Sa të jemi kandidatë për infektivë Nuk do të jetë edhe aq keq.
Të ndaluara janë vetëm prekjet Puthjet dhe shtërngimet Me një fjalë Dashuria.
Pjesërisht edhe ajri Eh Punë e madhe ajri.
Derisa pas pak Do të kemi nevojë për psikiatri. Atje mos i shtoni shtretërit Shtoni zingjirët Se mjaft I mbajtëm të zgjidhura ëndrrat I lam pa gjumë.
Në rast se shpërthen Virusi i Poetit Që e hëngri kokën e vet Si një Kinez lakuriqin Atehërë qeveria do të urdhêrojë Që njêshi ta lidhë dyshin Dyshi ta lidhë treshin Treshi ta lidhë katërshin. E kështu me radhë…
Vetëm se këtë herë Në bazë të numrit të parë Të letërnjoftimit!
“Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.
Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?
Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?
Mahatma Gandhi, pjesë e shkëputur nga fjalimi “To the Women of India”, d4 tetor, 1930
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sonte ka publikuar një vjershë kushtuar koronavirusit duke e relaksuar paksa një situatë të tensionuar që ka shkaktuar ky virus, shkruan KultPlus
“Pak humor, po jo dhe aq”, ka shkruar Rama në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Pak humor, po jo dhe aq!
Kjo punë vajti tamam kështu, luftë për të shmangur një tragjedi dhe kur tragjedia nis e shmanget, fillon komedia e fajësimit të njëri-tjetrit! E natyrisht çdo ditë e më mirë larg tragjedisë, çdo ditë e më shumë ankesa e kërkesa, ju për mua e unë për ju!
Do kalojë edhe kjo, qeshni pak me mua duke lexuar këtë meme-vjershë, që sapo më erdhi.”
1. “Ndonëse rruga s’merr kurrë fund, bëj një hap përpara dhe vazhdo të ecësh, mos ke frik nga largësia. Në këtë rrugëtim, lëre zemrën të jetë udhërrëfyesja jote kur trupi ngurron dhe është mbytur nga frika.”
2. “Ti erdhe papritur dhe vodhe prej meje tri gjëra. Durimin nga zemra, ngjyrën nga fytyra dhe gjumin nga sytë.”
3. “Jo vetëm ata që flasin të njëjtën gjuhë, por edhe ata që ndajnë të njëjtat ndjenja e kuptojnë njëri-tjetrin.”
4. “I thashë natës, “Nëse je e dashuruar me hënën, kjo sepse kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye dhe më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shoh diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”
5. “Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse je shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.”
6. “Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.”
7. “Lerë heshtjen të të çojë në bërthamën e jetës.”
8. “Duhet të hesht. Të hesht. Dhe ta lë dashurinë të përshkruajë vetveten: nën një përshkrim të lumtur, të gëzuar që s’merr fund kurrë.”
9. “Kurrë mos e humb shpresën, zemra ime, mrekullitë burojnë nga e padukshmja.”
10. “Mjaft me fjalë! Hap dritaren në qendër të kraharorit… Lëri shpirtrat të hyjnë dhe të dalin.”
11. “Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.”
12. “Nëse fjalët dalin nga zemra, ato do të hyjnë në zemër.”
13. “Duke bërë si më thanë të tjerët, u verbova. Duke shkuar kur të tjerët më kërkonin, humba. Më pas u largova prej të gjithëve, edhe prej vetes. Kështu i gjeta të gjithë, edhe veten.”
14. “Unë nuk jam këto flokë, nuk jam kjo lëkurë, jam shpirti që jeton brenda tyre.”
15. “Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.”
16. “Bëhu si lulja që ia jep aromën edhe dorës që e këput.”
17. “Detyra jote nuk është të kërkosh dashuri, por të kërkosh dhe të gjesh të gjitha pengesat që vetja jote ka ndërtuar kundër dashurisë.”
18. “Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është tempulli im.”
19. “Unë buzëqesh si një lule, jo vetëm me buzë, por me tërë qenien.”
20. “Mos u gënje nga bukuria ime, drita që më sheh në fytyrë vjen nga qiriu i shpirtit tim.”
21. “Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur për t’u lutur.”
22. “Përse po troket në çdo derë? Jepi, trokit në derën e zemrës tënde!”
23. “Ai që vë intelektin mbi dëshirat është më i lartësuar se engjëjt, ai që vë dëshirat mbi intelektin, është më pak se një kafshë.”
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton shtëpitë botuese të cilat kanë aplikuar në konkursin e MAShTI-t për dorëzimin e dorëshkrimeve për tekste shkollore, se afati për dorëzimin e tyre është data 17 prill 2020.
“Duke marrë parasysh vendimin e fundit të institucioneve të Kosovës për kufizimin e lëvizjes me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID – 19, MAShTI njofton shtëpitë botuese se do t’i asistojë ato në marrjen e lejeve njëditore të qarkullimit me qëllim që ta bëjë të mundur pranim-dorëzimin zyrtar të dorëshkrimeve në përputhje me konditat e konkursit” thuhet në komunikatën e MASHT, njofton Klan Kosova
Me këtë rast, MAShTI kërkon nga shtëpitë botuese që t’i dërgojnë në MAShTI emrat e personave të autorizuar (1 deri në 3 persona për secilën shtëpi botuese) në mënyrë Ministria të kërkojë leje qarkullimi një ditore për këta persona nga MPBAP.
Kim Clavel ka hequr dorezat e boksit përkohësisht, për t’iu bashkuar luftës kundër koronavirusit.
29-vjeçarja po punon si infermiere në Kanada, ndërkohë që përhapja e koronavirusit nëpër botë po vazhdon.
Boksierja e lindur në Montreal ka thënë se nuk është frikësuar t’i bashkohet vijës së parë të frontit dhe se ka vendosur kështu për të “bërë dallimin”.
Clavel ka folur për “Montreal Gazette”. Ajo është pa humbje në 11 përballjet në boksin profesionist dhe kampione në Federatën e Boksit të Amerikës së Veriut, në kategorinë mizë.
“Në aspektin psikologjik është vërtetë e vështirë. Të moshuarit po ndihen të vetmuar. Ata janë të pikëlluar. Disa prej tyre nuk e kuptojnë situatën me Covid – 19. Kështu që ata nuk duan të rrinë në dhomat e tyre. Është vërtetë vështirë. Ne duhet të punojmë si infermiere dhe si psikologe në të njëjtën kohë”, ka thënë boksierja e suksesshme.
“Unë nuk jam e frikësuar. E di që kjo punë ka rrezik. E di këtë, por nuk frikësohem. Dua të ndihmojë njerëzit sa më shumë dhe shpesh harroj veten. Unë gjithsesi i ndjek rregullat dhe e mbroj veten. Kështu i mbroj edhe të tjerët”, ka shtuar Kim Clavel.
Ajo ulet në veturë dhe dëgjon muzikë për t’u relaksuar pas turneve me shumë ngarkesë. Por ajo vlerëson se ka bërë zgjedhjen e duhur.
“Më është dashur të zgjedh. Kam mundur të qëndroj në shtëpi,të mos bëjë asgjë dhe të pres paratë e qeverisë. Por jo. Kisha lejen për të ndihmuar, më është dashur të ndihmojë dhe po e bëjë këtë. Ndiej se mund të bëj dallimin”.
Shumë prej pacientëve të Clavelit janë të frikësuar dhe ndihen të vetmuar. Kjo e shtynë boksieren të hamendësojë nëse Covid – 19 apo ndjenja e vetmisë është rreziku më i madh për ta.
Këngëtarja 24-vjeçare, Dua Lipa, ishte zhvendosur nga Kosova për në Londër kur ishte e vogël, dhe tani e pranon se kjo shpërngulje kishte qenë një vendim i cili ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.
Duke folur për revistën “NME”, bukuroshja kosovare e cila shquhet si një prej artistëve më të suksesshme në botë, tha: “Jam shumë fatlume. Supozoj kam qenë me fat dhe pa fat, për faktin se prindërit e mi ishin detyruar të zhvendoseshin në Londër nga Prishtina, duke më lejuar të rritem këtu dhe ta ndjekë karrierën time muzikore, të cilën gjithnjë e kisha ëndërruar. Mendoj së më shumë fëmijë të botës duhet të kenë mundësi të këtilla në jetë.”
Pop ylli që vazhdon t’i dominonë toplistat muzikore në botë, në të kaluarën kishte deklaruar se shumë pak prej artistëve të cilët e kanë inspiruar në jetë, e vizitonin Kosovën kur ajo ishte fëmijë.
Ylli i hitit “Break My Heart”, shpjegoi: “Do të dëshiroja shumë që kur isha e vogël dhe jetoja në Kosovë, të kisha mundësi t’i ndiqja koncertet e disa prej artisteve të mia të preferuara si, Pink dhe Nelly Furtado… Por, atëkohë artistë të këtillë nuk vinin në Kosovë.”
Sidoqoftë, me qëllim të ndryshimit të këtij fakti, Dua Lipa dhe babai i saj e kanë krijuar festivalin muzikor, “Sunny Hill”, i cili e mundëson sjelljen e muzikantëve të njohur në Prishtinë, të tillë si: Miley Cyrus, Martin Garrix, Action Bronson, Gashi dhe vet Dua Lipa, transmeton Koha. / KultPlus.com
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Sonte, KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur të shkrimtarit shqiptar Ridvan Dibra, një vepër që trajton fatin e trishtë me plot peripeti të një femre.
Ridvan Dibra është njëri nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, i cili me veprat e tij si ‘Nudo’, ‘Prostitua e virgjër’, ‘Stina e ujkut’ etj, la gjurmë të mëdha tek lexuesit, duke u bërë kështu njëri ndër shkrimtarët më të veçantë shqiptarë.
‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ mban titullin kjo vepër, e cila fatin e protagonistes e përqendron në tri periudha të rëndësishme jetësorë, në moshat 15, 25 dhe 40 vjeçe. Ku secila periudhë i mëson asaj gjëra të trishta, duke e ballafaquar atë pothuajse gjithmonë me zhgënjim.
Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi.
Ridvan Dibra përplas një femër shqiptare para mendësisë patriarkate, para një shoqërie të keqe e plot dëme dhe para një fati të tmerrshëm që shoqëron protagonisten e kësaj vepre.
Një vepër që vlen të lexohet nga secili. Një vepër që hedh dritë mbi një realitet të hidhur tek shqiptarët. / KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Save the Children, ka lansuar sot platformën e parë online në Kosovë “Edukimi në distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç.”
Ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, me këtë rast tha se MAShTI, pas fillimit të mësimit në distancë për klasat 1-9, menjëherë ka menduar për fëmijët e moshës 0-6 vjeç dhe bashkë me partnerët ka përgatitur këtë platformë që u lansua sot, njofton Klan Kosova
Bajrami theksoi se kjo është mosha më e ndjeshme, të cilën Ministria, do ta ketë në vëmendje të veçantë, sepse duke investuar në vitet e para të jetës së individit, ky investim, do t’i koontribuoj të gjitha niveleve formale të arsimit.
Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ministrja Bajrami iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.
Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjëlit tanë.
Njëqind e tetë vjet më parë, ndodhi një nga katastrofat më të famshme dhe më vdekjeprurëse të kohëve moderne.
Në orën 02:20 të mëngjesit të 15 prillit 1912, ajo që vlerësohej si një nga anijet më luksoze dhe të sigurta të ndërtuara ndonjëherë, u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në brigjet e Njufaundlendit, duke i marrë jetën më shumë se 1.500 njerëzve.
Anija më e madhe e pasagjerëve në botë deri në atë kohë, ishte në udhëtimin e saj të parë zyrtar, duke udhëtuar nga porti anglez i Sauthemptonit për në Nju Jork të SHBA-së. Reliket e saj do të zbuloheshin pas 73 vjetësh, më 1 shtator 1985 nga Robert Balard dhe Zhan-Lui Mishel. Ndërsa tragjedia ka frymëzuar shumë filma, libra dhe artikuj, anija dhe pasagjerët e saj, bartin ende mbajnë sekrete dhe fakte pak të njohura, që mund t’ju habisin. Ja cilat janë disa prej tyre:
Aktorja amerikane e filmave pa zë Doroti Gibson, ishte një nga afro 700 të mbijetuarit e aksidentit. Ajo luajti në një film të quajtur “E mbijetuara nga Titaniku”, që u shfaq në kinema vetëm 1 muaj pas tragjedisë. Xhirimet për filmin nisën menjëherë pasi ajo mbërriti në Nju Jork. Në film, Gibson mbante veshur të njëjtat rroba, që kishte gjatë fundosjes së Titanikut.
700 pasagjerët e klasës së tretë, duhej të ndanin dy banjo gjithsej. Kjo u pasqyrua me vërtetësi edhe në filmin “Titanik” të vitit 1997 me regjinë e Xhejms Kameron.
Një nga muzikantët e anijes, Rozhe Briku, ishte vetëm 21-vjeç kur vdiq në atë tragjedi. Por ai nuk u shpall zyrtarisht i vdekur deri në vitin 2000. Madje ushtria franceze e quajti atë një dezertor, kur ai nuk u paraqit për të shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Shoqata Franceze e Titanikut, u përpoq për vite me radhë të pastronte figurën e tij, por e ariti këtë vetëm 88 vjet pas fundosjes së Titanikut.
Pak para përplasjes, ekuipazhi i anijes ishte detyruar të vëzhgonte me sy të lirë rrugën përpara. Për këtë arsye oficerët e turnit Frederik Flit dhe Rexhinald Li, nuk mund të shihnin shumë larg. Oficeri i dytë i anijes u zëvendësua në minutën e fundit, dhe harroi t’u dorëzonte çelësin e dollapit ku ndodheshin dylbitë. Çelësi u nxorr në ankand në vitin 2010, dhe u shit për 130 mijë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare të hetimit që u krye po atë vit, ekuipazhi pati vetëm 37 sekonda kohë nga identifikimi i ajsbergut, në dhënien e alarmit, dhe vendosjes së çfarë duhej bërë.
Titaniku u karakterizua që në origjinë nga tragjeditë. Tetë punëtorë vdiqën vetëm gjatë ndërtimit të anijes, por vetëm 5 prej tyre janë të njohur:Samuel Skot, Xhon Kelli, Uilliam Klark, Xhejms Dobin dhe Robert Mërfi. Një pllakatë përkujtimore, u zbulua në ndërtim të tyre në Belfast në vitin 2012.
Njeriu më i pasur në bordin e Titanikut ishte Xhon Astor IV, që besohej gjerësisht se ishte njeriu më i pasur në botë në kohën e vdekjes. Pasuria e tij ishte rreth 150 milionë dollarë, ose 3.5 miliardë dollarë me kursin e sotëm. Ai po kthehej nga muaji i mjaltit me gruan e tij të re, Madlein Fors, 28 vjeçe më e vogël se ai. Trupi i Astor, ishte një nga të paktët që u gjet në ujërat e oqeanit Atlantik. Me vete iu gjetën 2.440 dollarë, ose afro 60 mijë dollarë më kursin e sotëm.
Thuhet se disa burra u maskuan si gra, për të gjetur një vend në varkat e shpëtimit, të cilat ishin vetëm për gratë dhe fëmijët. Madje këto zëra shkaktuan divorcin mes Dikinson dhe Helen Bishop në vitin 1916, që të 2 të mbijetuar nga Titaniku. Edhe të mbijetuarit J.Brus Ismei, Uilliam Karter dhe Uilliam T.Sloper, u përndoqën gjatë gjithë jetës nga të njëjtat aludime.
Të 25 inxhinierët e anijes u mbytën, teksa u përpoqën që të mbanin sa më gjatë anijen mbi ujë. Ata arritën të garantonin funksionimin e energjisë elektrike dhe pompave të shkarkimit, deri kur anija u fundos. Falë tyre, anija transmetoi sinjalin SOS përmes radios deri disa minuta para fundosjes së anijes.
Vëllezërit Edmond dhe Mishel Navratil, ishin 2 dhe 4 vjeç kur u fundos Titaniku. Ata ndodheshin në anije me të atin e tyre, Mishel Sr., që i kishte rrëmbyer nga e ëma. Ai vendosi t’i çonte në Amerikë, me shpresën që gruaja e tij do ta ndiqte, dhe ata mund të nisnin në SHBA një jetë të re.
Babai i tyre, i hipi të miturit në një varkë shpëtimi, dhe nuk u pa më i gjallë. Asnjeri nga fëmijët nuk fliste anglisht. Ata u ndihmuan nga francezja e mbijetuar, Margaret Heis, derisa autoritetet e gjetën nënën e tyre 1 muaj pas katastrofës, falë fotot së tyre të botuar në të gjithë gazetat e botës.
Të paktën 15 dëshmitarë, u betuan se e kishin parë Titanikun të ndahej më dysh, para se të fundosej. Por pretendimi u injorua, dhe hetimi zyrtar nga autoritetet amerikane, arriti në përfundimin se anija u mbyt si një e tërë. Në fakt 73 vjet më vonë kur u gjetën rënojat, u vërtetua se dëshimtarët kishin patur të drejtë:anija ishte e ndarë më dysh.
Shkencëtarët, mendojnë se për shkak të baktereve që e rrethojnë, reliket e anijes mund të zhduken tërësisht brenda vitit 2030.
Njëri nga kuzhinierët e anijes, Çarls Xhauglin, mbijetoi shumë më gjatë në ujë të ftohtë se të tjerët, për shkak të sasive të mëdha të uiskit që kishte pirë. Raportohet se ai i mbijetoi ujërave të akullta të Atlantikut të Veriut për të paktën 2 orë, ndërsa shumica vdiqën nga hipotermia brenda 15 minutave.
Nga mbi 1.500 njerëz që vdiqën, vetëm 4 prej tyre ishin gra nga klasi i parë. Njëra prej tyre ishte Ana Isham, e cila vdiq pasi nuk pranoi ta braktiste qenin e saj. Thuhet se ajo u hodh nga një varkë shpëtimi, kur e kuptoi se nuk mund të merrte më vete qenin e saj. Më pas u spekulua se një grua u gjet e pajetë në ujë duke shtërnguar qenin e saj, edhe pse është e pamundur të dihet me siguri nëse ishte pikërisht ajo.
Nga mbi 1500 viktimat, u gjetën vetëm trupat e 300 prej tyre. Një nga trupat e gjetur u quajt “fëmija i panjohur”. Ai u identifikua gati 100 vjet më vonë si Sidnej Guduin.
Një nga të mbijetuarat më të famshme ishte Molli Braun. Ajo kandidoi më vonë për në Senatin e SHBA, edhe pse nuk fitoi. Braun ishte një aktiviste e të drejtës së grave për të votuar, dhe punoi me Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
Katastrofës i shpëtuan jo pak njerëz të famshëm. Ata kishin blerë biletat e udhëtimit, por për arsye të ndryshme nuk hipën në të. Mes tyre ishin biznesmenët e njohur Milton Hershej, J.P Morgan, dhe shpikësi italian i radios Gulielmo Markoni.
“Titaniku” i Xhejms Kameron, nuk është filmi i vetëm në lidhje me këtë ngjarje. Nazistët realizuan në vitet 1930 një film propagandistik, që i përshkruan ngjarjet nga një “këndvështrim” gjerman. Filmi u përpoq të fajësojë britanikët për fundosjen e Titanikut. Pretendohej se ata e nxitën anijen të udhëtonte me shpejtësi të plotë, pavarësisht nga paralajmërimet e një zyrtari (imagjinar) gjerman, që gjoja ishte i vetmi person në bord që u shqetësua për jetën e njerëzve.
Skandali i prapaskenave të këtij filmi, është gati i pabesueshëm. Pak para se të vritej në burg se kishte folur kundër regjimit nazist, regjisori i atij filmi kërkoi nga autoritetet një anije me madhësinë e Titanikut, që të mund ta xhironte filmin. Nazistët i siguruan transoqeanikun luksoz gjerman SS Cap Arcona. Por kjo anije u përdorur më vonë si një kamp përqendrimi lundrues, dhe u fundos nga aleatët, duke shkaktuar 2.750 të vdekur./bota/ KultPlus.com
Artistë të ndryshëm kanë nisur iniciativa të ndryshme për të ndihmuar në luftën kundër virusit që ka kapluar pothuajse gjithë botën, shkruan KultPlus.
Rita Ora, e cila ka qenë mjaft aktive dhe ka ndihmuar shumë në luftën kundër Covid19, sot ka lajmëruar se do t’i bashkangjitet edhe një nisme tjetër për të përkrahur shëndetësinë e të gjithë ata që luftojnë me këtë virus.
‘One World: Together at home. Jam e nderuar të lajmëroj që do t’i bashkohem One World: Together at home, këtë të diele më 18 prill, për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Global Citizen. Së bashku ne do të performojmë për të përkrahur punonjësit e shëndetësisë në gjithë botën, në luftë me Covid-19. Ju lutem rrini në shtëpi”, është shprehur këngëtarja shqiptare në statusin e saj në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Ricky Gervais ka kritikuar ata personazhe të famshme që ankohen se janë karantinuar në shtëpinë e tyre me pishinë, në një kohë që stafi shëndetësor i NHS rrezikon jetën për të luftuar me COVID-19.
Gervais, 58 vjeç, tha që pasi të përfundojë kriza e koronavirusit, nuk dëshiron të dëgjojë më njerëzit që ankohen për gjendjen e mirëqenies ose infermierët, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për punonjësit e kujdesit shëndetësor mbrëmjen e së enjtes.
“Bluzat e bardha po punojnë nga 14 orë në ditë dhe nuk po ankohen. Po rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjeve në mënyrë vetëmohuese. Por pastaj sheh ndonjë që ankohet se përse është izoluar në një vilë luksoze me pishinë. Dhe, sinqerisht, nuk dua të dëgjoj më nga këto”, u shpreh aktori.
Komentet e hidhura të komedianit vijnë pas një reagimi të këngëtarit Sam Smith, 27 vjeç, i cili kishte shpërthyer në lot në një foto të publikuar në Instagram, nga izolimi në shtëpinë e tij që kushton 12 milionë pafund. Sam dukej se nuk po e përballonte mirë qëndrimin brenda shtëpisë në mes të pandemisë së koronavirusit. / KultPlus.com
Nuk e di çfarë ditët asht sot. Shpija e vjetër ka kohë që ia ka mohue vedit luksin e të mbajtunit kalendar, anipse gozhda pret te i njati vend, si dashnorët e vonuem që kanë humbë orën e takimit. Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht. Herë-herë, dal në ballkon me shpresë se orgjitë e qejve të rrugës po shprishin caqet e liridaljeve dhe tellallët, që s’prajnë tue m’përditësue me fatalitetin e kësaj pranvere të mrrolun, po lajmërojnë fundin e çmendunisë.
Shkretia e rrugëve më krijon ankth dhe ma cytë kujtesën me bubrrue ndër përjetime thuejse të fashituna nga kujtesa…
Kujtoj kohen kur fillova punë si mësuese… Kaq e humbun mes malesh ishte shkolla ku nepja mësim, sa frika se edhe mue po vijshin me m’i pre u flokët si mësueses te nji film i kahershem bardhezi, më kishte kaplue e imagjinata jeme endte skenarë nga ma surrealët. Imagjinoja se gogolët po vijshin natën me gërshana të ndryshkuna…, ose po ia behnin në derë të klasës me dritare të kristalizueme prej acarit…, ose po shfaqeshin prej mbas gardhit të mpleksun me nji kod mitik, kur hapëzoja mbi borën e ngrime…
Si me dashtë me davaritë këto vegime të rrejshme, sot mora gërshanën dhe i lash dorë të lirë fantazisë… I dashtun ditar, Tash, fytyra tej pasqyrës buzëqesh, e unë nuk di me i diftue pse m’u desht me pritë kaq gjatë… / KultPlus.com
Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar 19 shekuj më parë, ndërsa për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit të tij. Njëra prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.
Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. / KultPlus.com
Selmani punon në Shtëpinë e Evropës dhe është fitues i disa çmimeve gazetareske. Në vitin 2018-të, Parlamenti Evropian në Bruksel ia ndau atij Bursën Sakharov për të drejtat e njeriut. Në këtë BarCamp ai do të flasë për librin e tij, për vazhdimin e këtij projekti gjatë këtij viti, për poezitë e tij, aktivizmin si dhe për punën në fushën e komunikimit.
Edicioni i së mërkurës do të fillojë në ora 18:00, e do të takohemi live në Facebook.
BarCamp Ferizaj është konferencë joformale që ka për qëllim diskutimin e hapur rreth çështjeve të ndryshme. BarCamp Ferizaj organizohet nga Iniciativa për Progres – INPO, dhe këtë radhë mbështetet nga U.S. Embassy Pristina, Kosovo.
Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët. Konferenca e radhës organizohet me Z. Besnik Bislimi, Ministër në detyrë i Financave dhe Transfereve me temen “Ndikimi i virusit Covid-19 në Ekonominë e Kosovës“.
Konferenca do të mbahet me 16 Prill nga ora 15:00 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar shorturl.at/hlxD4 Cilat jane masat që Qeveria ka ndërmarrë për tejkalimin e kësaj situate? Ju ftojmë të inkuadroheni në diskutim dhe ti ndani pyetje/mendimet tuaja me Ministrin z. Bislimi.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;
“La Revue d’Orient et de Hongrie” ka botuar, më 11 prill 1897, në ballinë, procesverbalin e Kongresit të 2-të gjuhësor shqiptar, zhvilluar asokohe në Lungro të Siçilisë me 20 dhe 21 shkurt po të atij viti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Kongresi gjuhësor shqiptar.
“Kemi para nesh procesverbalin e Kongresit të 2-të gjuhësor shqiptar, të mbajtur në Lungro (Itali) më 20 dhe 21 shkurtin e kaluar, nën kryesinë e profesorit Jeronim de Rada, poetit të njohur shqiptar.
Morën pjesë njerëz të profesioneve liberale nga Sofia d’Epiro, Mucchia Albanese, Giorgio Albanese, Firmo, Pallagorio, Frascineto; 55 persona nga Lungro, përfaqësues të komunave të S. Dementrio Corone, Firmo, Acquaformosa, të komitetit “Pro Civiltate” në Bolonjë dhe dy shqiptarë nga Bukureshti.
Iu bashkuan kongresit komunat e S. Nicola dell’Alto, Portocannone, Spezzano Albanese, Greci di Puglia dhe disa personazhe nga Castroreggio, Palermo, Piana dei Greci, Caraffa di Catanzaro, San Adriano në San Demetrio, Pallagorio, Catanzaro; shoqëria shqiptare “Dituria” në Bukuresht, komiteti i shqiptarëve në Napoli (Giovanni Castriota Skanderbeg, marchese di Auletta, A. Dramis, avokatët Fr. Mauro dhe G. Placco dhe profesorët Gerardo dhe Gennaro Couforti).Asnjë shqiptar i vetëm nga vetë Shqipëria !
Në fjalën e tij të hapjes, De Rada shpjegoi qëllimin letrar të veprës, duke vënë në dukje se statusi quo politik në Shqipëri ende ofron, në kushtet aktuale, garancinë më të mirë për kombësinë shqiptare.
Kongresi vendosi t’i shkruajë mbretit të Italisë dhe z. Crispi (të cilët dërguan falënderimet e tyre gjatë Kongresit), komitetit të Bolonjës dhe gazetave Tribuna (në Romë), Resto del Carlino (në Bolonjë) dhe Secolo-s (në Milano).
Në seancën e 21 shkurtit, Kongresi miratoi statutin e Shoqërisë kombëtare shqiptare, e cila u formua, me qëllim që të :
1 ° krijojë alfabetin e përbashkët shqiptar,
2 ° të përpilojë një fjalor,
3 ° të botojë një revistë italo-shqiptare,
4 ° të lidhë marrëdhënie me vendin amë.
Shoqëria do të ketë selinë e saj në Lungro (Siçili), do të ketë anëtarë nderi (shqipfolës të të gjitha kombeve), themelues dhe anëtarë të thjeshtë. Anëtarët themelues do të paguajnë 12 franga në vit, ndërsa ata të thjeshtë 6 franga.
Bordi i shoqatës përbëhet nga :
– presidenti : Ans. Lorrecchio, nga Pallagorio;
– zëvendës-presidentët : Luigi Landa, nga Greci di Puglia, dhe Giov.Damis, nga Lungro;
– sekretari : prof. Camillo Vaccaro, nga Lungro.
Një mocion për të kërkuar nga qeveria italiane një subvencion prej 20.000 frangash për kolegjin S. Adriano, në S. Demetrio Corone, u shty për në Kongresin tjetër.
Ky kongres i tretë do të zhvillohet gjithashtu në Lungro.
Kongresi mori shkresa urimesh nga shoqëria “Dituria” në Bukuresht, komiteti shqiptar në Napoli, komunat e Pallagorio-s dhe Piana dei Greci, kolegji S. Adriano, z. Giuseppe Schiro, dy banorë të Giovinazzo-s ( nga Bari) dhe disa të tjerë.” / KultPlus.com
Aldous Leonard Huxley ishte një shkrimtar dhe filozof anglez. Ai shkroi gati pesëdhjetë libra për romane si dhe ese, tregime dhe poema.
Lindur në familjen e shquar Huxley, ai u diplomua në Kolegjin Balliol, Oksford me një diplomë universitare në letërsinë angleze. Në fillim të karrierës së tij, ai botoi tregime të shkurtra dhe poezi dhe redaktoi revistën letrare Oxford Poetry, përpara se të vazhdonte të botonte shkrime të udhëtimit, satirë dhe skenarë.
Ai e kaloi pjesën e fundit të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, duke jetuar në Los Angeles nga viti 1937 deri në vdekjen e tij. Në fund të jetës së tij, Huxley u pranua gjerësisht si një nga intelektualët kryesorë të kohës së tij. Ai u nominua për çmimin Nobel në Letërsi shtatë herë.
KultPlus ju sjell sot një thënie të njohur të Huxley: Ndoshta kjo botë është ferri i ndonjë planeti tjetër. / KultPlus.com
Shkatërrimet e habitatit të kafshëve dhe pandemitë janë shkaktuar nga të njëjtat procese.
COVID-19, është “hakmarrja” e natyrës?! Në këto kushte është ekstremisht e jonjerëzore të hiqen në paralele e tillë, por shkaktarët hipotetikë të kësaj katastrofe humane po shpërfaqen gjithnjë e më qartë në dritën e fakteve shkencore. Një studim prestigjioz konfirmon se gjuetia, tregtia dhe degradimi i habitatit të shumë krijesave, që kanë pranuar të bashkëjetojnë në një planet me ne, janë baza e zhdukjes së specieve dhe shfaqjes së pandemive me origjinë shtazore. A kanë ndonjë lidhje pandemia COVID-19 me degradimin e habitatit të krijuar nga njeriu –pyet Focus?
Ato janë një pasojë e drejtpërdrejtë, rrjedhojë e prishjes së asaj mburoje nga një armik kaq misterioz dhe i pamëshirshëm, siç po rezulton të jetë ky coronavirus, konfirmohet pak a shumë një studim i publikuar në “Proceedings” i Shoqërisë Mbretërore Britanike. Fenomenet me origjinën e zhdukjes së specieve shtazore, të tilla si urbanizimi, shkatërrimi i habitateve natyrore, gjuetia dhe tregtia e paligjshme e kafshëve ekzotike, janë të njëjta që rrisin mundësinë e transmetimit të patogjenëve nga kafshët te njerëzit. Ata në fakt janë të gjithë faktorët që rrisin afërsinë fizike midis qenieve njerëzore dhe krijesave të tjera që popullojnë tokën, banesën tonë të përbashkët. Pavarësisht nevojave në rritje të njeriut për të ruajtur ekulibret e brishta, ai duhet të jetë më përgjegjshëm në menaxhimin e resurseve, duke i dhënë mundësi natyrës që të mbrojë banorët e saj të rrezikuar përmes garantimit të habitatit të padëmtuar nga njeriu. Hulumtimi është pjesë e PREDICT, një projekt i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, i cili synon të forcojë aftësinë globale, për të zbuluar viruse me potencial pandemik, të aftë për të kaluar nga kafshët te kafshët dhe nga kafshët tek njeriu, dhe roli i njeriut për të rritur mbikëqyrjen ndaj këtyre kërcënimeve. Studiuesit e Shkollës së Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Kalifornisë, Davis ‘One, Institute University, ekzaminuan 142 viruse të kafshëve të njohura, të mundshme për tu transmetuar te njerëzit, si dhe statusin e konservimit të specieve të pretenduara “nikoqire”.
Se dora e njeriut është shkaktari i infeksioneve zoonotike, kuptohet nga disa tendenca të theksuara nga studimi. Për të filluar, kafshët që ndajnë numrin më të madh të viruseve me njerëzit, janë kafshë shtëpiake ose ferme. Me ta ne shkëmbejmë tetë herë më shumë patogjen sesa me gjitarë të egër. Edhe kafshët që janë shumuar ose janë përshtatur mirë për bashkëjetesë me njerëzit, ose që në disa zona gjeografike jetojnë afër të lashtave të tyre, siç janë disa lloje të brejtësve, lakuriqëve ose primatëve, kanë shumë infeksione të përbashkëta me njerëzit, dhe janë më lehtë si transportues të zoonozave. Në të kundërt, edhe speciet që kërcënohen me zhdukje për shkak të aktiviteteve njerëzore; si shpyllëzimi, masivizimi i gjahut ose tregtia e paligjshme, janë shtëpia e dy herë më shumë viruseve zoonotike sesa kafshët, popullsia e të cilave po zvogëlohet për shkaqe jo njerëzore. Mendoni për pangolinat, ushtritë e mundshme të ndërmjetme të koronavirusit SARS-CoV2, si dhe midis kafshëve ekzotike, më të rralla dhe më të kontrabanduara në botë; lakrat e frutave që janë bërë “mishi i shkurreve” në vendet e prekura nga Ebola, ose specie të tjera të lakuriqëve, që i atribuohen origjinës së patogjenëve si SARS, viruset Nipah ose Marburg.Speciet e rrezikuara gjithashtu monitorohen më shpesh nga njerëzit, të cilët vijnë në kontakt me ta për arsye konservimi ose hulumtimi dhe për këtë arsye rrisin mundësitë për shkëmbim viral. Kjo dëshmi na tregon, edhe një herë, se lloji i ndërveprimit që krijojmë me habitatet natyrore, përcakton jo vetëm shëndetin e kafshëve, por edhe tonin. E shprehur kjo përmes ndotjes, paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike, ndryshimit të klimës… dhe pandemitë./ Focus / Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka premtuar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për shkencëtarët e vendit, nëse ata arrijnë të zhvillojnë një vaksinë kundër koronavirusit.
Vendi ish-Sovjetik me një popullsi prej rreth 42 milion ka konfirmuar 3,102 raste të COVID-19 dhe 93 njerëz kanë vdekur.
“Presidenti beson se një milion dollarë është një nxitje e mirë”, tha zëdhënësja e tij Yuliya Mendel në një deklaratë dërguar AFP, me qëllimin që të zhvillojë një vaksinë që do të “shpëtojë qindra mijëra jetë njerëzish”.
Ajo shtoi se kërkesa e Zelenskyt për të zhvilluar një vaksinë kundër COVID-19 u dërgua në Akademinë e Shkencave të Ukrainës muajin e kaluar. Të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi rëndësinë e zhvillimit të një vaksine COVID-19, duke thënë se ishte e nevojshme që të ndalohej plotësisht transmetimi i sëmundjes, e cila ka çuar në mbi 120,000 vdekje në të gjithë botën. / KultPlus.com
Ndonëse ishte bërë çdo përgatitje që festivalit të mbahet në fund të muajit maj të këtij viti, për shkak të situatës së krijuar nga Koronavirusi, organizatorët janë detyruar që ta rivendosin për vitin e ardhshëm.
Në njoftimin zyrtar që është bërë nga festivali, bëhet e ditur se çdo biletë e blerë për këtë vit, mund të shfrytëzohet për vitin e ardhshëm.
Mirëpo, në rast se dikush dëshiron që ta kthejë atë, kjo do të jetë e mundur përmes kontakteve zyrtarë nga festivali.
Më poshtë gjeni njoftimin zyrtar të publikuar në rrjetet sociale:
I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.
Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.
Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.
Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.
“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.
Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë.
40 thënie nga Franklin
1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.
2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.
3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.
4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.
5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.
6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.
7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.
8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.
9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.
10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.
11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.
12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”
13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.
14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.
15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.
16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.
17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.
18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.
19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.
20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.
21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.
22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.
23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.
24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.
25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.
26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.
27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.
28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.
29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.
30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.
31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.
32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.
33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.
34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.
35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.
36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.
37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.
38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.
39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com