Bisedë ndërmjet Rabindranath Tagore dhe Albert Ajnshtajn, dialogu që hyri në historinë e mendimit


Më 14 korrik 1930, Albert Ajnshtajn mirëpriti në shtëpinë e tij në periferi të Berlinit filozofin, muzikantin Indian dhe laureatin e Nobelit, Rabindranath Tagore. Dy mendjet gjeniale patën një nga bisedat më stimuluese intelektuale, të kthyera në etapë kulmore të historisë së mendimit, duke eksploruar fërkimin e mendësive dhe moshës, shkencës dhe fesë.

Pjesa e mëposhtme, shkëputur nga një prej bisedave të Albert Ajnshtajn dhe Tagores, vallëzon midis përkufizimeve të ekzaminuara më parë të shkencës, bukurisë, vetëdijes dhe filozofisë, në një meditim mjeshtëror për pyetjet më themelore të ekzistencës njerëzore.
Ja se si fjala e shndërron bisedën në një ngjarje, mendimi i drituar e përshkon terrin e pamundësisë për ta zotëruar mosnjohjen, me një forcë të tillë sovrane sa t’i kërkojë njeriut besim për të kërkuar një rol të privilegjuar në këtë skenë spektakolare mahnitjesh dhe shastisjesh.

BASHKËBISEDIMI
TAGORA: Sot po bisedoja me Dr Mendel ne lidhje me zbulimet e reja ne matematike sipas te cilave ne boten e madhesive pambarimisht te vogla sjellja e atomeve i bindet rastesise; me sa duket drama e egzistences nuk eshte aspak e paracaktuar ne karakter.
AJNSHTAJN: Faktet qe e bejne shkencen te tentoje ndaj kesaj pikpamjeje nuk do te thote t’i leme lamtumiren parimit te shkakesise.
TAGORA: Ndoshta jo, megjithate duket sikur ideja e shkakesise nuk eshte ne grimcat elementare por qe disa forca te tjera ndertojne me keto grimca nje gjithesi te organizuar
AJNSHTAJN: Duhet perpjekur te kuptohet rregulli ne nje plan me te larte. Rregulli eshte atje ku elementet e medha kombinohen dhe drejtojne egzistencen, por ne grimcat shume te vogla ky rregull nuk eshte i perceptueshem.
TAGORA: Keshtu pra dualiteti eshte ne thelb te egzistences, dmth eshte kontradikta e impulsit te lire dhe vullnetit drejtues qe realizon nje skeme te rregullt te sendeve.
AJNSHTAJN: Fizika moderne nuk do t’i quante qe jane kontradiktore.Rete kur shihen nga larg duken si nje objekt i vetem por kur i vrojton nga afer ato shfaqen si nje grumbull i crregullt pikash uji.
TAGORA: Une i gjej kesaj nje paralele ne psikologjine njerezore. Pasionet dhe deshirat tona jane te crregullta, por karakteri yne i nenshtron keto elemente ne nje te tere te harmonishme.A ka dicka te ngjashme me kete ne boten fizike? A nuk jane grimcat e vogla rebele,dinamike me nje impuls individual? Dhe a ka nje parim ne boten fizike qe i nenshtron ato duke i vendosur nen nje organizim te rregullt?
AJNSHTAJN: Edhe vete grimcat elementare nuk jane pa nje rregull statistikor; grimcat e radiumit do te ruajne nje rregull specifik te tyren, tani dhe pergjithmone ne te ardhmen ashtu sic ka qene vazhdimisht deri me sot. Ka pra nje rregull statistikor per grimcat elementare.
TAGORA: Perndryshe drama e egzistences do te ishte mjaft e paqellimte. Eshte harmonia e vazhdueshme e rastesise dhe percaktueshmerise e cila e ben ate perjetesisht te re dhe jetesore.
AJNSHTAJN: Une besoj se cfaredo qe behet me ne ose bejme ka shkakesine e vet; eshte gje e mire sidoqofte qe ne nuk e perceptojme dot.
TAGORA: Ka nje elasticitet gjithashtu ne veprimet njerezore, nje fare lirie ne rende te ulta qe eshte per te shprehur personalitetin tone. Eshte dicka e ngjashme me sistemin muzikor ne Indi,i cili nuk eshte aq i ngurte sa c’eshte ne muziken perendimore. Kompozitoret tane japin nje linje te percaktuar muzikore,nje sistem melodik dhe arranxhim ritmik dhe egzekutuesi i saj brenda disa kufijve mund te improvizoje mbi te.Ai duhet te ndjeke me besnikeri pjesen muzikore, por dhe te jape shprehje spontane te ndjeshmerise se vet muzikore sipas disa rregullave te paracaktuara.Ne admirojme kompozitorin per talentin e tij ne krijimin e bazes dhe superstruktures se melodise por nderkaq presim nga interpretuesi te shprehe aftesite e tij duke krijuar variacione me zbukurime melodike.Ne krijimin ne ndjekim ligjin themelor te egzistences por nese lejojme edhe nje shmangje nga ai, atehere kemi nje liri te mjaftueshme brenda kufijve te personalitetit tone per shprehjen me te plote te vetvetes.
AJNSHTAJN: Kjo eshte e mundur vetem kur ka nje tradite muzikore te fuqishme qe mund te orientoje njerezit. Ne Europe muzika ka shkuar teper larg nga arti dhe ndjeshmeria popullore dhe eshte bere si nje fare arti i fshehte me konvencionet dhe traditat e veta.
TAGORA: Duhet te jesh absolutisht i bindur ndaj kesaj muzike kaq te komplikuar.Ne Indi masa e lirise se kengetarit eshte ne personalitetit e vet krijues.Ai mund ta interpretoje kengen e kompozitorit ne menyren e vet nese ka fuqine krijuese te afirmoje vetveten ne interpretimin e ligjit te pergjithshem te melodise qe i eshte besuar.
AJNSHTAJN: Kerkohet nje nivel shume i larte artistik per te realizuar plotesisht idene e madhe te muzikes origjinale keshtu qe mund te behen edhe variacione mbi te. Tek ne variacionet shpesh jane te paravendosura.
TAGORA: Nese ne sjelljen tone ndjekim ligjin e virtytit atehere do te kemi nje liri reale per shprehjen e vetvetes.Vertete eshte parimi i sjelljes por karakteri qe e ben ate te vertete dhe individual eshte ne krijimin tone. Ne muziken tone ka nje dualitet te lirise dhe rregullit te paracaktuar.
AJNSHTAJN: Po fjalet e kenges a jane gjithashtu te lira? Dua te them a eshte i lire kengetari te shtoje fjale te tijat ne tekstin e kenges qe kendon?
TAGORA: Po.Ne Bengal kemi nje soj kenge-kirtan e quajme,e cila i jep liri kengetarit te nderfuse komente ndermjetese, fraza qe nuk jane ne kengen origjinale. Kjo shkakton entusiazem te madh sepse degjuesit jane vazhdimisht te emocionuar nga sentimente spontane te mrekullueshme te bera nga kengetari.
AJNSHTAJN: A eshte metrika teper strikte?
TAGORA: Po, krejt. Nuk mund te kalohen kufijte e vjersherimit; kengetari ne gjithe variacionet e veta duhet te mbaje ritmin dhe kohen, te cilat jane te fiksuara. Ne muziken europiane ju keni nje liri te krahasueshme per kohen por jo per melodine.
AJNSHTAJN: Mund te egzekutohet muzika indiane pa fjale? Mund te kuptohet nje kenge pa fjale?
TAGORA: Po , ne kemi kenge me fjale te pakuptimta, tinguj qe thjesht ndihmojne ne mbajtjen e notave. Ne Indine Veriore, muzika eshte nje art i pavarur, jo nje interpretim i fjaleve dhe mendimeve si ne Bengal. Muzika eshte shume e perpunuar dhe sugjestive dhe eshte nje bote e tere ne vete melodine.
AJNSHTAJN: Nuk eshte polifonike?
TAGORA: Instrumentat perdoren, por jo per harmonine, vetem per te mbajtur kohen dhe per te shtuar volumin e thellesine. A ka vuajtur melodia ne muziken tuaj nga imponimi i harmonise?
AJNSHTAJN: Ndodh nganjehere qe vuan vertete teper. Nganjehere harmonia gelltit edhe vete melodine.
TAGORA: Melodia dhe harmonia jane si linjat dhe ngjyrat ne pikture. Nje vizatim mund te jete i mrekullueshem nderkohe qe duke i shtuar edhe ngjyrat mund te behet i vaget dhe humbet forcen. Por ngjyra ne kombinim me linjat krijon piktura te medha sa kohe qe nuk shvlereson apo shkaterron vleren e vizatimit.
AJNSHTAJN: Eshte nje krahasim i bukur; vizatimi eshte gjithashtu shume me i vjeter se ngjyra. Duket se melodia juaj eshte shume me e pasur ne strukture se e jona. Muzika japoneze gjithashtu duket e tille.
TAGORA: Eshte e veshtire te anlizosh efektin e muzikes te Lindjes dhe te Perendimit ne mendjet tona. Une jam shume i prekur nga muzika perendimore; ndjej qe eshte e larte, e gjere ne strukture dhe e madhe ne kompozicion. Muzika jone me prek me thelle prej vokacionit te vet lirik themelor. Muzika europiane eshte epike ne karakter, ka nje sfond te gjere dhe eshte gotike ne strukture.
AJNSHTAJN: Eshte nje pyetje qe ne europianet nuk i pergjigjemi dot qarte, ne jemi shume te perdorur nga muzika e jone. Ne duam te dijme nese muzika jone eshte nje ndjenje konvencionale apo fondamentale, nese eshte natyrale te ndjesh konsonancen dhe disonancen apo nje konvencion qe ne e pranojme.
TAGORA: S’di se si por piano me ngaterron.Violina me pelqen shume me teper.
AJNSHTAJN: Do te ishte interesante te studjoheshin efektet e muzikes europiane ne nje indian qe nuk e ka degjuar kurre ate qekurse ka qene i ri.
TAGORA: Une njehere i kerkova nje muzikanti anglez te me anlizonte disa pjese te muzikes klasike dhe te me shpjegonte se cfare elementesh e bejne te bukur nje pjese muzikore.
AJNSHTAJN: Veshtiresia eshte se muziken vertete te bukur , lindore apo perendimore qofte, nuk mund ta anlizosh dot.
TAGORA: Po dhe ajo cka e prek thelle degjuesin eshte dicka shume personale per cdo individ.
AJNSHTAJN: E njejta pasiguri mbetet rreth cdo gjeje themelore ne pervojen tone , ne reagimin tone ndaj artit, kudo qofte ne Europe apo Azi. Bile edhe kjo lule e kuqe qe shoh ne tavolinen tuaj mund te mos jete e njejte per ty dhe mua.
TAGORA: E megjithate eshte i pranishem gjithmone nje process pajtimi midis tyre, shija individuale qe tenton te perputhet me standartin e pergjithshem…

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, Sibel Halimi: Kjo datë thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve.

Dretoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, thotë se në këtë ditë, duhet përkujtuar që t’i mbrojmë monumentet kulturore nga rreziqet dhe dëmtimet, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Sibel Halimit:

Sot, më 18 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, kjo datë e rëndësishme, thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Monumentet janë më shumë se vetëm objekte – ato janë dëshmitarë të historisë dhe identitetit tonë.

Duke reflektuar për këtë ditë, ne përkujtojmë detyrimin tonë për t’i mbrojtur ato nga rreziqet dhe dëmtimet.

Kujdesi dhe edukimi janë thelbi për të siguruar që kjo trashëgimi të jetë e qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Disa nga monumentet ikonike të Kryeqytetit./KultPlus.com

Prezantohet libri “Vallëzim me Hënën” i shkrimtarit Namik Dokle

Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është bërë prezantimi i librit të politikanit Namik Dokle, “Vallëzim me Hënën” (Legjendat e Gorës).

Kanë qenë të pranishëm politikanë, kolegë të autorit, akademikë, botues etj.

Në promovimin e “Vallëzim me Hënën”, ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga aktiviteti, duke shkruar se libri më i ri i mikut dhe kolegut të saj, sjell për lexuesin legjendat e Gorës së Namikut.

“Sa bukur! Gora, ky vend plot shkëmbinj, malor dhe i ashpër për nga natyra, ka një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, lirike, që i këndon jetës, njerëzve, vajzave, dashurisë, ëndrrave, pasioneve, ndjenjave të holla të banorëve të saj, lidhjeve të tyre me vendlindjen,tokën, malet, yjet, zogjtë dhe qiellin”, shkroi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Namik Dokle lindi më 11 mars të vitit 1946 në Durrës. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega Ekonomi Agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970).

Më 1994 ai ndoqi një kurs specializimi për gjuhën dhe kulturën spanjolle në Universitetin Complutense, Madrid. Më 1995 u specializua pranë Këshillit të Europës për Problemet Parlamentare, Strasburg dhe më 1997 ndoqi një kurs specializimi për problemet e tranzicionit në Madrid.

Gjatë viteve 1970-1983 punoi si gazetar e me pas si kryeredaktor në redaksinë e gazetës “Puna”; 1991: kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Gjithashtu ai ka edhe një veprimtari të gjerë politike që prej vitit 1991.

Ka botuar librat: “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e skajbotës”, “Dënimi i dytë i Homerit”, “Shën Maria e Beratit”, “Vajzat e mjegullës”, “Dhjetë gramë nder”, etj.

Promovimi i librit te Namik Dokles, fotot nga Agim Dobi./KuktPlus.com

U bë inaugurimi i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut me “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” nga Doruntina Kastrati

Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati, adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara.  Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Për shkak të natyrës së përsëritur dhe performimit të punës në këmbë në një fabrikë llokumesh në Prizren, pothuajse një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit me proteza metalike. Metali që iu futet në trup mbetet gjurmë e orareve të gjata të punës, me pagesë të ulët, të grave në industritë e lehta, në Kosovë dhe botë. 

Me rastin e inaugurimit të Pavijonit të Kosovës në Bienalën e Venecias, para qindra mysafirëve nga mbarë bota, komisionerja Hana Halilaj tha:

“Falemnderit që keni ardhur në inaugurimin e Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 60-të të ekspozitës ndërkombëtare të artit i cili prezanton projektin Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës, një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati, i kuruar nga Erëmirë Krasniqi. Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës në La Biennale, i vendosur në oborrin e Museo Storico Navale, i spikatë hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit. Kjo përpjekje nuk do të ishte e mundur pa kontributin e pakompromis dhe punën e palodhur të një ekipi dhe bashkëpunëtorësh të mrekullueshëm.”

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e saj hyrëse u shpreh: “Si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, më lejoni t’ju them se jam thellësisht e nderuar dhe krenare që ju mirëpres në këtë ambient të cilin e konsideroj kulmin e diplomacisë sonë kulturore, inaugurimin e pavijonit tonë ‘Heshtjet kumbuese të Metali dhe Lëkurës.’ Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë.”


“Brezi ynë po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i grave para nesh, dhe përmes punës sonë po përpiqemi ta bëjmë këtë botë pak më të jetueshme dhe më të përshtatshme për to dhe veten tonë. Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativën më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju” – është shprehur kuratorja Erëmirë Krasniqi. 

“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne jemi krijuar nga histori – ato që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment  dhe ato që formohen thjeshtë në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. ..Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh” me këtë citat nga shkimtarja Elif Shafak ka filluar fjalën e saj të hapjes artistja Doruntina Kastrati e cila vazhdoi: “Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndajë pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”- ka thënë ajo.

Me këtë rast u promovua dhe u shpërnda edhe një botim i bazuar në hulumtim, ku prezentohen tri histori gojore me ish-punonjëset e fabrikës së llokumeve. Intervista, që artistja Kastrati ka realizuar me nënën e saj, Fitnete Veselaj Kastratin është pikënisje e këtij botimi. Artistja dhe nëna e saj, së bashku kujtojnë kohën kur ajo punonte në fabrikë. Intervistat kanë një strukturë biografike, duke reflektuar mbi mënyrën se si gratë menaxhuan përgjegjësitë dhe presionet në vendin e punës, si dhe marrëdhëniet e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe se si kjo ka ndikuar në vetëvlerësimin e tyre. Intervistat shoqërohen me dokumentim fotografik nga Majlinda Hoxha. Publikimi është redaktuar nga Erëmirë Krasniqi dhe dizajnuar nga Nita Salihu Hoxha—Studio Permanent.

Republika e Kosovës merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Përfaqësimet e mëhershme kanë qenë paraqitje solo të veprave nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Brenda dhjetë vitesh, Kosova është përfaqësuar me sukses përmes projekteve që janë marrë me politikat e identitetit, Luftën e Kosovës, personat e zhdukur dhe me mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar. Të gjitha këto projekte kanë rezonuar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për thurjen e narracioneve kolektive. Duke vijuar krahas kësaj pëvoje, projekti i Doruntina Kastratit adreson gjendjen e tëhuajtjes përmes hetimit të kundërhistorive, narracioneve në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara.

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024./ KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Evropian, Richard Coudenhove-Kalergi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është shprehur e nderuar nga ndarja e Çmimit të Evropës i akorduar sot nga Fondacioni Pan-Evropian, Richard Coudenhove-Kalergi.

Përmes një postimi ajo është shprehur se ky çmim ka rëndësi të dyfishtë për të, pasi para 20 viteve me të njëjtin çmim ishte nderuar edhe Ibrahim Rugova.

“E falënderoj Fondacionin Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi për çmimin e ndarë, për mua, për shtetin tim dhe për qytetarët tanë. Sot, Republika e Kosovës është një histori suksesi e përbashkët e popullit të Kosovës dhe e aleatëve tanë. Ky bashkëpunim solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë të cilat sot po i mbrojmë si vlera të përbashkëta”, është shprehur Osmani.

Tutje, presidentja Osmani ka uruar homologen e saj, presidenten moldave Maia Sandu, e cila poashtu ka fituar të njëjtin çmim./KultPlus.com

Netflix sjell si serial kryeveprën “Njëqind vjet vetmi” të Marquez

Netflix është duke u përgatitur që të vërë në dispozicion të abonentëve të tij, që është një seri e bazuar në romanin “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel García Márquez.

Në rrjet është publikuar traileri para disa ditësh, duke ofruar një vështrim të parë për serialin, ndërsa data e premierës do të bëhet publike së shpejti.

Personazhet qendrore të veprës ikonike të Márquez-it janë anëtarët e familjes Buendía, të cilët narratori i ndjek duke përshkruar histori të çuditshme dhe fantastike nga jeta e secilit. Historia, duke rrëfyer mendime dhe incidente logjike, është e pushtuar nga elementi i absurdit, por edhe nga elementët e një përralle.

Njëqind vjet vetmi është drejtuar nga Alex García López dhe Laura Mora. Kasti përfshin aktorët Claudio Cataño, Jerónimo Barón, Marco González, Susana Morales, Ella Becerra, Carlos Suaréz, Moreno Borja, Santiago Vásquez./KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi për rastin e profesorit Xhevat Krasniqi: Oj Kosova ime sa dhembje na ke falë këto ditë

Profesori i Universitetit të Prishtinës, i dyshuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi po vazhdon mbajtjen e ligjëratave në UP.

Sot, Lëvizja Feministe Studentore bllokoi një nga ligjëratat e profesorit qe po akuzohet për ngacmim seksual.

Studentët aksionin e sotëm e zhvilluan me fishkëllima kështu duke mos ia mundësuar profesorit të Fakultetit të Edukimit ta zhvillojë ligjëratën.

Për këtë rast ka reaguar edhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi. Ajo shprehet e befasuar se si një profesor që akuzohet për ngacmim seksual ende shkon në punë sikur asgjë s’ka ndodhur.

“Një profesor që akuzohet për ngacmime seksuale ende shkon në punë sikur asgjë ska ndodhur… Oj Kosova ime sa dhembje na ke falë këto ditë! Është e dhimbshme të dëgjosh për këto situata. Është e rëndësishme që institucionet dhe komuniteti të merren me akuzat e tilla në mënyrë serioze dhe të sigurojnë një ambient të sigurtë për të gjithë”, ka shkruar Kajtazi.

Tutje ajo është shprehur se beson që drejtësia dhe transparenca janë thelbësore për të adresuar këto çështje në mënyrë të drejtë dhe të ndjeshme. / KultPlus.com

Pas “Time”, Dua Lipa edhe në ballinën e “Elle USA” (FOTO)

Pas kopertinës së të famshmes “Time”, Dua Lipa ka arritur një tjetër sukses, duke e zënë ballinën e prestigjiozes “Elle Usa”.

Në postimin e saj, ajo ka falënderuar revistën “Elle”, duke ndarë disa fotografi të shkrepura nga fotografi Dan Beleiu, ku u cilësua si “Mbretëresha e pistës së vallëzimit”.

Para tre ditësh, Lipa u shpall nga “Time” si një ndër 100 njerëzit me më ndikim në botë.

Gjatë intervistës, ajo ka folur që nga manifestimi i ëndrrave të saj, deri te krenaria për Kosovën. / KultPlus.com

Ekspozita “Art & Trashëgimi” në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve e Siteve

Në ditën e ndërgjegjësimit, vëmendjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, DRTK Berat organizoi ekspozitën “Art & Trashëgimi”, të autorit Dritan Çoku.

Ekspozita solli në vëmendje rrezikun dhe faktorët e humbjes së vlerave monumentale. 26 skica të grafikës artistike pasqyruan objekte kulturore me vlera historike kulturore që mungojnë në qytetin e Beratit.

Skicat janë pjesë e ilustrimit të një pune kërkimore, studim monografik të një banese me çardak në qytetin e Beratit që tashmë nuk ekziston më, që prej vitit 1969.

Aktiviteti u zhvillua te Konakët e Teqes (zyrat e DRTK-së) ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve dhe nxënës nga shkolla artistike “Ajet Xhindole”.

“Kjo ditë vjen si një thirrje për të mbrojtur trashëgiminë tonë dhe vlerat e saj monumentale”, u shpreh DRTK Berat, në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve e Siteve./atsh/KultPlus.com

Sot, kujtojmë vdekjen e Vilhelm Vid

Princ gjerman nga një familje protestante, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha europiane në tetor 1913 në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi më 21 Shkurt 1914 në Nojvid (Neuwed), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë.

Vilhelm Vidi erdhi në Shqipëri më 7 Mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë sundimit gjashtëmujor u përpoq të ruante balancën ndërmjet interesave të Fuqive të Mëdha në Shqipëri. Pas shpërthimit në maj 1914, të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme kundër tij, u detyrua të mbyllej në Durrës, i mbrojtur nga forcat e tij. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore në gusht 1914, ekuilibri politik ndërmjet Fuqive të Mëdha europiane u prish dhe Vilhelm Vidi humbi mbështetjen ndërkombëtare. Abdikoi formalisht dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. / KultPlus.com

“Zoti nganjëherë na fut në disa ujëra të trazuara ku armiqtë tanë idiotë nuk dinë të notojnë”

Thënie sociologjike nga sociologu Labinot Kunushevci, të shkëputura nga esetë sociologjike të librit të tij ‘Pasionet e idiotëve’ (botimi i dytë).

”Idiotët duke çuar ujë në mullirin që bluan vdekjen, jetën tonë duan ta shndërrojnë në një vdekje të pangushëllueshme, ku ceremonia mortore kthehet në dasmë, njerëzit ngushëllues në krushqi, e mbulesa e kufomës në flamur dasme!”

”Armiqtë tanë janë personat “më të mërzitur” në funeralin lamtumirës të varrimit tonë. Ata qajnë me hipokrizi për shkak të turmës, ndërsa në vetvete ndihen të lumtur që ne po shkojmë!”

”Idiotët na detyrojnë të bëjmë kompromis me vlerat tona, të shkelim mbi principet tona, ta thyejmë fshehtësinë tonë, që ata ta kontrollojnë mendjen tonë dhe t’i sabotojnë arritjet tona!”

”Të mos i besojmë një shoqërie që na ndrydh! Ta lëmë të shporret në djall! Ferri do ta zë mjaftueshëm, në një vend të veçantë! Ta heqim qafesh koleksionin e idiotëve rreth nesh, sa nuk na kanë futur në perandorinë e tyre histerike. Ata kanë krijuar një republikë, ata funksionojnë si parlament!”

”Sot kemi shkrimtarë që ndihmojnë liderët famëkeq të ndërtojnë narracionin dhe gënjeshtrën e madhe që shteti të cilin ata udhëheqin është një parajsë!”

”Sot kemi më shumë idiotë sesa intelektualë. Dhe sa të lumtur që ndihen. Ndërsa intelektualët, me gjithë ato libra, studime, hulumtime, përvoja, mësime, mundësi, inteligjenca, resurse, institucione, ndihen të kapluar nga stresi!”

”E kur një kriminel duan ta relativizojnë apo ta shfajësojnë, e shpallin psikopat. Por psikopat nuk mund ta shpallë shoqëria. Atë e shpall diagnoza e një neuropsikiatri apo e një klinike neuropsikiatrike të licencuar!”

”Derisa televizionet kanë ftuar e promovuar në emisione gangsterë, vrasës, racistë, kriminelë lufte, recidivistë, dhunues grash, njerëz të korruptuar, njerëz të dyshuar për terrorizëm, për trafikim e për prostitucion, shërbëtorë të ish-regjimit, islamofobë që blasfemojnë, atëherë për cilën vlerë po flasim, për cilën liri dhe demokraci po flasim?”

”Ne ende jemi një shoqëri e odave, sharkive, folklorit, valleve, tallavasë, flamujve, simboleve, ceremonive, retorikave, kuvendimeve, gjyqeve tradicionale, anekdotave, heronjve, miteve, legjendave, kullave, nderit burrëror, kanunit, pushkës, partive e pushteteve. Jemi në gjendje ta japim jetën për to. Por nuk japim jetën për shtetin, nuk japim jetën për interesin publik, nuk japim jetën për komunitetin!”

”Gjithë ditën me retorikë në gojë duke sharë Serbinë, por duke harruar që në frigoriferët e shtëpive mbajnë produkte serbe, i ushqejnë fëmijët me to dhe i arsyetojnë se janë më cilësore. Çfarë patriotizmi është ky?”

”Dikur vetë ishin gazetarë, analistë, pjesë të shoqërisë civile, me kritika të holla publike, që sipërfaqësisht preknin shkeljet dhe skandalet e politikanëve, por ofertat për privilegje, frika, shantazhi, korrupsioni, i bëri rrufeshëm pjesë të qeverisë. Nga kritikë të pushtetit, u bënë vetë pushteti që kritikohet!”

”Ka një rregull që na tregon për fatin që i pret kriminelët: Zoti i lufton kriminelët me kriminelë të tjerë. Ata vrasin njëri-tjetrin!”

”Të qëndrojmë larg idiotëve dhe të mos u japim atyre pozicione të rëndësishme akademike në shoqëri. E nëse ata i kontrabandojnë pozicionet, të mos i bëjmë të ndihen të rëndësishëm në to!”

”Fjalët e idiotëve duhen futur sa më thellë nën tokë dhe të sistemohen në kanalizimin e mbetjeve. Nevojitet një rrjet i tubacioneve të gjata, që moçalet e tyre kulturore t’i çojnë matanë qytetërimit, ekzistencën e të cilit e rrezikojnë!”

”Kur mendja shkarkohet nga vijat inteligjente të vetëdijes, ngarkohen hundët me vijat e arratisjes nga realiteti!”

”Zoti na takon shpeshherë me ta, që të na japë një mësim mbi jetën: ta falënderojmë Zotin, që na ndajnë pasione të tjera prej idiotëve. Ai nganjëherë na fut në disa ujëra të trazuara ku armiqtë tanë idiotë nuk dinë të notojnë. Ata ekzistojnë si model për t’u treguar njerëzve normalë dhe inteligjentë si nuk duhet të jenë!”

”Buzëqeshja ndaj idiotëve është serumi më i mirë kundër helmimit të tyre. Lumturia jonë për ta është një lloj morfine vdekjeprurëse në mbidozë. Idiotësia u është bërë kronike, e patentuar, në miliona ekzemplarë. T’u flasësh atyre është si t’u flasësh varrezave, nuk të dëgjojnë as nuk të kthejnë përgjigje!”

”Po të ishte idiotësia pemë, qytetet dhe metropolet do të shndërroheshin në pyje. Pyje, që u duhej vënë flaken. Male, që duhej të shpyllëzoheshin. E po të fluturonin idiotët, mos pyet – qielli do të shndërrohej në një aeroport gjigant!”

”Unë ende nuk arrita të shoh se si, një njeri i suksesshëm dhe human, u bë viral në këtë shoqëri idiotësh. Në mentalitetin e shoqërisë tonë, konspiracionistët, fallxhorët, heretikët “patriotë” të fesë, njerëzit mafiozë, recidivistët penal, në të vërtetë – idiotë mashtrues dhe profiterë – janë figurat më të famshme, e deri diku edhe më të respektuara!”

”Të ekspozosh nuk është si të zotërosh. Disa vajza, që e gënjejnë veten se janë talente në muzikë, nuk dinë të bëjnë dallimin mes ekspozimit të lakuriqësisë dhe zotërimit të bukurisë. E para është imoralitet; e dyta është elegancë!”

”Shumica e komedianëve sarkastikë seriozë kanë ndërruar jetë, kanë mbyllur perdet, por kanë lënë rreze të pambuluara, të pashlyeshme e të paperënduara!”

”Shoqëritë e emancipuara prodhojnë shkencëtarë, inovatorë, prodhues, zbulues, shpikës, investitorë, specialistë, ekspertë, ndërsa shoqëritë, që i ka shkelur rrota e historisë, prodhojnë analistë, mendimtarë, opinionistë!”

”Ateistët nuk dinë të lexojnë heshtjen e Zotit “inferior” dhe rolin inteligjent të Zotit si “produkt kulturor”!”

”Fëmijët e presin me padurim arritjen e moshës 18 vjeçe, jo pse e fitojnë të drejtën e votimit nga e cila do të mundë të zgjidhnin qeveri dhe institucione, që marrin vendime mbi jetën e tyre, prej të cilave vendime caktohet standardi dhe varet mirëqenia e tyre, por gëzohen sepse po fitojnë të drejtën e pajisjes me patentë shoferi. Mbrëmjes së maturës, si ceremoni festive, i gëzohen më shumë se vetë përfundimit të shkollës së mesme apo hapjes së mundësive për studime universitare!”

”Sa ironike dhe paradoksale kur lexojmë lajme për një të sapoburgosur për krime të rënda, e kanë rrahur të burgosurit që po vuajnë dënimin për të njëjtën vepër, në shenjë “hakmarrjeje”! Kjo është hipokrizia e patriotëve të rrejshëm, kur edhe krimineli i burgosur ”solidarizohet” me viktimat e të burgosurve tjerë!”

”Lajm ogurzi: idiotët kanë kolonizuar mediat sociale, idiotët nuk po njohin kufij, idiotët po minojnë terrene, idiotët po shënjestrojnë pengje sociale. Gjendje e jashtëzakonshme. Ju lutem, mos debatoni me idiotët që nuk lexojnë libra, kur burim të vetëm të informacionit kanë rrjetet sociale!”

”Kur ju keni dashur t’ia dedikonit dikujt një poezi apo një ese, e keni shkruar me plot pasion, ndjenjë, imagjinatë, empati e dashuri, ndërsa e ardhmja e inteligjencës artificiale – robotëve është se ajo do ta zëvendësojë edhe poetin në poezi, eseistin në ese, artistin në art, gazetarin në informim, makinistin në prodhim, mësuesin në edukim, sportistin në lojë, shkrimtarin në shkrimin e librave dhe përkthyesin në përkthimin e teksteve apo komunikimeve!”

”Përgjigjja juaj duhet t’ua japë një makth të vërtetë idiotëve. Dita e Gjykimit, dita e zbulimit të pasioneve të fshehta, do të jetë ditë e rëndë për ta. Ditë, kur ata do të njihen me vetveten dhe do të befasohen nga vetvetja. Pasaportës së tyre, që deri dje njihej e pranohej në çdo shtet, duhet t’ia vendosni regjimin e vizave. Sepse ata nganjëherë dinë të bëjnë tërheqje taktike vetëm për t’ju hutuar. Por ju mos u rebeloni kundër tyre. Shijojeni lirinë sepse nuk ju duhet leja e idiotëve për të qenë të lumtur. Një ditë ata do ta ngrenë flamurin e bardhë!” / KultPlus.com

Prezantohet programi i edicionit të 14-të të “Chopin Piano Fest”

“Chopin Piano Fest Prishtina” ka prezantuar programin e edicionit të 14-të të Chopin Piano Fest.

Sipas njoftimit, prej datës 9 maj deri më 9 qershor, Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Qëndrore Universitare të Prishtinës, do të ketë interpretime të veçanta të artistëve të shquar nga vendi dhe bota.

“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të ndëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi me Çmimin e Evropës për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, si dhe përkushtimin ndaj orientimit pro-evropian, demokracisë dhe sundimit të ligjit. 

Në njoftimin e publikuar nga Fondacioni, Presidentja Osmani është vlerësuar për qëndrimin politik dhe orientimin e saj të qartë evropian, duke e mbrojtur atë me përkushtim, pavarësisht situatës delikate të sigurisë në rajon dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga Serbia. 

Më tej, në njoftimin e publikuar nga Fondacioni Pan-Evropian, Presidentja Osmani është vlerësuar edhe për punën dhe përkushtimin e saj për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. 

Tutje, në njoftim, Presidentja vlerësohet për qëndrimin e saj politik të ndjekur me bindje të plotë ndaj rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, e cila në angazhimin e saj mbështet filozofinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili u nderua me po këtë çmim, 20 vjet më parë.

Laureatët e këtij çmimi përfshijnë personalitete të ndryshme botërore, përfshirë edhe: ish-Kancelaren Angela Merkel,  ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe Presidentin historik të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur njoftimin nga Fondacioni për ndarjen e çmimit. / KultPlus.com

https://www.ots.at/presseaussendung/OTS_20240418_OTS0034/europapreis-coudenhove-kalergi-2024

103 vite nga lindja e Nermin Vlorës, stërmbesës së Ismail Qemalit

Nermin Vlora Fallaschi, lindi më  18 prill 1921 në Tiranë dhe ka qenë shkrimtare, intelektuale e studiuese shqiptare, njëkohësisht stërmbesë e Ismail Qemal bej Vlorës, shkruan KultPlus.com.

Nermin Vlora, qysh në shkollën e mesme kishte filluar të merrej me shkrime e përkthime nga gjuha frënge e italiane për radion e Tiranës.

Më pas me largimin e saj në Itali, ajo filloi  të studionte shkencat juridike.  Njohja e disa gjuhëve të huaja, e ndihmoi në gjurmimet e saja njëzet vjeçare mbi çështjen etruske ku bëri deshifrime e përkthime të kësaj gjuhe nëpërmjet të idiomave të gjuhës shqipe. Ajo pohonte gjuha se etruske mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.

Ndër veprat më të njohura të saj janë: Zotëruesi i kohës, Nga gjysëmhëna tek hëna, Momente kolumbiane, Enesërmja e Kohës; Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët; Etruskishtja gjuhë e gjallë etj.

Nermin Vlora Fallaschi ka vdekur në vitin 2004 duke lënë pas vetes një pasuri, një monument të gjallë shkrimesh me një vlerë të jashtëzakonshme.

Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe studjuese erudite, numëron mbi 35 vëllime poetike, romane, studime, etj.

Ndërkaq me rëndësi për kulturën shqiptare është studimi i saj: “Lashtësia e gjuhës shqipe –sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”./KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me koncert, pjesëmarrëse edhe pianistja e njohur Alba Shkreli

Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se më 27 prill do të mbahet koncerti i radhës i dirigjuar nga mjeshtri italo-britanik Dario Salvi, ku do të përfshihen dy vepra nga dy kompozitorë romantik.

Sipas njoftimit mbrëmja do të hapet me “Koncert nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Chopin-i, me pjesëmarrjen e pianistes së talentuar shqiptaro-zvicerane Alba Shkreli, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë Simfoninë Nr. 5 nga kompozitori gjerman Felix Mendelssohn.

Alba Shkreli është një vajzë 23-vjeçare, e cila është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj në Evropë, dhe ka fituar konkursin “Steinway” në Zvicër.

Dirigjenti Dario Salvi do të rikthehet në Prishtinë për të drejtuar Orkestrën Simfonike, ndryshe nga koncerti i Orkestrës Frymore nëntorin e kaluar.

Ai është laureat i Çmimit Globi i Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records me mbi një milion dëgjues në vit në Spotify, si dhe gjysmë milion dëgjues në Apple Music./KultPlus.com

Banka e Shqipërisë organizon ekspozitë për zhvillimet ekonomike në Beratit

Banka e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Muzeumeve, organizojnë në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri”, Berat në datat 18-19 prill 2024,  ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve tregtare, ekonomike dhe etnografike të qytetit të Beratit, gjatë shekujve XVIII-XX.

Në këtë ekspozitë prezantohen koleksione numizmatike, kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit XX, monedhat kombëtare, të cilat mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit, me vlera historike dhe kulturore universale.

Një hapësirë të veçantë në këtë ekspozitë do të zënë edhe elementë të edukimit financiar nga Banka e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

69 vite nga vdekja e gjeniut Albert Einstain

Albert Einstein u lind në Ulm të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e titulluar “A4” nga Edi Hila

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur dje ekspozita nga piktori Edi Hila e titulluar “A4 Print” dhe do të qëndrojë e hapur deri me 25 qershor.

Ekspozita ka për kurator Shkëlzen Maliqin, filozofin, kritikun e artit dhe intelektualin nga Kosova. Në hapjen e ekspozitës ishin dhe emra të njohur të artit shqiptar si Zef Paci.

Edi Hila njihet si piktor i veçantë që ka një marrëdhënie deri diku të pakrahasueshme me hapësirën si koncept. I frymëzuar nga piktorët e mëdhenj europianë ai duket sikur pikturon duke u nisur nga korniza për të shkuar drejt qendrës.

Edi Hila njihet edhe si mësuesi i Edi Ramës, në fillimet e tij të karrierës si piktor. Pavarësisht izolimit që i shkaktoi artit regjimi komunist, Edi Hila mundi të njihet me historinë e artit të shekullit të XX dhe të mësojë nga mjeshtrit europianë duke dalë jashtë korniza të realizmit socialist./tema/KultPlus.com

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës.

Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër trupave osmane. Afro 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15 000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës.

Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën. Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 Prill 1881. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut.

Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan luftime në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës. / atsh / KultPlus.com

Rihanna shkëlqen në prezantimin e ri të “Fenty X PUMA”

Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, ka shkëlqyer në prezantimin e ri i cili vjen në bashkëpunim me Fenty x Puma Creeper Phattz Earth Tone.

Sipas mediave të huaja, Rihanna po shkëlqente si një diamant, me ngjyrën e saj të flokëve bionde dhe me grimin e saj të theksuar.

36-vjeçarja, ka sjellur disa stile me markën sportive dhe të mërkurën ka festuar prezantimin e saj të fundit në Tobacco Dock në Londër./KultPlus.com

Para vdekjes së nënës ne mbetemi fëmijë që qajmë me sytë e qiellit

Nga Albert Vataj

Vdekja e një nëne nuk është si çdo vdekje, si çdo mbarim i ditëve e shterrim i hapave, fikje e dritës së syve e këputjes së frymës. Vdekja e një nëne është solemniteti më i trishtë i një dhimbje që kafshon plagën që çel humbja.

Vdekja e një nëne është mbarimi i të gjitha ëndrrave që shohim në prehrin e saj dhe realiteteve të përmallshme që shpalojmë në epjen ngadhënjyese, që bekoi vullneti hyjnor i shpirtit të saj. Me humbjen e nënës mbetemi pa prehje, pa prekje që na përmend e na mbush me shend, mbetemi të vetëm në çdo dhimbje dhe të harruar në çdo gazmim. Sepse është thyer brenda nesh ena e lëndës magjike që mëkoi syri dhe prekja e saj. Të gjithë rendim drejt një caku të mbramë, duke ju bindur përulësisht ligjësisë së jetës dhe duke besuar në drejtësinë e ashpër të atij vullneti qiellor, asaj mirësie të lartë që na shpërbleu me shëmbëlltyrën e vet dhe na zbraz nga fryma tokësore, duke na mbushur me hapësirën e përjetësisë.

Etja për dritë hyjnore thërret vetëm ata, nënat, zemra dhe shpirti i të cilave rrok pafundësinë siç arriti ajo të mbushte çdo epje me përqafime. Ajo ikën pa marrë leje, ikën gjithnjë kaq papritur, ikën për të marrë në udhën e pasosur shpirtin që mbushi me pafundësi. Iku edhe kjo nënë e këtij fillimmarsi, duke lënë më shumë se dhimbje, lot. Mes heshtjes dhe pikëllimit që notonte mbi tymin e cigares, dikush pyeti sa vjeç ishte nëna. Ai i tha: – Nënë! Dhe lotit i fshehu. Ikën një nënë, ikën duke na lënë jetim, edhe pse prehërin në ditët e acarta të pleqërisë i’a ngrohën nipër dhe mbesa. Duart e saj i’a puthën gjithë ato mirënjohje. Falenderues mbeti gjithkush që ruajti në zemër dhe kujtime bujarinë e begatë dhe mirësinë e shenjtëruar të nënës që ajo mëkoi. Ikin nëna një ditë për të mos lënë moshë, numër vitesh që sakrifikoi, numër betejash ku luftoi, pafundësi çastesh meraku që e çanë dhe thërrmuan zemrën e saj. Dashuria e saj, ajo që nuk e mori dot në prehjen e paqes së gjithmonshme, qëndruan në ajrin dhe frymëmarrjen e gjërave që mbeten pjesë e shastisjes së kësaj dite morte. Mbetet gjithçka këndej, këndej ku dhimbja e humbjes dhe pikëllimi zgjohen për të kërkuar prej nesh një dorëzim pa kushte, një gjunjëzim që të epërm ka besimin në atë që ofron përulësisht me lutje.

Para çdo vdekjeje mundemi të jemi burra, por para vdekjes së nënës ne mbetemi fëmijë që qajmë me sytë e qiellit. / KultPlus.com

Petrit Halilaj me instalacion gjigant në Metropolitan Museum of Art New York

Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj është talenti më i ri që ngarkohet për të krijuar një vepër specifike që do të përshtatet me taracën e Metropolitan Museum of Art, në Nju-Jork. Ky do të jetë projekti i parë madhor i Halilajt, në Shtetet e Bashkuara, i cili pritet të transformojë “The Met Roof” me një instalacion gjigant skulpturash.

“Puna e Halilajt është thellësisht e lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon”, shkruan The Metropolitan Museum of Art (MET).

Pas një periudhe formimi në Itali, ku studioi art në Accademia di Brera, në Milano, Halilaj u transferua në Berlin, në vitin 2008, ku jeton dhe punon ende. Projektet e tij përfshijnë një shumëllojshmëri mediesh, duke përfshirë skulpturën, vizatimin, poezinë dhe performancën.

Ekspozita mbështetet nga organizata bamirëse Bloomberg Philanthropies.

Petrit Halilaj bëri bujë me koleksionin e tij, “Abetare” që në thelb i referohet mënyrës se si mësohen ABC-të e një gjuhe. Tavolinat që ai përdori në ekspozitën e tij përfaqësonin 30 vjet shtresa vizatimesh. Halilaj i mori këto vizatime, i zmadhoi dhe i bëri skulptura 3-D. Përmes shkarravinave të gjetura mbi banka, artisti shpjegoi se si kishte ndikuar lufta tek fëmijët e shkollës e në të njëjtën kohë si u ndikuan ata nga bota e internetit. / atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike

18 Prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike nga ICOMOS, qё prej vitit 1982.

Tema e këtij viti “Fatkeqësitë dhe Konfliktet nga Këndvështrimi i Kartës së Venecias”, thekson nevojën urgjente për të trajtuar pasojat e ndryshimeve klimatike, në monumentet dhe sitet historike.

Qëllimi i kremtimit të kësaj dite, e cila fillimisht u njoh si e tillë prej UNESCO-s, është të ndërgjegjësojë rreth trashëgimisë kulturore dhe diversitetit në planet.

Objektivi i 18 prillit është të frymëzojë njerëzit dhe bashkësitë lokale të vlerësojnë trashëgiminë e tyre kulturore. Përtej ruajtjes e mbrojtjes së monumenteve, mëton të tërheqë vëmendjen edhe tek brishtësia e kësaj trashëgimie.

Tema e këtij viti ka të bëjë me Kartën e Venecias, e nënshkruar në 1964-ën, 2 dekada pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendet po bënin progres në të gjitha drejtimet, përfshirë atë ekonomik.

Tashmë, 6 dekada më pas, bota përballet me emergjencën klimatike, rritjen e katastrofave mjedisore si dhe shkatërrimin e siteve të trashëgimisë, prej konflikteve. Në këtë 60-vjetor të Kartës së Venecias, ICOMOS do ta vërë theksin tek këto probleme që kërcënojnë trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë ekspertët ftojnë të vizitohen monumentet e sitet arkeologjike në mbarë globin, si një mënyrë kremtimi e 18 prillit./atsh / KultPlus.com