Kryeministri Kurti shpreh ngushëllime për Ali Osekun: Artist që e mbuloi jetën e vet me ngjyra

Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Për ndarjen nga jeta të artistit Oseka, ka shprehur ngushëllimet e tij edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka thënë se Ali Oseku ishte artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra dhe përkundër faktit se atij për një kohë iu ndalua ushtrimi i artit, talenti i tij nuk mund të dënohej me vdekje.  

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, u nda nga jeta Ali Oseku, artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra.

Ali Oseku, në fillesë të karrierës punoi si skenograf. Për skenografinë e operas Aida të Verdit u dënua dhe u dërgua të pësonte për disa vite vuajtjet në burgun e Spaçit. Në vijim atij iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje.

Baca Ali, kështu njihej prej miqve të Tiranës, të cilët ndjenin se prekja dhe guximi i tij në art vinin prej origjinës së pashlyeshme gjakovare, lindi në Tiranë dhe që aty u dashurua me historinë e artistëve të njerëzimit, ndaj ngjante se çdo tablo ia kushtonte romaneve dhe qyteteve të botës. Ngjante se çdo artist në mendjen e tij ishte një flijues i madh i talentit të vet për bukurinë. Kjo shpjegonte pse baca Ali ishte më së pari profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij.

Ngushëllimet e mia familjes, kolegëve të tij artistë, studentëve të tij në breza. Kujtim i paharruar për artin e tij! / KultPlus.com

“Las Vegas Magic Festival”, 6 iluzionistë të famshëm në Pallatin e Kongreseve

Një shfaqje magjie, ekskluzivisht nga Las Vegas, po vjen në Tiranë. RedCloud me mbështetjen e Bashkisë Tiranë do të sjellin për 3 netë radhazi një botë utopike iluzionesh dhe magjie, në shfaqjen “Las Vegas Magic Festival” e cila do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në datat 5, 6 dhe 7 prill.

Gjashtë prej alkimistëve më të talentuar të kohëve moderne do të vijnë ekskluzivisht për të dhuruar momente magjie, humor dhe emocione të papërshkrueshme.

Shfaqja e datës 5 prill do të paraprihet nga një takim i iluzionistëve me famë botërore me mediet, në Pallatin e Kongreseve, ku ata do të ndajnë disa performanca.

Kjo është hera e parë që “Las Vegas Magic Festival” përfshin Tiranën në turin e tij europian, një shfaqje për të gjithë familjen, e sidomos për fëmijët që do të mahniten me kufijtë e mitikes, artit, iluzionit dhe realitetit si dhe sfidimin e çdo ligji fizike. / atsh / KultPlus.com

Autorja e Harry Poter kritikoj ligjin e ri për gjuhën e urrejtjes, policia vlerëson: Nuk është krim

Komentet e JK Rowling në lidhje me ligjet e reja të Skocisë për krimet e urrejtjes “nuk vlerësohen si kriminale”, ka thënë policia, duke konfirmuar se nuk do të ndërmerren veprime të mëtejshme.

Pas lajmeve se JK Rowling po sfidonte policinë ta arrestonte, autoritetet kanë thënë se autorja e Harry Potter nuk ka shkelur ligjin me postime në Twitter që kritikojnë ligjin e ri të Skocisë për gjuhën e urrejtjes dhe duke iu referuar grave transgjinore si burra.

Duke reaguar ndaj lajmit, Rowling postoi në X: “Shpresoj se çdo grua në Skoci që dëshiron të flasë për realitetin dhe rëndësinë e seksit biologjik do të qetësohet nga ky njoftim dhe besoj se të gjitha gratë, pavarësisht nga profili apo mundësitë financiare, do të trajtohen në mënyrë të barabartë sipas ligjit.”

Rowling kundërshton ligjin, i cili hyri në fuqi të hënën më 1 prill dhe e bën të paligjshme nxitjen e urrejtjes në bazë të karakteristikave të tilla si mosha, paaftësia, feja, orientimi seksual dhe identiteti transgjinor.

Rowling është ndër kritikueset që thonë se legjislacioni mund të përdoret për të heshtur të ashtuquajturat feministe “kritike gjinore”, të cilat argumentojnë se të drejtat për gratë trans nuk duhet të vijnë në kurriz të atyre që lindin biologjikisht femra.

Në një seri të gjatë postimesh në X, Rowling iu referua disa grave të shquara trans si burra. ky koment mund të jetë një shkelje sipas ligjit të ri, në disa rrethana.

“Nëse ajo që kam shkruar këtu kualifikohet si shkelje sipas kushteve të aktit të ri, mezi pres të arrestohem. Liria e fjalës dhe besimit janë në fund në Skoci nëse përshkrimi i saktë i seksit biologjik konsiderohet kriminal”, tha ajo në një postim.

Policia në Skoci tha se forca kishte marrë ankesa, por se “komentet nuk vlerësohen si kriminale dhe nuk do të ndërmerren veprime të mëtejshme”. / KultPlus.com

Teatri “Oda” vendos që të gjitha të ardhurat nga shfaqjet e muajit prill, të dedikohen për trajtimin e aktorit Lulzim Rexha

Teatri “Oda” ka marrë një iniciativë që të gjitha të hollat që do të mblidhen nga biletat e shitura për shfaqjet që do të mbahen gjatë muajit prill, do të dedikohen për shërimin e aktorit Lulzim Rexha, i cili është diagnostifikuar me një formë të rrallë të kancerit, që njihet si “Ewing Sarcoma”.

Më 5 prill do të mbahet premiera e shfaqjes “Fajet i ka Bill Gates”, shfaqje e cila do të jepet edhe me 6 prill.

Më 11 prill do të mbahet shfaqja “Shef Lumturimi” nga Lirak Çelaj, më 15 prill do të mbahet shfaqja “Antigonat” nga Sofokliu dhe më 16 dhe më 23 prill do të mbahet sërish “Shef Lumturimi”.

Ndërsa, më 25 prill do të dhurohet shfaqja “Arbri” me regji dhe tekst nga Lirak Çelaj, kurse më 29 dhe 30 prill do të mbahet shfaqja “Charles III” nga Jeton Nezira me regji të Agon Myftarit.

Për aktorin është hapur edhe një “GoFundMe”, ku të gjithë mund të dhurojnë aq sa kanë mundësi, për të grumbulluar paratë për trajtimin e tij, që është duke e vazhduar në Gjermani. / KultPlus.com

Gdhendja e drurit për tavanë dekorativë, traditë e lashtë në artin popullor shqiptar

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat, përmes një postimi në rrjetet sociale, sjell në vëmendje tavanet e gdhendura që zbukurojnë shtëpitë karakteristike të Beratit. Një prej tyre është tavani dekorativ i banesës së Vajde Myftiut, që sipas specialistes Fatbardha Shkupi, është gdhendur nga usta Hasan Teta (gdhendës dibran druri). Të njëjtin kompozim e shohim edhe në një tavan në Elbasan, të vendosur në muzeun Etnografik.

Fatbardha Shkupi është specialistja e parë e gdhendjes së drurit në Shqipëri e cila ka gjetur mjeshtrat e të gjithë qyteteve nga Shkodra në Gjirokastër. Me përvojën dhe punën e saj sistematike në terren ajo ofron të dhëna me vlerë për historinë e zbukurimores së Shqipërisë dhe si është zhvilluar puna e skulpturës në dru në vendin tonë.

Gdhendja e drurit ka tradita të lashta në artin popullor shqiptar. Ajo u zhvillua kryesisht në viset kodrinore e malore të pasura me pyje. Në zanafillë ishte mjeshtëri e barinjve. Ata punonin me zbukurime veglat muzikore, djepat, kutitë, rrathët e këmborëve etj. Gdhendja e drurit, si mjeshtëri shtëpiake plotësonte nevojat e jetës familjare. Punimi artistik i drurit si profesion u zhvillua në disa krahina. Njihen për punimet e tyre në dru, mjeshtrat dibranë, ata të Shpiragut (Beratit) dhe ata të Shqipërisë juglindore që e ngritën artin e gdhendjes së drurit në shkallë shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Nga fundi i shek. XIX e këtej, arti i punimit artistik të drurit u zhvillua dhe në qytete si Tiranë, Elbasan, Shkodër, Prizren, Gjirokastër. / atsh / KultPlus.com

Zyrtarja e lartë e OKB-së: Në BeH nuk ka vend për ata që e mohojnë gjenocidin

Një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara përshëndeti ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës, të cilat Përfaqësuesi i Lartë në BeH Christian Schmidt vendosi në fund të muajit të kaluar, të cilat, ndër të tjera, parashikojnë pamundësinë e të dënuarve të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit ose gjenocidit për të kandiduar në zgjedhje ose për të mbajtur funksionin e zgjedhur.

Këshilltarja speciale për parandalimin e gjenocidit në OKB, Alice Wairimu Nderitu, theksoi rëndësinë e këtij hapi si një kontribut në forcimin e ndërtimit të besimit në vend, si në institucionet ashtu edhe midis komuniteteve të prekura nga mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera. dhe si progres në procesin e shërimit.

Ajo gjithashtu theksoi se Memorandumi i Mirëkuptimit i përfunduar së fundmi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale, i cili mundëson të dhënat penale të qytetarëve të BeH dhe personave të lindur në territorin e BeH, të cilët janë dënuar para gjykatave ndërkombëtare për krime lufte, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të regjistrohen në dosjet penale të Bosnje-Hercegovinës.

Këshilltarja Special e konsideron këtë një hap të rëndësishëm drejt afirmimit të njohjes së vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe kundërshtimit të revizionizmit, mohimit ose glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Deklarata kujton vizitën e këshilltares speciale në qershor 2021 dhe korrik 2022, gjatë së cilës ajo nënvizoi rëndësinë e ballafaqimit me trashëgiminë e së kaluarës, duke përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

“Vetëm duke promovuar të kuptuarit e së kaluarës përmes kërkimit të së vërtetës dhe përgjegjësisë, si dhe duke u marrë me shkaqet rrënjësore dhe ndikimin e vazhdueshëm të këtyre llojeve të dhunës në shoqëri, është e mundur të arrihet një paqe e qëndrueshme. Glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe autorëve të tjerë të krimeve të tilla, i cili është normalizuar dhe vazhdon të ndodhë pa u ndëshkuar, bën pikërisht të kundërtën: thellon ndarjen, frikën, mosbesimin dhe urrejtjen”, theksoi zyrtarja e OKB-së.

Në fund, nënvizon ajo, të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë meritojnë një të ardhme në të cilën “nuk ka vend për mohimin e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, si dhe lavdërimin e atyre që kanë kryer krime të tilla”.

“Përballja me modele të tilla kërkon përpjekje aktive dhe vendosmëri nga një numër i madh aktorësh në mbarë vendin, nga lidershipi më i lartë politik e deri te komunitetet. Zëri i atyre që pranojnë krimet e kryera në të kaluarën dhe vuajtjet që ato shkaktuan duhet të jetë më i lartë se zëri i atyre që i mohojnë ato. Shumë aktorë të shoqërisë civile kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm në këtë drejtim me dekada, por kjo është përgjegjësi parësore e institucioneve qeveritare në të gjitha nivelet për të ndërtuar një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë. / KultPlus.com

“Ka një gjykatë të cilës njeriu nuk i shpëton dot, është ndërgjegjja”

Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar botëror.

Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.

Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore.

Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.

Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor.

Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv te Fishta, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790.

Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël.

Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.

Në vijim, ju sjellim disa thënie nga Immanuel Kanti:

1. “Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

2. “Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.

3. “Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.

4. “Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër”.

5. “Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.

6. “Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia”.

7. “Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar”.

8. “Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.

9. “Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.

10. “Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.

11. “Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.

12. “Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën”.

13. “Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.

14. “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.

15. “Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?

16. “Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.

17. “Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet”.

18. “Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.

19. “Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.

20. “Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.

21. “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.

22. “Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.

23. “Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.

24. “Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”.

25. “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”. / KultPlus.com

Në Podujevë, digjen rreth shtatë hektarë me pisha

Një roje e pyllit në Podujevë ka njoftuar se është kapluar nga zjarri një plantacion prej rreth 7 hektarë pisha-pronë shoqërore.

Njësitë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë lokalizuar zjarrin.

Rasti është nën hetime.

“Sylevicë, Podujevë / 02:04.2024 – 16:50. Ankuesi m/kosovar (roje e pyllit) ka njoftuar policinë  se është kapluar nga zjarri një plantacion prej rreth 7 hektarësh me pisha- pronë shoqërore. Njësitë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë lokalizuar zjarrin. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim. /Express/KultPlus.com

91 vite nga lindja e Fitnete Rexhës, këngëtarja që i dha jetë edhe këngës “Fërfëlloj fëllënza në ujë”

Sot janë bërë 91 vite që nga lindja e këngëtares së njohur Fitnete Rexha, e cila është një nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe dhe asaj qytetare të Tiranës.

Këngëtarja e cila ka lindur më 3 prill 1933 dhe ka vdekur më 14 gusht të vitit 2003, mban në repertuarin e saj mbi 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë”.

Dëshira për t’u marrë me muzikë i kishte lindur qysh në fëmijëri, pasi ajo ishte vajza e Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familje që njihej për vlerat e traditës dhe ku kënga popullore kultivohej për shumë vite.

Regjistrimin e këngëve të para, Fitnete Rexha e bëri rreth moshës 15-vjeçare në Radio-Tirana, nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.

Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë. /KultPlus.com

“Télé 7 Jours”: Bukuria e Egër e Ballkanit: Zbulimi i Shqipërisë nën autenticitetin e natyrës

Shqipëria është plot me mrekulli natyrore. Udhëtoni drejt këtij vendi të vogël në Evropën Juglindore, përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, sipas të përditshmes franceze “Télé 7 Jours”.

Shqipëria njihet për Alpet e saj të mbushura me lumenj dhe liqene, por edhe për Rivierën e saj të mahnitshme.

Lugina e Valbonës, një zonë ish-kufitare, përbën një zonë të mbrojtur për kafshët e egra si shqiponja e artë, emblema e vendit.

Lumi i fundit i madh i egër në Evropë, Vjosa rrjedh nga burimi në malet e Greqisë deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik.

Lufta e zhvilluar prej vitesh kundër një projekti për ndërtimin e një dige e ka bërë atë simbolin e zemrës blu të Evropës…

Ishulli i Gjarpërinjve

I vendosur në mes të liqenit të madh të Prespës, ishulli i pabanuar i Golem Gradit, në periferi të Shqipërisë, është një parajsë zvarranikësh.

Në këtë vend të shenjtë natyror prej përafërsisht 18 hektarësh, gjarpërinjtë e zhveshur, nepërkat me brirë dhe breshkat e Hermanit numërohen në mijëra.

Zona e çakejve

Sipërfaqe që mbulohen nga duna, këneta dhe pyje me pisha mbi 400-vjeçare… Në lagunën e Karavastasë, më e madhja në Shqipëri, çakalli është mbret. Kjo kafshë territoriale, e cila jeton në grup apo familje dhe gjuan natën ose herët në mëngjes, është vendosur këtu pasi laguna i ofron të gjitha ushqimet që i nevojiten.

Parku i parë lumor në botë

Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Për të ruajtur ujërat bruz, të kërcënuara veçanërisht nga digat, Shqipëria mori statusin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër. Një koncept i parë dhe i ri! /atsh / KultPlus.com

https://www.programme-television.org/news/tv/documentaires/la-beaute-sauvage-des-balkans-arte-a-la-decouverte-de-l-albanie-sous-le-signe-de-la-nature-4725861

Dita Ndërkombëtare e Autizmit, presidenca shqiptare ‘vishet’ me ngjyrën blu

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, presidenca shqiptare është veshur me ngjyrën blu.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë në rrjete sociale pamjet e presidencës, si shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi me të gjithë personat që janë me autizëm.

“Presidenca i bashkohet Ditës Ndërkombëtare të Autizmit dhe Muajit të Ndërgjegjësimit mbi të”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Ndahet nga jeta piktori i njohur Ali Oseku

Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Lajmi është bërë i ditur nga galeria FAB përmes një postimi në rrjete sociale.

Ali Oseku (1944) u lind në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti filloi punë si skenograf në TOB.

Piktori solli frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.

Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, Oseku punoi si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase./atsh/KultPlus.com

Rusia mund të kryejë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë, thotë admirali i pensionuar amerikan

James Stavridis, admiral në pension i marinës amerikane, njëherësh ish-komandant suprem i forcave aleate të NATO-s, ka paralajmëruar se Rusia mund të zhvillojë luftë hibride në Ballkan.

Në një opinion të botuar në “Bloomberg”, Stavridis ka thënë se Kremlini mund të nisë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë.

“Krahas forcave të stabilizimit, NATO duhet të jetë e ndërgjegjshme për përdorimin e të ashtuquajturës luftë hibride të Rusisë. Putini është i mirë në përdorimin e mediave sociale, fushatave të dezinformimit dhe propagandës pro-ruse për të krijuar tensione jashtë kufijve të tij. NATO duhet të përdorë rrjetet e veta të informacionit për të ekspozuar dhe kundërshtuar këto narrativa të rreme. Nëse rusët vendosin të ngrisin nivelin, ata mund të përdorin sulme kibernetike kundër rrjeteve të energjisë dhe objektivave të tjera jetike në Kosovë dhe pjesët joserbe të Bosnjës. Kjo do të krijonte konfuzion dhe do të rriste pakënaqësinë sociale. NATO mund të sigurojë sisteme më të mira të mbrojtjes kibernetike për aleatët dhe miqtë e Ballkanit”, ka paralajmëruar admirali në pension, Stavridis, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai ka thënë se Kremlini është duke e zhvilluar një luftë të paligjshme në Ukrainë, por kreu i saj, Vlladimir Putin, ka një objektiv tjetër shumë tërheqës, që sipas tij është Ballkani Perëndimor.

Stavridis thotë se, ndonëse në katër shtete të Ballkanit janë anëtarë të NATO-s, Rusia i synon Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Admirali amerikan në pension thotë se Putini po kërkon të përfitojë nga historia e papërfunduar e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Megjithatë, ai thotë se, edhe pse Kosova nuk është në NATO, në këtë vend ka mijëra paqeruajtës të NATO-s. Thotë po ashtu se “Putini po e inkurajon qartë Serbinë që të bëjë presion mbi qeverinë e Kosovës të mbështetur nga NATO”.

Stavridis thotë se Putini po punon gjithashtu “për të destabilizuar qeverinë e lëkundur të Bosnje-Hercegovinës, e cila është e ndarë në një presidencë trepalëshe të çuditshme me një përfaqësues të secilës prej tre zonave kryesore etno-fetare”.

“Aktori politik më me përvojë është Dodiku, i cili është i lidhur ngushtë me Moskën. Edhe një dekadë më parë, ai më thoshte për nevojën e shkëputjes së Republikës Serbe, e cila do të shkatërronte në mënyrë efektive vendin. Pjesa e tij më pas do të bashkohej me vetë Serbinë, duke krijuar një shtet më të madh serb, të cilin Putini do ta miratonte me kënaqësi”, deklaron në këtë opinion admirali Stavridis.

Më tej, ai e citon admirali në pension Mark Montgomery: “Kjo është e njëjta lloj sfide me të cilën u përballëm një dekadë më parë – Putini përfiton nga përzierja e tenxheres diku tjetër në Evropë, duke u përpjekur të dobësojë besueshmërinë e NATO-s dhe të na largojë nga mbështetja e Ukrainës”, citon Stavridis të ketë thënë Mongomery.

“Për fat të mirë, Perëndimi ka opsione. Për momentin, ideja e vendosjes së batalioneve të NATO-s në Ukrainë nuk ka gjasa. Në këtë mënyrë, rritja e nivelit të trupave të dislokuara në Kosovë tani, dhe paraprirja e trazirave që Putini po përpiqet të nxisë, është e mundur dhe ka kuptim strategjik. Të bësh këtë do të ishte një shembull i një ndarjeje efektive rajonale të përpjekjeve brenda aleancës: vendet e NATO-s në Ballkan dhe në fqinjësi (p.sh. Greqia dhe Italia) mund të fokusohen në atë rajon. Anëtarët e Evropës Lindore dhe Nordike mund të udhëheqin përpjekjen e Ukrainës. Vendet e mëdha në perëndim – Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe ShBA-ja – kanë burime të mjaftueshme për t’u përfshirë në të dyja”. /Klankosova.tv/KultPlus.com

‘Super Sportistët’, programi që mbështet sportistët përgjatë karrierës së tyre aktive

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua programi për performancë të lartë sportive “Super Sportistët”, i cili sipas zëvendësministres së Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani do të ndikoj në performancën e talentëve të rinjë të sportit në vend.

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, në fjalën e saj para kabinetit qeveritar ka theksuar se Programi “Super Sportistët” synon të rris numrin e sportistëve me potencial për medalje në gara ndërkombëtare, numrin e sporteve me të cilat garojmë, si dhe numrin e medaljeve.

“Për ciklin Olimpik 2024-2028, buxheti i programit është 4 milionë euro ndërsa për cilësinë e këtij programi janë angazhuar profesionistë të dëshmuar nga fusha e sportit, në krye me kryemjeshtrin Driton Toni Kuka, Edmond Azemi, ish sportist i dalluar, anëtar, Arsim Maxhera, gazetar sportiv, Kushtrim Krasniqi nga KOK dhe Shkëlqim Sadriu nga MKRS”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Në njoftim thuhet se “Super Sportistët” ka për qëllim të indentifikoj dhe të përzgjedhë top talentët e Kosovës dhe të ndihmojë në zhvilimin e tyre përmes mbështetjes financiare dhe trajnimit të specializuar.

Kjo përfshinë sigurimin e resurseve të nevojshme për trajnimin e tyre, pjesëmarrjen në stërvitje profesionale, përkujdesin dhe zhvillimin shëndetësor, furnizimin me paisje profesionale dhe inovative për zhvillim të potencialit si dhe mbikqyrjen e progresit sportiv dhe mirëqenien e sportistit përgjatë karrierës së tyre profesionale./KultPlus.com

A vriten pëllumbat bre…!

Shkruan: Blerim Valla

Poeti i madh gjakovar Ali Podrimja kishte klithur nga brendia e shpirtit të tij për tragjedinë kur kriminelët serb vranë e dogjën fëmijë shqiptar! Është i njohur vargu i tij lament: A vriten pëllumbat bre!

Por ai nuk e kishte paramenduar se në zemër të Evropës në shekullin XX – të, gjegjësisht në Kosovë, në Gjakovën e tij të lindjes, do të ndodhte një gjenocid i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe atë ndaj popullit shqiptar. Ndaj banorëve të qytetit të Gjakovës në natën e 2 prillit të vitit 1999. 

Në masakrën – gjenocidin në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë, mbi 60 shqiptarë të lagjes së parë në Gjakovë janë masakruar dhe djegur nga forcat serbo – malazeze. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Shtëpia u dogj bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë. Këtë ditë u vranë 20 veta të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzim Vejsës.

Në këtë rrugë, e cila përjetësisht do të përmendet si rruga ku ndodhi masakra më e tmershme që një qenie njerëzore normale, vështirë se mund ta imagjinojë mendja njerëzore! Askush në botë  nuk mund ta imagjinojë vrasjen dhe djegien e Ritës së vogël, e cila ende nuk i kishte mbushur 2 vjeç.

Si mund të paramendohet e lëre më të harrohet vrasja e Dalinës, që pikërisht atë natë po i mbushte 2 vjeç. U vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari, pastaj të familjeve Dylatahu, Qarkaxhija, Bardoniqi, Haxhija e të tjerë.

*

Shtëpia e familjes Vejsa në Gjakovë duhet të rindërtohet e të konservohet dhe të shpallet ”Shtëpi Muze”, në mënyrë që gjeneratat ardhshme të shkojnë ta vizitojnë për çdo festë kombëtare e shtetërore, për të mos harruar tmerrin – gjenocidin e datave 1 e 2 Prill të vitit 1999, që ndodhi në lagjen te Stacioni i Autobusave në Gjakovë, në shtëpinë e familjes Vejsa. Sepse duhet ta kujtojnë barbarinë dhe masakrën më të tmerrshme të luftës së fundit që ndodhi në Gjakovë!

Por edhe që kurr të mos e harrojmë gjenocidin dhe zhdukjen e gjitha atyre familjeve gjakovare – e sidomos të gjithë atyre fëmijëve, grave dhe të moshuarve të pafajshëm, nga duart e kriminelëve serbo-malazez!

*

25 vite më parë, mes natës së 1 dhe 2 Prillit të vitit 1999, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes Vejsa u masakruan në mënyrën më barbare civilë, banorë të Gjakovës. Të vrarë dhe të djegur për së gjalli ishin nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, Nuçi, Cana, Gërqari, Guci, Demjaha, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bardoniqi, Haxhija, Çarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqija, Dinaj, Aliu, Gllogjani, Thaqi dhe Muhaxheri.

Masakra ishte e planifikuar mirë dhe u bë shtëpi për shtëpi. Por në bodrumin e familjes Vejsa u vranë fëmijë, njëra ndër ta Diona që atë natë po i mbushte 2 vjeç. Katër të tjerë nën moshën 10 vjeçare: Marigona, Sihana, Arlindi dhe Delvina. Bodrumi u shndërrua në një varr të madh të gjallë, u shndërrua në një  krematorium masiv për 21 gra dhe fëmijë.

Dren Caka, atë kohë 10 vjeçar, arriti i vetmi të mbijetoj dhe shpëtoj nga kjo masakër përmes një dritare të vogël të bodrumit. Më pas ai dëshmoi para Gjykatës së Hagës tmerrin e asaj nate.

Fëmijë, gra dhe burra, pleq e plaka të këtyre familjeve të gjithë civil, të paarmatosur por vetëm pse ishin të gjithë shqiptar, kjo ishte arsyeja e vetme e masakrimit dhe djegies së kufomave të tyre!

 *

Data 2 Prill është mirë që nëse nuk është bërë deri tani, bile tash pas 25  viteve të shpallet DITA E KUJTESËS nga Kuvendi i Komunës së Gjakovës por edhe nga Kuvendi i Kosovës. Si ditë kur mbarë Kosova duhet të kujtoj dhe të mos harroj asnjëherë gjenocidin ndaj gjithë atyre civilëve të pafajshëm shqiptarë që u vranë, u masakruan, u dogjën të gjallë, u burgosën, u zhdukën dhe e deportuan nga mbarë Kosova! Vetëm pse ishin Shqiptar!

Kurse Gjakova duhet ta ketë në qendër të qytetit, sa më shpejt, një MEMORIAL TË TË GJITHË VIKTIMAVE CIVILE që humbën jetën gjatë luftës së vitit 1999, nga mbarë komuna e Gjakovës!

*

Ali Podrimja

Pëllumbat a gjuhen bre?

Ulem në rend të dytë

pse shoh më larg e

dëgjoj më mirë

pse kam zë më të fortë

Vetveten s’e ha nga mëria

as shtyhem me brryla

Më shlirë e kam se në rend të parë

Si gjuhen pëllumbat bre?

Nga karrigia ima lëvizëse

për mrekulli mat kokat tullace

dhe barqet e fryra

Është rrenë e kulluar

se unë Ali Podrimja

jam qytetar i rendit të dytë

në Planetin Ka Ka

A gjuhen pëllumbat bre?/KultPlus.com

Nga sulmi tragjik në shkollën e Finlandës, në mesin e të plagosurve edhe një vajzë shqiptare nga Kosova

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se në mesin e të plagosurve nga një sulm në një shkollë të Finlandës gjendet edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me familjen e vajzës së plagosur, dhe se në vazhimësi do të njoftoj për të rejat lidhur me këtë ngjarje tragjike.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të MPJ:

Të nderuar qytetarë,

Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me famijen e vajzës së plagosur dhe ka ofruar ndihmën e saj sipas udhëzimeve të pranuara nga MPJD.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t‘ju mbajë të informuar sapo të pranojë dhe konfirmoj informatat e reja që ndërlidhen me këtë ngjarje tragjike./KultPlus.com

Kryeministri Kurti mirëpriti Bouyxin, e falënderoi për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx, që në takim shoqërohej nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Bëhet e ditur se Kurti falënderoi Bouyxin për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.

“Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare. Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë”, tha kryeministri Kurti gjatë takimit.

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij, thuhet tutje në kumtesën për media të kryeministrisë.

Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx. 02.04.2024. Foto: ZKM

Margarita Xhepa në 90 vjetorin e lindjes: Kjo është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore

Në 90-vjetorin e ditëlindjes së ikonës shqiptare, Margarita Xhepa, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka organizuar një event në nder të artistes së mirënjohur të kinematografisë.

E pranishme në këtë event ka qenë edhe Margarita Xhepa, e cila ka thënë se kjo është ditëlindja e parë që feston pasi ka shtuar se dita e lindjes nuk ka qenë zakon të festohej në familjen e saj qëkur ishte fëmijë.

Më tej, në fjalën e saj, Xhepa ka folur për bashkëpunëtorët ndër vite, si dhe ka kujtuar si u bë pjesë e teatrit për herë të parë.

Margarita Xhepa: U emocionova shumë. Ministër faleminderit shumë që vëmendja juaj mbeti tek ditëlindja ime sepse në qytetin tim të lindjes në Lushnje, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin që të më festonin ditëlindjen, po unë iu thoja që “nuk jam mësuar”. Kjo është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore. E them këtë sepse më ka pikuar loti që më janë larguar njerëzit e mi shumë të dashur në një moshë të re. Po ashtu, edhe kolegët e teatrit që kam punuar një jetë të tërë janë larguar nga jeta dhe pa dalë në pension. Kështu është jeta.

Në këtë punë, kam pasur një fat të madh në jetën time. Kur dhashë provim në Liceun Artistik dhe aty fati im, qëlloi regjisori i Teatrit Popullor, Pandi Stillo, i cili pasi dëgjoi poezitë që kisha unë, për t’u siguruar më bëri një ushtrim, dhe më tha “vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin”. Kur doli më vuri një dorë të sup dhe më tha që “nesër të vish në teatër sepse bashkë me drejtorin kemi diçka për t’ju thënë”. U çudita. Vajta në teatër ishte një drejtor i mrekullueshëm, shkrimtari shkodran Kolë Jakova. Regjisori i propozoi drejtorit dhe i tha “këtë vajzë do ta marrim në teatër për aktore”. Rroga ishte 3 mijë e 800 Lekë. Ashtu u vendos./klantv/KultPlus.com

‘Përse ta lidhësh fatin tënd, me një pafat si unë’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Sime Shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë. /KultPlus.com

90-vjetori i aktores Margarita Xhepa, Gonxhja: Ikonë e çmuar e këtij kombi

Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, festoi sot 90-vjetorin e lindjes.

Në një aktivitet të organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Margarita Xhepës, ishte i pranishëm Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, aktorja e njohur Tinka Kurti, aktorja Yllka Mujo, aktorë të tjerë njohur të skenës shqiptare, miq, familjarë etj.

Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “sot feston ditëlindjen një nga margaritarët e gjerdanit tonë të kinemasë me aq shumë kontribute në artin shqiptar”.

“Margarita Xhepa është një ikonë e çmuar e këtij kombi, është një artistja që i dha jetë dhe përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur kaq thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve”, theksoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “ky aktivitet sot na rikthen pas në rrugëtimin e saj prej një ylli kinematografie ku çdo vit që kalon i shton më shumë asaj edhe shkëlqimin”.

“Margarita siç koha e ka dëshmuar me sharmin dhe fisnikërinë që ju karakterizon jeni krenaria e këtij vendi”, tha Gonxhja.

Aktorja Margarita Xhepa falënderoi ministrin Gonxhja për aktivitetin e organizuar, ndërsa theksoi se “në qytetin tim të lindjes në Lushnjë, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin të më festonin ditëlindjen, por unë u thosha nuk jam mësuar. Kështu që sot është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore”.

Xhepa solli në vëmendje edhe fillimet e nisjes së karrierës së saj.

“Një fat të madh që kam pasur në jetën time kur dhashë provim në Liceun Artistik aty fati im qëlloi regjisori Pandi Stillu, i cili pasi dëgjoi dy poezitë e mia më bëri edhe një ushtrim edhe u bind më tha vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin, kur doli më tha, nesër eja në teatër se kemi bashkë me drejtorin diçka për t’ju thënë. Rrugës duke ecur mendoja çfarë do të ishte. Shkova në teatër ishte drejtor Kolë Jakova, regjisori Stillu i propozoi drejtorit dhe i tha këtë vajzë do ta marrim në teatër si aktore dhe të bëjë edhe Liceun Artistik”, tha Xhepa.

Më tej aktorja Margarita Xhepa u shpreh se “arti ka të veçantën e tij që emancipon shoqërinë”.

Aktorja e njohur Tinka Kurti tha se “Margarita është ylli i skenës dhe ylli i jetës, edhe për shoqërinë edhe për skenën. Lum ai që ka mundësi të ketë miqësi aq shumë sa kam unë me të apo si di ajo të trajtojë njerëzit”.

Regjisori Kujtim Çashku u shpreh se “të flasësh për ty është një privilegj, të flasësh për ty është si të flasësh për dashurinë. Por  a ka njeri të thotë ç’është dashuria në vetvete. Pse e them këtë gjë? Sepse mendoj që për breza të tërë që kanë kaluar që janë dhe do të vijnë do të mbetesh një simbol dashurie”.

Ndërsa aktorja Rajmonda Bulku tha se “Margarita Xhepa është një aktore e jashtëzakonshme, unike si një brilant që shkëlqen”.

Të ftuarit vizituan edhe një ekspozitë me veshjet që Margarita Xhepa ka veshur në film dhe teatër.

Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi./atsh/KultPlus.com

Bota magjike e Andersenit

Kur fjalët dështojnë, flet muzika.

Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.

Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.

Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo  “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.

Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.

Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.

Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.

Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.

Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.

Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com

Drejtoresha Halimi takohet me skulptoren që e krijoi skulpturën ikonë ‘Këmbëkryq’ të Faik Rexhepit: Kënaqësi të takoj artistë që arritën të përkthejnë historinë në skulpturë

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, sot ka takuar artisten Eliza Shala, krijuesen e skulpturës ikonë të protestuesit Faik Rexhepi “Këmbëkryq”, e cila është e vendosur në sheshin e Prishtinës.

Drejtoresha Halimi, përmes një shkrimi në rrjetin social facebook ka thënë se është kënaqësi takimi me një skulptore si Liza, e cila me vullnet të madh ka arritur të përkthej një ngjarje historike në një vepër arti.

“Kënaqësi të takoj vajzat si Liza, plot vullnet për të përkthyer historinë në skulpturë. Ikona e protestuesit Faik Rexhepi ‘Këmbëkryq’ i vendosur në sheshin e Prishtinës, është punuar nga mendja dhe duart e Lizës. Deri në punimin e saj të radhës, mirëutakofshim!”, ka shkruar Halimi./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Anëtarësimi në KiE, hap i rëndësishëm për fuqizimin e të drejtave të njeriut

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se më takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Osmani falënderoi Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.

Presidentja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në këtë frymë, Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Presidentja shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.

Margarita Xhepa sot feston 90 vjetorin e lindjes

Aktorja e madhe e popullit shqiptar, Margarita Xhepa, sot feston 90 vjetorin e lindjes, shkrun KultPlus.

Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj.

Talentin për aktrim, e kishte hetuar nëna e saj qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Teksa nëna e saj ishte e sëmurë, i thoshe artistes Margarita që të recitonte vjershën të cilën e kishte mësuar në shkollë, pasi sipas saj, Margarita kishte diçka të veçantë në zërin dhe interpretimin e saj, që e bënte të dallojë nga fëmijët e tjerë të saj.

Dhe ajo parandjenjë e nënës së saj, doli të ishte e vërtetë pasi Margarita Xhepa konsiderohet një ndër ‘Zonjat e Mëdha’ të teatrit dhe filmit shqiptar duke lënë gjurmë në memorien e publikut shqiptarë me rolet e saj brilante.

Në vitin 1950, ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor, që sot njihet si Teatri Kombëtarë dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, në degën e Dramës.

Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve janë: Majlinda tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i Vdekur, Filja tek Cuca e Maleve, Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën, Nëna tek Përballë Vetes etj.

Ndërsa në rolet e dramaturgjisë botërore, ajo interpretoi role si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore ajo luajti rolin si: Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Filma të tjerë shqiptarë në të cilët interpretoi Margarita Xhepa janë: Në kërkim të kujt, Tingulli i heshtjes, Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, I dashur armik, Mirupafshim, E diela e fundit, Një djalë edhe një vajzë, Vitet e pritjes, Kush e solli Doruntinën, Pesha e kohës, Pranvera s’erdhi vetëm, Misioni përtej detit, Rrethi i kujtesës, Fillim i vështirë, Gabimi, Gurët e shtëpisë sime, Militanti, Apasionata, Dora e ngrohtë, Shokët, Dita e parë e emërimit, Me hapin e shokëve, Dollia e dasmës sime, Gjeneral gramafoni, Koncert në vitin 1936, Dimri i fundit, Pylli i lirisë, Tokë e përgjakur, Gjurma, Vitet e para./KultPlus.com