Apostolova fotografohet me dy vajza gorane me veshje tradicionale

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, sot ka shkuar në Gorë të Dragashit për të uruar komunitetin goran në Ditën e tyre.

Ajo atje u mirëprit me ritet tradicionale të këtij komuniteti, për të cilët tha se është një kontribut i diversitetit kulturor të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Me traditat dhe zakonet e tyre të ndryshme, komuniteti goran kontribuon në pasurinë dhe diversitetin kulturor të Kosovës. Sot më 6 maj,Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, uroi dhe u bashkua me komunitetin goran ndërsa festojnë ditën e tyre!”.

Apostolova shpërndau edhe disa fotografi të banoreve me veshjet e tyre karakteristike.

Por, ajo që vërehet nga këto fotografi të publikuara është se nuk u respektua distanca sociale e as ndalimet e Qeverisë për festa të tilla.

Angelina Jolie e ka nxitur Kongresin t’i ndihmojë familjet në nevojë për ushqim

Ylli i filmave “Maleficent”, Angelia Jolie, i kë bërë thirrje politikanëve të lartë që t’i shtojnë përfitimet ushqimore për familjet anembanë Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që t’i ndihmojnë ata në këtë periudhë të pandemisë së koronavirusit.

Në një letër drejtuar politikanëve të njohur të shtetit si, Nancy Pelosi, Kevin McCarthy, Mitch McConnell dhe Chuck Schumer, aktorja ka thënë: “Shumica e fëmijëve më të cenuar në Amerikë i kanë humbur më shumë se 740 milion porcione të ushqimit në shkollë, për shkak të mbylljes së shkollave si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Duke qenë se prindërit e tyre i kanë humbur punët dhe kanë mbetur pa rroga, shumica prej këtyre fëmijëve po jetojnë të uritur… Derisa forcimi i Programit të Asistencës së Ushqyerjes Suplementare nuk do t’i mënjanojë të gjitha sfidat me të cilat po përballen familjet me të ardhura të pakta gjatë kësaj krize shëndetësore, megjithatë na ndihmon të sigurohemi që sa më pak fëmijë të mbesin të uritur në vendin tonë.”

Kjo kërkesë e aktores dhe filantropes së njohur, Jolie, vjen pasi ajo e kishte shkruar një artikull për rritjen e abuzimit ndaj fëmijëve gjatë pandemisë globale të koronavirusit, transmeton Koha. / KultPlus.com

Dua Lipa ka aplikuar për ta patentuar emrin e saj anembanë globit

Këngëtarja 24-vjeçare me prejardhje kosovare, Dua Lipa, besohet se i ka dorëzuar dokumentet e duhura për ta regjistruar emrin e saj si brend.

Kjo që ia mundëson asaj që potencialisht të lansojë produkte me emrin “Dua Lipa”, përfshirë këtu artikuj si veshjet, kozmetika, lojërat kompjuterike, librat, aksesorët, produktet për kuzhine dhe të tjerë, transmeton Koha.

Një burim i këngëtares ka bërë të ditur për të përditshmen “The Sun”: “Dua Lipa e di që aktualisht është shumë e kërkuar dhe mund të krijoj pasuri marramendëse përmes produkteve të ndryshme. Ajo mund të lansojë artikuj të të gjitha llojeve nën emrin e saj, por e gjithë kjo varet nga zgjedhja e produkteve të duhura. Sepse këngëtarja tashmë e ka një imazh të cilin duhet ta mbrojë, prandaj nuk do të përfshihet në çfarëdo projekti.”

Avokatët e yllit të hiti “Physical” gjithashtu i kanë dorëzuar aplikacionet për mbrojtjen e emrit dhe brendit të saj në Amerikë, Kanada, Evropë, Izrael dhe në Lindjen e Largët.

Dokumentet të cilat ende nuk janë nënshkruar nga ndonjë gjykatës, ia ndalojë të tjerëve të përfitojnë nga emrin e saj dhe vlejnë për dhjetë vjet, para se të skadojnë.

Ndërkohë, Lipa ka zbuluar se planifikon të ngadalësohet paksa dhe të mos e jetojë jetën në shpejtësi, kjo pasi e ka mësuar se mund të gjesh kënaqësi edhe duke pushuar nga puna, teksa po qëndron e vetizoluar si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Mendoj se pandemia të paktën më ka mësuar që nuk kemi nevojë ta jetojmë jetën në shpejtësi. Para kësaj situate unë isha vazhdimisht e angazhuar, duke menduar rreth punës, udhëtimeve, provave për koncerte e performanca dhe të tjerë. Por, karantina e detyrueshme më ka mësuar që gjërat e tilla nuk janë shumë urgjente siç mund të duken, dhe se ne kemi mundësi të krijojmë kujtime kuptimplota, të veçanta dhe mjaft të rëndësishme edhe nga shtëpia,” citohet të ketë thënë këngëtarja.

Dua Lipa po qëndron në karantinë me të dashurin e saj, Anwar Hadid. Çifti kohën më të madhe në këtë periudhë po e kalon në shtëpi në Londër, duke shikuar TV, filma dhe duke përgatitur ushqime të ndryshme. / KultPlus.com

MKRS dhe organizatat e sportit me kërkesë të përbashkët për të lejuar fillimin aktiviteteve sportive në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministrja Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse.

Ministrja ndër tjera u shpreh se MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me secilën organizatë sportive dhe për të dëshmuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, ka ftuar drejtuesit e tyre për të qartësuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për të nisur gradualisht jetën sportive në vend deri në normalitet.

“Ne bashkë me KOK-un dhe federatat e sportit në Republikën e Kosovës, do t’i drejtohemi me një letër të përbashkët institucioneve shëndetësore në vendin tonë për të na e qartësuar dhe lejuar fillimin e përgatitjeve, ushtrimeve të sportistëve dhe vazhdimin e garave dhe aktiviteteve tjera sportive”, tha ministrja Dumoshi duke e vlerësuar si një hap të duhur dhe në interes të gjitha organizatave sportive sepse kërkesa njëzëri pa e trajtuar secilin sport veç e veç tregon për një unitet që mbizotëron në sportin e Kosovës dhe tregon për disiplinën që e karakterizon atë.

“Kosova duhet të shikojë edhe vendet e rajonit se çfarë hapash kanë ndërmarrë në këtë drejtim se si do t’i fillojnë angazhimet dhe aktivitetet sportive dhe ne bashkërisht do të dalim me një kërkesë të përbashkët drejtuar institucioneve shëndetësore për lejimin dhe hapat e duhur për federatat për të aktivitetet e tyre të planifikuara për këtë vit”, sqaroi tutje ministrja.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, e informoi ministren se KOK-u ka mbajtur një mbledhje virutale me federatat sportive për t’u informuar mbi situatën e secilës federatë se në ç’fazë janë ato dhe cila prej tyre, në bazë të specifikave që kanë, munden që menjëherë të startojnë me ushtrime dhe gara.

Kryetari Hasani tha se është bërë punë individuale nga ana e sportistëve edhe në këtë kohë izolimi. Fokusi ynë ka qenë tek ekipi olimpik dhe ekipet kombëtare se si ato kanë vepruar. U konstatua dhe u vlerësua se më së miri është që të bëhet një kërkesë e përbashkët e jo kërkesa individuale nga federatat për lirimin e masave të izolimit për të lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kjo të shkojë nëpërmjet MKRS-së.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për probleme e sfida tjera që do të ballafaqohen federatat e sportit këtë vit, por që bashkërisht MKRS-ja në bashkëpunim me KOK-un dhe federatat do të bëjnë të gjithçka që është e mundshme për t’u kthyer në normalitet. / KultPlus.com

“Zgjimi i pranverës” planifikohet të shfaqet në amfiteatrin e Gërmisë, Morina: S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit

Jeta Zymberi

Virusi Covid-19 doli të jetë një dry i fuqishëm. Izolimi që solli ky virus pati pasoja të mëdha. Por, tash ka ardhur koha që këto pasoja të kthehen në ide, fuqi e punë për të përmirësuar situatën. Ndonëse rreziku është ende prezent mes nesh, mund të themi lirisht që pjesa më e keqe ka mbetur pas krahëve, shkruan KultPlus.

Institucionet kulturore ju bashkuan valles së izolimit. Teatri Kombëtar i Kosovës, me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara dhe mbylljen e teatrit për afro 2 muaj, u mundua që gjatë kësaj kohe të mos largohet nga publiku. Në pamundësi për t’i dhuruar publikut shfaqje në sallë, teatri erdhi në shtëpitë e tyre përmes shfaqjeve online.

Por, me lehtësimin e masave nga Ministrisë së Shëndetësisë, TKK ka menduar për disa alternativa që të jetë sa më afër publikut.

Ardian Morina, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus ka folur më gjerësisht rreth planeve që po synojnë t’i realizojnë gjatë kësaj situate. Ai ka treguar që data 19 mars ishte rezervuar për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës”, 3 prilli për “Rinocerontin”, 28 prilli për “Lear”, ndërsa në maj ka qenë e planifikuar premiera në Ëolksbuhne, Berlin, e shfaqjes “Udhëtimet e Karl May”, si dhe në fillim të qershorit premiera e shfaqjes “Pamje revolucioni”.

“Sigurisht që pandemia ka çrregulluar oraret e të gjitha institucioneve të kulturës, por fatkeqësisht ka çrregulluar edhe jetërat e njerëzve si edhe funksionimin normal të gjithë globit. Fatkeqësisht TKK nuk i ka shpëtuar kësaj situate. Natyrisht që tani, të gjendur para një akti të kryer, ne pothuajse kemi humbur pjesën e parë të stinorit artistik”, ka thënë Morina për KultPlus.

Hapja e teatrove dhe kinemave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pritet të ndodhë në bazë të fazës së tretë të masave ndaj koronavirusit, muajin që vjen. Ky lajm për Morinën është shumë i mirë dhe tashmë ai ka kërkuar informata shtesë nga MKRS.

“Sapo e kemi parë publikimin e këtij lajmi kemi kërkuar nga MKRS informata shtesë. A do të hapet teatri për administratën? Për aktorët…për prova? Apo edhe për publikun dhe për shfaqjet në skenën e mbrëmjes? Pra jemi në pritje të një përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Natyrisht e gjithë kjo do të varet edhe prej situatës në terren. Mirëpo për të filluar punën me datë 2 Qershor, teatrit i duhet parapërgatitje 2 javore për të nisur me repriza dhe premiera ashtu si duhet.”

Duke dashur që teatri t’i kthehet jetës “normale”, Morina ka treguar që është hartuar një plan B. Kështu, po synohet që premiera e parë e këtij viti, “Zgjimi i pranverës”, një bashkëprodhim me Artpolis, me regji të Zana Hoxhës, të inskenohet në amfiteatrin e Gërmisë, në muajin qershor.

“Duke e ditur mundësinë e moslejimit të grumbullimeve në hapësira të mbyllura, ne planifikojmë që të realizojmë në ambient të hapur premierën e shfaqjes “Zgjimi i pranverës”. Besojmë se amfiteatri i Gërmisë plotëson disa kritere për realizimin e kësaj premiere, aq më tepër kur shfaqja është tip mjuzikli. Kjo do të ishte edhe një sakrificë e gjithë ekipit të shfaqjes por është sakrificë që ia vlen. Por, po e përsëris, vetëm po planifikojmë! Sepse pa lejen e organeve përkatëse do të jetë e vështirë. Nëse na lejojnë të fillojmë me prova në fillim të fazës së tretë, atëherë ne do të kishim premierën në fillim të Qershorit”, thotë tutje Morina.

Nëse mundësohet realizimi i kësaj premiere, Morina zotohet që do të nisë punë edhe më fuqishëm.

“Me realizimin e mundshëm të kësaj premiere ne do t’i rindiznim motorët e kulturës duke sjellë një energji te komuniteti dhe të gjithë shoqëria. Shpresojmë se kjo pandemi do të kalojë dhe ne të gjithë ti kthehemi punëve, jetëve tona, gjithnjë duke u kujdesur për njëri tjetrin. Ky është mësimi që kemi marrë gjatë kësaj kohe. Dhe le ta dijë virusi dhe të gjithë virusët e tjerë, se teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit!” – përmbyllë me këtë fjali të fuqishme intervistën për KultPlus, Adrian Morina.

Ndërsa regjisorja e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”, Zana Hoxha ka thënë për KultPlus se e ka mirëpritur këtë iniciativë e cila beson që mund të shndërrohet në një festë kulturore.

“Kur Adriani e ndau me mua idenë dhe iniciativën për mbajtjen e shfaqjes në Amfiteatrin e Gërmisë u gëzova dhe e pranova me kënaqësi idenë sepse i përshtatet shumë shfaqjes sime dhe besoj që do të shndërrohet në një festë kulturore. Me përkrahjen e duhur teknike ne do të arrijmë që të kemi një premierë unike”, është shprehur Zana. / KultPlus.com  

MKRS nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi me komunën e Skenderajt

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kanë nënshkruar sot katër memorandume bashkëpunimi.

Konkretisht bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në Skenderaj’’, projekt ky që do të implementohet gjatë vitit 2020, projekti “Ndërtimi i Fushës Sportive në fshatin Polac të Skenderajt”, gjithashtu ky projekt do të  implementohet gjatë vitit 2020. “Ndërtimi i Tribunave, Rrethojës dhe shtrimi i Zhavorit në Stadiumin e Skenderajt’’, projekt ky që do të implementohet gjatë viteve 2020/2021/2022, si dhe projektin  “Rinovimi i kulmit të Shtëpisë së Kulturës Hasan Prishtina në Skënderaj”, që do të implementohet gjatë vitit 2020.

Në bazë të memorandumeve ministria merr përsipër ta përkrahë financiarisht komunën e Skenderajt, ndërkaq komuna bashkë me MKRS-në do të kujdesen për implementimin e projektit.

Në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Skenderajit Jashari, u bisedua edhe për projektet tjera që do të implementohen në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi gjatë takimi tha se gjatë kësaj kohe jemi munduar që të  nënshkruaj memorandume të rëndësishme me të gjitha komunat e Kosovës në mënyrë që të ju krijojmë lehtësira komunave që t’i realizojnë projektet që i kanë planifikuar.

Nga të dyja palët gjatë takimi u tha se investimet në sport dhe në kulturë nëpërmjet këtyre katër projekteve të madha kane rëndësi të veçantë dhe kontribuojnë në zhvillimin e kulturës  dhe sportit në këtë qytet, si dhe synojnë zhvillimin infrastrukturorë në fushën e kulturës dhe sportit.


Ndërkaq, kryetari Jashari e falënderoi ministren Dumoshi për përkrahjen ndaj komunës në këtë kohë të vështirë pandemie dhe tha se këto memorandume të cilat u nënshkruan sot janë shumë të rëndësishme për komunën dhe qytetin që ai udhëheq. / KultPlus.com

GKK vazhdon me ekspozita virtuale, Agani: Publiku po na përgëzon për këto iniciativa

Xhemile Hysenaj

Periudha e fundit nëpër të cilën po kalon bota përfshi këtu edhe vendin tonë, ka bërë që institucionet në Kosovë të zhvillojnë shumë aktivitete virtuale duke qenë kështu më afër artdashësve, në mënyrë që të mos ketë ngecje të mëdha as në zhvillimet kulturore, shkruan KultPlus.

Ndër këto institucione, afër dashamirësve të artit ka qenë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, përmes ekspozitave virtuale në kuadër të platformave ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’.

Edhe pse dyert e këtij institucioni si shumë institucione të tjera për publikun nuk kanë qenë të hapura, Galeria Kombëtare e Kosovës ka vazhduar punën parreshtur përmes ekspozitave virtuale të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme dhe efektive për adhuruesit e artit dhe artistët të cilët janë prezantuar përmes tyre.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka treguar për KultPlus se janë në pritje të përmirësimit të gjendjes, dhe se nëse kjo krizë shkon drejt përmirësimit pritet që nga fundi i muajit maj të vazhdojnë me ekspozita, ndërkaq në rast se gjendja përkeqësohet apo vazhdon pa ndonjë ndryshim, Agani tregoi se Galeria është e obliguar të vazhdojë me këtë mënyrë, poashtu të krijojë edhe ndonjë platformë të re.

‘Ekspozitat virtuale ka qenë të gatshme, sepse nga shkurti i vitit të kaluar kemi filluar t’i dokumentojnë ekspozitat në këtë mënyrë, ndërsa tash i kemi publikuar me radhë’, vazhdoi tutje Agani për KultPlus.

Platformat ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’, të cilat si nismë e Galerisë Kombëtare, kanë filluar në mënyrë që të angazhohen artistët duke publikuar koleksionet e tyre, këto platforma kanë qenë mjaft të suksesshme dhe publiku i ka pritur mjaft mirë.

Këto dy platforma kanë përfshirë artistë të ndryshëm si Zeni Ballazhi, Artan Hajrullahu, Driant Zeneli, Driton Selmani e të tjerë, artistë këta që përmes artit të tyre kanë qenë prezent në shtëpinë e secilit prej artdashësve.

‘Publiku e ka pranuar tepër mirë këtë mënyrë të ekspozitave, po na përgëzojnë për këto iniciativa’, shprehet Arta Agani. / KultPlus.com

“Pylli” nga Sasho Ognenovski u publikua në gjuhën shqipe

U publikua përmbledhja me poezi “Pylli” i Sasho Ognenovskit në gjuhën shqipe. Përkthimi është i Jeton Kelmendit, ndërsa veprën e botoi shtëpia botuese “Iva Bogdani” nga Prishtina.

Sasho Ognenovski është autor i pesë përmbledhjeve të poezive: “Orteku”,(1995), “Frutat e ferrit” (2014), “Lulja e shkretëtirës” (2015), “Pylli” (2018) dhe “Ndryshimi i së kaluarës” (2019). Ai është gjithashtu autori i librave për fëmijë “Përrallë e zakonshme” (2002) dhe “Kompasi magjik” (2011), romani “Sheshi i hirtë” dhe libri i dramave “Kalaja”(2016).

Ai ka përkthyer poezi dhe prozë nga anglishtja, serbishtja dhe bullgarishtja, ndërsa librat e tij janë përkthyer edhe në serbisht, anglisht dhe arabisht. Ai ka fituar çmime ndërkombëtare për poezinë e tij, përfshirë çmimin vjetor të Lidhjes së Përkthyesve nga Mali i Zi.

Ai gjithashtu shkruan recensione dhe kritika për letërsinë, teatrin dhe filmin. Poezitë dhe tregimet e tij të shkurtra janë botuar në shumë antologji në anglisht, uzbekisht, serbisht, arabisht, shqip dhe polonisht, si dhe në shumë revista letrare. / koha.mk / KultPlus.com

Fehmi Agani, burri i cili kundërshtoi turqizimin e shqiptarëve dhe u vra mizorisht

6 maji na kujton gjithmonë vrasjen e Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e morri seriozisht studimin gjatë tërë jetës, shkruan KultPlus.

Agani lindi pikërisht në janar, me 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë.

Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvua politikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.

Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.

Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.

Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.

Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.

Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com

Vdiq këngëtarja e njohur Millie Small

Këngëtarja xhamajkane, Millie Small ka vdekur në moshën 73 vjeçare pasi pësoi një goditje në tru.

Ajo u bë e njohur me hitin e saj “My Boy Lollipop”, i cili arriti numrin dy në SHBA dhe MB në 1964, transmeton rtv21.

Mbetet si një nga këngët më të shitura të të gjitha kohërave, me më shumë se shtatë milionë shitje. Themeluesi i “Island Records”, Chris Blackwell njoftoi vdekjen e saj dhe e kujtoi atë si “një person të ëmbël … dhe të veçantë”. / KultPlus.com

Papa Françesku: Koronavirusi nuk e justifikon shfrytëzimin e punëtorëve

Papa Françesku ka thënë të mërkurën se punëdhënësit duhet ta respektojnë dinjitetin e punëtorëve, veçanërisht të imigrantëve, pavarësisht vështirësive ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

“Është e vërtetë se kriza është duke i prekur të gjithë, por dinjiteti i njerëzve duhet të respektohet gjithmonë”, tha ai, duke shtuar se ka pranuar shumë mesazhe më 1 maj për problemet e punëtorëve.

Papa gjithashtu tha se dëshiron t’i mbrojtë të gjithë punëtorët e shfrytëzuar dhe se i fton të gjithë që këtë krizë ta kthejnë në një shembull ku dinjiteti i individit dhe dinjiteti i punës të kthehen në qendër.

Ai i përmendi në veçanti punëtorët e fermave në Itali, shumica e të cilëve janë imigrantë. Javëve të fundit, në Itali ka pasur arrestime të pronarëve të fermave, të cilët punësojnë njerëz në fusha, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Javën e kaluar, tre pronarë fermash dhe një imigrant nga Gambia u arrestuan nën akuzën për shfrytëzim të 50 punëtorëve imigrantë në rajonin jugor të Puljas.

Në një rast tjetër, tre shqiptarë u arrestuan në një punishte vere në Italinë veriore pasi u akuzuan se i kanë detyruar imigrantët që të punojnë deri në dhjetë orë në ditë pa pushim dhe u kanë dhënë paga të vogla. / KultPlus.com

Poezia e Paolo Giovio-s për Gjergj Kastriotin, vjen edhe në gjuhën shqipe

Nga Aurenc Bebja

Francesco Tajani, në veprën e tij “Le Istorie Albanesi”, botuar në Salerno në 1886, ka përkthyer nga latinishtja në italisht, në faqen n° 124, poezinë e Paolo Giovio-s për Gjergj Kastriotin, të cilën e gjejmë në faqen n° 147 të veprës me titull “Elogia virorum bellica virtute illustrium”, botuar në 1575 nga Pietro Perna.

Aurenc Bebja, ka përshtatur këtë poezi në shqip dhe e ka sjellë për lexuesin, nëpërmjet blogut të tij  “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Le Istorie Albanesi”, (1886) – Francesco Tajani / Burimi : Internet Archive

Gjergj, brenda varrit tënd mbyllet
Rrënimi i turqve dhe mbrojtja e Epirit;
Kockat e tua pa kundërshtim,
Në shumë vende u shpërndanë dhe përhapën.

Pjesët e trupit që duhet të qëndronin të mbyllura,
Për të mos u ndjerë më të fyera nga armiku,
Ashtu nga emri yt u lind lavdia e zjarrtë,
Sa në një mijë pjesë u thyen dhe shkëmbyen.

Sepse duke u larguar nga kjo botë,
Trupi yt u copëtua nga armiqtë e tu,
sikur për tu ndjerë të rëndësishëm.

Dhe virtyti për tu dhënë jetë të tjerëve,
vjen nga ti, ashtu i njëjti,
të dha famë dhe nder.

Giovio – Jeta e njerëzve të shquar

“Elogia virorum bellica virtute illustrium”, (1575) – Paolo Giovio / Burimi : Internet Archive

https://www.darsiani.com/la-gazette/poezia-e-paolo-giovio-s-per-gjergj-kastriotin-ne-vepren-elogia-virorum-bellica-virtute-illustrium/

“Ederlezi”, kënga himn e komunitetit rom (VIDEO)

“Ederlezi” është një nga këngët më të njohura të komunitetit rom. Kjo këngë i është kushtuar festës së Shën Gjergjit, që shënohet më 6 maj.

Kënga mori emrin e saj nga Ederlezi, që është një festival pranveror, duke festuar rikthimin e pranverës sidomos nga romët në Ballkan, dhe kudo tjetër në botë.

Por kjo këngë e cila besohet të jetë kompozuar në kohën e  ish Jugosllavisë, ka njohur interpretues të ndryshëm.

Shqiptarë, romë, serbë, kurd, grekë, libanezë, turq, e shumë të tjerë, e këndojnë këtë këngë e cila brenda vetës përmban shumë emocion. / KultPlus.com

Tom Cruise dhe NASA janë në bisedime për ta xhiruar një film në gjithësi

Aktori i njohur i filmave aksion, Tom Cruise, është në bisedime e sipër me agjencinë NASA, për ta xhiruar një projekt filmik në gjithësi. Kështu ka bërë të ditur shefi i kësaj agjencie. Besohet se biznesmeni, Elon Musk, do të jetë i përfshirë në këtë projekt i cili nëse arrin të realizohet, do të jetë filmi i parë në histori, i xhiruar në gjithësi.

“Agjencia NASA është e lumtur të punojë me aktorin Tom Cruise rreth realizimit të një filmi në Stacionin Hapësinor! Ne kemi nevojë për vëmendjen e mediave për t’i inspiruar gjeneratat e reja të inxhinierëve dhe shkencëtarëve, për t’i bërë planet ambicioze të NASA-s realitet,” kishte shkruar shefi i agjencisë, Jim Bridenstine, në Twitter.

https://twitter.com/JimBridenstine/status/1257752395750289409?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1257814387605159937&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Fshowbiz%2F220660%2Ftom-cruise-dhe-nasa-jane-ne-bisedime-per-ta-xhiruar-nje-film-ne-gjithesi%2F

Bridenstine nuk dha detaje shtesë rreth këtij projekti por ky lajm vjen vetëm pak kohë pasi portal “Deadline” kishte raportuar se ylli hollywoodian, Tom Cruise, është duke bashkëpunuar me kryeshefin ekzekutiv të kompanive “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Muskm në realizimin e filmit të parë që do të xhirohet në gjithësi, transmeton Koha.net

Musk ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin, por postimit të Jim Bridenstine i ishte përgjigjur me mesazhin: “Duhet të jetë mjaft argëtuese”.

As zëdhënësit e aktorit Cruise nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë lajm.

Besohet se planet rreth projektit në fjalë janë ende në fazën fillestare.

Ylli 57-vjeçar Tom Cruise, njihet për realizimin e të gjitha skenave të rrezikshme aksion në filmat e tij. Gjatë realizimit të filmit të ardhshëm “Top Gun: Maverick” aktori kishte drejtuar avionë luftarakë, dhe për filmat e “Mission: Impossible” ka qëndruar i varur jashtë një avioni teksa ai po ngjitej në qiell si dhe u ngjit në rrokaqiellin e famshëm “Burj Khalifa” në Dubai, që është ndërtesa më e gjatë në botë.

Xhirimet e filmit “Mission: Impossible 7” u pezulluan në muajin shkurt për shkak të shpërthimit të pandemisë në Itali. Kjo sëmundje ka bërë që të gjitha aktivitetet në Hollywood të anulohen, përfshirë këtu edhe mbylljen e kinemave anembanë botës. / KultPlus.com

‘Shingjergjat po sillen’ (VIDEO)

Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit, është një këngë që nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell sot këtë këngë në ditën e Shën Gjergjit.

Kënduar në versionin e Plator Gashit, këngës po ja bashkëngjisim edhe tekstin:

Shingjergjat po sillen


Shingjergjat po sillen, more djalë!           
Shingjergjat po sillen, more djalë!           
Vjeshtat po përcillen, dylber o           
Vjeshtat po përcillen, shiqer o.           

Qajo gujë e gatë, o more djalë           
Qajo gujë e gatë, o more djalë,           
T’i kputi dy krah’t o dylber o                
T’i kputi dy krah’t o shiqer o.           

Qajo gujë e shkurtë, o more djalë           
Qajo gujë e shkurtë, o more djalë,           
T’i mërdhini gujtë, o dylber o               
T’i mërdhini gujtë, o shiqer o.           

Sivjet kur t’vjen vjeshta, more djalë           
Sivjet kur t’vjen vjeshta, more djalë,           
Bashkë dalim tu vneshta, dylber o           
Bashkë dalim tu vneshta, shiqer o.       

Kur po çon me m’lypë, o more djalë           
Kur po çon me m’lypë, o more djalë,           
S’po m’len baba yt, o dylber o           
S’po m’len baba yt, o shiqer o.       

Ça ka baba jem, o more djalë               
Ça ka baba jem, o more djalë,           
Me jaranin tem, o dylber o               
Me jaranin tem, o shiqer o.               

Baba n’mos m’dhashtë, o more djalë           
Baba n’mos m’dhashtë, o more djalë,       
Merre qat’ udhë t’gatë, o dylber o           
Po,                           
Merrëm edhe mu, o shiqer o;       

Merre qat’ udhë t’gatë, o dylber o           
Po,                           
Merrëm edhe mu o shiqer o./ KultPlus.com

“Gjithmonë kur merr ngricë, sjellim ndërmend emrin Tënd”

Poezi nga Sabri Hamiti

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Atë të parin dhe atë tjetrin,
Mundohemi t’ua mësojmë fëmijëve.

Nga terri i kohës dalin emrat,
Nishi, Kruja, Albulena e Berati.
E prapë dy emrat: i pari, i dyti
Njëri për veten, tjetri për tjerët.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd.
Të gjallë, të mjerë. Sa vlen jeta
Kur mbahet fryma me kujtime?

Fëmijët, që emrat i kapin shpejt,
Nuk donë vetëm kaq, donë më shumë,
Ata donë jetën, një emër për veten,
Fëmijët që nuk rriten nga kujtimet.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Kur shurdhësinë e fellë, të pafund
E prishin lehjet e qenëve natën.

Një emër për veten e për të tjerët,
Qoftë edhe duke arrnuar jetën
Lypin fëmijët kur e rrisin shtatin.
Ata s’njohin kujtime, po ëndrra.

Nga përmbledhja me poezi “Leja e njohtimit 1985”, Rilindja, Prishtinë, 1985. / KultPlus.com

Vjosa Osmani: Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional

Sot më datën 6 maj janë bërë 21 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani i cili u vra nga forcat serbe.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Në këtë përvjetor të 21-të, Aganin e kujton edhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke e cilësuar si një njeri të urtë e veprimtar të madh, këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Osmanit:

Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë.
Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci. / KultPlus.com

21-vjetori i vrasjes së Fehmi Aganit

Sot më datën 6 maj janë bërë 21 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani. Agani u vra nga forcat serbe.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ish-nënkryetari i LDK-së së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Treni u kthye mbrapsht, në kufirin me Maqedoninë, diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë.

Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.

Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të tij është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. / KultPlus.com

Sot është ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri më 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444, mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër Perandorisë Otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër osmanëve në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461.

Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastriot-Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë Otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë. / KultPlus.com

Do të rihapet Disneyland në Shanghai

Disneyland do të rihapet në Shanghai më 11 maj, meqë pjesa më e madhe e Kinës po i kthehet normalitetit.

Sidoqoftë, numri i vizitorëve do të jetë i limituar dhe detyrohen t’i respektojnë mast mbrojtëse kundër COVID-19, si distanca sociale.

Po ashtu, vizitorët dhe punonjësit obligohen të mbajnë maska. Disney vlerëson se ka humbur mbi 1 miliard dollarë fitime për shkak të koronavirusit./KultPlus.com

Ahmeti: Para se me flejt mos kqyrni lajme – mendoni se sonte vetëm një person rezultoi pozitiv me Covid-19

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmjet një postimi në Facebook u ka propozuar qytetarëve që para se të flen mos të shikojnë lajme.

Ahmeti tha se qytetarët para se të flen të mendojnë se sot kemi marrë lajmin më të mirë në dy muajt e fundit – vetëm një rast i ri në krejt Kosovën, njofton Klan Kosova

Ky është postimi i plotë i Ahmetit:

Para se me flejt mos kqyrni lajme!

Para se me flejt mendone se sot e kemi marr lajmin më të mirë në dy muajt e fundit – vetëm një rast i ri në krejt Kosovën, dhe mbi 80 të shëruar.

Tash edhe vetëm ta ruajmë diciplinën dhe të mendojmë për ekonominë.

Prandaj mos u defokusoni me lajme ekskluzive. Gjumi i qetë është i rëndësishëm.

#rriNshpi

Maska e obligueshme në të gjitha fluturimet ajrore

Organi ndërkombëtar që përfaqëson linjat ajrore në botë (IATA) ka bërë thirrje që pasagjerët të mbajnë maska gjatë fluturimeve, thuhet sot në një deklaratë, pas intensifikimit të debateve se si të rivendoset trafiku ajror, por edhe të respektohen masat në distancë sociale.

Bartja e maskave do të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të pasagjerëve, sipas IATA, e cila tani ka folur kundër masës që ajo fillimisht mbështeti, sipas së cilës ulëset e mesme në rendin e udhëtarëve do të qëndronin të zbrazëta.

Këshilltari mjekësor i IATA, David Powell, u tha gazetarëve se bartja e maskave dhe mbulimi i fytyrave gjatë fluturimit do të ishte pjesë e një sërë masash, duke përfshirë kontrollimin e pasagjerëve para fluturimit për t’u siguruar që ata nuk kishin ethe, temperaturë, por edhe fuqizimin e procedurave higjienike për të mbajtur të sigurt trafikun ajror themeluar.

Linjat ajrore të tilla si Lufthansa gjermane ose Wieser hungareze kanë njoftuar tashmë një detyrim që pasagjerët të bartin maska në fluturim.Në prill, drejtori i përgjithshëm i IATA Alexandar de Juniak vlerësoi se lënia e ulëseve të lira në mesin e radhëve nëpër aeroplanë do të ishte një kusht për vazhdimin e fluturimeve, por me deklaratën e sotme bënë një përmbysje, duke thënë se kjo nuk do të kontribuojë në sigurinë e pasagjerëve.

Ekonomisti i IATA, Brian Pierce vlerësoi se shumica e linjave ajrore nuk do të ishin në gjendje të fitonin para nëse hiqeshin një e treta e ulëseve në aeroplan./TCH / KultPlus.com

“Gjeniu i turmave”, nga Charles Bukowski

Ka mjaft pabesi, urrejtje, dhunë, absurditet,
në njeriun mesatarë,
aq sa të furnizojë çdo ushtri, në çdo ditë të dhënë.

Më të zotët për vrasje, janë ata që predikojnë kundër saj
Më të zotët për urrejtje, janë ata që predikojnë dashuri
Më të zotët për luftë, janë ata që predikojnë paqe.

Ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
Ata që predikojnë paqën, nuk kanë paqe
Ata që predikojnë paqe, nuk kanë dashuri.

Kujdes nga predikuesit
Kujdes nga të diturit
Kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra
Kujdes nga ata që ose e urrejnë varfërinë
ose janë krenarë me të.

Kujdes nga ata që ngutën të thurrin lavde
Sepse kanë nevojë t’ua rikthesh lavdin
Kujdes nga ata që ngutën të cenzurojnë
Ata kanë frikë nga ajo që nuk e dine.

Kujdes nga ata që vazhdimisht kërkojnë turmat
vetëm, ata janë asgjë
Kujdes nga njeriu mesatarë, dhe femra mesatare
Kujdes nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare
mesatarën kerkojnë.

Por, gjeniu gjendet në urrejtjen e tyre
Ka gjenialitet të mjaftueshëm në urrjetjën e tyre që të ju vrasë
Të vrasë këdo.

Duke mos dashur vetminë
Duke mos e kuptuar vetminë
Do jenë të gatshëm të shkatërrojnë çdo gjë
Që është ndryshe nga ata.

Duke mos qenë të aftë të krijojnë art
Nuk do e kuptojnë artin
Dështimin e vet do e konsiderojnë si krijes
Vetëm si dështim të Botës

Duke mos mundur të dashurojnë plotësisht
Do besojnë se dashuria juaj është e pa plotë
Dhe atëherë ata do urrejnë
Dhe urrejtja e tyre do jetë perfekte
Si një diamant vezullues
Si një thikë
Si një mal
Si një tiger
si kukutë*

Arti i tyre më i mirë.

*Kukuta është bimë helmuese.

– Charles Bukowski

Dua Lipa artistja femër më e dëgjuar në botë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ka debutuar më së miri këtë vit me albumin e saj “Future Nostalgia”, këngët e të cilit janë duke kryesuar në listat më të njohura.

Ishte kënga “Don’t start now” e cila bëri bujë të madhe dhe gjithçka filloi me këmbë të mbarë për Duan, ndërsa së fundi “Spotify” ka publikuar listën e artistëve më të dëgjuar në muajin prill.

E në listën e femrave Dua kryeson e para, duke lënë pas artistet si Billie Eilish e Taylor Swift.

Prilli ishte pikërish muaji kur Dua publikoi albumin e saj të dytë, Future Nostalgia, i cili po del të jetë shumë i suksesshëm dhe pikërisht në Spotify po then të gjitha rekordet, përcjellë albinfo.ch. / KultPlus.com