Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare

Sot janë bërë 27 vite nga vdekja e poetit, shkrimtarit dhe publicisitit të njohur, Azem Shkreli.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe.

Shkreli zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare. /KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj, së shpejti me koncert në Shkodër

Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj, së shpejti do të mbajë koncertin e tij të parë të plotë në Shqipëri.

“Ramë Lahaj & Friends” do të performojnë më 8 qershor, në Shkodër.

Për përformancën e tij kanë njoftuar edhe nga Bashkia e Shkodrës, të cilët anë shprehur se Ramë Lahaj ka zgjedhur Shkodrën për koncertin e tij, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën.

“Tenori Ramë Lahaj, i cili është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës, ka zgjedhur jo rastësisht Shkodrën për koncertin e tij, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën në të gjitha format e saj”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Shkodër.

Tenori Lahaj konsiderohet si një ndër artistët e parë kosovarë të operës, që ka interpretuar në teatrot më të mëdha të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, që më vonë e nderoi atë me çmimin e Konkursit Botëror të Operës “Operalia”.

“Së shpejti në Shkodër locen që na ka dhanë përherë veç dashni… mirupafshim!”, ka shkruar vetë Ramë Lahaj në rrjete sociale./KultPlus.com

“Netët Korçare të Poezisë” mblodhën poetë nga e gjithë bota

Përfunduan me sukses Netët Korçare të Poezisë 2024, organizuar nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, në Korçë.

Kjo ngjarje bashkoi shkrimtarë, poetë dhe adhurues të letërsisë nga vendi dhe bota, në dy netë të mbushura me poezi, muzikë dhe krijimtari frymëzuese. Në këtë edicion të “Netëve Korçare të Poezisë” morën pjesë 33 autorë nga vende të ndryshme të botës.

Poezitë, interpretimet dhe muzika u bënë bashkë për të përcjellë emocione që vetëm arti mundet. Adhuruesit e poezisë përjetuan magjinë e vargut të përzgjedhjeve poetike, në mbrëmjet e mbushura plot emocione, nën çatinë oborrit të shtëpisë muze të piktorit të madh korçar Vangjush Mio.

Në përfundim të këtij aktiviteti do të botohet edhe një antologji me poezitë e të gjithë autorëve pjesëmarrës, e cila do të jetë në shqip dhe anglisht.

Ky festival i poezisë ka një jetëgjatësi prej 28 vjetësh.

Tema e këtij viti e netëve të poezisë korçare ishte “Një diell i ri” nga Asdreni, një prej poetëve më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare./atsh/KultPlus.com

Sonte fillojnë Ditët e Kulturës Kroate në Kosovë “Ktheje ka Zagrebi”

Shumë aktivitete kulturore janë përfshirë në kuadër të Ditëve Kulturore Kroate në Kosovë që janë duke u organizuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Prej 27 deri më 31 maj do të ketë shumë prezantime kulturore, duke përfshirë panele letrare, shfaqje të filmave, mbrëmje të muzikës klasike…

Kjo javë kulturore do të shënohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, KultPlus e Kino Armata.

Më poshtë është program i plotë.

Ditët e Kulturës Kroate në Kosovë

Dani Hrvatske Kulture na Kosovu

27 – 31.05.2024

Programi

27/05

18:00h – Kino ARMATA

Hapja solemne e ditëve të kulturës kroate

Shfaqja e filmit artistik

Kushtetuta e Republikës së Kroacisë

Ustav Republike Hrvatske / 2016 / 94′ / satirë, dramë

Regjia: Rajko Grlić

Rolet: Nebojša Glogovac, Ksenija Marinković, Dejan Aćimović, Božidar Smiljanić.

Vjerko është një profesor historie në moshë të mesme dhe Ante është një polic që duhet të zotërojë kushtetutën e Republikës së Kroacisë. E vetmja gjë që i lidh është adresa e pallatit ku jetojnë.

Por një incident fatkeq do t’i inkurajojë ata të shpërfillin dallimet e tyre dhe të fillojnë të punojnë së bashku.

28/05

14:00 – Biblioteka Kombëtare

Prezantimi i librave të autorëve kroatë të përkthyera në shqip

Jadranka Pintarić, Diana Burazer, Davor Šalat, Lana Derkač, Ibrahim Kadriu, Osman Gashi

Panel/i

Bashkëpunimi kroato-kosovar në fushën e letërsisë: Jadranka Pintarić, Diana Burazer, Davor Šalat, Lana Derkač, Ibrahim Kadriu, Osman Gashi

19:00 – KultPlus

Mbrëmja e letërsisë kroate

19:00h – Kino ARMATA

Gjyshi im ka rënë nga Marsi

Moj dida je pao s Marsa / 2019 / 75′ / fantashkencë, film familjar

Regjia: Marina Andree Škop, Dražen Žarković

Rolet: Lana Hranjec, Ozren Grabarić, Alex Rakoš, Nils Ole Oftebro, Petra Polnišova, Sven Barac.

Aventurë fantastiko-shkencore për fëmijë, për një vajzë, jeta e së cilës kthehet përmbys pasi gjyshi rrëmbehet nga alienët, mrekullon me efektet vizuale, lokacione mbresëlënëse dhe mbi të gjitha me një tregim emocionues, që me imagjinatë dhe lojë përdorë elemente të fantashkencës si një metaforë e rritjes.

29/05

19:00h Kino ARMATA

Udhëtimi i shkurtër

Kratki izlet / 2017 / 75′ / doku-fiksion

Regjia: Igor Bezinović

Rolet: Ante Zlatko Stolica, Mladen Vujčić, Željko Beljan, Iva Ivšić, Marko Aksentijević, Martina Burulic.

Regjisori nga Rijeka, Igor Bezinović, përdori situatën nga romani i Antun Šoljanit me të njëjtin titull, i vitit 1965, dhe e përshtati në kohët e sotme. Frymëzuar nga mitet, muzika dhe kultura mesjetare e Istrias, “Udhëtimi i shkurtër” është një instant-klasik i kinematografisë bashkëkohore kroate, një hibrid i filmit dokumentar dhe artistik që funksionon si një portret gjeneratash, si dhe një alegori ekzistencialiste për ndjeshmërinë ndaj figurave karizmatike dhe kërkimit të përjetshëm të kuptimit. Filmi fitoi Arenën Madhe të Artë për filmin më të mirë të metrazhit të gjatë në Festivalin e Filmit  në Pula.

20:00 – Biblioteka Qëndrore Universitare

Koncert – Kuarteti kroat i kitarës

30/05

19:00h – Kino ARMATA

Shfaqja e filmave të shkurtër

Çiklistët                      Biciklisti

Shtëpia e iriqit            Ježeva kuća

Fluturimi i sigurt        Siguran let                              

Pusi i fundit                Posljednji bunar        

Në të kaltër                U plavetnilo   

Bisha                           Zvir

31/05

11:00 Kolegji AAB

Ligjërata e profesoreshës Maximiliana Barançiq

Ruajtja e gjuhës, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të Arberëshëve të Zarës

13:00 Fakulteti Filologjik

Ligjërata e profesoreshës Maximiliana Barançiq

Ruajtja e gjuhës, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të Arberëshëve të Zarës

19:00 Kolegji AAB

DINA E MEL

Koncert – Këngët e harruara të arbëreshëve të zarës

19:00 Kino ARMATA

Lulja e kaltër

Plavi cvijet / 2021. / 85′ / dramë

Regjia: Zrinko Ogresta

Rolet: Vanja Ćirić, Anja Šovagović Despot, Tea Harčević, Nikša Butijer, Doris Šarić-Kukuljica

Mirjana, në moshë të mesme, është punonjëse në një fabrikë penjsh në Zagreb. Në ditën e festimit të 20-vjetorit të punës, takimet dhe bisedat e Mirjanës me të afërmit ndriçojnë pjesë të jetës së saj: asaj që jeton, asaj që qëndron prapa saj dhe asaj që do të vijë. “Lulja e kaltër” është një film për një grua, një nënë dhe një vajzë, një film që zgjon asociacione që na prekin shpirtërisht dhe na shtyjnë të shikojmë më qartë veten./ KultPlus.com

Gjergjit!

Liridon Mulaj 

Mbi kreshtat e botës gjenden majat
e zbardhura, të pashkelura
dhe mbi syprina të rrëshqitshme,
hapat nuk ndjekin askënd.
Dita fillon e mbaron, por
mendimi zgjatet
e çdo zgjatim i tepërt, është kthim
te vetja.
Hidhu mbi iluzione, e në mos gjetsh
asnjë imazh për të qënë, krijoje!
Braktisi të gjithë e në të
gjithë shpreso!
Ik, kthehu dhe sërish ik, sikur nuk
do të kthehesh më kurrë!
Por kokën Gjergj, mbaje pas
dhe ndiq kurbat e jetës me shpirt në
dorë, e sytë hapur…
Se, jeta është lisharëse, njëherë të
ledhaton ajri e më pas dheu.
Por, ti mos ki frikë babush, Jeto!
Dorëzohu mbi epshe e falju vetmisë,
Se, fundja instikti edhe pse i
pavullnetshëm,
fijet i ka në zemër.
Shpreso edhe në puthadorë të
mjerë, mos refuzo askënd!
Se, askush nuk është tërësisht i keq
e as tërësisht i mirë.
Noto mbi ajkën e bardhë e ngjitu aq
lart, sa bota të zhduket pas teje.
E në çast kur ke prekur errësirën,
hidhu mbi të
me shpresë, se në rënie do të
puthësh fytyrat e njëjta, që puthe në
ngjitje.
Se, do të prekësh të njëjtat duar, do
të shohësh të njëjtat bebëza sysh,
E të ndjesh, se askush s’të
nënçmon që po bie…
Se, je po ai që ngjiteshe më parë.
Thjesht kurba të ka ndryshuar!

Çmimi ” Poezia më e bukur” i jepet Liridon Mulaj me poezinë “Gjergjit” Me motivacion: Për ndjeshmërinë dhe nuancat estetike që u përçuan plot emocion dhe përjetim në veprimtarinë ” Netët Korçare të Poezisë”. / KultPlus.com

ASK: Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka bërë të ditur në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë dhe se të dhënat preliminare pritet të publikohen në fillimin e muajit korrik.

“ASK-ja ka kohë të publikojë të dhënat paraprakë, preliminare, në fund të muajit gisht, ne do të mundohemi që të dhënat të jenë më herët edhe propozimi i parë që jemi dakorduar pritet që të dhënat paraprake të publikohen në fillimin e muajit korrik. Por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”, ka thënë Kastrati të hënën.

Ai ka thënë se të dhënat finale duke u bazuar në praktikat e mëhershme, publikohen një vjet deri në 15 muaj pas datës së regjistrimit, kurse këtë herë po planifikojnë t’i publikojnë pas gjashtë muajve.

Sipas Kastratit, pjesëmarrja e komuniteteve ka qenë masive dhe e hapur, përveç komunitetit serb në katër komunat veriore, ku pjesëmarrja ka qenë vetëm pjesërisht dhe jo në mënyrë masive.

“Pjesëmarrësja e komuniteteve, në përgjithësi shumica prej tyre kanë qenë të hapura dhe në favor të regjistrimit të popullsisë, andaj pjesëmarrja e tyre ka qenë masive e të gjitha komuniteteve përveç komunitetit serb në katër komunat e veriut që pjesërisht ka marrë pjesë në regjistrim por jo në mënyrë masive, pra të gjitha komunitetet kanë pjesë në regjistrim përveç komunitetit serb ne veri që kanë hezituar”, ka deklaruar ai./KultPlus.com

Kosova merr statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të hënën. 

Ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s më 27 maj 2024, ka njoftuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni në Facebook, i cili është edhe Kryesues i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai ka shtuar se letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, por edhe të akterëve tjerë politikë në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit.

Vendimin e së hënës e ka mirëpritur presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet.

“Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo. 

Festivali rajonal “Shpirti i Ballkanit”, u mbajt në Korçë edicioni i 6-të

Gjatë fundjavës u mbajt në Korçë edicioni i 6-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, festivali më i madh folklorik në rajon. Ansamblet nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Shqipëria krijuan në këtë festival një atmosferë elektrizuese.

Së bashku me turistë vendas e të huaj, artistët u bënë pjesë e një feste plot ngjyra në Korçë, me paradat e tyre në Zonën këmbësore dhe performancat te Pazari i vjetër. Grupet e ftuara kanë sjellë traditat e tyre, vallëzimin e melodinë, duke u bërë promovues të kulturës ballkanike. Për herë të parë në Korçë ka qenë i ftuar edhe një ansambël nga Maroku.

Festivali u organizua nga bashkia e Korçës si dhe Qendra e Kulturës dhe Inovacionit, të cilët ishin kujdesur për të ftuar ansamble me cilësi të lartë artistike.

Qëllimi i “Shpirtit të Ballkanit” është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë jomateriale, si dhe nxjerrja në pah e vlerave që mbart rajoni i Ballkanit./atsh/KultPlus.com

Mbi 60 mijë vizitorë në parqet arkeologjike në 4-mujorin e parë të 2024

4 mujori i parë i këtij viti numëroi 64,326 vizitorë në parqet arkeologjike të Shqipërisë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kjo shifër është 69% më e lartë se vizitueshmëria në 4-mujorin e parë të 2023-shit.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, ministri kujtoi gjithashtu edhe orarin zyrtar në të gjitha parqet tona arkeologjike, i cili gjatë sezonit (maj-tetor) është më i zgjatur: nis çdo ditë në ora 9 dhe përfundon në 19:00.

Rritja e vizitueshmërisë në parqet arkeologjike ashtu edhe nëpër institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje ashtu si edhe rritja e numrit të turistëve në vend.

Parqet arkeologjike janë hapësira ku natyra e bukur shqiptare ndërthuret me trashëgiminë kulturore. Dhe shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po kuptojnë vlerat që përcjellin hapësira të tilla.

Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.

“Shtatë ngjyrat” e 7 artistëve, veprat e piktorëve me origjinë greke vijnë në Tiranë

Veprat e përzgjedhura të piktorëve shqiptarë me origjinë greke, u paraqitën në ekspozitën “Shtatë ngjyrat”, e cila u organizua nga Ambasada e Greqisë në Shqipëri, në kuadër të Javës se Kulturës Greke.

Kjo ekspozitë ofron 7 qasje ndaj artit, 7 mënyra për ta parë botën me sytë e Edmond Gjikopulli, Edmond  Papathimiu, Genci Ruci, Ilir Paço, Jerasimo Ruci, Jorgji Gjikopulli dhe Qirjako Meniko, që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri dhe Greqi.

Imazhet, linjat dhe ngjyrat, drita dhe hija, siç transferohen në kavaletë dhe letër përbëjnë thelbin e një përvoje të përbashkët që përcjellë mesazhe universale, përvojën e përbashkët të qenies njerëzore.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin, ishin vetë piktorët, zyrtarë dhe artistë të ndryshëm.

Me bindjen se kultura bashkon dy fqinjët dhe forcon lidhjet e tyre ekzistuese, kjo ekspozitë realizohet për të tretin vit radhazi dhe do të zgjasë deri më 29 maj./tema/KultPlus.com

Azem Shkreli: Mes nesh kanë hyrë shumë varre dhe gjak

(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)

● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike?
► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri.
Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.

● Sa është e kushtëzuar krijimtaria artistike shqiptare nga ngjarjet ditore politike dhe a është e mundur t’u shmanget atyre?
► Klima dhe hapësira krijuese shqiptare këtu janë të rënduara, të ngushtuara, të ngarkuara. Ç’raport tjetër mund të kenë arti e kultura me dhunën, represionin e terrorin policor që janë përherë antipodë të kulturës e të artit? Kushtëzimi është evident. Ky kushtëzim nuk ka se si të evitohet, pasojat s’ka se si të mos ndjehen. Shkrimtari ynë, sikundër edhe të tjerët, nuk mund të jetojë jashtë kohës dhe jashtë jetës së popullit të tij, pra jashtë brengave dhe shqetësimeve dramatike që jetojnë sot shqiptarët në Kosovë, por edhe në vise të tjera të ish Jugosllavisë. Politika këtu nuk është më sferë interesimi e aktiviteti shtresash të caktuara që të mund t’i rrish anash. Ajo mirret me të gjitha dhe me të gjithë duke pasur në shënjestër çdo gjë që bën jetën, identitetin dhe ekzistencën shqiptare. Jeta politike këtu ndodh e kondensuar, e tensionuar, e instrumentalizuar ekstremisht nga tendenca shpërbëijeje të një substrati etnik. Është krejtësisht e kuptueshme përse shqiptarët nuk duan të jenë më vetëm objekt i politikave që do të vendosnin pozitën dhe fatin historik të tyre, ata duan të jenë subjekt esencial dhe i pakapërcyeshëm i vendosjes për pozitën dhe ardhmërinë e vet. Është po ashtu e kuptueshme përse në këtë vorbull vlimesh dramatike dhe vendimtare, intelektualët, andaj edhe shkrimtarët, nuk mund të kundrojnë anash. Kjo, madje as nuk varet më nga ata, varet nga imperativa të cilat nuk i përcakton vokacioni dhe vullneti i tyre.

● Ju ishit njëri nga pjesëmarrësit e dialogut të dëgjuar që u zhvillua në Francuska 7. Ç’ndodhi, në të vërtetë, atëbotë, ku u shfaqën mospajtimet më të mëdha dhe a ishin ato të pakapërcyeshme?
► Konsideroj se ai takim i shkrimtarëve në Beograd ishte i pari dialog mes shqiptarëve e serbëve. Ai ishte fillim i një dialogu i cili nuk u zhvillua dhe nuk u krye. Ishte i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht i hapur. Një dialog politik pa politikë, pa rrotulla e retorizma të demagogjisë politike. Ai dialog, ai fillim dialogu, nuk ishte kurrsesi shkak i konfliktit, ishte hapje dhe sheshim i shkaqeve të konfliktit dhe, në esencë, dëshirë që ato të evitohen. Mospajtimet dhe kundërshtitë u hapën. Mirëpo, ato nuk qe e mundur të zgjidhen aty për aty. Ato u thanë sy më sy, pa ngurim e konsiderata të rreme, pa dorëza e komplekse. Dhe nuk u fshehën kurrë më.
Ku e merr që ai dialog t’ishte ç’duhej t’ishte: fillim i një dialogu sigurisht të gjatë, të rëndë e të mundimshëm, por konstruktiv dhe qëllimmirë.
Megjithatë aty u tha esenca e pozicionimeve të të dyja palëve. Nuk kishim iluzion se me një dialog, me një filiim dialogu, do të zgjidheshin e do të rrafshoheshin mospajtimet të dlat janë të ashpia, të thella dhe të kahershme. Ato as nuk mund të kapërcehen ndonjëherë pa u kapërcyer më parë shkaqet e tyre. Aq romantikë naivë të politikës nuk ishim as ne shkrimtarët. Ne vetëm po fillonim diç të domosdoshme që duhej të gjente vendin, mënyrën dhe vullnetin e mirë të vazhdohej. Krahasoni tani rezultatet e asaj që është dashur të bëhej me këto të kësaj që është bërë tragjikisht mbrapsht!
Një gjë mund ta them me bindje të thellë: Mbyllja e dialogut që në fillim të tij ishte fatale. Sado që dialogu ynë atëherë filloi i ndezur e i elektrizuar nga kundërshti të ashpra të interesave e të argumenteve, nga paragjykime e emodone të hrinjuara gjatë kohë, në ffymën dhe në esencën e qëilimit të atij dialogu të rreptë përmes të dlit doemos që do të zbrazej në fillim tërë një akumulim i gjatë e i fshehur mllefesh e urrejtjesh, kishte më shumë kulturë e tolerancë, më shumë prirje për rezonim intelektual e njerëzor, se sa në të gjitha që pasuan. Mirëpo, dialogun e morën në dorë politika; polida, militarizmi. Gjuhën e argumenteve e zëvendësoi gjuha brutale e forcës, e represionit dhe dhunës. Dihet si i zgjidhin ato çështjet mes popujve. Ato thelluan ndarjen e mosbesimin, urrejtjen e egërsuan dhe e bënë patologjike. Mes nesh futën edhe mjaft gjak dhe varre. Tani jemi shumë më larg njëri-tjetrit. Jemi definitivisht të ndarë dhe të larguar. Në mënyrën më të egër, më primitive, më të papajtueshme.

● A ka sot çfarëdo komunikimi a bashkëpunimi të intelektualëve shqiptarë me kolegët e atyre nga ish-Jugosllavia dhe veçmas nga Serbia?
► Ndarja dhe largimi vazhduan të thellohen. Motivet që i shkaktuan dhe pasojat që lanë janë traumatizuese. Të rinjtë dhe një pjesë e madhe e inteligjencisë shqiptare njohën një realitet të hidhur raportesh të cilat nuk i mbanin mend nga golgotat e kaluara shqiptare dhe nuk mund t’i supozonin të mundshëm tani. Dëshprimi qe i madh posaçërisht tek ajo masë e shqiptarëve të cilët kishin investuar mjaft besim dhe bindje se ishte e mundur jo vetëm fqinjësia e mirë, po edhe bashkëjetesa dhe ardhmëria me serbët.
Besimi dhe iluzionet u rrënuan gjer në themel: Duke zhveshur shqiptarët nga çdo subjektivitet politik, duke ushtruar kolonizim e ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës, duke përzënë nga puna, nga shkollat e nga fakultetet qindra mijëra punëtorë, kuadro, studentë e nxënës shqiptarë, duke serbizuar emra rrugësh, firmash, entesh, institucionesh e toponimesh, duke aplikuar ligje të posaçme diskriminuese si dhe përmes një sërë masash e veprimesh të tjera të dhunës, represionit, diskriminimit, aparteidit e gjenocidit të hapur, Serbia demonstroi në mënyrën më të vrazhdtë variantin dhe modelin e saj të kahershëm se si do ta zgjidhte ajo çështjen e Kosovës e të shqiptarëve, po t’i mbetej në dorë ta zgjidhi. Shqiptarët, të cilët nuk janë më çobanë, argatë dhe sharraxhinj, me sytë e tyre panë dhe njohën te ky model tërë monstruozitetin trishtues të elaboratit famëkeq të një Qubrilloviqi.
Një e keqe e posaçme qe fakti se përballë gjithë kësaj, mungoi të dëgjohet zëri i ndërgjegjes së inteligjencisë serbe. Ai zë qe i shurdhër ose i shurdhuar. Nuk ka rëndësi në i mungoi guximi qytetar apo vullneti të dëgjohet. Në mos për të mbrojtur shqiptarët, atëherë për të mbrojtur dinjitetin e vet njerëzor, intelektual dhe kombëtar para vetes dhe para botës. Ishte një fenomen befasues e i palakmueshëm, do të thonim i shëmtuar, një shkak i posaçëm dëshprimi dhe thellimi të mosbesimit e të largimit. Pasojat janë të ndjeshme e të rënda dhe nuk shërohen lehtë. Ato do të jetojnë të thadruara në kujtesë gjeneratash. Dhe, kuptohet, ato lënduan thellë dëshirën dhe vullnetin për komunikim, kuptimin e komunikimit.
Tani duhen durim, kohë dhe përpjekje të mëdha e të gjata për të rivënë urat e rrëzuara të çfarëdo kontakti a bashkëpunimi të cilit mund t’i besohet. Në Beograd kam pasur edhe vetë mjaft miq serbë nga fusha të ndryshme të artit e të kulturës. Nuk jemi parë e nuk jemi dëgjuar qëmoti. Nuk dua të besoj se janë bërë të tjerë njerëz, sepse njerëzorja mbetet te njeriu. Më dhimbset kushdo që, me vullnet e vetëdije apo pa to, misionin e vet të artistit e të intelektualit e viktimizion për shkaqe e motive të cilat nuk i bëjnë nder.

● Si i komentoni qëndrimet radikale të intelektualëve të shquar serbë e shqiptarë, me të cilat, krijohet përshtypja, këputen edhe ato pak fije bashkëjetese të serbëve e shqiptarëve në Kosovë, apo ndoshta konsideroni se bashkëjetesa është e pamundur?
► Do të jem krejtësisht i hapur dhe i sinqertë, ndryshe nuk ka kuptim biseda jonë. Pyetja juaj sikur i barazon pozicionimet [pa] dallim mes qëllimeve radikale të njërës dhe të palës tjetër. Ka, dhe dallimi është radikal, pothuaj i pakapërcycshëm: Ndërkohë që radikalistët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa liri, vetvendosje dhe pavarësi për vete, pa i munguar kujt as qimet e flokut, radikalistët serbë kërkojnë zgjidhje militare, dhunë, represion e terror, përzënie të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike, kolonizim e serbizim të Kosovës, zhbërje nacionale të qenies së tjetrit. Ky pozicionim, që është manifestim brutal dhe i shëmtuar i errësimit dhe erozimit të ndërgjegjjes nga pasione patologjike të urrejtjes ndaj tjetrit, nuk i bën nder as individit, as artistit e intelektualit, dhe as popullit në emër të interesave “të larta” të të cilit prononcohet.

● A është e mundur bashkëjetesa?
► Kjo është kryepyetja. Kryepërgjegjjen nuk e jep dot individi, e jep populli. Të dy popujt. Mundësitë e bashkëjetesës i provuam bashkë kaq gjatë në histori dhe në të gjitha variantat na doli e padurueshme dhe e pamundur. Dëshmitë e fundit ishin fatale, ishin tragjike. Duket sikur me bashkëjetesën mes popujve dhe me bashkëshortësinë është njësoj. Kur thyhen, thyhen si kupa e qelqtë, nuk ngjiten dhe nuk amohen më. Tani ne shqiptarët duam që, nga bashkëjetesa e keqe, të bëjmë fqinjësi të mirë. Ndoshta të dyja palët jemi më të përshtatshme për të dytën.

● Pos ndonjë tentimi të zbehtë imitimi të dialogut, dialog të njëmendët serbo-shqiptar nuk kishte deri sot. Sa mund t’i kontribuojnë intelektualët e pavarur normalizimit të marrëdhënieve dhe vendosjes së dialogut serioz politik?
► Intelektualët, po qenë intelektualë seriozë, nuk mund të mos jenë të pavarur. Intelektualët, po qenë të pamanipuluar e të painstrumentalizuar nga pushteti e politika, të painfektuar nga sëmundje urrejtjesh nacionale, janë pa dyshim më të miratueshmit të shtrojnë udhën dhe klimën e arsyes e të vullnetit të mirë, të qetësojnë euforitë banale e pasionet nacionaliste, të zbusin e të humanizojnë raportet, të ndërtojnë besimin në nevojën, në domosdonë dhe në mundësitë e dialogut. Kush tjetër pos intelektualëve dhe para intelektualëve. Të dy popujve tanë u uroj që tani, në të hyrë në shekullin njëzetenjë, ta kenë më të mençur kokën sesa pushkën.
Artistët shqiptarë, disa vite të fundit, shumë rrallë kanë marrë pjesë në manifestime kulturore në Serbi. Edhe ato pak tentime që u bënë, është përshtypja se u instrumentalizuan nga garniturat politike. Në ca raste, artistët e tillë u shpallën “tradhëtarë” të interesave nacionale.
A nuk ju duket edhe kjo pyetje paksa e instmmentalizuar dhe a nuk është më mirë që përgjigjen ta lëmë për kohë më të mira?

● Pas rënies së komunizmit në vendet evro-lindore, ndihet nevoja e krijuesve të tyre për të pushtuar hapësira të reja në rrjedhat kulturore evropiane e botërore. Çfarë është depërtimi i krijuesve shqiptarë në këtë plan?
► Hapja e Shqipërisë ndaj botës, pas aq kohë mbylljeje e izolimi, pas aq kohë vetëmjaftimi që është vetvrasës për kulturën e çdo populli, është hapje e udhëve dhe e vlerave për komunikim kulturor me botën. Po sistemohen përpjekjet të depërtohet me vlerat më të mira. Vlera te tilla ka nga shumë fusha të krijimtarisë dhe rezultatet, jo vetëm me një Kadare, janë kurajuese. Kurajim, vetëvetiu, na përket edhe ne këtu sepse një është kultura shqiptare./ KultPlus.com

“Mirror”: Turistët dynden në Shqipëri – destinacionin me ujëra të pastër kristal dhe resorte mahnitëse

Për turistët që nuk duan të shpenzojnë shumë para për pushime në Maldive, mund të shtojnë Shqipërinë në listën e destinacioneve të tyre të udhëtimeve, pasi ky vend i mrekullueshëm evropian ofron ujëra të pastër kristal dhe resorte mahnitëse, shkruan Ariane Sohrabi-Shiraz në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Maldivet janë një ëndërr për shumë vizitorë, por akomodimi në resortet luksoze mund të jetë tepër i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë evropiane që është po aq tërheqëse.

Maldivet, një grup ishujsh të vegjël koralorë që ndodhen vetëm 400 milje në jugperëndim të Indisë dhe Sri Lankës, mbeten një destinacion ëndrrash për shumë njerëz.

Megjithatë, kostoja e fluturimeve, akomodimit, ushqimit, transportit lokal dhe aktiviteteve mund të jetë paksa e lartë për shumë britanikë.

Por, nuk është e nevojshme të udhëtoni larg për të përjetuar një destinacion luksoz të ngjashëm me Maldivet.

Talia – @travelingwithtals – turistja e cila udhëton vetëm – kohët e fundit postoi një video në TikTok për t’i nxitur aventurierët e tjerë të vizitojnë Shqipërinë, duke premtuar se “nuk do të pendohen”.

Në një postim të fundit në llogarinë e saj, ajo tregon arsyen pse Shqipëria shpesh konsiderohet si “Maldivet e Evropës”.  Në video tregohet uji i pastër kristal nën diellin flakërues.

Videoja ka grumbulluar mbi 437,000 shikime, ku shumë prej komentuesve ishin dakord se Shqipëria ishte një “parajsë e fshehur”.

“Shqipëria është një magji, thjesht një vend i mrekullueshëm”, tha një përdorues.

Pushimet në Shqipërinë mahnitëse po fitojnë popullaritet vitet e fundit.

Me plazhet e saj të mrekullueshme me rërë, limanet e fshehura dhe peizazhet mahnitëse, nuk është çudi që influencuesit e udhëtimeve po inkurajojnë turistët të vizitojnë Shqipërinë.

“Kur njerëzit shohin foto të këtij vendi, ata menjëherë mendojnë për Maldivet! Por për fatin tonë, kjo parajsë e fshehur është shumë më afër”, tha një përdorues i TikTok – @thetravelmum – duke e vlerësuar Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm të pushimeve.

Kjo pjesë e parajsës nuk gjendet në asnjë tjetër veçse në Ksamil, një fshat bregdetar në Rivierën Shqiptare që po fiton me shpejtësi një reputacion si “Maldivet e Evropës”.

Videot e panumërta paraqesin turistë të bronztë që zhyten në ujërat e kaltra të pastër kristal nën qiellin blu pa re – të ngjashme me Maldivet por me çmime më të lira.

Vizitorët mund të kënaqen me të gjitha argëtimet klasike tropikale, që nga zhytjet deri tek banjot e diellit dhe orët e pafundme të relaksit.

Kostoja mesatare e një birre është 2 euro, ndërsa vera priret të jetë perfekte me temperatura mesatare deri në 25 gradë Celsius, duke siguruar me shpejtësi një vend në listën e pushimeve të ëndërrave.

Fluturimet gjatë korrikut nga Londra në Tiranë, aeroportin më të afërt të Shqipërisë, mund të rezervohen për një çmim të arsyeshëm prej 110 euro – me opsione nga disa linja ajrore, duke përfshirë “Wizz Air”.

Nëse udhëtimi prej katër orësh mund të duket i lodhshëm, mund të zgjidhni Korfuzin, në Greqi, që është aeroporti ndërkombëtar më i afërt me Ksamilin./atsh/KultPlus.com

Himni i bukurisë

Poezi nga Sharl Bodeler

Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë,
O Bukuri! Shiki yt hyjnor dhe i djallëzuar,

Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,
Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.

Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë;
E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë;
Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë,
Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.

Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh?
Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen;
Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh,
E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.

Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar;
Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji,
E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar,
Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.

Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri,
Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar!
I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij,
Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.

S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë,
O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë
Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?

S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh,
S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë,
O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë!
Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’./ KultPlus.com

Diskutimet racore e gjinore si të pashmangshme – jepet premiera e shfaqjes ‘Të bardhët’

Flonja Haxhaj

Të premtën, në Teatrin Oda në Prishtinë, u dha premiera e shfaqjes ‘Të Bardhët’ e autorit amerikan Steven Leigh Morris dhe regji nga Besim Ugzmajli. Shfaqja e cila shkaktoi shumë të qeshura në publik, më tepër se kaq,  kishte për qëllim që të vë në pah diskutimet që lidhen me dinamikat racore e gjinore që ekzistojnë në çdo shoqëri, shkruan KultPlus.

Ngjarja zhvillohet në një teatër gjysmë-profesional në Tulsa, Oklahoma. ‘Të bardhët’ ka në qendër Luisin (Shpëtim Selmani), drejtori artistik i teatrit, i cili para vdekjes ka vetëm një ëndërr, të bëjë regjinë e shfaqjes ‘Mbreti Lir’ të Shekspirit, por dinamikat gjatë rrugës, nuk do t’ia bëjnë të lehtë realizimin, nisur nga fakti që ai vetë ka vendosur ta luajë ‘Mbretin Lir’.

‘Të bardhët’ sjell konfliket gjatë provave ku Luisi ballafaqohet me akuza të shumta rreth përzgjedhjes së aktorëve dhe roleve. Ndër to është Priscillia (Verona Koxha), e cila vazhdimisht shpreh pakënaqësitë për vendimet e Luisit dhe frikën e saj se roli i Kordelias mund të zëvendësohet me një aktore me ngjyrë.

Ajo po ashtu gjatë gjithë kohës shpreh revoltën e saj mbi shfaqjen duke e konsideruar jashtë mode dhe se i përçmon gratë.

Në skenën ku po zhvilloheshin provat e ‘Mbretit Lir’, paraqitet edhe Dagu (Bujar Ahmeti), një djalë që sipas Luisit, nuk është lindur për teatër, mirëpo ka punuar për teatër gjatë gjithë jetës së tij. Pavarëisht dramave e konflikteve, Dagu megjithatë është i vendosur, ndonjëherë edhe i ‘kushtëzuar’ të ndihmojë Luisin që ta çojë ëndrrën e tij deri në fund.

Regjisori Besim Ugzmajli duke folur për tematikën e shfaqjes, tha se ‘Të bardhët’ trajton  diskutimet që i përkasin stereotipeve racore e gjinore, diskutime që së shpejti do të vijnë edhe në Kosovë. Më tutje, ai shprehet i lumtur me produktin final që është shfaqur në skenë.

“Kjo shfaqje është një perludi e diskurseve të shumta sociale të cilat janë rrugës për në vendin tonë, pra janë diskutime që lidhen me dinamikat racore e gjinore në shumë vende të perëndimit, mirëpo tek ne janë akoma tema të pakonsumuara dhe mendoj që brenda një kohë shumë të shkurtër do të jenë pjesë e diskutimeve në shoqërinë tonë . Shfaqja na bën një lloj paralajmërimi rreth asaj se çka e pret shoqërinë tonë, jo një paralajmërim ogurzi por një paralajmërim që diçka interesante do të jetë pjesë e diskurseve publike dhe sociale”, tha ai.

Ai më tutje foli edhe për kastën e aktorëve, duke u shprehur se i përkasin aktorëve më të mirë të gjeneratave të tyre.

“Ka qenë kënaqësi jashtëzakonisht e madhe me punu me Shpëtimin, Bujarin e Veronën. Janë aktorë me shumë angazhim, aktorë që janë të gatshëm me bashkëpunu deri në fund dhe po besoj që kemi arritur të kemi një produkt kompakt me të cilin unë jam jashtëzakonisht i lumtur”, tha mes tjerash Ugzmajli.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli aktori Shpëtim Selmani, i cili në shfaqje paraqitet me rolin e Luisit, personazhi i cili dëshpërimisht kërkon që para vdekjes të realizojë shfaqjen ‘Mbreti Lir’.  Selmani thotë se kjo shfaqje flet për një tematikë që është pjesë e diskutimeve n çdo shoqëri.

“Luisi është një regjisor i një teatri gjysmë-amator. Është një temë e cila mundet lirisht të gjendet në të gjitha shoqëritë, pra çështja e racizmit. Luisi është pak para vdekjes dhe mundohet që ta bëjë edhe një shfaqje ‘Mbretin Lir’ të Shekspirit që ta lë një mesazh dhe të tregojë se çfarë bote është dhe se si është bota sipas Shekspirit. Në të njëjtën kohë ai akuzohet për përzgjedhje të roleve, akuzohet për racizëm nga dy krahe fundamentale në Amerikë”, tha Selmani.

Ndërkaq, aktori Bujar Ahmeti, i cili në shfaqje personifikon rolin e Dagut, thotë se ky rol paraqet rolin e një djali naiv i cili kushtëzohet në punën e tij, megjithatë mundohet ta mbështesë regjisorin dhe kërkesën e tij të fundit.

 “Dagu është një djalë i cili është aktor, djalë shmë i mire, naiv , i cili mundohet edhe pse ndonjëherë ofendohet ose kushtëzohet rreth punës së tij si aktor, prapëseprapë mundohet ta ndihmojë dhe mbështesë, rolin e Shpëtimit, ‘Luisin’, i cili ka një ëndërr, që para vdekjes ta bëjë një shfaqje – ‘Mbretin Lir’, u shpreh Ahmeti për KultPlus.

Ju kujtojmë që shfaqja ‘Të bardhët’ është produksion i Qendrës Multimedia, shkruar nga Steven Leigh Morris, regjia nga Besim Ugzmajli dhe luajnë aktorët, Shpëtim Selmani, Bujar Ahmeti dhe Verona Koxha./KultPlus.com

Tri nga sopranot më të njohura në Shqipëri – Truja, Kraja dhe Tashko

Tri prej artisteve shumë të talentuara të Shqipërisë, Jorgjie Truja, Marie Kraja dhe Tefta Tashko mbajtën një koncert më 16 shtator të vitit 1937, shkruan KultPlus.

Truja, Kraja dhe Tashko njihen si prej sopranove më të mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Ky koncert u mbajt në Bari të Italisë, derisa që të rija vazhdojnë të kujtohen me krijmtarinë artistike që kanë lënë pas. /KultPlus.com

Apple përgatit ekrane që do të riparohen vetë?

Kur bëhet fjalë për pajisjet me ekrane të përkulshme, Apple nuk nxiton.

Edhe pse kanë plane për këtë lloj pajisjeje, prezantimi i tyre nuk duhet pritur për disa vite, madje edhe kur të shfaqen, pyetja është se cila pajisje do të jetë.

Më herët u përmend se Apple po planifikon një iPad apo edhe një Mac me ekran fleksibël, por do të zbulohet se cilat janë planet e tyre në të vërtetë, sepse sigurisht që nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Megjithatë, këtë javë u shfaqën informacione për një patentë të paraqitur nga Apple, e cila i referohet ekraneve fleksibël dhe sipas kësaj, “molla” mund të prezantojë një pajisje me “ekran fleksibël vetë-shërues”.

Në ekrane të tilla, gërvishtjet dhe gërvishtjet e tjera të vogla duhet të “riparohen” vetë, pa qenë nevoja ta merrni pajisjen për riparim.

Vetë patenta nuk i referohet ndonjë pajisjeje specifike, por thekson se si ekrane të tillë mund të përdoren në telefona, tableta, kompjuterë, monitorë dhe pajisje të veshura. Ky material mund të mbulojë vetëm pjesën ku përkulet ekrani ose të gjithë ekranin.

Është interesante se ekrani mund të “shërohet” pa pasur nevojë për ndonjë veprim të përdoruesit apo ndërhyrje të jashtme.

Gjithashtu, përdoruesit mund të paracaktojnë rendin në të cilin do të riparohet ekrani, d.m.th., vetë-shërimi mund të aktivizohet gjatë karikimit të pajisjes, nëse bëhet fjalë për karikim me valë ose kur përdorni një kabllo.

Sigurisht, vetë aplikimi për patentë nuk do të thotë që kompania do të prezantojë në të vërtetë një material të tillë, domethënë pajisje në të cilat ekranet do të mund të rinovohen.

Nga ana tjetër, është mirë të dimë se në cilin drejtim po mendojnë dizajnerët e Apple, e megjithatë ekziston mundësia që një ditë në të ardhmen të kemi në dispozicion pajisje për të cilat nuk do të shqetësohemi nëse i hedhim dhe ekrani dëmtohet./alsatm/ KutlPlus.com

‘Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim!’

 François-Marie Arouet- Voltaire (Volter):

1. Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash!

2. Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë!

3. Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt!

4. Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi!

5. Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet!

6. Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë!

7. Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë!

8. Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe!

9. Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye!

10. Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim!

11. Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë!

12. Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi!

13. Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak!

14. Gjykojeni një njeri më shumë nga pyetjet se sa nga përgjigjet e tij!

15. Zoti na e dha ne dhuratën e jetës; na takon ne t’ia japim vetes dhuratën e të jetuarit mirë!

16. Vlerësimi është një gjë e mrekullueshme: Kjo e bën atë që është e shkëlqyer tek të tjerët të na përkasë edhe neve!

17. Çdokush që ka fuqinë për të të bërë ty të besosh në absurditete, e ka fuqinë të të bëjë që ti të kryesh padrejtësi!

18. Në përgjithësi, arti i qeverisjes përbëhet nga marrja e sa më shumë parave që të jetë e mundur nga një klasë e qytetarëve për t’ia dhënë një tjetre!

19. Unë kurrë nuk kam bërë lutje për Zotin, përveç njërës shumë të shkurtër: “O Zot, bëji armiqtë e mi qesharakë.” Dhe Zoti ma dëgjoi!

20. Është e ndaluar për të vrarë; prandaj të gjithë vrasësit ndëshkohen, përveç nëse ata vrasin në numër të madh dhe nën tingujt e borive!

21. Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe unë nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar!

22. Zoti është një komedian, duke luajtur ndaj një audience që ka shumë të frikësuar për të qeshur!

23. Nga të gjitha fetë, e krishtera sigurisht duhet të frymëzojë tolerancën më të madhe, por deri tani të krishterët kanë qenë më intolerantët e të gjithë njerëzve!

24. Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!

25. Të gjitha arsyetimet e burrave nuk janë me vlerë sa një ndjenjë e grave!

26. Çfarë është toleranca? Është pasojë e njerëzimit. Ne jemi të formuar të gjithë nga dobësia dhe gabimi; le të falim të gjithë ne reciprokisht marrëzinë e njëri-tjetrit – ky është ligji i parë i natyrës!

27. Unë i urrej femrat, sepse ato gjithmonë i dinë gjërat se ku janë!

28. Burri i cili vendos të befasojë papritur gruan e tij shumë shpesh e ka befasuar veten!

29. Është e rrezikshme të kesh të drejtë në çështjet në të cilat autoritetet e kohës janë gabim!

30. Arti i qeverisjes është për të bërë dy të tretat e një kombi të paguajnë gjithçka që ata mund të paguajnë, për të mirën e një të tretës tjetër!

31. Nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj!

32. Për të patur sukses në botë nuk është e mjaftueshme të jesh budalla, duhet gjithashtu të jesh i sjellshëm!

33. Është më mirë të rrezikosh shpëtimin e një njeriu fajtor sesa të dënosh një njeri të pafajshëm!

34. Tiranët gjithmonë kanë disa hije të lehtë virtyti; ata i mbështesin ligjet para se t’i shkatërrojnë ato!

35. Supersticioni është për fenë çka Astrologjia është për astronominë, vajzë e çmendur e një nëne të mençur. Këto bija shumë kohë kanë dominuar tokën!

36. Dyshimi nuk është një gjendje e këndshme, por siguria është absurde!

37. Rastësia është një fjalë e zbrazur nga kuptimi, asgjë nuk mund të ekzistojë pa një shkak!

38. Asnjëherë mos debato në tryezën e darkës, sepse ai që nuk është i uritur gjithmonë gjen argumentin më të mirë!

39. Origjinaliteti nuk është asgjë veçse imitim i mençur. Shkrimtarët më origjinalë kanë huazuar nga njëri-tjetri!

40. Për të gjallët e kemi borxh respektin, por për të vdekurit e kemi borxh vetëm të vërtetën!

41. Ne kurrë nuk jetojmë, ne jemi gjithmonë në pritje të jetesës!

42. Divorci është ndoshta i së të njëjtës datë si martesa. Unë besoj, megjithatë, se martesa është disa javë më e vjetër!

43. Është një njeri i vështirë ai që është vetëm i drejtë, dhe i trishtuar ai që është vetëm i mençur!

44. Historia është vetëm regjistri i krimeve dhe fatkeqësive!

45. Historia duhet të shkruhet si filozofi!

46. Unë di shumë libra të cilat i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe!

47. Ka të vërteta të cilat nuk janë për të gjithë njerëzit, as për të gjitha kohërat!

48. Të besosh në Zotin është e pamundur, të mos besosh në Atë është absurde!

49. Unë kam jetuar tetëdhjetë vjet të jetës dhe nuk di asgjë për këtë, veçse të dorëzohem dhe të them se fluturat kanë lindur për t’u ngrënë nga merimangat dhe njeriu për t’u gllabëruar nga trishtimi!

50. Është e rrezikshme të kesh të drejtë, atëherë kur qeveria e ka gabim!

Gara ndërkombëtare ‘Tiranathlon’ në Tiranë, shpallen fituesit

Përfundon edicioni i katërt i garës ndërkombëtare “Tiranathlon”, ku morën pjesë garues nga disa vende të ndryshme të botës.

Ky event i madh sportiv, u organizua në Parkun e Liqenit të Farkës. Në këtë aktivitet u bënë bashkë tre disiplinat më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap.

Fituesit e garës sipas kategorive janë si më poshtë:

Sprint Race – Meshkuj
1. Boris Andreev, Bullgar
2. Nikitas Kallitsis, Greqi
3. Genc Isufi, Kosova

Sprint Race – Femra

1.Stephania Polychroniadis, Greqi
2.Mira Georgieva, Bullgari
3.Julinda Pashku, Shqiperi

Olympic Race – Meshkuj
1. Alexander Bozhilov, Bullgari
2. Panaghiotis Polyzos, Greqi
3. Albion Ymeri Kosove

Olympic Race – Femra
1. Anastasia Peycheva, Bullgari
2. Selena Vlahova, Bullgari
3. Katayun Shamlu, Azerbaijan

Relay Sprint Race
1. Rei Hazizaj, Shqiperi
2. Olsian Veliaj, Shqiperi
3. Bledar Mesi, Shqiperi

Relay Olimpic Race
1. Elvis Xhafaj,
2. Bartolomiej Czyz,
3. Tzmitry Prudnikqu

Me qëllim, mbarëvajtjen dhe organizimin e aktivitetit sportiv “Tiranathlon” në Parkun Helen pranë Liqenit të Farkës, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit, kanë hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të garës./atsh/ KultPlus.com

Luiza Gega nuk ndalet, sërish kampione në Kampionatin Ballkanik

Atletja shqiptare, Luiza Gega është shpallur sërish kampione Ballkani për të dytën ditë radhazi. Ajo ka triumfuar në garën e 5000m. Nga ana tjetër, David Nikolli është pozicionuar në vendin e dytë për meshkuj në garën e 3000m.

Njoftimi i plotë

Të nderuar miq të medias, vijmë sërish te ju me dy lajme të mira. Në ditën e dytë të kampionatit të 77-të ballkanik të atletikës që po mbahet në datat 25-26 maj në Izmir të Turqisë, atletja e mirënjohur shqiptare Luiza Gega, pasi u shpall kampione Ballkani ditën e parë në garën 3000m me pengesa me kohën 9’26.40, sot, në ditë e dytë, fitoi një tjetër medalje ari në garën e 5000m. Duhet theksuar se nëse në garën e djeshme Luiza përfundoi 20 sekonda më shpejt se vendi i dytë, gara e sotme pati një finish të fortë. Konkurrentja direkte e Gegës ishte Yasemin Can, një keniane e natyralizuar turke, kampione në fuqi e Europës për 10000m.

Gara ishte shumë taktike dhe kampionia jonë e bëri diferencën në 400m e fundit, duke e mbyllur garën e 5000m me kohën 15’38.52. Kujtojmë që Luiza Gega është e vetmja atlete shqiptare pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Parisit si e kualifikuar. Por përpara Olimpiadës, Gega do të marrë pjesë në kampionatin europian të Romës në qershor, ku do të tentojë të ruajë titullin kampione e Europës në 3000m me pengesa.

Lajmi i dytë i mirë vjen nga atleti shqiptar David Nikolli, i cili e mbylli garën e 3000m me kohën 8’07.37, duke u renditur i dyti pas atletit austriak Sebastian Frey.
Në këtë kampionat ballkanik, që ballkanik vetëm emrin ka, sepse pjesëmarrja e ekipeve shkon në 21, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin dhe duke përfshirë edhe shtete të tjera si Austria, Izraeli, Qipro, Gjeorgjia, etj., ekipi shqiptar u përfaqësua me 8 atletë, 2 trajnerë, 1 fizioterapist dhe presidentin e federatës shqiptare të atletikës./ abcnews.al/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Tusuzit: Vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka përkujtuar viktmat e Masakrës Tusuz (Lagjja e Trimave) në Prizren.

Më 26 maj 1999-të, atje forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë mizorisht 27 banorë.

Kjo ndodhi në pragun e lirisë së Kosovës.

Osmani tha se “kjo lagje shquhet për kontributin e dhënë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, ndaj vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe të gjithë të rënët për liri!”, tha Osmani.

‘Chopin Piano Fest’ dhe Filharmonia bashkojnë forcat, dhurohet spektër brilant i tingujve

Vjollca Duraku

Tinguj me një spektër të gjerë frekuencash u dhuruan mbrëmë nga Pianisti François Dumont dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antonie Marguier, në koncertin e shtatë me radhë të Festivalit të Muzikës Klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” në Atelienë e Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.

Adhuruesit e Filharmonisë së Kosovës dhe të Chopin-it kësaj radhe u bashkuan në një koncert të përbashkët, për të përjetuar emocione të thella nga një program i përzgjedhur me shumë shije, me tinguj brilant shumë të fortë dramatik të cilët përmbyseshin nga tinguj të qetë të pianos të cilët dërgonin  në thellësi meditative.

Koncerti i cili zgjati për 90 minuta filloi me interpretimin e veprës “Piano Concerto No.5 in E-flat major, Op.73” me Allegro, Adagioun poco mosso, Rondo: Allegro ma non troppo nga L.V. Bethoven për të vazhduar në pjesën e dytë të koncertit me “ Symphony No. 4 in C minor,  D 417” me Adagio molto, Allegro vivace nga F. Schubert.

Publiku u pasurua artistikisht me tinguj të frekuencave të ndryshme të cilët emeteoheshin qetësisht nga mjeshtria e pianistit Dumont dhe harkorët e Filharmonisë, për t’u bërë më intensivë kur interpretimit i shtoheshin frymorët, për të kaluar në dramacitet kur në lojë hynin të gjitha instrumentet, duke rënë përsëri vetëm në tingujt e qetë, të bukur të pianos.

Nga kjo lojë e mrekullueshme ishte reagimi i publikut që u jepte përgjigje për performancën përgjatë koncertit artistëve që udhëhiqeshin nga dirigjenti plot sharm, elegancë e profesionalitet, Antoine Marguier.

Pas pjesës artistike Pianisti Dumont u shpreh se ndihej i emocionuar nga interpretimi në “Chopin Piano Fest” dhe shumë i lumtur pasi iu dha hapësirë për herë të dytë për të interpretuar në këtë festival.

“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi ta njoh qytetin dhe kulturën. E ndjej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në Chopin dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dy vite më parë ishte një koncert recital në ‘Chopin Fest’ ndërsa sonte kemi luajtur Koncertin e 5-të të Beethoven. Ky koncert është i fundit i kompozitorit”, ka thënë pianisti Dumont.

Ndërsa organizatorja e festivalit Lejla Pula u shpreh e mrekulluar nga loja e pianistit Dumont dhe interpretimi i  Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

“E kemi shijuar të gjithë së bashku. Vërtetë një koncert i mrekullueshëm nga François Dumont i cili në bashkëpunim me Ambasadën franceze erdhi për herë të dytë në festivalin tonë ka mbajtur një recital të Chopin-it sepse ai vetë është laureat i garave të Chopinit në Varshavë, do të thotë është një ekspert i madh i muzikës së Chopin-it, por që në këtë koncert rastisi që ai ta luaj në mënyrë të mrekullueshme, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm koncertin e pestë të Bethovenit”, ka thënë organizatorja.

Më tej, organizatorja Lejla Pula ka thënë se ndihet e nderuar për pjesëmarrjen e një artistëve të mëdhenj që pavarësisht kushteve jo adekuate për interpretim, ndahen të kënaqur dhe kërkojnë të interpretojnë përsëri nga mikpritja dhe energjia pozitive që e përjetojnë në Festival.

“Ne si organizatorë jemi shumë të lumtur që artistë të mëdhenjë pranojnë të vijnë në Kosovë, për shkak se ende nuk posedojmë sallë të përshtatshme koncertale, pasi ata mund të kenë pak drojë se si mund të tingëlloj pianoja. Mirëpo ata jo vetëm që pranojnë kur i ftojmë përsëri, por ata edhe vet kërkojnë të vijnë përsëri, kështu që në një formë edhe mos me dashtë të vazhdojmë Piano Festin kjo kërkohet nga mysafirët tanë që ndahen aq të kënaqur me mikpritje dhe me të gjitha duke u mrekulluar nga rinia jonë, nga publiku, studentët, audienca e gjerë. Thjesht është një mrekulli”, është shprehur organizatorja.

Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Festivalin “Chopin Piano Fest”, nga ku edhe potencoi që bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.

“Bashkëpunimi i Filharmonisë së Kosovës me Chopin Piano Fest është tradicional, ashtu si edhe me festivale të tjera që organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për të bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndonëse nuk kemi pasur mundësi që këto vitet e fundit që të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të agjendës të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhen me agjendën e festivaleve, por aq sa kemi mundësi do ta  vazhdojmë si traditë edhe  në vitet që vijnë” ka përfunduar Selimaj.

Koncerti i radhës i “ Chopin Piano Fest” do të mbahet me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Lalosevic, më 27 maj, në ora 20: 00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com

Kangët e Pakëndueme

Poezi nga Migjeni

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.

Thelltë në veten teme kangët e miajesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë- djepi juej; ndoshta vorri juej. /KultPlus.com

Revista letrare ‘Orfeu’ boton vëllimin poetik ‘Antologji poetike’

Në vëllimin e parë poetik “Antologji poetike” me poezi të përzgjedhura nga Revista letrare, kulturore, artistike Orfeu – Kosovë, janë përfshirë 35 autorë, prej tyre 23 autorë nga e gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora, si dhe 12 autorë të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe nga Irma Kurti dhe Angela Kosta.

Poezitë e autorëve janë përzgjedhur nga stafi i redaksisë së Revistës Orfeu: Dibran Fylli, Angela Kosta, Irma Kurti. Poezitë e përfshira në vëllimin e parë të kësaj antologjie janë botuar në Revistën Orfeu që nga numri i parë i daljes së saj pandërprerë deri në numrin 17. Poezitë e përzgjedhura, kryesisht janë lexuar nga lexuesit e rregullt të Orfeut, duke u bazuar në Rubrikën “Postimet më të lexuara” të cilat kanë arritur deri në 750 lexues gjatë një muaji. Pra, stafi redaktues, duke u bazuar në këto të dhëna, me përkushtim ka arritur t’i përzgjedhë poezitë më të lexuara të këtyre autorëve që u paraqitën në Vëllimin e – I – të kësaj Antologjie poetike me autorë kombëtar e ndërkombëtar. Revista letrare, kulturore, artistike Orfeu është e vetmja revistë që publikon krijimet e krijuesve nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe krijimet letrare, kulturore e artistike të krijuesve të huaj në cilëndo gjuhë të huaj në rubrikën përkatëse “International Poets”./atsh/ KultPlus.com

Në Borsh zhvillohet edicioni i 7-të i South Outdoor Festival

Në Borsh u zhvillua këtë javë edicioni i VII-të i South Outdoor Festival.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, në këtë festival u diskutua mbi praktikat e qëndrueshme në turizëm, mundësitë e punësimit në turizmin kulturor, promovimin e produkteve lokale dhe artizanatit, ndikimin e turizmit në mjedis dhe komunitet e mbi të gjitha për rolin e të rinjve në promovimin e turizmit të përgjegjshëm.

Turizmi kulturor është rritur me mbi 63%, ndaj dhe mundësitë për punësimin e të rinjve të kualifikuar janë rritur, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja nënvizoi se, sitet tona kulturore janë një pasuri e pazëvendësueshme, ku është i rëndësishëm kontributi i çdokujt.

MEKI e rendit ndër prioritetet e saj angazhimin veçanërisht të të rinjve, posaçërisht gjatë sezonit veror ku edhe fluksi i vizitorëve është edhe më i lartë, theksoi ai.

Gonxhja shtoi se, festivalet si South Outdoor Festival, janë një mundësi e shkëlqyer promovuese edhe për punimet artizanale, një tjetër pasuri që po tërheq gjithmonë e më shumë interesin e vizitorëve të huaj.

E pranishme në këtë festival ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Bora Muzhaqi.

Në këtë festival u diskutuan tema të rëndësishme.

Temat e paneleve u përqendruan te aktivizmi, rrjetëzimi, miqësitë, por edhe te turizmi i qëndrueshëm, theksoi Muzhaqi.

Ministrja nënvizoi se, bisedat me të rinjtë janë gjithmonë frymëzuese, sidomos me vullnetarët aktivë të “New Vision” që këtë herë drejtuan me sukses shumë nga punët e festivalit South Outdoor.

“Fantastik Borshi që gëlonte nga të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, plot me turistë të huaj që kanë zbuluar bukuritë e vendit tonë”, u shpreh Muzhaqi./atsh/ KultPlus.com