbinë gjermane të Nediqit dhe përfshihej në Banovinën e Drinës me seli në Uzhicë. Grupi i kombësisë shqiptare e kishte në Banovinën e Drinës të besuarin e saj në rangun e ndihmësbanit, i cili merrte pjesë në vendosje për të gjitha çështjet që kishin të bënin me Kosovën.

Sipas dekretit të “Këshillit të Komisarëve”, që nxori Milan Aqimoviqi më 6 gusht 1941, Prefektura e Kosovës, në krye të rretheve (nënprefekturave) kishte nënprefektët, pjesëtarë të shumicës (Shqiptarë), kurse zëvendës të tyre ishin pjesëtarët “e pakicës prej së paku 25%” (do të thotë Serbë), nëpunësit e tjerë ishin nga radhët e Shqiptarëve dhe Serbëve në përpjesëtim me raportin e tyre, numrin në rrethe (nënprefektura). Kjo vlente edhe për xhandarmërinë. Emërimin e bënte “pushteti administrativ serb në Beograd”, kurse emërimi i personelit të Shqiptarëve bëhej “në pajtim me udhëheqësin e grupit të kombësisë shqiptare”.

Krahas të ardhurave financiare, të administruara në përputhje me nevojat e prefekturës së Kosovës të përfshira në zonën okupuese gjermane, Shqiptarët kishin të drejtën e shkollave shqipe, por i obligueshëm ishte edhe mësimi i gjuhës serbe. Personeli arsimor në shkollat shqipe emërohej nga Ministria e Arsimit me propozimin e udhëheqësit të grupit të kombësisë shqiptare.

Në rajonin e Qarkut të Kosovës, ishte stacionuar një regjiment i ushtrisë gjermane, nga përbërja e Divizionit 717 të këmbësorisë, i cili gjithashtu qendrën e kishte në Mitrovicë. Por, në Qarkun e Kosovës ishte formuar edhe “Xhandarmëria shqiptare”, nën komandën e kolonel Bajazit Boletinit, oficer i ishushtrisë jugosllave, e përbërë prej rreth një mijë pjesëtarësh. Aty ishin edhe njësitë e “Rojës shtetërore serbe”, në të cilat më shumë se dy të tretat ishin Shqiptarë, dhe të cilat një kohë ishin nën komandën e Ali Bej Dragës, të birit të Ferhat Bej Dragës, udhëheqësit të “Grupit të Kombësisë Shqiptare”. Aty ishin edhe aradhet çetnike të Kosta Peçancit, të cilat kishin njësi “vullnetarësh” të shpërndara nëpër katunde bashkë me formacione të tjera.

Për të luftuar që Kosova dhe viset e tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, tani të shpërndara në tri zona okupuese, t’i bashkoheshin sa më shumë një tërësie (me këtë rast Shqipërisë së Madhe), në maj të vitit 1941 në Kosovë kishte kaluar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës”, me në krye Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar e Xhelal Mitrovicën – sekretar, në përbërje të të cilit gjendeshin edhe Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë.

Një numër i anëtarëve të Komitetit u ndalën në Prizren, kurse pjesa tjetër, në krye me Bedri Pejanin, shkoi në Mitrovicë, në mënyrë që atje të vepronte që edhe kjo pjesë e Kosovës të përfshihej në “Shqipërinë e Madhe”. Në Mitrovicë, Komiteti filloi botimin e gazetës “Kosovari”, e cila bënte thirrje të vazhdueshme që edhe kjo pjesë t’i bashkohej shtetit të përbashkët shqiptar nën protektoratin italian.

Tema e “bashkimit shqiptar”, do të ndajë Komitetin në dysh. Në proitalianë (Ferhat Draga dhe Bedri Pejani, të cilët angazhoheshin që kjo pjesë e Kosovës të ndahej nga “shteti” i Nediqit dhe t’i bashkohej Shqipërisë) dhe në pro-gjermanë (Xhafer Deva, i cili më shumë e dëshironte autonominë e Shqiptarëve nën Gjermaninë me anën e së cilës mund të arriheshin hap pas hapi aspiratat kombëtare të Shqiptarëve, që sipas tij kërkonin një mbështetës të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e cila bashkimin e Shqiptarëve do ta shohë edhe si interes të saj për një aleat të fuqishëm rajonal).

Për t’i pajtuar këto dallime, do të përkujdeset “Lidhja Kombëtare Shqiptare”, që do të themelohet në Mitrovicë me në krye Ali Dragën, i cili, si prijës i “Grupit Shqiptar” përfaqësonte Shqiptarët para pushtetit okupues gjerman. Sekretar i “Lidhjes” ishte Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, ish kryetarit të qeverisë mbretërore shqiptare dhe kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Regjencës së Shqipërisë (pas kapitullimit të Italisë).

Në këto rrethana, pra, do të zhvillohet edhe jeta politike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë italiane, por edhe në pjesët në zonën okupuese gjermane, me përjashtim të zonës okupuese bullgare, e cila e tëra iu nënshtrua bullgarizimit dhe me të shpejtë bashkoi Shqiptarët që të veprojnë kundër saj. Si do të shihet, ajo nuk kishte preokupim luftën kundër fashizmit, siç ndodhte në Shqipëri që nga fillimi, por luftën si do të arrihej që bashkimi kombëtar, ndonëse me vështirësi nga shkaku i ndarjes në tri zona okupuese, të kthehej në një realitet të përhershëm.

(Shkëputje nga libri “Kosova histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021, faqe 430-434). / KultPlus.com

7 arsye pse duhet të studioni Gjuhë Angleze

Barometri i punësimit tregon se një nga ekspertizat primare për punësim është edhe të njohurit dhe përdorimi profesional i gjuhës angleze.

Një studim i kryer nga Zyra e Karrierës në UNI – Universum International College, e konfirmon se shumica e punëdhënësve e vlerësojnë ekspertizën (njohuritë) në Gjuhën Angleze si kusht paraprak për punësim.

Në vazhdim do njiheni me disa nga benifitet nga të studiuarit Gjuhë Angleze në UNI – Universum International College:

1. Përdorimi global i Gjuhës Angleze: Gjuha Angleze është gjuha e komunikimit global dhe shpesh përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtare, biznes, dhe shkencë. Studimi e kësaj gjuhe ju jep aftësinë të komunikoni me njerëz nga kultura të ndryshme dhe të përdorni burimet globale.

2. Mundësi të punësimit: Pas diplomimit, njohja e mirë e Gjuhës Angleze ju hap rrugë për mundësi të punësimit të shumta në fusha të ndryshme. Puna në kompani ndërkombëtare, mediat, diplomaci, dhe sektorin e turizmit janë disa nga opsionet e mundshme.

3. Përgatitja për studime të larta: Nëse keni në plan të vazhdoni studimet në nivele të larta, njohja e mirë e Gjuhës Angleze është shpesh kërkesë e universiteteve dhe programeve të masterit në nivel ndërkombëtar.

4. Krijimi i aftësive të komunikimit: Studimi i Gjuhës Angleze ju ndihmon të zhvilloni aftësi të mira të komunikimit, shkrimi, dhe analizës, që janë të rëndësishme në çdo fushë të jetës.

5. Eksperiencë ndërkulturore: UNI ofron një mjedis shumëkulturor, ku mund të mësoni dhe ndjeni kulturat e tjera në mënyrë të drejtpërdrejtë.

6. Shpërndarja e dijes dhe aftësive: Studimi i Gjuhës Angleze ju jep mundësinë për të ndarë dijen dhe aftësitë tuaja me të tjerët, duke marrë pjesë në aktivitete akademike dhe kulturore në UNI.

7. Përshtatja në një botë të ndryshuar: Në një botë ku teknologjia dhe globalizimi po ndryshojnë mënyrën si jetojmë dhe punojmë, njohja e Gjuhës Angleze është e rëndësishme për të qëndruar të përditësuar me zhvillimet e fundit. Në përfundim, studimi i Gjuhës Angleze në UNI është një zgjedhje e shkëlqyer për ata që duan të zhvillojnë një karrierë ndërkombëtare, të përmirësojnë aftësitë e tyre të komunikimit, dhe të pasurohen nga një mjedis shumëkulturor. Ky artikull mund të ndihmojë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e këtij studimi në këtë institucion të arsimit të lartë.

Pajisu me diplomë të njohur nderkombëtarisht, nga UNI – Universum International College i cili menaxhohet nga Arizona State University.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në facebook dhe instagram

Nis ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar, qendra që do t’i sjellë frymë të re shkencës në Kosovë

Në një hap të rëndësishëm drejt ndriçimit të një kapitulli të ri në shkencën dhe kulturën e astronomisë, Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës po zë formë si një ndër projektet më frytdhënëse në vendin tonë, shkruan KultPlus.

Nisma e kësaj iniciative ka gjetur frymëzim dhe drejtim nga Pranvera Hyseni nga Astronomy Outreach Kosovo e cila ka qenë në një vizitë studimore në NASA dhe tashmë angazhimin e saj e ka kthyer në një ndër ndërtesat kulturore dhe edukative më të pritshme për qytetarët e Kosovës.

Projekti i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar është shtrirë në një sipërfaqe në Komunën e Shtimës dhe do të kryejë detyrën e tij të rëndësishme si një qendër astronomike multifunksionale, duke hapur një dritare të shkëlqyer për shkencën në Kosovë.

Pranvera Hyseni, e njohur për përkushtimin e saj ndaj nxitjes së interesit të rinisë ndaj shkencës, ka shprehur bindjen se ky projekt do të sjellë frymë të re për fushën e astronomisë dhe do të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit për universin e pafundësisë.

“Shihemi së shpejti në qendrën astronomike multifunksionale që do ti sjellë frymë të re shkencës në Kosovë”, shprehet Hyseni.

Planetariumi i planifikuar do të jetë një mrekulli teknologjike që do të mundësojë përjetimin e ngjarjeve të shumta të kozmosit në një mënyrë interaktive.

Observatori dhe Planetariumi Kombëtar do të shërbejë si një burim i pasur i njohurive dhe informacionit për të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë rreth botës së astronomisë.

Me ndërtimin që është në rrugë, shpresat dhe interesimi për botën e astronomisë në Kosovë janë ngritur në një nivel të ri. / KultPlus.com

Elsa Lila rikthehet në Tiranë me një koncert madhështor

Është rikthyer gjithmonë në qytetin e saj, nga ku nisi shumë vite më parë, atëherë kur ishte aq e vogël sa vështirë se kishte fuqi të perceptonte mrekullinë që ndodhi prej sekondës së parë që lëshoi tingujt e zërit të saj magjik.

Kanë qenë projekte të ndryshme muzikore, televizive, (siç ishte “The Voice of Albania” në Top Channel), festivale (siç ishte dhe ai i një viti më parë ku shënoi suksesin e radhës me “Evita”) që e kanë nxitur të rishfaqet në skenë e në ekran. Por asnjëherë për një koncert të sajin, në të tilla përmasa, të cilin po e përgatit ta sjellë tani.

Ajo ende nuk ka shpallur asnjë lajm, por burime nga stafi organizativ na pohojnë se është krejt zyrtare: Koncerti titulluar “Finalmente Elsa” do të sjellë në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve të parin recital të saj.

“Do të jetë pa diskutim një koncert nga fillimi deri në fund live. S’mund të tingëllojë ndryshe, veçse krejt i vërtetë, një koncert nga Elsa Lila, artistja që po vazhdon ta sfidojë fort veten dhe kohën ku jeton e nga bashkëpunëtorët e saj, të tjerë artistë të njohur italianë, me të cilët po realizon prej kohësh projekte të shumta muzikore në Itali”, konfirmojnë për Top Channel të njëjtat burime.

Ekipi muzikor e ka nisur punën përgatitore prej ditësh, andej detit, për të na sjellë këndej në Tiranë një repertor të larmishëm e special muzikor…ku vendin kryesor do ta zërë muzika shqiptare, pa lënë mënjanë kurrsesi edhe atë italiane. Kujtojmë që suksesi i radhës i Elsa Lilës pas “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtje” në Shqipëri, ishte ai i Sanremos me “Valeria” dhe “Il senso della vita”.

Kështu është e ndarë jeta e saj artistike, mes kulturës së dy vendeve, që do të jenë dhe dy shtyllat e forta të koncertit të saj. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, detajet e edicionit të 18-të

Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi u mbajt konferenca për mediat për edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Ky edicion do të sjellë pranë publikut 49 filma, të cilët do të shfaqen në datat 18 deri 23 shtator në kinemanë e Marubit si edhe në institucione të tjera si Parlamenti i Shqipërisë, Autoriteti i Dosjeve, Akademia e Policisë, Shkolla e Magjistraturës, kinema “Maks Velo” Laprake, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, etj.

Filmat lidhen drejtpërdrejtë me temën e këtij edicioni: “E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”.

Konferenca për shtyp drejtohej nga regjisori i mirënjohur, prof. Kujtim Çashku, themelues i festivalit.

Kosova, Ukraina, Izraeli, Italia, Rusia, Palestina, Hungaria, Gjermania, Uganda etj janë shtetet ku shtrihet harta e filmave të këtij edicioni, duke sjellë raste të ndëshkimit e mosndëshkimit.

Edicioni i 18-të i IHRFFA do të çelet me filmin italian “Shocking marriage” me regji të Demetrio Casile, i cili do të jetë i pranishëm në Tiranë, së bashku me aktorin protagonist Natale Bova.

“Shocking marriage” është një satirë e pamëshirshme kundër sistemit arrogant dhe të mbushur me padrejtësi sociale, tipik i botës mafioze. Filmi rrëfen në mënyrë komike martesën e motrës së bukur të një mafiozi me djalin më të druajtur të qytetit. Origjinal, ironik, zbavitës dhe herë pas here surreal.

Filmi do të shfaqet në sallën e kinemasë të Akademisë “Marubi” dhe hyrja do të jetë e lirë.

Akademia Marubi, fotot nga Agim Dobi. / KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme në eventin ‘Vogue World’ (FOTO)

Rita Ora mahniti me një fustan të zi teksa ecte në tapetin e kuq në Theatre Royal Drury Lane për shfaqjen botërore të Vogue të enjten.

Për një nga netët më të mëdha të modës të vitit, këngëtarja, 32 vjeçe, ktheu kokën me fustanin e saj me bisht peshku që shfaqte një korse të tejdukshëm.

Rita mblodhi flokët e saj bjonde në një topuz të lartë dhe zgjodhi një grim delikate me buzë nudo, shkruan DailyMail.

Duke pozuar për foto, asaj iu bashkua Twiggy, 73 vjeç, e cila kishte veshur një kostum të kuq prej kadifeje dhe një papijon të zi.

Ngjarja – e quajtur përgjigja e Britanisë për Met Gala-n ikonë – do të ketë një legjion të të pranishmëve të yjeve.

Vogue World do të shërbejë si një mbledhje fondesh për industrinë e arteve interpretuese të Britanisë, me kryeredaktoren e revistës Anna Wintour që do të mbikëqyrë punimet dhe redaktori i Vogue Edward Enninful gjithashtu i pranishëm.

Dyshja u shfaqën të bashkuar teksa po ecnin në tapetin e kuq së bashku pas raportimeve për një luftë për pushtet mes të dyve.

Kodi i veshjes do të jetë ‘Nata e Hapjes’, me një skenë të zbukuruar me perde prej kadifeje të kuqe si gjaku.

Ngjarja e parë e Vogue World paraqiti një shfaqje mode dhe panair rruge kur u zhvillua në lagjen e paketimit të mishit të Nju Jorkut në vitin 2021, por ceremonia në Londër pritet të jetë një ngjarje më madhështore.

E ideuar nga regjisori fitues i BAFTA dhe Olivier, Stephen Daldry, drejtoresha e shfaqjes Emily Burns dhe producenti kreativ Fran Miller, së bashku me ekipin e Vogue, mbrëmja do të shfaqë një gamë të gjerë artesh interpretuese.

Të ftuarit do të shikojnë opera, balet dhe teatër në ngjarjen që mbahet në fillim të Javës së Modës në Londër dhe vepron për të zbuluar dhe shfaqur talentin.

Dizajnerët kontribuues për të ftuarit dhe interpretuesit përfshijnë 16Arlington, Ahluwalia, Burberry, Charles Jeffrey LOVERBOY, Erdem, Maison Margiela dhe SS Daley, mes shumë gjigantëve të tjerë të modës. / KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin: Ti po vret të gjithë intelektualët, me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpuctarët dhe teneqexhinjtë

Nga Daniela Vathi

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…

Burimi: http://www.albanianews.it/wp-content/uploads/wp-post-to-pdf-cache/1/sabiha-kasimati-shkencetarja-shqiptare.pdf

Nënshkruhet marrëveshja e grantit 34 milionësh mes Kosovës dhe USAID’it, Hovenier: Manifestim i përkushtimit tonë ndaj Kosovës

Është nëshkruar marrëveshja e grantit për objektiva zhvillimore mes Kosovës dhe USAID’it në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarëve.

Në emër të Kosovës ka nënshkruar Presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në emër të USAID’it, U.D drejtoresha e USAID’it, Kerry Monaghan Hogler.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Pas përfundimit të këssaj ceremonie, Osmani dhe Hovenier janë deklaruar për media.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe USAID-it tha se sot u nënshkrua marrëveshja prej më shumë se 34 milionë dollarësh për të mbështetur aktivitetet e shumta të USAID-it në Kosovë.

Hovenier theksoi se me këtë konfirmohet partneriteti afatgjatë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së me popullin e Kosovës.

“Ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit të Kosovës”, tha Hovenier. / KultPlus.com

Një pulovër i Dianës shitet për 1,14 milionë dollarë

Pulovra me motive baritore e princeshës së Uellsit, Diana, është shitur për 1,14 milionë dollarë (920 000 paund) në ankand.

Pulovra e kuqe që princeshë Diana veshi kur ishte e sapofejuar në një ndeshje polo në qershor 1981, u shit për 1 143 000 dollarë në ankandin Sotheby’s në Nju Jork, duke tejkaluar parashikimin prej 50 000 – 80 000 dollarë.

Pulovra, e cila ka një dele të zezë midis një rreshti me dele të bardha, u zbulua në një papafingo në muajin mars nga stilistja, Joanna Osborne.

Organizatorët e ankandit nuk e zbuluan identitetin e blerësit.

Sotheby’s e përshkroi pulovrën me motive të çuditshme të deleve bardh e zi si një nga modelet e para të Sally Muir dhe Joanna Osborne të trikotazheve të ngrohta dhe të mrekullueshme të krijuara në 1979.

Shënimi i katalogut të Sotheby’s thotë “e veshur nga Diana Spencer në 1981 në një ndeshje polo të princit Charles”.

Së bashku me një fotografi të vërtetuar nga Sotheby’s, kjo pulovër me motive baritore e humbur dhe e gjetur në një papafingo konfirmohet të jetë veshur nga princesha Diana 40 vjet më parë.

Ankandi online u hap më 31 gusht, në 26 vjetorin e vdekjes së Dianës në një aksident automobilistik në Paris./ atsh /KultPlus.com

66-vjetori i përurimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës

Më 15 shtator 1957, u përurua Universiteti Shtetëror i Tiranës.

Nxënësit dhe publiku i kryeqytetit ishte i ftuar në këtë ditë të “dyerve të hapura” për të vizituar Universitetin, fakultetet, katedrat dhe laboratorët. Në fillesat e tij, Universiteti Shtetëror i Tiranës kishte 6 fakultete. Zanafillën për ngritjen e institucionit të parë të arsimit të lartë në Shqipëri, e gjejmë në vitin 1946 me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, me hapjen e Institutit të Shkencave.

Universiteti u themelua me Vendim të Këshillit të Ministrave më 30 maj 1957. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik. Mbi bazën e shkrirjes së këtyre instituteve, u krijua Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitetet e huaja dhanë kontributin e tyre në përgatitjen e gjeneratave të reja. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell publikon dokumentin e njoftimit të Rektoratit të Universitetit për ditën e inaugurimit, mesazhe urimi nga akademikë të huaj, si edhe fotografi nga dita që shënoi një pikëkthese në historinë e arsimit të lartë në vend. / atsh / KultPlus.com

Bukuria e të qenit sërish i lirë

Somer Shahsta (Siri)-

(Mbi romanin “Vdekja e Anilës” të Ibrahim Kadriut, botuar në Siri.)

Romani i shkrimtarit kosovar Ibrahim Kadriu (1945) “Vdekja e Aneelës”, botuar së fundi në përkthimin e Adnan Muhamedit nga “Dar Al-Hiwar”; Flet për një minoritet shqiptar që ishin të përcjellë dhe përndjekur  nga serbët. Ky është një titull i gjerë për leximin e tekstit, i cili përfshin një titull tjetër, që është sistemi  i spiunazhit që autoritetet vendosin brenda partisë së pakicës shqiptare duke i sigurua  asaj mjetet që i nevojiten për mashtrim, siç janë librat e ndaluar, përmes të cilave ajo fut në grackë viktimat e saj, duke e kamuflua atë me një fjalim, që duket të jetë tejet patriotik dhe revolucionar, dhe më pas duke e rekrutuar atë për të vazhduar operacionet e tij  si një mërgimtar jashtë kufijve.

 E thënë thjesht, dhe me një soditje të vogël të tekstit dhe projeksioneve të tij brenda shoqërive arabe, ne shohim një model mbizotërues të “intelektualit të majtë” arab në formën e tij më të qartë dhe të papërpunuar (natyrisht, ky majtizëm ka vetëm mbulesat e tij). Madje mund ta ekzagjeroja duke thënë se teksti tregon historinë e një modeli të shëmtuar që me betejat e tij të vogla ka shkatërruar kauzën e popullit të tij. Ajo që e bën atë një roman të veçantë është zbulimi tronditës i këtij modeli të ngjashëm me sëmundjen që përhapet në mjedise të shtypura. Romani e lë lexuesin të ekspozuar ndaj pyetjeve themelore, më e fundit prej të cilave është zbulimi i ashpër i thelbit të njeriut nën shtypje.

 Një komplot detektiv që tregon rekrutimin e njerëzve kundër tyre dhe familjeve të tyre

 Pra, romani tregon një histori që nuk është aq larg nga ne sa e pret lexuesi. Përkundrazi, mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë i bën represioni politik shoqërive, si i mbyt zërat autentikë duke i lidhur me llumrat dhe shpjegon në një masë të madhe mosbesimin që prek njerëzit që i nënshtrohen regjimeve policore. Gjëja që shohim tek vëllai i asaj modeleje, i cili po dëgjon fshehurazi informimin e vëllait për të, është se ai ka një armë. Oficeri serb e lejon atë të dëgjojë gërvishtjet që t’i thotë: Shih, medito, ji vigjilent; Ja pse humbasin shqiptarët, siç shpif vëllai për vëllanë.

 Për sa i përket detajeve të romanit, bëhet fjalë për një të ri, i quajtur Gani Shyti, ose ky është emri i tij në fillim të romanit dhe do të ndryshojë me ndryshimin e rolit që i ka caktuar regjimi. Është përgatitur nga policia për të qenë mjet. Ai po përhapte libra të ndaluar mes studentëve dhe po i arrestonte, diçka që vazhdoi të bënte derisa ra në dashuri me një vajzë dhe e implikoi atë. Kur ishte gati të korrigjonte gabimin e tij, e vrau për të shmangur akuzën e përdhunimit dhe më pas mbajti një fjalim entuziast dhe frymëzues  për të ndjerën, deri në atë pikë sa provokoi demonstruesit dhe u arrestua së bashku me te tjerët.

Në burg izolohet nga shokët dhe takohet me  kreun e sektorit të sigurimit, pasi planifikojnë që të zhduket dhe të shkojë në një qytet tjetër, me qëllimin që më vonë të shfaqet si një aktivist  i dëbuar. Megjithatë, ajo që ndodh është se një letër anonime që tregon se çfarë ka ndodhur me vajzën, me Anilën, ndryshon planet e shërbimit të sigurimit, i cili vazhdon të investojë tek Gani Shytin  duke bërë ndryshime në pamjen e tij, duke i vendosur një emër me dokumentacion  të ri dhe duke e dërguar atë. në Gjermani, për të kryer atentatin mbi një aktivist të kauzës kombëtare . Kjo është pjesa bazë e komplotit dhe ne lexojmë në dimensionet e saj aftësinë e regjimit për të prodhuar kundërshtarët e tij. Diçka që të kujton – ndonëse rastësisht – distopinë e famshme të George Orwell “1984”, pasi kundërshtimi i regjimit duket i kotë, sepse vetë regjimi është ai që krijon kundërshtarët e tij.

 Një imitim i një modeli të shëmtuar që shkatërroi kauzën e popullit të tij me betejat e tij të vogla

 Deri më tani, ana negative  e historisë po shfaqet. Nga ana tjetër, Kadriu  tregon ndryshimin e papritur që ndodhi në vetë Gani Shytin dhe emri i tij u bë Genc Plepi. Pasi mbërriti në Gjermani dhe takoi shqiptarët; ndërgjegjja filloi ta brente  derisa i hynë dyshimet për realitetin e rolit të tij. Dashuria që e vrau, Anela, është kthyer për ta torturuar dhe për t’i goditur ashpër ndërgjegjen. Përveç pyetjeve të tij për të ardhmen e tij, për nevojën e tij për të mësuar, për të hyrë në kolegj dhe për të marrë një diplomë universitare. Diçka bëhet e vështirë sapo punëdhënësit e lajmërojnë për faktin se Ganiu tani më  është dikush tjetër, dikush që ka vdekur dhe një refugjat afgan është varrosur në emër të tij, dikush reputacioni i të cilit në qytetin e tij është përkeqësuar dhe për të cilin nuk ka më mundësi  kthimi.

 Në këtë hapësirë pa emër, Ganiu  fillon të përjetojë mërgimin që regjimi i ka krijuar. Këtu, Kadriu bën një depërtim në rrëfimin e tij; Ganiu  vendos të kthehet kundër punëdhënësve të tij. Ai kishte lexuar disa nga librat e ndaluar që i kishin dhënë; Librat e ndryshuan, dhe shqiptarët që e takuan me dashamirësi dhe miqësi si një  shqiptarë i pa krah dhe i vetmuar në Gjermani  duke kuptua se edhe banesa të cilën e kishte marrë me qera ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kjo e bën Ganiun që ta vendos revolen në tavolinë para  patriotit në mërgim duke kërkua prej tij ta vriste atë. Ai aty për aty vendosi të pendohej , të ballafaqohet me të kaluarën dhe ndërtonte të ardhmen e tij ashtu sic kishte ëndërrua që në fillim para se ta rekrutonte pushteti për aksione të ndjeshme.

​Romani dëshmon këtë transformim rrënjësor të personazhit, një transformim që e kthen modelin në pafajësinë e tij, sikur poshtërsia me të cilën u shfaq të ishte poshtërsia e shtypjes politike dhe poshtërsia e sistemeve që i detyrojnë njerëzit në role që bien ndesh me natyrën e tyre. . Ky është një interpretim. Ndoshta Kadriu e donte që modeli të cilin e paraqiste  mund ta ketë lejuar atë të shikojë nga afër realitetin e atyre që i dëmtonte, përveç solidaritetit të treguar nga banorët e qytetit të tij, kur shtëpia e vëllait të tij u dogj, pa qenë në gjendje të komunikonte me vëllain e tij nën identitetin e tij të ri.

Romani, me komplotin e tij detektiv që tregon rekrutimin e njerëzve kundër tyre dhe familjeve të tyre, ka një dimension emocional që e kthen historinë në momentin përfundimtar. Duket sikur përpjekja më e madhe e romanit është të na thërrasë të jemi ose të kthehemi tek qenia njerëzore. Është diçka për të cilën lexuesi bëhet i sigurt, teksa vëzhgon dhe ndjen ndryshimet e personalitetit në fazat e fundit të tij. Rritja e ndjeshmërisë ndaj asaj që sheh, asaj që dëgjon dhe asaj që po ndodh rreth tij. Është sikur ka hyrë në një fazë letrare që e shtyn të bëhet një person i ri, ose të heqë dorë nga një pjesë e jetës së tij, për t’u rikthyer në të qenit i lirë. Ky është një transformim që i përket tërësisht krijimtarisë  letrare dhe është e vështirë të shihet në realitet. Ato janë shpresat e letërsisë, jo rezultatet e jetës.

(Gazeta: “al-Arabi al- Jadid”, 12 shtator 2023) – përktheu nga arabishtja Ejup Ramadani. / KultPlus.com