Në galerinë “Qahili” nesër do të organizohet ekspozita me punime dhe ilustrim të artistit, Zamir Mati, piktor i merituar, ku edhe do të ketë diskutime nga arkeologu i fjalës shqipe në shkrime prehistorike të Mesdheut, Ilir Mati, dhe në mënyrë paralele, promovim post-mortum të librit të shkrimtarit Kiço Blushit, “Beni ecën vetë”, shkruan KultPlus.
Ekspozita, diskutimi dhe promovimi janë të përmbledhura në një emër, “Udhëtojmë” dhe kjo seri aktivitetesh do të zhvillohet duke e reflektuar konceptimin e udhëtimit, pasi do të shfaqen momente të ndryshme nëpër të cilat vet njerëzit kanë kaluar, e që në të cialt njëkohësisht edhe janë rritur.
Arti dhe udhëtimi janë të ndërthurura, pasiqë këto të dyja përfshijnë hulumtimin, kreativitetin dhe shprehjen e përvojave njerëzore. Koncepti i udhëtimit në aspektin sociologjik është një temë shumështresore që përfshinë forma të ndryshme të lëvizjes dhe kërkon mënyrat e thella në të cilat lëvizja ndikon në jetën individuale dhe shoqërinë në përgjithësi.
Udhëtimi nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen fizike, por edhe me dinamikat sociale, kulturore, ekonomike dhe politike që lidhen me të. E të gjitha këto elemente ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme në krijimin dhe rritjen e secilit individ. Andaj edhe kjo është njëra nga mënyrat e trajtimit të temave të ndryshme të artit pamor, të shkrimit si dhe të hulumtimeve arkeologjike.
Eventi do të fillojë nga ora 17:00 në Galerinë “Qahili”. /KultPlus.com
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka siguruar se plani i paraqitur nga pesëshja diplomatike e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, është tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, shkruan KultPlus.
Siç njofton i pari i Kuvendit, nuk do të ketë diskutim e as negocim për asociacionin, pasi, sipas tij, ai nuk është temë qendrore e negociatave me Serbinë.
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”, ka thënë Konjufca.
Ai gjithashtu shtoi se nëse do të ketë ndonjë propozim i një drafti të asociacionit, atëherë vetëm Qeveria e Kosovës do ta bëjë atë. /KultPlus.com
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së aktores Roza Anagnosti, Nderi i Kombit, Ministria e Kulturës dhe Arkivi Qendror Shteteror i Filmit organizojnë një event për të festuar dhe nderuar aktoren e madhe.
Kjo ditëlindje përkon me Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive që festohet çdo vit më 27 tetor, një datë që ka shumë arsye për të festuar dhe që do të kurorëzohet me premierën e filmit të restauruar, “Mësonjëtorja” (Muharrem Fejzo, 1979).
Aktiviteti do të organizohet në Kinema “Millennium”, fillimisht me një pritje dhe nderim për Roza Anagnostin dhe më pas rreth orës 17:00 do të shfaqet filmi i restauruar “Mësonjëtorja”.
Filmi “Mësonjëtorja” u restaurua falë punës së përbashkët mes Harabel Contemporary Art Platform, Abi Bank dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, një partneritet që do të vazhdojë të punojë së bashku për restaurimin e trashëgimisë kombëtare filmike. /ATSH /KultPlus.com
Trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, ka arritur edhe një tjetër suskes madhështor, shkruan KultPlus.
Xhudisti Akil Gjakova ka siguruar një tjetër medalje për Kosovën, duke fituar medaljen e argjendtë pas pesë fitoreve në Grand Slam të Abu Dabit.
Gjakova ka siguruar 700 pikë për Lojërat Olimpike.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka i është gëzuar suksesit të Gjakovës.
Postimi i tij:
“Grand Slam Abu Dabi … Medalje e argjendtë me vlerë të artê! Akil Gjakova pas afër 2 vitesh i kthehet medaljeve të mëdha! Plot 5 fitore u deshën për të arritur në finalen e madhe! Garuesit nga Bahamas,Finlanda,SHBA si dhe Kazakistani u mposhtën me xhudo efikase dhe në finalen e madhe me Uzbekun humbi pas një beteje të madhe. Bravo Akil 👌 700 pikë Olimpike që janë vizë për Lojëra Olimpike! Lëndimet e probleme tjera qofshin te kaluara dhe po besoj shumë që do ecim tutje drejt medaljeve tjera! Loriana kategoria 70 kg e pafat sot! Fitoj kundër holandezes e mandej humbi kur ishte më e mirë kundër Austriakes Polleres. Neser garon Shpati Zekaj debuton në Grand Slam presim paraqitje të mirë”, shkruhet mes tjerash.
Loriana Kuka gjatë ditës së sotme humbi në garën e dytë, ndërkaq Shpati Zekaj do ta ketë paraqitjen e parë nesër në Grand Slam. /KultPlus.com
Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.
Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”.
Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.
Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.
Rifat Kukaj, vdiq më 11 shtator 2005./ KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Prestigjiozja britanike “The Times”, i ka kushtuar një artikull Tiranës, duke theksuar se si një vend dikur i izoluar tani është një nga vendet më vizituara në Ballkan.
Tirana nuk është një qytet mesatar evropian. Kryeqyteti ka qenë i hapur për vizitorët që nga vitet 1990. Para kësaj, kryeqyteti shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga bota e jashtme, i sunduar nga diktatori despotik komunist Enver Hoxha.
Që nga fundi i atyre ditëve të zeza, Tirana ka kompensuar kohën e humbur. Zonat e braktisura janë riformuluar si zona të artit, blerjeve dhe jetës së natës.
Por historia është ende aty, tregohet në muzetë dhe bunkerët por njerëzit janë më miqësorët që ka të ngjarë të gjeni në çdo qytet të madh evropian që e bëjnë Tiranën që ia vlen të vizitohet.
Qyteti kaloi dekada pa vizitorë, por tani vendi është i hapur për të gjithë.
Por çfarë mund të bësh në Tiranë?
Në mes të qytetit, Piramida famëkeqe e Tiranës është vendi i përsosur për të filluar. Për dekada kjo strukturë e çuditshme qëndroi e braktisur, më pas u ndërtua si monument dhe muze i Hoxhës pas vdekjes së tij në 1985, por u plaçkit pas rënies së komunizmit pesë vjet më vonë.
Që nga viti 2023 është rinovuar si një qendër IT për të rinjtë. Nga piramida mund të zbulosh horizontin në zhvillim të qytetit.
Sheshi i madh “Skënderbej” mban emrin e Gjergj Kastriotit, i njohur ndryshe si “Skënderbeu”, heroit kombëtar që udhëhoqi një revoltë kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të.
Në shesh ku ndodhet statuja e tij, janë edhe disa nga ndërtesat më të rëndësishme të Tiranës. Mund të vizitoni xhaminë e Et’hem Beut e shekullit të 18-të, një nga objektet e pakta të së kaluarës osmane. Gjithashtu mund të vizitoni Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ose, për diçka më të rastësishme, mund të vizitoni Tulla Nouvelle, një bar ku luhet muzikë live nga e enjtja deri të dielën.
Tirana mbart me krenari të kaluarën e saj të trazuar. Askund nuk e tregon historinë e saj traumatike më mirë se Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.
Ky i fundit është një rrjet tunelesh jashtë sheshit “Skënderbej” që dikur lidhej me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, ndërsa i pari, një mega bunker në buzë të qytetit, u krijua fillimisht për të strehuar Hoxhën në rast të një sulmi.
Tunelet janë një metaforë e fuqishme e regjimit të Shqipërisë dhe dokumentojnë ngritjen dhe rënien e qeverisë komuniste përmes dëshmive të dorës së parë, objekteve origjinale dhe pamjeve të pabesueshme bardh e zi.
Nuk është e bukur, por është thelbësore të kuptosh vështirësitë e pafundme që ka kaluar Tirana. Sigurisht mund të vizitoni për xhiro liqenin e Tiranës.
Lagjia më e lezetshme
Blloku ka qenë një zonë e ndaluar për qytetarët mesatarë të Tiranës. Elita politike jetonte këtu në luks me rojeve të armatosura dhe shtëpia e Hoxhës është ende aty, bosh dhe e papërdorur.
Megjithatë, që nga vitet 1990, ajo që dikur ishte një simbol i mjerimit të qytetit ka lulëzuar, në një nga zonat më të mira për jetën e natës dhe krijimtarinë. Provoni restorante kozmopolite dhe kafenetë rresht nëpër rrugë. Provoni kokteje klasike në Radio Bar dhe eksploroni galeritë e artit.
Si vendet më të lezetshme për të ngrenë dhe për të pirë “The Times” ka renditur: Zgara Al’Pazar dhe Komiteti, ku mund të provosh ushqimet tradicionale shqiptare dhe më pas pije pas darke.
Ndër to rakia, tipike shqiptare që do t’ju ofrohet pas një vakti.
Tek restorant “Era” mund të gjeni ushqime si: perime të pjekura në skarë, mish të shijshëm me erëza dhe sallata të freskëta të zgjedhura direkt nga fshati. Restoranti ndodhet në një vilë elegante italiane, një nga të paktat që i mbijetoi epokës komuniste.
Një vend me ushqime tradicionale është dhe Blerina Farm. Salt Tirana, është një restorant i frymëzuar nga Mesdheu, dhe është bërë një nga restorantet më të spikatur të qytetit që kur u themelua në vitin 2016.
Pas darkës mund të shkoni në tarracë për kokteje.
Rogner Hotel Tirana është në qendër vetëm pak minuta më këmbë nga Blloku dhe sheshi “Skënderbej” dhe Xheko Imperial pranë parkut, Grand Park, nuk janë të panjohur për mysafirë të rëndësishëm dhe dikur ishte streha e preferuar e ambasadorëve, krerëve të shtetit dhe diplomatëve.
Hotel Boutique Kotoni, e ndërtuar në vitin 1938, kjo pronë elegante dikur strehonte ministrin e punëve të jashtme. Familja Kotoni e mori atë në vitin 1991, duke e rinovuar si një boutique hotel me 23 dhoma me stil, me dysheme mermeri dhe llambadarë kristali.
Kotoni ndodhet jashtë bulevardit kryesor në Tiranë, në një distancë në këmbë nga pikat kryesore. Nëse bëni diçka ndryshe, merrni teleferikun deri në Dajt, në lindje të qytetit. / atsh / KultPlus.com
Mark Gerstorfer ka fituar medaljen e artë në kategorinë “Narrative” për garën e çmimit Oscars për Studentë, çmim që i është ndarë për filmin e tij të metrazhit të shkurtë “Kufiri padukshëm”, transmeton KultPlus.
Filmi bartë historinë e një familje nga Kosova, përkatësisht deportimin e tyre, ngjarje që përshkallëzohet gjatë operacioneve të policisë.
Mark Gerstorfer është i diplomuar në Akademinë e Filmit në Vjenë, kurse çmimi i argjendtë ka shkuar për filmin “Revisited” nga Norvegjia, kurse i bronzti për filmin “Istina” të Tamara Denic nga Berlini.
Filmi me rrëfimin me familjen nga Kosova tashmë ka marr dritën jeshile për të konkurruar për kategorinë e filmit të shkurtër për çmimet prestigjioze Oscars. Në këtë film me rolet e tyre luajnë : Vjosa Breiteneder Lubeniqi, Tommy Leonardelli, Labinot Morina…/ KultPlus.com
Luftërat dhe katastrofat njerëzore, siç është ajo që po ndodh në luftën mes Izraelit dhe Palestinës ka vënë në pah fuqinë e madhe të fjalës së shkruar.
Poetja e famshme Izraelite Tsipi Sharoor i ka drejtuar një kërkesë të veçantë poetit të njohur kosovar, Lulzim Tafa, në profilin e tij në Facebook, për të shkruar një poezi dedikuar luftës në Izrael.
Poezia e Tafës ka demonstruar ndikimin e saj të madh në shpërndarjen e mesazhit të paqes, siç ka bërë edhe në rastin e luftës në Ukrainë. Kjo thirrje për të shkruar një poezi lidhur me konfliktin në Izrael është një kërkesë për ndërhyrje artistike të poetit të mirënjohur kosovar i cili ishte i bërë shumë i njohur në botë me poezinë e tij të famshme “Speak to Russian Poets” (Fol me poetët Rusë), që poeti Tafa e kishte shkruar pak para fillimit të luftës në Ukrainë, meqë rast ai kishte marr shumë nderime nga Ukraina, përfshi edhe dekoratën më të lartë të Patriarkut të Shenjtë të Ukrainës, Patriarkut Filaret.
Lulzim Tafa është njëri nga poetët më të njohur kosovar në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore./ KultPlus.com
Akil Gjakova e ka siguruar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit.
Xhudisti kosovar është kualifikuar në finale të kësaj gare prestigjioze.
Garuesi nga Peja ia doli ta mposht në gjysmëfinale kazakun Daniyar Shamshayev për ta prekur finalen e madhe në kategorinë deri në 73 kilogramë, shkruan “Gazeta Express”.
Paraprakisht, në rrethin e parë xhudisti pejan e eliminoi garuesin nga Bahamas, Andreë Munnings, kurse në atë të dytë ishte më i mirë se finlandezi Valtteri Olin.
Ndërkaq, në rrethin e tretë, Gjakova ishte më i mirë se kazaku Zahsay Smagulov.
E në gjysmëfinale, Akili e mposhti kazakun tjetër, Shamshayev.
Në finale, ai do të përballet me garuesin nga Uzbekistani, Shakhram Ahadov.
Gjakova kështu po shkon me hapa të sigurt drejt medaljes së artë në Abu Dhabi.
Ndërkohë, garuesja kosovare, Loriana Kuka u eliminua në rrethin e dytë të këtij Grand Slami sot, në kategorinë deri në 70 kilogramë. / Express/ KultPlus.com
Sot është datëlindja e Pablo Picasso-s, një nga artistët më të vlerësuar dhe që influencuan më së shumti artin e shekullit të 20-të.
I lindur më 25 tetor të vitit 1881, në Malaga të Spanjës, Picasso arriti majat e suksesit në pikturë, skulpturë, qeramikë, skenografi etj. Së bashku me Georges Braque ai hyri në Historinë e Artit si krijuesi i Kubizmit. Emri i plotë i këtij artisti të shumanshëm ishte po aq i veçantë sa edhe arti i tij: Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno Crispín Crispiniano María Remedios de la Santísima Trinidad Ruiz Picasso.
Pablo Picasso ishte djali i José Ruiz Blasco, një profesor i vizatimit, dhe Maria Picasso López. Aftësia e tij e pazakontë për vizatim filloi të shfaqej herët dhe shumë shpejt tejkaloi aftësitë e babait të tij.
Puna e Pikasos, e cila përfshin më shumë se 50,000 piktura, vizatime, gdhendje, skulptura dhe qeramika të prodhuara gjatë 80 viteve, përshkruhet në një seri periudhash të mbivendosura. Periudha e tij e parë e dukshme “periudha blu” filloi menjëherë pas ekspozitës së tij të parë në Paris. Në vepra të tilla si Kitaristi i Vjetër (1903), Picasso pikturoi me tone blu për të evokuar botën melankolike të të varfërve. Periudha blu u pasua nga “periudha e trëndafilave”, në të cilën ai shpesh përshkruante skena cirku, dhe më pas nga puna e hershme e Pikasos në skulpturë. Në vitin 1907, Picasso pikturoi veprën novator Les Demoiselles d’Avignon, e cila, me paraqitjen e saj të fragmentuar dhe të shtrembëruar të formës njerëzore, shkëputi nga arti i mëparshëm evropian. Les Demoiselles d’Avignon demonstroi ndikimin tek Picasso të artit afrikan të maskave dhe Paul Cezanne.
Në kubizëm, i cili ndahet në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso dhe Braque vendosën parimin modern se vepra arti nuk duhet të përfaqësojë realitetin për të pasur vlerë artistike.
Veprat kryesore kubiste nga Picasso përfshinin kostumet dhe skenat e tij për Balet Russes të Sergey Diaghilev (1917) dhe Tre Muzikantët (1921). Eksperimentet kubiste të Picasso dhe Braque rezultuan gjithashtu në shpikjen e disa teknikave të reja artistike, duke përfshirë kolazhin.
Pas kubizmit, Picasso eksploroi temat klasike dhe mesdhetare dhe imazhet e dhunës dhe ankthit shfaqeshin gjithnjë e më shumë në punën e tij. Në vitin 1937, kjo prirje arriti kulmin me kryeveprën Guernica, një vepër monumentale që ngjalli tmerrin dhe vuajtjet e duruara nga qyteti bask i Guernica kur u shkatërrua nga avionët luftarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle. Picasso mbeti në Paris gjatë pushtimit nazist, por ishte kundër fashizmit dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze.
Puna e Picasso-s pas Luftës së Dytë Botërore është më pak e studiuar se krijimet e tij të mëparshme, por ai vazhdoi të punonte me ethe dhe pati sukses komercial dhe kritik. Ai prodhoi vepra fantastike, eksperimentoi me qeramikë dhe pikturoi variacione në veprat e mjeshtërve të tjerë në historinë e artit. I njohur për shikimin e tij intensiv dhe personalitetin dominues, ai pati një sërë marrëdhëniesh dashurie intensive dhe të mbivendosura gjatë jetës së tij. Ai vazhdoi të prodhojë art deri në vdekjen e tij në 1973, në moshën 91-vjeçare. / atsh / KultPlus.com
Picasso, Pablo; Weeping Woman (Femme en pleurs); Tate; http://www.artuk.org/artworks/weeping-woman-femme-en-pleurs-201236
Rreth komedisë më të re të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, “Masë për masë” nga Altin Basha.
Shkruan: Blerim Valla
Komedia “Masë për masë” e Uiliam Shekspirit ndonëse e shkruar në shekullin e 17 – të, shumë bukur arrin të ndërlidhet me gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare – keqpërdorimin e pushtetit për interesa personale dhe për t’u hakmarrë kundërshtarëve qoftë atyre politikë apo edhe atyre në dashuri.
Është tekst politik dhe i takon teatrit politik e ndërthurur bukur me elemente të komedisë qoftë me situatat por edhe me karakteret e personazheve. Është komedi e zezë e cila, edhe pse e shkruar shume kohe më parë nga Shekspiri prapëseprapë është shumë aktuale pasi dihet vlera e veprave te Shekspirit te cilat kurdo herë që luhen zgjojnë interesim të madh tek publiku anembanë botës.
Shfaqja është komedi e zezë që trajton abuzimin nga njerëzit e pushtetshëm dhe përmban lojë fjalësh dhe ironi thërresë sikurse edhe elemente tragjike.
“Masë për masë” paraqet rrëfimin për protagonistin Dukën Vincentio (luajtur nga Xhevdet Doda) të Vjenës, që udhëheq punët e qytetit nën qeverisjen e zëvendësit të tij, Angelos (luajtur nga Besfort Berberi) i cili abuzon dhe keqpërdoron me pushtetin e dhënë nga Duka. Ai shfrytëzon fuqinë dhe pushtetin për interesa personale, për të abuzuar me femra të ndryshme që gjenden në vështirësi, pastaj për t’ju hakmarrë kundërshtarëve të tij dhe për të siguruar të mira personale. Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë drejtësinë, moralin por edhe mëshirën në Vjenë pasi shfaqja ka të bëjë edhe me korrupsionin dhe punët e ndyra. Mirëpo si në jetë ashtu edhe në këtë shfaqje, fiton e vërteta dhe drejtësia, mirësia dhe virtyti mbizotërojnë mbi të keqen, intrigat, shpifjet, gënjeshtrat dhe lakmia për pozitë e për pushtet. Dhe shfaqja për ironi nuk ka përfundim tragjik!
Komedia “Masë për masë” kalon nëpër disa nga masat kryesore mes masave të tjera duke përfshirë: pushtetin, prostitucionin, amoralitetin, martesën, fenë, rolin e femrës në mesjetë, gjykimin dhe ndëshkimin.
Shfaqja “Masë për Masë” na sygjeron se si dhe deri në ç’masë një person mund të gjykojë një tjetër vetëm pse ka pushtet dhe është në pozitë të lartë në pushtet. Vetëm për shkak se dikush mban një pozitë të pushtetit nuk tregon se ata janë moralisht superior! Shumica e komedive të Shekspirit mbarojnë (festohen) me një martesë (ashtu si në përralla), pra kanë një fund të lumtur. Megjithatë, në këtë shfaqje martesa përdoret si dënim: Angelo detyrohet të martohet me Marianën dhe Lucio detyrohet të martohet me zonjën Overdone. Ky cinizëm me martesën si dënim është i pazakontë në një komedi! Ironikisht, në këtë shfaqje, martesa përdoret për të rregulluar dhe për të ndëshkuar sjelljen e keqe të disa personazheve. Temat kryesore të kësaj shfaqjeje janë pra ato që lidhen me fenë; moralin, virtytin, mëkatin, dënimin, vdekjen dhe shlyerjes të të keqes bërë ndaj dikujt tjetër. Karakteri kryesor i shfaqjes është murgesha Isabella, interpretuar jashtëzakonisht mirë, nga njëra prej aktoreve më të mira që ka për momentin Teatri i Gjakovës, nga aktorja Vlera Pylla, e cila në shfaqje është e obsesionuar me virtytin e dëlirësinë dhe udhëtimin e saj shpirtëror drejt së vërtetës dhe drejtësisë!
Me lojë të mirë, ndonëse në rol dytësor është dalluar edhe kësaj here, aktori fenomenal Edmond Hafizademi, por edhe aktorët e tjerë të shfaqjes. Komedia “Masë për Masë” është shfaqje që bashkoi dy teatro.
Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës dhe ai “Bekim Fehmiu” i Prizren janë bashkuar për realizimin e kësaj komedie që është edhe premiera e dytë për këtë vit e teatrit gjakovarë. Pasi në mars të këtij viti ishte dhënë premiera e parë, shfaqja “Antigonat”.
Shfaqja është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit ku interpretojnë 14 aktorë si: Vlera Pylla, Besfort Berberi , Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Altina Kusari, Edi Gjakova, pastaj Xhevdet Doda , Butrint Lumi, Edona Sopaj, Alban Çela, Alban Krasniqi, Valmira Lumi e Valmir Krasniqi.
Skenografinë e shfaqjes e punoi Petrit Bakalli, kostumografinë Iliriana Loxha, koreografinë Robert Nuha, kompozitor është Memli Kelmendi, Me regji tejet interesante dhe të guximshme të regjisorit të njohur Altin Basha, ashtu siç din vetëm ai me realizimin e shfaqjeve masive (me shume aktorë), pastaj me një koreografi mjeshtërore, skenografi statike por shume funksionale, dhe me muzikë brilante që moti nuk është përjetuar ne skenën teatrore të Gjakovës, por edhe me kostumet që përshtaten shumë bukur me situatat dhe ngjarjen e shfaqjes.
Mbase duhet cekur se Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës tashmë ka një kastë aktorësh të rinj shumë të mirë e të talentuar, të afirmuar dhe të shpërblyer nëpër shumë skena teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, si Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Altina Kusari, Arbies Komoni, Yllka Lota etj. /KultPlus.com
Me mbështetje të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të zhvillohet një bashkëbisedim me publicistin e njohur gjerman Erich Rathfelder, autor i librit “Kosova – historia e një konflikti”.
I konceptuar si një takim mes miqsh, në këtë organizim – Erich Rathfelder do të ketë bashkëbisedim me lexuesit dhe do të jetë një rast i veçantë që nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve të kuptojmë edhe për punën e përvojat e tij si reporter, për përjetimet dhe përkushtimin e tij për Kosovën dhe për çështje të tjera me interes.
Erich Rathfelder ka qenë korrespondent në rajonin e Ballkanit që nga viti 1987 dhe ishte dëshmitar nga afër i ngjarjeve në Kosovë: heqjes së statusit të saj autonom në vitin 1989, protestave paqësore të shqiptarëve, luftës së armatosur të UÇK-së, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas i fazës së administrimit të përkohshëm civil.
Publicisti Erich Rathfelder është i njohur si gazetar dhe redaktor i gazetës së përditshme të Berlinit ‘Taz’, dhe më pas si gazetar i pavarur, i cili ka punuar si reporter në Ballkan dhe ka raportuar për luftëra në ish-Jugosllavi, me përqendrim të veçantë edhe për krizën dhe luftën në Kosovë, duke u shpallur në qershor të vitit 1998, nga qeveria serbe, ‘persona non grata’ dhe duke u dëbuar nga Kosova.
Bashkëbisedimi do të udhëhiqet nga historiani dhe gazetari Durim Abdullahu.
Veprimtaria do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të enjten më 26 tetor, në orën 18:00. / KultPlus.com
Filmi “Heshtja e Sirenave” këto ditë pati premierën botërore në edicionin e 47-të Festivalit të Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil, një prej festivaleve më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.
Ky film vjen me regji dhe skenar nga Gazmend Nela.
Ikonë studio, sot ka ndarë edhe pamjet e para nga premiera e këtij filmi në Brazil, teksa kanë falënderuar të gjithë ekipin e filmit për punën dhe përkushtimin.
“Kemi nderin të ndajmë pamje nga premiera botërore e filmit “Heshtja e Sirenave” me regji nga Gazmend Nela, në edicionin e 47 të festivalit prestigjioz të filmit “ Monstra” São Palo, Brazil.
Ky film është një bashkëprodhim nga Kosova, Zvicra Maqedonia, si dhe Shqipëria, nga produksionet: Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Skopje Film Studio, Albasky Film, RTS Radio Télévision Suisse dhe In My Country Post Production.
Ky projekt është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Një falënderim i veçantë i shkon ekipës së mrekullueshme dhe aktorëve super të talentuar që mundësuan realizimin e këtij filmi.”, thuhet në njoftim nga Ikonë Studio. / KultPlus.com
Ekspozita “Mbi Lum”, një instalacion publik i artistes Abi Shehu dhe arkitektes Sara Rodiqi vjen këtë vikend.
Vepra bazohet në gjurmimin e shtratit të lumit Vellusha nëpërmjet audio-instalacioneve dhe skulpturave metalike. Duke e konsideruar materialitetin shprehës të akustikës për të prodhuar një formë të zgjimit estetik dhe ndijor të komunitetit, ky instalacion synon të rivendosë tonalitetin e një rryme të mohuar. Kjo punë është një ndërhyrje konceptuale që sjell nëntokën mbi sipërfaqe dhe synon të sjell tek qytetarët një vetëdije të re për qytetin përmes dëgjimit.
Pikë takimi kryesor është te shkallët poshtë rrethit të Arbërisë (afër Stadiumit “Fadil Vokrri”) për një ecje në rrjedhën e Lumit Vellusha. Kjo ecje do të udhëhiqet nga Abi Shehu dhe Sara Rodiqi drejt skulpturës kryesore në Sheshin Skenderbeu ku ato do të flasin më gjerë rreth hulumtimit dhe qasjes së tyre artistike. Të gjithë vizitorët e pranishem të cilët e kanë përjetuar periudhën e qytetit me lumë janë të ftuar të ndajnë tregime që kontribuojnë në memorie kolektive të qytetit të Prishtinës.
Ekspozita do të hapet të shtunën, 28 tetor, nga ora 16:00, dhe do të qëndroj e hapur deri me 25 nëntor, 2023.
Deri në fund të viteve ’40, qyteti i Prishtinës shtrihej mes dy lumenjve që dikur njiheshin si Vellusha dhe Prishtina (Prishtevka). Në vitet ’50, lumi Vellusha, që fillimisht rridhte nga kodrat e Gërmisë, u mbulua nga një sistem gypash. Më vonë në vitet ’70, të njëjtit fat iu nënshtrua lumi Prishtevka i cili rridhte nga pjesa perëndimore e qendrës së vjetër të qytetit. Si rezultat i mbulimit të tyre, lumenjtë e qytetit jo vetëm që mbetën të fshehur vizualisht, por u shndërruan në deponi mbeturinash, gjë që shkaktoi një biodegradim progresiv të florës dhe faunës së tyre. Kështu, në vitet ’80 Prishtina u bë qytet pa lumë. Ky fakt paradoksal është një pikë ankorimi i ndërhyrjes duke ditur rëndësinë e jetike të lumenjëve si burim hidroenergjetik.
Mbi Lum’ është një instalacion publik i artistes Abi Shehu dhe arkitektes Sara Rodiqi që shqyrton veprimet që ndikuan në shndërrimin e këtyre lumenjve në ujëra të zeza për kryeqytetin. Veprat bazohen në gjurmimin e shtratit të lumit Vellusha përmes audio-instalacioneve dhe skulpturave metalike. Duke e konsideruar materialitetin shprehës të akustikës për të prodhuar një formë të zgjimit estetik dhe ndijor të komunitetit, ky instalacion synon të rivendosë tonalitetin e një rryme të mohuar. Kjo punë është një ndërhyrje konceptuale që sjell nëntokën mbi sipërfaqe dhe synon të sjell tek qytetarët një vetëdije të re për qytetin përmes dëgjimit. Lumi, si pavetëdija e qytetit, simbolizon rrjedhat e ndrydhura të një mjedisi kompleks ku konstituohet realiteti psiko-emocional i banorëve të tij. Duke marrë parasysh ekzistencën e mohuar të lumit, instalacioni krijon një hartë akustike të rrjedhës së tij, duke arritur kështu një gjallërim estetik të strukturës sociale të qytetit. Skulpturat e krijuara ngjajnë me format e jetës bimore që dikur lulëzonin përgjatë rrjedhës së lumit në Prishtinë. Duke u nisur nga studimet e bimëve si forma arti nga artisti Karl Blossfeld, skulpturat rezonojnë me natyrën si burim i formave estetike dhe në mënyrat sesi shkatërrimi i saj prish marrëdhëniet e komunitetit, të bukurën dhe vetë jetën. Duke e bërë lumin edhe një herë të imagjinueshëm përmes dëgjimit, instalacioni bën një kthim simptomatik të lumit në analogji me kthimin e impulseve të shtypura në ndërgjegje.
Biografi
Abi Shehu (l. 1993 Lezhë, Shqipëri) është një artiste multidisiplinare, kërkimi artistik i së cilës mund të cilësohet si një arkeologji e pavetëdijes. Përmes kombinimit të artit vizual me atë mediatik, nga instalacionet tek arti zanor, ajo krijon peizazhe që mishërojnë dimensionet e papërfaqësueshme dhe të panjohura të njerëzve, shoqërive, vendeve dhe ngjarjeve historike. Puna e Shehut është ekspozuar në Hauser & Wirth, Menorca; Manifesta 14, Prishtinë; Galeria Zeta, Tiranë; ‘Në valë,’ me Gratë në Covid, e vende të tjera që përfshinë: Hapësira e Artit Bazament, Tiranë; Galeria e Bregdetit, Vlorë; EMOP, Berlin; Kino Rinia, Prishtinë; CLB, Berlin; dhe ArtHouse & Muzeu Marubi, Shkodër.
Sara Rodiqi (l. 1997) është arkitekte dhe dizajnere me bazë në Vjenë dhe Prishtinë. Ajo aktualisht është duke përfunduar Diplom-Ingenieur në drejtimin Arkitekturë dhe Inxhinieri në Universitetin Teknik të Vjenës, e specializuar në dizajn strukturor dhe fabrikim robotik. Praktika e saj përqendrohet rreth aplikimit të teknologjive bashkëkohore në prodhimin krijues. Rodiqi ishte pjesë e ekipit të produksionit të ekspozitës “Në skemën e madhe të gjërave” në Grand Hotel Prishtina në kuadër të Manifesta Bienales. Ekspozita shtrihej në tetë kate të hotelit dhe përfshinte shumicën e veprave të artit të Bienales. Ajo gjithashtu realizoi komisione të ndryshme arkitekturore rezidenciale dhe tregtare. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, albanologun danez Holger Pedersen, i cili ndërroi jetë më 25 tetor 1953. “Së pari, lërmëni të them se gjuha shqipe është një gjuhë e një tipi të veçantë”, do të shprehej Pedersen-i për shqipen.
Profesori i Universitetit të Kopenhagenit i kushtoi studimit të shqipes vëmendje parësore. Teza e tij qendrore mbronte prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe vinte theksin te ndryshimet e papërfillshme midis dialekteve të shqipes, krahasuar me gjuhë të tjera. Pedersen është autor i një sërë librash me rëndësi në lëmin e studimeve gjuhësore. Ka botuar në gjermanisht dhe në danisht një varg studimesh e veprash për gjuhët kelte e balto-sllave, si edhe për shqipen.
Gjatë qëndrimit në Korfuz në vitin 1893, albanologu mblodhi këngë e përralla, të cilat i botoi të përmbledhura në veprën me interes gjuhësore e folklorik, “Albanische Texte mit Glossar”, Lajpcig, 1895 (Tekste shqiptare me fjalor).
Në vargun e botimeve mbi shqipen, publikoi veprat: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), Tinguj të shqipes (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret e shqipes” (1900), “Studime për gjuhën shqipe”, Prishtinë, (2003) etj. Në këto botime shkencore, shpjegoi probleme të vështira të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, sistemet nyjore, pronoret e shqipes etj.
DPA publikoi së bashku me fotografinë e albanologut edhe një shkrim të Pedersen-it me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit. / atsh / KultPlus.com
Dhjetëra shtete paditën kompaninë Meta qe ka ne pronësi rrjetin social Instagram për shkak të problemeve të shëndetit mendor që po shkaktonte tek te rinjtë çdo ditë.
“Pjesa më e madhe e ankesës ligjore mbështetet në materiale konfidenciale që nuk janë ende të disponueshme për publikun, si prind, jam i tmerruar nga ajo që kam lexuar” deklaroi kryeprokurori i Nju Xhersit, Matt Platkin. Në një padi federale të ngritur në Kaliforni nga 33 prokurorë të përgjithshëm, shtetet pretendojnë se produktet e Metës kanë dëmtuar të miturit dhe kanë kontribuar në një krizë të shëndetit mendor në Shtetet e Bashkuara.
“Meta ka përfituar nga dhimbja e fëmijëve duke projektuar qëllimisht platformat e saj me karakteristika manipuluese që i bëjnë fëmijët të varur nga platformat e tyre, ndërkohë që ulin vetëvlerësimin e tyre”, tha Letitia James, prokurorja e përgjithshme për Nju Jorkun, një nga shtetet e përfshira në padinë federale. “Kompanitë e mediave sociale, përfshirë Meta, kanë kontribuar në një krizë kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi.” Shteti i Floridas e paditi kompaninë Meta në padinë e tij të veçantë federale, duke pretenduar se ajo përmes Instagramit mashtronte përdoruesit në lidhje me rreziqet e mundshme shëndetësore të produkteve të saj.
Sipas padisë, rrjetet sociale të kompanisë Meta kanë shkaktuar tek të rinjtë depresioni, ankth, pagjumësi, ndikim negativ në shkollë dhe rezultate të tjera negative. / KultPlus.com
Në një studim të kryer mbi racizmin kundër njerëzve me ngjyrë në 13 shtete të BE-së, Agjencia Evropiane për të Drejtat Themelore (FRA) tha sot se Gjermania doli më keq në shumë fusha.
“Përafërsisht 77% e të anketuarve në Gjermani thanë se ishin diskriminuar në pesë vitet e fundit për shkak të ngjyrës së lëkurës, origjinës ose fesë së tyre”, sipas raportit.
Kjo është përqindja më e lartë në mesin e 13 vendeve të BE-së në të cilat njerëzit me rrënjë afrikane janë anketuar për racizmin dhe diskriminimin.
“Austria pati rezultate të ngjashme të dobëta”, sipas studimit.
Rreth 45% e mbi 6 700 pjesëmarrësve të studimit në Evropë përjetuan diskriminim racist në vitet e fundit.
Kjo është gjashtë pikë përqindjeje më e lartë se një studim i mëparshëm në vitin 2016.
Sipas sondazhit, Gjermania është gjithashtu në krye të listës kur bëhet fjalë për sulmet me motive racore, ku 54% e të anketuarve thanë se kanë përjetuar ngacmime.
Kjo është përqindja më e lartë në mesin e 13 shteteve në studim.
Përveç kësaj, 9% raportuan se kishin përjetuar dhunë ndaj personit të tyre në Gjermani. Kjo shifër u tejkalua vetëm nga Finlanda me 11%.
Më shumë se gjysma e të anketuarve me ngjyrë në Gjermani ndiheshin të diskriminuar kur kërkonin punë. Vlera mesatare e 13 shteteve ishte rreth një e treta.
Sipas sondazhit, pothuajse 40% e nxënësve me ngjyrë në shkollat gjermane përballen me fyerje ose kërcënime raciste, të ngjashme me Irlandën, Finlandën dhe Austrinë./ atsh / KultPlus.com
FILE PHOTO: A demonstrator holds a placard reading “Racism Kills” during a Black Lives Matter protest in Berlin, Germany, July 2, 2021. REUTERS/Christian Mang/File Photo
Është inauguruar Qendra Rinore në Deçan. Një hapësirë e re multifunksionale për të rinjtë e Deçanit dhe të gjithë Kosovës.
Qendra ofron ambiente moderne për aktivitete sportive, muzikore, teatrale, si dhe hapësira për takime dhe punëtori, duke krijuar kështu një mjedis të përshtatshëm për organizimin e shumë aktiviteteve rekreative.
MKRS ka mbështetur Komunën e Deçanit duke alokuar shumën prej 365,000 euro për ndërtimin e Qendrës Rinore. / KultPlus.com
Në Shqipëri, për herë të parë, do të mbahet takimi i 70-të i Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot kartolinën e prezantimit të Shqipërisë si vendi pritës i këtij takimi.
Rama theksoi se ky takim do të mbahet në Tiranë, në pranverë të 2024.
“Mirëmëngjes dhe me këtë kartolinë të prezantimit të Shqipërisë, për herë të parë në histori, si vendi pritës i takimit të shtatëdhjetë të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do të mbahet në Tiranë pranverën e vitit 2024, ju uroj ditë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Pak ditë më parë ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se do të jenë rreth 40 ministra nga e gjithë bota që do marrin pjesë në Tiranë në mbledhjen e 70-të.
“Vitin e ardhshëm Komisioni për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit vendosi që Shqipëria të jetë vendi pritës i mbledhjes së radhës, saktësisht i mbledhjes së 70−të të këtij komisioni, që do të thotë mbi 40 ministra, nga të gjitha vendet e kontinentit europian, ministra të turizmit, do të marrin pjesë, do të vijnë në Tiranën tonë, do të vijnë në Shqipëri jo vetëm për të bërë mbledhjen, jo vetëm për të marrë vendime të rëndësishme për rajonin, Mesdheun, Europën në fushën e turizmit”, u shpreh ministrja Kumbaro në një videomesazh nga Uzbekistani pak ditë më parë. / atsh / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, organizojnë konferencë për Prezantimin e konceptit themelues të Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës, sot, më 25 tetor 2023, në Menza Ramiz Sadiku, duke filluar nga ora 17:00.
Në kuadër të konferencës do të bëhen publike pikat kryesore të konceptit themelues të Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës. / KultPlus.com
Me ftesë të Guvernatores së Iowa-s, Presidentja Osmani nisi vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani dhe Zotëriu i Parë z.Prindon Sadriu u pritën me pritje ceremoniale nga Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds dhe Zotëriu i Parë z.Kevin Reynold. Presidentja e falënderoi Guvernatoren për pritjen dhe për vizitën bërë Kosovës, në muajin qershor të këtij viti.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Sipas Presidentes Osmani, nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
“Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.
U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i bujqësisë Faton Peci.
Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator. Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë. / KultPlus.com