Nis hartimi i Strategjisë për Artin dhe Kulturën 2025-2030 në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka filluar me procesin për përpilimin e Strategjisë për Artin dhe Kulturën 2025-2030. Përmes këtij procesi, synohet të formulohet vizioni i qartë, objektiva konkrete dhe plan të veprimit që do të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e artit dhe të kulturës.

Në fjalën e tij, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka theksuar se kjo strategji përfshinë vitet 2025-2030, teksa tha se e njëjta vjen në kohën e duhur për shkak se synohet që kryeqyteti duhet të shndërrohet në qendër të artit e të kulturës.

“Strategjia jonë për Kulturën do të jetë një plan ambicioz, që synon jo vetëm të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë tonë, por edhe të inkurajojë inovacionin dhe kreativitetin në kulturë. Ne do të punojmë për të forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe të promovojmë kulturën tonë jashtë kufijve të Kosovës. Prishtina do të bëhet jo vetëm një destinacion për turistët që kërkojnë të njihen me kulturën tonë, por edhe një shembull frymëzues për qytetet e tjera në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Rama.

Drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj, ka thënë se është shumë e rëndësishme përfshirja e komunitetit të ekspertëve dhe artistëve që i përkasin fushave të ndryshme të kulturës e artit.

“Duke qenë se po diskutohet po ashtu për ndarjen dhe shfrytëzimin e pronës publike, përkatësisht fondeve të përbashkëta, besojmë se është esenciale që të kemi objektiva, vizion dhe plan të veprimi të qartë. Prandaj kemi organizuar takimet me fokus grupe dhe ekspertë përgjatë pesë ditëve radhazi. Për ne është me rëndësi që vendimet e marra të rezonojnë me zërat e ndryshëm, këndvështrime të ndryshme, që e përbëjnë komunitetin tonë”, ka deklaruar Balaj.

Për ta forcuar këtë kryeqyteti ka ftuar në pjesëmarrje edhe Philip Kern, si njohës dhe kontribues i politikave kulturore në shumë vende botërore, i cili gjithashtu ka eksperiencë të jashtëzakonshme në përpilimin e strategjive për kulturë dhe art. / KultPlus.com

Akullnajat zvicerane do të përgjysmohen deri në 2050-n

Nëse ngrohja globale vazhdon me një ritëm të ngjashëm me atë të vërejtur në 20 vitet e fundit, akullnajat e Alpeve zviceriane janë të destinuara të përgjysmohen deri në vitin 2050, duke humbur rreth 46% të vëllimit të tyre, një përqindje që mund të rritet në 65 nëse marrim parasysh trendin e 10 viteve të fundit.

Parashikimi vjen nga studimi i publikuar në revistën ”Geophysical Research Letters” dhe i udhëhequr nga Universiteti Zviceran i Lozanës, i cili zhvilloi simulime shumë të sakta falë algoritmeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale.

Në të njëjtën kohë, tërheqja e akullnajave do të lërë të ekspozuara zona gjithnjë e më të mëdha të faqeve shkëmbore, një fenomen që do të rrisë rrezikun e rrëshqitjeve të tokës në afat të shkurtër, megjithëse shkalla e erozionit të maleve alpine është shumë më e ulët se sa ishte 10 000 vjet më parë.

Ndryshe nga simulimet e tjera, të cilat prodhojnë vlerësime që arrijnë në fund të shekullit, studiuesit e udhëhequr nga Samuel Cook i Universitetit të Lozanës u përqendruan në një periudhë më të kufizuar, për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtyre fenomeneve tashmë në afat të shkurtër.

Sipas rezultateve të marra, edhe nëse ngrohja globale do të ndalonte plotësisht tani, Alpet do të humbasin të paktën një të tretën e akullnajave të tyre (34%) deri në vitin 2050.

”Të dhënat e përdorura për të ndërtuar skenarët ndalojnë në vitin 2022, i cili u pasua nga një vit jashtëzakonisht i nxehtë. Prandaj ka të ngjarë që situata të jetë shumë më e keqe”, shpjegon Cook./atsh/KultPlus.com

‘Barbie’ dhe ‘Oppenheimer’ pritet të dominojnë në nominimet për ‘Oscar 2024’

Nominimet për Oscars 2024 do të shpallen të martën. Barbie dhe Oppenheimer pritet të dominojnë.

Poor Things, The Holdovers dhe Killers of the Flower Moon gjithashtu pritet të shfaqen shumë kur nominimet të shpallen nga ora 13:30.

Cillian Murphy, Emma Stone, Robert Doëney Jr dhe Da’Vine Joy Randolph kanë të ngjarë të kenë nominime për aktrim.

Jimmy Kimmel do të presë ceremoninë e këtij viti në Los Angeles më 10 mars.

Fenomeni Barbenheimer, një trend viral që bëri që mijëra fansa të rezervonin bileta për të parë të dy filmat në të njëjtën ditë verën e kaluar, i bën Oscar-et e këtij viti shumë më të aksesueshëm se zakonisht.

Ndërsa disa ceremoni të Çmimeve të Akademisë në vitet e fundit kanë njohur filma që kanë pasur pak përparim me publikun e gjerë, producentët do të shpresojnë se përfshirja e mundshme e Barbie dhe Oppenheimer do të rezultojë në një rritje të interesit dhe shikuesve./21Media/ KultPlus.com

Alpinisti Armend Ahmeti ngjitet në majën Kilimanxharo, ngrit flamurin e kryeqytetit

Alpinisti Armend Ahmeti ka ngjitur njërën nga majat më të larta në botë, Kilimanxharo, me një lartësi prej 5895 metrash, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspeditë të vështirë, ai ka pasuar çdo hap me vendosmëri dhe guxim, duke sfiduar kufijtë e mundshëm.

Në momentin kur Armendi ka arritur në majën Kilimanxharo, ka ngritur flamurin e kryeqytetit – Prishtinës. Ky akt simbolizon një lidhje të ngushtë dhe mbështetjen e institucioneve ndaj sportistëve vendas.

Nga Komuna e Prishtinës janë shprehur të lumtur dhe krenar për këtë arritje të Armend Ahmetit.

“Alpinisti jonë na bëri krenar me ngritjen e flamurit të Kryeqytetit në majën Kilimanxharo, duke treguar kështu edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes për sportistët tanë për të arritur suksese në botë”, shkruhet në faqen e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi shkëlqen në koncertin recital në Romë: Më rikthyen në skenë mbi shtatë herë

Një tjetër koncert i suksesshëm është shënuar nga pianistja Melisa Ibrahimi i mbajtur në teatrin “Teatro di Marcello” në Romë, Itali. Ky koncert u organizua në kuadër të Festivalit “Concerti del Tempietto”, në një nga teatrot më të lashtë dhe me histori të pasur shekullore në kryeqytetin italian, shkruan KultPlus.

Në këtë eveniment, Melisa Ibrahimi ka shfaqur një repertor të pasur me vepra të kompozitorëve të njohur si Domenico Scarlatti dhe Franz Liszt.

Koncerti ka zgjatur 60 minuta, në të cilat Melisa Ibrahimi ka shfaqur një aftësi dhe pasion të rrallë në interpretimin e mjeshtërisë së muzikës klasike. Audienca, e përbërë kryesisht nga profesionistë të pianos dhe artdashës të muzikës klasike, u mbush me emocione dhe admirim për paraqitjen e shkëlqyer të artistes kosovare.

Pjesë e publikut ishte edhe pianistja dhe profesoresha e njohur italiane Silvia Rinaldi, anëtare e jurisë së garës Chopin në Romë, e cila ka qenë pjesë e këtij evenimenti për 32 edicionet e fundit.

Duartrokitjet dhe ovacionet e përsëritura tregonin jo vetëm respektin, por edhe adhurimin e të pranishmëve për mjeshtërinë dhe talentin e pianistes shqiptare e cila është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë fakt.

“Mikpritje dhe audiencë e mahnitshme, pata momente të pabesueshme kur ata iu përgjigjën performancës sime me duartrokitje të gjata, duke më rikthyer në skenë më shumë se 7 herë! Gjithashtu një teatër shumë i bukur me akustikë të mrekullueshme”, është shprehur Melisa e cila nuk ka harruar të falënderoj edhe profesoreshën e saj Alberta Troni, e cila është mbështetja e saj më e madhe gjatë karrierës së saj. / KultPlus.com

‘iNews’: Shqipëria mes gjashtë destinacioneve të lira për pushime dimërore

Ditët e gjata dhe të errëta të janarit janë koha e përkryer për të filluar planifikimin për të udhëtuar në vendet me klimë më të ngrohtë, shkruan Joanna Whitehead në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “iNews”.

Ndërsa ky muaj shpesh duket i pafund, gjysma e shkurtit është më pak se katër javë larg.

Disa destinacione në Evropën kontinentale gëzojnë temperatura më të larta gjatë dimrit, me një mesatare ditore prej 16°C deri në 17°C dhe reshje të ulëta shiu.

Ju mund të zgjidhni një nga destinaionet e ngrohta dhe me një buxhet të përballueshëm si opsionin më interesant për pushime dimërore në 2024.

Sipas Skyscanner, gjashtë destinacionet në trend për pushime të lira përshijnë; Shqipërinë, Maltën, Qipron, Marokun, Toskanën në Itali, Costa Blanca në Spanjë.

Shqipëria

Shumë vizitorë në Shqipëri preferojnë malet për sporte dimërore, pasi zonat e ulëta kanë një klimë shumë më të butë.

Adhuruesit e arkitekturës mund të eksplorojnë ndërthurjen e ndërtesave të epokës osmane dhe sovjetike në Tiranë, kryeqytetin e vendit, ku mund të vizitojnë gjithashtu Piramidën  (ish-muze dhe ish-bazë e NATO-s), xhaminë e bukur të Et’hem Beut dhe Bunk’Artin, një galeri në një bunker nëntokësor.

Durrësi, një vendpushim veror, është 22 milje larg. Ai është shtëpia e rrënojave arkeologjike, duke përfshirë një amfiteatër romak, i cili përfshin afreske dhe mozaikë.

Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë 47 paund me Ryanair, dhe një dhomë dyshe në një hotel me tre yje me pamje nga mali për katër netë ka një kosto prej 133 paund. / atsh/KultPlus.com

Vdes regjisori i njohur kanadez, Norman Jewison, në moshën 97-vjeçare

Regjisori kanadez i filmit Norman Jewisonka vdekur në moshën 97-vjeçare, tha publicisti i tij, transmeton KultPlus.

Jewison, i cili u nominua tre herë për çmimin e Akademisë për regjinë më të mirë dhe mori një Oscar për arritje të jetës në vitin 1999, vdiq në shtëpinë e tij.

U konsiderua si një nga regjisorët më të rëndësishëm të katër dekadave të fundit të shekulli i 20-të. Ai u admirua gjerësisht për aftësinë e tij për të krijuar filma të fuqishëm në shumë zhanre të ndryshme.

Filmat e tij morën 46 nominime për çmimet Oscar dhe fituan 12 Oscar. “In the Heat of the Night”, me Sidney Poitier dhe Rod Steiger, fitoi Oscarin për filmin më të mirë për vitin 1967.

“Moonstruck” i Jewison i vitit 1987 u bë një nga komeditë romantike më të njohura të Hollivudit. Ai tregon historinë e një të veje nga Bruklini, të luajtur nga Cher, e cila pranon të martohet me një burrë që nuk e do dhe më pas bie në dashuri me vëllain e tij, të luajtur nga Nicolas Cage. Cher fitoi Oscarin për aktoren më të mirë për interpretimin e saj të guximshëm.

Udhëtimet e Jewison si i ri në Amerikën e viteve 1940 – duke parë racizëm ndikuan në filmat e tij, veçanërisht në tre dramat e tij, “In the Heat of the Night,” “A Soldier’s Story” (1984) and “The Hurricane” (1999), shkruan Reuters/ KultPlus.com

Me ‘besa-besë’ para 125 viteve filloi Lidhja e Pejës

Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Territori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.

Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen. Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi. Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899.

Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej pë r organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme, transmeton kosovapress.

Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.

Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.

Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj.

Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve.

Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.

Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve.

Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.

Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni.

Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.

Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane.

Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”.

Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë.

Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”. Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit.

Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.

Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.

Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptar ë.

Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj.

Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re.

Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, – thuhet në thirrje, – është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”. Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjiths hme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj.

Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom.

Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur.

Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.

Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë.

Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja. Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes kombëtare në tërësi, për formimin e një Shqipërie autonome.

Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899 Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash, siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto masa shtypëse të qeverisë u bënë shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën. Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës këmbëngulëse të Lidhje s. Për katër muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës u përqendrua në duart e shqiptarëve, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.

Më 6 nëntor, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorje, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë, gjithsej 31 veta.

Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria, më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500 shqiptarë të armatosur, që zbritën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma e nga Selishta.

Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse në Kosovë, që po në këtë kohë përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet e qytetit. Sulltani u detyrua t’u bënte lëshime kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës.

Në një kohë me qëndresën kundërosmane atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën, vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes, për të forcuar pushtetin e saj në këtë sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.

Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës, atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në këtë trevë, organizuan një manifestim të fuqishëm në Shkup, që u kthye në një kryengritje të armatosur. Kryengritësit kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë dhe të funksionarëve të tjerë të administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet kryengritjes që organizuan në këtë qytet të përmbushnin kërkesat autonomiste të saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit, si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë, shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit .

Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën 2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe popullsia sllavo-maqedonase e Shkupit. Pushimi nga sulltani më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte një fitore të kryengritësve kosovarë, nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare.

Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë, arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto masa u bënë shkak për një manifestim tjetër, që u organizua më 20 mars, në të cilin morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900, vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij viti.

Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit qëndresa kundër administratës osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare për Mitrovicën e për Drenicën. Po në fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës, ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica, u përleshën në hyrje të qytetit me trupat osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina.

Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.

Masat shtypëse të Portës së Lartë dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë shkak që të shpërthente (në mars të vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë, në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi deri në verën e atij viti, kur mori formën e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë, që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin e sanxhakut të Pejës.

Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta, të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit, në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve të administratës osmane.

Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në Mat, në Dibër e në vende të tjera të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.

Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën e taksës në të gjithë sanxhakët e Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan deri në shtatorin e vitit 1900.Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Për këtë, qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër, ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në përfundimin që Besa të vendosej për një kohë të gjatë, të paktën për një periudhë pesëvjeçare. Në fundin e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës, të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës, të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës, të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu u diskutuan çështjet që kishin të bënin me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet tjetër.

Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm, për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës, Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi valinjtë e Shqipërisë që të mos e lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë, në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare.

Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera. Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës së vilajetit, Mehmet Pasha.

Pas përleshjeve që u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin e vitit 1900.Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes. Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës, sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën, i cili në krye të ushtrive të shumta osmane, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900, goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku.

Prej këtej Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra të tjera. Për të vendosur “rendin dhe qetësinë” ai shtypi lëvizjen shqiptare kudo ku shkeli. Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë e turkomanë, përmirësuan përkohësisht pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës e të Manastirit.

Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.

Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës nesër nis projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” në KultPlus Caffe Gallery

PEN Qendra e Kosovës, krahas botimit të revistës letrare PEN Kosova dhe botimit të librave origjinalë, të përkthyer dhe veprave komplete, është duke realizuar edhe një varg aktivitetesh letrare-krijuese përmes projekteve në gjithë Kosovën.

Kësaj radhe PEN Qendra e Kosovës vjen me projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Debati i parë rreth kësaj tematike zhvillohet nesër, e mërkurë, më 24 janar 2024 në KultPlus Caffe Galery në orën 12:00.

Në temën e parë do të flasin shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Blerina Rogova Gaxha.

Përmes këtij projekti PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për krijimin letrar, rolin dhe rëndësinë që ka libri, për kulturën e leximit, por edhe për motivimin dhe përkrahjen e talenteve të reja për t’u marrë me krijimtari letrare: poezi, prozë, ese etj.

Projekti është përkrahur nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Billy Joel me këngë të re pas 16 vjetësh (VIDEO)

Billy Joel ka njoftuar se do ta publikojë këngën e tij të parë që prej vitit 2007.

Kënga “Turn The Lights Back On” pritet të publikohet më 1 shkurt të këtij viti.

Ajo do të jetë e disponueshme në të gjitha platformat transmetuese, e madje edhe në formatin fizik, vinyl, por në edicion të limituar.

“Kam lajme të mira, kam lajme të këqija, do t’jua jap lajmet e këqija të parat. Nuk do të luaj asgjë për ju”, ka thënë ai në TikTok.

“Lajmi i mirë është që ju nuk keni pse të qëndroni me di çka për të cilën nuk keni ide se cfarë është. Edhe pse…kemi diçka në të cilën po punojmë e të cilën mund ta dëgjoni një ditë”.

E bëri shqiponjën, Vulin ia ndaloi hyrjen këngëtares boshnjake në Serbi

Ish-shefi i shërbimit të inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, konfirmoi dje se ai nuk ka lejuar këngëtaren boshnjake, Selma Bajrami që të futet në Serbi.

Ai tha se vendimi ka ardhur për shkak se ajo ka bërë një simbol të Shqipërisë së Madhe.

“Nuk mund të shfaqësh simbolet e Shqipërisë së Madhe dhe të marrësh paratë në Serbi. Siç e kam thënë, kur shërbeja si drejtor i BIA, kam lëshuar një numër urdhrash për të gjithë ata që fyejnë dinjitetin e Serbisë dhe popullit”.

Këngëtarja boshnjake me origjinë shqiptare u ndalua dje në aeroportin e Beogradit, teksa po futej në Serbi.

Ajo u kthye mbrapsht me fluturimin e radhës për në Sarajevë.

Arsyeja  thuhet se është një performancë e saj e fundit ku Bajrami bëri me duar shqiponjën dykrenare.

Këngëtarja kishte treguar në nëntor se ishte kërcënuar pas performancës së saj në Sarajevë ku edhe interpretoi këngë shqipe. / KultPlus.com

Regjisori Dhimitër Anagosti sot feston ditëlindjen e 88-të

Dhimitër Anagnosti ( 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe të mesmen të përgjithshme e kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperato. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti./ KultPlus.com

Vendbanimi i fortifikuar i Beltojës, monument kulture i kategorisë së parë

Vendbanimi i fortifikuar i Beltojës ndodhet rreth 2 km në vijë ajrore në jug të kalasë së Shkodrës, mes fshatrave Beltojë, Mali Hebej, Berdicë, në pjesën e sipërme të kodrës 168 m mbi nivelin e detit. Ai ka pozicion pak a shumë qendror në një zonë që në vështrim topografik dhe arkeologjik të tërheq vëmendjen.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Shkodër solli në kujtesë disa të dhëna mbi këtë vendbanim që përbën monument kulture të kategorisë së parë.

Në veri të qytezës ndodhet kalaja e Shkodrës, një vendbanim ky me vazhdimësi të gjatë jete. Në lindje, përveç një territori të gjerë fushor mes të cilit gjarpëron lumi Drin, shihen edhe vendbanimet ilire në Ganjollë, Gajtan, Rene.

Në perëndim syri përfshin një zonë të gjerë fushore deri afër detit Adriatik, ndërsa në jug, në kohë të mirë, vështrimi mund të hidhet deri afër qytetit të Lezhës.

Kodra ku ngrihet vendbanimi ka përmbajtje kryesisht prej shkëmbinjsh gëlqerorë, shpate të pjerrëta dhe mbrojtje të fortë natyrore. Pjesa e sipërme ka formën e një pllaje shumëkëndëshe, të përshtatshme për banimin e një grupi të vogël njerëzish; ka sipërfaqe afërsisht 0,8 ha, sot pjesërisht të dëmtuar nga punime të ndryshme.

Në vendosjen e qytezës, veç faktorëve të mësipërm, ka ndikuar edhe afërsia e vendbanimit me rrugët. Nëpërmjet lumit Buna ujërat e të cilit rrjedhin jo larg vendbanimit, në perëndim të tij, kalohet në detin Adriatik. Ndonëse mungojnë të dhëna të plota për rrugën tokësore Shkodër-Lissus, konfiguracioni i terrenit sugjeron për të kërkuar trase të saj diku pranë këtij vendbanimit, në lindje të tij./atsh/KultPlus.com

NASA ka publikuar foton e parë të mostrave nga asteroidi Bennu

Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka hapur më në fund kontejnerin e mostrave nga asteroidi Bennu dhe ka publikuar foton e parë të përmbajtjes së mbledhur.

Pjesë e misionit të anijes kozmike OSIRIS-REx ishte mbledhja e mostrave nga asteroidi Bennu, i cili kreu një manovër fluturimi dhe i hodhi ato për të arritur në Tokë, përpara se të fillonte një mision të ri.

Mostrat hynë me sukses në atmosferën e Tokës dhe më pas u ulën të sigurt në Tokë, por shkencëtarët në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s patën probleme me hapjen e kontejnerit. Konkretisht, problemi ishte në dy grila nga 35 gjithsej që përbëjnë Mekanizmin e Përvetësimit të Kampioneve Touch-and-Go (TAGSAM).

Për shkak të kësaj, tetorin e kaluar u ndalua çmontimi në mes të procesit, me qëllim që të projektohen dhe prodhohen dy vegla shumë-pjesëshe nga metali më i fortë, një lloj specifik prej çeliku inoks jomagnetik kirurgjik.

Ekipi i shkencëtarëve testoi me sukses mjetet e reja dhe vazhdoi me hapjen e TAGSAM. Procesi u krye me sukses dhe më në fund shkencëtarët fituan akses në ekzemplarët, të cilët u fotografuan në detaje nga Erika Blumenfeld dhe Joe Ebersold./alsatm/KultPlus.com

‘Travel Weekly’: Shqipëria mes destinacioneve më të vlerësuara nga ekspertët e ‘Cyplon Holidays’

Ekspertët e kompanisë britanike të udhëtimeve “Cyplon Holidays” kanë shtuar në portofolin e destinacioneve europiano-lindor edhe Shqipërinë, shkruan Samantha Mayling në të përditshmen britanike “Travel Weekly”.

Operatori tashmë ofron një gamë të gjerë pushimesh në të gjithë Mesdheun, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Pushimet në destinacionin më të ri, Shqipëri përfshijnë turne privatë me shoqërues, në vende si Tirana, Golemi, Qerreti dhe Saranda.

“Plazhet e pacenuara që zbukurojnë resortet e Shëngjinit dhe Durrësit, së bashku me rrugët me kalldrëm dhe peizazhin dinamik të qytetit të Tiranës, ilustrojnë mrekullitë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha Jerome Downer, menaxheri i “Cyplon Holidays”.

“Padyshim, Shqipëria qëndron si një perlë e fshehur e gatshme të shkëlqejë në vitin 2024”, shtoi ai.

“Kërkesa për Shqipërinë është rritur gjatë vitit të kaluar. Shqipëria është përmendur shumë herë si një vend që duhet vizituar në vitin 2024”, tha Stephanie Robins, drejtoreshë e shitjeve të paketave turistike në “Cyplon Holidays”.

“Peizazhet e saj mahnitëse malore dhe plazhet e bukura nuk duhen humbur”, theksoi ajo.

“Pasi zgjodhëm me kujdes të gjitha hotelet dhe turnetë tona, tani jemi shumë të emocionuar t’u tregojmë qytetarëve britanikë pikërisht atë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

Dashuri kryeneçe

Poezi nga Pablo Neruda

Dashuri kryeneçe,
vjollcë me gjëmba rrethuar,
shkurre mes pasionesh kreshpëruar,
heshtë dhimbjesh, kurorë tërbimi,
ç’udhë të solli drejt e në shpirtin tim?

Përse i vure zjarrin e dhimbshëm beftas,
gjethnajës së ftohtë të rrugës sime?
Kush ta mësoi rrugën për tek unë?
Ç’lule, gur a tym të dëfteu se ku unë rri?
Edhe nata vetë u rrënqeth, u tremb.
Agimi kupat i mbushi me verën e tij,
e dielli në qiell më s’fundi zuri vend.

Ndërsa dashuria mizore paprerë më ndiqte,
me shpata më shqeu, me gjëmba më çponte,
Gjersa m’hapi në zemër udhën që përvëlonte./ KultPlus.com

Blerina Gjylameti zgjidhet numri dy i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Deputetja Blerina Gjylameti është zgjedhur zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Zgjedhja e Gjylametit, e cila është njëkohësisht dhe kryetare e Delegacionit shqiptar, u mor në mbledhjen e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“E vlerësuar për besimin e kolegëve deputetë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në zgjedhjen time unanimisht si Zëvendës Presidente e Asamblesë!

Ky post i rëndësishëm është një tjetër konfirmim i besimit dhe vlerësimit që gëzon Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës!

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, së bashku me delegacionin e Shqipërisë do të vijojmë angazhimet për forcimin e vlerave demokratike si dhe për të cuar përpara agjendën e antarësimit të Kosovës në KiE.”, shprehet deputetja Gjylameti pas zgjedhjes Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, Gjylameti pritet të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e mëtejshëm të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës./TopChanel/KultPlus.com

14 fakte nga jeta e Madeleine Albright, gruaja me origjinë hebreje që bëri historinë

Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit.

Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”.

Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.

Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.

Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”,

Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.

Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

U shfaq në një film për refugjatë

Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.

Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here

Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.

Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.

Familja e tyre nis një jetë të re në Denver

Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.

Ishte tejet e sukseshme në Kolegj

Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.

Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje

Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.

Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.

Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj

Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.

Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik

Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.

Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira

Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.

Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.

Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.

Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.

Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Gjithnjë ka patur një sens humori

Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.

Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.

Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.

Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 26-vjetorin e sulmit kriminal serb mbi familjen Jashari

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar ditën e 22 janarit të vitit 1998, kur njësite të policisë së Serbisë, e kryen aksionin e dytë kriminal mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Drenicës.

Kryeministri Kurti ka thënë se policia e Serbisë kishte planifikuar çdo gjë për këtë sulm, përveç faktit që familja Jashari nuk dorëzohej para asgjëje.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti për Familjen Jashari:

Atë ditë të enjte, rreth orës 05:25 të mëngjesit, policë të njësiteve speciale të Serbisë që ishin stacionuar në fabrikën e municionit në Prekaz, nisën një aksion të rrufeshëm mbi shtëpitë e Shaban Jasharit. Duke dashur t’i zinin në befasi, synonin t’i arrestonin apo edhe t’i vrisnin dy djemtë e Shabanit: Hamzën dhe Ademin, por pa e kursyer askënd. Kishte gjashtë muaj që policia e vëzhgonin edhe me kamera 24 orë shtëpinë dhe familjen e Shaban Jasharit, prej nga pothuajse gjithçka ishte planifikuar në shërbim të këtij aksioni.

Kishin menduar t’i shfrytëzonin ditët e muajit të Ramazanit kur agjërohet, për çka kishin sulmuar pak minuta pas syfyrit, kur pas këtij vakti të ngrënies njerëzit janë në gjumë. Në mesnatë e kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe linjat telefonike. Kishin mobilizuar njësite speciale të policisë të trajnuara për aksione speciale dhe të armatosura me armë kalibrash të rëndë. Por nuk e kishin planifikuar vetëm një gjë: që Shaban Jashari me familjen e tij nuk dorëzohej, sepse ishte i armatosur edhe me armë zjarri edhe me armët e idealeve të lirisë, të guximit për të luftuar dhe për të jetuar në liri sipas traditave shqiptare.

Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë.

“Derisa i kanë thyer dyert e kanë shtirë prej së largu, kam pritur dhe nuk kam reaguar, por kur e pashë se janë kah ma rrënojnë shtëpinë dhe kah m’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes, atëherë kam nisur të shtie. Gjithkush do ta mbronte pragun e vet. Tjetër shtëpi nuk kam, e kam vetëm këtë, prandaj pragun e shtëpisë do ta mbrojë.” Kështu i tha po atë ditë Shaban Jashari gazetarëve Hamide Latifi dhe Sabit Istogu.

Në anën tjetër të oborrit, nga dritaret e thyera prej sulmeve, Hamza luftoi me automatik dhe duke hedhur disa bomba dore në drejtim të policëve që kishin hyrë në oborr. Nëna Zahide me gratë dhe fëmijët, po mbroheshin brenda në shtëpi, siç rrëfeu më pas ajo vet: “Ishim duke u bërë gati të flejmë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja.” Atë ditë, plumbat e policëve serbë i qëlluan duke i plagosur Selvete Hamëz Jasharin (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jasharin (25) në dorë.

Gjithçka ndodhi brenda gjysmë ore, deri në ora 06:00 kur policët nisën të tërhiqeshin me të plagosur mes tyre dhe duke lënë pas në oborrin e shtëpive të Shaban Jasharit predhahedhës dhe municione. Në tërheqeje e sipër, policia shtiu dhe e vrau Hysen Manxhollin, një 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, e i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skënderaj. Dy ditë më pas, më 24 janar, Hysenin e varrosën në Mikushnicë 20.000 njerëz. Autoritetet shtetërore të Serbisë heshtën për vrasjen dhe plagosjet, duke e aktivizuar propagandën për “terroristët shqiptarë” që e kishin sulmuar policinë dhe që pastaj kinse ishin tërhequr në shtëpinë e Shaban Jasharit prej ku kishin rezistuar.

Që nga paradita e 22 janarit, mijëra njerëz i shkuan për vizitë Shaban Jasharit në shtëpinë e tij, duke e ngushëlluar për mbesat e plagosura dhe dëmet materiale, si dhe duke e mbështetur për rezistencën. Dhjetëra reportazhe gazetash dhe kronika televizive u realizuan në ditët në vijim duke e dëshmuar të vërtetën e atyre ngjarjeve. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991. Ndërsa vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz. Pas kësaj, lufta e Kosovës u bë një gjendje e pakthyeshme pas sikur edhe rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës.

Sot bëhen 26 vite nga aksioni i policisë serbe në Prekaz dhe rezistenca e familjes së Shaban Jasharit. I kujtojmë këto ngjarje sot dhe në çdo përvjetor, sepse janë kapituj historie në rrugën e gjatë të shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe për të jetuar të lirë në Kosovë!/KultPlus.com

Vdes djali i vogël i Martin Luter Kingut

Dexter King, djali më i ri i aktivistit të ndjerë për të drejtat e njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Luter King Junior, ka vdekur në moshën 62-vjeçare.

Kingu vdiq të hënën pasi humbi betejën me kancerin në prostatë, ka njoftuar King Center.

Fëmija i tretë i Doktor Kingut dhe Coretta Scott Kingut, ishte i martuar me Leah Ëeber Kingun që nga viti 2013, dhe nuk ka lënë pas ndonjë fëmijë.

Pikëllim të madh ka shprehur edhe vëllai i tij, Martin Luter Kingu i Tretë, duke thënë që është thellësisht i pikëlluar nga vdekja e vëllait të tij.

“Shoku i papritur po më dërrmon. Është zor të gjesh fjalët e duhura në një moment si ky. Ju lutem mbajeni të gjithë familjen King në lutjet tuaja, dhe në veçanti  gruan e Dexterit, Leahn”, ka thënë ai përmes një deklarate.

‘Një lulishte me trëndafila’ nga Merita Halili (VIDEO)

Merita Halili është një nga këngëtaret më të njohura shqiptare dhe konsiderohet mbretëreshë e muzikës së Shqipërisë së Mesme, shkruan KultPlus.

Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes Tiranës.

Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.

Nga repertori i saj i gjerë, sonte, KultPlus ka përzgjedhur këngën “Një lulishte me trëndafila” :

Dhjetë librat që pritet të bëjnë bujë për vitin 2024

Sa u përket publikimeve të reja, viti 2024 premton të jetë emocionues në botën letrare globale.

Në mars, “Until August” nga Gabriel García Márquez do të publikohet 10 vjet pas vdekjes së tij.

Pranvera sjell gjithashtu një roman voluminoz nga shkrimtari Andreë O’Hagan. “Caledonian Road” pershkruan rënien nga pushteti të një akademiku të famshëm.

David Nicholls ka përfunduar romanin e tij të ri “You Are Here” dhe do të dalë në muajin prill.

Në verë, Elif Shafak rikthehet me “There Are Rivers in the Sky”, një roman ambicioz që ndjek tre personazhe, të gjithë të huaj dhe që jetojnë pranë një lumi.
Përveç emrave të njohur, ka edhe shumë zëra të rinj në horizont. Një nga debutimet më emocionuese të vitit është “The Ministry of Time” nga shkrimtarja britaniko-kamboxhiane Kaliane Bradley.

Pesëdhjetë vjet që kur botoi romanin e tij të parë “Carrie”, Stephen King ka gati në muajin Maj një koleksion të ri tregimesh të shkurtra të titulluar “You Like It Darker”.

“Knife” e Salman Rushdie – e publikuar në prill – detajon sulmin ndaj jetës së tij në një ngjarje që e la atë pa shikim në njërin sy.

Dy libra të rinj të shumëpritur analizojnë se si Inteligjenca Artificiale po ndryshon jetën e të gjithëve.

Në “Filterworld”, shkrimtari Kyle Chayka përqendrohet në mënyrën se si algoritmet po i japin formë kulturës sonë.

Në ‘’Code Dependent’’, gazetarja e Madhumita Murgia hulumton se çfarë do të thotë rritja e inteligjences artificiale për ne si shoqëri. /Liberale.al/KultPlus.com

William Saroyan: Mundohuni të jeni gjallë

Çështja e stilit gjithmonë shkakton debat, por për mua është gjëja më e thjeshtë në botë. Një shkrimtar mund të ketë, në fund të fundit, një nga dy stilet: shkruan në një mënyrë që nënkupton se vdekja është e pashmangshme, ose shkruan në një mënyrë që nënkupton se vdekja s’është e pashmangshme. Çdo stil i përdorur nga shkrimtarët ndikohet prej njërit nga këto qëndrime ndaj vdekjes.

Nëse shkruani sikur besoni se, në fund të fundit, ju dhe të gjithë të tjerët e gjallë do të vdisni, ka gjasa që të shkruani me një stil mjaft të thjeshtë. Në të kundërt, do të prireni të keni stil me fjalë të mëdha apo me lajle-lule. Nga ana tjetër, për të mos qenë budallenj, duhet të besoni se sa është e pashmangshme vdekja, po aq e pashmangshme është edhe jeta. Kjo do të thotë, toka është e pashmangshme dhe njerëzit dhe gjallesat e tjera në të janë të pashmangshme, por që askush s’mund të qëndrojë në tokë shumë gjatë. Juve nuk ju duhet të jeni kaq tragjikë në mënyrë melodramatike. Në të vërtetë, mund të jeni po aq zbavitës sa të doni. Të shkruarit është një nga gjërat në thelb argëtuese dhe ka të gjitha mënyrat për t’ju bërë të qeshni. Nëse ju kujtohet që të gjallët janë po aq të mirë sa të vdekurit, do të mundeni të perceptoni shumë gjëra që ju bëjnë për të qeshur me sjelljet e tyre që ndoshta s’do t’i kishit perceptuar kësisoj nëse s’do të besonit se do të ishin po aq të mirë edhe të vdekur.

Sidoqoftë, sipas meje, këshilla më e çmuar për një shkrimtar është kjo: përpiquni të mësoni të merrni frymë thellë, ta shijoni vërtet ushqimin kur hani dhe kur të flini, flini tamam. Mundohuni sa më shumë të jeni plotësisht të gjallë, me gjithë forcën tuaj; kur të qeshni, qeshni me shpirt dhe kur të zemëroheni, tregohuni zemërmirë, por zemërohuni. Mundohuni të jeni gjallë. Se për të vdekur, mos kini merak, në mos sot, nesër./Hejza/KultPlus.com