Emmanuel Macron: Do të duhet të jetojmë me virusin

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se francezët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë udhëtime në vende të huaja këtë verë, madje edhe udhëtimet brenda Evropës mund të duhet të jenë të kufizuara, në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun e rigjallërimit të epidemisë së koronavirusit.

“Është shumë shpejt të themi nëse mund të bëjmë pushime. Ajo që mund të them është se do të kufizojmë udhëtimet kryesore ndërkombëtare, madje edhe gjatë pushimeve të verës. Ne do ta shoim më qartë situatën në fillim të qershorit”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në një shkollë jashtë Parisit.

Franca ka vendosur të përfundojë bllokimin në 11 maj, njerëzit do të lejohen të lëvizin deri në 100 kilometra rreth vendbanimit të tyre, pa një formë lejemarrjeje. Lëvizja përtej 100 km do të ketë nevojë për leje.

“Kujdes edhe në zonat e gjelbëra”

Macron bëri thirrje për kujdes dhe “pragmatizëm” në lidhje me udhëtimin jashtë zonës 100 kilometra, për të shmangur përshpejtimin e përhapjes së virusit në zona ku  infeksioni është në nivele më të ulta. Në një intervistë me stacionet televizive franceze TF1 dhe France 2, Macron u bëri thirrje banorëve të zonave të gjelbëra që të bëjnë kujdes, duke ruajtur distancën sociale. “Le të jemi shumë të qartë: Ne e dimë se si funksionon virusi dhe për cilët persona ai është shumë i rrezikshëm,” tha presidenti francez. “Për dikë që është i dobët dhe i moshuar, edhe zona e gjelbër është shumë e rrezikshme”.

“Jeta ekonomike duhet të rifillojë”

Të dielën, më shumë se 300 kryetarë bashkish, përfshirë edhe kryetaren e Parisit Anne Hidalgo, i shkruajtën një letër të hapur Macronit, duke i kërkuar atij të vonojë kthimet në shkolla, duke thënë se atyre u duhet më shumë kohë për riorganizimin e klasave dhe rutinave të përditshme. Por qeveria ka mbrojtur kryeministrin Philippe duke pohuar se, “jeta ekonomike duhet të rifillojë në mënyrë të domosdoshme dhe të shpejtë”.

Macron të martën i bëri jehonë nevojës për masat lehtësuese. “Unë e kuptoj shumë mirë ngurrimin e mësuesve, gjërat do të ndodhin me qetësi, me dialog, sepse askush nuk e di se sa kohë do të duhet të jetojmë me virusin. Ne nuk mund të vazhdojmë të themi për muaj me rradhë se vendi nuk po jeton më”.

“Do të duhet të jetojmë me virusin”, tha Macron. “Ne duhej ta vendosnim këtë bllokim të paparë dhe tani ka ardhur koha të fillojmë një fazë të re, ku duhet të vazhdojmë të trajtojmë epideminë, duke mbajtur ende jetën e një kombi të lirë”. /bbc/ KultPlus.com

Fotografia prekëse e luftës në Kosovë që ka pushtuar botën: 30 orë ecje me vëllanë e vogël në krahë

Periudha e luftës së fundit në Kosovë është njëra nga ngjarjet më të trishta që s’do të harrohet me gjenerata, pikërisht për shkak të plagëve të rënda që ka shkaktuar tek kosovarët.

Imazhe të shumëta, të tilla janë shpërndarë nëpër tërë botën aso kohe, të fëmijëve kosovarë duke u munduar të shpëtojnë nga plumbat.

E tillë është edhe kjo foto e fotografit  Yannis Behrakis e publikuar në prestigjiozen ‘Reuters’ në përshkrimin e së cilës thuhet se këta dy fëmijë, (emrat e së cilëve nuk dihen) kanë bërë 30 orë rrugë për të ikur nga policia barbare serbe.

Fotografia është realizuar mes viteve 1998-1999, në kohën kur refugjatëve iu duhej të ecnin në këmbë më shumë se 30 orë, kur u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe ecën me orë të tëra për të lëshuar territorin e Kosovës dhe të shpëtonin pa u vrarë a malltretuar nga serbët, gjë që mijëra kosovarë nuk ia dolën. / KultPlus.com

Maks Velo përcillet sot në banesën e fundit

 Maks Velo nuk do të mund të përcillet në banesën e fundit me një ceremoni të veçantë, siç e meriton për kontributin e tij për vendit për shkak të situatës së COVID-19.

Për këtë arsye Ministria e Kulturës në Shqipëri, e cila do të organizojë një ceremoni nderimi, ka një kërkesë për qytetarët: Kushdo që do të nderojë figurën e Velos të sjellë një buqetë me lule ose një kurorë në ambientet e Ministrisë, më pas varrimi do të bëhet në Tufinë, transmeton KultPlus.

Maks Velo humbi ditën e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi vuante nga anemia e theksuar./ KultPlus.com

Kur emri i shqiptarit John Belushi u shkrua në pllakat e Hollivudit

Më 9 shkurt 1960 tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz.

Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët.

Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard.

Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë; Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës. / KultPlus.com

Lady Gaga paralajmëron për albumin e ri

Albumi i ri “Chromatica” i këngëtares së njohur Lady Gaga do të dalë në treg më 29 maj. Lëshimi i tij ishte planifikuar fillimisht për më 10 prill, por u shty javët e fundit për shkak të emergjencës së lidhur me koronavirusin e ri, transmeton KultPlus.

Në disk, albumi i gjashtë i saj me këngë të padëgjuara më parë, është edhe kënga “Stupid Love”, pasazhi muzikor ndërkombëtar më i luajtur në Itali, që ka mbi 300 milionë klikime në botë.

Në realizimin e ri, prodhuar nga BloodPop dhe Lady Gaga, ndërmjet 16 këngëve ka edhe bashkëpunime me Ariana Grande, Elton John dhe Blackpink.

“Chromatica” do të jetë në dispozicion në formate të ndryshme: cd standarde, cd luksoze 3-track, vinyl standard, kasetë dhe disk vinyl i kufizuar. / KultPlus.com

Lansohet diplomë e dyfishtë finlandeze për studime bachelor

Dje Kolegji Universum në bashkëpunim me Universitetin Partner nga Finlanda Kajaani University of Applied Sciences kanë lansuar – Diplomen e dyfishtë finlandeze për studime bachelor. Prezantimi i programit është bërë nga Drejtoresha e programit të Kajaani University of Applied Sciences Z. Kirsi Sievers.
Ky bashkëpunim mundëson që studentët kosovar ti fillojnë studimet në Kolegjin Universum dhe të vazhdojnë vitin e e tretë në Finlandë në Kajaani University of Applied Sciences me BURSË TË PLOTËdhe përfitojnë 600-800 euro në muaj për shpenzime të jeteses. Përveç studimeve, përfitimi kryesor i studentëve të këtij programi është praktika profesionale në Finlandë e cila zgjatë 5 muajdhe përmban30 ECTS. 

Studentët do të pajisen me diplomë të dyfishtë në Biznes Menaxhment në Kolegjin Universum dhe Administrim Biznesi në Kajaani University of Applied Sciences. 
Regjistrimet për studime në këtë program kanë filluar. Regjistrimi bëhet përmes këtij linku http://tiny.cc/b62loz
Pse të zgjedhni Finlandën? Finlanda, vendi i vlerësuar me sistemin më të mirë të edukimit në botë është një nga destinacionet më të preferuara për studentët nga e gjithë bota. Kajaani University of Applied Sciences është një nga universitetet më ndërkombëtare dhe më cilësore në Finlandë. 

Për më shumë info kontakto Kolegjin Universum në [email protected] apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Shkencëtarët: “Trajtimi i padrejtë i natyrës” sjell më shumë pandemi

Njerëzit duhet të ndalen së keqpërdoruri natyrën ngase përndryshe do të ketë më shumë pandemi vdekjeprurëse, si COVID-19, kanë paralajmëruar shkencëtarët që kanë analizuar lidhjen midis viruseve, botës së egër dhe shkatërrimit të natyrës.

Prerja e pyjeve dhe format e tjera të shkatërrimit po i largojnë speciet ekzotike prej pyjeve në drejtim të mjediseve ku jetojnë njerëzit, duke e nxitur bashkëveprimin dhe krijimin e llojeve të reja sëmundjesh, kanë thënë ekspertët.

Tri të katërtat e sëmundjeve të reja ose të porsashfaqura dhe që infektojnë njerëzimin, origjinën e kanë nga kafshët, kanë bërë të ditur qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke shtuar se është faktori njeri dhe aktivitetet e tij ato që i shumëfishojnë rreziqet nga infektimet.

Një trup hulumtues ka konfirmuar se origjina e COVID-19 është nga lakuriqët, të cilët natyrshëm i grumbullojnë viruset. E këto viruse më pas, me shumë gjasë, barten te njerëzit apo kafshët e tjera po qe se ato jetojnë në apo afër mjediseve njerëzore, siç janë pyjet e pastruara ose tokat e përgatitura për bujqësi, projekte të minierave ose projekte banimi.

Në natyrë, lakuriqët më pak mund t’i transferojnë viruset te kafshët e tjera ose të vijnë në kontakt me patogjenë të rinj, sepse këto specie kanë tendencë të përshtaten përbrenda mjediseve të dalluara dhe të krijuara mirë. Por pasi toka të shndërrohet në përdorim njerëzor, probabiliteti është më i madh që këto viruse të kalojnë nga një specie në tjetrën.

Përderisa natyra po pakësohet, kafshët e egra u drejtohen territoreve të banuara nga njerëzit, siç janë shtëpitë, shtëpizat dhe hambarët. Kjo vlen veçanërisht për lakuriqët, të cilët ushqehen me numrin e madh të insekteve ose frutave në pemishte.

Dy vjet më parë, shkencëtarët parashikuan se një koronavirus i ri do të shfaqet nga lakuriqët në Azi, pjesërisht sepse kjo ishte zona më e prekur nga prerja e pyjeve dhe presionet e tjera që i janë bërë mjedisit.

Një nga autorët, Roger Frutos, specialist për sëmundjet infektive në Universitetin e Montpellierit, ka thënë se studime të shumta kanë konfirmuar densitetin dhe shumëllojshmërinë e viruseve të ardhura nga lakuriqët, kryesisht në zonat e banuara nga njerëzit.

“Njerëzit shkatërrojnë mjedisin e lakuriqëve dhe pastaj ata na ofrojnë viruset. Disa përshtaten në mjediset ku jetojnë njerëzit dhe disa nuk do të përshtateshin në natyrë”, ka thënë Frutos.

Shkatërrimi i natyrës është kushti thelbësor për përhapjen e një virusi të ri, shtoi ai, por ka shtuar se ky është vetëm njëri prej faktorëve.

Lakuriqët natyrshëm i bartin sëmundjet te njerëzit. Por nuk ekziston ndonjë provë se kjo gjë vlen edhe për koronaviruset. Deri më tani mendohet se në pyetje ka qenë një ndërmjetës, kafshë shtëpiake apo e egër, me të cilën njerëzit kanë rënë në kontakt përmes ushqimit, tregtisë apo ilaçeve.

Në shpërthimin e SARS-it më 2003 në Kinë, në pyetje ishte një lloj maceje tropikale. Gjatë MERS-it në Lindjen e Mesme më 2012, ishte një deve.

Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se cila ishte kafsha që e barti virusin e COVID-19, megjithëse Frutos ka thënë se teoritë fillestare ishin për një pangolinë, porse tani kjo teori besohet të jetë më pak e mundshme.

Deri më tani, shkencëtarët kanë zbuluar rreth 3.200 lloje të ndryshme të koronavirusit te lakuriqët. Shumica e viruseve nuk janë të dëmshme për njerëzit, por dy lloje të viruseve të gjetura në Azinë Lindore janë të lidhura ngushtë dhe ishin përgjegjëse për SARS-in dhe COVID-19. Shfaqja e ardhshme e virusit me siguri do të ndodhë në Azinë Lindore, por epidemitë e sëmundjeve të tjera të reja mund të shkaktohen diku tjetër.

Amerika e Jugut është një zonë shqetësuese, për shkak të shkatërrimit të shpejtë të Amazonës dhe pyjeve të tjera. Shkencëtarët në Brazil kanë zbuluar se përhapja e viruseve ishte me shkallë prej 9.3 për qind në mesin e lakuriqëve nëpër vendet e shpyllëzuara. Kjo krahasuar me 3.7 për qind në pyjet e pacenuara.

“Me shpyllëzimin dhe ndryshimin e përdorimit të tokës, ju u hapni derën viruseve”, ka thënë Alessandra Nava, nga qendra e kërkimit Biobank me qendër në Manaus.

Ajo tha se sëmundjet zhduken në mënyrë të natyrshme në natyrë, por kjo nuk ndodh kur njerëzit prishin ekosistemin. Sipas një shembulli vendor, ajo tregoi për sëmundjen Lyme, e cila është përhapur te njerëzit përmes capybaras (një brejtësi tropikal).

“Problemi është kur bashkoni specie të ndryshme që nuk përshtaten në të njëjtin ambient. Kjo lejon që mutacionet e virusit të barten edhe te speciet e tjera”, ka thënë ajo. “Duhet të mendojmë se si t’i trajtojmë kafshët e egra dhe natyrën. Aktualisht jemi duke u marrë me këto çështje”. \ Guardian / KultPlus.com

Ti fluturon me dallëndyshet

Poezi e shkruar nga Yllka Domi.

Ti fluturon me dallëndyshet
Një ditë qdo gjë do të ndryshojë
Do të vish të luash me veten,
Do të këndosh në duet me heshtjen,
Do të jetosh me kujtimin në ballë,
Do të thërrasësh me zë,qu bë vallë,

Do të kërkosh për veten shpëtim
E sdo të gjesh kund emrin tim.
Jetonim ne të dy në gjethe të trëndafilit
Jetonim duke shijuar erën e tij
Jetonim bashkë me këngën e bilbilit,
Por në fund ,na therrën gjembat e tij.

Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë,
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë,
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj
E për këtë gjë unë tani po vuaj.

Tani jemi të vdekur për njëri tjetrin,
Fluturojmë në qiell për një jetë tjetër,
Fluturojmë të dy,por shumë larg njëri tjetrit
E të dyve na shoqrojnë valët e detit,
Ti fluturon bashkë me dallëndyshet ,
Fjalët që i dha tani po vyshken,
E mua më thërrasin skifterët ,
Por unë s dua të fluturoj me ta
E ti këndoj ninullat,
Sdo të jemi më bashkë.
Jeta jonë mbaroi,

A do të jetojmë te lulet apo te zjarri,
Sdi për njëri tjetrin
A do të na marrë malli?

“Veç për ty i dashur qaj pse s’vjen ma s’di çka të baj” (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha është pa asnjë dyshim figura më historike e muzikës në hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.com

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sonte kur ikona e muzikës shqipe do t’i mbushte 87 vite po e kujtojmë atë me këngën “Sytë për ty i kam të njomë”, një këngë e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com

“Vet ke mbetë, në dhomën tënde s’është shikimi im” (VIDEO)

E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sot po e kujtojmë këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com

Arti si ndëshkim

Shkruan: Blerton Gashi

        Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, piktori, studiuesi, shkrimtari e analisti i cili në artin e tij pasqyroi artin modern evropian. Ai u bë bartës i ndikimeve evropiane çka bëri që të etiketohej nga pushteti i atëhershëm si kundërshtarë i parimeve të pushtetit dhe si armik i partisë.

        Për këtë krijimtari të tij ai u kritikua rëndë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie(1978). Jetën brenda katër mureve, prapa grilave ai do ta përshkruajë në shkrimet e tij të mëvonshme( lirohet me 1986 dy vjet para kryerjes së dënimit) Pikërisht në librin  e tij më të ri “ Jetë paralele” të përgatitur nga Alda Bardhyli na vjen me dokumente e dosje sekrete të përndjekjes, hetimeve e deri te dënimi që i bëri pushteti i atëhershëm komunist, dosje këto hetimore të sigurimit të shtetit, organ i pushtetit që kontrollonte çdo gjë dhe çdo kënd që tentonte të sillte frymë ndryshe në kundërshtim me parimet e realizmit socialist.

        Në këto dosje ishte edhe Maks Velo me rrëfimet  e tij mbi ngjarjet e raportuara që vijnë të përfshira në ato 106 dokumente të sigurimit të shtetit. Kjo dosje mbi artistin e shkrimtarin , Maks Velo ndoshta mund të paraqitet si biografi mjaft e mirë e autorit e realizuar nga ata që donin ta ekzekutonin. Nga fillimi i këtyre dokumenteve e deri në fund shohim ngjarje e njerëz që krijuan historinë e artit shqiptar nën pushtetin komunist.

    Libri jo rastësisht titullohet ngjashëm  me librin e Plutarkut.  “ Jetë paralele”, kështu titullohej edhe libri i Plutarkut, libër në të cilin  janë një seri biografish të njerëzve të famshëm, të organizuar së bashku për të ndriçuar virtytet ose dështimet e tyre të përbashkëta morale, ndoshta të shkruara në fillim të shekullit të dytë pas Krishtit.

       Në jetë paralele përfshihen dokumente sekrete ngjarjet të sigurimit të shtetit nga fillimi deri në burgim secili dokument ka autorin e vet.

        Mijëra njerëz të përndjekur politik kanë dëshmuar për jetën dhe pasojat që iu ka  shkaktuar mendimi ndryshe në pushtetin e atëhershëm. Prapa grilave çdo gjë është reale, njerëz të vuajtur që lëshojnë pasthirrma dhimbjeje, malli dhe brenge por të gjitha këto sot na vijnë vetëm si dokumente. Dhe, edhe pse dokumenti si dokument  na ofron vetëm një komunikim indiferent dhe pa emocione, në këto dokumente përballemi me një dramacitet të skajshëm.

      Kjo përmbledhje e dokumenteve përbrenda të cilëve gjendet edhe dosja e Maks Velos, ku përgatitet dhe vuloset edhe dënimi i tij, brenda tyre kemi, përmendje, shkresa me urdhra, njoftime, përgjime , marrje në pyetje, raportime, shënime si dhe vendime gjyqësore. Brenda këtyre 106 dokumenteve, shihen masat represive të shtetit përkatësisht Sigurimit të këtij shtetit.

      Tek “ Jetë paralele” shohim se si aparatura e shtetit me bashkëpunëtorët e shumtë kanë kontrolluar shoqërinë, duke mos kursyer as artistë e as  shkrimtarë që donin të shfaqnin diçka ndryshe nëpërmjet artit. Ata kryenin persekutime shtypëse të rrepta që i jepnin efikasitet pushtetit për t’i mbajtur dhe realizuar qëllimet e veta, dhe çdo kush që tentonte te paraqiste diçka ndryshe nga realizmi socialist ajo merrej si propagandë ndaj pushtetit dhe pushteti reagonte nëpërmjet Sigurimit të vet, i cili nuk e kurseu as Maks Velon.

        Këtu paraqiten individ të ndryshëm që nga etja për pushtet ose inatet profesionale thurnin komplote dhe drejtonin  njerëzit e Sigurimit të shtetit. Shihet një shtet me një llupë të madhe që sheh dhe kontrollon çdo gjë brenda tij, për të mbajtur gjallë idealet e partisë. Libri hedh pikëpyetje të shumta edhe mbi disa figura të mëdha qofshin ata artist apo shkrimtar, afërsitë e tyre me pushtetin duke u parë si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit madje edhe brenda përbrenda lidhjes së shkrimtarëve. Interesant është ballafaqimi i individit mënyra se si ai e sheh rrezikun që ai vet e krijoi në masën e gjerë , ky libër po ashtu na jep mundësi për të gjurmuar në mes lirisë dhe vullnetit të individit dhe imponimit që vjen nga pushteti. Ky libër na orienton kah morali si ide , si ndikues i madh në qëndrime. Por ku është ideja e ku është njeriu? Kush duhet të kërkoj falje?

          Velo thotë se Arti pa moral është anije e mbytur ne liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimor i ka edukuar feja dhe arti. Botimi i këtyre dokumenteve si proces gjyqësor kundër tij  është hap drejt një debati në lidhje me artin dhe kulturën e zhvilluar në kohën e pushtetit komunist. Këto dokumente tregojnë qëndresën e një artisti ndaj ideologjisë së kohës në kushtet e një represioni totalitar, ai arriti ta qoj më lart kulturën shqiptare edhe në këto rrethana të egra të diktaturës komuniste, më kohën e së cilës doli edhe ky artist i madh. 

“Muzeu im”, ekspozita e parë virutale e trashëgimisë familjare në Kosovë

Në kuadër të përgatitjeve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, po përgatitin një ekspozitë virtuale “Muzeu im”, e cila do të shënohet me 18 maj, duke i bërë thirrje qytetarëve të japin kontributin e tyre.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid 19, ku shumë muze në botë qëndrojnë të mbyllur, aktivitetet e planifikuara për t’a shënuar këtë ditë ICOM do t’i sjellë në një formë të re në mënyrë digjitale.

Në njoftimin e MKRS-së thuhet se edhe Kosova i është bashkëngjitur kësaj nisme pasi që Muzeu Kombëtar i Kosovës që disa vite me radhë e feston këtë ditë me aktivitete të shumta, dhe për gati katër vite është pjesë e ICOM-it.

“Edhe këtë vit, në Kosovë do të bëhen organizime për ta shënuar këtë ditë me aktivitete e ngjarje kreative që do të sillen në mënyrë digjitale, e ku bën pjesë edhe ekspozita virtuale në fjalë”.

“Ekspozita virtuale e cila do të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për qëllim të sjellë muzeun më afër banorëve të Republikës së Kosovës, për ta ngritur vetëdijen rreth vlerave dhe ruajtjes së trashëgimisë dhe diversitetit tonë kulturor”.

“Konkretisht, Muzeu im është një aktivitet/ekspozitë virtuale e organizuar për të ndihmuar bashkëpunimin në mes komunitetit dhe Muzeut, dhe ofron një qasje të re për gjithpërfshirje duke integruar në ekspozitë koleksione nga trashëgimia familjare e banoreve të Republikës së Kosovës. Qëllimi është që duke qëndruar në shtëpi të ndërtojmë një ekspozitë virtuale me punime (vizatime, piktura, dizajnime), objekte (vegla pune, enë, orendi, punime të vjetra druri, metali, guri; veshje), fotografi të dërguara në format digjital”, thuhet në njoftim të MKRS-së.

K’ndo bareshë!

Poezi nga Andrin Kabashi

K’ndo bareshë!

K’ndo bareshë
siç ke k’ndue,
K’ndo me zanin tand të ambël,
Nëpër fusha, t’uj ladrue,
Mas kumonës, ngjet si andërr.

K’ndo bareshë në malet tua
T’nalta, t’gjana – shekullore
Ndër zabele, thuej “Të dua,
Vendi im, gjer n’tokë amshore”

K’ndo bareshë me za bilbili
Nga ty dridhen tokë e qiell
Dridhet fusha, dridhet lisi,
Mali pyet “Çka po ngjet?”

K’ndo bareshë ti tunde bjeshkën,
Kalle fyellin, plot dashni
Le të shohin zogj’t habitshëm,
Se çka asht kjo mrekulli!

K’ndo bareshë, për s’mrami hér’
Zemrën time, mbushma gaz
K’ndo bareshë, me za bilbili
Shpirtin tim ti ngrohma pak…!

/KultPlus.com

Madonna thotë se kishte koronavirus derisa ishte në turne

Ikona amerikane e popit, Madonna tha që ajo kishte koronavirus ndërsa ishte në turneun e saj botëror Madame X.

Ajo sqaroi në një postim në Instagram të mërkurën se aktualisht nuk ishte e sëmurë, por se kishte dalë pozitive për antitrupat Covid-19.

“Kur testoni pozitive për antitrupat do të thotë që ju KENI virusin që unë qartë e bëra pasi isha e sëmurë në fund të turneut tim në Paris mbi 7 javë më parë së bashku me shumë artistë të tjerë në shfaqjen time, por në atë kohë të gjithë menduam se kemi pasur një grip shumë të keq “, ka shkruar këngëtarja në Instagram, duke shtuar se të gjithë tani ishin të sigurt dhe të shëndetshëm, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Madonna ndërpreu turneun e saj botëror menjëherë pasi qeveria franceze ndaloi të gjitha tubimet e mëdha.

Ylli, 61 vjeçar, gjithashtu ka dhuruar 1 milion dollarë për hulumtimin e vaksinës së koronavirusit.

Mandatory Credit: Photo by Richard Young/REX/Shutterstock (6897610s) Madonna Edward Enninful OBE Party, Mark’s Club, Mayfair, London – 27 Oct 2016

Turizmi në botë pritet të bjerë për 80 për qind si pasojë e koronavirusit

Numri i turistëve në botë do të ulet mes 60 dhe 80 për qind në vitin 2020, për shkak të koronavirusit, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Turizmit, duke ulur ndjeshëm parashikimet e bëra më herët.

Masat e ndalimit të udhëtimeve dhe mbyllja e aeroporteve dhe kufijve tokësorë për të ndalur shpërndarjen e virusit, kanë zhytur turizmin në krizën më të thellë që kur nisi mbledhja e të dhënave më 1950, ka bërë të ditur kjo organizatë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Lëvizja e turistëve ka rënë për 22 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, dhe 57 për qind vetëm në muajin mars, me Azinë e Evropën që kanë vuajtur më së shumti, sipas këtyre të dhënave.

“Bota po përballet me krizë të paparashikueshme shëndetësore dhe ekonomike. Turizmi është goditur fort, me miliona vende pune në rrezik në një prej sektorëve më intensivë të ekonomisë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Zurab Pololikashvili, raporton “The Guardian”.

Kompanitë ajrore kanë pësuar më së shumti që nga shpërthimi i virusit në fund të vitit 2019 në Kinë me fluturimet e anuluara, por që kanë prekur edhe zinxhirin e turizmit duke përfshirë hotelet e operatorët e turizmit.

Organizata kishte parashikuar në fillim të vitit se turizmi botëror do të rritej për 3-4 për qind më 2020, por më pas rishikoi parashikimin në fund të marsit, duke thënë se do të ketë rënie prej 20-30 për qind. Tani, me zgjatjen e izolimit, organizata ka thënë se do të ndryshojë edhe parashikimi. Në skenarin më të mirë, sipas saj, nëse lehtësohen masat në korrik, turizmi do të pësojë rënie për 58 për qind. Nëse kufijtë mbesin të mbyllur e udhëtimet nuk lehtësohen para dhjetorit, rënia mund të jetë deri në 78 për qind.

Ura e qytetit kroat binjak të Prizrenit merr ngjyrat e flamurit të Kosovës

Qyteti i binjakëzuar me Prizrenin, Osijeku i Kroacisë, në shenjë të miqësisë dhe të solidaritetit në kohën e pandemisë ka ndriçuar monumentin më të famshëm të qytetit me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës.

Ura e këtij qyteti ka marrë ngjyrat kaltër e verdhë duke reflektuar edhe në ujërat e lumit Drava, njofton Klan Kosova.

Një fotografi të tillë e ka publikuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka falënderuar edhe homologun e tij kroat për përkrahjen e dhënë.

“Falënderoj përzemërsisht kryetarin e Komunës së Osijekut, z. Ivan Vrkić, për mbështetjen e cila është mjaft domethënëse në këto ditë të vështira ku po kalon e gjithë bota nga kriza shëndetësore e pandemisë”.

“Shpresoj që këtë krizë ta tejkalojmë së bashku sa më parë dhe të kemi bashkëpunim edhe më të fortë për t’u rimëkëmbur”.

Ansambli ‘Shota’: Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut dhe bashkëpunëtorit tonë

IN MEMORIAM: Ahmet Brahimaj (1953-2020)

Nga Shefqet Gjocaj

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut, bashkëpunëtorit dhe artistit të nderuar Ahmet Brahimaj, ish- balerin dhe drejtor shumëvjeçar i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Andaj dua që në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal t’u shpreh ngushëllimet më të thella familjes Brahimaj, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

Njëherazi ngushëllimet tona, në veçanti shkojnë për të gjithë kolegët nga Baleti Kombëtar i Kosovës, institucion ky që lidhët ngushtë me emrin e Ahmet Brahimajt.

Ahmeti nuk e jetoi gjatë moshën e pensionit, sepse edhe ashtu ai nuk mund të paramendohej si pensionist. Autoriteti dhe karizma e tij ishin domosdoshmërish të nevojshme aty ku ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës: Në Teatrin Kombëtar dhe rreth Trupës së BKK. Mungesa e asaj karizme do të le boshllëk të madh dhe do të na mungojë të gjithëve.

Duke qenë se emri i tij ishte i lidhur edhe me AKKV “Shota”, si ish-anëtar i Këshillit Artistik dhe si bashkëdrejtues i këtij institucioni, për një periudhë të shkurtër kohore, e pastaj edhe si anëtar komisioni në vlerësimin artistik të TA, ai do të na mungojë edhe si bashkëpunëtor i Ansamblit. Respekt për punën dhe veprën e tij.

Prehu në paqe, Ahmet! Shpirti të pastë dritë! / KultPlus.com

Skulptori Destan Gashi, “guri” i çmueshëm i Kosovës

Nga Pjeter Logoreci

Me Destan Gashin u njohëm në një galeri arti në Vjenë, ku të dy u gjendëm për të  shijuar punimet e piktorit Kosovar Gazmend Freitag. Destanin e kisha parë një herë, në verë, në koloninë e artit në Velipojë të cilën e drejton mjeshtri shkodran, skulptori  Skënder Kraja. Pas njohjes e bisedave të  para, ai më ftoj që të vizitoj studion e tij e cila gjindet (në Himberg) në periferi të Vjenës. Sapo ishte mbyllur një ekspozitë e tij në Vjenë të cilën nuk pata mundësi ta shoh, kështu që e prita me shumë kënaqësi ftesën pasi do të  shihja veprat, të gjithë punën e tij.

Skulptori Destan Gashi në Atelien e tij

Eshtë shumë interesante të kundrosh një skulptor gjatë procesit të punës në atelie, prandaj mora me vehte edhe aparatin fotografik që të mund të fiksoj mbresat e mija. Sapo hyra në atelienë e tij u përballa së pari me flamurin kombëtar që varej në krahun e një “burri – gurë” shtatëlartë që të krijonte përshtypjen se sapo kërkonte ta ngrinte diku lart… Pas pesë minutash u ndjeva lirshëm, por edhe në një ambient ” të njohur e të këndshëm” për mua, mbasi shumë objekte më “flisnin” shqip… Në vëndin ku isha ulur për të shijuar kafen që më ofroj mikpritësi, isha i rrethuar nga legjenda e figura që i njihja që fëmijë….

Gjëja që më çuditi shumë ishte se përpara gurëve – figura që po punoheshin nuk kishte asnjë model të gjallë, vizatim apo maket, pasi Destani punonte direkt me sy të lirë në gurë. Destani është ndër të paktët artista bashëkohorë që ushtrojnë në Vjenë artin e vjetër të skulpturës. Për të shuar kuriozitetin tim, ai filloj të më tregojë me pasion origjinën e karakteristikat e gurëve të tij…..ja mermeri i bardhë me vjen nga Carrara e Italisë… , por unë nuk po dëgjoja mbasi instinktivisht isha afruar pranë fëmijës – gurë që pi qumshtin e gjiut të Rozafës….Po po atje ku dhemb dhëmbi vete gjuha …..më permendi ai nga kujtimet e malli që më kishte mbërthyer….po ..Shkodra (kështu më quan ai mua – Shkodra)…ky është guri i bardhë i Carrarës që ngjanë me gurët e lagur nga qumështi i bardhë i nënës Rozafa….

Legjenda e Rozafës e gdhendur në gur nga Destan Gashi

Vazhduam të bisedonim rreth jetës së tij private dhe artistike. Ai më tregoj se vinte nga një familje e varfër nga Zoqishti / Rahoveci i Kosovës ku kishte mbaruar shkollën fillore duke treguar shenjat të veçanta të talentit të tij në krijimin e figurave të vogla nga balta amtare, të cilat mësuesit ja pelqenin shumë. Më vonë pas shumë vështirësish ekonomike dhe familjare kishte frekuentuar shkollën e mesme të artit figurativ në Pejë. Në shpirtin rebel të Destanit digjej dëshira për të prekur me dorë rrugët e artit. Kështu me punë këmbëngulëse arrin të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bruksel e cila drejtohej nga Profesoresha e njohur Vanservenbergen, ku me 1978 diplomohet për pikturë. Më pas kthehet në Kosovë ku punon për dy vjet si mësues vizatimi i shkollës Zoqishtë. Gjatë kohës në fshat, i ringjallet dëshira e vjetër për skulpturën dhe vendosë të plotësojë njohuritë e tija në fakultetin e skulpturës të Akademisë së Arteve të Bukura të Brukselit që drejtohej nga Profesori Martin Guyaux, ku me 1985 merr titullin e diplomën e Skulptorit profesionist. Më pas vendoset në Vjenë, pasi në vitin 1981 kishte njohur shoqen e tij të jetës, Barbaren, vajzën nga Vjena.

Skulptori Destan Gashi në punë e sipër në atelien e tij

Pas viteve me impenjim të plotë për formimin e tij, fillon përiudha e krijimtarisë ku pat prodhimtari të bollëshme. Në punën e tij ai frymëzohet me tema nga folklori shqiptar, por edhe bukuria e femrës prek shpirtin e tij artistik. Figurat e femrës të skalitura në gurë zënë një vënd të madh në krijimtarinë e tij. Kushdo që përballet me punën e tij, kupton botën e madhe shpirtërore të Destanit, temperamentin rebel e po ashtu shpirtin e butë të tij. Figurat si Rozafa, Dy Vajzat, Nëna me Binjaket, Aurora, Vajza Afrikane, Vajza në Plazh, Nymphe, po ti kundrosh, të mbushin me dhëmbshuri, por  edhe me dashuri njërzore. Nga energjia e  eleganca e fantazisë së Destanit, janë krijuar figura që “flasin” vetë si: Kërcimtarja, Balancë, Lisa, Kërmilli. Artisti Gashi në të shumtën e rasteve viziton personalisht guroret (minierat e gurit) nga ku vendosë për bllokun e gurit në masën e  ngjyren e parashikuar. Nganjëherë, aty në minierë frymëzohet dhe i lindin idetë e reja për krijesa të reja artistike. Zakonisht, për punët e tija ai përdorë materiale guri nga “Sölker, Krastaler, Mermer nga Wachau, Arlburger, Gummerner, Mermer nga Südtirol, gurë Italian nga Carrara, gurë Brasilian apo të Salzburgut”. Kombinimi i ngjyrës dhe linjave (strukturës) të gurit ka ndikimin e vet në fantazinë dhe kreativitetin e Destanit. Më tërhoqi vemendjen punimi Gruaja e Hasit ku struktura dhe ngjyrat e gurit ishin të larmishme e të ngjashme me veshjen kombëtare të asaj zone, pra gjetja ishte e përsosur si vetë bukuria e gruas së gdhendur në atë mermer.

Foto 4. Gruja nga Hasi, mermer nga Bummerner, 2010

Destan Gashi ka punime të cilat gjinden në të gjithë anët e botës që nga Amerika, Italia, Austria, Gjermania, Zvicra, Spania, Lichtensteini, Belgjika, Hollandë…të cilat janë të vëndosura në sheshet kryesore të qyteteve (e që janë pronë e shtetit – Bashkisë) apo i përkasin ndonjë koleksionisti privat. Ai është nderuar për punën e krijimet e tija me shumë çmime ndërkombëtare. Qysh student ai u nderua nga Bashkia e Brukselit për punimin në gurë të Dona Barbantia, e cila është e vendosur në qëndër të qytetit.

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, gurë zalli, 2009

Bustin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, një punë krejt e veçantë nga sa ne jemi mësuar ta shohim në Shqipëri, ai e ka të shitur tek një koleksionist privat në Dibër.

Gjatë karrierës së tij artistike Destani së bashku me Barbaran, gruan e tij austriake, kanë organizuar shumë ekspozita, në Austri e në shumë vende të Europës. Suksesi i tyre ka qënë i padiskutueshëm, gjë që është pasqyruar gjërësisht në shtypin e kohës.

Figurë në rërë, Jesolo 2005

Skulptori Destan Gashi është një figurë e njohur edhe për pushuesit dhe turistët në Itali dhe Austri, nga figurat e tij të punuara në rërë gjate bregdetit Italian,  apo në figurat e krijuara në dëborë në bjeshkët e Austrisë. Në ekspozitat që hapen në Vjenë ku marrin pjesë shumë artistë nga Austria, i përherëshëm  dhe i vlerësuar nder to  është edhe skulptori ynë Destan Gashi. / KultPlus.com

Ogurët e liga në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Ato që na i tha Shefqet Aga rreth barrës që na binte “me i ba zap të çmendunit për me i shpëtue nga spitali i Shkukzës” prej nga nuk kishte kthim, kishin filluar të jetësoheshin. Mora vesh se gjatë natës, bashibozukët e shumtë kishin hyrë në disa mëhallë dhe kishin bastisur familjet e njohura, me ç’rast nga çdo shtëpi kishin marrë të parët e tyre.

“Po i mbledhim të çmendurit… Ketë e keni peshqesh nga grithja”, çirreshin.
Edhe ma të rënda më erdhën ato që m’i tha Lami rreth dyshimeve se oficeri Harun Xhaferi mund të ishte dërguar nga Zyrat e Errëta si hetues i posaçëm për t’u marrë vesh e verteta rreth atyre që tashmë lidheshin me frenimin e murtajës me anën e grrithjeve.

“Mendja ma thotë se Haruni po ua matë kokat Kajmekamit dhe Shefki Agës, cila prej tyre të përfundojë në Kamarën e Turpit… Kjo mund të jetë me rreziqe të tjera për ne…”

Atë mendim kishte edhe Sheh Alia, i cili njihej për tëhollimin e gjanave. Tha se Haruni i sertë është këtu për me e tjerrë përgjegjësinë e tyre për dështimin, sidomos kur kjo lidhet me grithjen.

“Ndaj, Kajmekami në njërën anë dhe mjeku Shefki Aga në tjetrën anë, mund të dalin me hesape të tjera për t’i dhënë punës kapak… Të tillët, për me ruejt pushtetin dhe për me shpëtue kokën, me murtajë apo pa murtajë, janë në gjendje me kallë edhe dynjanë..”

Shtoi se nga ato që kishte marrë vesh tërthorazi nga disa myhibë që i shërbenin Kajmekamit, ai po mundohej që me anën e hafijeve për me nxitë ndonjë kryeneçësi në mënyrë që, në rrethanat e Fermanit për shtetërrethimin të shfrytëzohej asqeri për qërim hesapesh me të madh e të vogël. Ndërsa Shefki Aga ka zgjedhur marifetin e çmendjes për të mbushur spitalin e Shkuzës. Me një të rame, këkon dy të vrame…
“Harun Xhaferi i sertë nuk ashtë kot këtu…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

Çfarë nëse jemi pjesë e një eksperimenti ?

Nga Linditë Ramushi Dushku

Çfarë nëse jemi pjesë e një eksperimenti? Ja kam shtruar këtë pyetje disa herë vetës përgjatë situatës së krijuar nga një diçka e panjohur. Njeriu ka një pikë te dobët, që unë e quaj pikë varësie, që ka emrin frikë. Kjo frikë shpeshherë merr emra dhe shfaqet ne forme të ndryshëm. Dhe nëse analizojmë sjelljen individuale në disa prej veprimeve kolektive, që kanë shoqëruar historinë e njeriut, mund të shohim se si frika ka qenë një element që ka ndërhyrë në shumë forma dhe mënyra jetese, tek njeriu si individ dhe tek njeriu si pjesë e shoqërisë, dhe një bashkësie më të madhe deri në përmasa globale. Situatat në cilat është zhvilluar njeriu, janë mjaftë komplekse, ashtu siç është dhe vet njeriu dhe qenja e tij! Sjellja e njeriut është komplekse. Një observim i reagimeve dhe valëve nga brenda dhe jasht trupit e mendjes njerëzore, por dhe i ndikimeve nga jashtë, si ato të turmave të caktuara, apo sikur është tani ndikimi i Coronavirusit-19, mund të vërehen se individi vepron ngjashëm me masën, madje si masa dhe për masën. Njeriun e ka shtypur frika si element për bindje dhe që nuk lejon pavarësi të qenies nga ajo çfarë jep masa! Tek njeriu vërehet frika e ndëshkimit, dhe përmes besimit dhe lutjes, tek diçka imagjinare, apo më e madhe se ata, mbështeten për të eliminuar ankthin e ekzistencës! Në këtë rrafsh, njeriu në frikë ndjen humbjet dhe përmes kësaj i rriten bindjet ndaj pushteteve hyjnore; ndaj atyre njerëzore! Pastaj natyrshëm shtrohet pyetja: çfarë nëse jemi pjesë e një eksperimenti, të burgosur pa “bërë krim”, duke mos e ditur se çfarë do të thotë izolim, për ata që kanë provuar formën tjetër të izolimit që është burgu forma më e njohur ndër njerëz, e heqjes së lirisë?- Por që ka një ndryshim të madh me izolimin që po bëhet herë herë me “dashjen tonë”, nga frika e diçkaje që se njohim, nga bindja me dashje për diçka që s’na pëlqen, pra bindemi pa e pëlqyer.
Fuqia e këtij ndërveprimi, sërish lidhet me frikën e bindjen. Dhe pushtetin më te madh e kanë fituar duke mbjellur frikën për diçka, që më vonë është rritur si vetëfrikësim alogjik! Pastaj, çfarë nëse ky “eskperiment” do të tregoj se njeriu është me parë qenie emocionale dhe mëpastaj sociale; që njeriut i duhet njeriu, pastaj të jetë ai që është,- sjellja e tij, ndjenja, emocioni, dashuria etj, apo të dashuroj, të ndjej, të flas, bërtas për të qenë më pas pjesë e një grupi, për të ndarë në grup atë që është apo te jete në grup për të marr atë që i duhet!? Ana tjetër e medaljes së historisë së këtij ndryshimi të mënyrës së jetesës, ka ndikuar në perceptimin e njeriut mbi mënyrën e te jetuarit, stilin e veprimtarisë së tij ditore, si psh. Jo shpesh, një masë e madhe njerëzish, jo të gjithë, dalin të bëjnë blerjet në market pa makina, t’i mbajnë ushqimet në qese deri në shtëpi për rreth tridhjetë minuta larg shtëpisë, apo dhe të shohin brenda shtëpisë së tyre më shumë se sa katër muret e dhomës, të lejojnë të krijojnë histori ditore, sepse njeriu i kohës së kësaj epoke nuk arrin që te jetë kaq komod karshi dinamikës që ka vetë kjo epokë. Duhet te jetë një thirrje drejtë perceptimit të gjërave parësore të nevojave që realisht qenia jonë ka, për te harruar pak rehatinë e makinës dhe të lëvizim këmbët nga nevoja në këtë rast e për shumë qëllime të mira! Më kujtohet një fragment nga tregimit e gjyshes, kur thoshte: nevoja është nëna e gjërave, dhe ajo na mëson çdo profesion, çdo sjellje. Në këtë rast, nevoja për të qenë të heshtur brenda zhurmës që mund të shkaktonin dikur lëvizjet e makinave, të na qojnë drejtë analizimi të një hapi që bëjmë me shumë! Një thirrje tjetër që do të duhej ta dëgjonim është ta shihnim jetën tonë si një udhëtim të gjatë duke realizuar ëndërrat pa u nxituar, dhe për të kuptuar sensin e kohës. Në këto ditë izolimi që edhe pse mund të bëjmë pak gjëra, lëvizje, punë, lexime e ndër to detyra, koha duket sikur nuk ikën, në fakt ajo shihet ashtu siç duam ta shohim.
Ne kontekst të gjithë kësaj, nëse do të ishim pjesë e një eksperimenti; shtrohet pyetja çfarë duhet t‘ themi vetës, kuptohet përveç kërkimit të fajtorëve për tragjikën!?- Një faleminderit për domosdoshmërinë e mësimit ose rikujtimit të disa gjërave që dikur i kemi njohur, dhe për mësimet e detyrueshme të mbijetesës në rrethana të caktuara?! Pra jo nga frika por qe na lat të kuptojmë shumëçka mbi botën, njeriun, pushtetin, bindjet e perceptimin e gjërave në një dritë tjetër! / KultPlus.com

Poezia e fundit e Yllka Domit: Përmendore nuk dua

Poezia e fundit e Yllka Domit

Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.

Përmendore nuk dua!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendoseni afër kokës sime. / KultPlus.com

Ava Max do të këndojë kolonën zanore të ‘Scooby Doo’

Ava Max, këngëtarja shqiptare me famë botërore, pritet që shumë shpejt të publikojë projektin më të ri, që do të jetë kolona zanore e filmit të animuar ‘Scooby Doo’, shkruan KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur artistja me anë të një postimi, ku njoftoi se kënga “On Me” vjen në duet me Thomas Rhett dhe Kane Broën.

Ky projekt pritet të publikohet me 15 maj.

“E entuziazmuar ta ndajë “On Me” së shpejti! Faleminderit Thomas Rhett dhe Kane Broën që më ftuar në këngë”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj në Instagram. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B_0uYWnlxT_/

Nuk ka më fjalë!

Poezi nga Rejsi Mece

Nuk ka më fjalë! Shterruan.
Ç’ish për tu thënë, s’u tha
Ç’ish për tu bërë s’u bë.
U kyç me çelësat e moralit të mëhallës
Deklaratë e dashurisë së Tatjanes
Me shpirtpendesën e Onjeginit.

Pikëpyetje – hijedyshimet
Shtrojnë qilim gjembaç hjekakeq për shputat tona
Çfarë bluan e tashmja, e nesërmja në ardhtë
nga një zjarr pa prush
nga një Omege pa Alfe?

‘Po sikur? Nëse ne – ja… ‘
Çukit me sqep qukapiku kryet
Shkapërdahet një qielli pa forme
pluskon ujërave të trazuara të nëndijes
dehet me ambrozia
Ç ‘trajtësohet
‘Nëse Ne’ – ja.
Jona ‘Po sikur’.
Tempulli ynë i lutjes , i përgjërimit
Arka jonë e Noese ndaj zgjedhës së monotonisë e rutinës
Vrasësit tonë të heshtur
Armikut tonë të përditshëm.
Kaq sublime, kaq cullake, kaq përdëlluese
‘Nëse Ne-ja’ jonë! Jona ‘po sikur! ‘
Lëmshin e ndjesive shkokolepsim e nga stomak i tij
pikëpyetje, pikëçuditje, flutura shumëngjyrëshe
Qesim…

Pikon mëngjesi tjetër vesen e mallit mbi dy të huaj që
Gjurmët shoqi-shoqit s’ia shquan
Veç ëndrra zigzage përshkuan
E mendjet e tyre popuj barbare po aq të njohur
Takuan.

Nuk ka meri, as lot as vrer
Pyetje- përgjigje idil n’eter
Me çap të lehte tërë shend e vere
Ti shkon e rend drejt shortin tënd.

Naser Shatrolli: Baleti i Kosovës sot e paska ‘humbur’ çelësin kryesor të derës së saj

Ka vdekur sot ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, Baleti i Kosovës ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar nga e gjithë bota dhe këtë rrugë të shtruat me punë e vullnet, Brahimaj ju la pas balerinëve të rinj të cilët sot janë të prekur thellësisht nga vdekja e profesorit të tyre, por nesër me krenari do të vazhdojnë këtë rrugë për të cilën ai ju mbolli shumë dashuri, shkruan KultPlus.

 Bashkëpunëtorët e miqtë të shumtë të Ahmetit, sot po shprehin dhimbjen e tyre më fjalët më prekëse.

Regjisori Naser Shatrolli, përmes një statusi në Facebook është munduar t’i ikë fjalës lamtumirë për mikun e tij të shtrenjtë, të cilin e konsideron vëlla.

“Po mundohem me i ik fjalës LAMTUMIRË!

Kam pirë kafen e mëngjesit në teatër me ty vllaçko për 20 vite!

Zot, sa i vetmuar po ndjehem sot!

Baleti i Kosovës sot e paska ‘humbur’ çelësin kryesor të derës së saj.

Megjithatë, LAMTUMIRË miku im!

Do të mbetesh logo e Baletit Kombëtar të Kosovës!”, shkruan Shatrolli. / KultPlus.com