“25 gërsheta”, tre arbëreshë në Tiranë sjellin këngët e traditës me motive rok (VIDEO)

Janë arbëreshë dhe këndojnë në gjuhën e tyre. Këngë që ne dhe ata përtej detit, i kanë trashëguar brez pas brezi.

Njihen në Itali si Peppa Marriti Band dhe janë unikë në atë që bëjnë. Sepse nuk bashkojnë vetëm muzikën rrok dhe atë reage, por edhe sepse këndojnë në një gjuhë të veçantë. Ata këndojnë këngë arbëreshe.

https://www.youtube.com/watch?v=GWHlV8N4gYk

“Unë kam mësuar arbërisht nga nëna ime. Ajo është me origjinë shqiptare e në shtëpi më fliste gjithnjë në gjuhën arbëreshe. Madje edhe kur dilnim jashtë komunikonim në këtë gjuhë. Ne që kemi lindur në vendet arbëreshe, gjithnjë pyetemi nga fqinjët e qytetarët e vendit ku jetojmë: Si ka mundësi që flisni një gjuhë si kjo? Çfarë gjuhe është? Është një gjuhë e vjetër? Arkaike, i përgjigjem gjithnjë. Është një shqipe e vjetër kjo që flasim ne, një shqipe që ka 5 shekuj që mbijeton. Kush jam unë që të mos ia përcjell fëmijëve të mi?”

Thonë se për brezin e ri muzika arbëreshe duke më interesante kështu, pra, pak më rrok.

Angelo Conte nuk është i vetmi që kupton, flet dhe këndon në gjuhën arbëreshe. Edhe violinisti i bandës Pino Murano rrëfen për Vizion Plus se muzika e trashëguar e ka ndihmuar të mos e harrojë gjuhën e gjyshërve dhe prindërve të tij.

Francesko nuk është i vetmi Italian në bandë. Demetro është rritur me shokët e tij arbëreshë dhe pjesë të kohës së lirë kishin jo pak herë këngët arbëreshe.

“Kur regjistruam këngët e para isha shumë entuziast, edhe pse ishin këngë që nuk vinin nga tradita ime. Tani jam përfshirë në to. Ndoshta edhe sepse janë krijimet tona. Secili nga ne ka një pjesë muzike në to. Sepse ne të gjithë punojmë bashkë me tekstin, me muzikën, me alternimin e rrokut dhe elementeve rege. Jemi të gjithë në një, me emrin Peppa Marriti”.

https://www.youtube.com/watch?v=yG7RFA-7Fz0

Për tre arbëreshët kjo nuk është hera e parë që vizitojnë Tiranën. Dëshira për të njohur trojet e të parëve i ka sjellë edhe më herët në Shqipëri. / KultPlus.com

Sa më i thellë mjerimi, aq më i afërt është Zoti

“Çka është ferri? Unë mendoj se është vuajtja nga të qenurit i paaftë për të dashuruar.”

“Sa më e errët nata, aq më të shndritshëm janë yjet. Sa më i thellë mjerimi, aq më i afërt është Zoti.”

“E si mund të jetosh, dhe të mos kesh asgjë për të treguar?”

“Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet”

“Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar”

“Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë”

“Asgjë në botë nuk është më e vështirë se sa ta flasësh të vërtetën. Asgjë nuk është më e lehtë se lajkatimi.”

“Në mendjen e gjithësecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamudnur të kthehesh mbrapa”.

– Fyodor Dostoevsky

Një japonez e fiton këtë vit çmimin “Nënë Tereza”

Arkitekti japonez Shigeru Ban e ka fituar kësisoj çmimin “Mother Teresa Memorial Award”.

Japonezi ende nuk e ka pranuar çmimin, i cili i takon atij këtë vit, për shërbim humanitar të jashtëzakonshëm ndaj njerëzimit.

Çmimin e ndanë Fondacioni HARMONY me seli në Mumbai. Presidenti i këtij Fondacioni, Abraham Mathai, tha se arkitekti e ka bërë punën e tij me anë të aftësive arkitektonike dhe ka ndihmuar në arkitekturën e vendeve të dala nga lufta dhe katastrofa.

Arkitekti, laureati i çmimit “Nënë Tereza”, do ta marrë çmimin me 10 dhjetor në Mumbai. Ai është 60-të vjeçar ndërsa ka lindur në Tokio. Ai ka marrë edhe çmimin Pritzker – një ndër çmimet më të lakmuara në botën e arkitekturës.

Çmimin në fjalë viteve të kaluara e kanë marrë Malala Yousafzi dhe Dalai Lama, shkruan KultPlus.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS, gërbula dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahet betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfrit e të varfërve”. / KultPlus.com

Vahide dhe Fadil Hoxha, me paramilitarët e Serbisë te dera

Vahide Hoxha është një ndër gratë më të njohura kosovare në kohën e saj, jo vetëm për faktin se ishte bashkëshorte e Fadil Hoxhës, politikanit dhe udhëheqësit më të njohur kosovar, por sepse kreu funksione të shumta, që nga profesoresha e Normales në Prishtinë deri te kryetarja e Bashkësisë së Kulturës.

Nga Prishtina nuk u nda për rreth gjysmë shekulli.

Vahide Hoxha tregon shumë në librin –“Ecje nëpër kujtesë” të Sanije Gashit, por ne po e sjellim sot vetëm një pjesë kur ajo tregon për kohën e NATO-s dhe hyrjen e paramilitarëve serb në shtëpinë e saj.

– Intervenimin e NATO-s e kaluam në Prishtinë. Ditët e para në shtëpinë tonë, përderisa një mesditë erdhën paramilitarët. Hynë në oborr, trokitën gjatë, ndonja 10 minuta në derën tonë të mbyllur, ndërkohë që Fadili, unë, motra Nahirja dhe Veton (Surroi) qëndronim të përgatitur. Fati deshi që u tërhoqën vazhduan te fqinji pranë, të cilit ia thyen derën. Pas asaj dite, e lëshuam shtëpinë dhe për dy muaj të tjerë, qëndruam në dy shtëpi të tjera.


E marrë nga Besnik Pula / Facebook

Vahidja tregon për një jetë të lumtur krahas bashkëshortit. Pas Demonstratave ´81, Fadil Hoxha atakohet nga ana e komunistëve dhe funksionarëve shtetëror të Republikës Socialiste të Serbisë të cilët më vonë nxisin luftën ballkanike të viteve ´90. Nga mesi i viteve ´80 ai tërhiqet nga jeta politike dhe publike.
Vahidja tregon për bashkëshortësinë me Fadilin.


Oral History Kosovo

– Sinqerisht them se kam kaluar një jetë të lumtur. Jemi marrë vesh për çdo gjë, kemi qenë si shokë. Prandaj, nuk e kam pasur lehtë që pas 56 vjetësh të ndahem prej tij. Ishte vështirë. Por, jam munduar të mbahem. Në cdo skutë të shtëpisë sime janë kujtimet, që më lidhin me të.

Vahide Hoxha (1926-2013) punoi si edukatore gjatë tërë jetës, ishte reformuese dhe aktiviste. E lindur në Prizren në familjen e ngritur Kabashi, së bashku me motrën Rahmije ishin gratë e para shqiptare në Prizren që kishin përfunduar studimet universitare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vahidja u bë aktive në lëvizjen e të rinjve anti-fashiste, shkruan KultPlus.

Pas luftës, Vahidja përfundoi studimet në degën e historisë dhe u aktivizua si mësuese, hulumtuese dhe aktiviste në emancipimin e gruas. Si presidente të Këshillit Kulturor të Kosovës, ajo mbikëqyri krijimin e serive të institucioneve edukative dhe kulturore kudo në Kosovë. Para vdekjes ishte kryetare e Shoqatës së Veteranëve së Luftës Nacionale Anti-fashiste të Kosovës. / KultPlus.com

Ninullë për time më

Poezi e shkruar nga Blaga Dimitrova.

Në darkë lëmoj çarçafët e saj
mbuluar nga rrudhat e thella.
Duart e saj
të fishkura nga të dhënët,
më tërheqin drejt natës.

Gjysmë e fjetur, duke folur me zor,
ajo thotë me një zë fëminor,
aq natyrshëm,
«Mëmë!»
Unë bëhem mëmë e mëmës sime.

Një kataklizëm, përmbysje
e boshteve të tokës,
polet ndryshohen.
Ç’po bëj kështu?! Unë nuk kam kohë
për reflektime filozofike.

E thaj atë me padurim,
zanat që prej saj e kam mësuar.
«Mëmë», pëshpërit ajo e zënë në faj
duke të kujtuar prapësitë e fëmijës.
Ajri i ftohtë hyn në dritare.

Jastëku me korent. Gota. Tabletat.
Rregullimi i hijes së llambës.
«Mëmë mos ik!
Kam frikë nga terri!»
Kush ka luajtur nga mendja, ajo apo unë?

Ngarkuar me dhimbje e frikë, duke qarë
ajo pret ta marr në krahët e mi.
Dy jetime përqafuar
në djepin e dimrit.
Cila nga to jam unë?

Më zgjo nesër herët!
Druaj se nuk më del gjumi!
Zot i shtrenjtë, ka diçka aty
që e kam harruar?
Kush do të jetë vonë, ajo apo unë?

Mëmë, fëmija im, fli!
Nina-nana,
foshnja ime…

Shtëpia e mbetur shkret

Shkruan: Bajram Mjeku

Çdo përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, a ndonjë datë tjetër të shënuar për kombin, është e pamundur të mos citojmë ndonjë varg a fjalim të deputetit, diplomatit, meshtarit dhe bardit të poezisë shqiptare, Gjergj Fishta.
Harrojmë se për aq sa citojmë Fishtën, po aq dëshmojmë sa të papërgjegjshëm jemi. Edhe 105 vjet pas mëvetësisë së shtetit shqiptar, asnjë Qeveri e djathtë apo e majtë, nuk denjoi të restaurojë shtëpinë e mbetur shkret të Homerit shqiptar në Fishtë.

Pas ‘Suus’, Florent Boshnjaku provon prapë për fitore në Festivalin e TVSH-së

Do të jetë një tentim tjetër i kompozitorit Florent Boshnjaku në Festivalin prestigjioz të fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Kompozitori nga Prishtina, pasi disa vite më parë arriti sukses me këngën “Suus” dhe këngëtaren Rona Nishliu, këtë vit rikthehet në Festivalin e madh me një bashkëpunim tjetër muzikor, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=-e4ZFGrSfs8&feature=youtu.be

Pasi është publikuar lista e të gjitha këngëve që do të marrin pjesë në edicionin e 56-të të festivalit, Boshnjaku vjen me kompozimin “Pritëm edhe pak”, tekstin e këngës të shkruar nga Yll Limani ndërsa vjen nën interpretimin e Lorela Sejdinit.

Vetë Boshnjaku i ka dëshiruar suksese këngëtares dhe një projekti të tillë i ka dëshiruar një nismë të suksesshme.

Boshnjaku është kompozitor i këngës “Suus” nga Rona Nishliu, kënga që deri sot mban pozitën më të mirë të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion. Rona Nishliu në vitin 2012-të përfaqësoi Shqipërinë dhe u radhit në pozitën e pestë në finalen e madhe. / KultPlus.com

Nga Ema Qazimi tek Kadri Roshi, emrat që janë rritur në jetimore…

Nga Albert Zholi

Një histori e panjohur më parë, që hedh dritë mbi një nga misionet humanitare në vendin tonë dhe që shtrihet në pesë etapa e periudha që nga fillesat e saj deri në ditët e sotme.

Nga veprimtaria bamirëse e Motrave besimtare Katolike Stigmatine, të mbështetura më pas edhe nga Kryqi i Kuq Amerikan e Kryqi i Kuq Shqiptar, deri te periudha e mbretërisë. Më pas, historia vazhdon me veprimtarinë e strehës vorfnore në periudhën e pushtimit italian dhe deri pas çlirimit, në periudhën e komunizmit, e deri në ditët tona, pas viteve ’90.

Një histori pak e njohur edhe nga historianë dhe specialistë të fushës, por edhe për publikun e gjerë. Një ngjarje që hedh dritë mbi përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të patriotëve dhe humanistëve, që në përpjekje me vështirësitë e kohës, ia dolën të merrnin në mbrojtje dhe të shpëtonin nga mjerimi e fataliteti ata fëmijë pa familje dhe pa përkrahje, fëmijët jetimë.

Fondi prej 960 fotosh të ekspozuara është siguruar nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, Instituti Luces, Qendra Harta e Francës, Fototeka Marubi, AQSH, AQFSH, ATSH, Biblioteka Kombëtare, arkivat e familjeve të vjetra tiranase dhe ato të qendrave të shtëpive të fëmijëve.

Ka njerëz që në jetën e tyre nuk u kushtojnë vëmendje relikteve të vjetra, as që u shkon mendja se çdo kujtim familjar, apo çdo fotografi vjen koha që bëhet pjesë e historisë. Jo pak herë themi: “…si nuk bëmë një fotografi…!?”. Jo pak herë themi “…i kishim po si e humbëm….”. Ku mund ta gjej fëmijërinë time tani? Mirëpo, lumturisht gjenden edhe njerëz që gërmojnë e gjejnë relikte historike, që kanë të bëjnë me jetët njerëzore, i qëmtojnë ato me kujdes dhe ua afrojnë brezave të ardhshëm. Ekspozitën “100 vjet rrugëtim të humanizmit shqiptar” e pamë ditën kur u bë hapja e javës kushtuar fëmijëve jetimë në oborrin e Presidencës, por iu kthyem sërish, sepse aq të shumta ishin materialet fotografike e aq me vlerë, sa kureshtja të shtyn ta rishohësh, por edhe të ndalosh gjatë dhe të meditosh. Një punë e shkëlqyer dhe plot pasion e kuruar me kujdes nga z. Ilir Çumani, që njëkohësisht është edhe drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Historinë e kemi mësuar nëpër libra, na e kanë thënë mësuesit, por kur ndalon përpara disa pamjeve që t’i sjellin afër ngjarjet, atëherë të duket se historinë e ke prekur me dorë e je bërë edhe vetë pjesë e saj. Organizatorët e kësaj ekspozite, Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, e kanë titulluar në mënyrë sinjifikative “100 vjet rrugëtim i humanizmit shqiptar”.

Gjithçka ka filluar atëherë, kur Shqipëria kishte pak kohë që ishte pavarësuar, e u përjetua në fillim me dhimbje. Në trojet shqiptare bëhej luftë, shumë shtëpi u dogjën, shumë njerëz u vranë e shumë fëmijë mbetën pa prindër e pa përkujdesje. Shpesh ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë e vatrat e tyre, për të gjetur bukë e strehë në krahina të tjera. Në stendat ku janë publikuar jo pak, por plot 960 foto të rralla, shkruhet për një ngjarje tragjike. Dy fëmijë jetimë kishin rrugëtuar për ditë e net drejt Tiranës e u gjetën nga xhandarët në gjendje të mjeruar, të uritur e pa strehë, u morën nga autoritetet në përkujdesje, por njëri nga fëmijët ishte dobë- suar aq shumë, sa vdiq. Rauf Fico, që ishte një nëpunës i lartë i shtetit shqiptar, kur e mori vesh këtë lajm tragjik, u pikëllua shumë dhe në bashkëpunim me bamirës si Myrtesim Këlliçi, Sheh Abdurrahman Dyri, Murat Toptani, Zyber Hallulli e të tjerë, organizuan dhe çelën jetimoren e parë shqiptare në vitin 1917.

Por për këtë kauzë humane do të kishte edhe bamirës të tjerë, si Hasan Vogli, Salih Vuçiterna e Sadik Numani. Emrat e këtyre bamirësve i gjen që në krye të ekspozitës. Për fat, janë ruajtur edhe fotografi të asaj kohe, e në një prej tyre se jetimorja u bë në shtëpinë e Harasanëve, në Tiranë. Gjendja ekonomike e popullsisë ishte shume e rëndë, nevojat ishin të mëdha, ndaj shteti i ri shqiptar, krahas jetimores, përveç ndihmës që jepte në ato kohë të vështira misioni i Kryqit të Kuq Amerikan, organizoi dhe Kryqin e Kuq Shqiptar, i cili ndihmonte shtresat e varfra. Drejtuesi i parë i KKSH ishte Dr. A. Sadetini, në vitet 1922-1924, e më pas Dr. Qemal Jusufati, 1924-1933.

Historia për ngritjen e institucioneve të bamirësisë zë fill edhe nga veprimtaria humanitare e Motrave Katolike Stigmatine, që ushtronin veprimtarinë e tyre bamirëse në zonën e Nënshkodrës, në veri të vendit, gjithashtu me Kryqin e Kuq Amerikan në vitet 1917-1924 (fotografi të dhuruara nga Libraria e Kongresit Amerikan), që dhanë një ndihmë të madhe për popullsinë shqiptare në kushtet e një mjerimi të përgjithshëm e shkatërrimi nga luftërat. Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare, e mbetur jashtë shtetit të ri shqiptar e nën sundimin e fqinjëve, u përzunë nga vatrat e veta dhe u vendosën në Shqipëri. Nëpër stenda shihen foto të shumta ku Kryqi i Kuq ndante supë për të varfrit, jetimët, apo bënte kontrolle mjekësore, shihen në foto vajza në strehën vorfnore, në mensa, në klasa, ku mësonin të punonin në avlëmend.

Me sa duket, ata që merreshin me jetimet kishin edhe vizionin e të ardhmes së këtyre fëmijëve, ndaj i përgatisnin për jetën. Një stendë e veçantë ishte me drejtuesit e jetimoreve nëpër vite, Shaufqet Muka, ishte drejtor jetimoreje në vitin 1930, Myzafer Xhaxhiu në vitet 1940- 1942 në Tiranë, Lame Xhama në vitet ’50 -’60 në Delvinë, Niko Ceci në Korçë, Persa Grabova në Shkodër, Evanthi Ciko në Tiranë, apo dhe Aneta Shuteriqi në Elbasan. Kjo e fundit, e nisi punën në përkujdesjen e fëmijëve jetimë parashkollorë, që kur ishte 17- vjeçare e deri sa doli në pension. Një jetë me përkushtim për fëmijët jetimë. Në disa stenda të mëdha ishin vendosur portretet e shumë personaliteteve të kulturës e artit apo fusha të tjera të jetës, të cilët janë rritur jetimë, por kanë qenë të suksesshëm në jetë dhe përbëjnë frymëzim e krenari për brezat e sotëm e të ardhëm. Spikatin mbi 50 personalitete të njohura, mes tyre dëshmorët Meta Hasa, Hydajet Lezha, Ali Demi, Manush Alimani, Kadri Roshi, Ibrahim Kodra, Qamil Grezda, Violeta Manushi, Bedri Dedja, Besim Levonja, Enver Dauti, Eno Koço, Shyqyri Sako, Ema Qazimi, Margarita Xhepa, Limoz Dizdari, Bedri Dedja, Nina Mula, Farudin Hoxha, Kiço Fotiadhi, Xhevahir Spahiu, Perikli Çuli, Fadil Zeqiri, Zoica Haxho, Astrit Kalenja, Bilal Xhaferri, Serafin Fanko, Margarita Xhepa, Jolanda Shala, Farudin Hoxha, Lek Sokoli, Vitore Sallaku, Kolec Traboini, Petraq Qafëzezi, Astrit Kalenja, Ilir Çumani, Mimika Luca, Bejkush Birçe, Jorgo Papingji, Lek Sokoli, e të tjerë.

(vazhdon). / KultPlus.com

Monumenti i Luigj Gurakuqit, në gjendje të tmerrshme (FOTO)

Monumenti i Luigj Gurakuqit është lënë pas dore.

Lajmin e japin vetë shkodranët, të cilët denoncojnë me foto gjendjen e shtatores së personalitetit Luigj Gurakuqi, një monument që duhet mirëmbajtur në çdo kohë, pasi është krenari, kujtesë e këtij vendi.

“Për Bashkinë apo institucionet e tjera, këto vepra shërbejnë vetëm për Ditën e Pavarësisë e nuk mendojnë që duhen respektu duke u kujdes për shtatoren e tyne me riparime apo ruajtje”, shprehet aktivisti Mirsad Basha ndërsa shton se monumentet mund të shërbejnë dhe si aktraksione turistike, në prezantimin e në qyteti në menyrën më të bukur.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat e deputet. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda. / KultPlus.com

Naxhie Deva, dama e Mitrovicës që kurrë nuk ka qenë e ndarë

Emri Naxhie Deva nuk është aspak i panjohur për ata që e duan artin e kulturën shqipe. Njihet si regjisorja e parë te ne, që veç aktrimit e regjisë, do të merret edhe me dramaturgji, lekturë teatri e me përkthime.

Në vitet 50-të të shekullit të kaluar, kur te ne luftoheshin ferexheja dhe prapambeturia ajo ngjitet në Teatrin e Mitrovicës, ku e krijon një ansambël djemsh e vajzash entuziastë, me të cilët, në vitin 1953, teatrin amator e shndërrojnë në teatër profesionist, shkruan KultPlus.

Deva flet në librin e Sanije Gashit – “Ecje nëpër kujtesë”, botuar në vitin 2012-të, kësisoj për Mitrovicën, qytetin e saj të lindjes:

Mitrovica, kurrë nuk ka qenë e ndarë, dëshiron patjetër të bëjë një shpjegim, ndërsa dëgjohet me vëmendje: qytet me lumenj, me 3 salla kinemaje, me fushë të tenisit, me hekurudhë që nga viti 1874, qytet i Minatorëve të Minierës Trepça.. nga Mitrovica janë edhe personalitetet, figurat e shquara të historisë sonë, si Nexhip Draga, apostull i arsimit kombëtar, Isë Boletini, tribun popullor. Që të dy bashkëpunëtorë të Hasan Prishtinës…

****
Populli ynë kurrë nuk ka qenë pushtues, por liridashës, çlirimtar. Përpjekjet për kryengritje të pakoordinuara, me peticione, nuk kanë pasur sukses. Për të ardhmen tonë kanë vendosur Fuqitë e Mëdha, fqinjët hegjemonistë dhe mos-uniteti ynë: interesi personal, klasor, partiak.

****

Eh, amatorët që i kam pasur unë, brezi i Mitrovicës kanë qenë të arsimuar, të gjithë më pastaj janë bërë drejtorë bankash, doktorë shkencash kanë vajtur në diplomaci… Edhe femrat kane qenë të ngritura, ka qenë grup që nuk kanë punuar për para as nuk kanë luftuar për role, kanë qenë entuziastë të disiplinuar…

E lindur në Mitrovicë më 1927, në një familje intelektualësh, u shkollua në Tiranë dhe me aktrim e regji filloi të angazhohet si shumë e re, së pari në Teatrin amator në Mitrovicë, si iniciatore e formimit të këtij teatri e pastaj edhe në Teatrin Kombëtar.

Ajo ishte regjisorja e parë shqiptare pasi kreu një kurs një vjeçar për regji gjatë viteve të pesëdhjeta si dhe magjistroi në shkencat filologjike në Prishtinë.

Deva luajti në dhjetra role kryesore e dytësore në dramën shqipe të Teatrit Kombëtar dhe së bashku me aktoret e para la gjurmë të pashlyer në krijimtarinë teatrore në këtë trevë. Ishte me vite përzgjedhëse dhe lektore e dramave në teatër dhe për angazhimin saj të shumë anshëm u shpërblye me mirënjohje e falënderime. / KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi takohet me ekipin e filmit ‘Martesa’ (FOTO)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi priti në takim, ekipin e filmit fitues “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri.

Ministri Gashi përgëzoi Zeqirin dhe ekipin e filmit “Martesa” për arritjet e tyre dhe suksesin e filmit, i cili ka triumfuar në festivalin prestigjioz PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival, me çmimin e kritikës ‘Fipresci Prize’ si dhe me çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar në Tallinn të Estonisë.

Ai u shpreh se sukseset që po tregojnë artistët tanë jashtë kufijve të Kosovës, po ndihmojnë në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën, andaj këto rezultate janë motivi më i mirë për të vazhduar përkrahjen edhe më të madhe për punën dhe performancën e tyre. Ministri garantoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të rris përkrahjen edhe më tutje në realizimin e projekteve të tyre.

Ndërkaq, regjisorja e filmit, Blerta Zeqiri, falënderoi ministrin për pritjen e tij dhe përkrahjen e Ministrisë si dhe tha se puna e tyre nuk do të ndalet me kaq por do të punohet edhe më shumë në prurjen e sukseseve tjera me qëllim të promovimit të vlerave filmike të vendit tonë. / KultPlus.com

Piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini shpërblehet me Mirënjohje për Qytetari Aktive

Gili Hoxhaj

Instituti Demokracia për Zhvillim ka mbajtur sot Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i Vullnetarizmit dhe Qytetarisë Aktive në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Vullnetar i Vitit” e mori Silvar Hysenaj, i cili ushtron profesionin e tij përtej kohës së rregullt të punës si teknik medicinal, duke punuar si vullnetar edhe në ndërrime të dyta, vetëm që të jetë në shërbim të qytetarëve në raste emergjente.

Në mesin e shumë çmimeve që u dhuruan sot, piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini u shpërblye me Mirënjohje për Qytetare Aktive nga Instituti Demokraci për Zhvillim. Ajo para pak javësh ka magjepsur publikun me ekspozitën e saj të parë personale, në kuadër të së cilës ka prezantuar rreth 30 punime, ky të ardhurat e dy prej tyre ka vendosur që t’i ndajë për bamirësi.

“Erlisa Çerkini pikturimin jo vetëm që e ka pasion dhe profesion, por edhe e dedikon për qëllim të mirë. Fitimet nga piktura e parë e shitur i dhuroi për Fshatin SOS, dhe këtë vazhdon ta bëjë edhe në ditët e sotme. Kontributi i saj sot vlerësohet me Mirënjohje për Qytetare Aktive”, u tha sot gjatë ndarjes së shpërblimeve.

“Fëmijët në SOS Fshat janë njëra nga kategoritë të cilat më prekin më së shumti andaj edhe ua kam dedikuar atyre paratë”, ishin fjalët e piktores së re me shpirt human e artistik.

Ajo më pas tregoi për KultPlus se ndihet tejet e emocionuar për këtë çmim, dhe se ky çmim e motivon edhe më shumë punën e saj të mëtutjeshme.

“Jam shumë e kënaqur qe me veprimin tim humanitar kam arritur të vlerësohem nga Instituti D4D. Ishte babi im, i cili më ka nominuar për këtë çmim ndërsa storja ime që paratë e fituara nga piktura ime e shitur t’ia dhuroj SOS fshatit, ju ka bërë shumë përshtypje komisionit. Ndihem shumë e nderuar që edhe pse në këtë moshë, kam arritur të kontribuoj në një kategori të njerëzve që më emocionojnë shumë, ky është një motiv qe unë të vazhdoj të jap edhe më shume nga veprat e mia”, tha piktorja Erlisa Çerkini.


Në këtë ceremoni çmimet u ndanë nga Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell, i cili gjatë fjalës hyrëse në këtë ceremoni theksoi se vullnetarizmi është baza e një shoqërie demokratike.

“Vullnetarizmi është gjaku i një shoqërie demokratike. Çdo demokraci në botë ka nevojë për institucionet, zgjedhjet, parlamentet por më së shumti demokracia ka nevojë për qytetarët aktiv, për vullnetarë, për njerëzit të cilët nuk presin që dikush tjetër do t’i zgjedhë problemet të gjithëve por që mbajnë fatin në duart e tyre dhe bëjnë përpjekjet për ndryshim, bëjnë përmirësimet në shoqërinë e tyre”, ishin disa nga fjalët e fjalimit hyrës të Ambasadorit Ruairi O’Connell.

Qëllim i Çmimit për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit është promovimi i punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Kosovë, aktivizmi dhe shërbimi i të cilëve ka bërë ndryshim të dukshëm në komunitetet e tyre./ KultPlus.com

Dëgjoni 22 këngët konkurruese në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Janë zbuluar sonte të gjitha këngët, titujt, kompozitorët e këngëtarët që do të jenë pjesëmarrës në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

22 këngë do të jenë pjesë e këtij festivali. Më poshtë po e sjellim lisën por edhe këngët, të cilat këtë vit prezantohen paraprakisht, para se të këndohen me datë 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.

Dihet se kënga fituese do të prezantojë Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2018-të në Portugali.

Mes emrave që shohim në këtë edicion janë edhe Xhesika Polo, Mariza Ikonomi, Redon Makashi, Voltan Prodani dhe emra tjerë.

https://www.youtube.com/watch?v=KJl9UPxNcdg&feature=youtu.be&list=PL0XoaVRW0j7ByvZHWOn7oFawxe4DIDCPt

Bojken Lako kthehet në këtë festival për herën e katërt, ndërsa Elton Deda vjen në festival pas pjesëmarrjes në vitin 2011-të, kur u rendit në vendin e dytë. Artemisa Mithi po e bën debutimin e saj në festival, ndërsa Eugent Bushpepa kthehet poashtu në festival pas disa vitesh mungesë. / KultPlus.com

AKULLTHYESIT – “Divorci” (Divorce)
Artemisa Mithi – “E dua botën” (I love the world)
Bojken Lako – “Sytë e shpirtit” (The eyes of the soul)
David & Genc Tukiqi – “Të pandarë” (Inseperable)
Denisa Gjezo – “Zemër ku je” (Dear heart, where you are)
Elton Deda – “Fjalët” – (Words)
Ergi Bregu-Latifllari – “Bum Bum”
Eugent Bushpepa “Mall” (Yearning)
Evans Rama – “Gjurmët” (Traces)
Inest Neziri – “Piedestal” – (Pedestal)
LORELA – “Pritem edhe pak” (Wait a little longer)
LYNX – “Vonë” (Late)
Manjola Nallbani – “I njejti qiell” (The same sky)
Mariza Ikonomi – “Unë” (Me)
NA & Festina Mezini – “Tjetër jetë” (Another life)
Orgesa Zaimi – “Ngrije zërin” (Speak up)
Redon Makashi – “Ekzistoj” (I exist)
Rezarta Samja & Luis Ejlli – “Ra një yll” (A star fell)
Stefi & Endri Prifti – “Mesazh” (Message)
Tahir Gjoci – “Orë e ndaluar” (Stopped clock)
Voltan Prodani – “Pse të desha” (Why would I love you?)
Xhesika Polo – “Përjetë” (Forever)

Barbara

Poezi e shkruar nga Jacques Prévert. (Shqipëroi Vasil Qesari)

Mos harro Barbara,
Binte shi atë ditë në Brest.
E ti e qeshur ecje,
E lehtë, e gëzuar, e bërë qull
Nën litarët e shiut …
Mos harro Barbara !
Shiu s’pushonte në Brest,
E ne u pamë në rrugën Siam.
Ti qeshje
E unë të buzëqesha.
Ty që nuk të njihja
Ti që nuk më njihje.
E mban mend,
Pa tjetër e mban mend atë ditë !
Një burrë nën’ një portë qe strehuar
Dhe thirri emrin tënd:
– Barbara !
E ti rende drejt tij nepër shi
Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi
E në krahë ju hodhe …
Mos e harro këtë Barbara,

E mos u dëshpëro nëse të flas me ti
Kështu u flas të gjithë atyre që dua
Edhe kur i kam parë vetëm një herë.
Kështu u flas gjithë të dashuruarve,
Edhe pse s’i kam njohur kurrë !
Mbaje mend Barbara,
Mos e harro
Atë shi të butë e të lumtur
Mbi fytyrën tënde të bukur,
Në atë qytet të lumtur.
Atë shi mbi det,
Mbi mal,
Mbi anijen Ouessant.
Oh,Barbara,
Lufta është idiotësi !
Ku je, ku ndodhesh ti tani
Nenë këtë shi të metaltë
Prej zjarri,çeliku e gjaku ?
Ku është ai që në krahë
Të shtrëngonte plot dashuri
Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë ?
Oh, Barbara
Bie pambarim shi në Brest
Siç binte atëherë,
Po s’është njëlloj,
Gjithçka ka ndryshuar
S’është shi kobi a dhimbje patreguar
S’është më as stuhi
Hekuri, çeliku e gjaku,
Por thjesht ca re të mbetura
Hequr zvarrë si lango rrugësh
Si zagarë që heqin shpirt
Përrenjve të Brestit
E që kalben larg
Larg, shumë larg,
Aty ku gjurmë
S’u mbetet më …

Në Prishtinë vjen një ekspozitë me punimet e nxënësve të verbër dhe me dëmtime në të parë

PEJA LIONS Club në bashkëpunim me Qendrën Burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” nga Peja dhe Leo Club Prishtina, nesër organizojnë një ekspozitë shitëse.

Bëhet fjalë për ekspozitën shitëse “Një ditë për ju”- kushtuar Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, në të cilën paraqiten punimet nga nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë të shkollës në Pejë, thuhet në komunikatë.

Ekspozita është pjesë e projektit me të njëjtin emër që është financuar nga D4D/Ambasada britanike në Kosovë që ka për qëllim nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë. Në ekspozitë janë të ekspozuara punime dhe animacione në pikturë, mozaikë, punime dore, etj. kurse të ftuar janë institucione, organizata vendore dhe ndërkombëtare, biznese, etj.

Me pjesëmarrjen tuaj në këtë ekspozitë ju shprehni respektin ndaj angazhimit të këtyre fëmijëve të verbër, kurse duke blerë punimet e tyre, ju dëshmoni se puna e tyre vlen, ashtu sikurse edhe ata vlejnë.

Ekspozita hapet të hënën, më datë 04 dhjetor 2017, në Kolegjin HEIMERER, Lagja Kalabri, (Rruga për Veternik), Veranda D4, Hyrja C dhe D në Prishtinë nga ora 13.00 dhe shoqërohet me aktivitete tjera të kushtuara kësaj date. / KultPlus.com

Më dhimbseni ju që i rrisni fëmijët jashtë Shqipërisë

Nga Anxhela Cikopano

Më dhimbseni ju që i rrisni fëmijët jashtë Shqipërisë. Fëmijët tuaj nuk do të provojnë kurrë emocionet e vërteta, ato që shoqërojnë fëmijërinë dhe gjithë jetën e shqiptarit të rritur në tokën mëmë. Si për shembull, gëzimin baritor kur të vjen uji, se si i telefonon mamasë t’i thuash gjithë shend: “Vëre pompën mos të vjen edhe ty uji, se ne na erdhi”. Apo entuziasmin e çiltër kur të vijnë dritat, ashtu si edhe mërinë që zjen brenda kur të ikin. Etjen për gjak kur luhatja e tensionit të djeg gjithë ç’ke në shtëpi dhe askush nuk i del për zot. Mundimin e sinqertë prej Sizifi të blesh çdo vit mobilie, se t’i vë para shiu. Adhurimin e pashmangshëm ndaj qeveritarit që vjen “të të qajë hallin” sa për të dalë në televizor dhe për të rrahur gjoksin mbi arritjet e tij. Ndërgjegjësimin naiv sa herë sheh një dokumentar të Shqipërisë të para 100 viteve, ndërsa thua thuajse nën zë: “Një turi edhe sot e kësaj dite.”

Filmi ‘Martesa’ merr çmimin e kritikës në Estoni

Filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri ka fituar sot çmimin e kritikës FIPRESCI në pjesëmarrjen në Estoni.

“Martesa” është shpërblyer në Tallin Black Nighs Film Festival, atje ku edhe pati këtë javë premierën botërore.

Çmimi vjen nga FIPRESCI – International Federation of Film Critics, shkruan KultPlus.

Madje ky nuk është i vetmi çmim për filmin. Filmi ka marrë edhe çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar sonte në Tallinn të Estonisë.

Mjaft e lumtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisorja falenderoi jurinë për çmimet dhe u shpreh: ‘Premiera e filmit në këtë festival ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Këtë film e kam bërë për dashurinë e pamundur mes dy njerzve të gjinisë së njejtë sepse për mua ndalimi i dashurisë në emër të një norme shoqërore është absurde. Dashuria nuk është krim përderisa ndalimi i saj është, dhe për këtë arsye këtë çmim ia kushtoj ndjenjës më të bukur – dashurisë.‘

Ndërsa producenti Keka Kreshnik Berisha ndër tjerash falenderoi të gjithë ekipën për punën fantastike që kanë bërë me shumë pasion e dashuri.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku tha: ‘Ky është një sukses i plotëmerituar për ekipën e filmit dhe një lajm shumë i mirë për kinematografinë e Kosovës.’

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese.

Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar. / KultPlus.com

Prishun shpirtit!

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili

Rrfâna t’zhigatuna, t’vjérra n’faj tand,
çokla t’ndérës të harrùeme mbâs derë,
gjâna të përhìme përnán dhimtë témen,
birë e gjândërr pllόçet rrethùeme pâ ânë.

E prishuna e shpirtit tând …kùkù për ty…

Xhingâllë e mbetun n’motstinë t’fortë, nankâmbcon ùnit nját t’vόcërr bletë,
t’thâfshin krâh’t, hjédhe nji téshë krâhit,
zdrìte shpirtin tând, prόre si tânë t’tjer’t.

E prishuna e shpirtit tând …kùkù për ty,
rrfâna e zhigatun, t’vjérrë n’faj tând…

“Përfito nga gjendja e mirë shpirtërore, sepse ajo vjen rrallëherë”

“Në qoftë se nga përtacia do të shtrihem në shtrat dhe do të më zërë gjumi, atëherë më mirë të vdesë.”

“Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njejtën mënyrë, por secili bën atë që di e ç’i ka dhënë Zoti.”

“Njerëzit prej të cilëve ne mësojmë, me të drejtë quhen mësuesit tanë, por jo kushdo që na mëson e meriton këtë emër.”

“Çdokush kthehet gjithmonë tek vetëvetja.”

“Kush ka lindur i mençur dhe ka një prirje të veçantë, gjen te vetëvetja ekzistencën më të mirë.”

“Mos luaj me dhimbjen tënde që shqyen si një skifter. Edhe shoqëria më e keqe të bën të kuptosh që je një njeri mes njerëzve të tjerë.”

“Edhe fjala më e lumtur kthehet në një moçal, nëse ai që e dëgjon e ka veshin e shpuar.”

“Përfito nga gjendja e mirë shpirtërore, sepse ajo vjen rrallëherë.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diçka nga to, por më shumë janë shkruar që lexuesi të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Nuk do të isha ende në këtë botë, nëse për të lindur do të kisha pritur të më jepnin leje.”

– Johann W. Goethe

Çka keni lexuar nga krijimtaria letrare e Ibrahim Rugovës?

Edhepse një pjesë e mirë e historisë do ta kujtojë gjithmonë më shumë si një politikan, paqe-dashës dhe një President Historik – siç edhe e mban epitetin, Rugova në karrierën e tij ka kultivuar letërsi por edhe ka qenë i dashuruar në kulturën dhe artin, njëjtë sikur edhe në shkrimin autorial, shkruan KultPlus.

Po i sjellim këtu disa prej veprave të Rugovës që mund ti lexojmë të gjithë, ndoshta që nesër të dimë të flasim më shumë për të, dhe për anën e tij prej shkrimtari e hulumtuesi letrar.

E nisim me ‘Vepra e Bogdanit’. Kur e zbuloi Bogdanin, Ibrahim Rugova ishte një dijetar i kulturës e i literaturës. Vetë e dëshmon se po kërkonte rrënjët e mendimit shqiptar për letërsinë, kur gjeti Bogdanin e tërë, të shkrirë në veprën e tij, në shkrimin e bukur shqip dhe në rrjetin e madh të ideve universale. Në aventurën e tillë të kërkimit, të cilën Rugova e jetoi sa ishte gjallë, zbulojmë një determinizëm romantik, i cili përherë e bëri atë të mendojë se kur kemi sot diçka, do të kemi patur dhe dje. Ndaj, s’iu nda kërkimeve kurrë, në jetën nacionale, në histori, kulturë e letërsi, në historinë politike shqiptare, që bashkë e vetiu lidhen si identitet, ndërsa Rugovën e provojnë kërkues të tij.

Puna bibliografike e Rugovës e botuar në gazeta e revista dhe në veprat e tij për kah rëndësia dhe vëllimi e rendit atë ndër bibliografët më të rëndësishëm të kohës. E konsiderojmë të tillë thjesht për shkakun se me punën e tij bibliografike Rugova ka vu themelet e bibliografisë komentuese te ne, apo siç thotë një bibliograf i ditëve tona Ilir Shyta “Ibrahim Rugova ngelet pionieri i parë i kësaj metode për bibliografinë e arsyetuar”.

Përpjekjet e para për këtë lloj metode (për bibliografinë e komentuar) i gjejmë në kapitullin e IV. Vlerësime të librit “Strategjia e kuptimit” botuar më 1980. Në këtë kapitull që lidhet me vlerësimin e vëllimeve poetike të botuar në Kosovë në periudhën kohore 1945-1979 ai bënë cilësime vlerësuese për secilin autor dhe vëllim poetik. Kjo punë e bërë në këtë libër nuk është përmendur thuaj se asnjëherë publikisht. Ndoshta edhe për shkakun se metoda që përdor dhe rezultatet që nxjerrë në studimin e tij janë konsideruara si punë jo serioze varësisht prej “notave” që kanë marrë librat e komentuar apo edhe për shkaqe të mos njohjes së kësaj fushe.

Ibrahim Rugova në gjuhën shqipe ka përkthyer poezi, prozë, ese, kritikë letrare, studime estetike e deri edhe fejtone kryesisht nga gjuha frënge, ruse dhe serbokroate.

Tashmë dihet se krijimtarinë e vet letrare e nisi me poezi e të njëjtën gjë e bëri edhe me përkthime të cilat nis ti botojë në vitin 1968, për të vazhduar përgjatë viteve të ’70 e përfunduar në vitet ’80 të cilat gjenin hapësirë publikimi në gazetat e revistat tona kryesisht te Rilindja, Jeta e re, Fjala, Bota e re, Zëri i rinisë.

Në mesin e librave që ka shkruar Ibrahim Rugova, janë edhe “La Question du Kosovo”, me një parathënie të Ismail Kadaresë. Libri i shkruar në frëngjisht i tregon botës padrejtësitë e bëra në Kosovë, dhe figurën e Sllobodan Milloshevicit e analizon në detaje, për të treguar njeriun që pati mision shkatërrimin e Kosovës. Libri është botim i vitit 1994. / KultPlus.com

Fëmijë i dhembjes

Poezi e shkruar nga Afrim Maliqi, ish gazetar i Rilindjes. Sot bëhen 19 vite nga rënia heroike e dëshmorëve Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

(1 maj, 1987)

Nëpër muzikën e fatit të kurdisur me pahir
Udhëtimin e bëre bukur majë gishtash me drojë
Balerinë e heshtjes së rëndë, heshtjes symadhuar
Zymtisë së kësaj skene hidhesh tërë shkëlqim
E lehtë e rrezore e tejdukshme qelq i larë
Mbi këtë rrafsh të përçudshëm e të vrarë mallkimi
S’di ç’do të gjejmë për të puthur, për të sharë e vrarë
Drama luhet vetëm një herë e tërë jetën është premierë
Balerinë e heshtjes së kobshme, heshtjes së bukur
Fluturake e lehtë nëpër skenën e kuqe gjak
T’i krijojmë sytë shpinës në këtë lojë tehianë
Rrugës duhet t’i biem deri në fund pa i humbur ëndrrat
Premierë është gjithçka, jeta dhe vdekja premierë
E secili gabim është i ri i krijuar rastësisht
Edhe pylli i zi përtej zemrës e mallit e zjarrit
Ç’do gjë është më e re se ne në këtë rrafsh shqetësimi
E udha duhet të bëhet deri në krye të shkallëve
Edhe zvarrë po t’hiqemi deri në ballkonin e lumturisë.

Prishtina nuk ka kohë për shtatore të Adem Jasharit

Heroi kombëtar Zahir Pajaziti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ish-presidenti Ibrahim Rugovës, janë figurat historike për të cilët ka shtatore në qendër të Prishtinës.

Shumë liderë institucionalë e qytetarë, sa herë shënohet 28 Nëntori, bëjnë homazhe në veçanti pranë shtatores së Zahir Pajazitit.

Por, atyre që duan ta nderojnë edhe figurën e heroit Adem Jashari, iu duhet të vizitojnë Prekazin apo Skënderajn, pasi kryeqytetit i mungon shtatorja e tij, shkruan Koha.

Prishtina ka një shesh me emrin e heroit, derisa një fotografi e tij e vendosur për një ndeshje sportive vite më parë, ka mbetur në Pallatin e Rinisë, por që nuk ka ndonjë lidhje me të.

Organizatat e dala nga lufta ka kohë që kanë kërkuar që edhe Prishtina të ketë shtatoren e Adem Jasharit.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala, thotë se kryeqyteti është dashur qysh moti ta nderojë veprën e Jasharit. Shala tregon se një kërkesë e tillë ka kohë që u është drejtuar organeve komunale.

Sipas tij, nuk ka rëndësi lokacioni. Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur kryeqytetit do t’i shtohet edhe shtatorja e Adem Jasharit. Tahiri nuk ka dhënë detaje nëse shtatorja e Jasharit do të mund të vendosej në sheshin që mban emrin e tij. Aty për momentin është përmendorja e Vllaznim-Bashkimit, për të cilën Shpend Ahmeti kishte kërkuar referendum.

E familja Jashari nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Bekim Jashari ka thënë se përgjegjësia dhe vendimmarrja për këtë u mbetet udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

E kaluara dhe bashkëkohorja së bashku në ekspozitën e platformës ‘Heritage Space’ nga CHwb Kosova

Gili Hoxhaj

Trashëgimia kulturore si pjesë e rëndësishme e të tashmes, zuri mbrëmë të dy katet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Mënyra se si ato ndaheshin në mediume e pjesë të ndryshme dukej sikur Heritage Space kishte sjellë një ekspozitë në vete në secilin projekt.

Brenda punimeve, kjo ekspozitë arrin të prekë shumë dimensione brenda platformës Heritage Space.

Kjo platformë ka mbledhur njerëz të fushave të ndryshme të cilët përmes kreativitetit të tyre krijues japin kontributin në trashëgiminë kulturore, kështu duke dëshmuar që kontributi në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore është i mundshëm nga çdo fushë e aspekt.

Projekti Heritage Space ka filluar që nga viti 2016, dhe përgjatë këtyre dy viteve kjo platformë ka përkrahur tetëmbëdhjetë njerëz kreativ nga fusha të ndryshme, të cilët kanë përdorur trashëgiminë kulturore si burim inspirimi, për t’i realizuar idetë e tyre.

Kjo platformë këtë vit kishte angazhuar edhe pesë mentorë të fushave të ndryshme të industrisë kreative të cilët punuan detajisht me pjesëmarrësit për të sjellë produkte kualitative, të cilat edhe mblodhën shumë vizitorë mbrëmë.
Në kuadër të këtij projekti për teknologji informative mentor ishte Milot Shala, në dizajn mode- Flutura Dedinja, në videokrijim- Veton Nurkollari, Jeton Jagxhiu për storytelling- interpretim si dhe Nol Binakaj për fushën e adaptimit të ndërtesave historike.
Përmes mediumeve e formave të ndryshme mbrëmë këto punime zunë vend në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Biçikletat e vendosura në fillim të hyrjes flisnin për “Tour de culture” – një aplikacion udhëtim çiklist nga Lirim Jusufi, Rinor Hatashi dhe Bardh Shasivari . Përmes këtij turneu çiklist janë përshkruar pjesë të ndryshme të Kosovës e ndërlidhjes së 365 kilometrave me mbi 50 monumente të trashëgimisë kulturore.

Projekti tjetër nga Baris Karamuço ka një titull të veçantë – “Memory Bank” i cili duke e parë se si tregimet e qytetit të Prizrenit zbehen me kohën duke qenë se jetojnë vetëm në kujtimet e njerëzve të moshuar, sjellë storiet e dokumentuara për kafenenë e parë në Prizren, si dhe për Diskon dhe DJ-n e parë në këtë qytet tradicional e të bukur.

Levent Butuci është emri tjetër i cili po ashtu sjellë rrëfime nga Prizreni, mirëpo ai e ngërthen në vete temën e besëtytnive, si qëndrojnë ato sot në raport me kohën. Po ashtu një projekt tjetër u prezantua nga Rina Geci, e cila sjellë hollësi nga gjeografia e Maleve të Sharrit, përmes punës dhe përkushtimit të saj vjen edhe katalog “Produkt i dashurisë mes maleve të Sharrit dhe të Prizrenit” , i cili pasqyron traditën e rëndësinë e djathit të Sharrit.

Tregimet në fushën e interpretimit, kanë një qendër të rrëfimit, Prizrenin.

Është ky qyteti i pasur me trashëgimisë kulturore, që ka nxitur punën e shumë artistëve. Shkrimtari prizrenas Roland Spahiu e ka vendosur në letër jetën e gjyshes së tij të cilën e quajnë “Anushi”. Duke qenë se Anushi është në moshë të shtyrë, zonjë që i ka përjetuar ndryshimet kulturore dhe sociale të një periudhe gati njëqind vjeçare, Rolandi synon që nëpërmjet elementeve të jetës së saj që ndërlidhen me qytetin e Prizrenit t’i nxjerrë në pah anët që lidhen me trashëgiminë kulturore.

E gjithë kjo ekspozitë vjen nën organizimin e Fondacionit Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosovo) e cila për shumë vite ka dëshmuar përkushtimin për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Po ashtu të pranishmit shpesh uleshin pranë ekraneve të vendosura në muret e Muzeut, ku diku përmes dëgjueseve, e diku të gjithë së bashku shijonin tregimet dhe video krijimet kreative të këtyre artistëve. Projekti tjetër në fushën e videokrijimit vjen nga ideatorja Flaka Xerxa, ku përfshihen Samir Karahoda dhe Ilir Bajri, të cilët e sjellin dokumentarin për bibliotekën kombëtare.

Në katin e dytë të Muzeut, kanë zënë vend puna e Petrit Ibrahimit, i cili sjellë një shëtitje virtuale në Muzeun Etnologjik. Përveç pamjeve 360°, gjatë kësaj shëtitje virtuale ai ngërthen edhe shumë informata për funksionin e kthinave të muzeut, eksponatet dhe informatat tjera, të gjitha këto të përcjella nën tingujt e “Haptic Space”.

Punimi i fundit në katin e dytë të muzeut vjen nga fusha e dizajnit, nga Petrit Kamberi, i cili ka bërë një koleksionim të veshjeve nga kostumet e punuara nga veku. Veshjet tradicionale shqiptare përmes punës së tij kthehen në veshje të përditshmërisë sonë.

Fusha e adaptimit të ndërtesave historike përfshin një punëtori dy javore të titulluar “Rijetësimi”, ekipi i së cilës kanë arritur që kullën e familjes Mazrekaj në Drenoc ta ritransformojnë në një vend atraktiv për turistët.
Arbenita Gashi nga organizata CHwB Kosovo, tregoi më shumë për qëllimin dhe projektet e organizuar në kuadër të platformës “Heritage Space”.

“Qëllimi i kësaj platforme është ndërlidhja e trashëgimisë kulturore me fushat e industrisë kreative. Ky projekt i ka dhënë hapësirë inovacionit në trashëgimi kulturore. Gjatë këtyre dy viteve kanë përfituar tetëmbëdhjetë individ të cilët kanë realizuar dymbëdhjetë projekte kreative. Pas thirrjes së parë që ka ndodhur, në vitin e parë të Heritage Space, e kemi parë të nevojshme që të angazhojmë dhe mentorë të cilët do të kujdesen edhe më shumë për kualitetin e produkteve që do të dalin nga kjo platformë. Trashëgimia kulturore nuk duhet të përceptohet vetëm si e kaluara me të cilën ne krenohemi, por si pjesë e përditshmërisë sonë”, ka thënë Arbenita Gashi për KultPlus.

Vizitorët kanë mundësi që edhe gjatë këtyre dy ditëve të njoftohen për së afërmi me produktet e kësaj platforme, e cila do të qëndrojë e hapur në katin e parë dhe të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Një poezi nga dora e Ibrahim Rugovës…

1.
Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

2.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?

3.
Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.

4.
Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?

5.
I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

6.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

7.
Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.

8.
Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.

9.
Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurrë.

( Cerrcë 1960)